VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

E VEÇANTA E GJERMANISË – DO TË JETË M’E FUQISHME N’EVROPË – Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

By | July 2, 2020

Komentet

MASHTRIMI I MADH (II) – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”

                                                                                         Ramiz Alia

 

 

 

Pjesëmarrja në jetën politike e atyre që nuk ishin pajtuar kurrë me komunizmin qe një tjetër aspekt i farsës së mashtrimeve që pësoi ajo shtresë shoqërore, për të cilën u fol aq shumë në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Ndoshta nuk do të ishte folur aqë, sikur drejtuesit komunistë të kishin patur mprehtësinë të kuptonin se fati i keq i shqiptarëve të dënuar nga diktatura i interesonte pak ose aspak “botës së lirë”. Sigurisht nuk mund t’a dinin as ata, as të përndjekurit e të gjymtuarit e diktaturës së kuqe se jetët e tyre, të kaluara kampeve e burgjeve, nuk përbënin asnjë shqetësim për atë botë. Ata viheshin në të njëjtin rrafsh me të tjerët, e si të tillë, nuk do të kishin asnjë përparësi në opinionet publike e zyrtare të Perëndimit, për kalvarin e vuajtjeve që komunizmi i kishte detyruar të përshkonin..

Shumë kush mund të thotë se ajo shtresë nuk pati njerëz të pregatitur për të marrë pjesë në drejtimin e Shtetit dhe se periudhën e qeverisjes së PD së disa prej tyre arritën deri në postet më të larta të administratës shtetërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por duhet vënë në dukje fakti se e gjithë klasa politike pas komuniste, me përjashtim të një pjese të socialistëve, ishte e improvizuar dhe diletante, mbasi përvojën politike nuk mund t’a kishin marrë nga spitalet, fabrikat apo institucionet arsimore ku kishin shërbyer. Në këtë kontekst prirja, për të ngushtuar mundësinë e pjesëmarrjes së ish të dënuarve të ndërgjegjes në jetën politike, ishte e maskuar por reale. Vetë ligji për kontrollin e figurave, i hartuar dhe i shpallur me të madhe si një masë që do të kufizonte pjesëmarrjen e ish zyrtarëve komunistë në Kuvend, në të vërtetë drejtohej në përzgjedhjen e elementëve që vinin nga ish “klasat e përmbysura”. Këta duhej të ishin besnikë të PD ose drejtuesit të saj, përndryshe skartoheshin si të papërshtatëshëm, gjoja simbas dokumentave që kishte në dorë shërbimi i fshehtë e të cilat ishin trashëguar nga Sigurimi i Shtetit komunist. Se sa mund të përpunoheshin këto dokumenta merret me mënd kur nuk ekzistonte asnjë mundësi apelimi ndaj vendimeve të Komisionit.         

Dëmshpërblimi i ish të dënuarve me punë të detyruar gjatë regjimit komunist mbetet ende mbas 13 vitesh të rrëzimit të tij një problem pa zgjidhje. PD në pushtet e njohu si detyrim nga ana e Shtetit por bëri pak për t’a vënë në rrugën e zgjidhjes. Kompensoi një pjesë fare të vogël në të holla e pjesën më të madhe e kaloi në “letra me vlerë”, të cilat, në pjesën dërmuese, u kthyen pa asnjë farë vlere për mbartësit e tyre. Një pjesë e vogël e tyre u shit në treg me një të gjashtën e vlerës e shkoi për të pasuruar ata që blinin objektet e privatizuara, pjesa tjetër u gllabërua nga fantazma anglo-adriatika e askush nuk është në gjëndje të thotë se ç’fund pati. PS që zëvendësoi PD qe më e “sinqertë” në aktin e mashtrimit, mbasi për ish funksionarët e saj me z.Nano në krye, njohu shpërblimet në masën dhjetëfish nga vlera që kishte caktuar Qeveria e Meksit, për disa vite burg të dhëna nga Gjykata e Tiranës në vitet 93-94. Ishin paraparë e paralajmëruar edhe këto dënime në fjalën e Ramiz Alisë si”ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”. Por kur vjen puna për morinë e viteve të të tjerëve, në kompensimin e të cilëve të gjymtuarit e burgjeve varin shpresën e ditëve të fundit të jetës, Nano dhe kolegët e tij përdorin të gjithë arsenalin e tyre të gënjeshtrave e justifikimeve për të zvarrisur në pafundësi zgjidhjen e problemit. Ju vijnë në ndihmë në këtë demagogji të ulët, për të mos thënë kriminale, “specialistët” si Shkëlqim Cani apo ekspertët e FMN, në heshtjen bashkëpuntore të përfaqësuesvet të organizmave evropiane apo diplomacisë së aleatëve të mëdhenj Perëndimorë…

Çfarë zhgënjimi i llahtarshëm mbas një gjysëm qinvjeti kalvari të kaluar edhe sepse shpirtërisht e moralisht e kishin ndjerë veten pjestarë të botës Perëndimore! Sa larg ishin iluzionet e tyre për atë botë  nga mospërfillja e përgjithëshme me të cilën u shërbyen  prej saj. Vite më parë, në një komision me përfaqësues amerikanë që shqyrtonin kërkesat e kandidatëve për studime në shkollat e larta ushtarake të SHBA, përzgjedhja binte më shumë mbi fëmijët e komunistëve. Një pyetjeje të një antari shqiptar se përse pranoheshin pak fëmijë të ish të përndjekurve, kryetari amerikan ju përgjigj se “ata janë të mbushur me mllef dhe ky paraqet rrezikshmëri.” Sigurisht nuk mund të përgjithësohet ky episod, por mbetet trgues i një mendësie jo të dobishme në lidhje me ata që gjithënjë kishin ëndërruar një jetë tjetër. Në përfytyrimin e tyre këtë jetë e kishin binjakëzuar me botën Perëndimore, parimet, vlerat dhe institucionet e saj.

Frika nga hakmarrja e kësaj shtrese të popullsisë, e hasur jo vetëm në kastën e lartë të komunistëve, por edhe në mjediset katolike e socialiste të Evropës, e bashkuar me prirjen për të mos vënë në pah krimin komunist, në gjithë gjërësinë e thellësinë e tij, bënë që përparësia, që duhet  të kishte ajo në sistemin demokratik, të mbetej vetëm një shpresë e vakët dhe e pasendërtuar.

Ajo frikë e hamendësuar nga shumë anë në rrjedhën e këtyre viteve nuk u përligj, mbasi hakmarrjet që priteshin nga njerëzit, të cilëve nomenklatura komuniste ju kishte gjymtuar jetën, nuk u vërtetuan. Kjo ndodhi për shpirtmadhësi, për frikë ndaj ligjit, falë një prirjeje për të mos ndërlikuar më shumë jetën, apo për motive të tjera, të cilat gjithkush mund t’i përceptojë simbas botkuptimit të tij. Por besoj se askush nuk mund të mohojë faktin se qëndrimi i asaj shtrese të popullsisë qe një leksion stili e morali në shkallën më të lartë, që tregoi epërsinë e saj të pakundërshtueshme shpirtërore ndaj xhelatëve të tyre, gjë që çuditërisht askush nuk ka dëshirë t’a verë në dukje.

Ata mjedise të së majtës evropiane, të bashkuar me ish komunistët, në të cilët kanë hyrë me të drejta të plota edhe pasardhësit e PPSHsë, thellë në vete gjejnë me vend dhunën kundër “fashistëve”, paçka se ajo dhunë rëndoi mbi tre breza njerëzish të pafajshëm. Kështu ata bënë çmos që të shmangeshin proçeset për dhjetra mijëra dënime të ndryshme në kundërshtim të plotë me Kartën e të Drejtave të Njeriut dhe ndihmuan drejt për së drejti që klasa politike komuniste, me ndonjë makiazh të vogël emërtimi, të ruante funksionin e saj drejtues edhe në sistemin e ri. Ky qëndrim ishte në përputhje me konceptet e parimet që kishin shoqëruar historinë e tyre të mbas luftës. Simbas Viktor Zaslavskit, një studjues i njohur, profesor i sociologjisë në Universitetin Luiss të Romës, drejtuesit e të majtave evropiane, sidomos komuniste, “ karshi popullsive të tiranizuara të Bllokut sovjetik tregonin një indiferentizëm absolut, sikur të bëhej fjalë për mish për top që duhej të bëhej theror në fushën e betejës së  historisë, që të kishin mbështetjen e shtypësve të tyre, për të zënë pushtetin në Perëndim. Ishte një qëndrim cinik, mbi të cilin shumë pak, në të majtën, kanë bërë një provim të vërtetë ndërgjegjeje.”.

Ja pra pse flitet pak ose aspak në Evropë për krimet e komunizmit, ja pse hasim në dukuri të tilla që ish kuadro të Sigurimit të Shtetit gëzojnë strehim politik e pensione në Itali, ndërsa një dorë pleqsh në moshë të thyer, vëllezërit Popa, megjithëse kishin rrezikuar jetën për të hyrë në Ambasadën italiane e për të jetuar në Italinë e ëndërruar, të riatdhesohen pa asnjë mundësi jetese në Shqipërinë e drejtuar nga Fatos Nano e shokët e tij.

Në fjalën e z.Alia ravijëzohet qartë një strategji për të ardhmen e shoqërisë shqiptare që nuk ndryshon aspak nga ajo e projektuar dhe zbatuar prej partisë komuniste që nga lindja e saj deri në fundin e rremë. Është strategji e bazuar mbi terrorin e mashtrimin, mbi grabitjen e mos respektimin e asnjë të drejte njerëzore. “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të pa rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke ju dhënë nga një pashaportë dhe duke ju bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.

Pasuria e tyre na përket Neve , sepse Ne e bëmë.”

