VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Duket që është vrasje e jo vetëvrasje”- Kalo rrëfen bisedën konfidenciale me Enverin para pushkatimit të ministrit që dyshoi për Mehmet Shehun

By | July 21, 2019

Komentet

Gazeta franceze (1929) – Mbreti Zog – kryeministrit Koço Kota (Letër): “Të zëvendësohen zyrtarët e paaftë! Universiteti të merret me arsimimin e grave! Të bëhet reforma agrare…”

Mbreti Zog dhe kryeministri Koço Kota

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Gusht 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 20 janarit 1929, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me udhëzimet e mbretit Zog për zbatimin e programit të ri qeveritar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Programi i qeverisë shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 29 Janar. Zyra e shtypit shqiptar publikon informacionin e mëposhtëm :

 

Në transmetimin e dekretit që emëron ministrat e rinj tek Presidenti i Këshillit (Koço Kota), Mbreti dërgoi një letër në të cilën përcakton udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e programit qeveritar. Pikat kryesore të programit të mëparshëm të kabinetit mbeten në përmbajtjen e programit të ri. Zyrtarët e paaftë do të zëvendësohen me ata kompetentë. Këta duhet të jenë shërbëtorët e popullit sovran. Kompanitë e huaja që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri do të gjejnë lehtësitë e nevojshme.

 

Kodi Civil së shpejti do të hyjë në zbatim. Një kod tregtar (komercial) është në përgatitje e sipër. Ministria e Arsimit Publik do të dërgojë studentë jashtë vendit. Universiteti do të duhet të merret me arsimimin e grave.

 

Në një vend aq pjellor sa Shqipëria, nuk duhet të jetë e nevojshme të blihet bukë jashtë vendit, kështu që reforma agrare nuk mund të vonohet. Do të ndërtohen kanalet e ujitjes. Taksa doganore për makineri do të ulet.

 

Populli që paguan taksat pret nga ekzekutimi i punëve publike një shpërblim për sakrificat e tij. Të gjithë shqiptarët do të kuptojnë se interesi i kombit vjen së pari. (Havas).

Rrëfimi: 4 muaj në birucën pa dyshek e pa dritare, supën na e sillnin me krimba

Dokumentari “Gratë mes dhunës dhe stigmës në komunizëm” i shfaqur gjatë aktivitetit përkujtimor në Belsh sjell histori të dënimit të grave në komunizëm. Mes tyre është dhe Fatimja, një fëmijë 14-15 vjeç që u torturua në mënyrë ekstreme në qelitë e hetuesisë komuniste.

Regjimi komunist ishte po aq i ashpër me vajzat dhe gratë sa ç’ishte dhe me burrat.

Historia e Fatime Degës, e dënuar në vitin 1951 deri në 1957 kur ishte vetëm 14-15 vjeç, sjell një tablo tronditëse për torturat që përdoreshin ndaj vajzave e grave në hetuesi. Këto tortura ishin fizike dhe psikologjike, si mbyllja në një qeli bosh pa dritare, pa dyshek dhe me ushqim të keq, siç bënë me Fatimen, apo lënia varur me kokëposhtë për ditë të tëra siç kanë bërë me Bianka Balliçin. Ajo e varur pinte urinën e saj që i shkonte në kokë dhe kur vajti në burg i ra lëkura e kokës bashkë me flokët…Historia e tmerrshme e treguar prej saj, ka ndodhur në burgun e grave në Tiranë.

Rrëfimi i Fatime Deges:

“Qelia ishte bosh, 4 muaj e gjysëm ndenja aty. Nuk kishte as dritare, asgjë. Vetëm në një qoshe ishte një vrimë e vogël po nuk dukej asgjë, ishte errësirë. Ajo ishte për ajrosje më thanë më vonë, po nuk dukej asgjë. Nuk dihej kur ishte ditë apo natë e as sa ishte ora. Drita rrinte ndez natë e ditë në qeli.

Aty kam ndejt 4 muaj e gjysëm pa një dyshek, pa asgjë. Flija me rrobat e trupit, veja gjunjët poshtë trupit dhe mblidhesha kruspull e ashtu flija.

Ata hynin kur ishte orari i bukës dhe sillnin atë tasin me supë, po supa ishte me krimba. Të burgosurit e hanin, të burgosurit aristokratë, ajo nana ime që kishte jetuar në Grac të Austrisë e hante, u kërcisnin krimbat në gojë, po unë se haja. Nuk e hëngra asnjëherë.

4 muaj e gjysëm mbijetova ashtu sa që mora një ngjyrë tjetër, kisha maru krejt. Nuk e di ça ngjyre kisha marrë, a isha zbardh krejt a nuk e di, se atyre u bëri përshtypje se vinin kontroll oficerët.

Haja vetëm pak bukë thatë. Edhe atë pak fare se bukët që sillnin ata i kisha vënë stivë te dera.

Unë isha si njeri i vdekur në kambë dhe më hoqën që aty më çuan në një birucë tjetër. Ajo ishte shumë e vogël, po kishte një dritare.

Kur dola në gjyq mbaj mend isha vetëm me një polic afër, pa lidhur duart.

Kush shikonte në rrugë bënin pu pu pu, gratë kapnin faqet me duar se ai ishte një tmerr nuk kishin parë një fëmijë i mbarum tu shku në gjyq.

Më çuan në burg. Dy dhoma lart ishin për të burgosurat politike 2 dhoma poshtë për ordineret. Mbaj mend mirë se ishte nxehtë, korrik ose gusht, dhe kur jam ngjitur lart atje ishin dyshekë të shtruar anash.

Më vunë në mes të dhomës u ula tek ai dysheku im dhe fillova të qaja me dënesë.

Marta Doda me të bijën ishin në atë qeli. Ajo po bënte grep, e bija po bënte uratën, po ajo e ndërpret i thotë; shko merre atë vajzën e sille këtu tek ne. Dhe ajo erdhi më mori e më futi në mes tyre dhe me ato të dyja nejta gjithë kohën që isha atje.

Çdo ditë, për 3 vite rrjesh vetëm kam qarë se doja nanën.

Kam punu në burg në artizanat, qepja kopsa. Që të të falej një ditë burg duhej të bëje tre norma në ditë, po unë si bëja dot dhe atëherë të gjitha ato gratë që punoshin aty bënin normën dhe ma jepnin mua se u vinte keq.

Në fund të oborrit vinin kazana me ujë që të laheshim. Atje lahej Bianka Balliçi, e shkreta ajo, sa keq më vjen o Zot për të. Nga Balliçët e Elbasanit, e kishte marrë nga Italia e solli këtu dhe e futën në burg si spiune e anglo-amerikanëve. Çfarë është bërë këtu nuk është bërë në asnjë vend.

Biankën e kanë mbajtur të varur me këmbët përpjetë e kokën poshtë, urinonte dhe pinte urinën e vet dhe ajo që ngelej i shkonte në kokë. Kur ka ardh në burgun e grave i ra lëkura e kokës me gjithë flokë poshtë dhe i ngeli vetëm rrashti i kokës. Se si ka ngel gjallë nuk e di… Gjithë ajo Biankë, alamet gruaje, e kishte trupin me gropa nga torturat. E kam parë vetë me sytë e mi.

Aty pashë dhe Musinenë. I vinte vetëm e ëma aty. Kur i vdiq e ëma, nuk i erdhi njeri.

Ishte dhe Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës. Dhe ajo ka hequr keq shumë. Kur e kanë arrestuar e kanë futur në izolim me burrat që ska bërë vaki ndonjëherë.

Unë si duket paskam jetuar vetëm që t’i tregoj këto gjëra. E tmerrshme… e tmershme! Dhe isha nga familje komunistash. E di si më duket sikur më kanë ndodh dhe një herë…nuk harrohen…e tmerrshme…” /kujto.al

Zëri i Amerikës: Shkodër, nisin dorëheqjet e zyrtarëve të bashkisë

Situata e paqartë e ditëve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës po shoqërohet nga dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj bashkie. I pari që dha dorëheqjen është Sekretari i Këshillit të Bashkisë, Suel Hadri. Në njoftimin e dorëheqjes ai bën të ditur se e bën këtë “për arsye personale”. Por besohet se dorëheqja e tij lidhet me konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak, i cili zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e hënë, me datë 19 gusht, në një situatë të tensionuar kur, para mjediseve ku po zhvillohej takimi, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan duke tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë për t’u futur brenda në sallë.

Dorëheqja e zotit Hadri pritet të shoqërohet edhe nga të tjera dorëheqje të zyrtarëve të tjerë, gjë që lidhet me situatën e ditëve të fundit në këtë bashki.

Pas kostituimit të Këshillit Bashkiak, Prefekti i Qarkut te Shkodrës Çesk Millja i ka dërguar Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, një shkresë zyrtare përmes të cilës e informon mbi konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu, Prefekti Millja njofton Presidentin për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë.

Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nuk do të dekretoje zgjedhje të pjesëshme dhe se kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, do të ushtrojë detyrën e saj deri në zgjedhjet vendore të 13 tetorit, datë për të cilën nuk janë dakortësuar forcat kryesore politikë në vend.

Në këto kushte, vetë Voltana Ademi është shprehur se do të qendrojë në detyrën e kryetares së Bashkisë Shkodër “për një periudhë tranzitore”, deri në zgjedhjet e reja vendore, të cilat ajo shpreson të zhvillohen bashkë me zgjedhjet parlamentare dhe se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të zhvilluara pa opozitën.

Ushtimi i kësaj detyre në ditët e ardhshme pritet të jetë mjaft i vështirë dhe me pikëpyetje. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dega e Thesarit, ja kanë hequr zonjës Ademi të drejtën e firmës, duke njoftuar përfundimin e mandatit të saj me datën 20 gusht. Tashmë, faturat e Bashkisë së Shkodrës firmosen nga njëri prej nënkryetarëve të bashkisë.

Ndërkohë, është paralajmëruar për javën e ardhshme mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila ka gjasa të autorizojë një prej nënkryetarëve të kësaj bashkie të kryej funksionin e titullarit deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.

Situata në Bashkinë e Shkodrës mori një zhvillim të papritur më 13 gusht, kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave disa dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmonin se kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, ishte dënuar në vitin 2003 nga gjykata italiane për trafik të lëndeve narkotike dhe se ishte dëbuar nga Italia për një periudhë 10 vjeçare. Zoti Pjetri, i cili fillimisht i mohoi akuzat, me 15 gusht dha dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të Bashkisë Shkodër, duke ia paraqitur dorëheqjen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës.

Bashkia e Shkodrës është një nga bastionet e Partisë Demokratike. Ajo është drejtuar nga demokratët që nga viti 1992, me përjashtim të vitit 1996 kur drejtimin e kësaj bashkie e fitoi një formacion i ri politik, me shtrirje lokale, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”.

Ngjarja makabre që tronditi Shkodrën, si i vranë në kufi 2 të rinjtë, kufomat ua shëtitën nëpër qytet

24 gushti i vitit 1989 ka shënuar një ngjarje makabre, që ka tronditur atë kohë, gjithë Shkodrën me rrethina. Dy te rinj nga fshati Hoten i Barbullushit, kushërinj të një fisi, Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dode Fran Gjerkaj, 22 vjeç, në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar të rrethuar me tela me gjëmba në zonën  Sukaj, Dajç, ishin pikasur nga ushtarët dhe ishin vrarë me automatikë. Kufomat i kishin lidhur me tela me gjemba në spondet e një kamioni dhe ishin përçudnuar në një shëtitje makambre në gjtihë Shkodrën dhe fshtarat përreth. Madje, drejtuesit e regjimit kishin urdhëruar që shëtitjen e kobshme ta vijonin edhe në ftyre në Barbullush, përpara shtëpive të dy të rinjve…

I ati i Dodës, Fran Gjerkaj dhe vëllai i Gjonit, Marash Kumbullaku kanë rrëfyer, në emisionin “Dosja k”, ngjarjen që shkatërroi gjithçka në jetën e tyre.

“Dy djemtë tanë ikën dhe u zhdukën. Vetëm kur s’u ngrysën në shtëpi, kurse të nesërmen nga ora 10 e gjysmë apo 11, i kishin vrarë në kufi dhe i kishin lidhur me tela me gjemba. I kishin shëtitur nëpër fshatra, nëpër qytet. I kishin sjellë edhe në Barbullush. Kishin menduar t’i sillnin edhe në Hot, në shtëpitë e tyre… në lagje, ku kishin jetuar e ku kishin familjen”, tregon Fran Gjerkaj me zërin që i dridhet.

“Asgjë nuk dinin, veçse si të rinj kanë menduar të kërkonin një jetë më të mirë. U zhdukën. Asnjë shenjë nuk na kanë dhënë gjatë kohës. Asgjë nuk kemi kuptuar se do të iknin. Nuk kanë qenë njerëz që bënin ndonjë figurë si të pakënaqur, as në shoqëri. Madje, siç thoshin disa gra të fshatit, nuk i kishin njohur mirë as si fytyra, e jo më për këtë gjë. Mirëpo është fati i njeriut që të përfundojë ashtu”.

Atë ditë Frani, kujton se kishte qenë më të vëllanë në Shkodër për të shitur sherebelën e mbledhur.

“Kur erdhëm në Beltojë, e ndaloi vëllai zetorin sepse donte të ulej e të pushonte se ndihej i këputur. Edhe unë ndihesha i lodhur. Në atë kohë po vinin ata me makina e me trupat e lidhur. Dolëm në anë të rrugës, shtruam një batanije dhe kemi qëndruar aty rreth gjysmë ore, sikur të kishim pirë ilaç për gjumë. Kur u çuam dhe arritëm në Krye -Bushat, na pyet një zetorist nga Bushati, nëse e dinim se kush ishin ata nga Hoti që i kishin vrarë në kufi. Vëllai im Gjoni, mendoi se ata ishin nga malësia. Por ai zetoristi na tha se bëhej fjalë për dy djem të rinj që i kishin vrarë dhe i kishin shëtitur me makinë dhe se ata nuk ishin nga malësia por nga fshati Hot, në brinjë të malit. I thashë vëllait se njëri do të ishte Doda. Vëllai më pyeti se çfarë dija unë. I thashë që nëse ata djem janë prej Hotit, Doda nuk kishte ngrysur në darkë në shtëpi, nuk kishte fjetur në shtëpi. Dhe i thashë që ai duhej të ishte. Kur arritëm në Barbullush, Hysni Isufi mori të shkruante dëftesat e sherebelës që dorëzuam në Shkodër. Nuk na shikonte në sy, veçse i dridhej dora prej sikletit që kishte parë të vdekurit e lidhur. Aty kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Atëherë unë nxorra një karrige. Kush donte të vinte e të shihte nuk e lejonin, duke i thënë se ne ishim kriminelë. Donin të vinin miqtë e shokët, por i ndalonin e i kthenin mbrapsht. Unë rrija aty..”

Pak metra larg shtëpisë së Franit, familja e kushërinjve, vajtonte po ashtu vdekjen e Gjonit. Marash Kumbullaku e kujton me dhimbje ditën fatale kur mori vesh lajmin e vrasjes së të vëllait.

“Ata, në atë kohë, kanë qenë në aksion, Doda me Gjonin. Kanë shkuar në aksion 1 muaj. Kanë qëndruar rreth 15-20 ditë, pa mbaruar aksioni kanë ikur prej andej. Siç duket e kishin bërë planin bashkë ata të dy, për t’u arratisur. Kanë ardhur dhe kanë ndenjur një natë në shtëpi. Kanë bërë planet bashkë dhe janë çuar të nesërmen. Kanë dalë të dy bashkë me nga një copë bukë në dorë, në rrugë të madhe. Kanë ecur e kanë ecur dhe pastaj kanë blerë një pako me llokume….”

“I ka zënë nata atje. Kanë pritur të dalë drita që të hidheshin në ujë. Kur ka nisur të zbardhë dita, i kanë diktuar dhhe i kanë qëlluar direkt. Kanë vrarë një herë njërin dhe tjetrin e kanë plagosur. Ai tjetri u ka kërkuar që ta vrisnin edhe atë. Ata i kanë qëlluar edhe atij. Pastaj i kanë lidhur me tela me gjemba dhe i kanë vënë mbi spondin e makinës. I kanë shëtitur nëpër fshatra. I kanë sjellë edhe në Barbullush. Pastaj kanë dashur t’i sjellin edhe këtu në Hot, te ne. Kryetari i këshillit, Shaqir Muja, i ka ndaluar. Dhe nuk i sollën, u kthyen”.

Fundi i atij gushti tmerrues për familjen Gjerkaj e Kumbullaku u pllakos nga dhimbja, heshtja e ankthi. As të qanin nuk guxonin. Të kërkonin, trupat e masakruar të djemve të tyre, jo e jo! Por Frani thotë se një moment e gjeti guximin. Nuk mund të jetonte me idenë shkatërruese se ku mund të ishte hedhur kufoma e të birit!!!

“Pas rreth një viti i shkrova një letër Presidiumit të Kuvendit Popullor ku i kërkoja që të më lejonin që eshtrat e djalit të vrarë t’i bashkoja me ato të djalit tjetër sepse 5 vite më parë, më kishte vdekur edhe një djalë tjetër, 21 vjeç, kështu që kur të shkoja te varri, t’i kisha të dy bashkë. Më kthyen përgjigje se nuk më takonte gjë dhe se kështu përfundonin ata që kundërshtonin ligjet e shtetit”.

Me zërin që i dridhet, Frani shton se përpjekjet i shkuan dëm dhe se kishte mbetur i vetëm në përpjekjet për të gjetur eshtrat e të birit.

“Një roje varrezash në Shkodër kishte thënë se e dinte se ku i kishin varrosur, sepse i kishin varrosur natën. Shkoja nëpër varre, shikoja ndonjë të parregulluar dhe thosha që ai ishte varri i djalit tim, se është çmenduri të zhduket djali 22 vjeç e të mos i dish as varrin”.

Franit iu desh të priste afro 2 vjet, sa regjimi komunist të përmbysej e të niste kërkimet për eshtrat e djalit. Dhe vërtet, fati e desh që falë një gruaje malësore, ai ti gjente diku mbuluar me zhavorr eshtrat e të birit… Ishin të dy, në një varr, hedhur njëri nga këmbët e tjetri nga koka, Doda edhe Gjoni!

Frani e tregon kështu peripecinë e gjetjes së eshtrave të dy të rinjve:

“Një grua nga malësia, kishte takuar një djalë që ishte operativi i zonës dhe i kishte thënë: “Ti je djalë spiuni”. Ai i kishte thënë: “Jo, unë kam dashur të haja bukë, nuk jam djalë spiuni se e di një fatkeqësi të dikujt që më lëngon zemra ta kallëzoj, por s’di se kujt t’ia kallëzoj”. Ajo i kishte thënë: “Ma kallëzo mua se jam nënë dhe e gjej se kush është ai”. Ai i kishte thënë se e dinte ku ishin varrosur ata djemtë se e kishte parë vendin dhe i kishte vënë një shenjë që më pas t’ia tregonte dikujt, por nuk dinte se kujt t’ia kallëzonte. Ia kishte treguar atij prej Barbullushi, ai erdhi dhe na tregoi neve. Kemi shkuar natën, në orën 7. Gërmova pak dhe i dolën brinjët. As 50 cm thellë nuk i kishin futur. I kishin lëshuar në një gropë dhe mbuluar me zhavorr. Kur ia gjeta kockat m’u duk sikur po e çoja të gjallë në shtëpi”.

Edhe pse ishin fatlumë në gjetjen e eshtrave, në familjet e Dodës dhe Gjonit s’ka qetësi, pasi në 30 vjet prej askujt nuk morën qoftë edhe një ndjesë. Drejtësia është nëj fjalë e huaj për ta. Marashi me indinjatë thotë:

Ky ishte sistemi i Enver Hoxhës. Por edhe tani nuk është në rregull sistemi, sepse po të vepronte e drejta ashtu siç duhet, duhet të kapet ai person që dha urdhër të lidheshin trupat me tela me gjemba, pas makinës. Ai njeri duhet të dënohet në publik. Të paktën të dihet se kush është. Ndoshta ai mund të jetë akoma në detyrë sot. Është gjynah, kështu mendoj unë.

Vetëm Krishtin e kanë bërë ashtu, e kanë gozhduar. Edhe ata i lidhën me tela me gjemba. Dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për atë punë. Askush. As kur erdhi Sali Berisha në pushtet nuk dënoi njeri. As këta të tjerët po ashtu. Dikush duhet të japë llogari për atë ngjarje.

Nuk po them që të nxirret ai që e ka vrarë, sepse ai ndoshta ka qenë i detyruar, ka marrë urdhër për t’i vrarë, por ai që ka urdhëruar. Është e drejta që ai të kapet.

Unë nuk dua që të vijë dikush e të më kërkojë falje. Shteti duhet të japë llogari për këto punë. Dikush nga shteti duhet të japë llogari dhe ta shoh unë. Të dalë dikush në televizor e të tregojë që filan person ka bërë këtë gjë në atë kohë ..”

Në Hoten të Barbullushit, në shtëpinë e Fran Gjerkës dhe të Marash Kumbullakut,  rrëzë malit të Jushit, orët, ditët, javët, muajt e vitet sikur janë ndalur. Ata të gjithë, kanë mbetur kapur fort pas asaj dite tmerruese të gushtit  1989. Prej atëherë kanë kaluar  afro 30 vite…

Frani, me duart që i dridhen, kap të dy tëmthat dhe përpiqet të gjejë pak ekuilibër për kryet që i rëndon. Pas bisedës, ndjen se është çliruar paksa prej një barre që i rrinte pezull mbi krye prej 3 dekadash…

“Njeriu ka nevojë të tregojë, por nuk mundesh të jesh i fortë në këto situata. Nuk mundesh të flasësh, je i dobët. E kam peng në shpirt”, – thotë ai.

– “Gjithmonë Doda përpiqej të gjente mënyra që ne prindërve të na linte të qetë. Ishte një tip paqësor. Shkoi kot. Por faleminderit Zotit që askujt nuk i pat bërë ndonjë të keqe. Mendoi për një jetë të mirë dhe humbi jetën e vet….”

Admirina Peçi/ Dëshmitë e këtij shkrimi janë  nxjerrë nga emisioni Dosja K – “Shëtitja makabre e dy kufomave”

Kujto.al

Excelsior (1939) – Leka Zogu, trashëgimtari i parë i një froni evropian me origjinë amerikane

Leka Zogu I – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Gusht 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 5 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me lindjen dhe origjinën e Leka Zogut I, trashëgimtarit të drejpërdrejtë të fronit mbretëror shqiptar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Oborret mbretërore

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Populli shqiptar po përgatitet të festojë lindjen e trashëgimtarit të fronit, veçanërisht fisi i Matit, i cili jeton në mal, në veri të mbretërisë, në vendin ku lindi N.M.T. Mbreti Zog.

 

Lindja e fëmijës do të ndodhë shumë shpejt (Në fakt, mbreti Leka I lindi ditën e botimit të këtij shkrimi), doktori Weibel, mjeku i njohur vjenez, gjendet në Tiranë që prej një jave. Nëse lind djalë, ai do të jetë trashëgimtari i parë i një froni evropian me origjinë amerikane… Ne e dimë, në fakt, se nëna e mbretëreshës Geraldinë është amerikane.

 

Sipas zakonit, njerëzit do ta mësojnë ngjarjen e lumtur nëpërmjet jehonës së artilerisë : njëqind e një të shtëna nëse është princ, njëzet e një nëse është princeshë.

 

Mbreti Zog ka deklaruar tashmë se djali i tij do të quhet Skënder, përkthimi shqip i Aleksandrit, për nder të heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut. Nëse është vajzë, ajo do të marrë emrin e gruas së Skënderbeut, Donikës.

 

Meqë pallati i ri mbretëror i Tiranës është ende në ndërtim e sipër, mbretëresha jeton në vilën e kunatës së saj, princeshës Senije.

Ish-kryeprokurori i Enverit: Si më përgjoi Bisha me tavllën e cigares

Ka ndodhur që Sigurimi i Shtetit të vëzhgonte e madje të përndiqte fshehtas edhe zyrtarin më të rëndësishëm të institucionit të akuzës. E vërtetë apo jo, kjo mbetet në ndërgjegjen e Rrapi Minos, ish- Kryeprokurorit historik të regjimit komunist, i cili në rrëfimin për “Panorama” pohon se një kohë të gjatë ka qenë i survejuar nga Forcat e Policisë Sekrete, vetëm e vetëm pse nuk kishte firmosur urdhrin e arrestit për sekretarin personal të Enverit. Fakti që ka qenë miku i këtij të fundit, i denoncuar për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër regjimit, kishte lëkundur jo vetëm besimin ndaj tij, por kishte ngjallur dhe dyshime të forta se Kryeprokurori mund të kishte qenë edhe bashkëpunëtor i agjentit të zbuluar rishtas në paradhomën e Enver Hoxhës, në selinë e Komitetit Qendror të Partisë.

Për herë të parë Mino e ka konstatuar se ishte vënë në vëzhgimin e organeve të Sigurimit, kur është thirrur në zyrë të Mihal Bishës, ishdrejtor i Kuadrit të KQ-së për të dhënë sqarime “konfidenciale” për atë që kishte ndodhur me Vahid Lamën. Interesimit të këtij të fundit shprehet ai, iu përgjigja zyrtarisht dhe aty për aty konstatova se dëshmia ime regjistrohej në një përgjues të fshehtë në tavllën e cigares që mbante mbi tavolinë. Që këtej, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij që më ndiqte këmba-këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Po si ka vazhduar më tej përndjekja ndaj Kryeprokurorit dhe si mundi t’i shpëtojë ai goditjes së frikshme…

Zoti Rrapi! Si u procedua në Prokurori për ndalimin e Vahid Lamës, në kohën kur ju refuzuat ta firmosnit urdhrin për arrestimin e tij?

Kërkesa për të firmosur urdhrin e arrestimit erdhi në zyrën time. Në fakt, ishte diçka që e prisja nga momenti në moment. Rregulli e donte që aty për aty duhej të firmosja. Sa e lexova, pa u menduar dy herë, ia kalova për ndjekje zëvendësprokurorit të përgjithshëm. Dhe ai e ndoqi si proces deri në fund…

Nuk ra në sy të autoriteteve kompetente kjo shmangia juaj nga ky proces, pa shpjeguar arsyet?

Megjithëse, siç e thashë, ma lejonte procedura që aktfirmosjen edhe mund ta delegoja pa dhënë shpjegime, nuk shpëtova pa u shigjetuar. Ishte diçka që e prisja në fakt. Sulmi nisi në heshtje si nga nëntoka. U futa në një bela të jashtëzakonshme. Kam përjetuar andralla për javë e muaj të tërë. E ndieja këtë në vështrimin e eprorëve politikë, në distancën që mbante ministri i Brendshëm dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij, por edhe kolegët e Gjykatës së Lartë. Deri sa u mbyll procesi dhe Vahidi përfundoi në burg, unë e di me çfarë të papriturash jam përballur…

Pak e pabesueshme kjo, përballë atyre provave që i kishit dhënë regjimit në luftën kundër elementëve të papërshtatshëm me të?

E besueshme, e pabesueshme, kjo ka qenë e vërteta. Nuk më shkojnë për moshën dhe karakterin pozat e të përndjekurit. Po ja që kështu ka ndodhur. Deri atëherë, nuk më kishte shkuar në mëndje se do vinte një ditë që do më vinin aparatin e përgjimit dhe do më survejonin kudo që shkoja…

Kur thoni se ju kanë përgjuar, keni fakte, apo nisevijon nga numrat e kaluar ni nga përjetimet emotive të momentit…

Ta them me plot gojën që më kanë përgjuar. Bile më kanë përgjuar edhe në zyrën e Mihal Bishës, që atëherë ishte drejtori i kuadrit të Komitetit Qendror dhe një nga njerëzit më të besuar të Enverit…

Si e keni kuptuar që në zyrën e Mihal Bishës jeni përgjuar?

Unë, për eksperiencën që kisha në sistemin e drejtësisë dhe përvojën dyvjeçare në aparatin e Komitetit Qendror, njihja mirë jo vetëm teknikat e përgjimit, por edhe taktikat speciale që ndiqeshin ndaj elementëve të dyshuar…

Si e dalluat përgjuesin në zyrën e Mihal Bishës?

E dija më herët që në zyrën e Mihal Bishës bëheshin përgjime për raste shumë specifike. Bile, bile, dija dhe aparaturën me të cilën realizohej përgjimi i fshehtë në atë zyrë…

Çfarë ishte kjo pajisje?

Një aparat i vogël, gati i padukshëm, që vendosej në tavllën e duhanit. Mihal Bisha e pi shumë cigaren. Zakonisht mbante një tavllë të madhe mbi tavolinë.

Pra, aparati përgjues ishte instaluar në tavllën e cigares…

Kur e donte puna për të realizuar përgjime të tilla, Mihal Bisha mbante dy tavlla. Këtë e kisha mësuar qysh kur isha në aparatin e Komitetit Qendror. Bile, mbaj mend edhe shakatë që bëja me njërin nga kolegët kur hynim e dilnim për çështje pune aty. Një apo dy tavlla kishte Mihali në tavolinë, i thoshim njëri-tjetrit me shpoti. Pra, e dija që prania e dy tavllave në tavolinën e asaj zyre, do të thoshte se biseda me të përgjohej. Po se në cilën tavllë ishte përgjuesi, nuk mund ta dalloje…

Pse ju thirri Mihali në zyrë?

Kur kishte vetëm pak ditë që Vahid Lama ishte përjashtuar nga Partia, më telefonoi sekretarja e Mihal Bishës dhe më komunikoi porosinë për një takim pune në zyrën e tij në aparatin e Komitetit Qendror. Lajmi nuk ishte krejt i papritur pas atij ndëshkimi të bujshëm të sekretarit të Enverit. Miqësia ime me të dihej nga të gjithë. Goditja me akuza të rënda politike nuk mund të mos i jepte efektet edhe në rrethin e afërt të familjarëve dhe miqve të Vahidit. Ishte kjo në logjikën e atyre goditjeve që vlerësoheshin të rrezikshme. Me sa konstatoja, penalizimi i mikut tim, kishte cenuar deri diku shkallën e besimit ndaj meje. Thirrjen në zyrë nga Mihal Bisha që ishte zembereku i aparatit të KQ, që në momentin e parë e lidha pikërisht me ndëshkimin e Vahidit. Ajo që nuk arrija ta mendoja, kishte të bënte me pasojat që më prisnin nga kjo ngjarje tronditëse. Këtë e përforcova më shumë kur u futa në zyrën e tij dhe pashë dy tavllat e famshme mbi tavolinën e punës…

E kuptuat që nuk ju kishte thirrur për çështje pune…

Patjetër që e kuptova, por prisja me padurim si do ta niste bisedën, çfarë alibie kishte zgjedhur për të justifikuar takimin…

Çfarë biseduat, përse ishte i interesuar Mihali?

Ai ia nisi direkt në temë, pa hyrje-dalje. Ore, ç’na bëri kështu ky Vahidi? Të gjithë syleshë ishim që nuk e kuptuam? Pastaj si heshti një çast, u kthye nga unë me një pamje babaxhani, ndezi një cigare dhe më pyeti sërish: Kaq i djallëzuar paskej qenë? Kaq i fshehtë dhe i betuar kundra Partisë? Vazhdoi disa çaste me pyetje të tilla, aq sa një moment e kuptoi dhe vet që e kishte tepruar. Mos më pyet më gjatë, i thashë aty për aty. Ju këtu në aparatin e KQ-së e kishit Vahidin. Më mirë nga ju, nuk e njihte njeri. Kishte dhe të tjerë që e njihnin më mirë, e hodhi një çast vrerin ai, duke aluduar drejtpërdrejt për mua. Nuk di si të shpjegohem, iu përgjigja, po për aq sa jam në dijeni të dosjes së tij, bëhet fjalë për një veprimtari armiqësore të konsumuar këtu në aparatin e KQsë. Kjo nuk do të thotë se jashtë ka qenë parimor e i devotshëm,- më ndërpreu Mihali. Ta shikojmë çfarë do të rezultojë nga hetimet e procesit të nisur,- i thashë për të kapërcyer bisedën. E ke fjalën për procesin që s’pranove ta drejtoje zotrote? – m’u kthye Mihali, pa e fshehur hakërrimin.

Me një fjalë, Mihali e kishte marrë vesh që ju nuk pranuat të firmosnit urdhrin e arrestit të Vahid Lamës…

Në fakt, që nga momenti kur vendosa t’ia delegoj urdhrin e arrestit zëvendësprokurorit, e dija se kjo nuk do kalonte lehtë. E ndieja që dashakeqët do fillonin nga avazi: Hoqi dorë se do të shpëtojë mikun e tij. Nuk e firmosi se do t’u bëjë presion organeve të gjyqësorit etj. Paramendoja sakaq ndonjë zhurmë rreth e qark kolektivit të organizatës së Prokurorisë. Pak a shumë, ky ishte risku që më shkonte në mendje në ato momente. Se do të shkonte lajmi deri te Mihal Bisha, që ishte syri dhe veshi i Enverit, i Kryeministrit, i kreut të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit, këtë nuk e kisha menduar kurrë. Sidoqoftë, pas këtij momenti, sikundër ishte ai rregulli i pashkruar, e kisha të qartë se isha futur në rreth të kuq. E kjo do të thoshte përballje, përballje me një të keqe që nuk e shikon, por që e ndien kudo që ndodhesh. Ato çaste kur Mihal Bisha ma vuri në dukje faktin që isha shmangur nga procesi i Vahidit, mendova jo thjesht fundin e karrierës, por tmerrin që më priste si bashkëpunëtor i njërit prej armiqve të Partisë…

Si përfundoi takimi me Mihal Bishën, ju dha ndonjë porosi të veçantë kur u ndatë dhe, a ju thirri përsëri?

Ndoshta ke për të reflektuar më mirë,- më tha kur u ndamë. Partia të ka besuar përgjegjësi të larta, prandaj prêt më shumë nga ty, sidomos për gjëra kaq të rëndësishme. Aty për aty, desha t’i thosha diçka, por ndërrova mendje dhe pasi i dhashë dorën, dola në korridor. Unë e di si e kam bërë rrugën deri te makina. Të përplaseshe me Mihal Bishën atëherë, do të thoshte se kishe marrë tatëpjetën…

Po ja që në rastin tuaj nuk ndodhi…

Me sa duket, diçka nuk funksionoi në skemën e zakonshme që ndiqej për të tilla raste, megjithëse për ditë e javë të tëra jam gjurmuar e vëzhguar nga afër nga njerëzit e Sigurimit…

Si e konstatuat që ju përndiqte Sigurimi?

Qysh ditën që më thirri Mihali në zyrë, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij. Kudo që shkoja më ndiqte këmba këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Ishte një përndjekje që e bënin haptazi, të cilën e ndieja jo vetëm unë, që i njihja fort mirë këto praktika, por edhe familjarët e tjerë. Të tillë situatë nuk kisha kaluar kurrë…

Ndërkohë që ishit në përgjim, vijonit detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka diçka jo fort bindëse në këtë histori…

E shpjeguar në këto rrethana, vërtet që është diçka e pabesueshme, por ja që kështu ka ndodhur. Me sa kam dijeni, rasti im nuk ka qenë i vetëm. Ka pasur dhe zyrtarë të tjerë, bile të niveleve të larta, që në rrethana të ndryshme janë vënë në përgjim. Mjaftonte një e dhënë, një informacion në rrugë operative, siç thuhej atëherë dhe specialistët të urdhëruar nga shefat e tyre fillonin nga puna. Kështu ishte atëherë, qoftë dhe dyshimi më i vogël dhe do kaloje në sitën e organeve të Sigurimit.

A patën dhe ata fatin tuaj?

Pati nga ata që përfunduan edhe në burg, që u shkarkuan nga detyra e shkuan në prodhim apo internim…

Ju kujtohet historia e ndonjërit prej tyre?

Kanë kaluar shumë vite dhe të them të drejtën nuk më vjen ndonjë emër në mendje. Po ka dokumente, ka dosje të tëra, ato janë hapur tani për të gjithë. Ndër këto histori, ajo e Vahid Lamës ka qenë më e bujshmja. I gjori Vahid, se ka ndërruar jetë, teksa punonte në zyrën e Enverit u bë pre e këtyre operacioneve sekrete dhe përfundoi në burgun e Qafë Barit. Kështu ishte koha, ndoshta regjimi i kishte në natyrën e vet histori të tilla tronditëse.

Dokumenti i Gjykatës: Përse akuzohej Vahid Lama

“Ka fyer rëndë Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë”

“Vahid Lama ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese për drejtoreshën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, duke thënë se ajo në punë më shumë çorganizon, se organizon”. Në morinë e akuzave ndaj sekretarit të Enver Hoxhës, ajo për Nexhmije Hoxhën përbën pjesën më të rëndësishme të saj. Së paku, për aq sa ka mbetur në procesverbalin e procesit gjyqësor, ku denoncimet në adresë të tij për shpërfillje të udhëheqësve kryesorë dhe anëtarëve të Byrosë Politike kanë dominuar kryqëzatën ndaj njeriut, që punoi 13 vite në zyrën e diktatorit. “Vigjilentët” në këtë rast nuk ishin dëshmitarë të zakonshëm, por zyrtarë të besuar të Komitetit Qendror. E artikuluar në zhargonin e kohës, aktakuza ndaj Vahid Lamës në procesin e vitit ‘81 e penalizonte për qëndrim armiqësor të shprehur me opinione e deklarata, që binin ndesh me vijën politike të partisë. Ndër to, qëndrimi i tij për marrjen e kredive nga vendet kapitaliste veçohet si një akt i pastër armiqësor, që i kundërvihet politikës së Partisë.

“Lama është shprehur, konfirmohet aty, se mosmarrja e kredive, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta, do të pengojë ritmet e zhvillimit ekonomik, pasi ne jemi vend i vogël e pa mbështetje”. Të tjera dëshmi jo më pak të rëndësishme për drejtësinë komuniste shtjellohen aty, madje edhe me komentet përkatëse për të përligjur pozitën armiqësore borgjezorevizioniste të juristit, që punoi 13 vite në paradhomën e Hoxhës. “Vahid Lama,- pohon prokurori i çështjes,- kundërshton legjislacionin e punës që kufizon pagën për tejkalimin e normës mbi 125 për qind dhe për mospagimin e punëtorëve për ditët e festave”. Pas një panorame të tillë faktesh e pseudoargumentesh, trupa gjyqësore arrin të konkludojë se “I pandehuri Lama, i frymëzuar nga pikëpamje armiqësore antimarksiste, ka shpërthyer më vonë në agjitacion e propagandë kundër partisë, udhëheqjes së saj dhe veçanërisht kundër udhëheqësit kryesor”. Ka mjaftuar kaq për të proceduar me masën e dënimit: 10 vjet heqje lirie!/Panorama

VITTORIO SGARBI DHE MIKELE GREÇI NGA VLORA – Nga Lutfi ALIA

 

Pas vdekjes të kryetrimit Gjergj Kastrioti dhe pasi ranë Kruja e Shkodra, dy bastionet e fundit të rezistencës heroike të popullit tonë kundër hordhive turko-bogomile, në vitin 1479, Dozha i Venedikut dhe Sulltani, firmosën aktin e pushtimit nga Perandoria Osmane të gjitha trojeve albaneze.

Kjo dramë e historike e popullit tone, u pasua me një dhimbje tjetër, emigrimin e shumë albanezëve drejt brigjeve të Italisë. Disa eksode njeri pas tjetrit, me largimin në grupe të shumta të banorëve, për të shpëtuar jetën dhe fenë. Një kalvar pa fund, ikje pa kthim dhe vendosja e përherëshme ne dhè të huaj.

Albanezët emigruan në masë. Vetëm në vitet 1468 – 1550, nga trojet tona u larguan mbi 250 000 banorë.

Ishte emigrim i imponuar, për t’i shpëtuar reprazaljeve dhe hakmarrjes primitve të barbarëve otomanë.

Ikanakët braktisën trojet e tyre, por morën me vehte gjithëçka albaneze. Edhe ne dhè të huaj e shprehën shpirtin, artin, letersinë dhe kulturën arbërore, si dëshmohet me veprat e disa nga figurat e shquara, ndër të cilët rendis humanistët Marinus Barletius (Shkoder 1450 – 1513 Roma), Marinus Becichemus Scodrensis (Shkoder 1468 – 1526 Padova), filozofi Nikolò Leonik Tomeo (1456 – 1531), poeti Mikele Marullo Tarkaniota (1458 – 1500), profesori i latinishtes dhe greqishtes Gjergj Merula, piktorët Vittorio Karpaci (1465 – 1520), Mark Bazaiti (1470 – 1530), Mikele Greçi nga Vlora, arkitekta dhe skulptore si Andrea Aleksi, Aleks Tarketa etj etj.

(Mos më kritikoni që nuk i kam përmendur të gjithë arbërorët se janë shumë).

Një nder figurat e shquara arbërore e gjysmës së dytë të shekullit XV dhe fillimit të shekulllit XVI është piktori Mikele Greçi nga Vlora. Në fund të shekullit XV, familja e Mikelit fillimisht u vendos në Abruco. Nuk ka të dhëna për fëmijërinë dhe moshën e adoleshenciale që kaloi në Vlorë, por sipas studiuesve Mimma Pasqulli, Lucia Arbace, Daniele Ferrara, Dora Cattalano etj, familja e tij ai erdhi në Abruco rreth vitit 1481,kur Mikele ishte ende i ri. Njohuritë e para si piktor i ka marrë në vendlindje, ndërsa ne Itali i thelloi dhe u formua si piktor dhe resturues i pikturave kishtare në rajonet e Abrucos, Molises dhe Leçes. Emri i qytetit të origjines Valona, u bë identifikues, duke e specifikuar në mënyrë dalluese ndërmjet piktorëve të tjerë italianë e kësisoj në ditët e sotme njihet: Maestro albanese Michele Greci da Valona, – mjeshtri albanez Mikele Greçi nga Vlora – piktor i shquar i “rilindjes adriatike të shekullit XVI”.

Nga Abruzzo, duke ndjekur shtegëtimin sezonal të dhenëve të babait të tij, Mikele lëvizi ne drejtimet Akuila (Aquila), Foxhia (Foggia) dhe më pas u ngjit në Molise.

Në historinë e artit kishtar italian, figura e artistit albanez Mikele nga Vlora, prezantohet emblematike, që shpreh përzjerjen e kulturave bizantine, me Rilindjen italiane. Mikele është vazhdues i veprës të mjeshtrave të shquar italianë të shekujve XIV-XV, sidomos të Iacobello Del Fiore përfaqësuesi i gotikut të vonshëm dhe piktorëve rilindas Karlo Krivelli, Pietro Alamanno dhe i Vittorio Karpaçi, përfaqësuesi më i shquar i “Shkollës së albanezëve” në Venecia. Këta piktorë, gjate levizjeve nga veriu në jug të bregut të Adriatikut, me pikturat e tyre kishtare, bëhen zëdhënës të traditës së kulturës albanese – venedikase.

Në fundin e shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI, në trevat italiane buzë adriatikut, gjalluan lirshëm dhe të ndërthura të dy kulturat e pikturës kishtare, ajo katolike dhe ortodokse bizantine, ku sipas shumë studiuesve të artit, Mikele nga Vlora u shqua si “piktor interesant albanez, i cili zbulon një liri të veçantë shprehjeje, që është frut i eksperincës si pikto i pjekur nga bregu tjetër dhe nga kjo anë e Adriatikut – un interessante pittore albanese il quale rivela una particolare libertà espressiva, frutto delle esperienze maturate al di là e al di qua dell’Adriatico”.

Mikele Greçi nga Vlora i përket grupit të piktorëve, që përfaqësojnë “rilindjen adriatike”. Kritika e konsideron mjeshtër autentik i dy brigjeve, mjeshtër i pikturave të kultit ne kishat në Abruco dhe Molise, ku ruhen piktura shenjetoreëh, disa me shumë vlera. Mikele nga Vlora eshte dhe autor skulpturash fetare.

Fernanda Pugliese, studiuese e historisë dhe kulturës arbereshe, shkruan: “Ikonat e Mikele nga Vlora, kanë ngjyrat dhe bukurinë e dritës dhe përbëjnë një dëshmi unikale, të pranisë të kulturës arbëreshe në Molise në vitet 1500”. Ndër punimet me te mira të Mikele Geçi nga Vlora janë triptiku i Shën Marisë me Jezusin foshnje, ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit (viti 1505), e konsideruar kryevepra e tij, e cila mban dhe firmën e autorit Michele Greci. Këtë triptik mjeshtri ynë e kishte pikturuar për Kishën e Shën Pietrit, ku arbëreshët celebronin me ritin bizantin, por kur kisha u shemb dhe arbëreshët u shperngulën në Montecilfone, e morën me vehte dhe triptikun. Ne vitin 1959 ky triptik u vendos ne Muzeun e Abrucos. Aktualisht, ky triptik i famshëm ndodhet në Kishen Santa Maria Maggiore në Gulionezi (Guglionesi) Komunë e Provincës Kampobasso – Molise, ku jeton një komunitet arbëreshësh. Ne dialektin arbëreshe,  komuna Guglionesi quhet Ujunishe.

Një vepër tjeter e Mikele Greçi nga Vlora, është triptiku i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë, e ulur ndërmjet Shën Adamit dhe Shën Gjon Pagëzorit.

Këto vepra dhe shtatoren e Shën Pardo, Kuria e Peshkopatës të Termolit i ekspozoi publikut gjatë muajit nëntor të viti 2011. Mass media i bëri jehonë këtij aktiviteti, duke e informuar publikun: “Veprat e Mikele nga Vlora u kthyen ne shtepi, por jo në Albania ku lindi piktori yne i viteve ‘500, por në bregun përballë, në Abruco dhe në Molise”.

Në vitet 2011 – 2018, në Itali janë hapur disa ekspozita me punimet e piktorit tonë arbëror, janë zhvilluar workshope e konferenca shkencore, ku kane refruar studiuesit me kompetenta italianë e të huaj, mes tyre dhe shqiptari Ilir Shahollari, historian, studiues dhe restaurues i artit kishtar.

 

 

 

Mikele nga Vlora: Triptik i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë,

e ulur ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit.

 

Në vazhdim të veprimtarive tradicionale kulturore në nderim të veprave të piktorit albanez Mikele Greçi nga Vlora, në gusht të ketij viti, në Ujunishe – Guglionesi, u organizua një takim me kritikun e artit Vittorio Sgarbi.

Një veprimtari e mirëpritur nga banorët dhe mass media, si për praninë e kritikut karizmatik, të famshëm dhe të zjarrtë Vittorio Sgarbi, por dhe për tematikën e dedikuar veprave të piktorit bashkëqytetar Mikele Greçi nga Vlora. Pjesmarrja ishte masive, madje disa banorë u prezantuan me veshjet tradicionale kombëtare shqiptare.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur të mblidhen kaq shumë njerëz në Kishën Shën Maria Maggiore në Giuglionesi, madje as në meshën e Krishtlindjes”, theksonin me krenari banoret, që ishin mbledhur për të dëgjuar “Lectio magistralis” (Leksionin mjeshtrorë) të Vittorio Sgarbit.

Kronikat u mbushen me njoftime rreth vizitës të Sgarbit dhe tubimit ku do të ligjeronte.

Në një nga lajmet e ditës theksohet se pasi vizitoi Vasto, ku admiroi një prej shume pikturave të Mikele Greçi nga Vlora, në oren 18. 00 kritiku Vittori Sgarbi arrijti në Ujunishe – Guglionese, por para se të vizitonte Kishën Shën Maria Maggiore, ku do te mbahej tubimi, vizitoi kishat e Shën Antonio dhe Shën Nikolla.

Kritiku Vittorio Sgarbi vendosi fillimisht të admironte pikturat e ekspozuara në këto kisha, duke e lënë në pritje të gjatë publikun, qe e toleroi me durim këtë “kapriçio” të tij proverbiale. “Është i mençur e i zjarrtë si e shohim në televizion”, theksonin pjesmarrësit në këtë takim kulturor.

Që në fillim të diskutimit, Vittorio Sgarbi u shpreh me humor të hollë e të pëlqyeshëm. Dhe pse fliste për artin, për vlerat e piktori Mikele Greçi nga Vlora, e gjeti shtegun e duhur per t’i drejtuar kritika Matteo Salvinit: “Duke parë veprat e tij bukura, Salvini nuk do të kishte mundur ta përzinte albanezin”.

 

Kritiku i artit Vittorio SGARBI gjatë Lecctio magistralis (leksioni mjeshtëror)

në Kishën Shën Maria Maggiore të Giuglionesi – Ujunishe.

 

Ndër të tjera Sgarbi theksoi se vepra e Mikele Greçi është me rëndësi për traditen historike dhe kulturore xhiulionezane. Për vlerat artistike, historike dhe kulturore, Vittorio Sgarbi insistoi dhe arrijti ta realizoi, që triptiku i kishës Shen Maria Maggiore, vepër e Mikele Greçi nga Vlora, të prezantohet në Expo – Milano 2015. Rreth këtij vendimi Sgarbi tregoi: “Është një pikturë që ka lindur nga dialogu ndërmjet botëve të largëta, që sot ndodhen ne konfliktet salviniano, por që kishin filluar që atë kohë, kur ndodhi zbarkimi i parë i albanezëve në trojet italiane. Keshtu arrijti te ne ajo barka, pruri dhe një piktor nga Vlora, i quajturi Mikele Greçi, i cili na ka lënë vepra të rëndësishme, që janë pjesë e një kulture të lidhur me botën bizantine, por qe shpreh dhe një piktor të Rilindjes italiane. Për mua ky ishte një veprim i bukur, qe mundesoi dokumentimin e Molises me një vepër të Mikele Greçi nga Vlora”.

Sgarbi theksoi dhe një zgjedhje ad hoc, rastin ku Mikele Greçi nga Vlora u përfshi dhe në publikimin VII: Ricordando Corrado Gizzi. Për këtë vendim, Sgarbi theksoi: “Kuptova që Gizzi është ai i shtëpisë të Dantes dhe ky ishte rasti më i mirë për të rikujtuar Gizzi dhe për të vlerësuar Mikele Greçi nga Vlora”.

Në vazhdim, Sgarbi i mençur dhe i zjarrtë theksoi: “Mikele Greçi është një artist i veçantë i kulturës veneciane dhe bizantine, që na i ka sjell veprat e tij nga Albania. Ky është një rast emblematik, për të cilin ne italianët duhet t’i falenderojmë albanezët, për ato që kanë bërë për ne”.

Nga persekutimi te pushkatimi, pa thonj e pa dhëmbë. Kalvari i avokatit të diplomuar në Firence, kuestorit të Shkodrës që strehoi në shtëpi Qemal Stafën

Historia e një intelektuali shqiptar, që u pushkatua nga regjimi komunist vetëm sepse ishte profesionist, idealist, i shkolluar, i kulturuar dhe i paepur. Një rrëfim i ngjeshur me detaje nga jeta dhe persekutimi i Zija Lunikut dhe familjes së tij.

 

Zija Luniku bënte pjesë në një familje të madhe, me dy vëllezër avokatë, një noter dhe një tjetër student në Itali, ku ndërroi jetë në moshë të re. Zijai ishte një nga avokatët. Ai studioi në Firence. Me të mbaruar studimet, u kthye në Shqipëri, ku u martua dhe i lindën tri vajza.

Gjatë pushtimit italian, kur ishte kuestor i Shkodrës, strehoi në shtëpi, Qemal Stafën. Sipas rrëfimit të nipit, për kujto.al, ekziston një dokument ku Zija Luniku i kthen përgjigje Ministrisë së Brendshme. Kërkesa thoshte që kishin informacione se komunisti i rrezikshëm Q. Stafa ndodhet në Shkodër.

Përgjigja e tij ishte: “Komunisti i rrezikshëm Q.Stafa nuk ndodhet në Shkodër”, ndërkohë që ai ndodhej pikërisht në shtëpinë e Zija Lunikut, duke qenë që ishte kushëri i parë i bashkëshortes së tij, Nashifer Kamber Sejdini. Në këtë shtëpi i lindi vajza e parë, Fatmira. Më pas, e lë këtë detyrë dhe zhvendoset në qytetin e tij Elbasan, ku punon si avokat. Pas Çlirimit, spikat si avokat mbrojtës në disa nga gjyqet më të bujshme ndaj personaliteteve të qytetit.

“Kjo gjë si dhe frika nga influenca e kësaj familjeje bënë që në mendjen diabolike dhe paranojake të atyre qe kishin pushtetin të krijoheshin insinuata të tmerrshme që çuan në arrestimin e tij në dhjetor 1946. Mbas dy ditësh, çakejt e Sigurimit bastisën shtëpinë dhe morën të gjitha çfarë gjetën duke lënë në mes të dimrit pa ushqim, pa rroba dhe pa mbulesa, gruan dhe tri vajzat. Aq i tmerrshëm ishte ky veprim, sa edhe hamalli që kishin marrë për të ngarkuar çka vodhën, hoqi pallton dhe mbuloi vajzën e vogël, Vjollcën. Po kështu u kontrollua dhe u plaçkit edhe zyra e tij në rrugën Tomson. Qe një hetuesi e tmerrshme, siç dinin vetëm komunistët ta bënin. Një burrë në lulën e moshës u arrestua dhe mbas 11 muaj hetuesi, doli në gjyq pa dhëmbë, pa thonj dhe pa flokë. Dhe absurditeti ishte se u dënua nga gjyqtarë injorantë, ai që kishte shkëlqyer në shkollën e tij dhe me krenarinë e shqiptarit kishte mbrojtur temë diplome me ligjin bazë të shqiptarëve në shekuj, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, tregon për kujto.al, Ervin Lamçja, sipas kujtimeve të mamasë së tij, Fatmirës, e cila ishte vetëm 8 vjeçe, kur gjyqi do të vendoste vrasjen e të atit, Zija Luniku.

Komunistët do të dënonin me burg të gjatë, edhe të vëllanë, Abdurrahimin, me profesion noter. Edhe sot në zyrat e Hipotekës, mund të gjesh dokumente me kaligrafinë e tij, por regjimi nuk donte t’ia dinte për profesionistët e rinj, të arsimuar e të kulturuar. Ata ishin ndër të parët që u vunë në shenjestër dhe u ndëshkuan rëndë. Abdurrahimin e mbyllën në kalanë e Gjirokastrës. Zijait i morën të gjithë pasurinë duke i bastisur edhe zyrën, ku u mor kasaforta pa asnjë dëshmitar dhe pa asnjë procesverbal. Këto janë shkelje të praktikës së të drejtës, ku pasuria sekuestrohet vetëm nëse është vënë në bazë të një aktiviteti kriminal, apo atë kohë, mbi tregtinë e pandershme gjatë luftës. Në këtë rast nuk kishin të bënin me asnjë nga këto, por komunistët nuk donin t’ia dinin as për të drejtën. Zijait i morën jetën përmes një gjyqi të montuar dhe e çuan para togës së pushkatimit, pa mëshirë.

Dëshmitarët kanë treguar për një qëndrim të madhërishëm të avokatit edhe në ato çaste, gjatë të cilave tregoi karakterin e tij idealist dhe atdhedashurinë, që e kishin sjellë në këtë vend, me shumë ëndrra. Para pushkatimit ai tha: “Të rrojë Shqipëria!”

Kujto.al

Gazeta franceze (1942) – Riza Lushta, futbollisti i talentuar shqiptar nga Mitrovica, mund të kishte luajtur për Montpellier-in nëse…

Riza Lushta (Mitrovicë, 1916 – Torino, 1997)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Gusht 2019

 

“L’Auto” ka botuar, të mërkurën e 16 dhjetorit 1942, në ballinë, një rrëfim të rrallë për futbollistin e talentuar shqiptar nga Mitrovica, Riza Lushtën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Ai thjesht kaloi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në fund të verës së vitit 39, një i ri u paraqit me modesti para drejtuesve të “SO Montpellier”.

 

“Unë jam një student nga Shqipëria”, u tha ai, “dhe do të doja të luaja futboll në ekipin tuaj.”

 

Kandidati dha provat dhe…u integrua menjëherë.

 

Por një javë më vonë, ngjarjet e detyruan atë të kthehej në Itali.

 

Futbollisti në fjalë ishte Lushta, të cilin që prej atëherë e seleksionuan në Squadra Azzurra (kombëtaren italiane) dhe aktualisht luan në të majtë te Juventusi, midis Meazza-s dhe Ventimiglia-s. Dhe Juventusi mundi liderin (kryesuesin) e kampionatit, Livornon.

 

Drejtuesit e skuadrës së Montpellier-it pranojnë se nuk janë gati të gjejnë një sulmues të kësaj vlere…

 

Savra ku u internuan familjet e 5 ish- kryeministrave, ose kampi i elitës

Historitë e patreguara të kampeve të Lushnjës në  “Dinjiteti përballë totalitarizmit”

Fatmira Nikolli

Këmbët që ua ndalën hapin. Kjo është fraza që më vjen ndërmend kur shoh memorialin e internim-dëbimeve në Lushnje. Mbi pulpa të dobëta (trupash të paushqyer) një strukturë betoni qëndron imponuese. E zezë, e rëndë, e fortë dhe shtrënguese. Si komunizmi. Mbytëse dhe ndaluese. Si komunizmi. Përçudnuese, si ai. Nën të- të vogla, të bardha, të pafuqishme dhe të ndalura- këmbë njerëzish që stërmundohen. Nuk ka emra për to, ato u përkasin të gjithëve, të gjithë atyre që në kohë të ndryshme, u sollën për t’u izoluar në fshatrat pranë. Simbolika është e qartë dhe dy ngjyrëshi bardh e zi thyhet nga lulet që u lihen në kujtim shpirtrave që nuk u dehën kurrë në aromën e tyre.

JETË NË FIJE PERI

“Në fund të nëntorit 1953 u mbyll kampi famëkeq i Tepelenës. Ata që u liruan nga internimi, kapërcyen telat me gjemba dhe në këmbë morën rrugën për shtëpi. Mijëra të internuarit e tjerë të kampit, u hipën në kamionë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u nisën drejt së panjohurës. Kryeqendra e internimit ishte Savra, një fshat buzë rrugës në Lushnjë, ku ndodhej edhe komanda”. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të shtetit e nis kështu fjalën e saj për kampet e Lushnjës, në kuadër të aktivitetit “Dinjiteti përballë totalitarizmit” mbajtur të dielën në pallatin kulturor të qytetit. Të pranishëm qenë ish të internuar dhe pasardhësit e tyre, si për të shenjuar triumfin mbi vdekjen e mbi shtypjen, tani kur në liri, shumë syresh kanë ikur larg. Përkrah dosjeve të vëna në një tryezë që përbëjnë ekspozitën arkivore të përndjekjes së Sigurimit në fshatrat e të internuarve në Myzeqe, të varura në ajrinë e sallës, qëndrojnë imazhet e të internuarve në kampe: fëmijë, të rritur, familje, dasma, pleq, kazma, lopata, fusha ku punohet, gra të skërmitura, fytyra të zbehta, punëtorë të dobët. Duken si kukulla, të gjithë të hollë a thua se mend do thyhen nga çasti në çast. Imazhet e tyre të varura tregojnë gjithë proceset e jetës në kampe, nga lindja te dhembja. Fotografitë e varura tunden kur dera e hapur e sallës së një qyteti ende të varfër sjell rryma ajri. Por sa herë ato futen lëkunden para syve të mi, mendoj se si ato foto, edhe jetët e atyre njerëzve qenë të varura në fije peri. Por jo simbolikisht. Jo të gjithë dolën të gjallë prej kampeve. Lëkundja e fotove nga era të bën vetëm të imagjinosh se ç’tërmete i shkundnin jetët e tyre në kampe. Me gjasë grupi i punës për ekspozitën, i drejtuar nga Ardita Repishti ka pasur në mendje ‘jetët në fije peri’ kur ka zgjedhur këtë mënyrë ekspozimi, ku jeta e vdekja, dasma e gëzimi, frika e dhembja, puthen e takohen në ajrinë e thatë të të këtij gushti. Të rinj që qeshin, familje të bashkuara, fëmijë që rriten pranë gjysheve, çifte të reja që nisin një jetë mes gërmadhash- për një çast duket se jeta qe krejt normale. Derisa mbishkrimi shquhet: Kampi i… Ishin veçse baraka, dhe buzëqeshjet e ndalura në kohë qenë veçse një rrekje për të jetuar duke i lënë mënjanë për një çast njerëzit që kishin humbur para shkrepjes së atij momenti. Baballarë të arratisur, fëmijë që nuk i njohën kurrë prindërit, familje të ndara, frikë për të nesërmen dhe duar të shtrënguara si paranojë për atë që mund të vinte.

KAMPET E ELITËS

Të ardhur nga kampi i Tepelenës, sapo zbritën në zonën kënetore të Myzeqesë, që më tej funksionoi si ferma “29 Nëntori”, ndonëse ashtë telave me gjemba, sërish rreshtoheshin për apelin e radhës me njoftimin e çangës. Genta Sula vëren në fjalën e saj se familjet “armike të popullit” nga e gjithë Shqipëria u vendosën në 7 baraka, në kushte shumë të vështira dhe për ta nisi një jetë e re, me punën në fermë, apelin e përditshëm dhe përshtatjen me kushtet e reja të jetesës. “E ideuar si kryeqendër internimi politik, ku do të mbaheshin në kontroll ‘klasat e përmbysura’, Savra i kapërceu arsyet për të cilat u krijua. Në pak vite Savra dëshmoi martesat e para mes të internuarve, ku familjet e mëdha, të dënuara shumëfish, lidhën pazgjidhshmërisht fatet e tyre”, thotë Sula. Dinjiteti njerëzor, shton ajo, i “dyerve të mëdha”, Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Alizoti, Alla, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Mirakaj e dhjetëra të tjerë, mes të cilave e pesë kryeministrave shqiptarë, Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës, Fiqiri Dines, po mundte hapësirat e ngushta të barakave, ku vijonte përkthimi shqip i “Orlandit të çmendur” të Ariostos, me 40.000 vargje, nga Prof. Guljelm Deda, dëgjoheshin zërat e fëmijëve të lindur në Savër dhe shpresa po fitonte mbi të gjitha, me ligjësitë e saj të pashpjegueshme.

Kjo afri e “klasave të përmbysura”, ky grumbullim që rreshtohej rregullisht për apel dhe gjatë ditës i nënshtrohej punëve më të rënda bujqësore, shumë shpejt u pa si kërcënim real nga arkitektët e tij. Ishin mbledhur në të njëjtin vend elitat- dhe një përqendrim kaq i madh mendjesh të shëndosha përbënte kanosje sipas tyre. Ata nuk qenë kundërshtarë të çfarëdoshëm ndaj u vendos që Savra të shpërndahej në shumë fshatra të zonës kënetore dhe familjet e ndëshkuara t’i kryenin atje internimet 5-vjeçare. Sula shënon se qendra internimi u kthyen fshatrat e Çermës kamp, Çermës sektor, Grabianit, Gradishtës, Kryekuqit, Karavastasë, Bedatit, Plugut, Gjazës, Rrapëzës, Kolonjës, Dushkut, Zhamës, Sulzotajt, Karbunarës, etj. Komisioni i internim-dëbimeve mblidhej dhe vendoste për shtyrje të internimeve, sa herë anëtarët e këtyre familjeve mbërrinin në ditët e fundit të dënimit të dhënë, kryesisht nga 5 vjet.

BURGJE PA HEKURA, A KAMPE?

Foto bardhezi fatesh të kryqëzuara, gjyshe me shami te zeza, baraka ku njerëzit jetonin si në kuti shkrepësesh kanë përballë fotot me ngjyra të fshatrave sot. Si është ta shohësh burgun me ngjyra, atë burg të pamatë, ku u shkuan sa vera përvëluese e dimra të ftohtë?

Në sytë e atyre që jetuan aty e sot janë gjallë- më shumë se lot ka një bosh që shquhet. Është boshi i ndjesive kontradiktore; mes mallit për rininë që shkoi dhe paqes së lirisë së fituar. Dikur, Shqipëria për ta ishte veçse grumbulli i barakave, sot Shqipëria është atdhe e dhembje, është mall e lot, është trishtim i asaj që mund të ishte më mirë, por ka mbetur pak më tutje se një barakë e madhe.

Edhe vetë barakat, disi janë zhbërë. Diku janë suvatuar e diku po bien. Të internuarit renditeshin përditë për apelin në oraret e caktuara dhe i kishin të ndaluara lëvizjet jashtë fshatit ku jetonin. Për lëvizjet jashtë fshatit duhet të pajiseshin me leje të operativit. Punët e tyre ishin më të vështirat në fermë dhe privimet nga jeta sociale ishin gjithherë të pranishme. Në këtë kontekst, pyet Sula, a mund të konsiderohen kampe të punës fshatrat e mësipërm të fermës “29 Nëntori”? Apo ishin qendra internimi? “Apo ishin burgje pa hekura? Gjatë procesit të dokumentimit, sot, 30 vjet pas rënies së komunizmit, ne fotografuam vijën e ujit në Gjazë, e cila ishte pika kufitare që nuk mund të kapërcehej nga të internuarit. Edhe vija e ujit në Gjazë ka historinë e saj të patreguar të kufirit. Po arrestimet e të internuarve, dalja me pranga nga zyra e operativit, apo leja e refuzuar për t’u varrosur në vendlindje, si rasti i të ndjerit Mark Temali, si ndikojnë në emërtimin e këtyre qendrave të internimit ku shkuan jetën mbi 700 familje, siç ka dokumentuar Instituti për Integrimin e të Përndjekurve Politikë”, thotë kryetarja e Autoritetit. Për të dhe për shumë të tjerë që merren me fatet e së shkuarës, ka shumë pyetje e përgjigje komplekse nga e shkuara e afërt, e cila meriton të njihet, të tregohet, të studiohet, të dokumentohet e, duke u rrëfyer në vende kujtese, të bëhet e vizitueshme për të rinjtë dhe brezat që do të vijnë.

Për sa më lart, ajo thotë se Autoriteti ka marrë përsipër ndërtimin e një narrative gjithëpërfshirëse për kampet e punës/qendrat e internimit në Lushnjë, bazuar në dokumentimin e së djeshmes dhe të sotmes, mbi historitë familjare dhe individuale të të internuarve. “Krijimi i profileve të të lindurve në internim. Historitë e tyre që zunë fill në Savër, Gradishtë, Plug e fshatrat e tjera dhe sot shkruhen në të gjithë botën, me përvojat e tyre jetësore e profesionale”-, thotë ajo, duke shtuar se “kthimi në vende kujtese i shtëpive, banesave, ndërtesave, kazermave të beqarëve në fshatrat e të internuarve në Lushnjë, Divjakë e Fier, me pllakate përkujtimore që t’i flasin të sotmes sonë dhe t’ua rrëfejnë qartësisht brezave këtë histori të patreguar të zonës ku u internuan 90% e kundërshtarëve politikë të sistemit”.

“Të shihje që fëmija jepte shpirt dhe fjala e fundit ishte ‘bukë”, dëshmitari rrëfen tmerrin: Si komunistët shkatërruan 2 familjet më të pasura të Devollit

Sekuestrimi i pasurisë së familjes Fidani dhe shpërndarja e djemve të saj, në burgje dhe kampe internimi. Një prej trashëgimtarëve, Meti Fidani, tregon sagën e kësaj familjeje, ku i ati u burgos në Burrel dhe xhaxhai u dërgua në kampin e Tepelenës

Në një postim të para pak kohëve në faqen e tij në Facebook, djali i vëllait të Ferik Fidanit, tregon se si ardhja e komunistëve në pushtet, shkatërroi familjen Fidani, një nga më të pasurat e Devollit të Sipërm, në vitet ’40, duke dënuar me burgje dhe internime dy nga bijtë e saj. Një prej tyre ishte Feriku, më i madhi i 5 vëllezërve dhë më i urti, siç e quan Meti, një nga ata që “nuk turbullonte ujët” kurrë, siç i thonë në ato zona. Megjithatë, kjo nuk do ta ndalte pushtetin ta internonte në kampin e Tepelenës, nga gjithë ai burrë, u kthye gjysmë njeri. Nga kampi i Tepelenës, nuk mund të ktheheshe ndryshe, nëse ishe njeri kur shkoje.

“Tmerret e këtij kampi i ka provuar dhe i ka parë xhaxha Feriku. Ka parë kur fëmija jepte shpirt dhe fjala e tij e fundit ishte bukë… Kishte parë se në një ditë humbën 30 jetë fëminore… Kishte parë kur as arkivole nuk kishte për fëmijët e vdekur… As varre nuk kishte… Komandanti legjendar e kishte hequr dhe të drejtën e varrit… Armiq këta fëmijë… Humbën pa nam e nishan… Shumë eshtra i mori Vjosa. Shumë eshtra nuk dihet se të kujt janë, shumë eshtra nuk dihet se ku janë… Dhe nuk janë pak… Janë 6000 të zhdukur në gjithë Shqipërinë”, shkruan nipi i Feritit në postimin e tij. Xhaxhai i tij kishte parë vërtet shumë, por fliste pak. “-Për qahmet të Tepelenës – thoshte shpesh xhaxha Feriku. Ai ishte një nga të mbijetuarit e këtij kampi. Nuk fliste shumë i urti xhaxha… Sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vetëm se kur dëgjonte ndonjë këngë për komandantin, shkonte me vrap dhe e mbyllte radion”.

Para se ta çonin në Tepelenë, Ferikun e kishin internuar në Porto Palermo. Familja e tij nuk dinte asgjë për fatin e tij, deri sa vëllai i vogël, Nekiu, e gjeti. I kishin mbetur vetëm kockat dhe rrobat e trupit, por ishte i gjallë dhe kjo kishte rëndësi. Familja Fidani, e vënë në shenjestër, nuk mund të shpresonte më shumë. Jeta iu ishte kërcënuar disa herë anëtarëve të saj. Një nga vëllezërit, Lacja, kishte shkuar me kokën në trastë dhe dy fëmijët me vete të dorëzohej në çadrat e gjyqit partizan në Shipckë të Voskopojës. Sigurisht, Shazija dhe Engjëlli i vogël, që kur të rritej, do të ishte një i burgosur politik më shumë nga familja Fidani, nuk do ta preknin zemrën e partizanëve që ishin treguar të pamëshirshëm në shumë raste duke i dhënë atij gjyqi namin e gjyqit nga nuk ktheheshe më, por ishte zemra dhe zëri i djalit të Sali Butkës, që e shpëtoi Lacen. “Nga një çadër ngjitur u dëgjua një zë urdhërues:

-Iljaz Fidanit t’i falet jeta. Të dënohet 6 muaj me punë të detyruar.

As Lacja e as sekretarja nuk e prisnin këtë.

-Ik o Lace ik. Merri fëmijët e shko në shtëpi. Ik mor Lace, mor vëlla, se gjaku nuk bëhet ujë-foli ai tjetri pa dalë fare nga çadra.

Ai që po fliste ishte Muharrem Butka, i biri i Sali Butkës”, tregon pasardhësi i familjes Fidani. Edhe jeta e vëllait tjetër, Etemit ishte varur në fill të perit, por pastaj ishte shpëtuar po me ndërhyrje. “Babain e kishin dënuar me pushkatim, por falë ndërhyrjes së Myftar Tares, u anulua vendimi me 101 vjet burgim”, tregon i biri, Meti Fidani. Do të mbetej gjallë dhe Etemi, pa çka se në burgun e Burrelit.

Edhe dy vëllezërit e tjerë kanë historitë e tyre në këtë sagë. Estrefit iu desh të fshihej te njerëzit e bashkëshortes, në Melçan, pasi i sekuestruan dyqanin në qendër të Korçës. Vetëm që para se të ikte, ai bëri një gjest që më vonë do e shpëtonte nga dënimi kapital. Ua fali nxënësve dhe fëmijëve në nevojë gjithë artikujt shkollorë dhe veshjet që kishte në dyqan. Kur u khye nga arratia, kjo do i falte jetën. Ndërsa më i vogli Nekiu, në pak kohë, u gjend dhe në anën e partizanëve dhe kundër tyre.

“Nga emri nacionalçlirimtare, kuptohej dhe mendohej që kishte vend edhe për nacionalistët në luftë. Nga parrulla: pa dallim feje dhe ideje, kuptohej që do kishte pluralizëm. Kur thuhej që do krijohet qeveria demokratike e pasluftës, të jepej përshtypja që do të kishte një demokraci. Kjo ishte arsyeja që familja Fidani, e dërgoi Nekiun në luftë, megjithëse i vogël në moshë. Nekiu është nga veteranët e paktë të luftës në Korçë, që janë gjallë. Ai tregon se i ndoqëm gjermanët këmba-këmbës gjer në Jugosllavi, por gjerman nuk pamë gjëkundi. Ndoshta gjermanët ishin më të shpejtë. Por në të njëjtën kohë duhej bërë spastrimi nga forcat e brendshme kundërshtare, nga bajraktarët dhe kleri katolik, tregtarët e ballistët. Edhe pse ishte në Jugosllavi, Nekiu e kuptoi se lufta nuk ishte vetëm çlirimtare, ishte edhe vëllavrasëse. Një ditë rreshtuan brigaden e u thanë se e çliruam edhe Jugosllavinë. Tani e tutje kush dëshiron të qëndrojë oficer në ushtri, le të qëndrojë, kush nuk dëshiron, të kthehet pranë familjes. Nekiu zgjodhi variantin e dytë”, trego Meti Fidani. Kur u kthye nga lufta, nuk gjeti as një vëlla. Në shtëpi ishte vetëm e ëma me nipin dhe mbesën. U lumturua që i biri qe gjallë, por i tha të mos futej në shtëpi sepse ajo ruhej nga partizanët që kishin ardhur për ta djegur. Në atë shtëpi, vetëm pak kohë më parë, u ishin lëshuar 4 dhoma partizanëve që ishin pritur me gjithë të mirat, që kësaj shtëpie nuk i mungonin.

Ata kishin mullinj, destila për larjen e përpunimin e qilimave, kishin një dyqan në Korçë, bagëti, kullota, pyje, etj. Rrjedhimisht merrnin edhe punëtorë nga Devolli i Poshtëm. Madje kishin sjellë energjinë elektrike në fshat para “elektrifikimit” të Shqipërisë, me anë të një turbine të ardhur nga Italia, që u montua pranë mullirit, për të ndriçuar punishten edhe gjatë mbrëmjes, kur puna vazhdonte për shkak të kërkesës së madhe. Ishin në një gjendje shumë të mirë ekonomike, por pikërisht kjo u kthye në arsye që të përndiqeshin, ndonjëherë edhe nga ata që kishin punuar për ta. Megjithë vuajtjen që kish në shpirt për katër djemtë që nuk dinte ku i kishte, nënë Naimeja, porositi Nekiun të lajmëronte myshterinjtë të merrnin bereqetin para se t’i bastisnin. “U bë si u bë të mos turpërohemi me myshterinjtë tanë hallexhinj”, i tha ajo të birit. Dhe pikërisht në një nga ditët kur Nekiu ishte në mulli për t’u shpërndarë porositë myshterinjve, sheh të vijë aty një nga mushkat e tyre, e ngarkuar tej mase me gurë që sikur e njohu të zotin, që e shkarkoi dhe e puthi në ballë kafshën e gjorë, por në atë çast u shfaq një partizan. Tani Nekiu, nuk kishte si të ishte në anën e tyre.

“-Pse e shkarkove mushkën? Ne po ndërtojmë postën.

-Pse kaq shumë ngarkohet mushka? Janë gurë nuk janë pambuk… Mushka do këputet në mes.

-Të vjen keq ty për mushkën e të deklasuarve?- dhe partizani e goditi kafshën në kokë me kondakun e pushkës, si dënim që kishte hyrë në mullirin e saj, atje ku kishte hyrë vite me radhë.

Nekiu e kapi partizanin për jake të xhaketës dhe të dy dolën përjashta duke u kacafytur… Një çast burrat shtangën njëherësh:

-Po ti qenke o spurdhjaku i Devollit

-Ti Neki je…

Partizani kishte qenë hyzmeqari ynë, por dhe miku ynë. Ishte kushëri i afërt i Ferdane Çakshirit, i gruas se xhaxha Ferikut… Të dy me Nekiun ata hanin bukë bashkë, loznin bashkë, dilnin për gjah bashkë.

-Kemi urdhër t’i ngarkojmë sa më shumë kafshët e konfiskuara nga të deklasuarit-u shfajësua devolliu”.

Tashmë komunistët ishin kthyer në pronarë të kafshëve, tokave dhe gjësë së vënë me mund, por ishin kthyer në pronarë edhe të jetës së njerëzve. Të mbijetoje edhe pasi të kishin vënë në shenjestër do të thoshte ta kishe jetën për së dyti. Veçse ajo nuk ishte një jetë normale. Nuk mund të ishte, pasi kishe parë ato që ndodhnin në kampin e Tepelenës.

Nga A.Çano/ Fotoja dhe citimet janë marrë nga faqja e Meti Fidanit në Facebook./ Kujto.al