VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Drejtues kryesorë në DASH japin dorëheqjen

By | January 27, 2017

Komentet

Presidenti Trump anulon takimin me kryeministren e Danimarkës

Presidenti Donald Trump ka anuluar takimin me Kryeministren e Danimarkës, pasi ajo nuk pranon të diskutojë mundësinë që Danimarka t’u shesë Shteteve të Bashkuara Groenlandën.

Të martën Presidenti postoi në llogarinë e tij në Twitter një koment ku thotë “Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, por bazuar në komentet e Kryeministres Mette Frederiksen se nuk është e interesuar të diskutojë blerjen (nga SHBA) të Groenlandës, do ta shtyj takimin e planifikuar për pas dy javësh”.

Presidenti Trump e kishte ngritur idenë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka javën e kaluar. Zyrtarët në Groenlandë dhe Danimarkë u përgjigjën menjëherë se ky ishull nuk ishte për shitje.

Të martën, Kryeministri i Groenlandës u takua në Rekjavik me udhëheqës të vendeve të tjera nordike përfshirë kryeministren e Danimarkës.

Kur e pyetën lidhur me interesimin e Presidetit Trump për Groenlandën, Kryeministri Kim Kim Kielson la të kuptohej se ishte ngopur nga ky diskutim.

“I jam përgjigjur kësaj pyetjeje dy ditë më parë. Nuk është as argëtuese, as për të qeshur”. za

Zëri i Amerikës – Pompeo: Njohja reciproke në bazë të normalizimit të marrëdhënieve Serbi – Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin twitter sekretari Pompeo theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen reciproke. Sipas zëdhënëses, Sekretari Pompeo ritheksoi që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për marrëveshjen.

Presidenti serb, shkroi në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tash, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe dhe “për këtë nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi presidenti serb.

Ai i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se me sekretarin Pompeo ka biseduar edhe “për rëndësinë e mbrojtjes së kishave e manastireve në Kosovë” dhe se Serbia është e gatshme “pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët. Nuk është me rëndësi çmimi politik që duhet paguar, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë të bëjnë me realitetin, por atë që lidhte me mitet tona. I thashë se jemi të gatshëm të bisedojmë dhe e kuptojmë shumë mirë që nëse ndonjëherë do të arrihet ndonjë zgjidhje, ajo nuk duhet dhe nuk guxon të përmbushë kërkesat njërës palë”, tha ai.

Presidenti serb tha se beson që amerikanët e kuptojnë që “nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dy popujt më të mëdhenj, varet e ardhmja e rajonit”.

Bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Jeffrey Epstein “ka nënshkruar testament dy ditë para vdekjes”

Financieri amerikan, Jeffrey Epstein ka nënshkruar një testament dy ditë para se të kryente vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut, kanë raportuar mediat në Shtetet e Bashkuara.

Në disa dokumente të gjykatës është bërë e ditur se pasuria e Epstenit kap shifrën e 577 milionë dollarëve, mirëpo nuk është detajuar se kush janë përfituesit, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur teksa ka qenë duke pritur nisjen e seancës gjyqësore kundër tij për akuzat e trafikimit seksual dhe komplote tjera.

Një ekzaminues mjekësor në Nju Jork ka thënë se 66-vjeçari, trupi i të cilit është gjetur i vdekur më 10 gusht, ka kryer vetëvrasje.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë kundër tij, mirëpo ka mundur të përballet me burgim deri në 45 vjet.

Ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullësi serioze” në burgun federal ku Epstein ka kryer vetëvrasje.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Arrestohet një person nën dyshimin se planifikonte sulme në qendrën hebreje

Policia në shtetin e Ohajos.

Policia e shtetit Ohajo të SHBA-së, ka arrestuar një person, për të cilin besohet se ka kërcënuar se do të sulmojë me të shtëna një qendër të komunitetit hebre.

James Reardon, 20 vjeçar, u arrestua pasi kishte postuar një video të dyshimtë në internet, ku shkruante se “policia ka identifikuar sulmuesin në qendrën hebreje. Ai është Seamus O’Reardon, një nacionalist i bardhë”.

Policia beson se ky emër është pseudonimi i James Reardon.

Një kontroll në shtëpinë e tij zbuloi disa armë, dhe një maskë gazi, tha policia.

Gjatë kontrollit është gjetur edhe material me përmbajtje të nacionalistëve të bardhë.

