VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dosja FinCEN: Gjithçka që duhet të dini për rrjedhjen e këtyre dokumenteve

By | September 22, 2020

Komentet

Një bombardues amerikan ka fluturuar mbi Gjirin Persik

Shtetet e Bashkuara njoftuan se një bombardues B-52 ka kryer një fluturim mbi Gjirin Persik si shenjë e demonstrimit të fuqisë dhe “parandalimit të një agresioni të mundshëm”.

Njoftimi i ushtrisë amerikane vjen në kohën e tensioneve në rritje me Iranin dhe frikës se shkaku i tyre mund të vie deri te ndonjë sulm i mundshëm ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon. Ky është misioni i tretë këtë vit, por i pari që kur presidenti, Joe Biden mori detyrën më 20 janar.

Bombarduesi kreu një fluturim vajtje-ardhje nga baza e Forcave Ajrore Barksdale në Luiziana, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.

“Ky mision kishte për qëllim të demonstrojë aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur fuqinë ajrore kudo në botë, për të parandaluar ndonjë agresion të mundshëm dhe për të treguar angazhimin e SHBA-së për sigurinë rajonale”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së, përmes një deklarate.

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që nga viti 2018, kur ish-presidenti, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione shkatërruese mbi republikën Islamike.

Trump ka thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe i mundësonte Iranit zhvillimin e armëve bërthamore.

Presidenti Biden ka deklaruar synimin që të kthehet në marrëveshje, nëse Irani respekton kufijtë e programit të tij bërthamor, të cilat i parasheh pakti.

Irani i ka bërë thirrje presidentit Biden që së pari të heqë sanksionet.

Teherani ka shkelur marrëveshjen duke rritur nivelin e prodhimit të uraniumit të pasuruar. rel

Presidenti i Izraelit kërkon veprim global kundër antisemitizmit

Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin bëri thirrje për veprim global kundër antisemitizmit, duke e krahasuar atë me betejën ndaj koronavirusit.

“Njëjtë sikurse në luftën kundër koronavirusit, të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku për të luftuar virusin e antisemitizmit dhe urrejtjes radikale”, tha Rivlin të mërkurën përmes një organizimi online të organizuar nga memoriali i Holokaustit Yad Vashem i Izraelit.

Presidenti izraelit tha se kjo duhet bërë duke përdorur “të gjitha mjetet që kemi në dispozicion – të tilla si hulumtimet, edukimi dhe zbatimi i ligjit”.

Sipas tij, antisemitizmi dhe mohimi i Holokaustit po bëhen më të përhapura falë përhapjes së teorive antisemitike të konspiracionit në lidhje me pandeminë.

Për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, Yad Vashem hapi një faqe të veçantë interneti që përmban ekspozita në internet, burime arsimore dhe një “mur përkujtimor” virtual.

Gjermanët nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë rreth 6 milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Izraeli ka përkujtuar viktimat në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit që nga viti 1951.

Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara e vendosën Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit më 27 janar – dita kur në vitin 1945 ushtria sovjetike çliroi kampin e Aushvicit. rel

Popullsia e Meksikës tejkalon 126 milionë banorë

Sipas rezultateve të një regjistrimi të sapo përfunduar në Meksikë, popullsia e këtij vendi ka tejkaluar 126 milionë banorë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Gjeografisë (INEGI) publikoi të hënën Regjistrimin e Popullsisë dhe Njësitë e Banimit në vitin 2020, i cili vendosi popullsinë e vendit në 126.014.024.

Pasi u bë vendi i 11-të më i populluar në botë, 51.2 për qind e popullsisë së Meksikës janë femra ndërsa 48.8 për qind janë meshkuj, zbuloi agjencia e regjistrimit.

Ndër pjesët më të populluara të vendit janë Shteti i Meksikës me 16.99 milionë banorë, kryeqyteti Mexico City me 9.2 milionë banorë, shteti Jalisco me 8.34 milionë banorë, shteti Veracruz me 8.62 milionë banorë dhe Puebla me 6.58 milionë banorë.

Derisa rritja e popullsisë së Meksikës u ul me 1.2 për qind në 10 vitet e fundit, mosha mesatare, e cila ishte 22 në vitin 2000, në vitin 2020 u regjistrua të jetë 29.