            Ata që sot trumbetojnë me forcë se komunizmi tashmë i përket së shkuarës,në leximin e kësaj pjese besoj se do të kenë rast të rishikojnë dhe një herë bindjet e tyre. Komunizmi i “reformuar” vazhdon t’a shohë Shqipërinë me të njëjtat syze që e kishte parë paraardhësi i tij. “Lufta e klasave” do të vazhdojë  siç vazhdon ndarja e shqiptarëve në “të mirë” e në “të këqij”. Ndryshojnë vetëm metodat, fasada e tyre. Ato bëhen më të holla, më dinake mbasi duhet të ruajnë formën “demokratike”, por në fakt janë më mizore, më të pamëshirshme në thelbin e tyre. Nuk është vështirë që nga fjalët e Alisë të përfytyrohet një Vend që braktiset nga bijtë e bijat e tij, në një dramë të fuqishme në të cilën regjizori pa emër e fytyrë vë në skenë diçka që i shëmbëllen një lloj spastrimi klasor, një lloj ndarjeje, kriteri bazë i të cilit është vetëm prejardhja, të lindurit me një mbiemër të caktuar që diku, në disa regjistra të fshehtë, është vënë në një rreth të kuq.  Dikur këta qytetarë të kategorisë së dytë, mbasi u ishte marrë pasuria, mbaheshin të mbyllur. Tani duhet të përzihen sepse nuk duhet të jenë të pranishëm në rindarjen e pasurisë, që “u takon” atyre, të tjerëve. Ata duhet të ikin, të enden nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë, mbasi Vendi i tyre, Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbetet pronë e komunistëve të cilëve”u takon” t’a gëzojnë brez mbas brezi duke grabitur, duke e përçarë, duke e poshtëruar në sytë e botës, duke e sunduar në të gjitha format. Kush do t’i kundëvihej kësaj “aksiome”  do të ballafaqohej me ndëshkimin  që do të kthehet në origjinën e tij, në plumbat pa emër të njësiteve guerrile, ose dinamitin në pragjet e shtëpive. Vrasjet pa emër të viteve nëntëdhjetë e deri në ditët e sotme, ndoshta e kanë zanafillën në atë Fjalë ogurzezë të të fundmit Kryetar të Shtetit zyrtar komunist…

Tani e tutje ky Shtet duhet të ndërrojë petk, duhet të heqë uniformën ushtarake ala Mao, duhet të veshë kostumin e kollaren, për të hyrë në sallonet e Brukselit e të Strasburgut. Në fjalorin e tij nuk duhet të ketë më “luftë klasash”, “luftë kundër kapitalizmit”, “diktaturë e proletariatit” e të tjera shprehje të këtij lloji. Atje do të hyhet duke hymnizuar “lirinë”, “demokracinë”, “tregun e lirë”, “solidaritetin atllantik”, “të drejtat e njeriut”. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë si gjethe fiku një synimi të qartë, një besimi të palëkundur, një vendimi të pakundërshtueshëm të kupolës komuniste, të shkruar me gërma të kuqe si gjaku, me të cilin do të mbrohet, po të jetë nevoja: Shqipërinë do t’a gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë.

Kjo do të ishte, në projektin ramizian, Shqipëria demokratike. Nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse do të quhej vetëm një projekt, sado cinik e kriminal që është. Nuk mund të pritej diçka tjetër nga një kastë që ishte rritur me pushtetin në dorë, mospërfillëse ndaj interesave të popullit që e mbante në kurriz. Asnjëherë deri atëhere udhëheqja komuniste shqiptare nuk kishte qënë kaq e sinqertë në paraqitjen e saj, kaq e zhveshur nga demagogjia, kaq e tejdukëshme në qëllimet e saj. Asnjëherë nuk e kishte shpalosur kaqë hapur thelbin e qënies së saj, që ishte vetëm ideja e pushtetit mbi një popull që ishte marrë nëpër këmbë e qorollisur aq gjatë n’emër të “interesave” të tij.

 

Mars 2004

Vijon

… por i thotë shqiptari vetes “faleminderit unë, që të shpëtova ty”- Nga SHABAN MURATI

Pak alegori

Që ne shqiptarët e kemi gjenetik kompleksin e inferioritetit e tregon fakti se shqiptari i ka shpëtuar jetën dikujt dhe nuk thotë ”faleminderit” i shpëtuari, por i thotë shqiptari vetes “faleminderit unë, që të shpëtova ty”. Shqiptari i dalldisur nga inferioriteti ngren muzeume kombëtare për vuajtjet e atij, që ka shpëtuar, dhe nuk ka ngritur një muzeum kombëtar për vuajtjet e genocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Çamëri. Shqiptari i fut në shkollat e veta lëndën e vuajtjes së atij, që ka shpëtuar, dhe nuk fut në shkolla lëndën e martirizimit të kombit të vet. Shqiptari ngren në oborrin e vet monumente e memoriale në nderim të atij, që ka shpëtuar, kurse i shpëtuari nuk ngren në oborrin e tij asnjë monument apo memorial të posaçëm si falenderim për shqiptarin si shpëtimtar. Dhe që të arrihet kulmi, shteti shqiptar i jep dekoratat më të larta atij, që është shpëtuar, kurse shteti i të shpëtuarit përçmon interesin kombëtar shqiptar.
Duke parafrazuar një shkrimtare amerikane, është lehtë njeriu dhe shteti të bëhen krimb, mafton të mos ankohen kur e shkelin.

MASHTRIMI I MADH (Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë) – Nga EUGJEN MERLIKA

 

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”

Ramiz Alia

 

 

Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”

Me këtë pohim “të sinqertë” që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit” si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i partisë së komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë do të ishte një gur sinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.

Viti 1989, i mrekullive të paimagjinueshme të një shekulli luftërash mizore e diktaturash të pashembullta, po ecte me revan drejt fundit të tij. Kishte sjellë flladin e lirisë në Vendet e Evropës Lindore që, njëri pas tjetrit, rrëzuan regjimet komuniste që i kishin sunduar për gati një gjysëm qindvjeti. Muri i Berlinit ishte shembur dhe “perdja e hekurt” mes dy pjesëve të kontinentit mbetej vetëm një relike e një periudhe historike që, çuditërisht, kishte arritur në stacionin e saj të fundit.

Në Shqipëri ndryshimet epokale të kampit socialist përcilleshin me një heshtje të përgjithëshme, nën të cilën ndizeshin shpresat e vakëta e mbi të cilën vigjëlonte si skifteri arma e mprehtë e diktaturës së kuqe, Sigurimi i Shtetit. Dyshja Ramiz-Nexhmije, që deri atëhere ishte nanurisur në përrallën e përjetësisë së enverizmit pa Enverin, në fshehtësi projektonte një t’ardhme që do t’ju siguronte atyre dhe vartësve të tyre një pleqëri të rehatëshme e pa telashe e fëmijëve të tyre një sundim të qetë, jo më në një sistem terrori siç kishte qënë diktatura e kuqe, por në një “demokraci kapitaliste” në ngjyrën e formën që do t’ju këshillonin “miqtë e Perëndimit”.

Ky ishte thelbi i fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike në tetor 1989. I arkivuar si “shumë i fshehtë” për vite të tëra ky dokument, një nga më të rëndësishmit e historisë së Shtetit bashkëkohor shqiptar, ka disa vite që është në duart e shqiptarëve të cilët, nëpërmjet tij, kanë mundësi të kuptojnë e të shpjegojnë të gjitha “enigmat” e periudhës së  kalimit nga një sistem në një tjetër. Si i tillë ai vlen të studjohet e të komentohet në hollësi. Fjala është një parashtrim i qartë dhe i detajuar i një projekti të madh, që do të fillonte sendërtimin e tij së shpejti e do të shtrihej në gjatësi kohe.

Simbas ish Kryetarit Alia ndryshimi i pashmangshëm do të kufizohej në dy pika:”në respektimin e të drejtave të njeriut e në pluralizmin politik”. Ishin çështjet në të cilat këmbëngulte Evropa Perëndimore në dokumentat e saj e të cilat, dështimi ekonomik i sistemit socialist, i kishte bërë të detyrueshme për t’u gëlltitur nga hierarkët e tij. Se sa do të ishin të mjaftueshme këto dy parime bazë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë  e treguan përvojat e këtyre viteve, por e paralajmëroi dhe dinaku Alia kur parashtroi:

Të drejtat e njeriut janë diçka brënda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive, do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë”

A u zbatuan porositë e Ramiz Alisë në krijimin e partive, apo ato lindën spontanisht nga dëshira e ndrydhur dhjetëvjeçarë me rradhë? A ishte një rastësi që në krye të partive u vunë ish kuadro të regjimit, madje të ardhura edhe nga shërbimet e fshehta, apo ata patën guximin që u mungoi të përndjekurve të diktaturës? A ishte thjesht pasioni i politikës, një mënyrë për të nxjerrë jetesën apo pjesë e strategjisë për të copëzuar opozitën ndaj partisë komuniste “të reformuar” krijimi i dhjetra partive në jetën shqiptare? Këto e të tjera pyetje si këto ende e mundojnë shqiptarin e thjeshtë që nuk arrin dot të kuptojë se kujt i shërbejnë dhjetra grupime njerëzish, që quhen parti, kur ritmet e zhvillimit të Vendit nuk kanë krahasim as me fqinjët tanë e standarti i jetesës njeh ngjitje marramendëse vetëm për kastat në pushtet e për trafikantët e shkelësit e ligjit.

Të gjithëve u kujtohen kohët e entuziazmit të krijimit të partive, duke filluar nga ajo Demokratike. Drejtuesit e tyre, që hodhën shpejt triskën e kuqe në kosh dhe u vetëshpallën kampionë të demokracisë e të antikomunizmit, flisnin me zjarr e pasion kundër Enver Hoxhës, për krimet e regjimit, mungesën e lirisë etj. Binte në sy  fakti se në këto parti kishte pak ose aspak ish të burgosur të ndërgjegjes apo përfaqësues të diasporës antikomuniste. Kjo i detyrohej deri diku dhe ndrojtjes së tyre  e mendimit se populli i indoktrinuar nuk do t’a kuptonte pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, por diku haptas e diku në mënyrë të maskuar dhe mospranimit të drejtuesve të rinj. Këta të fundit që mendonin, sikurse ustai i tyre, se i nevoitej “karta morale” e të dënuarve të diktaturës bënin garë në  demagogji për të fituar përkrahjen e tyre.

Partia Demokratike qe ajo që mori në gjirin e saj më shumë ish të përndjekur. Në vitet e para disave prej tyre  u dha poste me rëndësi partiake dhe shtetërore, në nivele të ndryshme. Por aktivizimi i ish të përndjekurve politikë ishte vetëm një anë e treguesit të prirjeve demokratike të këtyre partive. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja ishte strategjia ekonomike dhe e reformave që duhet të ndryshonin sistemin.

