VOAL

VOAL

Dosja sekrete- Telegrami urgjent nga New York: Aleksandër Kondo telefonoi në misionin tonë, foli fjalë fyese për Enver Hoxhën, na kërcënoi dhe…

June 23, 2021

Komentet

Oglinda Lumii (1923) Ahmet Zogu, Napoleon Bonaparti shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2024

Revista rumune “Oglinda Lumii” ka botuar, të shtunën e 6 janarit 1923, në faqen n°770, një artikull lavdërues asokohe për Napoleon Bonapartin shqiptar, Ahmet Zogun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Napoleoni shqiptar

Ky është Ahmet Zogu, presidenti i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pavarësia e të cilës u njoh përfundimisht vetëm një vit e gjysmë më parë. Kryeministri i ri, të cilin bashkatdhetarët e krahasojnë me Napoleon Bonapartin, është një figurë kurioze në politikën botërore dhe, pa dyshim, ai është kreu më i ri i qeverisë në të gjithë botën (ai është 27 vjeç).

Në një moshë kur shumë të tjerë sapo kishin kaluar pragun e shoqërisë, Ahmet Zogu tashmë i përket legjendës. Ai konsiderohet njeriu i paracaktuar për ta çuar Shqipërinë drejt begatisë dhe madhështisë; Vendimet e tij janë ligj për të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit fetar.

Karriera politike e Zogut, ose më saktë lufta për pavarësinë e vendit, daton prej kohësh, pasi diktatori aktual ishte vetëm një adoleshent 15-vjeçar. Që atëherë, ai u hodh shkabave dhe më shumë se një herë rrezikoi jetën e tij gjatë kryengritjeve përmes të cilave populli shqiptar shfaqi dëshirën për të jetuar jetën e tij, i lirë nga tutela e huaj. Natyrisht, ka shumë vështirësi për të zbutur, të gjitha që rrjedhin nga keqkuptimet me Greqinë, nga njëra anë, Jugosllavinë, nga ana tjetër, në lidhje me përcaktimin e kufijve. Por duke qenë se Republika Shqiptare lindi nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve, është për të shpresuar që këto konflikte të zgjidhen së shpejti.

***

Forma e qeverisjes së Shqipërisë ka veçori që e bëjnë atë të ndryshme nga regjimi demokratik i republikave të tjera.

Nominalisht, pushteti suprem ushtrohet nga ai që quhet Këshilli i Regjencës, një lloj Lejtenance Mbretërore. Ky këshill, i përbërë nga katër anëtarë, zgjidhet me plebishit. Ai që aktualisht është në funksion është rrjedha e konsultës së përgjithshme të vendit të vitit 1920.

Këshilli i Regjencës emëron kryeministrin, i cili zgjedh vetë bashkëpunëtorët e tij.

Kontrolli i akteve të pushtetit ekzekutiv ushtrohet nga një parlament prej 75 deputetësh. Për përfaqësimin kombëtar është përgjegjës vetëm kreu i qeverisë; Ministrat e tjerë janë zyrtarë të thjeshtë, nën autoritetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Ahmet Zogu është edhe ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm.

Caras y Caretas (1912) Intervista me politikanin shqiptar në Buenos Aires, i cili braktisi ndërmarrjen e tij në jug të Brazilit për të bërë propagandë për lirinë e atdheut të tij

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Mars 2024

“Caras y Caretas” ka botuar, me 30 nëntor 1912, në faqen n°60, intervistën me një politikan shqiptar në Buenos Aires. Bëhet fjalë për Thomas Touché, i cili asokohe ka braktisur ndërmarrjen e tij në jug të Brazilit për të bërë propagandë për lirinë e Shqipërisë në Amerikën e Jugut. Këtë intervistë, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Lufta e Shqipërisë për pavarësi

Reportazhi aktual për një politikan shqiptar

Për çështjet e Evropës Lindore është thënë gjithmonë me të drejtë se ato përfshijnë një numër problemesh të tjera dytësore, saqë zgjidhja e kryesorit bëhet e pamundur. Ky kriter konfirmohet nga deklaratat që na bëri politikani shqiptar Touché Thomas i cili teksa po kalonte në Buenos Aires u intervistua nga Caras Y Caretas.

Duhet, – na tha ai, – kur flasim për çështjet e Ballkanit, të kujtojmë se, nën problemin kryesor është ai që i referohet gjendjes politike të Shqipërisë, atdheut tim. Ne shqiptarët kemi kohë që luftojmë për lirinë e vendit tonë, i cili nën sundimin e turqve është i detyruar në të njëjtin stanjacion në të cilin ndodhet e gjithë Turqia. Në më shumë se një rast, ne shqiptarët kemi luftuar për rrëzimin e procedurave tiranike të Turqisë.

Mirëpo, ky zjarr në Ballkan na befason në një moment të rëndë. Politikanët kryesorë të patriotizmit shqiptar po përgatisnin një rebelim kundër Turqisë jo shumë kohë më parë, kur në Perandorinë Osmane ndodhi zgjimi i partisë së quajtur Xhonturqit. Këta, që kishin nevojë për opinion kudo për t’i mbështetur, kërkuan patriotë prestigjiozë shqiptarë dhe u kërkuan atyre t’i ndihmonin, duke premtuar në këmbim se nëse partia xhonturke do të vinte në pushtet, Shqipëria do të kishte ligje të buta, qeverinë e saj dhe pavarësi pothuajse të plotë, sepse autoriteti i Turqisë nuk do të rëndonte mbi të.

Rezultati ka qenë i ndryshëm. Regjimi i ri mbizotëroi në Turqi dhe, sapo xhonturqit ishin në krye, ata nuk u kujtuan më as për Shqipërinë, as për premtimet e tyre. Për këtë arsye nuk do të habiteni që shqiptarët tani janë kundër Turqisë, në të njëjtën kohë edhe kundër kombeve fqinjë, të cilët synojnë të marrin Shqipërinë, duke i mohuar çdo të drejtë për lirinë e saj.

Dëshiroj që kjo të dihet, sepse në Republikën e Argjentinës, një vend i lirive, lufta e shqiptarëve duhet parë me simpati, siç dëshirojmë ne, për popullin tonë, lirinë që është baza e progresit.

Kështu është shprehur zoti Thomas, i cili aktualisht po bën një propagandë të mirë mes bashkëqytetarëve të tij, banorë të Amerikës së Jugut, për të mbledhur fonde dhe njerëz me të cilët do të luftojnë për liritë.

Nga ana tjetër, veprimi i shqiptarëve në favor të lirisë së tyre nuk reduktohet me kaq.

Në Shtetet e Bashkuara, patriotët e Shqipërisë botojnë një gazetë të përjavshme të quajtur “El Sol – Dielli” dhe qëllimi i saj i vetëm është të mbajë gjallë idenë e lirisë shqiptare, duke mbështetur në të njëjtën kohë qendrat e kulturës dhe mbledhjen e fondeve për të armatosur revolucionarët.

Z. Touché Thomas braktisi një ndërmarrje industriale që zotëron në jug të Brazilit për t’iu përkushtuar propagandës së tij patriotike dhe kjo mjafton për të demonstruar rrënjosjen e ndjenjave të tij për të mirën e vendit të tij.

WILL.

Dokumenti i rrallë i kapterit të Sigurimit: Si bëhej kontrabanda me Greqinë gjatë misioneve sekrete

Niko Braçi, ishte një ushtar i ELAS-it, i angazhuar në strukturat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në Gjirokastër, në vitin 1944-1949. Një letër e shkruar prej tij, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në shkurt të vitit 1949, zbulon detaje të rëndësishme që faktojnë aktivitetin kriminal të Sigurimit të Shtetit, shthurjen në radhët e tij, si dhe kontrabandën me Greqinë, gjatë kohës kur ata vizitonin shtetin fqinj, me mision sekret nga Sigurimi i Shtetit. 


Në letrën e Niko Braçit, zbulohen personazhe të angazhuar në strukturat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, ka prej tyre që figurojnë në listën e ekzekutorëve më të egër të krimeve të komunizmit. Veli Bakiri, është në këtë listë dhe rezulton të jetë një ndër emrat më të spikatur, si persekutor në kohën e komunizmit. Në ato lista, ka emra të njohur të kohës, këngëtare dropullite që shfaqeshin në ekranin bardh’ e zi të kohës së komunizmit, si të preferuarat e diktatorit Enver Hoxha.

Letra është në formën e një autokritike drejtuar partisë, pasi autori, Niko Braçi, me sa duket ishte liruar nga Sigurimi i Shtetit dhe nga angazhimi i tij në Ushtri. Pas ndëshkimit, kishte dërguar këtë letër, e cila përmban autokritikën e tij për ato që kishte bërë gjatë angazhimit në strukturat e Sigurimit në Gjirokastër. Njëkohësisht, ai evidenton edhe kritika e akuza të forta ndaj eprorëve e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë e, minoritarë grekë, në vitet kur kishte punuar në këto struktura.

Vihet re, imoraliteti, presioni ndaj grave, për t’i shfrytëzuar seksualisht, skenarët e mashtrimit ndaj banorëve dhe rënia në kurthin e Sigurimit, të disa prej atyre që dëshironin të largoheshin nga Shqipëria drejt Greqisë. Ka dëshmi për dhunën ndaj banorëve të zonave përreth. Ajo që spikat në këtë letër është pohimi: “Isha pak imoral”, gjë që shoqërohet me historitë e tij rozë e të bashkëpunëtorëve të tij, me gratë e zonave përreth, kryesisht ato që detyroheshin të bëheshin bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit.

Më poshtë botohet i plotë teksti i letrës së grekut të ELAS, ashtu siç është shkruar prej tij, me gabimet gjuhësore, shoqëruar me faksimilen e letrës marrë nga Arkiva e Shtetit.

Vdekje Fashizmit

 Liria e Popullit

 Komitetit Çentralë të Partis P. Shqipnis

I nënshkruari Niko Braçis.

Antari i Partis P. greke, që bënja pjesë në organizatën anti-fashiste greke të Gjirokastrës, dhe me shërbime pran seksionit Sigurimit Gjirokastrës, me punë kapter, ju parashtroj sa më poshtë vijon:

Me Rezulicionit e Pleniumit XI-të, nukë kam bërë autokritik dhe kritikën mbi gabimet e mija, që më janë paraqitur si anëtar partije dhe si organ i Sigurimit.

Me qen që puna e Sigurimit është nji punë speciale dhe rezervate, për këtë ju dërgoj autokritikën dhe kritikën time.

Unë jam nji ushtarë i Ellasit, i cili kamë ardhur në Shqipëri, që në prillë të vitit 1945, mbasi ndiqesha nga monarko-fashistat grekë dhe që at here, kam hirë në organet të Sigurimit dhe në punë time të përditshme më janë konstatuar këto gabimet.

Autokritikë; unë jam pak llafazan, si në popullin kështu dhe në shokut, unë me popullin s’jamë sjellur arrogantë, por populli kishte frik nga mua, jo si person, por si argonë e Sigurimit.

Jamë pakë imoralë.

Unë në fillim të vitit 1945, që kam hirë në punën e Sigurimit, deri në fillim të vitit ’46, unë s’kisha udhëzimet si për punë dhe punonja siç ma priste mendja time, kur kalonin nonjë njeri kufirin për në Greqi e, kur kthiheshin na Greqia, i arrestoja dhe i mbanja në komandë dhe i lironja mbasandaj.

Në dhjetor të vitit 1945, kam shkuar në disa kasollet të katundit Goranxi natën, për të kontrolluar me qen se vinin korrjerat nga Greqia dhe provokova një djalë, që gjoja jam grekë dhe dua të më lidhën me Vangjeli Gogoni, nga katundi, mirë por më kuptuan dhe nuk më treguan. I arrestova i kam dhënë 4-5 pëllëmba dhe me të e mbajta një natë dhe me të nesërme, e lëshova; këtë e bëra me kokën time.

Unë kam çiftëzuar K. Gogonin, me bashkëpunëtoren t’onë, jo me qëllim martese. Më 23 prillë të vitit 1947, ishte arratisur një djalë nga katundi Llongo dhe komanda e kompanisë, Llozgo, arrestoi baban e djalit, Anastas Vasilin dhe nji shokë tjetër të quajtur Ziso Liango, nga ai katund, pa as nji arsie.

Në bashkëpunim me komisarë e kompanisë, kemi rrahur Zison dhe e kemi vënë në korendë. Komanda e mbajti 2 dit dhe e lëshojti. Kam rrahur dy pëllëmbë, Vasili Bruzo, nga katundi Llozgo bashkë me përgjegjësin tim, n/toger Nikolla Ndriçon.

Kam rrahur me urdhrin e përgjegjësit tim, n/toger Nikolla Ndriço, dhe kam kërcënuar dy veta, nga katundi Bularat, Gligori Gaxhijan dhe Nikolla Mastakun, se këta gjoja se kishin një grup gjë që kjo informata e kishte _____ një grua kurvë.

Nasho Nikës dhe Nasho Nika e dha zirës time, që kjo grup ishte organizuar gjë që kjo, ishte krejt fallco. Në vitin 1947, është arrestuar nga forcat kufitare, Dhimitri Çamati, nga katundi Kakavijë, i cili akuzoheshe që gjoja kish prer vijën telefonike.

Ky u shoqërua në zirën tonë të Vriseras, atje e kam rrahur dhe e vura në korendë. Janë dhe disa gjëra të vogla, të cilat nuk më mbahen mendë.

Kritikoj Thanas Nika, tash ne seksioni i Sigurimit të I-rë të Gjinokastrës. Ka çiftëzuar Th. Karasu, nga katundi Sotirë, e ka dërguar në Greqi, gjoja për formata, që kjo nuk është e vërtet, mbasi ajo familjen e kishte në Athinë dhe siç thoshte, do të kthehet prap, gjë që nuk u bë dhe në ___________ të tij tha që u zu nga monarko-fashistët grekë.

Kritikoj Thanas Nikën dhe vëllanë e tij, që ishte dhe ai në seksionë të I-rë të Gjinokastrës, Koço Nika. Këta të dy e kishin si informator, që sillte informata nga Greqia gjoja, por kjo bënte kontrabandë, e cila quhet Vasillo Biçuni. Kjo transportonte çorape, telat ombrelle dhe gjëra të tjera.

Këtë e vërtetoj kështu; që në vitin 1946, në shkurt, kjo u nis nga Llongo me nji ushtar të quajtur Jani Nasto, nga Sofratikë, me çorape (18 sterlina) plaçka. Mirë por monarko-fashistët e kuptuan, që kjo merte kontrabandë dhe ia kanë bërë pritje na kufiri për ta plaçkitur.

