VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DY INTELEKTUALË TË KUNDËRT – Nga RASIM BEBO

By | April 25, 2016
blank
2 Comments
  • author avatar
    Ermal Cami Chikako 4 years ago Reply

    Si ka mundesi qe ky Web presticioz dhe mbi te gjitha democrat te botoje nje shkrim te tille nga nje njeri spiun I sigurimit te shtrit ne dem te cameve ne Tirane. Ky Rasimi ka vepra shume te poshtera qe paria e punes e pergatiti ne rolin e historianit te shqrimtarit per te bere thiken pas shpine kurder personave cam qe punonin per ceshtje kombetare ne diaspora. Ai ka bere nje takim secret me nje cam ne Struge ne kohen e komunizmit dhe atje e ka furnizuar me veprat e Enverit per ti sjelle ne Amerike…

    Nese nuk botophet ky koment dhe nuk hiqet shkrimi do te bejme nje shkrim tjeter per te gjitha bemat e ketij njeriu te pashkrupullt. Nese kerkoni me shume spjegime une ju dergoi numerin tim te telefonit dhe flasim

Komentet

blank

KILI, VAKSINA KINEZE KA EFEKTSHMËRI TË PAKËT: ËSHTË VËNDI I FUSHATËS – REKORD TANI KTHEHET NË LOCKDOËN – Nga SARA GANDOLFI

 

            E quajnë “paradoksi kilian”. Vëndi amerikanojugor ka habitur botën me shpejtësinë e fushatës së tij të vaksinimit në masë kundër Kovidit – 19 : 4,6 milionë njerëz ndër 18 milion banorë kanë marrë dy doza, 7,2 milionë së paku të parën; vetëm Izraeli, Emiratet Arabe dhe Seychelles kanë bërë më shumë.

            Megjithatë infektimi vazhdon të përhapet me ritme rekordi, veçanërisht ndërmjet të rinjve, dhe terapitë intensive të spitaleve janë të zëna mesatarisht në 95 %. “Buletini” i fundit flet për 1.076.499 raste të përgjithëshme të vërtetuara dhe 24.346 të vdekur. Kështu, nga fundi I marsit, një pjesë e mirë e Vëndit është kthyer në lockdown pothuajse të plotë.

 

Çfarë po ndodh në Kili?

“Paradoksi” ka më shumë se një shpjegim. I pari, më i drejtpërdrejti e për të cilin kishim folur këtu, është që me lehtësimin e kufizimeve për zhvendosjet dhe rihapjen e shkollave e dyqaneve popullsia ishte gënjyer se pandemia ishte vetëm një kujtim. Siç ka nënvizuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) imunizimi nuk zëvendëson parandalimin. “Ka nga ata që pushojnë së binduri masave si hapësira fizike, higjena vetiake, ajrimi i hapësirave dhe ndalimi i grumbullimeve” ka thënë Maria Van Kerkhove, përgjegjëse e bashkësisë teknike kundër – Kovid të OBSH. “Por vaksinat janë vetëm njëri nga mjetet për të ndaluar infektimet dhe nuk mund të flemë mbi dafina vetëm sepse jemi të vaksinuar”.

Efektshmëria e pakët e vaksinës kineze Sinovac

            Një tjetër shpjegim më shqetësues i “paradoksit kilian” është efektshmëria e pakët e vaksinave të përdorura. Një studim i drejtuar nga kërkuesit e Universitetit të Kilit mbi rezultatet e fushatës së vaksinimeve, ka dalë në përfundimin se mbrojtja është mesatarisht në masën 56,5 % mbas dy javësh të injektimit të dy dozave të parashikuara dhe vetëm 3 % mbas dozës së parë. Duke mbajtur parasysh se në Kili përdoret kryesisht vaksina kineze Sinovac (93 %) e 7 % tjetër është Pfizer Bio NTech, që n’Izrael ka treguar një efektshmëri prej 94 %, kërkuesit përfundojnë se efektshmëria e vaksinës kineze është e ndalur në 54 %. Një vlerë pak më e lartë se ajo e regjistruar në Brazil ku, për të ndërlikuar kuadrin, është edhe qarkullimi i një varianti që duket se është në gjëndje t’i bishtnojë mbrojtjeve imunitare, natyrore e të panjohura: studimi i efektshmërisë nga Instituti Butantan regjistronte një të tillë prej 50,4 %.

Befas vërtetimi erdhi edhe nga Kina. Gao Fu, drejtori i Qendrës kineze për sëmundjet, Kontrollin e parandalimin, ka pranuar në një konferencë shtypi të shtunën e shkuar se vaksinat kineze që përdoren tani “nuk kanë tregues mbrojtjeje shumë të larta”. Në vazhdim, ka pohuar se komentet e tij ishin “keqkuptuar plotësisht”, por të dhënat e njoftuara tregojnë që në fakt vaksinat kineze janë më pak të efektëshme se sa Pfizer e Moderna, edhe se janë më të thjeshta për t’u ruajtur.

 

Jemi në rrugë të drejtë

 

            Kili ka paguar 3,5 milion dollarë për të “strehuar” eksperimentimin klinik të vaksinës kineze dhe ka porositur më pas 60 milionë doza për të mbrojtur popullsinë e saj prej 18 milion banorë në tre vjet. Rëndësia e krizës shëndetësore në Kili është vërtetuar në fakt nga presidenti Sebastian Pinera dhe nga Kongresi që kanë vendosur të shtyjnë gjashtë javë zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese që duhet të shkruajë një Kushtetutë të re. “Përparësia e jonë është të mbrojmë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë” ka thënë kryetari I Shtetit.

Megjithatë, autoritetet kiliane të djelën mbrojtën përdorimin e vaksinës Sinovac dhe I hapën rrugën përdorimit të Corona Vac. Heriberto Garcia, drejtori I shëndetësisë publike kiliane ka thënë se njerëzit nuk duhet t’I kushtojnë shumë vëmëndje titujve të gazetave: “Numëri i njerëzve që sëmuren dhe shtrohen në spital është pakësuar, kjo do të thotë se jemi në rrugën e drejtë”, ka pohuar në një intervistë të së përditëshmes vendore La Tercera. Kili ka firmosur marrëveshje për furnizimin me vaksina Johnson & Johnson dhe AstraZeneca që nuk kanë arritur ende.

Ndërkaq shumë Vënde të zonës latinoamerikane shohin me shpresë tek vaksinat kubane Soberana II dhe Abdala, të hyra në fazën 3 të eksperimentimit dhe gjërësisht në përdorim mbi ishull (të tjera janë në faza më të prapambetura sprove). Havana ka premtuar se do t’u a shpërndajë Vëndeve “vëllezër” me çmime shumë më të ulta sa ato amerikane.

 

“Corriere della Sera”, 13 prill 2021      Përktheu Eugjen Merlika

blank

Zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri dhe pritshmëria e shqiptarëve në Mal të Zi – Nga Xheladin Zeneli

 

Ashtu si zgjedhjet e tjera që janë mbajtur në të kaluarën në Shqipëri, edhe zgjedhjet e  25 Prillit  të këtij viti, ndiqen  me vëmendje nga shqiptarët në Mal të Zi si një interesim i tyre i natyrshëm lidhur me ate se kush do të jetë në pushtet në katër vitet e ardhshme në Shtetin e tyre Amë.

Që nga vendosja e sistemit demokratik dhe pluralist në Shqipëri para  tre dekadave, shqiptarët në Mal të kanë pasur dhe gjithënjë vazhdojnë të kenë një pritëshmëri të lartë lidhur me përkujdesjen dhe interesimin e Shtetit Amë  për të drejtat kombëtare të tyre.Kjo përkujdesje është e përcaktuar me  Kushtetutën  e Shqipërisë 

(neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Me keqardhje mund të konstatohet se pa marrë parasysh cila parti ka qenë në pushtet në Shqipëri, deri më tani ka munguar një përkujdesje e tillë dhe përkrahje e duhur dhe kuptimplote nga ana e qeverive të Shtetit tonë Amë.

Derisa ka pasur vizita të vazhdueshme të krerëve të shtetit shqiptar  në Mal të Zi , si dhe takime me përfaqësuesit shqiptarë në këte shtet, por që ato kanë përfunduar pa vepra apo projekte konkrete , projekte  këto të cilat do të kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në aspektin ekonomik, edukativo-arsimor,kulturoro-gjuhësor dhe identitetit të tyre kombëtar.

Nëse reflektojmë pak në periudhën e viteve të pushtetit të PS-së, pra në kohën gjatë dy mandateve të kryeministrit Edi Rama, do të vërejmë se në raport më shqiptarët në Mal të Zi, ka pasur disa iniciativa dhe premtime por që nuk janë realizuar në praktikë deri më sot.

 

Po përmendim disa prej tyre.

Në Prill të vitit 2012 , Edi Rama ,në pozitën e kryetarit të Partisë Socialiste dhe një vit përpara se të bëhet kryeministër i Shqipërisë, zhvilloi një vizitë në Mal të Zi, me ç’rast pati takime me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Ulqin dhe në Tuz. Në takimin e tij në Ulqin me drejtuesit e atëherëshëm të Komunës së Ulqinit, kishte propozuar dhe kërkuar hapjen e një univerziteti në gjuhën shqipe në Mal të Zi për arsimimin e lartë e të rinjëve dhe të rejave shqiptare në këtë shtet. S’ka dyshim se kjo ishte një iniciativë e qëlluar e z. Rama, por për të cilën as pas tetë viteve në pushtet të PS-së dhe pas dy mandateve të Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë , deri më sot nuk është punuar në realizimin e saj.

Kurse me rastin e takimit të z. Rama në Tuz me përfaqësuesit shqiptarë , atëherë ai pat propozuar unifikimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në rajon, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi. Edhe kjo iniciativë mbeti në suazat e një dëshire. Megjithate, disa vite më vonë, përkatësisht në vitin 2015 erdhi deri te shpërdarja e 288 Abetareve Kombëtare në shkollat shqipe në Mal të Zi,të cilat ishin dhuratë (donacion) nga kryebashkiaku Erion Velijaj . Vlen të përmendet se përdorimi i këtyre Abetareve  nuk u bë  i obliguar, por vetëm si mjet plotësues arsimor për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore.

Për hirë të korrektësisë duhet përmendur se qeveria shqiptare gjatë kësaj kohe ka përkrahur financiarisht Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me një kontribut modest i cili ishte më shumë një gjest simbolik se sa një ndihmë e mirëfilltë financiare.

Në fund të vitit të kaluar , Tirana zyrtare paralajmëroi organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, si dhe fushatë ndërgjegjësuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi që është i paraparë të organizohet këte vit. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve realizimi në praktikë i kësaj iniciative.

Një mirënjohje për Edi Ramën që u harrua dhe gafat e shtetit shqiptar  

Në Prill të vitit 2015 ,me rastin e Ditës së Ulqinit, me iniciativën e kryetarit të atëherëshëm të kësaj komune, u shpallën ” Qytetar Nderi”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bashkë me zv. kryeministrin e atëherëshëm të Kosovës Hashim Thaçi.Ishte ky një shenjë respekti që vjen, jo vetëm Ulqini por edhe nga trevat e tjera shqiptare  në Mal të Zi për udhëheqësit shtetëror të dy vendeve të tyre kombëtare, Shqipërinë dhe Kosovën.Por tashmë kjo është një mirënjohje e harruar.

Kurse një vit më vonë , pra në 2016,kryetari i Kuvendit të atëherëshëm të Shqipërisë, z. Ilir Meta,me rastin e 13 Korrikut , ditës së shtetësisë së Malit të Zi , i dorëzoi kryeministrit malazez Millo Gjukanoviqit në Podgoricë dekoratën e Flamurit Kombëtar, nga presidenti Bujar Nishani, dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë !?. 

Sipas mendimit tim, kjo jo vetëm që ishte një veprim i gabuar i presidentit shqiptar, por njëkohësisht edhe një gjest i turpshëm i tij.

Zhgënjimi tjetër si dhe disa gafa të radhës erdhën me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën me 30 Gusht 2020, atëherë kur kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama mbështeti publikisht fushatën zgjedhore të Milo Gjukanoviqit dhe Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) ,çka ngjalli atëherë reagime të shumta në opinionin shqiptar.

Gjithashtu me rastin e atyre zgjedhjeve, ndërhyrjet e pabalancuara të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të qeverisë së 

tij, ndaj faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, u vlerësuan nga një pjesë e këtij faktori politik, si veprim i pamatur i cili nuk i shërbeu unitetit por ndikoj  dhe i kontriboj ndasive  të mëtejshme të elektoratit të atjeshëm shqiptar.

Kush do të jetë “kryeministri i shqiptarëve “ në katër vitet e ardhshme?

Shpeshëherë kryeministri i Shqipërisë quhet “kryeministri  i gjithë shqiptarëve”, sidomos nga shqiptarët që gjinden jashtë kufijëve të Shqipërisë londineze, sepse një kryeministër i tillë pritet të posedojë kualitetin e një lideri vizionar i cili çdo herë do të duhej të këqyrë interesin kombëtar e të gjithë shqiptarëve pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe gravitojnë ata.