Thelbi i këtyre reformave ishte njohja dhe kthimi i pronave, pra një rindarje e pasurisë shtetërore ndërmjet qytetarëve, të cilëve gati gjysëm shekulli më parë Shteti komunist ua kishte grabitur me dhunë. Qëndrimi i partive qe një ngritje shqytesh e përgjithëshme e përmbledhur në shprehjen shqeto komuniste:” nuk do të lejojmë të na kthehen bejlerët dhe agallarët.”. Ligji 7501, që u miratua thuajse njëzëri nga Kuvendi, si pasojë e një marrëveshjeje ndërmjet demokratëve e socialistëve, ishte themeli i të gjithë prapësirës pas komuniste. Ai ligj jepte tokën në përdorim pa shumë ndryshim nga reforma agrare e 1946,  pa synimin që t’i bashkonte sërish forcërisht fshatarët, por edhe pa mbajtur parasysh se e kujt kishte qënë ajo tokë. Me një ndërhyrje zbukuruese vetëm për dukje krijohej ideja se Shteti po zhvishej nga pushteti ekonomik e se popullit i kthehej mundësia e rivendosjes së pronësisë vetiake. Fshatarët ktheheshin në argatë të tokës, që nuk ishte e tyre, por që për një farë kohe nuk do të paguanin detyrimet që rridhnin nga shfrytëzimi i saj. Nuk ishte gjë e rastit që populli në disa zona të Vendit, sidomos në pjesën Veri-Lindore nuk e pranoi këtë ligj dhe vendosi njëzëri khimin e pronësisë së secilit në kufijtë e para reformës agrare. Kasta komuniste, që ishte e vetëdijshme se duhej lëshuar përkohësisht pushteti politik për të zotëruar në mënyrë “demokratike” atë ekonomik, e kishte hartuar atë me synimin , më pas të sendërtuar, të ruante mundësinë e pasurimit të saj në rrugë të ligjshme e më shumë të paligjshme.

Mungesa e përcaktimit të pronësisë i humbi Vendit shortet e investimeve të huaja që, në fillimet e viteve 90, ishin pothuaj të barabarta për të gjitha Vendet e Lindjes, duke çuar në kalendat greke kohët e vënies së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky dëm i stërmadh që iu shkaktua Vendit, pasojat e rënda të të cilit vazhdojmë t’i paguajmë çdo ditë, ishte rrjedhojë e paaftësisë, e diletantizmit të klasës drejtuese pas komuniste që nuk arrinte të kuptonte përparësitë e çastit, apo zbatim i një strategjie të paracaktuar? Përgjigjen shkoqur e pa dredha e gjejmë tek fjalët e Ramiz Alisë: “ Ne, “Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e pregatisim vetë….”

            Në zbatim të kësaj strategjie qemë të pranishëm në fillimin e viteve 90 në sulmin asgjësues të vandalizmit mbi objektet ekonomike, social-kulturale, të tregëtisë, mbi mjetet e trasportit, madje deri dhe mbi drurët frutorë e jo frutorë, në grabitjet e depove e të dyqaneve. Ky lloj banditizmi, i mbuluar me vellon e “urrejtjes për komunizmin”, i orkestruar nga një rrjetë e padukëshme ish sigurimsash e antarësh të partisë së punës, synonte të zotëronte nëpërmjet grabitjes atë pasuri që kishte mbetur në depot e Shtetit, por dhe të kthente, në dukje, në gjëra pa vlerë objektet shtetërore. Askush, duke filluar nga Qeveria e papërgjegjëshme e  “destabilitetit” të Ylli Bufit, nuk shqetësohej për dëmin e madh që i shkaktohej imazhit të Vendit nga kjo strategji shkatërrimi, në një nga çastet më vendimtare për të ardhmen e tij.

Mallrat e grabitura do të shërbenin si bazë për të filluar rrugën e pasurimit, ndërsa zhvleftësimi i objekteve do të kishte si pasojë blerjen e tyre, gati falas, në proçesin e privatizimit që do të fillonte së shpejti. Ky i fundit do të bëhej me kritere haptas favorizuese për komunistët që, simbas parimit të vjetër “politika në plan të parë” kishin në dorë të gjitha postet kyç në sektorët e ndryshëm të ekonomisë e në tregti. Përparësinë në blerjen e objekteve Shteti i PD do t’ja u jepte atyre që punonin në to. Në pamje të parë ishte diçka e drejtë, në fakt ishte vënie në jetë e strategjisë së krijimit të “klasës kapitaliste” nga komunistët. Në këtë drejtim do të jepnin ndihmesën e tyre komisionet e privatizimit që, jo vetëm për përzgjedhje klasore por edhe për përfitim vetiak, do të zbatonin çmime krejtësisht në dobi të blerësve. Lidhjet me mjediset e fitimit të paligjshëm në Vendet fqinjë e në ata Perëndimore, sidomos në Itali, do t’i jepnin shkas lindjes së trafiqeve të ndryshme që sollën pasurime marramendëse në kohë relativisht shumë të shkurtëra.

Kjo ishte strategjia afatmesme e komunistëve por, për çastin, duhej mbajtur vetëm si një synim i fshehtë e i padeklaruar. Për çastin duhej lëmuar fasada, duhej fituar besueshmëria e Perëndimit që duhej të miratonte rrugën e nisur, për të çelur epokën e paqtimit e të lënies së konflikteve mbrapa krahëve. Për këtë nevoitej një qëndrim i ri karshi të gjithë atyre që, deri dje, kishin qenë “armiqtë e betuar” të socializmit brënda dhe jashtë Shqipërisë. Ujqit do të vishnin lëkurët e qëngjave e, duke sharë  sa të mundnin kryeujkun, do t’ju krijonin viktimave iluzionin se tashmë kishte ardhur koha e tyre. Strategjia ramiziane parashihte një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës të asaj pjese të popullsisë, që kishte qenë kavje e sprovës enveriste në larminë djallëzore të burgjeve, kampeve të punës e atyre të internimit për dhjetëvjeçarë me rradhë.

Strategjia ishte sa dinake aq dhe e poshtër. Për t’u bërë bindëse në “qëllimin” e saj i duhej besuar jo ish ministrave të Adil Çarçanit, gazetarëve të Zërit të popullit apo studjuesve të Institutit që kryesohej nga Nexhmije Hoxha, por klasës së re politike, të përbërë nga profesionistë të të gjitha fushave e ndonjë ish të burgosuri politik. Kryetari Alia projekton si në një ekran ngjarjet e pritëshme dhe mundësitë e kanalizimit të tyre simbas interesave të caktuara e planit të studjuar deri në imtësitë e tij.

Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin por do  të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme;por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre.

Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit politikë t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

Përcaktohen kështu qartë kufijtë, brënda të cilëve do të vërtitet demagogjia e stilit të ri, për të arritur në synimin thelbësor që mbetet ruajtja e pushtetit nga rreziku i rënies së tij tek ata që duhej të kishin qenë trashëgimtarët e ligjshëm të tij në kushtet e shëmbjes së sistemit. Skenari u vu në jetë me një besnikëri të admirueshme, madje lëshimet e detyrueshme qenë më të pakta se sa ata që parashikoheshin.

Sot, në largësi 15 vitesh, ish të përndjekurit  duhet t’i ngrenë një “përmendore” Kryetarit Alia, sepse po të ishte sendërtuar programi i tij, ndoshta do të kishin patur të gjithë nga një shtëpi e do të kishin përfituar edhe paratë e dëmshpërblimit për djersën e papaguar nëpër kampet e punës së detyruar të Shqipërisë socialiste. Pasardhësit e tij në pushtet bënë garë me njëri tjetrin se kush mund t’i mashtronte më shumë ata. Problemi  i banesave të tyre, që normalisht duhej të ishte zgjidhur në kuadrin e rindarjes së pasurisë së paluajtëshme shtetërore ende sot mbetet një rebus. Me paratë që Shteti u ep si shpërblim nuk mund të blejnë as  banesë për një person kurse ata, të cilëve u është njohur pronësia e shtëpive të sekuestruara, ende vazhdojnë të shohin qiraxhinjtë “zotër shtëpie”, që paguajnë qira qesharake, më pak se simbolike. Shumë të tjerë vazhdojnë të sorollaten vite me rradhë gjyqeve, siç kishte profetizuar “magjistari Alia” në tetor 1989:

Të sekuestruarvet dhe të shpronësuarvet do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”

Tuneli i errët i drejtësisë, një nga problemet e pazgjidhura të gjithë këtyre viteve. Sa drama e tragjedi i janë shtuar shqiptarëve nga vendimet e sallave të gjykatave, sa padrejtësi janë ligjësuar në to. Nga fjalët e regjizorit të pas komunizmit kuptohet qartë se drejtësia ka qenë e telekomanduar, se nuk i ka shërbyer krijimit e fuqizimit të Institucionit të pavarur. Ajo ka shërbyer si mashë, si dora e gjatë e partisë komuniste për të sendërtuar synimet e saj, që mbeteshin përjetësimi i grabitjes së qytetarëve shqiptarë, i nisur më 1945, e përvehtësimi me mjete “demokratike” i pasurisë së tyre. Sorollatjet shumëvjeçare në dyert e gjykatave, që kanë helmuar jetën e shumë njerëzve në këto vite, nuk janë vetëm pasojë e zbrazësirës morale të një pjese të shërbyesve të tempullit të drejtësisë, por edhe pjesë e strategjisë ekonomike e pushtetore të projektit ramizian.

Mars 2004

Vijon

Kur të gjithë ishim shqiptarë – Nga Gani Mehmetaj

Kur luftonim për shqiptarësinë dhe pavarësinë e Dardanisë, askujt nuk i shkonte ndër mend të lidhej me lindjen. As shtetet arabe e Turqia s’kishin interes të lidheshin me neve, sepse s’donin ti prishnin marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkaq, ne me lindjen kishim përvojë të hidhur e histori tragjike, që askush s’donte ta kujtonte. Turqia, pos mizorisë (gati na zhbiu) na shkëputi 500 vjet nga Evropa, shtetet arabe e ndihmuan Jugosllavinë të na shtypte, Rusia ishte aleate historike e Serbisë.

