VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DUKE PIKTURUAR”NË UDHËN E PARAJSËS” (MEMORIAL PËR PIKTORIN E TALENTUAR AGIM MUJO) Nga Rudina Papajani

By | October 17, 2019

Komentet

Përkujtim: Për Xhavit, Shpat e Rron Mazrekaj Dr. Fehmi Pali, vjehërr dhe gjysh i mrekullueshëm!

Xhavit Mazrekaj, me djemtë e tij Shpat dhe Rron Mazrekaj kujtojnë me mall dhe respekt Dr. Fehmi Pali, vjehërr dhe gjysh i mrekullueshëm:

Xhavit Mazrekaj shkruan:

“I dashur Miku im i shtrenjtë,

Largimi jot nga kjo botë ka lënë boshllëkun e një njeriu shumë të afërt,

sepse nuk ishe vetëm vjehërr dhe gjysh i shkëlqyer,

por ishe një njeri i rrallë dhe fisnik dhe unë e ndjej shumë mungesën tënde,

kur pinim nga një cigare bashkë dhe nga një gotë e verë e flisnim me zemër të hapur!

Atje ku je, uroj të prehesh në paqe Miku im i paharruar!”

Xhavit Mazrekaj

 

Nipat Shpat e Rron Mazrekaj e kujtojnë gjyshin e tyre:

I dashur Gjysh,

i paharruari gjysh, që na ke shoqëruar në hapat tona të jetës sapo kemi ardhur në këtë botë,

që na ke mbajtur në krahë kur ishim të vegjël dhe na ke dhënë dorën hap pas hapi,

që na ke lexuar libra, që na ke mësuar me durim e përkushtim se si të jemi djem të mbarë,

ti na ke falur sa herë kemi gabuar dhe që nuk ke ndaluar kurrë të na tregosh se pasuria më e madhe

është shkolla që të hap rrugët e jetës dhe ndershmëria që fiton gjithmonë në çdo vështirësi!

Sot më shumë se kurrë na mungojnë këshillat e tua Gjyshi jonë i shtrenjtë!

Nuk të harrojmë kurrë!

Nipat e tu

Shpat Mazrekaj

Rron Mazrekaj

Sonila Mazrekaj kujton të jatin Dr. Fehmi Palin në 2 vjetorin e largimit nga jeta

 

Sot më 8 Mars u mbushën dy vjet nga kur ndërroi jetë Dr.Fehmi Pali. Dr Pali një mjek i shkëlqyer ka lënë kujtimin e mirë si profesionit dhe njeri me zemër të madhe tek pacientët dhe miqtë e tij, por ai ishte gjithashtu bashkëshort model, prind dhe gjysh i shkëlqyer. Vajza e tij Sonila Mazrekaj e kujton:

 

8 Marsi…duhet të ishte një ditë e bukur për mua…por ja u kthye në një ditë pikëllimi e loti!

Ditë që të duket, se koha ngrin dhe çdo gjë kthehet ssi në ëndërr që nuk ke dëshirë të zgjohesh.

U bënë 2 vjet, që unë s’pajtohem dot me mungesën tënde i dashur Babi!

U bënë 2 vjet që s’dua të zgjohem nga kjo ëndërr…dhe të pranoj që ti… nuk je

…bashkë me ty iku edhe një pjesë e zemrës time.

Më mungon shumë… çdo ditë e më shumë.

Më mungon urtësia dhe butësia e një njeriu të madh si ty!

ishte thjeshtësia ajo që të bënte ty të madh.

Pa ty çdo gjë është e ftohtë….ti ishe çdo gjë për mua….

Ishe frymëzimi i shpirtit tim! Ti u ktheve në kujtim që më shoqëron në çdo moment…

çdo ditë mbledh copëza kujtimesh dhe i bashkoj, i ruaj me shumë dashuri…

…ashtu si dashuria që na fale ti në jetë.

Të jetosh çdo ditë në në mendjen e njerëzve që të duan…

do të thotë të mos vdesësh kurrë!

Prandaj unë s’do ta pranoj kurrë…se ti jeton në mendjen dhe shpirtin tim. I shtrenjti im!

 

 

Lamtumirë Larry Tesler, u nda nga kjo botë programuesi gjenial i Apple që shpiku copy-paste

voal.ch – Të hënën e kaluar u nda nga jeta Larry Tesler, një programues gjenial  i Apple, ku kontribuoi  deri në vitin 1997.

Larry Tesler vdiq në moshën 74 vjeç.

Larry Tesler kishte lindur në Bronx, New York, në 1945, dhe kishte studjuar në Stanford University, Kaliforni.

Ai nuk është një emër si Steve Jobs apo Bill Gates, por kontributi i Tesler në botën e teknologjisë së informacionit ka qenë thelbësore, për shumë arsye.

Sistemi i cut-copy-paste është sigurisht më i njohuri edhe për publikun e gjerë.

Tesler e shpiku atë kur punoi në Xerox Palo Alto Research Cente.

Kur u transferua në Apple në 1980, Tesler filloi një karrierë të shkëlqyeshme, duke shërbyer si nënkryetar i AppleNet (një sistem rrjeti që u anulua më vonë) dhe drejtues i seksionit të shkencës.

U largua nga Apple nel 1997 per të themeluar  Stagecast Software, pastaj për t’u transferuar tek Amazon.com në 2001.

Iku nga Amazon në 2005 për të hyrë tek Yahoo! Iku edhe prej këndej më 2008 për të punuar si këshillues i pavarur.

Ishte pjesë e këshillit drejtues të Gorilla Foundation.