Në zgjedhjet e 25 Prillit të cilës po i paraprinë një fushatë tepër tensionuese në mes rivalëve politik, Partia Socialiste (PS) me në krye Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë kërkon mandatin e tretë, të cilët garojnë kundër Partisë Demokratike (PD) nën drejtimin e Lulzim Bashës ,Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe disa parti të tjera të vogla.

A do ti besohet PS-së dhe Edi Ramës mandati i tretë apo PD-së me në krye Lulzim Bashën dhe aleatëve të tij politik, këte do t’a përcaktojnë qytetarët shqiptar me votën e tyre në këto zgjedhje.

Kurse për shqiptarët në Mal të Zi mendoj se është pak e rëndësishme se cila parti apo kualicion do të fitoi zgjedhjet e  25 Prillit Shqipëri. Por ata , pra shqiptarët në Mal të Zi, janë më shumë të interesuar që nga këto zgjedhje të dal  një qeveri dhe kryeministër i cili do të jetë i ndijeshëm ndaj nevojave dhe kërkesave të tyre, një qeveri dhe kryeministër i cili do t’i kushtojnë një vëmendje më serioze problemeve të tyre duke ushtruar të drejtën e vet kushtetuese në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të asaj  pjese  të popullit të vet që jetojnë jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë.

Shqiptarët në Mal të Zi të cilët vazhdimisht janë të rrezikuar dhe të kërcnuar  nga shpopulimi i trojeve të tyre etnike, tkurrja demografike , ç’kombëtarizimi dhe asimilimi , kanë nevojë më shumë se kurr për një qeveri dhe kryeministër  të ndërgjegjësuar kombëtar në Shtetin e tyre Amë.

blank

Vdekja e një UDBASHI – Nga XHAFER SHATRI

Sqarim: Ky shkrim është pjesë e një libri që do të botohet së shpejti, publikimi i të cilit është shtyrë për shkak të një vonese në marrjen e një dokumenti origjinal nga drejtësia belge për rrethanat e vrasjes së Enver Hadrit. Dokumenti ishte e domosdoshëm në respekt të lexuesit, për t’i dhënë një pamje të plotë të ngjarjeve, por dhe për të mos i krijuar hapësirë askujt për të vënë në pikëpyetje vërtetësinë e fakteve.

Fati ka tekat e veta. Një javë para se të më vinte dokumenti, mësova se protagonisti i këtij shkrimi, Sherif Bala, naçallniku i dikurshëm i UDB-së së Pejës kishte vdekur.

1. Një sqarim i domosdoshëm për një dosje të errët

Më 8 dhjetor 2009 një portal publikon shkrimin me titull: “Përballja me pasojat e ish-UDB-së dhe ish-Shikut në Kosovë“ dhe me nëntitull “Sherif Bala, ky udbash krenar!“

Shkrimi ishte permbledhje e një interviste me Sherif Balën dhe Asllan Sllamnikun, të cilët, në vitet 70-të e 80-të, ishin naçellnikë (kryeshefa) të UDB-së, sektori politik, në Pejë.

Tehu i sulmit të udbashve ishte drejtuar kundër Enver Hadrit, vrarë 30 vjet më parë, më 25 shkurt 1990, në Bruksel. Sherif Bala e akuzonte Enverin drejtpërdrejtë si spiun të UDB-së. Njohësit e dosjes Hadri e dijnë mirë se në dramën Enver Hadrit dhe në tragjedinë familjare të tij, prej fillimit e deri në fund, pra deri në ditën kur është vrarë, Sherif Bala kishte një rol aq të lig, dhe vetëm një sistem drejtësie i mirëfilltë do t’i shkonte deri në fund.

Siç e përmenda, krahas Enver Hadrit, Sherif Bala edhe mua më akuzonte si spiun të UDB-së. Ishte e rëndë, por jo e papritur nga Sherif Bala, me të cilin, për fatin tim të keq, jeta me kish përballur qysh fëmijë. Megjithatë sulmi i pabesë ndaj Enver Hadrit, ishte larg më i rëndë. Ishte jashtë çdo kodi moral. Organet e drejtësisë belge kishin konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë më urdhër të Millosheviqit, ndërsa ekzekutorët e tij diheshin më emër e mbiemër. Ata ishin koka e nëntokës serbe, që talentin e tyre prej vrasësish e kishin vënë në shërbim të shtetit serb. Këtë e kishte pohuar publikisht para medieve vetë organizatori i atentatit, Bozhidar Spasiq, aso kohe funksionar i lartë i UDB-së federale.

Ajo që më la pa frymë ishte pyetja pa përgjigje. Si është e mundur? Si mund të lejohet një udbash të përdhosë hapur në Kosovën e pasluftës njeriun që e kishte vrarë Serbia? Ky sulm i pabesë nuk mund te ishte “mirënjohja” e shqiptarëve ndaj Enver Hadrit, njeriut epitafi dhe thelbi i jetës së të cilit ishte

“Kosova është gjaku im që nuk falet”.

Udbashi i vjetër, po përdorte të kapurit e Kosovës së pasluftës, të përdhoste heronjtë e saj. Miku im Enver Hadri nuk ka nevojë për mbrojtje. Vepra e tij flet vetë. Por është detyra ime të sjell profilin e udbashit që ka terrorizuar breza të tërë në Kosovë. Kosova nuk mund të harrojë. Kurrë.

2. Portreti i çakallit të Serbisë

Kryepersonazhi i kësaj dosjeje quhet Sherif Bala, i lindur në katundin Lluga, komuna e Istogut. Ka jetuar në Pejë, por fushëveprimtaria e tij prej çakalli serb përfshin një territor shumë më të gjerë.

Filimisht ka qenë mësues, ndërkaq, më vonë ka filluar të punojë në UDB dhe, falë aftësive zhbiriluese shpejt ka arritur të bëhet kryeshef (naçellnik) i sektorit më delikat të UDB-së, sektorit politik, që mbulonte 4 komuna: Pejën, Istogun, Klinën dhe Deçanin. Sherif Bala ka qenë për një dhjetëvjeçar maja e pushtetit në këto territore. Njeriu që ka vrà dhe ka kthjellë. Person më një rrjet jashtëzakonisht të gjerë spiunësh të të gjitha kategorive, prej “akademikëve“, arsimtarëve, vejushave, bujqëve, kurvave deri edhe lypësve. Ishte i lindur për intriga. Gjatë viteve të apart’heidit, Sherif Bala është marrë aktivisht me fajde. Ka qenë dhe ka mbetur, deri vonë, fajdexhiu më i madh i Dukagjinit.

Ky person më ka dhënë mësim në shkollën fillore në Gurrakoc.

3. Motivet personale të udbashit serb si shtysë për hakmarrje të përgjakshme

Ky është një rrëfim i errët i dy gjenerateve krejt të ndryshme, rrugët e të cilave do të kryqohen shpejtë dhe keq.

Përparësitë e Sherif Balës ishin kolosale. Ai përfaqësonte njërin prej shteteve më të fuqishëm të Evropës, ndërkaq unë dhe gjenerata ime ishim një turmë endërrimtarësh që e kishte verbuar Ëndërra e Lirisë. Shumë prej nesh do ta paguajmë shtrenjtë këtë gjakim për Lirinë. Ndërkaq, Sherif Bala, më këlbaçët e tjerë ishte i kudopranishëm dhe i paguar rrastë që të na e ndalte hovin tonë rinor, të na i vriste ëndërrat dhe të na e vriste Idenë e Lirisë dhe gjakimin për të.

Aso kohe nuk e dija me çka e kisha nxitur apo merituar armiqësinë e tij patologjike ndaj meje, por, më vonë, duke i kaluar me detaje ngjarjet kam ardhur në përfundimin se kjo, veç fanatizmit të argatit serb dhe ligësisë së tij organike lidhet me dy momente fort të çuditshme, njëri krejt i rastit, ndërsa tjetri si një vëlim imi djaloshar:

a. Isha nxënës i klasës së katërt. Një ditë pranvere, vetë i treti, kthehesha prej shkolle në shtëpi. Ishim vonuar sepse kishim luajtur top në oborrin e shkollës.

Kur mbërritem të Mullini i Jovanit (para Jovanit, Mulliri ka qenë i Selman Shatrit, të cilin ia kishte marrë shteti), e pamë të dalë nga lisnaja e bregut të Jazit të Gogës, një shoqja jonë e shkollës, më duket dy vjet më e vjetër. Ishte një vajzë shumë e bukur, e një fshati afër Gurrakocit, e zhvilluar përtej moshës së saj, por, megjithatë fëmijë. Ishte skarrakuqë…

As sot nuk e di ç’dreqi më çoi, por, pas pak, u ktheva disa hapa prapa dhe shkova drejt vendit prej ku ajo doli. Çka të shoh, mësuesi, Sherif Bala, ishte ulur mbi një cung, këmishën e kishte të shpërthekuar. Më pa. Nuk dita çka t’i them pos: “a u lodhe shok Mësues?“

“Ik, more kopil, se hina për nevojë…“ Ishte zor më e nxanë ngusht Sherif Balën.

Shumë vjet më vonë, një bashkëfshatar imi, disa vjet më i moshuar se unë, ma ka konfirmuar, se e kishte parë me sytë e tij Sherif Balën, duke abuzuar me të njëjtën nxënëse. Ishte ky një krim i dyfishtë. Abuzim më fëmijë dhe abuzim më detyrën e shenjtë të mësuesit.

E di se asnjëri prej nesh kurrë nuk e kemi hapur këtë temë. Ashtu ishin kohët.

b. Në vitin 1965 isha nxënës në gjimnazin e Istogut. Një pjesë dërrmuese e lëndëve ishin në gjuhën serbe. Kjo më pati revoltuar dhe i pata shkruar disa trakte: Më zbuluan, më çuan në burg dhe më përjashtuan nga të gjitha shkollat në Jugosllavi. Ky përjashtim pati bërë zhurmë të madhe, sepse u bë në sallën e kinemasë në Istog, ku ishin të pranishëm të gjithë nxënësit e gjimnazit, profesorët komiteti… Ishte një spektakël i turpshëm politik, por ajo që i pati befasuar nxënësit, po sidomos komitetlinjtë ishte qëndrimi im krenar dhe përbuzës.

Pas rënies së Rankoviqit, gjërat ndryshuan dhe unë fitova të drejtën regjistrohem në gjimnazin e Pejës.

Disa muaj më parë kisha dalë nga burgu, ku, ani se i mitur më kishte torturuar mizorisht, dy javë ditë rresht, Tomisllav Todoroviq për të më detyruar të nënshkruaj deklarata përmes të cilave mëtonte të arrestonte gjysmën e Tomocit.

Ani se fëmijë, nuk mujti me m’thy. Burgosja veç më kishte egërsuar edhe me shumë me UDB-në dhe çdo gjë që vinte prej saj.

Në këtë gjendje të acaruar, një ditë, në autobusin që na çonte në shkollë, në Pejë, e takova Sherif Balën, i cili tashmë punonte në UDB-ë.

Mu afrua më dhelpërinë e tij të njohur: “Ku je kushëri…, a dreqi që je ti, ani se fëmijë i kishe pa ditë punët ma mirë se na të tjerët…?“

Më acaroi shikimi i tij i lig dhe buzëqeshja e shtirë. “Shko, more në …, o udbashi i m…“ Kjo ishte tepër e papritur për të dhe u zbeh e u bë mejt. Autobusi ishte plot nxënës dhe e panë të gjithë çka ndodhi.

Nuk m’i harroi kurrë që e gjeta në lisnajë dhe që e kundërshtova në autobus. Mu ka hakmarrë gjithë jetën, duke përdorë organet e shtetit, krejt rrjetin e spiunëve, madje edhe familjen e tij me të gjitha lidhjet e saj.

Persekutimi im nga Sherif Bala nuk ka shëmbull. Kishte dhe ka në të diçka që i tajkalon larg përmasat e çdo realiteti. Ai, si i plotfuqishëm që ishte, siç e kam analizuar më vonë kur kisha moshën dhe përvojën e duhur, ka filluar të më përthekojë më veglat e tij në Gjimnaz. Të gjithë ishim gati fëmijë dhe në një vlug rinor e rrethana që kishte krijuar zgjërimi i autonomisë. Një panverë e harlisur djaloshare.

Flisnim krejt shlirë, i këndonim Enver Hoxhës, që ishte idoli ynë. Dhe këmbëngulnim në qëndrimet tona madje edhe staliniste, taman si të dehur. Më vonë, e besa edhe sot, shpeshherë më janë skuqur majat e veshëve nga marrja kur e kujtoja se unë përpiqesha ta bindë për ëndërrat e mia babain tim, një burrë që e maste fjalën 1000 herë, një burrë tepër i zgjuar e më i fortë se guri dhe Bacin Haxhi, që jam i sigurtë se ka qenë eruditi më i madh i Kosovës së asaj kohe. Na shikonin mua dhe moshatarët e mi në odë dhe më drejtoheshin kryesisht mua, sepse edhe këmbëngulja më së shumti:

Baba: Ruaju se merr n’thu sivjet e një Zot e din pas sa vitesh e then qafën!

Baci Haxhi: Në komunizëm funksionojnë mirë vetëm dy gjëra, propaganda dhe dajaku.