Interesat strategjike, ekonomike e politike, krahas vlerave tona shpirtërore e historike ishin të lidhura me Evropën, sepse pjesë e Evropës ishim. Të gjitha rrymat kulturore e shpirtërore evropiane, pavarësisht që ishim nën okupim depërtuan në Arbëri. Ndërkaq atëherë kur na duhej më së shumti si dhuratë nga qielli na ndihmuan personalitetet e historisë dhe të kulturës shqiptare. Ishim nipër e mbesa të Gjergj Kastriotit, prandaj ia kërkonim ndihmën Evropës. Ishin nipër dhe mbesa të Nënës Terezë që u bë gruaja më e famshme në rruzullin tokësor, ndërsa ajo u angazhuar për neve. Ishim bashkëkohanikë të Ibrahim Rugovës që e ndërkombëtarizoi me aq sukses çështjen shqiptare të Dardanisë. Ishim bashkëkohanik dhe e kishim të gjakut Ismail Kadarenë, njërin ndër shkrimtarët më të mëdhenj të planetit, ndërsa ai u angazhua për çështjen shqiptare të Dardanisë.  Të gjithë mburreshim me shqiptarësinë dhe me madhështinë e emrave kombëtar të kumbueshëm, të gjithë ishin të gatshëm për sakrificë.

Shqiptarësia mbi 95 për qind, që e vinte në pah Ibrahim Rugova, nënkuptonte Evropën, pesë përqindëshi (serbë, myslimanë, ndonjë i deklaruar turk)  mund të na varej në qafë, sepse e donin Serbinë, Turqinë e  Rusinë që ishin jashtë Evropës.

Dardania me territoret etnike në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë  frymonin shqip, donin të shkëputeshin nga njolla e fatkeqësisë historike, ishin të gatshëm të riktheheshin në të krishterë , edhe pse askush nuk ua kërkonte, por donin të ishin si Evropa Perëndimore e SHBA-të. Të gjithë e thoshin ashtu si kishin dëgjuar nga pleqtë  tonë: kryqin ende e kemi në tavan, vetëm duhet t’ia heqim pluhurin e blozën. Xhamitë turke ishin ndërtuar mbi kisha tona. Na bënë me dhunë myslimanë, do t’u rikthehemi me vullnet të lirë rrënjëve katolike.

Dhe sikur Evropa Perëndimore e SHBA-të ta kërkonin, apo sikur Kisha Katolike Shqiptare të ishte më e e shumtë në numër dhe më e organizuar, pjesa dërmuese e shqiptarëve të Dardanisë do t’u ktheheshim rrënjëve të tyre-krishterimit. Por Evropa e SHBA-të nuk kërkojnë gjëra të këtilla, sepse kisha është e ndarë nga shteti, Kisha Katolike Shqiptare ishte e pafuqishme të merrej me një organizim të tillë madhor, që do ta ndryshonte historinë, bashkësitë protestante ishin në fillimin e vet. Pavarësisht kësaj ne duhej ta kishim ndjenjën e përgjegjësisë historike.

Me kanë thënë dhjetëra pleq, ndër ta edhe kushërinjtë e mi, në muzgun e jetës së tyre, se do ta bartnin peshën e kryqit dhe kryqin në gjoks vetëm të na çlironte Perëndimi nga okupatori mizor serb. Me kanë thënë se nuk do të ndjenin asnjë ngurrim a vrasje ndërgjegje, edhe pse e kishin praktikuar fenë e turkut, që nga fëmijëria, se do t’ia nisnin fesë së moçme si të kishin lindur me te. Pra shumica e pleqve praktikues të fesë së turkut, ishin të gatshëm ti ktheheshin fesë së moçme.

Fenë islame, apo fenë e turkut, sikurse i kanë thënë të gjithë pleqtë, ato ditë   askush nuk e përmendte, shumica dërmuese e shihnin si barrë, ankth e frikë që mund të na dëmtonte, mund të na i mbyllte dyert e Evropës dhe të na e rrezikonte pavarësinë, ashtu sikurse na kishte ndodh dy herë gjatë historisë. Feja e turkut po na e rrezikon të ardhmen edhe sot e kësaj dite.

Dihet se pjesa dërmuese as e praktikonin, as e donin fenë që na e dhanë me dhunë turqit. Një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e donin, sepse e dinin si e morëm. Pjesa tjetër nuk e ndjenin të tyre, as nuk i përmbaheshim me asnjë gjë, sepse ishin evropianë, më të afërt e kishin shekullin e revolucion industrialë e qytetërimin perëndimor të dera e shtëpisë se sa mendësinë shkretinore të hordhive islamike në kontinentin tjetër. Pastaj një shtresë nuk e praktikuan që pas vitit 1945, jo pse kishin vetëdije kombëtare shqiptare, por sepse donin karrierë e pushtet, donin ta kishin mirë me shtetin jugosllavë, meqë shteti jugosllavë ishte ateist.

Dhe befas sapo na çliruan trupat e NATO-s, në vend se të niste e mbara, gjërat nisën të ndryshojnë, në disa mjedise madje të përmbysën. Shumë shoqata vehabiste e anadollake u dynden në Dardani, një herë e goditën me ryshfet e shantazhe kreun e shtetit e komandantët, kreun e partive politike, biznesin e kriminalizuar, mediet elektronike, gazetat e portalet, për t’u shtrirë në shtresat më të varfra të shoqërisë, që ua lidhën nga një rrogë 300 dollarë, nëse bëhen myslimanë të devotshëm, 250 euro për çdo grua që mbulohet me të zeza etj. Reklamat për kthim në islam me para të majme, ende botohen në rrjetet sociale, madje njëri tri herë u përpoq ti plasonte në rrjetin tim social, ndërsa ia fshija.

Kështu, kur e denden kreun e Bashkësisë Islame me para lumë, kur u dhanë ryshfete instancave shtetërore e partiake, nisën të dalin me shifra të përmbysura: atje ku Ibrahim Rugova dhe zyrtarët e tij thoshin se jemi 95 për qind shqiptarë,  zyrtarët e bakllavave e të pilafit, thonë se jemi 95 për qind myslimanë. Atje ku Rugova thoshte se aleatët tonë strategjikë kemi ShBA e Evropën Perëndimore, zyrtarët e pilafit thonë se aleatë strategjike e kemi Turqinë e shtetet islamike. Kështu duan të shkëputën nga Perëndimi dhe t’u ngjiten shteteve islamike, ku nuk i pengon askush në korrupsion e zhvatje. Pra me qëllim e sfidojnë Evropën e Amerikën. Popullata, pos atyre të varfërve që s’kanë me se të jetojnë, ndërsa shoqatat islamike u japin para sa të mbajnë shpirtin, janë ata të moçmit, nipër e mbesa të Gjergj Kastriotit e Nënës Terezë,  të gjakut të Ibrahim Rugovës dhe Ismail Kadaresë dhe përcaktimit të tij për aleancë me Evropën Perëndimore dhe në miqësi të përhershme me SHBA.

Ne prapë jemi 95 për qind shqiptarë. Në fenë e turkut deklarohen ata që kanë marr ryshfete, ata që e kanë humbur identitetin kombëtar,  që e kanë humbur busullën dhe kahet e horizontit.

Regjistrimi islamik në Dardani dhe në Shqipëri ishte falsifikim, mashtrimi më i madh i shekullit.       

Dhe në fund: Mos t’u shkoj mendja bashkëkombësve të mi përtej Drinit (Shqipërisë londineze) se janë më mirë.

KOLIQI DHE CAMAJ ATDHETARË TË DËSHMUAR – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

           Prof. Dr. Ernest Koliqi dhe Prof. Dr. Martin Camaj

 

Kohëve të fundit u përgojuan, në kontekstin negativ, dy nga mjeshtërit e letrave shqipe në Mërgatë: Prof. Dr. Ernest Koliqi dhe Prof. Dr. Martin Camaj, nga këlyshërit e komunizmit Auron Tare dhe Ardian Vehbiu. Ata akuzuan Koliqin dhe Camaj se kishin bashkëpunuar me shërbimet e huaja informative, agjenturore. Qëllimi është për ta rehabilituar, sado pak, diktatorin filosllav Enver Hoxha dhe epokën e tij kriminale kundra-kommbëtare.

Në mbamendjen shqiptare, të përcjellur ndër breza, kujtohen tre ministrat e shquar të Arsimit, që kanë shërbyer në vitët `20-a, `30-a, e `40-a, përkatësisht, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi dhe Ernest Koliqi. Koha kur Koliqi drejtonte Ministrinë e Arsimit, ishte e veçantë, sepse ishte kohë lufte, pushtimi italo-gjerman. Koliqi ishte figurë shumëdimensionale: mësues, gazetar, përkthyes, shkrimtar, politikan e deri ministër.

Atdhetarët shqiptarë, të cilët Enveri me shokë i anatemoi dhe ke e zuri, i sakatoi, me plumb e burg, bindën pushtuesit se Shqipëria ka kufinj etnik dhe se aspirata e popullit shqiptar, është bashkimi i tyre. Mirëkuptimi nuk mungoi dhe Shqipëria Etnike u bë. Ishte kohë e artë për shqiptarët. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i mbështetur fort nga kombëtarët pushtetarë të trojeve shqiptare, e shfrytëzoi, në mënyrën më të mirë të mundshme, kohën e shqiptarëve të bashkuar, siç njihet, krenarisht, Shqipëria Etnike. Ai hapi shkollat shqipe në të gjitha trojet shqiptare, pra, edhe atje ku nuk kishin ekzistuar kurrë.

Përzgjodhi kuadrin më të mirë, më profesional arsimor, që nga Gjirokastra, deri në Shkodër dhe i dërgoi në trevat shqiptare, që nga Tetova, anekënd Kosovës e deri në Pazarin e Ri (Sanxhak). Ata u pritën si heronj, shenjtorë dhe u shquan në misionin e tyre arsimor dhe atdhetar. Punuan devotshmërisht deri në vitin 1948, kur Shqipëria si bisht i Rusisë të Stalinit, i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos. Ata që u kthyen në Shqipëri, u përplasën internimeve  dhe burgjeve. Personalisht, me disa syrësh, kam qenë bashkëvuajtës edhe në vitet `70-a e `80-a, në burgjet e Shqipërisë staliniste.

