VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dy poezi nga Robert Shvarc

By | November 9, 2019

Komentet

Tri poezi nga ALEN BOSKE – Përktheu FASLLI HALITI

     ALEN BOSKE

   (Alain Bosquet)

     1919 – 1998

Anatole Bisk, i quajtur Alain Bosquet, lindi në Odesë (Ukrainë) më 28 mars 1919 dhe vdiq në Paris, më 8 mars 1998, është një shkrimtar francez me origjinë russe.

NJË FËMIJË MË THA

 

Një fëmijë më tha:

“Guri është bretkosë.”

Një tjetër fëmijë më tha:

“Qielli është mëndafsh i brishtë”.

Një fëmijë i tretë më tha:

“Oqeani, kur ka frikë, qan”.

Unë s’i them asgjë, unë buzëqesh.

Ëndrra e fëmijës, është një ligj.

Dhe pastaj unë e di se guri,

Me të vërtetë është një bretkosë,

por në vend që ai të shkojë për të fjetur

më shikon mua.

 

PEMA

 

Ti je më e shkathët se zebra.

Ti kërcen më mirë se ekuatori.

Nën lëvozhgën tënde të vertebrave

bën një koncert zogu përqeshës.

Unë do të lajmëroj gjithë poetët:

s’duhet të prekni frutat;

ky është vendi ku flinin kometat,

dhe vendi ku rindërtohet oqeani.

Ti je e lehtë si një tropik.

Ti je e mençur si një peshk.

Në çdo fletë një replikë

është rezervë për këngën time.

Sapo dikush të drejton fjalën,

rreth teje ngrihet një mur.

Ti  godet degët, ti fluturon larg:

je ti ai që do të ndëshkosh kaltërsinë.

 

MUAJT E VITIT

 

Janari për t’i thënë vitit «tungjatjeta»

Shkurti për t’i thenë dëborës «duhet të shkrish»

Marsi për t’i thënë zogut shtegtar «mirardhsh»

Prilli për t’i thënë lules « çil »

Maji për t’i thënë «punëtorëve, miqtë tanë»

Qershori për t’i thënë detit «çona shumë larg»

Korriku për t’i thënë diellit «ky është sezoni yt»

Gushti për të thënë : «njeriu është i lumtur të jetë njeri»

Shtatori për t’i thënë grurit për të thënë «kthehu – në ar»

Tetori për të thënë «shokë, liria»

Nëntori për të thënë pemëve «zhvishuni»

Dhjetori për t’i thënë vitit «lamtumirë, paç fat»

Dhe dymbëdhjetë muaj plus një

Djali im

Për të të thënë se unë të dua.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Tri poezi nga ADONIS – Përktheu FASLLI HALITI

ADONIS OSE ADUNIS

(Alī Ahmad Sa’īd Isbir)

 

 

Adonis ose Adunis pseudonimi i Alī Ahmad Sa’īd Isbir transliteruar në alî Ahmadi Sa’îdi Asbar ose Ali Ahmad Sa’id; ( Kasabīn, 1 janar 1930 ) është një poet dhe eseist libanez me origjinë siriane. Kandidat për çmimin Nobel 2012 – S

 

YJET

 

Eci dhe prapa meje ecin yjet

drejt së nesërmes së yjeve

enigma, vdekja, ajo që lulëzon dhe mundimi

ezauron, hapat bëjnë gjak me gjakun tim

janë shteg i panisur ende

nuk ka asnjë fushë për të parë –

rrugë drejt vetes sime

ajo që do të vijë tek unë

eci dhe prapa meje ecin yjet.

 

ËNDRRA

 

Ëndërroj brenda dorës sime një urë thëngjill

mbi krahë ajri arriti zogun

në pikën aventureske

nuhas flakën – Kartagjenën e kohrave

po dalloj gruan në flakë

thuhet se u bë anije kënga e saj;

shoh aty një grua – viktimë e fatit.

Ëndërroj se i gjithë gjoksi është një thëngjill

temjani i saj  më miklon dhe më shoqëron drejt Ba’albekut

Ba’albeku  u ther,

thuhet se atje një zog humbi kokën e tij

u tha, në emër të mëngjesit të tij në emër të një fati të ri, ndez zjarrin

e meshës së tij dielli dhe horizonti.

 

Himnizoj këtë djersë të shquar

 

Festoj, festoj këtë djersë

që rrjedh nga trupat tanë tani këtu në shtrat duke rivalizuar

pluhurin e muzgut

atë që u thërmua nga trupi i diellit (ky muzg

është një tjetër agim) është

një festë ose një zot

që konsumon organet e tua

në venat e të dashurve më të shkëlqyer

dhe krenar ?

Një zë në venat e të dashuruarëve

perëndim i zjarrtë që pulson në një tjetër

ngrihet nga dëshpërimi i tyre dhe nga dhimbjet  dhe u pëshpërit gjymtyrëve tona:

ndryshku  i jetës dhe i botës  zhduket me këtë djersë.

 

Unë lutem që të shuhesh në eshtrat e tua

jam lutur që të mos shohës ditën e të mos zgjohesh –

natën tënde nuk e kemi njohur në errësirën tënde nuk lundrojmë

jam lutur o Phoenix

që të pushojë magjia

që në zjarr e në hi u bëftë takimi ynë

jam lutur  të çojnë në çmenduri

 

Tri poezi nga ADAM ZAGAJEVSKI – Përktheu FASLLI HALITI

 

   ( Adam Zagajewski)

 

 

 

Adam Zagajewski (Leopoli,21 giugno 1945) është një poet, shrimtar  dhe  eseist polak.

 

DREJT QYTETIT

 

“Përkulur  nga një peshë

që jo gjithmonë shihet

nëpër baltë ose në rërën e shkretëtirës,

ecin përkulur të uriturit,

 

njerëz me pak fjalë  me kaftanë të rëndë,

të përshtatshëm për të gjitha stinët,

gra të moshuara me fytyra të zhubravitura

që mbajnë diçka, një fëmijë, një llambë

-një kujtim – apo kafshatën e fundit të bukës.

