SARANDË
Mbrëmë
Të kisha aq afër,
Aq pranë,
Sa dorën po të zgjasja
Do të prekja
Buzëqeshjen tënde,
Që edhe detin
E la pa frymë…
Do të prekja
Ajrin që ti thith
Dhe gjithë
Madhështinë…
Por dora nuk m’u bind
Dhe u futa nxitimthi
Në lumin e njerëzve,
Mes dallgëve
Pa kthim
Duke lenë pas
Dhembje
E trishtim…
DIELL I ÇORODITUR
Ky diell i çoroditur në Jug,
M’i grisi mendimet e m’degdisi larg…
Dikur rrezet e tij ngrohnin qenien time
Edhe pse i rrethuar nga akullnaja…
Deti që më përkëdhelte
Ëmbëlsisht me dallgët joniane,
Tani gulçon fjalë të pakuptimta,
Deri në deje e ndjej tërbimin e tij,
E, toka po çahet nga hidhërimi…
VILSON BLLOSHMIT
Unë s’kam qenë në Sahara,
As në ëndrra s’e kam parë.
Saharaja njerëz ha,
Saharaja, tokë e tharë…
Unë s’kam qenë në Sahara,
As Vilsoni nuk pat shkuar,
Veç, kur shkroi vargjet për të,
Fundin kurrë s’e kish menduar.
Çdo vargu plumba i lëshuan,
Poetit që ndanë nga kjo jetë.
Mu në zemër e qëlluan,
Saharaja, ç’ferr i nxehtë!
Do të shkoj në Sahara,
Shpejt a vonë, do të shkoj.
Në më djegtë zjarri i saj,
Atë zjarr do përvëloj…
NATA DIGJET BRENDA MEJE
Në pëllëmbë të dorës më ka mbetur
Prekja e flokëve të zez si nata,
Më ka mbetur shtrirë dora, e
S’po mundem ta drejtoj nga vetja!
Nata digjet brenda meje, ashtu
Si zjarri që ndeze në retinën e syve.
Ç’të bëj me dorën time të zgjaturë!
Ti nuk më kthen asnjë përgjigje…
PULBARDHAT
U trembën pulbardhat
E ikën fluturim…
Mbi liqenin e trëndafilave
Të egër,
E tash
Nga dhembja e bardhë
Qajnë mëngjeset,
Gjithë trishtim…
PËSHPËRIMAT E DIELLIT
Koha shtangur ka qëndruar
Dridhet ankthi gjoksit tim.
Pranverën e mbaj mbi duar,
I gjithi bëhem blerim…
Kozmosin e kam pushtuar.
Puth e puth pa pushim.
Një mikrobotë të praruar
Më sjell ajo, ma përndrin…
PEZULL
Gjithçka pezull ka mbetur në motin gri,
Kjo mbrëmje pa ajër po më tharton,
Si vera e kuqe mbetur pa pirë…
Në një festë që pa filluar mbaron!
Përhumbur jam në këtë mbrëmje gri,
As vetë s’e di çfarë më mungon.
Kjo verë e kuqe mbi tavolinë,
Me ty më ngjan e më trishton…
PUTHJE DIELLI
Kam mall për atë puthje dielli,
Kam mall për atë përqafim…
Ti vështrimin ktheve nga deti,
E u përskuqe me perëndim.
Ku ndodhesh vallë këtë mbrëmjeë
Më kot të kërkoj në largësi,
Muzgun e puthjes pi me ëndje
Dhe vdes në perëndimin e tij…
ËNDËRR JETIME
Lotët e tu më mbetën në faqe,
Si kristal u thye mbrëmja.
Nuk ka hënë brenda kësaj nate
Pylli ndanë lumit oshëtin nga dhembja.
Iu luta ëndrrës, mos ikë këtë mbrëmje,
Ëndrrës jetime në botën e hirtë,
Nata e trishtë si gjysmë hëne
Ma plagosi ëndrrën gjer në shpirt.
NJË QERSHIZË
Një qershizë e brishtë buzë rruge
Paska çelur pa pritur muajin maj,
Londrojnë petalet në ditën e murrme,
Unë s’di pse ndjehem si i zënë në faj…
Harruar në shkresat mbi tavolinë,
Më ikën ditët krejt pa kuptuar…
Sot kjo qershizë më solli freskinë
E një stine që më kish munguar…
LOT BURRI
Nuk kam guxim ta shoh veten në pasqyrë,
Jo, nuk guxoj as sytë t’i ngre drejt qiellit,
Një gulç më mbyt në fyt dhe fytyrnxirë,
Derdhet një lot burri faqes së diellit…
As duart s’më bëjnë të kap laps të shkruaj,
Kanë ngrirë shqisat, asgjë nuk shquaj…
N’horizont më duket gjithçka e përshtirë
Dhe endem kuturu, kot më kot si i huaj…
* * *
Nuk di ç’ngjyrë kanë ditët atje larg,
A djeg dielli, apo po shtegton
Bashkë me ty
Në vise të tjera, nëpër largësi
Nuk e di, a dhemb deti atje,
A ka më stuhi brenda teje!
Ndërsa ndjej se
Brenda meje, dallgët e detit
I tërbojnë ditët e mia,
Ujë bëhem krejt dhe mbytem
Nga dashuria…
IKE NËPËR NATË
Tani që ike nëpër natë dhe
Le tek unë një mallëngjim,
Çdo minutë më duket i gjatë
Më dhemb kjo ikje e pakthim.
Dhemb si puthja e rrëmbyer,
Si dora që më mbeti pezull,
Si bukuria jote e përkryer,
Si syri i shkruar nënë’ vetull…
Më dhemb vështrimi i brengosur
Dhe fjalët thënë me përmallim,
Më dhemb takimi i përsosur
Ndaj pres të më vish në kthim…
BOTA MË RROTULLOHET NË DUAR
Ti më pyet së largu;
“Si është atje koha”…
Dhe zëri vjen i mjegulluar.
E bukur, sa ti, them,
Dhe bota
Më rrotullohet në duar…
VJESHTË
Rrugët janë shpëlarë nga shiu i natës
Që shkoi dhe një fllad i lehtë vjeshte
Më pershkon trupin tej e tej!
Janë po ato rrugë ku ecëm bashkë,
Po ato ndërtesa, po ato pemë,
Eshtë vjeshtë!
Një vjeshtë ndryshe nga vitet e tjera,
Një vjeshtë e përndritur
Si rrugët e Tiranës…
Vjeshta më sjell tek ti,
Tek kujtimet tona të bukura
Dhe ndjej mall…
FTOHTË NË TIRANË
Ftohtë, ftohtë në Tiranë,
Mbi Dajt bora po rigon,
Si krah zogu më ngjanë,
Malli që më hënëzon.
Mbuluar me tis trishtimi,
Dita zvarritet e mpirë.
Ti ndrin si rreze agimi,
Si pikë vese e dlirë…
Bën ftohtë në Tiranë,
Dajti zbardh i përlotur.
Flokët e borës savan
Mbi heshtjen e ndrojtur…
Komentet