Për misionarët e arsimit në Kosovë, rëndonin dy akuza politike:

1) Mbështetës të nacionalizmit shqiptar në Kosovë;

2) Antijugosllavizmi, rrjedhimisht, kundër komunizmi i tyre

Disa nga mësuesit, misionarët e arsimit të ministrit Koliqi, mbetën përjetësisht në Kosovë. Ndër ta Mehmet Gjevori, mësues dhe hartues i teksteve shkollore; Tajar Hatibi, mësues dhe drejtues shumëvjeçarë i revistave për fëmijë dhe nxënës shkollarë; gjirokastritët: Malo Gami kuadër arsimi dhe artist; Apostol Tanefi, profesor i matemarikës, i cili bëri vetëvrasje në Prishtinë, i provokuar nga UDB-a, dhe të tjerë, përfshi edhe vajza, të cilat krijuan familje në Kosovë dhe Iliridë – Maqedoni.

Organizimi i arsimit shqiptar, jashtë Shqipërisë londineze, pra, në Shqipërinë e Bashkuar, në Shqipërinë Etnike, si nismë, i takon, pikërisht, Ernest Koliqit, ministër i Arësimit në atë kohë.

Në gjysmën e dytë të viteve `60-a, më ra në dorë Revista “Shejzat”, me botues vëllezërit Ernest dhe Viktor Koliqi. Aty mësuam edhe adresat e Koliqit dhe Martin Camaj, kryeredaktor i revistës “Shejzat”. Bashkënxënës, pastaj bashkëmësues me Ibrahim Rugovën, vendosëm t`iu shkruajmë, për t`u abonuar, pajtuar në revisën “Shejzat”. Unë i shkrova Ernest Koliqit në Romë, ndërsa Ibrahim Rugova i shkruajti Martin Camaj në Mynih, Gjermani.

Përgjigja ishte pozitive, dashamirëse dhe vëllazërore. Fillimisht letra falenderimi, për interesimin tonë, pastaj na dërguan revistën “Shejzat”, botim periodik. Koliqi më dërgoi kompletin e veprave të tij, mes tyre edhe romanin  më të ri “Shija e bukës mbrume”. Kompletin ia dhashë Ibrahimit për lexim dhe ka mbetur në bibliotekën e Tij.

Ali Rugova, xhaxhai i Ibrahim Rugovës, ishte me arsim të lartë, kishte qenë edhe pjesë e Luftës së Dytë Botërore, por ishte vetëm nëpunës në komuë, për arsye biografike, ngaqë i kishin ekzekutar babain Rrustë dhe vëllain Ukë Rugova, nuk gëzoi asnjëherë pozitë meritore. Bacës Ali ia dhashë revistën “Shejzat” për lexim, pastaj më foli, me shumë simpati e admiratë, për rolin e ministrit Koliqi, në hapjen e shkollave shqipe, në ish-trevat e pushtuara nga Mbretëria serbo-kroato-sllovene, përgjatë kohës të Shqipërisë së Bashkuar.

Unë ika në Shqipëri. Në çantën e dorës më kishte mbetur një letër e Ernest Koliqit, ku veç tjerash, më ofronte përkrahje për studime në Romë. Kalimi filtërues, hetues, izolim në burg, zgjati disa muaj. Letra e Koliqit ishte befasi për hetuesit shqiptarë. Pyetjet rreth letrës dhe vet Koliqit, ishin ngulmuese, edhe pse unë shpjegova se lidhja me Dr. Koliqin, është, thjesht, kulturore. Njëri nga hetuesit, anatemoi jo vetëm Koliqin, por, edhe konfesionin, besimin katolik, me fjalë jashtë çdo etike! U tmerrova nga urrejtja e Tiranës zyrtare, për intelektualin elitë, ish-ministrin e Arsimit, Prof. Dr. Ernest Koliqin!

Hija e letrës së Koliqit, do të më ndiqte përgjatë dekadave të jetës sime në Shqipërinë komuniste. Letra ishte edhe pjesë e akuzës edhe në gjyqin e mëvonshëm, dënimin tim dhe vuajtjen në burgjet shqiptare, përfshi edhe Burgun e Burrelit. Akt-akuzës time iu shtuan edhe Fishta, Camaj, Et`hem Haxhiademi dhe shkrimtarë të tjerë të anatemuar.

Martin Camaj ishte mësues në Malësi. Terrori komunist në Shkodrën e kulturës, ishte në krye të listës ndëshkuese. “Ndërsa në Cetinje pashë njerëz duke ndjeur kafeneve dhe bredhur rrugëve të pa cak, në Shkodër gjeta art, kulturë dhe jetë”, – shkruan studjuesja dhe kronikania angleze, Edith Durham, në librin e saj “20 vjet ngatërresa ballkanike”.

Camaj nuhati survejimin, përgjimin e Sigurimit dhe iku në Jugosllavi, Kosovë. Atje botoi dy vëllime me poezi: “Nji fyell ndër male” dhe “Kanga e Vërrinit”. Njerëzit e letrave në Kosovë, flasin në supërlativë për sjelljen korrekte, si njeri i dashur dhe shumë xhentil. Prej andaj, përmes Zyrës të Emigracionit, emigroi në Itali, ku gjeti mirëpritjen e vëllezërve Koliqi. Në vitin 1960 zhvendoset në Bavarinë gjermane, në Mynih. Aty themeloi Katedrën Albanalogjike, të cilën e drejtoi deri në amëshimin e tij.

Martin Camaj përgaditi kuadrin përkatës të Katedrës Albanologjike, përfshi edhe studjues të huaj. Më vonë, më 2001, Katedrën e drejton Bardhyl Demiraj, i biri i Profesor Shaban Demiraj, ish-pedagog në Universitetin e Tiranës. Krenohem se isha student i tij. Profesor Bardhylit më së miri i shkon ajo shprehja: “Më bëj baba të të ngjaj”. I përgaditur shkencërisht, intelektual i kompletuar, i përkushtuar për Katedrën, kopja më e mirë e Profesor Camaj, duke e lënë Katedrën në duar të sigurta.

Universiteti i Mynihut, pranë të cilit funksionon Katedra Albanologjike, kohë më parë, organizoi një Mbremje Përkujtimore, për të tre letrarët e anatemuar dhe të përsekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri: Martin Camaj, Frederik Repshja, Jamarbër Marko, djali i vetëm i shkrimtarit Petro Markos. Një sallë, me pagesë-hyrëse, si në teatër, me auditor domëthënës, që dominohej nga pedagogë Universiteti, por edhe shqiptarë. Kolegët folën me admirim për Camaj dhe bashkatdhetarët e tij Repshja e Marko.

Në drejtim të Akademisë Përkujtimore, veç tjerëve, ishte edhe përkthyesi i mirënjohur Hans-Joachim Lanksch. Një artist, aktor i zëshëm, deklamonte, në gjuhën gjermane, vargjet e të anatemuarëve, që u kishin kushtuar me humbje të lirisë autorëve poetë. Një nxënës kolegji, me prindër shqiptar e gjerman, shoqëronte në piano me muzikë klasike. Nuk mbeti sy pa u përlotur, të moshuar e të moshuara qanin me ngashërim. Ne përjetuam dy ndjenja njëherësh: dhimbjen dhe krenarinë, kur të huajtë lotonin për bashkëkombasit tanë. Camaj, Repshja e Marko, të cilët ikën kësaj bote, pas një vuajtje persekutuese, duke mos lënë as trashëgimtarë, fëmijë.

Çuditërisht, ajo natë dimri në Mynih, ishte me dëborë e fërfllazë të veçantë, si simbolikë e jetës furtunë të tre letrarëve të persekutuar!

Dalja nga salla e Akademisë Përkujtimore, ngjasonte me largimin nga një varrim mortor. Një dëborë e dendur, në orët e vona të natës, e shoqëruar me temperaturë të ulët, kishte ngrirë nga avullimi i një pusete të zgavëruar, në trotuarin e rrugës, sapo kisha dalë nga metroja. I shkujdesur, deri në përhumbje të vëmendjes, nga lajmi se shoku im i studimeve, më vonë, edhe i burgut, Jamarbër Marko, ishte amëshuar e shuar kësaj bote, papritmas, rrëshqita, duke u plandosur për tokë, në krah. Dhe, me urgjencë përfundova në spital. Operimi rezultoi i pasuksesshëm, duke mbetur plagë që kufizon funksionimin normal të krahut, madje, përjetësisht.

Martin Camaj u inkuadrua natyrshëm në shoqërinë gjermane. Krahas studimeve albanologjike, njëherësh, edhe pedagog aktiv, ai vazhdoi me sukses krijimtarinë letrare, e cila u botua në shqip, gjermanisht dhe gjuhë të tjera. Krijimtaria e tij është begati artistike e dy popujve miq, e dy vendeve, njëri atdhe lindak dhe tjetri atdhe i dytë, ku kaloi shumësinë e viteve të jetës.

Ndonse nuk pati fatin të rriste fëmijë, Camaj e përmbushi këtë boshllëk me shoqen e tij gjermane, Erika, në Lenggries, periferi e Mynihut, një bashkëjetësi ideale, me një mirëkuptim për lakmi. Ajo priti dhe përcolli shokët dhe miqtë e shumtë të Camaj, sipas traditës shqiptare. Dhe, në nderim të tij, do ta vizitonte edhe Familjen Camaj, në fshatin e tij të lindjes. Sikur plotësoi pengun e madh të Martinit të saj, të Martinit tonë, për ta parë Temalin e tij, Dukagjinin me reliefin e përthyer e piktoresk, Shkodrën nammadhe dhe Shqipërinë shenjtërore, tashmë, demokratike. Atëherë kur pengesa politike u hoq, shëndeti i Camajt u përkeqësua dhe nuk mund të udhëtonte. Biblioteka e pasur e Martin Camaj, ka qenë një tjetër ngushëllim dhe plotësim i asaj zbraztësie, që të krijon mërgimi i përjetshëm.

Profesorët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, shumë të nderuar dhe të dashur, deri në adhurim, nga shqiptarët e kudondodhur, përgjatë jetës së tyre të gjatë dhe gjithë përmallje, larg Shqipërisë së tyre, përkushtimin e parë e kanë pasur Atdheun, Shqipërinë Etnike. Shërbimi i tyre karshi Atdheut, ka qenë i qartë, i pastër si loti: kundër diktaturës së egër të ideologjisë sllavo-ruse të bandës të Enver Hoxhës si dhe kundër ripushtimit të Kosovës dhe trevave tjera shqiptare në vitin 1945.