 

Mund të jetë Bosnja sot,

Polonia në shtatorin ’39, Franca

tetë muaj më vonë, Thuringia në ’45,

Somalia, Afganistani apo Egjipti.

Ka gjithmonë një karro, ose të së paku një karrocë,

mbushur me thesare (thesi me pupla, kupa argjendi

dhe aroma e shtëpisë që zhduket shpejt)

një auto pa benzinë e ​​braktisur

në kanal,

një kalë (që do të tradhtohet), bora, shumë borë,

tepër borë, shumë diell, shumë shi,

dhe ajo e përkulura karakteristike,

si drejt një planeti tjetër, më të mirë,

me gjeneralë më pak ambiciozë,

më pak topa, më pak borë, më pak erë,

më pak Histori (fatkeqësisht një planet i tillë

nuk ekziston, ekziston vetëm përkulja).

 

 

Duke zvarritur këmbët,

Ecin  ngadalë, shumë ngadalë,

drejt vendit kurrkund,

drejt qytetit askund,

kurrë mbi lumë. ”

 

LARG

 

“Qetësohen zërat e zogjve.

Hëna pozon për të dalë në foto,

shndrisin  faqet e rrugëve të lagshta

Era sjell ermimin e fushave të gjelbra.

Larg, në lartësi, një aeroplan i vogël

luan si një delfin. ”

 

NGA DRITARJA IME SHOH POLONINË

 

Nga vjen?”, më pyeti.

“Nga Polonia,” pohova unë.

“Oh, lum ti, lum ti,” thirri ai në kthetrat e gjenuine të entuziazmit  mesdhetar. “Zija! Rrobat e zeza.

Bizhuteri të përzishme. Vargje mallëngjyese

mbi vdekjen e një ushtari.

Kam dëgjuar të flitet, kam dëgjuar të flitet për të.

Mjegull, kallamishte dhe kalorësia. Kryqe në fusha.

Njëmijë trima. Bori, sinjale, heshtje. Bukur.

Ti je njeri me fat … “

RRUGËT E PËRLOTURA – Poezi nga TAHIR BEZHANI

 

( Din Mehmetit, në nëntëvjetorin e ndarjes nga jeta)

 

Fluska mendimesh të përmallta

Të shikonin rrugëve, këndeve të qytetit

Bebzave preftonin të lagura kujtimet

E, ti Baclok,

Bisedoje me shpirtin mbetur vargjeve

Buzët të lëviznin e zë nuk dëgjohej

Yll i mbushur lot me zemër të plasur

Më humbje turbullirës së shikimit

Etjeve të rreshkura në vargun tënd

Pastaj të pava në “Skorpion”, ulur

Në këndin ku uleshe përherë

Kafenë e pije mendueshëm

Shpirti m’u dalldis gëzimeve të djegura

Ofrohem pranë teje përkulur

Plot zjarr malli si dikur

Hija jote iki gjithësisë,

Ushtimë dëgjova…

 

 

Kafeja mbeti e përgjysmuar

Mbeta i zhgënjyer me dhimbjen flakë

Zemra çarmatosi sytë e mallit.

 

Në “Letrën e Binak Bregut Evropës”

Mbështillet kujtesa nëpër shekuj

Sytë lotojnë në vargjet e tua

Zjarrishtë e kohëve përvluese…

Gjakovë,

11.11.2019

Librat poetikë “Ujshëm” nga Elida Buçpapaj dhe “Imgur” nga Skënder Buçpapaj prej sot në Panairin e Librit Tiranë

VOAL – Prej sot në Panairin e Librit në Tiranë do t’i gjeni edhe librat tanë të rinj poetikë “Ujshëm” nga Elida Buçpapaj dhe “Imgur” nga Skënder Buçpapaj.

I ftojmë miqtë tanë, lexuesit dhe të gjithë të interesuarit se librat tanë do t’i gjejnë në stendën e Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Panairi i Librit Tirana 2019, i 22-ti me radhë u hap sot, e mërkurë, më 13 nëntor 2019 dhe mbyllet të dielën, më 17 nëntor 2019.

 

në qytetin pa ëngjëj – poezi nga elida buçpapaj

fëmijëria ime
kolibēr
i friksuar

vajza
me flokë Ofelie
e dënuar
se ka vjedhur
arin e rrezeve
të diellit
në kolkozin
xhungël
ku askujt
nuk i jepet
dora të ngrihet
dhe askushi
nuk do askushin

sapo kapërcente
pragun e përqafimit
të nënës
vajzën
me flokë Ofelie
e priste
mjegullnaja e frikës
që e përcillte
si hije
në qytetin
pa ëngjëj

shoqet e vajzës
kishin sy
shumë të bukur
prej qielli
akullnajash
që i ngrinin
sa i shihnin
krahët e kolibrit

në botë
nuk ka fëmijë fajtorë
të vdesin urije
në kampin e Tepelenës
as vajza që dridhen
në burgun
e frikës
që ua këpusin perin
e balonave
sapo nisin
fluturimin
e nuk i lejojnë
të thurin me flokët
gersheta
ëndërrash

në qytetin tim
pa ëngjëj

gjethet
e vjeshtës
ktheheshin
në varka të verdha
shpëtimi

ndërsa bari
avokati im
më ka marrë
në mbrojtje
me skeptrin
e blertë
si dirigjent i
shiut dhe universit

shiu më ka marrë
në mbrojtje
shiu me këmbka
të zbathura
ishte avokati im
kur isha vetëm
më ka dhënë dorën
e tij të padukëshme

në qytetin tim
pa ëngjëj

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

Marie Poradeci, e bija e poetit Lasgush Poradeci, ka postuar në profilin e saj një letër që i ati i ka nisur vajzës tjetër. Ajo e poston në përvjetorin e vdekjes së poetit me këtë shënim: “Babai im i dashur. Ti e nise fluturimin për në parajse me 12 nëntor 1987, mbasi e kishe kryer destinin tënd, e nise nga shtëpia jote dhe në krahët e vajzave të tua. Ashtu siç kish urdhëruar i madhi Zot që të ka në krahët e tij”