Të shtënat në një sinagogë në Pittsbourg, vitin e kaluar, lanë të vdekur 11 persona. rel

Të paktën 13 të arrestuar në protestat në Portland

Policia arrestoi të paktën 13 vetë të shtunën në Portland të shtetit Oregon, si edhe vendosi barrierë betoni, mbylli rrugë dhe ura, si edhe konfiskoi një numër të madh armësh në një përpjekje për të parandaluar dhunën mes grupeve të së djathtës së skajshme dhe kundërprotestuesve anti-fashistë.

Shefja e policisë, Danielle Outlaw e përshkroi të shtunën si një “ditë të gjatë dhe të mundimshme” dhe tha se shufra metalike, mburoja dhe sende të tjera të forta u konfiskuan nga forcat e policisë, në qendrën e qytetit ku pati shumë njerëz, por jo incidente madhore mes dy grupeve.

Protesta ishte organizuar nga grupi i së djathtës së skajshme “Proud Boys”. Përballë tyre ishte grupi i veshur me të zeza i protestuesve antifashistë.

Danielle Outlaw tha se autoritetet arritën të mbajnë grupet larg njëri tjetrit.

Zëdhënësja e policisë tha se në një periudhë të ditës rreth 1 mijë e 200 veta ishin në rrugë por numri ra në rreth 400 më vonë pasdite.

Kryebashkiaku i Portlandit, Ted Wheeler tha se afro 1 mijë oficerë të policisë së Portlandit ishin në terren të shtunën të ndihmuar nga Policia Shtetërore e Oregonit, forca të tjera policie dhe FBI-ja.

Në një konferencë shtypi në mbrëmje au the se ngjarja kishte lidhje me “një lëvizje në rritje të nacionalizmit të bardhë” dhe një ndjesi në frike në rritje.

Kryebashkiaku tha se Joe Biggs, organizatori i demonstratës së të djathtës së skajshme, nuk ishte i mirërpritur në Portland.

Biggs tha se e shtuna ishte një sukses, duke iu referuar një mesazhi të Presidentit Donald Trump në Twitter, ku ai linte të kuptohej se do të merrte masa ndaj grupit Antifa që organizonte kundërprotestën, por nuk përmendi protestën e së djathtës së skajshme. za

Pelosi: Nuk ka marrëveshje SHBA-Britani nëse preket pakti irlandez

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Marrëveshja tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të përfshihet për diskutim në Kongres, nëse Brexiti minon të ashtuquajturën Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Pelosi ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk mund të lejohet që të rrezikojë marrëveshjen për paqe me Irlandën.

Komentet e saj kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Britania e Madhe do të jetë “e para në listë” për marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Bolton i ka bërë këto deklarata pasi ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Rivendosja e kontrolleve kufitare në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor të këtij viti, konsiderohet rrezik për një marrëveshje të arritur më 1998, e cila i ka dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

“Pavarësisht rrethanave, Brexiti nuk duhet të lejohet që të rrezikojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë”, ka thënë Pelosi përmes një deklarate.

Bolton në anën tjetër, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mbështet një Brexit pa marrëveshje.

Bolton: SHBA-ja do ta mbështeste vendimin e Britanisë për Brexit pa marrëveshje

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Barr: Janë gjetur “parregullsi” në burgun e Epsteinit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullsi serioze” në burgun federal ku biznesmeni, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje gjatë fundjavës.

Barr ka thënë të hënën se ai është zemëruar kur ka kuptuar se punëtorët e Qendrës Korrektuese në Nju Jork, “kanë dështuar që ta mbrojnë të burgosurin”, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur të shtunën, pasi zyrtarët e burgut kanë thënë se ai ka kryer vetëvrasje.


Jeffrey Epstein.

Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Barr nuk ka ofruar të dhëna specifike, mirëpo ka thënë se hetimet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe inspektorëve të Departamentit të Drejtësisë janë duke vazhduar.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Nju Orlliens.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Dhuna me armë, mbizotëruese në politikë pas vrasjeve masive

Çështja e dhunës me armë ka mbizotëruar në debatet politike të Shteteve të Bashkuara, pas vrasjeve masive fundjavën e kaluar në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa anëtarët e Kongresit janë me pushimet e gushtit, kandidatët demokratë për president po bëjnë thirrje për veprim dhe Presidenti republikan Donald Trump po premton kontroll më rigoroz të blerësve të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sulivan njofton:

Më shumë se 30 vetë humbën jetën në dy vrasje masive. Funerali i një viktime u mbajt të shtunën në Ohio.

Në Ajova të premten, kandidatët demokratë për president u përqëndruan tek dikush që nuk ishte i pranishëm: Presidenti Donald Trump.

“Bëhet fjalë për dikë që e mori postin dhe që ka përdorur merin dhe zërin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të na përçarë”, tha senatorja Kamala Harris.

Zoti Trump i ka dënuar sulmet, por demokratët thonë se retorika e tij për eimigrantët e paligjshëm frymëzon urrejtje. Presidenti u tha gazetarëve të premten se ai do që kontrollet për blerësit e armëve të bëhen më të rrepta.

“Ne nuk duam njerëz që kanë sëmundje mendore, njerëz të sëmurë, të kenë armë”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i rrethuar nga protestuesit në shtetin e tij të Kentucky, tha në një emision radioje të premten që komentet e demokratëve nuk janë të dobishme.

“Pas secilës prej këtyre ngjarjeve, prirja ka qenë për t’u përfshirë në debate politike, në vend që të punohet për të zgjidhur diçka. Presidenti më telefonoi sot në mëngjes për këtë temë. Ai dëshiron të shohë rezultate.”

Shoqata Kombëtare e Armëve, që ka ndikim të madh politik thotë se kontrolli më i rreptë nuk do t’i ndalojë kriminelët.

Kandidati demokart për president Cory Booker i tha një publiku në Ajova të premten se vendi duhet të merret me çështjen e terrorizmit të brendshëm nga supremacistët e bardhë. Ai e bëri këtë argument përsëri të dielën.

“Dhe problemi është se në Shtëpinë e Bardhë nuk kemi dikë që të ngrihet dhe të thotë se do të përballemi me këtë, të caktojmë burime, të shpenzojmë energjinë, kemi dikë që po e amplifikon, që po kontribuon tek kjo lloj përçarjeje”.

Ambasadorja e re amerikane në Tiranë merr këshillat e fundit nga Mike Pompeo

Pak kohë më parë u përcaktua se zëvendësuese e ambasadorit Donald Lu në Tiranë do të jetë Yuri Kim, e emëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ambasadorja e emëruar, që pritet të kalojë edhe kongresin, ka zhvilluar ditët e fundit një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Ka qenë vetë Pompeo ai që ka shpërndarë foto nga takimi me ambasadorët e rinj amerikanë që pritet të fillojnë punë në vende të ndryshme të botës.

Pasi i mbaroi mandati Donald Lu u emërua ambasador në Kirgistan, ndërsa deri në mbërritjen e kryediplomatit të ri amerikan “çelësat” e ambasadës në Tiranë po i mban e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones.

SHBA: Miliarderi Jeffrey Epstein i akuzuar për trafik seksual, kryen vetëvrasje

Financieri Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në qeli ku priste gjyqin për akuza për trafik seksual në Nju Jork, i tha të shtunën agjencisë së lajmeve Associated Press një ish-zyrtar i rendit.

Ai u gjet i vdekur në qeli të shtunën në mëngjes, sipas zyrtarëve që ishin të informuar për çështjen por nuk deshën të identifikohen se nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për çështjen. Mjeku ligjor i Manhatanit e konfirmoi vdekjen e Epsteinit.

Arrestimi i tij solli si rezultat hetime për mënyrën sesi autoritetet e kishin trajtuar fillimisht rastin e tij, kur akuza të ngjashme ishin ngritur kundër tij në Florida para më shumë se një dekade. Sekretari i Punës, Alexander Acosta dha dorëheqjen muajin e kaluar pas kritikave të ashpra për rolin e tij në mbikqyrjen e çështjes, kur ishte Prokuror i Përgjithshëm në Majami.

Miliarderi 66 vjeçar kishte deklaruar pafajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut ndaj akuzve se kishte drejtuar një rrjet të gjerë vajzash të mitura për marrëdhënie seksuale. Sipas akt-padisë, zoti Epstein i kishte joshur vajzat të shkonin në vilat e tij në Manhatan dhe Florida në periudhën 2002-2005 dhe i kishte paguar qindra dollarë për seks. za

Kritikohet Presidenti Trump për thëniet se sulmet në masë u shkaktuan nga probleme mendore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara e vuri theksin te sëmundjet mendore si shkaktari kryesor i dhunës me armë. Këto komente ai i bëri pas dy sulmeve në masë gjatë fundjavës ku u vranë më shumë se 31 persona. Kritikët thonë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Megjithëse Presidenti Trump ka kërkuar trajtim dhe izolim për personat me probleme mendore, administrata e tij ka hequr dorë nga rregullorja që u ndalon të sëmurëve mendorë blerjen e armëve. Po kjo administratë është përpjekur të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, me të cilin qytetarët me të ardhura më të vogla kanë qasje në shërbimet shëndetësore mendore.

Më shumë se 31 persona u vranë në dy sulmet në masë, javën që shkoi në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos, të kryera nga persona me armë automatike.

Menjëherë pas sulmeve, Presidenti Trump premtoi veprime për të ndaluar masakrat.

Por ai minimizoi nevojën e kontrollit të armëve duke i dhënë fokus sëmundjeve mendore.

“Sëmundjet mendore dhe urrejtja tërheqin këmbëzën, jo armët”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka kërkuar reformë të ligjit për shëndetin mendor, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen më lehtë personat me prirje për dhunë por në rast nevoje edhe të izolohen.

Por, përkrahësit e kontrollit të armëve dhe profesionistët e shëndetit thonë se fokusimi në sëmundjet mendore nuk e lufton këtë dukuri.

Në vend të kësaj, ekspertët thonë se treguesi i rrezikut është sjellja e kaluar kriminale.

“Ne e dime se urrejtja po i nxit këto krime dhe urrjejta nuk është sëmundje mendore”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Kritikët shtojnë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Administrata e tij është tërhequr nga rregulloret e kaluara për pronësinë e armëve nga të sëmurë mendorë dhe ka provuar të shfuqizojë ligjin e miratuar në mandatin e Presidentit Obama që u ofronte sigurim shëndetësor privat dhe qasje në programet qeveritare për trajtimin e shëndetit mendor personave me të ardhura të vogla.

“Sigurisht, shërbimet e shëndetit mendor kanë rëndësi. Njëkohësisht njerëzit që thonë se shkaku është shëndeti mendor dhe jo prania e armëve në rrugë, janë po ata njerëz që provuan të ndërpresin sigurimin shëndetësor falas Medicaid dhe po ata provuan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit të përballueshëm”, tha senatori demokrat nga shteti Ohajo, Sherrod Brown.

Përkrahësit e kontrollit të armëve thonë se përqendrimi te sëmundjet mendore shmang faktorë të tillë si qasja e lehtë e amerikanëve në armë zjarri duke përfshirë edhe ato të kalibrit të rëndë.

“Nëse do të bësh diçka për të ndalur dhunën, duhet të bësh diçka për armët”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Presidenti Trump ka mbështetur shtrëngimin e procedures së blerjes së armëve, duke kontrolluar të kaluarën e blerësve, por kundërshtimet e grupeve që mbështesin të drejtën e posedimit të armëve si dhe mungesa e konsesusit në Kongres, zbehin mundësitë e miratimit të një ligji të tillë.

Nëse nuk bëhet diçka e madhe në rang federal, shtetet mund të marrin masa veç e veç.

Shtatëmbëdhjetë shtete kanë urdhëruar mbrojtje nga i ashtuquajturi “rrezik ekstrem” që lejon autoritetet t’u marrin armët qytetarëve që mendohet se paraqesin rrezik për veten ose të tjerët. za

SHBA, ndryshime të tjera në udhëheqjen e zbulimit kombëtar

Në udhëheqjen e agjencisë kryesore të zbulimit amerikan këto ditë ka patur disa lëvizje. Por Presidenti Donald Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar.

Presidenti Donald Trump tha në një koment në Twitter se kishte pranuar të enjten vonë dorëheqjen e Zëvendës Drejtoreshës Kryesore të Zbulimit Kombëtar, Sue Gordon, e cila para pak kohe njoftoi se përgatitej të merrte postin e drejtoreshës në detyrë të kësaj agjencie.

“Sue Gordon është tani atje. Ajo më pëlqen shumë. Gjithmonë më ka pëlqyer Sue Gordon. Por ne do të bëjmë një zgjedhje tjetër. Ajo sigurisht do të merret parasysh për t’u bërë drejtoreshë në detyrë. Me siguri do të flasim për këtë ose sot ose javën tjetër,” tha Presidenti Trump në një koment të mëparshëm me gazetarët.

Nga letra e dorëheqjes së zonjës Gordon drejtuar Presidentit thuhet se dilte qartë që ajo nuk po largohej me dëshirën e saj.

Ajo i tha Presidentit Trump se letra ishte një akt respekti dhe patriotizmi, jo preferencë, dhe se ai duhet të caktonte aty ekipin që dëshironte.

Largimi i zonjës Gordon vjen më pak se dy javë pasi drejtori i zbulimit kombëtar, Dan Coats, njoftoi se do të largohej më 15 gusht.

Në Twitter, Presidenti Trump tha se, admirali në pension, Joseph Maguire, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, do të bëhej drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar më 15 gusht, ditën kur hyjnë në fuqi dorëheqjet e zotit Coats dhe zonjës Gordon.

Presidenti Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar. za