Ata u strehuan në vendet demokratike dhe nuk janë vënë para kushtit: “Ose me ne, ose kundër nesh”, siç ka ndodhur, në shumë raste, me emigrantët politiktë, të cilët ikën në vendet me regjime të egra komuniste. Andaj, lufta politike e Koliqit, Camaj dhe bashkëmendimtarëve të tyre, ka qenë publike dhe aspak konspirative, siç shpifin e manipulojnë sot nostalgjikët e komunizmit.

Veprimtaria politike, atdhetare, edukative, studimet historike dhe gjuhësore si dhe krijimtaria gjysmë-shekullore letrare e Prof. Dr. Ernest Koliqi dhe Prof.Dr. Martin Camaj, e lënë si trashëgimi brezave shqiptarë, i bëjnë ata të pavdekshëm dhe lavdiplotë.

Shpifjet monstrume të këlyshërve të ideologjisë së kuqe sllavo-ruse, si Auron Tare dhe të tartarëve të tjerë, kundër Profesorëve me personalitet dhe integritet të veçantë, janë lehje në hënë. Ata janë në linien e etërëve të tyre ideologjikë, të cilët përfunduan karrierën kriminale turpshëm e rrugaçshëm. Në kohët e mugëta të ideologjisë satanike komuniste, Taret mund të kafshonin tërbueshëm. Fatlumërisht, mbetje të tilla i përkasin një kohe të perënduar, edhe pse tendeca për rikthim nuk mungon, siç dëshmon përçapja e zhbërjes të pluralizmit partiak, pas tri dekadave, në Shqipëri, viteve të fundit!

NDËRROI JETË LEKË GOJÇAJ, I “SHTATOREVE TË PËRJETËSISË” – Nga Frank Shkreli

 

Javën që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të njohur të tij, Lekë Gojçaj.  Megjithëse nën rregulla shumë të lufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.

 

Leka njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë.  Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do të mbeten — së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë para disa viteve — si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë.  Këtë donin ta bënin me qëllim për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Përveç shtatoreve gjigante qai kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet komunizëm.

 

I ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull, “Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri.  Pjesën e parë të të librit ai ia ka kushtuar   shtatoreve të Nenë Terezës që ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në Amerikë.

 

Suksesin e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij.  Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka ishte shprehur se,“Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete.  Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.  Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program për VOA-n.

 

Ishte pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin, respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”, siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996, atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, — shënon Lekë Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”. 

 

Këtë nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare.  Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre në Tuz të Malësisë,  (18 tetor, 1997) që mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë.  Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë — të përzgjedhur me qëllim nga vëllezrit Gojçaj — përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini, ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve, pa dallim. 

 

Shtatoren e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.  Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.

 

Shtatorja e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me një grup shqiptaro-amerikanësh.  Premtimi u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës Kushtetuese të Kosovës”.  Në përurimin e shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.

 

Për shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Strugë.  Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004, kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”  Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.

 

Pastaj radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej shtatorja e Nenë Terezës.  Për vendosjen e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në Strugë.

 

I ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë e madhe e tij.  Sipas tij, ai hasi në pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por vetëm nga shtetet anëtare.  Vëllezërit Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës, Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar (nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.

 

Lekë Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës.  Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”

 

Në mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që, sipas tij,  “Ishte sfidë për të gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje — që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”.  Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.

 

Frank Shkreli

Nenë Tereza, atëherë dhe sot, një prej personaliteteve më të admiruara të botës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

TËRHEQJA E SHBA NGA GJERMANIA DHE LOJA HELMUESE E TRUMPIT- Nga PAOLO VALENTINO – Përktheu Eugjen Merlika

 

            N’atë festën në Long Island, ndërtuesi i ri dhe i harlisur i pallateve njujorkeze bëri çmos të afronte Richard Burt-in. Ishte vera e vitit 1989. Burt, ambasadori në Gjermani nën Ronald Reagan-in, sapo ishte emëruar nga George Bush ati si kryebiseduesi amerikan në bisedimet Start për pakësimin e armëve strategjike me Bashkimin Sovjetik. Ishte një ofiq që Donald Trump-i, tashmë i vetëemëruari the master of deal, kishte ëndërruar për vete, duke u ofruar si kryetar delegacioni. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të shumta për të takuar drejt për së drejti katet e larta të Administratave Reagan dhe Bush, për t’I dalë zot çështjes së tij, për fat të mirë nuk ishte marrë asnjëherë seriozisht. I nënështruar, atë mbasdite deshi t’i japë diplomatit disa këshilla. “Kur të takoni për herë të parë bashkëbiseduesin tuaj sovjetik – filloi Trump-i përballë një Burt-i të kërshëruar – juve e vini atë në qejfin e tij, ftojeni për një drink jashtë, pyeteni për familjen, i flisni atij pak a shumë me ton të përzemërt, merrjani kohën atij. Pastaj me qetësi, kur të ketë mbaruar biseda, shiheni në fytyrë e thuajini: sa i përket bisedës sonë, fuck you!”

Shkoi biseda me të vërtetë kështu. Kanë kaluar tridhjetenjë vite. “Mund të them se nuk ka ndryshuar asgjë, veç faktit që sot ai është president i Shteteve të Bashkuara”, thotë bashkëbiseduesi i im. Siç duket, me asnjë tjetër udhëheqës botëror kreu i tashëm i Shtëpisë së Bardhë parapëlqen testosteronin më shumë se diplomacinë se sa me Angela Merkel-in.

Ditën kur ekonomia amerikane dhe ajo gjermanë paditën të gjithë fuqinë shkatërrimtare të krizës, duke shënuar përkatësisht një tkurrje prej më shumë se 32 % në një vit e 10 % nga tremujori në tremujor, Trump-i flet për tjerë gjë. Bën të njoftojë nga ana e kryetarit të Pentagonit se tërheqja e pothuaj 12 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania do të fillojë “brënda pak javësh”.

I gjori Mark Esper mundohet me të gjitha mënyrat t’a shesë vendimin si “një vendim strategjik”, frut i këshillimeve me aleatët e NATO-s, që priret të përmirësojë frikësimin kundrejt Rusisë. Asgjë të vërtetë në gjithë këtë. Vetë presidenti i sqaron gjërat: Gjermania duhet të ndëshkohet, sepse”is delinquent”, pra është e vonuar në pagesat e veta NATO-s. Edhe kjo është një shpikje trumpiane. Në të vërtetë askush nuk i derdh para Aleancës. Berlini, astu si Italia e shumë Vënde të tjerë antarë, harxhon pë mbrojtjen më pak se 2 % të PPI, që është synimi i marrë si zotim nga aleatët evropianë.

Por, për të shpërthyer hakmarrjen e Trump-it, nuk është vetëm bilanci ushtarak gjerman, që prej ndonjë viti madje është shtuar. Kush apo çfarë  e shtyn një lëvizje të tillë që, simbas të gjithë analistëve, dëmton në rradhë të parë vetë interesat e Amerikës? “Ne nuk jemi në Aleancë për t’i sjellë dobi aleatëve – shpjegon Iwo Daalder, ish ambasador i SHBA në NATO – , mbajmë trupat në Gjermani e gjetiu për të parandaluar luftërat e për të mos i kryer ato”.

Përgjigja ka një emër e një mbiemër: Angela Merkel. Është kançelaria gjermane i vetmi shemër sistematik në sytë e Donald Trump-it; shumë më tepër se Vladimir Putin e madje edhe më shumë se Xi Jinping, me të cilët ndjen ngjajshmërinë zgjedhore të burrave të fuqishëm. Për një arsye të thellë, të shpjeguar mirë nga ish këshilltari për Sigurinë kombëtare, John Bolton, në The Room Where It Happened: “Trump-i ka probleme me udhëheqëset gra”. Edhe për karakter: sa është e ftohtë kançelaria, e përkorë, e vëmëndëshme vetëm ndaj fakteve, e qetë në vendosmërinë e saj, po aq është i paqëndrueshëm presidenti amerikan, tekanjoz, idhnak, i paaftë të përqëndrohet dhe kryeneç për çdo hollësi. Në bisedën telefonike që, me gjasë, ka qënë casus belli (molla e sherrit) në tërheqjen e trupave nga Gjermania,  n’atë të qershorit, në të cilën Merkel nuk pranoi ftesën e Trump-it për një G7 në Shtetet e Bashkuara, duke nxjerrë si shkak pandeminë, presidenti humbi çdo vetëkontroll duke e quajtur atë “budallaqe”, simbas versionit të papërgënjeshtruar të Carl Bernstein-it.

Por, mbi të gjitha ajo që shkakton mëllefin e Trump-it është se Angela Merkel mishëron gjithshka që ai urren: multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare, mos pranimin e çdo lloj populizmi. Dhe e bën me fuqinë e qetë, madje dhe me pabesinë e një veteraneje të pushtetit: “Nuk mund të luftohet pandemia me gënjeshtra e me dizinformacion, aq më pak mund të bëhet duke nxitur urrejtjen. Kufizimet e populizmit e të mohimit të së vërtetës më të thjeshtë janë para syve të të gjithëve”, ka thënë së fundmi Merkel. Vështirë të   mund të ndërtohet një portret më besnik i Trump-it, të paaftë të kontrollojë koronavirusin në Shtetet e Bashkuara.

Në të vërtetë kanë qënë gjithmonë në pole të kundërta shkencëtarja e specializuar për fizikë kuantistike dhe miliarderi i kushtuar vetëm kultit të famës. Lajmi i ri është që, i sëkëlldisur nga një rizgjedhje gjithënjë e më tepër e pamundur, “maniaku narçizist” Trump (copyright i Frankfurter Allgemeine Zeitung) ka braktisur çdo  frenim dhe vetëkontroll. Kush nuk e lëvdon, i bën një panjerëzi ose i rrëmben skenën, duhet ndëshkuar. Por me Angela Merkel-in testosteroni nuk duket se funksionon.