Shefi i OKB-së bën thirrje për aleancë globale kundër supremacisë së bardhë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për veprim të koordinuar global, për të ndërtuar një aleancë kundër rritjes dhe përhapjes së neo-nazizmit dhe supremacisë së bardhë.

Shefi i OKB-së po ashtu ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar “për të luftuar propagandën, dezinformimin” dhe ringjalljen e ksenofobisë, anti-semitizmit, dhe gjuhës së urrejtjes, që është nxitur pjesërisht nga pandemia e koronavirusit.

Sekretari i Përgjithshëm ka thënë se është e dhimbshme, por jo befasuese se pandemia ka nxitur një tjetër shpërthim të mohimit të Holokaustit, shtrembërimit dhe zvogëlimit të peshës së historisë.

“Propaganda e lidhjes së hebrenjve me pandeminë, shembull, duke i akuzuar ata për krijim të virusit në kuadër të tentimeve për dominim në botë, do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte kaq e rrezikshme”, ka thënë ai.

Guterres ka bërë këto dekarata në organizimin e OKB-së për shënim të Holokaustit, pak para 27 janarit, që këtë herë shënon 76-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit, Aushvic.

Kjo ceremoni është mbajtur në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.

Shefi i OKB-së ka paralajmëruar se supremacistët e bardhë janë duke u organizuar dhe pas shumë dekadave të rënies në hije “neo-nazistët dhe idetë e tyre po rriten sërish”.

Guterres ka thënë se edhe autoritetet amerikane kanë paralajmëruar për rritje të neo-nazizmit në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

Në disa shtete, ata janë përfshirë në polici dhe shërbime të sigurimit dhe idetë e tyre mund të dëgjohen në debate të partive politike, ka deklaruar mes tjerash Guterres.

Biden shprehet “shumë i shqetësuar” për trajtimin e Navalnyt

Presidenti amerikan, Joe Biden është shprehur i shqetësuar për shtypjen e protestave në Moskë, në të cilat është kërkuar lirimi i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Navalny është burgosur fundjavën e kaluar teksa ka arritur në Moskë nga Gjermania.

Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok.

Duke folur dy ditë pas arrestimeve masive të protestuesve në gjithë Rusinë kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe arrestimit të Navalnyt, Biden ka thënë më 25 janar se është “shumë i shqetësuar”.

Ai ka thënë se nuk ka vendosur ende si të përgjigjet ndaj situatës së Navalnyt, mirëpo ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të mund të bashkëpunojnë në fushat në të cilat të dyja palët përfitojnë.

Ai ka përmendur se të dyja vendet do të duhet të bashkëpunojnë për kontrollin e armëve bërthamore, dhe se ora është duke ecur drejt skadimit të marrëveshjes Starti i Ri, njëherësh paktit të fundit të nënshkruar në mes të Uashingtonit dhe Moskës.

Biden u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai po shqyrton mundësinë t’ia bëjë të qartë Rusisë se SHBA-ja është “shumë e shqetësuar për sjelljen e saj” ndërkohë që të dyja shtetet “synojnë interes të përbashkët” në traktat.

Biden ka përmendur edhe hakimet e mëdha që kanë ndodhur në rrjetet kompjuterike amerikane muajin e kaluar, për të cilat janë fajësuar hakerët rusë, si dhe për raportimet e vitit të kaluar se Rusia u ka ofruar përfitime talibanëve, në këmbim të vrasjes së ushtarëve amerikanë në Afganistan.

“U kam kërkuar agjencive që të bëjnë kërkime të thella për secilën nga këto çështje, dhe të më përditësojnë saktë se prej nga janë, pasi unë nuk do të hezitoj të përmend këto çështje me rusët”, ka thënë ai. rel

Konflikt ndërmjet Kinës dhe Indisë në kufi

Pretendohet se ushtarët kinezë dhe indian u përleshën përsëri në zonën kufitare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat në Indi njoftuan se 3 ditë më parë në kalimin kufitar, Naku La, që gjendet në shtetin Sikkim të Indisë mes Nepalit dhe Butanit, janë plagosur ushtarë nga të dyja palët.

Më herët në qershor të 2020 palët u përleshën në luginën Galwan në kufirin veriperëndimor Ladakh, ku patën humbur jetën 20 ushtarë indianë.

Mes dy vendeve shkaktohen debate për sovranitet në pjesën më të madhe të vijës kufitare prej 3.500 km mes Kinës dhe Indisë.