Asnjë fjalë më shumë, por si më i folë tavanit. A merr vesh tavani?

c. Siç e kam kuptuar shumë vonë hakmarrrja e Sherif Balës fillon mu në këtë kohë. Ishte koncentruar në rrethin e të rinjve që i takoja në gjimnazin e Istogut, dhe sidomos pasi shkuam kolektivisht në studime, në Prishtinë. Më vonë e kuptova se jo pak prej tyre i kishte futur në kurthin e tij. Shpërndante intriga, duke më akuzuar sidomos mua si spiun të Udb-së.

(Njërin prej këtyre viktimave (R…), e kam takuar pas Luftës në Istog. Pasi nuk ma ktheu përshendetjen, e pyeta a bon të më tregosh se çka të kam borxh?

Ai: Më ke edhe shumë bile!

Unë: A mund ta di, bre burrë sepse më dijen time kurrë gjë të keqe prej meje nuk ke pasë.

Ai: Po. Shkaku yt Sherif Bala ma ka shkatërru jetën, memzi i kam krye studimet nga stresi i presionit të tij… M’ka shti me të përcjellë se çka po bon, me kë po rri, çka po flet… krejt çdo gjë për ty. Bile edhe çfarë ushqimi po merr në mensën e studentëve dhe me kë po ulesh në tavolinë. Për çdo javë më është dashur të bëjë raport për ty…

Pasi je burgos detyra ime ka qenë me propagandu kundër teje, kudo që të shkoja.

Dhe nuk kam qenë i vetmi.

Unë: Sa keni qenë që është dashur të bëni raporte?

Ai: Jo pak prej atyre që ishim të Istogut…

Unë: Në rregull, po çka kam unë në këtë mes? Nuk ju kam persekutuar unë, por Sherif Bala.

Ai: Po, veç kjo ishte për shkakun tënd!

E pashë se nuk i hynte n’kry, sepse ende ishte i traumatizuar. I fola më konkretisht:

A të kam propozuar ndonjëherë më të organizuar në veprimtari ilegale?

Ai: Jo.

Unë: A kam nënshkruar çfarëdo deklarate ku të kem përmendur emrin tënd, apo të cilitdo qoftë të atyre që kanë pësu si ti?

Ai: Jo.

Unë: A të kam folur ndonjëherë ty kundër shtetit?

Ai: Jo mua, por të gjithëve që ishim në konvikt. Nuk ia ke çkoçë kurrë.

Unë: Në rregull, por ty personalisht dhe vetëm për vetëm?

Ai: Jo, asnjëherë.

Une: E atëherë? Si guxon të më akuzosh mua pse Sherif Bala të ka angazhuar, jam i sigurt pa asnjë shpërblim, të punosh për të. Ti ke qenë punëtor i Sherifit e jo i Xhaferit… Bile bile ti më paske dëmtuar, më paske spiunuar, paske intriguar kundër meje deri sot. Dhe ke fytyrë të më akuzosh. Pse nuk shkon të ankohesh të Sherif Bala që të ka bërë telef?

E lash duke folur vetëmëvete. Në fakt ora e tij ishte ndalur në vitin e kahershëm 1974.

Duhet theksuar se burimi kryesor i intrigave të Sherif Balës në rrethin e gjimnazistëve të Istogut e pastaj edhe kur në shkuam në studime, padyshim ka qenë kunata e tij, përndryshe shoqe e klasës. Gjatë kohës së studimeve deri te arrestimi, por edhe më vonë sa isha në burg e madje edhe në mërgim kam dëgjuar detaje të tmershme nga bashkëmoshatarë që e kishin deshifruar më kohë sjelljen dhe gjuhën e saj prej nëperke.

ç. Pas burgimit të dytë, ku ndejta 9 muaj (1968, 1969), Sherif Bala kishte arritur ta bëjë spiun aktiv, njërin prej shokëve të mi më të mirë të djalërisë, IB.

Falë këtij, Sherif Bala disa vjet më vonë arrijti ta zbulojë Grupin Revolucionar dhe t’i fusë në dorë organin e tij “Zëri i Kosovës“ dhe sidomos një punim teorik “Udhëzimë për konsipracion“.

Më pati paralajmëruar, përmes Babës, një kushëriri i IB, por për mua kjo ishte e pa imagjinueshme. Megjithatë falë edhe këtij paralajmërimi e hetova rolin e pistë të IB në momentin e fundit dhe kjo më ndihmoi që Sherif Balës t’ia luaj një lojë që i ka kushtuar më vonë me karrierë dhe ta shpëtoj 98% të efektivitit të Grupit Revolucionar.

Ky fakt më ka ndihmuar shumë edhe gjatë hetimeve, sepse e dija se IB nuk kishte guxim të dalë para meje më ia dhënë ‘ku lenë e ku praron”.

d. Sherif Bala duke ma njohur mirë karakterin, e dinte se nuk ka torturë që mund të më thyejë, prandaj përdori metodën e ngulfatjes së mëndafshtë.

Arrestoi pa asnjë faj djalin e axhës, Metën një mësues e student par excellence, vetëm pse në dhomën e tij ishin gjetur 2 revista letrare “Nëntori“, të cilat i kishte marrë në bibliotekën universitare për të përgatitur provimet në fakultet dhe një fletore më poezi të Agollit, Kadaresë etj., që asokohe botoheshin legalisht në Kosovë.

Më shantazhonte: fol ti dhe unë e lëshoj Meten menjëherë. Në këtë shantazh ai ka shkuar aq larg, saqë ka kërkuar nga Meta që ky të kërkojë orgazimin e një mbledhjeje të krejt familjes tonë në zyrën e tij: Meta, babai im, axha dhe djali i axhës Malushi dhe ata bashkë të bëjnë presion mbi mua që t’i zbuloj lidhjet.

Këtë ide diabolike, Meta ia ka hedhur poshtë mënjëherë, prandaj është dënuar dhe i ka mbajtur 2 vjet burg, pa pasur pikën e fajit.

dh. Mua më merrte në pyetje Mehmet Hasku, një udbash i regjur dhe shumë inteligjent. Qarku i hetimeve ishte krejt i mbyllur, unë nuk pranoja asgjë madje as ato që IB ua kishte referuar gjerësisht, por, për ta çuar lojën deri në fund, as nuk ua mohoja kategorikisht, sepse dëshiroja të krijohet përshtypja se ne që ishim në burg, i kishim bërë të gjitha vetë. Qëllimi ishte që shokët jashtë të kenë mundësi të riorganizohen pa ndonjë thyerje të madhe.

Procesverbalet e mia, të cilat SHIKU-u i pas luftës, i ka kërkuar më pishë nëpër arkivat e Gjykatave, kanë qenë bosh. Aty kanë mundur të lexojnë vetëm një rresht: “Nuk jam fajtor, nuk kam haber për gjërat për të cilat po më akuzoni.“

Ndihesha tepër komod, sepse e dija se Mehmet Hajrizin, Rexhep Malën dhe Liqenin, nuk do të mund t’i ndalte as vdekja. Dhe falë punës së tyre dhe të të tjerëve, Grupi Revolucionar është organizata e vetme ilegale e Pasluftës së Dytë Botërore që nuk e ndali aktivitetin e saj mbi 20 vjet rresht. Ajo shumë shpejtë, realisht për nga ndikimi, u bë forca e dytë politike në Kosovë, kundërshtarja më e rrezikshme e Lidhjes Komuniste. Grupi Revolucionar, më vonë i njohur si OMLK, arrijti të nxjerrë gazetë të mirëfilltë më emrin “Liria“. Më këtë e kanë zëvendësuar “Zërin e Kosovës“, për të mos e ngarkuar gjendjen tonë që ishim në burg.

Sa herë shpërndaheshin traktet jashtë, Sherif Bala më thërriste në zyrën e tij dhe vazhdonte më ato tiradat e mërzitshme. Ndihesha tepër mirë kur e shihja se sa në siklet ishte.

Njëherë, kishte dalë krejt prej kontrollit. Ekspertët i kishin thënë se një trakt që ishte shpërndarë pas arrestimit tim kishte vulën e sintaksës dhe stilit tim. Ma përplasi në tavolinë më tërbim: “Kjo është vepër e jotja!“

Më zbaviste: “Nëse unë prej burgut po mundkam të nxjerrë dhe të shpërndaj trakte gjithandej Kosovës, atëherë më paskit arrestuar kot…, e besa edhe ti po e merrke rrogën badihava…“

Ai: “Jo, jo! Këtë trakt ti e ke shkru para se më ra në burg dhe e kanë shpërnda shokët e tu. E ke lënë venë dhe tash ajo është bërë zog.“

Një herë e mbaj mend të më merrte në pyetje i dehur. Kënaqesha duke e parë ashtu të pafuqishëm, naçallnikun e UDB-së së Pejës. Atë natë më mbajti deri në orën 5 të mëngjesit. E kishte humbur torruan. Në një moment më tha:

“Shiptari është si kr…, nëse e lëmon çohet, nëse i bie ulet…“

Unë: “Paske respekt për shqiptarët…“

Sh. B.: “Nga përvoja po ta them… Ne, Jugosllavia, jemi të fuqishëm, në jemi të pathyeshëm…, me ne nuk mund të luajë askush… “

h. Një ditë më çuan në UDB-ë. U çudita, sepse zakonisht më çonin natën. Më çuan në zyrën e Sherif Balës. Babai im kishte qenë aty. Ishte lodhë e plakë për disa vjet. U përshendetëm e u pyetëm. Nuk dija se a është një kurth apo ceni sadist i Sherif Balës. Ma tha hapur: “Po mërzitem shumë për Metën.“ (Meta djali i axhës, ishte rritë jetim, babai im ishte përpjekur më zemër t’ia zëvendësonte Metës dhe vëllezërve e motrave të tij disi babain që ua kishte grabitur vdekja në moshë të re).

“E di, i thashë. Qe, besa, o Babë, Meta ka faj në këto punë aq sa ka faj nana Ajshe (gjyshja jonë).

Ky, që e kemi përballë, po e mban për të më thy mu, në mënyrë që ta mbushi burgun me njërëz të pafajshëm. E kjo nuk ka për të ndodhë kurrë.“

Baba: “Ma hoqe një barrë të madhe. Për mu nuk është më rëndësi kur vjen ti, por qysh vjen.“

blank

Deklaratat për kufijtë e Shqipërisë në takimin e 5 prillit mes ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë e Qipros dhe diplomacia jonë e përgjumur – Nga SHABAN MURATI

Askush nuk kishte menduar se dosjet e kryeministrit të Greqisë, Elefteros Venizellos, dhe kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiç, që nënshkruan Traktatin e Aleancës midis dy shteteve në qershor të vitin 1913 për të ndarë midis tyre territoret shqiptare, do të shërbenin si hartë diplomatike për takimin e parë të ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë dhe Qipros, të cilët përuruan aleancën e re trepalëshe në datën 5 prill në Beograd.

Një nga çështjet me të cilat u mor kjo aleancë e re e Serbisë me dy shtetet greke, ishin kufijtë e Shqipërisë. Agjencia zyrtare serbe e lajmeve “Tanjug” njoftonte në 5 prill se ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç, deklaroi në bisedime se “Serbia ka mbështetur Greqinë në lidhje me një marrëveshje me Shqipërinë për delimitimin e kufijve midis dy vendeve”.

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve e falenderoi publikisht ministrin e jashtëm serb për mbështetjen në çeshtjen e kufijve me Shqipërinë, dhe e numëroi midis rezultateve të suksesshme të takimit trepalësh të Beogradit. Kjo shenjë diplomatike është e mjaftueshme për të kuptuar se Greqia dhe Serbia i kanë bërë objekt bisedimesh mes tyre kufijtë e Shqipërisë.

Shqetësimi i parë që ngrihet është se ç‘punë ka Serbia dhe Greqia të diskutojnë për kufijtë e Shqipërisë. Me çfarë tagri ministri i jashtëm serb del dhe flet nga pozitat e arbitrit për kufijtë e një shteti të tretë në Ballkan sikur Beogradi ka monopolin e certifikimit të kufijve midis shteteve të rajonit.

Deklarata e ministrit të jashtëm serb për kufijtë e Shqipërisë hap shumë dyshime dhe pikëpyetje si për aleancën e re trepalëshe, ashtu dhe për intrigat e reja gjeopolitike me baza fetare, që po luhen në rajon nga shtete historikisht jo miqësore me shqiptarët dhe me kombin shqiptar. Serbia po noton në ujërat e turbullta të kohërave të errëta të luftërave ballkanike kur bashkë me Greqinë nuk njihnin pavarësinë e Shqipërisë, kishin pushtuar territore shqiptare dhe diskutonin mes tyre ku të vendosnin kufijtë e pronave të reja në këto territore.

Në një farë kuptimi kemi një afishim të ri të rrezikshëm të pretendimeve të diplomacisë serbe, e cila për herë të parë merr pozicion publik për të gjykuar zyrtarisht kufijtë dhe marrëveshjet për kufijtë mes shteteve të treta në rajon.

Nuk e dimë shkallën e njohjes së historisë së Ballkanit nga ministri i jashtëm serb, por atij nuk i falet të mos e dijë që në 30 korrik 1926 në Paris fuqitë e mëdha kanë nënshkruar “Aktin Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, akt të cilin e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar edhe qeveritë e Serbisë dhe të Greqisë. Çështja e kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe me Greqinë është mbyllur nga ai Traktat Ndërkombëtar, i cili ka anekset dhe konventat bashkëlidhur dhe të cilat janë depozituar në Lidhjen e Kombeve si të gjitha aktet dhe dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare.

