Kreu i Kuvendit, ish-presidenti dhe ishdeputeti i PS-së, 2 orë takim në Tiranë. Kokëdhima flet për marrëdhëniet mes partnerëve në koalicionin qeverisës dhe nevojën për të rivitalizuar koalicionin dhe rivendosur besimin e humbur
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka drekuar dje në mesditë me dy nga emrat e rëndësishëm të Partisë Socialiste, ish-presidentin Rexhep Meidani dhe ish-deputetin Koço Kokëdhima. Edhe pse në Tiranë dje temperatura ishte shumë e lartë, kryetari i parlamentit ka qëndruar në kryeqytet, ku ka drekuar në zemër të ish-Bllokut, me ish-presidentin Rexhep Mejdani. Drekës së Ilir Metës dhe Rexhep Meidanit i është bashkuar edhe ish-deputeti i PSsë, Koço Kokëdhima. Dreka ka zgjatur për më shumë se dy 2 orë dhe i pari që është larguar nga restoranti ishte Kokëdhima, i vetmi që ka pranuar të komentojë mbi këtë takim të (pa)zakontë, në një kohë që flitet kaq shumë për një krizë brenda koalicionit të majtë, e bërë e qartë në kohën kur negociohej miratimi i Reformës në Drejtësi. Që në fillim të fjalës së tij, Kokëdhima i kërkon gazetarëve që të mos e lidhin këtë takim gushti me politikën, ndërsa pranoi problemet në gjirin e aleancës Rama-Meta.
Reagimi
Ish-deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima nga ana e tij në përfundim të drekës e ka cilësuar këtë një takim mes miqsh. “Nuk mendoj se kjo drekë është një arsye për të nxjerrë ndonjë konkluzion politik. Nuk ka madje asnjë simbolikë politike, është thjesht një drekë miqësore”. Ndërsa i pyetur nëse ka probleme mes PS-së dhe LSI-së, ai u shpreh se ka gjithmonë nevojë për korrigjime. “Është një koalicion i gjallë. PS dhe LSI janë pjesët më sinjifikative të së majtës së bashkuar dhe koalicionit qeverisë. Sigurisht që ka probleme mes tyre, por këto dy parti do të kenë aftësinë edhe t’i zgjidhin problemet mes tyre. Është e natyrshme që në çdo lloj koalicioni të ketë gjithmonë probleme dhe gjëra për korrigjime, dikur më shumë, dikur më pak.
Është e natyrshme gjithashtu që një koalicion të rishqyrtojë gjithmonë nivelin e besimit të partnerëve dhe të punojë për të rivitalizuar koalicionin dhe të rivendosur besimin e humbur. Nuk mendoj se ka ndonjë simbolikë të caktuar politike, është thjesht një takim miqësor mes tre miqsh të së majtës”, u shpreh Kokëdhima, i cili ka dalë nga takimi rreth orës 15:45, ndërkohë që Meidani doli pas orës 16:00, duke mos dhënë asnjë reagim për media. As Meta, i cili doli nga hoteli më vonë nuk pranoi të bëjë komente për mediat. Ish-presidenti, njihet si një nga kontribuesit e Partisë Socialiste, por dhe një prej personave që ka pasur përplasje publike me Edi Ramën, pasi ky i fundit mori postin e Kryeministrit. Burime nga LSI bëjnë të ditur se Meta në ditët në vazhdim do të ketë takime me faktorë të tjerë politikë në vend, por edhe me personalitete të politikës.
Po kështu mësohet se do të ketë takime me deputetë të veçantë socialist si Namik Dokle, Arta Dade apo Ben Blushi. Marrëdhëniet brenda koalicionit të majtë qeverisës, nuk janë më ato të shtatorit 2013, kur ata hynë në zyrat e pushtetit. Ish-kryeministri Pandeli Majko pohoi para disa ditësh se koalicioni qeverisës po përjeton tensione të brendshme, gjë që u bë më e dukshme gjatë diskutimit të reformës së drejtësisë. Duke pohuar se ka tendenca nga ana e LSI-së për një afrim me Partinë Demokratike, deputeti socialist thotë se këto lëvizje nuk duhen gjykuar negativisht. Partia Socialiste, tha ai, në marrëdhënie me partnerët në koalicion, ka për detyrë të diktojë tonin e qeverisjes, larg aludimeve, larg akuzave, apo intrigave, por me diskutim të hapur e transparent. I menjëhershëm ishte reagimi i Vasilit, i cili tha se Majko nuk e njeh mirë realitetin.