LETRA
Merr. Kostandina Lasgush Poradeci
Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.
Tiranë e Mërkurë 17 tetor 1979,
Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.
Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.
Lasgush

KRAHËGJATAT E FUSHËS – Cikël poetik nga FASLLI HALITI

KRAHËGJATAT E FUSHËS 

 

 

Krahëgjatat e fëmijërisë sime fushore

Krahëgjata të fushës sime stepore

Ju kam gjuajtur

Me llastiqe

Ju

kam vrarë

Ju kam vjedhur

Vezët natën nëpër folera

Të thurura kaçubeve me fije bari

Ju kam ndjekur

Me vrap, rrufe,

Fushave

Arave

Grunjave

Vija natën t’ju kapja në fole.

 

Doja t’ju shkurtoja krahët e gjatë

T’ju bëja krahëshkurtëra

Si  shkurtëza

Por

As në tokë

As nëpër qiell

As nëpër folera natën s’ju kapa

 

Dhe s’kish sesi gjersa ju ishit krahëgjata.

 

Dhjetor,  2013

 

 

PLAS MOJ ZEMËR

 

Nëse rrëzohem një ditë,

Nga toka,

Mbi tokë,

Dhe jo nga lartësitë,

Sepse s’jam i lartësive

Dhe, s’do jem në përjetësi.

Gjemani kutinë e kuqe të zemrës,

Siç gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar

Dhe hapeni,

Shikoni gjithçka timen

Të regjistruar brenda saj.

Shikoni të bardhat dhe të zezat e mia,

Veset dhe virtytet,

Të mirat

Dhe të këqijat

Verifikoni në të.

Do gjeni

Vallë

Të regjistruar aty

Më shumë urrejtje

Apo më shumë dashuri?,

 

Do gjeni të regjistruar

Më shumë

Burrëri ,

Besë,

Apo besnikëri,

 

Më shumë sinqeritet, apo dyfytyrësi…?!

 

2012

KUR M’U PRE FJALA

Kur m’u pre Fjala,
M’u përgjak
Gjuha.
Gjuha u vesh me të zeza.
Veshi fustanin e zi të heshtjes.
M’u përlotën organet e mendimit,

Në pellgje të zinj gjaku nis koha e pluskimit…

 

29 tetor 2014

 

 

 

 

NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT 

 

 

«Nuk më sheh me syrin e mikut», o mik,

Gjersa më vë re

Të metat»

Çdo sekondë,

Çdo minutë, çdo ditë.

 

Me syrin e mikut

Të kam parë e të shoh edhe sot,

Sepse

Që të dy ne

Kemi mëkate, të meta plot…

 

Të mirat, virtytet, vlerat e tua,

Si laureshat unë

I lë të lira

Të fluturojnë qiejve,

Qiejve si lauresha ato unë i nis,

Kurse të metat e tua i mbyll si «brilante»

Në kasafortën time me kyç të florinjtë të miqësisë.

Korrik, 2014

 

TE NE

 

Te ne,

Të ikën,

Të fluturon mendja.

Të pushon zemra…

 

Dhe jo vetëm të pushon zemra,

Jo vetëm të ikën,

Të fluturon,

Mendja,

Por të ikën

Të fluturon koka

Nderi

Jeta …

Mbi të gjitha

Te ne të ikën, të fluturon e drejta !

 

9 tetor 2014

 

 

 

SHPËRBLIMI

 

 

 

Mbolla

Qershinë.

Pas dy, tre, katër,

Pesë, gjashtë ditësh,

Ti i kërkon korra të kuqe qershisë.

Nga mospjekja, skuqja qershia ul kokën,

Qoftë prej meje qoftë prej vetë pemëtarisë

 

Kalon janari shkurti marsi, prilli i blerimit të blertë,

Në maj qershia më dërgon një ftesë të kuqe sferike

Një ftesë me ëmbëlsi të kuqërremtë

 

Pasi çel gjethi i ri

Plas, dhe bulon sythi,

Pasi prilli vjen plot blerim,

Pasi qershia shkumëzon në lulnajë,

Pasi bletë paravjelëse, vjelin mjaltë në fluturim,

Nis edhe unë vjeljen e sferave të kuqe përplot kolor ,

Shijoj si bletët ëmbëlsinë e kuqe sferike të qershisë.

 

Shpërblehem prej bonsensit,jo prej Zotit,Perëndisë.

 

 

Shkurt 2014

 

 

 

 

  AH SIKUR

                                    

 

O

O o

O o o

O o o o

O o o o o

O o o o o o

O o o o o o o o

O o o o o o o o o

O o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o 1…

Një Keops piramidë zerosh

Pambarim.

Ah!

Sikur

Të ish njëshi para zerove, në fillim

Ah sikur para zerove

Njëshi të ish!

 

Por njëshi në bisht të zerove është mjerisht…!

 

Shkurt 2014

perëndi a monstër – Cikël poetik nga PRENG MACA

era

 

Nëse mua më ngjan shpesh vetja

një varkë me vela

jam i shënuar të jetoj mes detit

në këtë botë me pak shpresa

ngase nuk më pyetën

kur vendosën për mua, si qenie

shpesh isha i mashtruar

nga gjërat shkëlqimtare.

 

Nëse unë jam si  ajo varka,

ti je shkaku

pse fryhen velat

dhe e bëj gjumin me ëndrra,

për ta prekur token, ku ma shkel

syrin… e ardhmja!

 

 

 

sens mase

 

 

Mos më harro,

se… fyhem!

 

Mos më shtrëngo,

se… thyhem!

 

 

 

 

ditët në mes

 

 

Merr frymë, si e sotme

e pakapshme, si e nesërme.

 

Nëpër vargjet e shkruara,

ndjehem në shenjestër,

 

Gjithë plagë zgjohemi

pa shenja plumbash.