Beogradi ka pranuar me firmën e qeverisë së tij jo vetëm kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Jugosllavinë, por edhe kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Greqinë.
Intriga bizantine nis që nga formulimi i ri i çështjes. Ministri i jashtëm serb përshëndet “delimitimin e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë”, pra përfshin ratifikimin e kufijve detarë dhe të kufijve tokësorë të Shqipërisë me Greqinë.

Zyrtarisht Greqia deri tani ka rivendikuar kufij të rij detarë me Shqipërinë dhe sipas burimeve të pakonfirmuara ka arritur t’i shkëpusë Tiranës një marrëveshje të fshehtë detare, të cilën qeveria greke dhe ajo shqiptare kërkojnë ta sanksionojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka autoritetin që me pëlqimin e dy palëve të vizatojë kufij të rij detarë dhe të zhbëjë vlefshmërinë historike të “Aktit Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”.

Për njohësit e vjetër të marrëdhënieve ballkanike, shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, është e qartë se Serbia nuk e ngriti kot çështjen e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë, si çështje që shkon përtej kufijve detarë. Qeverisë së përgjumur shqiptare dhe diplomacisë së përgjumur shqiptare nuk i kujtohet se në selinë e kryeministrisë së Shqipërisë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në 27 prill 2009, kryeministri grek K. Karamanlis lëshoi publikisht sfidën e ratifikimit të kufijve tokësorë me deklaratën: “Fryma konstruktive na lejon të përmbyllim dhe të firmosim këtu në Tiranë një marrëveshje shumë të rëndësishme, përvijimin e vijës kontinentale dhe zonës detare mes Greqisë dhe Shqipërisë”. (Libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”,Tiranë, 2018, fq.72)

Duke rihapur të ashtuquajturën çështje të kufijve të Shqipërisë, Serbia ka interesat e saj afatgjata. Serbia nuk është më as shtet fqinjë dhe as shtet kufitar me Shqipërinë. Por ajo ka objektivin e dobësimit strategjik të Shqipërisë dhe është e kuptueshme se çdo rrudhje territoriale e Shqipërisë në det apo në tokë është në funksion të dobësimit strategjik të kombit shqiptar.

Mendoj se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të marrin në shqyrtim këto situata negative, që po krijohen rreth kufijve edhe rreth integritetit territorial të Shqipërisë. Në Beograd sapo u legalizua një aleancë e re e tre shteteve, që nuk e njohin Kosovën, dhe që nuk pranojnë rol të faktorit shqiptar në Ballkan. Strategjia e aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke është rrethimi dhe neutralizimi i faktorit shqiptar në Ballkan. Kemi Serbinë, që rivendikon territoret shqiptare të Kosovës dhe lufton ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, dhe kemi Greqinë, që rivendikon hapësirat detare shqiptare dhe hapësirat tokësore të Shqipërisë së Jugut.

Është pak të quhet e habitshme aleanca e tre shteteve, që nuk njohin Kosovën dhe të cilat konfirmuan në Beograd se një nga boshtet e kësaj aleance të re është pikërisht mosnjohja e Kosovës. Për fanatizmin filoserb të demonstruar nga Qipro për mosnjohjen e Kosovës, presidenti serb Vuçiç i akordoi ministrit të jashtëm qipriot një dekoratë të lartë shtetërore serbe. Në ceremoninë e marrjes së dekoratës serbe ministri i jashtëm qipriot theksoi se një nga motivet dhe bazat e aleancës së re të tre shteteve janë lidhjet e tyre historike fetare të ortodoksisë.

Aksi ortodoks i aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke nuk premton asgjë të mirë për mbarëvajtjen e rajonit dhe as për procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Përtej pyetjes së logjikshme se ç’punë ka Qipro me Ballkanin Perëndimor dhe ç’punë ka Serbia me Mesdheun Lindor, këtu lind dyshimi i madh se pse duhej të krijohej kjo aleancë e re e tre shteteve ortodokse.

Që pas agresionit rus në Ukrainë Ballkani është përmbytur nga aleanca e grupime të shteteve ortodokse njeri pas tjetrit. U krijua aleanca katërpalëshe e Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. U krijua aleanca trepalëshe e Serbisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua aleanca trepalëshe e Greqisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua tani në 5 prill aleanca trepalëshe e Serbisë me Greqinë dhe me Qipron. Ministri i jashtëm grek njoftoi në 5 prill në Beograd se Greqia do të organizojë së shpejti një grupim të ri shtetesh Greqi-Serbi-Maqedoni e Veriut.

Është një fenomen diplomatik dhe shtetëror i habitshëm, që nuk mund të mendohet pa një sponsorizim të fuqishëm të nëndheshëm të diplomacisë ruse dhe të kishës ortodokse ruse. Rusia është e interesuar strategjikisht që shtetet ortodokse të Ballkanit të integrohen në ortodoksizëm politik dhe jo në integrimin euroatlantik. Rusia ka interes strategjik që me këto grupime treshe apo katërshe shtetesh ortodokse Ballkani të fragmentarizohet dhe të devijojë nga orientimi strategjik i integrimit euroatlantik.
Ballkani po bëhet terreni i zbatimit të një gjeopolitike të rafinuar ortodokse ruse.

Udhëheqësit serbë, grekë qipriotë, etj. flasin hapur se në themel të këtyre aleancave janë lidhjet e tyre historike ortodokse. Ortodoksizmi politik dhe diplomatik shërben si motor i veprimit diplomatik dhe gjeopolitik të tyre. Ministria e Mbrojtjes e Greqisë në një dokument të saj në vitin 2017 lidhur me marrëdhëniet strategjike midis Greqisë dhe Serbisë deklaron se “Si shtesë të rrugës sonë të përbashkët ortodokse dy shtete tona Serbia dhe Greqia kanë edhe rrugën e përbashkët europiane”.

Pra në prioritetet strategjike zyrtare greke integrimi europian vjen pas integrimit ortodoks. Kemi një prirje diplomatike dhe gjeopolitike, që shkon në kah të kundërt me objektivat e integrimit euroatlantik të Ballkanit. Kemi hallka të reja të kordonit sanitar gjeopolitik ortodoks, që ka si instrument gjeopolitik aleancat e shteteve ortodokse në rajon. Boshtin fetar gjeopolitik ortodoks e vërteton fakti që në asnjë nga këto grupime të panumërta shtetesh ortodokse në Ballkan nuk janë ftuar asnjëherë të marrin pjesë shtete të NATO-s të rajonit si Kroacia, Shqipëria dhe Turqia.

Aleanca e re trepalëshe e Serbisë me dy shtetet greke është vazhdim i aleancës së ngushtë strategjike që Serbia dhe Greqia kanë vendosur me njëra-tjetrën. Në 11 dhjetor të vitit 2019 presidenti i Serbisë Vuçiç dhe kryeministri i Greqisë Micotaqis nënshkruan në Athinë “Deklaratën e Partneritetit Strategjik midis Serbisë dhe Greqisë”, e cila është praktikisht një traktat bashkëpunimi strategjik midis dy shteteve. Duhet theksuar se Greqia është shteti i tretë, që nënshkruan Traktat Strategjik me Serbinë, pas Kinës që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2009 dhe pas Rusisë, që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2013.

Nuk dihet nëse Greqia ka konsultuar NATO-n në lidhje me nënshkrimin e “Traktatit të Partneritetit Strategjik” me Serbinë, e cila është një shtet i lidhur ushtarakisht me Rusinë, që ka bazë ushtarake ruse në territorin e saj, që bën stërvitje të rregullta ushtarake me trupat ruse dhe që armatoset rregullisht me armë të sofistikuara ruse kundër shteteve të NATO-s si Kroacia dhe Shqipëria.

Nuk ka informacion nëse Greqia është konsultuar me NATO-n për vendosjen e bashkëpunimit ushtarak trepalësh si një nga drejtimet bazë të veprimit dhe të bashkëpunimit të aleancës së re Greqi-Serbi-Qipro. Këtë drejtim ushtarak e pohoi edhe ministri i jashtëm grek Dendias në konferencën e shtypit pas bisedimeve me dyer të mbyllura të tre ministrave të jashtëm.

Portali “vsimag.com” në 7 prill, me titullin “Një dimension i paeksploruar aktual në konsolidimin gjeopolitik ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Serbisë”, shkruante se “Këto përpjekje mund të kombinohen për të krijuar një strukturë të bashkëpunimit ushtarako-industrial midis Greqisë, Serbisë dhe Qipros, e cila mund të shërbejë si bazë për një qasje më të gjerë gjeopolitike”.

Nuk ka informacion nëse qeveria apo MPJ në Shqipëri kanë reaguar për këto zhvillime negative për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, sepse çdo aks i ri diplomatik dhe strategjik ortodoks në Ballkan, me tre apo katër shtete ortodokse, tehun e tij gjeopolitik dhe afatgjatë e ka në radhë të parë kundër interesave jetike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Demagogjisë së projektit serb të “mini Shengenit” i doli kallaji shpejt dhe shpresoj se dashuria infantile e Tiranës për atë projekt serb të jetë ftohur. Serbia dhe Greqia as kanë bërë dhe as nuk do të bëjnë kurrë aleanca të sinqerta shtetërore me Shqipërinë dhe me shqiptarët.

Aleancat shtetërore, diplomatike, gjeopolitike dhe strategjike ata i ndërtojnë me shtetet ortodokse. Le të shpresojmë se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do t’i forcojnë mirë frenat e historisë për të mos rënë në greminën e 1913, kur aleancat dhe traktatet e Serbisë me Greqinë gjymtuan trungun e atdheut dhe të kombit tonë.
Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të rrinë duarkryq përpara këtyre zhvillimeve negative rajonale.

Shqipëria duhet të ndërmarrë lëvizje dhe nisma adeguate diplomatike përballë kordonit sanitar gjeopolitik të shteteve ortodokse. Shqipëria mund dhe duhet të punojë për një nismë diplomatike të organizimit të grupimeve trepalëshe Shqipëri-Kroaci-Kosovë, si dhe Shqipëri-Kosovë-Turqi. Nuk thonë kot që diplomacia duhet të flerë me sytë hapur.

blank

Zoti President i Republikës, Gëzim Peshkëpisë duhet t’i ktheni përgjigje! – Nga Elida Buçpapaj –

Facebook-u më kujtoi një statusin tim të botuar më 15 prill 2013.

Pragfushata e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Deri atëherë LSI kishte bashkëqeverisur me PD.

Por pikërisht më 1 prill, në ditën e rrenave, Ilir Meta u divorcua me Berishën dhe bashkë me Edi Ramën nënshkruan marrëveshjen e turpit për të hyrë në Aleancë bashkëqeverisëse.

Të mos harrojmë se në janarin e 2011 Edi Rama me në krye Tom Doshin udhëhoqi protestatat e 21 janarit që shkaktuan 4 viktima dhe që kishin si casus belli Ilir Metën.

Në respekt të koherencës sime si gazetare po e sjell statusin e 15 prillit 2013 jo në mënyrë integrale: “Ilir Meta thotë se duhet rotacion, që shqip do të thotë që ai nuk duhet të rikthehet në qeverisje! Sepse Sali Berisha nuk mund ta çbëjë çiftëzimin katërvjeçar që pati me Ilir Metën. Sali Berishës i duhet të paguajë për gabimet e tij. Ndërsa PS po çiftëzohet aktualisht me bishtdredhësin që e kishte dëbuar si të padenjë nga shtëpia! Kjo vetëm demokraci nuk është! Në këto kushte, një pol i tretë i kishte fituar zgjedhjet e 23 qershorit.”

Kanë kaluar 8 vjet e në Shqipëri nuk ka as pol të tretë, se LSI shkon si patericë herë me PD e herë me PS. Në Shqipëri nuk kemi ende as Vjosë, as Donikë dhe as Albin.

Jemi përsëri në muajin prill, pas tetë vjetësh dhe Shqipëria ka 30 vjet në një gjendje stanjacioni. A kanë sy kryepolitikanët shqiptarë për të parë gërmadhën e shtetit dhe eleminimin e sistemit demokratik përmes akrobacive të tyre për pushtet!

Nuk jam gjykatëse dhe shkruaj nga pozitat e një gazetareje që ka ndjekur prej tri dekadash zhvillimet politike shqiptare, jam dëshmitare e papërgjegjshmërisë të klasës politike, e cila hyri në politikë me plaçkat e trupit si i gjithë populli dhe, tre dekada më vonë, e ka lënë popullin të zhveshur e të rreckosur dhe shtetin shqiptar të shpartalluar me themel, me kryerrëmimtarin sulltanin Edi Rama, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare, çka e bën të detyrueshëm rotacionin.

Presidenti Ilir Meta në kontakt me mediat denoncon diktaturën e sulltanit me shallvare e atlete dhe bën apel në mënyrë implicite për rotacion!

Sot Ilir Meta në prillin e 2021 kërkon rotacion për të hequr Edi Ramën .

Rotacion për të bashkëqeverisur me Edi Ramën kërkonte Ilir Meta në prillin e 2013.

Po cilin Ilir Meta të besojmë?

Ndërkohë që Shqipëria duhet të ndryshojë.

Ndryshim o sot o kurrë që do të thotë largimi i Edi Ramës është imperativ për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një nga figurat më emblematike të elitës së pavarur shqiptare, diplomati dhe studiuesi i shquar Shaban Murati ka kohë që ka vënë alarmin se në Shqipëri “po glorifikohen anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Sekretarët e Parë të Partisë së Punës nëpër rrethe, kryetarët e degëve të punëve të brendshme, gjeneralët e ushtrisë së atëhershme, kryeministrat dhe ministrat e qeverisë komuniste, shumë rrugë mbajnë emrat e tyre, madje disave u kanë ngritur edhe buste dhe fëmijtë e tyre janë bërë sot ministra si baballarët. Dhe që ikonografia të jetë sa më autentike: kushurijtë e Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Sulo Gradecit, etj. janë sot gurutë e partive kryesore politike shqiptare.”

Në këtë situatë dramatike, kur kryeministri ka kapur çdo qelizë të shtetit, Presidenti i Republikës është përpjekur që të mbajë qendrime konform kushtetutshmërisë. Ilir Meta po ashtu ka kundërshtuar korrigjimin e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në Kodin zgjedhor në prill të vitit 2008 nga Sali Berisha dhe Edi Rama që i vunë minat votës të lirë, parimit check and balance duke institucionalizuar klientelizmin dhe Njëshin ose kultin e individit përmes deputetëve të listave, që nga shërbëtorë të popullit janë kthyer në profiterë të paskrupuj dhe skllevër të kryetarëve të partive.

Dhe pikërisht në kulmin e fushatës zgjedhore, kur shqiptarëve u duhet mbushur mendja që votojnë për ndryshimin, Presidenti i Republikës Ilir Meta, që në publik i bën opozitë diktatorit Edi Rama, kryen një veprim që shkon plotësisht në favor të Edi Ramës! Presidenti Ilir Meta provokon gjithë shtresën e të përndjekurve politikë por edhe çdo shqiptar me ndërgjegje të pastër duke i dhënë dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Mehdi Bushatit, ish eksponent i Sigurimit të Shtetit, i denoncuar nga ish të burgosurit për egërsitë e tij gjatë diktaturës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gëzim Peshkëpisë, Antar i Bordit te Institutit studimit te krimeve te komunizmit, një monument i gjallë i vuajtjeve të regjimit totalitarist, që i ka provuar tmerret e diktaturës që fëmijë, i biri i Manush Peshkëpisë, i pushkatuar nga regjimi diktatorial, vetë i burgosur politik, i cili me një letër publike i drejtohet Presidentit të Republikës Ilir Meta duke i bërë apel që ta anullojë dekretin:

“Zoti President, Mora vesh per dhenien nga ana tuaj te dekorates se larte “Kaloresi i urdherit Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” kriminelit Mehdi Bushati.Turp ! Kete dekorate te larte te shtetit shqiptar e kam mbajtur me krenari e nderim me nje kornize ne studion time te varur ne mur ketu ne Gjermani. Them “e kam mbajtur” sepse nuk e mbaj me. Ate e hoqa dhe do ua kthej fizikisht ne çastin me te pare te mundshem. Te dy dekoratat jane ekuivalente, por ndryshimi qendron tek mbajtesit e tyre.Njera i akordohet nje familje te persekutuar keq nga regjimi komunist, ndersa tjetra nje persekutori sadist…Zoti President është në nderin tuaj ta anulloni këtë dekoratë. Bëjeni që mos t’jua mallkojnë Dorën me të cilën firmosët”.

Letra e Gëzim Peshkëpisë drejtuar Presidentit të Republikës është publikuar më 5 prill dhe deri tani ka mbetur pa përgjigje.

Poeti gjerman Heinrich Heine me rrënjë hebreje një shekull përpara se botën ta pushtonte terrori i kuq dhe terrori i zi shkruante: “Komunizmi zotëron një gjuhë të cilën çdo popull mund ta kuptojë – elementet e tij janë uria, zilia dhe vdekja.”

Edhe në dramën e tij “Almansor” shkruar më 1821, Heinrich Heine parashikoi në mënyrë profetike Holokaustin “Das war ein Vorspiel nur, dort wo man Bucher verbrennt man auch am Ende Menschen” që shqipërohet se “atje ku ata djegin libra, në fund të fundit do të djegin edhe njerëz ”.

Mbi njëqind vjet më vonë, në maj të 1933 në Opernplatz të Berlinit aktivistët e partisë naziste do të digjinin  mijra e mijra libra, duke përfshirë mdis tyre edhe veprat e Heinrich Heine-s, veprim mizor që  t’ju paraprinte krematoriumeve.

E solla Heinen si shembull për t’i kujtuar Presidentit të Republikës se Shqipëria është vendi që nuk e ka vënë ende shenjën e barazimit midis krimeve të nazizmit me krimet e komunizmit dhe nderimi me dekorata ish eksponentëve të sistemit totalitarist që u kanë shkaktuar dhimbje viktimave të diktaturës është antikushtetues për një sistem demokratik.

blank

QYTETARIA ËSHTË FITORE, FITORJA JO GJITHMONË ËSHTË QYTETARI – Nga HAMIT TAKA

 

Qytetaria është gjithmonë fitore, fitorja jo gjithmonë është qytetari. Të hysh në betejën elektorale me mjetet e metodat demokratike për të arritur fitoren është qytetari, ndërsa me ato antidemokratike nuk është qytetari; gjuha e qetë në fushatën zgjedhore është qytetari, gjuha e ashpër nuk është qytetari; të argumentosh me fakte gabimet e mosarritjet e qeverisjes gjatë mëndatit qeverisës është qytetari, të shash opozitën çdo ditë nuk është qytetari; të pranosh ballafaqimin e dy liderëve të kampeve rivale, është qytetari, të mospranosh nuk është qytetari…

Mungesa e qytetarisë gjatë fushatës elektorale nervozon e nxit konflikte, kurse shpalosja e programeve me kulturë  e qytetari u jep kohën e qetësinë e duhur votuesve, për të njohur e krahasuar programet. Gjykimin dhe verdiktin e bën dhe e jep sovrani ditën e votimit në kutinë e votimit. Të shembësh me votë modelet e vjetra dhe të fitosh me votën e pastër të qytetarëve, është qytetari, se do të thotë të përqafosh shpresën.

Natyrshëm të gjitha subjektet politike në garën zgjedhore të 25 prillit, për qeverisjen e vendit katërvjeçarin e ardhshëm, synojnë fitoren. Problemi qëndron te mënyra dhe mjetet që përdoren për të arritur fitoren. Përvoja tridhjetëvjeçare ka treguar se shpesh metodave dhe mjeteve demokratike të ndërrimit të pushtetit ua kanë zënë vendin metodat jodemokratike, ku më tepër ka spikatur shitblerja e votës, frikësimi i votuesve për pushime nga puna ose joshja me punësime në administratën e ardhëshme e deri te metodat e dhunshme të frikësimit dhe kërcënimit. Këto janë metoda të pandershme dhe nuk kanë të bëjnë fare me qytetari, civilizim apo demokratizim të shoqërisë.

Çdo ditë flasim për kushtet jo normale të zgjedhjeve të 25 prillit nga shkaku i pandemisë akute dhe pasojave të saj. Të gjithë prisnim për këtë arsye një fushatë më të qetë, më të kontrolluar dhe më të ekuilibruar, por nuk ndodh ashtu. Dhe balanca prishet nga pozita dhe jo opozita. Eshtë vërtetë e habitshme të shikosh se si pozita, e cila ka të gjitha avantazhet, pasi ka qeverinë, administratën shtetërore, ka tërë pushtetin vendor dhe administratën lokale të fryrë si tollumbace muajt e fundit, ka median , për të mos thnënë edhe Komisionin Qëndror të zgjedhjeve dhe është aq agresive ndaj opozitës, e cila ka vetëm fjalën dhe një program të detajuar he shpresdhënës.

Sivjet kemi një fushatë zgjedhore ku spikasin ndryshimet skajore të dy shefave të dy kampeve. Zoti Rama, që e përfaqëson i vetëm pozitën, ndonëse duket më konform rregullave të pandemisë si përfaqësues i shtetit, është i pafre në sulmet, sharjet dhe fyerjet ndaj opozitës, shkurt me një gjuhë fare pa qytetari. Shefi i opozitës, zoti Basha, ndonëse duket inkorrekt me rregullat e pandemisë, me qëllim për t’i dhënë pak entusiazëm dhe optimizëm opozitës, paraqitet shumë i qetë, i përmbajtur dhe nuk sulmon asnjë kundërshtar politik personalisht, as vetë kreun e qeverisë, mbi të cilin bie pesha e keqqeverisjes atje ku ekziston.

Pushteti i sotëm politik rreket të ngurtësohet, në varësi të ekipeve të militantëve dhe mercenarëve, që në këtë vend na i la peshqesh diktatura 45-vjeçare, të cilët ndërrojnë padronët në varësi të interesave materiale të ofruara në tregun e këmbimit elektoral. Presioni i heshtur apo i hapur mbi shoqërinë civile, pafuqia dhe përkuljet që ajo pëson, po rëndojnë në formimin e komunitetit të gjerë të shqiptarëve bashkëkohorë, të emancipuar nga pikëpamja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë, qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë dhe të Europës. Një media e kontrolluar, një shoqëri civile, që po tkurret nën peshën e falangave partiake e pushtetare, të cilat fshijnë çdo gjë që u del para, duke u bërë patericë e pushtetit, i kundërvihet demokracisë e qytetarisë për zgjedhje të lira e të ndershme

Në një vend me tre milionë banorë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga pikëpamja e menaxhimit administrativ të territorit, për çdo demokraci të mirëfilltë, punët, arritjet progresive politike dhe ekonomike, do të kishin qenë krejtësisht të lehta për t’u përftuar, sikur drejtuesit politikë të këtij vendi, të kishin pasur formime (të ngulitura natyralisht) ideologjike e politike, liberale dhe demokratike, të zhveshura tërësisht nga tradita komuniste e dyfaqësisë së sjelljes e të mendimit, të veprimit dhe të komunikimit politik. Për fatin e keq, pjesa e emancipuar dhe e qytetarizuar e shoqërisë sonë, me formim të mirëfilltë europian dhe perëndimor, vazhdon ende të jetë e reduktuar në masë, e paarritur në cilësi, jo mbizotëruese në opinion dhe në vendimmarrje, nën peshën e rëndë të mbijetesës sociale dhe familjare. Kjo mungesë nuk mund të mbulohet më me mjegullën rozë të propagandës së shfrenuar të mazhorancës apo edhe të nxirjes së gjithë punëve të qeverisë.

Nëse nuk do të kemi edhe këtë herë zgjedhje të lira e të ndershme, Shqipëria jonë do të vazhdojë ngecjen në kënetën e vet të patharë postkomuniste, pa mundur dot të dalë në detin europian, pasi mbetet produkt i vizioneve të ndryshme që shoqëria jonë ka për të ardhmen e saj brenda gjirit të vet kaq heterogjen politiko-kulturor e social, produkt i konceptimeve krejt të kundërta mbi vendin real të Shqipërisë. Shqipëria, kështu siç është, pa u dekomunistizuar dha pa u dekriminalizuar, ka treguar në vazhdimësi se nuk ka forcë për t’u ndarë nga e keqja e saj.

blank

“PAGA E VOGËL, FITIMI I MADH!” PASURIA PA MBULESË, KONFISKIMI I DOMOSDOSHËM – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

    “Nga e thëna, deri tek e bëra”,- ndanë një det i tërë. Deklarimi i pasurisë për zyrtarët e lartë shtetërorë dhe politikanët, është normë, pothuajse, e përbotshme. Një shtet, mirë i organizuar, heton, zbulon dhe, ligjshëm, ndëshkon, kur pasuria nuk justifikohet, me pagën e marrë. Ky rregull krijon bazën e profilaksisë, parandalimit “të sëmundjes korruptive”, një “epidemi” e përbotshme.

    I. Vërtet, edhe në Kosovë, zyrtarët e lartë shtetërorë, politikanët e rëndësishëm, obligohen, ligjërisht, të deklarojnë pasurinë e tundshme dhe të patundshme, siç janë paratë e gatshme, të depozituara, veturat, shtëpitë, banesat, tokat dhe të tjera.

     Nga përllogaritja profesionale e bërë, rezulton se pasuria e tundshme dhe e patundshme, e të gjithë zyrtarëve të lartë dhe e politikanëve të Kosovës, të para luftës, të marrë së bashku, nuk kalonte shifrën e 5 (pesë) milionë euro. Ndërkohë, sot, shumë zyrtarë zotërojnë miliona, veç e veç!

     Pse-ja dihet. P.sh. edhe për një defiçit, qoftë edhe për 400 marka mangësi, në arkën e shtetit, ligji monist i Kosovës e ka dënuar vjedhësin me 4 (katër) vjet burg efektiv. Kurse sot zbulohen milionat e vjedhura nga shteti dhe ka hapësirë, jo vetëm për t`i shpëtuar ndëshkimit ligjor, por, vazhdon njëjtë, pa cënuar as karrierën e mëtejmë politike!

     Zyrtarët e sotëm, të vjetër dhe të rinj, në moshë dhe karrierë, kanë përgaditur, paraprakisht, infrastrukturën, që mundëson korrupsionin, përkatësisht, hajninë zyrtare. Në krye të kësaj hajnie, u vunë ish-komandantët e “luftës”, të cilët, realisht, në pjesën më të madhe, jo vetëm nuk ishin pjesë e luftës, por, përkundrazi, me dashje apo padashje, kanë sabotuar luftën, madje, të ndihmuar nga Tirana zyrtare social-komuniste, Sigurimi francez, për të ardhur ke lidhjet konspirative me Serbinë.

     Baza ligjore, për kontrollin mbi vërtetësinë e burimeve të pasurive pa mbulesë, të zyrtarëve shtetërorë dhe të politikanëve tanë, ekziston. Por, ndërhyrja e politikës, në sistemin e drejtësisë, duke emëruar prokurorë e gjyqëtarë nepotikë dhe korruptivë, pengon, deri në stopim, hetimin dhe ndjekjen penale, të të pasuruarëve të paligjshëm. Rrjedhimisht, drejtësia është e kapur, pikërisht, nga kapësit e institucioneve shtetërore e deri në kapjen edhe vet shtetin!

    Deklarimi i përvitshëm të pasurisë, nga zyrtarë shtetërorë dhe politikanët, duke llogaritur pagën zyrtare në institucionin e shtetit dhe tejkalimi i pasurisë, mospërputhja, zbulon pasurinë e pa mbulesë. Dhe, për këtë organet kompetente, duhej të vepronin, të hetonin dhe zbulonin korrupsionin, burimin e përfitimeve korruptive, hajnore. Por, në kushtet aktuale, vështirë të ndodhë kjo. Sepse, drejtësia, gjyqësia, si pushtet i ndarë, udhëheqja shtetërore, qeveria, nuk ka qasje në veprimtarinë e saj, ligja nuk lejon ndërhyrje.

     Partia fituese, koalicioni në pushtet, ka premtuar luftë krimit të organizuar, korrupsionit, deri në çkapjen e shtetit. Qeveria Kurti 1, për ta përgaditur kuadrin ligjor, formoi Komisionin e juristëve të pavarur, për ta bërë Vettingun e nevojshëm. Por, abuzuesit e pasurive të brezave shqiptarë, bythë-laskuriqët e djeshëm, milionerë të sotëm, u aktivizuan dhe rrëzuan qeverinë-Kurti!

    Kumbar i krijimit të qeverisë-Hoti, përkatësisht, LDK-PAN, ishte Hashim Thaçi. Edhe pse ishte i gatshëm, Komisioni i pavarur për Vettingun, qeveria-Hoti formoi një Komision tjetër, nga gjyqëtarë, të cilët ishin pjesë e kontigjentit për hetim, sabotuan hetimin dhe mashtronin opinionin, sikur po hetonin.

     II. Është iluzive të besohet, që të inkriminuarit në krime gjithfarëshe, në hajni zyrtare, në kapjen e të gjitha institucioneve shtetërore, ta bëjnë drejtësinë. Pa një Vetting, mirë të organizuar, as që mund të shpresohet për një hetim të pasurive pa mbulesë dhe, aq më pak, sekuestrimi, konfiskimi i këtyre pasurive të uzupruara, të grabitura, të vjedhura, madje, zyrtarisht, siç janë shumë nga privatizimet abuzive.

     Janë mijëra hektarë tokë të privatizuara, me çmime qesharake. Janë blerë metrat me vezë, dikur, për t`i shitur, sot, me lopë! Arsyetimi i pasurisë të patundshme, prej qindra hektarësh tokë të privatizuar, kryesisht, nga ish-komandantët, ekziston dokumentacioni përkatës ligjor. Por, ndonëse, blerja privatizuese, nuk është e justifikuar, nuk është punuar dhe shfrytëzuar, por, thjeshtë, bllokuar. Për më keq, sipërfaqja madhore e saj, ka shërbyer për të vjelur para të majmë, nga shteti, sipas një ligji favorizues për bujqërit, për ta stimuluar punimin e tokave, të cilat, me shumicë janë lënë të djerra ose livadhe.

     Kjo vlen edhe për objekte industriale, troje, lokacione me hapësira të mëdha, të privatizuara me mashtrimin e investimit dhe të punësimit të të papunëve! Të gjitha privatizimet, qofshin tenderuese apo “partizançe, me pushkë”, janë përfituese reciproke, dhënësi zyrtar dhe marrësi privat. Në këtë mënyrë, është shpërdoruar dhe abuzuar, me pasuritë e brezave shqiptarë.

     Janë masive kontratat fallse, që bartin emrat e farefisnisë apo të miqësisë. Ndërkohë që, prapa tyre fshihet pronari i vërtetë, zyrtar i lartë shtetëror, apo politikan i regjur mafioz. Kjo e vështirëson hetimin dhe zbulimin e pasurive të paligjshme, duke e vështirësuar konfiskimin e tyre. Përveç Prokurorisë, Gjyqësisë, në rastin e hetimit dhe të zbulimit, duhet të ndihmojë edhe shërbimi intelegjent i Kosovës dhe qytetarët, atdhedashës të devotshëm.

    Një ditë para zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, koalicioni qeveritar LVV-Lista “GOXO”, paralajmëroi ligjin, për hetimin e pasurive të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të politikanëve. Nëse pasuritë janë fituar me meritë, nuk do të kenë asnjë pasojë, sepse prona e bërë me ndershmëri është e shenjtë dhe, si e tillë, respektohet dhe mbetet e paprekshme. Por, në të kundërtën, nëse pasuria nuk ka mbulesë, Gjykata, në bazë të ligjit, për konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme, duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Ky ligj do të këtë efekt për të gjithë kohëzgjatjen e pas çlirimit.

     Prokurorët, hetuesit, gjykatësit profesionstë të kësaj çështjeje, duhet ta kenë parasysh trashëgiminë; bizneset e suksesshme dhe të ndershme; punësimi i gjatë në Mërgatë, të krahasohen dhe, nëse rezulton përputhshëm, të mos preket.

                           – V a z h d o n –

blank

Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë për jetë e vdekje! – Nga Aurel Dasareti*

 

Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazëri. Një unitet gjithëkombëtar të pathyeshëm, të mbështetur në qëllimet e interesat e përbashkëta. Bashkim të fortë dhe të pandashëm, kudo që gjendemi, pavarësisht nga ndryshimet e parëndësishme që janë plotësisht normale në të gjitha vendet.

***

Rrëfej një ngjarje nga përvoja e babait tim kur bëhet fjalë për “miqësinë” tipike serbe ndaj shqiptarëve.

Ulërimat e pandërprera serbe të këtyre 30 viteve, sidomos në stadiume sportive: “Shqiptari mirë, shqiptari vdekur”, duhet të merren shumë seriozisht. Përndryshe, Kosova si “shtet” me këta tradhtarë me 30 vjet dështimi në pushtet – do të mbetet vetëm me disa katunde.

Qershor 1987, babai im, psikolog, atëherë 32 vjeçar, ka qenë në një konferencë shkencore në Gjermani. Pas konferencës, në Berlin merr trenin për në Budapest, Hungari e pastaj do të udhëtonte për Austri e kthehet në Amerikë. Në të njëjtin kupe hyn një udhëtar i moshës 60 vjeçare që do të udhëtonte direkt për në Beograd nëpërmjet Budapestit. Udhëtari përshëndet në gjuhën gjermanishte, prezantohet si serb dhe se gjatë kohë punon në Gjermani si inxhinier ndërtimi. Babai im e dinë gjuhën gjermane, i tregon se ka lindur dhe jeton në Amerikë, kinse është serb me prejardhje por “mjerisht” nuk e di gjuhën “amtare”. Babai e pyetën rreth vizitës së Millosheviç-it në Fushë Kosovë (prill 87) dhe deklaratës para hordhive serbe: “Askush më nuk do të guxojë t`ju rrahë juve.”

Përgjigja e serbit ishte: “Mbaje mend o serb i mirë, në gjakun e damarëve tanë serbe-sllave nuk vdes kurrë  urrejtja jonë e pakufishme ndaj shqiptarëve. Me Slobodan-in në pushtet ëndrra do të realizohet. Fjalimi i tij ishte vetëm një alibi i planifikimeve tona të vrasim 500.000 shqiptarë të Kosovës dhe Metohisë, një pjesë prej tyre do të ikë në Perëndim, tjetrën do ta dëbojmë për në Shqipëri. Ata pak që do të mbesin do t`i asimilojmë ose…”

***

Fragmente nga ditari im luftarak: “Dera e pestë e ferrit”, qershor 1994.

Ne i premtuam njëri-tjetrit vëllazëri nën lisin e vjetër duke prerë gishtat e njëri-tjetrit me thikën ushtarake që bartnim në rrip, dhe duke përzier gjakun. Të gjitha dallimet, në klasë, gradë, vendndodhje dhe fe, u mposhtën në atë momentin e ndjenjës së stuhishme të vëllazërimit(…).

Kur fjalët u zhdukën, sidoqoftë ishin disa që i gjetën – fjalët që ngushëllonin, fjalët që frymëzuan, fjalët që jepnin shpresë. Kur guximi dështoi, ishin akoma disa që guxuan. Kur lotët rridhnin, kishte nga ata që i mbanin të vetët, dhe më me dëshirë i fshinin ato të mikut…

Janë lulet që bëjnë përshtypjen më të fortë. Ato janë kaq të vogla. Ato shtrihen deri në qiell, si kujtime të paepura për gjithë atë bukuri që ai mori. Si konfirmime të dhimbshme se bota megjithatë është duke ecur përpara.

***

Fëmijët që qajnë, pleqtë që vuajnë nga pafuqia, gratë e masakruara në diellin e fundit të ditës së vdekjes. Mpiksjet e gjakut në rrokjen brutale të ngricës. Kurrë nuk do të harrohet gjaku i viktimave. I atyre që vuajtën më shumë në gjenocidin e radhës (1998-99) të kryera në Kosovë nga forcat pushtuese barbare serbe.

***

Ashtë kënaqësi të dëgjosh se një bazë ushtarake do të ndërtohet në Mitrovicë.

Teoria ushtarake është një përvetësim dhe analizë e bazuar shkencërisht e njohurive rreth përdorimit të forcës ushtarake për të qenë në gjendje të shpjegojë dhe kuptojë luftën, dhe sesi lufta mund të kontribuojë në arritjen e objektivave të përgjithshme politike në një mënyrë efektive dhe të përshtatshme. Teoria ushtarake është një fushë e gjerë që përfshin analizën e luftës, natyrën e luftës, ushtrinë dhe shoqërinë, organizimin, vendosjen, mbështetjen dhe udhëheqjen e forcave të armatosura, strategjinë ushtarake, operacionet dhe taktikat.

Lufta është burimi i të gjitha gjërave. Lufta ndoshta, në një masë më të madhe se çdo faktor tjetër i vetëm, ka kontribuar në formimin e regjimeve dhe shteteve, ka shkaktuar formimin dhe rrëzimin e regjimeve dhe shteteve, dhe ka qenë një nxitje e përparimeve teknologjike. Vështrimi në teorinë ushtarake është gjithashtu një burim i rëndësishëm si për të kuptuar historinë, për ngritjen dhe rënien e regjimeve dhe shteteve, ashtu edhe për mënyrën se si shteti në kohën tonë mund të mbrojë më së miri interesat e tij të sigurisë në kohë paqeje.

Udhëheqësi ushtarak thekson listën e luftës dhe befasinë.  Shpejtësia është çelësi në të gjitha luftërat. Është çështje e shfrytëzimit të mungesës së gatishmërisë së armikut, avancimit atje ku ai më pak e pret dhe goditja e tij atje ku është më pak i përgatitur.

Ideale është fitorja pa gjakderdhje. Kursi më i mirë i veprimit është për të marrë një shtet të paprekur. Për të mposhtur armikun pa përdorimin e forcës është kulmi i aftësive. Unë gjithashtu theksoj tërësinë e elementeve përbërëse dhe mungesën e largpamësisë (parashikimeve) për shkak të natyrës së tij të ndërveprimit midis dy aktorëve. Prandaj, arti i luftës nuk i nënshtrohet rregullave precize.

Në Artin e Luftës, ne gjejmë formulimin e parë të parimit të rekrutimit: Një organizatë e themeluar nga shteti, e financuar dhe e pajisur e qytetarëve. Lidhur ngushtë me rekrutimin është kërkesa për monopolin e shtetit mbi luftën dhe dhunën. Luftërat nuk do të zhvillohen nga “individë privatë”, nga fisnikët ose nga “kontraktuesit e luftës”. Çdo fitim nga një luftë duhet t’i shkojë shtetit, jo individëve. Luftëtarët duhet t’i nënshtrohen logjikës politike të shteteve dhe sistemeve shtetërore, as logjikës tregtare të tregjeve, as tekave, mundësive ose nevojave të individëve.

***

Ne kurrë nuk do t’i harrojmë ata që gjatë dekadave dhe shekujve sakrifikuan jetën e tyre në rrugën tonë për liri, dhe ne do të mbajmë vullnetin për sakrificë, kështu që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në Shqipërinë për të cilën kanë luftuar paraardhësit e tyre të guximshëm. Heronjtë që vdiqën duke mbrojtur ëndrrat e miliona bashkatdhetarëve të tyre do të jenë gjithmonë ylli ynë udhëzues. Ishte guximi, vendosmëria dhe virtyti i tyre që na kujtoi neve dhe pjesës tjetër të njerëzimit një të vërtetë universale që shumë shqiptarë duket se e kanë harruar: Fuqia e kombit do të jetë gjithmonë më e fortë se njerëzit në pushtet.

