VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dokumenti- Vdekja misterioze e Vehip Demit, gazetarit nga Çamëria që në Konferencën e Tiranës i tha Nexhmijes…

By | October 29, 2019

Komentet

DISA NGJARJE NUK PERSRITEN MA… – Nga Fritz RADOVANI

 

 

ANA  E  MALIT

1949 NANDOR…

Erdhi ma në fund lajmi i shumë pritun në çelen e Dajçit Bregut të Bunës tek Gjyshja ime, per lirimin nga sigurimi i shtetit i Shkodres i priftit Don Kolec Prennushi mbas 11 muejsh hetuesi… U liruen disa klerikë me shpresen e “firmimit të Statutit të Kishës…”

Gjyshja, Nana Nine nuk e besonte pa e pa me sy! Ai do të rrinte dy javë në Shkoder, me ba “Leter Njoftimin”… E verteta ishte tjeter: Ai ishte nen kujdesin e mjekve se kishte humbë zanin dhe kishte probleme me zemer nga korrentet elektrike nder tortura…

Mjekët Karagjozi, Prela dhe Shiroka e shikonin shpetimin e Tij per fije të penit…

Fshatarët shkonin e vinin tek çela me peshqeshe dhe urime prej zemret per lirimin e Tij.

Diten që pritej ardhja fshatarët u grumbulluene n’ oborrin e Kishës që në ora 12 e drekës, dhe filluen me i ra kumbonëve të Kishës së Shelbuemit në Dajç, tue u pasue në të gjitha Kishat tjera të bregut Bunës, prej Shirqit e Obotit deri në Velipojë… Dishka e veçantë!

Dy fshatarë që e shoqnonin gjithnjë nder sherbime, u nisen per Shkoder me e marrë tek shtëpia ynë dhe me e sjellë gjatë rrugës tue u kujdesë per shka mund të kishte nevojë.

Kanë hypë të tre bashkë me Don Kolecin në një karrocë me kalë, dhe nga ora 13.00 janë nisë në drejtim të Dajçit, tue kalue nga Ura e Bunës, per tek Lisi n’vorr ku ishte lundra.

Kur kanë mërrijtë n’ Anen e Malit, aty i pritte Hoxha i atij fshati me dy kual të bukur dhe disa fshatarë. Mbasi pershndeti Don Kolecin, edhe Hoxha hyni në karrocë se Don Koleci nuk mujte me udhtue me kalë. Bashkë ma ta u nis edhe grupi i fshatarve që shoqnonte Hoxhen e Anës së Malit. Kur mërrijten tek Lisi n’ vorr, aty u ndane mbasi Don Koleci do të hypte në lunder per me pre Bunen dhe, me marrë drejtimin e rrugës së Dajçit…

Ndoshta, ju duket dishka e zakonshme, po në të vertetë per atë kohë nuk ishte ashtu.

Një Hoxhë i një fshati i del para një Prifti mbas lirimit nga sigurimi komunist, e pergzon dhe e shoqnon gjithë rrugës deri ku vazhdon rruga e fshatit të Tij, bashkë me fshatarë…

Kjo nuk besoj se do të ngjante edhe sot mbas 70 vjetësh nder ato zona kufitare ku, frika dhe survejimi ishin nder të gjitha kaçubat e ferrave dhe shkamijt e gurt’ të lamë me gjak.

Don Koleci vdiq mbas 8 muejsh me 2 Korrik 1950, dhe shumë kohë mbrapa mësueme atë të vertetë të miqësisë së Tyne. Hoxha i kishte kerkue Don Kolecit me shpetue një fshatar të arrestuem nga gjermanët në vitin 1944, e Don Koleci me anen e Mikut vet Don Alfons Tracki (pushkatue 1946) e kishte shpetue… Per mirnjohje Hoxha shoqnoi Don Kolecin bashkë me fshatarin mbas pesë vjetësh, në vitin 1949… Perveç mirnjohjes kishte aty edhe Miqësi, Burrni, Besim dhe dishka tjeter ma shumë se këta të gjitha: VLLAZNIM !..

Pikrisht, ate që sot mungon nder të gjitha hallkat e jetës së Shqiptarve…

            Melbourne, Nandor 2019.                    

VETVRASJA E NJË KOMBI – FAMILJA MIRAKAJ – VRASJE, HETUESI, BURGJE E INTERNIME GJITHËSEJT 950 VJET

Gjatë diktaturës komuniste Familja Mirakaj pësoi:

VRASJE, HETUESI, BURGJE

DHE INTERNIME

950 VJET…

 

TË VRAMË NDËR MALE

PASHUK BIBË MIRAKAJ (1902) – VRA MË 19946

NDOC KOLË MIRAKAJ (1919) – VRA MË 1949

LUSH M. MIRAKAJ (1905) – VRA MË 1946

 

TË EKZEKUTUEM NGA KOMUNISTËT

FRAN PJETËR MIRAKAJ (1912) – VRA MË 1947

PLLUMB D. MIRAKAJ (1924) VRAE MË 1946

 

NË BURGUN E BURRELIT

MARK NDOC DARRAGJATI (1912) VRA MË 4.9.1948

 

 

 

Fotot e rralla të Ballit Kombëtar gjatë Luftës, që u mbajtën sekret për 45 vjet nga ish-Komiteti Qendror i PPSH-së

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa foto të rralla të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar të bëra gjatë periudhës së Luftës në vitet 1943-1944, të cilat për vite me radhë u mbajtën sekret në arkivin e ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe nuk u publikuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist dhe propaganda e asaj kohe, me qëllim që veprimtaria dhe roli i kësaj organizate nacionaliste të fshihej fare nga historia dhe memorja e shqiptarëve. Në këto foto të panjohura me imazhe të rralla kanë dalë disa nga eksponentët kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar të inkuadruar në batalionin “Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në disa qytete të Kosovës, si Prizren, Pejë, Gjakovë etj., ku ata shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në verën e vitit 1944, si dhe në ceremoninë mortore të Azis Çamit, një nga udhëheqësit e Ballit që u vra me atentat nga gueriljet komuniste të Tiranës.

Në disa nga këto foto është batalioni i Rinisë së Ballit, “Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo” duke hyrë në qytetin e Pejës e Gjakovës, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijra e mijra banorë që kanë dalë në të dy anët e rrugës me lule në duar. Në krye të kollonës së forcave të rinisë nacionaliste, duket Seid Kazazi (komandanti i batalionit) dhe pas tij Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti, ndërsa në mes tyre me flamur në dorë, është Ridvan Banka, të tre nga qyteti i Tiranës dhe shokë klase me Ramiz Alinë në gjimnazin e kryeqytetit deri në vitin 1943 kur braktisën mësimet dhe dolën në mal për të organizuar rezistencën antifashiste.

Seid Kazazi, i diplomuar për Drejtësi në Vienë, u vra nga forcat komuniste në Kryengritjen e Postribës në vitin 1946, ku ishte në krah të vëllait të tij, Jup Kazazit, udhëheqësit kryesor të kësaj lëvizje antikomuniste që vrau veten për të mos rrënë i gjallë në duart e forcave komuniste. Kurse Arif Peza, po komandanti i një çete të Ballit që ishte dhe tmerri i komunistëve, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, etj., kurse një vëlla i tij, gjithashtu komandant çete i Ballit, u pushkatua nga komunistë, ndërsa tjetri, Qazim Peza vuajti vite të tëra në burgjet politike të regjimit komunist.
Arif Peza pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, më pas emigroi në SHBA dhe Kanada, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1993 dhe ndërroi jetë në vitin 2008. Ndërsa Xhemal Alimehmeti, u arrestua menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944 dhe pasi vuajti disa kohë në burgjet politike, për shumë vite punoi në ndërtim dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Krahas tyre në këto foto (në kamionin e hapur) duken dhe Rruzhdi Daca, Tom Leci, Lec Gjeçi dhe Pal Mirashi, eksponentë kryesorë të Rinisë së Ballit të qytetit të Shkodrës, të cilët iu bashkuan batalionit “Qeraudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në Kosovë ku luftuan kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit. Në një foto tjetër, është ceremonia e varrimit e Hamit Troplinit, djaloshit tiranas që u vra gjatë luftimeve të forcave të këtij batalioni në afërsi të lumit, Lim, dhe në plan të parë, (i dyti pa kapele) është Ramazan Turdiu nga Tirana, i cili po në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe legalitetit duke u vendosur fillimisht në Itali ku përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Farmaci me gradën doktor dhe më pas emigroi në SHBA, ku studioi “Farmaci” në Columbia University dhe punoi për pesë dekada në kërkime farmaceutike për CIBA dhe “Warner Lambert”. Ramazani ndërroi jetë në SHBA më 25 nëntor 2012.

Në një foto tjetër janë pjesëtarë të batalionit të Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar në qershorin e vitit 1944 në qytetin e Prizrenit, duke dëgjuar dhe duartrokitur fjalimin e mirëseardhjes së Bedri Pejanit, një nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Një foto tjetër e cila i përket datës 17 dhjetor 1943, duken disa eksponentë të tjerë të Rinisë së Ballit Kombëtar, si Ramazan Jarani, Luan Dosti, Ziçe Hatibi, Hamit Shehi, Luan Dosti, etj, në Rrugën e Kavajës duke mbajtur në supe arkivolin e Haziz Çamit, një nga eksponentët e Ballit Kombëtar i cili u vra pabesisht me atentat nga guerilejt komuniste të Tiranës. Për ironi të fatit edhe atentatori i tij një i ri komunist, për shumë vite vuajti në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës i akuzuar si “armik i popullit”./Memorie.al

 

Nga refuzimi i Edith Durham te letrat me të dashurat, një album për Mid’hat Frashërin

Në kuadrin e përkujtimit të Kongresit të Manastirit, për të nderuar kryetarin e kësaj ngjarjeje historike, 111 vite më vonë, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” sjell albumin historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”.

Dje, gjatë përurimit të albumit historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Fotografi, dokumente, faksimile e letra që zbulojnë momente pikante nga jeta e poliedrikut, e Frashëllinjëve të tjerë dhe rilindësve të shquar. “Në këtë album ka fotografi dhe dokumente që botohen për herë të parë, jepet gjithashtu një tablo e plotë e jetës dhe e veprimtarisë së Frashëllinjve, duke filluar nga Abdyli, Samiu dhe në vazhdim jeta dhe vepra madhore e Mid’hat Frashërit. Mid’hati vetë gjykon ngjarjet historike dhe personalitete të rëndësishme të Shqipërisë dhe botës.

Gjithashtu, albumi njeh lexuesin me përpjekjen e madhe të Mid’hatit në momente kulminante historike si Konferenca e Paqes, me kontributin e tij për Lidhjen e Kombeve, si dhe detaje të tjera nga puna, deri edhe vdekja e tij”, u shpreh dje historiani dhe drejtori i Institutit “Lumo Skëndo”, Uran Butka.

Dje, gjatë përurimit të albumit historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Albumi dedikuar shkrimtarit rrëfen edhe një pjesë më personale të jetës së tij si beqar i përjetshëm, që nuk e gëzoi jetën familjare, zgjedhje e ndikuar edhe nga angazhimi i tij me çështjen kombëtare. Letrat e dashurisë, që kryesisht janë të dërguara prej të dashurave të Mid’hatit nga Zvicra, Parisi, Bukureshti etj., përmbajnë një informacion jo të vogël për jetën, vokacionin për lirinë, karakterin fisnik dhe ndjenjat e holla të tij.

“’Jeta jote cigane’, ti që e do aq shumë lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje. Oh, Mid’hat, sikur të mund të shihja në zemrën tënde një lidhje të përjetshme me mua, ashtu siç e dëshiroj”, i shkruante nga Zyrihu Elsa, me të cilën ishte njohur në vitin 1914, kur emigroi në Zvicër.

“Panorama” ju sjell disa nga letërkëmbimet e dashurisë së Mid’hatit si dhe një letër, ku Edith Durham i dërgon shkrimtarit disa të dhëna që ai ia ka kërkuar për një artikull, duke i refuzuar të drejtën për të botuar fotografinë e saj, pjesë e albumit dedikuar Mid’hat Frashërit./ (përgatiti: Anila Dedaj)

E quante “Mimi”, letrat e përmallshme të Lolotës nga Parisi

“I adhuruari im Mimi, e besoni në ç’gjendje jam? Do ishte një ngushëllim i madh, të të kisha pranë, ty që më je kaq i mirë! Mimi i shtrenjtë, dashuria ime e vetme! Unë as guxoj të përfytyroj momentin kur të kërkoj në port a stacion, sepse i trembem zhgënjimit. Megjithatë, unë jetoj veç për atë çast, është e vetmja shpresë, që më mban, sepse jeta për mua është shumë e trishtë, dhe pa ty nuk provoj asnjë lloj kënaqësie, asnjë gëzim, veç lutjes në kishë (sepse sërish je ti që më ndjek dhe më mbështjell me imazh perëndie)”.

Për Ninon nga Parisi, një nga të paktat letra dashurie të Mid’hatit

“Dje në mbrëmje, ashtu shtrirë siç isha, donja të lexonja. Por e fika menjëherë llambën. Doja të rrinja vetëm me ty. Ishe pranë meje për një kohë të gjatë. Nuk është dëshira e trupit ndaj teje, nuk është ajo që ndodh pa pasionin. Dhe kjo nuk ndodh, veç një herë në jetë. Siç më ndodhi këtë të hënë. Ka qenë një natë e pagjumë për mua. Përse nuk të kam pranë të më bësh të lumtur? Po lexoj Verlenin. Më ke shkruar se është libri yt i preferuar. Fjala “dashuroj” më duket se lë tjetër gjurmë. Ëndërronj, e di që është iluzion, por përpiqem të përfytyronj në jam unë ai që ti dashuron” (Mid’hati , 22 prill 1926).

Edith Durham – Mid’hatit: Nuk jap leje të botojnë fotografinë time

Në letrën që Edith Durham i shkruante Mid’hat Frashërit, i jepte modestisht të dhëna mbi veprimtaritë e saj, të cilat, mesa duket ia kishte kërkuar Mid’hati për një shkrim në një nga gazetat e kohës. Në fund të letrës ajo shkruante: “A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante. Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetarëve, nuk mund t’jua jap as juve. Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe. T’u ngjatë jeta!”

Intelektualja rumune që i shkroi letra dashurie për 20 vite

Anxhela Romano ishte një intelektuale rumune me ndjenja të holla, energjike dhe nëpunëse e rangut të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Asistencës Sociale të Bukureshtit. Mid’hati u lidh me Anxhelën me një dashuri të sinqertë dhe të pashuar në vite. Letërkëmbimi dhe dashuria e tyre vazhdoi qysh nga viti 1918 deri në vitin 1939. Vetëm një pjesë e letrave, atë që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, e njohim. Ekzistojnë letrat që i dërgonte Anxhela Mid’hatit dhe që ai i ka ruajtur. Letrat e saj të çiltra dhe të zjarrta, të shkruara me një frëngjishte elitare, magjepsëse, e kërkonin dhe e gjenin Mid’hatin kudo ai shkonte: në Lajpcig, Lozanë, Gjenevë, Boston, Paris, Tiranë, Athinë etj., për më shumë se 20 vjet me radhë. E zhuritur nga malli, por edhe nga pasiguria në Shqipëri, ajo e thërret të jetojnë së bashku në Rumani, “idhullin e saj, lumturinë e saj, shpresën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo. Dhe megjithëqë Mid’hati zgjedh midis vendit të tij dhe Anxhelës, Shqipërinë, ajo e kthen këtë në adhurim. “Unë jam e lumtur për ty dhe për vendin tuaj”. Jeta e tij s’kishte kuptim e vlerë në dhe të huaj. Kur Mid’hati ishte 60 vjeç, Anxhela vazhdonte t’i shkruante njëlloj si ditën e parë të dashurisë së tyre. “Do të shihemi sërish, Mid’hati im, jam e sigurt, do të jemi të lumtur dhe do besojmë se ne nuk jemi ndarë kurrë! Gjithë dashurinë time me një puthje, jotja Mumi”.

Dëshmia tronditëse: Çfarë i kërkoi Sigurimi i Shtetit vëllait tim dhe pse e hodhi atë nga kati i tetë i Hotel “Tirana” më 17 nëntor 1986

Dashnor Kaloçi/ Publikohet dëshmia e rrallë e Hysen Bajramit me origjinë nga rrethinat e Gjakovës dhe me banim në qytezën e Mamurrasit që nga viti 1954 kur ata u detyruan të vendoseshin aty për shkak të përndjekjeve të regjimit titist të Beogradit. Cilët ishin oficerët e Sigurimit të Shtetit që lajmëruan në shtëpi për Sali Bajramin që duhej të paraqitej në Tiranë, si e morri vesh familja lajmin e vdekjes së tij në mënyrë tragjike dhe përse Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi iu bënte presion familjarëve të Sali Bajramit duke u thënë që ata të mos e kërkonin më …

 

Më 17 nëntor të vitit 1986 në shtëpinë e vëllait tim, Sali Bajramit, erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit, dhe i tha atij që të nesërmen duhej të paraqitje tek 15- katëshi në Tiranë. Po atë ditë, për këtë punë Saliun e kishte thërritur edhe punëtori tjetër operativ i Sigurimit, Kujtim Kuci, që ishte me shërbim këtu në Mamurras. Këto m’i tha vetë Saliu në darkë kur më thirri në shtëpinë e tij për të më treguar rreth asaj ç’ka i kishin thënë dy oficerët e sigurimit. Të nesërmen e asaj dite, Saliu bashkë me dy punonjësit e Sigurimit kanë udhëtuar për në Tiranë, gjë të cilën më pas na i konfirmuan shumë miq e dashamirës tanët që i kishin parë ata në tren. Atë natë Saliu nuk u kthye në shtëpi dhe nga që u bëmë shumë merak se cfarë do t’i kishte ndodhur, djali i tij, Flamuri, shkoi në në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës, ku Pëllumb Kapo i tha: ”Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë, do vizitohet dhe do të vij përsëri në shtëpi”. Nipi im, Flamuri shkoi edhe të nesërmen në Krujë për të pyetur për babanë e tij, por nuk mori asnjë përgjigje. Ditën e tretë në darkë disa punonjës të Sigurimit na njoftuan se Saliu kishte vdekur pasi ishte rrëzuar nga 15- katëshi dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës”.

Njeriu që dëshmon për Memorie.al, është Hysen Bajrami nga Mamurrasi, i cili rrëfen atë ngjarje të largët të vitit 1986, kur në rrethana misterioze, humbi jetën vëllai i tij, Saliu. Po kush ishte Sali Bajrami, cila ishte e kaluara e tij dhe në ç’rrethana kishte ardhur ai në Shqipëri në vitin 1954 bashkë me vëllanë, Hysenin? Përse i kishin internuar ata fillimisht në fshatin Llakatund të Vlorës dhe për çfarë arsyesh ata nuk kishin pranuar të ktheheshin përsëri në Kosovë, kur nga Tirana i kishin njoftuar se Shqipëria i kishte rregulluar marrëdhëniet me Jugosllavinë? Ku kishin punuar dhe jetuar dy vëllezërit emigrantë kosovarë deri në vitin 1986 kur Saliu mbeti i vdekur në rrethana krejt misterioze duke rënë nga 15- katëshi në Tiranë, ku ishte thirrur nga Sigurimi i Shtetit? Çfarë iu kërkua Saliut nga oficerët e Sigurimit dhe a u hodh vetë ai nga kati i tetë i Hotel “Tiranës” apo e hodhën ata që e kërkuan aty? Përse trupi i Saliut u vonua në morgun e Tiranës dhe iu dha familjes vetëm në momentet e fundit para ceremonisë mortore?! Përse Sigurimi i Shtetit hapi fjalë se Saliun e kishte hedhur nga 15- katëshi, hasmi i tij që kishte ardhur nga jashtë shteti dhe cilat ishin përgjigjet zyrtare që iu dhanë vëllait të Saliut, Hysen Bajramit, nga Dega e Brendëshme e Krujës, Prokuroria e Përgjithshme, Rajoni i Policisë Nr.3, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai, Kuvendi Popullor dhe sekretari i Ramiz Alisë? Cfarë i tha Hysenit në vitin 1992 prokurori Arben Qeleshi për vdekjen misterioze të Sali Bajramit dhe pse u thërrit për dëshmitar Hysen Bajrami në gjyqin ndaj Hekuran Isait e Zylyftar Ramizit, e cila ishte përgjigja e ish-Ministrit të Brendëshëm kur Hyseni e pyeti se përse ia kishin vrarë vëllanë? Lidhur me këto e fakte të tjera nga ajo ngjarje e largët e vitit 1986, na njeh intervista e Hysen Bajramit ekskluzive për Memorie.al.

 Zoti Hysen, ku keni lindur ju dhe cila është origjina e familjes tuaj?

Kam lindur në vitin 1931, në fshatin Greçinë i cili ndodhet në rrethinat e Gjakovës në Kosovë, prej nga është edhe origjina e familjes sonë.

A ka qenë e njohur familja juaj në atë krahinë dhe me çfarë është marrë ajo gjatë kohës që ju keni qenë në Kosovë?

Familja jonë ka qenë jo pak e njohur në rrethinat e Gjakovës, ku kemi jetuar dhe ajo njihej me emrin e gjyshit tonë: familja e Ram Sahitit. Gjatë kohës që ne kemi qenë në katundin Greçinë të Kosovës, familja jonë është marrë me punët e bujqësisë me të cilat siguronte jetesën e saj.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, në 1939-1944, cili ka qenë qëndrimi politik i familjes tuaj?

Gjatë atyre viteve, por edhe më parë, familja e Ram Salihit ka qenë e njohur si një familje nacionaliste. Në vitet e Luftës familja jonë u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe në periudhën kur brigadat partizane shqiptare erdhën në Kosovë, në shtëpinë tone është strehuar për disa kohë Shefqet Peçi me shtabin e tij.

Pas mbarimit të Luftës cilat ishin raportet politike të famlijes suaj me regjimin e Titos?

Nisur nga fakti se familja jonë ishte një familje nacionaliste, menjëherë pas mbarimit të Luftës në pranverën e vitit 1945-ës, ne na filluan peripecitë me regjimin titist. Në fillim ne na akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe se kishim strehuar shqiptarë që ishin aratisur nga Shqipëria.

Patët koncekuenca nga akuzat që ju bëheshin?

Pas këtyre akuzave, ne na arrestuan dhe futën në burg axhën tone Mehmet Ramën, i cili ishte nënkryetari Këshillit Nacional- Çlirimtar. Mehmetin e nxorrën në gjyq dhe fillimisht e dënuan me vdekje, por më pas atij ja falën jetën. Por kjo ishte vetëm për demagogji, pasi axhën tonë e ekzekutuan brenda në burg me preteksin se gjoja kishte dashur të arratisej. Pushkatimi i axhës, Mehmet e shtoi akoma edhe më shumë persekucionin ndaj familjes sonë. Në vitin 1951, u arrestua dhe vëllai im, Sali Bajrami, i cili në atë kohë kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Saliun e nxorrën në gjyq dhe e dënuan me një vit e gjysëm burg. Edhe pasi Saliu u lirua nga burgu aty nga fillimi i vitit1953, ndaj familjes sonë nuk pushoi persekucioni, përkundrazi në atë kohë u shtua edhe më shumë, nga raprezaljet që kishin filluar Rankoviçi ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nisur nga kjo gjëndje tepër e vështirë në të cilën u ndodhej familja jonë në atë kohë, unë me vëllanë, Saliun, vendosëm të iknim nga Kosova dhe të dilnim prej andej e të vinim këtu në Shqipëri.

Si e kujton largimin tuaj nga Kosova dhe ardhjen në Shqipëri?

Pasi vendosëm të largoheshim, më 18 dhjetor të vitit 1954 ne morëm rrugën për të ardhur në Shqipëri. Ne ishim tre vetë nga familja jonë, pasi vëllai Saliu, mori edhe bashkëshorten e tij, Zelfien. Kufirin ne e kaluam në fshatin Dobrunë të Hasit dhe aty na mbajtën një natë në postën kufitare. Të nesërmen ne na sollën në qytetin e Kukësit, ku na mbajtën për tre katër ditë në Degën e Brendëshme. Pas kësaj ne na sistemuam në hotel dhe pas disa ditësh na nisën për në fshatin Llakatund të Vlorës ku ishte ngritur kampi për shtetasit jugosllavë që kishin ardhur ilegalisht në Shqipëri.

Si ju trajtuan në Llakatund dhe sa kohë qëndruat aty?

Në Llakatund ne na trajtuan ashtu siç trajtoheshin të gjithë të ardhurit në kampet e Shqipërisë. Qëndruam aty për nëntë muaj.

Po më pas ku ju çuan?

Diku aty nga viti 1955-1956, njëri nga të dërguarit e Komitetit Qëndror të PPSH-së që merrej me emigracionin nga ish Jugosllavia, na tha se shteti shqiptar i kishte rregulluar marëdhëniet me Jugosllavinë dhe kush të donte mund të bënte një kërkesë për t’u kthyer në Kosovë. Unë me vëllanë Saliun e me gruan e tij, nuk pranuam që të bënim një kërkesë të tillë për t’u kthyer në Kosovë, pasi e dinim se çfarë kishte ndodhur atje me familjen tonë pas arratisjes tonë për në Shqipëri. Pas kësaj situate ne bëmë nënshtetësinë shqiptare dhe qëndruam këtu.

Çfar kishte ndodhur me familjen e Ram Salihit në Kosovë pas ardhjes suaj në Shqipëri?

Rregjimi titist kishte arrestuar babën tonë, Bajramin, të cilin e dënoi me 12 vjet burg politik. Baba vuajti për tetë vite me rradhë në burgun e tmershëm të Goli-Otokut dhe atë e liruan vetëm kur ishte në prag të vdekjes. Pasi bëri bëri tetë vjet burg, baba u lirua dhe ai nuk jetoi më shumë se tre muaj në shtëpi, pasi vdiq nga torturat e shumta që i kishin bërë në atë burg.

Perveç babës, kush jetonte tjetër në atë kohë në Gjakovë nga familja juaj?

Kishim dy motra e tre vëllezër të tjerë, si dhe shumë të afërm.

Pasi morët nënshtetësinë shqiptare ku u vendosët?

Ikëm nga Llakatundi të tre dhe u vendosëm në fshatin Bushnesh afër Mamurrasit, të rrethit të Krujës. Kërkuam të vinim këtu, pasi dihej që në Mamurras ndodheshin shumë kosovarë të cilët ishin vendosur aty që nga viti 1913, nuk qëndruam shumë aty, se në këtë fshat u krijua kooperativa  dhe u vendosëm në qytezën e Mamurrasit.

Ku punuat në Mamurras?

Në këtë qytezë të vogël ne kemi punuar për shumë vite në ndërrmarrjen e Bonifikimt dhe më pas Saliu kaloi në ndërmarrjen e Ujrave ku dhe doli në pension.

Para viteve ’90-të, kishit mundësi komunikimi me pjesën tjetër të familjes që ndodhej në Kosovë?

Që nga viti 1954 kur ne u larguam e deri në vitin 1980 nuk kemi pasur asnjë lloj letër këmbimi me familjen tonë në Kosovë. Në vitin 1972, vajza e vëllait tonë që jetonte në Kosovë, së bashku me bashkëshortin e saj erdhi si vizitore dhe qëndroi për dy muaj në shtëpinë tonë në Mamurras. Ajo mundi të vinte këtu pasi ne i bëmë një garanci.

Si e kujton ngjarjen e humbjes së vëllait tuaj, Saliut?

Ishte data 17 nëntor 1986-ës kur në shtëpinë e vëllait tim, Saliut erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit dhe i tha që të nesërmën duhej të praqitej te 15-katëshi në Tiranë. Po atë ditë Saliu e kishte lajmëruar edhe një tjetër operativ i Sigurimit të Shtetit, Kujtim Kuçi dhe i kishte dhënë të njëjtën porosi, për t’u paraqitur te 15-katëshi të nesërmen.

A biseduat ju me vëllanë para se të shkonte në destinacionin e caktuar, çfarë mendonte ai ?

Posi, atë natë bisedova me Saliun dhe e pyeta përse po të kërkojnë në këtë takim te 15-katëshi? Ai më tha se nuk dinte asgjë pse po e kërkonin, nuk kam dhe nuk kam pasur lidhje me asnjë punë, as me Sigurimin dhe me as njënjeri tjetër.

U bëtë merak për mos kthimin e Saliut në shtëpi atë natë?

U bëmë shumë merak që Saliu nuk u kthye, të nesërmen në mëngjes, djalit i tij Flamuri, shkoi në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës për t’u interesuar.

Kë takoi Flamuri, dhe çfarë ju tha?

Nipi im Flamuri takoi takoi në Degën e Punëve të Brendëshme Pëllumb Kapon, i cili i tha:”nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë e do të vizitohet dhe më pas do të kthehet në shtëpi” por kjo nuk ndodhi. Flamur vajti përsëri të nesërmen në Degën e Punëve të Brendëshme në Krujë, por nuk morri asnjë përgjigje.

Kur e mësuat lajmin për vdekjen e Saliut, kush ua komunikoi dhe çfarë iu thanë?

Lajmin për vdekjen e vëllait e mora nga disa punonjës të Sigurimit, në mos gaboj në datën 19 ose 20 nëntor 1986. Ata na thanë se Saliu kishte vdekur pasi kishte rrënë nga kati i tetë i 15-katëshit (Hotel “Tirana”) dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës.

Cili ishte shkuaku i kësaj tragjedie, çfarë ju thanë?

Ne na thanë se Saliun e kishte hedhur nga 15-katëshi,” hasmi që kishte ardhur nga Kosova”. Asnjë nuk na jepte ndonjë informacion tjetër.

Kush shkoi për të marrë trupin e Saliu në morg?

Trupin e Saliut shkoi për t’a marrë, djali i tij Flamuri, me tre miqtë tanë: Feriz Gashin, Hasan Mulliqin e Feim Kryeziu. Si fillim u nxorrën shumë pengesa dhe nuk i lejuan që ta shihnin trupin e Saliut, aty u sollën pengesa dhe u vonuan shtatë orë për të marrë trupin e Saliut, të cilin e sollën në banesë pak minuta para se të bëhej cerremonia mortore.

Sa kohë pas vdekjes së Saliut filluat të interesoheshit përsëri dhe çfarë informacioni morët?

Pasi kishin kaluar 40 ditë nga vdekja e Saliut, unë me djalin e tij Flamurin, shkuam në Tiranë dhe takuam Zylyftar Ramizin, zv/Ministrin e Brendëshëm dhe Drejtorin e Sigurimit. Ai na tha: ”Shkoni në Degën e Brendëshme në Krujë, ata ju sqarojnë”. Pasi shkuam atje, kryetari i Degës na tha: ”Ne nuk kemi dijeni se ku ka vdekur Saliu, aty ku ka vdekur aty pyesni”. Pas kësaj përgjigjie, shkuam në Ministri dhe aty na thanë të shkonim në Rajonin Nr.3 të Policisë, pasi atje ndodheshin dokumentate tij. Pasi shkuam katër herë në Rajonin Nr.3 të Policisë, edhe ata nuk dinin gjë dhe vetëm na thanë se Saliu kishte qenë i sëmurë”.

