VOAL

Please Wait ...
0%

DioGuardi: VMRO-DPMNE të futet në listën e zezë të SHBA-ve

By | May 19, 2017

Komentet

Shpallen në kërkim 3 ish-drejtues policie për “kultivim e trafikim drogash” dhe “grup i organizuar kriminal”

Ministria e brendshme bëri sot zyrtarisht të ditur se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) mori nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg”.

Urdhër-ndalimi është nxjerrë për Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Një tjetër urdhër ndalimi ishte për Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Personi i tretë, për të cilin ka një vendim gjykate në mungesë për “Arrest në Burg”, është Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

“Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. Nga kontrolli në banesa dhe ambjente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda” – theksohet në njoftimin e ministrisë së brendshme.

Tashmë të tre ish-zyrtarët janë shpallur në kërkim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Për ngjarjen reagoi sot edhe opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se operacioni u dekonspirua.

Ai deklaroi se ngjarjet e 24 orëve të fundit treguan qartë “policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama duhet të largohet nga pushteti, sepse ka lejuar gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë, duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë per krimin.

Beriane Mustafa: Shteti i Kosovës i ka borxh familjes sime dhe shumë familjeve tjera për të vënë drejtësi (video)

VOAL – Beriana Mustafa, bija e intelektualit të shquar atdhetar Xhemajl Mustafa, këshilltar i Presidentit Rugova, vrarë më 23 nëntor 2000, ka postuar sot, në 17 vjetorin e vrasjes së babait, këtë shënim në faqen e saj në facebook:

Nuk do ta kisha menduar kurrë që në këtë Odiseaden tonë gati dy dekadëshe, në shtetin e ri të Kosovës, urdhërdhënësit e vrasjes tënde do të ishin ende në liri.
Krejt e rastësishme, sot në përvjetorin e 17 të vrasjes tënde , në Kosovë do të qëndrojë kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trandafilova, e cila mbetet shpresa ime e vetme (edhe pse jam shumë skeptike), që kjo gjykatë do të vë drejtësi, për ty dhe shumë veprimtarë të tjerë të vrarë, nga kundërshtarët tuaj politik.
Shteti i Kosovës, i ka borxh familjes sime dhe shumë familjeve tjera që të vë drejtësi. Përndryshe institucionet e këtij vendi nuk mund të flasin për sundim të ligjit, nëse themelet e saj mbeten të zhytura në gjakun e vrasjeve politike, për të cilat deri më tash askush nuk është sjellë para drejtësisë.
Prehu në paqe babë, e beteja ime do të vazhdojë deri në frymën time të fundit, për të sjellë drejtësi për vdekjen tënde.

Shënimin e saj Beriane Mustafa e ka shoqëruar me këtë video nga varrimi i babait:

 

 

Manastir, u shënua Dita e Alfabetit Shqip

Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe figura të shquara të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, viztuan ekspozitën me portretet e kongresmenëve të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit shqip

MANASTIR – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 nëntorit, Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqip, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe figura të shquara të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, vizituan Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir dhe ekspozitën me portretet e kongresmenëve të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit shqip.

Të pranishëm në manifestimin e mbajtur në Manastir, ndër shumë mysafirë të ardhur nga rajoni dhe më gjerë, ishin edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, ministri i Kulturës i Maqedonisë, Robert Allagjozovski, kreu i Bashkimit Demokratik për Ingegrim (BDI), Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, si dhe ministra shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë.

Kreu i BDI-së, duke theksuar se një ndër vlerat më të mëdha të kombit shqiptar është dita e 22 nëntorit, deklaroi: “Pas 22 nëntorit të alfabetit pasojnë ngjarje të tjera si pavarësia dhe shumë zhvillime brenda kombit shqiptar. Edhe pse këta njerëz para 109 vjetësh mund të jenë përgojuar, ata kanë bërë hapin më me vlerë në historinë e kombit tonë”

Ekspozita e përgatitur nga një koloni artistike me portretet e 11 kongresmenëve të Kongresit të Manastirit, si dhe aktivitete të tjera kushtuar kësaj dite në Maqedoni, u organizuan nga Sekretariati i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Sot është një ditë e shënuar e kombit tonë. Me këtë ekspozitë kemi tentuar që të shpaguajmë për punën e tyre që kanë bërë sot e 109 vite”, tha Valmir Aziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë.

Mëngjesin e sotëm, zëvendëskryeministri Hazbi Lika, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë priti dhe nderoi në mënyrë solemne doajenët e arsimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, në kuadër të Ditës së Alfabetit, në Manastir u mbajt tribuna shkencore kushtuar 109 vjetorit të Ditës së Alfabetit, ku të pranishëm ishin studiues të albanologjisë nga institucionet shkencore të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I ftuar special ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga zv/kryeministri Hazbi Lika.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar, “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”. aa

Policia e Kosovës rrethon banesën, por nuk e gjen aty Albin Kurtin (Fotot)

PRISHTINË- Policia e Kosovës ka shkuar herët në mëngjes në banesën e Albin Kurtit që gjendet afër parkut të qytetit për ta marr dhe për ta dërguar në gjykatë por janë kthyer mbrapsht pasi ai nuk gjendej aty. Kjo pasi, Kurti ka refuzuar të shkojë në të gjitha seancat ku është i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës.

banesa albini

Deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli pritet që të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

banesa albini 2

Herën e kaluar gjykata ka urdhëruar që ai të sillet me forcë, ndërsa njësoj ka vepruar edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

banesa albini 3

 

Gjykata lëshon urdhërarrest për Kurtin, Haxhiun e Bujupin

Hedhja e gazit në Kuvendin e Kosovës, 10 mars 2016

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiu, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.

Gjykata tha se deputetët kanë qenë të ftuar të paraqiten në gjykatë. Ata akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm [hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës] dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, tha se deputetët e akuzuar nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre në seancën e ftuar.

“Për të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, dhe sipas informatave të njëjtit nuk janë gjetur ne adresat e dhëna. Meqenëse të njëjtit nuk janë paraqitur, gjykata urdhëron arrestimin/ndalimin e tyre dhe dërgimin në qendrën e paraburgimit”, tha gjyqtari.

Kurse deputeti tjetër i akuzuar për të njëjtën vepër Faton Topalli, tha pas ndërprerjes së seancën se gjykata është e politizuar dhe po punon për interesa të caktuar politike.

“Kjo është gjykatë e politizuar dhe krejtësisht në shërbim të klanit pronto dhe po i mbështet interesat e këtij klani. Gjyqëtari Kalludra është i politizuar dhe është në shërbim të interesave politike. Se gjyqtari Kalludra është i politizuar kjo u tregua më së mirë kur ai dënoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me 21 vjet burgim për terrorizëm”, tha deputeti Faton Topalli, i cili ishte i pranishëm në seancë.

Edhe deputetja Albulena Haxhiu tha se mosparaqitja e tyre në seancë ka të bëjë pikërisht me dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, javën e kaluar, me 21 vjet burgim. Ajo tha se sistemi i drejtësisë është i politizuar dhe ai trup gjykues që ka lëshuar ato urdhërrarrest duhet ndryshuar.

“Sigurisht që nuk do të paraqitemi në gjykatë. Ne kërkojmë liri për aktivistët tanë, kërkojmë drejtësi për Astritin. Kërkojmë ndryshim të këtij trupi gjykues sepse e konsiderojmë të papranueshëm dhe të kapur nga klanin pronto”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka kritikuar dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj për siç tha ka thënë ajo, që nuk po del në anën e atyre që kanë të drejtë.

“Sa i takon veprimeve tonë në Kuvend, ju e dini që në atë kohë i kemi bërë bashkë më deputetë e tjerë si të Nismës apo edhe AAK-së. Njëri nga ata të cilët kanë qenë pjesë e veprimeve tonë është edhe zoti Haradinaj që është kryeministër dhe në atë kohë kur lëshoheshin urdhërrarreste, i njëjti kundërshtonte këtë sistem të kapur të drejtësisë. Tash nga frika se po e humb karrigen e kryeministrit, i njëjti ka mbyllur gojën. Kjo është goxha problematike, shqetësuese dhe e turpshme nga ana e kryeministrit Haradinaj”, tha Haxhiu.

Prokuroria pretendon se deputetet Blerta Deliu dhe Flora Brovina, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes vitin e kaluar.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, thanë për Radion Evropa e Lirë, se të paktën dy shtëpi të deputetëve janë bastisur sot nga Policia e Kosovës. Ata thënë po ashtu se nuk e dinë se a do të paraqiten e polici apo jo deputetët e kërkuar nga gjykata.

Engel: Serbia të mos ia ngulë thikën pas shpinës Kosovës

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se qasja e Serbisë karshi Kosovës ka qenë destruktive. Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kongresisti Engel thotë se “është mirë të bësh dialogun me një vend, por kur ai vend shkon pas shpinës tuaj dhe ua futë thikën”. Engel gjithashtu flet edhe për Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për mundësinë që SHBA të përfshihet në dialogun e Brukselit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Engel, ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi i mban qytetarët e Kosovës të izoluar. Qytetarët nuk mund të udhëtojnë atëherë kur dëshirojnë. Duket se Kosova me vite nuk po mundet ta zgjidhë këtë çështje. Si e shihni ju zgjidhjen, marrë parasysh që në Kuvend ekziston opozitë e fortë karshi kësaj marrëveshje?

Eliot Engel: Unë vërtetë besoj që liberalizimi i vizave është dashur të ndodhë shumë më herët. Me apo pa Demarkacionin, kosovarët duhet t’i kenë të drejtat e njëjta sikurse njerëzit në vendet tjera. Shpresoj që Qeveria do ta zgjidhë çështjen e Demarkacionit, në mënyrë që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë. Është mjaft frustuese kur bëhet fjalë për disa çështje, por me to duhet marrë.

Radio Evropa e Lirë: Pyetja tjetër ka të bëjë me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Liderët e Kosovës, Kryeministri dhe Presidenti, kohëve të fundit po insistojnë që Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen më fuqishëm në fazën përfundimtare të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. A do të duhej dhe a do të përfshihen Shtetet e Bashkuara në fazën e fundit të dialogut?

Eliot Engel: Po, definitivisht duhet, por a do të përfshihet, këtë nuk e di. Por mendoj që njerëzit këtu kanë besim në Shtetet e Bashkuara dhe e dinë që në qoftë se Shtetet e Bashkuara përfshihen, interesat e Kosovës do të jenë të mbrojtura.

Ajo që fatkeqësisht kemi, është fakti se kemi Serbinë, e cila nuk ndihmon, sipas mendimit tim.

Edhe Serbia, por edhe Kosova, kanë marrëdhënie të qasshme me Bashkimin Evropian, ndërkaq që dy vendet duhet të bëjnë dialogun dhe të kenë qëllime të caktuara. Është mirë të bësh dialogun me një vend, por kur ai vend shkon pas shpinës tuaj dhe ua futë thikën, kjo nuk është diçka që pritet. Sa më përket mua, kjo është ajo që e ka bërë Qeveria e Serbisë në disa vitet e fundit. Ata me efikasitet e kanë mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, së bashku me Rusinë kanë intervenuar në UNESCO kur kemi menduar se Kosova do të anëtarësohet, por ka humbur për 3 vota. Para disa javësh e kishim edhe rastin e INTERPOL-it dhe serbët sërish nuk e kanë luajtur rol të mirë në këtë. Ka pasur edhe incidente të tjera, kur janë përpjekur ta bllokojnë Kosovën.

Mendoj se kjo nuk është në rregull. Në qoftë se dy vende bëjnë dialog, atëherë nuk do të duhej që gjërat të bëhen pas shpinës. Kjo është ajo që ata e kanë bërë ,në shumë mënyra. Sinqerisht, është koha që të pushojnë me këtë dhe për këtë po flas. Unë mendoj që Serbia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, njëkohësisht me Kosovën.

Nuk konsideroj që u duhet anëtarësimi në rast se e bllokojnë Kosovën. Në qoftë se anëtarësohen para Kosovës, ashtu siç po planifikohet për momentin, si të jemi të sigurt që si anëtare e Bashkimit Evropian, nuk do ta bllokojë Kosovën?

Sipas meje, nuk është as shumë komode fakti që kanë disa lidhje të caktuara me Rusinë, e cila nuk është mike e Bashkimit Evropian. Rusia është përzier në procesin zgjedhor për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, sikurse edhe në disa shtete demokratike evropiane. Në qoftë se Serbia i luan ato lojëra me Rusinë, kjo nuk më shtynë që t’iu ndihmojë në qasjen për në Bashkimin Evropian ose çfarëdo qoftë tjetër. Mendoj që duhet ta ndërpresin këtë ‘non sens’ dhe të dyja vendet duhet të pranohen njëkohësisht në Bashkimin Evropian dhe një shtet nuk do të duhej ta bllokonte shtetin tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë të drejtë kur thonë që formimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të ndodhë vetëm me ndryshimet kushtetuese? A duhet që kjo çështje të trajtohet sa më parë, veçanërisht në kontekstin e përzierjes ruse në rajon?

Eliot Engel: Po. Unë nuk pajtohem me atë që kanë thënë dhe kanë bërë Shtetet e Bashkuara. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, secili komb i pavarur dhe i lirë, sikurse është ky, ka të drejtë ta ketë ushtrinë. Nuk më pëlqejnë të gjitha këto pengesa shtesë, të cilat i vihen Kosovës. prandaj, kjo është edhe një çështje në të cilën duhet të punojmë.

Radio Evropa e Lirë: Edhe një gjë tjetër, me të cilën Kosova, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballen, është ekstremizmi i dhunshëm. Sa është ky problem serioz edhe më tutje për rajonin?

Eliot Engel: Jemi mjaft të shqetësuar për njerëzit që kanë braktisur vendet e ndryshme që të luftojnë në anën e Shtetit Islamik. Tash, pasi që Shteti Islamik është mundur, mjaft njerëz po kthehen. Fatkeqësisht, një numër i të rinjve nga Kosova ka shkuar atje. Mendoj se ky ka qenë gabim dhe shpresoj që këta që po kthehen kanë mësuar nga gabimet e veta. Por, kjo më nuk është problem, sepse Shteti Islamik është mundur për shumë arsye praktike.

Është shumë me rëndësi që të rinjtë këtu ta ndjejnë përparimin në Kosovë. Të rinjtë po luftojnë për një vend pune, sepse papunësia është shumë e madhe. Nuk dëshirojmë që ta kemi atë që ne e quajmë “rrjedhje e trurit”, gjegjësisht që më të mirët dhe më të mençurit të shkojnë në Gjermani ose Shtete të Bashkuara, sepse nuk mund të gjejnë punë këtu. Ka mjaft gjëra që nevojiten të bëhen këtu. Jam i bindur se kjo është e mundur dhe se kjo do të ndodhë. Ne do të ndihmojmë ashtu si të mundemi, sepse qëllimi është që të mbahen të rinjtë që janë të mençur dhe të cilët kanë potencial që të ndihmojnë në ndërtimin e këtij shteti. Nuk dëshirojmë që ata të shkojnë për shkak se mendojnë se mundësitë janë më të mira diku tjetër ose edhe më keq, të shkojnë sepse mendojnë se është atraktive që t’i bashkohen Shtetit Islamik, kur e dimë që ajo nuk është asgjë tjetër përveç se një grup terrorist që dëshiron të vrasë njerëz. Kështu që, mendoj që kjo nuk është e mirë për askënd.

Radio Evropa e Lirë: Kosova pritet të ballafaqohet me sfidën më të madhe, Gjykatën Speciale për krime lufte. Si e shikoni ju këtë Gjykatë. A është ajo detyrim? A është ky një institucion një-etnik, siç po e quajnë individët?

Eliot Engel: Nuk është e përkryer, por mendoj që është e domosdoshme. Kur kjo çështje ka dalë në pah, nuk mendoj që do të ishte mirë për Kosovën që të mos pajtohet me të ose të duket sikur po fsheh diçka. Unë gjithmonë angazhohem për të vërtetën. Në qoftë se kanë ndodhur gjëra të këqija, atëherë duhet t’i dimë ato në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen.

Ajo që duhet të bëjmë në këtë rajon është që të kaluarën ta lëmë pas vetes dhe të nisemi kah e ardhmja. Për këtë e dua kaq shumë këtë vend, sepse kjo është pikërisht ajo që njerëzit duan këtu. Ata dëshirojnë shtet shumetnikë dhe ta ndërpresin luftën, e cila ka me shekuj ka zgjatur në Ballkan. Kjo është destruktive për të gjithë ne. Kështu që, veprimi i Qeverisë për krijimin e Gjykatës, ka qenë veprim i drejtë dhe mendoj që nuk ka pasur zgjedhje tjetër. Ta bëjmë këtë dhe të nisemi përpara drejt të ardhmes.

Çmimi ‘Hasan Prishtina’ për vitin 2017 i jepet gazetarit Marin Mema

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta, ka marrë vendim që Çmimin “Hasan Prishtina” për vitin 2017 ti ndaj gazetarit Marin Mema.
Çmimi do të ndahet në një ceremoni të organizuar në Sheshin 21, me datë 25 nëntor, duke filluar nga ora 17:00.

Në këtë ceremoni me pjesëmarrjen e tyre do të na nderoj edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj, si dhe shumë mysafir nga Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare.
Ftojmë përfaqësuesin e Mediumit tuaj të nderuar që të përcjelli këtë ngjarje!

Me respekt,
Jahja Lluka

Kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta,

 

 

p.s. bashkëngjitur po ju dërgojm edhe vendimi për ndarjen e Cmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Mema.

 

——————————————————————————

 

 

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, në mbledhjen e mbajtur më: 07.11. 2017, mori këtë:

 

 

VENDIM

 

 

Në mbështetje të Statutit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta, dhe të rregullores për ndarjen e çmimit ”HASAN PRISHTINA”, çmimi më i lartë i Shoqatës për vitin 2017, do ti ndahet z.MARIN MEMA, gazetar.

 

ARSYETIM

 

z. Marin Mema, si gazetar i Televizionit Top-Channel, me emisionin e tij ”Gjurmë shqiptare” ka realizuar me sukses tema shumë të rëndësishme për historinë e Shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.

z. Mema, kaloi të gjitha pengesat e vëna nga regjimet e Shkupit, Athinës, Beogradit duke realizuar dhjetëra dokumentar mbi historinë shqiptare të Çamërisë, Maqedonisë dhe viseve shqiptare të mbetura nën Serbi.

Marin Mema është realizuesi një sërë dokumentarësh për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë, Gjurmët e historisë per zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në Greqi (Çameri), Maqedoni, Sarajevo në Bosnje, Ulqini, Plava dhe Gucia, Reka, Dibra e madhe, komunitetet shqiptare ne SHBA, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal të zi, Serbi, Turqi e me tej kanë qënë në fokus te dokumentarëve dhe reportazheve.

Përmes tyre, Mema ka arritur që të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ndalimin e asimilimit dhe ikjes së metjeme të shqiptarëve nga trojet e robëruara dhe zbardhjen e historisë shpesh të dhimbshme por krenare të shqiptarëve në viset tona.

Marin Mema, ka arritur gjithashtu që të zbardhi dokumenta nga arkiva të ndryshme për heronjë e veprimtarë të ndryshëm shqiptar të kohëve të ndryshme.

Motivet e fuqishme kombëtare, humane e fisnike të z. Mema, karakteri i tij fisnik dhe i pandalshëm përball pengesave nga shtetet fqinje, e bëjnë një prej figurave më të fuqishme në gazetarinë shqiptare sot.

Duke u bazuar në të gjitha sa u cekën më lart, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shprëngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë,z. MARIN MEMA, e ngrit në vendin më të lartë të mbrojtjes së historisë dhe vlerave tona kombëtare duke i ndarë çmimin ”HASAN PRISHTINA”

 

Prishtinë, 25. 11. 2017

Engel: Çështja e kufirit të Kosovës më Malin e Zi të zgjidhet sa më parë

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të hënën në Prishtinë se Kosova nuk duhet të mbetet peng e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë.

Zoti Engel po qëndron për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës mori pjesë edhe në hapjen zyrtare të programit prej 49.6 milionë dollarësh për Kosovën nga korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit”, që synon të ndihmojë në dy fusha thelbësore për rritjen ekonomike: mungesën e energjisë së qëndrueshme dhe sundimin e ligjit.

Ligjvënësi Engel i cili ndoqi procesin e zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, të hënën mori pjesë edhe në një mbledhje solemne për nder të tij në qeverinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje me këtë rast që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në përmbylljen e çështjeve të hapura të Kosovës, në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Në temat e mbetura të hapura në e kërkojmë ndihëm e juaj, ndihmën e Amerikës e po ashtu ju premtojmë që do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit e të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ligjvënësi Engel tha se sapo të kthehet në Amerikë do të shoh mundësitë për të siguruar përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Kryeministri më ka thënë shumë herë se gjithmonë ndjehet më mirë kur SHBA-ja është e përfshirë dhe të them të vërtetën njësoj ndjehem edhe unë. Ne kemi një qeveri të re në SHBA që ende nuk ka bërë vitin, dhe ende janë duke i zgjidhur disa çështje të tjera të tyre. Por një gjë që do ta bëj kur të kthehem nga ky udhëtim është që të përpiqem të sigurohem që Amerika ta ketë një përfshirje të fuqishme në Ballkan dhe në Kosovë”, tha ai.

Zoti Engel tha po ashtu se çështja e kufirit me Malin e Zi, është me rëndësi dhe duhet të zgjidhet sa më shpejt. ” Është padyshim një problem, edhe pse jo i vetmi sepse ka shumë probleme tjera. Por jam kundër asaj që çështjet të mbahen peng për shkak të një problemi”, tha ligjvënësi Engel.

Zoti Engel, njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engel, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se një çerek shekulli dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në Panairin e Librit Tiranë, vëllimi i ri poetik nga Skënder Buçpapaj

VOAL – Iu bëjmë ditur miqve dhe admiruesve tanë se prej 15 nëntor 2017, në Panairin e Librit në Tiranë ndodhet vëllimi i ri poetik i autorit Skënder Buçpapaj, prurje e Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Redaktore është Elida Buçpapaj.

“Jubileu i shiut të çmendur” sjell mjeshtërisht botën e trazuar të njeriut shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare në një mjedis bashkëkohor gjithnjë e më të trazuar fatesh njerëzore.

VOAL i fton lexuesit në stendat e Panairit të Librit në Tiranë të kenë sa më shpejt në duart e tyre këtë libër të ri që pasuron veprën e autorit dhe poezinë moderne shqipe.

 

 

 

Nata e shqiptarëve – Çmimet “MTV EMA”, triumfojnë Dua Lipa e Ermal Meta

Ka qenë nata e shqiptarëve në ceremoninë e sivjetme të MTV European Music Awards. Ceremonia e ndarjes së çmimeve MTV European Music Awards u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Londër. E pavarësisht se ishte një ceremoni për vlerësimin e muzikës europiane, shfaqja përfshiu gjithashtu edhe shumë prodhime amerikane.

Mes repistëve që pretendonin dhe ia dolën me sukses të merrnin një trofe ishin Kendrick Lamar dhe Eminem, ndërkohë që garonin DJ Khaled, Kyle, Drake dhe Future and Post Malone.

Shfaqja pati për prezantuese këngëtaren britanike me origjinë nga Kosova, Rita Ora (Sahatçiu), e cila befasoi me atë dalje me rrobëdeshambër në tapetin e kuq, por edhe gjatë prezantimit.

Fituesit e çmimeve “MTV EMA” për vitin 2017 janë si më poshtë, sipas kategorive (me të theksuara fituesit):

Best Song

Clean Bandit, “Rockabye” Feat. Sean Paul & Anne-Marie
DJ Khaled, “Wild Thoughts” Feat. Rihanna, Bryson Tiller
Ed Sheeran, “Shape of You”
Luis Fonsi & Daddy Yankee – “Despacito” (Remix) Feat. Justin Bieber
Shawn Mendes, “There’s Nothing Holdin’ Me Back”

Best Artist

Ariana Grande
Ed Sheeran
Kendrick Lamar
Miley Cyrus
Shawn Mendes
Taylor Swift

Best Look

Dua Lipa
Harry Styles
Rita Ora
Taylor Swift
Zayn

Best New

Dua Lipa
Julia Michaels
Khalid
Kyle
Rag’n’Bone Man

Best Pop

Camila Cabello
Demi Lovato
Miley Cyrus
Shawn Mendes
Taylor Swift

Best Video

Foo Fighters, “Run”
Katy Perry, “Bon Appetit” Feat. Migos
Kendrick Lamar, “Humble”
Kyle, “iSpy” Feat. Lil Yachty
Taylor Swift, “Look What You Made Me Do’”

Best Live

Bruno Mars
Coldplay
Ed Sheeran
Eminem
U2

Best Electronic

Calvin Harris
David Guetta
Major Lazer
Martin Garrix
The Chainsmokers

Best Rock

Coldplay
Foo Fighters
Royal Blood
The Killers
U2

Best Hip Hop

Drake
Eminem
Future
Kendrick Lamar
Post Malone

Best Alternative

Imagine Dragons
Lana Del Rey
Lorde
The xx
Thirty Seconds to Mars

Biggest Fans

Ariana Grande
Justin Bieber
Katy Perry
Shawn Mendes
Taylor Swift

Best Canadian Act

Drake
Justin Beiber
The Weeknd
Shawn Mendes
Alessia Cara

Best Push

Hailee Steinfeld
Jon Bellion
Julia Michaels
Kacy Hill
Khalid
Kyle
Noah Cyrus
Petite Meller
Rag’n’Bone Man
SZA
The Head and The Heart

BEST WORLD STAGE

Steve Aoki – Live from Isle of MTV Malta 2016
Kings of Leon – Live from Oude Luxor Theatre, Rotterdam, The Netherlands 2016
Tomorrowland 2017
DNCE – Live from Isle of MTV Malta 2017
The Chainsmokers – Live from Isle of MTV Malta 2017
Foo Fighters – Live from Barcelona, Spain 2017

Best U.K. & Ireland Act
Louis Tomlinson
Best Italian Act
Ermal Meta

POWER OF MUSIC
Rita Ora

GLOBAL ICON
U2

a.ç

Bulliqi: Parregullsi në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi

Anëtarët e Komisionit Shtetëror pë Shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, gjatë një takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror, thotë se nga hulumtimet e bëra deri më tani janë vërejtur parregullsi të ish ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Përfaqësuesit e këtij Komisioni, të cilët raportojnë para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi, kanë theksuar se ish-komisioni ka bërë punë joprofesionale dhe jotransparente.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqi tha se ish-komisioni nuk ka pasur një proces transparent.

Ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat e veta, për faktin se ka mungesë të një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe ka qenë i themeluar vetëm me një detyrë, demarkimin e atij kufiri, shënjimin dhe mirëmbajtjen, por në asnjë formë dhënien e një vije të re kufitare në praktikë, gjë që për fat të keq rezultati final na ka rezultuar vija e re kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Bulliqi.

Bulliqi thotë se Komisioni është duke bërë punën me përpikëri të madhe dhe se janë afër përmbylljes së raportit final rreth gjetjeve për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi,

Nuk guxojmë të ngutemi në dëm të raportit sepse çështja është serioze, nuk jemi larg jemi afër por keni durimin, pasi që shpejt do të kemi raportin në dorë me të gjitha faktet”,tha Bulliqi.

Nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror është thënë se ka nevojë edhe për një numër të konsiderueshëm të materialeve shtesë, të cilat do të kërkohen me shkrim në disa institucioneve përkatëse.

Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, pretendonin se me Marrëveshjen e vitit 2015, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. Pjesë e opozitës së atëhershme ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili njihet për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave.

Raporti – Pas kanabisit e kokainës, Shqipëria po kthehet në nyje të trafikimit të heroinës

Qendra Europiane e Drogave dhe e Varësisë së Drogave (EMCDDA) në raportin Shqipëria, Raporti Kombëtar për Drogat 2017 (Albania, National Drug Report 2017) në analizën që ka bërë për situatën e Drogave dhe Varësisë së Drogave në vend ka dhënë dhe një panoramë të tregut të jashtëligjshëm.

E konsideruar si një vend prodhues i kanabisit, EMCDDA ngre shqetësimin se vendi pas kanabisit e kokainës, së fundmi po kthehet në një nyje të trafikimit të heroinës dhe se një pjesë e drogave të forta mbetet në vend. Si janë çmimet në vend dhe sasitë e zëna ndër vite…

 

Shqipëria konsiderohet një vend prodhues i kanabisit, thuhet në raport. Vendet kryesore të furnizimit me kanabis nga Shqipëria janë vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor dhe ato të Bashkimit Europian. Për të luftuar këtë fenomen, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë plane vjetore veprimi. Produktet e kanabisit janë ndër drogat të kapura më shpesh në Shqipëri. Nga viti 2012, ka pasur një numër në rritje të identifikimit dhe të shkatërrimit të plantacioneve me kanabis.

Në vitin 2015, Policia Shqiptare raportoi një numër rekord të sasisë së zënë të kanabisit prej 1198 plantacionesh dhe shkatërrimin e 797422 rrënjëve. Shtuar kësaj, janë kapur gjithashtu sasi të mëdha të kanabisit të presuar. Sipas të dhënave sasia e zënë e kanabisit nga u rrit nga 310 tonë në 2010, në 1093 tonë në 2014, ku një sasi rekord prej 102 tonësh u kap.  Nga 2014- në 2015 tre laboratorë të prodhimit të vajit të kanabisit u shpërbënë.

Duke qenë pjesë e degëzimit jugor të rrugës ballkanike, Shqipëria është vendi tranzit i trafikut të heroinës. Rrugët kryesore që përdoren janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Heroina transportohet në Shqipëri me kamionë, autobusë, makina etj,. Të dhënat e disponueshme tregojnë se destinacionet kryesore të trafikimit të heroinës nëpërmjet Shqipërisë janë Italia dhe Greqia, por një pjesë e sasisë së trafikuar mbetet në vend për konsumatorët në Shqipëri. Në vitet e fundit, sasia e zënë e heroinës ka qenë disi e qëndrueshme, por sasia e zënë ka varjuar nga viti në vit. Sipas të dhënave të disponueshme sasia e zënë në Shqipëri ka qenë më e ulët nga 2010 në 2011 (respektivisht janë kapur 15.5 kg dhe 21.4 kg), ndërsa në 2012-n sasia e zënë e heroinës u katërfishua në 87.7 kg. Në 2013-n në total pati 95 raste të sasisë së kapur, ku u sekuestruan rreth 74.3 kg heroinë. Në 2014 kishte 81 raste dhe 73.5 kg të zëna, ndërsa në 2015 87 raste dhe 36.9 kg heroinë e zënë.

Kokaina (pluhur) duket se hyn në Shqipëri në sasi të vogla, kryesisht nëpërmjet korrierëve apo  shpërndarjeve postare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Amerikës së Jugut, të njohura për prodhimin e kokainës. Në vitet e fundit të dhënat tregojnë se rastet e transportimit me anë të kontejnerëve janë shtuar. Një laborator i përfshirë me nxjerrjen dytësore të kokainës u identifikua dhe u shpërbë në 2015-n.

Ky operacion rezultoi me zënien e 20 kg kokainë pluhur, e cila ishte e destinuar për në Gjermani. Pjesa më e madhe e kokainës së trafikuar në vend mendohet të jetë për përdorim të brendshëm, por droga trafikohet edhe më tej, kryesisht në Greqi dhe në Itali. Që nga 2010, numri i rasteve dhe sasia e zënë janë në trend rritës. Në 2015, pati një numër rekord të rasteve të ndaluara. 71, dhe të sasisë së zënë prej 27.1 kg, të cilat u raportuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Drogat sintetike nuk janë të shpeshta në tregun shqiptar të drogave.

Të dhënat tregojnë se çmimi në tregun e zi për një gramë kanabis në 2015-n ishte 1-1.3 euro. në 2012-n, çmimi në tregun e zi i heroinës varjonte nga 21 deri në 25 euro për gramë. Pastërtia e heroinës në tregun e zi përllogaritej rreth 4 për qind. Çmimi për 1 gramë kokainë në 2012 varjonte nga 50-100 euro për gramë, ndërsa pastërtia ishte rreth 27 për qind. Kanabisi i kultivuar në vend vijon të mbetet droga kryesore në tregun shqiptar të drogave. “Shqipëria është gjithashtu vend tranzit i heroinës dhe së fundmi dhe i kokainës”, përfundon raporti.

Monitor