***

PS: Këtë letër e kam shkruar në kopshtin e shtëpisë time. Ku sonte qielli ishte i bukur dhe me yje mahnitës në një tokë të pushtuar nga dielli.

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

blank

George Orwell në Shqipërinë e Edi Ramës – Nga XHAFER SHATRI

Mediet në Kosovë, për çudi, nuk i kushtuan asnjë rëndësi trajtimit orvelian që i ka bërë Partia Socialiste, në pushtet, të dhënave private të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë:
Emri, mbiemri, emri i babait (nuk e di pse jo edhe i nënës!), numri personal, numri i telefonit, numri i zonës zgjedhore dhe krejt në fund: pikëpamjet politike të qytetarit (të të gjithë qytetarëve një për një) në vëzhgim si dhe personat (me emër e mbiemër) që ua kanë konstatuar ato pikëpamje dhe mund të ndikojnë për t’ua ndryshuar ato! Pra vullnetin politik të çdo qytetari veç e veç.
As në romanin e George Orwel- it “1984″, nuk ka kësi sistemi të përkryer kontrolli e syrvejimi.
Madje as në kohën e Enver Hoxhës nuk kanë mundur të jenë kaq efikas.
Në listë janë të gjithë: të papunë, të punësuar, përfshirë këtu gazetarë, protagonistë të estradës, gjykatës, prokurorë, mjekë, ushtarakë e madje edhe shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar! Ky i fundit e kishte votën e sigurtë për partinë e Edi Ramës! Nuk është çudi! Prandaj është aty!
Lista e vjedhur nga organet e shtetit, u është shpërndarë të gjitha degëve të Partisë Socialiste gjithandej Shqipërisë dhe gjahu për vota është intensifikuar maksimalisht.
Ose hunin, ose tirçit!
Ndërkaq mediet e Kosovës bënë shumë zhurmë, edhe më tepër se që do të duhej, për haxhillëkun e qeveritarëve tanë dhe të Kryeministrit Kurti në Shqipëri.
Zemra ma thotë se Kurti me shokë kishin të drejtë dhe këtë për shumë arsye:
– T’i mbështesin kandidatët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit, sepse mbi 10 vjetë janë përpjekur bashkë për t’i thyer praktikat e tabutë që shqiptarëve ua kishin caktuar kufijtë, mënyrën e sjelljes brenda tyre e deri edhe ëndërrat!
– Me kontribu që këneta politike në Shqipëri me u pastru sadopak nga krokodilët e shumët që asaj po ia thejnë gjymtyrët e po ia ndalin rritën.
– Me ia rritë ndikimin Boiken Abazit me shokë, sepse, në pikëpamjen time, përfaqësojnë modelin e politikanit për të cilin ka aq shumë nevojë Shqipëria: idealistë, të përgatitur në të gjitha pikëpamjet, të vendosur, të papërlyer dhe të gatshëm me ia hjekë Shqipërisë nga qafa bollat që po e ngulfatin e po ia pijnë gjakun qe 75 vjet.
Ndërkaq mendja më thotë krejt ndryshe:
Shqipëria, historikisht, e ka dëshmuar se nuk mund të bëhet kurrë Piemonti i shqiptarëve. Në asnjë pikëpamje.
Kosova po, sepse këtu ka idealizëm, ka vizion, ka vendosmëri, ka gjerësisht gatishmëri të dëshmuar për të vdekur, në rast nevoje, për të e për çështjen shqiptare përgjithësisht.
Por Kurti me shokë duhet ta dijnë se shqiptarët janë kështu siç janë për shkak se asnjë projekt të tyrin nuk e çojnë deri në fund. E nisin një dhe, pa i shkuar në gjysmë, ia nisin një tjetri, për ta bërë më bërllog të dytin se të parin. E vice-versa!
Kurti më së shumti mund ta ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë, duke u koncentruar ekskluzivisht në Kosovë, duke e bërë atë një shtet model, një shtet evropian në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Të gjitha kushtet i ka për t’ia arritur kësaj.
E kam vërejtur kaherë një gjë: sa herë që Kosova është në krizë, cilado qoftë ajo, sa herë ajo ka nevojë me u marrë me punët e saj, shtohen zërat për “bashkim“ kombëtar. Zhurmaxhinjtë e tillë më duken të cekët dhe qesharakë. Ata nuk e dijnë fare se një projekt i tillë kërkon dije, kohë dhe shumë punë. Fjalë, zhurmë e shkumbë à la shqiptarqe më së pakut.
Kush i pengon Kosovën apo Shqipërinë që ta kenë një treg të përbashkët, një përplotësim reciprok të nevojave të tregut të brendshëm, të kenë njësi të unifikuara antiterroriste, të kenë organe të mirëkoordinuara për ta luftuar krimin e organizuar, të kenë ekipe të përbashkëta agjenturore për t’iu kundërvënë armiqve të kombit shqiptar, të kenë institute të përbashkëta për hulumtime e projekte shkencore, të kenë ushtrime të përbashkëta ushtarake, të kenë ekipe të përbashkëta diplomatësh që merren me çështje strategjike, siç është mbrojtja e shqiptarëve dhe e të drejtave të tyre pavarësisht se ku jetojnë etj., etj….?
Askush. Ama bash askush!
Kushdo që merr vesh në politikë e di se aktualisht projekti më madhor i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, është bërja e Kosovës shtet normal, mbrojtja me çdo çmim e integritetit territorial dhe sovranitetit të saj.
Ta përfundojmë këtë projekt njëherë e mirë e pastaj shohim e bëjmë.
Deri atëherë kemi shuuumë për të bërë, prandaj t’i lëmë fjalët koti dhe t’i përvishemi punës.
blank

MANASTIRIN E DEÇANIT E MBROJNË SHQIPTARËT. TË VAZHDOJË NDËRTIMI I AUTO-RRUGËS DREJT PLAVËS – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

    “Po ju shkruaj me shkas, lidhur me auto-rrugën Deçan-Plavë”. Kështu e pata filluar dhe dërguar një letër, nëntorin e shkuar, drejtuar kryetarit të komunës të Deçanit, Bashkim Ramosaj; gazetarit dhe kryetarit të Intelektualëve deçanas, Adem Lushaj; publicistit dhe redaktorit të RTK, Zekë Sinanaj, kur, me ndërhyrjen e kishtarëve të Deçanit, u ndërprenë punimet e auto-rrugës, në drejtim të Plavës.
     Zemra mal na bëhej, kur shikonim çarjen e bjeshkëve, lidhjen me Plavë-Gucinë-Vuthaj e Qafë-Borit, Valbonë, për ta përshkuar Malësinë e Mbishkodrës, e deri në Adriatik dhe Ulqinin tonë bregdetar. Pra, një arterie rrugore, tejet domëthënëse.
     Si qytetarë, jemi të shqetësuar. Dhe, ky shqetësim kalon kufinjtë e Deçanit, Dukagjinit dhe shtrihet përtej në Kosovë dhe më gjerë.
     1) Krimi ka ndodhur kur është zgjëruar eksteritorialiteti i Manastirit dhe Kuvendi e Kushtetuta e Kosovës e kanë ratifikuar, aprovuar;
     2) Më 2014 Hashim kryeministri i atëhershëm ka sugjëruar një rrugë – kodra pas bregut -, me ngritje e zbritje të kushtueshme dhe të mundimshme, siç e ka përvijuar e sqaruar bindshëm kryetari Ramosaj. Dhe, tani, asaj linje i referohen kryeprifti Janjiç dhe Beogradi zyrtar. Madje, presidenti serb Vuçiq, thotë prerazi se “devijimin e rrugës kryesore, në një rrugë dytësore, e ka sugjëruar dhe aprovuar Hashim Thaçi!” Për ironi, edhe pas këtij skandali fatal për Kosovën, presidenti dhe kryetarja e Gjykatës, vegël e të parit, vazhdojnë të jenë në detyrë!!
 
     Çfarë duhet bërë tani?
     1. Mendoj se rruga duhet të vazhdojë në vijim – në thellësi të bjeshkëve, pavarësisht ndalesës të fillim- rrugës ke Kisha, ku duhet stopuar, aktualisht, për ta shmangur konfrontimin me ndërkombëtarët. Ndërkohë, pushtetarët duhet të kenë kujdes në deklarimet paushalle, në favor të Janjiçit dhe të Vuqiçit, siç bënë kryepartiakët e mi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti, se “duhet respektuar vendimet e Kuvendit dhe të Kushtetutës”, për “pronësinë” imponuese dhunshëm, të Manastirit të Deçanit.
     2. Ju, treshja publike e Deçanit, Bashkim Ramosaj, Adem Lushaj, Zekë Sinanaj, që jetoni me hallet e komunitetit  deçanas me rrethinë, mendoj se duhet të koordinoheni në një nismë, për ta zgjidhur, të paktën, kontestin e rrugës, për të mos lejuar devijimin e saj të panatyrshëm, rrjedhimisht, të panevojshëm dhe alogjik. Mendoj se duhet të kontaktoni dhe të bisedoni me shefat e KFOR-it lokal e qendror; me ambasadorë të Quintit, në veçanti, me atë amerikan.
     Arsyetimi bazë duhet të jetë nevoja akute e shfrytëzimit të kësaj rruge, nga popullata zonale e Deçanit me rrethinë; lidhja e tri shteteve, përkatësisht, Kosovë-Mal të Zi,-Shqipëri-Bregdeti Adriatik.
     3. Kryeprifti Janjiç, si arsye kryesore ka potencuar zhurmimin e përhershëm, që prodhon rruga buzë Manastirit. Dhe, mungesa e qetësisë së natyrshme, që duhet të këtë një objekt kulti.
     Nga përvoja okulare, pamore, që kam hasur, përgjatë tri dekadave në shtetet e Perëndimit evropian, zhurmimi pretendues nga kryeprifti Janjiç, mund të zvogëlohet, madje, deri në përmasën minimale, deri në nulitet, shqetësuese të banorëve kishtarë dhe më gjerë. Ndërkohë, siguria e Manastirit është dëshmuar në dekada dhe shekuj. Dhe, ashtu do të vazhdojë përjetësisht, sepse shqiptarët, si popull me prejardhje burimore të krishterë, e konsiderojnë kishën e tyre shpirtërore e faktike.
     Ekipi Juaj simpatik, pasi të jeni konsultuar edhe me ndërtuesin e rrugës, ose firmë speciale, përkatësisht, specialistë, ta zëmë, nga Gjermania, e cila praktikon në stil të gjerë zhurmë-mbytësit, shurdhuesit buzë vendbanimeve, të të gjitha përmasave të auto-rrugëve dhe të linjave hekurudhore.
     Pllakat zhurmë-mbytëse, shurdhuese kanë kosto të përballueshme, zënë hapësirë të pakët shtrirëse dhe minimizojnë çfarëdo zhurmimi, deri në masën e papërfillshmërisë.
     Këtë fakt e zotim duhet përdorur me të gjithë, bashkëbiseduesit relevantë ndërkombëtarë dhe palën ankuese serbe.
     (Këtë çështje e kam trajtuar edhe në shkrimin, të cilin po ju dërgoj ngjitur letrës).
     Ju drejtohem Ju, zotërinj Sinanaj dhe Lushi, që ju konsideroj miq të denjë dhe zotëri Ramosaj, në cilësinë e kryetarit të komunës të Deçanit, i cili në të gjitha paraqitjet e tij publike, përgjatë krizës, deri në stopim të ndërtimit të rrugës, ka shkëlqyer me argumentimet e tij.
      Shkrimit ia bashkangjes edhe fotografitë e tri llojeve të mbytës-zhurmave nga Gjermania.
1) Plan-skema e përmasës të zvogëlimit të zhurmave dhe të dhënave të tjera sqaruese;
2) Tri mënyrat, llojet e materialeve, për mbytjen, shurdhimin e zhurmave, për mosshqetësimin e banorëve, të cilët jetojnë në shtëpitë buzë auto-rrugave dhe linjave hekurudhore.
blank
blank
blank
 NDËRPRERJA E PUNIMEVE NË DEÇAN – PJELLË E SHANTAZHIMIT
     I shantazhuari Hashim Thaçi, duke mos u provuar asnjëherë me votën e lirë të fshehtë demokratike zgjedhore, të partisë dhe të popullit, pushton partinë e tij, PDK-në, Parlamentin, Gjykatën Kushtetuese dhe ratifikon, ligjëson tjetërsimin e tokave, në favor të Manastirit të Deçanit dhe të devijimit të rrugës, duke pamundësuar lëvizjen normale, në rrugën ekzistuese klasike.
     Shantazhimi është krim që pjellë krimin. SHIK-u, i krijuar enkas për hartimin e dosjesve, me qëllim të shantazhimit të çdokohshëm të kundërshtarëve politikë, ka përcjellur rivalët klanorë, brenda LDK-së, i ka joshur e kompromentuar, si hisedarë në biznese të pista shumëmilionshe, tendera e terminale. Disa nga të shantazhuarit, prej shumë vitësh janë vënë në shërbim të PDK-së, pavarësisht të injorimit brutal, që i ka bërë LDK-së dhe krerëve të saj.
     Ndërkohë që populli i komunës së Deçanit dhe kryetari Bashkim Ramosaj e mbrojnë, me të drejtë, ndërtimin e rrugës drejt Plavës, kryeministri Hoti dhe shefi i tij, Isa Mustafa, dalin përkrah priftit Janjiç dhe të Beogradit zyrtar se, kinse, “duhet repspektuar vendimet e Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese”, të dirigjuara nga Hashim Thaçi! Pavarësisht pazareve të pista të Hashimit të shantazhuar, kryeministri Hoti dhe LDK-ja, duhej të ishte në krah të popullit, duke i bindur kishtarët dhe ndërkombëtarët se “nuk mund të ndëshkohet populli, për teket dhe pisllëqet e bëra nga Hashimi me priftin Janjiç dhe Beogradin!”
     Fundja, ankesat e priftit Janjiç se rruga pranë Manastirit prishë qetësinë e mjedisit, ka zgjidhje, mjete e mekanizma, që surdinojnë, shurdhojnë zhurmimin. Ata që kanë pasur rastin të udhëtojnë në Evropë, kanë parë zhurmë-shurdhues, të ngritur pranë shtëpirave buzë auto-rrugëve dhe linjave hekurudhore. Pllaka të tilla janë praktike dhe kanë një përdorim të gjerë. Nuk e kuptoj pse askush nuk ka sugjëruar diçka të tillë.
     Kryetari Ramosaj, popullata e komunës së Deçanit dhe populli i Kosovës, duhet të jenë unik e këmbëngulës, për realizimin e rrugës, në projektimin aktual të saj. Çdo tendencë, për ta devijuar auto-rrugën, me lakoret “kodra pas bregut”, me ngritjet e zbritjet e panatyrshme dhe idioteske, nuk do të ishte kurrëfarë zgjidhje praktike dhe as funksionale.
       Asnjë ushtri e botës, përfshi këtu edhe KFOR-in, nuk mund ta mbrojnë kishën tonë, Manastirin e Deçanit. Atë e ka mbrojtur populli i Kosovës dje, e mbron sot dhe do ta mbrojë nesër. Përndryshe, po të mos ishte vullneti dhe përkujdesja e shqiptarëve, për mbrojtjen fanatike të këtij kulti fetar kishtar, sot, jo vetëm nuk do të ekzistonte si objekt rrezatues, por as gjurmë nuk do të kishin mbetur.
     Lehtësia garantuese e shtetit, qeverisë së Kosovës, për përfaqësuesit kishtarë dhe ndërkombëtarë, është objektive dhe faktike. Auto-rruga që lidhë tri shtete, me parësinë dhe rëndësinë shumëdimensionale, obligon faktorët relevantë, të bëjnë zgjidhjen e duhur dhe përshpejtuese, për realizimin e kësaj vepre madhore e jetike, për popujt e këtyre zonave dhe më gjerë.
blank

