VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dogana e Kosovës konfiskon mallra të kontrabanduara nga Serbia

By | March 12, 2019

Komentet

Familja Bytyçi kërkon të mos lirohet i dënuari serb për krime luftë në Kosovë

Familjarët e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi në mbarim të luftës në Kosovë, hapën një fushatë kundër lirimit të mundshëm të parakohshëm të ish zyrtarit të lartë serb Vlastimir Gjorgjeviç, i cili ndodhte në vuajtje të dënimit për krime lufte.

Zyrtari serb, Vlastimir Gjorgjeviç ishte dënuar fillimisht me 27 vjet burg pasi u shpall fajtor për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë dhe përndjekjen e qindra mijëra të tjerëve. Ai ishte zëvendës ministër i brendshëm i Serbisë dhe shef i policisë gjatë një periudhe katër vjeçare duke filluar nga viti 1997. Ai ka qenë gjithashtu aleat i ngushtë i ish presidentit jugosllav Sllobodan Milosheviç.

Ish gjeneralit serb që u arrestua në vitin 2007 në Mal të Zi, pas një periudhe të qëndrimit në arrati më pas dënimi ju shkurtua në 18 vjet heqje lirie dhe në qershor plotëson dy të tretat e dënimit. Ai ka kërkuar lirimin e parakohshëm, një mundësi që u është dhënë deri tash të dënuarve nga Gjykata për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Familjarët e vëllezërve Bytyçi, të cilët dyshojnë se ai ishte përfshirë në vrasjen e të afërmve të tyre kërkojnë nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, që paraqet vazhdimësinë e Gjykatës së Hagës për krimet në ish Jugosllavi që të mos i jap këtë mundësi ish gjeneralit serb.

“Deri ditën kur Vlastimir Gjorgjeviç të dëshmojë bashkëpunim thelbësorë me Zyrën e Prokurorit: duke në gjetjen e varreve të tjera masive, duke bashkëpunuar në hetimet penale që janë në vazhdim e sipër në lidhje me operacionet për mbulimin e krimit dhe duke bërë deklarata të betuara dhe të vërteta rreth vrasjeve të vëllezërve Bytyçi, ai nuk duhet të lirohet”, thuhet në një letër të familjes Bytyçi.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive me duar të lidhura me tela, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë i kërkoi në muajin shkurt te këtij viti në Munih presidentit serb Aleksandër Vuçiç që të ndërmarr veprime për të zgjidhur këtë çështje.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe Goran Radosavleviç, për të cilin sic thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.

Goran Radosavleviç, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Dy luftanije të NATO-s ankorohen në Portin e Durrësit

Dy anije luftarake të NATO-s janë ankoruar në portin e Durrësit. Kjo vizitë e anijeve të NATO-s në Shqipëri vjen në kuadër të 10 vjetorit të anëtarësimit në këtë aleancë. Dy luftanijet do të zhvillojnë edhe një stërvitje me trupat tona detare në Durrës.

Pas ankorimit në Durrës ka mbajtur fjalën Komandanti i Fregatës holandeze, Sjoerd Feenstra i cili ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes vendeve antare.

“Në kuadër të 10 vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, jemi këtu për të vlerësuar kontributin tuaj. Në këtë kuadër do të zhvillojmë edhe një stërvitje të përbashkët. Theksoj se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes vendeve anëtare të aleancës!” deklaroi Feenstra.

Luftanija holandeze dhe ajo kandadëze janë pjesë e grupit të Anijeve të Gatshme të NATOS-s (Standing NATO Maritime Group 2 SNMG2.

Intervista – Agim Aliçkaj: Serbia duhet të trajtohet si çdo agresor që e ka humbur luftën

Me Senatorin Bob Dole

Çfarë i tha Agim Aliçkaj ish-Sekretarit të Shtetit Henry Kissinger, gjatë përplasjes në Kongresin Amerikan për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë? Roli i diasporës dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të kongresistit DioGuardi. Historia e shpëtimit të hebrejve në Kosovë, nga familja e babait, Arif Aliçkaj dhe shqiptarë të tjerë. Çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës sot, për kufirin, taksën ndaj mallrave serbe, negociatat me Serbinë, marrëdhëniet BE-në dhe SHBA-në?

Intervistoi Ruben Avxhiu, “Illyria”

Zoti Aliçkaj, ky që po jetojmë është një vit i nderimeve të shumë 20-vjetoreve. 20-vjetori i dhimbshëm i Reçakut, 20-vjetori i vendimit të vështirë të marrëveshjes në Rambuje, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 20-vjetori i çlirimit etj. Janë të gjitha, me të mirat dhe të këqiat edhe një kurorëzim i punës së shqiptarëve në Washington.Ju vetë keni qenë shumë aktiv me Ligën Qytetare si dhe personalisht. Çfarë kujtoni më shumë nga ato vite?

Deshiroj të të falenderoj ty Ruben, dhe gazetën “Illyria” për mundësinë që t’i shpreh mendimet e mia për ngjarjet dhe situatën. Çdonjeri prej nesh ka shumë për të thënë. Njeherit, ju përgëzoj për punën e madhe me dekada në të mirë të çështjes sonë kombëtare.

Është 20 vjetori i ngjarjeve shumë të dhimbshme por edhe te lavdishme dhe historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Masakra e forcave terroriste serbe mbi popullsine civile shqiptare në Recak e kaloi kufirin e durimit të SHBA-ve dhe vendeve demokratike perëndimore të Evropës. Fjala popullore thotë: “kriminelin e zen gjaku i viktimës së pafajshme”. Ky akt barbar dhe mospranimi i marrëveshjes së Rambujesë, ishin faktorë shumë të rëndësishëm, në mes të shumë faktorëve tjerë, që ndikuan në vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë. Duhet cmuar lart sinqeriteti, drejtësia, burrëria dhe trimeria e ambasadorit amerikan William Walker në paraqitjen reale te masakrës së Recakut.

Marrevëshja e Rambujesë ishte e vështirë dhe shumë e pavolitshme për Kosovën. Me të mund të arrihej sigurimi i të drejtave të njeriut dhe një nivel i kufizuar autonomie por kurrësesi pavarësia. Pala Kosovare nuk kishte rrugë tjetër përveç nënshkrimit. Duhet t’i falenderohemi arrogancës, budallëllëkut dhe kalkulimeve të gabuara të diktatorit komunist Millosheviq dhe bandës së tij kriminale për mospranimin e saj. Serbët shumë e perdorin thënjen “Sve ili nishta” ne shqip “Gjithshka ose asgjë” . Ata u munduan të marrin çdo gjë por fituan asgjë, fituan faqen e zezë dhe bombat e NATO-s.

Nga ato ditë të vështira, më kujtohen aktivitetet e panumërta masovike dhe energjia e pashterrshme e veprimit te komunitetit shqiptaro-amerikan, demonstratat madhështore të subjekteve të bashkuara nën udhëheqjen profesionale dhe shume të sukseseshme të ish-kongresistit Joseph DioGuardi, seancat dëgjimore në Kongresin amerikan ku i mundesohej një populli të vogel e të shtypur për t’i paraqitur padrejtësitë, keqetrajtimin, dhe shkeljen e të drejtave të tij kombëtare, politike dhe njerëzore. Me kujtohet edhe madhështia, mençuria dhe vlerat e larta politike dhe njerëzore të shumë përfaqësuesve të Kongresit amerikan, senatorët Dole, McCain, Biden, D’Amato , Schumer, Pressler, Pell, Lieberman, Helms dhe kongresistet Lantos, Gilman, Engel, Hyde, Boehner, Ed Royce, Rohrabacher, Ros-Lehtinen, Traficant e të tjerë, shumë prej të cilëve çështjen tonë e morën me zemër.

A ju kujtohet se ku ndodheshit në momentin kur filloi ndërhyrja e NATO-s në Kosovë? Si e përjetuat atë moment?

Para televizionit, me familje, në shtëpinë time në Yonkers. Lajmet tregonin se po afrohej momenti i bombardimeve, por gjithmonë ekzistonte mundësia që të ndaleshin, nëse krimineli Millosheviq i telefononte ambasadorit Holbrook se e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Fatbardhësisht, kjo nuk ndodhi dhe kryeministri rus Primakov, që vinte në SHBA për të kërkuar ndaljen e bombardimeve, u kthye mbrapsh në gjysëm të rrugës, i refuzuar nga nënkryetari amerikan Al Gore.

Kur filloi bombardimi, të gjithë u ngritëm në këmbë dhe filluam ta përqafojmë njëri-tjetrin. Babai im Arif Alickaj filloi të qante dhe ne bashkë me të. Ai ishte me karakter shumë të fortë, ishte hera e parë në jetë që unë e pashë të derdhte lotë. Përjetimi vështirë mund të përshkruhet, gëzim, krenari, triumf, shpresë, besim në fitore, por edhe shqetesim. E dija se, që nga ky moment, çlirimi i Kosovës nga thundra shekullore serbe ishte i sigurt. Por, ekzistonte ende një ndjenjë frike dhe shqetësimi se çfarë do të ndodhte në ditët në vijim, sa do t’i kushtonte popullit tonë liria . Dhe, për 78 ditë bombardimi populli shqiptar i Kosovës kaloi nëpër një periudhë të tmerrshme. Shpërngulje masovike me dhunë, vrasje të popullsisë së pafajshme civile, përfshirë gra dhe fëmijë, dhunime, masakra, tortura çnjerezore dhe zhdukje pa gjurmë. Këto krime makabre të kriminelëve serbë, nuk bën të harrohen kurrë.

Sa i rëndësishëm ishte – sipas jush – roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në fatin e Kosovës? A do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s pa lobimin modern të më shumë se një dekade në Washington?

Shqiptarët e Amerikës luajtën një rol të pazëvendësueshëm në fitoren e Republikës së Kosovës. Është gjë e ditur se fati i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar vendoset në shtetin më të madh dhe më demokratik të botës, në SHBA. Prandaj, pa lobim profesional dhe efektiv në SHBA vështirë se do të arrihej bombardimi i Serbisë, çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Por, duhet kuptuar se parakusht për këtë ishte rezistenca gjithëpopullore në trojet tona.

Rezistenca e popullit shqiptar ka filluar në momentin kur këto troje u okupuan nga serbo-sllavët, para më shumë se 100 viteve. Në dekadat e fundit, me shtimin e represionit serb me qëllim të shkatërrimit përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera, rezistenca filloi të bëhet me masovike dhe më e organizuar, së pari me protesta paqësore të udhëhequra nga LDK dhe forcat tjera demokratike e më vonë me luftë të organizuar të prirë nga UÇK. Pra aty, mu në Kosovë, ishte faktori i parë dhe burimi i fitores sone. Faktori i dytë është lobizmi në Amerikë, pa të cilin Kosova nuk do të bëhej shtet. Pastaj radhiten edhe shume faktorë të tjerë që e ndihmuan këtë arritje të madhe, une besoj se vet Zoti i madh i bëri bashkë të gjitha për ta shpëtuar kombin tonë nga shkatërrimi.

Si ndodhi që u angazhuat me Ligën Qytetare të Joseph DioGuardit? Si u bashkuat me të? Cilat ishin meritat historike të saj?

Pas marrjes se autonomisë dhe okupimit klasik të Kosovës në korrik të vitit 1990, mbeta pa punë si gati të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ne gusht të atij viti u nisa për në Amerike me shpresë se ky do të ishte një qendrim i imi i përkohshëm. DioGuardi dhe Liga, me angazhimin e tyre në Washington për Kosovën, ishin bërë të njohur në komunitetin shqiptar, në Amerikë. Unë vura kontakt me DioGuardin nëpërmjet miqve të mi të nderuar vëllezërve Osmani nga Morina e Gjakovës, kontribues të mëdhenj të Ligës dhe të veprimeve lobiste në Washington, për një kohë të gjatë.

DioGuardi planifikonte një vizitë në Evrope, në fund të gushtit të vitit 1990. Unë e bëra organizimin e qendrimit të delegacionit të Ligës te vëllezërit e mi Naimi, Esati dhe Samiu, në Oslo, Norvegji. U mblodhën mjete të rëndësishme financiare dhe u krijua dega e Ligës, në Oslo, nën udhëheqjen e Naimit. Ai për disa vite, derisa unë u forcova materialisht, kontriboi për anëtarsimin tim në Ligë dhe vetë ishte anëtar i Bordit, deri në pavarësimin e Kosovës.

Unë për një kohë e kam kryer detyrën e Sekretarit të Ligës dhe vazhdoj të jem anëtar i Bordit Ekzekutiv edhe sot. Cdo shqiptar e ka detyrë të japë kontriubutin e vet kombëtar në vendin ku gjendet dhe me mundësitë që ka. Shqiptarët në mërgim gjithëmonë janë interesuar e kanë përkrahur dhe kanë lobuar për kombin e vet, prej momentit që kanë zbritur në dhe të huaj. Por, ishte hera e parë që lobizmi u shëndrrua në një veprim të organizuar, modern, masovik dhe shumë efektiv. Mjafton të përmendi vetëm dy deklarata. Presidenti Rugova pat thënë se “Liga ka bërë punë në Washington sa një shtet”, ndërsa krimineli Millosheviq, në Hagë, me dëshpërim deklaroi se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Puna e lobit të parë shqiptaro-amerikan- LQSHA është e dokumentuar dhe duhen libra të tërë për ta përshkruar, gjë që do të bëhet në të ardhmen e afërt. Aktivitete të panumërta për tri dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera të okupuara nga sllavo-grekët si dhe afirmimit të çështjes gjithëkombëtare: protesta të ndryshme, demonstrata dhe tubime masovike; seanca dëgjimore në Kongres, takime me senatorë, kongresistë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve tjera amerikane; takime me gazetarë, deklarata publike, artikuj, intervista dhe debate në shtyp, radio dhe televizion (FOX News, CNN, ABC, PBS, CSPAN, NY Times, NY Post, Washington Times e shumë tjera); organizim të vizitave të gati të gjithë liderëve dhe personaliteteve të njohura nga të gjitha trojet tona në SHBA (Rugova, Berisha, Demaci, Arbnori, Buxhovi, Qosja, Ramajli, Bukoshi, Xhaferi, Sulejmani, Haradinaj, Sopi, Gjergji, Rexhepi, Gjini, Stavileci, Mustafa dhe shumë të tjerë), si dhe të delegacioneve të Ligës , shumë herë bashkë me senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës amerikane, kudo në trojet tona sipas nevojës për përkrahje.

Duhet veçuar takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton, i organizuar nga Gilman dhe DioGuardi. Ky takim, edhepse i shkurtër, ia dridhi themelet Sërbisë. Dëshiroj të nënvizoi edhe faktin se Liga ishte e para, që me deklaratë publike i dha përkrahje të parezervë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në SHBA. Pra, meritat historike të Ligës, themeluesit te saj, Joseph J. DioGuardit, këshilltares për çështjë ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, Bordit ekzekutiv dhe të anëtarësisë së gjërë janë të jashtëzakonshme. Aftësia komunikuese dhe depërtuese e Joe’s e përforcuar me aftësitë për analizë, organizim dhe parashtrim të cështjeve të Shirley’t jan të pashembullta.

Do të veçoja dy momente të paharrueshme nga paraqitjet e Joe’s dhe Shirley’t. Në konfrontim me kongresisten serbo-amerikane Helen Delic-Bentley, në dëshminë e mbajtur në prill të vitit 1990, Joe ia mbylli gojën asaj duke i thënë disa herë: “Unë nuk jam lobist i paguar, unë jam shqiptar etnik”. Ndërsa, në dëshminë tjetër të mbajtur në mars të vitit 1998, Shirley e kundërshtoi hapur ambasadorin Gelbard , i cili më parë kishte deklaruar gabimisht se UÇK ishte organizatë terroriste duke i thënë: “ Jo, zoti ambasador, e keni gabim, nuk mund të jenë terroristë ata që i mbrojnë shtëpitë dhe familjet e veta, nëse UÇK është terroriste atëherë edhe unë bashkë me 400 mijë shqiptaro-amerikanë jemi terroristë”. Shto këtu kualitetin e Bordit Ekzekutiv dhe të shumë përkrahësve të Ligës nga gati të gjitha trojet tona, nga gati të gjitha besimet fetare dhe nga shumë lami të jetës.

Është për t’u habitur përpjekja e disa liderëve politikë nga vendet tona dhe përkrahësve të tyre atje dhe në diasporë, disa prej tyre edhe shokë të mi, për ta nënçmuar dhe njollosur personalitetin e Joe DioGuardit dhe punën e tij kolosale në të mirë të çështjes shqiptare. Marrja me të tjerët që në mënyrë të vet i shërbejnë kombit, jo vetëm që është humbje e panevojshme kohe, por është edhe gabim trashanik që i dëmton rëndë interesat tona kombëtare.

DioGuardi, së bashku me kolegun e tij të shquar, nga Kongresi Amerikan, Tom Lantos, ishin të parët që u interesuan për fatin e hebrejve në Shqipëri dhe promovuan aktin e madh të shpëtimit të tyre nga shqiptarët. Familja juaj ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, duke ndihmuar në mbrojtjen, shpëtimin e hebrejve. A mund të na tregoni se si ndodhi kjo?

Vizita historike e DioGuardit dhe të madhit Tom Lantos, në Kosovë dhe Shqipëri në Maj të vitit 1990, përvec avancimit të çështjes së Kosovës, solli edhe një fitore tjetër të madhe për kombin shqiptar. Ata u takuan me udhëheqësin komunist të Shqipërisë Ramiz Alia për ta bindur atë që ta mundësojë demokratizimin e Shqipërisë në mënyrë paqësore. Gjatë bisedimeve, kur ai e kuptoi se Tom Latos ishte hebre, për ta impresionuar, ai solli dosjen plotë me dokumentacion origjinal që dëshmonte për shpëtimin e të gjithë hebrejve që ndodheshin apo erdhen nga vendet e tjera në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky akt madhor, nën kujdesin e DioGuardit , u autentifikua nga Yad Vashem në Izrael, u shëndrrue në libër nga Harvey Sarner, mori famë dhe ndihmon edhe sot në afirmimin e vlerave tona kombëtare.

Babai i im, Arif Aliçkaj, i cili, gjatë vitit 1943, kryente detyrën e Sekretarit të komunës se Deçanit, ndihmoi në shpëtimin e familjeve hebreje që iknin nga gjermanët për të shpëtuar jetën. Miku i tij Arsllan Rezniqi (i nderuar zyrtarisht nga Yad Vashem) i cili merrej me tregti dhe kishte shitore në Deçan, i sjellte hebrejtë nga vendet tjera për t’i kaluar në Shqipëri. Babai im siguronte për ta dokumente udhëtimi falso me emra boshnjakë muslimanë, për t’i shpëtuar, në rast kontrolli, nga gjermanët. Ata e organizonin strehimin e tyre të përkohshëm te familjet shqiptare në fshatrat rreth kufirit dhe pikë bashkimi e kishin Sharrën e Roshkodolit. Shumë shqiptarë tjerë nga të gjitha teritoret tona, emrat e të cilëve ndoshta nuk do të dihen kurrë, morën pjesë në shpëtimin e hebrejve. Ishte ky një veprim human dhe madhështor i mbarë kombit shqiptarë, bazuar në besën shqiptare dhe traditen pozitive shekullore për ta mbrojtur mysafirin në rrezik, pa dallim feje, race apo kombi.

Ju keni një histori interesante me Henry Kissinger, në seancën dëgjimore, në Kongres, ku ai ishte ndër dëshmitarët që folën para Kongresit Amerikan. A mund të na e tregoni edhe një herë për lexuesit tanë, çfarë ndodhi mes jush dhe ish-Sekretarit të njohur Amerikan të Shtetit?

Në dëgjimin që u mbajt në Komitetin për Marëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan, në mars të vitit 1999, përvec senatorit Dole, ambasadores Kirkpatrick dhe Dr. Kissinger foli edhe përfaqësuesja e Ligës, zonja Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo e parashtroi me shumë sukses cështjen e Kosovës dhe nevojën për bombardime të NATO-s për ta ndaluar terrorizmin Serb. Vetëm Dr. Kissinger ishte kundër intervenimit.

Në pushim, në mes të dy seancave, u afrova te ai dhe duke ia dhënë librin për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri “Rescue in Albania”, i thashë: “Dr. Kissinger, më lejoni që t’ju jap një libër, që tregon për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri, gjatë Holokaustit, tregon për shpirtin e madh të popullit shqiptar. Ky popull sot, është duke përjetuar situatë të ngjajshme dhe ka nevojë për ndihmën tuaj”.

Ai e shikoi titullin me shumë interes, e bashkoi me dokumentet që kishte dhe më premtoi se do ta lexonte. Unë besoj se ky libër ndikoi që ai në paraqitjet e tij të mëvonshme të dalë me qëndrim të ndryshuar. Ky është shembull i një veprimi të thjeshtë, shumë të lehtë, i cili kur bëhet me zemër dhe qëllim të mirë, mund të rezultojë në një vlerë të madhe.

20 vjet pas çlirimit, si e shihni Kosovën sot, për nga aq informacion që keni? Çfarë po ecën nuk po ecën aty?

Për ne mërgimtarët gjëja më e rëndësishme është liria, mundësia për ta vizituar vendlindjen pa frikë dhe pa pengesa. Thuhet se është lehtë ta kritikojsh nga larg tjetrin që është duke punuar. Mirëpo, kritikat parimore me qëllim të mirë janë të nevojshme dhe duhet të jenë të mirëpritura. Ka arritje në planin e brendshëm, ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës së vendit, aeroportit dhe të arritura në energjetikë, tregëti dhe ekonomi të vogël. Por, është dëshpruese që, edhe pas 20 vjet lirie, nuk arrijtëm ta bëjmë Kosovën shtet të mirëfillëtë, sovran dhe të pavarur.

Shpresuam se pas çlirimit, pas më shumë se 100 vjet robërie, vullneti do të jetë aq i fortë saqë Kosova do të bëhej “Zvicër e vogël”.

Nuk mund të arsyetohet niveli i korrupsionit, interesave personale dhe klanore të klasës politike të Kosovës. Ata merren më shumë me njëri tjetrin se sa me armikun . Nuk kanë qëndrim unik për çështjet vitale të politkës së jashtëme, gjë shumë e dëmëshme për interesat strategjike kombëtare.

Serbia është duke punuar me të madhe dhe pa u ndalur për ta penguar, destabilizuar dhe shkatërruar Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Populli shqiptar i Kosovës është bërë indiferent, opozita është e përçarë dhe e dobët, ndërsa diaspora me ndihmat e veta po e mundëson vazhdimin e kësaj amullie të përgjthshme.

Në një shtet ku funksionon demokracia, si në SHBA dhe vendet tjera demokratike, populli me votën e vet bën ndryshime të nevojshme. Nëse nuk ka ndryshime në udhëheqjen politike, nuk ka as progres të vendit. Klasa politike “rehatohet në kolltuqe”, e bind veten se është duke punuar mirë dhe se është “e pazëvendësueshme”. Nuk e sheh realitetin derisa nuk ndodhë ndonjë gjë e madhe.

Ju jeni shprehur me forcë në një shkrim në Illyria, kushtuar pavarësisë, kundër një marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori. Po duket se SHBA e ka inkurajuar këtë zgjidhje, madje po kërkohet me ngulm edhe heqja e taksës së qeverisë Haradinaj për mallrat serbe. Kush është këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në këtë situatë?

Me forcë të mëndjes, me ndërgjegje të pastër, me gjithë zemër dhe pa kurrëfarë dileme, jam kundër cfarëdo marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori si dhe kundër heqjes së taksës për mallrat serbe. Argumentet dhe këshillat janë të shumta:

– Kosova, me kufijtë ekzistues ishte njësi federale e ish-Jugosllavisë, ka funksionuar si e tillë për një kohë të gjatë, u pranua me marrëveshjen e Kumanovës dhe me planin e Ahtisarit. Çfarëdo ndryshimi i kufijve do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptarë gjatë gjithë historisë së tij.

– Për sa jam i informuar, gjatë gjithë historisë dhe sidomos në 20 vitet e fundit, Kosova nuk fitoi asgjë qenësore nga bisedimet me Serbinë. Gjithmonë kemi humbur dhe na mashtruan keq komunistët serbë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Plani i Ahtisarit përbën në vete maksimumin e lëshimeve të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës per të fituar pavarësinë e mangët. Me bisedime të mëtutjeshme, kjo pavarësi u cungua edhe më shumë, pa kurrëfarë nevoje. Pakica serbe në Kosovë nuk është e shtypur dhe e persekutuar. Përkundrazi, ajo ka të drejta, por edhe privilegje më shumë se çdo pakicë tjeter kombëtare në botë. Çështja e të drejtave të serbëve të Kosovës, në çdo rast dhe në çdo takim duhet të ndërlidhet me të drejtat e shqiptarëve që jetojmë në tokat e veta në Kosovën Lindore. Nuk ka kurrëfarë baze që serbët në Kosovë të kenë më shumë të drejta se shqiptarët në Serbi. Për më shumë, kërkesat e minoritetit serb për ndarje nuk kanë kurrëfarë baze humane dhe as ligjore, ndërsa kërkesat e Sërbisë janë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Nga kjo rrjedh qartë se pala kosovare nuk ka nevojë dhe nuk duhet të pranojë të bisedojë me Serbinë për çështje të brendëshme te Kosovës. Për çfarëdo problemi të brëndshëm mundet dhe duhet të bisdohet vetëm me përfaqëusesit e minoritetit serb të Kosovës, natyrisht me ndërmjetësim të SHBA-ve dhe shteteve demokratike të Evropes, kurrsesi të Rusisë dhe shteteve tjera armike.

– Me viktima të shumta, vuajtje dhe sakrifica të mëdha e të pafund, me rezistencë paqësore dhe të armatosur, me angazhim gjithëkombëtarë në të gjitha trojet tona dhe në diasporë, sidomos në Washington, populli shqiptarë i Kosovës e fitoi lirinë, ndërsa mbarë kombi shqiptarë e fitoi luftën përfundimtare kundër agresorit serb. Kjo u bë e mundur me ndihmën e SHBA-ve dhe të shumë vendeve tjera anëtare të NATO-s. Nuk ishte asgjë e re në historinë e fitoreve të lirisë së popujve të vegjël të botës. Të pakta janë ato kombe që e kanë fituar lirinë vetëm me forcat e veta. Edhe mbretëria e Napolit u desh të ndihmohet nga ushtria shqiptare e Skënderbeut në luftë me francezët. Falë ndihmës së Amerikës, kombi shqiptarë shpëtoi disa herë nga shkatërrimi i plotë. Ne e duam dhe duhet ta respektojmë këtë shtet të madh, të drejtë dhe vërtetë demokratik. Por duhet ta kemi të qartë se ne nuk jemi borxh deri në atë masë sa të heqim dorë nga liria, sovraniteti dhe interesat jetike gjithëkombëtare. Në të vërtetë, as Amerika nuk e kërkon dhe nuk e pret këtë gjë nga ne. Me bombardimet e NATO-s të vitit 1999, Kosova dhe mbarë kombi shqiptarë kanë hyrë në interesat strategjike të Amerikës. Me forcimin e elementit shqiptarë Rusisë dhe Sërbisë iu ndalet turri dhe përpjekja për dominim në juglindje të Evropës.

– Këtu duhet të kemi shumë kujdes, Amerika ka shumë probleme më të mëdha në botë se sa çështjen e Kosovës dhe të kombit shqiptarë. Nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ne duhet të punojmë shumë dhe ta ndërtojmë vet shtetin tonë.

Edhe përkundër qëndrimeve të paqarta të disa zyrtarëve të përkoshëm amerikanë, nëse ne jemi të organizuar dhe paraqesim argumente të forta, përkrahja e Amerikës nuk do të mungojë.

– Ne jemi pjesë e Evropës dhe është e qartë se problemi midis shqiptarëve dhe serbëve duhet të zgjidhet brenda Evropës. Disa shtete të Evropës morën pjesë në bombardimin e Sërbisë dhe e përkrahën fitoren e Kosovës. Me këtë veprim Evropa e përmirësoi gabimin që e kishte bërë më shumë se 100 vjet më parë, kur e zyrtarizoi copëtimin e tokave shqiptare. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën por nuk ka arsye për të bërë lëshime në interesat strategjike kombëtare për t’ia bërë qejfin. Të mësuar nga historia e hidhur, nuk mund të kemi besim të plotë në drejtësinë e Evropës. Asgjë nuk mund të bëhet dhe nuk bën të pranohet pa pjesëmarrjen e plotë të Amerikës.

– Serbia ishte dhe vazhdon të jetë e sëmura e Ballkanit. Ende jeton në të kaluarën, me aspirata për dominim dhe plaçkitje të territoreve të fqinjëve, e ngulfatur nga shovinizëmi dhe urrejtja e thellë ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë të ish Jugosllavisë. Ajo ishte agresore, shkaktare e katër luftave të tmerrshme në Ballkan dhe ushtroi gjenocid sistematik dhe të organizuar kundër popullit boshnjak dhe shqiptar. Udhëheqësit e tashëm serb, kinse të zgjedhur në mënyrë demokratike, janë po ata të kohës së kriminelit Millosheviq. Ata nuk kanë ndryshuar fare në qëndrimet dhe synimet e tyre, vetëm kan ndryshuar metodat e veprimit. Sjelljet destruktive dhe përzierja e Serbisë në punët e brendhsme dhe të jashtëme me qëllim të shkatërrimit të Republikës së Kosovës, janë të qarta dhe të hapta. Populli thotë: “Ujku qimen e ndërron por hujin nuk e harron”. Po të kishin nryshuar sado pak, minimumi do të ishte të kërkonin falje për krimet e tyre monstruoze. Diagnoza për Serbinë është e qartë. Duhet përshtatur terapia për shërim. Kjo nuk arrihet me ledhatime, lëshime të mëtutjeshëme dhe bisedime të kota. Edhe nëse jua falim Prishtinën ata do ta kërkojnë Tiranën. Pra, problemi nuk është në Kosovë, ai është në Serbi dhe vetëm aty mund të zgjidhet.

– Këtë duhet bërë të qartë Evropës dhe Amerikës. Serbia, në vitin 1999 e humbi luftën. Si agresore dhe humbëse e luftës, ajo nuk duhet lejuar, që pa u ndëshkuar, të bëhet partnere e barabartë në bisedime. Nuk duhet lejuar që agresori të barazohet me viktimën. Serbët janë gënjeshtarë dhe manipulues të perfeksionuar. E luajnë me shumë sukses rolin e “viktimës”. Është gjë e njohur se në të kaluarën, ata kanë qenë në gjëndje t’i vrasin edhe fëmijët e tyre me qëllim të fajësimit dhe ndëshkimit të shqiptarëve. Kosova duhet t’i luftojë këto tendenca serbe me çdo kusht, në cdo rast dhe në të gjitha mënyrat, duke i paraqitur faktet e vërteta për krimet serbe.

– Sanksionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë shumë të qëlluara dhe paraqesin hapin e parë pozitiv në zgjidhjen e drejtë të problemit të Kosovës me Serbinë. Ato nuk duhet të hiqen dhe as të suspendohen. Përkundrazi, ato duhet të forcohen dhe të shtohen. Duhet insistuar që edhe Shqipëria, të gjithë shqiptarët dhe shtetet mike të Kosovës të bëjnë të njëjten gjë. Duhet konsideruar edhe mënyra tjera të presionit. Nëse dëshiron ta zgjidhë problemin e Sërbisë në mënyrë të përhershëme, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të njëjtën gjë. Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës dhe të presionit të mirëfilltë ndërkombëtarë.

– Kosova duhet t’ua bëjë të ditur SHBA-ve dhe Evropës se nuk ka për çfarë të bisedohet më Serbinë , përderisa ajo, si humbëse e luftës, nuk i pranon fajet e të kaluarës dhe nuk kërkon falje, përderisa nuk ua kthen familjeve shqiptare fëmijët e tyre të zhdukur, përderisa nuk i paguan reparacionet e luftës dhe përderisa nuk është e gatëshme për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në kufijtë ekzistues.

Çfarë kuptimi kanë bisedimet me Sërbinë, kur ajo në mënyrë arrogante dhe të hapur thotë se është e gatëshme të bisedojë me shqiptarët, por nuk do ta njeh kurrë pavarësinë e Kosovës?!

Ata që mendojnë se do të fitojnë dicka nga bisedimet për shkëmbim teritoresh me Sërbinë do të befasohen dhe zhgënjehen rëndë në vetveten. Edhe nëse firmosë ndonjë marrëveshje, Serbia e gjen mënyrën për të mos e realizuar kurrë. Me bisedime, Serbët do ta fitojnë veriun e Kosovës ndërsa shqiptarët sic thotë populli “do ta fitojnë faqën e zezë dhe marrën e tepër”. Teritori i shkelur nga ushtari serb mund të merret në kontroll vetëm me luftë, kurrë me bisedime. Kurrën e kurrës.

Nuk dëshiroj të pretendoj se këto janë gjëra të lehta. Por e drejta, e vërteta dhe të gjitha faktet janë në anën tonë. Duhet punë e madhe, pa u ndalur dhe me përkushëtim, angazhim dhe veprim unik i të gjitha forcave politike të Kosovës e më gjërë, mobilizim i përgjithëshëm i popullit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë për ta arritur qëllimin.

Thuhet se puna e shqiptarëve në Washington ka rënë shumë që prej pavarësimit të Kosovës, po problemet nuk kanë mbaruar. Çfarë na mësojnë vitet e 90-ta për epokën tonë? Çfarë duhet të bëjë komuniteti shqiptar i ditëve tona?

Është e vërtetë se, pas fitimit të luftës dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, veprimi lobist i shqipëtarëve në Washington ka rënë në mënyrë të dukëshme, edhepse problemet nuk kanë mbaruar dhe çështja shqiptarë nuk është zgjidhë ende në mënyrë të drejtë. Nga ana tjetër, është shtuar shumë aktitviteti i lobit serb kundër interesave shqiptare, ata mësuan nga ne si duhet të veprohet. Është e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikëshme indiferenca e popullit shqiptarë në trojet tona e cila e ka kapluar edhe diasporën. Mungojnë shumë donacionet dhe përkrahja financiare, pa të cilat veprimi lobist është i pamundur. Ky trend negativ duhet ndërprerë dhe ndyshuar urgjentisht. Ne e kemi të gatëshme formulën për mënyren e veprimit të viteve të 90-ta. Ata që e çmojnë dhe respektojnë punën e lobit të parë të regjistruar dhe tashti të vetëm në Washington, pra Ligën Qytetare Shqiptaro-Ameikane të udhëhequr nga Joseph J. DioHuardi dhe Shirley Cloyes-Dioguardi duhet të angazhohen në këtë Ligë. Joe, Shirley dhe Bordi Ekzekutiv i Ligës kanë dije, forcë dhe aftësi veprimi me mjete financiare minimale, ndoshta me 20% të mjeteve që do të duheshin për angazhim të ndonjë firme tjetër lobiste. Ata individë dhe subjekte , të cilët nuk e gjejnë veten në Ligë, kanë mundësi që të veprojnë vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e përkrahur ndonjë senator, kongresist apo zyrtarë të lartë amerikan. Le të bëjë secili punën e vet në të mirë të kombit, por mos të merremi dhe mos ta pengojmë njëri tjetrin. Puna e mirë nuk mbetet pa u shpërblyer.

Ju vetë, keni realizuar ëndrrën amerikane, jeni një udhëheqës i nderuar në komunitet dhe një biznesmen i suksesshëm. Amerika është bërë një atdhe i dytë për shqiptarët. Po shqiptarët kanë ardhur këtu nga fatkeqësitë kombëtare, sot kur shumë të rinj në Kosovë, Shqipëri e trojet shqiptare duan të emigrojnë, cila duhet të jetë përgjigjia? Duhet të qendrojnë e të ndryshojnë atdheun, apo të përfitojnë nga mosha e re dhe mundësitë e të vendosen diku tjetër ashtu si dikur shumë prej nesh këtu në SHBA?

Amerika është vend i bekuar, vend i premtuar dhe vend i krijimit të mundësive të pakufishme. Me qindra-mijëra shqiptarë si unë, janë duke e përjetuar dhe realizuar ëndërrën amerikane. Këtu të mundësohet ta kultivojsh pa frikë dhe pa rezervë identitetin tënd nacional, por me kalimin e kohës, gjeneratat e reja fillojnë të asimilohen. Edhepse është larg, këtu e ndien veten si në vendin tënd. Mos të harrojmë, nuk është punë e lehtë për ta braktisur vendlindjen. Unë për vete, me dekada kam besuar se do të jem këtu përkohësisht. E mbaj mend, në një tubim në Kongresin Amerikan, para shpaljes së pavarësisë së Kosovës, kur më erdhi rendi të prezantohem shpërthyen të qeshurat nga të pranishmit kurë unë pa dashje thashë: Jam Agim Alickaj nga Deçani i Kosovës, me qëndrim të përkohshëm në SHBA për më shumë se17 vite.

Puna ime për tri dekada në të mirë të cështjes kombëtare, u bë e mundur duke iu falënderuar familjes time të shtrënjtë, gruas Sadetes, djalit Betimit dhe vajzave Dafinës, Dianës dhe Anitës.

Emigrimi i shqiptarëve në Evropë e sidomos në Amerikë, edhepse i dhimbëshëm, ka qenë i nevojshëm dhe shumë I dobishëm për ekzistencën tonë kombëtare. Pa ndihmën e mërgatës shqiptare, Kosova do të detyrohej të dorëzohej te Serbia qyshë në vitet e 80-ta. Pa i përseritur veprimet tjera në të mirë të cështjes kombëtare, shtrohet pyetja: Çfarë do të mund të bënin shqiptarët po të mos kishin mundësi t’i mbajnë fëmijët me bukë?

Frigohem se tashti, jemi duke kaluar në një shpërngulje ekstreme, të pakontrolluar dhe shumë të rrezikëshme për kombin shqiptarë. Paperspektiva në Kosovë dhe në trojet tjera, po i detyron të rinjtë shqiptarë të kërkojnë shpëtim në mërgim. Kjo ka të bëjë në mënyrë direkte me funksionimin e dobët të shteteve tona. Shpresoj se pjesa më e madhe e rinisë shqiptare do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të qëndruar në atëdhe dhe për tu angazhuar në mënyrë demokratike në arritjen e ndryshimeve të nevojshëme. Nuk di sa ështe reale, por ne duhet të jemi optimist se një gjë e tillë do të ndodhë. Përveç udhëheqjes politike të vendeve tona, këtu kanë faj edhe shtetet demokratike perëndimore, të cilat po e ledhatojnë Sërbinë, po e mbajnë një “status quo” duke i lënë shqiptarët në “ghetto” dhe pozitë të pashpresë. Nukë e kanë të qartë se, nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë një shpërthim i madh i cili, jo vetëm që do ta destabilizojë Ballkanin por edhe mbarë Evropën. Shqetëson shumë edhe zbehja apo humbja e traditës dhe vlerave pozitive kombëtare si ndershmëria, sinqeriteti, besa, burrëria, morali i lartë, respekti për gratë dhe fëmijët, si dhe përkushtimi ndaj familjes. Pa familje të forta, nuk mund të keshë as shtet të fortë.

Në përfundim, dëshiroj ta them shkurt e trup atë që e dijmë të gjithë ne. Liria është më e shtrenjtë se jeta. Për të u sakrifikuan dhe dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe heronj shqiptarë. Nuk bën të shkelet mbi gjakun e tyre. E fituam luftën, është gabim i pafalshëm dhe mëkat I rëndë ta humbim paqën. Le ta dijë e gjithë bota. Nuk mund të bëhet kompromis me lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

(Fotografitë janë nga arkivi i veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan, Magjistër, Agim Alickaj)

Me Senatorin Bob Dole.

Me Senatorin John McCain dhe kryebashkiakun Michael Bloomberg

Me Ambasadorin William Walker

Me Senatorin D’Amato.

Tom Lantos, i vetmi i mbijetuar i Holokaustit që u zgjodh në Kongresin Amerikan, mbështetës i madh i Kosovës.

Me kongresistin e shquar Ben Gilman.

Me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Henry Hyde.

Ne mbeshtje të UÇK-së

Me Senatorin (më vonë zv-Presidentin) Joe Biden.

“Zhduket” nga Arkivi i Shtetit vula 400- vjeçare e Sulltanit

Një vulë mbi 400-vjeçare, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, në Tiranë.

Objekti është cilësuar me rëndësi të veçantë historike dhe i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, që ndodhet mes Delvinës dhe fshatit Kakodhiq.

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për “Panorama” se ngjarja është referuar si vjedhje nga Policia e Tiranës disa ditë më parë.

Ndërsa denoncimi është bërë nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, në datë 10 maj 2019, ditë kur edhe ai kishte marrë dijeni për mungesën e vulës në vendin e caktuar.

Drejtori ka njoftuar Policinë për humbjen e saj, pa saktësuar rrethanat nëse ishte vjedhur nga dikush.

Megjithëse të gjitha rrethanat flasin për një vjedhje të organizuar, nisur edhe nga fakti se një ditë para se të zhdukej objekti, kamerat ishin fikur. Për herë të fundit, vula e fermanit të Manastirit të Kamenës është parë më datë 7 maj, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Sipas të njëjtave burime, në materialin e referuar nga Policia, thuhet se mungesa e objektit është konstatuar në Godinën B, ku bëhet skanimi i formateve të mëdha, që ndodhet brenda rrethimit të Arkivës së Shtetit.

Për këtë ngjarje u është marrë deklarim 15 punonjësve, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ndërsa aktualisht, Prokuroria është në pritje të një akti ekspertimi, pas ekzaminimit që i është bërë fermanit të Manastirit të Kamenës në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

DENONCIMI

Në materialin e referuar në Prokurorinë e Tiranës thuhet se në datë 10 maj 2019, pas një njoftimi të dhëna nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, për humbjen e një vule të një fermani të Manastirit të Kamenës, oficerët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Fermani i humbur datonte rreth viteve 1600.

Oficerët që kanë shkuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave kanë konstatuar se: Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, konkretisht në Godinën B, ku bëhej edhe skanimi i materialeve të formateve të mëdha, ishte konstatuar mungesa e një vule, e cila ishte pjesë përbërëse e një fermani të Manastirit të Kamenës. Vula kishte qenë e lidhur nëpërmjet disa penjve me këtë ferman dhe për herë të fundit është parë që ka qenë në vendin e saj në datën 7 maj 2019, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Më pas është marrë nga Përgjegjësi i Sektorit të Evidencës për t’u çuar për skanim në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, pasi një studiues kishte bërë kërkesën dhe pagesën për t’u njohur me këtë material.

Fermani ka qëndruar përgjatë datës 7 maj 2019 dhe 8 maj 2019 në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, e cila operon brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në katin e dytë të saj. Pasi materiali është lënë për dy ditë aty, më datë 9 maj 2019, rreth orës 14:30, është marrë për t’u skanuar nga shtetasi A.M. dhe duke qenë se është me format të madh, është dërguar pranë Godinës B, e cila është brenda rrethimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

MOMENTI KUR U ZBULUA MUNGESA

Pasi është hapur për t’u skanuar, është konstatuar se në fermanin e Manastirit të Kamenës mungonte vula. Menjëherë pas këtij momenti ka marrë dijeni për ngjarjen edhe drejtori i Përgjithshëm i Arkivave. Bëhet fjalë për datën 10 maj 2019, kur vetë ai ka njoftuar Policinë. Drejtori është shprehur se pasi kishte shkuar pranë institucionit, punonjësit e kishin vënë në dijeni rreth këtij fakti dhe pasi kishte lajmëruar eprorët e tij, ka lajmëruar Policinë e Shtetit.

Prej datës 10 maj 2019 është bërë një hetim i mirëfilltë mbi këtë ngjarje, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, konkretisht fermanit të Manastirit të Kamenës, në prezencën e ekspertit kriminalist dhe është bërë kontrolli i vendeve. Konkretisht është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha zyrat ku kishte qëndruar fermani, që nga dalja nga magazina e deri në momentin e konstatimit të mungesës së vulës.

Gjithashtu, është bërë pyetja në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale i të gjithë stafit të Seksionit të Evidentimit, si dhe stafit të kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”. Në materialin referues theksohet se gjatë hetimit ka rezultuar se kamera që ndodhet brenda ambienteve të zyrës së kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, ka ndërprerë filmimet në datë 9 maj 2019, në orën 10:20 dhe sipas deklarimit të inxhinierit të kësaj kompanie, kishte skaduar licenca e marrë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila kishte një afat prej 180 ditësh.

Nga ana e oficerëve të Policisë së Shtetit është marrë kontakt edhe në mënyrë zyrtare me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të saktësuar kohën e aktivizimit dhe të përfundimit të kësaj licence dhe nëse e ka lajmëruar kompania “AlfaScan Sh.p.k” për përfundimin e saj.

Leter e hapur Ambasadorit Borchardt: Mos e mbështetni kastën politike që është dënimi kapital për popullin shqiptar! – Nga Elida Buçpapaj

I nderuar Shkëlqesia Juaj Z.Ambasador Borchardt. Më 11 tetor 2017 ju kisha dërguar këtë Letër të Hapur. Kur i hodha sot një sy, nuk mund t’i hiqja asnjë presje. Prandaj po e ribotoj. Ndërkohë do t’ju nis një tjetër Letër të Hapur me fakte të vjetra por që do t’ju hedh vetëm dritë! Shqiptarët kanë besim tek Kancelarja Angela Merkel dhe tek Gjermania !

————————

I nderuar z.Bernd Borchardt, po Ju drejtohem publikisht, si kreu i OSBE-së dhe si diplomat gjerman – dhe më tepër si ky i fundit.

Dje Ju morët pjesë në Kuvendin e Shqipërisë në aktivitetin përkujtues me rastin e 70 vjetorit të ekzekutimit të 16 deputetëve të opozitës nga regjimi kriminal komunist.

Po e ndiqja aktivitetin për të konstatuar kulmin e hipokrizisë nga kryepolitikanët e shtetit shqiptar.

Them këtë pasi kryeministri Edi Rama duhej ta kish nisur fjalimin e tij me një ndjesë për faktin se partia që ai drejton është trashëgimtarja e partisë shtet që i ka kryer ato krime makabre.

Them këtë pasi të dyja partitë shtet, si PS ashtu edhe PD, së bashku me bishtin e tyre LSI, këta 26 vjet nuk kanë ndërrmarë asnjë hap legjislativ as për dënimin e krimeve të komunizmit, as për hedhjen dritë të tyre dhe nuk kanë bërë asgjë për zbulimin e eshtrave të 6000 të zhdukurve.

Po ashtu deri tani ky Kuvend nuk ka ndërmarrë asnjë hap as për pastrimin e administratës të lartë nga ish-Sigurimsat dhe njerëzit me dosje.

A e imagjinoni Ju z.Borchardt sikur administrata apo partitë tuaja në Gjermani të jenë të mbushura me ish-spiunë të Stass-it apo njerëz nga enturazhi a trashëgimtarë të Erich Honeckerit e Egon Krenzit?!

Gjermania juaj nuk ia lejoni vetes as shkeljen e parimeve e as të standarteve! Dhe bën shumë mirë! Po përse bëheni kaq dorëlëshuar dhe ua toleroni klikës së korruptuar të politikanëve shqiptarë?!

Ju drejtohem Ju z.Ambasador nga një fakt i thjeshtë por që flet shumë. Sepse, ndërsa gjithë mediat e Tiranës jepnin live aktivitetin në Kuvend dhe shqiptarët ishin të detyruar të dëgjonin demagogjinë e Edi Ramës apo Lulzim Bashës, në momentin që Ju e morët fjalën, transmetimi live u ndërpre në unison nga të gjitha televizionet. Po ashtu asnjë portal i Tiranës nuk e përcolli dhe, për rrjedhojë, e censuroi fjalën Tuaj.

Fjala Juaj duhej të dëgjohej nga opinioni publik pasi, po për demagogji, opinionit publik shqiptar i thuhet shpesh se Shqipëria po ndjek modelin gjerman!

Cilin model gjerman po ndjek Shqipëria?

Shqiptarët përjetojnë diktaturën e shtetit të kapur!

Shqiptarët përjetojnë diktaturën e oligarkisë së mediave, ku një grup oligarkësh opinionistë merren vetëm me trushplarje.

Shqiptarët përjetojnë diktaturën e një sistemi të korruptuar deri në palcë.

Shqiptarët përjetojnë diktaturën e mungesës të shtetit të drejtës, diktaturën e mungesës të shtetit social!

Shqiptarët përjetojnë diktaturën e varfërisë.

A jetojnë dot pensionistët gjermanë me nga 100 Euro në muaj si pensionistët shqiptarë kur çmimet në Shqipëri janë njëlloj me ato në Gjermani?

Por drama më e madhe është se shqiptarët përjetojnë zhgënimin më të madh nga Perëndimi, sepse Perëndimi, në vend që të ndëshkojë shkelësit e ligjit që janë politikanët e kësaj kaste politike, e mbështesin këtë klasë politike që është dënimi kapital për gjithë popullin shqiptar.

Pra z.Ambasador, nga 70 vjet më parë pak gjë ka ndryshuar.

Vërtetë Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por shqiptarët sot vriten pa gjyqe si 70 vjet më parë, përmes diktaturës të një klike shtetarësh e deputetësh që mbushin xhepat e tyre dhe popullin e lënë në mëshirën e antishtetit, shtetarëve të korruptuar, krimit të organizuar, pasigurisë dhe varfërisë ekstreme.

4 vjet më parë Kacelarja Merkel priti kryeministrin Edi Rama.

Edi Rama në 4 vjet nuk mbajti asnjë premtim.

Mutter Merkel do ta mikpresë prapë Edi Ramën e rizgjedhur dhe farsa do të vazhdojë pasi Perëndimi nuk mban përgjegjësinë që i takon sikur mbajti Gjermania pas bashkimit me DDR, sepse, në fund të fundit, Shqipëria apo Kosova apo Maqedonia duhet të kuptohen sikur janë, pjesë të së tërës europiane.

Kjo detyrë i takon Gjermanisë.

Gjermania nuk duhet ta mbylli njërin sy përballë regjimeve të korruptuara, të cilat shpenzojnë paratë e pista në të gjitha mënyrat, për të përjetësuar regjimin e tyre kriminal në praninë e Ambasadorëve dhe institucioneve Perëndimore, që i shpërdorin dhe i censurojnë, sikur Ju censuruan Ju z.Ambasador !

Në këtë situatë kritike,

Ju bëj lutje dhe thirrje dhe, përmes Jush, edhe Zonjës Kancelare që t’i mbështesni shqiptarët jo këtë kaste politike që e ka çuar vendin në zgrip e kolaps të plotë dhe që është dënimi kapital për popullin e tyre.

Me respekt

Elida Buçpapaj

Kuvendi miratoi një rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid në Kosovë

Me 79 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i dogjën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovicë, Podujevë, Randobravë, Krushë e vogël dhe të madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhduket çdo dëshmi”, tha duke paraqitur rezolutën, kryetari i komisionit për hartimin e saj, Bilall Sherifi.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës.

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për ngritjen e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Votimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë të në parlamentin e Kosovës. Partitë politike shqiptare dhe ato të minoriteteve jo serbe i dhanë mbështetje nismës për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projekt rezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit, ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Sot e kemi tekstin e një rezolute që merret me krimin më të tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Teksti i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidin”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ideja për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Ekspertët thonë se themelimi i një gjykate të tillë kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot gjatë një vizite në qendrën për ruajtjen e eksponateve të rrobave të të vrarëve, se gjykata ndërkombëtare do të ndodh.

“Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahin iniciativën tonë për gjykatë ndërkombëtare. Do të përgjigjen edhe para Kosovës, por gjithsesi edhe gjykata ndërkombëtare jam shumë i sigurt se do të ndodh edhe drejtësia edhe gjykata për gjenocidin serb”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Fotogaleri – Fëmijët e major Klodian Tanushit shpërthejnë në lot para arkivolit të babait

U zhvilluan sot homazhet për ndet të major Klodian Tanushin e i cili humbi jetën në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit të NATO-s.

Në këtë ngjarje të rëndë humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj.

Homazhet u mbajtën në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.

Major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës u shpall “Dëshmor i Atdheut”.

Atë e nderuan presidenti Meta dhe ministrja Xhaçka, si edhe figura të tjera të rëndësishme të politikës në vend.

Ndërsa para arkivolit të pajetë ishin edhe tre fëmijët e major Tanushaj.

Sot në Shqipëri është shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa flamujt janë ulur në gjysmështizë./Express

Udhëtimi i fundit, mbërrin në atdhe trupi i major Tanushit (fotogaleri dhe video)

TIRANË

Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, Dëshmorit të atdheut, i cili u vra në krye të detyrës ndërsa ishte me mision në Letoni.

Arkëmorti i mbuluar me flamurin e kuq mbahet në krahë nga kolegët e tij, ndërsa në aeroportin e Rinasit kanë dalë për ta pritur, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i shtabi i FA, prindërit, bashkëshortja, djali i madh dhe kolegë të tij.

Trupi i major Tanushit do të përcillet në varrezat “Dëshmorët e Kombit” ku edhe do t’i jepte lamtumira e fundit. Lamturia e tij do t’i jepet po në të njëjtën ditë  me atë të efektives së ndjerë të FA, Zarife Muharrem Hasanaj.

Shpërthimi i një mine në kampin “Adazi” të Letonisë u mori jetën dy ushtarakëve shqiptarë, Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushit, i cili ishte komandant i kontigjentit shqiptar. Major Tanushi ndërroi jetë katër ditë pas ngjarjes së rëndë në një nga spitalet e Letonisë për shkak të lëndimeve të shumta.

Pak javë me parë, kontigjenti shqiptar fitoi garën e zhvilluar në bazën ushtarake Camp Adazi si ekipi me i mirë në vrap. Fotoja me kupën e fituar dhe që e mban në dorë majori i ndjerë Klodjan Tanushi, i përket pikërisht asaj dite.

Por kush ishte major Klodian Tanushi?
Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej. Ka kryer kurse funksionale EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”

Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes. bw

Fotogaleri – Të rinjtë shqiptarë duan të ikin, në ambasadën gjermane të kujtohet korriku i vitit 1990

Në korrik të vitit 1990 mijëra shqiptarë iu drejtuan ambasadave të vendeve perëndimore për të ikur nga sytë këmbët prej një Shqipërie komuniste në grahmat e saj të fundit.
Kamioni “Skoda” qe hodhi ne toke murin rrethues te Ambasades gjermane.

Sot pas thuajse 20 vitesh, po të shkosh në ambasadën gjermane në Tiranë, situata duket e njëjtë. Një reminishencë e së shkuarës, por ndryshimi është se askush nuk çan muret me kamionë.

Fotot e mëposhtme tregojnë më shumë se fjalët sesi të rinjtë shqiptarë duan të largohen nga vendi. Dhjetëra prej tyre presin përgjigje për viza, për të gjetur një punë në Gjermani. Situata është e tillë thuajse çdo ditë.

5 vitet e fundit është rritur numri i atyre që janë larguar nga vendi. Të gjitha sondazhet e organizatave vendase dhe të huaja kanë nxjerrë se në masë të madhe shqiptarët duan të largohen në emigracion për një jetë më të mirë.

Kosovë, komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq përfundoi raportin

Komisioni parlamentar që po heton operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, një vit më parë, miratoi të mërkurën projekt raportin mbi operacionin dhe bëri thirrje që çështja të trajtohet nga prokuroria e posaçme e Kosovës.

Kryesuesi i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se komisioni ka konstatuar dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit ndërsa, sipas tij, urdhrin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e ka dhënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mund të them lirisht se janë mbi 31 shkelje, por të faktuara nga dy e më shumë burime janë 31 shkelje të cilat janë evidentuar nga komisioni. Pak a shumë duke marrë parasysh edhe sjelljen e presidentit edhe reagimet si të tij, si të njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë që ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, tha ai.

Muajin e kaluar në këtë komision ishte thirrur të raportojë presidenti Thaçi, por paraqitja e tij ishte përshkruar me përplasje të ashpra dhe akuza të ndërsjella duke çuar edhe në dështimin e seancës dëgjimore. Presidenti Thaçi kërkoi në atë takim hetim ligjor për ekspertin ndërkombëtar që ka hartuar raportin mbi dëbimin e shtetasve turq.

Presidenti Thaçi hodhi kërkesën që të hetohet edhe vet komisioni pasi që sipas tij ka bërë shkelje ligjore me punësimin e ekspertit ndërkombëtarë duke vlerësuar se ai ka qenë i njëanshëm.

Por, anëtari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha sot se e gjitha kjo ishte përpjekje e presidentit për ta penguar punën e tyre.

Mbi 51 profesorë të Harvardit dhe të shumë universiteteve amerikane na kanë dërguar letra neve në mbrojtje të ekspertit. Por, ky skenar i tyre shihej qartazi që është tendencë për ta penguar dhe denigruar përfundimin e kësaj pune. Por ne jemi të bindur dhe tashmë e dëshmuam që kur ekziston vullneti maksimal i politikanëve dhe i kujtdo qoftë, nuk ka person as faktor që mund ta ndalë një proces, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, dhe e gjitha kjo në funksion të vetëm një gjëje; që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha ai.

Raporti përfundimtar i komisionit do të hidhet për diskutim në parlamentin e Kosovës, tha zoti Sveçla, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të trajtojë seriozisht këtë çështje.

Unë mendoj që shkelja më e rëndë është shkelja me vetëdije e institucioneve kryesore të udhëhequra nga presidenti i Kosovës, të të drejtave të njeriut, të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por edhe të konventave ndërkombëtare,të cilat edhe vet sipas Kushtetutës i mbivendosen Kushtetutës së Kosovës. Është faktuar se me vetëdije të plotë janë bërë këto shkelje, motivet ne pak a shumë mund t’i supozojmë dhe besoj që prokuroria duhet t’i thërrasë të gjithë këta bartës të institucioneve veç e veç për të dhënë dëshminë e tyre dhe në bazë të këtyre gjetjeve si dhe gjetjeve të mëtutjeshme të prokurorisë, të ngritën aktakuzat e para”, tha ai.

Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komision parlamentar për hetimin e operacionit, që u themelua në korrik të vitit të kaluar, kishte pohuar edhe më herët se shkeljet më të mëdha, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Këto gjetje, nxitën edhe reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila kishte tërhequr vërejtjen se “trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.

Humbje e thellë për atdheun! Nesër mbërrin në Shqipëri trupi i major Tanushit

Trupi i pajetë i major Klodian Tanushi, që ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, mbërrin në atdhe ditën e mërkurë, datë 15 maj, ora 12.45, me avion ushtarak dhe do të pritet me ceremoni e nderime në pjesën ushtarake të aeroportit “Nënë Tereza”.

Homazhet për Dëshmorin e Atdheut major Klodian Tanushi dhe më pas Ceremonia Shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte, datë 16 maj, ora 10:00 – 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar. Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, arkivoli me trupin e major Tanushit do të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.

Ngushëllime në ambasadat shqiptare jashtë vendit:

Në nder të major Tanushit, në grup-batalionin e NATO-s në bazën Adazi, ku shërben kontingjenti shqiptar është zhvilluar një ceremoni. Ndërsa në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Kosovë, Rumani, Turqi, Bullgari, Itali, etj, është çelur libri i ngushëllimeve për të dy efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, të rënë në krye të detyrës, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët humbën jetën për shkak të një shpërthimi, javën e kaluar në Letoni.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mbrojtjes i Letonisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, ku la shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për dy efektivët.

Në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ndër të tjerë, kanë lënë shënimet e tyre edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.

Kosovë, hapet ekspozitë për fëmijët e vrarë gjatë luftës

Në prani të familjarëve të viktimave të luftës, në Prishtinë është hapur ekspozita me fotografi të fëmijëve të vrarë në luftën e fundit të Kosovës me titull “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”.

Ekspozita e kuruar nga Blerta Hoçia, sjell kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës së Serbisë në Kosovë në periudhën 1998-2000.

Dhjetëra fotografi, veshje, libra të shkollës fillore, fletore, mbathje dhe objekte të ndryshme u shfaqën në një hapësirë të ashtuquajtur “dhomë prej xhami”, ku secili nga objektet përmbante edhe rrëfimin e veçantë.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Bekim Blakaj, para hapjes tha se kjo ekspozitë është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë me familjarët e viktimave.

“Ne në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë kemi ndjerë dhe kemi pasur një nevojë të madhe që të përkujtojmë në mënyrë të posaçme fëmijërinë e ndërprerë për shkak të luftës. Prandaj, ne në FDHK, ka më shumë se një vjet që kemi planifikuar që në 20 vjetorin e luftës në Kosovë, të ndërtojmë një memorial për fëmijë të cilët janë vrarë apo janë zhdukur si pasojë e luftës”, tha Blakaj, i cili tregoi se gjatë ekspozitës nuk do të deklarohet askush, ngase siç tha ai, pamjet flasin vetë.

Siç është shkruar në përshkrimin e ekspozitës, kjo ekspozitë vjen “si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve. Më shumë se sa një ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë”.

FDHK që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.

Ekspozita realizohet nga FDHK dhe mbështetet nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED), Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.