Lajmi i ndarjes nga jeta u dha më 19 shkurt, dy ditë pas vdekjes./

In memoriam, Për Eva Pëllumbin, pasi iku përgjithnjë… Nga Gjikë Kurtiqi

Shuhet artistja që luajti Pinokun e dhjetëra role të tjerë, e veçantë në artin dhe mjeshtërinë e saj artistike jo vetëm në teatrin e kukullave

 

Është ndarë para kohe nga jeta, në moshën 66-vjeçare, Eva Pëllumbi, një aktore e madhe, shumëdimensionale, me një fond të pasur rolesh në teatër dhe kinematografi, interpretuese, realizuar brenda një harku të shkurtër kohor.

Arti Shqiptar me ikjen e Eva Pëllumbit ka humbur një nga më të mirënjohurat e më të spikaturat e brezit të saj të aktorëve.

Si autor skenarësh e pjesësh teatrale dhe si Drejtor i Teatrit të Kukullave Tiranë për 10 vjet, kam pasur rastin ta njoh artin e Evës që nga fillimet e saj si artiste e deri në vitet më të mira të arritjeve dhe pjekurisë artistike, kur u largua në emigracion.

Biografia artistike e Evës

Rreth dyzet vjet më parë, në dyert e teatrit të kukullave në Tiranë dyndeshin qindra fëmijë të kryeqytetit që mezi prisnin të shihnin Pinokun e tyre të dashur. Kishte nga ata që e shihnin personazhin e mahnitshëm për të disatën herë. Ata ishin fëmijë dhe atëherë nuk e kuptonin se kukulla kishte një emër konkret. Ajo ishte një aktore e rrallë dhe e papërsëritshme dhe quhej Eva Pëllumbi.

Fëmijëve u mjaftonte vetëm paraqitja e saj në skenë dhe e fiksuan si “Pinoku”. Më vonë ata do të merrnin vesh emrin e saj të vërtetë.

Tashmë të rritur, burra dhe gra në mesomoshë, rreth 40-vjeçarë, janë ndjerë më të trishtuarit kur morën vesh se Pinoku i tyre i pazëvendësueshëm u nda nga jeta.

Përvoja artistike e Eva Pëllumbit zë fill që në fëmijëri, me pjesëmarrjen në grupet e interpretuesve të vegjël pranë Pallatit të Pionierëve Tiranë.

Pas studimeve ne Liceun Artistik të Tiranes, në vitet 1972 -1974 Eva punoi si aktore pranë Teatrit Profesionist të Estradës Tiranë. Ndërmjet viteve 1974 – 1975 kreu një kurs 2-vjeçar studimesh për Artin Skenik. Ndërsa nga vitet 1975 – 1991 punoi si aktore në Teatrin e Kukullave Tiranë. Njëherësh Eva interpretoi gjatë kësaj kohe edhe disa role në filmat artistikë të Kinostudios “Shqipëria e re”, si tek “Kapedani”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Ëndërr për një karrige” etj.

Ajo interpretoi, gjithashtu edhe në disa filma vizatimorë, duke realizuar dublime zërash ndër të paret filma animues shqiptarë. Përmendim mes tyre “Pika e ujit”, “Çufoja dhe bubi kaçurrel”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” etj. Janë mjaft evidente, me një produktivitet të ndjeshëm cilësor, realizimet e një sërë interpretimesh të saj skenike nga bota e fëmijëve, si role fëmijësh, personazhesh me kafshë, pjesë të kënduara, imitime, kërcime, interpretime plastike të spikatura e plot talent, që pasuruan repertorin e Teatrit të Kukullave Tiranë. Ndër rolet më të spikatura te Eva Pëllumbit në Teatrin e Kukullave kanë qenë: “Pinoku” në dramatizimin e romanit me të njëjtin titull të K. Kolodit; “Ora e Lojës” tek pjesa teatrale “Djali që humbi orët” dhe Veshkaushi tek “Lepurush Veshkaushi”, autor Gj. Kurtiqi, Bufi tek “Ditëlindja e Bardhoshes” me autor Pleurat Armirin; Grera tek “Kur thumbojnë bletët”; Keci bardhosh tek “Dhia dhe kecat”, Pata e vogël tek “Shtëpia e Patave”: Sorra tek “Dhelpra dhe sorra” etj. Veç këtyre janë te shumta rolet e interpretuara prej saj në radiodramatizimet dhe emisionet për fëmijë të Radios e Televizionit Shqiptar, ndër to “Çufoja dhe bubi kaçurrel”, “Shtëpia e Patave”, “Kacamisri” etj.

Vlerësimi i munguar

Ndërkohë skena dhe ekrani shqiptar prisnin rikthimin e saj vital ne role te reja, tashmë me pervojë me të pasur interpretuese, gjë që mbeti një pritje e pashpresë. Lamtumira e Evës ishte e papritur e pa kthim. Jam i bindur se arti shqiptar do të na i rikthejë përherë vlerat që ajo i ka dhënë plot përkushtim, pasion e talent. Do ta gjejmë talentin e spikatur te Eves mes roleve të filmuara, skenave të ekranizuara. Do ta sjellin atë në memorien kolektive brezat që u rriten me artin e saj, artistet, bashkëpunëtorët, njerëzit e thjeshtë që e adhuruan këtë art.

Gjallëria, talenti i saj krijues, plastika origjinale në aktrim e interpretim, imitimet e veçanta në tipizimin e personazheve, nga ato njerëzore e fëminore deri te kafshët, ishin dukuri të rralla që sollën një përvojë të re personale dhe artistike për stadin e trendin e atëhershëm të zhvillimit. Eva i dha gjithçka mundi botës së artit skenik, ekranit, radiodramatizimeve, filmit të animuar, filmave artistike, ku shkëlqyen rolet e shumta të saj. Ajo e pasuroi botën e artit me vlera e frymë të re interpretimi, risi jo të zakonshme që po lulëzonin ato vite në terrenin shqiptar.

Gjithmonë e shkathët dhe krijuese në rolet e detajet që realizonte në skenë, apo nëpër filmat ku ka interpretuar, Eva mbetet e do të kujtohet si një talent i rrallë në art. Ajo ka ndërtuar e interpretuar role që kanë mbetur gjatë e kanë lënë gjurmë në kujtesën e fëmijëve dhe publikut. Brezat e rritur dhe edukuar me personazhet e realizuar nga Eva, si Pinoku, Ora e Lojës tek “Djali që humbi orët”, Grerëza tek “Kur thumbojnë bletët”, Grifsha tek “Ujku Murrash dhe Kau Balash”, Sorra tek “Dhelpra dhe Sorra” etj. i ruajnë të skalitur në kujtesën e tyre këto personazhe. Sa herë udhëtojnë nëpër botën e bukur të fëmijërisë këta breza prekin vlerat e vërteta të artit shqiptar, personazhet afektive që flasin shqip.

Gjykoj se artistët me talent të spikatur, si Eva, nuk mund të kalojnë pa vëmendjen e shoqërisë, për vlerat dhe artin që i kanë dhënë asaj, si dhe traditës sonë relativisht të re në këtë fushë.

Është një keqardhje përtë gjithë artdashësit që ajo nuk arriti ta merrte një vlerësim plotësisht të merituar sa ishte gjallë. Prandaj do t’i ftoja institucionet përkatëse të bashkojmë opinionet dhe vlerësimet tona me ato të mbarë publikut shqiptar, për t’i dhënë, edhe institucionalisht, një titull të lartë vlerësues Eva Pëllumbit si “Mjeshtre e madhe” për veprimtarinë artistike te saj.

 

Burimi: GazetaDita.al

Ndahet nga jeta Eva Pëllumbi/ Aktorja e “Kapedanit”, “Vajzat me kordele të kuqe” dhe teatrit të kukullave

Eva Pëllumbi u shua në moshën 66 vjecare në Gjermani. Aktorja e njohur për filmat “ Vajzat me kordele të kuqe”, “Kapedani” apo “Ëndërr për karrige” si dhe për rolet e saj të shumta të Teatrin e Kukullave jetonte në Gjermani që në fillim të viteve ‘90.

Aktorja e mirënjohur e ka dhënë intervistën e saj të fundit në Top Channel, nga ku shprehu zhgënjimin për mos vlerësim ne fillim te karrierës se saj, pasi shpesh autorësia e saj është mohuar nga filmat multiplikativ.

Një ndër shprehjet saj që do të mbahet mend është “Jepi rini jepi” në filmin “Kapedani”. Por sidomos do të kujtohet edhe portreti i saj shprehës dhe i bukur.

Në Teatrin e Kukullave është “Pinoku” apo “Cufo”, një rol që fëmijët e viteve 80 nuk mund ta harrojnë. Zëri i saj ishte pjesë e shumë filmave dhe roleve që nga mamadhia, kecat, papagalli etj.

Eva Pellumbi lindi me 1953 ne Tirane. Aktiviteti i saj ne skene filloi që ne moshe fare të vogel ne Pallatin e Pionierve.

Me Eva Pëllumbin përgjatë këtij viti shuhet një tjetër yll i kinemasë shqiptare. Ashtu si më herët këtë vit kanë ndërruar jetë Marika Kallamata, Shpresa Bërdëllima, parodisti i Vlorës Muhamet Lika, Mira Minga Jupi dhe Valentina Caci.

Jetona Kocibelli

ERGIT, NË 3-VJETORIN E LARGIMIT… Nga Dashamir Dini

 U mbushën tre vjet të trishtë prej aksidentit tragjik që mori jetën e dy të rinjve në lulen e moshës, këngëtarit Ergi Dini dhe shokut të tij Kejdi Halili, të dy sapo e kishin nisur kaluar pragun e 20 vjetorit të jetës. Dhimbja nuk rresht kurrën e kurrës. Zoti zgjodhi pranë vetes djemtë më të mirë!

Dashamir Dini me këtë rast kujton Ergin e tij.

ERGI DINI KUNDER AKSIDENTEVE.

Ka 3 vjet
qe ditet e mija te percelluara nga malli
jane nxi
e janë ba muzgje.

Ka 3 vjet
që rri i varur
ne litarin e durimit,
tuj vezhgu
yjet qe bien nga qielli,
me shpresë
se njeri nga ata
je Ti,
që po kthehesh.

Ka 3 vjet
qe Nana jote,
e përhumbur
nèn vellon e bardhë
te një endrre të lashtë nënash
përgatit një dasëm
e pret një nuse….
që kurrë s’do të vijë.

Unë endem,e endem
qiejve te verbër të netëve,
per me mujt me gjet
Yllin e shuar të Fatit Tand,
e me ndez
edhe nje herë
me flaket e mallit…

Dashamir Dini

 

Prej 25 tetorit 2019 fisniku Jusuf Fehmi Kazazi prehet në Firence

Mira Dine, nga Familja e njohur e Fiqiri Dines shkruan në faqen e saj në rrjetin social si më poshtë:

“Prej datës 25 Tetor 2019, do të pushojë përjetë në Firence, Via Chiantigiana 26,

fisniku Jusuf Fehmi Kazazi, që qe vetëm 12 vjet kur hyri diktatura komuniste në Shqipëri.

Ai do të përjetonte 47 vjet me rradhë, duke parë të tjerë që do t’ja banonin vilën e familjes,

do të përjetonte grabitjen e pjanos tëe dashtur…

do të përjetonte burgimin e të jatit ….

e …do përjetonte një rini plot privime e pa mundur të ndiqte studime…

megjithëse poliglot,

si daja i tij Qazim Mulleti …

Ai do punonte në Kombinati Ushqimor për të fituar bukën e gojës…

ky fisnik i vertetë…

Në Firencen plot art e kulturë, do prehesh tashmë përjetë, i dashuri jonë…. se atdheu i të parëve është uzurpuar nga pasardhës kriminelësh….”

Kështu e përfundon Mira Dine statusin e saj në facebook.

Voal.ch i shpreh ngushëllime Familjes të nderuar, farefisit dhe miqve!

Fabiola Laco-Egro: E dashur Tasha Këlliçi, ishte fat që të kishim mike!

Të hënë që shkoi u nda nga kjo jetë gazetarja  e Radio Tiranës Natasha Këlliçi, e cila me familjen jeton prej dy dekadash në SHBA. Për të gjithë të afërmit, miqtë e kolegët Tasha ishte një Mike e Artë, nga ato që sot vështirë se gjenden. Ja si shkruan FabiolaLaço-Egro për Natasha Këlliçin në rrjetin social:

“E dashur Tasha sa shume na hidherove. Na ngrive buzeqeshjen ne fytyre. Shpresen qe optimizmi, kurajo e pamase, dashuria per njerezit e te afermit mund ta mbaje jeten gjalle.

Sa here qe takoheshim, ketu o matane oqeanit, thoshje: “amerikanet s’te lene te vdesesh..’ (doktoret ),

se me humor fshihje thjeshtesisht dashurine tende te pamase per familjen, Skifterin, Maldin, familjen e tij te bukur, nipçen, familjen e madhe ne Shqiperi, mikeshat e miqte qe s’i harroje kurre, punet e mbara e te mbrapshta te ketij vendi ku na ka rene koka, pra per jeten ashtu si ishte.

Flisnim shpesh e me shpesh ne whats up neteve te vona, e me batutat e tua te “kripura”, e ç’dramatizoje situaten e na plaste e qeshura 😉🤣

Nje intelektuale pa poza, nje grua nikoqire, personifikim i nje korçareje te vertete, nje nene e rralle, nje mike e cmuar per te gjithe moshat, po dhe nje nga aktivistet e para te levizjes se gruas, flamurtare e org” Ne dobi te gruas” me vokacion e perkushtim te admirueshem.

Si s’u ankove a u qave ndonjehere. Semundja e gjate s’te thyu, ste transformoi, ste humbi interesat. Dy jave perpara kerkove romanin e fundit te sapodale ne treg ne Tirane, qe s’arrite ta lexosh.

S’ke ikur, se s’mund te harrohesh kaq lehte. Ishte fat te te kishim mike, te kishim pjese te jetes tone , te na zbukuroje jeten e te na ngjyrosje diten 🙏

Do gjesh menyren e do na flasesh dhe nga lart . .

Maldi, Skifter, mos u ligeshtoni se keni pasur ne krah mamane e gruan e rralle qe ju ka dhene dashuri te pakufi.”

DUKE PIKTURUAR”NË UDHËN E PARAJSËS” (MEMORIAL PËR PIKTORIN E TALENTUAR AGIM MUJO) Nga Rudina Papajani

Kur flet apo shkruan për një artist ndalesh në cilësitë apo vlerat artistike që ai posedonte.

Kur njeh artin dhe pikat ku ai ndalej arrin të shkruash sadopak një pjesë të krijimeve ku ai derdhte shpirtin dhe talentin e tij.

Agim Mujon e njoha krejt rastësisht si një lexues të rregullt të krijimtarisë sime.

Herë pas here shprehesh se disa poezi të miat i shërbenin si muzë e një portreti apo një peisazhi.

Të ndalesh në karakteret që ai realizonte në portrete të ndryshme do të thotë të shikosh botën e madhe të një artisti modest ku çdo përmasë e ngjyrës tregonte haptazi një sy estetik  ngulmues që vallëzon me elemente ndiesore.

Çdo portret apo pejsazh natyre që Agimi realizonte të krijonte një opus orgjinal ku çasti të jep elementin e duhur në pikat e referimit ku ai ndalej.

Vërtetsia e të bukurës në çdo vepër që ai realizonte të shfaqej me elemente dlirësie pa sforco ku penelatat dhe fantazia shkriheshin bukur në tablo kaq realiste.

Agimi e dashuronte të bukurën..artin e parë në çdo këndëvështrimi sepse ai kishte lindur për pasionin e tij duke dhënë gjithçka nga vetja në ato orët e heshtura ku ai punonte në pasionin dhe frymëzimin e çastit.

Pikturat e tij janë vetë jeta njerëzore që shndrohen fuqishëm kaq orgjinal në çdo tentativë për psikologji karakteresh e dhënë kaq e dlirë në lakueshmërinë e portreteve.

Jeta e artistit Agim Mujo ndali por ëndrra e tij nuk ndalet ,ajo vazhdon udhëve të parajsës ku ai fluturoi,sepse vetë vizioni i tij i përket syve të qiellit që lotojnë e pikturojnë krejt botën e lirë nga sytë e Agimit aty ku heshtja flet sa mijëra fjalë të thëna së bashku.

Duke u ndalur te talenti i tij shikojmë gjurmët e një pikture hyjnore që shpirtin ja fali artit si një frymë pavdekësie në veprat që Agimi na la…

RUDINA PAPAJANI

NDËRROI JETË RAPSODI I MIRËNJOHUR HAJDAR BOTUSHA – Nga TAHIR BEZHANI

 

Me datën 5 tetor 2019, në moshën 85 vjeçare ,ndërroi jetë njëri ndër rapsodët  më njohur, jo vetëm nga Reka e Keqe,por në gjithë rrafshin e Dukagjinit e më gjërë. Ishte një rapsod tipik ,i ndërtuar dhe i kalitur natyrshëm ,i cili me zërin e tij melankolin, dinte të prekte shpirtërat e atyre që e donë artin folklorik. Kishte melosin e rekian,të ushqyer me bukuritë fshatit të lindjës,Botushës së mirënjohur dhe të traditave të Rekës së Keqe në tërësi. Hajdar Botusha,së  bashku me vëllaun e ndjerë,Tahirin,ishin synonim i knaqësisë folklorike mbi 60 vite  nëpër odat e Rekës së Keqe e kudo Kosovës.Këta dy vllëzër e posaqërisht Hajdari,kishin një veçori, një talent të lindur për oda,duke përdorur meselt e kohës me atë mprehtësinë e zgjuarsinë që ka falur ndër shekuj filozofija e popullit tone të lashtë.

Gjithë këtë pasuri homerike,Hajdari e Tahiri,e filluan fare në moshë të re, duke dredhur gjunjët odave të Rekës Keqe,në dasma e ceremoni të ndryshme. Patën fatin që të  këndojnë me rapsodët më në zë të popullit tonë,si me Maxhun Fazlinë e Morinës,Sadri Isufin e Stubllës,Bilall Arifin e Prekullukut, Dervish Shaqen,Lan Dobren,Abaz Agen e shumë e shumë të tjerë.

Rapsodi Hajdar Botusha

 

Ikja nga kjo jetë e rapsdodëve nga Botusha,pos dhimbjës së madhe njerëzore,dhimbja rritet kur dimë se kanë lënë zbrastësi në artin e këngës folklorike,si gjini e theksuar e letërsisë popullore. Ka disa këngë që i këndonin të vequar nga gjithë rapsodët tjerë nga trojet tona. Kot bëhen përpjekje për imitim të tyre,sepse ishin të pa arritshëm,sidomos për këngën e “Musa i vogël”,”Kongresi i Berlinit”, ”Avni Rrustemit” etj.

 

Me që kam pasë fatin t’i njoh dhe të jam mik me të dy  rapsodët e ndjerë,Hajdarin e Tahirin,ndaj dhimbjën me familjen Botusha,me gjithë dashamirët e folklorit tonë,me  rapsodët kultives të këtij thesari popullor.

 

Pushoftë në Paqe!

In Memoriam: “XHONI ATHANAS, NJERIU DHE ARTISTI” Nga Skifter Këlliçi*

Në foto: Xhoni Athanas me të shoqen, balerinën e njohur Sekine Sharofi dhe shkrimtari Skifter Këlliçi me zonjën e tij Natasha Këlliçi

Një mbrëmje, duke kërkuar të dhëna për një shkrim në Google, tashmë për të gjithë një enciklopedi mahnitëse në internet, ndesha me një foto të tenorit tonë të njohur, Xhoni Athanas dhe poshtë saj një video në të cilën ai shihej duke kënduar një këngë klasike italiane. Dhe poshtë saj në italisht përshtypje të disa italianëve, ndër të cilat zgjodha njërën ku shkruhej: ”Nuk njoh këtë interpretues, por dëgjova një zë të bukur, të kadifenjtë që interpretonte me kaq mjeshtri “Mandulina napolitanën”.

Dhe solla ndërmend mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008, kur më ndodhi një e papritur e këndshme. Do të kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time, Natashën, edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH, dhe djalin Maldi, që pas disa muajsh do të përfundonte studimet në Kolegjin “Berkli”, në Boston, një nga shkollat e larta më të njohura muzikore të botës.

Midis të ftuarve, më i afërmi ishte Xhoni Athanasi, ndër miqtë e mi më të mirë në Boston, ku jetoj prej më shumë se 14 vjetësh, i cili kishte në krah, të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Në krahun e djathë të tryezës kisha pranë edhe Anxhelo Xhaçkës, një ish-gazetar, edhe, ai i njohur në Tiranë në vitet ‘80-’90 të cilin edhe atë e kishte sjellë fati të vinte në Amerikë, por duke këmbyer penën e gazetarit me punën e vështirë të biznesmenit.

Dhe ja, pasi u përshëndetëm Anxheloja më zgjati një libër mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë në mes të këtij shkrimi, me titull ”Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, të shkruar prej tij. Dhe pastaj e papritura e tjetër. Pasi e përgëzova autorin pra Anxhelon dhe Xhonin, të cilit i përkushtohej ky libër, Xhonin, hapa mbulesën e librit lexova: ”Kopjen e parë të këtij libri ia dhuroj ne kënaqësi të madh mikut tim më të mirë…” dhe Anxheloja vazhdonte më fjalë të tjera shumë të ngrohta për mua…

E vërteta është se, ashtu si çdo shikues shfaqjesh artistike dhe dëgjues i Radio Tiranës, Xhonin e kisha njohur që më 1950 kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe ku ai kishte ardhur nga Korça pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore. Pastaj, me kalimin e viteve kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia jonë bë shumë gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin “Pjer For” të atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas. Që atëherë, në biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike, rrëfente edhe barcaleta që të shkulin së qeshuri, pasioni i gazetarit dhe shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër jetëshkrimor që do t’a kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja tashmë ma kishte djegur këtë dëshirë.

Kaluam kështu herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe, natyrisht edhe miqve të ftuar, një mbrëmje shumë të bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më rikujtonte episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit, në Masaçjusets, ku lindi më 1925, ku babai i tij kishte shkuar si mërgimtar, rikthimin në Korçë, vitet e fëmijërisë , duke bredhur lëndinave të fshatit e duke kënduar këngët “Te plepi i Bilishtit”, ”Tatëpjetë bregut vinje”, ”O moj korçare..” e plot këngë të tjera. Pastaj kur babai vinte gramafonin, nga pllakat e të cilit si me magji për këtë vogëlush shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike “La donna e mobile” e Verdit, nga Turandot e Pucinit që më pas zuri t’i këndonte dhe Xhoni, sa e motra i përsëriste “Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar”…

Të nesërmen më t’u kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe zura të lexoja librin ”Xhoni Athanas, njeriu, artisti”. Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e letrave kam lexuar jo pak libra të natyrës muzikore që më kanë ndihmuar për të përgatitur emisionin radiofonik “Novela muzikore”, një pjesë të të cilave i kam ripunuar dhe i kam botuar më 1970 vëllimin me tregime “Zërat e jetës” dhe dy vjet më pas “Mbi mjegullat e kohëve”. Midis tyre kam lexuar edhe librin “Jeta dhe vepra e Karuzos”, shkruar nga publicisti italian, Vitorio Tortoreli. (Më pas këtë libër e përktheva nga rusishtja, por ai u nuk u botua më 1973, pas ngjarjeve tragjike të Plenumit të 4-t famëkeq të KQ dhe fjalës që mbajti atje diktatori Enver Hoxha.)

Por e them çiltërisht se libri jetëshkrimor “Xhoni Athanas”, shkruar nga Anxhelo Xhaçka, qëndron denjësisht edhe krahas librit të Tortorelit. Kështu që nuk u pendova se nuk kisha nisur të shkruaja një libër të libër kushtuar Xhonit.

Në verë të viti 2005 Anxhelo Xhaçka më kishte bërë një të papritur tjetër, kur më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull “Sinqerisht”, shkruar prej tij. Dhe unë po sinqerisht i kisha kthyer përgjigje me një recension të botuar në faqet e një gazete, me titull: ”Një gazetar poet në moshën 50 vjet”. Që Anxheloja ka shpirt të thellë poetik, mjafton t’u ofroj lexuesve këto vargje të nxjerra nga ky vëllimth, me titull “Malli-mal”. Një titull disi kakofonik, por domethënia e të cilit kuptohet pasi lexon me vëmendje këto vargje:

”Sikur të kisha një grusht rrufe, /Do të godisja malin mu në zemër, /Që ta rrëzoja të tërin përdhe, /E të mos i lija më emër/.Do ta merrja pastaj nëpër duar, /Që ta shkërmoqja në gurë zalli, /E ta shpërndaja në udhën e shtruar, /Ku të ecë zemra te malli…”

Po me këtë shpirt poetik është shkruar ky libër, në të cilin mpleksen faqe proze poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njëjtën kohë dhe humoristike, sepse edhe me copëza të tilla është e mbushur jeta e Xhonit, kur mendon se për më shumë se gjysmë shekulli ai ka qenë pranë këngëtarëve të tillë si Avni Mula dhe Ibrahim Tukiqi, një trio vokale që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.

Kështu i njoha edhe unë gjatë një koncerti nga të fundit në Tiranë, disa ditë para se ata të niseshin për studime në Bashkimin Sovjetik, ngjarje që përshkruhet dhe në libër, shoqëruar me dialogët e mëposhtëm në një zyrë të konservatorit “Çajkovski” në Moskë:

“Si ju quajnë djalosh?”, ”Xhoni Athanas”. ”Ku keni lindur?” Në Brokton, Masacjusets, SHBA”. ”Tjetri: ”Emri mbiemri?”, ”Avni Mula”. ”Vendlindja? ”Gjakovë, Republika Federative e Jugosllavisë”. Dhe kur vjen radha e të tretit, që ishte Rifat Teqja, që do të bëhej më pas nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili përgjigjet se ka lindur në Pekin, sepse në rusisht bashkëtingëllorja “q” zëvendësohet më “k”, atëherë, siç shkruan autori: “…nëpunësi i konservatorit ngrihet më këmbë, mbyll regjistrin, heq xhamin optik nga syri dhe u drejtohet të rinjve: ”Të më falni, por nuk po marr vesh asgjë. A ka midis jush ndonjë shqiptar?!..”

Edhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xhaçkës, ku natyrisht fokusi i tij përqendrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për t’u bërë këngëtar, e bashkë me të edhe me Avniu me Ibrahimin dhe të tjerë, që u bënë të njohur edhe në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.

“Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955, -shkruan autori-, dy studentët e konservatorit “Çajkovski”, Xhoni Athanas dhe Avni Mula, u lajmëruan të paraqiten në ambasadën shqiptare të Moskës: ”Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit do të zhvillojë një turne të gjatë në Kinë Mongoli, Vietnam, Kore …”.

Kështu, siç përshkruhet në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit në sa e sa grupe artistike, që do ta shpien atë nga Azia në vende të tjera të Evropës, në vendet balltike, Rumani, deri në republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgizi, Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmeni, përsëri Kinë, për më shumë se 30 vjet, me një repertor të pasur, që nga këngët popullore, nga të cilat e famshme kudo u bë “Lule borë” e Simon Gjonit, deri te ariet nga opera të famshme klasike dhe të autorëve tanë. Megjithatë, viti 1955 do të shënonte për Xhonin një vit të paharruar: njohjen me kërcimtaren Sekine Alibali, e cila, si bashkëshorte e ardhshme e tij, u bë dhe një personazh i rëndësishëm edhe në jetën artistike.

Gjatë takimeve me Xhonin dhe Sekinen, më ka rastisur të bisedoj edhe për ngjarje që lënë gjurmë, në një nga të cilat ndalet edhe Anxhelo Xhaçka.

“ -…Nëse dëshiron, mund të vish edhe me ne në Amerikë.

-Oh, falemnerit, kjo është e tepërt, -ia ktheu Xhoni.

-Jo, djalosh. Asgjë nuk është e tepërt ne këtë botë. Me zërin tënd ti mund të kesh një karrierë të shkëlqyer..Mos e humb këtë shans. Ne këtu jemi këto ditë”, (faqe 56).

Ç’kishte ndodhur?Ishte viti 1956 dhe Xhoni pati rast të bisedonte me një nga pjesëtarët e një grupi të famshëm artistik amerikan që shfaqi në Moskë operan e kompozitorit të njohur, Xhorxh Gershuin “Porgi dhe Besi”. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, që me disa shokë kishte dëgjuar Xhonin gjatë një koncerti, i bëri propozimin e mësipërm. Por Xhoni nuk pranoi. ”Ai mezi po priste të kthehej në Shqipëri. Tenorin dramatik e kishte këputur malli për vendin e vogël buzë Adriatikut.(Po aty).

Xhoni do të sillte në Shqipëri edhe jehonën e një suksesi të madh, të arritur në konkursin e kantos, organizuar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, më 1957, ku morën pjesë 130 këngëtarë të rinj, solistë të skenave operistike nga shumë vende të botës. Atje ai zuri vendin e dytë, i vlerësuar me entuziazëm nga Tito Skipa, tenori i madh italian, me origjinë arbëreshe, që, duke e përqafuar, i dhuroi medaljen e argjendtë.

Xhoni u shqua në këtë konkurs, veç të tjerash, edhe me interpretimin e aries së Otellos, nga opera me të njëjtin titull e Xhuzepe Verdit, (faqe 58 e librit).

Kjo ka qenë një ariet më për zemër të Xhonit, të cilën e kam dëgjuar edhe unë në disa koncerte në TOB dhe në sallën e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kështu ndodhi në një koncert në këtë sallë. Kur Xhoni po e këndonte këtë arie, ashtu si gjithnjë, plot pasion, një studiues italian në fushën e letërsisë, që kishte ardhur në Shqipëri për të dhenë leksione në auditorët tona dhe që shoqërohej nga kritiku ynë i njohur, Kudret Velça, u mahnit kur dëgjoi Xhonin. Siç më tha pastaj Kudreti, ky zë i kishte kujtuar atij zërin e Mario del Monakos, një tjetër tenori italian, me famë botërore të atyre viteve.

Por që nga viti 1957, kur ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe deri më 1969, ashtu siç përshkruhet në librin e Anxhelo Xhaçkës, Xhoni e kishte pasuruar repertorin e tij edhe me pjesë nga opera të njohura klasike dhe shqiptare. Po përmend disa prej tyre: Doda, nga opera “Mrika”, e kompozitorit Preng Jakova, Sazani, nga opera “Pranvera”, e kompozitorit Tish Daija, për të kaluar në role nga opera klasike ”Principali (“Nusja e shitur e Smetanës)”, Turidu, (opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit), Kanio, (opera “Paliacot e Leon Kavalos). Pastaj kthehet në një rol të rëndësishëm ne operan “Lulja e kujtimit” e kompozitorit Kristo Kono, të Lenskit, në operën “Evgjeni Onjegin”, të Çajkovskit, si dhe role të tjera të rëndësishme në operat “Karmen”, te Bizesë, “Rigoleto”, ”Trovatore”, të Verdit.

Dhe midis këtyre veprave të njohura, operistike, pa pritur si larmi flladitëse vjen opereta “Princesha e Cardashit” e kompozitorit hungarez Kalman. Në këtë operetë Xhoni dhe shoku i tij, Avni Mula, plotësojnë njeri-tjetrin, por këtë radhë, jo në jetë me hedhje-pritjet e tyre që na bënin të shkriheshim gazit, por në skenë, ku siç më kujtohet edhe mua, patën sukses të plotë edhe me mizanskenat e krijuara prej tyre dhe regjisori i njohur, Mihal Luarasi, si dhe me dialogët, të ndërthurur mjeshtërisht me partet muzikore.

Xhoni do të shquhej pastaj edhe në roline Azizit në operetën “Brigada e grave”, të kompozitorit Llazar Morcka, të Viktorit në operetën tjetër të Agim Prodanit…dhe në role nga opera të tjera, si “Borana”, të Avni Mulës, ”Zgjimi” të Tonin Arapit.

“…Ishte koha, -shkruan autori i librit, – kur në mbarë vendin kishin filluar përgatitjet për kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti. Dhe Xhoni i kushtoi shumë rëndësi rolit të Skënderbeut, nga më të realizuarit në historinë e TOB-it. Ai përmbushte disa cilësi të rralla me zërin dramatik që kërkonte kjo operë e vështirë e Preng Jakovës, interpretimin teatror që ia kërkonte regjisori Pirro Mani dhe paraqitjen e jashtme fizike”.