KARDINALI ERNEST SIMONI, MARTIRI I GJALLË I KOMBIT SHQIPTAR – Nga Frank Shkreli

65-vjetori i Meshtarisë dhe mesazhi i tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri

 

Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thenë: “Si popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”. Me ketët rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar Shqiptarëve kudo që janë, duke thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!”

 

Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni — i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës – festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin e meshtarisë.  Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Dom Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës, në Janar të vitit 1980.

 

Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar – i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës.  Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurëve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë.  Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshir handrakët e Shkodrës dhe në miniera.  Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi — një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni, në veçanti.  Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”.

 

Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të tregue”.  Klerikë si Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve.  30-e ca vjet më parë dhe me ndryshimet historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshir Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi diktaturat dhe diktatorët, përfshir monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin, përfshir Shqipërinë.

 

Dom Ernest Simoni lirohet në vitin 1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë.  Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 – “diktaturës kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën.  Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapen kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë.  Dom Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, megjithëse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist.

 

Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 — në shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe e vizita e pare e tij në një shtet të kontinetit evropian.  Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Dom Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lotë dhe emocionohet dukëshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare.  Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Dom Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet.

 

Kardinali Ernest Simoni megjithse i shkuar në moshë (93-vjeç) — edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë — vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e bashkkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo që janë ata.  Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij – përcolli nepërmjet radio Vatikanit në gjuhën shqipe — këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thenë:

 

“Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtetë, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirsitë që ka në anën jetësore due ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtuqë kur të shohin deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre.  Kjo ashtë fjala e Zotit dhe u shkoftë në veshë të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë, Kardinali Ernest Simoni.

 

Kardinalit shqiptar Ernest Simonit i urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim të fesë dhe të Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë – atëherë dhe sot — mund t’i kenë konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shiqptar dhe atij ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe mbështetsëve të tyre – të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira se këqia”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të “mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin.   Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë periudhës komuniste, mbetet një njollë kombëtare e cila nuk do të zhduket për derisa personalitete të larta të politikës shqiptare nuk përfillin zërin brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as interesat kombëtare.

 

Por, e keqja kurrë nuk mbizotëron mbi të mirën, përjetësisht.  Siç është shprehur me një rast — kolegu dhe bashkvendasi im i nderuari Prof. Sami Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të fashizmit – se, “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj ndërgjegjës së vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron dhe na qorton, por që është një zë që nuk mund të shuhet.  Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e pamposhtur janë baza e bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta, se e mira fiton gjithmonë mbi të keqën.”

 

Jeta dhe vepra e Kardinal Ernest Simonit – megjithë vuajtjet e tmershme të tija dhe vrasjet e qindra bashkvëllëzërve të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një mendim ndryshe ndaj imponimit me force të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas humbjeve të mëdha, më në fund e mira gjithmonë fiton mbi të keqen.  Lavdi viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit shqiptar!

 

blank

 

Papa Françesku përqafohet në Katedralën e Shën Palit  në Tiranë me Dom Ernest Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014 –L’Osservatore Romano via EPA)

 

 

blank

 

Nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë, 2014 dhe takimi me Kardinalin Ernest Simonin

blank

Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë atë vit në Dallas të Teksasit.

blank

Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtja e erës – Nga Aurel Dasareti*

 

Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo ndryshk, si për shembull: nga natyra gjithsesi, të gjithë derrat janë për baltë. Kundërmasat janë të nevojshme për të ndaluar marrëzinë e tyre. Këtë krim të neveritshëm hajnie e tradhtie ndaj atdheut, përveç shqiptarëve le ta dënojnë perënditë e botës nëntokësore dhe asaj qiellore.

***

Nuk mjafton pyetja “Kush duhet të qeverisë a të drejtojë”, por “Si të kontrollohen ata që drejtojnë”.

Pse politikë-bërësit e korruptuar antikombëtarë do të ndryshonin ndonjë gjë në Shqipëri (dhe në gjymtyrët e saj të amputuar) kur ata me decenie janë duke u kënaqur? Pse mos ta vjedhin, terrorizojnë, varfërojnë dhe detyrojnë (sidomos) rininë të shpërngulet jashtë vendit, kur nuk kanë frikë nga një popullsi e dobët-indiferente për të cilën janë të sigurt se nuk do të reagojnë?

Shqiptari i gjorë, si i vetmi fenomen në Evropë, proteston në mënyrë të organizuar dhe dhunshëm për të drejtat e qenve pa të zot, që të sillen lirisht rrugëve dhe rrezikojnë jetën e kalimtarëve, por heshtin dhe nuk reagojnë fare kundër padrejtësive që i bëhen fqinjit nga regjimi i korruptuar mafioz, nëse ai regjim nuk e prek atë!

***

Metodat e sundimit të Ramës: Një poshtërim i sofistikuar i dinjitetit njerëzor.

25 Prilli është garë vendimtare për ekzistencën e Kombit dhe Vendit, pa dallim gjinie, moshe, mjedisi, vendbanimi, profesioni, përkatësie sociale, partiake, klanore e fisnore.

 

Ata që blejnë votën janë kriminelë, e ju që e shitni jeni kokëmish.

 

Nëse duam një Shqipëri më të mirë duhet që ne të jemi më të mirë. Nëse duam ndryshim duhet që secili prej nesh të ndryshojë veten, të ngrihesh në këmbë dhe të marrësh përgjegjësinë tënde. Mjaft me llafet e kota arsyetuese se duhet tjerët të ndryshohen. Nëse nuk e bënë këtë sot nuk ke të drejtë të ankohesh nesër. Zgjohu nga gjumi i tepruar dhe motivo veten dhe mjedisin për të arritur qëllimin e madh: ndryshimin pozitiv, për mirëqenien e përgjithshme të të gjithëve.

 

Ne nuk duhet ta shesim të ardhmen tonë. Nëse e mbështetni qeverinë aktuale (të Ramës) do të jetë “Një garë vrapimi drejt greminës”. Duhet ndryshime të menjëhershme, të kthehet shpresa, dhe më 25 Prill: hedhjen në koshin e plehrave të kësaj qeverie që shpopullon vendin dhe shkrin kombin. Ju nuk mund ta besoni më atë që thotë ai. Populli nuk mund të votojë më për atë që Rama  përfaqëson.

PS: Unë nuk them cilën parti ta votoni, por cilën mos ta votoni.  Kjo ka të bëjë me brezat tanë të ardhshëm, ta trashëgojnë vendin, të cilin të parët e tyre e lanë me gjak për ta mbrojtur.

Qysh në rininë e hershme, nga rrëfimet e prindërve (psikiatër-psikolog), e dija që emocionet nuk mund të viheshin në dyshim dhe se linjat ndarëse midis arsyes dhe çmendurisë ishin jashtëzakonisht të ngushta. Qelizat e çmendurisë, tradhtisë dhe krimit fshiheshin në çdo tru dhe në çdo sistem nervor të politikë-bërësit shqipfolës.

Ndryshimi i madh i demografisë në Shqipëri, rinia që vazhdimisht ikën dhe zëvendësimi i tyre me të huaj, nuk është një teori konspirative, por fakt.

Zëvendësimi i popullsisë autoktone (shqiptare) të shtetit amë me emigrantë të paligjshëm nga Afrika dhe Azia zhvillohet papengesë, me forcë gjithnjë e më të madhe. Ky akt shkatërrues është një politikë e vullnetshme politikisht nga kapsit e shtetit të këtij regjimi të ndyrë, të cilin shqiptarët kokëmish vetëm e shikojnë por nuk e kundërshtojnë. Ndërkaq mediat e shitura heshtin.

Qeveritarëve të korruptuar e servil të trojeve tona nuk u konvenon shteti ligjor por statusi “qëndrim në vend ose ngecje” në mënyrë që edhe nja 30 vjet tjera të mbesin në pushtet që u jep lezet, në llogari të popullit të manipuluar dhe të atyre që ua kanë blerë votat.

***

Shqiptarët ikin sepse kanë humbur shpresën.  Shpresa (reale) është një bimë e kursyer, ajo lëshon filiza të rinj në errësirë ​​sa herë që ribëhet.

Ne kemi nevojë për shpresë që të jemi në gjendje të shijojmë jetën dhe të rritemi. Mos harroni se shpresa është në të vërtetë një nga udhëzuesit tanë më të mirë për jetën. Na ndihmon të shkojmë në drejtimin e dëshiruar. Pa shpresë, është shumë e lehtë të rrëmbehemi dhe të humbasim veten gjatë rrugës. Gjendjet emocionale të pashpresë kanë tendencë të përjetësohen tek individi. Është e lehtë të ndihesh bosh nga energjia, të humbësh guximin dhe të jetosh jetën e dekurajuar. Ti je në fakt ai që me ndihmën e vullnetit dhe aftësive personale duhet të kundërshtosh, të marrësh përsipër sfidën e ndryshimit të gjendjes tënde emocionale.

 

Mallkimi i popullit shqiptar është përçarja, zilia, xhelozia, ligësia dhe urrejtja ndaj bashkëkombësve të tyre, historia e ka dëshmuar. Në këto rrethana del jashtë loje çdo frenim, edhe ndaj formave më mizore të vetë-shkatërrimit.  Askush si shqiptarët nuk punon kundër vetvetes. Dhe, fajtorët kërkohen gjithmonë ndokund tjetër.

Shqipëria ka nevojë për një parti të re politike, konservatore, ku një detyrë e rëndësishme do të jetë shpërndarja e njohurive të reja për Kombin tonë – për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

***

O shqiptarë, ju që jeni duke fjetur pa ndërprerje?! A mund të bëni ndryshime dramatike në mënyrën e të jetuarit? A është me të vërtetë e mundur të ndryshoni mendimet dhe sjelljet që shihni se veprojnë kundër jush, por që megjithatë kanë qenë shoqëruesit tuaj për aq kohë sa ju mund të mbani mend? A është me të vërtetë e mundur të bëni një kthesë dhe të programoni përsëri vetveten kur nuk keni njohur kurrë ndonjë mënyrë tjetër të të menduarit dhe vepruarit. A është e mundur të bëhesh një version krejt i ri i vetes?

“Ai që nuk mund të përdorë arsyen është budalla. Ai që nuk dëshiron është hipokrit. Ai që nuk guxon është skllav”, – gjyshi im.

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend