Ata janë të çmendur vërtetë: të gjitha i marrin seriozisht. Të mos e kuptojnë se kjo ishte një fjalë pa të keq, gati një shaka. Në fakt ishte shqetësimi im, që duhet të jetë i të gjithëve. Ç’të keqe ka këtu? Nuk e besoj se ne jetojmë në një shoqëri të aftë të arsyetojë me gjakftohtësi dhe të gjykojë me drejtësi. Apo shteti ëhtë i rrezikshëm për të shqetësuarit për pronën e përbashkët? Hajde shkoqite. Por më duket se e gjeta ku e kanë hallin. Duan të më japin një mësim. Të më frikësojnë pak. Që në të ardhmen të mos më shkojë mëndja të bëj më shaka apo vërejtje të tilla. Mirë pra, le të mos kenë merak. Që tani unë as i mendoj më shaka të tilla. U dhashë fund proçkave të marra, u vura kryq gjithë vërejtjeve dhe shakave. Një herë në jetë kjo mund t’i ndodhë kujtdo. Thotë mirë gjyshja: pësimi të bëhet mësim. Të ngecur që bëra! Dhe vetëm se desha të ironizoja një të keqe. Kjo është e vërteta! I pashë ato dardha të hedhura dhe mua më mori dreqi mendtë. Si vallë kaq thjesht? Nga një kalimtar korrekt e paqësor, nuk e mohoj se isha ca i pirë, më shndërruan menjëherë në një armik e kriminel. Jeton si gjithë të tjerët pa ndonjë tronditje psiqike dhe, papritmas, sa çel e mbyll sytë, bëhesh element i rrezikshëm. Mos vallë shakatarët janë të rrezikshëm për shtetin apo shteti është i rrezikshëm për shakatarët? Hajde shkoqite. Unë së paku nuk marr vesh gjë prej gjëje. Ndërkohë po bëhen tri ditë që rri në qeli, si ndonjë i dënuar me vdekje. Kurse ata atje mbase më urrejnë mua. Doemos do të kenë pyetur edhe shokët e mi, këtë e kuptova menjëherë nga fjalët e hetuesit. Kurse shokët, me siguri, kanë dëshmuar në të mirën time. Se ç’mund të thonë ata të keqe për mua? Shokët me siguri do t’i kenë treguar hetuesit se ai po gabon. Se ata e dinë që shumë herë mua më hipën në kokë të bëj çapkënllëqe. Po, po, me siguri do t’më ndihmojnë. Më kot shqetësohem. Një keqkuptim dhe aq. S’kam pse të kemë frikë.
MARRJA NË PYETJE E DENONCUESIT
Hetuesi rrinte në tavolinë përballë denoncuesit. Ai qëndroi mjaft kokulur, pa folur dhe pa e vështruar në sy. Bënte sikur diçka lexonte apo sikur shkruante. Ky qëndrim indiferent dhe përbuzës i hetuesit e stepi dhe e frikësoi denoncuesin. Pastaj ngriti kokën dhe filloi pyetjet hijerëndë.
– Emri juaj, emri i babait dhe mbiemri?
– F. I. SH, – u përgjigj dëshmitari dhe dukej se i kishte hyrë frika në palcë.
– Puna që bëni?
– Drejtor i shkollës 8-vjeçare në Grykeras.
– I martuar?
– I martuar me dy fëmijë.
– Betohu se do të thuash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
– Betohem.
– A keni lidhje fisnore, gjak a qumësht me të pandehurin?
– Jo, asgjë fare.
– Keni ndonje hasmëri apo konflikt me të pandehuarin, familjen apo fisin e tij?
-Jo.
– Ku ndodheshit ju mbrëmjen e katërmëdhjetë gushtit?
– Isha në kafenenë e fshatit.
– Vetëm?
– Jo, isha me një shkok, revizorin e kooperativës së konsumit.
– Si e quajnë atë?
– H.S.
– E njihni ju të pandehurin.
– Nuk mund të themë se e njoh mirë, pasi ai jeton në Tiranë. Por gjatë verës vjen me pushime tek gjyshja dhe e njoh në mënyrë sipërfaqësore.
– Je takuar me të, ke biseduar ndonjë herë.
– Po, disa herë.
– Ke pirë ndonjë herë kafe apo diçka tjetër më të?
– Jo, nuk më kujtohet.
– I pandehuri flet për ca shokë. Mos ju konsideron dhe juve shok ai.
– Jo, nuk e besoj. Nuk e di, nuk e di, mbase, se kështu është ca çapajev ai.
– Atëherë, më trego më hollësisht, e keni takuar atë mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtit.
– Po, e kam takuar.
– Ku e keni takuar.
– Para lokalit të kafes. Ndërtesa e kafenesë në fshatin tonë ka qënë xhami në një kodër të ulët dhe të ngjitesh nga rruga deri atje, janë ndërtuar shumë shkallë. Kur ne po ngjiteshim, ai bisedonte me kamarieren te sheshpushimi para portës së lokalit. Pak shkallë më poshtë e prisnin shokët e tij.
– Nuk na interesojnë shumë këto përshkrime, por na thuaj çfarë dëgjuat nga biseda e tyre.
– Jo, nuk dëgjova gjë konkretisht nga ajo bisedë, por pashë se ishin të qeshur dhe hargaliseshin me duar. I pandehuri dukej pak i pirë… – Pak apo shumë i pirë?
– Jo, më mirë mund të thuash ishte pak entuziast nga pija.
– Çfarë ndodhi më pas.
– Kur po u afroheshim ne, vajza ia lëshoi duart dhe u nis me nxitim të futej në lokal.
– Po i pandehuri çfarë bëri.
– Ai e ndoqi me shikim dhe, kur u kthye të zbriste shkallët, i thirri: Mira! Vajza ktheu kokën. Ai i tha, duke qeshur: shikoje pronën e përbashkët, shikoje. Vajza iku me nxitim te banaku, ai zbriti shkallët dhe i futi krahun shokut të tij.
– Pse i tha ato fjalë i arrestuari?
– Poshtë shkallëve ishte një togë me dardha gjysmë të kalbura, që mbeteshin pa u shitur në dyqanin e perimeve. Për ato e kishte fjalën kur i tha shokut me qesëndi: ja, shiko, si përfundon prona e përbashkët. Domethënë tallej me pronën e përbashkët dhe ishte për pronën private.
– Kujdes, do të tregosh në ligjëratë të drejtë vetëm fjalët e të pandehurit, interpretimet i bëjmë ne, nuk është detyra juaj. Cilën nga shprehjet që përmende tha: “shikoje pronën e përbashkët, shikoje” apo “ja, shiko, si përfundon prona e përbashkët”? Dhe kujt ia tha, vajzës apo shokut:
Denoncuesit i iku gjaku nga fytyra. Pasi hezitoi ca, tha i dyzuar…
– Tani kanë kaluar katër-pesë muaj, po më ngjan se të dyja shprehjet i tha.
Pas pak hetuesi i afroi një fletë të bardhë dhe i kërkoi të deklaronte me shkrim se mbante përgjegjësi të plotë për sa kishte dëshmuar. Denoncuesi, pasi shkroi fjalët që i kishte thënë i hetuari, hodhi firmën e tij. Hetuesi vuri buzën në gas kur pa si i dridheshin duart drejtorit të shkollës.
Rreth një orë më pas, para hetuesit tjetër ndodhej një dëshmitar tjetër. Hetuesi filloi menjëherë:
– A keni lidhje fisnore me të pandehurin, mëri apo konflikte?
– Jo, fare.
– Ku ndodheshit mbrëmjën e katërmbëdhjetë gushtit?
– Në fshatin Grykeras, në një lokal ku pihet kafe dhe pije alkolike.
– Me kë e pive kafen?
– Me drejtorin e shkollës. Më pas erdhi edhe sekretari i partisë
– Jeni shokë të ngushtë me drejtorin e shkollës?
– Jo, thjesht si nëpunës bisedojmë, pimë ndonjë kafe… kaq.
– Po të arrestuarin e njihni mirë?
– E kam njohur rastësisht, nip nga ai fshat është edhe ai.
– Si e njeh, sipas mendimit tuaj, çfarë djali është, ka vese?
– Jo, nuk di të ketë vese. Duket djalë i gjallë, pak çapkën, por serioz. – Ç’mardhënie ka me shërbyesen e lokalit?
– Ajo vajza duket se e do. Por ai, kuptohet,… student i arteve të bukura…
– Nuk na intereson ajo anë. Por atë mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtit dëgjuat ndonjë shprehje që ta vrau veshin nga goja e tyre? – Diçka më tha drejtori i shkollës, por unë nuk kam dëgjuar gjë me veshët e mi.
– Nuk ju pyes çfarë ju tha drejtori i shkollës, çfarë dëgjove ti.
– Unë nuk dëgjova asgjë.
– Si ka mundësi, dy shokë rrinë ngjitur, njëri dëgjon ç’thotë një keqbërës dhe tjetri s’e dëgjon?
– Mbase nuk e kisha mëndjen në atë moment.
– Kujtohu mirë, mos ke dëgjuar diçka.
– Eshtë e kotë të mendohem, kur nuk më kujtohet asgjë.
– Dëshmitar, mendohu mirë, se ke firmosur për të treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Mosdeklarimi i së vërtetës dënohet me ligj.
– Po, shoku hetues, e di dhe mbaj përgjegjësi për deklarimin tim.
– Pra, ti nuk ke dëgjuar gjë fare?
– Jo, shoku hetues,
– Mund të largohesh.
– Faleminderit, shoku hetues!
MARRJA NE PYETJE E SHOKUT
– Ju keni shoqëri me të arrestuarin?
– Si urdhëron, shoku hetues.
– E njihni mirë atë?
– Dhe fort mirë, jo, xhanëm…
– Si duhet kuptuar kjo?
– Shumë njerëz krijojnë mardhënie të tilla, mjaft të sipërfaqshme. Njihemi, jemi takuar me të rrallë, pasi ai vjen vetëm gjatë pushimeve verore. Pastaj ai është student i arteve të bukura, unë kam bërë vetëm një shkollë të mesme bujqësore. Kemi disa shokë të përbashkët. Kjo është e gjitha.
– Mos u zgjat kaq shumë. Neve nuk na interesojnë hollësirat tuaja.
– Si urdhëron, shoku hetues.
– Shoku juaj ka ndonjë ves a ndonjë mendim ndryshe?
– Nuk e di, nuk besoj.
– Mbase ju mendoni se ai e tha me qëllim të keq dhe me gjakftohtësi atë shprehjen “Ja si përfundon edhe prona shoqërore!” – Këtë nuk e them dot.
– Mendoni ju që shoku juaj të jetë i pakënaqur nga pushteti popullor. Domethënë është për pronën private dhe jo për atë shoqërore.
– Gjersa e tha, mbase edhe është.
– S’ke ç’i thua, përgjigjja është logjike dhe e qartë. Përderisa e tha këtë, ai mund të ketë shprehur pakënaqësi edhe më parë, apo jo?
– Këtë nuk e thashë.
– Po në thelb ajo është.
– Ka mundësi.
– Cili është mendimi juaj, pse ta ketë thënë ai këtë.
– Nuk e di.
– Ishte i ndehur?
– Ndoshta pak çakërrqejf, si i thonë. Mund të kishte pirë pak më tepër se zakonisht.
– Ka patur raste më parë që të ketë thënë apo të ketë bërë marrëzira duke qënë i dehur?
– Nuk di ndonjë rast. –
Ç’mendoni ju për këtë histori.
– Atë që mendojnë gjithë shokët e tij. Vetëkuptohet, fjalët e tij na kanë habitur. Ne e mbanim për student të ditur dhe të ndershëm. Por, me sa duket, qënkemi të gabuar.
Miqësia është e brishtë si lulja. Flladi më i lehtë dhe lulja fishket. Shkulmi i parë i erës rrëzon gjethet dhe lë vetëm kërcellin. Shumë shokë e miq pata. Ata më rrihnin shpatullat dhe më shtrëngonin dorën. Po tani? Hë de, po tani? Rreth e përqark shkretëtirë dhe në shpirt një pikëllim i turbullt. Me të ardhur fatkeqësia, miqtë m’u larguan siç bien gjethet. Ata kërkojnë prej nesh vetëm një gjë, që të mos dalim jashtë binarëve. Mos bëj gjëra të jashtzakonshme. Mos u dallo me asgjë. Mos vrapo përpara, mos qëndro prapa, mos qëndro anash, mos u ngre lart, mos zbrit poshtë, ndryshe mënjëherë të quajnë të huaj. Dhe ç’e pret një të huaj. Ftohtësia, moskuptimi, mosbesimi! Për të huajin nuk flet kurrkush një fjalë të mirë, të gjithë e vështrojnë shtrëmbër…
Fundi i pjesës së dytë
Komentet