 

Mbi qiellin e shpeshtë

shkruajnë paqen pëllumbat!

 

 

 

fjalët

 

Nuk e di a e ke vu re

kur i shkruaj fjalët here pas here

i zgjedh dhe i nis në vargje,

si drejt qiejve

duke iu kushtuar aq vëmendje

që ti ta dallosh,

brenda tyre zemren.

 

 

adresë

 

Nëse Zoti do të më kish bërë zog

Ti e di,

Ku do ta kisha folenë!

 

 

                                

 

                 ditët si vezë

 

 

 Ditë të rrumbullakta krejt, si vezë Pashke

trembem tek e mbaj në dorë,

mos më bie dhe e thyej, pa dashje!

 

E kriset, e thyhet

e përfshihemi të gjithë në… ngjarje!

 

 

 

shtëpi

 

Mendimet e mia janë trarët,

çastet e fiksuara janë çatia,

fjalët e shkruara janë muret,

raportet me jetën dhe vdekjen janë themelet,

ndërsa dashuria ime janë dritaret.

 

Ju gjithnjë mund të shihni

çfarë ndodh në këtë shtëpi

brenda së cilës gjendem i mbyllur,

nga mungesa e dyerve,

shkaktuar prej pavetëdijes!

 

 

 

 kob

 

Në grykë e kam Atdheun tim

një dënesje, një parandjenjë, një si… kob!

 

Mbeti deteve gjithë jetën

kurrë nuk u bë Kolomb!

 

 

 

instikt

 

Mos u tremb,

në këtë jetë asgjë nuk humbim!

 

nëse shpirti ynë,

e tradhëton… trupin!

 

 

 

 

vetmi

 

 

Mos më ler vetëm!

nga zemërimi yt

bien çastet e mia të gëzuara

si një pemë,

prej së cilës bien frutat

prej erës së fortë, prej erës së tërbuar.

 

Mos më lër vetëm!

 

Ngjaj brenda zenkave,

si njl fetus

me kokën… në duar!

 

 

 

det i munguar

 

 

akuarium me peshq

peshq në akuarium.

 

pronari i akuariumit

mashtron peshqit

se, gjoja

akuariumi është… deti.

 

larg prej dhomës gjëmon deti!

po peshqit janë tashmë të shurdhër,

janë të lumtur peshqit.

 

 

 

 

 shi

 

 

Bie shi pa pushim

nën çadra ecim nxituar

pët ti ikur zemërimit të qiellit…

 

duke mbrojtur secili veten nën çadra

harrojmë… njeri tjetrin

 

 

                          shpëtimi i zogjve

 

Isha i vogël aso kohe…

më bie ndërmend jo mosha, por ajo që mbaj mend

është se ai zog ishte i vogël e dridhej,

krejt pupla thuajse ishte

(sa unë mendoja një kohë të gjatë se si mund të fluturonte

e nuk e merrte era zogjtë kur ngriheshin në qiell!)

 

e mora në dorë atë  zog  bashkë me  dridhjen

ja ndjeja zemrën në dorë

rrihte më tërbim e bashkë më të rrihte… zemra ime

duhet shpëtuar, thashë

e vura në një pemë e ai cicëroi për çudi  i dolën fletët

e ndihmova, u ndjeva i shpëtuar vetë,

duke ia shpëtuar jetën…

 

Tani i rritur… akoma e kam në mendje atë ditë strukur në kujtesën e kthjellët

kurrë në jetën time nuk kam vrarë zogj

e sa herë i shoh zogjtë në qiell duke fluturuar

gjithnjë më duket që atëherë kur isha i vogël dhe  e shpëtova atë zog

gjithë zogjtë e botës unë i kam shpëtuar!

                 

 

 

           letra e fundit e motrës së Gjergj Elez Alisë

 

“Në hall të madh jam:

bajlozat gjithë vendin e kanë pushtue

e vëllaj em,

dergjet nën nantë plagë e nuk dëgjon asgja,

ndërsa unë qaj e ligjëroj me za,

ndërsa tregoj,  se bajlozët na i morën të gjitha …

 

“Tash  nuk kemi asgja

dhe ata  bajmë, sikur nuk i shohim

e vëllaj im ban, sikur nuk dëgjon

ata, (bajlozët), bajnë si të urtë,

urtësia  e atyre që i kanë në dorë  të gjitha

e të japin vetëm bukën thatë,

duke ta marr shpirtin e gjithçka,

pastaj rrëmbejnë foltoret duke na treguar,

se ne jemi të lumtur sa më nuk ka….”

 

“Në hall të madh kam ra e çdo natë qaj me za

e vëllaj em me nëntë plagë në shtat,

ban sikur nuk ndigjon e jermas ngrihet e thotë: “Ç’ka  a?”

 

“Unë hesht …Tash nuk i them asgja ma

tash nuk ka ku shkon, në asnjë betejë të mundshme

tash nuk ka çfarë  shpëton… gjithçka u zhba!”

 

 

 

               vizatime… pa dashje

 

as unë vetë nuk e di si ndodh kështu, e pashpjegueshme

është akti se si mbi një letër shpejt e shpejt,

si  e nxjerr prej vezës së ngrohur nuk e di prej sa kohësh

majë lapsit më karbon të butë

merr formë një zog i trishtë, i hajthshëm, i vogël…

 

pastaj tek e sodis natyrën shterpë trishtohem,

ka aq pak pemë gjithandej,

të “fshihet” në një çerdhe  është thuajse e pamundur

foletë e mundshme janë trembur e nga zhurmat e mëdha janë shkundur

(ku do të jetojë ky zog i shkretë?)

 

është puplor e krahët nuk i shkund dot për zhvendosje,

ndërsa  përkundrejt tij sa shumë qenie

presin të jetë preja e tyre e ardhshme,

duke ju gëzuar asaj që unë padashje e vizatova,

thuajse krejt pa dashje!