Majlinda Bregu sqaron “lidhjen” me Ramën
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka sqaruar në rrjetet sociale pretendimet e ngritura në adresë të saj, se mund të jetë një votë e fshehur për qeverinë “Rama”, në rast prishje të koalicionit me LSI. Deputetja demokrate ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj lidershipit të PD-së lidhur me reformën në drejtësi dhe kjo ka nxitur hamendësimet për largimin e saj nga PD-ja. Por, në reagimin e saj, Bregu sqaron se kurrsesi nuk do të jetë patericë e njërit apo tjetrit skenar politik nga të dyja partitë në pushtet, PS-LSI.
Ajo thotë se aludimet janë fantazi vere ose diversion i Ramës dhe Metës. “Dy fjalë atyre që lexojnë portalet mediatike ku përflitem si pjesë e një skenari “shpëtimi” të qeverisë Rama1 përmes një qeverie Rama2, (përballë kërcënimit të supozuar nga një manovër MetaX në bashkëpunim të supozuar nuk e di se me kë, në partinë ku unë bëj pjesë!). Nuk e di a është një fantazi vere për arsye të vapës dhe thatësirës së lajmeve, apo është një diversion i sponsorizuar nga njëri prej dy partnerëve të çiftit të palumtur, pra Rama ose Meta. Ajo që di unë, është që s’jam marrë asnjë minutë me hallet e çiftit dhe të partive respektive”, shkruan Bregu.
Meta takon Bashën dhe Ramën, vetting-u miratohet brenda gushtit
Ashtu siç paralajmëroi pak ditë më parë se nuk do të kishte pushimeve deri sa të miratohej projektligji i vetting-ut, kreu i Kuvendit Ilir Meta e ka nisur muajin gusht me një takim në kryesinë e Kuvendit me e kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe nënkryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, ndërsa në mbrëmje, rreth orës 21:30 është takuar me kryeministrin Edi Rama. Takimi mes aleatëve në qeveri thuhet se u mbajt në rezidencën qeveritare në Durrës, ndërsa në qendër të diskutimeve ka qenë projektligji i vetting-ut. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe larg syrit të medias mes kreut e opozitës Basha dhe Metës është diskutuar mënyra e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të projektligjit të vetting-ut.
Ndër të tjera, gjatë takimit kryetari i Kuvendit informoi Bashën edhe mbi bisedimet që ka pasur me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu dhe ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin mbi domosdoshmërinë e miratimit të projektligjit për kontrollin e figurës së zyrtarëve të lartë brenda muajit gusht. Mësohet se kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka thënë se mbështet këtë kalendar dhe se opozita do të marre pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për projektligjin e vetting-ut në mbledhjen e ditës së sotme.
Gjithashtu, kreu i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit. Pasi ka shqyrtuar projektligjin e vettingut, Partia Demokratike ka artikuluar publikisht rezervat e saj për të. Të djathtët kundërshtojnë rolin e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive në hetimin e zyrtarëve që janë dhe do të jenë pjesë e institucioneve të drejtësisë. Eksperti i PD-së në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Gazmend Bardhi, është shprehur se këto institucione duhet të kenë vetëm rol informues dhe jo shqyrtues apo hetues mbi figurën dhe pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas tij këtë të drejtë duhet ta ketë vetëm Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit. Eksperti i PD-së Gazmend Bardhi theksoi gjithashtu se ligji i ri do të shtrijë afatet e shqyrtimit të punës së gjyqtarëve nga 5 vite që ishin në 10 vite. Ekspertiza teknike në Partinë Demokratike ka përfunduar, ndërsa tashmë mbetet vetëm vendimmarrja politike. Data 25 gusht është afati i fundit kur Parlamenti shqiptar ka mundësi të miratojë në mos 7 projektligjet që bëjnë të zbatueshëm reformën në drejtësi, të paktën ligjin për vlerësimin dhe kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë të quajtur shkurt vetting. BE-ja dhe SHBA-të kanë vendosur të financojnë të gjithë projektin për ngritjen e institucioneve të reja që të krijohen për të bërë procesin e kontrollit dhe vlerësimit të figurës së zyrtarëve, ndaj kanë ngutur politikën shqiptarë për miratimin e 7 projektligjeve të emergjencës.
Brokaj: Krisja e vogël, nuk ka vend për qeveri teknike
Dy nga figurat kryesore të së majtës, Sabir Brokaj dhe Et’hem Ruka kanë komentuar krisjen e shumëpërfolur në media mes dy aleatëve kryesor të koalicionit qeverisës. Sabit Brokaj, një nga figurat emblematike të së majtës, në një prononcim për “Shekullin” duke u ndalur te dreka e djeshme mes Ilir Metës, Rexhep Meidanit dhe Koço Kokëdhimës tha se takimet mes miqve nuk duhet ngatërruar me krisjen që po flitet në media. Vendi, sipas tij, nuk ka nevojë për një qeveri teknike, pasi mes partnerëve të koalicionit, nuk ka ndonjë krizë aq të madhe sa vendi të shkojë drejt një qeverie teknike. “Gjatë këtyre tre viteve koalicioni qeverisës ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Ka kryer shumë reforma të rëndësishme dhe të nevojshme për vendin dhe në pjesën më të madhe ka funksionuar mirë. Luhatje mes partive të koalicioneve ka pasur gjithmonë, por kjo nuk do të thotë se për gjëra të vogla vendi të shkojë në qeveri teknike.
Vetëm në kohë krizash të rënda për vendin krijohen qeveritë teknike. Përgjatë këtyre tre viteve të qeverisjes së majtë nuk kam parë ndonjë krizë aq të madhe së të jetë nevoja për të krijuar qeveri teknike. Tashmë reforma në drejtësi kaloi dhe u votuar me konsensusin e të gjithë palëve dhe krisjet mes partnerëve të koalicionit që mund të kenë ndodhur gjatë kësaj kohe nuk janë aq të thella sa të çojnë vendin në një qeveri teknike”, tha Brokaj. Ndërsa pas takimit Meta-Meidani-Kokëdhima, ai nuk sheh asnjë sinjal përçarës për të majtën. “Nuk mendoj që në takimin në fjalë është biseduar si të thërrmohet ose të prishet koalicioni qeverisës. Unë jam i bindur që në atë takim mes miqsh mund të jetë diskutuar se si të ndihmohet e majta që ta mbyllë mandatin qeverisës”, theksoi Brokaj për gazetën “Shekulli”.
Ruka: Nuk shoh arsye për një qeveri teknike
Et’hem Ruka një tjetër figurë e rëndësishme e së majtës duke komentuar raportet e “lëkundura” të koalicionit qeverisës tha se shumica duhet të gjej forcë për ta rigjetur veten për ta vazhduar koalicionin. Ndërsa lidhje me takimin Meta-Mejdani-Kokëdhima, ai tha se nuk ka dijeni, por shprehu bindjen se duhet të jetë drekë mes miqsh dhe nuk ka lidhje për atë që po flitet në media. “Unë nuk jam dakord që vendi ka nevojë për një qeveri teknike. Gjatë këtyre tre viteve koalicioni i majtë ka funksionuar shumë mirë dhe nuk shoh ndonjë arsye që të ndodhë ajo që po përfolet në media. Ndërsa sa i përket takimit, unë nuk jam në dijeni, por kam bindjen që është një takim mes miqsh dhe nuk ka asnjë lidhje me ato që po flitet”, tha Ruka për “Shekullin”.
Komentet