Po më pas çfarë bëtë?

Pasi shkuam disa herë, në Degën e Brendëshmë, Rajon, Ministri, nuk morrëm asnjë përgjigje. Pas sorollatjeve të shumta i shkruam disa letra dhe telegrame Ministrit të Brendëshëm dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, por përsëri asnjë përgjigje nuk morrëm.

Patët ju ndonjë presion për të mos vazhduar më të “shqetësonit shtetin me letra dhe telegrame”?

Vetë Zylyftar Ramizi, na bënte presione për të mos u marrë me këtë problem të mbetur enigmë. Në vitin 1992 unë kam shkuar tre herë tek SHIK-u dhe kam bërë dy takime me Ministrin e Brendëshëm të asaj kohe. Në Ministri na thanë të shkonim në Prokurorinë e Përgjithshme, shkuam dhe takuam aty Z. Arben Qeleshin duke i paraqitur dokumentat që dispononim. Z.Arben Qelishi më tha: ”Kjo çështje ka shumë probleme, kjo është një vrasje e pastër shtetërore ashtu siç ka ndodhur me shumë të tjerë. Kur të dali në gjyq udhëheqja e lartë komuniste, do të vish edhe ti”.

A shkuat ju në gjyqin e ish-udhëheqësve komunist?

Kur doli në gjyq Hekuran Isai me Zylyftar Ramizin, na thëritën nga Prokuroria e Pergjithshme dhe unë shkova atje bashkë me Flamurin. Edhe pse tentuam të pyesnim të akuzuarit e sistemit komunist, nuk morrëm përgjigje dhe kjo çështje u mbyll pa përgjigje dhe përgjegjësi.

Ju personalisht, si mendoni?

Unë them se ka dy versione. E para është që Saliut i kanë kërkuar që të bëhej vegël e Sigurimit dhe pasi ai nuk ka pranuar, e kanë hedhur nga 15-katëshi për ta eleminuar fizikisht dhe e dyta Saliu mund të jëtë hedhur vetë pasi nuk ka pranuar të bëhej vegël e Sigurimit, mund të jenë bërë presione apo tortura të ndryshme që ai nuk i ka përballuar dot. Gjithësesi kjo ngjarje nuk ka marrë dhe besoj se nuk do të marrë përgjigje./Memorie.al

Eshref Frasheri si krijoi pasoja aq të randa per kohen e ardhshme? – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

 

Graz, me 26 Kallnduer 1952

 

Shum i dashtuni mik,

Letren e dashtun e shum t’interesantshme tande e mora dje e të falem nderës per së fortit. E kam lexue vetem nji herë njeket leter, prandej per tash nuk po due me lypë skjarime tjera per çashtje të traktueme në ket leter kaq të gjatë e të randsishme – në vend qi me e thirrë leter kte e dý të perparshmet, kishte me u dashtë të thirreshin traktate – , vetem nder kto dý pika:

1) A dini ndoj gja mâ gjatë per ket Eshref Frasherin, kaq njeri i zoti, sa me krijue nji gjendje në Shqypní, qi me pasë pasoja aq të randa per kohen e ardhshme? Me të diftue të drejten, ket Kongresin e Lushnjes vetë e kam mbajtë perherë si gjâ fort të randsishme në pikpamjen kombtare, sa qi çuditem qi ket kongres e kanë drejtue e gatue Toskët e jo Gegët. Se si mandej, prej ktij kongresi kanë mujtë me rrjedhë gjith kto të kqija, âsht nji gjâ qi nuk mundet me u kuptue ashtu pá tjeter. Por ndoshta, kúr t’a lexoj e t’a studjoj mâ gjatë letren – traktatin deshta të tham! – tanden mâ me vemende e kujdes, ndoshta po tham, kam me mujtë me kuptue ndoj send mâ teper.

2) Më permendë punen e atij hinglizit t’Intelligence service. A mundeni me më kallxue mâ gjatë mbi rolin qi kanë lujtë hinglizt e informacjonit sekret në Shqypní? Në librin “Il sangue tradito – relazioni jugoslavo-albanesi 1938-1949”[1], flitet shpesh herë e kritikohet fort vepra e ktyne hinglizve në Shqypnín t’onë. Nder sá tjera,  thohen në faqe 108 njekto fjalë: “Molti alfieri (portabandiera) – dell’Albania Settentrionale, di Ljuma, Krasnic, Bitic, Mate, Gornji, Debar, lavoravano già di generazione in generazione per l’Intelligence Service. Così per esempio, nella famiglia di Hagi Ljesi c’è un vecchio il quale, per servigi resi al servizio informativo brittanico quaranta e più anni fa riceveva continuamente ogni sabato un montone ed alcune monete d’oro, il che gli perveniva regolarmente per anni, e perfino durante questa guerra”. [2]

Shka thoni ju? – Per mâ teper dishroj me dijtë:

3) Rolin e Luigj Gurakuqit sidomos në relacjon me proklamacjonin e vetqeverimit në Vlonë 1912. Dikund kam lexue se Luigji thirret “Sekretari i 1912-s”. A âsht kenë Luigji sekretar i Ismajl Qemalit a si âsht per t’u kuptue kjo punë? A âsht mandej e vertetë se Luigj Gurakuqi âsht kenë si kshilltár apor si sekretár pranë Ded Gjo’ Lulit në lëvizjen e Malcís së Madhe? Per Luigjin kishe me dashtë me dijtë shum, sidomos per sa i perket politikës së jashtme shqyptare. Rolin e tij në kohen e opozitës e të popullores ndoshta shkon teper gjatë me e kallxue tash. Me gjithkta vrasen e tij nuk e kuptoj mirë. Në nji numer të “Hyllit të Dritës”, Marc 1944, kushtue Luigj Gurakuqit e Bajram Beg Currit, flitet per dekë të tij e kurrkund nuk del kjartë  në shesh se kush e shtini Baltjon Stambollen me e vrá të shuemin Luigj. Thohet se kvestura e Barit ndaloi me bâ funeral të madhnueshem neper gjytet të Barit e lejoj vetem ate nder vorre. Flitet mandej gjatë per padrejtsí të gjygjit të Tranit etj. Njeri qi lexon ket artikull, mendon se Luigjin e kanë vrá Italjant e kurrkush tjeter nuk ka pasë gisht në ket vrasë.

4) N’ Illyrisch-albanische Forschungen, blê II, faqe 232 lexohen njekto fjalë: “Nur im Süden bei den Tosken, die im Vergleich zum Norden viel fortgeschrittener waren, konnte man seit langem unter den mohammedanischen Beys die Anfänge einer keimenden national-albanischen Idee konstatieren. Die mohammedanischen Tosken bekennen sich jedoch fast ausscaließlich zu der religiösen Sekte der Bektaschi, die eine liberalere Weltanschaug vertritt, und z. B. eine Regelung der sozialen Verhältnisse durca die Religion nicht anerkennt. Vort mind konnte sich ein Nationalbewußt-sein allmählich bilden, dort sind auch die ersten von den Tosken selbst erhaltenen albanischen Schulen entstanden. Im übrigen Albanien standen die Mohammedaner mit wenigen Ausnahmen der albanischen Nationalidee gleichgiltig, wenn nicht gar-wie jene Skutaris-direkt feindlich gegenüber”. [3] Shka thoni ju mbi ket pikë? Sidomos mbi fjalët e nenvizueme prej meje nuk kam aspak haber se shka don me thânë ky Zotní Karl Thopija, qi i shkruen. (Në kllapë: a âsht ky Karl Thopija ktu nji pseudonim a por nji personë e vertetë?).

Në librin e Richard Busch-Zantner, të cilin vetë shpesh herë ta kam çitue, lexohen kto fjalë mbi Bektashizmen në faqe 40-41:

“Die zweite islamische Glaubensgemeinschaft ist der Bektaschismus, eine aus einem Derwischerorden heraus entwickelte pantheistische Sekte. Als Derwischerorden war der Bektaschismus zunächst in Klein-asien zu Hause, hat dann aber wahrscheinlich durch die enge Verbindung seines Begründers Beltash zu den Janitscharen, deren sozusagen “erster Feldpropst” der war, auf Europa übergegriffen, und tatsächlich liegt auch Bektash in einer Moschee der Istanbuler Verstadt Beshiktash auf rumelischer Seite bestattet-Seit etwa 1530 ist der Orden in Albanien nachweisbar, wo er in der Folgezeit namentlich in der Schicht der Feudalität eine große Anghängerschaft erworben hat, die ihn nicht nur materiell unterstützte, sondern auch überallhin, wo es albanische Feudalherren gab, verbreitete. In Aliculi, einem kleinen, von meist albanischen Großgrundbesitzern bewohnten Nest Thessaliens, gab es zum Beispiel schon im 18. Jahrhundert ein berähmtes Kloster des Ordens, und daß Derwische, vor allem die Bektaschi-Derwische, am Hofe Ali Paschas zu Janina um dier wende des 18. Jahrhunders unbeschränkten Zugang genossen, ist bekannt. Noch heute ist das Derwischerwesen in Albanien ziemlich lebendig; namentlich im Frühjahr, von dem Einbruch der großeb Sommerhitze, kann man die Mönche überall auf Vanderschaft sehen.

Diese intimen Beziehungen nur konservativen Agrarfeudalität und nicht zuletzt die traditionellen Beziehungen zu den Janitscharen veranlaßten Sultan Mahmud II., 1826 den orden aufzuheben und blutig zu unterdrücken, ohne ihn ober ausrotten zu können.

Sowohl in Kleinasien, in Ägypten- das dortige Königshaus ist albanischer Herkunft-wie in der Umgebung Istanbuls erhielt er sich fort. Sein Hauptverbreitunsgebiet wurde aber Albanien mit dem Mittelpunkt Kruja, wo er seit dem 16. Jahrhundert nachweisbar ist. Politisch trat er im neuen Albanien bereits 1920 in Erscheinung, als in den Regentschaftsrat erstmals auchtein offizieller Vertreter des Bektaschismus beufen wurde. Nachdem schon 1928 eihe auch rechtliche Verselbständigung der Glaubensgemeinschaft erötert wurde, ward sie 1932 endlich vollzogen. Die Anhängerschaft mag sich auf etwa 100. 000 menschen belaufen.

Në nji vend tjeter po të njajtit auktor thohet: “Akif Pascha Elbassani, ein enger Mitarbeiter Achmed Zogus während der Elbassaner Tage 1916 und vorher schon ergehener Anhänger des Prinzen zu Wied, vertrat den Bektaschismus im Regentschaftsrat nämlich. [4]

A âsht edhe Ahmet Zogu Bektashi?

5) Dishroj me dijtë se deri ku kanë veprue komunistat Shqyptarë indipendent prej komunistave të Titos; flas per kohen deri qi Tito u prish me Mosken, d.m.th deri në veren 1948. Mizorít e bame në Shqypní a do t’u ngarkohen mâ fort komunistave jugoslav apor atyne të Shqypnís? A thue lista e Shqyptarve për t’u mbytë âsht gatue në Belgrad, apor komunistat shqyptarë vetë kanë punue pavarsisht  nemosè per shka u perket mizorive. Më kande me dijtë taman kush e ka pergjegjsín e madhe morale per kto mizorí. A i kanë në shpirtë e ndergjegje të veten ata të Belgradit apor ata të Enver Hoxhës jetët e njerzve mâ me randësí të Shqypnís të kputuna prej ktyne mizorve?

Po e kpus letren, mbasi po mbaron, tue të diftue se i kam shkrue Mbretit qysh me 31 dhetuer, tue i thânë se tash tre muej Mustafa Kruja pret pergjegje prej Madhnís së Tij per të nenshkruemin. Kurrnji fjalë mâ teper, perveç shndeteve e nderimeve mâ të kthellta.

Per sot njiherë Tý po të dergoj shndet e daulet.

Miku i Yt

P.P. Margjokaj O.F.M.

 

  1. S. – Para nja dy muejsh âsht shtypë në Innsbruck, Tyrolia Verlag, njëky liber: Hans Kramer (Profesor i historís moderne n’ univers. t’ Innsbruckut), “Die Großmächte und die Weltpolitik 1789 bis 1945.[5] Âsht nji blê i madh mâ se 800 faqesh, mjaft i interesantshem. M’a ka dhânë nji student i universitetit qi banon ktu në kuvend me mue, e edhe profesori i historís moderne ktu në Graz e ka levdue. Ndoshta t’intereson me e pasë apor ndoshta e intereson edhe Mbretin ky liber, qi kushton 160 Schillinga Austrijet.

 

 

Ramleh (Aleksandrí), 21. II. 1952

I dashuni mik,

Po t’u përgjigjem me sa mundem pyetjeve të letrës me 26 të mojit të kaluem.

Për Eshref  Frashërin. veç sa të kam shkrue deri tash, nuk dij tjetër me themel. Mundem me shtue edhe nji gjâ të vetme: kur në 1923 Ahmet Zogu mbërrîni me shkatërrue Klikën përmbrênda Eshrefi mbet me tê, por edhe ndër sŷ të tij e kishte humbun tashmâ çdo rândsí politike, kishte dekun.

Un s’dij me sigurí kurrfarë hollsinash mbi shërbimin informativ ingliz në Shqipní. Sa për Il sangue tradito, ai libër t’a merr edhe tý mêndja qi âsht fund e krye tendencjoz.

Mbi Luigj Gurakuqin âsht shkrue mjaft, relativisht, e ndër tjera, shkrime gazetash e rivistash, ka edhe nji bijografí të shkurtën, nji librec, të Gjon Kamsit. Për ato pika specifike qi më pyet ti po të përgjigjem me aqë sa dij. Me sa dij unë me të ndieme, por gati me sigurí, në kryengritjan e madhe të malsorve të Mbishkodrës, Luigji ka qênë në Cetinë bashkë me Ismail Kemalin edhe 12 pikat e librit të kuq për autonomín e Shqipnís qi u lypshin atëherë n’emën të kryengritësvet, ata i kanë përpilue.

Luigji ka qênë njohun me Ismail Kemalin përjashta, ku ishin të dy t’arratisun. Bashkë patën zdrypun edhe në 1912 në Durrës ku u përgatit mbledhja e kuvêndit të Vlonës. Sekretar i këtij kuvêndi, ku un pata shkue si delegat i Krujës bashkë me ta, ka qênë Luigji. Pjesa shqipe e shpalljes së pamvarsís âsht shkrim i tij e tyrqishtja e dorës s’Ismailit. Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë e tij, jo sekretar me rrogë.  Âsht interesant nji anekdot, qi s’âsht shkrue ndonji herë. Ishim disa vetë në zyrën e kryetarit: ditt e para qi qe shpallë pamvarsija. Nuk mbaj mend si u ashpruen fjalët ndërmjet Gurakuqit e Xhemil Be Vlorës (Kuvêndi ka qênë mbledhun në shtëpí të këtij të fundit e atje ishte ende edhe zyra, a, mâ drejtë me thânë, salloni ku pritte plaku.) Xhemili e buer ekvilibrin e, si ishin mësue bejlerët me të krishtenët e Jugës në kohën e Tyrqís, lëshoi nji fjalë të rândë kundrejt Shkodranit, i tha “ushak”, tyrqisht, qi don me thânë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Gurakuqi me Ismailin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harem, te grát e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen nga brezi, e ruejna Zot pat me u bâmë nami. Mâ vonë i pajtoi Plaku. Ky, me gjithë qi Xhemilin e kishte nip, donte e çëmonte njiqind herë mâ fort Luigjin.

Gurakuqi qe zgjedhun prej kuvêndit ministër i arsimit. Sekretar i kryesís së këshillit ministruer, për nja tre muej e mâ tepër, s’e mbaj mênd mirë, kam qênë un.

Për sa i përket ideve të Gurakuqit mbi politikën e jashtme të Shqipnís, në dish gjâ për mue, s’ke nevojë me pyetun mâ gjatë : un jam nxânës i tij. Vetem se ai s’e ka pasun guximin t’em, tutej tepër, i shueti, prej demagogvet e gojkëqijvet. Faik Konica, qi s’mund t’a shihte me sŷ – se edhe këtij i a ka pasë  futun nji shkop (ishte moda me bartun zotnít shkopij aso kohe) në nji mbledhje në hotelin Kosova të Durrsit, ku ishem edhe un, nën Princ Wiedin – e qi dinte me i a gjetun gjithkuj nji ofiq, i a ka pasë ngjitun “miku i gjithkuj”, shi për nj’atë temperament qi kishte për mos me i a prishun qejfin askuj.

Në parlament ka qênë nji ndër liedert mâ të shquemit t’opozitës.

Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qênë kundrështar deri qi nuk qe vêndosun, ka luftue si luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen mâ vonë njâna mbas tjetrës. Por, mjerisht, mbandej, kur s’i eci mâ fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin.

Në vrasën e tij s’ka pasun kurrgjâ të misterët e prandej âsht kot qi të më pyetsh mue. Un kaq po të them: qi Luigj Gurakuqi âsht bâmë flí e panjohjes së shpirtit të pastër, të patrijotizmës së kulluet e të ideve politike të vërteta të tija. T’i kishin qênë njohun e dijtun këto të gjitha, ashtu si i kishte me të vërtetë, Luigji s’ishte vramë. Tý ndoshta këto fjalë të mija kanë me t’u dukun sibiline e s’ke me i kuptue mirë ; por s’ka gjâ, shënoi vetëm si nji gjykim historik, e dikur ke me i kuptue. S’e kam këndue shkrimin e Hyllit të Dritës, por puna s’âsht ashtu si e paske nxjerrë ti prej atij shkrimi. Italjanët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij : gjyq’i Tranit ka qênë nji shkandull e nji njollë qi s’i hiqet kurrë gjyqsís fashiste.

Asaj pjesës qi paske kopjue prej veprës Illyrisch-albanische Forscungen, të më falësh se nuk do t’i përgjigjem. E po të lutem, si për sa ka mbrênda ajo, ashtu edhe për tjera, me më bâmë kurdoherë pyetje të caktueme. Edhe dije qi fjalor’i im gjermanisht âsht tepër i vorfën, aqë sa s’ka frazë pa ndonji fjalë qi nuk e kuptoj, në çdo tekst qi marr me këndue. Prandej tekstet gjermanishte mbi të cilat don me më pyetun, dërgomi të përkthyeme shqip. Gramatikën e dij mjaft mirë e prandej, me ndihmën e fjalorit, kam mbërrîmë me përkthye krejt pjesën historike të vëllimit të parë të veprës qi paske ti. Un s’e kam, por e pata marrë hua.

Po ti si s’priton, bre burrë, me i shtimë vetes kujdes se kush i ka mâ tepër në shpirt e kush do t’i lajë mâ shtrêjt  n’atë jetë apo në këtê gjakun e të pafajshëmve shqiptarë e gjithë të zezat e bâme në Shqipní, a Slavët qi kanë dhânë drejtimet apo Shqiptarët qi i kanë zbatue në detaje?

Ajo historija qi qênka botue tash vonë në Graz po m’intereson fort. Por kallzomë mâ par’ e mâ dalë se sa bâjnë 160 shilingat me pare qi njohim të dy: p.sh. me lireta, fr. Zvicre a dollarë. Mbrapa shikoj xhepin e përpiqem, për n’i paça paret, me gjetun mënyrën se si me i çue. Tjetërkush s’âsht i marrë si ti e si un me shpenzue të holla për libra.

Me shumë shëndet e miqsí

 

MKruja

[1]  It. : “Gjaku i tradhtuem – marredhaniet shqiptaro-jugosllave – 1938-1949”

[2]  It. : “Shumë bajraktarë të Veriut (Luma, Krasniqja, Bytyçi, Mati, Gornji, Dibra) punojshin brez mbas brezi me Intelligence Service. (Zbulimi sekret anglez). Kështu, për shembull, në familjen e Haxhi Lleshit, âsht nji plak i cili, si shpërblim  për shërbimet qi i kishte bâ, dyzet vjet mâ pare, shërbimit informativ britanik, merrte çdo të shtunë nji dash e disa napolona qi i vijshin rregulisht prej vitesh, madje edhe gjatë ksaj lufte.”

[3]  Gjerm. : “Vetëm në Jugë te Toskët, të cilët në krahasim me Veriun ishin shumë më të zhvilluar, mund të vëreheshin prej kohësh nën bejlerët muhamedanë fillimet e një ideje t’ardhëshme kombëtare-shqiptare. Megjithatë, Toskët muhamedanë i përkisnin kryesisht sektit të Bektashijvet, i cili përfaqësonte një botkuptim liberal, dhe p.sh. nuk njihte një rregullim të marredhënieve sociale nëpërmjet fesë.  Aty dalngadalë mundi të formohej një ndërgjegje kombëtare, aty kishin lindur dhe shkollat e para shqipe të mbajtura nga vetë Toskët. Në pjesën tjetër të Shqipërisë, me pak përjashtime si disa në Shkodër, muhamedanët ishin indiferentë përkundrejt idesë kombëtare.”

[4]  Gjerm. : “Bashkësia e dytë islame është Bektashizmi, një sekt panteistik, i dalë nga një urdhër dervishësh. Si urdhër dervishësh, Bektashizmi e kishte origjinën në Azinë e Vogël por më pas,  ndoshta nëpërmjet një lidhjeje të ngushtë të themeluesit të tij, Bektashit, me Jeniçerët, i të cilëve ai ishte kleriku i pare, kaloi n’Evropë. Në të vërtetë Bektashi ndodhet i varrosur në një xhamí në pjesën evropiane të një lagjeje periferike të Stambollit. Prania e Urdhërit në Shqipëri dokumentohet që nga viti 1530. Me kalimin e kohës fitoi shumë simpatizantë ndër rradhët e feudalëve, të cilët nuk e mbshtetën vetëm financiarisht, por e ndihmuan të përhapej kudo kishte feudalë shqiptarë. Në Aliculi, një vend i vogël në Thesalí, i banuar kryesisht nga pronarë shqiptarë tokash, psh., që në shek.XVIII kishte një manastir të Urdhërit, dhe është fakt i njohur që dervishët, mbi të gjithë dervishët bektashinj, në kapërcyell të shek. XVIII gëzonin hyrje të lirë n’oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Ende sot jeta e dervishëve në Shqipëri është e gjallë (aktive) ; përkatësisht në pranverë, para ardhjes së nxehtësisë së madhe të verës, mund të shikohen kudo murgjër në shtegtim.

Kjo marredhënie intime me feudalët agrarë dhe jo më pak marredhënia me jeniçerët e shtynë Sulltan Mahmudin II më 1826 t’a shfuqizonte dhe t’a shtypte në mënyrë të përgjakshme urdhërin, por pa arritur t’a shfaroste përfundimisht.

Si në Azinë e Vogël, n’Egjypt – ku shtëpia e atyshme mbretërore është me origjinë shqiptare – ashtu dhe në rrethinat e Stambollit, urdhëri vazhdoi të ekzistonte. Zona kryesore e përhapjes së tij ishte Shqipëria me qendrën  në Krujë, ku dëshmohet të ketë ekzistuar që prej shek. XVI. Politikisht ai u shfaq në Shqipëri më 1920, në Këshillin e Regjencës për herë të parë u shfaq zyrtarisht një përfaqësues i Bektashizmit. Pasi që më 1928 u diskutua dhe shpallja e pavarësisë së bashkësisë fetare, kjo u përfundua më 1932. Numuri i simpatizantëve të tij mund të shkojë tek 100000 vetët.

Aqif Pashë Elbasani, një bashkëpuntor i ngushtë i Ahmet Zogut gjatë ditëve të Elbasanit më 1916 dhe më parë simpatizant i Princ Vidit, në Këshillin e Regjencës përfaqësonte përkatësisht Bektashizmin.

[5] Gjerm. : “Fuqitë e Mëdha dhe politika botërore prej 1789 deri në 1945”

Nëpërmjet fotografive historike të Excelsior – ngjitja dhe rënia e Princ Vidit nga froni shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Nëntor 2019

Gazeta franceze “Excelsior” e ka ndjekur nga afër ngjitjen dhe rënien nga froni shqiptar të Princ Vidit. Fotografitë e saj historike dhe ekskluzive Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Princesha Vilhelm Vid, e lindur princeshë Sofia e Schoenbourg-Waldenbourg-ut, gruaja e princit Vilhelm Vid, i cili sapo ka aplikuar për fronin e Shqipërisë.

Kjo është fotografia e fundit e princit Vilhelm Vid, kandidimi i të cilit për fronin e Shqipërisë është jashtëzakonisht serioz.Princi është me vajzën e tij.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, pamjet e të cilit i botojmë këtu, do të shërbejë si kryeqytet i përkohshëm i Princit Vid, sovranit të ri të Shqipërisë. Durrësi është tashmë kryeqytet i njërës prej qeverive aktuale. Ky qytet luajti një rol të madh në luftërat e fundit ballkanike.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Fotografia e fundit e Princ Vidit (+) në Berlin. Sovrani i ardhshëm i Shqipërisë po pritet në Romë. Ai do të niset me anije nga Trieste për në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne e dimë që Princ Vidi sapo ka shkuar në Romë përpara se të niset për në Shqipëri, vend i të cilit ai është sovran. Princi (1) pati një bisedë të rëndësishme me Markezin e San-Giuliano-s (2), ministrin e Punëve të Jashtme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi (+), sundimtari i ri i Shqipërisë, mbërriti mëngjesin e djeshëm në Paris, nga Anglia. Princi u nis në mbrëmje për në kështjellën e Neu-Wied-it, ku synon të qëndrojë disa ditë para se të niset për në Durrës. (Central-Excelsior-Foto.)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi është veshur këtu me uniformën e tij të re të gjeneralit shqiptar, të cilën do ta veshë gjatë hyrjes së tij në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi, pasi vizitoi carin në Shën Petersburg, u nis për në principatën e tij të Shqipërisë. Për ta mirëpritur atje nevojiteshin disa buçima (jehona), dhe që këto buçima ta nderonin, ishte i nevojshme një top; kështu që po transportojnë një të tillë për në Durrës, ku po përgatiten apartamentet e sovranit të ardhshëm.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi la kështjellën e tij të bukur Neuwied-it për të shkuar në Durrës ku, siç e dimë, ai do të ketë një akomodim më pak luksoz. Princi shoqërohet në Shqipëri nga një flotë ndërkombëtare që  e dallojmë këtu.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princ Vidi mori një masë të mençur paraprake para se të shkonte në Durrës. Ai u parapri nga mjeku i tij, doktor Berghausen (+), i cili ka si mision të vaksinojë shqiptarët. Kjo masë higjienike ishte, siç duket, shumë e nevojshme në një vend mjaft primitiv.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Princi dhe princesha Vid, ose për të folur më saktë, princi dhe princesha e Shqipërisë u nisën të enjten e kaluar për në Durrës, ku arritën pardje. Ata u nisën në bordin e « Taurus-it » me festime të mëdha. Ndërsa bateritë e bregdetit, skuadroni austriak dhe anijet e huaja luftarake po qëllonin në drejtim të qiellit, një turmë e madhe shtyhej për të marrë pjesë në këtë nisje (udhëtim) historike.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vidi I, mbreti i Shqipërisë, Princ Vidi, do të bëjë sot shpalljen e ngjitjes një fron para popullit të tij. Lexuesit tanë do të lexojnë më tej tekstin e kësaj shpallje. Dje morëm dokumentat e para në lidhje me hyrjen e sovranëve në Durrës. Ata u mirëpritën me një entuziazëm për të cilin kemi folur.Kjo është një faqe historike që botojmë këtu.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kjo fotografi tregon mbretëreshën e Shqipërisë dhe fëmijët e saj në mes të popullit të tyre të ri, në Durrës. Princat e rinj janë të rrethuar nga ushtarët të cilët kanë kujdestarinë (mbrojtjen) e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, i cili u arrestua me urdhër të mbretit të Shqipërisë, ka luajtur një rol kryesor në rrjedhën e luftës në Ballkan. Ne botojmë këtu dy fotografi të tijat, të shkrepura gjatë një distance kohore njëvjeçare : njëra e paraqet pas marrjes së Shkodrës, ku ai ishte një mbrojtës i madh ; tjetra ndërsa ai shoqëron Princ Vidin gjatë hyrjes së tij në Durrës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne e dimë se çfarë ngjarjesh të rënda po ndodhin sot në Shqipëri. Durrësi është i rrethuar nga rebelët myslimanë. Princ Vidi ka, për tu mbrojtur në kryeqytetin e tij, kontigjentin e marinarëve austriakë dhe italianë, i përbërë nga trupat malësore dhe mirditore.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, teatër i luftërave historike, ofron në këtë moment aspektin e një qyteti të rrethuar. Princ Vidi, në mes të trupave besnike, ende u bën ballë kryengritësve myslimanë, të cilët dëshirojnë ta detyrojnë atë të heqë dorë nga froni. Luftimet të përgjakshme, për të cilat kemi raportuar, janë zhvilluar në të gjithë qytetin.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrësi, gjatë këtyre ditëve të fundit të rrethimit, ofroi një spektakël të vajtueshëm. Rrugët ishin plot të plagosur, dhe, fare thjeshtë, u varrosën viktimat e luftimeve të fundit. Ne e dimë se situata e Princ Vidit është bërë shumë kritike dhe se Bib Doda, princi i Mirditës, është mbështetja e tij e vetme në vend.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptarët që kanë mbetur mbrojtës të fronit të prirur nga Princ Vidi u lejuan kohët e fundit të furnizoheshin me municione. Ne i shohim ata të furnizohen, gjë e cila u ka lejuar atyre të rezistojnë deri tani dhe falë furnizimit, Durrësi nuk ka kapitulluar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrës, 3 Shtator. Princ Vidi u largua në orën tetë të mëngjesit në bordin e anijes italiane Misurata, në drejtim të Venecias.

Flamuri kuq e zi valvitet në pallatin e qeverisë në Vlorë, ndërsa flamuri turk valvitet në kazermat e xhandarmëve, ku ndodhen kryengritësit.

Udhëheqësi i kryengritësve u dha konsullatave garanci në lidhje me rendin publik.

Kolonia evropiane është mjaft e qetë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E PESËMBDHJETË – D U H E T V E T M O H I M – Nga KOLË MIRAKAJ

 

 

D U H E T   V E T M O H I M

 

Kur tendencat, kuptimet e aspiratat janë të ndryshme, po gjithnjë kanë (o sëpaku duhet të kenë) një synim, për të mujtë me arrijtë në përfundim ndertues, sidomos, në raste e çaste kaq të vështira e me randsi si kjo e yna sot, – çeshtje jete ose vdekje për Kombin – asht kusht i domosdoshëm v e t m o h i m i. Por vetmohimi del i dobishëm kur vjen anasjelltas (reciprok), si përfundim i vullnetit të mirë të palëve, përndryshej nëse, vetëm njëpalë i shtrohet këtij kushti (sado të jetë e shtyme nga ndjenja e fortë e Atdhedashunisë ose e kuptimit ma të naltë se të tjerët), ndërsa, pala tjetër këte fryt virtyti të naltë nuk don ta çmojë, por don ta shfrytëzojë si ligshti, atëherë, vetmohimi unilateral (i njëanshëm), në vend të dobisë, del i damshëm për çeshtjën e vërtetë, ligshti e naivitet për viktimën, sëpse, jep rasën të shfrenohën krejtësisht njerzit që nuk kanë vetdijen (bounsensin) e përgjegjësisë.

Né ua kemi ofrue pa ngurrim e vazhdimisht vetmohimin tonë në kuptimin anasjelltas, në interesin e përgjithshëm, e për këtë jemi gati përherë, por kurrë nuk e kemi gjetë mirkuptimin as në masën ma të vogël ndër të tjerët; e nëse, kujtuem, se e gjetëm ndonjëherë, si ndër rastet që kam shenue, të bisedimeve me Mit’hat Frashërin e tjerë, nuk zgjati kurrë matepër se pak orë. Nuk u vue kurrë në veprim.

***

Kur deshtuen përpjekjet e para (1945), patën kenë sjellë sytë e shpresat e të gjithëve né tek Mit’hat Frashëri. Besojshim se Ai, do të kish kenë njeriu i kohës e në naltësi për të afrue e përpunue mendime dhe frenue pasjonet. Rreth Tij shpresojshim se mund të përqendroheshin forcat kombtare në mërgim dhe pritshim, që kjo nevojë kombtare të realizohej porsa të lirohej Mit’hat Frashëri.

E them me dorë në zemër e pa as ma të voglën hile (dredhi), se lirimin e të ndjerit Mit’hat bej, e patëm pritë si ardhjën e njëfarë “Mesije” të kohës. Iu drejtuem si një babe; dhe pohoj, se tue bisedue me Té, atypëraty, sejcili nesh u nda i knaqun e me shpresa të mira prej Tij, por fatkeqsisht – siç asht provue prej fakteve -, të gjitha u zhytën përherë në pellgun e obstrukcionizmës mbrenda pak kohe.

Tashma, asht e kjartë se, simbas mendimit të Mit’hat beut (një mendim jo i Tij i pavarun, po i nënshtypun ma tepër nga rrethi i Tij, dhe i manovrimit të errët mbas perdes), disa prej nesh duhej ta quejshim vetën “fajtorë e të vdekun përsëgjalli”.

Do ta kishim pranue edhe këte vetflijim suprem, – si detyrë ndaj çeshtjes së madhe e t’ ankthshme t’ Atdheut -, sikur të kishim bindjen ma të vogël, o sëpakut dyshimin se jemi vërtetë fajtorë, të pakten sa të tjerët, për fatin e zi t’ Atdheut. Por meqë faktet janë të kundërta, të cilat, provohën në pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve, se shumë e shumë ma fajtorë se né janë të tjerët, ata që deshrojnë vetë të tregohën engjëj, e né të na paraqesin si dreqën, therorija unilaterale e jona jo vetëm, nuk do ti sillte ndonjë dobi çeshtjes, po përkundrazi, dam e dam të madh. E né do të bajshim edhe në faj e krim kundër vetvetes e fëmijëve tanë.

Një akt i tillë nga né, do ti shëmbëllente supozimit – të thomi – sikur nga dy vllazën, njeni i matun e tjetri kryekcyem, kryekcyemi i ka dhanë zjarrin shtëpisë, e mandej, me kërcnim i thotë vllajt t’ urtë : “Ti e dogje shtëpinë. Pohojë!” Nëse tjetri do ta bante këte pohim, në vend që të sjellë dobi, do të inkurajonte kryekcyemin, ti fusë zjarrin edhe kësollës njëditë që do ti binte njëtjetër trill çmendije!

Jo, vetmohimi unilateral nuk sjellë dobi, kur nuk gjenë mirkuptim e të njajtën ndjenjë edhe n’ anë tjetër; përkundrazi sjellë rrënim. Ketë nuk mund ta bajmë kurrë! E jo, vetëm për fajin që do të bajshim ndaj vetvetes, po sëpse, do të bajshim faj edhe vetë kundra Atdheut e Popullit Shqiptar.

Kujtojmë, dhe kemi bindjen se, nuk mund të jenë të tjerët ma të lidhun shpirtnisht as materialisht me Kombin se né, as që të jenë në gjendje me u vetflijue ma tepër ose me veprue ma me mend e ma mirë se né për Popullin Shqiptar; dhe as që të përfaqsojë e të shprehin ndjenjat e nevojët e Tij. Sëpaku, e kaluemja e të dy palëve dëshmon të kundërtën, e për të ardhmen askush nga të mërguemit nuk mund të shprehet me siguri, në mos kjoftë nga ata mendjelehtët që ngrehin kështjella n’ ajr!

Gjykimin ka për ta dhanë Populli Shqiptar në të ardhmën, e vetëm, Atij i përket kjo e drejtë!

***

Tashti, mbasi mbaruen e shkuen huq “qorrfyshkët” fashizëm e kolaboracionizëm, ka dalë teza “Për program e konservatorizëm”, ose ma mirë shprehët: “Reaksionarë”! “Bloku Kombëtar nuk ka një program, por asht një grup reaksionarësh konservatorë” – thonë këto kohët e fundit -, kurse, të tjerët paraqitën me dekalogë, programe e reforma progresive të shkrueme, a thue se gjithshkafja tjetër asht krye!

Mbi programin e Blokut kam folë shkurtimisht, e nuk e ndjej nevojën të zgjatëm ma, por nuk më duket pavend të pohoj se, nëse konservatorizëm o reaksionarizëm don të thotë: “Me ruejtë të papërlyeme virgjinitetin e tharmit (esencës) së shpirtit Shqiptar, për ta shartue me qytetnimin modern, atëherë, né vërtetë jemi konservatorë e reaksionarë. Por, këte pasuni të Kombit, të rracës trako-ilirjane, e cila shprehet në zakone Shenjte, si Nderi, Besa, Burrnia, urtësija, trimnia, vetmohimi, jeta familjare fisnike edhe kur në vobegsi, bashkjetesa socjale me dinjitet të gjithpalshëm e kuptim njerzor, krenari e pervujtësi të përputhuna me fisniki, dhe mikpritje burrnore dhe e pashoqe për mikun e anmikun e tjera, né do ta ruejmë, do ta konservojmë me të gjitha forcat e shpirtit, e lè të quhemi mandej konservatorë, reaksionarë, në daçin edhe fashista, e do ta ndjejmë veten krenarë të jemi të tillë konservatorë, të tillë reaksionarë e edhe të tillë fashista.

 

BASHKATDHETARË!

 

Nuk duhet harrue se revolucioni bolshevik i Enver Hoxhës e Mehmet Shehut me shokë, vërtetë e ka sjellë në tragjedinë ma të zezë kombin tonë, por njëheri, ka sjellë edhe në zhdavaritjën e turbullinave mendore demagogjike. I ka hapë sytë e pjekë gjykimin Popullit që ka pësue martirizimin, e sigurisht, e ka pjekë, të dijë me ndjekë rrugën e vërtetë të interesit e jetës së Tij Shqiptare. Mos të mendohet se procesi që asht zhvillue e vazhdon të zhvillohet nëpër këte tragjedi, mund të nxjerrë në dritë punë të reja e njerzë të rijë që né, as nuk na e pret mendja!

Kushdo, që mendon të kthehet në Shqipni me mendimet e para Nandorit 1944, ai i bie ndesh korrentit (rrymës), i cili patjetër e përmbysë dhe e vé përpara.

Detyra ynë në mërgim asht me krijue konditat e favorshme për shlirimin e Atdheut nga tiranija bolshevike, e mbasi të kthejmë n’Atdhe, jo, me vue në veprim pasjonet e epshet tona, tue i ra ndesh rrymës, po, me u përpjekë me e kanalizue rrymën në drejtimin ma të dobishëm kombtar, për të ardhmën e Atdheut, tue zbutë pasjonet, tue u përpjekë me zbutë e ndalue hakmarrjet e ndasitë që ka shkaktue rregjimi djallzor i Enver Hoxhës. E kjo duhet me sa ma pak viktima të jetë e mundun!

E kjo, duhet me pasë kuptimin njerzorë e atnor, sidomos, ndaj RINISË; sidomos asaj pjese të Rinisë që asht komprometue, tue pasë përqafue idenë e Moskës në mirbesim.

Askush ma tepër se unë e kolegët e mijë, nuk ka arsye me pritë këthimin në Shqipni me mllefin e hakmarrjes; askush ma tepër se né që na janë shkimë trojet e gati shue familjet nga sikarët e Enver Hoxhës; se né që kemi dhanë gjakun e jetën e bijve, vllazënëve, kushrijëve e dashamirëve tanë në luftën e rrezistencës, për të mbajtë gjallë frymën e Lirisë. Askush nuk ka ma të drejtë se né, me marrë vendin e akuzatorit, kundra atyne që bashkpunuen verbsisht me bolshevizmin e të tjera korrente, derisa i sollën Kombit fatin tragjik që pësoi. Askush ma tepër se né, nuk ka të drejtë të bajë pjesën e prokurorit në këté gjyq fatal të historisë; se né që me kohë e ma të parët, dalluem rrezikun mortar të bolshevizmit, që lshuem të parët e në kohën ma të përshtatëshme kushtrimin kundër këtij rreziku; që filluem luftën të parët dhe shprazëm fishekun e fundit kundër tij, dhe sot, vazhdojmë me të njajtën bindje e pakonfuzjon ta luftojmë; kurse, të tjerët nuk patën dritën e arsyes as me e pa në kohë rrezikun, as me e dallue mirë até, as me e luftue në kohë, e si duhej. Megjithketë, Atdhedashunia që e kemi të zieme  me zjarrin e vetflijimit epror, me gjakun e Atyne që kjenë drita e syve tanë, na urdhon të shuejmë pasjonet e të drejtat, e mbi ato të vemë dobinë eprore të Kombit: MIRKUPTIMIN E VLLAZNIMIN!

Prandej, rrimë me dorë shtrij Shqiptarisht, edhe drejtë të gjithë atyne që mund të kenë gabue në mirbesim, kjofshin këta në mërgim, ose edhe n’ Atdhe.

Nuk më mbushet mendja të ketë Shqiptar me mend e vullnet të mirë, të mos i jetë neveritë deri në të vjelltë, gjendja absurde e e turpëshme e këtij emigracioni, tue shpifë, sha e akuzue njenitjetrin, tue shkaktue në këte mënyrë shpartallimin e forcave kombtare antikomuniste; e njëherit, tue i zgjatë jetën tiranisë s’ Enver Hoxhës e martirizimin e Popullit . E jo, vetëm kaq ! Po njëherit, tue ba edhe lodrën e anmiqëve të jashtëm, që kanë kërkue përherë të na paraqesin si një popull barbar e mercenarësh, gati me iu shitë kujtdo, pa ideal, pa ndjenjë Atdheu, e prandej, edhe të pa denjë për vetqeverim. Nuk ka armë ma të mirë që mund tu epet në dorë anmiqve të Shqipnisë, sesa ajo që po ua japin disa shqiptarë, tue ba njenitjetrin tradhëtarë, të shitun!

Të gjithë tradhtarë? Të gjithë të shitun ? Vajhalli!..

Mjaft ma! Për hir’ t’atij Populli fatzi që po martirizohet e shkrihet si qiri nën flakë, në rrjedhim – në pjesën ma të madhe – të kryekcyemjeve e foshnjerive tona! Mjat ma! Për hir’ t’atyne fëmijëve që presin prej nesh t’ ua lamë një Atdhe, nji votër e pasuninë shpirtnore që na lanë né të Parët!

Mjaft !

Nuk ka njeri të natyrës njerzore që nuk gabon gjithë jetën e tij.

Të gjithë mund të kemi gabue. Por kur gabimi nuk bahet me qellim, e aq ma tepër kur gabimi rrjedhë nga qellimi i mirë e desinteresi përsonal, jo, nuk asht as nuk mund të quhet tradhëti!

Nuk duhet të ketë, e uroj të mos ketë Shqiptarë të përgjegjshëm para ndërgjegjes së vet, para kuptimit ma elementar të jetës, që të bahet vullnetarisht, ose ma mirë të them me vetëdije, vegël e anmikut të Atdheut për interesa përsonale; çka do të ishte vërtetë tradhëti.

Nuk due të mbroj as të akuzoj në këte kuptim, për hatër o për inat; por logjika e ndërgjegja ime nuk më lejojnë që me gjakftohtësinë e mendjes së ekuilibrueme, të quej thjeshtësisht tradhëtarë as edhe vetë Enver Hoxhën e Mehmet Shehun. I quej të verbët këta (edhe disa të tjerë); mund ti quej edhe kriminela e ftyra njerzish me shpirtë bishash t’egra, po jo tradhëtarë. Edhe ndër dejt e atyne vlon gjak Shqiptari, por nuk dijnë se çka bajnë; prandej, ma tepër se mllef e hasmëni, duhet të kemi dhimbje e mëshirë për ta!

 

P Ë R F U N D I M

 

BASHKATDHETARË VULLNETMIRË!

 

Gjaja ma shumë e guximëshme në politikë asht: Me profetizue!

Edhe unë, nuk e kam guximin të profetizoj, por due të përfundoj këte dokumentarë me parapamjet (prospektivat) logjike:

Detyra ynë, dhe e të gjithë Shqiptarëve të mërguem politik, si edhe e të gjithë Shqiptarëve të shpërndamë në Botë, ku, mund të flitet dhe veprohet lirisht, asht një e vetme e përcaktueme: Me i shtrij dorën vllaznisht shoqishojtë, për me arrijtë qellimin kryesor dhe të Shenjtë, “SHLIRIMIN E ATDHEUT NGA TIRANIJA BOLSHEVIKE !” dhe, sjelljen e Lirisë së plotë Popullit, që Ai vetë të mundet me zgjedhë ndërgjegjshmënisht fatin e Tij për të ardhmën.

Të gjitha çeshtjet tjera i duhën lanë kohës së ma vonëshme.

Kush vepron të kundërtën, gabon e ban faj sakrilegj!

E kam thanë që në fillim, e po e përsëris me ankth, se ka me na u dashtë me përballue në shumë ballna luftën për mbrojtjën e interesave legjitime të Kombit. Nuk asht problemi vetëm me shporrë qafet tiraninë e sotme e me vendosë një rregjim lirije, po asht detyrë edhe me sigurue integritetin toksor dhe Pavarsinë.

Mos harroni se jemi përballë pretendimëve greke që synojnë me na grabitë edhe Korçën e Gjinokastrën, pa të cilat nuk ka kuptim as jetë një shtet Shqiptar, dhe po të ngjiste ajo tragjedi, mbrënda pak vjetësh, grekët do të zhbijshin çka asht Shqiptar, ashtu siç i kanë zhbijë mase treqindmijë Shqiptarë në vilajetin e Janinës, mbas luftës ballkanike e mbas Luftës së Parë Botnore, dhe siç po zhbijnë tashti Shqiptarët e Çamërisë.

Po kje se, në ditën vëndimtare, që heret a vonë do të vijë për fatet e njerzimit, e që ajo ditë mund të jetë shpëtimtare ose edhe fatale për Kombin Shqiptar, na nuk do të gjendemi të përgatitun – mbarë Kombi – njëzani e njëmendimi veprimi, po gjendemi të shpartalluem siç jemi sot, tue i ra kush thumbit kush patkonit, nuk kemi për të kenë në gjendje me krye misjonin tonë si mërgatë politike antikomuniste, si dhe për mbrojtjen e të drejtavet kombtare, po, do të përdoremi si vegla. Mish për topa!

Në kjoftëse, me të vërtetë e duem Atdheun, dhe duem të jemi të përgatitun me dhanë kontributin tonë (të mundshëm), për shpëtimin e Popullit Shqiptar nga tirania bolshevike, duhet të ndrrojmë rrugë, duhet të ndrrojmë mendjen. Duhet vullnet i mirë e vetmohim. Pa vullnet të mirë, pa vetmohim e besim anasjelltas, nuk mund të vijë Bashkimi, e pa bashkim, nuk përbahet forca, as morale as materjale për me mujtë me i shërbye çeshtjes Kombtare që duhet të përfaqësojmë.

***

Bota e sotme asht e ndame ndër dy fronte antagoniste. Të gjithë gjastë janë se në mes të dy ekstremeve (heret a vonë), ndeshja asht e pashmangshme. Përfundimi i kësajë ndeshje (që na e urojmë të sjellë triumfin e Botës së Lirë e të drejtësisë, për të gjithë popujt) ka me caktue fatin e njerzimit, ndoshta, për shekuj e njëherit edhe fatin e Shqipnisë.

Na përket né, që me vetmohim, mendje dhe përpjekje të vazhdueshme, të kontribojmë me i sjellë Vendit fat të mbarë, tue hy si përfaqësi kombtare në rradhën që i përket një kombi të martirizuem, e jo, të mbetemi si jemi sot, me fraksione skuthëkëqija për me u përdorë vegla për interesat e hueja, si limoni që shtrydhet e mandej hidhet.

Vegla?  Po, vegla do të bahemi dashtë e padashtë, po të shprazim edhe një fishek të vetëm kur të pëlcasë vullkani, po nuk patëm sigurue me protokole të nevojshme të drejtat e Shqipnisë.  Vegla të verbëta do të jemi, po të shprazim një fyshek me rrëzue rregjimin e Enver Hoxhës, pa pasë sigurue paprekshmëninë e tansisë toksore e të Pavarsisë Shtetnore.

E ky rrezik asht i dukshëm që tani, po kje se, ajo ditë na gjenë siç jemi sot: Grupe meskine grindavecësh e jo, Trup Kombtar.

 

VLLAZËN SHQIPTARË!

Qellimi kryesor i këtij vllimi, asht me vue në dukje rrezikun që na kërcënon e që përmblodha në këta rreshta të fundit. Lexoni këte vllim me vëmendje e pa pasjone anësije e partijake, e kështu, mund të nxirrni përfundimet e logjikshme me dhanë gjykimin e drejtë. Me zbulue të vërtetën kristale të ngjarjeve, të përpjekjeve, të përgjegjësive e meritave.  Mendoni e veproni me vetëdije e përgjegjësi vehtjake dhe kolektive!

ATDHEU ASHT NË RREZIK !

Mos lejoni që një grusht njerzish të verbuem nga egoizma meskine të parrëfyeshme, o nga trubullina e mendjes së keqe, të pengojnë ma përtej bashkimin e përgjithshëm të forcave kombtare antikomuniste për shpëtim t’ Atdheut. Ti lamë pasjonet, ti lamë kryekcyemjet e lè të jetë për të gjithë një KRYEFJALË:

                                       “A T D H E U  M B I   T Ë  G J I T H A !”

 

Frascati, Mars 1951.                              Kolë Mirakaj

VETVRASJA E NJË KOMBI – PJESA E KATËRMBDHJETË – MARRVESHJA SHQIPTARO – MALAZEZE – Nga KOLË MIRAKAJ

MARRVESHJA SHQIPTARO – MALAZEZE

 

Rreth dy muej a tre maparë (kujtoj kah fundi i gushtit), ish ministri Mark Gjomarkagjoni, kishte fillue kontaktet e bisedimet me Komandën e Çetnikëve të Malit të Zi (niciativa kishte ardhë nga malazezët), për të mujtë me arrijtë në marrëveshje për një front të përbashkët antikomunist.

Në vazhdim të këtyne bisedimeve, Marku kishte shkue në Mal të Zi me bisedue me Vojvodën Pavle Djurishiq, e tue u kthye për Shkodër i përcjellun prej Djurishiqit me dy kamjone ushtarë malazezë, për ta përcjellë kapidanin shëndoshë për në kufi, si asht zakoni i malësorëve e malazezëve, pak metra pa arrijtë kufinin Shqiptar t’ atëhershëm, në fushë të Tuzit u shprazën pushkë prej një pritet katërdhjetë vetësh, ku plagoset Pavle Djurishiqi, që ishte n’ automobil të Kapidanit, përkrah Tij. Çetnikët kishin zbritë për të vendosë mitrolozat e mortajat, por Marku, i lutet Djurishiqit t’ japë urdhën që të mos shtijë kush me pushkë e të kthehën mbrapa malazezët, mbasi plaga ishte e lehtë e tjetër dam nuk kishin.

“Nuk duhet të futet pushka në mes Shqiptarëve e malazezëve në këte kohë, se ky atentat duhet të jetë manovër e komunistëve, për të na ba të pamundun qendresën e të dy palëve, tue u vra né në mesin tonë” – i kishte thanë Kapidani. Djurishiqi, u bind e ndaloi zjarrin dhe u këthye mbrapa. Arrijti Kapidani në Tuz me tre-katër vetë të vetët, mori vesh se mbas pritës së parë kishin kenë edhe rreth gjashtqindë vetë Hot e Grudë, të ndërsyem nga një përsonalitet i naltë i shtetit, se gjoja, Kapidani, asht tue ba përpjekje me i lëshue ata krahina në dorë të Malit të Zi. Ky atentat u ba shkak e shtyni përfundimin e marrëveshjes.

Ma në fund, me 21 nandor, arrijti në Shkodër dërgata e Malit të Zi, e kryesueme nga Dr. Av. Luba Vuksanoviç, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Malit të Zi (me cilësi kryeministri); ngarkue me Punët e Mbrëndshme,  me Punët e Drejtsisë, me Punët e Financave dhe Komandanti i Gjendarmërisë, adjudanti i parë i Komandantit të Çetnikëve të Malit të Zi (vojvodës Pavle Djurishiq), që përfaqësonte Djurishiq-in përsonalisht.

Prej anës Shqiptare, Komanda e Përgjithshme ngarkoi: Xhelal Bushatin e Kolë Mirakaj,  n/komandant të përgjithshëm të forcave t’ armatosuna kombtare të Shkodrës, e Tahir Kolgjinin, Prefekt i Shkodrës. Bisedimet u zhvilluen në salonin e Këshillit të Prefekturës, dhe mbrënda ditës përfunduen të përmbledhuna dhe të shkrueme në gjuhët shqip e serbisht në protokolin si vijon, e që asht nënshkrue nga të dy delegacjonet në dy kopje origjinale:

 

PROTOKOL:

 

Përfaqsuesit e Malit të Zi dhe të Shqipnisë, të deleguem rregullisht nga autoritetet në fuqi të të dy vendëve, arrijnë në akord të pranuem nga të dy palët, përfundimisht përsa vijon:

  1. I) Kufinjtë e tanishëm në mes të dy vendëve dhe zonat neutrale, do të respektohën deri në Konferencën e Paqës. Në Konferencën e Paqës, të dy palët janë të lira me paraqitë rivendikimet e tyne nëse ky problem, nuk do të jetë zgjidhë me marrëveshje miqësore e direkte nga qeveritë Jugosllave dhe Shqiptare.
  2. II) Vendimit të Konferencës së Paqës do t’u rrijnë të dy palët.

Të dy popujt fqinjë marrin angazhim mos me tentue dhunimin e gjendjes së tanishme toksore me forcë.

III) Fuqitë nacionaliste Shqiptare dhe fuqitë çetnike-nacionaliste Malazeze bajnë kauzë të përbashkët luftën antikomuniste, dhe detyrohën tu shkojnë në ndihmë njena palë tjetrës, kurdo që të ftohën.

  1. IV) Nëse forcat Shqiptare do të kalojnë në Mal të Zi, ata vehen automatikisht nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Çetnikëve të Malit të Zi, z. Pavle Djurishiq.

Nëse forcat çetnike kalojnë në Shqipni, vehen nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të fuqive nacjonaliste Shqiptare, z. Mark Gjomarkagjoni. Ushqimi i ushtrisë mike, i ngarkohet komandës së vendit ku veprohet.

  1. V) Ushtritë që lanë vendin e vet për të ndihmue vendin tjetër mik, kanë fakultetin të tërhjekin me vete familjet e veta dhe të tjera, që nuk dishrojnë të bijën në dorë të komunistëve. Edhe për ushqim e banim të familjeve, njëkohësisht merr barrën komanda e vendit mikpritës.
  2. VI) Po u konstatue se nuk jep fryte strategjike për tani sulmi nga Mali i Zi, fuqitë çetnike të Malit të Zi të komandueme nga vojvoda Pavle Djurishiq, do të kalojnë menjëherë në Shqipni për tu vue në dispozicjon të Komandantit të Përgjithshëm të forcave nacionaliste Shqiptare, princit Mark Gjomarkagjoni.

VII) Fuqive të Malit të Zi që prej kufinit Shqiptar e deri në Shkodër, do tu prijë një përfaqësi Shqiptare e ngarkueme zyrtarisht nga Komanda e përgjithshme (vazhdojnë nënshkrimet e dy delegacjoneve).

Origjinali shqip i kësaj marrëveshtje, i kje lanë në ruejtje një instituti fetar në Shkodër, bashkë me letrat e majorit Neell, që janë përmendë maparë.

Ndoshta malazezët i shtynte nëvoja me pranue e firmue një akord të këtillë, sidomos, të pakandshëm për ata, përsa i përkiste çeshtjes së kufinjëve,  meqë kjo përfshinte edhe Tokët e Lirueme të vitit 1941, deri në kufi me Serbinë, por nga ana tjetër kishte nder ta edhe njerzë me vullnet e kuptim të mirë që me të vërtetë dëshironin me i vue kapak së kaluemes me Shqiptarët, e me fillue një jetë paqësore të një fqinjësije miqësore.

Këtë ndjenjë e kam konstatue me kohë tek Dr. Luba Vuksanoviç, qyshë se kam kenë rrefugjat në Jugosllavi (1926-32). Ai kishte marrë titullin “Avokat i arnautëve” (arnautski advokat), e në rasën e këtij protokoli, atë ndjenjë kam pasë rasen ta konstatoj edhe tek ndonjë tjetër prej shokëve të Tij, sidomos, tek Dr. Vujoviçi (Komisar i Financave).

Ishin dymbdhjetmijë çetnikë nën komandën e Djurishiq-it, t’armatosun fort mirë e me municion të konsiderueshëm.

Gjon Markagjoni, Mato Murati dhe unë, u ngarkuem me mision për zbatimin e marrëveshjes, për të sjellë çetnikët në Shkodër.

Me 22 Nandor arrijtëm në Tuz. Komanda gjermane na ndaloi aty, e për dy ditë nuk na lejoi të takohemi me Djurishiq. Me 24 në mbramje të përcjellun nga dy oficera S.S., që morën pjesë në bashkfjalim, arritëm në qendrën e kuartierit të vojvodës Djurishiq.

Djurishiq na deklaroi se kishte marrë urdhën nga Ministri i Luftës gjenerali Mihajloviq, për tu tërhjekë së bashkut me gjermanët deri në Sanxhak, dhe prej andej së bashku me Mihajloviq-in, do të niseshin kah Dalmacia, për tu bashkue me fuqitë angleze që do të zbarkonin nga deti e ajri. Na deklaroi se i rrinte besnik protokolit, por në rrjedhim t’ urdhnit epror, nuk mund ta aplikonte tashpërtash. Na propozoi për të tërhjekë fuqitë Shqiptare e së bashku me té, të bashkohemi me Mihajloviq-in tue na premtue gjithë ndihmat e nevojshme nga Jugosllavia çetnike, për të lirue Shqipninë, në rradhë mbas Jugosllavisë.

Nuk mund të dij nëse vërtetë e kishte atë urdhën prej Mihajloviq-it a po kje i shtërnguem prej gjermanëve, pse ndoshta, dyshojshin se mos po u vëmë pushkën mbas shpine Shqiptarë e Malazez së bashku, për të fitue simpatinë e Aleatëve, a po e bani ai në kokë të vet këte mungesë ndaj protokolit, nga shkaku i klauzolave që i përkitshin kufinit. Dij vetëm, se nga përsonalitete politike malazeze që kishin nënshkrue protokolin, e edhe të tjerë si Djurishiq, kje mallkue atëherë e mbasandej.

Që prej atij çasti, vendosëm të presim marrëdhaniet me Mal të Zi. Do të shihni pak ma vonë sesi né disa Shqiptarëve, kjo marrëveshje për pak na kushtoi me jetën në Zagreb. Edhe Djurishiqi e pagoi me jetë këtë gjest të gabuem, tue tërhjekë në rrjedhen katastrofike të gabimit të tij, mija luftarë malazezë me pleqë e gra.

Në Vishegrad u nda me gjermanët dhe nuk mujti të takohet as me Mihajloviq-in. Zbarkimi anglez që duket vërtetë u ishte premtue, (ketë kam pasë rasë ta ndigjoj edhe në mërgim) nuk u ba fare.

Ma së fundit u shtërngue të kthehet tek gjermanët, për të hy nën mbrojtje të tyne me 150 oficiera, dhe la në fatin e zi të tyne rreth 15.000 çetnikë, me pleqë, gra e fëmijë. Kjo ngjau në javën e fundit të Janarit 1945.

Gjermanët e përcollën Djurishiq-in me 150 oficierat në Vjenë, nën kujdesin e pak ushtarëve. Në një stacion të trenit, pa mrrijtë në Zagreb, i kishte pritë koloneli kroat Max Ljuburiç, Komandant i Divizjonit të Këmishave të Zeza Ustashe.

Ua mori me përdhuni gjermanëve dhe i pushkatoi të gjithë aty. Kështu i erdhi fundi vojvodës Pavle Djurishiq me armatën e tij çetnike.

Mund të thohet tani: Si keni pranue Ju, me bashkpunue me Djurishiq-in e çetnikët e tij, tue pasë dijtë planin e Mihajloviqit dhe masakrimet në Bihor? E kam thanë “politika asht arti i mundësive”: Me përfitue çka të jetë e mundun. Nuk i kishim harrue ato për të cilat vuna pikpyetjën. Jo! Por tue përfitue nga nevoja që kishin çetnikët e Malit të Zi të tërhiqeshin për ti përcjellë për Greqi né me forcat tona, tue i shtue edhe 12000 malazezë t’ armatosun fortmirë, viheshim në gjendje me sulmue drejtëperdrejtë Tiranën, dhe njëherit me shpartallue brigatat komuniste ndër krahinat e Veriut. N’ anën tjetër, shtijshim në dorë një dokument protokolar me vlerë të naltë të së Drejtës Ndërkombëtare, për kufinjtë e arrijtun në Prill të 1941. Atë dokument që përmenda maparë.

 

LËSHOHET  SHKODRA

 

Në kohë të bisedimëve që u përmendën me malazezët, kryetarët e Ballit Kombtar e të Legalitetit me pak njerzë të vetë, ishin nisë për Tivar e Ulqin, nga do të niseshin për në Itali me një barkë që kishin ble nga gjermanët. Njerzit e tyne që i kishin lanë mbas, e në fat të vetë, i kishin ndalue te Ura e Buenës, e vetëm, ndërhymja e shpejtë e komandantit Mark Gjomarkagjoni, që porsa u lajmërue se disa djelmoça ishin nisë për tek Ura e Bunë dhe ishin ndalue per me i vra ata krenë n’ udhëtim, dërgoi me ngut kryetarin e policisë kolonel Mato Muratin, me kamjona forcash të armatosuna, e mundi me ndalue një tragjedi të përgjakshme e të shëmtuet.

Mavonë, këtu në mërgim nuk munguen akuzat kunder Mark Gjomarkagjonit dhe né të tjerëve, për atë komplot…(!) kundër krenëve të Ballit Kombëtar. Një zonjë fisnike, madje pat guximin, jo vetëm me më akuzue mue e shokët ndër sy, po arrijti edhe me namë shpirtin e Mark Gjomarkagjonit, mbasi ky Hero, kishte ra Deshmor me Flamurin e Lirisë në gji, në fushën e Nderit në vitin 1946.

Zonja nuk kishte faj pse ashtu ua kishin mbushë koken asajë e shumë të tjerëve… propaganda amorale dhe antikombtare e ekstremistëve të Ballit Kombëtar.

***

Me 25 nanduer 1944 Mark Gjomarkaj ishte lajmrue nga burime serioze, se komanda gjermane kishte arrijtë në marrëveshje me komunistët me çarmatosë Markun me forcat e Tij, me ua dorzue komunistëve, e ata mos me shprazë pushkë kundër ushtrisë gjermane në tërhjekje.

Nuk dihet në se ky akord kje a po jo, në të vërtetë, por Marku e kishte quejt të nevojshme me e lanë Shkodrën përkohsisht, dhe ishte nisë me të gjitha forcat për Kastrat, për të pritë fuqitë çetnike që kujtonte se atëditë, ose të nesërmën  do t’ arrinin të drejtueme prej nesh që ishim ngarkue me ketë punë. Kështu Ai, pa vue në dijeni Komandën gjermane, me 25 nandor në mbramje ishte nisë për Koplik. Fuqitë e komandës së Shkodrës përbaheshin nga njerzë prej të gjitha viseve të Shqipnisë.

Dështoi plani i veprimit në bashkëpunim me malazezët, dhe u lëshue Shkodra për arsyet që u thanë, atëherë Kapidan Gjoni e unë, i kërkuem komandës gjermane në Podgoricë, nëse lejonte që edhe fuqitë tona të ndjekin fatin e tyne deri në Sarajevë, e mandej, me na nisë për Vjenë si refugjat. Gjenerali komandant e pranoi kërkesën tonë, dhe na premtoi të njajtin trajtim për atë pakicë ushqimi që do të kishte ushtria gjermane, si dhe vumjën e pleqëve ndër kamjona ushtarakë.

Lajmëruem Markun e i kërkuem me ardhë për Tuz me të gjithë ata njerzë që të donin të ndjekin këte fat vullnetarisht. Na dërgoi Nduen (vllanë e tij) që ti gjendet pranë babës plak. U kish deklarue oficerëve e ushtarëve se janë të lirë të zgjedhin rrugën e mërgimit, ose rrugën e maleve, e që në këte të dytën i priste vdekja me nder.

U kishte thanë – një pjesës – “Kush të dojë vullnetarisht me ardhë me mue, per Veté kam zgjedhë RRUGEN E VDEKJES ME NDER E ME FLAMURIN E LIRISË NË DORË!..”

Shumica zgjodhi rrugën e vdekjes mbas “KAPIDANIT TË RI”!..

***

Kapitulli i parë mori fund, për me i lëshue vendin kapitullit tragjik por lavdiplotë të Rrezistencës ndër Malet e Shqipnisë, që vazhdon me i lagë prap me gjakun e pastër të Herojëve të Malëve: Një kundër njëmijëve!

***

Mos u çuditni o bashkatdhetarë, nëse kur u ndigjue vdekja e Këtij Heroi, që për dy vjetë e mbuloi me lavdi e së fundit me Gjakun e Tij të pastër Flamurin e Shenjtë të Lirisë, ndër Malet kreshnike të Atdheut, mos u çuditni, jo, nëse në kamp të refugjatëve n’ Itali, u “pij raki për shyqyr”! U pij prej asish…që né dhe Mark Gjomarkagjonin na quejnë “nënshqiptarë”, ndërsa, vetën e tyne “flamurtarë të patriotizmës”.

E pritën “disa” lajmin e kësajë humbje kombtare – kujtoj – ma me gëzim se të kishin ndigjue atë ditë që: “Enver Hoxha e Mehmet Shehu, i shpërthyen plancat shoqi-shoqit”!..

 

DREJTË  FATIT  TË  ERRTË

 

Me 28 nanduer 1944 në mbramje, lamë kandin e fundit të Atdheut për me marrë rrugën e mërgimit të zi; u nisëm nga Tuzi disa qinda Shqiptarë, dhe mbas gjashtë javësh nën bombardime e mitralime të përditshme të aviacionit anglo-amerikan, arrijtëm në Sarajevë. Prej andej grupe grupe në Zagreb, ku qendruen disa… e të tjerët arrijtëm në Vjenë.

Me daten 1 shkurt 1945, disa prej nesh kishin zanë vend në hotel “Esplanade” të Zagrebit, ku kishim  në mend të pushonim nja dhjetë ditë. Me 6 t’atij muej në mëngjes, më thirri drejtori i hotelit në zyrë të tij, e aty mu paraqit një komisar i policisë me një listë dhjetë emnash të cilët duhej të largoheshin nga Zagrebi, si të “padëshruem” nga qeverija kroate.

“Sot n’ ora 16.00 duhet të gjendeni në stacionin ku niset treni për Maribor e Vjenë. Policia ynë do t’ iu përcjellë deri në kufi” – tha komisari. Përsonat ishim: Gjon Markagjoni, Kolë Bib Mirakaj, Irfan Ohri, Tahir Kolgjini, Pandeli Papalilo, Ndue Gjomarkaj, Xhelal Bushati, më duket se ka kenë edhe Mato Murati e dy të bijt e Irfan beut. E kuptova se çfarë na priste, fati i Djurishiq-it. Ishte mësim i mjaftë por nuk e humba fillin.

U përpoqa ti mbushi mendjen komisarit se mos do t’ishte ndonjë intrigë anmiqësh, e iu luta të shkonim bashkë tek Drejtori i Policisë për me u shpjegue, meqë na e kujtojshim vetën miqë të popullit kroat, e se kishim kujtue se në Kroaci do tu gjejshim gati si n’ Atdheun tonë, përsa i përket lirisë. Mu përgjegj: “Ky asht urdhni që jam ngarkue t’ iu njoftoj e që duhet ti bindeni, përndryshej merren masat këtu në hotel, unë nuk mund të ndërhyj me interpretue urdhnat e eprorëve të mij, as t’ iu paraqes kund për këte çeshtje!”

I kërkova: “Kumtoji Drejtorit të Policisë, o kujtdo tjetër që të ka ngarkue me këte urdhën, fjalët që të thashë dhe njoftoje, se na nuk e lamë Zagrebin pa u shpjegue e pa pasë knaqësi, për këte dhunë që na bahet. Nuk ka rendsi çeshtja si përson për né, por meqë né jemi autoriteti i fundit që përfaqëson Shqipninë, e këte autoritet nuk kemi kujt ia dorzojmë pa arrijtë në Vjenë, ku do të mblidhet Parija Shqiptare, gjestin e policisë kroate e quejmë dhunë kundër Shqipnisë, prandej, nëse policia o ai organ -kushdo që të jetë -, nuk interesohet të skjarojë këte gabim e me na dhanë sodisfaksionin e rastit si përfaqësi e një Kombi mik, né do t’ ia njoftojmë çeshtjën Poglavnik-ut. Të lus ti referojsh gjithshka iu thashë. Ti detyrën tande e kreve!”

Vuna shokët në dijeni, e vëndosëm të mos dalim nga hoteli, dhe me u ndejë gati armëve që i kishim akoma me vete. Unë dola me gjetë mënyrën sesi me vue në dijeni Poglavnik, me një profesor t’ Universitetit të Zagrebit e shqiptarofil, që e kisha njohë ato ditë.

Të nesërmën në mengjes erdhi dr. Nuri Dino bashkë me një zotni tjetër kroat me automobil luksit, e më thotë: “Zotni kolonel Ljuburiç, dëshron ti bani një vizitë e më ka dërgue me të marrë”. Më tha se, ky kolonel ishte njeriu ma i besueshëm i Paveliç-it, dhe qellimi i vizitës ishte krejt miqësore për t’ u njohtë me ju.

Ljuburiç më priti me shumë njerzi e më shfaqi menjëherë keqardhjën e tij për incidentin e ditës së djeshme me policinë. M’ ofroj hospitalitetin e qeverisë kroate, si mue, si dhe  kolegëve të  Komitetit Shqiptar, dhe për të gjithë Shqiptarët që duen të ndalohën në Kroaci, përsa kohë të dëshrojnë. M’ ofroi audiencë te Poglavnik, së bashkut me Kapidanin e Mirditës brënda 3-4 ditësh. E falenderova për vete e n’emën të kolegëve, tue i njoftue se kishim ngutë për tashti, e nevojë të domosdoshme për t’ arrijtë në Vjenë, meqë atje gjendeshin shumica e krenëve të Shqipnisë, e se ishte nevoja të takohemi për të mujtë me formue një Komitet Kombtar të ri, meqë misioni ynë mbaronte mbas këtij udhëtimi. Në rrjedhim të këmbënguljes miqësore të tij, i premtova që porsa të kryejmë punë në Vjenë, unë do të ktheheshe prap në Zagreb për t’ u takue, nëse kanë me më lejue rrethanat.

Na bani disa dhurata të çmueshme, mue e Nuri Dinos, e na përcolli me përzëmërsi. (Z. Ljuburiç gjendet tani në Spanjë).

Si ishte zhvillue ky proces? Edhe ketë përveç hamendjes sonë të pagabueme, e mësova  me disa hollsina në 1949 në Romë, e rasësisht nga Jakë Luka. Ky gjendej në Zagreb prej shumë kohe si nëpunës i konsullatës Shqiptare, e rasa i kishte sjellë të fitojë simpatinë e besimin e Ljubiriç-it, si edhe të shumë qarqeve të tjera të nalta të Zagrebit.

Komisari që na pat kumtue urdhnin e përzanjes (extradimit) kishte kenë një nga njerzit e Ljuburiç-it. Kur kishte këthye tek komandanti, i kishte referue përgjegjën e fjalët e mija. Toga e pushkatimit kishte kenë përgatitë për t’ardhë me na arrestue në hotel. Ljuburiç  kishte thirrë me të shpejtë Jakë Lukën, të cilit i kishte tregue listën dhe qellimin. Jaku i kishte thanë: “Kapidanin e Mirditës që asht në krye të listës e njoh dhe e kam kumbar’ të shtëpisë, unë vé kryet peng për té, nëse asht e vërtetë akuza që i kenka ba. Të tjerët nuk i njoh, por meqë janë futë në të njajtin kallep e për të njajtën akuzë me këtë, nuk ka dyshim që kjo asht intrigë e ndonjë anmikut të tyne që don të përfitojë me i zhdukë tue iu gënjye ju. E di edhe se Kol Bib Mirakaj, ka kenë Ministër-Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, e mandej, Ministër i P. Mbrëndshme, një ndër ma të vëndosunit kundër komunistëve, dhe irredentist i apasjonuem.”

Kjo kjé Dorë e Zotit, që ndërhyni e na shpetoi!

Zbulimi i Jak Lukës ngjau pa qellim nga unë si dhe nga ai; as që më binte ma ndërmend ajo punë.

Ndejun së bashku në një kafe në via Alessandria nr. 30, në Romë, në bisedë e sipër, më thotë Jaku: “Allahile, a keni pas ba marrëveshtje me Mihajloviq-in, Gjon Markagjoni e ti, për ti ndihmue me mësye Kroacinë?” – Mo’ Zot! Kurrë – i thashë -. E pyeta, sesi e kishte ndigjue këte llafe. Nuk deshti të shtyhej, mandej, tue u shti se nuk e dinte si i kishte ra në vesh. Atëherë, për të mundë me i zhbërthye fshehtësinë, i thashë: “Çudi, si të ka ra në vesh, se né vërtetë kemi pas ba një marrëveshje, jo drejtpërdrejtë me Mihajloviq-in, po me Djurishiq-in, por krejtë në tjetër kuptim. I tregova marrëveshjen për të cilën kam folë maparë dhe ju lexues e kujtoni! Atëherë, i shpjegova se marrëveshja kishte vlera për shpetimin e Kosovës. Ky skjarim e bani Jakun të më hapet. Më tregoi se nga kjo marrëveshje, paska kenë trillue shpifja që u tha e që ai (Jaku) ma bani të njohun në detaje, si mënyrën sesi ishte trillue shpifja, si edhe vendimin e Ljuburiq-it për të na vra të gjithëve. Më tregoi edhe emnin e përsonit që kishte ba akuzën. Ky përson, porsa u zbulue e vërteta nga Ljuburiq-i, kje përzanë prej Zagrebit, tue iu mohue përgjithnjë hospitaliteti i jashtzakonshëm që gëzonte n’atë kryeqytet. Më tregoi edhe se një i madh … i kishte thanë njëherë në Reggio Emilia se: “Je djalë i mirë, por ke ba një krim të madh, që shpëtove disa tradhëtarë në Zagreb!”.

Nuk po i përmendi emnat e këtyne dy njerzëve mbasi nuk kam ndërmend me hapë gjyq kundër tyne, dhe per vete, unë ua kam falë. Ndiej vetëm mëshirë e përbuzje njëherit për mjerimin shpirtnor të tyne!

Ai ka vdekë në New York.

 

KOMITETI KOMBTAR NË VJENË

 

Grupi i Kapidanit arrijti në Vjenë me 10 Shkurt 1945. Pa e shtye gjatë, filluen përpjekjet private për të mundë me formue një komitet kombtar, që të kujdesej kryesisht për fatin e t’ ikunve. Askush nuk donte të merrte nisiativën për të ftue mbledhjen e nevojshme. Së fundi, i autorizuem verbalisht nga Ministri Neubacher, i bana ftesat dhe u ba mbledhja në salonin e madh të hotelit “Belvue”, nën kryesinë e shkëlqesës Shefqet Vërlaci. Unë mbajta fjalen e rastit tue paraqitë edhe skemën-propozim të programit eventual. Iu kërkue fjala shkëlqesës Mustafa Kruja. Kruja me pak fjalë pohoi nevojën e një komiteti që kryesisht të merrej me fatin e refugjatëve dhe përfundoi tue thanë se, fjalimit tim dhe programit që kishe parashtrue për studim, nuk gjente as edhe një presje me i shtue apo me i hjekë. Propozoi që nëse mbledhja ishte dakord mesa kishe thanë unë, të ngarkohej një komisjon prej pak vetësh për të zgjedhë komitetin.

U zgjodh komiteti prej tetë vetësh. Nën kryesinë e Shefqet Verlacit dhe me antarë: Mustafa Kruja, Gjon Markagjoni, Xhafer Deva, Kolë Mirakaj e tre të tjerë.

Të nesërmën në hotelin ku banonte Xhafer Deva, komisjoni vendosi të formohej komiteti prej pesë vetësh, e meqë besohej se Xhafer Deva mund t’ishte përsoni ma i përshtatshëm i kohës e rrethanave, u lut të marrë kryesinë tue i lanë edhe lirinë të zgjedhë vetë bashkpuntorët.

Detyrë e parë e Komitetit u caktue kujdesi i rregullimit të refugjatëve me banim e ushqim dhe dokumenta udhtimi, për të lanë Gjermaninë samaparë t’ ishte e mundun. Synimi i shumicës ishte Italia.

Fronti i Hungarisë u zbërthye papritmas nga ushtritë ruse, që po i afroheshin Vjenës, (u tha, se dy divizjone hungareze që luftonin përkrah gjermanëve, u bashkuen me ushtritë ruse, tue ua hapë shtegun për Vjenë). Kjo gjendje e papritun aq shpejtë, shtërngoi komitetin të lejë Vjenën me ngut, me 3 ose 4 prill. Asgja nuk ishte ba endè për të furnizue refugjatët me dokumente, përposë dy përsonaliteteve të nalta. Komiteti më kishte rrezervue edhe mue një vend n’automjetin e vet, ku më ftoi (Xhaferi) të largohëm me ta, meqë ishe në gjendje fort të keqe me kambën e plagosun prej kohe, e ishte shumë vështirë me gjetë mjete udhtimi n’atë turbullinë. Edhe vizën për udhtim e kishe. N’atë kohë kur Papalilo më pruni lajmin e Xhafer Devës, me u nisë menjëherë, m’ ishte mbushë shtëpija me bashkatdhetarë që ishin alarmue tue pasë ndigjue se komiteti po nisej, e ata mbeteshin në fatin e tyne pa dokumenta, e askush që të kujdesej ma për ata. Ishin ma se njëqindetetdhjetë Shqiptarë që kishin mbetë në këte gjendje. Vendosa ta ndajë fatin me ta.     Disa ndër ju, o lexues të dashtun, që në virtyt të vendimit tim shpëtuet  pa ra në dorë t’ hordhive bolshevike, e dini këte gja në hollsina, e prandej, nuk asht nevoja të zgjatëm.

Fakti asht se tue vue veten në rrezik shpëtova të gjithë Shqiptarët që kishin mbetë në Vjenë, po, edhe vetën me ta!

 

NGATRRESA N’ INSBRUCK

 

Mbasi u rregullova lejet ndër grupe prej dhjetë vetësh, dhe n’ato leje ishte edhe urdhën i haptë i Governatorit të Vjenës, për t’ u dhanë asistencë ushqimi e me i marrë ndër trena e automjete ushtarake e civile të gjithë këta vëllazën, i nisa për Insbruck, me 5 mars 1945. Vetë me Isuf Luzaj e të vllanë, u nisëm n’atë mbramje mbasi i pata përcjellë të gjithë. Lejet kishin vleftë për të arrijtë vetëm deri në Insbruck, se për të kalue kufinin ishte kompetente vetëm komanda ushtarake e Insbruck-ut.

Si mujtëm me i ba lejet n’ aq pak kohë krejt anormale?

Kur Pandeli Papalilo dhe dy vetë të dërguem prej Xhafer Devës, erdhën për të më marrë  mue, më lajmëruen vendimin e Komitetit që po largohej nga Vjena me aq ngutësi (mbrënda një ore), i porosita të shkojnë e ti thonë zotit Deva, se detyra e Komitetit ishte të mos largohej derisa të përcillte të gjithë Shqiptarët për Insbruck. “I thoni edhe se unë, nuk iki kalli i vetëm me Komitetin për të shpëtue lëkurën time. Kolë Biba nuk i ka lanë kurrë shokët mbrapa dhe nuk i lën as këte herë, megjithse, asht sakat me një kambë por shpëton, ose mbaron së bashkut me ta!”

Bombardimet e ditës së maparshme, kishin shkatrrue vijat e tramvajeve. Kamba e plagosun m’ ishte ajë për ibret. Dërgova menjëherë prefektin Mahmud Çela tek Ministri Neubacher, me një kartvizitë timën për ti shpjegue gjendjen e me kërkue ndihmën. Z. Çela e kishte gjetë tue dalë prej zyres për të lanë Vjenën, simbas urdhnit që kishte.

Megjithatë ngutësi, Neubacher-i, kishte marrë Mahmud Çelën n’ automobil të vet e kishte shkue menjëherë tek Governatori i Vjenës, tue e porositë të bante çka t’ ishte e mundun me na nisë. Edhe Governatori kishte urdhën me e lanë Vjenën të nesërmën mbasdreke. Ishte tregue i gatshëm me çka t’ ishte e mundun. Kur Mahmud Çela u kthye tek banesa ime dhe më referoi, ishin shumë Shqiptarë pranë (ndër ta disa të terrorizuem) tue pritë lajmet që do të na binte Çela.

Bana me ta llogarinë se do të ishin rreth dyqindë vetë që kishin mbetë në Vjenë pa dokumenta. Ishte e kjartë se të nesërmën për aq pak kohë e me punën e jashtzakonshme që kishin zyrët e governatorit, nuk mund të baheshin dokumentët e udhtimit për të gjithë ata njerzë. Porosita të pranishmit të shpërndahën e menjëherë të lajmojnë të gjithë Shqiptarët të gjindën të nesërmën në ora shtatë të mëngjesit para pallatit të governatoriatit. Kishin akoma frikë se po i lë. U dhashë besën se nuk nisëm pa ta, atëherë, u qetsuen. U vuna në makinë të shkrimit. Rradhova 25 leje – kalimi (PASIERSCHEIN) grupesh, tue lanë çelë vendin për emnin e kryetarit të grupit; grupet ishin njëmbëdhjetë vetësh.

Të nesërmën, n’ orën e caktueme ishin të gjithë para pallatit të governatorit. I ndava në grupe, ua shkrova emnat e kryetarëve të grupeve simbas dëshirës së tyne. N’ ora 9 u paraqita tek Governatori, që më priti porsa mori kartvizitën time. Më deklaroi se dëshronte me ba çka t’ishte e mundun për né, por koha nuk lejonte me ba dokumenta udhtimi për dyqindë vetë. I tregova se e kishe parapa ketë e se si rrjedhim, i kishe përgatitë lejet po kje se i pranon ashtu me grupe. Shikoi një, dhe tha: “Ganz Gut!” Thirri në telefon shefin e gabinetit e i tha: “Vjen tani tek ti ministri Shqiptar, shkëlqesa Mirakaj. Ka përgatitë lejekalimet për Shqiptarët që kanë mbetë në Vjenë, për t’ arrijtë n’ Insbruck. Të protokolohën pa asnjë korrigjim, të vulosën e m’ i sillni për nënshkrim!”

Në ma pak se njëgjysë ore u krye krejt puna. Të gjithë mërrijtën shëndosh’ e mirë n’ Insbruck, shumë prej tyne pa pague asgja për udhtim ndër ferrovi e automjete…

Gjermania n’ agoni, edhe njëherë i ndihmonte Shqiptarët!

 

D Y S H I M E

 

Që në fletët e para të këtij dokumentacioni, kam përmendë mjaft me hollësi përpjekjet që kemi ba për bashkimin e kordinimin e të gjitha forcave nacionaliste në mërgim, në rreshtimin kombtar antibolshevik, dhe sesi këto përherë u sabotuen, e kujtoj, nuk asht nevoja të shtyhëm matepër në hollsina. Due vetëm, të gjurmohën mbrapaskenat që pjellin dyshime, e për të mundë me pa dishka mbas perdes në këte kuptim, asht nevoja me vue në shqyrtim dy episode:

1) Si përgjegjësa kolaboracionistë kjenë arrestue Mit’hat Frashëri e Ali Klisura, e jo né! Nuk ngurroj të them se edhe arrestimi i këtyne dy patriotëve kje i padrejtë, po aso kohe kumbarija e madhe që vazhdonte në mes demokracive të Mëdha e bolshevizmit, kërkonte që edhe Enver Hoxhës t’ i bahej pak qejfi.

2) Unë kam kenë për disa kohë Ministër-sekretar shteti i Partisë Fashiste Shqiptare. Nën këte pretekst e akuzë, kjesh arrestue me 18 maj 1945 nga Kuestura e Brescia-s. Dihet frenetizma e asajë kohe kundra fashistëve e të supozuemëve të tillë. Ata që i shpetuen masakrimit pa procese, u ndrynë ndër burgje, përkundrazi, unë u lirova mbrenda ditës, e jo, për mirkuptim o mëshirë t’autoriteteve të Kuesturës së Brescia-s, po krejt përkundrazi. Oficeri ndërlidhës i Komandës Ushtarake Amerikane i ngarkuem pranë Kuesturës, në kontrollin që bani më gjet edhe mue ndër të tjerë t’ arrestuem. Më kërkoi edhe mue si të tjerëve nëse kishe dokumenta identiteti. I tregova pasaportën që kishe si titullar i Ministrisë së Punve të Mbrëndshme të Shqipnisë, me vizat e rregullta. Më pyeti arsyen e arrestimit dhe nëse ishte e vërtetë që kam kenë Ministër-sekretar i P.F.Sh. dhe arsyet pse, e kishëm pranue atë barrë përgjegjësie.

Pohova, tue tregue shkaqet e bindjen se vetëm ashtu, mund tu shërbejshe interesave t’Atdheut tim ndër rrethanat e kohës.

Oficeri në fjalë u kthye mbas dy orësh e iu drejtue komisarit, që po më merrte në pyetje me shkrim (procesverbal): “Ky zotni të lihet i lirë menjëherë, meqë nuk asht nënshtetas italian, as nuk ka zhvillue ndonjë aktivitet n’ Itali, dhe as nuk asht i denoncuem për të tillë gja. Kuestura nuk duhet të merret ma me çeshtjën e tij!” Mue më tha: “Ju, që prej tani jeni nën mbrojtjën e ushtrisë amerikane si refugjat politik, e për çdo nevojë eventuale, drejtohuni në këte adresë!” Ishte kartvizita e tij.

Nga këto dy episode që kanë domethanjën e kjartë, si edhe shumë të tjera, duhet besue se nuk patën Aleatët gisht në ndërsyemjën e përçamjes sonë e të ndamjes në kolaboracionistë e antikolaboracionistë, fashistë e antifashistë, siç pretendojshin kundërshtarët tanë. Duhet me shpresue edhe se, burra të shquem si i ndjeri Mit’hat Frashëri e Hasan Dosti – që këtij të fundit, nuk mund ti mohohet edhe cilësia e njeriut moderat -, nuk kjenë verbue vetëm nga egoizma personale që të mbajnë në veprim të vazhdueshëm si në Shqipni, si jashtë, sabotimin e bashkimit të forcave të kombit, siç veproi vazhdimisht partia e kryesueme prej tyne. Nuk mund ti akuzojmë thjeshtësisht për lakmi e egoizëm, as këta, as edhe shumë të tjerë elementë të rrethit të tyne, djelmë entuzjastë e sigurisht, patriotë të mirë, por të pa eksperiencë e pjekuni politike, e fatkeqsisht fort lehtësisht të manovrueshëm nga mbrapaskenat e errta.

Tue u nisë nga ky gjykim, logjikisht jepet me besue se manovrimi i errtë e shkatrrimtar asht drejtue nga kush ka interesë të madhe për të pushtue fortesën e anmikut përmbrënda. Asht drejtue e drejtohet nga agjentë të ngarkuem me atë qellim nga Kominformi. Këta agjentë tue u shitë “nacionalistë”, tue njohtë sensibilitetin e djelmoçave të papjekun e njëherit edhe lakmues pushteti, kanë dijtë ti manovrojnë në dëshirën e planin e tyne, po bash ata që kryetarët e tyne jo vetëm, i influencojnë, po i kanë gati si rob të vullnetit të tyne tepër egoist.

E për të vue në dukje edhe ma kjartë, madje për të zhdavaritë çdo dyshim mbi manovrimin e agjentëve që thashë, mjafton të këthehemi tek akordet e arrijtuna rradhë mbas rradhet në mes tonë e të tjerëve, të cilat i kam rreshtue përpikmënisht në këte dokumentar; akorde t’ arrijtuna me protokole, si ai i Beslidhjes së Shkodrës dhe Aleksandrisë, e të tjera verbale si ato të kapidanit të Mirditës me Mit’hat Frashërin e tjerë, të Dr. Ernest Koliqit me Mit’hatin në shtëpi të Rrok Stanit, të bisedimeve të mija në Tiranë me Mit’hat e Mehdi beun. Po kështu, bisedimi e akordi në mes Mit’hat Frashërit e Ismajl Verlacit (me inicjativën e këtij të fundit), pa hy me përmendë ato të arrijtuna verbalisht e fshehtas me qeveritë e kohës së Unionit.

Pse këto akorde, t’ arrijtuna me bindjen e plotë të interesit kombëtar, përherë mbas pak kohe u lanë në njëanë, sikur të mos ishte bisedue aspak per ato? Përgjegja duhet të jetë krejt e thjeshtë, logjikisht e praktikisht: Sëpse, përgjegjësat që njëherë i pranojshin me vullnet të lirë e me bindje se kryejshin një vepër patriotike e të dobishme kombtare, në momentin që e gjejshin të dobishëm e të nevojshëm bashkimin, të domosdoshëm për shpëtimin e Kombit, vepronin me mendët e ndërgjegjen e tyne të lirë, por mbasi ma vonë hynin në “danat e manovrës së anmikut”, bijshin rob të vullnetit të tjetërkujtë.

Sabotuesit e bashkimit në një llogore antikomuniste e të gjithë të mërguemëve, dihet se janë grumbullue tek e quejtuna “Partia Agrare e Ballit Kombtar”. I njohim né, dhe i njohin ata, që janë gënjye e i ndjekin.

Për hetim logjik të lexuesit do të përmendi vetëm një emën të njohun: Dr. Ali Koprencka.

Si i dha leje qeveria e Enver Hoxhës këtij njeriu të vinte n’ Itali e të bashkohej me refugjatët ekstremistë, n’ atë kohë që mundsisht as shpendët e malit nuk i lejonte të kalonin kufinjtë e Shqipnisë? A nuk asht Ali Koprencka, ai që menjëherë i ndikuem nga vllai i kunatit Qazim Prodani, filloi helmin e ndasisë e t’ anmiqësisë në mes mërgatës antikomuniste?

A nuk janë këta të dy “supërpatriotë” që me anë të fletores “Besa”, po vjellin helm dasije e anmiqësije vazhdimisht në mes të të mërguemëve nga Stambolli i sulltanëve?

Le Petit Caporal (1914) – Ismail Qemali, Princ Vidit : “Ja i vetmi gabim që keni bërë.”

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Nëntor 2019

 

“Le Petit Caporal” ka botuar, të mërkurën e 27 majit 1914, në ballinë, një shkrim në lidhje me telegramin e Ismail Qemalit dërguar asokohe Princ Vidit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Telegrami i Ismail Qemalit për Princ Vidin

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 26 maj.

 

Ismail Qemal Beu i dërgoi Princ Vidit një telegram për t’i ripërtërirë sigurinë e besnikërisë së tij.

 

Ky telegram përfundon si më poshtë :

 

“Ju keni bërë vetëm një gabim, besimin ndaj ujkut për të ruajtur kopenë.”

Le Journal (1914) – Intervista e Faik Konicës me gazetarin e Secolo-s për pritjen e Princ Vidit, buxhetin shtetëror dhe qëndrimin ndaj Austro-Hungarisë

Faik Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Nëntor 2019

 

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 25 janarit 1914, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën e Faik Konicës me gazetarin e “Secolo-s”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Problemi shqiptar

Çfarë presin shqiptarët nga Princ Vidi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 24 janar. (Nëpërmjet telefonit) – Një koleg i Secolo-s pati një intervistë me një shqiptar që jeton në Trieste, Presidentin Faik Bej Konica, i cili i tha atij se këto ditë të gjithë delegatët shqiptarë aktualisht jashtë vendit do të takoheshin në Trieste për të udhëtuar së bashku në Shqipëri për të nderuar Princ Vidin gjatë ardhjes së tij.

 

Presidenti deklaroi gjithashtu se princi do të ishte i detyruar të rrethohej me një suitë të shkëlqyeshme dhe truproja të shumta për të dhënë përshtypje të mira popullit të tij.

 

Qyteti i Durrësit do të konsiderohet si kryeqytet vetëm përkohësisht. Sa i përket situatës financiare të Shqipërisë, Presidenti deklaroi se buxheti do të jetë 18 milion franga. Shteti i ri do të ketë një qëndrim miqësor ndaj Austro-Hungarisë.