VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DITA E EVROPËS – GJENETIKA ZBULON SE EVROPA ËSHTË NJË FAMILJE E MADHE

By | May 9, 2017

Komentet

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR – LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e 59 – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e 59-të, E hënë, më 10 tetuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Të vêhet qi ata qi rrinë mâ tepër se nji mot në Shqipní të paguejnë.

 

  1. M. Kruja: Të huejve të mos u shitet gjâ e patundshme këtu në Shqipní.

 

  1. M. Kruja: Ata të huej qi banojnë mâ tepër se nji mot këtu në Shqipni dhe rrojnë me t’ ardhunat e vêndit, përjashtohen.

Pas disa diskusioneve, u pranua proponimi i z. z. L. Gurakuqi dhe M. Kruja dhe Art. 5 u formulua ksisoj dhe u pranue :

Art. 5.) Të gjithë nënështetasit Shqiptarë ashtu dhe ç’do nënështetas i huej qi ka nji burim t’ardhunash a fitimit që prej nji vjeti e sipër në Shqipní, janë të detyruem me pagesat e punimet e poshtshênjueme.

 

  1. M. Kruja: Në ligjet t’ona duhet të ketë kthjellësi të plotë, se zbatuesit nuk janë aqë të saktë dhe të ditur, dhe pakë elastik, po të jetë nji ligjë, u ep të drejtë të bâjnë ç’të duen dhe të bâhen abyze. Si e dimë të gjithë, fuqinë në Këshillën Administrativ e ka kryetari, prandaj lypset medoemos të caktojmë neve ç’do gjâ dhe fare çkoqitur, për t’i mbyllur udhën së ligës. Z. Vinjau tha për taksë progresive, po këtu në këtë ligjë s’e shoh të zbatueshme dhe lipset të caktojmë.

 

  1. M. Kruja: E pranojmë, e pranojmë.

 

  1. M. Kruja: Taksa mbas ligjës âsht progresive, në duam t’a bâjmë dy herë progresive, atëherë ndryshon.

 

 

Mbledhja e 61-të, E shtundë, më 15 tetuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Z. Këshilltari me shpjegimet e veta po do të heqë M. e vet prej barrët e tija e t’ja ngarkojë M. të Drejtësisë. Kam ndigjue se këta kanë në dorë nji letër e cila tregon se janë të liruem, dhe ajo letër ka nënëshkrimin e Ministrit të P. të Mbrêndshme. Në qoftë se internimi âsht bâmë nga ana e M. të Drejtësisë, me ç’të drejtë M. e P. të Mbrêndshme i liron ata njerëz?

 

  1. M. Kruja: Jam i mêndjes qi me vendim të Parlamentit të ngarkohet Qeveríja me pregatitë nji ligj, i cili do t’i paraqitet Parlamentit, e pastaj të bisedojmë. Sa për Flamurin e Regjencës nuk e di a duhet qi Regjenca të ketë nji flamur të ndryshëm. Vêndohet t’i shkruhet Qeverís të paraqesi nji ligj mbi përdorimin e Flamurit.

 

  1. M. Kruja : Për favor t’interesuemve të bâhet nji qarkore me të cilën të lajmohen qi të gjithë ata qi duen me shkue për n’Ingliterrë të vijnë të bâjnë vizë pasaportat nga ana e Ministrisë kompetente. (Pranohet)

 

 

Mbledhja e 64-të, E shtunë, me 22 tetuer 1921, ora 5 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Artikullin 6 e kemi mbarue, vetëm kishte mbetun artikulli 20 qi flet për bujk, masi shumica e parlamentit nuk e pa me udhë qi bujku të ndahet nga nënështetasit e tjerë. Prandaj them qi artikulli 20 të bashkohet me artikullin 6, e të ndryshohet i 6, tue përfshí edhe bujkun.

Këndohet neni 20 edhe nji herë i cili âsht ky : Pas këtyne kategorivet qi bahet fjalë në nenet e para të gjithë bujqërit janë të detyruem të punojnë  nga 6 e deri më 12 ditë në mot vetë, me kuaj, me mushka edhe me magjarë ashtu dhe me qerret e tyne në rrugat qi ka me ju diftue prej zyravet botore.

  1. M. Kruja: Bashkohem me mêndimin e Qeverísë përsa i përket rendit të parë d. m. th. qi ai qi ka t’ardhuna deri më 100 napoleona në mot, të jetë i detyruem me dhanë veprën e vet për 6 ditë. Mbasi klasa e bujkut nuk do të ndahet veç, jam i mêndjes qi Art. 20 t’ anullohet krejt ashtu dhe Art. 6 t’anullohet e të bashkohet me Art. 5 tue pranue mënyrën e pagesës ashtu sikur e kemi formulue herën e parë n’ Art. 6.

 

 

Mbledhja e 65-të. E hënë, me 24 tetuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Qi të mundim t’arrijmë në nji përfundim lipset t’a ndajmë çâshtjen, e para a do të pranohet të punojnë të gjithë Shqiptarët nga 6 ditë? E dyta a pranohet taksa progresive? E treta caktim i sasisë të taksës në âsht se pranohet taksa progresive të bahet mâ pastaj.

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja   “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR – LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e 57 – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e 57-të E mërkurë, me 5 tetuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. Luigj Gurakuqi : Nuk due me përsëritë shka thashë mâ parë, por sikur t’ishte se pratikantat mund të çilshin sa herë të dojshin, e ku të dojshin farmacina, nuk do t’ishte nevoja qi njerëz qi duen të bâjnë këtë profesion të bâjnë 17 vjet shkollë fillore, gjimnaz dhe universitet, e për pos edhe dy vjet praktikë për me mujtë me çilë nji farmaci. Sikur t’ishte po them se me pak kohë praktikë mund të bâhet nji njerí farmacist, atëhere degët e kësaj profesonije do të mbushen me djelm rrugash, të cilët mbas 10 vjetësh do t’u paraqitshin para komisionit e do të merrshin lêjen, jo për me mjeshtërue profesionin po për me bâ tregëtí. Pra them edhe nji herë të heqi pak keq populli e të përkrahim ditunín, t’i japim shkas shkêncës se për ndryshe do t’i pritet vullneti djelmunís e kërkush mâ nuk do të dërgojë fëmijë në shkollë për me mësue në këtê degë. Pra artikulli 6 të mbetet ashtu si e ka proponue komisioni e në qoftë se shihet ndonji inkonvenient t’i jepet leja doktorave e kallfëve, në daçin me shërbye të shërbejnë nën shërbimin e tyne.
  2. M. Kruja: Mjerisht po shof se nën hijen e shkêncës e të ditunísë po vështrohet interesi i disave e jo i popullit si tha dhe Z. Vinjau. Nuk âsht n’ interesë të popullit t’u pritet udha gjithë farmacinave qi nuk kanë diplomë, se mbas fjalëve të njerëzve kompetentë për me muejtë me rregullue nji popull me barna, duhet nji farmaci për çdo 5.000 frymë ; kështu qi neve na u lypshin 200 farmacina. Prej këtyne 200 farmacinave mund të gjejmë 20-30 me diplomë, kështu qi na lypen dhe 170 farmacina ; po derisa vêndi i jonë të nxjerri 170 farmacista sa vjet duhen ? E deri atëherë shka do të bâjë ky popull? E lamë se do të mbesin nën interesë të farmacistave qi kemi sot me diplomë, por shumica e popullit do të mbesi pa barna. Z. z. Gurakuqi e Buda po ja ngarkojnë këtë detyrë doktorave, por mbasi doktori âsht i detyruem me marrë nji kallfë, mua më duket se kjo nuk âsht nji gja e re pse kët e ka ligja, e cila thotë se farmacistat do të jenë nënë kontrolin e doktoravet. Kontrolin e mjekut e pranoj me gëzim por megjithkëtë nuk kemi ndîe qi nji kallfë të ketë dhânë nji recetë qi ka shkaktue vdekjen e ndokujt. Pra kisha me thânë në vênd qi të lâmë vêndin t’onë pa farmacista t’u apim të drejtën edhe kallfave me i çilë, me ato kondita qi cakton ligji, të cilat janë mjaft të rânda e të forta, 10 vjet shërbim nën kontroll mjeku, provim etj., të cilat sigurojnë rreziket qi mendojnë z. z. Pra tue ndalue drejtpërdrejt ose tërthuras veprimin e kallfave do t’a lâmë Shqipnínë e popullin në dorë të disa farmacistave të cilët do të punojnë mbas qefit të tyne. Pra proponoj: 1) Farmacistat pa diplomë qi gjînden nëpër qytete të Shqipnisë të mos tunden; 2) Ata qi do të bahen rishtas farmacista d. m. th. pa diplomë mos të kenë të drejtë me çilë farmacina atje ku ka, por atje ku nuk ka, vetëm me siguri qi mos me i luejtë prej andej se ardhka ose mos arthka nji farmacist me diplomë.
  3. Kryetari : Vê në votë artikullin 6 të Komisionit, i cili mbet në pakicë. Vê në votë proponimin e z. M. Kruja qi bashkohesh me atê të z. S. Vinjaut, i cili âsht formulue kështu :

Praktikanët, farmacistat qi kanë shërbye 10 vjet pranë nji farmacisti me diplomë, e qi mund të paraqesin nji dëftesë prej tij, të vërtetueme edhe nga ana e mjekut dhe Këshillit të Bashkís (Katundarís), mund të marrin lêjen me ushtruem mjeshtrín e vet mbas nji provimi përpara Komisís, përmêndun në nenin 3. Farmacistat pa diplomë, qi janë sot në punë, mund t’a bâjnë mjeshtrín e tyne……..

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja  “Gjysmë shekulli me pendë

“Duket që është vrasje e jo vetëvrasje”- Kalo rrëfen bisedën konfidenciale me Enverin para pushkatimit të ministrit që dyshoi për Mehmet Shehun

Pjesa në vijim e rrëfimit të Isuf Kalos, mjekut personal të Enver Hoxhës, marrë nga libri “Blloku”, botim i “UET PRESS”, përshkruan prapaskenat e dënimit të Llambi Ziçishtit, ish-ministër i Shëndetësisë, një nga mjekët kirurg më të mirë të kohës, i cili u kryqëzua si pjesë e grupit të komplotistëve që do të helmonin Enverin. Kalo, duke qenë pranë diktatorit, ka konstatuar ndër të parët shpërfilljen e më vonë dhe urrejtjen e çiftit Hoxha ndaj Llambi Ziçishtit, i cili njihej si një beniamin i Mehmet Shehut, asokohe i vetëvrarë në kushte të dyshimta. Furtuna ndaj grupit të ish-Kryeministrit pas këtij akti fatal do të përfshinte dhe ministrin e Shëndetësisë, i cili shkoi para skuadrës së pushkatimit me akuzën vulgare se kishte siguruar ilaçin për të helmuar kreun e regjimit..