Mirë por kjo ju iku nga duart, neve kur pamë një gjë të tillë, u detyruam që të hapim zjarr kundra monarko-fashistavet, 2 orë reshtMe gruan nalt përmendur, Nasho Nika dhe Koço Nika, bënin punë seksuale dhe kontrabandë dhe parat i ndanin të dy.

Kritikoj Thanas Nika, dërgonte Anastas Vasilin nga Llongo në Greqia, për informata, mirë por Anastasi sillte kontrabandë nga Greqia, për një dhe gjëra të tjera, më së fundi nuk e dërgonin më, nga mos besimi që Anastasi më tha që; të sjellë çfarë të duash që andej. Si e pushojti, i ka ngrënë 15 dit rogë, e ka deklaruar vet Anastasi, tek mua.

Kritikoj Thanas Nika, që ka çfritëzuar P. Shinga nga katundi Jergucat, që kjo ka dhëndrin e saj të arratisur nga radhët e ushtrisë t’onë. E kalojti kufirin gjoja për formatet, gjë që kjo nuk bëhesh. Atje që shkojti në Janin ,dolli para gjiqit falsifikim dhe tha për baban tim, Aleksi Braçi që ka lidhje me mua dhe mi shqiptarët, që kështu u dënua me thëniet të saj.

Kritikoj Veli Bakirin, ish shefi i N/seksionit Sigurimit Gjinokastrës. Pasi më kish mbajtur nënë vërejtje 5 ditë, në seksionë të Gjinokastrës, që gjoja më akuzonte që kish lidhje me korjera grekë që vinin në tokën t’onë, mua, n/toger Nikolla Ndriçon dhe Kristo Barimi.

Këto informata më ka dhënë Nasho Nika, që tij të kishin nënë vërejtje Veli Bakiri dhe mos besimi se unë mos kam rënë në kompromis me korjerat grek, që nuk i kapim dot.

Kritikoj drejtorin të degës Sigurimit Gjinokastrës. Kap. Niko i cili, ka dërguar toger Xhembro Ismailë dhe me bashkëpunim me neve, tre shokë të Sigurimit. Kemi provokuar vet neve një grua, për të arratisur për në Greqia, që ta kapim neve – si këtë gjë e kemi mbaruar, e kemi kapur gruan të quajtura M. Gjoka nga Sotirë, e cila sot është në burg. Me kaq përfundoj.

Tjetër gjë nuk më kujtohet, mbasi më janë mbetur dhe gjëra të tjera. Për të gjitha këto gabimet, që më janë paraqitur mua si person, arsia është se unë jam mbetur 4 vjet resht në një sektor, pa më dhënë udhëzimet të duhura nga superiorët time dhe as dorë ngritje personale, se kjo gjë është e vërtet që shokët të tjerë, kanë bërë gabimet më të rëndë nga mua, s’jan dalë në mas, mbasi ishin transferuar gjetkë.

Kurse sot unë qitem në lirim nga Sigurim, si dhe na Ushtria, nga opinione të popullit dhe neve vet e provojmë këtë gjë, që populli kishte opinion të keqë për neve. Por neve si komunistë, japim fjalën e nderit ne partin, që këto gabimet do t’i ndreqim duke punuar kthesë në vijën e drejt të Partisë s’onë dhe të popullit dhe kauzën kundra armikut të brendshmen dhe të jashtme./Memorie.al

Me nderimet shoqërore

 Antar i P.P. greke

 Niko Braçi (firma)

Tiranë 19/II/949

1936- Kur ambasadori Hugh G. Grant i prezantoi presidentit Roosevelt pistoletat shqiptare të blera në Shkodër

Hugh G. Grant (1888 – 1972) — Franklin Delano Roosevelt (1882 – 1945)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2024

“The Atlanta Constitution” ka botuar, të martën e 15 shtatorit 1936, në faqen n°9, një shkrim rreth pistoletave shqiptare të prezantuara nga Hugh G. Grant asokohe presidentit Roosvelt, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Armë zjarri shqiptare iu prezantuan presidentit

Burimi : The Atlanta Constitution, e martë, 15 shtator 1936, faqe n°9

Uashington, 14 shtator. — (AP.) — Sot, një palë pistoleta dueli shqiptare iu prezantuan Presidentit Roosevelt nga ministri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Hugh G. Grant, nga Birmingham.

Grant, i kthyer në këtë vend me leje dymujore, tha se pistoletat i kishte blerë në Shkodër, Shqipëri.

Ai planifikoi të qëndronte në Uashington rreth një javë më shumë, pastaj të vizitonte Virxhinian për disa ditë. Ai tha se ndoshta do të shkonte në Birmingham pas dy ose tri javësh.

Ai shoqërohej në SHBA nga zonja Grant dhe vajza e tyre e vetme.

PO  SIKUR “AI” T’ ISHTE AT  GJERGJ  FISHTA ?!- Nga Fritz RADOVANI

 

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

(1871 – 1940)

 

Kam ndigjue po nuk e dij sa asht e vertetë: Duhet t’ jenë llafe!!

Flitet se At Gjergj Fishta asht kenë marrë edhe me politikë, thonë disa…

At Gjergji nuk ka kenë as i pari dhe as i fundit që asht marrë me politikë, madje, edhe ka mbajtë fjalime në Lidhje të Kombeve, që kujtohen edhe sot mbas njëqind e sa vjetësh. Po a ua di  kush vleren atyne Fjalimeve? – Ha dreq as nuk i zen kush me gojë as shka u tha, as kush i tha?! Disa vetë kur i permendin, ia venë në gojen e njëtjetri, ndersa atij tjetrit shpesh mundohen me ia ndrrue emnin si dikur: “Hiqja Lenës e, venja Prendës!”

A i shifni njikëto shkronja që jeni tue lexue? Na asht dashtë me u ba 20 a 25 vjeç per me marrë vesht se prej germës a e deri tek zh, i ka shpikë pra bash njaj Frati i zbathun i katundit Fishtë. Askujt nuk i shkon mendja me thanë të pakten me vedi: “Po sikur mos ti shpikte Ai Frati i lidhun në bel me konop rreth’e rrotull, po me shkronja turqe, do të vazhdojshim na me shkrue prrallat e Skenderbegut?! – Jo se ishte turp me shkrue turqe, se edhe Ahmet Zogu ma parë se me mësue shkronjat shqipe (po i pat dijtë}, ka pasë shkrue me alfabetin arab, se ashtu i erdhi ma lehtë!! Por, çudia qendron tek zhvillimet historike të Popullit Shqiptar, që edhe mbas 500 vjetësh robni turke, vazhdonin me u knaqë me “haxhimakulle e sherbet” e, nuk ju shkonte mendja me u zgjue e me pa rretherrotull shtëpisë së vet a ka ndryshue gja, të pakten, kur fillojnë me ardhë dallndyshat tek na?!

Flitej nënza, se aty kah 1927 një klerik Katolik i “albanskij narod” kishte shkue larg e ma larg, madje, deri tek Stalini dhe, jo njëherë por dy herë, në BRSS. Shumë Shqiptarë sot këto kater shkronja as nuk dijnë me i zberthye, se per me i marrë vesht hama – dreq, as nuk i shkon mendja! E, per mos me i mbetë hatri drejtuesve të qeverrisë së Tiranës, thonë se “me siguri, ai që ka pas menduar me u lidhë me rus, pa pyetur njeri është qenë ai frati i Veriut, se ai ka bërë veprime në koken e vet!” 

E, as vetë Ai Frati, s’ ua prishë qejfin edhe  pse i shef tue ia hapë vorrin!

Shumë vorrmihës t’ asaj kohë të marrakotun nga padija dhe fukaralleku i mendjes së tyne, edhe sot me i pyet per “400 e sa letra, që ai filani nga stoli pranë vatres, i ka shkrojtur Everit tanë…”, me mendjemadhësi, kanë per të thanë: “Po, ore ai ka qenë, se i njohim shkronjat, ai fshatari i pafytyrë i Fishtës, që donte të mësojë edhe Everin, dijetarin tanë t’math!”

E po të rreshtoni dijetarët e sotem, të Akademisë Antishkencore të asaj Tiranës së Esad Pashës me të Gjirokastres së Ever efendisë, nuk do të gjeni jo sot, po asnjëherë ndonjë budalla si “Ai i Fishtës”, që “i paska shkue në Moskë mendja, me rregullue Popullin Shqptar me Stalinin!!”

Ndersa, si dhe në ç’ mënyrë ka mendue ai “At Fishta”, me varrosë pa u marrë vesht “Shqipninë komuniste mbas vitit 1944…?”, ate e di vetem ai!

Në se nuk më besoni mue, lexoni Letrat që ruen sot Arkivi i Shtetit !!

Nuk ka asnjë randsi se kush asht Autori? Mjafton që “Letrat janë shkrue nga një shqiptar e janë lexue po prap nga një i “ashtuquajtur shqipëtar”!

Sesa efekt kanë ba ato letra në koken e Everit tanë, ate e tregon jo vetem koha, po e dishmon ma mirëse gjithshka “vlera e derguesit të letrave” që edhe pse Ai ka humbë sa kohë me “shprazë koken e vet per me mushë atë koken b… t’ Everit !”, prap, rezultati asht kenë i barabartë me 0. ZERO.

Ky rezultat më ZERO, më ka shty me ia kalue autorsinë e letrave Atij “fshatarit Fishtës sonë”, se vetem Atij me i thanë se asht kenë “komunist” kur ka shkue tek Stalini, apo kur i ka shkrue 400 e sa letra Everit tanë, mbas të gjithë atyne Epiteteve që i kanë veshë per shpinë, mbas vitit 1944 as, per këta Epitetet e sotme jam i sigurt se nuk i mbetë hatri aspak!

Dhe, se këta Epitete ju vune para vdekjes a mbas vdekjes, nuk ka asnjë pikë randsije, sepse as Ai vetë dhe Askush, nuk ka mbetë me u pergjegjë!

Madje, “ata dijetarët nga Jugu edhe gëzohen fort kur lexojnë se: “Everi ynë nuk i ka pergjegjë fare një kleriku katolik nga Veriu, tue kenë Frat !”.

Ndersa, Veriu edhe sot krenohet me Emnin e Perjetshem të Fratit tonë!

Fatkeqsisht, edhe unë atëditë me 6 Janar 1940, kur më ka marrë në duertë e Tija, nuk kam dijtë me folë asnjë fjalë me Até Fratin e Nderuem, VETEM I NGULA SYTĒ TEK AI BURRĒ, ASHTU SI SOT ! E… DERI KUR ? –  NUK E DIJ… PRA,  O AT GJERGJ FISHTA !!

PO, SHQIPNIA  YTE  O AT I BEKUEM,  RRNOFT’ E  KJOFTĒ  NDER  SHEKUJ  T’  SHEKUJVE,  BASHKĒ  ME  EMNIN  TAND T’ MADH E  T’ PAVDEKSHEM !

            Melbourne, 16 Mars 2024.

 

Ish-dikatori i mori pjesë edhe në varrim, vrasjet e mistershme të Qemal Stafës dhe heronjve të Kodrës së Kuqe pak çaste pas ndarjes me Enver Hoxhën!

AFRIM IMAJ/ Tre heronjtë e Kodrës së Kuqe, Vojo Kushi, Xhorxhi Martini e Sadik Staveleci, janë vrarë në një shtëpi në Tiranë pak çaste pasi janë ndarë me Enverin.
Në pamje të parë, mënyra si e përshkruan këtë ngjarje të bujshme dokumenti i vitit ‘46, përjashton çdo dilemë për rrethanat e tragjedisë, por leximi i vëmendshëm i variantit të servirur aty nga Enveri, të cilin nuk e ka përmendur më kurrë, të krijon një shije dyshimi, që vë në diskutim jo thjesht kronologjinë e ngjarjes.


“Enveri mbriti në bazën ilegale të tre martirëve 12 orë para vrasjes së tyre, pohon dokumenti. Aty takoi shokët, u hoqi vërejtje për lëshimet që kanë bërë, i porosi të marrin masa mbrojtjeje, këshilloi Xhorxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures njëzetëshe me të cilën loste. Sadik Stravrelecit i dha udhëzime të niset të nesërmen në Kosovë. Korrierin që do të nisej për te çeta e Baba Fajës e këshilloi të ikë që pa gdhirë. Të zonjën e shtëpisë, një militante të vjetër, e urdhëroi që mos të qasë aty Anastas Lulon. Por, plani dështoi. Të nesërmen që me natë forcat armike rrethuan shtëpinë. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë. Gjashtë orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku ndodhej 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte. I prekur thellë nga vdekja e shokëve, atë ditë shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh”.

Ky është varianti i autorëve të biografisë së vitit ‘46 për ngjarjen e Kodrës së Kuqe. (Aty, veç të tjerave, nuk përmendet prania e të mbijetuarit të tragjedisë). Enveri, sipas tyre, nuk ka qenë vetëm vizitori i fundit i bazës ilegale, por edhe dëshmitari i ngjarjes të cilën e ka ndjekur nga afër(!)Çuditërisht e njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e Qemal Stafës, i cili, siç konfirmohet te “Biografia…” është sulmuar në bazën e tij “pak momente pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë”.

Sidoqoftë, jo çdo rastësi mund të bëhet shkak për hamendësime të ndryshme, megjithatë, mënyra si është zbardhur më vonë kronika e këtyre ngjarjeve nga protagonisti i “Biografisë…” dhe disa pohime të kundërta me variantin zyrtar të publikuar vitet e fundit nga dëshmitarë të tjerë, nuk e kanë fashitur përfundimisht misterin rreth tyre. Ndërkaq, pjesa në vijim e dokumentit zbulon të tjera ndodhi nga jeta e diktatorit në fillimin e viteve ‘40. Ndër to duken interesante konsideratat për Koçi Xoxen, që përcaktohet si kreu i hierarkisë së miqve më të afërt të Enverit, paçka se pak më vonë do të zinte kreun e agjenturës antishqiptare dhe urdhrat për ekzekutimin e Niko Xoxes e Sadik Premtes…

Enveri vazhdonte të qëndronte në Tiranë për të drejtuar punën dhe aksionet. Shtëpitë e popullit fukara të lagjes së Tiranës “Vorri i Bomit” u bënë qendrat kryesore, nga ku dilnin parullat dhe direktivat që mobilizonin masat për luftë. Enveri është në kontakt të përditshëm me shokët që kanë përgjegjësi të ndryshme. Ai i udhëzon këta në luftën e tyre dhe nëpërmjet tyre merr eksperiencën e masave. Shoku i tij më i afërt, Koçi Xoxe, arrestohet. Qemal Stafa pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë, rrethohet dhe vritet në lagjen e Tiranës, të tjerë shokë bien dëshmorë. Pas dhjetë muajsh përpjekje të Partisë, ishin krijuar konditat e themelimit të Frontit, Italia dhe Gjermania fashiste ishin n’apogjenën e fitoreve të tyre. Me trakte, me organin e rregullt “Zëri i Popullit”, Partia kishte arrirë të ngjallë dashurinë më të madhe për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin, për ushtrinë e kuqe heroike. Kundër manovrave dhe demagogjisë fashiste që përpiqej të mbillte urrejtjen mes popujve, Partia kishte ngjallur dashurinë kundrejt popujve të tjerë të shtypur, sidomos kundrejt popujve të Jugosllavisë.