…Në 1984 unë me një grup shokësh bëmë një vizitë në Krujë dhe u ndalëm edhe më në Muzeun Historik. U takuam atje me krutanë të moshave të ndryshme.”Kemi lexuar shumë për Skënderbeun, por përshtypja që na ka lënë Xhoni Athanas në rolin e Skënderbeut në këtë oper, ishte për ne e jashtëzakonshme. Por jo vetëm për ne, por edhe për fshatarë që kishin ardhur ta parë atë natë që u dha në muret këtij muzeu”.

Këto ishin vlerësimet e këtyre njerëzve të thjeshtë për Xhonin dhe operën “Skënderbeu”.
Është e vështirë që në faqet një shkrimi të përmbledhësh tërë jetën artistike të Xhonit, që pastaj u bë pedagog të Institutin e Lartë të Arteve dhe vite më pas, të detyrohej të linte atdheun e të vendosej Boston atje ku shumë dekada më parë qenë vendosur prindërit e tij,

Dhe ja më 1999 unë dhe çuditërisht edhe Anxhelo Xhaçka, autori i librit “Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”u bashkuam një ditë këtu në Boston. Që atëherë kam pasur dhe kam takime me Xhonin;të rastit raste si dhe në përvjetorë të të tij. Kam biseduar edhe emigrantë rusë, ish-profesorë a profesoresha në universitete të njohura në ish-Bashkimin Sovjetik cilët edhe ata fati i solli në Amerikën “e urryer” kapitaliste.

Sot më flisnin me shumë ngrohtësi për zërin e Xhonit… ”Ai do të kishte qenë edhe në vendin tonë një nga tenorët më të njohur dramatikë”, vinin në dukje ata.

Por Xhoni nuk mungon në takime të organizuara nga Bashkësia Shqiptare e Bostonit, veçanërisht në ditën e 28 nëntorit, festës së Pavarësisë, që fillojnë do të më himnin kombëtar e pastaj me himnin amerikan, të kënduar nga Xhoni.

Për këtë veprimtari ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë më dekoratën e lartë të mirënjohjes, në një ceremoni të zhvilluar më 6 nëntor të vitit 2006.

Por të kthehemi te libri i Anxhelo Xhaçkës, kushtuar Xhoni Athanasit, për mua një nga librat me të vërtetë dinjitozë dhe më të mirë të zhanrit jetëshkrimor, shkruar jo vetëm me vërtetësi historike, profesionale, por edhe me stil tërheqës. Vlerat e këtij libri shtohen dhe më shumë, kur lexuesi njihet edhe me vlerësime personalitetesh të të artit muzikor shqiptar dhe të huaj, të cilët vënë dukje meritat e Xhonit si tenor dramatik që ka dhënë aq shumë për njohjen muzikës sonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Nuk më vjen keq që nuk qeshë unë që shkrova një libër për Xhoni Athanasin, sepse jam i sigurt, se megjithë përvojën letrare dhe publicistike që nuk më mungon, nuk do të mund të shkruaja një libër më mirë se ç’ka shkuar publicisti dhe poeti Anxhelo Xhaçka.

*Boston,SHBA

Lajm i hidhur për skenën shqiptare: largohet nga jeta Gjoni (John) Athanas

Shuhet Gjon Athanasi, tenori shqiptar që luajti rolin e “Skënderbeut”

Në foto tenori Gjoni Athanas në rolin e Skënderbeut, 1968

Tenori i njohur Gjon Athanasi (1925-2019) është shuar në moshën 94-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte bashkë me Familjen prej 25 vitesh. Prindërit e tij i kishin emigruar që prej vitit 1915 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për disa vite familja e tij punoi për përmirësimin e gjendjes ekonomike në Massachusetts, aty ku u lind edhe Gjon Athanas, për t’u kthyer më pas sërish në Shqipëri. Ndonëse, bënë përpjekje për t’u larguar sërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe më pas në komunizëm, por kjo do të ishte e pamundur.

Lidhjet e tij me këngën janë të kahershme, që në vegjëli nisi që të këndojë psalmet bizantine në kishën që babai i tij ushtronte profesionin e klerikut.

Ka reaguar Vera Ibrahimi e cila duke i shprehur ngushëllimet Familjes shkruan:

Lajm i hidhur për skenën shqiptare: largohet nga jeta Gjoni (John) Athanas. Lajm i dhimbshem per Artin Shqiptar… Largohet nje nga themeluesit e Teatrit te Operes Shqiptare, largohet nje nga me te shquarit e interpretuesve kryesore te operave boterore dhe shqiptare, nje nga pedagoget e ndritur te kantos, NJERIU SHPIRTBARDHE, me humorin e perhershem, mik i madh i artisteve, mik i madh i familjes sone, Gjoni(Xhoni) Athanas…

Ngushellimet e mia per Sekinen, Mirela Athanas & Edlira Athanas Joseph! Ngushellimet e mia edhe per tere artistet lirike shqiptare, e jo vetem…! R.I.P, i paharruari Xhon!😢”

Voal.ch po ashtu shpreh ngushëllimet!

 

Ndërron jetë gazetarja e RTK-së Ardita Sylejmani

Gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani ka ndërruar jetë në Budapest të Hungarisë. Gazetarja me prejardhje nga Gjilani dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.

Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore ndërsa përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

Gazetarja Sylejmani është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez.

Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur.