VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Domatet turshi, xhevahiri i kuzhinës shqiptare

By | September 25, 2018

Komentet

Djathë i bardhë i pjekur në furrë – Receta e veçantë që shoqëron çdo gatim

Djathë i Pjekur.

Një nga ushqimet e pandashme të kuzhinës shqiptare është djathi i bardhë.

Një shoqërues perfekt i çdo vakti.

Djathi i bardhë eshtë një nga mrekullitë e kuzhinës mesdhetare dhe veçanërisht djathi shqiptar që është i famshëm për shijen e tij fantastike.

Shija e djathit të pjekur është një nga shijet më të mira të kuzhinës.

Në këtë recetë, AgroWeb.org ju sugjeron ta ktheni djathin në një gatim të vërtetë e plot shije.

Ndiqeni recetën hap pas hapi si më poshtë.

Përbërësit

200 gr djathë i bardhë

20 gr ullinj pa bërthamë

2 domate

1 kokërr qepë e kuqe

vaj ulliri

rigon

kripë

Përgatitja

AgroWeb.org ju udhëzon të ndizni furrën në temperaturën 180 gradë dhe vazhdoni më pas me përgatitjen e perimeve.

Lajini domatet dhe pritini në feta të holla rrethore.

Më pas qëroni qepën dhe prijeni në feta të holla.

Në një enë shtoni domatet qepët, ullinjtë, pak vaj ulliri dhe pak kripë.

Trazojini mirë dhe bëni gati tavën.

Në një tavë të vogël filloni të shtroni copat e domates dhe qepës.

Vendosni në qendër një copë të madhe djathi  apo disa copa të vogla, por të trasha duke mbuluar kështu pjesën më të madhe të tavës.

Hidhni në anë të tavës ullinjtë dhe spërkasni me pak vaj ulliri djathin.

Përfundojeni gatimin duke i shtuar edhe pak rigon.

Futeni në furrë dhe lëreni të piqet në temperaturën 180 gradë për rreth 1 orë.

AgroWeb.org ju këshillon të vendosni gjithnjë një shtresë domate apo një perime tjetër gjithnjë para së të vendosni të piqni djathin.

Domtatet do t’ju ndihmojnë të evitoni kontaktin direkt me tavën të djathit dhe djegien e tij.

Mënyra perfekte e përgatitjes së mishit të kecit plot shije

Mish Keci i Pjekur.

Mishi i kecit përmban nivele të ulëta yndyre dhe kolesteroli.

Ai është i pasur me hekur dhe proteinë duke u bërë kështu një zgjedhje e shkëlqyer për ata që konsiderohen si dashamirës të mishit.

Ky mish nuk ka dhjamë dhe është zgjedhja më e shëndetshme në krahasim me pulën, viçin dhe qengjin.

Një sasi prej 100 gramë mish keci ofron  124 kalori, 2.6 gramë yndyrë, 0.8 nga të cilat e ngopur, 25 gramë proteinë dhe 64 mg kolesterol.

Proteina është e rëndësishme sepse ju mban të ngopur gjatë dhe përbën një sistem mbështetës për riparimin e qelizave.

Mishi i kecit është shumë i butë, kërkon të piqet ngadalë që të nxjerrë në pah madhështinë e vet, ka një aromë të fortë dhe përbën një nga gatimet më të mira në vendin tonë.

Përpos të tjerave, ky mish është më i freskët dhe më i pasur në vlera, duke qenë se dhitë kullosin të lira gjithmonë në natyrë, duke marrë më të mirat e mundshme prej saj.

Në AgroWeb.org do të mësoni si të piqni sa më shijshëm mishin e kecit me erëza.

Mish Keci i Pjekur Me Erëza

Merrni pjesën e kofshës së kecit dhe spërkateni me spec djegës, piper të kuq, hudhër, vaj ulliri, piper të zi dhe lëng limoni.

Fërkojeni mishin mirë që të përthithë erëzat, mbështilleni tepsinë me qese plastike dhe mbajeni në frigorifer (jo në zonën e ngrirjes) gjatë gjithë natës.

Të nesërmen, nxirreni mishin nga frigoriferi të paktën 30 minuta përpara gatimit.

Ndizeni furrën në 150°C dhe mishin fërkojeni me kripë.

Mbusheni gjysmën e tepsisë me ujë dhe mbulojeni atë me letër pjekjeje në shtresë të dyfishtë.

Sigurohuni që ta mbështillni fort dhe më pas futeni në furrë.

Piqeni mishin për rreth 4 orë dhe herë pas here spërkateni pjesën e sipërme të mishit me lëngun e tij.

Kur mishi të jetë gatuar, do të shkëputet lehtë nga kocka.

Lëreni tepsinë në temperaturë ambienti për 20 minuta. Hiqeni mishin me copa dhe servireni me salcë kosi, sallatë e turshi./AgroWeb.org

Për amvisat – Si të përgatisni byrekun e shtëpisë pa thithur vaj

Këtë metodë mund ta përdorni kur përgatisni byrek me petë të bëra vetë por edhe petë të gatshme.

Byreku i shtëpisë është padyshim më i preferuari i gjithëve.

Pavarësisht se me çfarë kombinohet, me  gjizë a djathë, spinaq a hidhra, presh a qepë dhe domate etj, ky gatim mbetet ndër më tipikët e më autentikët e gatimeve shqiptare.

Por ndonjëherë, amvisat hasin vështirësi në përgatitjen e tij në lidhje me vajin e tepërt të thith teksa shtrojnë petët me rradhë.

Më poshtë, AgroWeb.org ju sjell një metodë fantastike të përgatitijes së byrekut pa thithur aspak vaj.

Mund ta përgatisni me çfarë do lloj mbushje që dëshironi dhe rezultati do të dalë i njëjtë, një byrek me shije të përkryer dhe njëkohësisht i butë.

Këtë metodë mund ta përdorni kur përgatisni byrek me petë të bëra vetë por edhe petë të gatshme.

Qumësht me Vaj Ulliri

Ka një sekret në përgatitjen e byrekut për të mos thithur shumë vaj. Është lyerja e çdo pete me qumësht dhe vaj ulliri.

Mjafton të hidhni qumësht në një tas dhe dy lugë me vaj ulliri dhe t’i përzieni bashkë.

Më pas, secilën petë që shtroni në tepsi lyejeni me qumështin dhe vajin e ullirit përmes furçës së kuzhinës.

Shtroni katër apo pesë petë si fillim dhe lyejeni secilën me masën e qumështit me vaj ulliri.

Më pas, hidhni gjysmën e mbushjes me të cilin do përgatisni byrekun dhe vijoni me shtrimin e 3 apo 4 petëve të tjera duke i lyer sërish të gjitha me qumësht dhe vaj ulliri.

Shtoni pjesën tjetër të mbushjes dhe vijoni kështu deri në petën e fundit.

Nëse preferoni mbushjen e byrekut mund ta ndani në tre pjesë.

Në fund, lyeni anët e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri ashtu si edhe sipërfaqen dhe kthejini anët duke i mbyllur me njëra-tjetrën dhe futeni në furrë të piqet.

Edhe në fund kur piqet para se të fikni furrën lyejeni sipërfaqen e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri përmes furçës së kuzhinës, kështu ai do të mbetet i butë.

Lëreni të ftohet në furrë në mënyrë që të kullojë, e më pas priteni për ta servirur./AgroWeb.org

Mënyrat më të mira të përgatitjes së kërpudhave në shtëpi

Receta Të Shijshme me Kërpudha.

Kërpudhat janë një ushqim shumë i mirë për ata që kujdesen për shëndetin e zemrës.

Ato janë shumë të pasura me fibër, kalium dhe vitaminë C, të cilat mirëmbajnë sistemin kardiovaskular.

Kaliumi është një nga ushqyesit më të nevojshëm sepse ndihmon në rregullimin e nivelit të tensionit të gjakut.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni 3 receta mjaft interesante për gatimin e shijshëm të kërpudhave.

Kërpudha me gjalpë dhe kopër

Përbërësit

230g kërpudha

20g gjalpë

1 tufë me kopër

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim lani dhe pastroni kërpudhat. Lërini të thahen plotësisht para se t’i gatuani.

Pritini në feta jo shumë të trasha. Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr dhe hidhni gjalpin.

Kur ai të shkrijë hidhni kërpudhat dhe kaurdisini me kujdes.

Kur kërpudhave t’u ketë rënë volumi dhe të kenë marrë një ngjyrë të artë shtoni dhe pak gjalpë.

Lërini dhe pak të skuqen dhe shtoni kripën, piperin dhe koprën e grirë.

Supë me kërpudha

Përbërësit

4 lugë gjelle me gjalpë

1 lugë gjelle me vaj ulliri

2 qepë të grira

4 thelpinj hudhër

750g kërpudha

6 lugë gjelle me miell

4 gota me ujë

1 gotë me qumësht

Kripë

Piper

Majdanoz i grirë.

Përgatitja

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni gjalpin. Shtoni hudhrën dhe qepën e grirë dhe lërini të skuqen.

Hidhni kërpudhat e prera dhe kaurdisini lehtë për 5-7 minuta.

Spërkatini kërpudhat me miellin, kaurdisini dhe skuqini dhe për 2 minuta të tjera.

Hidhni ujin dhe lëreni të ziejë.

Më pas shtoni dhe qumështin, kripën dhe piperin dhe lëreni në zjarr sa të trashet lëngu duke e puerzier herë pas here që të mos krijohen kokërriza.

Kur supa tue jetë gati hiqeni nga zjarri dhe spërkateni me majdanoz të grirë.

Kërpudha të mbushura

Përbërësit

20-24 kërpudha të mëdha të pastruara nga kërcelli

2 lugë gjelle me vaj ulliri

250g mish i grirë

2-3 qepë të njoma të grira imët

3 thelpinj hudhër

Kripë

Piper

125g salcë kosi

125g dhjathë

1 tufë majdanoz i grirë

Përgatitja

Ngrohni sobën në 180 gradë. Lyeni mirë me vaj dy tava.

Qëroni dhe lani kërpudhat e lërini mënjanë.

Në një tigan hidhni një lugë vaj dhe vëreni në zjarr. Skuqni aty mishin e grirë derisa të marrë një ngjyrë të kafenjtë.

Kërcenjtë e kërpudhave pritini imët dhe hidhini në tigan për t’i skuqur.

Shtoni djathin dhe salcën e kosit dhe lëreni në zjarr derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.

Shtoni hudhrat dhe qepët e njoma të grira, kripën dhe piperin dhe skuqini dhe për 2-3 minuta.

Mbushni kërpudhat dhe vendosini në tavat e lyera me vaj.

Spërkatini dhe pak me vaj ulliri dhe futini për t’i pjekur për 20 minuta./AgroWeb.org

Metoda e thjeshtë me 3 përbërës për pastrimin e lavamanit

Sodë me Limon.

Të mbash lavamanin të pastër dhe të dezinfektuar shpesh mund të kthehet në një sfidë të vërtetë.

Një ndër zonat më të përdorura të kuzhinës dhe tualetit sigurisht që është lavamani, kjo e bën atë edhe më delikat ndaj pastërtisë.

Si të gjitha enët e inoksit edhe lavamanët e zakonshëm që ndodhen nëpër shtëpi në shumë raste humbin shkëlqimin e tyre.

Duke u bërë kështu një aksesor i shëmtuar në kuzhinën tuaj.

Përtej pamjes një shqetësim tjetër shumë i madh janë edhe mikrobet që mund të mbeten pas nga çdo gjë që kalon në lavaman.

AgroWeb.org në këtë artikull ju sugjeron një mënyrë shumë praktike të pastrimit të tij vetëm me tre përbërës.

Më poshtë do të ndiqni hap pas hapi si të përgatisni lehtë këtë pastrues natyral.

Pastrimi me limon dhe sodë buke

AgroWeb.org ju këshillon të filloni me spërkatjen e sodës në të gjithë sipërfaqen e lavamanit.

Më pas prisni një limon në dy pjesë të barabarta dhe shtrydheni sipër vendeve ku hodhët sodën e bukës.

Me gjysmën e limonit të shtydhur filloni të fërkoni sipërfaqen që doni të pastroni.

Përdoreni limonin në vend të sfungjerit të zakonshëm duke ushtruar forcë dhe duke e përhapur në të gjithë lavamanin.

Nëse keni një lavaman me dy hapërsira të dedikuara për larje, mund të përdorni një gjysmë limoni për secilën.

Lëreni sodën dhe limonin të veprojë për disa minuta dhe shpëlani lavamanin me ujë të bollshëm.

Për një efekt akoma më dezinfektues mund të përdorni për shplarje edhe uthullën e mollës.

Pastrimi i tubave të lavamanit

Për të pastruar tubat e lavamanit të cilët shpësh herë bllokohen nga ushqimet dhe mbajnë aromë të keqe përdorni sërisht sodën.

Hidhni disa lugë të mëdha sodë buke tek pileta e lavamanit që është pjesa nga ku shkarkohet uji.

Është mirë që ta mbushni piletën me sodë në mënyrë që pastrimi të bëhet sa më i thellë.

Më pas hidhini pak uthull dhe lëreni të veprojë.

Mos u shqetësoni nëse soda me uthullën krijojnë një reaksion bashkë që do të duket si shkuma e sapunit.

Lëreni për 5 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të bollshëm.

Kështu në pak hapa do të keni një lavaman të pastër që shkëlqen dhe pa baktere./AgroWeb.org

Pesë këshilla si të piqni mishin e pulës në mënyrë perfekte

Pulë e Pjekur.

Mishi i pulës, një nga gatimet më të përdorura dhe të shijshme për çdo tavolinë.

Përtej të mirave shëndetësore që dhuron, ky mish është i njohur për shijen e tij të butë.

Megjithëse ka një mori recetash për gatimin e pulës sërisht gatimi i saj mund të jetë një sfidë e vërtetë.

Gabimet më të zakonshme në gatimin e mishit janë sigurisht pjekja jo e duhur e tij, në shumë raste është i pa pjekur ose i tharë nga nxehtësia.

AgroWeb.org më poshtë ju liston 5 mënyra se si mund të gatuani në mënyrë perfekte mishin e pulës.

Kofshat e pulës

Nëse jeni të shqetësuar që kofshat e pulës mund të jenë më të thata seç duhet atëhere sigurohuni t’i piqni ato në mënyrën e duhur.

Duke qënë të pasura me dhjamë ato do të jenë gjithnjë të buta, por gjithsesi kujdesuni të mos i piqni më shumë se 30 minuta.

Një mënyrë tjetër është t’i zieni ato pak minuta para se t’i fusni në furrë.

Gjoksi i pulës

Mënyra më e mirë e gatimit të gjoksit të pulës apo filetos është gatimi në furrë.

Metoda më e sigurt është mbështjellja e tyre me letër pjekjeje në mënyrë që pula të arrijë të ruajë lëngjet e veta gjatë gatimit.

Gatimi në tigan

Kjo metodë është e thjeshtë, por kërkon pak durim.

Mjafton të vendosni mishin 15 minta në një tigan të mbylluar me kapak.

Sigurohuni që kapakun të mos e hapni asnjëherë dhe do të perfitoni mish pule të butë.

Gatimi në furrë

Pula zakonisht rekomandohet të piqet në temperaturën sipër 70 gradë

Kontrollimi i temperaturës bashkë me gjendjen e mishit janë mënyra më e sigurt e gatimit të saj.

Sigurohuni ta piqni pulën në temperaturë të ulët për një kohë më të gjatë se zakonisht në mënyrë që të ngelet e butë.

Kontrollojeni herë pas here derisa të shikoni që mishi  ka marë pamje të artë duke u kujdesur gjithmonue që ketë pak lëng.

Gatimi me qumësht

Kjo është një metodë e mrekullueshme dhe e veçantë e përgatitjes së pulës.

Pjekja e mishit të pulës me limon dhe qumësht jo vetëm do t’i dhurojë asaj një shije fantastike, por edhe butësi.

Përzieni një gjysmë limoni me rreth 50 ml qumësht të mjaftueshme sa për të lyër të gjithë pulën.

Futeni në furrë dhe piqeni në temperaturë të ulët.

Përzierja e limonit me qumështin do të funksionojë edhe si salcë e mrekullueshme shoqëruese.

Hallvë me sherbet dhe bajame të pjekura – Receta me ëmbëlsi fantastike

Hallvë me Shurup dhe Bajame.

Hallva është një recetë që nuk ka amvisë që nuk di ta përgatisë.

Receta tradicionale është padyshim perfekte, por AgroWeb.org ju tregon një mënyrë tjetër të përgatitjes së hallvës.

Disa sekrete të cilat premtojnë një shije delikate dhe aromë perfekte.

Ndryshe nga hallva klasike që jemi mësuar, kjo recetë përdor gjalpin e shkrirë dhe sherbetin për përgatitjen e saj.

Lexoni për të zbuluar mënyrën e duhur si t’i kombinoni për një rezultat të përkryer sa herë që ta përgatisni.

Përbërësit

1 gotë miell

1 gotë me gjalpë të shkrirë

1 gotë me sheqer

Gjysmë gote ujë

50g bajame të paqëruara

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të vendosni një tigan në zjarr të ulët dhe aty të hidhni miellin.

Me një lugë druri piqeni atë derisa të ketë marrë një ngjyrë të artë të lehtë.

Ky proces mund të dojë rreth 7-8 minuta.

Kalojeni më pas në sitë për të shmangur kështu krijimin e kokrrizave.

Shtoni tek mielli gjalpin e shkrirë, të cilit i keni hequr shkumën e bardhë që krijohet kur ai shkrin.

Përzjejeni mirë e miellin duke e rrahur me telin e kuzhinës derisa të krijoni një pastë të plotë.

Ndërkohë vendosni një tenxhere në zjarr të ngadaltë dhe hidhni aty ujin dhe sheqerin që kërkon receta.

Lëreni të kthejë valë kështu do të formohet një shurup apo sherbet.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni mirë dhe ta linin në zjarr derisa të mpikset totalisht.

Duke e ulur zjarrin, shtoni pastën e miellit dhe gjalpit dhe përzjejeni me telin e kuzhinës.

Përzjejeni në zjarr derisa brumi i hallvës të fillojë të formohet dhe të shkëputet nga anët e tenxheres.

Do t’ju duhet rreth 5-6 minuta për përgatitjen e saj.

Më pas kalojeni në një tavë të lyer mirë me gjalpë dhe hapeni si një petë të trashë në sipërfaqen e saj.

Vendosni sipër hallvës bajamet e pjekura në furrë për 7-8 minuta.

Mjafton që ta prisni në katrorë dhe ta shërbeni për të dashurit tuaj.

Supa me oriz dhe patate – Shëndeti i mirë në një pjatë

Supë me Oriz dhe Patate

Supa është një nga recetat më të shëndetshme të kuzhinës.

Prandaj është dhe zgjidhja perfekte për një vakt të lehtë dhe të shpejtë.

Në vetëm 30 ore ju do të keni një pjatë të ngrohtë që do t’ju rigjenerojë organizmin nga lodhja e një dite të gjatë.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën më të shpejtë të përgatitjes së supës me oriz dhe patate që ju ta përgatisni që sot.

Përbërësit për katër persona

Gjysmë qepe mesatare e grirë

2 patate të mesme të prera në kubikë

200g oriz

1 litër lëng mishi

Kripë

1 lugë majdanoz i grirë

3 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja e supës me oriz dhe patate

Në një tenxhere të vendosur në zjarr hidhni vajin e ullirit dhe kur të ngrohet shtoni qepën e grirë imët.

Kaurdiseni derisa ajo të ketë ulur volumin e saj, më pas shtoni patatet.

Lërini të marrin një faqe për 3-4 minuta dhe më pas shtoni lëngun e mishit.

Nëse dëshironi mund të përdorni edhe ujë pak të vakët në vend të lëngut të mishit.

Sa të marrë valë hidhni orizin dhe përzjejeni disa herë.

Lëreni të ziejë rreth 15 minuta në zjarr të ngadaltë.

Provjeni për kripë si dhe AgroWeb.org ju kujton që të provoni orizin nëse është i butë mjaftueshëm.

Në fund hidhni majdanozin e freskët dhe shërbejeni duke e shoqëruar me bukë të ngrohtë.

Duke qenë se është një supë e bollshme dhe e plotë, është perfekte për një darkë të shëndetshme.

Por këtë recetë mund ta përdorni edhe për drekë duke e shoqëruar me sallata me perime të freskëta të stinës.

Sekretet se si të zieni mishin – Gabimet që duhet të shmangni

Mënyra e Duhur e Zierjes së Mishit.

Zierja e mishit mund të tingëllojë diçka e rëndomtë që nuk kërkon shumë fantazi, imagjinatë apo aftësi gatimi.

Megjithatë si çdo ushqim tjetër edhe zierja e mishit kërkon një mjeshtëri të caktuar në kuzhinë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për truket e nevojshme për zierjen e mishit.

Temperatura e Ujit

Një aspekt interesant i zierjes jo vetëm të mishit por edhe produkteve të tjera është fakti se kur uji arrin temperaturën maksimale të valimit nuk bëhet dot më i nxehtë pavarësisht një zjarri më të lartë në sobë.

Kur vjen puna tek mishi, zierja në ujë të ftohtë apo të valuar vendoset në varësi të rezultatit që kërkoni.

Nëse mishin dëshironi ta zieni për të bërë supë apo lëng mishi, atëherë duhet ta vendosni në një tenxhere me ujë të ftohtë.

Në këtë mënyrë shumë prej ushqyesve të mishit do të lëshohen në ujë.

Kur uji është shumë i nxehtë, këto ushqyes forcohen dhe nuk janë më efikase.

Por nëse planifikoni të përdorni vetëm mishin, atë duhet ta hidhni në ujë të valuar.

Lëreni të ziejë për 10 minuta dhe më pas uleni temperaturën.

Kësisoj shtresa e parë e zier e mishit do të izolojë ushqyesit dhe aromën e mishit.

Por nëse e zieni mishin gjatë gjithë kohës me temperaturë të lartë, ai do të ngurtësohet e do të bëhet i thatë.

Enët e Gatimit

Enët e gatimit duhen zgjedhur në varësi të sasisë dhe madhësisë së produktit që duhet të gatuani.

Kapaku i tenxheres duhet mbajtur mbyllur jo vetëm që të parandalojë avullimin e panevojshëm të ujit por edhe substancave ushqyese.

Ekspertët e kuzhinës rekomandojnë edhe përdorimin e një kullese metalike për mishin që do të parandalonit zierjen jo të njëtrajtshme të tij.

Sasia e Ujit

Zierja ideale e ujit është në varësi të sasisë së ujit.

Ekspertët këshillojnë që për çdo 450 gramë mish të hidhni në tenxhere një litër ujë.

Uji duhet të mbulojë mishin por jo ta përmbysë atë.

Nëse mishi është gjithë kohës i mbuluar me ujë do të jetë më i shijshëm dhe lëngu më i mirë.

 Shkuma e Mishit

Në pikën e valimit, uji formon gjithmonë një shkumë të trashë e cila duhet hequr me lugë druri menjëherë sapo të formohet.

Nëse nuk jeni të sigurt që keni hequr mjaftueshëm shkumë, hidhni në tenxhere pak ujë të ftohtë.

Sa më pak shkumë të ketë lëngu aq më i mirë dhe i pastër do të jetë mishi,

Nëse shkuma nuk hiqet, ajo do të ngjitet me mishin dhe ky i fundit do të duket i pisët.

Mishi i freskët kërkon shumë kohë për tu zier ndërsa mishi i ngrirë duhet shkrirë përpara futjes në tenxhere.

Nga ana tjetër nëse mishin e lini në ujë për shumë kohë, ai do të humbasë shumë prej aromës dhe shijes.

Qull me pulë e arra – Receta sipas traditës së vjetër

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Qervish.

Është një nga gatimet më të hershme tradicionale, i përgatitur në mënyrë fantastike nga mjeshtëria e duarve të nënave dhe gjysheve shqiptare.

Por gjithashtu, është një nga gatimet më mbresëlënëse për çdo turist të huaj që e provon e që mahnitet nga shija e tij teksa përpiqet të marrë me vete recetën e përgatitjes.

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Çervish.

E megjithatë tradita mbetet e njëjtë, e po ashtu edhe shija unike e tij.

I përgatitur me përbërës të thjeshtë, të cilët lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje, Qulli me Arra apo Çervishi është një gatim special i cili kënaq shijen dhe oreksin teksa mbledh gjithë familjen rreth tryezës.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën autentike të përgatitjes së kësaj recete të shijshme dhe unike të traditës shqiptare.

Si ta Përgatisim këtë Gatim Special në Shtëpi

Përbërësit

1 pulë 1 kg ose kofsha pule 1 kg

100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë

15 lugë gjelle miell misri,

Piper i zi

Piper i kuq

Një kokërr qepë

Një lugë gjelle kripë

Një filxhan çaji me arra të shtypura

1.5 l lëng pule

Përgatitja:

Në një tigan kavërdisim me pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë.

Shtojmë dhe pulën ose kofshat e pulës dhe e kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.

E kthejmë pulën nga të dyja anët.

Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, piperin e zi dhe piperin e kuq.

I lëmë të zjejnë përreth një orë.

Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit, hedhim miellin e misrit dhe e kavërdisim për 15 minuta.

Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës dhe e përzjejme fortë dhe në mënyrë të pandërprerë që të mos krijohen kokërriza.

Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer më parë me një lugë vaj ulliri.

E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.

Sipas dëshirës, mund të shtrojmë tre petë byreku në tavë e më pas të hedhim sipër saj salcën e përgatitur.

Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.

Pasi e heqim nga furra i hedhim sipër arrat e shtypura dhe sipas preferencës mund t’i shtojmë edhe hudhra të shtypura.

Qulli me Arra shoqërohet mjaft mirë me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë, sallata të stinës etj.

Makarona të ziera në qumësht – Receta e veçantë me shije të përkryer

Makarona të Ziera në Qumësht.

A i keni provuar ndonjëherë makaronat të përgatitura me qumësht? Nëse jo, keni për t’u surprizuar me shijen më perfekte që mund të imagjinoni.

Kjo pjatë kremoze dhe me aromë unike falë erëzave që përdoren, do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Hapat e përgatitjes janë shumë të lehtë, vetëm kërkon pak kujdes gjatë zierjes në qumësht.

Rezultatin më të mirë e arrini nëse përdorni qumësht të freskët të zierë me pak kripë, gjë që i ndryshon totalisht shijen këtij produkti.

AgroWeb.org ju tregon të gjitha truket për makaronat më të mira që keni provuar.

Përbërësit

8 gota me qumësht

Kripë

1 pako me makarona

2 lugë gjelle me gjalpë

5-7 lugë gjelle me djathë të bardhë apo kaçkavall

Gjysmë luge çaji me arrë myshku

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të merrni një tenxhere të thellë për përgatitjen e kësaj recete, duke qenë se makaronat zakonisht ngjiten në fund të saj.

Vendoseni tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe shtoni qumështin dhe lëreni të ziejë.

Hapi i dytë është shtimi i kripës, arrë myshkut dhe më pas makaronat.

Kur qumështi të ziejë për herën e dytë, uleni akoma dhe më shumë nxehtësinë.

Lërini makaronat të ziejnë për 25 minuta, por mos harroni t’i përzieni herë pas here.

Kjo lloj metode është ajo që jep shijen më të mirë, por nëse dëshironi mund edhe t’i jepni një valë makaronave më parë me ujë.

Shtoni më pas gjalpin dhe lërini përsëri të ziejnë, derisa makaronat të jenë gati.

Gjatë zierjes makaronat do të kenë marrë shijen e përkryer të qumështit dhe erëzave.

Një sekret i kësaj recete është fakti që erëzat shtohen kur makaronat janë duke u zierë, kështu arrihet një aromë akoma dhe më e plotë.

Në fund kur ta keni larguar tenxheren nga zjarri shtoni djathin tuaj të preferuar dhe përzjejeni derisa ai të jetë shkrirë.

Kjo recetë mund të përgatitet dhe me fileto pule, mjafton që copat e mishit t’i kaloni më parë në tigan me pak gjalpë dhe kripë.

Shërbehet e ngrohtë dhe shoqërohet me sallata me perime të freskëta të stinës.

Shurup me lule manushaqe dhe mjaltë kundër kollës së thatë – Si ta përgatisni

Shurup me Manushaqe dhe Mjalte.

Kolla dhe e ftohura janë zakonisht probleme shëndetësore që i atribuohen stinës së dimrit, por në shumë raste, kolla e thatë vazhdon edhe në pranverë apo në verë.

Kolla e thatë ka të bëjë me një irritim të fytit, shkaktarët e të cilit janë të ndryshëm.

Këtu përfshihen: alergjitë nga poleni, ajri i kondicionuar, urthi apo virozat e pranverës që shkaktohen nga enterovirusi.

Ndryshe nga rinovirusi që shkakton të ftohurën në dimër, ky virus jeton më gjatë në verë.

Për më tepër, irritimet e fytit zgjasin më shumë në temperatura të ngrohta për arsye të ajrit të thatë dhe përdorimit të ajrit të kondicionuar.

Shurupet natyralë kundër kollës së thatë janë të larmishëm dhe kryesisht kanë për bazë mjaltin.

Ky i fundit mund të kombinohet shumë mirë me lule manushaqen, lajmëtaren më të bukur të pranverës.

Përdorimet e Lule Manushaqes Për Shëndetin

Ekspertët, të cilueve u referohet AgroWeb.org thonë se lule manushaqja është përdorur gjërësisht kundër disa sëmundjesh, çrregullimesh dhe problemesh shëndetësore.

Këtu përfshihen: aknet, azma, bronshiti, ekzema, dhimbjet e kokës, psoriaza, irritimet e fytit, ulçera, infeksionet urinare dhe kolla e thatë.

Shurupi Me Lule Manushaqe Dhe Mjaltë

Ky shurup është shumë i butë dhe delikat.

Ai rekomandohet edhe për fëmijët mbi 2 vjeç.

Për përgatitjen e shurupit ju nevojiten disa petale të freskëta ose të thata të lules, ujë dhe mjaltë.

Formula është e tillë: për çdo lugë gjelle me petale lulesh nevojiten dy lugë gjelle me mjaltë.

Merrni një kavanoz qelqi dhe mbushni një të tretën e tij me petale të lules.

Më pas hidhni ujë të ftohtë sipër tyre dhe futeni kavanozin në frigorifer.

Mbajeni gjatë gjithë natës dhe më pas në mëngjes hidheni në një tenxhere të vogël dhe lëreni të ziejë për 15 minuta.

Më pas kullojeni lëngun.

Nëse do të përdorni 50 ml të lëngut të petaleve të manushaqes, do të përdorni 100 ml ose 150 ml mjaltë në varësi të preferencës.

Vendoseni tenxheren sërish në zjarr të ngadaltë dhe përziejeni mjaltin deri sa të shkrihet.

Mos lejoni që ai të ziejë dhe mbajeni temperaturën nue zjarr shumue avashtë që të mos shkatërrohen vlerat e mjaltit.

Lëngun e trashë hidheni në një kavanoz qelqi dhe mbajeni në frigorifer për një muaj.

Për fëmijët rekomandohen 1-2 lugë çaji në ditë ndërsa për të rriturit 1-5 lugë gjelle në ditë.

Ky shurup luan rol të dyfishtë për pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe eliminimin e kollës së thatë./AgroWeb.org