Në Shqipëri rezistenca kishte marrë proporcione të mëdha në zonat e çliruara, si Peza, Opari, Tomorica, Mesapliku, Mallakastra etj. Çetat e armatosura vepronin në luftë të hapët me okupatorin. Postat e karabinjerisë ishin spastruar, armiku ishte strukur në qytete, autokolonat e tij qarkullonin të shoqëruara me autoblinda. Çetat vrisnin dhe zinin rob me qindra ushtarë italianë, shkatërronin ura, rrugë, prisnin vijat telefonike, sulmonin depot e ushqimit dhe ua ndanin këto popullit. Njësitë në qytete ishin zmadhuar pa masë. Në këto kondita dhe me këtë aktiv lufte, Komiteti Central i Partisë mori vendimin për organizmin e Frontit Nacionalçlirimtar. Në Konferencën e Pezës, që u mblodh për këtë qëllim më 16 shtator 1942, u thirrën dhe kishin ardhur të përfaqësonin nga të gjitha shtresat e popullit dhe patriotë si Myslym Peza, Baba Faja, Haxhi Lleshi etj. Komiteti Central i Partisë kishte deleguar Enver Hoxhën, Nako Spirun dhe shokë të tjerë. Enveri shtroi në konferencë eksperiencën që kishte mbledhur deri atëherë nga përpjekjet e masave popullore, të cilat kishin fituar besimin në triumfin e kauzës së tyre.

Ai dha kuptimin e drejtë të bashkimit që duhej, bashkimi i cili do të realizohej vetëm në zjarrin e luftës antifashiste dhe do të krijonte atë bllok të vetëm të të gjitha forcave popullore, pa dallim feje, krahine ose ideje, dhe që kishte predikuar me kohë Partia Komuniste Shqiptare. Ay theksoi nevojën e goditjes dhe të shkatërrimit total t’aparatit të vjetër të shtetit që kishte kapitulluar më 7 prill 1939 dhe të ngritjes së një pushteti të ri. Shoku i tij, Naku Spiru, ngriti çështjen e organizmit të shëndoshë t’organizatës së rinisë. Mbi këto vija të përgjithshme doli rezolucioni i Konferencës së Pezës, që u hartua prej Enver Hoxhës dhe Naku Spirus. Rreth mbledhjes së Pezës armikut i kishte rënë era, por nuk dinte ekzakt vendin dhe qëllimet e mbledhjes. Me gjith’atë ay grumbulloi forcat dhe i lëshoi në sulm për t’i rrethuar dhe për të djegur gjithë zonën.

Po ishte vonë, konferenca kishte mbaruar punën 2 ditë më parë dhe delegatët ishin shpërndarë. Vetëm Enveri me disa shokë, duke u kthyer për në Tiranë, takon forcat armike që shkonin të rrethonin Pezën. Ata kishin me vete thasët me material të konferencës të botuar në shtypshkronjën ilegale që kishin të fshehur në mal. Qenë në rrezik të kapeshin, por shpejtësia dhe manovrimi i tyre depistoi vërejtjen e armikut, ata fshehën materialin në një han mbanë rrugës dhe me një farë taktike i shpëtuan nga duart e armikut, i cili u kujtua vonë dhe kontrolloj të nesërmen n’anën ku gjeti dhe zuri materialin, i cili u ribotua përsëri dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë. Në Pezë delegatët kishin mbetur dakord të bëheshin aksione me karakter të përgjithshëm. Aksioni u krye me sukses, u prenë gjitha rrjetat telefonike dhe u sulmuan autokolonat e armikut. Vetëm një nga delegatët e konferencës nuk e zbatoi detyrimin që kishte marrë përsipër, ky ishte Abaz Kupi, i cili vazhdoi në këtë rrugë gjersa u hodh jashtë nga Këshilli i Përgjithshëm. Partia mobilizoi gjithë forcat e saja për realizimin e kësaj vepre të madhe.

Pa marrë parasysh rreziqet, nën ndjekjen më të egër të Mustafa Krujës, komunistët edhe patriotët mblidhnin popullin e fshatrave dhe qyteteve dhe organizonin këshillat n.çl. Si reaksion kundër vendimeve të Pezës, okupatori nxiti dhe krijoi forma të reja organizimi të reaksionit të brendshëm, si Ballin Kombëtar dhe të tjera organizata, duke filluar gjithashtu dhe operacione në shkallë të gjerë. Balli, në të cilën merrnin pjesë të gjithë bejlerët dhe borgjezia reaksionare, “Grupi i Zjarrit”, i vetquajtur komunist, organizoi luftën tok me okupatorin kundër Frontit N.Çl. Në qytete dhe sidomos në Tiranë, ku aksionet ishin bërë të rrezikshme për okupatorin, ay vuri në urdhër të ditës terrorin më të zi. Çdo natë bllokoheshin mëhallë të tëra, arrestoheshin, burgoseshin dhe vriteshin patriotë pa gjyq, masakroheshin njerëz të dyshimtë. Për shumë kohë pas Konferencës së Pezës, Enveri vazhdon të qëndrojë në Tiranë në krye të punës, që kishte ngarkuar partia e tij.

Okupatori e kishte dënuar me vdekje ne mungesë dhe ndjekjet kundër tij ishin bërë më të dendura. Fotografia e tij ishte shpërndarë në të katër anët, por agjentëve dhe informatorëve fashistë nuk mund t’u shkonte kurrë në mendje se muratori me emër usta Hasani, me një kapellë të vjetërt, me robe të shqyera dhe me fytyrë tërë këlqere, ose elektricisti Thanas me petkë të thjeshtë, punëtori me veglat e zanatit nën sjetull, që u kalonte kushedi sa herë përpara, ishte vetë Enveri, njeriu që kërkohej dhe duhej kapur i gjallë ose i vdekur. Armiku kishte informata që një njeri me karakteristikat e tij, i pashëm, me sy të zezë dhe vetulla të gjera ishte kapur pa dokumenta dhe s’tregonte emrin, por Enveri ishte në Tiranë, në rrugën e Gazhinës, karshi postës së karabinjerisë, që ruante lëvizjet e njerëzve të dyshimtë.

Ishte aty dy net dhe dy ditë me radhë delegati i Komitetit Central të Partisë në mbledhjen e aktivit të Tiranës, i ruajtur nga shokët e tij me bomba, automatikë dhe mitraloza në duar, gati kundër çdo rreziku. Një lajm tjetër i vjen okupatorit se policia e Prizrenit ka rënë në gjurmë të një njeriu të dyshimtë që i përngjan Enverit. Por, është tamam atëherë kur Enveri ka shkuar të organizojë Konferencën I të vendit të Partisë, që u mblodh në Labinot t’Elbasanit në vitin 1943. Në këtë konferencë të madhe dhe të parë të partisë së Enveri paraqit raportin. Ay vuri në dukje luftën që kishte bërë partia e jonë e re kundra elementave deviatorë të mëngjër, kundra opurtunistëve, ay vuri në dukje rreziqet që e kërcënojnë Partinë nga këta njerëz, vuri në dukje mbeturinat e sëmundjeve të grupeve, të cilat duheshin luftuar me ashpërisë më të madhe, ay vuri përpara Konferencës së Partisë detyrën e organizmit sa më të fortë të luftës kundra okupatorit.

Ay kërkoi zgjedhjen e Komitetit Central definitiv të Partisë. Nga Konferenca historike e Partisë doli Komiteti Central i Partisë dhe Enveri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj. Partia Komuniste po bëhej një forcë e madhe, ajo ecte me hapa të sigurta drejt rrugës që e mësonin mësuesit e mëdhenj Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini. Pas Konferencës së Partisë, Enveri thirri disa krerë të “Grupit të Zjarrit” dhe duke iu vënë në dukje atyre punën anti-marksiste dhe tradhtare që po bënin, i urdhëroi t’i dorëzonin partisë kuadrot e grupit dhe gjithë punën e tyre, të hidheshin pa rezerva në luftë kundër okupatorit, anëtarët më të mirë të grupit të shkriheshin në radhët e partisë dhe të leftohej udhëheqësi i këtij grupi, arkeo-marksist dhe sipuni i Mustafa Krujës, Zisi Andrea, me pseudonimin Zjarri. Kjo ishte fjala e fundit e partisë kundër “Grupit të Zjarrit”. Këtu s’kishte lëshime, o me Partinë, ose në luftë me të. “Grupi i Zjarrit” vazhdoi dhe për një kohë veprimtarinë e tij nën drejtimin e Zisi Andreas.

Atëherë Enver Hoxha shkroi artikullin në Zërin e Popullit, ku demaskoi hapët si agjentë të okupatorit Zisi Andrenë dhe veprimtarinë e grupit të zjarrit. Një demaskim i tillë bëri që elementëve të gënjyer të kërkojnë likuidimin e grupit dhe inkuadrimin e tyre në radhët e partisë. “Grupi i Zjarrit” mori fund. Zisi Andrea mbaroi agjent i Ovres dhe i gestapos. Enver Hoxha u dha urdhër shokëve të Korçës të pushkatonin Niko Xoxin, trockist dhe agjent i fashizmit. Ay u ekzekutua. Anastas Luloja dhe Sadik Premtja vazhdonin luftën kundër Partisë. Enver Hoxha nga Labinoti dha urdhër t’arrestoheshin dhe të gjykoheshin Anastas Lulo dhe Sadik Premtja. Anastas Lulo u gjykua dhe u pushkatua si tradhtar i popullit e i partisë, dhe sabotator. Gjatë qëndrimit në Tiranë, janë të panumërta episodet që i kanë ndodhur Enverit, por ka disa për të cilat ay mban kujtimin më të shtrenjtë. Në kodrën e Kuqe në Tiranë, në një shtëpi të vjetër prej qerpiçi, banonte ilegalisht Vojo Kushi, Xhorxhi Martini që ishte plagosur në një aksion dhe Sadik Stravreleci, luftëtar i vendosur, por me trup të thyer prej tuberkulozi. Enveri kujdeset për jetën dhe shëndetin e shokëve të tij. Ay ka mësuar se në shtëpinë ku banon Xhorxhi Martini i plagosur, shokët po bëjnë shumë lëvizje dhe kjo bie në sy të okupatorit.

Ay niset vet t’i jap fund kësaj gjëje. Ishte 12 orë para se të vriteshin. Aty takohet me shokët, u heq vërejtjet për lëshimet që kanë bërë, i porosit kategorikisht të marrin masa mbrojtje, këshillon Xhoxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures së tij njëzetshe me të cilën po lonte në duar. Sadik Stravreleci i jep udhëzime të nesërmen të niset për Kosovë, i jep letrat dhe të hollat e udhëtimit. Korrierin e Partisë, që do të shkojë në Martanesh, për të çuar udhëzimet dhe material për çetën e Baba Fajës, e këshillon që të mos bëjë lëvizje dhe të ikë që pa gdhirë. Të zonjës së shtëpisë, një militante e vjetër, i urdhëron që mos të qasë më në shtëpi Anastas Lulon, i cili n’atë kohë ndodhej në Tiranë. Por, plani nuk doli në krye, të nesërmen që me natë forcat armike me mitraloza dhe me tankse kishin rrethuar shtëpinë e Vojo Kushit. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë dhe 6 orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku banonte 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte, ay s’dinte kush luftonte, por sigurisht ishte luftë e shokëve që kish edukuar vetë.

Atë ditë, i prekur thellë nga vdekja e shokëve të tij, ay shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh në popull. Një herë tjetër ay ndodhej me shokun e tij të luftës, jugosllavin Miladin Popoviçin, në një shtëpi punëtori buzë Lanës. Shtëpia ishte izoluar. Dy ditë më parë atje Enveri kishte mbaruar së shkruari traktatin me rëndësi, që Komiteti Central u drejtonte katundarëve të Shqipërisë, i cili ishte shtypur në shtyp-shkronjat klandestinë të qytetit dhe shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ishte pra natë, dhe ishin vetëm të dy, Enveri me Miladinin. Pa pritur ndëgjohen armë dhe bomba, të shtirat u dëgjuan afër shtëpisë së Mustafa Krujës, e cila ndodhej atje afër. Të ipnin përshtypjen e një atentati. Pas armëve të para, gjithë milicët që banonin në kazermat pranë shtëpisë së Mustafa Krujës, duke shtirë nga të katër anët, lëshohen dhe rrethojnë mëhallën.

Një burrë që banonte në katin e sipërm të shtëpisë, ku ishte Enveri me Miladinin, filloi të zbrazë armët nga dritarja. Puna u pa, ishte dhe ay një spiun. Të dy shokët u gjenin para vdekjes dhe me bomba në dorë prisnin momentin deciziv të sulmit. Në këtë moment suprem të jetës së tyre ata përqafuan shoqi-shoqin dhe Enveri kur flet për Miladinin, s’mungon të thotë fjalët e tij që ay i tha Enverit n’errësirën e asaj nate që i priste vdekja: “Shoku Enver, luftuam dhe do të vdesim duke luftuar për një çështje të madhe, për çlirimin e Shqipërisë. Unë jam i lumtur që jap jetën për popullin Shqiptar. Gjaku i jonë le të shërbejë për vëllazërimin e popujve t’anë”. Dhe Enveri shton: “Kurrë në jetën e tij nuk e ka ndjerë veten më të fortë se n’atë çast kur shihte se krahas me të një shok jugosllav kishte vendosur të vdiste me aq heroizëm për popullin shqiptar”. Fati e desh që këta të shpëtonin për qime.

