VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dhjetëra të lënduar në fluturimin e kompanisë Air Canada

By | July 12, 2019

Komentet

WEF: Pandemia do të dobësojë stabilitetin e botës në 5-10 vitet e ardhshme

Sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), edhe nëse vaksinimi do të jetë i suksesshëm, pritet që pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) të hedh një hije të gjatë duke rrezikuar ekonominë në 3-5 vitet e ardhshme dhe duke dobësuar stabilitetin gjeopolitik në 5-10 vitet e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin mbi rreziqet globale për vitin 2021, forumi WEF me bazë në Zvicër, më i njohuri për organizimin e konferencave vjetore të Davos-it, paralajmëron për ndikimin negativ në ekonomi të shpërthimeve të tilla si COVID-19, duke theksuar se shpërthime të tilla përkeqësojnë pabarazitë dhe ndarjet shoqërore.

“Miliarda kujdestarë, punëtorë dhe studentë, veçanërisht pakicat që ishin në disavantazh para pandemisë, tani rrezikojnë të humbin rrugën e tyre drejt shoqërive të reja dhe më të paanshme që rimëkëmbja mund t’i zbulojë”, tha WEF.

Për gjeneratën e re, që do të preket më së shumti nga këto zhvillime, rreziqet afatmesme dhe afatgjata janë mjedisore, ndërsa shqetësimet e menjëhershme përfshijnë përkeqësimin e shëndetit mendor dhe krizave të jetesës.

WEF kryesisht apeloi që bota të zgjohet nga shqetësimet mjedisore, të cilat kryesojnë listën e shqetësimeve të mëdha nga ndikimi dhe probabiliteti gjatë dekadës së ardhshme.

Raporti po ashtu thekson se hendeku dixhital në rritje midis “të pasurit” dhe “të mos pasurit” kërcënon kohezionin shoqëror.

“Kjo do të prekë në veçanti të rinjtë në mbarë botën, pasi ky grup përballen me krizën e dytë globale në një gjeneratë dhe mund të humbasë plotësisht mundësitë në dekadën e ardhshme”, theksoi raporti, duke iu referuar krizës financiare të viteve 2007-2008.

Presionet financiare, dixhitale dhe ato të reputacionit, që rezultojnë nga pandemia COVID-19, po ashtu kërcënojnë të lënë pas shumë kompani dhe fuqinë e tyre të punës në tregjet e të ardhmes.

Përderisa këto pabarazi të mundshme mund të çojnë në ndarjet shoqërore, një perspektivë gjithnjë më e tensionuar dhe e brishtë gjeopolitike po ashtu do të kërcënojë rimëkëmbjen globale nëse fuqitë e mesme nuk do të kenë një vend në tryezën globale.

Raporti tha se ndarjet shoqërore, pasiguria dhe ankthi do ta bëjnë edhe më të vështirë arritjen e koordinimit të nevojshëm për të adresuar degradimin e vazhdueshëm të planetit.

Më tej, raporti theksoi se sëmundjet infektive, krizat e jetesës, moti ekstrem, masat e pamjaftueshme të sigurisë kibernetike dhe pabarazia dixhitale do të jenë midis 10 rreziqeve kyçe gjatë dy viteve të ardhshme.

Evropa kërkon lirimin e Navalnit, thirrje për sanksione ndaj Kremlinit

Udhëheqësit perëndimorë po kërkojnë lirimin e drejtuesit të opozitës ruse Aleksei Navalni, i cili u arrestua të dielën pasi mbërriti në Moskë nga Gjermania, ku ndodhej për trajtim mjekësor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell sjell më shumë detaje.

Pas më pak se 24 orë nga kthimi i tij në Rusi, udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni u përball të hënën me një seancë gjyqësore jashtëzakonisht të pazakontë brenda këtij stacioni policor në Moskës dhe u vendos në paraburgim për 30 ditë. Prokurorët kërkuan një dënim me kusht ekzistues të pezulluar, prej tre vitesh e gjysmë për përvetësim, shndërruar në një dënim të plotë me burg. Zoti Navalni thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të dalin në rrugë.

Mos heshtni, rezistoni, dilni në rrugë. Askush nuk do të na mbrojë përveç vetes. Dhe ne jemi aq shumë sa që nëse duam të arrijmë diçka, do t’ia arrijmë”, thotë Aleksei Navalni, udhëheqësi i opozitës ruse.

Zoti Navalni u arrestua të dielën pasi u kthye nga Gjermania, ku po trajtohej pas helmimit në Siberi vitin e kaluar me një agjent nervor.

Kremlini e ka mohuar përfshirjen në sulm. Ndërkohë Berlini kërkon lirimin e zotit Navalni.

Autoritetet ruse kanë arrestuar viktimën e një tentative për vrasje me armë kimike, jo autorin e krimit. Qeveria gjermane i bën thirrje fuqimisht qeverisë ruse që së pari ta lirojë menjëherë zotin Navalni dhe së dyti të hetojë plotësisht rrethanat e sulmit me armë kimike ndaj tij në tokën ruse“, thotë Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane

Udhëheqësit e tjerë evropianë i bënë jehonë kësaj kërkese. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga arrestimi i zotit Navalni. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo si dhe këshilltari i ardhshëm për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të zgjedhur Joe Biden kanë kërkuar gjithashtu lirimin e tij.

Udhëheqësi 44-vjeçar i partisë “Rusia e së Ardhmes” paraqet një sfidë për Presidentin Vladimir Putin, thotë analisti Ben Noble.

Me zgjedhjet e Dumës Shtetërore (dhoma e ulët e parlamentit rus) që mbahen më 2021, Navalni jo vetëm që është një demonstrim hapur i kundërshtimit ndaj Kremlinit, por fondacioni i tij i anti-korrupsion dhe videot tejet të shkëlqyera në YouTube me prova për korrupsion të zyrtarëve shtetërorë e anëtarëve të tjerë të elitës ruse, krijojnë shqetësime për Kremlinin. Sigurisht që është një rrezik për Kremlinin që Navalni të kthehet në një martir ose që statusi i tij si martir të konsolidohet“, Ben Noble, analist për Rusinë, University College London.

Deri më tani Perëndimi i ka ndaluar veprimet ndëshkuese ndaj Rusisë. Muajin e kaluar BE-ja u bashkua me aleatët e saj në miratimin e të ashtuquajturit “Akti Magnitsky”, i cili parashikon sanksione ndaj individëve të akuzuar për abuzim me të drejtat e njeriut. Aktivisti Bill Browder, i cili ndihmoi në miratimin e këtij ligji, thotë se është koha që ai të zbatohet.

Nëse përfshini të gjitha vendet e BE-së, SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, etj., janë 31 vende. Ndaj kjo gjë do të ketë një efekt shumë të rëndësishëm mbi Rusinë, mbi njerëzit ndaj të cilëve rëndojnë sanksionet. Dhe siç e kuptoj unë, Navalni dhe ekipi i tij, para se të hipnin në aeroplan, kishin krijuar një lloj liste të atyre që ata mendojnë se duhet të jenë në listën e sanksioneve“, thotë Bill Browder, Aktivist për të Drejtat e Njeriut.

Vladimir Putin e sheh këtë si rrezikun më të vogël, argumenton zoti Noble.

Sipas asaj që unë mendoj Kremlini mund ta përballojë këtë turbullirë afatshkurtër, por kapja e tij (Navalnit), futja e tij në burg do të ishte një mënyrë për ta privuar atë nga ekspozimi në media“, thotë Ben Noble, analist për Rusinë, University College London

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov iu kundërpërgjigj të hënën kritikave për arrestimin e zotit Navalni.

Politikanët perëndimorë e shohin këtë si një mundësi për të tërhequr vëmendjen nga kriza e thellë në të cilën ndodhet modeli liberal i zhvillimit“, tha ai.

Analistët thonë se veprimet e Rusisë do të përkeqësojnë tensionet me Perëndimin, ndërsa të dyja palët përgatiten për një administratë të re amerikane, që pritet të marrë pushtetin këtë javë nën drejtimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Navalny arrestohet me të zbritur në Rusi

Fillimisht e helmuan, tani Putin urdhëron arrestimin e Navalnyt.

Policia ruse ka arrestuar kritikun më të madh të Vladimir Putinit, Alexei Navalny, pasi kishte arritur në Rusi të dielën, ka konfirmuar avokati i tij, nga burgu dhe dëshmitarë për Reutersin.

Kjo është hera e parë që Navalny kthehet në shtëpi pasi ishte helmuar verën e kaluar. Aeroplani ku ishte, kishte ateruar në një aeroport tjetër të Moskës nga ai që ishte paralajmëruar.

Navalny është arrestuar kur po u tregonte pasaportën e tij zyrtarëve të kufirit para se zyrtarisht të futej në Rusi, thanë dëshmitarët. Gruaja e tij, zëdhënësi dhe avokati i tij janë lejuar të futen në Rusi.

Navalny është shëruar në Gjermani ndërkohë që është provuar shkencërisht se ai ishte helmuar. Putin e kishte akuzuar se ai kishte helmuar vetën. /Express/

Rastet me COVID-19 në mbarë botën shkojnë në mbi 90 milionë

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka arritur në mbi 90 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA)

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri më tani në mbarë botën janë regjistruar 90.086.549 raste me COVID-19, i cili për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhe më pas u përhap në gjithë botën.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 22.699.938 raste deri më tani.

Ky vend ndiqet nga India me 10.451.346 raste, Brazili me 8.075.998, Rusia 3.379.103, Britania me 3.017.409, Franca 2.767.312, Turqia me 2.317.118, Italia me 2.257.866, Spanja me 2.050.360, Gjermania me 1.914.335, Kolumbia 1.771.363, Argjentina 1.714.409, Meksika 1.524.036, Polonia me 1.376.389, Irani me 1.280.438, Afrika e Jugut me 1.214.176, Ukraina me 1.110.015 dhe Peruja me 1.032.275 raste.

Në mbarë botën, deri më tani për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën 1.934.939 njerëz, kurse 64.469.156 persona janë shëruar duke e mposhtur virusin.

Gorbaçov: Si i shoh trazirat në SHBA

Pas protestave të dhunshme në SHBA në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve që çoi në fitoren e Jeo Biden, vjen një reagim nga ish-presidenti i fundit Sovjetik Mikhail Gorbachev. Sipas këtij të fundit këto trazira të së mërkurës kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e Shteteve të Bashkuara si shtet.

Ai thotë se sulmi ndaj Kongresit amerikan në Capitol Hill në Uashington me sa duket ishte përgatitur më herët, por ai është i bindur se do të duhet pak kohë për të zbuluar pse u bë. Gorbachev shprehet ndër të tjera se do të ketë ndryshime në botë në drejtim të zbutjes së tensioneve dhe se gara e armëve gradualisht do të ndalet, pasi njerëzit e brezit të ri e kuptojnë fatalitetin e saj, raportojnë mediat ruse.

“Shpresa nuk duhet të humbet”, tha ai. Ish-presidenti kujtoi kohën kur nënshkroi Marrëveshjen e Çarmatimit dhe vuri në dukje se edhe atëherë nuk ishte e lehtë, sepse kundërshtarët ishin të fortë. Por, siç deklaroi ai, ata patën sukses sepse donin paqe.

“Njerëzit që nuk duan një luftë do të bashkohen dhe udhëheqja e tyre do të duhet të gjejë një rrugëdalje. Ata do të gjejnë një rrugëdalje dhe forma të reja të marrëveshjes, duke marrë parasysh llojet e reja të armëve. Shpresa nuk duhet të humbasë kurrë. Unë nuk e humbas shpresën te të rinjtë,” tha Gorbaçov. bw

Ndërsa Shtetet e Bashkuara tronditen nga dhuna në Kapitol, Rusia shijon shfaqjen – Nga Charles Maynes

“Festa e demokracisë ka përfunduar”, tha Konstantin Kosachev, kreu i komitetit të punëve të jashtme në Këshillin e Federatës Ruse, në një postim në Facebook në të cilin argumentoi – për të disatën herë – kundër vendosjes së Amerikës si modeli i demokracive globale.

“Amerika nuk e ndjek më atë rrugë dhe si pasojë ka humbur të drejtën për ta përcaktuar atë. Aq më tepër t’i detyrojë të tjerët për këtë”, tha ai.

Kosachev argumenton se përçarjet në shoqërinë amerikane janë aq të thella saqë as republikanët dhe as demokratët nuk do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve pa kundërshti.

Ministria e jashtme e Rusisë gjithashtu u përqëndrua të enjten në ndarjen e elektoratit amerikan, ndërsa nxorri në pah përsëri kritikat e SHBA-ve ndaj zgjedhjeve të Rusisë në të kaluarën.

“Është një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Maria Zakharova në komentet e saj për gazetarët.
“Por përsëri, do të theksonim se sistemi zgjedhor amerikan është arkaik dhe nuk plotëson standardet moderne demokratike, krijon mundësinë për shkelje të ndryshme dhe media amerikane është bërë një instrument i konflikteve politike.”

Në mbulimin e saj, media shtetërore ruse promovoi deklaratat e Presidentit Donald Trump, për manipulimin e zgjedhjeve nga mijëra votues të dyshuar të “vdekur”, të cilat janë diskredituar në mënyrë të përsëritur.

Në përgjithësi, shtypi rus gjithashtu ka mbështetur pretendimet e presidentit Trump për një “komplot të thellë shtetëror” që synon të pengojë përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.

Megjithatë, komentatorët përshëndetën zhvillimet e fundit në Uashington duke bërë krahasime mes përgjigjes amerikane ndaj kryengritjeve demokratike në ish republikat sovjetike fqinje si Bjellorusia dhe Ukraina, ku, siç argumenton Kremlini, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të përmbysin qeveritë miqësore me Moskën duke mbështetur protestuesit.

Ndërkohë, udhëheqësi rus i opozitës Alexei Navalny, aktualisht në Gjermani pas një përpjekje të dështuar helmimi nga një agjent nervor i shkallës ushtarake në Siberi në gusht, u ofroi një kujtesë mbështetësve të Kremlinit që po shijojnë problemet e fundit politike të Amerikës.

“Putinistët festojnë konfliktin në SHBA dhe lavdërojnë ‘stabilitetin e Putinit’. Ata kanë probleme, shumë prej tyre” tha Navalny përmes Twitter-it. “E vetmja gjë është se SHBA-të ende kanë një pagë mesatare mujore prej 306,000 rublash. Në Federatën Ruse ajo është40,000, dhe në realitet, ndoshta 30,000 “.

Zëra më liberalë rusë komentuan gjithashtu nëse drama politike e kësaj jave në Uashington do të kishin ndodhur në Moskë.

Të imagjinosh që Kremlini të sprapset nga parlamenti dhe gjykatat “do të ishte një përrallë Krishtlindjesh”, tha politikani liberal Dmitry Gudkov në Facebook. “Ne nuk kemi qendra alternative të pushtetit.”

Ngjarjet në Uashington ndodhën në festën e Krishtlindjeve Ortodokse Ruse, duke nxitur sugjerime në vend dhe në Shtetet e Bashkuara se kaosi ishte një dhuratë e papritur për Presidentin rus Vladimir Putin.

Një meme popullore tregoi fytyrën e qeshur të liderit rus të vendosur mbi atë të një demonstruesi duke ngritur një podium nga ndërtesa e Kapitolit.

Por Putini nuk la të kuptohej nëse ishte i kënaqur. Ai nuk i përmendi asnjëherë traziratgjatë një deklarate të shkurtër për festat e Krishtlindjeve.

“Kjo festë e mrekullueshme ndriçon botën me një dritë dashurie dhe mirësie, u jep gëzim dhe shpresë miliona njerëzve dhe i orienton ata drejt vlerave shpirtërore të përjetshme,” tha ai në një deklaratë të publikuar nga Kremlini, duke uruar Krishtlindje të gëzuara për të gjithë.

Dhuna në Kapitol, reagojnë udhëheqës të huaj

VOA

Udhëheqës dhe politikanë botërorë shprehën të mërkurën tronditje ndaj protestuesve të dhunshëm që hynë në ndërtesën e Kongresit amerikan dhe ndaj përpjekjeve për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, të cilat i dhanë fitoren sfiduesit demokrat Joe Biden.

Ja disa nga reagimet:

MBRETËRIA E BASHKUAR

Kryeministri britanik Boris Johnson në një koment në Twitter i quajti skenat në Kongresin amerikan një “turp”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në mbrojtje të demokracisë në të gjithë botën dhe se është me rëndësi “jetike” që të ketë një transferim të rregullt dhe paqësor të pushtetit.

GJERMANI

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se armiqtë e demokracisë do të gëzohen nga skenat e dhunës në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Ai i bëri thirrje zotit Trump të pranojë verdiktin e votuesve amerikanë.

Në një Tweet postuar pasi protestuesit sulmuan selinë e legjislaturës amerikane, ministri Maas tha se dhuna ishte shkaktuar nga retorika nxitëse. “Trump dhe mbështetësit e tij duhet të pranojnë më në fund verdiktin e votuesve amerikanë dhe të ndalin përpjekjet për të shkelur demokracinë.”

FRANCË

Ministri i jashtëm francez Le Drian: “Dhuna që po ndërmerret kundër institucioneve amerikane përfaqëson një sulm të rëndë ndaj demokracisë”.

RUSI

“Nga Uashingtoni vijnë imazhe shumë të ngjashme me ato të stilit të Maidanit,” shkroi në Twitter zëvendës ambasadori rus në OKB Dmitry Polyanskiy, duke iu referuar protestave në Ukrainë që rrëzuan Presidentin e Ukrainës të mbështetur nga Rusia Viktor Janukoviç në vitin 2014.

NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i quajti protestat e dhunshme në Uashington “skena tronditëse” dhe tha se rezultati i zgjedhjeve demokratike të SHBA duhet të respektohet.

SPANJË

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkroi në Twitter: “Po ndjek me shqetësim lajmet që vijnë nga Kapitoli në Uashington. Unë besoj në forcën e demokracisë së Amerikës.

“Presidenca e re e @JoeBiden-it do ta kapërcejë këtë kohë tensioni, duke bashkuar popullin amerikan.”

PEC: COVID-19 ka vrarë mbi 600 punonjës të mediave

Njoftim për shtyp i PEC

Më shumë se 600 gazetarë u larguan nga kjo jetë nga Covid-19 në dhjetë muaj në vitin 2020

Gjenevë, 5 janar 2021 (PEC) Më shumë se 600 gazetarë vdiqën nga Covid-19 në 59 vende në dhjetë muaj në vitin 2020, domethënë 60 në muaj, ose dy në ditë mesatarisht, njoftoi të martën në Gjenevë shoqata Fushata e Emblemës së shtypit (PEC).

Nga 602 gazetarë që kanë vdekur nga Covid-19 që prej 1 Marsit 2020, Amerika Latine kryeson me më shumë se gjysmën e viktimave, ose 303 vdekje. Azia ndjek me 145 të vdekur, përpara Evropës 94, Amerikës së Veriut 32 dhe Afrikës 28.

Ndihma financiare, qasja në vaksina

PEC shpreh keqardhje për shumë vdekje të parandalueshme. Kjo shoqatë mbështet, kur është e nevojshme, kërkesat për ndihmë financiare për familjet e gazetarëve që kanë vdekur nga Covid-19. Gjithashtu ndan pikëpamjen që punonjësit e medias duhet të kenë përparësi të vaksinimit sipas kërkesës.

“Për shkak të profesionit të tyre, gazetarët që shkojnë në terren për të dëshmuar janë veçanërisht të ekspozuar ndaj virusit. Disa prej tyre, posaçërisht profesionistë të pavarur dhe fotografë, nuk mund të punojnë vetëm nga shtëpia ”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PEC Blaise Lempen.

Peruja mbetet vendi me numrin më të madh të vdekjeve, me 93 punonjës të medias që kanë vdekur nga koronavirusi që nga marsi (sipas Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të Perusë). Brazili është i dyti me 55 viktima, përpara Indisë (53 të vdekur) dhe Meksikës (45 të vdekur).

Ekuadori ndjek me 42 të vdekur dhe Bangladeshi 41. Italia është vendi me më shumë viktima  evropian me 37 gazetarë të vdekur nga Covid-19.

Në Shtetet e Bashkuara, 31 viktima të Covid-19 janë numëruar në media. Pakistani vjen në radhë me 22 të vdekur, pasuar nga Turqia 17, Britania e Madhe 13, Panama 11 dhe Bolivia 9 vdekje.

Afganistani, Republika Dominikane, Nigeria dhe Rusia kanë secila nga 8 viktima, pasuar nga Argjentina, Kolumbia, Hondurasi 7 vdekje në secilin vend. Në Nikaragua, Spanjë dhe Venezuelë, gjashtë gazetarë kanë vdekur në secilin vend. Në Francë, janë njoftuar pesë vdekje nga Covid-19.

Tre gazetarë vdiqën nga Covid-19 në secilin prej këtyre vendeve: Kamerun, Egjipt, Guatemalë, Iran, Nepal, Salvador, Afrika e Jugut dhe Zimbabve.

Nga dy vdekje gazetarë viktima nga Covid në vendet e mëposhtme: Algjeri, Indonezia, Maroku, Paraguai, Portugalia dhe Suedia.

Më në fund, PEC ka identifikuar të paktën një vdekje në 21 vendet e mëposhtme: Austri, Azerbajxhan, Belgjikë, Bullgari, Kanada, Kili, Republika Demokratike e Kongos, Gjermani, Irak (Kurdistan), Izrael, Japoni, Kazakistan, Kenia, Kirgistan, Libani, Arabia Saudite, Zvicra, Uganda, Taxhikistani, Togo dhe Uruguaji.

Rritjet më të mëdha

Në dhjetor, rritjet më të mëdha u regjistruan në Brazil (+12 në një muaj) dhe Meksikë (+11). Diferenca midis 489 viktimave të regjistruara deri në fund të Nëntorit nga PEC dhe 602 deri më 31 Dhjetor  që do të thotë që 113 gazetarë vdiqën nga koronavirusi në Dhjetor: në të vërtetë, vdekjet nga javët e mëparshme diheshin dhe regjistroheshin vetëm në Dhjetor në disa vende (të tilla si në Itali, Pakistan dhe Turqi).

Numri aktual i viktimave është sigurisht më i lartë, pasi shkaku i vdekjeve të gazetarëve ndonjëherë nuk përcaktohet ose vdekjet e tyre nuk njoftohen. Në disa vende, nuk ka informacion të besueshëm.

Origjina e infeksionit shpesh është e vështirë të përcaktohet dhe nuk është e mundur të diferencohen gazetarët që infektohen në punë nga ata që janë infektuar në jetën e tyre private.

Regjistrimi i PEC bazohet në informacionin nga media lokale, shoqatat nacionale të gazetarëve dhe korrespondentët rajonalë të PEC.

Lista e viktimave në: www.pressemblem.ch

Assange nuk ekstradohet në SHBA

Themeluesi i ueb-faqes WikiLeaks, Julian Assange, nuk mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, vendosi të hënën një gjykatë në Londër.

Gjykatësja Vanessa Baraitser e bllokoi kërkesën për ekstradim, për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij mendor.

Assange, 49 vjeç, kërkohet për shkak të publikimit të mijëra dokumenteve të klasifikuara të ushtrisë amerikane, më 2010 dhe 2011.

SHBA thotë se rrjedhja e atyre dokumenteve në publik, ka thyer ligjin dhe ka rrezikuar jetë njerëzish.

Assange e ka luftuar ekstradimin dhe thotë se rasti i tij është i motivuar politikisht.

Autoritetet amerikane thanë se vendimi do të apelohet.
Assange është arrestuar në Londër me kërkesë të SHBA-së, pasi është dëbuar nga Ambasada e Ekuadorit, në prill të vitit 2019.

Ai është strehuar në ambasadë qysh në vitin 2012, kur Ekuadori i ka dhënë azil politik.

Ekipi i mbrojtjes ka thënë se Assange vuan nga probleme të shëndetit mendor, përfshirë tendencat vetëvrasëse, që mund të përkeqësohen nëse burgoset në SHBA.

Avokatët që veprojnë në emër të Qeverisë amerikane, kanë thënë se argumentet e ekipit të mbrojtjes nuk janë “as me vend, as të pranueshme”.

Sipas tyre, gjendja mendore e Assanges “nuk është aq e rëndë saqë të përjashtohet ekstradimi”.

Nëse dënohet në SHBA, Assange përballet me një dënim të mundshëm deri në 175 vjet burgim, kanë thënë avokatët e tij.

Megjithatë, Qeveria amerikane ka thënë se dënimi ka më shumë gjasa të jetë katër deri në gjashtë vjet burgim.

Izraeli planifikon të vaksinojë 2 milionë banorë deri në fund të janarit

Izraeli planifikon që dy milionë persona të marrin dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit deri në fund të janarit.

Që prej 19 dhjetorit, 2020, kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mori dozën e parë të vaksinës, Izraeli nisi një fushatë të vaksinimit kundër koronavirusit, me vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech.

“Ne po e ngadalësojmë procesin e administrimit të dozës së parë, në mënyrë që të kemi rezerva të mjaftueshme që të gjithë ata që tashmë kanë marrë dozën e parë të mund të marrin dozën e dytë”, tha drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë izraelite, Hezi Levy për transmetuesin publik, KAN.

“Deri në fund të janarit, ne do të vaksinojmë dy milionë qytetarë, kryesisht të moshuar”, shtoi ai.

Deri më 1 janar, një milion persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Izrael.

“Ne po thyejmë rekorde”, deklaroi më 1 janar, Netanyahu.

“Jemi më përpara se e gjithë bota”, shtoi kryeministri izraelit.

Izraeli ka një popullsi prej 9,29 milionë banorësh, ka thënë Byroja e Statistikave. Në këto shifra përshihen edhe banorët në Jerusalemin Lindor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Izraeli ka regjistruar 435,866 raste pozitive me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Në këtë shtet janë raportuar për pothuajse 3,400 viktima.

Izraeli po ashtu më 1 janar konfirmoi 18 raste me variantin e ri të koronavirusit, që fillimisht u detektua në Britani të Madhe. rel

Britania do të vendosë për ekstradimin e Julian Assange drejt SHBA-së

Marrë nga Associated Press

LONDËR – Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange do të mësojë të hënën nëse ai do të ekstradohet nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat e spiunazhit mbi botimin e dokumenteve sekrete ushtarake amerikane.

Gjykatësja Vanessa Baraitser pritet të japë vendimin e saj në gjykatën e Londrës në orën 10 të ditës së hënë. Nëse ajo e miraton kërkesën, atëherë sekretarja e brendshme e Britanisë, Priti Patel, do të marrë vendimin përfundimtar.

Pala humbëse pritet të apelojë, gjë që mund të çojë në vite të mëtejshme betejash ligjore.

Sidoqoftë, ekziston një mundësi që forca të jashtme mund të hyjnë në lojë që mund t’i japin fund menjëherë sagës prej mbi një dekade.

Stella Moris, partnerja e zotit Assange dhe nëna e dy djemve të tij, i ka bërë thirrje Presidentit amerikan Donald Trump përmes Twitter-it për t’i dhënë falje Assange-it përpara se të largohet nga detyra më 20 janar.

Dhe edhe nëse Presidenti Trump nuk e bën këtë, ka spekulime se pasardhësi i tij, Joe Biden, mund të ketë një përqasje më të butë ndaj procesit të ekstradimit të Assange-it.

Prokurorët amerikanë ngritën ndaj 49-vjeçarit Assange 17 akuza spiunazhi dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri që mbartin një dënim maksimal prej 175 vitesh burgim.

Juristët që veprojnë në emër të qeverisë amerikane thanë në argumentet e tyre përfundimtare pas seancës katër-javore në vjeshtë se ekipi i mbrojtjes i Assange-it kishte ngritur çështje që nuk ishin as të rëndësishme as të pranueshme.

“Në mënyrë të vazhdueshme, mbrojtja i kërkon kësaj gjykate të bëjë konkluzione, ose të veprojë sipas kërkesës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fajtorë për tortura, krime lufte, vrasje, shkelje të ligjit diplomatik dhe ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ‘një shtet pa ligje’, ” thanë ata. “Këto deklarata jo vetëm që nuk janë të drejta në këto procedime, por nuk duhet të ishin bërë kurrë”.

Ekipi i mbrojtjes i Assange-it pretendon se ai duhet të gëzojë mbrojtjen e Amendamentit të Parë për botimin e dokumenteve që ekspozuan shkelje të ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan dhe se kërkesa e Shteteve të Bashkuara për ekstradim ishte e motivuar politikisht.

Në argumentet e tyre përmbyllëse me shkrim, ekipi ligjor i Assange-it akuzoi Shtetet e Bashkuara për një ndjekje penale “të jashtëzakonshme, të paprecedent dhe të politizuar” që përbën “një mohim flagrant të së drejtës së tij për lirinë e shprehjes dhe përbën një kërcënim themelor për lirinë e shtypit në të gjithë botën”.

Avokatët e mbrojtjes gjithashtu thanë se Assange vuante nga probleme të gjera të shëndetit mendor, përfshirë tendencat vetëvrasëse, të cilat mund të përkeqësohen nëse ai vendoset në kushte të pavolitshme burgimi në Shtetet e Bashkuara.

Julian Assange duke u transportuar për në gjykatë

Ata thanë se shëndeti i tij mendor u përkeqësua ndërsa ai përfitoi azil brenda ambasadës ekuadoriane në Londër për vite me radhë dhe se ai ishte diagnostikuar me një çrregullim të spektrit të autizmit. Assange theu lirinë me kusht në 2012 kur kërkoi azil në ambasadë, ku qëndroi për shtatë vjet para se të dëbohej dhe arrestohej. Ai është mbajtur në burgun Belmarsh në Londër që nga prilli i vitit 2019.

Ekipi i tij ligjor argumentoi se Assange, nëse ekstradohet, ka të ngjarë të përballet me izolim që do ta vinte atë në një rrezik të shtuar të vetëvrasjes. Ata thanë se nëse ai do të dënohej më pas, ai ndoshta do të dërgohej në burgun famëkeq ADX Supermax në Colorado, ku ndodhen gjithashtu terroristi Ted Kaczynski dhe baroni meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman.

Juristët e qeverisë amerikane argumentuan se gjendja mendore e Assange-it “nuk është aq e rëndë sa të përjashtojë ekstradimin”.

Assange ka tërhequr mbështetjen e figurave të profilit të lartë, përfshirë artistin disident kinez Ai Weiwei dhe aktoren Pamela Anderson.

Daniel Ellsberg, informatori i mirënjohur amerikan, gjithashtu doli në mbështetje, duke i thënë seancës se ata kishin “mendime shumë të krahasueshme politike”.

89-vjeçari, i vlerësuar gjerësisht për ndihmën për t’i dhënë fund Luftës së Vietnamit përmes nxjerrjes së Dokumenteve të Pentagonit në 1971, tha se publiku amerikan “duhej urgjentisht të dinte se çfarë po bëhej rregullisht në emrin e tyre, dhe (se) nuk ishte asnjë mënyrë tjetër që ata ta mësonin këtë përveç zbulimit të paautorizuar (të informacionit)”.

Ka ngjashmëri të qartë midis Assange-it dhe Ellsberg-ut, të cilët zbuluan mbi 7’000 faqe dokumentesh të klasifikuara në shtyp, duke përfshirë në gazetat The New York Times dhe Washington Post. Zoti Ellsberg më pas u gjykua për 12 akuza në lidhje me shkelje të Ligjit për Spiunazhin, të cilat ndëshkoheshim me deri në 115 vjet burg. Akuzat u hodhën poshtë në 1973 për shkak të sjelljes së papërshtatshme të qeverisë ndaj tij.

Assange dhe ekipi i tij ligjor shpresojnë që zhvillimet në Shtetet e Bashkuara t’i japin fund kalvarit të tij nëse gjykatësi miraton kërkesën e ekstradimit të Shteteve të Bashkuara. VOA

Mbretëria e Bashkuar, zyrtarisht jashtë BE-së

Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Një epokë e re nisi të premten për Mbretërinë e Bashkuar, pasi përfundoi ndarjen zyrtare nga Bashkimi Evropian.

Nga mesnata, midis dy palëve, hynë në fuqi marrëveshjet për udhëtim, tregti, migrim dhe bashkëpunim në siguri.

“Kemi lirinë në duart tona”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.

Tani që procesi i shkëputjes nga BE-ja ka përfunduar, “ne kemi zotësinë për t’i bërë gjërat ndryshe dhe më mirë”, tha Johnson.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian në një referendum të mbajtur më 23 qershor të vitit 2016.

Pas disa vitesh negociata, ajo e ka lënë BE-në më 31 janar të vitit 2020. Periudha e tranzicionit ka vazhduar deri më 31 dhjetor.

Britania ka qenë anëtare e bllokut që fillimisht është njohur si Komuniteti Evropian Ekonomik, qysh në vitin 1973.

Ideja e referendumit është hedhur në vitin 2013 nga kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron.

Cameron, i bindur se referendumi nuk do të kalojë, ka dhënë dorëheqje pasi 52% e britanikëve kanë votuar për dalje nga BE-ja. rel


Send this to a friend