 

trishtimi më mbulon e më pas i pendohem

asaj lirisë së krijimit absurd

të këtij zogu që ngjan me ëndrrën time

shpik brenda vetes intime,

për të prekur aq gjëra, që së fundmi u gëzoj vetëm dëshirën

 

befas pendohem,

mendoj se ndoshta do të më  duhet ta fshij

për ta shpëtuar nga një e ardhme

me rrisqe të mëdha e nga kjo botë gojë -hata…

 

por sa e kthej kokën sërish në fletë

krijesa ime… ka dalë nga letra  e bardhë

për shkak se,… sapo i dolën fletët

dhe unë tashmë e kam mendjen tek vendet ku fluturon

rreziqet e mëdha  të kësaj bote të madhe

që i ha gjërat,  pasi i lind krejt rastësisht

e thuajse,… krejt  pa dashje!…

                                           

 

 

           jashtë  nesh

 

Jashtë nesh gjendet ,… pa zë, e ma së shumti, pa bujë

djersit, na bie pareshtur me tehun  tepër të mprehur,

duke  e ndjerë plagën  qartë nuk i ankohemi askujt

Çfarë po na gjen kështu?!… Çfarë ka për të na gjetur?!

 

Të dobët jemi, të pafuqishëm, minorë e të plogët

gjersa goditjen nuk e ndalim, ballë saj gjendemi. Pra dalim

të pafuqishëm e nuk e dijmë çfarë është perëndi a monstër

ajo që na bën ta mendojmë të nesërmen, kur papritur mbajmë hapin!…

 

Qenie inferiore ndjehemi,… por kush gjithë kohën  na merr përdore,

duke na drejtuar shpesh …pastaj papritur  na  e sos udhëtimin?

Të fuqishëm ndjehemi, veç kur si përënditë, prore

i sfidojmë  qiejtë, duke u kapur fort tek… mendimi!

 

               

            kur të lexoj ty…

 

Ju lexoj ju dhe ndjehem ndryshe
Në vargje e shkruara që krejt më shkundin
Ti thua gjëra me fjalë aq të fisme
E sytë më hapen e më del… gjumi!

 

Nuk di në fakt për ty asgjë
Po ç’vlerë ka, çfarë është kuptimi?
Nuk mundet gjithë bota të hyjë tek ne
Por ndjehemi pranë shpesh dhe… ky është çmimi!

KËTU VETËM VARRET FRYMOJNË SHQIP…! – Rishkrim refleksiv nga Sejdi BERISHA

Në vend të përkujtimit për krijuesin dhe studiuesin, Hasan Gjonbalaj(1935-2012)

 

 

 

Me dëshirën e zjarrtë u nisa për në Lezhë, ku organizohej një manifestim letrar dhe kulturor në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë rrugës, gjithçka më grumbullohej në mendje, por, tash sikur çdo gjë ishte e mbështjellë me gëzim e hare. Me kohë arritëm në Lezhë, unë me disa nga krijuesit nga Gjakova dhe Bajram Curri, sepse, tani na ka mundësuar Rruga e Kombit! Në këtë qytet, zbresim afër shtatores të At Gjergj Fishtës, e që ai shesh rrethohej nga gjurmë historike: Varri i Skënderbeut, busti i këtij heroi kombëtar, Biblioteka dhe Pallati i Kulturës. Ndërsa, lartë, sikur bënte roje Kalaja e Lezhës.

Miqtë nga ky qytet na presin me përqafime, dhe nuk vonojmë e nisemi për tek Mrizi i Zanave, për në Fishtë, ku do të mbahet edhe manifestimi, për të cilin do të shkruaj njëherë tjetër.

 

Sikur ta dinte se ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë…

 

…Dhe, pas manifestimit, të mbushur plotë oksigjen jete të kësaj ane, kthehemi për në Kosovë; për në Pejë e në Gjakovë, por edhe kolegët tjerë për në Bajram Curri. Posa iu afruam qytetit të Prizrenit, qytetit të Lidhjes për bashkimin kombëtar, telefoni më jap “shenjë” se më kishte arritur një mesazh. E hapi atë me kureshtje, e lexoj edhe mesazhin. Djali më shkruante: babi, ngushëllime… ka vdekur Hasan I. Gjonbalaj. U stepa dhe thjeshtë nuk besova dhe as nuk desha të besoj. Menjëherë më ka brofur mendja dhe më iku tek Krahina e Plavës dhe e Gucisë, të cilin vend aq shumë e deshi, për të cilin vend aq shumë bëri shkrime, aq shumë vepra shkroi, duke folur me krenari edhe për Vuthajt, për vendlindjen e vetë.

Tani, rruga më bëhet njëqind vjet, apo edhe sikur makina vendnumëronte. Sërish meditoj në atë rrugëtim të orëve të mbrëmjes, e në atë terr të dyfishtë për mua, më rridhnin lotët për mikun dhe krijuesin, i cili gjithnjë ka qenë i afërt, i ngrohtë dhe plotë energji përherë për të thënë e për të shkruar diçka me rëndësi e me peshë për atdheun e kombin.

Por, nuk pajtohem se ka ikur, Hasan Gjoni! Dhe, athua mund të jetë kjo koincidencë: unë në Lezhë e Hasan I. Gjobalaj të ikën në mënyrë aq “tinëzare”?!… Sikur ta kishte ditur se kisha udhëtuar dhe ndodhem në Lezhë, me siguri se vdekjes do t’i thoshte: prit, mos më ngut edhe pak, sepse, sivjet në Lezhë i kam edhe dy-tri llafe për t’i thënë, por edhe në Tiranë e në Shkodër…
Por, e tërë kjo është një imagjinim imi i ngarkuar me peshën e pikëllimit. Tani, ky njeri më kujtohet bashkë me veprat e tij, me çantën me shënime e libra, pesha e të cilave, pos tjerash, i sjellke telashe edhe me astmën, me frymëmarrjen! Takimet tona të shpeshta, të cilat nganjëherë begatoheshin edhe me gazin dhe humorin, na sillnin ide e vullnet për shkrime të reja për historinë, për rrënjët, për trungun dhe kurorën e kombit, por gjithnjë, shpeshherë pa e harruar Plavën, Gucinë dhe Vuthajt.

Është bukur vështirë ta shprushësh jetën por edhe krijimtarinë e Hasan I. Gjonbalajt. Sepse, ato kanë një mesazh të veçantë, një porosi si amanet për trojet shqiptare. Me këtë etje, ai gjithmonë ishte i ngarkuar, sa që as shpirtin asnjëherë nuk e kishte të qetë. Ishte i etur… Për këtë arsye, veprat e tij: “Kelmendi-gjenealogjia e familjes Nikçi”, “Lufta e Nokshiqit-epope kundër copëtimit të trojeve shqiptare”, “Ali Pashë Gucia”, “Këngët historike në krahinën e Plavës dhe Gucisë”, “Plava Gucia-dy qendra një malësi”, “Zhanica, Pepajt dhe Nokshiqi” si dhe shumë vepra të tjera me karakter studiues dhe me poezi, janë pasqyra krijuese e këtij shkrimtari, hulumtuesi dhe studiuesi.

 

Hasan GJONBALAJ

 

Peja, e cila në ato çaste më dukej se i kishte drejtuar të gjitha shikimet kah unë, për të më thënë se sot këtij qyteti dhe jo vetëm kësaj qendre të Rrafshit të Dukagjinit, i iku një njeri që la vepra e histori. Apo, për të më ngushëlluar për mikun, që tani fryma e kishte tradhtuar, e cila shumë e shumë vite e kishte munduar për ta ushqyer shpirtin lirshëm me oksigjen atdheu.
Arrita vonë, shumë vonë, dhe këmbët nuk më provonin ta drejtoj makinën për në lagjen “Dardania”, në shtëpinë e familjes Gjonbalaj, ku aty edhe pak orë do të qëndronte, dhe, herët në mëngjes, trupi i tij do të nisej për në vendlindjen e vetë, për ta gjetur aty prehjen përgjithmonë. Aty,… në lëndinën e varrezave në Vuthaj.

 

Amaneti: pushimi në tokën ku lindet njeriu është sikur kur flenë qetë e me ëndrra të bukura në kopshtin plotë lule…

 

Një ikje e tillë është thjeshtë e papranueshme, por amaneti i tij me plotë gojë ishte: pushimi në tokën ku jam lindur është sikur kur njeriu flenë qetë… Deri në mëngjes flas dhe zihem me Hasanin, ashtu siç shpeshherë vepronim për t’i gjetur dhe krijuar gjërat e mira dhe fondamentale. Tani, me taksi arrita në lagjen “Dardania”, ku edhe ishte parkuar autobusi i cili ishte dedikuar për miqtë dhe dashamirët, që do të merrnin pjesë në përcjelljen për në shtëpinë e fundit të krijuesit.
Nuk bëra ballë të shkoj në shtëpinë e tij dhe të përshëndetëm me te, tanimë në mënyrë krejtësisht tjetër! Jo, nuk shkova. Sepse, dëshiroja ta ruaj kujtimin me shikimin dhe vitalitetin e këtij njeriu, i cili për asnjë moment nuk i harroi, por i madhështoi virtytet, doket dhe zakonet dhe karakterin e malësorit. Ishte moment i rëndë e i dhembshëm kur autobusi u nis. Përplot njerëz në autobus i cili ishte komod, por assesi, të paktën unë, nuk isha rehat.
Tani kaluam kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe gradualisht i afrohemi cakut. Një mik imi poet, më pyet se a ishim gati për të arritur, por nuk dija saktësisht t’i tregoja, sepse, më kishte shkëputur nga mendimet, edhe pse kësaj rruge, përpara ndoshta kisha kaluar qindra herë, e veçmas kur kam bërë shkrime për Krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në të arritur rrëzë Plavës, tani sikur toka, ajri, malet dhe majat e thepisura kishin aromë të shqipeve, frymonin shqip. Por, sa më shumë që i afroheshim Gucisë dhe Vuthajve, ankthi sa vinte e më shtohej. Autobusi qante rrugën e asfaltuar por të ngushtë. Dhe, tani kur arritëm në Vuthaj, u drejtuam për në varreza, të cilat ishin në një kodër të vogël, nga ku mund t’i shikosh të gjitha bukuritë dhe madhështitë e këtij fshati me histori të lashtë por tash të shurdhër, ngase këtu, pak vuthjanë kanë ngelur për të jetuar. Kurse, shtëpitë e reja, shumica syresh ishin me perde të lëshuara, të cilat brenda fshihnin vetminë, dhembjen dhe kallëzimet historike për këtë tokë e për malësorët e saj, shumë prej të cilëve kanë marrë rrugët e kurbetit, e shumë prej tyre kanë zënë vend e kanë krijuar jetë edhe në Kosovë.

Ndërkaq, ato shtëpitë e vjetra, të cilat Hasan I. Gjonbalaj i ka përjetësuar në veprat e tij, tanimë janë vetëm gjurmë kohe që i ngjajnë relikteve. Kanë pamje të librave të shumta, që kanë ngelur të pashkruara e disa edhe të palexuara. Dritaret, qepenat e të cilave pa mëshirë i rrahë era dhe koha, kurse, muret e shembura, shprehin qëndresën, por edhe lodhjen si qortim…!
Për të arritur trupi i pajetë i krijuesit deri tek shtëpia e përjetshme e tij, autobusi duhej të kalonte edhe një copë rrugë, të cilën, në shumë vende e kishte përlarë uji i lumit Gërlica, e besa edhe shumë livadhe e tokë pune. Thash: nuk është kjo pasqyrë e pakujdesisë së banorëve të këtushëm, por sot, ky ujë kaq i pastër është i zemëruar, sepse, një njeri që u lind në këtë tokë, sërish asaj po i kthehet përgjithmonë, por po kthehet në një formë tjerë. Po kthehet krijuesi dhe studiuesi i vlerave të kësaj ane, Hasan Gjoni, i cili, për ta kënaqur shpirtin me madhështinë e kësaj ane, por edhe për të bërë shkrime edhe më thelbësore, kishte ndërtuar një shtëpizë, ku verës i kalonte “pushimet” duke krijuar e duke thurë edhe vargje poetike. Kjo shtëpi është në vendin ku njeriun e provokojnë edhe Krojet e Ali Pashës!… Aty, Hasanit i dukej se brumoste më mirë, më fuqishëm dhe më ngrohtë shkrimet e tija, në të cilat, siç dihet dhe e kemi thënë, i ka kthyer në përjetësi rrjedhat historike, doket dhe zakonet, trimërinë dhe burrërinë, atdhetarizmin, mikpritjen dhe shpirtin e madh të njeriut të kësaj ane, të malësorit, që sot e kësaj dite të gjitha këto i ruan dhe i kultivon me fanatizëm.

 

Edhe sot, kombi dhe atdheu është i copëtuar, që dhembshëm reflekton dhe qorton…!

 

Ecim deri tek varrezat, duke ndërruar hapat tunxh. Sot, këto varre padyshim se ishin plotë dhembje, por dukeshin edhe krenare, sepse, këtu tani do të prehet përgjithmonë biri i kësaj ane, dikur fëmijë i urtë, dikur djalë i ndrydhur dëshirash por i sertë dhe me ndjenja, dhe më vonë, njeri që prej viti në vit puthitej me rrugëtimin e kombit, me fatin e tij, me çelikosjen në frymën dhe madhështinë e atdheut, të cilat gjëra e provokuan dhe e “detyruan” që shkrimi, vargu, krijimet nga fusha e studimeve dhe e kërkimeve të të gjitha gjërave që e kanë bezdisur kombin, atdheun, i cili, siç thoshte ai, është i copëtuar, dhe si i tillë reflekton dhembshëm dhe ftohtë, por edhe qorton.
Tani, para se t’u afrohemi varrezave, ishte radhitur familja Gjonbalaj dhe malësorët, që dora dorës përshëndeteshin me ne për të na falënderuar për pjesëmarrje në varrim, për mua të jashtëzakonshëm! Të jashtëzakonshëm, sepse, krijuesi nuk vdes, por shndërrohet në dritë e në fanar. Djemtë e Hasan Isufit, (kështu kishte dëshirë për ta thirr atë), Rifati dhe Malësori, më shtrëngojnë fortë e fortë, dhe lotët e tyre ishin ndjenje e shprehje e respektit ndaj meje e ndaj babait të tyre, të cilit më kurrë nuk do ta kanë rastin që t’ia dëgjojnë zërin dhe as ta përkëdhelin e përqafojnë si përpara. Janë këta dy intelektualë, sjellja e të cilëve më bën krenar, dhe them: lum Hasani për pasardhësit e vetë. Po ashtu them: i lumi unë që i kam këta djem të mikut tim dhe të krijuesit, i lumi kombi dhe atdheu që i ka!…

Tani, po afrohej koha kur trupi i krijuesit, trupi i pajetë i Hasan I. Gjonbalajt, i mbështjellë dhe i stolisur me flamurin kombëtar do të puthitet dhe ngjitet fortë e fortë me tokën e dheun e vendlindjes, bash ashtu si gjithmonë e kishte këtë shkrumb e këtë dëshirë. Mbi varrin e tij, vërshuan buqeta e kurora lulesh. Në vazhdim fliten edhe disa fjalë, që padyshim se janë pak për t’i dhënë lamtumirën mikut. Unë ia thashë vetëm këto fjalë: “I dashur Hasan, tërë jetën luftove për zbulimin dhe për forcimin e trungut të kombit në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Dhe tash, ike duke e afirmuar kurorën e këtij trungu. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke! Nuk dita se ç’t’i them gjë tjetër?!…

Pas pak, kthehemi prapa. Dhe, çfarë ndjenje më kaploi. Ia kthyem shpinën varrit të krijuesit,… ai ngeli vetëm… Kjo është e padrejtë! Por, sërish them: nuk ka më madhështi dhe kënaqësi më të madhe se sa kur t’i merr nën mbrojte dhe t’i ngrohë eshtrat dheu yt, i tokës sate. Sa ngrohtë është,… sa kuptim të madh ka. Besoni!

Kthehemi në rrugën e njëjtë gjarpërore deri në Pejë. Nga lartësitë e thepave të bjeshkës së Zhlepit, duke zbritur drejtë Radacit, shoh nën drita Pejën e Haxhi Zekës, e cila është histori e tregim në vete. Më bëhet se diku kah mesi i qytetit, një dritë është shndërruar në akull, në vetmi, në heshtje, aty pranë shtëpisë së Hasan I. Gjobalajt, në të cilën edhe tutje gjithmonë do të zhurmojë historia, në të cilën do të ketë mendje, njerëzi, por edhe frymë dhe atmosferë malësie e të njeriut të Plavës, Gucisë dhe të Vuthajve. Tërë këtë e dëshmon edhe Malësori, i biri i Hasanit, që pagëzimi i tij nuk është i rastësishëm por është simbol dhe zjarr shpirti i krijuesit, e që tash, Malësori, edhe pse i ri, ka hapëruar kah majat e mendjes, të mirësisë, të punës dhe sukseseve për kombin e atdheun. Këtë e dëshmonte lumi i njerëzve që merrnin pjesë në ngushëllime e që vinin nga çdo cep i Kosovës dhe i Malësisë.
Ndërkaq, Rifati, djali më i madh, profesor i gjuhës dhe i letërsisë, edukon dhe i bën të vetvetes gjenerata e gjenerata në gjimnazin e Pejës.

Kështu afrohet edhe fundi i ditës së tretë të ngushëllimeve për ta nderuar jetën dhe veprën por edhe për ta ruajtur kujtimin për Hasan I. Gjonbalajn, për Hasan Isufin, të cilat e begatojnë jetën e njerëzishme të familjes së tij. Në këtë vazhdë, sërish më rrjedh mendimi për tërë krijimtarinë e këtij njeriu, që, për ta komentuar atë, patjetër se do të nxitën dhe provokohen lëruesit e shkencës dhe të historisë, për të bërë vepra të reja dhe akoma edhe më me peshë për rrugëtimin e njeriut tonë, i cili ende ka nevojë të begatohet me njohuri duke kulmuar historia dhe shkenca me vepra të reja… Them kështu, sepse, Hasani, në çdo takim, në çdo manifestim letrar, kulturor e shkencor, nuk harronte për ta theksuar Nokshiqin dhe disa vendbanime të tjera në Krahinën e Plavës dhe të Gucisë, ku siç thoshte ai: tani, këtu vetëm varret frymojnë shqip…!

Sa mesazh e metaforë që tronditin e të detyrojnë për ta ngritur zërin për shumëçka, që, siç e kam shprehi gjithnjë për të thënë, janë qortim të cilin duhet përfillë e jo vetëm për ta dëgjuar e vetëm sa për ta thënë diku tjetër. Dhe pra, pse është kështu: këtu, tash vetëm varret frymojnë shqip?!!…

 

*    *    *

 

… Iku miku dhe krijuesi, i cili pa dëshirën time ma detyroi këtë shkrim, të cilin ma rëndoi edhe më shumë biseda me A. G., pjesëtar i luftës në Kosovë, por edhe poet, që me vargje di për të përvetësuar e për ta therë edhe zemrën me dhembjen edhe shpirtin për njeriun. Ky më flet për Hasanin, dhe mes tjerash më thotë: … Kur mora lajmin për vdekjen e tij, nuk dita se çfarë të bëja… Nxora telefonin dhe e thirra, siç shpesh bëja kështu… Matanë telefonit nuk kishte zë njeriu. M’u mbushen sytë me lot e zemra si të donte të më dilte nga kraharori, e pastaj më dolën fjalët: Të thirra në telefon, por ti nuk m’u përgjigje… Po, pse ishte kështu?! E di se përgjigjen nuk do ta marrë kurrë…
Tash, kah t’ia mbaj, o Hasan Isufi. Nuk di gjë tjetër, përveç se të të them lamtumirë, kurse kujtimin për ty e kam në zemër e në shpirt. Prehu aty ku gjithnjë kishe dëshirë,… mik, krijues dhe burrë i malësisë, i Vuthajve, ku tani përgjithmonë je pjesë e tij. Kaq. Lamtumirë…!

Shumë gjatë paska fjetur nata – Cikël poetik nga TAHIR BEZHANI

 

NJË KËNGË NË MAL

Një natë vere  në bjeshkë

Kur hëna hapi syrin kodrave e  pishnajës

M’u bë se dëgjova një zë ”eja të këndojmë!”

Nata e hëna janë  mike për ne

Lumi i gërgëlonte heshtjes së bukur

Shkumbojshin gurët nga rruga e gjatë

Freskia përqafte lekurën time  të puçërravt

Hëna lozte gurapeshk me shpirtin tim

Në lëndinën e mejdanit

Aty ku kreshnikët e zanat  ushtroheshin  përherë

Nuk di nga më erdhi një mall

Një këngë shpirtin shpërtheu përmallshëm

Përzier me lot durimi, gjatë bjeshka jehoi

“Sot na erdhi dita jonë!”

 

 

 

                  SA GJATË  FJETI TERRI  NË  MUA

Gjatë,

Shumë gjatë paska fjetur  nata

Në vetminë time padiktueshëm

Shumë vite më ka mashtruar bukuria e zezë

Gati sytë të mësohen vetëm me errësirën

Sa e dhimbshme të harrohet dita e lindjes

Në vorbën e vetmisë të gjitha sillen

Dielli ia fal ngohtësinë zemrës kur  nuk përcëllon

E bukura nxjerr  lulëzimin  nga shpirti

Ecjeve përplasëse rrugëve të gjata

Dy herë po vdiska njeriu

Kur lind vetëm për të  vuajtur në jetë

Kur të vdesësh e nuk di pse ke jetuar

Nëse në varg nuk e ke fsheh veten

Rafteve për të jetuar…

 

                          TETOR 2019

 

 

 

 

 

NËSE TË KUJTOHET….

(persiatje kohe)

 

Mendoj se të kujtohen mbrëmjet

Pas pushimit të shiut në muajn majit

Aromë  bagreni,bukuri  ëndrrash rinore

E dritat e neonit dukeshin  si rreze dielli

Ne lidhnim gishtërinjët  dhe  duat

Ecnim krenarë qytetit,të gjithë na shikonin

Flakë lëvizte poreve tona

Deri te troksima e zemrave

Maje gishtash ecnim dikurë

Askush nuk e dinte rrugëtimin tonë

Deri te këndi  i Urës së Ibrit,

Në dritën e hënës avullonte lumi

Të kujtohet si ishim  qullur nga vesa e natës….

Aty u mbjellën kujtimet e zjarrta

Sot flaka shkrihet në  bardhësi kujtimesh

VETËM NJË HERË – Poezi nga Anne Sexton – Përktheu FASLLI HALITI

Sapo kuptova qëllimin e jetës.

Kjo ndodhi në Boston, papritur.

Ecja  përgjatë Çarlsit

dhe pashë dritat të dyfishoheshin,

të gjitha me zemrën në neon vibrues,

duke hapur gojën si këngëtarë opere;

numërova yjet, veteranët e mi të vegjël,

me çikatriçe të lulëzuara, dhe e kuptova se po mbante

dashurinë time në bregun e gjelbër të natës, dhe në lot

u hapa zemrën makinave drejt lindjes dhe perëndimit

dhe kalova një urë për të vërtetën time

dhe e dërgova shpejt në shtëpinë me bukurinë e saj

dhe deri në mëngjes i grumbullova këto konstante

për të zbuluar pastaj se ato kishin ikur.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti