VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dy shkrime të Fan Nolit mbi J. Krishtin dhe Muhametin – Nga Prof. Nasho Jorgaqi

By | July 17, 2019

Komentet

Doli në qarkullim libri “Centauri i fundit” i shkrimtarit Moikom Zeqo

VOAL – Moikom Zeqo, personaliteti më poliedrik shqiptar, solli këto ditë librin e tij më të ri, “Centauri i fundit”, botim i West Print. Në 563 faqet e tij libri përmban 123 proza artistike të shkruara ndërmjet viteve 1990-2010 me një tematikë të larmishme nga mitologjia, historia, arti dhe me persiatje filozofike rreth kategorive të përjetshme si jeta, vdekja, liria, dashuria, amëshimi, pavdekësia, përjetësia, parajsa, ferri, purgatori e tjerë.

Prozat artistike të Moikom Zeqos përshkohen nga erudicioni i thellë, fantazia marramendëse, dialogët befasues dhe stili meditativ borhesian, çka bën që çdo botim i ri i autorit të jetë një ngjarje për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Moikom Zeqo është autor i rreth 70 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe erudit dhe njihet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

 

 

Centauri i fundit* – Prozë nga MOIKOM ZEQO

Unë jam Centauri i fundit, i tha vetes.

Jam i fundit,- se tërë populli i dikurshëm i centaurëve s’është më.

Jam i fundit.

Centauri i Fundit i botës.

I fundit.

 

Ai lëvizi mbi pllajën e stralltë, plot shegë dhe fiq të egër, agavie të mëdha dhe kaktuse të çuditshëm.

I njomur nga vesa e ndritshme e mëngjesit luhatej ngadalë si në ëndërrim me pamjen e tij të pazakontë dhe padyshim hyjnore.

Ai po përshkonte hapësirën ekzotike të fillimvjeshtës grishëse dhe njëkohësisht tërë mijëvjeçarët e ekzistencës.

Ajri i ngrohtë, por edhe i freskët i rrëshqiste mbi fytyrën me flokët e mëdha kaçurrela, mbi vetullat e dendura dhe mjekrën e shpupuritur, – një fytyrë autoritare dhe tërheqëse si ajo e një binjaku të vetë Zeusit të fshehur dikur sipër reve misterioze.

Por sytë në këtë fytyrë qenë melankolikë me një qetësi të thellë si qetësia e shurdhët para fillimit të shtrëngatave, ose si mbas mbarimit të gjithçkaje dhe të vetë botës.

Ç’do të thotë të jesh Centauri i Fundit, e pyeti veten.

S’do të ketë të tjerë të ngjashëm si unë, po vallë çdo e ngjashme zhduket përgjithmonë?

Ahere pse ka ekzistuar kjo e ngjashme dhe u pranua si e tillë?

Dhe a mundet të ripërtërihet?

Të jesh Centauri i Fundit do të thotë të mbartësh në veten tënde tërë të ngjashmit që s’janë, kështu ata janë ende ndërmjet teje, pra kuptimi i vdekjes së tyre s’ka vlerë gjersa ti ende jeton.

Ti ende jeton që të mos vdesin ata.

Ti ende jeton,- për të vërtetuar një ekzistencë të mrekullueshme dhe të pamohueshme dot.

Populli i centaurëve do të mbesë patjetër në kujtesën e shekujve.

Ky popull i pathyeshëm, me krenari të epërme, me intelektin e dyfishtë të njeriut dhe të kalit ka qenë i shumtë dhe i përhapur kudo.

Centaurët mësonin heronjtë, vetë Akilin, dinin mjeshtërinë enigmatike të mjekimit të plagëve të trupit dhe të shpirtit.

Bënin gosti madhështore, ndërroheshin me përkushtim, por jo edhe pa ndrojtje nga të gjithë edhe nga zotat edhe nga vdekatarët.

Shëmbëlltyra e çdo centauri -gjysmë njeri e gjysmë kalë tregonte një ngjizje të hatashme të natyrës së gjallë dhe mendimit, një variant tepër interesant, madje poetik të kozmogonive.

Lindja e centaurëve e ka një zanafillë, që tashme është harruar.

Zotat janë përherë të pavdekshëm, njerëzit lindin nga njerëzit.

E vërtetë e lindjes së centaurëve është ndryshe.

Krejt ndryshe.

Ky është sekreti i tyre i madh dhe unik.

Me të vërtetë centaurët kanë lindur vetëm ahere kur njerëzit në fillim besuan pamëdyshje se ata ekzistonin.

Centaurët qenë krijesa të plotfuqishme të besimit të njerëzve.

Madje dhe zotat skeptikë, që i nënvleftësojnë njerëzit e brishtë u ndikuan nga ky besim universal duke pranuar ekzistencën e centaurëve, duke e shpjeguar dhe argumentuar si mundësi krijimi e befasie të vetë sqimë, dhe hirit të plleshëm të substancës hyjnore.

Kështu centauret u bënë qenie intime të njerëzve dhe të zotave.

Shumimi i centaurve qe shumimi i besimit për ta.

Kjo qe premisa dhe thelbi i ekzistencës së tyre.

Mijëvjeçarë më pas njerëzit u bënë konfuzë,- nisi të zbehet besimi i tyre për centaurët.

Njerëzit u bënë dyshues, të vrazhdë, nisin ta urrenin çdo gjë poetike që përhapte dhe rregullonte harmoninë midis gjërave, madje dhe lidhjet midis tyre dhe zotave olimpikë.

Fantazia e tyre u ftoh, u bë e plogët, tepër meskine, shumë egoiste, kontradiktore.

Njerëzit u mbërthyen keqas, pa rrugëdalje në këtë krizë besimi.

Kur një pjesë e tyre qe krejt mosbesuese,- ahere një pjesë e centaurve zhdukej vetvetiu, -por mbeteshin ende shumë centaurë përderisa të tjerët ende i besonin.

Kur shtohej numri i të lëkundurve midis atyre që besonin dhe nuk besonin ahere në përgjithësi kentaurët sëmureshin seriozisht, qenë të pafuqishëm, por ende mund të ëndërronin për mbijetesë.

Por ndodhi ajo më e tmerrshmja,- më fatalja.

Njerëzit në përgjithësi nuk besonin më tek ekzistenca e centaurëve dhe populli i madh i centaurve u shpërbë vetvetiu në ajër, format e dukshme të tyre mjegulloheshin, pastaj bëheshin të tejpashme, mund të shquheshin akoma në parafundin e tyre si forma centaurësh ajrorë, prej erërash dhe flladesh, deri sa përfundimisht u zhdukën, humbën në padukshmërinë e patjetërsueshme.

Më gjatë nga të gjithë vetëm fëmijët, por edhe poetët, e kanë besuar ekzistencën e centaurve.

Ky besim e mbajti tepër gjatë gjallë gjeneratën e fundit të centaurve tashmë të papërfillur.

Por tani në botë qe vetëm një fëmi që besonte me gjithë fuqitë e shpirtit se ishte i vërtetë dhe i gjallë centauri i fundit.

Vetëm një fëmijë dhe askush tjetër.

Por kjo qe krejt e mjaftueshme dhe mrekullibërëse.

Centauri i Fundit jetonte pikërisht se jetonte ky fëmijë.

Centauri qe me përmasa vigane përpara këtij fëmije që ishte dhjetë vjeç.

Pikërisht ky dhjetëvjeçar i paepur bënte që centauri madhështor të përjetonte në qenien e tij moshën e tërë mijëvjeçarëve.

Centauri i Fundit e kapërceu pllajën.

Doli në tërthoret plot burime të një lugine.

Aty ishte shtëpia e gurtë, ku ishte fëmija dhe familja e tij.

Në skaj kullotnin dhitë.

Centauri i Fundit u pushtua nga emocionet.

E pa fëmijën në oborrin e shtëpisë.

Dhe fëmija e pa.

Nga tërë pjesëtarët e familjes vetëm fëmija mund të shihte centaurin.

Për të tjerët centauri qe i papashëm dot.

Ata s’besonin, pra s’e shihnin, s’mund ta shihnin, sepse s’donin ta shihnin.

Ishte kaq e thjeshtë.

Pafundësisht e thjeshtë.

– Erdhe, tha fëmija(nje djale  10 vjecar )

– Erdha.

– Dukesh pak i lodhur.

– Vërtetë. Jam pak i lodhur. E di që ekzistoj falë teje. Nëse ti s’je mirë, as unë s’jam mirë. Nëse jam pak i lodhur kjo do të thotë se edhe ti je pak i lodhur.

– Mbase është kështu, tha fëmija, por me një zë gazmor.

– Kështu është. Padyshim. Ti dhe unë jemi e njëjta gjë. Çdo gjë që të ndodh ty më ndodh edhe mua.

– Jo. Ti ekziston pavarësisht se dua unë. Ti je jo se jam thjeshtë unë. Nuk të kam krijuar unë. Ti je shumë më përpara se sa të lindja unë. Centaurët si ti kanë qenë gjithmonë.

– Por s’do të jenë gjithmonë.

– Jo, do të jenë. Besomë do të jenë. S’do të harrohen. Asnjë harresë nuk i mohon dot. Do të jenë përgjithmonë.

– Ndoshta.

– Do të jenë përgjithmonë, jo se unë besoj se ti je. Unë besoj sepse ti ke qenë. Prandaj do të jesh.

– Ti je i vetmi që ende beson. Unë tashmë jam Centauri i Fundit.

– Por unë s’do të jem fëmija i fundit që beson dhe të sheh ty.

– Kam frikë se je fëmija i fundit dhe unë jam Centauri i Fundit. Po, po, i fundit.

– S’je Centauri i Fundit, qeshi fëmija. S’ka asnjëherë Centaur të Fundit. Asnjëherë. S’ka Centaur të Fundit. Ashtu siç nuk ka Fëmijë të Fundit.

– E vërtetë. Përherë do të ketë fëmijë. Por jo të gjithë fëmijët do të besojnë tek kentaurët. Jo të gjithë fëmijët do të jenë si ty. Ti je fëmijë i veçantë. Ti je fëmijë që dallon nga të tjerët. Prandaj unë nuk jam zhdukur. Po të mos ishe ti, as unë s’do të isha.

– Po e tepron pak, tha fëmija. Unë jam një qenie njerëzore. Do të plakem dhe do të vdes një ditë. Por ti s’do të vdesësh, besomë!

– Ditën që ti s’do të jesh, as unë s’do të jem.

– Mos u shqetëso! Do të jesh! Patjetër do të jesh.

– Po si vallë? Si do të jem? Nëse askush s’beson si mund të jem?

– Përherë do të ketë dikush që do të besojë. Jam krejt i sigurt.

– Nuk kam dyshim se pikërisht unë kentauri i fundit jam se beson ti, fëmija i fundit.

– E ku e di ti, se do të lindin përsëri fëmijë që do të besojnë si unë? E nëse do të ketë njëmijë fëmijë si unë në botë do të ketë njëmijë kentaurë përsëri.

– Ah! Këtë s’e kisha menduar.

– Bën mirë ta mendosh.

Pastaj fëmija heshti.

Centauri s’dinte ç’të bënte.

Ky dialog i kishte zbuluar lidhjen midis Përkohësisë dhe Përjetësisë.

U dëgjua një zë.

Një grua e hijshme, e ëma e fëmijës, i thirri birit të saj.

Ajo doli nga dera e shtëpisë duke mbajtur në duar diçka.

Centauri i Fundit e pa gruan.

Në fakt gruaja s’mund ta shihte dot.

Vetëm fëmija mund ta shihte atë.

Askush tjetër.

Gruaja mbante në duar një copë dru në formë katërkëndëshi- ku qe pikturuar një fytyrë burri, praruar me ar.

– Biri im, tha gruaja. Shikoje, kjo është ikona e Jezu Krishtit.

– E shoh nënë, tha fëmija me dashuri.

– Është Zoti ynë. Jezu Krishti i mahnitshëm. U sakrifikua për mëkatet tona. Duhet të besojmë, që të na falen mëkatet.

– Po nënë. Po pse mban mbi kokë këtë kurorë prej gjëmbash?

– Është kurora e një Mbreti të Mbretërve.

– Ah, nënë!

– Ai u kryqëzua dhe u ringjall për ne biri im.

– Ah, sigurisht!

– Ne besojmë tek Jezu Krishti. Pa të s’jemi asgjë!

Fëmija heshti.

Nëna e përqafoi, pastaj me ikonën u fut përsëri në shtëpi.

Centauri ra në mendime.

– Kush është ky Jezu Krishti, e pyeti fëmijën.

– Është Zoti i njerëzve tani.

– Si? Kanë kaluar kaq shumë shekuj. Unë e di se Zeusi është Zoti ynë i lashtë.

– Sa kohë që njerëzit e kanë besuar këtë gjë Zeusi qe vërtet Zot, pa asnjë tjetër. Por Zeusi dhe zotat e tjerë nuk i beson më askush. Prandaj s’janë më. Tani njerëzit besojnë Jezu Krishtin. Nëna ime e beson. Edhe unë kam nisur ta besoj. Por mos u tremb, unë besoj plotësisht tek ty centauri im. Gjithmonë do të besoj tek ty. Mos u ligështo! S’do të të braktis!

– E kuptoj. S’do të më braktisësh.

– Asnjëherë.

– E kuptoj. Jam tepër i lashtë. Ti je një fëmijë, shpresoj që të jetosh sa më gjatë. Me që ra fjala, s’e kam idenë e kohës, ç’shekull është? A mund të më thuash diçka për këtë?

– S’e di si matej koha më përpara. Tani koha matet me lindjen e Jezu Krishtit. Është viti 435 mbas lindjes së tij.

– Viti 435? E kam të vështirë ta kuptoj. Mbase në të vërtetë koha matet ndryshe, ose nuk matet fare. S’mund të matet ajo që s’ka fund, as fillim e as mbarim. Koha! Ah, koha!

Sytë e Centaurit të Fundit u njomën.

Djali ju afrua.

Centauri u përkul dhe e përqafoi.

E mbajti në krahët e tij të fuqishëm.

– Vrapo, i tha djali.

Ashtu sëbashku : Trupi i djalit i mbërthyer pas kraharorit të centaurit, -të dy si një qenie e bashkuar mrekullisht.

Centauri vrapoi me shpejtësi.

Kishte në këtë lëvizje diçka më shumë se energji, forcë, diçka më shumë se vetë kuptimi i lëvizjes.

Kishte diçka nga shpejtësia e dritës.

E mendimit.

Ata qenë të pashkëputshëm nga njëri-tjetri.

Të pakonceptueshëm në ndarje.

Qenë bashkë si logjikë, si shpirt.

Qenë bashkë si lindje dhe si vdekje, por më tepër si amshim.

Hapësirat hapeshin para tyre, por s’mbylleshin më mbas tyre.

Ata në shumë se në shtigje guri, anash ujëvarave, gjineshtrave, shpellave dhe maleve vraponin në kohë, si të qenë vetë koha.

Kapërcenin gjithçka në të katër pikat e horizonteve, fushat e molosëve, ndonëse tempullit të Dodonës, përbri portave të Trojës dhe të Tebës, të Babilonisë, të Romës, në brigjet e Eufratit, të lumit ilir Aos, të Nestosit, buzë Vezuvit dhe Etnës, afër tempujve të mëdhenj paganë plot skulptura dhe relieve, në kufijtë ndarës të epokave, në malet e Europës dhe të Azisë, por dhe mes gërmadhave të Kartagjenës, në shkretëtirat egjiptiane të piramidave, në bregdetet e Bosforit dhe të Kalkidës, në skajet e Hindisë përrallore, nën akujt e Himalajave, për t’u rikthyer, por gjithmonë për të mos u ndalur.

Qe vrapi i një mbijetese të pabesueshme edhe përtej vdekjes të të dyve, të djalit dhe të Centaurit të Fundit.

Trupat e të dyve do të bëheshin të lehtë, pa peshë e do të përfundonin në krijesa ajri të shëndetshëm dhe të pastër.

Në të vërtetë ky vrapim qe një fluturim fantazmagorik përmes dhe përtej shumë realiteteve që ka e do të ketë universi.

Një fluturim kurajoz dhe kuptimplotë që sfidon gjërat e përkohshme, efemere.

Centauri i Fundit me djalin e përqafuar në krahë.

Centauri i Fundit që e tregon këtë djalë, më Mbret se të gjithë Mbretërit e botës,- më shpirt se të gjithë shpirtrat, sikur do të thotë përpara Amshimit: Ja ky djalë! Është Ati im dhe njëkohësisht është edhe Biri im!

 

 

Ah, Centauri i Fundit! (1999)

SHKRIMTARI X3Z* – Prozë nga MOIKOM ZEQO

Shkrimtari X3Z ishte ende i zgjuar në mesnatë. Përballë tij qe letra e bardhë. Ai nisi të shkruante diçka. Diçka për kuptimin e gjërave. Imagjinata e tij qe e skajshme, por ai synonte tek një abstragim i saj. X3Z shkroi si në ethe këto rreshta: Kuptimi? Ç’është kuptimi? Ne përjetojmë ngjarje. Brenda tyre është kuptimi. Kuptimi është gravitacioni i kthyer në substancë – shpirti pa trup – fantazma më me vlerë se sa origjinali, – mali i gjeometrizuar në piramidë, – sfera e përgjithshme e bërë trekëmbësh i veçantë guri paemër i shndërruar në kult hyjnor i një emri, – më saktë emri i panjohur i një realiteti të panjohur. Kuptimi i botës? Thjesht një ide? Pse ekzistenca është një kacafytje idesh konfuze? Diçka kontradiktore. Idea e jetës? Një koleksion i rremë frymëmarrjesh? Kuptimi i librave? Një rishkrim i pafund asaj që ishte ndaj edhe është dhe s’dihet në do të jetë? Kuptimi i artit? Një ndjesi e vagullt estetike? Emocione të stimuluara? Një kujtesë e rreme e historisë? Ç’është kuptimi i një luleje efemere? Po kuptimi i një ylli miliona shekullor? Ç’është kuptimi i një xixëllonje? Po kuptimi i shpërthimit në Hiroshimë? Ç’është kuptimi i një krimi? Po kuptimi i therjes së kafshëve për ushqim? A s’janë e njëjta gjë? Ç’është kuptimi i një anije të mbytur? Po kuptimi i një ëndrre të parealizuar? Ç’është kuptimi i një aureole? Po kuptimi i një unaze martese? Po kuptimi i bukës së brerë nga krimbat? Ç’është kuptimi i një ore? Po kuptimi i kohës? A ka hapësirë pa kohë? Po kohë pa hapësirë? Ç’është shija e frutave? Po shija e mendimit të fjalëve?

Shkrimtari X3Z la stilolapsin mbi letrën e shkruar. Pyetjet s’kanë fund se përgjigjet s’kanë fund. Kam shkruar libra. Libra që përshkruajnë ngjarje. Ngjarjet e jetuara dyzohen në ngjarje të shkruara. Pse? Kaq e domosdoshme është? Letërsia është një shumëfi shim. Esenca është edhe pa të. Letërsia e subjektivizon historianë. Diçka groteske. Abstragimi i koncentron gjërat. Mendimi është kudo. I padukshëm. Shkrimi e bën të dukshëm. E grafi zon. Po edhe alfabetet janë abstragim. Shkrimi është kurthi i mendimeve.

Shkrimtari X3Z psherëtiu. Kam kaq vite që shkruaj. Por mendimi më shpëton nga duart. Më ikën, i pakapshëm, përherë rrëshqitës. Mund të shkruhen shumë libra. Por asnjë të mos mbetet. Letra e librave është katastrofa e drurëve. Ah.

Shkrimtari X3Z nuk kishte asnjë delir për veten. Ai kishte shkruar libra rregullisht, por që s’kishin tërhequr vëmendje. Kjo nuk e trishtonte. As e revoltonte. Ai kryente një proces, as më pak, as më shumë. Ai ishte njeri normal. Nuk kishte shpërthime. As ambicie të mëdha. Qe i sjellshëm, aspak konfl iktual. Një qenie e pranueshme. Thjesht një qenie njerëzore. I pëlqente të jetonte. Madje i pëlqente shumë të jetonte. Jeta s’përsëritet më. Jeta është më e rëndësishme se librat.

Shkrimtari X3Z pa orën e murit: 2 e 37’ mbas mesnatës. Duhet të fl e, mendoi, të qetësohem. Megjithatë e kish frikë gjumin. Sa herë shtrihej në shtrat e ndjente se gjumi do të merrte në dorëzim trurin dhe trupin e tij. Gjumi qe i pamposhtur, përherë triumfues. Por gjumi nuk njihte asnjë marrëveshje paraprake. Gjumi nuk garanton asgjë nëse do të ishte e sigurt se do të ngrihej i gjallë nga shtrati pas zgjimit. Shumë njerëz kanë vdekur në gjumë. Të vetëdijshëm para gjumit dhe asgjë në gjumë. Ah. Gjumi është forma fantazmore e vdekjes. Me një dinakëri të fshehtë. Shkrimtarin X3Z e trembte kjo dinakëri. Nuk e donte. E urrente. Ah. Gjumi është pashmangësia e vdekjes.

Shkrimtari X3Z megjithatë u shtri në shtrat. Mbylli sytë. A do të shoh ëndrra, mendoi. Një natë kish parë në ëndërr vdekjen e tij. Shtrati qe shndërruar në arkivol. Kurora me lule, njerëzit e trishtuar të familjes, të afërmit, kolegët. Një koleg mbajti fj alimin mortor. Foli për të, për jetën e tij si shkrimtar, për librat, për humbjen e madhe që pëson kultura me vdekjen e shkrimtarit, të talentuar dhe fi snik, familjar dhe shoqëror. Ai në ëndërr e dëgjonte me etje dhe kuriozitet këtë fjalim të fundit i përkëdhelur në sedër. Por ai e dinte se fjalët i merr era, humbasin, treten. Atë e varrosën si një shkrimtar. Po a ishte në të vërtetë ai shkrimtar? Librat s’të bëjnë shkrimtar. Vdekja është harresa. Për çdo shkrimtar. Po për atë? Ah. Librat janë iluzion i amshimit. Ndërkohë edhe ëndrra edhe vdekja janë iluzione të njëra tjetrës. Pra edhe iluzione të iluzionit të amshimit. Ah.

Shkrimtari X3Z ishte ende i vetëdijshëm përpara kaosit dhe turbullirës së hirtë dhe pa përmasa të gjumit. Ai i përkiste rendit të përkohshmërisë. Po kjo nuk e shqetësonte. Ai ishte si shumica. Si shumica absolute e vdekatarëve. Pse të shqetësohej? Në djall shqetësimi? Pse ta torturonte veten?

Shkrimtarin X3Z qe gati ta zinte gjumi. Një dorëzim pa kushte, pa arsyetim dhe pa emocione. Pa asnjë kujtesë. Para se të humbiste në humbëtirë, në hiç ju kujtua një mendim i Plotinit, filozof i harruar. Ai thotë: “Kujtesa është për ata që kanë harruar, ose harrojnë. Zotat nuk kanë kujtesë, sepse ata nuk kanë nevojë të harrojnë. Zotat nuk kanë kujtesë, sepse ata nuk e njohin kohën, nuk e ndjejnë nevojën të luftojnë kundër kohës, nuk janë fragmente të asaj që ka humbur për ta krijuar, ose rikrijuar kohën” Në këtë pikë vdekatarët e zakonshëm janë më të ngjashëm, dhe po aq të neveritshëm dhe të kotë sa vetë zotat. Ah.

Shkrimtari X3Z mori frymë thellë. E pushtoi një indiferencë totale. Gjumi po afrohej mbi të. Gjumi sikur buronte nga muret, nga hapësira përtej mureve, mbi librat e dhomës, mbi letrat e shkruara, mbi akrepat e orës, mbi këpucët e hequra mbi dysheme, mbi syzet optike mbi komodinë, mbi abazhurin, mbi gjithçka. Ai qe i ngadaltë dhe pa peshë, i padukshëm dhe autoritar, zotërues pa emër dhe pa heraldika i universit, jashtë dhe brenda. Gjumi, gjumi! Absolut dhe i hiçtë. Gjumi i infinitit, pa përmasa, pa kohë dhe pa hapësirë. Ah.

Durrës 17 shkurt 1994

*Kjo prozë hap librin e ri të shkrimtarit Moikom Zeqo ‘Centauri i fundit’

TRE POETË TROPOJANË NË POEZINË E VITETVE SHTATËDHJETË – Vështrim nga QAZIM SHEHU

 

Poezia e Skënder Buçpapajt në këto vite shenjohet me vëllimin “Zogu i bjeshkës”, i cili tërhoqivëmendjen e botës letrare të asaj kohe. Ky vëllim përbën një ngjitje kulmore për këtë letrar ,me motive krejtësisht të tij dhe nga Malësia e Gjakovës. Nga vetë titulli dhe nga përmbajtja e librit mësojmë se kemi të bëjmë me një poet që e shtrin vargun e lirë në dimensione të kohës dhe të trevës.

Si një poet me një formim të mirë poetik dhe si njohës i poezisë, ai vargun e vet e gatuan në frymëzimet që burojnë nga treva ku lindi. Kjo poezi edhe sot mund të lexohet pikërisht për këtë. Poeti e ngre unin e tij në vështrim transedental kur thotë:

Unë, zambaku i posaçelur në këtë pranverë e në këtë tokë,
Dua t`i thërras djemtë dhe vajzat dhe punëtorët e ndershëm
Të vijnë e ti mbledhin petalet e mia të freskëta dhe të shëndetshme

Dhe më poshtë vijon:

Eni djem e vajza
Ju punëtorë të ndershëm
Merrni petale
Çela për jut ë gjithë.

Kjo është kredo e poezisë së tij. Ai, poezinë kërkon ta bëj të të gjithëve,por si mund ta bëjë të tillë? Poeti e ka gjetur sekretin duke e shtjelluar poezinë në diapazonin e saj njerëzor,duke u munduar të prekë e të rrokë ato tema që janë bindëse dhe krijojnë afrimitet. Dhe nuk mund të krijojë më tepër afrimitet sesa kur kujton fëmijërinë që prek zemrën e çdo njeriu.
Fëmijëria ime
Lëndinë jasemini,
Gjumi….
Apo tu drejtohet djemve të minierës së re me vargjet:
Jemi malësorë
Dhe malësorët janë të heshtur
Ingjajnë një mëngjesi të hekurt bjeshkësh.(Poezia: Djemtë e minierës së re,fq.12-13)
Poeti sjell në poezi një vështrim krejt tjetër dhe një psikologji krejt tjetër,botën e malësorit të ditur dhe të kultivuar,ku paralajmëron heshtjen si tregues i të diturit të gjërave dhe i nevojës për t`u thelluar pikërisht në çështje dhe dilema të jetës së njeriut.Kjo ndihet në gjithë frymën e vëllimit të tij poetik nga fillimi në fund,këtë na e sjell edhe vargu i gjatë dhe i shtrirë me një tendencë dhe formim të caktuar ku poeti i shpërfaq reflekset meditative me një hov të përmbajtur dhe plot elokuencë dhe kulturë.
Poeti Skënder Buçpapaj sjell në poezinë e viteve shtatëdhjetë zërin e tij të veçantë,origjinal dhe të njomë. Ai sjell epikën dhe lirikën e bjeshkës, sjell natyrën dhe përmes detajeve vizaton gjithë atë spikamë të eposit të saj. Zogui Bjeshkës nuk është tjetër veçse zëri në gjoksin e poetit ,është shqetësimi i tij i përhershëm për të dhënë diçka nga vendlindja, po njëherit këtë duke e transmetuar jo me vargje rapsodike,p o me një varg të përpunuar dhe modern.

Cicëriu zog i bjeshkës
E më fali lulet e malit
e më fali larat e borës,(Zogui bjeshkës,fq 18)

I njëjtësuar me natyrën e bjeshkëve të Tropojës, poetin ndjen ngazëllim për këtë,ndjen se shqetësimi poetic nuk mund të krijohet artificialisht po në konkordancë me shqetësimin për natyrën, duke marrë me vete natyrshëm lëngun e truallit ku ai ka lindur. Kjo poezi,është krejtësisht e përkundërt në poezinë e atëhershme, me mënyrën sesi i këndohej vendlindjes apo temave të ditës.
Ajo vjen si një mënyrë e re e të kënduarit në poezinë e atyre viteve,duke përcjellë zërin origjinal të poetit po edhe të vendlindjes së tij.
Duhet thënë se këtë mënyrë të kënduari ,këtë prosede të shtjellimit të vargut dhe të koncepsionit poetik nuk kishin mundur ta ndiqnin as poetët që jetonin në qendrat urbane,ndërsa e ndiqte një poet që jetonte në një skaj të atdheut,po që kurrë nuk i kishte munguar interesi për të ndjekur poezinë bashkëkohore.
Poeti shkrihet me natyrën,siç duket, natyra në ato anë është e falur me tepri nga zoti për pasurinë e saj ndaj poeti shprehet:

Tetë ditë qëndrova pranë e pranë me ujërat e Valbonës
Tetë ditë u rroka me ujërat dhe zhurmërimën e kaltër të ujërave..(Poezia Tetë ditët e Valbonës,fq 19)
Heroi lirik i poezisë së Skënder Buçpapës është i dashuruar me natyrën,vizaton lehtësisht njerëzit që jetojnëdhe gjallojnë në këtë natyrë të bukur,mahnitet nga forca e saj jetëdhënese,krijon raporte të mirëfillta estetike me të,dhe është në gjendjen dhe madhështinë e forcës së saj.Kështu ky hero poetik dhe lirik e zgjeron frymëmarrjen e vet duke jetuar në një kohë të caktuar,pra,ai është intelektuali dhe punëtori,po edhe heroi i punës që bën sakrifica të mëdha.
Skënder Buçpapaj ka meritën që e zgjeron dhe e përpunon konceptin mbi të brenda një kohe të caktuar,që është koha e socializmit,po poeti nuk merret shumë me të aq sa merret me ndershmërinë dhe përkushtimin e njerëzve në një kohëtë caktuar edhe pse ajo qëllon të jetë e tillë.Si një poet që vjen nga një trevë me motive legjenda me histori të lashtë poeti patjetër nuk e harron këtë;ai është ushqyer që i vogël nga burimet epike që kanë rrjedhur nga goja e malësorëve dhe që kanë bërë shtrat në një trashëgimi kohore dhjetëra e qindra vjeçare.Kjo ndihet dhe trajtohet në mjaft poezitë tij(Pranë varrit të një malazezi) etj.Në poezinë e tij Korbat, poeti shprehet:

Krrok,krrok,krrok
Thika të zinj që nuk i ngulen bjeshkës
Gurë të zuinj që nuk i tret koha (Poezia Korbat,fq.57).

Poezia e Skënder Buçpapaj operon bukur me përshkrimin dhe simbolin;simbolika e saj është e hollë ,siç duket edhe në këto vargje.Përtej shenjimit të këtyre fjalëve në trajtë të përgjithësuar mund të kuptohen gjithë armiqtë dhe çfarë mbetet përtej atyre si ankth i shkatërrimit që sollën ata;dhe me këtë rast duhet nënkuptuar malësia e Veriut tonë që, historikisht, ka qenë e ekspozuiar përballë këtyre armiqve të egër.Dhe më poetikisht nuk ka sesi thuhet.
Atij nuk i kanë shpëtuar as motivet për Gjakovën.
Gjakova gjak
Çkaherë toka e kuqe dhe qyteti i kuq
Dolën nga gjaku
Gjakova
Belbëzim vigan gjaku
I dheut…(Poezia Gjakova,fq 65)
Duke luajtur me emrin e saj poeti ngre në përkime tingëllore gjithë fatrin historik të këtij qyteti që nuk ëhtë larg vendlindjes së tij. Edhe pse ta kujton një vjershë të Ismail Kadaresë që niset nga përkimet tingëllore të rastësishme për t`u hedhur në histori(Shirat bien pareshtur mbi fytyrën e saj dhe siç duket nuk ia lajnë dot gjakun),poeti në këtë vjershë është mjaft origjinal dhe i përkorë.
Poetët e Tropojës në këto vite(Skënder Buçpapaj,Hamit Aliaj) dolën me një zë të veçantë, duke emancipuar poezinë shqipe jo vetëm në tematikë po edhe duke zgjeruar peizazhin e gjeografisë së saj;me këta poetë, poezia shqipe e viteve shtatëdhjetë fitoi kredenciale të reja poetike dhe mbështeti më fuqishëm të drejtën e saj për të ndryshuar,edhe pse koha ideologjike i sillte pengesa të shumëllojshme.
Duhet thënë se vëllimi i Skënder Buçpapajt erdhi si freski e re,si mënyrë e veçantë e të menduarit poetik,larg skemave dhe klisheve ,larg asaj poezie që vërtitej në një tematikë të konsumuar dhe të stërpërdorur e që nuk sillte më ndonjë gjë të re nga poetët.Ai ia zgjeroi frymëmarrjen tematike poezisë ,jo vetëm se vinte nga një trevë e pasur me folklor,.por edhe sepse mjetet shprehëse i organizoi në mënyrë të tillë që ato të sillnin diçka të re;e në këto mjete shprehëse dallon vargu i shpenguar dhe simbolika e hollë,njëkohësisht metafora e begatë…

Poeti Hamit Aliaj u bë i njohur në këto vite me vëllimin “Bjeshkët janë mbiemri im”, një libër modest po që u vlerësua për rrjedhshmërinë e vargut dhe melodicitetin e tij. Vëllimi u botua më 1974;edhe pse poezia e këtij libri dallohet pikërisht për këto cilësi,edhe Hamit Aliaj si gjithë poetët e brezit të tij nuk mund t`i shpëtonte ndikimit ideologjik të kohës, temave të komunizmit e aq më pak të konceptuarit e kohës brenda suazave të tij ideologjike. Vëllimi prezanton poezinë e parë dedikuar komunizmit:

Stacioni i parë dhe i fundit i zërit tim
Ti ke vetëm një emër
Dhe asnjë sinonim

Bjeshka ne të vërtetë është sinonimi itij,aty ai e merr lëndën poetike,dhe nuk është e rastit që ai së bashku me Skënder Buçpapajn e vë bjeshkën në përbërje të titullit të librit.Kjo ka arsyet e veta,jo vetëm për nevojë identifikimi,po se ata të dy vinin natyrshëm në poezinë shqipe,me hapa të sigurt.
Dhe nuk ka gjë më të sinqertë e më të bukur sesa të identifikohesh dhe të spikatësh në një jetë letrare që përcaktohej rreptësisht nga kritika zyrtare e kohës.Po kritika zyrtare e asaj kohe u detyrua t`i pranojë këta dy poetë ,madje të  flasë shumë mirë për ta.

Sytë majave më mbetën
Sytë m`u kthyen në livadhe
Ku blerojnë stinët bjeshkëtare(Poezia Bjeshkët janë mbiemri im,fq.7)

Kjo paraqitje, kredo e poezisë së tij,shpjegon njëherit edhe ato që thamë më lart dhe zgjeron kuptimin e identifikimit ku poeti tenton majat dhe përmes metaforës foljore që ai e përdor në këtë mënyrë ndërtimi të saj edhe në poezitë e tjera arrin të sjelllë një këndvështrinm të një poeti që vjen nga provinca dhe shpreh dëshirën për të parë jo vetëm në majë(të bjeshkës),por edhe përtej saj.
Verbi i thjeshtë plot rrjedhshmëri ,kadenca të perceptueshme dhe të qarta ,do të bëjë që poeti të vijojë frymëzimin e tij edhe për tema dhe motive të tjera të cilat mund të përkufizohen në përshkrimin e natyrës,historisë dhe tema të cilat i kërkonte koha mbi komunizmin,heronjtë e në sharjen e figurave botërore që nuk ishin komuniste po që i përkisnin botës boregjeze e klerikale,armiq të komunizmit.Për poetin gërmimi në histori dhe kuptimi i saj nuk mund të kuptohet tjetër veçse si jehonë e pandërprerë luftërash,përpjekjesh,sakrificash të panumërta për mbijetesë,ndaj ai shprejh krenarinë re vet për këtë
.
Gërmojeni këtë tokë
Dhe do të gjeni emra shekujsh
Të gozhduara në doreza të thyera
Lahutash të përgjakura(Poezia kërkim,fq.13).

Poezia e Hamit Aliajt dallon për një farë agjitimi historik dhe ideologjik,po të shprehur me mjete të thjeshta të gjuhës artistike;ajo priret më shumë drejt natyrës së këngëtimit të çasteve ose ngjarjeve të ndryshme,drejt vënies së tyre në pah.Poeti nuk mund të dilte jashtë suazës së kohës,por nuk mund të rrinte pa e spikatur zërin e vet në këtë hapësirë të kohës,ku shumë poetë të viteve shtatëdhjetë do të sillnin në poezinë shqipe një nxitje dhe një shprehësi të admirueshme të stilit të komunikimit poetik.

Duhet thënë se ai ndjehet mirë në temat e vendlindjes në objektet e afërta që i sheh,në fshatrat,shtëpitë,bjeshkët livadhet,po poezia e tij me motive të largëta nuk shtrohet aq bukur ëmbël dhe këndshëm sa ajo me motive të përjetuara.Edhe ai nuk u shpëton motiveve të punës,ishte koha kur Tropoja gëlonte nga punëtorët e shumtë që po ndërtonin Fierzën,apo në ndërmarrjet e minierat e kësaj treve.Ndaj poeti këndon:

Këtu gërshetat e shpleksura të valëve
Ilidh sotme fjongo dritash
Klasa punëtore(Poezia Në Fierzë,fq24).

Përsa i përket mënyrës së ndërtimit të poezisë ajo shpesh ndërtohet në planin rrëfimtar(Çobanesha Rushë/kishte një lopë me emrin Larë/që e kulloste shpateve të bjeshkës…).
Pas elementit rrëfimtar poeti e paraqet individin me atë çfarë ka më mirë të bisedojë,dhe dhe në fund poezia mbaron me një sintetizim aq sa që ka ndodhur që to të sjellin njëherish edhe përjetimin e poetit që ndodhet afër gjërave,objekteve,njerëzve të ndryshëm etj.Poeti i shndrron objektet(aktuale ose historike) në ide,përsiat për to,nxjerr përfundime dhe krijon shumë pak asosacione se nuk është poet asociativ,por i drejtpërdrejtësisë dhe i metasforës së rrallë që ndërtohet shpesh me foljezim dhe në trajtën e emërtesës.
Megjithatë, poezia e tij mbetet e rrjedhshme e frymëzuar,me vargje që ruajnë dinamizmin e ndjenjës dhe përcjellin emocione,po nuk e kanë thellësinë e duhur të shprehësisë po ta krahasosh poezinë e Hamit Aliaj me poetë të tjerë të asaj kohe.

Poeti tjetër Avni R.Mulaj shkroi librin “Valbona e Kaltër”,edhe ky një libër modest. Ai ishte tropojan që punonte në Durrës. Poeti i drejtohet vetes dhe,nëpërmjet vetes ,gjithkujt që do të kuptojë përmes mesazheve që përcjell poezia:

Mos e lejoveten të rrahë për gjëra të kota
Sepse edhe dashuria e vërtetë ka hequr ca të rrahura.(Poezia Mos e lejo,fq.9)

Poeti e vendos veten në pozicionin e njeriut tëkohës,të njeriut që kërkon kuptime në jetë dhe e gjithë poezia e tij rend drejt këtyre kapjeve të kuptimeve prej nga pastaj vijnë frymëzimet e tij që shtjellohen dhe përcillen lirshëm dhe me sinqeritet poetik.Sepse:
Zemra ka nevojë t`i shprehet dikujt
Njeriu duhet të jetë në vetvete krejt një kaltërsi
Të mos shprehesh do të thotë të jesh burg
Dhe të jesh burg do të thotë të jesh vetmi…

Si gjithë poetët e tjerë, edhe në këto vargje, ai e do njeriun të pastër,të afrueshëm,pa ndonjë dramatikë të veçantë,të rregullt me detyrat e kohës,dhe në shumë vargje të tij ndihet tendenca për të dhënë këshilla dhe porosi,por si një poet që di ta shtrojë vargun natyrshëm,këto këshilla nuk mbarten përmes poezisë së një njeriu që kërkon të japë mend, as që merret për mendjemadhësi.
Rrethi tematik i poezisë së Avni R.Mulajt nuk është shumë i gjerë,është po ai i një poeti tipik të kohës,ndoshta pse edhe kjo tematikë kërkohej në shtëpinë botuese.(Partia,puna,vendlindja,dashuria,etj),por duhet thënë se brenda këtij rrethi ihetre se poeti nuk kërkon të thellohet shumë por të përshkruaj me një lirizëm të thjeshtë ndjesitë e veta dhe botën e mendimeve të tij.
Në vitet shtatëdhjetë nga Tropoja tre poetët(Skënder Buçpapaj,Hamit Aliaj,Avni R.Mulaj),sollën në poezinë shqipe profile interesante dhe e pasuruan atë mjaftueshëm, duke spikatur si poetë me ngjyra lokale përsa i përket lëndës poetike,po me realizime dhe shprehësi moderne ,sidomos kjo ndihet dhe shikohet edhe sot pas kaq kohe tek poeti Skënder Buçpapaj,një zë i veçantë i poezisë moderne shqipe.Kjo ardhje shppreh rritjen dhe arsimimin e njerëzve nga këto treva,po njëkohësisht edhe mëkimin e këtyre poetëve nga folklori dhe epika e kësaj treve, mjaft e pasur me trashëgimi kulturore dhe e dalluar për një shpirt të pastër dhe pasion të veçantrë për kulturën në përgjithësi.
Përveç të përbashkëtës ,këta poetë dallohen nga njëri tjetrit,për të gjitha ato që u thanë dhe u cituan më lart dhe që sjellin edhe një herë faktin se nëse poezia e viteve gjashtëdhjetë nxori tre personalitete(Dritëro Agolli,Ismail Kadare,Fatos Arapi),poezia e një dekade më pas u dallua për një trefishim ose shumim të tyre.Por hija e tre personaliteteve të viteve gjashtëdhjetë dhe suporti zyrtar që ata gëzonin ndihej jo si pengesë,por si një sforcim të kritikës zyrtarte dhe qëndrimeve partiake për t`i afirmuar plotësisht këta poetë në kohë të caktuar, sipas vendit dhe meritës që u takonte.

Më 18 tetor 1959 lindi nobelisti Henri Bergson, shkrimtar dhe filozof francez

Henri-Louis Bergson (18 tetor 1859 – 4 janar 1941), shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, për vitin 1927.

Biografia

U lindi në Paris më 1859 ishte filozof francez. Që nga fillimi i shkollimit qe nxënës i shkëlqyeshëm si në lëndët shkencore ashtu edhe në letërsi. I talentuar në matemikë por dashuruar në letërsi ai u regjistrua në Shkollën e Lartë Normale dega Letërsi, në të njëjtin vit me Jean Jaurès.*

Diplomoi filozofinë më 1881 kurse më 1889 doktoroi duke mbrojtur me sukses dy tezat e tija ndër të cilat përmendet tema kryesore: Ese mbi të dhënat e drejtpërdrejta të ndërgjegjes (“Essai sur les données immédiates de la conscience”).

Kështu Bergson vazhdoi karierën e tij shembullore dhe kjo bëri që ai të angazhohet në Shkollën e Lartë të Normales dhe më tutje, më 1900, në Katedrën e Kolegjit të Francës si ligjërues-konferencier i filozofisë greke dhe latine. Fitoi respekt e famë kështuqë në ligjerimet e vinin emra të njohur si Péguy, Maritan e të tjerë. Më 1914 pranohet në Akademinë Franceze.

Vepra

Veprat më të njohura janë Materja dhe memorja (Matière et mémoire 1896), Të qeshurit (Le rire 1899), Evolucioni krijues (L’évolution créatrice 1907), Energjia spirituale (L’énergie spirituelle (1919) dhe Dy burimet e moralit dhe fesë (Les deux sources de la morale et de la religion).

Më 1927 i ndahet Çmimi Nobel për Letërsi.

Vdes më 4 janar të vitit 1941.

Referenca

[1]

Lidhje të jashtme

  • Stanford Encyclopedia of Philosophy entry
  • Henri Bergson – Entry in Philosophical Library. European Graduate School
  • Henri Bergson’s theory of laughter. A brief summary.
  • « ‘A History of Problems’ : Bergson and the French Epistemological Tradition », by Elie During

Ismail Kadare fiton Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Neustadt”

Ismail Kadare fiton çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Neustadt”. Ky çmim njihet edhe si Nobeli Amerikan. Janë 50,000 dollarë amerikanë që i jepen çdo dy vjet një poeti, romancieri apo dramaturgu.

Revista “Literatura Botërore Sot” e Universitetit të Oklahoma të letërsisë dhe kulturës ndërkombëtare njoftoi mbrëmjen e mbrëmjen e kaluar se Ismail Kadare është laureati i 26-të i këtij çmimi ndërkombëtar.

Robert Con Davis-Undiano, drejtori ekzekutiv i Letërsisë së sotme theksoi se shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe fjalës së lirë”. Shkrimtari Kadare ka qenë disa herë i nominuar edhe për çmimin “Nobel” në Letërsi, por deri më sot nuk ka arritur ta fitojë dot.

Finalistët në këtë garë ishin; Jorie Graham (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Jessica Hagedorn (Filipine / Shtetet e Bashkuara), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam / Shtetet e Bashkuara).

Puna dhe vepra e gjeniut të letrave shqiptare, Ismail Kadare, ka bërë jehonë në shumë vende të botës dhe natyrisht ai vijon të mbetet një ndër “xhevahirët” e rrallë të letersisë shqiptare.

Më 17 tetor 1917 lindi poeti i shquar boshnjak Mak Dizdar

VOAL – Mak Dizdar (Stolac, 17 tetor 1917 – Sarajevë, 16 korrik 1971) ishte një poet boshnjak.

Fitues i çmimit Struga në Festivalin e Poezisë së Strugës në vitin 1969, ai ishte i pari në Jugosllavi që mori çmimin prestigjoz maqedonas dhe të katërtin absolut (para tij poeti dhe kantautori i madh Sovjetik Bulat Okudzhava kishte filluar listën e emrave prestigjiozë, të cilit iu shtuan laureatët e Nobelit Eugenio Montale, Pablo Neruda, Josif Aleksandrovič Brodskij dhe Séamus Heaney).

Lindur dhe rritur në qytetin Stolac, në Bosnjë, në 1936 u transferua në Sarajevë – tani kryeqyteti i vendit – për të ndjekur shkollën e mesme. Më vonë u rreshtua, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë të kryesuar nga Josip Tito për të luftuar fashistët dhe nazistët. Pasi përfundoi konflikti, ai u bë një komunist i bindur. Ai shpejt u bë një figurë udhëheqëse në jetën kulturore të Bosnjës në atë kohë, duke punuar si kryeredaktor për të përditshmen Oslobođenje (Çlirimi).

Bosnja është një tokë shkëmbore, e ashpër, shterpe, e sunduar nga pushtuesit me shekuj. Peizazhi i këtij vendi fatkeq është plot me nekropole paraotomane, vendet kryesore të kujtesës stërgjyshore, të konsideruara të shenjta, objekte të nderimit. Motive simbolike zbukuruese janë të gdhendura në reliev në gurin e monumenteve funerale; shkrimet e mrekullueshme i shtohen asaj. Shifrat njerëzore, kafshët, bimët, emblemat diellore, duart, kryqet dhe kolonat sugjerojnë në një mënyrë evokuese besimin kristian dhe pamjen botërore të Kishës mesjetare të Bosnjës.

Poeti Mak Dizdar, i impresionuar thellë nga ritualet e varrimit, dhe i frymëzuar nga historia e të parëve, ka studiuar prej kohësh, përveç ikonografisë funerale, dorëshkrime të periudhës dhe dokumenteve arkivore. Rezultati ishte një shprehje e fuqishme dhe e pasur e poezisë, me referenca të shumta për temat biblike, veçanërisht ato apokaliptike, të medituara në një çelës të veçantë dhe universal. “Fjetësi i gurit” është njeriu i vdekur që falë poetit del nga varri i tij, nga bota tjetër, nga bota e tij dhe u flet të gjallëve. Dhe në të njëjtën kohë është edhe vetë fjala që, falë poetit, merr fjalën dhe flet vetë. Koleksioni ndahet si vijon: Rrugët, Fjala mbi njeriun, Fjala në qiell, Fjala mbi tokë, Fjala mbi fjalën, Mesazhi.

Mak Dizdar luftoi edhe kundër ndikimit të detyruar të gjuhës serbe në gjuhën boshnjake, në artikullin e tij të vitit 1970 “Marginalije o jeziku i oko njega”.

Pas rënies së komunizmit dhe pas luftës në Bosnje, opusi poetik i Dizdarit ka mbetur gurthemeli i letërsisë moderne të Bosnje dhe Hercegovinës./Elida Buçpapaj

“Tatuazh vargjesh” nëpër vite – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

 

1.ZEMRA  IME

Zemra ime, zemër plaku
Si nga mosha,aq nga”trupi”
Por me gulçe vërshon gjaku
Edhe hiç nuk pyet nga turpi

Mezalla se dëgjon zemra
Hidhet-dridhet si e re
Hidhet-dridhet sa sheh femra
Ndo i njeh apo s’i njeh.

Tingëllin si një zilkë
Nuk ka vrullin që kish
Sheh një femër?Sa e mirkë!
E ndjek pas si një “ogiç”.

E ndjek pas si, me demek,
Dale, dale! A më sheh?
Zemra ime është”yrnek”
Si një djali zë më rreh.

 
        7 prill  2000
 

2.M’U  BË   PLAGË  GJUHA

Gjuha m’u bë plagë
Ma”kafshoi” dhëmbi
Se shkoi një”pulëbardhë”
Që gati më  çmëndi.

Eh, se si u bëra
E humba pusullën
Gati unë u zhbëra
Sa kafshova gjuhën

Gjuha m’u bë plagë
Si do ta shëroj
Ç’ më bëre,”pulëbardhë”
“Ilaçi” im je, moj!

 
      3 mars 1998.
 

3. Çfarë mendoj?!

Çfarë mendoj futur në  të thella
Kam vendosur ta këndoj në”tela”
Si NDUE SHYTI nuk i bie çiftelisë *

Por do i këndoj demokracisë,
 
Lum e lum e për të lumin ZOT!
Si qemë dje dhe si jemi sot?!!!
Se po zgjat, o shumë tranzicioni
Plot të panjohura “ekuacioni”.
E ku ishim? Asgjëkundi
Shqipëri, po të merr lumi!
Se në krye do mytebera
Ditë për ditë majmen si derra.

 
Një i bie gozhdës, tjetri patkoit
Kush prej”fisi”, kush prej “sojit”
Por që të gjithë janë zorzopa
Ç’të them emër? Më zë koka.
Shoh lexues që qesh hi-hi!
A s’kanë derrat një turi?
Halli  im është SHQIPËRIA
Që e mbyti varfëria.

 
Edhe këta që kanë pushtetin
E lënë në”hije” kudo mbretin
Me shtëpi,dyqane, vila
Me”dhurata” nga “kushërira”,
Dhe “kushërira” është pushteti
   Pushtetari më është “mbreti”
  Mbret m’u bë nga pasuria
Në  karrike është “magjia”
*NDUE  SHYTI-Artist i Popullit.Mbreti i çiftelisë.
        3 maj 2015
4.Ah, ta dish!

Ah, ta dish sa kam dëshirë!

Që ta puth  atë,tënden buzë
Sa mbaj shpirtin me pahir
Shpirtin tim që digjet shpuzë.

Digjet shpuzë e digjet zjarr
Veç për ty.moj, veç për ty
Ah,sa mall që kam! Sa mall!
Për ty, tretem, si qiri!
                           7 prill 2003
 

5. Pacifist

Unë nuk jam pacifist i rremë
Se,gjasme, luftën e mbështeta.
Kam qenë kundër luftës, haptas e them
Nuk duroj të vriten të pafajshëm, ç’është e drejta.

Nuk kam shenjë idolatrie për SADAMIN!
Dhe as kam patur ndonjëherë
Por nuk doja që me luftë tiranin
Ta hiqnin siç ndodhi këtë herë.

Që iku Sadami hiç nuk m’u bë vonë
Unë  jam pacifist që i urrej tiranët
Por gjaku i të pafajshmëve më bën me tension
Me të “tillë luftë” nuk i çmoj fitimtarët.

 
                       10 prill 2003
 
6. “VULLKANI”
BEKIM   FEHMIUT
Madhështor është ky”vullkan” në heshtjen e vetë
Llavën e urrejtjes e mban përbrenda
Dhe kështu i”heshtur”, i bukur për jetë
Nëse e heq”magmën”, prit gjyle të rënda.
“Fajin nuk ta ka kush, por e kemi vet”
E ka lënë me shkrim dhe ka thënë me gojë
Rall shkruan e flet, por sa bukur që flet
Të rrëmbyerit e të nxituarit i skuq me bojë.

Ka 15-vjet që është shkëputur nga skena
Por ashtu si “Sfinksi” ka hijen e vetë
Nëse pak zhgënjim ndjeu nga jeta,
Dhe ashtu i heshtur, madhështor për jetë.

 
                    16 maj   2003
 

7. Kur  rri vetëm

Kur rri vetëm në tryezë
Edhe pres të pi kafe
Më afrohet një syzezë
Më buzëqesh, ashtu, me nge,

Unë buzëqeshjen zë ia kthej
(Birbo s’jam, natyrisht)
E kam fjalën, ç’ndodh më tej
Se u lidha me të”pisk”.

Kokolizur me të pisk
Dhe mundohem të”shpëtoj”
Ku gjen tjetër të tillë”rrisk”
Ah,ç’më bëre, syzezë, moj?

 
                  15 maj 2003
 

8. Kështjella prej rëre

U shkërrmoq”kështjella e rërës”
Shkoi  e vajti dhe Sadami!
Sipas radhës, sipas sërës
Ky është fundi i çdo tirani.

Hiqej trim e rrihte gjoksin
-Mos sulmoni se do t’u grijë
Dhe me llaf bënte “balozin”
Në të vërtetë, katandisi  si mi.

Mu si mi! Si mi gjirizi
Mezi gjeti diku vrimë
Kapërdisja mua ma shpifi
Shkoi e vajti në vidhimë.

 
                    10 prill 2003
 

9. Sa vlerë ka puthja?

E, sa vlerë ka puthja
Kur do ndahemi pas ca?
Ndarja është si sëmundja
Se unë ndarjen e quaj”hata”

Dita e ndarjes m’u bë sterrë
Dhe gjithçka m’u kthye në natë
Unë në shpirt kam zeher
Dhe në zemër kam një plagë.

 
               10 qershor 2017
 

10.  Çast

Humbën buzët mbi supet e zhveshur
Mbi supet e një DIANE me freski pylli
Pastaj puth buzët e saj, i etur
O çaste të bukura” eh, çfarë deliri!

Dashuria djeg më shumë kur ka pengesa
Unë digjem, i gjithë,brenda flakës tënde
Eh, çfarë çasti i bukur! Sa e bukur”audienca”

Moj “Dianë me freski pylli”, më çmënde.
 
             Tiranë,16 tetor 2019

Dikush më tha meditim i “çmendur”, por megjithatë, lexojeni! ELEGJIA E SHEKUJVE… – Nga Sejdi BERISHA

(Ose, dhembja dhe krenaria e kohës)
1.
Ka ardhur koha
Të shkunden oxhaqet
Nga çagja shekullore
Të pastrohen çatitë
Nga foletë e sorrave të zeza

2.
Ka ardhur koha
Të flasin thepa e kreshta
Shkëmbinj e lëndina

3.
Ka ardhur koha
Të flasin kalatë e kështjellat
Për ato ethet e tmerrit
Me shekuj brenda tyre ngujuar

4.
Ka ardhur koha
Lumi ta mbrojë kthjelltësinë e vetë
Për t’i ujitur pastër
Fusha ara e livadhe
Për ta freskuar shpirtin
Për ta shuar etjen e njeriut

5.
Ka ardhur koha
Kulla dhe dera e saj
Të rrëfejë për terrin e vrasjet
Për ngujimin e ëndrrave
Të gjeneratave që rrethoheshin
Me ushtimën e hakmarrjes

6.
Ka ardhur koha
Që lisat shekullorë
T’i shfletojnë defterët
E furtunave dhe të qëndresës
Që janë palosur në mes lotëve
Të gjetheve të vjeshtës

7.
Ka ardhur koha
Që kazamatet edhe burgjet
Muret e përgjakura dhe grilat
Të dëshmojnë për prangat
Për shtypjet dhe zhdukjet enigmë

8.
Ka ardhur koha
Që varret të flasin duke kënduar
Për peshën e tokës
Për eshtrat e tretur e të humbur

9.
Ka ardhur koha
Që shqiponjat të cilat me shekuj
Fluturojnë lartë mbi shkrepa
Mprehtësinë e syrit
Në libër dashurie ta shndërrojnë

10.
Ka ardhur koha
Që dëshpërimin nëpër kohëra
Ta kthejmë në shpresë
Në vlera e lumturi

11.
Ka ardhur koha
Që në ara ta shpërndajmë
Atë farën e farës së mirësisë

12.
Ka ardhur koha
Që ëndrrat e përdhosura
Shtypjen në kohë shtrigash
T’i bëjmë fjalor të mos harresës
T’i bëjmë falje e krahë engjëjsh
Se tash kjo tokë kështu e do
Të keqes t’i vë drynin
Që nuk çelet kurrë më

13.
Ka ardhur koha
Që në kuzhinat tona
Të gatuajmë bukë dielli e hëne
Me miellin e ngrohtësisë të tokës fisnike

14.
Ka ardhur koha
Të mos hedhim e as bluajmë helm
As këngët tash e tutje
Kurrë të mos ngelin të pa kënduara

15.
Ka ardhur koha
Që sot e përgjithmonë
Ta shtrojmë një sofër
Fatbardhë dhe të lumtur
Dhe në vend buke
Mbi te t’i hapim zemrat tona
Edhe përjetësinë e dashurisë

16.
Ka ardhur koha
Që në vend të kandilave
Dritë të bëjmë me shpirtrat tanë
Ta stolisim njeriun
Me këngën e kënduar njerëzishëm
E dritë të bëjmë
Me fjalën e shenjtë të gjakut tonë

17.
Ka ardhur koha
Që Krujën e Prizrenin
Vlorën e Manastirin
Që Shkupin e Shkodrën
Pejën Plavën e Gucinë
Që Korçën e Elbasanin
Butrintin e Dardaninë
Që Tropojën e Himarën
Beratin e Vushtrrinë
Që Gjirokastrën e Mitrovicën
Tepelenën e Gjilanin me rrethinë
Që Pogradecin e Sarandën
Bajram Currin e Prishtinën
Ulqinin me Kala
E Gjakovën me Malësi
Që Prekazin me Drenicë
Preshevën me luginë
Junikun Llapin e Gollakun
Që Çamërinë e Janinën
Rugovën e Kaçanikun
Në gjerdan lulesh t’i shndërrojmë
Edhe si vargje me gështenja
E në mes tyre fiq e ullinj
Se kësi vargjesh askund nuk ka
Gështenja fiku e ulliri
Përqafohen e shtrëngohen
Si mur guri në kala
Që për jetë
Askush nuk ka fuqi për t’i nda

18.
Ka ardhur koha
Që në disa kufij
Me lahutë t’i ligjërojmë historisë

19.
Se ka ardhur koha
T’i këndojmë lumturisë…
(©S. B.)

Tani ujqër u bëmë ne – Cikël poetik nga QAZIM D.SHEHU

MË RRITËN KËTO ARA…

Me zjarrin e misrit të bardhë
Me bukën e çerepit,
Me ca tinguj pa radhë
Që iu afruan djepit

 

Dhe muzgje si mullarë
Që varnin qeleshen
Në plepat komandantë
Që urdhëronin heshtjen,

 

Më mbrujtën këto ara,
Duke gëzuar vjeshtën
Me prodhime të mbara…
Ato ishin të përjetshme

 

Ashtu janë dhe sot,
Me heshtjen e ngeshme
Dhe plepat pikëçuditëse
Në çdo lëvizje vjeshte…

E BUKURA E DHEUT

Vjen supembuluar në sallon,
Kush e gënjeu
Dhe e solli në mes tonë?

Këtu kush s`e kërkon,
Le të fshihet diku në sallën
Që shtrigat zbukuron…

 

VAU
Vërshoi lumi, pastaj u mpi,
Kur lundra u mbyt me një njeri
Që shkonte të çlidhte një dashuri.
Tani ujë i pakët jep shpirt,
Pakësuar prej dhimbjes,
I lumtur se rrugën
Ia hapi gjindjes…

 

KUR PRET NËNA…

Mund ta ndezësh natën me prushin e shpirtit
Po yjet s`të lënë,
Me një dritë si kandil i dimrit,
Tek fryn një erë dhëmbërënë.
Me ca fjalë mund ta ndezësh natën
Gjethet s`të lënë,
Në rënkimin e tyre të ngathët
Fëshfërit malli pa lëndë.
Dhe më tutje, ç`ka nata
T`i marrësh me radhë,
Një sofër që nuk shtrohet pa shkuar ti
Bëhet diell që natën bën të bardhë…

KËNGA QË KËNDOJ

Kënga që këndoj më përket vetëm mua
Dhe s`dua t`i përkasë dikujt tjetër,
I njëjtë me një ftua nuk është një ftua,
As dhe një lumë nuk ngjet me një tjetër.
Veç nganjëherë një hije mashtrimi,
Vjen e më ngroh në gjoks,
Dikush të bukurën e kapi nga fillimi
E mua më duhet kohë..

SKEMË

Në fund, pse t`i urrejmë skemat,
Me dhunën e tyre të mësuar
Ne përballojmë mbledhjet,
Injorantët e kulturuar.

Si skelete armaturash,
Rreth një pallati që ndërtohet,
Pandjeshëm rreth nesh thuren,
Thërmia ndjenjash betonizohen.

Dhe janë aq të përpikta,
Aq na japin gazmend,
Pa i kuptuar ligës(z)inë
Kur na mbajnë në vend…

ELEKTRONIKË

Në letrat e rralla
Kur vijnë ato
Ndjej pas çdo ahu
Një klithmë,oh.

Më tepër se në letër, malli
Nuk shprehet kund,
Po letrat janë të rralla
Dhe letra po humb.

Të paktën, pyjet,
E morën një shpëtim,
Dhe një filiz, me besimin
Që s`do ta presin për këtë,
Lind…

RRASAT MBI ÇATI

Lart nga qielli zbritën në rrasa
Sa e sa agime,
Frymë të ngrohtë u dha vatra
Dhe zemra ime.

Dhe sa shi breroi në to,sa borë,sa ngricë
Ato veç koha i hijesho,
Me një drithërimë.
Kur mendoj si rrinin mbi çati
Të shtrënguara sup më sup,
Si luspat e gjigantit të ri
Në trup…

Kur vatra s`ndizet më, ato prapë rrinë
Ashtu të ngjeshura fort,
Dhe në krisje ndjejnë vetminë
Frymën e shuar që s`i ngroh…
Sërish breron shiu mbi to
Sërish zbresin agime fikse
Veç fryma e njerëzve u ço
Një dhele frike…

LETRA ME VRIMA

Nuk është letër llotarie
As e shpuar për hobi,
Është një letër fisnikërie
Shpuar nga lapsi i zi.

Vrima vrima si një trinë
Që lodron në det të mendimit,
Dhe kotësinë mban mbi shpinë
Në dehje të hutimit…

SINQERITET

Të ftoj t`i kthejmë pas vitet
Të dashurohemi si dikur,
Një ndjenjë për të cilën s`më pritet
Vrapues i lodhur në gjunjë..

Dhe është kaq largësi, më thua,
Ngjan sikur është afër,
Nëse do riktheheshim, s`di ç`do ngjante me mua,
S`do të kisha dashur…

 

NATA

Me çadrën e vet të stërmadhe vjen nata
Për të na mpirë arsyetimet,
Yjet e rralluar bëhen më të paktë
Mos shohin tonat,dështimet.

Kjo çadër në duar të panjohura
Bie dhe bie e na kthjellon,
Për të pritur agimet e lodhura
Me fasha drite që nuk mjaftojnë…

 

RRATHËT E LISIT

Drurët e prerë si daulle të heshtura
Goditen nga shkopinj vetëtimash,
Në rrathët si përhera
Sheh fytyrat e parardhësve të fisit.
Dhe janë kaq të shtrënguar
Për mosgojën dhe kumtin,
Gjithësesi, në trung ka biskuar
Një fjalë e amaneteve, mos humbin…

POETËT

Yjeve zili ua kam zilinë
Që thithin çdo natë nga ne,
Prandaj më shumë ndrijnë
Në kast turbullojnë pafre.

Dhe dritën pa harxhim
E derdhin joshjendezur,
Njëri ndrin,tjetri me shkëlqim,
Ia kthen duke qeshur…

Kur shkëlqen më shumë shoku
Zili e kanë poetët
Dhe zhyten në bërllokun
E një brenge të tepërt.

Yjet e lavdisë rendin
Të kapin me ngut,
Në zili veten çmendin,
Të etur pa u tut…

Yjet lart në qiell shikojnë
Këta yje të tokës,
Dritë më shumë lëshojnë
T`i japin botës…

Veç dritë e tyre s`mbërrin
Në u mbërritë, nuk digjet,
Kur zilia egon ngrin,
Në një zemër që përpëlitet…

VJOLLCA

E fshehur në një ferrë
Ngre kryet e lulëzon
Pa pyetur për erë
Dhe ciknën që përvëlon.

Pranverën lajmëron
E brishtë e mitare
Asgjë përreth nuk gjethon,
Ngrijnë ende ujërat në zaje.

E penduar s`kthehet dot
Drejt thelbit të saj,
Dhe lutet e thotë ç`ngjet më pastaj…
Do vijë,s`do vijë pranvera
Rri e mendon,
Kur ferra çel gjethet e gjera
Askush nuk e shikon…
T`i presë ato gjethe
Apo ta shikojnë duke u lulëzuar
I ikën kësaj dileme
Dhe rrit shtatin e hijeshuar…
Në pavdekësinë e bukurisë
S`mendon sakrificën
Siç i ik çasti mërzisë
Pesë sekonda ditën…

 

NJË PISHË DHE NJË PLEP…

Pranë pishës një plep
Ndërron rroben sa herë
Mes rrëshirës shtatin djeg
Një pishë fërshëllyese nëpër erë…

Dhe veten nuk e pa
Një herë lakuriq,
Ndaj gjelbërimi i saj
U bë si gjembat në një iriq…

Kur era ia gudulis
Shtatin plepit hollak,
Ajo s`shkon drejt trupit në pishë
Mbrojtur nga gozhupi i saj manjak…

Drithmat e plepit ia kupton
Edhe pse të plota nuk i ndjen…
Ndaj rrëshirë më shumë lëshon,
Dhe pranverën urrren…

MURET E BARDHË

Nuk tunden nga gjëmimet e mbytura
As mallëngjehen nga trupat lakuriq,
As nga orët e grira prej hamendjesh
S`duan të jenë kuti hedhur në valë
As pasqyrë bredhjesh,
Muret e bardhë.
Suvaja s`e thith më frymën tonë
As ajrin nga jashtë,
Ato s`duan të na besojnë
Ndaj, mbi to, vumë sytë e mungesës
Veten ose ato të vëzhgojmë…

FJALËT KËMBËZBATHUR
Shuall i fjalës
Nga gurët e injorancës,
U gri.
Mbeti fjala këmbëzbathur.
Këpucët e saj
Janë duke ardhur…

MOSMIRËNJOHJE
Një curril në shkëmbin e murmë,
Buron nga lot i drurit,
Se njerëzit u çlodhën në hijen e tij
Pasi iu falën ujit…

UJ-UJKU
I lakuriquam ndjenjat prej mërzisë
Ia marrim syrin në vështrim..
Ujku më s`po ulërin.

Tani ujqër u bëmë ne,
Dhe i themi të rrijë urtë
Në ndonjë përrallë a rrëfenjë…

Me tabutë,mënitë , tmerret,
Kur kapërcejmë padrejtësitë
Thërrasim uj-ujkun të hakmerret…

Më 16 tetor 1906 lindi shkrimtari i shquar italian Dino Buzzati

Dino Buzzati, (Dino Buzzati-Traverso) lindur në San Pellegrino di Belluno më 16 tetor 1906, vdiq në Milano më 28 janar 1972. Ai ka qenë një romancier italian, shkrimtar tregimesh të shkurtra, piktor dhe poet. Buzzati ka qenë edhe një gazetar për gazetën Italiane Corriere della Sera. Novela e tij Shkretëtira e Tartarëve (italisht: Il deserto dei Tartari) ishte shkak i famës së atij boterore.

Buzzati lindi në San Pellegrino, Belluni, në vilën stërgjyshore të familjes së tij. Mamaja e Buzzatit, një veterinere në profesion, ka qenë një veneciane dhe babai i tij, një profesor në drejtësinë ndërkombëtare, ka qenë nga një familje e lashte Belluneze. Buzzati ishte fëmija i dyte, i katër fëmijëve të prindërve të tij. Në 1924 ai u regjistrua në fakultetin e drejtësisë te Universitetit të Milanos. Në moshën 22 vjeçare ai u punësua në gazetën “Corriere della Sera”, ku punoi deri sa u nda nga jeta.

Buzzati filloi të shkruante libra fantastike shkencore në 1933.

Puna e tij përfshiu novela, teatër, shumë libra me tregime të shkurtra dhe poezi. Ai shkroi një libër për fëmije që quhej Pushtimi i Famshëm i Arinjve të Sicilisë. Ai shkroi libra komike të bazuara në mitin e Orfeut, poema dhe vizatime komike.

Shkretëtira e Tartarëve, novela e tij më e famshme, tregon historinë e një posti ushtarak qe pret një invasion Tartar.

Shkrimet e tij ndonjëherë citonin realizmin magjik, tjetërsimin shoqëror dhe fatin e mjedisit. Ai gjithashtu ka shkruar një shumëllojshmëri tregimesh të shkurtra që shfaqin kafshe fantastike si Bogeyman dhe krijimi i tij, Kolombreja.

Më 16 tetor 1929 lindi Petro Zheji, përkthyes i shquar dhe gjuhëtar me erudicion

Petro Zheji (Gjirokastër, 16 tetor 1929[1] – Tiranë, 14 Mars 2015[2]) ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave.

Jeta

I biri i Spiro Ballos i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa,  Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit[3]. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.

Petrua studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”[4] dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqëror dhe si përkthyes me normë[5] pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë[6] dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së. Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ta edhe Petro Zheji[7].

Përkthime

I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin.[8] Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike[9]. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.

Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit[10]. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit[11].

Vepra

Në fillim nuk iu dha mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit[12] por më vonë iu botuan disa prej tyre, së fundi edhe studimi “Roli mesianik i gjuhës shqipe”[2]. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërë kuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të endrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëll.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve[13].

Burime

  1. ^ Elsie R., “Histori e letërsisë shqiptare” (1995), përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tiranë; sh.b. Pejë: Dukagjini, 1997.
  2. ^ a b Linguistika shqiptare në zi, ndahet nga jeta Petro Zheji, Gazeta Mapo, 15 mars 2015.
  3. ^ Vozga R., “Libri Shqip 1555-1915”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 318 ─ ISBN 978-99927-731-7-8. Citimi i plotë: Togger Spiro Zheji, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. Shtëpija e tij mbë krahë të shtëpisë Kristo Luarasit.
  4. ^ Këlliçi S., “Don Kishoti” i Petro Zhejit – pasurim i mëtejshëm i gjuhës shqipe, Republika, 17 gusht 2012.
  5. ^ Demo E., Pa jetë private, Shekulli. Përkthyesi Afrim Koçi thotë: Kishte përkthyes si Petro Zheji që nuk e pranonte këtë kriter, – nuk i vihet normë shkrimtarit, thoshte, sepse përkthyesin e konsideronte një lloj shkrimtari.
  6. ^ Canaj A., Si po e pres 80 vjetorin tim të lindjes: flet aktorja Besa Imami, Panorama. – Nr. 2099, 3 gusht, 2008, f. 18 – 19.
  7. ^ Shteti u garanton pension të posaçëm 14 personaliteteve, Metropol, 3 mars 2011.
  8. ^ Demo E., Galilei i Petro Zhejit, gazeta Shekulli, 24 nëntor 2008.
  9. ^ Mbështetur mbi një qëmtim në fondin e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë (bksh.al) me emrin kyç Petro Zheji, rezultojnë të paktën mbi 30 tituj të përkthyer. Me ndihmën e Google-it përkthimet e Petros arrijnë në 41 tituj.
  10. ^ Demo E., Kathleen Schank: Ç’na mëson miku ynë, at Zefi, Shekulli. – p. 2387, 24 gusht, 2008, fq. 11.
  11. ^ Demo E., Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit], Shekulli. – Nr. 2061, 27 shtator, 2007, f. 14 – 15.
  12. ^ Elsie R., “Një fund dhe një fillim – Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore”, p. Abdyrrahim Myftiu, sh.b. botuese Globus R, Tiranë 1995; shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë 1995.
  13. ^ Qafoku Ll., Shëmbull i madh shqiptar i heroizmit mendor, aafhsite.com, 28 dhjetor 2013.