 

TRAGJEDIA E LLAMBI ZIÇISHTIT Të frikësuar për çka mund të ndodhte, pjesëtarët e ekipit mjekësor më kërkuan që dramacitetin e gjendjes t’ia bëja prezente Nexhmijes dhe udhëheqjes më të lartë. Ishim në Vlorë, tri orë larg Tiranës, pa mjetet dhe aparaturat e duhura për të përballuar një krizë fatale dhe nuk duhej ta mbanim ne të gjithë përgjegjësinë pa informuar për rrezikshmërinë.

Ata kërkuan që të paktën të njoftohej e të thirrej të vinte aty ministri i Shëndetësisë, profesor dr. Llambi Ziçishti. Ai le të vendoste pastaj se cili duhej informuar e si duhej vepruar më tej. Llambi ishte mjek kirurg me përvojë, me edukatë qytetare, xhentil, me kulturë e me nostalgji franceze dhe, siç kuptohet, edhe filofrancez, pasi një pjesë të studimeve mjekësore i kish kryer së pari në Bukuresht e pastaj në Paris. I telefonova dhe e njoftova për çka më ngarkuan. Ai hezitoi me droje. “Je i sigurt që duhet të vij unë?”, më pyeti.

“Është mendimi i ekipit”,- i përsërita unë. “E keni biseduar me ata ‘brenda’?”, ngulmoi ai, duke aluduar për pacientin dhe të shoqen. “Jo, por mendimi është ta bëjmë këtë së bashku me ju, kur të jeni këtu”. Kështu ai erdhi me urgjencë dhe u takua me ekipin në vilë, në dhomën e katit përdhes që kishim aty në dispozicion.

U vendos që ai dhe unë të takonim fillimisht Nexhmijen, ta ndërgjegjësonim atë për gjendjen e më pas, me lejen e saj, të informonim e pyesnim udhëheqjen e lartë për zhvendosjen apo jo në Tiranë. Të shoqëruar nga infermierja, Drita Ndoni, iu drejtuam të dy ashensorit që do të na ngjiste një kat më lart, ku te dhoma e ndenjjes ishin Enveri dhe Nexhmija. Ministri ishte i zbehtë dhe ngurronte e ndihej i pasigurt për çka po bënte. I qe tharë pështyma.

Ai m’u drejtua edhe një herë: “Vërtet është e nevojshme të vij edhe unë?”. “Patjetër,- i thashë,- ju jeni ministër. Kjo situatë nuk zgjidhet dot vetëm nga ne mjekët”. “Ngjitu ti e para me ashensor,- i thashë infermieres,- dhe njoftoje shoqen Nexhmije se ka ardhur ministri i Shëndetësisë posaçërisht nga Tirana dhe mundësisht do t’ju takojë ju bashkë me mua në emër të ekipit”.

Ajo u ngjit dhe ne pritëm gjatë kohës në këmbë përpara ashensorit. Ministri filloi të shqetësohej, u zbeh më shumë dhe mezi po qëndronte në këmbë. Më në fund infermierja zbriti dhe duke evituar të më shihte në sy, tha: “Shoqja Nexhmije tha se nuk ka dijeni për takimin. Tha që është tepër e zënë”. Pastaj Nexhmija i pat thënë, “fundja le të ngjitet fillimisht vetëm dr. Isufi dhe ai të presë në korridor deri sa të mund të shkëputem nga Enveri”. Ata të dy ishin në dhomën e ndenjjes, ku ishte oxhaku dhe televizori.

Atë çast mua sikur më ra pika. Nuk po kuptoja çfarë dhe pse po ndodhte e gjitha kjo. U ndjeva fajtor ndaj ministrit, ish-pedagogu im. Ai u djersit e u bë dyllë. “Të thashë”,- më pëshpëriti me zë të ulët, sikur i fliste vetes. Dhe u largua prej aty kokulur me hapa të ngadaltë, zvarritës drejt ekipit. Nexhmijen e prita i pezmatuar për shumë kohë në këmbë, në korridorin përpara dhomës së tyre të zjarrit. Ajo erdhi e nxituar, e vrenjtur, e shqetësuar. “Nuk e kemi kërkuar ne ministrin”, nxitoi të thoshte, pa më përshëndetur fare e me gojën si të tharë nga nervozizmi.

“Merruni ju vetë, bëni ç’të doni me të! Mua mos më ngatërroni!” Ardhja e papritur e ministrit dukej që atë e kishte shqetësuar, përderisa, siç u kuptua, ajo nuk e kishte informuar për këtë as të shoqin. Prandaj doli nga dhoma ku ishte me të dhe u takua me mua nxitimthi në këmbë, në korridor. Ndoshta pati frikë mos ai e interpretonte ardhjen e ministrit pa kërkesën e tij si me ftesë ose iniciativë të fshehtë të saj. Kjo u kuptua kur ajo tha “mua mos më ngatërroni” dhe jo “neve mos na ngatërroni”.

Ajo na e la ne mjekëve përgjegjësinë e thirrjes së tij në vilën e tyre në Vlorë, pa kërkesën dhe lejen e Enverit dhe as të saj. E keqja ishte se pas atij incidenti, as ministri nuk kishte assesi dhe as me çfarë të na ndihmonte. Arsyen e sjelljes së çuditshme të asaj dite do ta kuptoja disa muaj më vonë. Shpërfillja e tillë e një vizitori në shtëpinë e saj, ministër i qeverisë e njëkohësisht kirurg i njohur dhe profesor i mjekësisë, m’u duk jo e përligjur e shumë e tepruar, por siç rezultoi më pas, edhe ajo qenkej në rolin e “Nexhmijes tjetër”, asaj arrogantes inatçore, e përbetuar dhe e pamëshirshme ndaj “armiqve” të zbuluar a projektuar nga partia.

Arsyeja e asaj sjelljeje të vrazhdë ndaj ministrit Ziçishti u kristalizua pak kohë pasi u kthyem nga Vlora në Tiranë. Një mëngjes, pasi ishte zgjuar nga gjumi, Enveri kërkoi të shkoja pranë tij. Shkova bashkë me infermieren me mendimin për vizitë mjekësore, teksa ishte ende në shtrat. Por ai i bëri shenjë me kokë asaj që të na linte vetëm. Kuptohej që ishte fjala për një bisedë konfidenciale.

Dhe vërtet, pa e zgjatur, ai me një ton të rreptë, jo të zakontë në komunikimin me mua, pyeti: “Ku i ruani ju, kush tjetër i shikon analizat dhe dosjen time shëndetësore? Analizat e mia, radiografitë e mia, ato regjistrimet e zemrës ku ruhen ato, kush i ruan?” Unë ngriva. Reagimi i tij më erdhi krejt i papritur.

Ai asnjëherë nuk kishte pyetur, as ishte interesuar për to. Sa po hapja gojën të përgjigjesha, ai nuk më la, por i nervozuar vazhdoi me të njëjtin ton: “Sepse, kupton ti, nuk ka punë cilido njeri që t’i shikojë ato. As drejtori i klinikës nuk ka të drejtë dhe askush tjetër. Bile, bile,-tha, dhe këtu u ngrit pak mbi jastëk, ngriti më lart edhe zërin,- as ministri i Shëndetësisë. Unë u hutova. Nuk po orientohesha dot për arsyen e këtij reagimi jo të zakontë të tij.

Gjithmonë me ton autoritar u ngrit edhe më mbi jastëk dhe duke më parë drejt e në sy, më tha: “Jo po më kupton ti, kohë e bukur, çelin portokajtë në Vlorë, me erë të mirë dhe ministri bën peripato, më kupton? E kupton peripaton ti?”,- përsëriti sikur po më thoshte: E kupton o kokëtrashë? “Ju kuptoj shoku Enver i thashë”,- dhe ndjeva mornica në shpinë. Kuptova që të gjitha fjalët dhe frazat që ai tha, mënyra si i tha, të gjitha ato që përmendi: analizat, dosjen, dokumentet, radiografitë, klinikën, drejtorin e saj, ishin të gjitha garnitura të qëllimshme. Thelbi që ato mbështillnin ishte vetëm një fjalë: ministri. Ai, në mënyrën e tij, ma tha dhe njëkohësisht nuk ma tha, se duhej ta mbaja larg ministrin nga çështjet shëndetësore të tij.

E thënë ndryshe, Ziçishti nuk ishte më ministër, pavarësisht se ai vetë ende nuk e dinte këtë. “Kaq e pati dhe Llambi”, mendova me pikëllim. Më pushtoi një trishtim dhe tronditje sepse, pa dashur, sikur ishim bërë ne kolegët e tij shkak për atë dreq vizite në Vlorë. Por shkaku nuk kishte qenë vizita në Vlorë. Keqsjellja me të cilën u prit atje vetëm zbuloi që ai nuk ishte më person i dëshirueshëm për Enverin. Arsyeja? Prof. Llambi pati qenë shumë i afërt, si mjek shtëpie, te Mehmeti dhe familja e tij. Ai e pati shoqëruar Mehmetin edhe në udhëtimin e tij dramatik me transatlantikun “Quine Elisabeth” për në Nju Jork, i ftuar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Më pas u fol që në të njëjtin vapor kishin udhëtuar njëkohësisht me Mehmetin edhe Tito dhe djali i Çërçillit dhe se gjoja ata ishin takuar edhe në mënyrë sekrete mes tyre. Të gjithë miqtë e Mehmetit dhe të Fiqiretes ishin në një listë të zezë, të destinuar për eliminim ose transferim. Llambi dhe vëllai i tij, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Brendshëm në vitet që Mehmeti pat qenë ministër, e ndienin dhe dyshonin se ishin në atë listë dhe prisnin në ankth. Për më tepër, kur Mehmeti u gjet i gjakosur pa jetë në krevatin tij, në mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, nga plumbi në kraharor, Llambi Ziçishti, që u thirr bashkë me ekspertët mjekoligjorë për ta parë, thuhej se “i foli më parë goja sesa mendja”.

Thonë se ai ishte shprehur: “Bre, po kjo duket si vrasje, jo vetëvrasje”. Ministri Llambi Ziçishti fillimisht nuk kishte qenë personalisht i përfshirë, as i informuar për çështjet shëndetësore të Enverit dhe të familjes së tij. Ai nuk bënte pjesë në ekipin tonë mjekësor të Enverit. Ne lidhjet i mbanim direkt asokohe me Hysni Kapon dhe më vonë me Mehmetin. Nuk dihej pse ishte bërë ky mënjanim, pa ndonjë dokument të shkruar, por vetëm i nënkuptuar. Shkak që ministri Ziçishti të përfshihej në veprimtarinë e ekipit mjekësor të Enverit u bë një ngjarje dramatike, që ndodhi në fund të dhjetorit 1975, lidhur me operimin me vonesë të Sokolit, i cili, në ditën që bota festonte Krishtlindjen, u sëmur nga një apendicit akut jotipik.

Për këtë morëm vërejtje më pas, unë si mjek i familjes, profesori P. G. kirurg i shquar, që e konsultoi dhe e operoi, dhe prof. Hoxha, i cili në fakt nuk pati asnjë faj. Që ditën e parë që i sëmuri pati ankesat e para më lindi dyshimi për diagnozën e apendicitit, e cila mbështetej edhe nga analizat përkatëse që kërkova dhe u kryen menjëherë. Në këto rrethana, meqë sëmundja ishte e karakterit kirurgjikal, po atë ditë thirra kirurgun, profesor P. G., i cili, pasi e vizitoi me kujdes, për fat të keq nuk e krijoi bindjen për atë diagnozë.

Ai rekomandoi vëzhgimin e gjendjes. E nesërmja qëlloi e diel, i sëmuri nuk ishte qetësuar. Të hënën, që në mëngjes, në vizitën e dytë, prof. P.G. dhe prof. B.E., një tjetër kirurg ky i talentuar, nga më të mirët e vendit, e konfirmuan diagnozën e apendicitit akut, por gjykuan se ishte e formës katarrale, që mund të shërohej me antibiotikë të fuqishëm, pa qenë nevoja për operacion, çka nuk do të prishte edhe atmosferën festive të atyre ditëve në familje, sepse ishte vigjilja e Vitit të Ri.

Kështu, operacioni u shty edhe dy ditë nën mjekimin intensiv me antibiotikë. Vendimi i kirurgëve për shtyrjen rezultoi gabim fatal. Gjendja gjatë atyre ditëve në vend të përmirësohej, u rëndua. U bë dramatike. Atëherë u ndërhy me urgjencë në sallën e klinikës speciale të udhëheqjes, por apendiciti ndërkohë kishte plasur dhe kishte shkaktuar peritonit akut.

Jeta e djalit u vu seriozisht në rrezik. Madje, në pikëpyetje. Enveri kur u informua e përjetoi ngjarjen me shqetësim dhe zemërim të jashtëzakonshëm. Ai erdhi vetë në klinikë ta shihte të birin. I revoltuar, nuk i takoi kirurgët dhe asnjërin nga mjekët e tjerë. Më thirri vetëm mua për sqarim. Unë më shumë belbëzova sesa fola. Ai dëgjonte i përqendruar, i ngrysur, me vetullat e mbledhura si një luan tejet i egërsuar me krifën e ngritur. Unë, si lepur zemërdridhur para tij.

Për fat të mirë, për Sokolin gjithçka përfundoi lumturisht mirë, pa pasoja shëndetësore për të, por Enveri i zëmëruar për disa kohë më pas, nuk deshi të shihte asnjë mjek me sy. I ndërpreu kontaktet me ne, përfshi dhe me mua, si ishmjek personal i tij. Pas ngjarjes me Sokolin më larguan për disa kohë nga detyra e mjekut personal të Enverit. Fillova punën në Spitalin Universitar të Tiranës.

Kalova disa muaj psikologjikisht të vështirë, me damkën “person i padëshiruar nga shoku Enver”. Mirëpo, një ditë, ndodhi e papritura. Diçka e jashtëzakonshme. Enveri tashmë me zemërim të zbutur kërkoi që të kthehesha përsëri tek ai, si mjek i tij …Unë isha në Tiranë, kur një pasdite më njoftuan se më kërkonte me urgjencë Hysni Kapo, i cili ndodhej me pushime në vilën e tij të Bllokut, në plazhin e Durrësit.

Ai po më priste nën një tendë në oborr dhe pa humbur kohë më njoftoi se “duhet të nisesha menjëherë për në Pogradec, ku po pushonte shoku Enver, sepse më kishte kërkuar ai vetë”. Fill më pas u nisa. Udhëtuam gjatë natës, nën një rrebesh shiu me shofer Bimin dhe në mëngjes ishim në Pogradec. Më thanë të shkoja menjëherë te pacienti.

Ai ishte i vetëm duke lexuar gazetën, në kopshtin e vilës ku pushonte, i ulur në një karrige kashte, pranë një mështekne. Kur i vajta pranë, ai më priti si me habi. Bëri të paditurin për mungesën time disamujore: “Ç’u bëre?- tha si i çuditur. -Humbe si varri i evgjitit”. Unë nuk fola, vetëm buzëqeshja. Ai më tregoi për disa shqetësime që kishte pasur. I propozova që ta vizitoja dhe t’i regjistroja një elektrokardiogram që atë natë. Pranoi pa kundërshti.

Mjegulla e zemërimit që pati ndjerë, me sa dukej ishte davaritur. Kur furtuna e madhe kaloi dhe djali ishte jashtë rrezikut për jetën, u urdhërua nga lart që ngjarja të analizohej. Analiza u bë vetëm me grupin e mjekëve pjesëmarrës në ngjarje, pa tendenca dhe pa nuanca politike. Fillimisht u tha se atë do e kryesonte Hysni Kapo, por ky ia la me finesë këtë rol prof. Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë.

Ishte hera e parë që atij i besohej një çështje shëndetësore e familjes Hoxha. Në drejtimin e asaj analize-gjyq, Llambi nuk e fshihte kënaqësinë dhe krenarinë për këtë promovim të tijin në rang të ri besueshmërie. Llambi atë ditë e përjetoi gradimin e tij si eveniment fatlum, pa e ditur që po futej me këmbët dhe dëshirën e vet në një zonë të minuar, ku, edhe po të ecje në majë të gishtave, mund të hidheshe në erë.

Në ato ditë që Enveri më pati lënë të kuptoj për fundin e ministrit Llambi Ziçishti dhe këputjen e marrëdhënieve me të, Llambi po priste me padurim autorizimin që të shkonte në Gjenevë në muajin maj, ku ishte i ftuar në mbledhjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me të gjithë ministrat e Shëndetësisë të vendeve anëtare.

Ditët po afronin dhe autorizimi nga ana e qeverisë nuk po i vinte. Llambi parandiente diçka jo të mirë në këtë vonesë dhe më telefononte ato ditë herë pas here me ankth: “Hë mo Isuf, ç’kemi? Ke dëgjuar gjë? Ndonjë të re nga ju?”- më pyeste. “Jo, asgjë këtej, heshtje”,- i dredhoja unë me dhembje. Ishte “gënjeshtër e bardhë”, për të mos e traumatizuar, por që fshihte brenda saj lajmin e zi.

Nuk do të kalonin shumë kohë dhe ministri i Shëndetësisë Ziçishti, në vend që të merrte në dorë autorizimin për në Gjenevë, do të merrte në duar prangat. Ai do të arrestohej dhe do të pushkatohej si “bashkëkomplotist” në kuadrin e grupit të “poliagjentit” Mehmet Shehu

“Në marrëdhënie me Berishën gjithmonë kam ndjerë një lloj kompleksiviteti”- Bamir Topi flet për ‘sekretet’ e pathëna

I ftuar në programin ‘Natë me Xhaxhiu’, ish-presidenti Bamir Topi ka folur mbi librin e ri të tij “Kur arsyeja errësohet nga pusheti”, të publikuar pak kohë më parë.

Ai është shprehur se lidhur me librin nuk ka asnjë peng dhe se nuk është nuk është penduar për çfarë ka shkruar.

 

“Jo absolutisht nuk kam asnjë peng nga libri im sepse ja kam bërë këtë pyetje disa herë vetes. Në kafet tona thuhet shumë më tepër.  Megjithse unë kam qënë shumë i kuzuar në çfarë kam thënë.  Unë jam rritur në një klimë të mirë i rrethuar me institucione kulture, komshinj shumë të mirë dhe edukatë familjare. Ky është një libër aq cilësor sa ta rrëzosh sa të duash, ai prapë në këmbë do të qëndrojë.  Kush më shumë se unë do ti priste xhelozitë dhe intrigat?!

Në këtë marrëdhënie me Berishën unë gjithmonë kam ndjerë një llojë kompleksiviteti dhe inferioriteti kundrejtë të tjerëve dhe për këtë gjë nuk është faji jonë. Unë e kam besuar Sali Berishën në momentin e fundit të zgjedhjes së kryeministrit, sepse rikthehej qeveria.  Njohja me Berishën nuk ka qënë moment i i cili më futi në politikë.  Unë kisha një karrier të suksesshme profesionale, nuk ka lidhje njohja me Berishën.

Unë shkova se kam dashur këtë gjë jo se më ka dërguar njeri me zor. Unë kamë shkuar duke vlerësuar fatin e ish-kryeministrit. Në marrëdhëniet tona kishte shumë kujdes dhe kjo ka bërë të mundur që të përballojmë autoritarizmit, arrogancës etj”, tha ndër të tjera Bamir Topi.

Bamir Topi: Si e gjeta Berishën të strukur dhe të përlotur në 1997

Në librin e tij, Bamir Topi rrëfen ngjarje politike dhe situata të padëgjuara më parë. Ndër të tjera, Topi ka treguar edhe gjendjen në të cilën e gjeti Sali Berishën, pasi ishte rrëzuar si President dhe bisedën që zhvilloi në korrik të 1997.

“Në këto zgjedhje korri një tore të thellë koalicioni i majtë, duke marrë drejtimin si kryeministër Fatos Nano pas daljes nga burgu, duke propozuar qysh në krye të herë z. Rexhep Mejdani për President të Shqipërisë. Zgjedhja e tij u shoqërua me shkrepje në masë të armëve, që sillnin jehonën e gëzimit të largimit të Sali Berishës nga Presidenca.

Berisha erdhi menjëherë të nesërmen drejt selisë së PD-së, pas deklarimit të dorëheqjes së Tritan Shehut. Në mbrëmjen e 24 korrikut 1997, rreth orës 22:22 po kthehesha me familjen në shtëpi dhe po përshkoja rrugën ‘Toptani’ pranë selisë së PD. Në një çast u them që po futem të takoj Berishën, ndërkohë që ai vazhdonte të qëndronte në zyrë. Nga dera e jashtme e ndërtesës, gjatë shkallëve dhe korridorit që të çonte në zyrën e vjetër të kryetarit të PD-së nuk ndesha këmbë njeriu.

Gjithçka bosh aq sa mendova se kurrkush nuk ishte brenda. Duke iu afruar derës së sekretares, del dikush dhe pasi më pa më përshëndeti dhe më bëri shenjë që Berisha ishte aty. Hapa derën dhe pash një njeri tjetër nga ç’isha mësuar të njihja. I strukur në kolltuk, i demoralizuar dhe ndoshta i hutuar për sa kish ndodhur atë ditë.

Paradite ai ishte larguar nga Presidenca dhe pas dorëheqjes së ‘vullnetshme’ të Tritanit, Berisha ishte kthyer kryetar i PD. U përshëndetëm dhe pasi më ftoi të ulesha i thash se do të rrija vetëm pak minuta pasi kisha familjen në makinë.

Prita që ta filloja unë bisedën i pari dhe kështu ndodhi. –Doktor- i thash, – e di që kjo është tepër e vështirë, por gjithçka do të jetë ndryshe duke filluar qysh nesër. Kjo që ka ndodhur nuk ka të bëjë vetëm me ju! Unë di t’ju them që tek unë llogarit një mik, – dhe për t’i treguar gatishmërinë time vazhdova: Telefoni im është i hapur 24 orë, fatmirësisht shtëpia ima nuk është më larg se 300 m nga selia. Në çdo situatë unë do të jem këtu’. Pas këtyre fjalëve i thash që po largohesha dhe se do të shiheshim. U përshëndet gati i përlotur. Ishte në një gjendje morale të rënduar”.

Drenicë 1924: Arkivolët e serbëve të vrarë nga çeta e Azem Bejtës (fotot)

Publikohen për herë të parë fotografi të ushtarëve serbë të vrarë në betejën e Galicës në Drenicë në vitin 1924.

Por marshimi i ushtrisë pushtuese serbe, i filluar natën nga Mitrovica në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Vojtesh, do të kthehej në drejtim të Galicës dhe “Arbëris së Vogël” duke rrethuar pas mesnatës të tri fshatrat ende të lira, Galicën, Lubavecin dhe Mikushnicën.

Serbia kishte dërguar atje mbi 1000 trupat e saj më të stërvitura dhe më të mirë-përgatitura si dhe oficerët më të zot për luftime,me qëllim të shuarjes definitive si të Arbërisë së Vogël, ashtu edhe të lëvizjes kryengritëse të shqiptarëve në përgjithësi.

Megjithëse sulmet serbe do të fillonin herët, që para agut të mëngjesit,me të gjitha llojet e armatimeve të rënda dhe nga të gjitha anët duke u munduar që ti zinin luftëtarët e Azem Bejtës në befasi,përkundër dëmtimeve nga topat e ushtrisë pushtuese serbe, Azem Bejta me disa nga bashkëluftëtarët e tij, do të arrinte që ta çante rrethimin e hekurt trepalësh të cilin e kishte vënë ushtria, xhandarmëria dhe vullnetarët serbo-malazezë.

(Balkanweb)

Kalo rrëfen prapaskenat: Kush vendosi për eliminimin e Hazbiut. Nga nofka “Masoviku i zi”, tek revolveri që ia lanë për të vrarë veten Mehmet Shehut

Mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo në librin e tij “Blloku”, i botuar nga UETPress, ka rrëfyer prapaskenat e eliminimit të Kadri Hazbiut.  Në këtë libër tregohen fakte interesante për ngjarjet e kohës, nga prishja e marrëdhënieve mes Hoxhës dhe Hazbiut, tek “hapja e rrugës” për ngjitjen e Ramiz Alisë.

Nga Isuf Kalo

 

Pas arrestimeve, internimeve dhe pushkatimeve të një numri të madh zyrtarësh të lartë, anëtarë të Byrosë Politike, ministra, gjeneralë, drejtues institucionesh kombëtare do të ndodhte e pabesueshmja. Radha do t’i vinte Kadri Hazbiut. Ai që pa iu dridhur qerpiku kishte burgosur, torturuar dhe eliminuar armiq të panumërt realë dhe imagjinarë të Enverit, do të shpallej një ditë edhe vetë si ata “agjent i të huajve dhe tradhtar”.

Kadriu pat kujtuar se Enveri nuk mund të gjente person më besnik, më të devotshëm, më të vetësakrifikuar në shpirt dhe në moral sesa ai. Ai i kishte krijuar dhe i pat dhënë Enverit, në përballje me kundërshtarët, gjithçka që i ishte dashur pa asnjë hezitim, sajesa, fakte fiktive, shpifje, intriga dhe varre.

Në pozitat e ministrit të Brendshëm Kadriu i kishte acaruar marrëdhëniet edhe me Mehmetin, që e kishte epror si kryeministër për t’i dhënë Enverit të kuptojë që ai ishte në shërbim personal vetëm të atij.

Gabimisht, ndonjë gazetar, apo shërbime të fshehta të huaja e patën konsideruar Kadriun, si kushëri apo i afërt familjarisht me Mehmetin dhe si i tillë, edhe dishepull i tij. Ngatërresa lidhej me faktin që gruaja e Kadriut kishte në vajzëri mbiemrin Shehu, por ajo ishte me origjinë nga Tepelena, pa asnjë lidhje gjaku apo familjare me Mehmetin. Në këtë ngatërresë pat rënë edhe radioja jugosllave që lajmëroi, se Mehmeti me “kushëririn e tij, Kadri Hazbiu, kishin tentuar të vrisnin në mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit 1981 Enverin”.

Pas eliminimit të Mehmetit, në të cilin Kadriu luajti rol agresiv kryesor, familjarët e tij prisnin dhe përhapën lajmin se Kadriu do të promovohej, së paku si kryeministër. Kjo u besua gjerësisht, sepse Kadriu falë mënyrës së përzemërt, pa pompozitet dhe modestisë në sjelljen dhe komunikimin e tij me njerëzit, në disa kontingjente sidomos në Vlorë ishte mjaft popullor. Ai nuk linte rast pa bërë qokat e duhura ndaj kujtdo që kishte pasur miqësi apo njohje me të.

Por të gjithë u gabuan në parashikimet e promovimit të tij në post më lart. Ndodhi e kundërta.

Pakkush e pati kuptuar që Kadriu duke u bërë më i famshëm dhe më i adhuruar, ishte shndërruar në person të dëmshëm dhe të rrezikshëm, sepse kontrastonte me sjelljen e ftohtë, të përmbajtur pa karizmë të atij që Enveri pati projektuar të ishte i pari i vendit pas largimit të tij nga jeta. Ai ishte Ramiz Alia. Në rrethanat e reja, popullariteti i Kadriut, u bë i padëshiruar, prandaj Enveri do t’i vinte atij me nervozizëm nofkën “masoviku i zi”. Në fakt gjatë procesit të eliminimit të Mehmetit dhe çrrënjosjes së të gjithë klanit të tij, ndihma e Kadriut ndaj Enverit pat qenë e pazëvendësueshme. Ajo shërbeu njëkohësisht për t’i hapur rrugën drejt majës së pushtetit Ramiz Alisë. Kadriu shërbeu me besnikëri dhe me më tepër ndershmëri ndaj Enverit sesa Fusheja ndaj Napoleon Bonopartit. Por rruga për pasardhësin, pasi ishte hapur, duhej edhe pastruar. Kadriu ishte shkëmb i madh për t’u kapërcyer nga Ramizi, i cili nuk kishte as kult, as energji, as admirues personalë të tij.

Problemi ishte se te ky shkëmb ishte e vështirë që të vendosej dinamit për ta hedhur në erë, sepse ndryshe nga rastet e kolegëve të tij apo edhe të Mehmetit, nuk dukej as njihej ndonjë e çarë. Kadriu nuk kishte faje të njohura, si p.sh. Mehmeti me fejesën e të birit ose Beqiri me strategjinë e fshehtë.

Një tentativë për ta lidhur Kadriun me grupin e Xhevdet Mustafës të ardhur për të vrarë Enverin, nuk ngjiti në publik. Enveri u propozoi së pari Ramizit dhe Hekuran Isait për Kadriun dënim shkallë-shkallë, duke e çuar në detyra më të ulëta, por dy beniaminët e rinj të Enverit e nxitën për ta hequr qafe Kadriun pa vonesë.

Ishin Ramizi dhe Hekuran Isai në detyrën tashmë të ministrit të Brendshëm që e shtynë dhe e ndihmuan Enverin ta arrestonte Kadriun sipas parimit paraveprues. Arsyeja, faktet dhe shkaku i arrestimit do të gërmoheshin dhe do të gjendeshin më vonë. Mjafton ky rol koleg-vrasës që ta nxijë pacifizmin dhe mospërzierjen në dhunën e pushtetit të pretenduar nga Ramizi.

Ditën e Plenumit të Partisë, i cili u bë i famshëm për nervozizmin dhe një agresivitet jo të zakontë nga ana e Enverit ndaj Kadriut, ndodhi që ta shikoja atë duke ngjitur me vështirësi shkallët e ndërtesës së Komitetit Qendror të Partisë për të qenë i pranishëm në atë plenum, ku do të bëhej gjyqi partiak ndaj tij. Ai ishte ende i padënuar, pra ende anëtar i Byrosë Politike dhe, si i tillë, i takonte të hynte në atë ndërtesë me ashensor si zakonisht nga porta kryesore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bashkë me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike.

Kurse ai po ngjiste shkallët në këmbë nga hyrja e pasme e kopshtit, së bashku me anëtarët dhe kandidatët e Plenumit të Komitetit Qendror. Ende i padënuar ai ishte praktikisht i përjashtuar. Ishte i zbehtë, i dobësuar më shumë se zakonisht dhe nga ngadalësia me të cilën i ngjiste shkallët dukej tejet i rraskapitur.

Unë mbajta hapat i ndrojtur për të mos u ballafaquar me të. Kur hyri në sallë, ai zuri vend në radhët e pasme, ndonëse sipas postit ende i takonte të ulej bashkë me kolegët e tjerë të Byrosë Politike në podium. Gjyqi partiak kundër tij besoj se ishte më i vështiri në kuptimin e mungesës së argumenteve të dukshëm dhe të besueshëm për fajësinë e tij.

Kjo dhe temperamenti kurajoz i tij bënin që të pranishmit në sallë të dukshin të ndrojtur dhe të kontraktuar. Them se asnjëri prej tyre nuk besonte në mundësinë e tradhtisë së Kadriut ndaj Enverit. As unë. Kurrsesi. Ndërkohë ata nuk kishin të qartë se cili ishte faji real dhe as deri ku duhet të shkonte dënimi i tij. Prandaj të pranishmit në atë plenum rrinin si të tulatur.

Sulmi ndaj Kadriut nisi nga kuadro të Komitetit të Partisë së Tiranës duke e bërë përgjegjës si ministër i Brendshëm për sjelljet moralisht të papërshtatshme dhe fejesën politikisht të dënueshme të Skënderit, djalit të Mehmet Shehut. Kadriu reagoi duke argumentuar se edukimi moralo-politik i të rinjve dhe i komunistëve ishte detyrë e Komitetit të Partisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme. Një ish- koleg i tij, kuadro i lartë në Ministrinë Brendshme, i bëri disa pyetje provokuese, por Kadriu iu përgjigj qartë dhe me gjakftohtësi.

Të pranishmit në sallë ishin si të përhumbur. Ndoshta jo pak prej tyre kishin pasur marrëdhënie të përzemërta e miqësore me te. Nuk kishte atmosferë armiqësore ndaj të akuzuarit. Titullarët e drejtësisë dhe të ligjit, kryeprokurori, kryehetuesi, ministri i ri i Brendshëm, Hekuran Isai, ishin të pranishëm, por rrinin të heshtur gjithashtu në pritje të fjalës dhe dënimit që do t’i jepte të akuzuarit partia. Enveri e kuptoi që duhet të ndërhynte vetë, që të jepte orientimin dhe tonin e dënimit të tij.

Prandaj, ndonëse i rraskapitur, ai provokoi debat direkt me të ndaj kundërshtimit që Kadriu u bënte akuzave për tradhti. Atëherë Enveri nervoz si asnjëherë në plenume të tilla, u ngrit në këmbë dhe e propozoi vetë dënimin, të cilin nuk e shqiptoi asnjë nga të pranishmit e tjerë. “Atëherë unë them të arrestohesh”, tha ai me zë sa inatçor, aq dhe të drobitur. “Mirë mo mirë, Partia ime më arreston (madje në fakt vetë Sekretari i Parë…!)”, iu përgjigj aty për aty Kadriu.

Pas kësaj ai u shpall agjent dhe armik. Atëherë befas salla u zgjua. Të pranishmit deri atëherë si të ngrirë, të mpirë, si të çliruar nga një ankth që i mbante të mbërthyer, u gjallëruan. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe shpërthyen me brohoritje buçitëse. Ritmike, frenetike: Enver Hoxha, Enver Hoxha, Enver Hoxha… (Isha kurioz, por nuk kisha mundësi që ta shihja a po brohoriste vallë bashkë me ta edhe Kadriu…?)

kalo-579x433

Kadriu u mbajt disa ditë në arrest shtëpie. Si tigër në kafaz. Me vete kishte revolverin e tij personal. Atë nuk ia kërkuan ta dorëzonte. Nuk e çarmatosën. Ndoshta patën shpresë se edhe ai, si Mehmeti, do të bënte vetëvrasje. Por Kadriu i zhgënjeu. Ai thirri personin e duhur në Ministrinë e Brendshme dhe ua dorëzoi vetë armën. Me këtë gjest u dha të kuptonin se nuk kishte ndërmend të bënte të njëjtin gabim si Mehmeti. Vazhdimi më pas dihet. Kadriu u shpall agjent dhe mori pa mëshirë dhe pa lehtësim të gjitha dënimet e mundshme, të cilat edhe vetë ai u pati dhënë më parë të tjerëve. Përfshi edhe ish-kolegëve të tij.

Besoj se seanca e gjyqit partiak të Kadriut ishte më e vështira që përjetoi Enveri në vargun e gjatë të dënimeve të ish-bashkëpunëtorëve të tij. Aspekti më i papritur me fundin e Kadriut, ishte që çuditërisht edhe ai, pas burgimit nuk i shpëtoi përkuljes dhe tjetërsimit moral dhe karakterial. Aparenca burrërore, e trimit dhe shpërfillësit ndaj ndëshkimit u shkri pas torturave. Edhe ai njësoj si Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, në vend të mërisë dhe zhgënjimit ndaj Enverit, i dërgoi atij “me lot në sy” letra shfajësuese dhe përbetime me naivitet të pabesueshëm, për njohjen aq të gjatë dhe aq të ngushtë që kish patur për 30 vite me të. E sigurt është që Enverit ato i ranë në dorë, dhe po aq e sigurt është që të gjitha i trajtoi me shpërfillje. Sidoqoftë, për fat të mirë eliminimi i Kadriut ishte i fundit. Paskëtaj nuk pati më pushkatime armiqsh dhe agjentësh në nivelet e larta të pushtetit.

Madje, si sfidë, tri vite më pas si për të fshirë nga kujtesa historike Kadriun dhe çdo gjurmë të bëmave tragjike të asaj periudhe, të lidhura me të u rrafshua edhe shtëpia e tij, e cila ndodhej pikërisht në atë vend ku u vendos simbolikisht piramida e përjetësimit të kujtimit të Enverit. Ishte ky akti demonstrativ i fundit i forcës së Partisë së Punës mbi Sigurimin e shtetit?

Me këtë akt të vështirë të fundit, i cili besoj se u bë nga Enveri jo pa mundim fizik dhe jo pa brerje shpirtërore, rruga e Ramizit për në majën e pushtetit të nesërmen ishte tashmë e hapur dhe e “pastruar”. Anëtarët e tjerë të vjetër të Byrosë Politike që kishin mbetur ishin pa dhëmbë, pa muskuj për ta penguar atë. Ndonjëri, si Adili, ishte edhe mik e shok që në kohën e luftës partizane, kurse rishtarët e Byrosë Politike i kishte zgjedhur dhe promovuar vetë ai. Fati i Kadriut nuk bëri përjashtim. Ai e pësoi njësoj si homologët e tij, si Beria në Bashkimin Sovjetik, si Rankoviçi në Jugosllavi, si Mehmeti, Feçori dhe së fundi Hekuran Isai në Shqipëri fill pas tij…

Ky i fundit disa vite më pas u burgos, por nuk u torturua, as u pushkatua. Ai pohoi se akuza ndaj Kadri Hazbiut pat qenë e sajuar. Dhe u shpreh se ai vetë, asnjëherë nuk e pati besuar që Kadriu të kishte qenë agjent e armik dhe që donte të vriste Enverin.

Të gjithë këtë histori gjakatare në majat e pushtetit të atyre viteve e gjeta të shkruar simbolikisht në një libër ku thuhej:

“Në një kotec ku mbahen mbyllur për një kohë të gjatë të uritura disa pula, sapo njëra prej tyre rrëzohet përdhe nga dobësia, drejt saj sulen të tjerat dhe e çukisin si të tërbuara deri sa ajo ngordh. Ndërkaq, pulat e tjera të përlyera të gjitha me gjakun e viktimës, ndizen e ndërsehen nga ngjyra e kuqe e gjakut dhe i vërsulen me sqep njëra-tjetrës, deri sa mbetet e gjallë vetëm njëra prej tyre, e cila e rraskapitur dhe e përgjakur ngordh edhe ajo. Kështu, brenda kotecit, ato zhduken njëra pas tjetrës pa mbetur asnjëra gjallë”.

A nuk ndodhi diçka e tillë e ngjashme me eliminimet, spastrimet dhe kacafytjet e udhëheqësve me njëri-tjetrin dhe “shkundjen e institucioneve” në nivelin e lartë të udhëheqjes së Partisë së Punës dhe të shtetit tonë në harkun kohor 1972 – 1984?/ Marrë nga libri “BLLOKU”

“Kanë arrestuar sopranon”, historia prekëse e vajzës korçare – Nga Luljeta Progni

Ishte pranverë, një ditë maji në vitin 1947, kur u ndal një melodi. Nëpër sallat modeste të radio-Tiranës, u shua zëri. “Kanë arrestuar sopranon”, pëshpëritej nën zë. Frikë dhe trishtim ngërthyer bashkë, në fyturat e djemve e vajzave artistë. Sigurimi i Shtetit po kontrollonte arkivat, shoqëruar me ulërima… “Të shuhet zëri i saj… të mos mbetet asnjë shenjë…” Sepse ishte zëri i “armikut të popullit”, ishte zëri i Merita Sokolit, vajzës korçare që vinte nga auditorët e Akademisë Nacionale të Santa Cecilias, në Romë. Atje kishte studiuar e kishte spikatur si soprano me zë të rrallë, nëpër ato auditorë ku studionte edhe Enio Morikone, ku studiuan e u formuan si artistë me famë botërore, Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Franco Donatoni, por edhe Preng Jakova.

Fati i Meritës do të ishte krejt i ndryshëm nga kolegët e saj të akademisë Santa Cecilia. Do të ishte i ndryshëm, jo vetëm për faktin se Shqipëria nuk mund të krahasohej me Italinë e asaj kohe, dhe jo vetëm sa i përket artit. Por fati i Meritës do të ishte i ndryshëm, për faktin sepse do t’i ndalej kënga e do të përfundonte pas hekurave të burgut, pa bërë asnjë faj. Më 16 maj të vitit 1947, Merita u arrestua, për t’u dënuar me pesë vite burg si “armike e pushtetit popullor”.

Në qytetin e Korçës, nuk do të dëgjohej kurrë më kënga e saj. Në radio Tirana gjithashtu, nuk do të ishte më, as ajo e as kënga e saj, nuk do të shfaqej më në sheshxhirime, atje ku kishte qenë e para grua shqiptare, në të parin film shqiptar, për të spikatur edhe si aktore.

Ylli që u shua

Merita Sokoli ishte vetëm 14 vjeç, kur nisi të këndonte në skenat shqiptare. Këndoi në skenat e Tiranës e Korçës. Ajo shoqërohej në piano, nga muzikantët e njohur të asaj kohe, pianistët Pjetër Dungu e Tonin Guraziu.

Në vitin 1939, Merita nisi studimet në Itali, në Akademine Nacionale të Santa Cecilia në Romë, institucion në të cilin kanë studiuar edhe të famshmit Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Ennio Morricone, Franco Donatoni, Preng Jakova etj.

Studimet e saj purfunduan në gusht të vitit 1944, me pedagogun Ricardo Stracati. E sapo kthyer nga Roma, në vitin 1944, Merita Sokoli nisi të këndonte në Radio Tirana, së bashku me sopranot Tefta Tashkon, Marie Krajën por edhe Viktori Xhaçkën.

“Takim në liqen”

Në vitin 1945, nisi të aktivizohet edhe në Teatrin Popullor. Atje gjeti dashamirësinë e artistëve të mëdhenj Naim Frashëri, Lazër Filipi, Prokop Mima, Liza Vorfit, etj. Merita e kishte një përvojë të rëndësishme si aktore, sepse kishte qenë aktore ne filmin e parë shqiptar, që titullohej, “Takim në Liqen”. Ishte në rol protagonist, së bashku me Kristaq Antoniun, në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër. Xhirimet u realizuan në Shkodër dhe në Manastirin e Shën Naumit në Pogradec, në vitin 1942. Filmi u shfaq vetëm një herë, në Itali. Një fotografi nga sheshi i xhirimeve, vjen si kontribut i të birit të Merita Sokolit, Diti Tezha. Ai e ruan si një ndër gjërat më të rëndësishme fotografinë e nënës së tij, aktorja e parë shqiptare. Në maj të vitit 1947, Merita Sokoli dhe i fejuari i saj Tika Tezha, u arrestuan të akuzuar “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Procesverbali i Sigurimit të Shtetit

“Merita Sokoli, e bija e Ramadanit dhe Qerimes, vjeç 23, lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë në klagjen Abdulla Bej, rruga Dajti, nr 277, me profesion këngëtare, me arsim të lartë, ka kryer studimet në Romë. Gjatë kohës së okupacionit, nuk ka marrë pjesë në Ballin Kombëtar ose me Legalitetin. Me shtetësi shqiptare, në gjendje ekonomike jo të mirë, nuk ka njeri të arratisur, ka të burgosur të fejuarin e saj, të burgosur ka edhe të vëllanë e saj, e padënuar ndonjëherë, e arrestuar në datën 16/05/1947.

Pasi iu këndua akuza e prokurorit, e pandehura u mor në pyetje: Merita Sokoli tha: akuza që më bëhet, e pranoj pjesërisht. Unë nuk kam qenë në ndonjë lidhje me të misionit anglez. Nuk kam pasur lidhje me Nexhmide Tarakun. Mbi përgjigjen e prokurorit, e pandehura tha se: unë pranoj atë që kam bërë. Unë prej amerikanëve, kam njoftë Thoma Stefene, me të, nuk kam pasur lidhje. Kam shkuar dy herë te UNRA, për të marrë qeratë e shtëpive.

Procesverbalin nuk e pranoj, nuk është e vërtetë që unë të kem qenë spiune. E pandehura mohon që t’ju përgjigjet pyetjeve të kryetarit… Unë pranoj se kam folur kundra pushtetit popullor”, ishte kjo, akuza e vetme që Merita Sokoli pranoi, kur u përball me egërsinë e Sigurimit të Shtetit, në maj të vitit 1947.

Edhe pse e e pafajshme, Merita Sokoli u dënua me 5 vite burg. Torturat dhe mundimet në burgjet e diktaturës, i kaloi së bashku me zonjat Sabiha Kasimati, Rita Koci, Musine Kokalari, Diti Biçaku.

Internimi

Pasi u lirua nga burgu, Merita Sokoli dhe bashkëshorti i saj Tika Tezha, u internuan në Kavajë. “Merita jetoi me qera në lagjen nr 5 dhe punoi në Ndërmarjen Komunale Kavajë. Në Kavajë, ajo nderohej nga të gjithë, e njohën mirë, prandaj e deshën aq shumë. Merita jetoi në Kavajë, deri në vitin 1993, kohë kur emigroi në Amerikë me të birin dhe familjen e tij, por vuante nga tronditje mendore, që ja shkaktonin zhurma e makinave dhe sirena e policisë, zhurmë e cila e bënte gjithmonë të rijetonte momentin e arrestimit”, rrëfen Dorieta Dhonato, familjare e Merita Sokolit.

Merita Sokoli Tezha, vdiq më 4 Nëntor 2007. Ndërroi jetë e sëmurë nga kanceri i mushkërisë. Pak muaj më parë, merita Sokoli Tezha u shpall “Qyetare nderi e Kavajës”. Kujto.al është duke punuar për të përgatitur një dokumentar që i kushtohet jetës së saj artsitike dhe kalvarin e vuajtjeve gjatë diktaturës komuniste./Kujto,al

“S’i kishe dhënë vajzën sekretarit të partisë apo nuk kishe…”- Si shpalleshe kulak në regjimin komunist

Të shpalleshe kulak gjatë regjimit komunist në Shqipëri, do të thoshte të shkatërroheshe ekonomikisht, por edhe të dënoheshe me burg apo të internoheshe.

Kujto.al, mbështetur në librin “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, përpiqet të tregojë si u likuidua ekonomikisht shtresa e fshatarëve të pasur që u shpronësuan dhe në shumë raste, u dërguan pas hekurave. Jo vetëm kaq, por për të gjetur aq kulakë sa kërkonte partia, të tillë u shpallën edhe fshatarë të mesëm e të varfër. Si u bë kjo përzgjedhje? Në bazë të inateve personale të sekretarëve të organizatave të partisë.

 

Çdo komunist e kishte të qartë që kulakët nuk duheshin toleruar, ata duheshin shpallur dhe dënuar rëndë, vetëm se, cilët ishin kulakë, nuk e kishin dhe aq e qartë. Megjithëse regjimi hartoi një listë me karakteristika për identifikimin e tyre, sekretarët e organizatave bazë të Partisë në rrethe, filluan të shpallin kulakë edhe ata që nuk plotësonin asnjë karakteristikë ekonomike, disa prej zellit të tepruar, disa për inate personale.

Kulakët, sipas karakteristikave, ishin fshatarë të pasur që kundërshtonin zbatimin e reformës agrare dhe shtetëzimin e bagëtive, të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha toke dhe tufa të mëdha bagëtish, mirëpo që kur regjimi komunist u shpalli luftë të hapur, me këtë emërtim që në rusisht do të thotë “grusht”, u goditën edhe fshatarë të mesëm dhe të varfër.

Për t’u marrë me sy të mirë, shumë komunistë të ngarkuar me detyrën e identifikimit dhe dënimit të kulakëve e forcuan dorën që i shtrëngonte prej fyti sa u merrte frymën armiqve, edhe më shumë seç ishin të udhëzuar nga qendra. Shumë dokumente dëshmojnë për të tilla shkelje, të cilat edhe pse ngjallën ankesa dhe ndonjëherë morën vërejtje, mbetën në fuqi. Në raportin e sekretarit të partisë Korçë, të vitit 1950, që ndodhet në AQSH, siç shfaqet në librin e Xhafer Sadikut, “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, botim i ISKK, thuhej:

“…Ne kemi demaskuar e goditur, punë kjo që ka bërë që kulaku të mos futet në masë, të urrehet nga populli. Nga ana e tij pushteti ka organizuar gjyqe të hapura në fshat, i ka goditur kulakët dhe rëndë bile… kjo ka bërë që rrethi jonë të realizojë disa suksese të kënaqshme…këto suksese byronë dhe mua personalisht na dehën dhe andej nga shtatori 1950 e shkelëm gazin gjer në fund dhe u hodhëm në luftë frontale. Ne nxorëm një listë me mëse 500 kulakë dhe në mjaft fshatra ka pasë 15-17 të shpallur. Ata ju nënshtruan një presioni dhe një lufte politike shumë kërcënuese dhe në disa zona të kufirit ku konditat nuk kanë qenë të favorshme për përdorimin e një taktike të tillë.

Atyre u premë fletëdetyrimet e dyta në një masë prej 60 deri në 100 përqind mbi detyrimin e parë. Në këtë mënyrë një pjesë e tyre që kanë pasur tokat e dobëta dhe ekonominë e dobët, për t’i kufizuar nga ana ekonomike ne nuk i patëm parasysh këta faktorë, kështu që atyre u muarëm edhe bukën e gojës, i vumë përpara pozitave të largimit nga fshati ose të arratiseshin… ne nuk e kemi pasë shumë të qartë nga ana parimore se si duhej të zhvillohej lufta e klasave në këtë periudhë…në anën tjetër unë dua të them se gabimet në luftën e klasave, gabimet e pushtetit për furnizimin, për pritjen etj, kanë ndihmuar arratisjen”.

Ndërkaq goditja ndaj fshatarëve të pasur, sa vinte e bëhej më e rëndë. U kuptua që synimi i reformave nuk ishte thjesht zhdukja e klasave dhe vendosja e një rendi barazie mes fshatarëve të pasur dhe të varfër, por shkatërrimi i plotë i të pasurve të dikurshëm, duke u marrë atyre, detyrim pas detyrimi, deri dhe bukën e gojës dhe duke i çuar pas hekurave apo internuar për një fjalë goje.  Arsyeja ishte e thjeshtë. Duke qenë më të pasurit dhe më të shkolluarit, ata ishin personat më me influencë në zonat e tyre, influencë që regjimi duhet ta shkulte me rrënjë për të mbjellë e për të lënë të rritej, të vetëm, pushtetin absolut të partisë-shtet.

Gjatë vitit 1950, u cilësuan 989 kulakë, nga të cilët 227 u dënuan me burg dhe pothuajse të gjithëve iu konfiskua pasuria në masën 10 deri 100 për qind. Lufta kundër kulakëve u ashpërsua më shumë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1951, kur Enver Hoxha deklaronte që duheshin gjetur “kulakët e rinj”, që  “kulakët ishin më shumë seç mendohej”, që “nuk ishin vetëm në Myzeqe”… Komitetet e partisë njoftonin se në rrethet e tyre nuk kishte më kulakë, kishte vetëm fshatarë të varfër dhe atëherë, ndryshuan karakteristikat e kulakëve për të gjetur sa më shumë prej tyre. Kulak do të quhej edhe ai që “propagandon kundër reformave dhe masave shoqërore e kulturale të partisë dhe pushtetit”. Kjo nxitje, e çoi gjatë gjysmës së parë të vitit 1951 në 2361 numrin e familjeve kulake. Kulakët demaskoheshin publikisht. Sekretari i organizatës bazë të partisë mblidhte gjithë popullin e fshatit dhe pasi akuzonte kulakët për shtypjen dhe shfrytëzimin që u kishin bërë të varfërve, u kërkonte fshatarëve “t’i rrihnin dhe t’i shtynin”. Vetë relacionet e këtyre sekretarëve tregojnë që në këto sulme merrnin pjesë vetëm ata që kishin inate personale me kulakët.

Si kulakë u dënuan edhe shumë fshatarë që kishin marrë pjesë në luftë, që kishin qenë partizanë apo që ishin aleatë të pushtetit. Kulakët, duke qenë që u merrej pa kriter pasuria, ishin me leverdi për hambarët e shtetit, ndaj edhe kur nuk ekzistonin, duheshin shpikur. Edhe në rastet, kur pas vërejtjeve të bëra, disa prej fshatarëve të mesëm iu hoq emërtimi i gabuar “kulak”, pasuria e konfiskuar nuk iu rikthye. Lufta u ashpërsua në atë shkallë, sa në vitin 1953, tatimi i kulakëve, të cilët tatoheshin dy herë, me një tatim të rregullt dhe një të jashtëzakonshëm, e kalonte prodhimin e tyre si në drithëra dhe në mish. Në Korçë, kulakët kishin një prodhim prej 91 kv mish, ndërsa iu ishte caktuar si detyrim 62 kv dhe tatim i jashtëzakonshëm 41 kv; në Tiranë, kulakët kishin mundësi prodhimi 91 kv mish, ndërsa ishin tatuar me 106 kv. Kulakët u likuiduan me shpejtësi përmes tatimit të lartë financiar dhe në natyrë, gabimeve në këto tatime, por edhe llogaritjes së prodhimit dhe tepricave në bazë të parashikimit të planit dhe jo prodhimit real.

Urdhëresa e Qeverisë e 13 majit 1958, kërkonte shtimin e tatimit të kulakëve në masën 50 deri në 100 për qind dhe një vit më pas, në raportin e pagimit të tatimeve midis ekonomive kulake dhe individuale të pakolektivizuara shihej që ekonomitë kulake tatoheshin nga 3 në Gjirokastër deri në 12 herë më shumë në Pogradec e Shkodër.

Nga ana tjetër, rastet e shpalljes kulakë për inate personale që gjenden në dokumentet e kohës, ishin anekdotike. Kulakë mund të shpalleshe sepse “nuk i kishe dhënë të bijën për grua sekretarit të organizatës”, sepse “i kishe rrahur babain anëtarit të partisë”, sepse “nuk i kishe ruajtur delet” një komunisti apo sepse “nuk i kishe plotësuar dëshirat kandidatit të partisë”.

Përmes këtyre formave, Shqipëria edhe mund ta realizonte synimin për të qenë e barabartë me Bashkimin Sovjetik në përqindjen e popullsisë së shpallur dhe të dënuar si kulake.

KUSH ISHTE TRIM SI KY ?! – Nga Fritz RADOVANI

 

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.:

 

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu

Tiranë

                        Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që nji gja që asht falun njiherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Nji hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i nji pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba nji propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla 

   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

             5 Prill 1967.

***

Shënim: Letra asht kopjue nga origjinali në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme në Tiranë (1998),  pa asnjë ndryshim nga autori i artikullit F. Radovani.

 

PASUES  BESNIK  I  GJERGJ  KASTRIOTIT !

 

“Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”

At Pjeter Mëshkalla S.J., Ju pergjegj kriminelit Mehmet  Shehu, i pranguem ndër hekurat e Burgut të Burrelit rreth vitit 1950…

 

Bashkvuejtësi i Tij në atë burg, z. Xhemal Alimehmeti, tregonte: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun, Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… At Mëshkalla, nga rreshti, i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: – Të qanë zemra ty për rininë, ké për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! At Mëshkalla qeshet. Ai nervozohet dhe i thotë: – Ç’e ké atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?.. At Mëshkalla i tha: Unë po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të isha i lumtun  me vdekë i kryqëzuem si Zoti  em, Jezu Krishti! Ende nuk e keni kuptue? E çka ké me më ba ti ma shumë se aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”…

 

Ja si e ka percaktue At Mëshkallen i nderuemi Prof. Arshi Pipa:

“Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”

Prof. Pipa shkruen“ …në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Mëshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.”

 

1967 PRILL: Pak ditë para arrestimit të dytë i ka tregue Nanës s’eme se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për “Revolucionin Kultural” në Shqipni… Mbasandej, “…edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty…”

 

19 Korrik 1967, ora 14.00 Në fjalen e fundit në gjyq At Pjetri tha:

“Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e, aty asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!”

(Dishmi e fotografit Augustin Kiçi, i pranishem tek shtepia e Dr. Kadukut.)

 

Don Mikel Koliqi, mbasi firmoi peticionin për dekorimin e At Mëshkallës, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba.”

  • Mbas dënimit parë 15 vjetë burg, u dënue edhe 10 vjetë tjera. Bani 25 vjet…

Melbourne, 18 Korrik 2019.

Journal des débats politiques et littéraires (1927) / Ahmet Zogu amniston 371 të dënuar politikë

Ahmet Zogu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Korrik 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 29 shtatorit 1927, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me amnistinë e 371 dërnuarve politikë nga Ahmet Zogu, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Legata e Shqipërisë na komunikon shkresën në vijim :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ahmet Zogu, nënshkroi, kohët e fundit, një dekret që akordon faljen e 371 të dënuarve politikë, të cilët u janë nënshtruar ligjeve dhe statuteve të Republikës.

 

Në bazë të këtij dekreti, shumica e të dënuarve që kishin gjetur strehim jashtë vendit tani mund të kthehen lirisht në Shqipëri.

“Si u zbulua lidhja e fshehtë me diplomatin e huaj”, mjeku i Enver Hoxhës rrëfen për nusen e djalit të Mehmet Shehut

Në përshkrimin që i bën Isuf Kalo profilit të Marjetës, gruas së djalit të Mehmet Shehut në librin “Blloku”, ai thotë se nusja e ardhur nga provinca, qysh në fillimet e bashkëjetesës theu tabutë e Bllokut.

Ajo, thotë Kalo, kishte ardhur në atë mjedis të ndaluar jo si një e re militante, por për të shkëlqyer e triumfuar me freskinë dhe hiret e saj ndaj shoqeve dhe banorëve të atyshëm, si nuse, si femër dhe mbase edhe në ëndrrën e “Miss Bllokut”.

 

Një “tronditje” e rregullave dhe e normave skrupuloze për veshjen, sjelljen, paraqitjen dhe imazhin e të rinjve u ndie një ditë brenda Bllokut. Atë e krijoi M., një vajzë e re e sapomartuar me djalin e vogël të Mehmetit. Ajo erdhi me një temperament të zjarrtë në mjedisin elitar të Bllokut, me gardhe e mure paragjykimesh, të dukshëm e të padukshëm. Vajzë vetëm 16-17-vjeçare, që rridhte nga një familje e thjeshtë me banim në Durrës, fizikisht tërheqëse, me arsimim të paplotësuar, me dinamizëm rinor dhe gjeste prej adoleshenteje pa komplekse, ajo demonstronte një krenari dhe siguri autentike, sikur gjithçka e pëlqyeshme dhe e dëshiruar prej saj ishte e lejuar dhe e arritshme.

Dukej sikur kishte ardhur nga provinca në atë mjedis të ndaluar për njerëzit e zakonshëm, jo si një e re militante, as si “e re shembullore komuniste”, siç trumbetohej në kësi rastesh nga propaganda partiake, por për të shkëlqyer e triumfuar me freskinë dhe hiret e saj ndaj shoqeve dhe banorëve të atyshëm si nuse, si femër dhe mbase edhe me ëndrrën e “Miss Bllokut”. Spontanisht, në kontekstin e adoleshencës disi të përndezur të saj, ose për të sfiduar moralizimin e sertë dhe tabutë erotike e sentimentale të regjimit, e veçanërisht ato brenda Bllokut, ajo guxoi të “paimagjinueshmen”.

Ndërkohë që ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ajo krijoi lidhje, takime e flirte të fshehta në parqe e lokale nate me një të huaj, i quajtur A., punonjës i Ambasadës Franceze në Tiranë. Agjentët e Sigurimit nuk u besonin syve tek i shihnin bashkë, por ishin të detyruar t’iu raportonin shefave “hatanë” që po ndodhte. Këta, të trembur se kjo ndodhi e pabesueshme mund të interpretohej në instancat e larta si gënjeshtër apo shpifje ndaj Kryeministrit famëmadh të vendit, preferonin heshtjen dhe e fshehën disa kohë gjithçka si të mos kish ekzistuar. Por “gazeta gojore”, që përhapej gratis me shpejtësi te njerëzit, zhurmonte. Nga një takim që kam pasur me Bashkimin në atë kohë, dukej që ai ishte tërësisht i dashuruar me atë vajzë bukuroshe. Ishte i dominuar dhe i dorëzuar shpirtërisht ndaj saj. Ai dukej Romeo i sinqertë, i vërtetë. Bashkimi njihej atëherë si një prej “juniorëve rebelë” të Bllokut. Ai e adhuronte thellësisht Kadarenë dhe, falë talentit letrar që kishte, ëndërronte, madje kishte filluar që t’i ngjante atij, duke shkruar jo konform formës e stilit letrar që predikohej e dominonte asokohe.

Mbase edhe përzgjedhja e M. si shoqe jete me atë temperament rebel e sfidues, nuk ishte e rastit, por i shkonte për shtat linjës, shijeve dhe parimeve individuale liberale, jokonvencionale të tij. Duke e gjykuar retrospektivisht, në kahun tjetër lidhjen e tyre dhe fundin dramatik të saj, është vështirë ta thuash, se po aq e thellë ishte e dashuruar nga ana e saj edhe M.

E kam takuar atë rrallëherë, por nuk pretendoj se e kam njohur. Fillimisht, M. besoj të jetë ndier me shumë fat dhe e lumturuar, si në qiellin e shtatë, për lidhjen me një djalë të tillë, simpatik, i ndjeshëm e romantik nga Blloku, me prindër të famshëm e të fuqishëm, madje dhe ai vetë djalë i talentuar dhe i pasur shpirtërisht. Megjithatë, binin në sy tek ajo shenja narcisizmi, një kurajë befasuese dhe mënyrë komunikimi pa droje. Ajo ishte e ndërgjegjshme për hiret femërore të saj, çka e bënte të sillej e shpenguar dhe dominuese. Ndërkohë, vështirë të pikasje tek ajo brishtësi, butësi e ndjeshmëri prej Zhuliete. Ngjarjet më pas treguan se ajo ndoshta u vel nga martesa, pasi e pat “konsumuar” atë, ose sepse në rrethanat e reja që iu krijuan pas vetëvrasjes së Mehmetit, rënies së familjes Shehu në fatkeqësi dhe burgosjes së të shoqit, martesa me të iu bë pengesë për mbijetesën e vetë asaj dhe sidomos të dy fëmijëve ende të mitur që kishin bashkë e që duheshin rritur.

E them këtë bazuar në mënyrën pragmatike, por disi të vrazhdë, me të cilën ajo u divorcua me të shoqin, me kërkesë të njëanshme të saj. Kërkesa u bë ndërkohë që Bashkimi përjetonte gjendjen e fatkeqësisë pas vetëvrasjes së të atit, duke qenë edhe vetë i prangosur në Burgun e Burrelit. Gjyqi i divorcit të tyre ishte unikal për nga lloji. Ai u zhvillua në mjediset e trishta të burgut. Bashkimi nuk e dëshironte divorcin.

Kur u pyet nga gjykatësi, ai tha se “e kishte dashur dhe e dashuronte gjithmonë të shoqen dhe se përveç saj dhe dy fëmijëve që kishin bashkë, nuk kishte të tjerë njerëz të dashur në jetë. E dua M., sepse me të më ka lidhur dashuria dhe vetëm dashuria. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk mendojmë kështu të dy”. “E thënë ndryshe,- vijoi ai,- unë nuk mund të figuroj formalisht i martuar me një grua që nuk më do më”. M., me sinqeritet apo më shumë e detyruar nga rrethanat, dëshmoi se nuk e donte më.

Ajo, e palëkundur, iu përmbajt kërkesës së depozituar për ndarje me shkrim në Gjykatë dhe u largua vrullshëm pas legalizimit të ndarjes, sikur kish frikë se mos pendohej. Iku pa i dhënë dorën të shoqit dhe as të atit, i pranishëm edhe ai aty, por jo miratues i atij divorci. Sidoqoftë, askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë vendimin e dhimbshëm, dramatik të saj në dualitetin mizor të zgjedhjes mes burrit, i burgosur politik, me gjasa të kalbej aty për disa dekada, dhe dy fëmijëve të vegjël që prisnin prej saj t’i ushqente dhe t’i rriste e vetme, pa të. E vetmja gjë që mund të thuash është se askush nuk i parashikon dot lodrat e çuditshme e të befta të fatit./ PANORAMA

“50 vjet burg për 5000 trakte kundër Partisë”- Dosja gjyqësore për dënimin e grupit armiqësor të ‘Shtypshkronjës’

50 vjet burg për 5000 komunikata me përmbajtje armiqësore! Vendimi i formës së prerë për dënimin e Petrit Ishmit, Alfred Berishës dhe Xhuljeta Cukës, nënshkruar nga gjyqtarët Fehmi Abdiu, Fejzi Shehu, Mustafa Xhixha dhe prokurori Asim Ruli, mban datën 11.08.1989 dhe numrin 456 në regjistrin e Gjykatës së Tiranës.

Artikulimet e tjera të dosjes gjyqësore për dënimin e grupit armiqësor të shtypshkronjës së Tipografisë Ushtarake janë një përmbledhje absurde që rreket të përligjë rrezikshmërinë shoqërore të sjelljeve antisocialiste të të akuzuarve, të identifikuar tashmë si organizatorë të demonstratës antikomuniste, e paralajmëruar për t’u zhvilluar mëngjesin e 13 marsit 1989 para selisë së Komitetit Qendror në Tiranë. Po çfarë përmban tjetër dokumenti i procesit gjyqësor për dënimin e pjesëtarëve të grupit armiqësor të shtypshkronjës së buletineve sekrete, e njohur ndryshe si Tipografia Ushtarake…

Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, duke qenë me nivel kulturor e ideologjik dhe nën ndikimin e propagandës borgjezo-revizioniste, kanë kaluar gradualisht në pozita armiqësore ndaj pushtetit popullor dhe Partisë së Punës. Nga viti 1987, të pandehurit Petrit e Alfred kanë punuar bashkë dhe kanë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme, në vende e kohë të ndryshme agjitacion e propagandë kundër shtetit.

Agjitacionin e propagandën kundër pushtetit popullor në përgjithësi e kanë kryer duke vendosur në vende të ndryshme, në 33 raste fletushka armiqësore, me të cilat kanë folur kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, kundër kuadrove kryesorë të saj, kundër të drejtave demokratike të rinisë e të popullit etj.. Në shumë prej tyre kanë shënuar inicialet KMDPSH, duke e quajtur kështu veten si Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar. Në vijim të veprimtarisë së tyre armiqësore kanë futur në të edhe të pandehurën Xhuljeta Cuka, që ka filluar punë në Tipografinë Ushtarake në qershor të vitit 1988 e që kishte pikëpamje liberale për punën e për jetën.

Pra, pas muajit tetor të vitit 1988, veprimtarinë e tyre të pandehurit e kanë kryer bashkërisht. Edhe pas kësaj kohe, ata kanë hedhur fletushka me përmbajtje armiqësore, kanë biseduar që në rastin e mitingut të madh, që do të organizohej me rastin e përvjetorit të themelimit të Partisë të hidhnin parulla armiqësore. Në fillim të muajit mars 1989, Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka kanë rënë dakord që të shtypnin në vendin e tyre të punës, në Ndërmarrjen e Tipografisë Ushtarake, komunikata me përmbajtje armiqësore. Për këtë kanë ngarkuar Xhuljeta Cukën që të përgatiste tekstin e komunikatës dhe kjo e fundit, pasi e ka përpiluar, ua ka lexuar dy të tjerëve, të cilët e kanë miratuar përmbajtjen e saj. Më pas kanë biseduar për t’i shpërndarë komunikatat që do të bënin në qytetet e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës, duke ndarë edhe detyrat për këtë qëllim. Për të përgatitur komunikatat në fjalë, duke përfituar nga mungesa e kontrollit e nga shkelje të tjera të rregullit në punë, kanë sistemuar dy forma me përmbajtjen e komunikatës dhe në datën 6.3.1989, nga ora 19:00 deri në orën 23:00, kanë shtypur në pedalinën e Xhuljetës 5000 copë të tilla.

Përmbajtja armiqësore e kësaj komunikate qëndron në faktin se në të i bëhet thirrje popullit për të bërë demonstratë për përmbysjen e pushtetit popullor, duke caktuar edhe kohën, edhe vendin ku do të organizoheshin. Atë natë, Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka i kanë nxjerrë komunikatat fshehurazi për t’i shpërndarë më vonë. Para datës 10.3.1989, një pjesë të tyre i kanë fshehur në një qendër zjarri në Shkozet, ndërsa në këtë datë Petrit Ishmi dhe Xhuljeta Cuka kanë marrë me vete 1500 komunikata dhe kanë shkuar në qytetin e Shkodrës. Atë datë, pasdite, pasi kanë arritur aty, me t’u errur kanë filluar shpërndarjen e tyre në zonën industriale, ku kanë hedhur mjaft të tilla nëpër ndërmarrje, institucione dhe në banesa të qytetarëve të ndryshëm. Më pas kanë fshehur pjesën që u ka mbetur e kanë dalë në Baçallëk për të gjetur makinë e për t’u larguar për në qytetin e Durrësit, por atje janë ndalur nga punonjësit e Policisë. Veç këtyre, ka rezultuar se Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, pas muajit nëntor të vitit 1988 kanë biseduar dhe kanë rënë dakord disa herë për t’u arratisur jashtë shtetit.

Për këtë i kanë kërkuar ndihmë Bashkim Beqiragës, që kryente shërbimin ushtarak në Ksamil. Më pas i kanë kërkuar ndihmë një punonjësi të ambasadës franceze që të arratiseshin. Veç këtyre varianteve, Xhuljeta i ka kërkuar ndihmë Ylvie Kadiut për t’i ndihmuar me ndonjë specialist të huaj për këtë qëllim. Kohët e fundit kanë biseduar që pas shpërndarjes së komunikatave të arratiseshin për në Jugosllavi, duke kaluar kufirin nga Dibra. Veprat e kryera paraqesin rrezikshmëri shoqërore të theksuar, pasi janë drejtuar kundër shtetit, diktaturës së proletariatit, lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë socialist. Kryerja e tyre është dëshmi e luftës së klasave, që zhvillohet në vendin tonë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm që punojnë frontalisht, por pa sukses për të goditur RPS-në e Shqipërisë. Petrit Ishmi ka qenë i dënuar më parë, ai ka personalitet të keq, sjellje e qëndrim të keq në punë e në familje. I tillë është edhe Alfredi, i cili, edhe pse nuk ka personalitet të keq, ka disa vite që ka luajtur në vetvete mendime armiqësore. Edhe Xhuljeta, ndonëse e re, ka qenë konsekuente në veprimtarinë kriminale./ PANORAMA