“Ata hapën një ‘lumë’ me naftë, Enver Hoxha një përrua me gjakun e tyre”- Kujtimet e inxhinierit që vuajti 17 vite burg politik

Mbushet 1 vit nga ndarja nga jeta e inxhinierit dhe gjeologut, personalitetit të shquar të inteligjencës së naftës shqiptare, z. Nuredin Skrapari. Kontributi i tij mbresëlënës në kërkimin dhe zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës, u ndërlidh tragjikisht me dramën e tij njerëzore, i arrestuar dhe i dënuar politik nga regjimi komunist, në vitin 1974. Nuredin Skrapari u lind në fshatin Bubullimë të rrethit të Lushnjes, në maj 1944 dhe kreu shkollën e mesme (“Teknikumi i Naftës”), në degën “Gjeologji”. Në vitet 1962 – ‘64 u punësua në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Kuçovë, me grupet e rilevimit për zbulimin e vend-burimeve të naftës dhe gazit.


Në vitin 1969, ai mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Gjeologji-Miniera, me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar “Inxhinier Gjeolog”, për të punuar menjëherë pas diplomimit në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe Gazit në Kuçovë dhe më pas në Fier, me grupet e studimit gjeologjik, deri më 15 mars 1974, ditën kur u arrestua. Nuredin Skrapari është bashkë autor i përgatitjes së hartave gjeologjike dhe projektimit të puseve të thella të naftës, në Skrapar, Finiq (Sarandë), Delvinë, Cakran (Fier) etj.

Punës së tij voluminoze dhe cilësore në dobi të zbulimit të vend-burimeve të reja të naftës, regjimi komunist i dha fund, duke e arrestuar dhe dënuar, më 10 maj 1974, në gjyqin e zhvilluar në Kuçovë, me 10 vjet burgim, për agjitacion dhe propagandë dhe thyerjen e portretit të diktatorit. Nuredini e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Më 22 shkurt 1979, u arrestua për herë të tretë dhe u ridënua me 18 vjet burg, me motivacionin “Pjesëmarrje në organizatë kundërrevolucionare e revizioniste, për përmbysjen e pushtetit popullor”.

 

Në maj të vitit 1984, Nuredini u transferua në burgun e Qafë-Barit, ku luajti një rol të rëndësishëm në revoltën e njohur të të burgosurve politikë të këtij burgu. Revolta u shtyp me terror dhe i dënuari Nuredin Skrapari, u torturua barbarisht dhe pas spitalit-burg, u dërgua të vuante dënimin në burgun e Burrelit. Me këtë shkrim-homazh, duke u përkulur me respekt përpara kujtimit dhe kontributit të tij, kam nderin të jap disa konsiderata për veprën e tij studimore: “Tragjedia e inteligjencës së naftës”.

Shumëkush mund të ketë lexuar për “grupet armiqësore sabotuese në ekonomi” gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Por libri i Nuredin Skraparit, me titull “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, shkëlqen për nga vërtetësia, faktet e shumta, nxjerrjen lakuriq të regjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së ajkës së shkencëtarëve e specialistëve shqiptarë, që bënë të mundur zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës në Shqipëri.

Ishte kontributi i tyre që shpimi i puseve dhe prodhimi i naftës mori një trajektore rritëse, në vitet 1968-1972, për të arritur në shifrën rekord prej 2.5 milion tonë naftë. të prodhuar në vitin 1976. Bazuar në çmimet e bursave ndërkombëtare të kohës, kjo sasi nafte. ishte e barabartë me vlerën e një çerek miliard dollarë. Por diktatura nuk njihte kushtin teknik të shpimeve të pa efektshme. në morinë e puseve të hapura.

Ndërsa në SHBA-ës, pranoheshin rreth 50 mijë puse të hapura shterpë në vit, për disa dhjetëra të tillë të hapur në Shqipëri, diktatura ngrinte akuzat për sabotim dhe vepër të agjenturave të huaja. Pastaj, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, sajonin me një zell të jashtëzakonshëm spiunë, agjentë e sabotatorë, mes njerëzve më punëtorë e atdhetarë që ka njohur historia e Shqipërisë, në vitet 1945-1990.

Botimi “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, libër i ndarë në pjesëza të vogla me nëntituj interesantë, siç dinë të shkruajnë inxhinieret, përshkruan me një vërtetësi rrëqethëse ngjarje e fakte mbi tragjedinë e inteligjencies së naftës, nga vitet 1946, deri në vitin 1991. Autori i librit, nuk ishte më shumë se 32 vjeç, kur u arrestua publikisht me akuzën absurde: sabotator. Shkencëtari Koço Plaku, i akuzuar si kreu i grupit, në një nga seancat, i drejtohet hetuesit: “Po këta të dy, Nuredin Skraparin dhe Kadri Ramën, pse i keni arrestuar?! Janë djem të zgjuar dhe specialistë të zotë në fushat e zbulimit dhe kërkimit të naftës. I nxirrni këta nga burgu…”!

Kjo lë të nënkuptohet se sa premtonin ky specialist gjeolog i ri dhe shoku i tij vlonjat dhe se çfarë kërdie po bënte diktatura komuniste me marrëzitë e saj në radhët e inteligjencës së sprovuar dhe me eksperiencë të naftës shqiptare dhe të asaj të re që po lindte. Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që realisht përbënte një gjenocid ndaj inteligjencës së naftes, fillon me dënimin e dijetarit, gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber në vitin 1947.

Profesori polak, Zuber, la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë, të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos, në vitin 1942, ai arriti të nxjerrë naftë industrial, në zonat ranore. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, ai do të arrestohet si agjent i italianëve dhe do të lihet të vdesë në burg nga shkelmat e gardianit, në mënyrën më shtazarake.

Sidoqoftë, me hartat dhe studimet e tij të shumta, u vazhdua puna në gjeologji, duke u zbuluar vend-burime mineralesh e hidrokarburesh, madje edhe vend-burime të ujit të pijshëm. Në këtë kohë (viti 1947), dënohet grupi i parë i inteligjencës së naftës, me personalitete si; Profesor Zuber dhe inxhinieret Riza Alizoti, Thoma Pojani, etj.(për më tepër, për Prof. Zuber, Nuredin Skrapari dhe autori i këtij shkrimi homazh, rekomandojmë të lexohet libri i Prof. Arqile Tetës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së profesorit të shquar polak).

Pas largimit të specialistëve rusë, në vitin 1961, gjeologët shqiptarë arritën të zbulojnë tre vend-burime të reja në Visokë; Patos më 1963, Ballsh 1964, Gorisht më 1967. Sipas Nuredin Skraparit, autori i këtyre zbulimeve me vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, ishte Koço Plaku, i mbështetur nga kolegët e tij; Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Akademik Teki Biçoku, Kadri Rama, Nuredin Skrapari, Thanas Nasto, Niko Goxhobashi, etj.(shih faqet 77-78 në libër), të gjithë të arrestuar e dënuar si sabotatorë, pas vitit 1974.

Pas prishjes me kinezët, ekonomia shqiptare përfundimisht filloi të merrte të tatëpjetën. Qeveria dogmatike nxori teorinë shkatërruese, të mbështetjes në forcat e veta, pa ndihmë nga jashtë. Në vijim të bunkerizmit të Shqipërisë, prodhimi i naftës që filloi të quhet “ari i zi” u bë jetik për ekonominë shqiptare. Kërkuesit e naftës dhe punonjësit e Institutit të Kërkimit të Naftës, u vunë para një trysnie të pazakontë: Me çdo kusht të zbulohen vend-burime të reja! Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, nxori dhe një vendim të posaçëm lidhur me rezervat e saj. Por nafta, nuk mund të nxirrej me vendime partiake.

Në vitin 1970, prodhimi i naftës po shkonte në rreth 2 milionë tonë. Enver Hoxha, ulërinte në mbledhjen e Byrosë Politike: “Duam naftë”! Lidhur me këtë, inxhinieri Nuredin Skrapari shprehet: “Diktatori Enver Hoxha, aty nga fillimi i marsit 1975, priti në një takim prej 10 minutash, drejtuesit kryesore të naftës, Lipe Nashin, Drejtor i Përgjithshëm i Naftës, gjeologun Beqir Alia, në detyrën e Drejtorit të Institutit të Naftës, gjeologet Protoko Murati, Milto Gjikopulli (shefa sektori), gjeologun Koço Plaku, si shef i kabinetit të përgjithësimeve, i projektimit të puseve të thellë – (fq. 32 në libër, fragmenti i fundit)”…Enver Hoxha ishte mosbesues ndaj nesh dhe Lipja këtë e kuptoi, kur ai nëpër dhëmbë kishte mërmëritur dy fjalë shokuese, siç i kishte zbërthyer Lipja: “O planin, o xhanin”!

Byroja Politike nxori në atë kohë thënien famëkeqe, se: “Shqipëria lundron në naftë, por nuk kemi specialistë ta zbulojnë”. Ekonomia kërkonte naftë dhe prishja e marrëdhënieve me Kinën e rëndonte më shumë problemin. Atëherë, Enver Hoxha ri-shpiku ekzistencën e grupeve armiqësore në naftë dhe, si ndodhi në vitin 1947, “zbuloi” grupin e dytë armiqësor në naftë. Në librin e tij, Nuredin Skrapari shkruan: “Në datën 15 mars 1974, unë Nuredin Skrapari, u arrestova në mënyrë publike.

Jeta ime u përmbys plotësisht. Më 25 mars 1975, arrestohen Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Koço Plaku. Katër muaj më parë, më 29 nëntor 1974, Lipe Nashi dhe Koço Plaku, kishin marrë titullin: ‘Hero i Punës Socialiste’. Kjo gjueti vazhdoi me arrestimin e dhjetëra specialistëve të tjerë, nga më të mirët dhe të aftët, në nxjerrjen e naftës. Numri i kaloi 80 personat”.

Absurdi i gjyqit arriti kulmin, kur Prokurorja dhe Kryetarja e trupit gjykues, do të deklaronte: “Vend-burimet e naftës nuk i keni zbuluar ju armiq dhe sabotatorë, por partia dhe shoku Enver”. E gjitha kjo i ngjante një gjyqi të inkuizicionit mesjetar, me Prokurorë të vërtetë Haki Toskën dhe Kryetar real të trupit gjykues, Adil Çarçanin.

Filloi një kalvar i gjatë vuajtjesh, për të gjithë ata shkencëtarë-heronj, që ishin krenaria e inteligjencës shqiptare, me punën e bërë në zbulimin e vend-burimeve të reja, deri në atë kohë. Akuzat ishin të rënda; “agjentë të shërbimeve të huaja, që qëllimisht sabotonin ekonominë shqiptare, për të dështuar ndërtimin e shoqërisë socialiste në Shqipëri”. Thjesht, pa fjalë të tepërta, qetësisht, pa urrejtje, gjeologu i shquar Nuredin Skrapari, tregon torturat në hetuesi, për të pranuar se ishin grup i strukturua, në shërbim të agjenturave të huaja.

Autori i librit tregon, se duke qenë më i riu, mbi të u ushtrua trysni e madhe për ta thyer, që të pranonte akuzat dhe të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Ai tregon: “U kërkua të pranonim akuzën si sabotatorë. Isha 10 vjet më i vogël se shefat e mi. Më bënë një ofertë: Je i ri. Mendo për familjen. Nuk do të bësh më shumë se katër vjet, nëse bashkëpunon me ne”.

Nuredin Skrapari nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor. Fisnik nga shpirti dhe me karakter te paepur, ai pranoi më mirë, një jetë të zezë me faqe të bardhë, sesa të fundoste kolegët e tij. I lodhur nga torturat e vazhdueshme në hetuesi, ai do të pohojë në libër: “Më në fund firmosa ridënimin tim. E shkretuara jetë sa e shtrenjtë paska qenë edhe në vrimën e miut ku kisha përfunduar, më dukej e dhimbsur! Isha vetëm 32 vjeç” shih faqet 32-34 në libër).

Kjo i kushtoi 16 vjet e gjysmë burg, me punë të detyruar në minierat e Spaçit e të Qafë-Barit. Për drejtuesin dhe udhërrëfyesin e tij në kontributin për naftën shqiptare, shkencëtarin e njohur, Koço Plaku, me adhurim për qëndrimin e tij burrëror në hetuesi dhe në gjyq, Nuredin Skrapari shkruan në libër: “Koço Plakut, kur i kërkonin në hetuesi të pranonte se ishte agjent i KGB-së, pohoi: Tani radhën e kam unë. Pastaj vijoi me zë të ulët: Do të doja që atdheu të na donte, ashtu sikur e deshëm ne”!

Kërdinë me intelektualët e naftës, e stigmatizon vetë Nuredin Skrapari, kur shprehet: “Ata hapën një lumë me naftë, Enver Hoxha hapi një përrua me gjakun e tyre” (po aty, shih faqet 32-34 ne libër). Me tej, autori i librit vazhdon: “Koço Plaku u përgjua në hetuesi. Në fund të monologut të tij, ishte regjistruar: Enver Hoxha e mbushi Shqipërinë me varre…”! Grupet armiqësore në naftë dhe fusha të tjera të ekonomisë, do të vazhdonin. Për ironi të fatit, në vitin 1977, arrestohen ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, si sabotatorë dhe dënohen me vdekje e burgim të gjatë.

Makineria e diktaturës, vazhdoi të hante bijtë e vet. Më 1986-ën, u arrestua grupi i tretë armiqësor, ku përfshiheshin; Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Arapi, Petrit Sadushi dhe Luan Këlliçi, të gjithë me grada shkencore. Ishte e trishtueshme të mendojë se ndonjë nga këta, kishte shërbyer dhe si dëshmitar kundër shokëve të vet në gjyqin e vitit 1974. Fisniku fal. Nuredin Skrapari i përmend telegrafisht dhe i fal specialistët e naftës, ata që dëshmuan kundër tij dhe gjeneratës së intelektualëve të viteve ’70-të.

Gjuha e tij në libër, si dhe në jetën e bardhë që bëri, nuk kishte asnjëherë tone urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Si një intelektual i vërtetë, që e do dhe i dhimbset Atdheu, libri i z. Skrapari “Tragjedia e inteligjencës së naftës” përfundon me shqetësimin dhe bindjen e tij, se në Shqipëri ka naftë dhe kjo mund të zbulohet. Në libër ai konstaton se prodhimi i naftës, vijoi të binte me shpejtësi.

Autori i librit shkruan: “Në vitin 1991, prodhimi i naftës ra në 900.000 ton, ndërsa në vitin 1976, ishte viti i prodhimit më të lartë, me 2.5 milionë ton naftë”. Porosia e tij, si një amanet i lënë nga ata që s’janë më dhe për ata që do të vijnë, është: “Në Shqipëri, ka ende vend-burime nafte të pazbuluara, që presin mendjen, aftësinë dhe intuitën e gjeologëve të kualifikuar shqiptarë, për t’u zbuluar. Qeverive iu bëj thirrje. për ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, Mineraleve etj.”.

Kështu e përfundon inxhinier gjeolog, Nuredin Skrapari, librin e tij prej 120 faqesh: “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Migeeralb”, në vitin 2016, të cilin ne si Kontrolli i Lartë i Shtetit e promovuam rreth një vit e gjysmë më parë, së bashku me autorin dhe vëllain e tij të vuajtjeve e të profesionit, z. Kadri Rama. Është një tezë që përkon plotësisht edhe me rekomandimet që si KLSH, që nga viti 2014, i kemi adresuar qeverisë shqiptare, për ri-ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, si një domosdoshmëri për gjetjen e vend-burimeve të reja, por edhe një administrim më të mirë të burimeve ekzistuese.

Me një forcë pene të veçantë, autori shprehet: “Kështu e ‘shpërbleu’ diktatori Hoxha, trurin e inteligjencës së naftës. Shpata e përgjakur e Enver Hoxhës, u ka marrë jetën shumë gjeologëve. Përbindëshi mori jetë intelektualësh rezultativë, të cilët mund të them se kanë hyrë në hierarkinë e kontributit të vlerave dhe të rezultatit, që bashkë me naftëtarët dhe minatorët, mbajtën mbi supe mbijetesën e shqiptarëve në atë izolim ogurzi. Nga mjeshtrit e kërkimit të naftës, ne më të rinjtë, u jemi mirënjohës që duke punuar përkrah tyre, morëm një dhuratë të madhe, përfituam një eksperiencë të papërsëritshme, shprehitë praktike dhe aftësinë e abstragimit”.

“Sabotatorët”, ishin një grup gjeologësh kërkues nafte atdhedashës, të cilët zbuluan vend-burime të mëdha nafte, por me përfitime kolosale që përvetësoheshin nga shteti i diktaturës. Ato konvertoheshin në përfitimin e një shtëpie, rroge mesatare dhe shkollimin e fëmijëve. Gëzimi i jashtëzakonshëm që sillte zbulimi i vend-burimit, na shtonte pasurinë shpirtërore, ishin ngjarje të jashtëzakonshme, përveçse konfirmonin saktësinë e dijeve tona profesionale, ndërsa shtetarët e kthenin në vend pelegrinazhi dhe e vlerësonin rezultat i “punës kolosale të partisë”.

Vija “e kristaltë” e partisë edhe në ekonomi, dështoi, veçanërisht pas rrafshimit të inteligjencës së naftës, madje edhe brezin e dytë. Mizoria e tij nuk arriti të shfarosë përvojën rezultative të arritur me aq mund e sakrificë nga gjeologët shqiptarë, për 45 vjet me radhë, e fituar nëpërmjet një kostoje të kripur, e cila do të sjellë përfitime të mëdha dhe për kohën e sotme.

Marrëzia e Enver Hoxhës ndaj inteligjencës së naftës, nga Stanisllav Zuber në 1947, deri tek Koço Plaku, në vitin 1976 (viti i pushkatimit), e më pas tek të ndëshkuarit e tjerë, buronin nga paniku që i shkaktonin atij varësia prej nesh, zotërues të shkencës së naftës që, në dukje, kishim në dorë rubinetet e naftës, pushtetin ekonomik, por ai kishte jetën tonë.

Akuza, nga ana racionale, ishte e paargumentuar, por e motivuar prej smirës dhe mërisë së tij ndaj nesh. Ai dhe besnikët e tij të paaftë, i trembeshin madhështisë së arrirë në sajë të aftësisë sonë, që buronte nga përkushtimi në fushën e kërkimit të naftës, ku kishin shfaqur aftësi të veçanta”! (Fq. 95-96 të librit). Vepra “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës” e z. Skrapari, sa informuese dhe shkencore, është po ashtu po aq politike dhe me vlera të spikatura historike, e vlefshme të lexohet nga të gjithë, sidomos nga brezi i ri.

Gjeologu dhe inxhinieri i talentuar Nuredin Skrapari, zgjodhi një jetë të zezë (të nxirë nga diktatura), me faqe të bardhë, se sa një jetë të bardhë, me faqe të zezë, sikurse do të shprehej poeti i pushkatuar, Vilson Blloshmi. Në cilësinë e Kryetarit të KLSH, i kam përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kërkesën për akordimin e Urdhrit “Nderi i Kombit” intelektualit të shquar Nuredin Skrapari, pas vdekjes.

Shpreh bindjen se Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, do të mundësojë në një të ardhme të afërt akordimin e këtij vlerësimi të lartë, për një nga përfaqësuesit më fisnikë dhe domethënës të plejadës së intelektualëve të naftës shqiptare, të rinj e të vjetër, të zotë, punëtorë të palodhur dhe patriotë të mëdhenj .Nga Ing. Nafte, Bujar Leskaj Memorie.al

225 vjet më parë, masakrimi i shqiptarëve në Jaffa të Izraelit- Nga Beqir Skreli

(Më 10 Mars 1799, Napoleon Buonaparti masakroi 4000 jeniçerë shqiptarë që iu dorëzuan në Besë.)

Kjo nuk është masakër si të tjerat më parë,
Këtu Napi bëri “dasëm” me 4 mijë shqiptarë.

Kur dëgjoi se po i sillnin 4 mijë robër,
U bë si i xhindosur, i iku mëndj’e kokës.
“Ç’janë këta njerëz që më sillni të gjallë?
Me çfarë t’i ushqej, a menduat vallë?”
Dhe i dënoi të vetët që treguan mëshirë,
Se kjo lloj mëshire s’ishte gjë e mirë.

I vendosur t’i hiqte qafe sa më shpejt,
(Sado që Kleberi i tha: “S’ke të drejtë”)
Urdhëroi të rrethohen robërit e uritur,
Të çoheshin të lidhur tek një vend pak i ngritur.
Pasi turma u nis drejt kodrës në marshim,
Boni shkoi vetë të bënte inspektim.
U duk se ktheu mëndje, sikur hoqi dorë,
Se do ishte më mirë të mos bëhej mizor.


Mes turmës së lodhur me pluhur mbuluar,
Bonit i zë syri një jeniçer të moshuar.
Me nënqeshje fodulle dhe vështrim dinak,
“Po ti, i thotë, ç’do këtu mor’ plak?!”
I kthehet jeniçeri pa iu dridhur qerpiku,
Pa dashur t’ia dijë cili është armiku:

“Këtë pyetje, zotëri, nuk e prisja nga ju,
Po përgjiem duke pyetur: Po ti, ç’do këtu?
Dhe unë si zotrote, kam ardhur tek ky vënd,
Ti shërbej sulltanit, si ti sulltanit tënd.”

Një burrëri e tillë ngriti zemrat peshë,
Të gjithë ndalën frymën dhe po mbanin vesh.
Shiko! Dhe vetë Napit i qesh buza, të vrarit,
Duket i pëlqeu përgjigja e shqiptarit.
Kjo, pëshpëritën disa, është shenjë e mirë,
Por ishin gabuar, nuk ishte e tillë.
Jeta s’iu kursye as këtij trimi të ndjerë,
Që e ndau fatin me vëllezërit e tjerë.

Napo trimi u largua para se të fillonte,
Dhe nga largësia shfaqjen po shikonte.
Sinjali u dha, mushqetat s’kanë të pushuar,
Mbi trupat e pambrojtur të shqiptarëve të dorëzuar.
Napi ndiqte shfaqjen si teatër, me dylbi,
“Bravo!” brohoriti kur s’mbet në këmbë njeri.
Ushtarët e tij “humanë” dhe “kreshnikë”,
Kë gjetën të plagosur, e shkuan në thikë.

Ktheu në shqip: Beqir Skreli

Jeniçerët shqiptarë që ishin në mbrojtje të Jaffas (sot pjesë e Tel-Avivit, Izrael), në atë kohë nën Perandorinë Osmane, iu dorëzuan në besë të dërguarve të Gjeneral Buonapartit me kusht që t’iu falej jeta. Përndryshe ishin gati të luftonin deri në vdekje.

Me justifikimin se nuk kishte me çfarë t’i ushqente, Napoleoni i cili nuk ishte bërë akoma perandor, megjithë kundërshtimin e general Kleber, i masakroi shqiptarët deri tek i fundit. Historianët kanë provuar më vonë se pretendimi i Napoleonit ishte i rremë.

John Ashton

1888

Il Piccolo di Trieste (1925)- Intervista me Ceno bej Kryeziun, Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, mbi situatën e brendshme të vendit të tij

Ceno bej Kryeziu (1895 – 1927)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Mars 2024

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, me 7 gusht 1925, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Ceno bej Kryeziut mbi situatën e brendshme asokohe në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Kushtet e brendshme të Shqipërisë

Një intervistë me ministrin Ceno Beu

Burimi : Il Piccolo di Trieste, 7 gusht 1925, faqe n°2
Burimi : Il Piccolo di Trieste, 7 gusht 1925, faqe n°2

Zagreb, 6 gusht.

“Obzor-i” merr nga Sushaku (Sušak, Rijeka) : Gjatë kalimit të tij në Sushak, Ministri i Jashtëm shqiptar, Ceno bej Kryeziu, u intervistua nga disa gazetarë që donin të mësonin për kushtet e brendshme të Shqipërisë. I intervistuari tha se në Shqipëri mbretëron rendi më i përsosur, ndaj të gjitha lajmet e shtypit të huaj për trazira dhe çrregullsi nuk kanë asnjë bazë. Kushtet ekonomike gjithashtu janë përmirësuar shumë.

Qeveria shqiptare i dha “Anglo-Persian Oil Company” shfrytëzimin e burimeve të naftës në Shqipërinë e Jugut dhe në të njëjtën kohë kontraktoi me Italinë një burim më të vogël, jo shumë larg Vlorës. Muajin e kaluar u themelua Banka Kombëtare me një kapital prej 50 milionë frangash ari. Marrëdhëniet politike me shtetet fqinje janë të shkëlqyera. Me Jugosllavinë, Shqipëria mban marrëdhënie të mira miqësore. Mosmarrëveshjet në lidhje me rregullimin e kufijve, të cilat për një kohë të gjatë nuk kanë mundur të konsolidojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, së shpejti do të zgjidhen në kënaqësinë e të dyja palëve. Në këtë drejtim, Dhoma i ka dhënë liri të gjerë veprimi Qeverisë në mënyrë që ajo të përfundojë negociatat për përcaktimin përfundimtar të kufijve të Vermoshit dhe Shën Naumit në liqenin e Ohrit. Për këtë qëllim, delegati i Qeverisë së Tiranës, z. Mehdi Frashëri ndodhet në Beograd dhe është përgjegjës për përfundimin e negociatave.

Shqipëria — përfundoi Ceno Beu — ka marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë dhe jam i lumtur të mësoj se mosmarrëveshjet e vogla mes Jugosllavisë dhe Italisë janë zgjidhur plotësisht.

Ceno Beu i shoqëruar nga sekretari i tij u nis për në Beograd. Vizita e tij në kryeqytetin e Jugosllavisë nuk ka karakter politik, aq sa ai shkon në një kohë kur mungojnë shumë ministra jugosllavë. Ceno Beu është ende i ri; është njeri i kulturuar që duket më shumë parizien se sa shqiptar. Ai është kunati i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ahmed bej Zogu, sepse ëshë martuar me një nga motrat e tij.

“Tre të dënuarit me vdekje në gjyqin e zhvilluar në Kinema ‘Kosova’, i lanë tre ditë të varur në shesh”- Kujtimet e italianit Canciani

Nga Arnaldo Canciani

Kjo pjesë e parë e kujtimeve të mia, e cila mbulon një periudhë prej njëzet vitesh; 1928 – 1949, unë ja kushtoj gjithë atyre që kanë jetuar dhe vuajtur si unë në Shqipëri, privacioneve çnjerëzore dhe sakrificave të prindërve të mi, e të gjithë familjes sime. E zgjeroj përkushtimin tim, për shumë afrikanë të detyruar të emigrojnë në kërkim të kushteve më të mira të jetës, për të gjithë ushtarët të cilët ishin të detyruar, të luftonin në një vend të huaj, për idealet kalimtare dhe, shumë prej tyre, nuk i kanë rishikuar familjet e tyre dhe janë të varrosur në një vend të huaj, për të gjithë ata që janë të shtypur nga regjimet diktatoriale dhe ata të dënuar padrejtësisht me vdekje, për të burgosurit, për ata që kanë vuajtur, tortura të paimagjinueshme.

Transferimi i punëtorëve italianë

Më 24 korrik, hyri në fuqi një ligj i ri që rregullonte kursin e monedhës, për çdo 5 lekë të vjetër, ata i dhanë një të ri. Ky ishte sistemi komunist, për të luftuar inflacionin. Më 27 korrik, unë kërkova për të biseduar me drejtorin e ri, babai im kishte marrë urdhrin, për t’u transferuar në Peshkopi. Në atë kohë ishte 61 vjeç; I kërkova atij të anullojë urdhrin, por përgjigja e tij, ishte; jo!

 

Unë lashë veten të zënë nga natyra ime impulsive dhe kam kryer një papërgjegjshmëri të madhe, sepse unë u përgjigja me pasoja të paparashikueshme, nga replika në gjuhën shqipe, duke i thënë se po vepronte si tregtarët e skllevërve. Më 3 tetor, babai im dhe Primo Pekorari, kishin arritur në destinacionin e ri, në kufi me Jugosllavinë, ku ishte duke u ndërtuar një rrugë, që do të lidhë qytetin e Kukësit, me Peshkopinë. Ajo u quajt “Rruga e Rinisë”:

Shumica e punëtorëve ishin vullnetarë të rinj, të cilët punonin pa pagese, vetëm për të shmangur hakmarrjen nga ana e regjimit, ata ndiqeshin, dyshoheshin apo ishin të afërm të personave të përndjekur. Babai im, murator, ndërsa Primo Pekorari, marangoz, ishin të përfshirë në ndërtimin e urave.

Kushtet çnjerëzore, zonë malore, dimri i ftohtë, flinin në një tendë dhe ushqimi i pamjaftueshëm, që gatuhej nga kuzhinierë të improvizuar. Ditën tjetër, unë u thirra nga shefi i zyrës qendrore të personelit Dhimitër Laçka, një ish-fatorino, i cili më dha një letër që transferohesha për në Rubik.

Tre ditë afat për të liruar shtëpinë dhe do të largohesha nga Devolli, ku kam kaluar dymbëdhjetë vjet të jetës sime. Mu lejua që përkohësisht nëna ime dhe Albina, motra ime, të qëndrojnë në shtëpinë e kunatit, Camoni. Pas diskutimit që pata me drejtorin, nuk kishte shumë kohë për veprim ndaj detyrës time. Në mëngjesin e 8 tetorit, u ngarkuan mbi një kamion sendet minimale të domosdoshme dhe u nisa drejt së panjohurës.

Në fjalorin komunist, nuk ekziston fjala njerzillëk! Mbërritëm në destinacionin tonë pasdite vonë; shoku im, Fernando Parmigiani, më ndihmoi për të shkarkuar dhe sistemuar në infermieri, gjithë sa nevojitej për shtëpinë, në pritje për t’u sistemuar në një mjedis.

Rubiku, nuk mund të konsiderohej një qytezë e vërtetë, pak shtëpi, një luginë e ngushtë në mes të dy maleve, një urë mbi lumin Drin, bashkonte anët e tij. Rruga vijonte përgjatë bregut të majtë të lumit, duke vazhduar drejt Veriut, në Shkodër. Në këtë anë, lart, ishin shpërndarë të gjitha shtëpitë dhe infrastrukturën, që ishin pjesë e minierës.

Distanca nga ku unë isha duke punuar në ofiçinë, deri tek mensa, ishte 157 shkallë, që duhej t’i hipje e zbrisje disa herë në ditë. Në galeritë nëntokësore, punonin dhjetëra të punëtorë për nxjerrjen e mineralit kalkopiritit, që shkrihej në furrat e shkrirjes dhe merrej bakër. Lingotat e shkrira, vinin dhe për t’u përpunuar në Itali.

Aktiviteti minerar u pezullua pas kapitullimit me 8 shtator 1943, dhe është marrë nga shqiptarët me ndihmën e personelit italian, që mbeti në vend. Në zyrën e personelit, takova Andrean, një punonjës shqiptar i cili kishte punuar për disa vjet në sharrat, me Silverion.

E kisha njohur në Devoll në shtëpinë e tyre, por nuk e kisha parë atë për vite me radhë. Ishte ai që më kujtoi dhe pëshpëriti, duke më thënë të isha i kujdesshëm, sepse konsiderohesha subjekt që vrojtohesha nga komisari politik. Emëruar disa muaj më parë sepse, ai e kishte udhëhequr një gjykim kundër një tekniku shqiptar të akuzuar për sabotim.

I dënuar me vdekje, ai u var dhe u la për tre ditë, varur në trekëmbësh, në rrugë. Litari ishte shkëputur në prani të të gjithë personelit, duke krijuar rrethana të tmerrshme makabre. Popullsia e Veriut të Shqipërisë, ishte kryesisht katolike romake; priftërinjtë e fundit të mbetur, u larguan me akuza për furnizim me armë të kryengritësve të dyshuar.

Akuza të parafabrikuara dhe të rreme Edhe pse nuk kishte përfunduar ende gjithë puna, me 24 tetor u përurua “Rruga e Rinisë”. Më 1 nëntor, babai im erdhi nga Kukësi në Rubik, ndërkohë që kishte për të shkuar në Tiranë. Ai qëndroi me mua tri ditë dhe në 8 nëntor vazhdoi udhëtimin në kryeqytet, ku ai mori një telegram për transferim në Kërrabë; 38 km. larg nga Tirana, në rrugën e Elbasanit.

Në këtë vend u riaktivizua një minierë e qymyrit të fosilizuar, dhe u bë e nevojshme ndërtimi i një teleferiku, për të transportuar mineralin në luginën në afërsi të rrugës. Për babanë tim, situata e parë nga aspekti logjistik, ishte përkeqësuar, ai vijonte të ishte vetëm; Pekorari, me të cilin ai kishte punuar bashkë në Peshkopi, ishte transferuar diku tjetër.

Edhe pse qëndrimi im në minierën e Rubikut po i afrohej fundit, punët më urgjente kishin përfunduar, furra kishte rifilluar rregullisht dhe unë isha duke pritur komunikimin për destinacionin e ri. Unë shpresoja se mund të kthehesha në Devoll, ku nëna ime dhe motra ime, ishin duke pritur, por për fat të keq, sikleti vetëm sapo kishte filluar. Lashë Rubikun më 14 dhjetor dhe duhet të paraqitesha në Tiranë, në drejtorinë e minierave, mora disa ditë pushim, për të shkuar për të vizituar familjen time.

Unë u detyrova të bëjë një ndalesë dy ditore, në udhëkryqin tek Ura Zeze, për të gjetur një vend për të sistemuar tërë orenditë shtëpiake, që i kisha sjellë me vete. Rifillova udhëtimin për në Devoll ku kam kaluar dy ditë me familjen time. U rinisa me 18, prontova për në Durrës dhe arrita në Tiranë me dt. 20 dhjetor.

Ditën tjetër shkova në ministri, ku më priti inxhinier Ceka, i cili më tha se nuk varesha më nga Ministria e Minierave, unë isha i transferuar në ofiçinën në Rrugën e Durrësit, ku kryheshin riparimet dhe shërbimet e centraleve elektrike.

Kalova Krishtlindjet me babain tim dhe me datën 26, ditën e Shën Stefanit, fillova të punoja në vend pune të ri. Ditën e fundit të këtij viti të pakënaqur, dhe dita e parë të vitit 1947, kaloi duke medituar i vetëm në dhomën e Hotelit “Nacional”, që kishte zënë më parë babai im.

U mbyll një vit që më krijoi probleme serioze dhe vuajtje, dhe kjo ishte një detyrim që të pyes veten, se çfarë do të kishin qenë peripecitë dhe vështirësitë që do të kem për të kapërcyer në të ardhmen e afërt! Pyetje për të cilat nuk ishte e lehtë, për t’iu përgjigjur.

Bashkimi i familjes

Gjetja e një mënyre për t’u bashkuar familja, ishte problemi që më shqetësonte mua. Me babanë tim, i cili erdhi në Tiranë nga Kërraba, ne kemi rënë dakord me Sotirin, pronar hoteli, te cilit i kërkoi me qira një dhomë në katin e parë, me hyrje private në një oborr që delte në rrugë. Më 25 janar 1947, babai u kthye dhe shkoi në Devoll për të marr nënën time. Ne menduam përkohësisht të përdornim dhomën e hotelit, në pritje për të gjetur një vend më të mirë.

Në fund të janarit unë shkova në Ura-Zezë (Fushë-Krujë), për të marrë orenditë shtëpiake, që kisha lënë aty. Më 11 shkurt babai dhe nëna u kthyen nga Devoll. Ne menjëherë filluam punën për të sistemuar katër krevatet, tavolinën, sobën që shërbente edhe për ngrohje të dhomës, katër karrige dhe dy mobilie. Rrobat për t’u varur në varëse rrobash, pallto dhe rrobat e tjera në valixhe nën shtretër. Shërbimet, në korridor, pa pajisjet, i kishim të përbashkëta me familjen e pronarit.

Kjo ishte situata, e cila për fat të keq ne kishim për të kaluar për më shumë se dy vjet, deri në ditën e kthimit. Nga Devolli, unë kam pasur një keqardhje të madhe, shtëpinë! Në periudhën që parapriu ardhjen e nënës sime, edhe më pas, unë trokita në shumë dyer, për të marrë një shtëpi më të mirë, por pa dobi, kështu që m’u desh të dorëzohem tek një dhomë e vetme hoteli.

Në kompensim të kësaj familja u ribashkua. Babai im, në një periudhë filloi të vinte më shpesh, edhe pse se ai kishte për të bërë 38 km. në këmbë, për shkak të mungesës së mjeteve të komunikacionit. Jetesa në qytet, të ofron disa përparësi në raport me jetesën në zonat e vogla urbane, ku vendbanimi bashkohet me kantierin.

Pas ditës së punës, unë kam përshtypjen se mund të marrësh frymë më lirshëm, nuk e ndjeva individualitetin shtypës mbi kokë; Kam ecur rrugëve dhe kam takuar kaq shumë njerëz që nuk i njihja dhe isha i sigurt se nuk isha i njohur, kam pasur ndjenjën se isha më i lirë, por ndoshta kjo ishte vetëm një iluzion.

Dhoma ime ishte bërë një pikë referimi, për të gjithë miqtë në Devoll dhe Rubik të cilët, herë pas here vinin në Tiranë. Takoheshim në një lokal, në bulevardin, të quajtur “Shpella”, për të shkëmbyer lajme, kujtime dhe shpresat. Në mbrëmje, por sidomos të dielave, ky vend u bë një vend takimi, për të gjithë italianët. Pronari na njoftonte, me një fjalë konvencionale, kur hynte ndokush i dyshuar, dhe kjo na lejonte të ndërpritnim bisedat komprometuese.

Situata e ushqimit, ishte kritike; pasi ushqimet e nevojës primare ishin të racionuara, gjysmë litër naftë në muaj, për katër persona, sheqeri po ashtu, makaronat, mishi dhe kështu me radhë. Radha jashtë dyqaneve, fillonte në katër të mëngjesit, në 08:00, motra ime shkonte zëvendësonte në radhë nënën. Buka është bërë me miell misri, i pa situr, i gatuar me ujë në forma të rrumbullakëta dhe të sheshta. (Babanace).

Unë kam parë shumë herë nënën time të privuar, nga që nuk arrinte të gatuante dot as supë për mua. Udhëheqësit komunistë dhe teknikët jugosllave e sovjetikë, kishin dyqane ekskluzive vetëm për ta, dhe të pajisur me të gjitha, ndërsa njerëzit shtrëngon rripin. Rusët ishin eksportuesit e çdo gjëje që bënte ekonomia shqiptare, në këmbim të armëve. Popullsia atëherë ishte rreth një milion njerëz: 100.000 në ushtri dhe ca më shumë në burgje të ndryshme

Tortura, Gjykimet, Ekzekutimet

Me 10 shtator 1947, filloi proçesi i gjykimit të 25 të pandehurve. Kjo farsë tragjike, nuk ndodhi në një sallë gjyqi, por në një sallë të Kinemasë Kombëtare, ngjitur me hotelin ku banonim. Gjatë seancave, zona ishte patrulluar nga policia; altoparlantët transmetonin jashtë, faza të ndryshme të debatit. Nga torturat në burg, askush nuk mund të rezistonte. Gjithkush kishte për të recituar në këtë tragjedi, pjesët që u ishin nxjerrë.

Të gjithë deklaruar vetë-fajësinë; Vendimi u shpall nga fanatikët prezentë në sallë, që kur çdo i pandehur thirrej për të dëshmuar, thërrisnin; “Vdekje! Me vdekje”! Unë kam dëgjuar  fjalët e fundit të shprehura nga inxhinieri Paul Saxhioti: “Unë besoj në drejtësinë tuaj”. Në zërin e tij, me dukej një aluzion e ironi. Ai ishte një njeri i ditur, dhe e dinte se drejtësia, nuk mund të bashkëjetoj me doktrinën komuniste.

Më 22 tetor 1947, është dhënë vendimi i dënimit, 16 dënime me vdekje, nga 25 të pandehurit. Tre të dënuar me varje, 13 me pushkatim; një ndër ta edhe Saggiotti. Monaldi dhe Andena, përfunduan me një dënim prej 15 vjetësh. Unë nuk e di saktësisht, se ku është ngritur trekëmbëshi për të tre të dënuarve me varje në litar; atë ditë, rastësisht, duke kaluar në “Sheshin della Legna”, me mbesën Nina, m’u paraqit një skenë e papritur trishtuese!

Tre trupa të varur dhe një grup fëmijësh, duke i tërhequr ato nga këmbët, ata i rrotullonin litarët dhe pastaj i lëshonin përsëri, për t’i parë se si vet rrotulloheshin në sensin e kundërt. U largova, duke tërhequr fëmijën për dore, në një rrugicë ngjitur.

Një ditë, me motrën time Albina, unë shkova për të parë Monaldin në burg, në rrugën për në Shkodër; Unë u lejova për të parë atë për disa minuta dhe shkëmbyen disa fjalë. Salloni përbëhej nga dy rreshta, me shufra hekuri, hapësira që ndante të burgosurit nga vizitorët, ishte tre metra. Kam lënë një pako me ushqime, por ajo ishte mbajtur nga rojet.

Më 28 tetor 1947, Shqipëria kishte vendosur në Paris ratifikimin e Traktatit të Paqes me Italinë; por gjendja jonë vazhdoj të mbetej e pandryshuar. Unë kam qenë i transferuar nga Devolli, kur Dr. Mandolini, Motra Paskuina, Padre Skalvini, u arrestuan dhe kështu që nuk ishte pra e mundur, të specifikoja datën e arrestimit. Mbyllur në burgje të ndryshme, për një kohë të gjatë, për ta nuk do të dihesh asgjë, por më vonë mora vesh se Mandolini, ishte transferuar në Tiranë.

Nuk ishte gjë e lehtë për të gjetur atë! Kryeqyteti më pas ishte ndanë 14 njësi, me reparte të veta të policisë, të pajisur me mbajtjen në qeli të dënuarit, ku të burgosurit ishin duke në marrë në pyetje fillimisht, dhe pastaj transferoheshin në një nga dy burgjet kryesore.

Në birrarinë qe e kisha frekuentuar me mikun tim, Batani, unë jam prezantuar me një oficer të ri shqiptar Gjirokastrit, e kisha takuar herë pas here dhe kam shkëmbyer me të, në gjuhën shqipe, katër fjalë dhe mirësjelljeje. Ishte vetëm një simpati e ndërsjellë, por unë rrezikoja dhe kisha frikë, për të pyetur atë nëse ai mund të më ndihmonte, për t’i kërkuar miqtë e mi. Unë e pashë atë përsëri një ditë më vonë dhe më dha disa shenja për seksionet e policisë, që kishte më shumë mundësi për të gjetur.

Kjo ishte një e diel, e 14 nëntorit të vitit 1947, dhe pas disa përpjekjeve në rajone të ndryshme të policisë, arrita të gjej burgun ku mbahej Dr. Mandolini. I’u prezantova rojeve se kush isha, duke kërkuar për të parë atë; Unë kisha për t’ju përgjigjur shumë pyetjeve dhe të shpjegoja arsyet për kërkesën time. Në fund më thanë se, duke qenë në izolim, ata nuk ishin të lejuara që të takoheshin dhe të bisedonin me njeri. Kam lënë një pako me ushqime, e hapen atë për të kontrolluar dhe ata më siguruan, se do të dorëzohet.

Prej atëherë e, deri në fund të vitit pasardhës, unë nuk kisha asnjë lajm prej tij. Vitit që po i afrohej fundi, ishte i vështirë dhe i rëndësishëm. Në horizont unë nuk mund të shihja, edhe një rreze dritë. Babai im u transferua përsëri, së pari për në Korçë, pastaj në Elbasan. Ai kishte kapur tashmë 63 vjeç dhe unë e pyes veten tani, se si mund të tejkalohen kaq shumë mundime. Puna ishte e rëndë në ofiçine: përtej kohës normale, ishim të detyruar për të bërë një orë e shtesë të papaguar. Unë isha i vetmi i punëtorëve italianë, që nuk i bindesha këtij urdhri abuzues.

Nuk më lejohej për të gjykuar të tjerët: por ne jetonim në një atmosferë të terrorit, dhe kjo mund të na kushtonte shtrenjtë, nëse unë do shprehesha hapur për këtë. Unë kam qenë i akuzuar për sabotim, për një problem që kishte ndodhur në makinerinë në të cilën kam punuar, njohja e gjuhës së tyre, më ndihmoi për t’i fituar tek ata besimin tim të mirë. Afër kapanonit tonë ishte ndërtuar një tjetër, e përdorur si një shkritore gize, ku punonin teknikë dhe punëtorë të cilët kishin ardhur nga Jugosllavia.

Tito, në bazë të një traktati të ndihmës reciproke, kishin mandate të ndryshme për të punuar në Shqipëri dhe merrnin rroga katër herë më të larta se e jona, edhe pse ata si nuk ishin deri në nivelin e formimit e përgatitjes së italianëve. Unë, për të plotësuar të ardhurat e ulta që kam patur, në mbrëmje kam riparuar makinat në shtypshkronja të ndryshme. Në atë kohë kam pasur ndjenjën, se diçka po ndryshon. Memorie.al

Kujtimet dhe mbresat e italianit: Si jetuam 20 vite në Shqipëri, nga Monarkia e Zogut, periudha e pushtimit dhe ajo e regjimit komunist të Enver Hoxhës

Kjo pjesë e parë e kujtimeve të mia, e cila mbulon një periudhë prej njëzet vitesh; 1928 – 1949, unë ja kushtoj gjithë atyre që kanë jetuar dhe vuajtur si unë në Shqipëri, privacioneve çnjerëzore dhe sakrificave të prindërve të mi, e të gjithë familjes sime. E zgjeroj përkushtimin tim, për shumë afrikanë të detyruar të emigrojnë në kërkim të kushteve më të mira të jetës, për të gjithë ushtarët të cilët ishin të detyruar, të luftonin në një vend të huaj, për idealet kalimtare dhe, shumë prej tyre, nuk i kanë rishikuar familjet e tyre dhe janë të varrosur në një vend të huaj, për të gjithë ata që janë të shtypur nga regjimet diktatoriale dhe ata të dënuar padrejtësisht me vdekje, për të burgosurit, për ata që kanë vuajtur, tortura të paimagjinueshme.


Për shumë prej tyre që iluzionionin për një të ardhme më të mirë frymëzuar nga doktrinat e të djathtëve ose të majtëve. Për Don Mario Morandi, mësues bujar dhe pastor i të varfërve dhe të dobëtëve, mbrojtës i klasave të ulëta. Dr. Antonio Mandolins, për kujdesin që ai përkushtoi për gjithë më të varfrit, të mjerët, të shtypurit, aty edhe për ata që e kishin torturuar atë., zotërisë tim të punës, Silvio Dariol, një shembull i profesionalizmit, mirëkuptimit, inteligjencës, me dhunti të shumta dhe aftësinë e madhe të pune.

Familja ime

 

Babai im, Giovani Angelo Cançiani (Anjul Centurion), kishte lindur në Gemona të Friulit më 19 nëntor 1885. Si edhe të gjithë Friulanët, ishte i detyruar të emigronte në vende të ndryshme evropiane, për të gjetur një punë nga e cila të siguronte jetesën. Në vitin 1922, në një nga periudhat e rralla dhe të shkurtra që kalonte në Gemona, në shtëpinë e miqve të (Boexio), takoi dhe njohu nënën time, Ida Urbani e cila, ka lindur në Gemona, më 28 tetor 1898. Pas një periudhe të shkurtër pushimesh, babai im dhe Peter Boezio, shkuan përsëri së bashku në Sardenjë, për të punuar në digën që ishte duke u ndërtuar, mbi lumin Tirso.

Pas disa muajsh, ai i shkroi nënës sime, një kartolinë, të vetme, të thjeshtë, për t’i kërkuar për martesë. Në janar 1923, ai u kthye në Gemona, për të përgatitur dokumentet e martesës, dhe ata u martuan në shkurtin e vitit 1912, në Komunë, në fillim dhe pas disa ditësh në kishë, siç ishte zakon atëherë. Në muajin e mjaltit, ata shkuan për t’u njohur me Floreani, të afërmit e nënës e babait tim. 10 km. me tren, deri në Majano dhe 5 km. në këmbë për të mbërritur në Farla. Një zonë e Majanos, ku nëna ime më së fundi arriti të heqë këpucët dhe të shërojë plagët e këmbëve, nga rruga e gjatë.

Pas disa ditësh ata u kthyen në Gemona, ku ata i priste një shtëpi e re, në “Via Sottocolle”, dy dhoma me qira në oborrin ku ata jetonin e Bozet, në kufi me shtëpitë Urbani. Dhe këtu kam lindur unë, me 25 nëntor 1923 (e diel në orën 17). Motra ime Irena, ka lindur më 11 tetor 1925, kam pasur vetëm dy vjet diferencë me të dhe unë nuk mbaj mend asnjë kujtim të kësaj ngjarjeje të lumtur.

Riatdhesimi

Pas situatës së krijuar në Itali me fashizmin në pushtet, babai im u detyrua të emigrojë; në vitin 1928, ai u nis për në Shqipëri, në kryeqytetin e saj në Tiranë, ku kemi mbërritur në janar të vitit 1930. Nga tregimet e nënës sime, unë mendoj se ne e kemi lënë Gemonën, në datën 30 në mëngjes dhe me tren që arriti në Bari, në mëngjesin e ditës tjetër, në darkë jemi imbarkuar në një anije me motor e cila, pas 10 orësh ka mbërritur në Radën e portit të Durrësit. Prej këtu, pas disa orësh pritje, vijuam rrugën për Tiranë, me një “koriere”.

Distanca nga Durrësi në Tiranë, është vetëm 38 km., por me mjetet dhe me atë rrugë të rrënuar atëherë, ajo mori disa orë për të arritur në Tiranë; Udhëtimi zgjati gati tre ditë. Nëna ime, nuk kishte lëvizur nga vendi i saj i lindjes, asnjëherë; Duke patur edhe dy fëmijë të vegjël, valixhe, bagazhe të ndryshme, unë nuk mund ta imagjinoj, se sa dhe çfarë vështirësie ajo kishte për të kapërcyer. U vendosëm në një vend të huaj, pa dijeninë më të vogël të gjuhës, ajo sigurisht nuk ishte një gjë e lehtë, sidomos për nënën time.

Në atë kohë ka pasur një Monarki në Shqipëri: Ahmet Zogu e kishte shpallur veten Mbret dhe sundimtar i vendit, me grusht të hekurt. Mbreti Zog ishte martuar me Konteshën Geraldinë, bukuroshe të Hungarisë. Djali Leka, ka lindur në mërgim me 9 prill 1939, dy ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë. Po e mbyll parantezën historike dhe po kthehem në kujtimet e familjes sime.

Më 10 korrik 1931, lindi në Tiranë, motra ime Albina. Në dy dhoma të shkatërruara nuk ishte më e mundur për të jetuar; aty flinim pesë persona, në një dhomë. Ne ishim detyruar për të lëvizur dhe për të kaluar në një shtëpi tjetër. Ajo ishte ndërtuar mbi një dysheme të ngritur, më të gjerë se sa një vit më parë dhe me një oborr të vogël, por të izoluar dhe të largët nga qendra. Babai im, kurrë nuk e humbi një ditë pune, por paga që i paguhej, ishte vetëm sa për nevojat e familjes.

Një mëngjes, nëna ime doli për të shkuar në dyqan ushqimore dhe hajdutët gjetën mundësinë për të “pastruar” shtëpinë. Pesë lekë, ishte paga e një muaji, dhe gjëra të tjera janë zhdukur, ato u grabitën. Kusarët u arrestuan më vonë, por nuk u kthye asgjë prej mallrave të vjedhura. Pasojat ekonomike që pasuan u kapërcyen me vështirësi. Ky fakt detyroi babain tim, për të lëvizur në një shtëpi tjetër, së bashku me bashkëshortët Arduino, një çift simpatik nga Trieste, shumë miqësor dhe shoqërues të mirë për nënën time, e cila e kishte provuar dhe ndier izolimin e mëparshëm.

Ata jetonin në katin e dytë dhe ne në katin e parë, rreth shtëpisë, është një kopsht i madh me shumë pemë. Motra ime Albina, kur ishte në moshën një vjeçare, u sëmur me gastroenterit; ilaçe nuk gjendeshin, dhe nuk mund të bliheshin, ndërsa babai im, edhe pse ka punuar vazhdimisht, nuk e merrte pagën të rregullt; për rreth gjashtë muaj, nuk janë paguar asnjë nga këstet mujore. Disa dyqanxhinj na kreditonin ne, dhe disa bashkëpunëtorë, miqtë dhe fqinjët, na ndihmonin.

Kjo ishte një periudhë tepër kritike dhe të vështirë për familjen time dhe ajo zgjati rreth dy vjet. Ishte rreth kësaj kohe, që unë dhe motra ime, Irene, vijonim të rriteshim dhe u pagëzuam. Ceremonia e pagëzimit u zhvillua në kishën e murgeshave dhe nuni im, ishte Pietero Boezo, fqinj dhe mik i familjes. Motra ime ishte me pak fat, si ndrikull për të, u zgjodh një nga murgeshat: një konteshë e cila u zhduk, pa thënë lamtumirë në fund të ceremonisë.

Kishin kaluar tashmë katër vite të vështirësive të mëdha dhe sakrifica nga dita e ardhjes sonë në Shqipëri; Në vitin 1934, babai im u largua nga Tirana dhe shkoi në Kuçovë.

Kuçova, ishte një qytet i vogël në brigjet e lumit Devoll, 15 km. larg nga qyteti i Beratit. Kompania AIPA, kishte zëvendësuar “(F F S S) Ministria e Hekurudhave Italiane” që kishte marrë më parë nga qeveria shqiptare në këtë fushë, një koncesion për shfrytëzimin e naftës. Pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1940, AIPA u vu nën kontrollin e AGIP.

Që atëherë, puna në industrinë e naftës ka pasur një rritje të konsiderueshme dhe të shpejtë, paralelisht me të, u zhvilluan edhe ndërtimet. Babai im ka punuar me kompanin “Stella”, për ndërtimin e shtëpive, zyrave, magazinave, etj. Ne do të na duheshin disa muaj, për të bashkuar familjen, pasi nuk e ishte e lehtë për të gjetur një shtëpi, por më në fund në janar 1935, jemi transferuar edhe ne në Kuçovë. Në ultësirën e luginave madhështore, rrjedh lumi Devollit, që italianët i dhanë edhe vendit të njëjtin emër.

Ndërtimi i fshatit Devoll: kisha dhe shkolla

Në fillim të kërkimit të naftës, AIPA, (Kompania italiane Petroleum Albania), operonte në zonën e njohur si D 4, ku janë shpuar puset e para; aty ishte restoranti, ishin ndërtuar zyra dhe disa shtëpi prej druri. Disa prej tyre, u bënë për t’u vënë në dispozicion, të një kishe (Don Criseri ishte prifti i parë famullisë) dhe një për të shkollës. Një mësuese e re, Jolanda Silverio, mësonte të gjithë nxënësit e të pesë klasave të fillores. Në një klasë të pestë, kemi qenë tre prej nesh; Lendaro, unë dhe Truini.

Në mbyllje të vitit të fundit shkollor, unë u prezantova me nota të mira, por nuk mund të vazhdoja më tej shkollimin sepse; nuk ka pasur shkolla të tjera! Babai im, si shpërblim për notat e mira të marra në shkollë, më dhuroi një karabinë të kalibrit 9 mm. “Flobert”. Shqipëria në atë kohë ishte një vend i egër, me natyrën pa prishur, me gjueti të bollshme dhe kishte rezervat e pasura peshkut, në lumenjtë e saj.

Për të plotësuar mungesën e shkollimit, pastori na jepte mësime për çështje të caktuara të përdorimit më të gjerë. Mua m’u besua edhe detyra e klerikut kishtar; për këtë shërbim më dhanë një tarifë të vogël shpërblimi. Në kishë kam mbajtur gjithmonë armën gati, edhe gjatë predikimit, kur nga dritarja shikoja të uleshin zogj mbi pemën e mbuluar me dredhkël, kam dalë, kam qëlluar dhe jam kthyer në kohë, për të thënë “amen”! Një mëngjes shkova për të shërbyer në meshë, pata uri dhe hëngra mëngjes me të gjitha llojet e ushqimeve, që prifti mbante në një kuti. Kështu përfundoi karriera ime, si një nëpunës kishe.

Ditët e mia të shkojnë si ato të një mezi të egër: dimrit gjithmonë në gjueti, verës peshkim, me pajisje të improvizuara, kallam me shtizë dhe spango, për të siguruar goditje. Kam hequr plumbat e fishekëve të pushkëve dhe kam mbushur me barut, por një ditë, kur mbushja karabinën, pata një shkrepje që ishte aksidenti im i parë gjueti: u godita në dorë dhe ballë, për fat të mirë, pa pasoja të rënda.

Pushka m’u sekuestrua dy herë: herën e parë nga ing. Trisolio, i cili u habit, kur unë kam qenë jashtë kompleksit të rrethimit të qenve të tij të gjuetisë; por zonja e tij me edukatë, i kërkoi të ma rikthejë. Herën e dytë qëllova një zog të vogël dhe saçmat përfunduan mbi gazetën që po lexonte një zotëri në një kafene, i ulur jashtë saj. Për të marrë përsëri pushkën, këtë herë ishte e nevojshme, ndërhyrja e babait tim.

Një ditë, kur u ktheva nga peshkimi, kisha lënë kallamin e peshkimit mbështetur në mur, krimbat e pa hequra nga grepi. Gjeli i preferuari i nënës, gëlltiti çdo gjë, por nuk kishte ngordhur. Të dielën, me babain tim shkonim për peshkim me pako të vogla dinamiti. Çdo ditë për mua, fillonte me një aventurë të re. Pra, pas më shumë se dy vjet pa kokëçarje dhe pa përgjegjësi, deri në fund të vitit 1937, pa një lek në xhep dhe pa zbavitje të tjera.

1937 –  Praktikant në Tiranë

Në atë kohë, filluan punimet për ndërtimin e një shkolle të re, spitalit, kishës. Shumë punëtorë dhe shumë familje të reja, kishin ardhur nga Italia, veçanërisht Emilia. Vendi ishte shndërruar një ishull italian, brenda Shqipërisë, me shumë avantazhe dhe disa të meta: propaganda fashiste ishte shumë e pranishme, dhe tesera e Partisë, ishte e nevojshme për ofrimin e punës. Babai im nuk i përshtatej nënshtrimit dhe imponimeve të caktuara, prandaj u kthye përsëri në Tiranë. Unë u bashkova me të, në vjeshtën e vitit 1937.

Unë kisha gjetur një vend si një nxënës, në një ofiçinë makinash ku riparoheshin automjete dhe motoçikleta; Ka pasur aty edhe një torno dhe një fonderi. Ishte e vetmja ofiçinë në kryeqytetin Shqiptar, Tiranë. Pronarët ishin të dy italianë, Mario Massarini nga Piacenza dhe një Poli, nga Triestinez.

Ne banonim në shtëpinë e z. Merli, i cili ishte mysafiri jonë, për një periudhë të shkurtër në Devoll. Në shtëpinë e tij në “Rrugën e Elbasanit”, vendosi të na jepte me qira një dhomë që e ndanim me babanë tim; nuk kishte xhame në dritare dhe ne kishim vënë një gazetë, për të na mbrojtur nga të ftohtit.

Çdo mëngjes për të arritur vendin e punës, tek “Rruga e Durrësit”, ecja 2 km. në këmbë, duke kaluar nëpër rrugët në qendër të qytetit; unë u ndaloja me gojën që më lëshonte lëng para dritareve të dyqaneve të pastave, që unë nuk kisha parat t’i blija! Në “Sheshin Skanderbej”, dëgjoheshin këngë italiane të transmetuara nga megafonat e Radios të Tiranës. Më ka mbetur në kujtesë një këngë, që quhej “Amapola”.

Ishte hera e parë që jetoja larg familjes, isha trembëdhjetë vjeç dhe isha ende një fëmijë. Në ofiçine shkoja me shumë dëshirë, por fillimisht, për të mësuar dhe gjithmonë bëja punët të çirakut. Ishte një përvojë në shumë aspekte, për t’u konsideruar negative për moshën time, por që ka kontribuar në formimin e karakterit tim dhe që më përgatiti për provat e mëvonshme, që kam pasur për të kapërcyer. Për fat të mirë, kjo mbetet vetëm një kujtim i zbehtë i kësaj periudhe, dhe unë nuk arrij të mbaj mend, as vendet që kam përdorur për të ngrënë.

Me ka mbetur në mënyrë të qartë një episode, që më bëri të vuaj Ishte ditë karnavalesh, dhe u takuam në rrugë me një farë Merla, që së bashku kishim vijuar shkollën fillore, deri në klase të katërt, dhe më tha se kishte ardhur në shtëpinë e tij një letër nga nëna ime. I shqetësuar për të lexuar atë letër, kam udhëtuar dy kilometra, me një traste të rëndë që kishte dërguar ajo për ne. Letra ishte një shaka e keqe e një personi të pa njohur. Në trastë, ishin tre tulla.

Viti 1938 – Në AIPA.

Kisha kaluar gjashtë muaj në Tiranë. Babain tim jeta e detyronte të zgjidhte problemet: ai nuk mund të më ndiqte nga pas, kështu që ai vendosi të më sjellë përsëri në Devoll, tek nëna ime. Nuk ka pasur shkolla mbi klasën e pestë të fillores, ndërkohë drejtimi i kompanisë AIPA, kishte kundërshti me punonjësit të cilët kishin fëmijë në moshë, të cilët kishin mundësi për të hyrë si nxënës, duke u ofruar vende pune në sektorë të ndryshëm; disa nga shokët e mi, ndërkohë ishin punësuar.

Unë sapo kisha kapur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mosha minimale për të hyrë në botën e punës. Dr. Akilit, shefi i zyra qendrore te personelit, i paraqita një kërkesë për punësim. Nuk ishte e lehtë, babai im nuk ishte një punonjës i drejtpërdrejtë i kompanisë dhe gjithashtu ai konsiderohej antifashist. Duke dalë nga zyra, takova në hyrje ing. Trisolio, zëvendësdrejtori, i cili ishte një njeri i prerë në karakter, por nga parime të shëndosha. Dëgjoi përmbledhtas kërkesat e mia, dhe ai më çoi nga zyra qendrore dhe më morën në punë

Më 30 maj 1938, unë fillova të punoja si një nxënës në punëtori; Unë u bashkova me një nga punëtorët më të kualifikuar, Silvio Dariol, i cili punonte ne një frezë, axhustator i mirë, mekanik gjithashtu, kujdesej edhe për mirëmbajtjen e impianteve të ndryshme nëpër kantier. I flisnin “mjeshtër”, për mësimet e tij në punë, shembullin e ndershmërisë dhe seriozitetin. Për mua, ky ishte një fat që e kam takuar atë dhe ka punuar me të, për disa vjet.

Në vitin e parë të mësimit të profesionit, kisha krijuar një ndjenjë shumë të mirë, me mësuesin tim Dariol, i cili ishte i këndshëm, inteligjent dhe i afrueshëm. Më pëlqente puna, ndiqja me kujdes mësimet dhe përparoja në mësim, por unë nuk paguhesha. Viti i parë i punës së stazhit, nuk kompensohej në asnjë mënyrë nga kompania dhe orari i punës ka qenë i rëndë, dhjetë orë në ditë, por të paktën për ne te vegjlit, e shtuna ishte konsideruar ditë pushimi, si festat.

Ofiçina zinte një sipërfaqe të madhe të ndarë në reparte, pritjen, zyra, një oborr të madh. Kapanoni në të djathtë, 120 metra i gjatë, ishte e ndarë në reparte të vogla, makineritë që përdoreshin, axhusteri dhe motoristët. Ne të majtë në mënyrë identike, në ndarjet ishin marangozët, farkëtarët dhe saldatorët. Midis dy ndërtesave, një korridor i gjerë, çonte në një shumëllojshmëri të pajisjeve dhe veglave. Në kufi në anën e djathtë, ishin disa kapanona të tjerë, që përdoreshin si depo. Në anën e kundërt të rrugës që kalonte përgjatë pjesës se përparme të këtyre strukturave, kishte një stacion i vogël treni me shina, që lidhnin repartet e ndryshme dhe lidhnin krahët që arrinin në të gjitha puset. Lokomotivat, vagonët dhe binarët, ishin më të vogla se në trenat normalë.

Nga mesi i vitit 1939, menaxhimi i kompanisë, në bazë të meritave të fituara dhe në gjykimin e tij të fundit, më informoi shkallën e pagës time të parë. (5 lekë). Kjo ishte ndoshta një e dhjeta e pagës, së një punëtori të kualifikuar, por për mua ishte një kënaqësi e madhe. Paga e babait tim, kur ai erdhi, ajo ishte më e vogël se kjo qe merrja unë. Nëna ime, lante dhe hekuroste, fitonte disa lekë, edhe pse ndihma ime ishte e vogël, ajo ka kontribuar në buxhetin modest familjar. Nga Arnaldo Canciani Memorie.al

8 Marsi: Ikonat e lëvizjes emancipuese të gruas në Gjermani

Në fund të shekullit të 18-të gratë në Europë filluan të kërkonin gjithnjë e më shumë të drejta.

Që në atë kohë ato filluan të merrnin pjesë në aksione revolucionare, sidomos në Francë ku pas revolucionit të 1789-ës, u përgatit mjedisi për të drejtat e njeriut, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe të drejtat e barabarta. Në Gjermani, kaloi një gjysmë shekulli deri sa një numër i konsiderueshëm grash u politizuan dhe filluan të artikulonin kërkesat e tyre.

Udhërrëfyesja

Në vitin 1843 në publik u shfaq një grua me emrin Louise Otto-Peters, e cila e thoshte hapur mendimin e saj. Doktrina e saj ishte që pjesëmarrja e grave në interes të shtetit “është jo vetëm e drejtë, por është edhe detyrë”.

Image

24 vjeçarja Luise Otto-Peters kishte mbetur jetime në moshën 16 vjeçare, dhe si adoleshente u mor vetë me punët e saj. Mbas vdekjes së prindërve ajo kishte trashëguar një pasuri të madhe. Ajo realizoi ëndrrën e saj për t‘u bërë shkrimtare dhe shkruajti poezi, ese, romane social-kritike dhe artikuj gazetareskë. Këto të fundit ajo i publikoi me pseudonimin Otto Stern. Ajo i ra në sy qeverisë, e cila u mundua t’i mbyllte gojën. Por Louise nuk u nënshtrua dhe themeloi në vitin 1865 “Shoqatën e Lajpcigut për arsimimin e grave”.

Në të njëjtin vit në Lajpcig u zhvillua një konferencë e madhe grash. Gazetat shkruajtën me përçmim për “Betejën e grave të Lajpcigut”, por 120 pjesëmarrëset nuk i kushtuan rëndësi këtij fakti. Ato themeluan Shoqatën e përgjithshme të grave gjermane (ADF), kryetare e të cilës qëndroi për 30 vjet rresht, Louise Otto-Peters. Një nismë fillestare që u shoqërua me krijimin e shoqatave të grave në të gjithë Gjermaninë.

Arsim shkollor për vajzat

Synimi kryesor dhe më i rëndësishëm ishte shkollimi i grave dhe vajzave. Ndërkohë që shkollimi përkatës i djemve ishte gjë krejt normale, vajzat nga shtresa punëtore duhet të fillonin punën në moshë të re për të fituar para, kurse vajzat nga familjet borgjeze duhet të përgatiteshin për jetën bashkëshortore. Vajzat që dinin të shkruanin dhe të lexonin ishin me fat. Mësuesja Helene Lange e mori në dorë këtë problem dhe i drejtoi një lutje ministrisë prusiane të shkollave. Ajo kërkonte përmirësimin e shkollimit të vajzave, rritjen e ndikimit të mësueseve në edukimin e nxënëseve, përmirësimin e arsimimit të mësueseve. Por luftëtareve të të drejtave të grave iu desh të prisnin gjatë. Në fund në vitet 1899 dhe 1900 u arrit të lejohej pjesëmarrja e grave në universitetet gjermane. Dhe më 1908 sistemi i shkollimit të vajzave u vu nën përgjegjësinë e shtetit.

[Fotoportret i politikanes Helene Lange] [Fotoportret i politikanes Helene Lange]
Helene Lange, politikane gjermane dhe aktiviste për të drejtat e gruasFotografi: dpa/picture alliance

Rritet vetëdija politike

Image

E reja Clara Eißner shkonte në një seminar për mësueset në Lajpcig kur mësoi për themelimin e Shoqatës së përgjithshme të grave gjermane dhe filloi të angazhohej në shoqatë. Në atë kohë vlerësohej si skandaloze fakti që ajo jetonte me rusin Ossip Zetkin, pa qenë e martuar me të, mori mbiemrin e tij dhe lindi me të dy djem. Duke qenë edukatore ajo hyri në Partinë socialiste të punës, partinë që më vonë u kthye në Partinë Socialdemokrate dhe filloi të luftonte për të drejtat e barabarta të grave si në profesion, ashtu edhe në shoqëri. Ajo themeloi revistën e gruas “Barazia”. Clara Eißner – Zetkin është përfaqësuese e lëvizjes proletare të grave, dhe ndryshe nga lëvizja borgjeze e grave, në këtë lëvizje kishim të bënim kryesisht me të drejtat e grave punëtore.

Me nismën e marrë më 1910 për një ditë ndërkombëtare të grave, ajo inicioi një ditë për luftën e barazisë së grave, demokracinë, paqen dhe socializmin. Kjo ditë filloi të festohet për herë të parë në vitin 1911. Nën moton “Jepini grave të drejtën e votës!”

E drejta për të marrë pjesë në politikë

Image

Bashkëluftëtare që kërkonin të drejtën e votës për gratë në Gjermani ishin edhe Anita Augspurg dhe partnerja me të cilën bashkëjetonte, Lida Gustava Heymann. Ato kishin themeluar në vitin 1902 shoqatën gjermane “Për të drejtën e grave për të votuar”. Augspurg dhe Heymann ishin më pak paqedashëse se sa “motrat” e tjera gjermane. Ato kërkonin t’i fitonin të drejtat e tyre duke përdorur të njëjtat mjete brutale që përdornin Suffragetten në Angli, që i shoqëruam kërkesat e tyre duke ushtruar presion me grevë urie, vandalizëm dhe demostrata të mëdha.

Augspurg studionte juridik në Zvicër, gjë që ishte e paimagjinueshme në Gjermaninë e shekullit të 19-të. Ajo mori doktoraturën dhe kishte kështu njohuritë e duhura juridike për të luftuar për reforma në parlamentin gjerman.

Lufta dha frute

Image

Ndërkohë filluan bashkëpunimet me shoqata në vendet e tjera europiane, lëvizja e suffragetteve në Angli ishte forcuar aq shumë, saqë askush nuk mund ta anashkalonte. Ndërkohë që gratë në Hollandë dhe Skandinavi kishin vite që lejoheshin të votonin, gratë në Gjermani, Austri, Poloni dhe Angli pritën deri në vitin 1918 për të marrë të drejtën e votës, në vende të tjera pritën edhe më shumë.

Më 30 nëntor 1918, gati tri javë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, qeveria e re gjermane “e Rajhut”, njoftoi: “Të gjitha zgjedhjet për institucionet publike duhen zhvilluar sipas së drejtës së përgjithshme, të barabartë, të fshehtë, dhe direkte të votës, në bazë të sistemit proporcional të votimit të të gjithë personave mashkullorë dhe femërorë të moshës mbi 20 vjeç.”

Ky ligj i ri u zbatua për herë të parë pak më vonë, në janar 1919.


Send this to a friend