Territorin prej 90 mijë km katror në rajonin Arunachal Pradesh të Indisë, Kina e emërton si “Tibeti Jugor” dhe pretendon të drejta, ndërsa qeveria e New Delhit mbron idenë e saj se Kina ka pushtuar një territor 38 mijë km katror që përfshin edhe pllajat Aksai Chin.

Palët nuk kanë mundur të zgjidhin mosmarrëveshjet për sovranitet pavarësisht bisedimeve që kanë kryer prej shumë vitesh. Çështja në fjalë kohët e fundit ka shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensionit Pekin-New Delhi.

Tensionet me burim për të drejtat e sovranitetit në kufirin mes dy vendeve u përshkallëzuan edhe në vitin 2017.

Senegal: Vizitorët vëzhgojnë kafshët e egra nga automjetet-kafazë

Një safari-park në Senegal, ku vizitorët me automjete të veçanta në kafaze mund t’u afrohen shumë pranë luanëve, ofron një përvojë ndryshe.

Safari-parku “Ranch de Bandia”, i cili gjendet rreth 70 kilometra nga kryeqyteti Dakar, përdor automjete në kafaz për të ndihmuar vizitorët t’u afrohen shumë pranë luanëve që enden në hapësirën e hapur.

Në këtë mënyrë, vizitorët janë në gjendje t’u afrohen luanëve, t’i prekin ata përmes dritareve të vogla në automjet dhe madje të bëjnë fotografi me ta.

Cristophe Dering, njëri nga drejtorët e parkut, për Anadolu Agency (AA) theksoi se parku u ofron vizitorëve një përvojë shumë unike.

“Unë fillova projektin Ranch de Bandia me partnerin tim Jack Rezk në janar të vitit 2017. Vizitorët këtu kanë shansin të jenë kaq afër me një luan, ndoshta për herë të parë në jetën e tyre”, thotë ai.

Dering gjithashtu thotë se parku vazhdimisht bën përmirësime për të ofruar mundësi më të mira, duke ftuar njerëzit të vizitojnë parkun “Ranch de Bandia”.

“Në vend që t’i kufizojmë kafshët në kafaze të vegjël në kopshte zoologjike, ne i vendosim njerëzit në kafaze, kështu që respektojmë hapësirën e jetesës së kafshëve”, tha ai.

SpaceX lëshoi numër rekord prej 143 satelitësh në një raketë

Prodhuesi amerikan i raketave, satelitëve dhe anijeve kozmike SpaceX, dërgoi në hapësirë 143 satelitë të tjerë të vegjël, që është rekord i ri për një raketë të vetme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga SpaceX thonë se misioni Transporter-1, i prolonguar të shtunën për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, u ngrit me sukses nga kompleksi “Space Launch Complex 40” në Stacionin e Forcave Ajrore “Cape Canaveral” në Florida.

Si pjesë e misionit, gjithsej 133 satelitë komercialë dhe 10 satelitë të internetit Starlink të kompanisë do të vendosen në orbitë.

“10 satelitët Starlink të SpaceX kanë për qëllim të sigurojnë një mbulim më të mirë për ata që janë në rajonet polare”, thuhet në njoftim.

Si pjesë e projektit Starlink, kompania planifikon të lançojë gjithsej 12 mijë satelitë të internetit deri në vitin 2027.

Rriten tensionet Kinë-Tajvan

VOA

Tajvani tha se avionë luftarakë të forcave ajrore kineze, hynë për të dytën ditë me radhë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, një rritje e tensioneve vetëm pak ditë pas ardhjes së administratës së re të Presidentit Joe Biden.

Tajvani, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, shihet nga Kina si territor i saj dhe muajt e fundit Pekini e ka shtuar aktivitetin ushtarak pranë ishullit.

Por aktivitetet e Kinës gjatë fundjavës shënojnë një shkallëzim të ri, pasi përfshijnë dërgimin e avionëve luftarakë dhe të bombarduesve, në vend të avionëve të zbulimit, siç ka ndodhur zakonisht deri kohët e fundit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se dërgoi forcat e saj ajrore si kundërpërgjigje.

Një aktivitet i tillë ka të ngjarë të shqetësojë më tej Uashingtonin, i cili të shtunën i kërkoi Kinës të ndalte presionin ndaj Tajvanit, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj ishullit dhe dëshirën për të thelluar marrëdhëniet.

Ndërkaq, ushtria amerikane tha të dielën se aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt bashkë me grupin e saj detar, hyri në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore për të mbrojtur “lirinë e deteve”, siç u shpreh ajo.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se angazhimi i saj ndaj Tajvanit është “i fortë”.

Ndër protestat më të mëdha kundër Putinit, deri tani 3 mijë persona të ndaluar në Rusi

Rusia po përjeton një nga protestat më të mëdha kundër Presidentit Vladimir Putin. Deri më tani vetëm brenda disa orësh janë ndaluar plot 3 mijë protestuesi.

Kjo protestë erdhi pas arrestimit të liderit opozitar Navalny, teksa ky i fundit që ndodhet tashmë në një proces gjyqësor bëri thirrje për protesta masive kundër pushtetit në fuqi.

Protestat vijojnë tashmë në Rusi, teksa turma përleshet dhunshëm me forcat e policisë që janë të shtuara gjithashtu.

Mediat e huaja raportojnë se protesta më e madhe po zhvillohet në qendër të Moskës, me mbi 40 mijë përfaqësues, kurse protesta më të vogla ka në qytetet e tjera.

Mbi 1 600 të ndaluar në protestat për Navalnyn në Rusi

Më shumë se 1 600 persona raportohet të jenë ndaluar nga policia në marshet në gjithë Rusinë, përmes së cilave po kërkohet lirimi i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është burgosur fundjavën e kaluar teksa ka arritur në Moskë nga Gjermania.

Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok.

Protestat e së shtunës po konsiderohen si ndër më të mëdhatë kundër qeverisë në vitet e fundit.

Agjencia e lajmeve Reuters, ka vlerësuar që më shumë se 40,000 persona kanë marrë pjesë në protesta vetëm në qendër të Moskës.

Ministria e Brendshme ruse ka thënë se rreth 4,000 persona kanë qenë pjesë e protestave në kryeqytetin rus.

Agjencia tjetër e lajmeve, AFP ka raportuar se në Moskë ka pasur përleshje të dhunshme në mes të policisë dhe protestuesve.

Grupi OVD-Info, që vëzhgon aktivitetin policor në Rusi, ka thënë se autoritetet kanë arrestuar më shumë se 1,338 protestues në gjithë shtetin.

Policia ruse ka ndaluar edhe Yulia Navalnayan, gruan e kritikut të Kremlinit, në protestat në Moskë.

Navalnaya ka shkruar në Twitter, sa ka qenë brenda automjetit policor, se ajo është marrë nga protestat e 23 janarit.

Gruaja e Navalnyt, Yulia.

Gruaja e Navalnyt, Yulia.

Protestat fillestare kanë nisur në Siberi dhe Lindje të Largët, përkatësisht Khabarovsk, Vladivostok, dhe qytete tjera.

Pak pas nisjes së protestave në Moskë dhe Shën Petersburg, mediumi MBKh ka raportuar që më shumë se 15,000 persona kanë marrë pjesë në marshet në Lindje të Largët dhe Siberi.

Këto të dhëna janë bazuar në shifrat e mbledhura nga korrespodentët rajonalë të mediumit MBKh – organizatë e themeluar më 2017 nga biznesmeni rus i dëbuar, Mikhail Khodorkovsky.

Ndërkohë një korrespodent i Radios Evropa e Lirë në Moskë, ka raportuar se autoritetet janë duke arrestuar individë prej kur kanë nisur të mblidhen në Sheshin Pushkin të Moskës, edhe para nisjes së protestave atje.

Aty është përfshirë edhe ndihmësi i afërt i Navalnyt, Lyubov Sobol, i cili është ndaluar afër Sheshit Pushkin, pasi ka folur me përkrahësit e Navalnyt.

Në disa pamje nga Vladivostok është parë një numër i madh i forcave policore, që kanë tentuar të shpërndajnë protestuesit.

Në qytetin Yakutsk, protestuesit kanë qenë në rrugë, pavarësisht erërave të forta dhe temperaturave -50 gradë Celsius.

Pamje nga protestat e së shtunës në Rusi.

Pamje nga protestat e së shtunës në Rusi.

Para aksionit të koordinuar në të paktën 65 qytete ruse, autoritetet kanë ndaluar aleatët e Navalnyt dhe kanë paralajmëruar rrjetet sociale që të fshijnë postimet, në të cilat bëhet thirrje për pjesëmarrje në protestë.

Protestat po konsiderohen test për mbështetjen e Navalnyt, ndërkohë që mban mot tejet i ftoftë, është periudhë e pandemisë së koronavirusit, e problemeve ekonomike dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen në muajin shtator.

Protestuesit janë të zemëruar rreth trajtimit që i ka bërë Kremlini Navalnyt pas shërimit të tij në Gjermani dhe rreth kërcënimit të madh që sheh presidenti rus, Vladimir Putin ndaj kritikut të tij 44-vjeçar.

Cicërimë e korrespodentit të Radios Evropa e Lirë nga Moska.

“Kremlini ka qëlluar veten në këmbë me një fushatë krejtësisht histerike, duke tentuar të parandalojë protestat”, ka thënë Leonid Volkov, koordinator i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, për transmetuesin Current Time, pak para se të nisin protestat.

“Nëse protestat e 23 janarit nuk japin rezultat të menjëhershëm – lirimin e Aleksei Navalnyt – atëherë veprime të tilla do të përsëriten sërish”, ka thënë Volkov.

Autoritetet kanë rritur presionin ditëve të fundit ndaj Navalnyt dhe përkrahësve të tij, përmes një serie bastisjesh dhe ndalimesh, duke dhënë shenja për tentime të shtuara për shtypje të protestave.

Ekipi i Navalnyt u ka bërë thirrje rusëve që të injorojnë paralajmërimet zyrtare për të qëndruar në shtëpi.

Pamje nga protestat.

Pamje nga protestat.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka shfrytëzuar rrjetin social, Twitter për t’iu bërë thirrje rusëve që t’iu bashkohen protestave pasi ajo është dënuar për organizimin të protestave.

“E arrestuar për nëntë ditë. Epo, ju e dini çka duhet të bëni. Më 23 janar në ora 14:00 në rrugët kryesore të qyteteve tuaja. Ejani!” ka thënë Yarmysh.

Para nisjes së protestave, universitetet dhe kolegjet në gjithë Rusinë është raportuar t’iu kenë bërë thirrje studentëve të tyre që të mos marrin pjesë në protesta.

Disa prej tyre janë cituar të kenë thënë se studentët mund të jenë subjekte të masave disiplinore, përfshirë përjashtimin.

Rrjeti më i madh social rus, VKontakte ka bllokuar të gjitha faqet që kanë pasur të bëjnë me protestat, pasi vëzhguesi kombëtar për telekomunikime, Roskomnadzor, ka njoftuar se do të gjobisë kompanitë e rrjeteve sociale për inkurajim të të miturve për pjesëmarrje në protesta.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 22 janar se “është e natyrshme që ka paralajmërime… për pasojat e mundshme që lidhen me mosrespektim të ligjit”, meqë ka thirrje për “ngjarje të paligjshme, të paautorizuara”.

Navalny, kritik i Kremlinit, ka thënë pas shërimit se beson që helmimi ndaj tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini ka mohuar këto pretendime.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Reagime botërore pas inaugurimit të Presidentit Biden

Jamie Dettmer

Urimet erdhën nga e gjitë bota ndërsa zoti Joe Biden po betohej si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Ato ishin të ndërthurura me kritika lamtumire nga disa udhëheqës ndaj paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili u largua nga Uashingtoni disa orë para betimit.

Ndërsa inaugurimi ka qenë i pazakontë – pa turma dhe me Kapitolin që ruhej nga mijëra ushtarakë të Gardës Kombëtare – po kështu edhe reagimi nga udhëheqësit e huaj ka qenë i pazakontë.

Disa udhëheqës evropianë që kishin marrëdhënie të vështira me ish-Presidentin Donald Trump nuk u përmbajtën kur panë Presidentin Biden të marrë detyrën.

Ursula Von Der Leyen

Ursula Von Der Leyen

“Edhe një herë, pas katër viteve të gjata, Evropa ka një mik në Shtëpinë e Bardhë”, tha të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur kaq gjatë. Evropa është gati për një fillim të ri me partnerin tonë më të vjetër dhe më të besuar”, u tha ajo ligjvënësve evropianë në Bruksel. Ajo tha se shpresonte që zoti Biden të ishte në gjendje të riparonte ndasitë në Shtetet e Bashkuara dhe se inaugurimi i tij do të ishte “një mesazh shprese për një botë që po pret që Shtetet e Bashkuara të kthehen në rrethin e shteteve që ndajnë të njëjtat parime”.

Evropa mirëpret Presidentin Biden

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e quajti të mërkurën “një ditë të mirë për demokracinë”.

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

“Unë jam i lehtësuar që Joe Biden është betuar si president sot dhe po hyn në Shtëpinë e Bardhë. Unë e di se këtë ndjenjë e kanë shumë njerëz në Gjermani”, tha ai në një deklaratë.

Zoti Steinmeier vlerësoi forcën dhe qëndresën e demokracisë amerikane, duke thënë: “Në Shtetet e Bashkuara, (demokracia) qëndroi përballë një presioni të madh. Pavarësisht nga armiqësitë e brendshme, institucionet e Amerikës treguan fuqinë e tyre – punonjësit zgjedhorë, guvernatorët, gjyqësori dhe Kongresi”.

Udhëheqësit e tjerë evropianë shmangën referencën ndaj vështirësive të së kaluarës dhe duket se po përpiqeshin të siguroheshin se ata perceptohen si aleatë të mirë për administratën e ardhshme.

“Në luftën tonë kundër COVID-it dhe për ndryshimet klimatike, mbrojtjen, sigurinë dhe promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë, qëllimet tona janë të njëjta dhe kombet tona do të punojnë krah për krah për t’i arritur ato”, tha Kryeministri britanik Boris Johnson në një deklaratë.

Boris Johnson

Boris Johnson

Zoti Johnson i tha Dhomës së Komuneve se ai do të mirëpresë me kënaqësi presidentin e ri amerikan në Britani më vonë këtë vit për samitinG-7 të vendeve më të zhvilluara të botës dhe për një konferencë për klimën që do të mbahet në Glasgow.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ishte gjithashtu i përqendruar në të ardhmen.

Giuseppe Conte

Giuseppe Conte

“Ne po presim me padurim presidencën Biden, me të cilën do të fillojmë të punojmë menjëherë në funksion të presidencës sonë të G-20”, u tha ai ligjvënësve italianë të martën. “Ne kemi një axhendë të fortë të përbashkët, duke filluar nga multilateralizmi efektiv që të dy duam të shohim, te ndryshimi i klimës, tranzicioni i gjelbër dhe ai dixhital, si dhe përfshirja sociale”.

Por Kryeministri socialist i Spanjës Pedro Sanchez nuk i zbukuroi fjalët e tij në lidhje me atë që ai mendon se do të thotë fitorja e zotit Biden në zgjedhje.

Pedro Sanchez

Pedro Sanchez

“Fitorja e Biden-it përfaqëson fitoren e demokracisë mbi ultra të djathtën dhe tre metodat e saj, mashtrimin masiv, përçarjen kombëtare dhe abuzimin, madje edhe të dhunshëm, të institucioneve demokratike”, tha ai në një aktivitet publik. “Pesë vjet më parë, ne menduam se Trump-i ishte një shaka e keqe, por pesë vjet më vonë, e kuptuam se ai rrezikonte asgjë më pak sesa demokracinë më të fuqishme në botë”.

Administrata e zotit Trump dhe udhëheqësit e BE-së u përplasën për disa çështje, përfshirë tregtinë ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike, një reflektim i pikëpamjeve thellësisht të ndryshme për botën.

Riafirmimi i lidhjeve të NATO-s

Ish-Presidenti Trump i qortoi evropianët që nuk kanë shpenzuar sa duhet në mbrojtjen e tyre, një çështje që ka të ngjarë të ngrihet nga administrata e Presidentit Biden, por ndoshta me finese diploatike. Disa herë, ish-Presidenti Trump e paraqiste Evropën si një armike dhe nganjëherë vinte në dyshim vlerat e NATO-s, një largim i qartë nga marrëdhëniet tradicionale transatlantike që nga Lufta e Dytë Botërore.

Stili luftarak i ish-Presidentit Trump, gjithashtu, ishte shumë i ndryshëm nga ai që evropianët kanë përjetuar nga udhëheqësit e tjerë amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shkruajti në Twitter urime për Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris, duke shtuar: “Sot është fillimi i një kapitulli të ri për Aleancën Transatlantike… Një NATO e fortë është mirë si për Amerikën e Veriut dhe për Evropën”.

Jens Stoltenberg

Jens Stoltenberg

Zoti Biden shihet gjerësisht si presidenti amerikan më pro-NATO-s që nga ish-Presidenti George H.W. Bush.

Dy vjet më parë, në një konferencë sigurie në Mynih, udhëheqësit evropianë po e nxisnin zotin Biden të kandidonte. Pasi përjetuan një fjalim të ashpër të modelit “Amerika e Para” nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit Mike Pompeo, tensionet u qetësuan nga zoti Biden, kur ai u reagoi në fjalimin e tij duke thënë: “Edhe kjo do të kalojë. Ne do të rikthehemi”.

Hartuesit e politikave në të dy anët e Atlantikut thonë se ata janë tani të vendosur për të riparuar marrëdhëniet e dobësuara dhe për të konsoliduar demokracitë e shkatërruara nga trazira politike të brendshme të papreceden dhe të sfiduara nga fuqitë autoritare.

Azia reagon ndaj inaugurimit të Presidentit Biden

Forcimi i demokracisë, megjithatë, nuk ishte në mendjen e zëdhënëses së ministrisë së jashtme të Kinës, Hua Chunying, i cili tha në një konferencë shtypi të mërkurën se: “Në katër vitet e fundit, administrata amerikane ka bërë gabime thelbësore në perceptimin e saj strategjik të Kinës … duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, duke shtypur dhe njollosur Kinën, dhe duke shkaktuar dëme serioze në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.

Ajo tha se udhëheqësit e Kinës shpresojnë që administrata Biden “do të takojë Kinën në gjysmë të rrugës dhe, në frymën e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë, do të shtyjë që marrëdhëniet Kinë-SHBA të kthehen në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjithashtu, në Azi, rreth 100 mbështetës japonezë të ish-Presidentit Trump dolën në rrugët e Tokios të mërkurën, duke tundur flamuj amerikanë dhe japonezë dhe duke shpalosur parulla me pretendime të rreme se ai ishte “fituesi i vërtetë” i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar.

“Ne donim të tregonim se shumë njerëz në Japoni po mbështesin Presidentin Trump”, i tha agjensisë së lajmeve Reuters organizatorja, Naota Kobayashi. “Ne të gjithë kënduam së bashku në mënyrë që zëri ynë të fluturojë mbi Oqeanin Paqësor dhe të arrijë në SHBA.”

Presidenti iranian Hassan Rouhani u përqëndrua në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila ish-Presidenti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara, duke thënë se shpresonte që Presidenti Biden të rikthehej në pakt dhe të hiqte sanksionet amerikane të vendosura ndaj Iranit.

“Topi është në fushën amerikane tani. Nëse Uashingtoni rikthehet në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, ne gjithashtu do të respektojmë plotësisht angazhimet tona sipas kësaj marrëveshjeje”, tha Rouhani në një takim të kabinetit të transmetuar në televizion.

Lidhjet Amerikë – Rusi

Reagimi nga zyrtarët rusë ka qenë i heshtur. Përpara inaugurimit, udhëheqësi rus Vladimir Putin qëndroi i heshtur, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në një konferencë shtypi se ai nuk parashikon një ndryshim në marrëdhëniet amerikano-ruse.

“Asgjë nuk do të ndryshojë për Rusinë. Rusia do të vazhdojë të jetojë ashtu si ka jetuar për qindra vjet, duke kërkuar marrëdhënie të mira me Uashingtonin”, u tha ai gazetarëve. “Nëse Uashingtoni ka vullnet reciprok politik për këtë, kjo do të varet nga zoti Biden dhe ekipi i tij”.

Gazeta Izvestia e kontrolluar nga Kremlini vuri në dukje se, “perspektivat për marrëdhëniet Rusi-SHBA nën udhëheqësin e ri amerikan nuk inkurajojnë optimizmin deri më tani”.

Por Mikhail Gorbaçov, udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, bëri thirrje që Moska dhe Uashingtoni të riparojnë lidhjet e acaruara.

Mikhail Gorbaçov

Mikhail Gorbaçov

“Gjendja aktuale e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është shqetësuese”, tha zoti Gorbaçov për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS. “Por kjo gjithashtu do të thotë se duhet të bëhet diçka që të normalizohen marrëdhëniet. Ne nuk mund të izolohemi nga njëri-tjetri”.


Send this to a friend