 

“Corriere della Sera”, 30 korrik 2020      Përktheu Eugjen Merlika

KFOR-i U TAKUA NË AFËRSI TË KARAQEVËS ME FORCAT E ARMATOSURA TË SERBISË, JO ME XHANDARMËRI – Nga Isuf B.Bajrami

 

Sot, gjatë gjithë emisioneve informative në Kosovë, është dhënë “lajmi” se në Karaqevë “paska hy” “xhandarmeria” serbe!!
Kjo më bëri të mendohem dhe të reagoj, sepse ose unë nuk jam në gjendje reale të situatës aktuale rreth zhvillimit të këtyre “lëvizjeve” të “xhandarmerisë serbe”, ose përfaqësuesit institucionalë të Kosovës z.Agim Veliu e z.Anton Çuni, së bashku me “gazetarët” jo profesionistë, dezinformojnë opinionin publik!!
Dallimi mes Xhandarmerisë dhe Forcave të Armatosura të Serbisë është i ditur. Janë formacione të ndara,njëra me tjetrën.
Në këtë rast konkret janë taku jo “xhandarmeria” (siç po shkruhet) por përfaqësuesit e KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë. Janë taku në të njëjtën kohë kur ministri Zemaj shkon për “vizitë zyrtare” në Bujanoc!
Informimi i gabuar… ose i qëllimshëm i opinionit është i dëmshëm dhe shkakton huti e agresion psikologjik te popullata, kur e dëgjon “informacionin” jo real dhe nuk e njeh prapavijën e dezinformimit të qëllimshëm!
Këto veprime destruktive duhet të analizohen mirë nga strukturat profesionale të Institucioneve të Kosovës, se çfarë fshihet pas pështjellimeve të realiteti dhe shtrembërimi në terminologjinë “xhandarmeri” në vend të Forcave të Armatosura !?

Vendi i Lekës;08.08.2020

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MIKE POMPEO VIZITË NË EVROPËN LINDORE, POR JO NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË – Nga Frank Shkreli

 

Të ënjtën, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nepërmjet një zëdhënsi, njoftoi vizitën javën që vjen, të Krye-diplomatit amerikan, Mike Pompeo në katër vende të Evropës, (11—15 Gusht).  Në njoftim thuhet se Pompeo do ta fillojë turneun e tij diplomatik të nivelit të lartë në Pragë të Republikës së Çekisë dhe do të vizitojë edhe qytetin Pilsen.  Prej aty, ai do të shkojë në Lubljanë të Sllovenisë, pastaj në Austri dhe më në fund në Poloni.

 

Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, Sekretari Pompeo do të vizitoj qytetin Pilsen gjatë qëndrimit të tij në Çeki, ku së bashku me Ministrin e Jashtëm të atij vendi, Tomas Petriçek, do të shënojnë përvjetorin e çlirimit të Çekosllavikës Perëndimore nga Ushtria Amerikane, në Luftën e Dytë Botërore.  Ndërsa në Pragë , zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin, Andrej Babis mbi bashkpunimin midis dy vendeve në fushën e energjisë bërthamore dhe për të ashtuquajturën Nisma e Tre Deteve, e cila njihet gjithashtu si Nisma e Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi, një forum ky i 12-vendeve  të Bashkimit Evropian, (Austria, Bullgaria, Estonia, Kroacia, Lituania, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Republika Çeke dhe Hungaria).  Udhëheqsi i lartë amerikan do të zhvillojë  gjithashtu bisedime me zyrtarët më të lartë çekë, mbi masat për të kundërshtuar veprimtaritë e rrezikshme të Rusisë dhe Kinës komuniste, në rajon.

 

Pas bisedimeve në Pragë, Pompeo do të udhëtojë për në Lubljanë të Sllovenisë, ku do të zhvillojë bisedime me zrytarët më të lartë sllovenë: me Presidentin Bohur Pahor dhe me Kryeministrin e vendit, Janez Jansa.  Me zyrtarët e Sllovenisë, Mike Pompeo do të diskutojë, sipas njoftimit të DASH, mundësitë e mëtejshme për një bashkpunim edhe më të ngusht midis dy vendeve, në fusha të interesit dhe të shqetësimit të përbashkët, përfshir energjinë bërthamore dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese perëndimore.  Ndërkohë që Kryeministri Jansa, dhe Mike Pompeo do të theksojnë rëndësinë e sigurisë së rrjetit të “informacionit 5G” dhe do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashskët me Ministrin e Jashtëm slloven Anzhe Logar, mbi teknologjinë 5G.

 

Në Vjenë, më 14 gusht, Sekretari Pompeo do të takohet me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg dhe me Kancelarin Sebastian Kurz, për të diskutuar mbi Partneritetin Strategjik Sh.B.A.-Austri, për marrëdhëniet e forta dhe në rritje të tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve dhe për çështjet e sigurisë rajonale, thuhet në njoftimin e DASH, për vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Austri.

 

Ndërsa në Varshavë më 15 gusht — ndalesa e fundit e turneut të tij në Evropën lindore — Sekretari Pompeo do të takohet me Kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki dhe me Ministrin e Jashtëm, Jacek Czaputowicz, për të diskutuar mbi fushat e bashkëpunimit të fortë SH.B.A.-Poloni, përfshir thellimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta në fushën e mbrojtjes, Marrëveshjen e Zgjëruar të Bashkëpunimit të Mbrojtjes, masat për rikuperim nga pandemia COVID-19, sigurinë e rrjetit informativ 5G dhe për përmirësimin e infrastrukturës rajonale të shpërndarjes së energjisë, bazuar në Nismën e Tre Deteve.  Kryediplomati amerikan do të takohet, gjatë vizitës së tij në Varshavë, edhe me Presidentin e Polonisë Andrzej Sebastian Duda.  Në njoftimin e DASH thuhet githashtu se gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë që do mbahet në përkujtim të 100-vjetorit të betejës së Varshavës të vitit 1920, në të cilën forcat polake mposhtën forcat bolshevike sovjetike gjatë luftës polako-ruse, që ka pëfunduar në një fitore vendimtare të ushtrisë polake kundër Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.

 

Përballë kësaj vizite të nivelit të lartë që Sekretarit Amerikan të Shtetit në Evropën Lindore, është e pamundur të mos mendojmë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën dhe se kur ishte hera e fundit që një diplomat i lartë amerikan ose evropiano-perendimor të ketë vizituar dy shtetet shqiptare.  Duhet të shkojmë pak si thellë në historinë e viteve të fundit që të gjejmë ndonjë vizitë me rëndësi të zrytarëve t lartë perëndimorë në Tiranë dhe në Prishtinë.

 

Por nuk është aspak për tu çuditur se pse vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina nuk janë në agjendën e vizitave të rëndësishme nga perendimorët, siç eshtë kjo vizitë e kryediplomatit amerikan, javën që vjen, në Evropën Lindore.  Nuk është për tu çuditur aspak!

 

Për të parë se pse, mjaftojnë vetëm deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “ndërhyrjet në punët e mbrendshme” të Shqipërisë nga ndërkombëtarët si dhe deklarata e tij e fundit në kuvendin shqiptar se “komunistët dhe komunizmi shqiptar ishin në anën e duhur të historisë”, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, në vizitën e tij në Poloni do të kujtojë 100-vjetorin e fitores së forcave polake kundër forcave bolshevike ruse. Kjo, gjithashtu në një kohë që, ndërsa Kryediplomati amerikan gjatë qëndrimit të tij javën që vjen në Lubljanë do të bisedojë për mundësitë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në proceset euro-atlantike — Kryeministri i Shqipërisë fletë për “minishengin ballkanik” me Serbinë dhe për marrëdhënje strategjike me Erdoganin e Turqisë.  Përshir këtu gjendjen jo stabile politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është e qartë se nuk duhet të çuditemi se pse perëndimorët po vazhdojnë të shiojnë me dyshim politikën e Tiranës zrytare dhe anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën në vizitat e tyre rajonale.  Fatkeqësisht, duhet të bëjmë pyetjen se përsa kohë do të zgjasë durimi i perendimorëve me një klasë politike shqiptare që nuk ndanë asnjë vlerë perëndimore, por vetëm është e interesuar të ruaj karrigat e veta në dëm të jetës së mundishme të përditshme të shqiptarëve dhe në kurriz të interesave të Kombit, në përgjithësi.

 

 

Kam drojë se është tepër vonë që të hedhim kushtrimin për gjëndjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për marrëdhëniet e shqiptarëve me perëndimin, në përgjithësi.  Ka nja 10-vjetë tani që, në mënyrën time modeste, jam munduar të paralajmërojë për disa prirje të udhëheqësve shqiptarë drejt obskurantizmit lindor, jo vetëm bazuar në autoritarizmin e tyre të ushtruar në vend por edhe në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos me vendet Perendimore.  Sa herë kemi dëgjuar vitet e fundit disa udhëheqës shqiptarë të kërcënojnë Perëndimin duke thenë se Shqipëria dhe Kosova “kanë alternativa tjera”, nëqoftse nuk na pranoni kështu si jemi, thoshin ata, kushte ose pa kushte.  Tashti po e shohim se çfarë alternativash paskan pas në mend këta.

 

Jeni në rrugë të gabuar!  Shqiptarët kudo qofshin, e që janë të interesuar për marrëdhënie normale dhe miqësore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara – ashtu siç kanë marrëdhënie normale dhe miqësore vendet ish-komuniste (me përjashtim Austrinë jo-komuniste) që do vizitojë javën që vjen Sekretari Popmpeo –duhet të jenë të shqetësuar për gjëndjen aktuale në marrëdhniet e shqiptarëve me Perëndimin.  Marrëdhëniet e ngrira, sidomos,midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën nuk janë në interesin afat gjatë të Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarëve në përgjithësi dhe as të paqës dhe sigurisë në rajon.

 

Është e qartë se zhvillimi normal i këtyre marrëdhënieve të Shqipërisë dhe të Kosovës me perëndimorët, është prekur negativisht nga konfliktet dhe mos-stabiliteti politik i mbrendëshëm, por edhe nga flirtimet (e maskuara me kërcënime) me influenca të huaja, historikisht, jo mike të shqiptarëve, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.  Pa përmendur, në këtë mes, trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë dhe mungesën e sundimit të ligjit në vend.  Janë këto probleme dhe të tjera si këto, të cilat bëjnë që zyrtarët e lartë të Amerikës — siç është Sekretari Amerikan i Shtetit dhe ata të vendeve të tjera perëndimore — të anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare gjatë vizitave të tyre në vendet mike dhe aleate perëndimore në rajon, siç është vizita e kryediplomatit amerikan, javën që vjen, në Republikën e Çekisë, në Slloveni, Austri dhe Poloni.  Interesat afatgjata kombëtare të shqiptarëve nuk duhej të lejonin as të toleronin një gjë të tillë!  Për ngrirjen e marrëdhënieve të shqiptarëve me aleatët dhe miqtë tradicionalë dhe historikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikush duhet të japë përgjegjësi.  Jeni në rrugë të gabuar!

KUJTIM SPAHIVOGLI ARTIST DHE NJERI – Nga EUGJEN MERLIKA

Para pak ditësh lexova në Voal.ch një bisedë në formë interviste të znj. Elida Buçpapaj me znj. Luljeta Minarolli Hana me titull “Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare, shëmbur nga diktatura”. Aty për aty i bëra një koment relativisht  të gjatë figurës së artistit dhe njeriut, për të cilin në formë prekëse dhe realiste flitej në intervistë e cila, si e famëshmja “Bijë e Lalës” që e çoi poetin Dara në “monë e shkuar” edhe mua më ktheu gjashtëdhjetë vite mbrapa, në kohën e rinisë sime të parë…

Ishte vera e vitit 1960. Sapo kisha mbaruar gjimnazin e familja më dërgoi, si një farë shpërblimi për përfundimin e mirë të maturës, në qytetin e Pogradecit ku atëherë punonte si mjek pediatër xhaxhai i babait tim, i nderuari doktor Asllan Merlika. Së bashku me djalin e tij moshatar, Hektorin, në plazh u bashkuam me një grup të rinjsh nga Tirana, një grup që binte në sy për gjallërinë e tij e për bisedat e ndryshme me sfond kulturor. Ishin të gjithë t’arsimuar, madje tre prej tyre ushtronin veglat muzikore në orkestrën e Hotel “Turizmit”.

Ishte një grup antarët e të cilit kishin prejardhje të ndryshme, por që i bashkonte një mendësi e hapur, në të cilën nuk gjenin vënd koncepte të kohës të tilla si “dallimi klasor”, që ishte aq në modë në Gradishtë të Lushnjës, një sektor ferme e njëkohësisht kamp internimi në të cilin banonja un. N’atë mjedis të këndshëm me ngjyra njerëzore un pata fatin të njihja Kujtim Spahivoglin. Ai ishte në qendër t’atij grupi, ku bisedoheshin, në breg të liqenit piktoresk të Ohrit, tema nga më të ndryshmet të lidhura me artin e letërsinë, muzikën, teatrin e kinematografinë, sigurisht edhe ato mbi jetën reale, mbi marrëdhëniet djem-vajza, mbi ëndërrat e iluzionet e secilit për të. Kishte aty një rregull të pashkruar por të respektuar në heshtje prej secilit, që përkonte më respektimin e karakterit e të historisë së secilit e që ishte shprehje e fisnikërisë së lashtë shqiptare: në biseda kurrë nuk lëndohej askush për prejardhjen e tij apo kushtet në të cilat jetonte aktualisht. Ishte si një formë e pashpallur belegu që i bëhej hapur filozofisë zotëruese të kohës të mishëruar në famëkeqen “luftë të klasave”.

Njohja me Kujtimin pasonte njohjen me këgëtaren legjendare të qytetit tim, Vaçe Zelën e të dyja përbënin ngjarje nga më të rëndësishmet e jetës sime rinore. U miqësova shpejt me Kujtimin në sajë të karakterit të tij të sinqertë, të çlirët e pa asnjë farë prirjeje për të shfaqur epërsi ndaj bashkëbiseduesit. Ai vinte nga Moska në të cilën kishte studjuar art dramatik, tregonte episode të jetës së tij atje thjesht, pa asnjë farë kompleksi e tek ne të tjerët sillte, nëpërmjet përshkrimeve të tij, përfytyresën e një tjetër bote, sidoqoftë aq larg prej botës sonë të përbashkët, për të mos folur për atë timen të veçantë.  Përmasat njerëzore të karakterit të Tij, dinin në pah menjëherë, duke sjellë tek bashkëbiseduesi atë ndjenjë afërsie e miqësie të ngrohtë që zgjonte tek ai mirënjohje e dashamirësi.

Faleminderit Kujtim, për këtë ndjenjë njerëzore që më kumtove nëpërmjet mirëkuptimit Tënd e më ngjalle shpresa të cilat binin ndesh me kushtet në të cilat jetonja un. Faleminderit për respektin e ngrohtësinë që gjeta tek Ti, një personazh i njohur e i respektuar i jetës shqiptare, në ato çaste, kur shihnja para jetës sime prej gjashtëmbëdhjetëvjeçari, vetëm mure të larta e të pakapërcyeshme…. Ishe Ti një nga të paktët që në heshtje më ngulite idenë se asnjëherë nuk është gjithshka e humbur, se duhet luftuar gjithmonë.

Më kujtohen bisedat që silleshin rreth profesionit të tij të aktorit, të cilin Ai e kishte shumë për zemër. Më tregonte se si e përjetonte veprimtarinë e tij të skenës. Mbaj mënd mirë se si e përshkruante zotimin e tij prej aktori: mbas një shfaqjeje të “Majlindës”, thonte, më duhen tre orë që të vij në vehte, kur luaj “Hamleti”-n nuk më mjaftojnë as tri ditë. Njëmendësimi me rolin, zhytja e Tij në dramën e personazhit, ishin aspekte të zakonshme të jetës së Tij profesionale. Sigurisht të barte mbi supe për tre orë, “botën e shthurur” të Hamletit, me dyshimin e hidhur se “un s’paskam lindur të të ndreq”, me të gjithë kompleksin e tij tragjik nuk ishte një shëtitje në skenë, ishte një proçes tepër i vështirë, për të cilin ai fliste thjesht, pa asnjë lloj shfaqjeje të meritës.

U miqësuam shpejt me Kujtimin e megjithëse ajo miqësi qe e shkurtër, sa lulja e akshamit, sepse nuk u pamë më, mbasi jeta ime mori hullinë e paracaktuar, ajo mbeti në zemrën e në mëndjen time si njëra nga kujtimet më të bukura e më të paprekëshme. Por nga bisedat tona që, megjithë ndryshimin e moshës, ishin me shumë interes për mua,   kuptova se Kujtimi ishte një “mizë e bardhë” në realitetin e shëmtuar të Shqipërisë së kohës. Mendimet e Tij i përkisnin një sfere intelektuale që ishte tepër larg ngurtësisë dhe errësirës t’atyre që drejtonin këtë Vënd.

Prandaj përplasja, shpejt a vonë, do t’ishte e pashmangëshme e miku im Kujtim Spahivogli, siç e përshkruan me dhimbje mbesa e tij, znj. Luljeta Minarolli Hana, u kthye në njërin nga viktimat e rradhës t’atij sistemi, që nuk mund të pranonte gjatë në gjirin e tij modele të tilla të gjalla humanizmi e kulture. Ajo politikë kriminale me të cilën u detyrua të ballafaqohej Artisti i madh e t’i paguante edhe tributin e rëndë të prishjes së familjes e të kthimit në pluhur të ëndrrave për jetën e për artin, e privoi Shqipërinë nga një talent të arrirë e tepër premtues, por edhe nga një Qytetar me Q të madhe, që ishte një nga shpresat më të mëdha për përparimin e qytetërimin e mbarë shoqërisë shqiptare, sidomos në këtë periudhë kalese mbas komuniste, në të cilën njerëz me mendësinë e hapur të Kujtim Spahivoglit do të kishin qënë shumë të vlefshëm në përparimin e saj.

Duke u kthyer në kujtimet e e largëta t’asaj vere të jashtzakonëshme, me hidhërim të thellë sjell ndërmënd ata djem të mrekullueshëm që, fatkeqësisht nuk jetojnë më. Vitet kanë bërë punën e tyre dhe ai djalosh që shihet në fotografi është sot një burrë i thinjur, që kujton me mall e dashuri ata shokë të atëhershëm të rritur. Nga jeta u larguan para kohe si Kujtimi, ashtu edhe Ariani e Gramozi.Ndoshta ata janë bashkuar përsëri me njëri tjetrin në botën e së vërtetës e presin edhe ne të tjerët për të plotësuar grupin e hershëm të plazhit në liqenin e Pogradecit.

Respekt e nderim pa fund kujtimit të ndritur të Kujtimit, një miku të dashur e të paharruar të rinisë sime të parë.

Këtë foto e solli për voal.ch zoti Eugjen Merlika, ku ai ka dalë në pogradec në vitin 1960 së bashku sipas rradhës me Gezim Peshkepine, Kujtim Spahivoglin dhe Platon Nevirin.

Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare shembur nga diktatura – Bisedë me Luljeta Minarolli Hana Nga Elida Buçpapaj

MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË – Nga Frank Shkreli

 

“Askujt nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka filluar të  botojë, nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë.

 

Në njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova.

 

Javën që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët u përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Ashtu siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.

 

Ambasada amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar.  Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy burra — njëri amerikan e tjetri shqiptar — u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut — njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë, por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin.

 

Për të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që kishte liria për të:  “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

 

Në faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.  Demaçi paraqitet si simbol i ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të tjerë, Dr. Martin Luther King.

 

Në portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve shoqërore dhe politike, pa dhunë.  Përmes aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ai ishte gjithashtu edhe arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat e Votimit.  “Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”  Ishte kjo një ëndërrë që u realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.

 

Martin Luther King ka shkruar mbi lirinë, në “Letrën nga Burgu Birmingham” në vitin 1963: “Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi.  Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të shtypurit”, citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.

 

Amerikani Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë — ishin dy personalitete që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve të vendeve të tyre.

 

Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi.

 

Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe pa dallim.

 

Martin Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të drejtave për liri e demokraci.

 

Martin Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.

 

Pa drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!

 

Frank Shkreli

Dr. Martin Luther King                               Adem Demaçi

KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!? – Nga Frank Shkreli

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të ënjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij.

 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

 

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

 

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini).

 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

 

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri.

 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

 

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend.

 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s.

 

Frank Shkreli

 

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

 

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/