VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dhembin degët e shqyera (Albert Habazaj) – Nga Mihal KALIA, kritik letrar

By | September 24, 2020

Komentet

Libër i ri i Skifter Këlliçit: “Topi nën këmbët e tyre” – Kujtime, histori, kuriozitete dhe tregime për futbollin

VOAL – Pas një jete me mikrofonin e Radiotelevizionit Shqiptar dhe me një pasion të pandarë për letërsinë dhe sportin, gazetari, publicisti dhe shkrimtari Skifter Këlliçi sjell për të gjithë dashamirësit e sportit librin me kujtime, histori dhe tregim për futbollin “Topi nën pushtetin e tyre”.

 

 

Përparim Kabo: Pas një pune më shumë se një dekadëshe, vij me librin “Antropologjia e Artit”

Më në fund, pas një pune më shumë se një dekadëshe, libri im me titull “Antropologjia e Artit”(1600 faqe) në dy vëllime me pothuaj 800 faqe se cili, pa dritën e botimit. Është shtëpia botuese Onufri që realizoi me shumë cilësi dhe përkushtim këtë botim, ndaj gjej rastin që të falenderoj këtë ent botues serioz dhe profesional. Libri është një punë e gjatë në kohë, me orë të të tëra ditën dhe natën, në udhëtim dhe në ëndërrime. Libri që të realizohej më kërkoi shumë dashuri por edhe më dha shumë dashuri nga ajo që të fal vetëm arti dhe artistët, të huaj dhe shqiptarë qofshin.
Arti, e bukura dhe filozofia janë një “trini” magjike veç e veç, por kur hyjnë në bisedë në shkëmbime dhe bashkëpunim, kur dhurojnë ndjenjat, mjetet e arsyetimit, kumtet dhe enigmat, krijohet një univers krejt i veçantë. Jeta e artistëve të vërtetë është arti i tyre i parë, më i bukuri dhe më sfidanti, atje në ato tallaze dhe ngjarje duhet të qëmtosh që të kuptosh se cilët janë detet e brëndëshme të tyre ku frymëzimi dhe vuajtja janë aq pranë në emër të lirisë. Në libër do gjeni studime të thella e të gjëra me referime të detajuara për artistë të shquar, ku janë të ndërkallura studimet filozofike të artit me përjetimet e mia si një “dashnor” besnik i artit.Eh…nuk po vijoj…E solla librin në jetë si edhe e kisha premtuar atë ditë qershori 2014, kur promovova librin tim “Epistolate-antropologjia e frymës”…Në fund të asaj mbrëmje u thash…Së shpejti takohemi me “Antropologjinë e Artit” dhe më tej me “Antropologjinë e Turmës.” Nga sot “Antropologjia e Artit” është në qarkullim dhe e gjeni në libraritë “Albania” dhe “Libri Universitar”….! Puna vazhdon për realizimin e premtimeve e tjera që i kam bërë vetes sime por dhe lexuesit pa të cilin asgjë nuk merr kuptim…
Përparim KABO
18.10.2020

Rreth librit voluminoz “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi – Nga Dukagjin HATA

Çast gjatë promovimit të librit “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi

 

Një shpalim historik, analitik dhe investigues i ngjarjeve dhe figurave më në zë të botës dibrane

 Me emrin e Hysen Dervishit lidhen studime dhe kërkime përkushtuese e shteruese në fushën e mendimit dibran e shqiptar, ide, qasje dhe refleksione që lidhen me figura emblematike të kujtesës dibrane e shqiptare, shqyrtime historiko-analitike dhe investigime, që në komplesk e krijojnë dhe dimensionojnë të plotë një vepër krijuese, që tenton të konfigurojë një areal të mbetur deri dje në hije të të vërtetave të thëna nën zë, por që tashmë përcillen nën një projeksion dhe optikë të re pasqyrimi.

Falë një pasioni dhe këmbëngulje unike, shoqëruar me njohje të thellë e të kompletuar të “lëndës së parë” që bën objekt kërkimi, Dervishi përcjell tek lexuesi modele studimore që janë gurë kilometrikë në memoristikën kolektive dibrane e më gjërë, rreth të cilës vërtitet pena e tij e hollë dhe e mprehtë.

Në arealin e emrave të autorëve dhe librave të tyre memoristikë, që përfshihen në zhanrin e letërisë dokumentare, qëndron denjësisht emri i Hysen Dervishit dhe libri i tij “Dibra zemra e Kombit”.

Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me  një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe personaliteteve, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat.

Pas librit “Krenaria”, pritur ngrohtë nga lexuesi dhe qarqet letrare, autori vjen me këtë libër voluminoz, ku shpaloset madhërishëm historia dibrane, ndodhi të bujshme, kohë dhe epoka qëndrestare e të trazuara, madhështia e shpirtit kolektiv dibran, urtia, bujaria, mendjemprehtësia, modele fundamentale që shpalosen në luftë e në paqë, në të mirë e në të keq, arkitipi genetik i një treve me rrënjë të ngulitura fort në histori dhe në përditshmëri.

Shkrimtari Hysen Dervishi, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.

Në këtë libër mjaft interesant, bota dibrane lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës shqiptare, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen.

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Hysen Dervishi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze të historisë dibrane, në pikat e saj më kulmore për fatet e veta dhe të shqiptarisë.

Udhëtimi i Hysen Dervishit në analet e botës dibrane është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika dibrane me atë kombëtare, narracioni zhbirues dhe zbulues përmes detajeve të gjetura me reflektimin shterues rreth të ndodhurave, fakteve historike dhe figurave me të cilat na i sjell të lidhura ata shkrimtari.

Me një stil, siç thamë të zhdërvjellët dhe kolorit të pasur gjuhësor, ku gërshetohet fakti dhe analiza, induksioni dhe deduksioni, përshkrimi dhe investigimi historik, portreti etj., autori trajton pamje të thyera të historisë dibrane, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër.

Si një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive dibrane, i historisë dibrane dhe individëve që me bëmat e tyre atdhetare kanë bërë epokë dhe janë identifikuar me pjesën më vezulluese dhe më të ndritshme të vlerave gjithëkohore të shqiptarisë, autori na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, si interpretë të së drejtës zakonore dhe shpirtit kolektiv të një treve të njohur për besë e mençuri, guxim e trimëri, e cila ka qenë në të gjitha kohët në ballë të aksionit kombëtar për liri dhe dinjitet shoqëror.

Që nga personazhet emblematikë të luftërave antiturke, antiserbe, gjer tek modelet e rezistencës antifashiste në valët e Luftës së Dytë Botërore, pa përjashtuar hapësirën mjaft të trazuar të gjysëmshekullit të kohës së socializmit, në këtë libër parakalojnë emra të shquar të historisë dibrane, ushtarakë, komandantë legjendarë, politikanë mendjehollë, prijës popullorë, gjeneralë, misionarë pajtimi, shkrimtarë, artistë, ministra, deputetë, mësues, agronomë, kooperativistë, profesionistë të fushave të ndryshme, që janë ngritur mbi sinoret e të zakonshmes, duke u bërë mëshirues të mendësisë më të përparuar dibrane e kombëtare, në një epokë dyzimesh dhe trazimesh të mëdha.

Që nga kryeikona e qëndresës dibrane, shqiptare dhe evropiane Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Qemal Ataturku, Ahmet Zogu, Iliaz Pashë Dibra, Elez Isufi, Dine Hoxha, Tafë Kaziu, Haki Stërmilli, Haxhi Lleshi, Ahmet Cami, tek akademikët, profesorët, gazetarët, artistët, njerëzit e shquar të shkencës dhe letrave, Prof. Dr. Luan Hajdaraga, Prof. Dr. Bujar Kapexhiu, Prof. Dr. Fehmi Abdiu, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Petrit bara, Prof. Dr. Qemal Disha, Naim Plaku, Arif Vladi, Lirie Rasha, Skënder Cala, Edmond Zhulali, Përparim Tomçini, etj,etj, përmes detajeve të holla dhe të gjetura jepet dimensioni atdhetar, kulturor, shpirtëror dhe artistik i këtyre figurave, që secili më vete dhe të gjithë së bashku përbëjnë majën e lartë të krenarisë dibrane dhe shqiptare. 

Njohja e thellë e traditave dhe zakoneve dibrane, përvetësimi i filozofisë së odave dibrane, ku muhabeti bëhet me rrotulla dhe “prit e kthe”, e ka çuar autorin në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.

Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve dhe të dhënave, të bazuara në burime gojore e arkivore, në këngët dhe trshëgiminë tjetër të vlerave të etnosit kolektiv, shoqëruar kjo me sharmin publicistik dhe letrar, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo ngjarje e figurë, që gjen pasqyrim në faqet e tij.  

Libri “Dibra zemra e Kombit” i autorit Hysen Dervishi është një libër që mungonte në tavolinat e punës së studiuesve dibranë dhe më gjërë, një enciklopedi e figurave dhe ngjarjeve më në zë të botës dibrane, një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqyrtuese, analitike, krahasuese e ballafaquese, të një qasjeje të re të mendimit historik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.          

Ky libër lypset të jetë një libër tavoline për dibranët, sidomos për shkrimtarët, historianët dhe mendimtarët dibranë, të cilët do të gjejnë në faqet e tij të shkruara me vërtetësi, dashuri dhe emocion, të vërteta të njohura, pak të njoura ose të panjohura, që janë shkruar me zemër në dorë nga një shkrimtar me sqimë, një njohës shijehollë i historisë dhe mendësisë kolektive dibrane. 

Sot, doli nga shtypi libri poetik “Natë e trishtuar” i autorit Prof. Isuf Bajraktari.

Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi

 

 

Nga: Hysen Ibrahimi[1], recension

 

NË POEZINË E PROF. ISUF BAJRAKTARIT DO TË HASIM NË NJË KRISTALIZIM TË VARGJEVE POETIKE, ME SHPREHJE ARTISTIKE

 

Poezia në librin e titulluar “Natë e trishtuar” e autorit Prof. Isuf Bajraktari, do t’i imponohet lexuesit me një varg vlerash poetike, sepse janë poezi me ide të shkëlqyera të sferës letrare e artistike. Para se gjithash, duhet cekur disa ide të këtyre poezive, që përkojnë me realitetin dhe individualitetin e këtij autori krijues, siç është prof. Isuf Bajraktari.

Që nga poezia e parë e autorit e deri te poezia e fundit do të hasim në një kristalizim të vargjeve

poetike me shprehje artistike e që, mund të themi, herë-herë edhe me transparencë, për dallim nga poetë të tjerë, që shumë shpesh e përdorin enigmën në vargjet e tyre poetike. Poezitë e këtij poeti shquhen me fuqinë e  parimit apo vërtetësisë të cilën duhet treguar, qoftë edhe përmes vargut, sikurse në rastin e vargjeve të shkruara për vendin e lindjes në Mirash:

 

Në Mirash burojnë krojet e vjetra

Nga të lashtat disa kanë pushuar

Ujqërit po ulurojnë përreth krojeve

Pos vendeve të njohura prej të vjetërve.

 

Sikurse vazhdon edhe më tutje, kur mbështet realitetin e origjinës së tij, kur dihet se babëgjyshi i tij, Isuf Shaban Bajraktari, që ka qenë idol i rinisë përparimtare i çështjes kombëtare dhe, së fundi, duke qenë bashkëpunëtor i fundit i Gjon Serreçit. Rrugën e tij e ka vazhduar pinjolli i tij, në këtë rast edhe vetë Prof. Isuf Bajraktari, që e ka trashëguar emrin e babëgjyshit. Ndaj, poezia dhe vargjet poetike të autorit dëshmojnë se uji i burimeve nuk i ka fikur vatrat e Mirashajve:

 

 

Kohët e kalimit kurrë nuk ndryshken

Jeta e Mirashjanve në këtë vend nuk dihet

Oxhaku i parë i tymosur thonë se është TARA[2]

 

E uji i burimeve tona kurrë nuk i fiki vatrat. Në disa raste fshihet transparaneca në tërësi, duke mos dhënë as edhe një refleks poetik që ngjall emocione të fuqishme vepruese dhe i japin kualitet artistik përmbajtjes së poezisë, që shumë shpesh lidhet me realitetin e përditshëm të kohës kur autori i ka përjetuar. Një përjetim autori e shfaq në poezinë e titulluar “KUR TË VIJ NË QYTET”, në strofën e dytë:

Ti do të më pritësh n’takim

Unë emrin tënd e harrova n’fshat

Do ta mësojmë jetën e dashur më shumë

Ti u linde herët me këngën tonë.

 

Kjo poezi ka kuptim racional,[3] me tkurrje emocionesh, por që autori favorizon idenë poetike. I përkushtohet edhe fatit të jetës, por me

të drejtë, në disa raste, nuk identifikon personazhin.

Shumë herë, me të drejtë, poeti Bajraktari shfaq emocionet me nostalgji, ngase poeti e përjeton rëndë mallin për vendin e tij të lindjes, duke qenë i bindur se idealet e njeriut të gjallë nuk plaken kurrë.

 

Kroi një ditë ndalet

E lisit i bien degët nga të thatët

Dheu i thith yjet

Ideali i përbashkët nuk plaket.

 

Poezitë e tilla zakonisht përjetohen dhimbshëm edhe nga vetë autori, por edhe nga lexuesi, sepse shfaqen dukuri të të përjetuarit në një kohe kur poeti ka vepruar me vetëdijen e tij të plotë. Me të drejtë, poeti në këtë poezi përcjell mesazhe me elemente të përbashkëta, të cilat asnjëherë nuk do të plaken.

Autori, në brendinë e librit përfshin shumë figura kombëtare të të gjitha trojeve etnike, ku me shumë sukses arrin kombinimin e figurave dhe me shumë kualitet në vargun poetik, ku në të njëjtën kohë  na kujton ngjarje me rëndësi historike.

Në veçanti, autori Prof. Isuf Bajraktari ngre prirjen poetike para lexuesit, në radhë të parë, me një përjetim të thellë dhe janë rezultat i një përvoje të kohës moderne në fushën e krijimtarisë poetike.

[1] Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarë dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Autor dhe bashkautor i 19 veprave artistike dhe publicistike.

[2] Sipas gojëdhënave është familja e parë në fshatin Mirash.

[3] Që mbështetet në arsyen e shëndoshë, që është në përputhje me logjikën e ngjarjeve e të rrethanave të jetës; që është peshuar e llogaritur mirë

“GENTA”- një roman lirik i PETRAQ ZOTOS – Esé nga Përparim Hysi


Sapo mbarova romanin “GENTA” të shkrimtarit,PETRAQ ZOTO. Në gjykimin tim (domosdo,jo veç timit),PETRAQ ZOTO ka sjellë për lexuesin një roman dashurie. Po në gjykimin tim,kemi të bëjmë me një “poemë lirike” që nuk është shkruar në vargje. Vërtet që mungojnë vargjet,rima apo asonanca, por ka një fakt shumë domethënës: një prozë e shkruar bukur,është poezi. Dhe nuk ka se si shkruhet më bukur. Së pari, të shkruaje një roman dashurie në kohën kur ruhej “morali proletar”, është pak si t’i bëje karshillëk porosive të partisë edhe në letërsi. Vëreni kohën kur është botuar së pari:në vitin 1989. Ende ishte në fuqi”partishmëria në letërsi” dhe,pa dyshim,edhe porosi të tjera: mbi suprinë ku lexonin të gjithë dhe, nën suprinë,ku kishte porosi të veçanta,me një emërues të përbashkët:-Mos cënohet morali proletar dhe jo vetëm kaq: jo kushdo mund të rrokte penën dhe të shkruante. Jo.Lincencën për të shkruar e kishte monopol LIDHJA E SHKRIMTARËVE dhe partia këtë”noterizim” ia kishte besuar Kryetarit të LIDHJES që,kur është botuar romani”GENTA”, ka qenë DRITËRO AGOLLI. Ka qenë pak”liberal” dhe e ka dashur PETRAQ ZOTON që i  ka hapur dritën jeshile për “GENTËN”. Kur them kështu, nuk flas me apriori,por me fakte dhe ndodhi në fushën e letërsisë. Në këtë kohë,kur është botuar”GENTA”, në FIER u bë një zhurmë e madhe mediatike  dhe mend e linçuan politikisht autorin nga LUSHNJA,KLEANTHI DUSHA, me  një dramë(Historia e një vajze) ku heroina qendrore qe, pothuaj,”motra siameze” e “GENTËS”. Drama u hoq urgjentisht nga skena dhe autori u fshikullua keqas. Vërtet që kohët ndërrojnë, por historitë ndodhin dhe përsëriten. Edhe  kur botohej”GENTA”,duhej një guxim qytetar se nuk ishte kollaj që të shkelje në kallo”porositë e partisë”. PETRAQ ZOTO kushedi sa ka dyluftuar me veten,kur ka bërë vetëgjyqësi: ta botoj, mos e botoj? Ta botoj,mos e botoj,por mund të ikje si qeni në vreshtë. Se partia,veç tjerash.kish dërguar letër poshtë për të gjithë:-Kush cënon nderin e femrës shqiptare,të ngrihen  të gjithë e t’i presin kokën! Kjo porosi është lëshuar pas”njgarjeve të Tepelenës” ku një Maku (mos ësht ky tek”GENTA”) çoi në vrasjen e dy komunistëve të”devotshëm” dhe”moralisht të pastër”. Dhe shumëkush e pësoi dhe në fushën e letrave. Por PETRAQ ZOTO është i një”mizure” tjetër: do të shkruajë ashtu siç i ndjen shpirti;se ka ndenjur net pa gjumë dhe nuk e duron dot”koracën e frocës”. “GENTA” zë merr jetën dhe ai ndihet mirë veç kur e mbaron të gjithë romanin. E di mirë që ka”shkelur mbi fushë të minuar”, por nuk ia pranon ndërgjegja që ta shëmtojë, atë që ka ndjerë gjatë gjithë kohës, kur  e shkruante. Kur ka vendosur ta botoj, PETRAQ ZOTON,e përfytyroj si atë CEZARIN e madh që tha:-Zaret u hodhën!

                                               *     *     *
Romani vërtet që është një vepër tregimtare me ngjarje e personazhe, po kur shkruhet me shumë dashuri dhe densitet të madh pune,merr ca vlera të epërme që mbetë në kujtesën e lexuesit. Nëse unë e quaj”GENTËN” një poemë lirike,ndodh se gjej poezi në prozën e PETRAQIT. Unë nuk është herë e parë që  shkruaj për veprat e PETRAQ ZOTOS,por “GENTA” më ra në dorë tani, në botimi e dytë. Veprat e mira lindin,kryesisht, në kohën kur shoqëria është buzë një krize shqoërore. Pikërisht,atëherë,kur “kambanat e TIMOSHEARËS në RUMANI”,u dëgjuan dhe këtu, PETRAQ ZOTO doli me “GENTËN” si model që duhet ndjekur. Përkimet,ndodhin  që ngjajnë: PETRAQ ZOTO ka pesë vjet që është ndarë nga jeta, por rron bashkëshortja e tij,TATIANA, një njohëse e mirë e letërsisë, që,siç gjykoj  unë,është si bekim nga ZOTI. TATIANA nuk pastron” Haurët e Avgjisë” të PETRAQ ZOTOS,se ai qe sa sistematik në punën e tij krijuese,aq dhe model të njeriu shembull! Në vizionin  tim (unë e kam patur mik,të ndjerin),PETRAQ ZOTO në gjuhën popullore, ishte si rrobë kadife.Kadifesë nuk i ngjiten qimet. Sipas meje,TATIANA ZOTO, është EKERMANI që na dha “Ditarët e GËTES”. Ashtu,si EKERMANI,ajo qëmton me drithërima shpirti mbi krijimtarinë e të shoqit dhe,pas”KALIT Fluturues”, shpejtoi e ribotoi “GENTA”. E ribotoi “GENTËN” kur shoqërisë shqiptare i duhet kaq shumë. “GENTA” në këtë kohë pandemie, kur u vra çdo dashuri për njerëzit, nga monstra që m’i sjellin zorrët në grykë, është “antidoda” më e mirë që zbutë acarimet dhe polarizimin e shoqërisë. “GENTA” është gjaku i pastër në aortën e shoqërisë. Le ta quaj veten me fat,kushdo që do ta lexojë.Është si një”ilaç” apo melhem që e vë mbi plagë dhe,sakaq, plaga shërohet. Po një”spicer” si PETRAQ ZOTO shërben veç”ilaçe të ngarantuara”.
*     *    *
GENTA është arkitrau i “shtëpisë së ronmanit”. GENTA është mëuesja e apasionuar pas letërsisë,veç tjerash, është ajo që guxon (shkel moralin proletar) dhe dashuron një nga kolegët,sado që është e martuar dhe me një fëmijë.Dhe rrotull  GENTËS,sillen dhe personazh të tjerë që janë si”aksesorë” që ngjallojnë në”shtëpinë e romanit”. Aty gjen dhe DORIANIN me të cilin bie në dashuri GENTA; edhe MAK intrigantin;gjen Sandrin prepotent,Irmën,Agronin dhe pse duhet të vazhdoj me të tjerë? GENTA të delë e të tepron me gjithë temepramentin e saj.
GENTA? Po kush është GENTA,PETRAQ?
                                                    *    *   *
Kur shtroj këtë pyetje,jo se kam nevojë për përgjigje, por nuk kam se si mos sjell në mendje atë që ka thënë ERIK FROM:” Janë ca”çaste fatale” që nuk  të lënë që t’i bësh dy gjëra bashkë!  Dhe unë,kur ndërroi jetë PETRAQ ZOTO isha në llixhat e ELBASANIT.Me dhimbje shkrova atëherë. Të paktën, njëherë në muaj,pinim  kafe me të. Atëherë nuk e kisha lexuar”GENTËN”,por tani që e lexova, nuk kam si mos e pyes:- Po kush është GENTA, more PEÇO?
Sado që nuk mund të më  përgjigjet, unë e di kush është GENTA? GENTA është vet PETRAQ ZOTO! E di që shumë gjykimkthiellët do më lëshohen me britma,duke më akuzuar si të lajthitur. Jo jam shumë i kthiellët dhe,për të mbrojtur paksa veten, ja tek u vë përballë romancierin e madh francez GUSTAF FLAUBERT. E pyetën (siç po pyes unë ,të ndjerin mikun tim,PETRAQ ZOTO):-Mësje, kush është “Madam Bovari?” Dhe ai:- Po unë jam.Kush mund të jetë tjetër?.Por pse ngulmoj në thënien time? Ngulmoj se me PETRAQ ZOTON (veçanërisht,kur ka shkruar GENTËN),ka ndodhur ai fenomen krijues që qysh në shekullin XIII-të,MEVLAN XHELALUDIN RUMIU ka thënë:”Kur i bën gjërat me shpirt,ndjen një lumë gëzimi që lëviz brenda teje”. Mandej, po të ndjekësh shënimet e tij pasi e ka mbaruar, është ndjerë dyfish i gëzuar: ka folur me vete,por dhe me ne,të tjerët.
Nuk kam se mos përmend NOBELSTIN ALBER CAMU që thotë:-Qëllimi i një shkrimtari është që mos e lërë civilzimin që të shkatërrojë veten.
Në një farë mënyre,PETRAQ ZOTO,kur shkroi këtë roman, e ka vënë kryqin e KRSHTIT mbi shpinë.Ishte koha kur nga LIDHJA E SHKRIMTARËVE,u pohua:-Të shkruash,është si të bësh kërkesë për të mbajtur një armë!!!
PETRAQ ZOTO me”GENTËN” i ka hyrë detit në këmbë.Me të ka ndodhur ajo që thotë Mesol Fuense:-Nëse shtegu është i bukur,mos pyet ku të çon.Po vallë a kish”shteg më të bukur se “GENTA?”.
 
                                                      Tiranë, 7 tetor  2020

NGJARJE TË PËRJETUARA – Nga Bedri TAHIRI

Fjala e redaktorit

            Hazir Mehmeti, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe. Një jetë të tërë në shërbim të çështjes kombëtare. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm në Vjenë, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në mërgatë; publicist, tregimtar, poet, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.

Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë qëndruan këmbëkryq ngjarjet më të rënda të historisë tonë, ato të përjetuara drejtpërdrejt, që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë historike, helmimet e fëmijëve tanë.

Cerberët e përtej Tunës, që kur zbritën nga malet dhe vërshuan trojeve tona stërgjyshore, me vete morën egërsinë, ligësinë, gënjeshtrën, pabesinë. Iliria zu të tkurret nga barbaria e kësaj fare të mallkuar. Dhuna qe e paparë. Vrasje, masakrime, dëbime, djegie, plaçkitje, shfarosje. Në vitet e ’90-ta, edhe një krim i panjohur për botën e civilizuar: Helmimi i fëmijëve!

Shkollat tona u vunë në cak të kësaj lufte biologjike. Mësimdhënësit shqiptarë, të hutuar, përpiqeshin t’u vinin në ndihmë nxënësve të tyre. Serbët, në anën tjetër, bënin sehir dhe gajaseshin në heshtjen e tyre të zakonshme. Ata, me kohë e kishin paramenduar një gjë të tillë. Kishte kohë që ishin ndarë veçan, kishin bërë segregacion, siç i thoshin asokohe. Ata mësonin ndaras shqiptarëve, plan i eksperimentuar për herë të parë në komunën e Vushtrrisë. E para priu Prilluzha me drejtorin e shkollës TomisllavMashiq.

 

Dhe, helmimi vazhdonte sipas skenarit të sofistikuar e të përgatitur mirë e mirë në kuzhinat beogradase. Sakaq, ai përfshiu gjithë Kosovën. Numri i të sëmurëve arriti shifra alarmuese. Një dukuri e rrallë që mahniti botën e civilizuar. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e re të njerëzimit. Ishte kjo një nga format e gjenocidit serb ndaj shkollës shqipe.

Pushtetarët serbë, mjerisht edhe ndonjë puthadorë shqipfolës, e mohonin një gjë të tillë. Por, dielli nuk mbulohej me shoshë. Zëri i mekur i mjekëve tanë nuk dëgjohej përtej ordinancave të tyre të ngufatura.

Mantelebardhët, ata që me zemër kishin dhënë betimin e Hipokratit, duhej pranuar  realitetin, të cilin krimnxitësit përpiqeshin ta kamuflonin e t’i hidhnin gjithë botës hi syve. Dhe, një ditë, mjeku francez, Dr. BernardBenedetti[1] tha të vërtetën: Në Kosovë pati helmime!

Të gjitha këto i përjetoi, me trup e me shpirt, edhe mësimdhënësi i biologjisë në QAMO-në “MuharremBekteshi” të Vushtrrisë, Hazir Mehmeti, madje duke mbajtur edhe shënime në ditarin e tij personal. Ato, i barti në gjirmë të zemrës për më shumë se tri dekada, derisa e nxori në dritë librin “PRANVERË E HELMUAR”, në të cilin, në mënyrë analitike e përmbajtjesore, shtjellon këtë të keqe të madhe,  që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Libri “PRANVERË E HELMUAR”, të cilin e pata në dorë si dorëshkrim dhe e njoha që në embrion, përben një mozaik të shkëlqyer të ngjarjeve më tragjike në historinë tonë të re. Shkëndijë e parë që ndezi imagjinatën e autorit për ta vënë në skenë këtë tragjedi kombëtare, padyshim, qe Ditari i tij personal, i cili, po ashtu, është histori në vete.

Materialet e shumta: Dëshmi, foto, faksimile gazetash, mendime, kujtime, vlerësime, përjetime e ritregime, të mbledhura lule me lule, si bleta nektarin, për të qenë me të kapshme për lexuesit, autori i ka konceptuar dhe sistemuar kryesisht në gjashtë kapituj e në disa nënkapituj.

Në kapitullin e parë, titulluar“GJENOCIDI SERB KUNDËR SHQIPARËVE NË SHEKUJ”, jepet një pasqyrë e përgjithshme e barbarisë serbe mbi shqiptarët autoktonë. Që të mos dalë subjektiv, autori flet më shumë me gjuhën e të tjerëve, duke treguar bindshëm shpirtligësinë e pushtuesit serb, që në gjak ka egërsinë dhe gënjeshtrën. “Për serbët, armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre“,- konstaton LeoFreundlich.

Ky gjenocid i vazhdueshëm, argumentohet edhe me paraqitjen e  elaborateve serbe, hartuar në vijimësi historike nga krerët e tyre, me të vetmin qëllim: spastrimin etnik të trojeve iliro-dardane.Mjafton të përkujtohet  princi serb, MilanObrenoviçi, i cili thoshte “Merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb do t’i ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë!”, thënie, që, edhe sot e kësaj dite, e mbajnë vath në vesh të mallkuarit. Ashtu vepruan përherë, qysh kur këmbë e tyre shkeli këndejpari, funvitin e 1912-së e deri te suprimimi i autonomisë, duke arrirë pikën kulmore me helmimin masiv të fëmijëve…

Kapitujt vijues sjellin fakte kohe: mendime e vlerësime të ndryshme, nga të huajt dhe nga tanët, për helmimet, shkrime nga shtypi i kohës, në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e huaja, reagimet e personaliteteve shqiptare e atyre botërore, siç ishte Dr. BernardBenedetti, i cili, pasi kthehet nga vizita që kishte ber në Kosovë, deklaroi: “Afirmoj, deklaron ai, se mbi tre mijë të rinj dhe fëmijë të moshës së mitur kanë qenë të helmuar qëllimisht. Pjesa më e madhe e tyre janë nxënës të shkollave shqiptare”.

Nga shtypi shqiptar autori ka konsultuar  gazetat Rilindja, Bujku,  Zëri, Shkëndija, Zëri i PopullitBashkimi dhe Mësuesi, të cilat i dhanë hapësirë të duhur helmimit të rinisë shqiptare, si një nga format më kriminale të një regjimi çnjerëzor.

Derisa gjithë bota e civilizuar dha alarmin për një gjenocid të paparë dhe shtypi gjerman, francez, britanik, paskëtaj ai i Zagrebit, i Sarajevës etj., i dhanë jehonë kësaj ngjarjeje, serbët, aq më keq edhe mjekët e tyre, e mohonin një gjë të tillë, duke e cilësuar si një aktrim hollivudian dhe si një aksion të organizuar nga separatistët shqiptarë!

Në Zagreb, madje, u organizua edhe Simpozium për helmimet në Kosovë, nga u bë thirrje për ndërgjegjësim botëror (Simpoziumi Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore).Dr. Anton Dolenc,kryetar i Komisionit të dytë Federativ, në simpoziumin për helmimet, tha:”Ky raport është punuar për 24 orë, që është kohë shumë e shkurtër dhe nën trysni politike”, dhe u distancua publikisht, duke mos e nënshkruar raportin federativ.

Rol të veçantë në ato ditë të vështira, luajti edhe Kisha katolike dhe klerikët e saj atdhetarë dhe motrat e nderit…

Në vazhdim, jepen edhe shifra dhe statistika të të helmuarve nëpër disa komuna të Kosovës (Podujevë, Prizren, Suharekë, Gjakovë, Shtime, Viti, Kamenicë, Prishtinë, Kastriot, Fushë-Kosovë). Sipas shënimeve nga arkivat dhe hulumtimet e deritanishme lidhur me shkallën e helmimeve, nga 28 komunat e Kosovës, helmimi ka përfshirë rreth 70% të tyre,- konstaton autori. Komuna, e cila u kujdes për arkivat, shtypin, regjistrat deri në imtësi, është komuna e Ferizajt, e cila kishte të helmuar më shumë se çdo komunë tjetër e Kosovës (1065 qytetarë të helmuar, kryesisht fëmijë).

Kapitulli Helmimet në Vushtrri, përbënë thelbin e librit në shqyrtim. Kjo është pjesa që autori e njeh më së miri, ngase edhe vetë ishte protagonist i atyre vlimëve përvëluese. Në fakt, përqendrimi bëhet në Shkollën e mesme “MuharremBekteshi”, e cila kaloi nëpër peripeci të shumta, por, si një kolektiv unik, u bë shëmbëlltyrë për të gjithë, duke qëndruar i pathyeshëm përballë stuhive shkatërrimtare të kohës zezonë. Këtu, me kohë, u formuan të gjitha organet paralele dhe u kundërshtuan hapur vendimet antikombëtare të qeveritarëve serbë. Kjo qendër u bë halë në sy për ta, saqë e cilësuan vatër të nacionalizmit shqiptar.

Nisur nga të gjitha këto, edhe helmimet filluan pikërisht këtu, duke sjellë pasoja të rënda për nxënësit e saj dhe personelin arsimor. Në këtë shkollë pati disa herë helmime, por ato kulmuan më 23, gjegjësisht më 26 mars 1990, kur u helmuan 264 nxënës, kurse në qytet dhe rrethinën e tij ishin 353 nxënës e studentë të helmuar.

Pjesa më interesante e librit “PRANVERË E HEMUAR”, padyshim, mbetet DITARI, i cili, siç e shpjegon vetë autori, ka një histori të veçantë, dhe, ka përbiruar për vesh gjilpëre, duke i shpëtuar asgjësimit. Ai përmban shënime brenda datave: janar 1990- 22 shtator 1995. Autori nuk u përmbahet rregullave të ditarit klasik, pra, nuk përshkruan ngjarjet ditore në mënyrë kronologjike. Ai, ndalet vetëm te ngjarjet e veçanta të këtij rrugëtimi historik. Këto fletëza ditari, të përshkruara dhe të vëna si faksimile, paraqesin dëshmi reale të asaj periudhe të rëndë zymtësie, që e mbijetuam kolektivisht, por, edhe si subjektivitet ndjenjësor  i autorit.

Librin e plotësojnë dhe begatojnë: intervista me mjekun sypatrembur vushtrrias, dr. ShukriGërxhaliun, i cili nuk kurseu asgjë nga vetja për tu dalë në ndihmë të helmuarve, tregimi HELMIMIi BedriTahirit si dhe  poezia NDJESË e  Ali Podrimës.

Hulumtimi i panderprerë, nëpër biblioteka të ndryshme, brenda e jashtë vendit, konsultimi i dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, i mjekëve heronj, që përkundër rreziqeve, dhanë ndihmën e tyre, i njerëzve që kontribuuan në forma të ndryshme, shfletimi i një mori gazetash e revistash, në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja, tregojnë peshën e seriozitetit të kësaj vepre. Aparatura e duhur shkencore, fusnotat sipas standardeve të reja studimore dhe literatura e bollshme, mbi 120 burime, ia shtojnë vlerën librit “PRANVERË E HEMUAR”, duke e radhitur ndër studimet më të plota të kësaj fushe.

Dhe, fare në fund, pa mëtuar të shkoqisim librin më në imtësi, ngase ai do të përjetohet vetëm kur të lexohet, autorit i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë, ndërkaq librit përhapje nëpër bibliotekat tona e lexim të merituar!

Galicë, 10 Qershor 2020

[1](Dr. Bernard Benedetti, psikiatër, mjekmefamëbotërore, anëtar i Shoqatës “Mjekët e Botës”, themelues i UniversitetittëKorsikës, ështëmjekuqëerdhivetënëKosovë, i pahelmimetdhepaskëtajiurrekçështjestepërserioze, analizavetëmostravetëgjakuttëfëmijëvetëhelmuardhe, njëditë, doliparabotësmerezultatin se: NëKosovë, megjithatë, patihelmime!)

 

PORTRETI I SHKRIMTARIT VIRON KONA – Nga Kadri Tarelli

 

Në penën e Bashim Saliasit

Jam i vonuar që po shkruaj këtë meditim, për librin “Parnasi shikon me bisht të syrit”, me autor Bashkim Saliasi, ku edhe unë jam pjesë e tij si redaktor. E prisja, por nuk e kisha parë të botuar: Pse? “Rastësia mbret i jetës, thonë të mençurit”. Pikërisht kështu, sepse ndodhën ngjarje të pa dëshiruara, më drejt duhet thënë, tronditëse e plot dhimbje. Ishin tërmetet e njëpasnjëshëm, i shtatorit dhe nëntorit 2019, më pas edhe virusi dhe pandemia që na ngujoi nëpër shtëpitë tona, për të mos lëvizur për muaj me radhë.

Libri doli në qarkullim rreth një vit më parë pikërisht në shtator 2019, ndërsa unë e mora në mes gushtit 2020, kur Bashkimi dhe Viron Kona erdhën miqësisht në Durrës. Ishte diçka e bukur, që më pëlqeu si lidhej dhe paraqitje.

Që në fillim dua të përshëndes autor Bashkimin, për këtë libër voluminoz, rreth 660 faqe, me një titull të çuditshëm të marrë  nga mitologjia: “Parnasi shikon me bisht të syrit”1. Lexuesi nëpër reshta, kur të ketë kaluar disa faqe, do të kuptojë përse bëhet fjalë. Autori nuk na thotë asgjë veç titullit, duke i lënë lexuesit të kuptojë, se bëhet fjalë për një monografi disi  ndryshe, jo kronikë datash dhe ngjarjesh, por jeta e shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona, e shkrirë nëpër shkrime, tregime, poezi, kuvendime, intervista dhe copëza jete, kujtime apo rrëfime. Mes tyre ka foto të shumta dhe përshtypje e opinione të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, miqve, shokëve dhe lexuesve të shumtë të shprehura nëpër vite. Një punë me plot mundime, që kërkon durim e përkushtim, njohje e studim, vullnet e dituri, kohë dhe shumë dashuri. Vetëm autor Bashkimi e di se ç’ ka hequr deri sa e përfundoi, por duhet ta dijë, se ka bërë një vepër me vlerë.

Nuk dua të hyj në hollësi, sepse i takon lexuesit të zbulojë pjesët nën ujë të ajsbergut jetësor të Vironit, pasi jeta e tij ka pasur shumë thyerje, kështu që secila pjesë ka përjetimet e saj, disa të gëzueshme, kur bëhet fjalë për takimet me nxënësit e shkollave, si shkrimtar, të trishtueshme dhe plot dhimbje trupore dhe shpirtërore, si mërgimtar për disa vjet në Greqi. Dhe pas kthimit pranë familjes, vuajtje që nuk po mundem t’i gjej një emër, kur mendoj që Vironi me diplomë universiteti, nëpunës i rangjeve të larta në administratën e kohës, të përfundojë në tregun e “Gabit”, si shitës vjetërsirash, rroba, këpucë e gjëra të tjera të përdorura.

Të gjitha janë copëza jete të trazuar në kohë të trazuar, por të hidhura e të pa njohura më parë për të dhe për ne.  Këto më pas shërbyen si “brumë” për tregime të bukur dhe plot lëng të vërtete, veshur me fjalën e artit letrar. Nuk e di si e përballuan shumë të tjerë këtë periudhë thyerjesh të mëdha, por Vironi nuk u thye, nuk u rrëzua dhe nuk u ankua, madje me durim priti dhe u ngrit përsëri duke gjetur vendin që meritonte si intelektual. Bashkimi nuk e thotë, por ndjehet nëpër resha, se jeta e Vironit është një model i bukur për të rinjtë, ku mund të mësojnë si të përballen me jetën, që shpesh nuk është aq miqësore.

Me sa lexojmë në libër, çudia nuk mbaron këtu. Vironi, pasi u end për disa vjet nëpër shkolla të ndryshme të Tiranës, 9-vjeçare dhe të mesme, në qytet dhe në periferi, si mësues e drejtues, më në fund gjen vend në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Punë e bukur dhe shumë e dëshiruar dhe e vlerësuar nga ai, ku dijet, kulturë, përvojën dhe aftësinë e të shkruarit, do t’i vinte në shërbim të arsimit shqip. Ai e vlerëson këtë periudhë ndër më të bukurat e jetës së tij, pasi iu dha mundësia të njohë e të krijojë shumë miq e shokë të rinj mësues e drejtues shkollash, që me modesti shkruanin artikuj ku paraqisnin jetën e vërtetë të shkollave dhe problemet e tyre. I vjen keq që gazeta u mbyll pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye.

Pikërisht kur punonte tek gazeta, u njoh edhe me shumë miq e krijues shqiptarë që banojnë në Suedi, shkrimtarë e mësues suedez, mes tyre edhe albanologun Wllamr Qvick, mik i shqiptarëve, miqësi që vazhdon ta mbajë edhe tani që është në pension. Vironi nuk e thotë, sepse është “modest” si të gjithë vlonjatët, por Sokol Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Hysen Ibrahimi, Hamit Gurguri, Emine Hoti, etj, para se të udhëtojnë për Tiranë, telefonatën e parë ia nisin Vironit, i cili i pret, i përcjell dhe i shoqëron në të gjitha takimet, kudo nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

E gjitha kjo përbën një faqe të veçantë e të ndritur të jetës dhe veprimtarisë krijuese të tij, sepse ka vizituar disa herë Suedinë, këtë vend magjik për nga bukuria dhe demokracia, dhe nuk është mjaftuar me kaq. Nuk gaboj në përshtypjen time, se askush nuk ka shkruar për Suedinë, sa dhe si Vironi, duke i dhënë hapësirë vlerave universale të shkëmbimit të kulturave mes dy popujve. Mjafton të përmend librin për fëmijë, “Eh, more Bubulino!”, i përkthyer në gjuhën suedeze nga Qibrije Hoxha, dhe futur në programin mësimor të shkollave.

Për një çast u duk sikur peripecitë dhe shqetësimet ishin sosur, por ja që nuk ishte e thënë, pasi sa herë që ndryshonte qeveria dhe ministrat, të parin që e vinin në listë për tu pushuar ishte Vironi dhe, kjo jo për paaftësi, por kështu e deshi politika e madhe. Frika ndaj pasigurisë ishte kurdoherë pranë, e ca më shumë fyese dhe tronditëse, deri sa doli në pension. Jo më kot i kanë mbetur në mendje fjalët e një mësuesi gjerman që jepte gjermanishten në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja, kur Vironi ishte drejtor dhe u transferua, pa ngrohur ende karrigen e zyrës: “Nuk e kuptoj se ç’ bëhet tek ju, nuk e kuptoj…”.

Të gjitha sa përmenda më lart nuk janë kapituj apo tituj shkrimesh, por të vërteta të jetuara dhe të rrëfyera në intervista dhe biseda, ku spikat ndershmëria, çiltërsia, mirësia, dhe pranimi i të vërtetës pa zbukurime e shtesa të sajuara, janë pasuri e virtyt i fisnikërisë. Fjalë të thëna shqip dhe hapur, duke qenë vetë autor, aktor dhe spektator, bashkë me shumë të tjerë.

Duke e parë jetën e “heroit” tonë Vironit, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, Bashkimi i jep të drejtë dijetarit Ralph Waldo Emerson, të na thotë: “Qëllimi i jetës nuk është të jesh i lumtur. Është të jesh i dobishëm, të jesh i nderuar, të jesh i dhembshur, të kesh këtë qëllim, do të thotë që ke jetuar dhe, jetuar mirë”.

Askush nuk duhet të çuditet nga numri i shumtë i personave të përfshirë në libër, disa të rastësishëm, por shumica miq e shokë, si udhëtarë që i bashkon koha: më shumë të mirë se të liq, më shumë të ndershëm se hileqarë, më shumë të drejtë se tinëzarë, të gjithë të gjallë e të vërtetë, jo të marrë hua nga personazhet e letërsisë apo dramaturgjisë. Është një galeri e tërë emrash, fëmijë, të rinj, drejtues dhe politikanë, akademikë, mësues, gazetar, shkrimtarë, poetë, studiues e botues librash, të shpërndarë anekënd trojeve shqiptare, madje shumë janë nga diaspora, mes tyre edhe të huaj.

Unë e vlerësoj lart autor Bashkimin, për të vërtetën që e gjen në çdo cep të veprimtarisë së “Heroit të librit”, sepse shpesh ka qenë i pranishëm bashkë me të, nëpër takime e kuvende letrare, kështu që i ka përjetuar vetë ngjarjet. Vironi është autor i shumë librave për fëmijë, disa të përkthyera në gjuhë të botës, ndaj është mirëpritur ngrohtë nëpër takimet e tij nëpër shkollat e Tiranës, Durrësit, Krujës, Elbasanit, Fierit, Dibrës e Matit, madje edhe në Suedi, në qytetin Boras. Bashkimi është i vërtetë në ato që shkruan, duke i dhënë të drejtë Çehovit, që thotë: “Shkrimtari nuk duhet të përshkruajë ndjenja që nuk i jeton dhe nuk i provon”.

E besoj plotësisht këtë parim të sjelljes dhe veprimit, pasi shumë herë edhe unë kam qenë bashkë me Vironin nëpër takime dhe kam ndjerë ato ndjesi të mrekullueshme që të falin veç fëmijët. Bie fjala në disa takime me nxënësit e shkollave të Durrësit, “Jusuf Puka”, “14 Nëntori”, “Demokracia”, “Iliria” në Plazh, etj.

Veç këtu dua të ndalem për një vlerë të shtuar të librit, pasi siç paraqiten nëpër shkrime dhe intervista, përshkrimi dhe përjetimi i këtyre takimeve apo kuvendimeve, nuk janë thjesht reportazhe apo rubrika të ftohta me data dhe emra, por janë krijime artistikisht e letrarisht të bukur. Çdo shkrim të mbërthen t’i shkosh deri në fund leximit, sepse gjen kumt të dobishëm për shkollën, jetën, shoqërinë dhe familjen, punën, detyrën, historinë, shkrimin dhe poezinë, aq sa cilido nga ne, e ndjen veten pjesë të librit dhe ka ç’të mësojë diçka të re. Këtu më duhet të shtoj diçka nga vetja, pasi  janë fjalë që janë vendosur në libër: “Ashtu si jeta e shoqërisë në një farë mënyre bëhet pjesë e jona, ashtu edhe jeta jonë është e pa ndarë nga jeta e shoqërisë. Duke folur për të tjerët, kemi vlerësuar veten”. K. T. Faqe. 279

Libri, një vend të rëndësishëm i kushton vizitave dhe veprimtarive të Vironit, jashtë vendit, bie fjala: Turqi, Greqi, Hungari dhe Suedi, sepse ai ka një huq që, sapo kthehet në atdhe e qëndis një libër. Nga këto vizita e takime, janë botuar shumë, intervista, biseda, reportazhe, tregime, por edhe libra, romane, monografi, madje disa edhe voluminozë: “Dëgjoma zemrën Budapest” (përkthyer në gjuhën hungareze), “Yje mbi Bosfor”, “Drithërimat e yjeve” (roman), “Bukuri Suedeze”, “Ju dua më shumë se veten”, “Zonja nga Borasi”, “Kur vjen Sokoli”, “Marigoja shqiptare në Norvegji”, “Një ditë me Marigonë”, “Poleni viking”, (me bashkautor), etj, etj

Ajo që lehtë vihet re, janë fotografit e shumta, që po të mblidhen bashkë, bëhet një album i plotë. Shumica janë me citim, gjë që me gjuhën e heshtjes fotografia flet shumë. Aty kuptojmë evolucionin e portretit të Vironit, por edhe dinamikën e jetës së tij. Vetë ai është i dashuruar me fotografinë dhe ka bërë mirë, pasi ato janë dokumente të pazëvendësueshme, që fiksojnë kohën. Është një ves i bukur i Vironit, që na e ka ngjitur edhe ne miqve dhe shokëve, sepse sa herë ulemi bashkë, nuk harron të na kujtojë: “Të bëjmë një fotografi, pasi sot dukemi bukur”.

Në fund meriton një përshëndetje kritiku dhe studiuesi Sejdo Harka, i cili ka bërë reçensën e librit, një prozë poetike të vërtetë. Po shkëpus vetëm pak fjalë: “Ai përgjigjet në mënyrë metaforike: librin më të mirë nuk e kam shkruar akoma. Nëpërmjet kësaj përgjigje kuptimplote, ai guxon të përçojë tek lexuesi mendimin filozofik….. Ai ka një jetë të tërë që rend e vështron drejt “Majave metaforike të Parnasit” dhe, siç shkruan edhe vetë, i duhet akoma shumë kohë të arrijë në majë, e cila është bërë simbol i krijuesve të guximshëm, për t’u ngjitur… Vironi dëshiron ngjitje, vetëm ngjitje, por kurrë nuk mburret, kurrë nuk është ligështuar kur është rrëzuar edhe pse jo për faj të tij. Durimi është ai që e ka ngritur e ringritur disa herë”.

Vetë autor Bashkimi, pas një pune të rëndë studimore porosit lexuesin: “Lutem, hidhni shikimin dhe lexoni shkrimtarin V. Kona, me siguri do të mësoni diçka te re, do të përjetoni vlera dhe emocione të reja, që gjithkujt i duhen dhe i shërbejnë për jetën, për të sotmen, dhe për të ardhmen”.

         Urime autorit Bashim Saliasi, për këtë “Monument” kushtuar Viron Konës, një monografi në shkrime, që mbahet në çantë, vendoset në tavolinë pune, në çdo bibliotekë, mbase edhe sipër oxhakut, si vepër arti.

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 03, vjeshta e dytë, 2020.

 

Shënim:

  1. Mali i Parnasit. Besohej se aty jetonte Apolloni, perëndi e muzikës dhe përkrahës i arteve dhe bashkë me të jetonin edhe nëntë muzat, që mbronin degë të ndryshmë të artit. T’i ngjitesh parnasit, do të thotë të bëhesh poet.

JETA DHE VEPRIMTARIA E DOM PASHK DANIT NË NJË LIBËR – Nga LEONORA LAÇI

 

 

Botohet libri i dom Pashk Danit “Jeta e një meshtari” kujtime, nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër. Me lektor dom Robert Jakajn dhe unë në cilwsinë e redaktores.

Parathania u shkrua nga Tomë Mrijaj publicist i njohur nga SHBA, i cili e përshkruan kështu :” Ky është një libër me kujtime historike, që na bënë të reflektojmë mbi vështirësitë e llojllojshme të një meshtari, që nuk bënë të tregojë dobësi dhe dhimbjet e tija janë shumë më të vogla se dhimbjet e grigjës ku ai shërbente. Dom Pashk Dani, na demonstron një forcë të pashoq, vullnet dhe guxim. Nuk është ndalur pavarësisht pengesave që ka pasur.  Dom Pashku, nuk ka bërë vetëm rolin e domit fetar, por dhe të drejtuesit të aktiviteteve kulturore, atdhetare, sportive. Ky meshtar punën me rininë e pati parësore. Ai kudo që shkeli fitoi simpatinë dhe respektin e popullit; meshtari që mblodhi të holla mes mërgatës shqiptare për të realizuar objektivat, që i kishte vënë vehtës në punën baritore; meshtari që dinte të vlerësonte kulturën kombëtare; meshtari që mbajti në këmbë Misionin Katolik Shqiptar në Gjermani për shumë vite. Në Shqipëri si meshtar dhe famullitar, shërbeu në kishën kaktolike të fshtatit Grash (Dioçeza e Sapës) për disa vite, ku ishte bari shpirtëror.

Ai i kushtoi shumë vëmendje rikthimit të pronave të kishës, që ishin uzurpuar gjatë kohës së trazirave të vitit 1997, kur shteti humbi funksionin e tij dhe njerëzit filluan të pushtojnë pronat private civile dhe fetare.

Dom Pashku, në çdo territor të panjohur bëri miq e dashamir, ndonëse u pa me skepticizëm, më shumë iu shtuan miqtë se armiqtë.

Ne, përmes këtij libri kuptojmë që ai ka punuar me shumë njerëz të njohur, që kanë lënë gjurmë si meshtarë dhe ka pasur raporte mjaft të mira, me disa prej tyre, si: dom Mark Shirokën, i cili e udhëzoi drejt rrugës së meshtarisë, mësimet e vyeshme që i mori nga imzot Nikë Prela, lidhjen e ngushtë me dom Mark Sopin (me vonë ipeshkëv). Këta të tre ishin udhëheqësit e tij drejt rrugës së meshtarisë.

Nuk mund të lëmë pa përmendur takimet e rendësishme që ai pati gjatë jetës së tij studentore në Sarajevë, sikurse ishin ato me shenjtreshën Nënë Tereza, shën Papa Gjon Palin II, mons. dr. Zef Oroshin, i cili, na i përshkruan emocionet nga këto takime.

Dom Pashk Dani, si një fisnik në shpirt, me shumë mirënjohje dhe respekt kujton vizitën historike 37 vjet më parë në SHBA.

Ai vetë pohon, në kujtimet e tij, se kjo vizitë “ka qenë hapi i parë i suksesshëm i imi, për t’i dëshmuar eprorëve të mi se isha i zoti t’i realizoj gjërat pa ndihmën e tyre.”

Meshtari Dani, rrëfen me detaje në mënyrë narrative dhe mirënjohje, se meshtari i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan në Bronx, New York mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit t’Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”), e ka pritur me shumë bujari tipike mirditore dhe e ka ndihmuar me shumë përzemërsi.

Unë, isha në atë meshë, kur dom Pashku foli në homelinë e tij me një elekuencë të veçantë dhe na emocionoi të gjithëve.

Por edhe vetë meshtari mik nga Kosova dom Pashku, më ka thënë disa herë edhe gjatë vizitave të fundit në New York, se:

Më kujtohet edhe sot predikimi në atë meshë, ku, fitova simpatinë e meshtarit dhe të besimtarëve. Monsinjor dr. Oroshi, më përgëzoi e iu drejtue popullit. Kjo mortajë, që e ka goditë vendin tonë, kam shprese që s’shpejti do të bie e këta meshtarë të rij si dom Pashku sot këtu, që na gëzoi e na emocionoi, janë ata që do t’i ndertojnë nga themelet kishat, që djajt i rrenuen, pra kanë nevojë për përkrahjen tonë. “

Besimtarët shqiptaro-amerikan, që ndodheshin atë ditë në meshën mbresëlënëse, i vlerësuan me seriozitet fjalët e monsinjor dr. Zef Oroshit dhe nuk u kursyen financiarisht, për të ndihmuar meshtarin e palodhur dom Pashk Danin.

-“Ky udhëtim, bëri që unë t’i kryej me sukses punimet e kishës dhe konakut në Budisalc.”,- tregon me nostalgji dom Pashk Dani “ përfundon Tomë Mrijaj.

Në cilësinë e redaktores së këtij libri po i them përshtypjet e mija. Libri kushtuar jetës së Dom Pashk Danit ndonëse duket i vogël për nga vëllimi aty janë thënë shumëçka në pak rreshta. Po përpiqem ta marr të veçuar profilin e dom Pashkut në bazë të kontributeve që ka. Po i rreshtoj momentet kulmore të aktivitetit të dom Pashkut që na lë të kuptojmë se sa me zell e pa u lodhur ka punuar ky njeri me komunitet.

PO E FILLOJ ME AKTIVITETET KULTURORE E SHKENCORE QË AI KA QENË IDEATOR:

-Ditët e kulturës arbëreshe në Mitrovicë,

-Ditët e Nënë Terezës,

-Simpozium kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut,

-Simpozium mbi Mesharin e Gjon Buzukut,

-Simpozium përkujtimor për veprimtarinë e Martin Camajt,

-Simpozium me temë “Mitrovica gjatë shekujve me rrethinë”,

-Doblibarja këndon.

 

DOM PASHKU NËN PETKUN E PRIFTIT;

-Puna e vazhdueshme me rininë për t’i afruar me kishën dhe fenë.

-Predikimin duke ia përshtatur realitetit të ri.

-Zhvillimin e aktiviteteve argëtuese.

DOM PASHKU NË MBËSHTETJE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR DUKE PËRDORUR FJALËN E TIJ NË INSTANCA SHTETËRORE PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE.

Puna e palodhur në misionin katolik shqiptar në Munchen padashje e përfshiu atë dhe në çështje që i kalonin kompetencave që ai kishte, siç ishte çështja e Kosovës, mbështetja që ai i dha emigrantëve shqiptar të ardhur në Gjermani që ata të integroheshin sa më parë. Puna me psikologët për t’i ndihmuar ata nga traumat e luftës. Është për tu theksur e veçuar rasti i mëposhtëm dhe pesha e fjalës së tij për moskthimin e emigrantëve në Kosovë.

Citoj nga libri:“Sapo mbërrita në oborrin e parlamentit aty policia m’i hapen dyert, sepse kjo avokatja e kishte parapërgatitur terrenin për ardhjen time. Ishin dy probleme: Së pari, ishte si t’i lirojmë nga burgu të gjithë refugjatët e sapo ardhur ngaqë ata më padije kishin dalë duke shetitur nëpër sheshe. Së dyti, problem ishte si të ndihmohet Kosova ushtarakisht nga ana e gjermanëve. Unë e mora fjalën dhe fillimisht u prezantova se kush jam dhe nga vij, e se çfarë roli luaj në Bavari, mes të tjerash thashë: – ”Ju lutem mua me duhen dikund treqind plumba dhe një pistoletë si dhe treqind arkivola, sepse ata njerëz që i keni burgosur dua t’i vras vetë dhe çdo njërit tua shkruaj emrin dhe mbiemrin në arkivolat përkatës e t’i nisi për në Kosovë, (më mirë kështu, sepse ata janë të vdekur nësë kthehen) se sa çka ju e keni ndërmend të bëni me ta. Nga që ju doni për t’i kthyer në Jugosllavi duke i dërguar në nji rrugë të pa adresë sepse pa mbërrijt nëpër shtëpija të veta ata të gjithë kanë për t’i vrarë paramiltarët serb kështu po e bëj unë dhe është shumë e sigurtë që së pakut do të shkojnë në familjet e veta, ndaj kërkoj urgjentisht që këta që i keni burgosur krejtësisht të pafaj t’i lironi sa më parë që është e mundur.” Pas nji duartrokitje fjalën e mori Ministri i Ushtrisë së Bavarisë, duke kërkuar urgjentisht të shkohet në Kosovë dhe dikund pas tri ditëve kjo kërkesë u realizua edhe në parlamentin gjerman në Berlin. Në këtë mënyrë pas pak ditëve, janë nisur për Kosovë me destinacion drejt Prizrenit, ku dhe janë sistemuar, ndërsa këta të burgosur të nesërmen të gjithë i kanë liruar nga burgu.”

Aftësia e një prifti për të lënë gjurmë është të tejkaloj rolin e priftit, të vë ekuilibrat aty ku është e nevojshme, të përdorë autoritetin e tij, të shuaj konfliktet që lindin, të mos jetë thjesht një riprodhues i Ungjillit por dhe të kuptoj drejtë e në një realitet të ri mësimet hyjnore, t’i përshtas ato me vendin ku ndodhet.

Dom Pashku luajti shumë role qoftë si predikues, përkthyes, studiues, mbështetës i komunitetit, bashkëpunues me besimet e ndryshme fetare. Ai i dha rendësi dhe anës statistikore për të ditur rreth famullisë ku shkonte pra të njihte banoret e terrenin ku do punonte. Dom Pashku e ka kuptuar si duhet çelësin e të paturit sukses, bashkëpunimi, puna me kokën ulur, fjalëpak, thjeshtësia e bënë atë që të fitoj besimin dhe respektin e besimtarëve e jo besimtarëve, praktikantëve e jo praktikantëve, katolikëve dhe myslimanëve. Prifti duhet të bëhet njësh me popullin, ta kuptoj atë, të njoh hallet dhe shqetësimet e tyre, të jetë një dëgjues dhe këshillues i mirë.

Jo më pak e rëndësishme është dhe ana e bamirësisë, dom Pashku pati mbështetjen e diasporës dhe trokiti në dyert e tyre sa herë pati nevojë për çështje të caktuara lidhur me punën e tij baritore. Po ashtu kemi rastin kur ai në bashkëpunim me Eulexin gjerman dhe francez mbledh ndihma me ushqime dhe veshëmbathje e i dërgon në zona të thella ku nevojat ishin imediate.

Realizimi i planeve të dom Pashk Danit nuk do kishin sukses pa mbështetjen në popull dhe diasporë. Shpesh dom Pashku çonte meshë dhe për Eulexin gjerman dhe aty bënte thirrje për ndihma për familjet në nevojë.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte dhe angazhimi i tij me kthimin e pronave të kishës në Shqipëri, në kohën që shërbeu në Vau Dejes. Ai i shkoi drejtësisë deri në fund për të marrë pronat që i takonin kishës.

Vertetë libri është i vogël por rëndësia e këtij libri shkon përtej dom Pashkut dhe i shërben historisë kombëtare.

KRITIKË ANTOLOGJIKE PËR LETËRSINË BASHKËKOHORE NË VLORË – Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues, bibliograf

 

 

Pasthënie për librin “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritikë letrare 3” e autorit Eqerem CANAJ

 

Përpara se të nisja përcjelljen për tek lexuesi të këtij libri të rëndësishëm me kritikë letrare të shkrimtarit Eqerem Canaj, vetvetiu më trokiti në kujtesë ky mesazh: Autori Eqerem Canaj është shfaqur në botën letrare shqiptare në moshën 32 vjeçare, qysh para 44 vjetësh, kur botoi në revistën “Nëntori” (1976) vjershën e gjatë “Labi i vogël” kushtuar Halim Xhelos. Edhe sot i mbaj mend disa vargje të atij poemthi liriko-epik: “Vargan malesh, qepalla ngritur/ përreth qëndrojnë/ në grykën e lashtë të luginës së kuqe, je lartësuar në piedestal/ dhe sqepat e bilbilave këngën tënde thonë/ çdo lastar i ri zgjatet te dora jote/ ngjitet përmbi mal” … Miku im i letrave nuk e pati të lehtë udhën e krijimit. Krahas mësuesisë, ai rendi e rendi në këtë udhët të bekuar, të vështirë e aq sa të bukur; pa u kthyer pas, as nga erërat e furtunës, as nga shtërngatat e shiut me bubullima të kohës, edhe pse ishte pinjoll i kapedan Cane Miftarit. Do të vinte viti 1997, që Canaj të shfaqej në fushën e letërsisë me vëllimin e parë poetik “Qiej të çarë” dhe viti 2001 kur do të botonte romanin “Njeriu me nofulla të hekurta”, aq të lakuar dikur. Gjykoj se këto dy vepra janë shumë të dashura për autorin, për faktin se janë dallëndyshet e para të dy gjinive kryesore – sinomimi shkrimor i tij. Deri më sot, ai ka botuar rreth 30 vepra letrare në poezi e haiku, tregime e novela, roman dhe dedikat, si e quan autori letërsinë kushtuese. Ndërkohë ka marrë shumë çmime e tituj nderi. Gati çdo vit boton një titull, por nuk mund të bësh një statitstikë botimore të tij, sepse i përditëson titujt e librave.

Një nënfushë e veçantë e letërsisë që lëvron Canaj është kritika letrare, ku autori, falë përvojës së gjatë artistike, intutitës së hollë letrare dhe ndershmërisë profesionale, jep një ndihmesë të veçantë për analizën e veprave letrare të shkrimtarëve dhe poetëve të Vlorës, i vlerëson ato në bazë të parimeve letraro-estetike, duke vënë në dukje anët e mira e të dobëta, sidomos të botimeve pas viteve ’90 – të të shek. XX. Në vitin 2009, E. Canaj solli në 308 faqe jo vetëm për miqtë e letrave, por edhe për dashamirësit, lexuesit e tjerë dhe studiuesit një titull të guximshëm “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore. (Autorë vlonjatë)”, që po e quajmë pjesën e parë të mendimit kritik, estetik dhe interpretimit të autorëve të tjerë nga kolegu i tyre me përvojë më të gjatë botimi letrar. Në atë libër-sprovë e fortë e llojit, vërejmë trajtimin global të autorëve që kanë botuar libra mbas viteve `90 të shekullit XX deri më sot, të cilët kapin shifrën 99 tituj për 93 autorë vlonjatë me kontribute: 1. në gjininë e poezisë dhe përkatësisht në: a) poezinë popullore dhe, b) poezinë moderne; 2. në gjininë e prozës dhe përkatësisht në: tregim, novelë, roman; 3. në letërsinë për fëmijë dhe 4. të tjerët për krijimtarinë letrare të Eqerem Canajt… Për të studjuar dhe për të shpjeguar mendimin e tij estetik për veprat, ai ka përdorur një kërleshje të metodës analitike me atë sintetike. Autori i këtyre radhëve ka botuar shkrimin “Parimet dhe struktura, konceptualiteti i autorit Eqerem Canaj  në formulimin e librit studimor Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore””,,kështu që nuk e quajmë të nevojshme të zgjatemi më tej mbi këtë tekst. Pas një pune të gjatë studimtare, autori i njohur Eqerem H. Canaj, del në skenën e botimit me librin tjetër në 208 faqe: “Koha dhe letërsia. (Analitika shqiptare bashkëkohore”), [vëll.2],  2016, në vështrimin thellësisht studimor, edhe pse duket thjesht si vijim, si pjesa e dytë e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”, ndryshimi është i dukshëm, jo vetëm në këndvështrimin e autorit përsa i përket përzgjedhjes së poetëve dhe prozatorëve të marrë në shqyrtim, por edhe përsa i përket konceptualitetit të tij në formulimin e librit, duke patur në bazë të trajtimit cilësinë artistike dhe estetike të veprës së çdo autori që ka marrë në shqyrtim. Studimi “Koha dhe letërsia” trajton tre nënfusha të letërsisë artistike: 1- Poezinë bashkëkohore, 2- Prozën bashkëkohore dhe 3- Memorialistikën. Në këtë botim, studiuesi Canaj merr në shqyrtim rreth 33 autorë të 45 titujve letrarë, të cilët nuk janë vetëm poetë dhe prozatorë vlonjatë, por zgjerohet gjeografia e studimtarisë edhe nga qytete të tjera të vendit, si Fieri e Tirana, apo dhe autorë nga Diaspora, si dhe të shteteve të tjerë sikurse është Greqia, Italia. “Koha dhe letërsia” u cilësua si një ballafaqim vlerash estetike, e një rëndësie të veçantë për artin bashkëkohor. Duke qenë edhe redaktor i librit “Koha dhe letërsia” të autorit Eqerem Canaj, pasthënien e këtij botimi e bëra me përgjegjësi e dashamirësi.

Në vitin 2020, kritiku dhe esteti Canaj na sjell vëllimin e tretë të mendimit të tij kritik me titullin domethënës “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3”. Kjo pjesë ka të veçantë, se nga udhëtimi letrar i poetëve dhe shkrimtarëve që ka trajtuar në dy pjesët pararendëse, kritiku ka përzgjedhur 51 autorët më përfaqësues, sipas tij, ata që janë gjurmëlënës në Vlorën e Re, në Letërsinë e Re. Ndërtesa  e librit ka një strukturë të brendshme me katër oda shkrimore (kre), ku spikat lidhja harmonike e lëndës dhe vështrimi lakonik antologjik për çdo autor. Në rrafshin e hierarkisë së vlerave, shikojmë se organigrama krijuese ka për çdo odë një lider, si duket, më të njohurin kombëtarisht, ndërsa autorët nuk janë klasifikuar siç renditen sportistët apo skuadrat e futbollit në kampionate, por sipas kriterit alfabetik. Struktura e librit nis me burimin e kulluar të shpirtit, gurrën popullore, që është kreu i parë dhe autori e emërton “Muza popullore” ku përfshin 12 autorë, me lider kryepolifonin Lefter Çipa. Kreu i dytë është “Poezia bashkëkohore”, përfshin 23 autorë me lider poetin Hiqmet Meçaj. Kreu i tretë është “Proza bashkëkohore. Tregimi, novela”, përfshin 9 autorë dhe ka lider shkrimtarin Shefqet Tigani. Ndërsa “artileria e rëndë” e letërsisë që lëvrohet në Vlorë  “Proza bashkëkohore. Romani”, ku përfshihen 7 autorë, me lider shkrimtarin Luan Toto “është dislokuar” në odën e madhe/ kreun e katërt.  Ky vëllim ka edhe një element të veçantë, që përbën shembullin e thjeshtësisë nga shkrimtari i njohur Eqerem Canaj: Ndryshe nga dy pjesët e tjera, autori nuk e ka shqyrtuar veprën e tij letrare në këtë vëllim, duke gjykuar se janë të tjerët që merren me të, jo ai. Ky element përbën një fakt pozitiv që nuk u lë shteg subjektivizmave në trajtesë apo keqinterpretimeve nga të tjerët.

Kujtojmë se kritiku Canaj është i pari dhe deri sot i vetmi ndër autorët e Vlorës që boton kritikë letrare si libër më vete (përjashtojmë këtu rastin e 3 pedagogëve të gjuhës shqipe dhe letërsisë në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. dr. Bardhosh Gaçe, prof.dr. Roland Zisi dhe dr. Ermir Xhindi, që janë autoritete kombëtare dhe vlera të mirëfillta në shkencën e letërsisë.

Pa dashur të rrëfej brendinë e kësaj monografie kërkimore-shkencore, shprehem se Guximtari i letrave shqipe në Vlorë Eqerem Canaj e zotëron fuqishëm “pronën” e tij-letërsinë artistike, si art i fjalës, që nuk përmban vetëm njohuritë spicifike të realitetit, por edhe e formësojnë këtë realitet me botën e shpirtit njerëzor. Falë ndihmesës së madhe që i ka dhënë një jetë të tërë profesioni fisnik i mësuesit të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe njohjes së imtë të relievit dokesor e gjuhësor të trevës, si bërthamë, duke dalë dukshëm nga lokaliteti, me horizontet e gjeografisë letrare, autori me këtë studim monografik merr përmasa të lakmuara në botëzën tonë të letrave dhe përbën një gjedhe për kritikën bashkëkohore, sidomos sot kur, tallavaja ka gërryer keq edhe letërsinë, kur, sipas fejsbkistëve të sojit hiçsor shkrimtarët e rrethit të tyre miqësor janë “gjigandë”, “yje”, “të paparë”, “bota” e … çfarë broçkullash nuk dëgjojmë! Në këtë punim, Canaj përdor metodoligjinë e sintezës, pasi e ka parë si metodë studimi, me të cilën anët e veçanta të autorit përmblidhen e përgjithësohen me qëllim që të  vështrohet prodhimtaria letrare dhe dukuritë që shfaqen librat e autorëve si një tërësi e vetme e pandarë, me lidhje e marrëdhënie ndërmjet pjesëve të tyre përbërëse. Në laboratorin e tij 10 vjeçar ai i ka parë të pandara metodat e analizës së veprës së autorëve dhe sintezën që përfaqëson atë. Autori e ka të qartë klasifikimin e letërsisë, parimet e klasifikimit, letërsinë gojore (popullore) dhe letërsisnë e shkruar, konceptin e llojit letrar, gjinitë letrare, poezinë dhe prozën që jeton sot në Vlorë. Letërsinë e autorëve vlonjatë në këtë vëllim, e shikon në natyrën e saj, si art dhe estetikë, të pashkëputur nga gjuha, nga jeta shoqërore, me qëlllimet dhe detyrat që duhet të përmbushë. Autori i kushton rëndësi analizës së veprës letrare në rrafshin e analizës filozofike të tekstit, (sepse me këtë synim ka marrë autorët më përfaqësues), shikon strukturën e veprës letrare, temën, motivin dhe fabulën, kompozicionin dhe motivimin, narratorin dhe karakterin, idenë, raportet jashtëtekstore dhe kuptimin e veprës letrare. Shqetësimi i tij për stilistikën buron nga koncepti që ka për të bukurën, për stilin dhe stilistikën, për poetikën dhe retorikën, nocionin e figurës dhe figurat e diksionit, për figurat e fjalëve ose tropet, figurat e ndërtimit e të mendimit, për trajtimin e ri të stilit, stilistikën deskriptive dhe kritikën stikistike. Kur trajton vjerëshërimin, ai lëron thellë në natyrën e vargut, vjershërimin kuantitativ, silabik dhe tonik, zbërthimin e vargut, strofës dhe rimës, ritmin, llojet e vargut e strofës, sonetin (në Vlorë vetëm një autor e ushtron), vargun e lirë. Kur merret me poezinë, ai futet tek poezia lirike dhe epike e autorëve, struktura e vjershës lirike, llojete lirikës, lirika modern, karakteristikat e poezisë epike, që pak zhvillohet sot, teknikat epike, tipat dhe llojete poezisë epike. Kur trajton prozën, Canaj vëren imtë prejardhjen dhe zhvillim e prozës artistike, strukturën e veprës letrare  në Vlorë, llojet e prozës, format e thjeshta, novelën, romanit, llojet dhe tipet e romanit, edhe pse kjo gjini përfaqësohet nga një grupim jo i gjerë autorësh, vetëm 7 romancierë.  Po të vijoj më tej, kam frikë, se do të më rrëmbejë aroma e freskët letrare e librit “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3” dhe mund të bëj një libër mbi vlerat e këtij punimi të Canajt…

Pasi i kam lexuar me vëmendje të tre vëllimet me vështrime kritike dhe estetike të autorit, bindem se puna e tij e palodhme shkrimore është e frutshme dhe e dobishme për shëndetin letrar të shkrimtarëve dhe poetëve të Vlorës.

 

Albert R. Habazaj

kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, ALBANIA

redaktor i librit “Vlora Art. Shekulli XXI. Kritika letrare, 3” të autorit Eqerem Canaj

Një bisedë në platformën videozoom nga Dr Gezim Alpion më 29 Shtator në 7 pasdite (8 me orën tonë). “Nga Shkupi në Kalkuta: Rruga e Nënë Terezës drejt shenjtërisë”


Si ia hapën Nënë Terezës vitet e saj të Shkupit rrugën drejt shenjtërisë

VOAL – Më 29 shtator, në orën 7 pasditë (me orën britanike), domethënë në orën 8 pasdite (me orën tonë) mban në platformën videozoom bisedën “Nga Shkupi në Kalkuta: Rruga e Nënë Terezës drejt shenjtërisë”

Duke u mbështetur në informacionin e botuar për herë të parë në ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj’ (Bloomsbury Academic 2020), në këtë bisedë Gëzim Alpion i afrohet jetës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës (lindur Gonxhe Agnes Bojaxhiu) nga tri këndvështrime: kombëtare, stërgjyshore dhe personale.

Në pjesën e parë të bisedës, Alpion eksploron sistemin e besimit të shqiptarëve para ardhjes së besimeve monoteiste, përpara se të përqëndrohet në traditën e tyre të krishterë apostolike. Pohimi kryesor i Alpionit në këtë aspekt është se bazat e civilizimit evropian janë triadike, d.m.th. ilire, greke dhe romake.

Pjesa e dytë e bisedës identifikon disa nga arsyet që qëndrojnë pas migrimit të brendshëm ’të shqiptarëve, të gjurmueshme që nga pushtimi romak i Ilirisë. Alpion argumenton se migrimi i paraardhësve të Nënë Terezës nëpër tokat e banuara shqiptare është një shembull modern i këtij fenomeni të përjetshëm që është parë më së fundmi më 1999 me dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga Kosova.

Në pjesën e fundit të fjalimit, Alpion eksploron ndikimin e fatkeqësisë – vdekja e babait të saj nga helmimi dhe humbja e tetë të afërmve nga gripi spanjoll (1918-1920) – në thirrjen e Nënë Terezës, zgjedhjen e Indisë si destinacion dhe mision. Alpion arrin në përfundimin se, gjatë shtatë dekadave të jetës së saj misionare, besimi i Nënë Terezës – si për sa i përket natës së errët të shpirtit ’dhe raportit me njerëz të besimeve të ndryshme në Indi dhe më gjerë – shfaq anët shpirtërore të kombit të saj.

 

A talk by Dr Gezim Alpion on 29 September at 7pm. “From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”

How Mother Teresa’s Skopje years paved the way to her saintliness

 

Drawing upon information published for the first time in ‘Mother Teresa: The Saint and Her Nation‘ (Bloomsbury Academic 2020), in this talk Gëzim Alpion approaches the life and legacy of Mother Teresa (née Gonxhe Agnes Bojaxhiu) from three perspectives: national, ancestral and personal.

 

In the first part of the talk, Alpion explores Albanians’ belief system prior to the advent of monotheistic faiths, before focusing on their apostolic Christian tradition. Alpion’s main contention in this respect is that the foundations of European civilisation are triadic, i.e. Illyrian, Greek and Roman.

 

The second part of the talk identifies some of the reasons behind Albanians’ ‘internal migration’, traceable since the Roman invasion of Illyria. Alpion argues that the migration of Mother Teresa’s ancestors across Albanian inhabited lands is a modern example of this perpetual phenomenon more recently witnessed in 1999 with the expulsion of around one million Albanians from Kosova.

 

In the final part of the talk, Alpion explores the impact of bereavement – the death of her father from poisoning and loss of eight relatives from the Spanish Flu (1918-1920) – on Mother Teresa’s calling, choice of India as a destination, and mission. Alpion concludes that, throughout the seven decades of her missionary life, Mother Teresa’s faith – both in terms of her ‘dark night of the soul’ and rapport with people of various faiths in India and beyond – manifests facets of her nation’s spirituality.

TË BANOSH NË MIRËNJOHJEN E NJERIUT..! Nga ILIR ÇUMANI

 (Përsiatje mbi personalitetin artistik të poetes së mirënjohur të teksteve të këngës në RTSH, ZHULIANA JORGANXHI)

Në epoka dhe etapa të ndryshme të njerëzimit, ka patur dhe do të ketë gjithmonë individë të veçantë, të cilët, me veçoritë dhe talentin e rrallë që zotërojnë, me kontributin dhe vokacionin që përcjellin dhe e transmetojnë ndër breza, kanë mundur të lënë gjurmë të thella duke ngritur në art tempullin e tyre të shejntë e të pa cënueshëm nga çdo ndikim dhe fuqi e jashtëme madhore që e sjell koha. Këta individë, në mënyrë organike bëhen sinonim i jetës së përditshme, dhe ashtu krejt pa pritur e pa kuptuar mundin të depërtojnë në qënien tonë, duke hyrë deri në skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor. Pastaj, aty e ngrejnë edhe folenë e tyre…

Me kalimin e kohës, kjo fole kthehet në një strehë të përjetshme, që quhet banesa e mirënjohjes tek Njeriu…!

Pa dyshim, kjo ka ndodhur edhe me Zhuliana Jorganxhiun, një nga emrat më të veçuar dhe më të zëshëm të artit dhe kulturës sonë kombëtare të shekullit që lamë pas, por edhe të këtij fillim shekulli. Mjeshtre e fjalës së gdhendur në varg, uragan i fuqishëm i simbolikës dhe e metaforës në këngën shqipe, lirikja dhe frymëzuesja që me kumtin e saj ngriti peshë zemrat e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, ajo u bë melhemi e gëzimeve dhe e dhimbjeve proverbiale të popullit të cilit i përket. Sa i paplotë do të ishte mozaiku gjigand i këngës në shekullin që lamë pas, por edhe në shekullin që jetojmë sot, pa Zhuliana Jorganxhiun…!? Me të drejtë e kanë quajtur Mbretëresha e Këngës Shqiptare, sepse në fakt, është një virtuoze e rrallë e vargëzimit të kënduar, një qëndistare e rafinuar e fjalëzimit të praruar, dhe për këtë arsye ajo e meriton këtë kurorë lavdie…!

Zhuliana Jorganxhi ka patur dhe ka një fat ndryshe prej artisti. Prej kohësh ajo gëzon një privilegj dhe status të veçantë si rrallëkush prej të ngjashmëve në këtë fushë, ngase kënga e saj ka zënë vend në të përditshmen e gjithsecilit prej nesh, si buka që hamë, si uji që pijmë dhe ajri që thithim. E gjithë krijimtaria e saj e begatë, simbolika dhe fabula që ajo ndërton, metafora dhe mesazhi që përcjell përmes fjalëzimit, kundrohet bukur, përcillet krejt natyshëm dhe kuptohet lehtë, pëlqehet, shijohet këndshëm, këndohet nga të gjitha moshat. Kënga e saj të ngelet gjithmonë në buzë, si një lajtmotiv i ritmit të jetës dhe i kohës që jetojmë, ku brenda këtij ritmi janë dhimbjet dhe gëzimet e njeriut, brengat dhe dashuritë e mëdha, loti dhe buzëqeshja, arsyeja dhe urrejtja, shpresat dhe ëndrrat e së ardhmes, robëria dhe liria, triumfi dhe lavdia…

Të gjitha janë aty. Lirikat e këngëve të saj janë plot jetë e gjithë gazmend, ato mbeten po aq të freskëta e frymëzuese, anipse kanë çelur e shpërthyer dekada më parë, ato sërish tingëllojnë të freskëta, dëgjohen edhe më bukur, shijohen me ëndje, kërkohen dhe përcillen mrekullisht edhe sot tek brezi më i ri …!

Dhe kjo ndodh sepse Zhuliana Jorganxhi e qëmton dhe e respekton thellësinë e mendimit, e çmon shumë rëndësinë dhe peshën që ka fjala. Ajo është një adhuruese e pashoq e Gjuhës së bukur Shqipe, e miklon atë ashtu si nëna foshnjën e saj, sepse e dashuron marrëzisht sikur të jetë krijesa e saj. Si një nikoqire e mirë korçare ajo e kursen fjalën, e përzgjedh mençurisht dhe kujdeset për estetikën e saj, e formëzon dhe e laton atë, andaj edhe fjalëzimi mjeshtëror i saj nuk e pranon kurrë mendimin bosh, as parazitizmin e frazës e cila asesi nuk mundet ti cek dot sinorët e krijimtarisë së saj të dëlirë e të kulluar.

Këto veçori e cilësi të rralla që lidhen me talentin dhe disiplinën e pashembullt artistike në gjithë procesin e saj krijues, Zhuliana Jorganxhi i përcolli duke e ndarë me shumë fisnikëri e bujari si përvojë dhe sukses të saj me të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e vjetër dhe të rinj, atje, në redaksinë e muzikës në Radio Tirana, ku për mëse 30 vjet mbajti peshën dhe përgjegjësinë kryesore të eventeve më të rëndësishme në ngjarjet e mëdha artistike që lidheshin me Festivalet e Këngës në RTSH. Së shpejti lexuesi shqiptar, e në veçanti profesionistë të fushës, poetë, kompozitorë, interpretë të këngës, mësues e pedagogë, nxënës dhe studentë që studiojnë për kanto e kompozicion, por, edhe kritikët e artit të këtij lloj zhanri të veçantë, do të kenë një duar një botim special e të plotë të korpusit të krijimtarisë poetike të Zhuliana Jorganxhiut. Ky libër është konceptuar dhe i ndarë në tre kapituj.

Në kapitullin e parë që mban titullin e librit “Zëri i shpirtit tim”, janë publikuar të gjitha tekstet e muzikuara të këngëve të krijuara nga autorja, që në fillimet e saj kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe, e deri në ditët e sotme. Shumë prej tyre, tashmë janë bërë hite dhe mrekullisht i kanë rezistuar në mënyrë të shëndetshme kohës.

Në kapitullin e dytë me titull “Udhëve të pentagramit”, janë poezi e lirika të pa muzikuara, të shkruara në kohë të ndryshme, për të cilat kompozitorët e traditës, por edhe ata të sotëm, (pra më të rijntë), janë të mirëpritur ti kthejnë sytë dhe kanë shumë se ç’farë të marrin e të frymëzohen nga krijimtaria e begatë dhe e larmishme e kësaj autoreje…

E gjithë kjo vepër e mirëfilltë krijuese, analizohet dhe shoqërohet me një parathënie tejet serioze dhe profesionale nga poetja e mirënjohur Natasha Lako, e cila, veç individualitetit artistik, evidenton veçoritë dhe epërsinë e talentit të padiskutueshëm të Zhuliana Jorganxhiut, si një prej përfaqësueseve më dinjotoze të brezit të saj, dhe që padyshim për këtë, ajo zë një vend qëndror në historinë e muzikës dhe të Këngës Shqiptare.

Ndërsa në kapitullin e tretë, një vend të veçantë i kushtohet vlerësimeve, opinioneve, mbresave dhe kujtimeve të shumë personaliteteve të artit dhe kulturës, si poetë, kompozitorë, dirigjentë, këngëtarë, e shumë bashkëkohës të autores që kanë jetuar artistikisht dhe kanë bashkëpunuar me të ndër vite e dekada, e, së bashku kanë bërë historinë e ndritur të muzikës dhe të Këngës së lehtë Shqiptare. Kapitulli i tretë, mban një titull mjaft domethënës dhe kuptimplotë: “Mijëra zëra në një zemër”, sepse, për Zhuliana Jorganxhiun duan të flasin që të gjithë…

Të gjithë duan të shprehen e të thonë fjalë zemre, të përcjellin një urim, sepse tashmë ajo mbetet një nga krijueset që nuk i përketë më vetvetes, por të gjithëve ne, ngase kënga e saj ka një jetëgjatësi, ajo është përcjellë dhe do të përcillet ndër breza… Janë tepër emocionuese dhe mjaft mbresëlënëse fjalët e ngrohta, mirënjohja dhe vlerësimet e pakursyera e plotësisht të merituara që përcjellin në këtë libër për autoren shumë prej kolegëve të saj artistë, kompozitorë, poet, dirigjentë, këngëtarë dhe mjaft personalitete të njohur të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës, dhe jo vetëm.

Ata dëshmojnë në kujtimet e tyre jo vetëm talentin unik dhe kontributin e paçmuar të Zhulianës në historikun dhe rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Këngës Shqiptare, por, përmes këtyre mbresave dhe impresioneve, ata rrëfejnë dhe zbulojnë anë të tëra të personalitetit të saj njerëzor, si, zemërgjerësia dhe bujaria, fisnikëria dhe toleranca, përulësia, modestia e thjeshtësia, e shumë cilësi të vyera që e ridimensionojnë dhe e plotësojnë edhe më qartë profilin e kësaj figure kaq të dashur për shqiptarët këtej dhe andej kufirit.

Të gjitha mendimet e tyre bashkohen në një të vetme: Tek Zhuliana Jorganxhi frymon dhe jeton në çdo çast jo vetëm një artiste e jashtëzakonshme, por edhe një Njeri i jashtëzakonshëm…, një grua madhështore…! Po përse paraqitet sot para lexuesve një botim kaq i veçantë dhe i plotë i këtij nënlloji të krijimtarisë artistike, siç është edhe poezia e muzikuar e Zhuliana Jorganxhiut…?! Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj katraure të madhe se çfarë ndodhi në Shqipërinë e pas viteve ‘90 – të. Si në çdo fushë të jetës, ashtu edhe në art e kulturë, e, në veçanti në muzikë, pati një bjerrje të menjëhershme të asaj tradite të investuar kaq bukur për dekada me radhë.

Fatkeqësisht, kjo bjerrje kaloi më pas në një rrënim dhe degradim të pakthyeshëm të vlerave të gjithë asaj trashëgimie të vyer dhe shumë të pasur, e krijuar dhe e kultivuar me aq mund, zell e pasion nga një armatë e madhe brezash artistësh, kompozitorësh e poetësh, interpretuesish të talentuar, nga më të zëshëm dhe më të shquar të vendit. Kujtesa jonë na bënë të evokojmë me nderim të thellë kompozitorët Prenk Jakova, Gaqo Avrazi, Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Tonin Arapi, Nikolla Zoraqi, Abdulla Grimci, etj, të cilët u pasuan nga një gjeneratë tjetër kompozitorësh po aq të talentuar si Agim Krajka, Ferdinant Deda, Kujtim Laro, Fehim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Avni Mula, Agim Prodani, Luan Zhegu, Aleksandër Peçi, Agron Xhunga, Kastriot Gjini, Vladimir Kotani, Aleksandër Lalo, Alfons Balliçi, Josif Minga, Flamur Shehu, Apostol Simoni, Tonin Rrota, Enver Shëngjergji, Vath Çangu, Gazmend Mullahi, Shaqir Kodra, Pjetër Dungu, Sabrija Nushi, Spartak Tili, Shpëtim Kushta, Hajg Zaharian, Robert Radoja, Gjergji Leka, Osman Mula, Ardit Gjebrea, Piro Çako, Ilir Dangëllia, Naim Gjoshi, David Tukiçi, Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Valentin Veizi, Jetmir Barbullushi, Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Artur Dhamo, Miron Kotani, Lambert Jorganxhi, etj. Kësaj armate të shkëqyer kompozitorësh i’u bashkangjitën edhe ajo plejadë e shquar krijuesish të teksteve të muzikuara si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Kol Jakova, Dionis Bubani, Petraq Qafëzezi, etj, të cilët edhe këta u pasuan nga një tjetër gjeneratë e shkëlqyer krijuesish si, Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji, Betim Muço, Natasha Lako, Bardhyl Londo, Gjok Beci, Arben Duka, Alqi Boshnjaku, Vasil Dede, Hysni Milloshi, Agim Doçi, Haxhi Rama, Sulejman Mato, Zaho Puci, (Vasili), Irma Kurti, Kudret Isai, Petrit Ruka, Luigj Gurakuqi, Pandeli Koçi, Koçi Petriti, Rozana Radi, etj. I gjithë kontributi i këtyre mjeshtrave të mëdhenj të muzikës dhe të Këngës Shqiptare, u lartësua nga interpretët virtuozë të skenës si: Vaçe Zela, Gaqo Çako, Avni Mula, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Qemal Kërtusha, Anita Take, Pavlina Nika, Nikoleta Shoshi, Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Myfarete Laze, Irma Libohova, Alida Hisku, Parashqevi Simaku, Bashkim Alibali, Suzana Qatipi, Tatiana Isai, Rakipe Karaj, Eduart Jubani, Kozma Dushi, Françesk Radi, Fatma Zyberi, Arta Babaramo, Pëllumb Elmazi, Sherif Merdani, Justina Aliaj, Lindita Thedhori, Petrit Lulo, Nikolin Gjergji, Zija Saraçi, Spiro Katundi, Afërdita Zonja, Anita Bitri, Adriana Ceko, Muharrem Herri, Violeta Zefi, Telemak Papapano, Ermira Babaliu, Marina Grabovari, Gjergj Sulioti, Gjergji Leka, Jolanda Dhamo, Burbuqe Rada, Miga Hysi, Lindita Sota, Nazmie Kasmi, dhe pasoi me një tjetër brez këngëtarësh po aq të talentuar, si Nertila Koka, Frederik Ndoci, Gëzim Çela, Morena Reka, Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Mira Konçi, Aurela Gaçe, Juliana Pasha, Eneida Tarifa, Ledina Çelo, Elton Deda, Redon Makashi, Alban Skënderaj, Elsa Lila, Florian Mumajesi, Mariza Ikonomi, Elvana Gjata, Kejsi Tola, Rosela Gjybegu, Anjeza Shahini, Gent Bushpepa, etj.

Mirëpo e gjithë kjo trashëgimi e pasur dhe plejadë e shkëlqyer krijuesish e interpretuesish që përmendëm më sipër, bëri që me kalimin e kohës të përballej me një çoroditje dhe me një tipologji tjetër arti, të pa dëgjuar më parë, që në zhargonin e përditshëm quhet “tallava”. Dhe kjo bëri që një pjesë e këtyre artistëve të tërhiqeshin nga udha e bukur e muzikës dhe pasioni i tyre të ndërpritej në mes, në kërkim të rrugëve të tjera për të mbijetuar. Disa ndryshuan profesion, e disa të tjerë e braktisën vendin duke shkelur udhëve të botës në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurtë. Kësaj drame, nuk mund ti shpëtonte as poetja jonë Zhuliana Jorganxhi, e cila prej 30 vjetësh jeton përtej Adriatikut, atje, në Trieste të Italisë.

Gjithmonë e përmalluar, por e palodhur dhe energjike si dikur, ajo vazhdon të shkruaj ende vargje për muzikë. Si për të sfiduar me moshën e saj dhe me fuqinë e shpirtit atë katraurë që la pas tre dekada më parë, ku në skenën që kishin debutuar ato mote korifejt e muzikës shqiptare, veç talenteve të rinj dhe mjaft premtues për të ardhmen e muzikës, u ngjitën lloj lloj këngëtarësh e krijues muzike, një pjesë e të cilëve ishin edhe emra anonim, që vetëm me artin e vërtetë muzikor nuk kishin asnjë lidhje.

Pas ndërrimit të sistemit, ishte shpresëdhënëse dhe duhen vlerësuar përpjekjet e shumë djemëve dhe vajzave të talentuar që u evidentuan asokohe dhe pati një prurje serioze të disa grupeve të rinj muzikorë që me freskinë dhe artin e tyre sollën një frymë të re të muzikës bashkëkohore, por që për fat të keq, edhe ata u tërhoqën përballë fluksit të pakontrolluar të prodhimtarisë së “artit” që vinte nga rruga. Ky ishte “arti” i komercit që e goditi rëndë muzikën e vërtetë dhe të gjithë trashëgiminë e vyer të Këngës Shqiptare.

Ky lloj “arti”, për mëse tre dekadash ka pushtuar tregjet muzikore duke e basarduar rëndë këngën shqiptare. Përballë një panorame të tillë, artistët tanë të mëdhenj, por edhe ata të rinj të talentuar që u shfaqën pas viteve ’90 –të, u tërhoqën nga udha e krijimtarisë, duke e ndier veten të pafuqishëm në këtë atentat të madh që i’u bë artit të vërtetë, Këngës Shqiptare. Vendin e hierarkisë së vlerave e zuri tallavaja dhe tekstet e pakuptimta muzikore, të cilat e kanë deformuar dhe ç’edukuar shijen e publikut. Ato na kujtojnë se Kënga, ky art i lashtë magjik që bashkon nga të gjitha kontinentet kulturat e popujve dhe përcjell kaq shumë emocion e mesazhe të fuqishme, që zbut dhe ngroh çdo zemër njerëzore kudo në botë, sot ndodhet në udhëkryqet e saj….

Ata që e kanë marrë peng muzikën e vërtetë, na kujtojnë se dikur “na ishte njëherë muzika…”, por, na ishte dhe është ende në mes tonë edhe një Mbretërëshë e Këngës Shqiptare me emrin Zhuliana Jorganxhi, e cila i dha këngës shpirtin e saj, që ajo të mbijetoj përgjithmonë, pavarësisht kohëve që jetojmë. Zhuliana Jorganxhi dhe e gjithë plejada që Ajo përfaqëson në artin muzikor shqiptar, është shembulli kuptimplotë që ilustrohet më së miri në atë që poeti ynë i madh Dritëro Agolli shkruan: “…I bardhë si bora të jesh,/ i ndritur, i larë me flori./ Prapë do të shajnë, patjetër,/ pa sharë nuk mbetet njeri …!/ E hodhën floririn – e tretën,/ në llum, në llagëmin e zi./ Një shekull kaloi dhe e gjetën,/ Floriri kish mbetur Flori …”


Send this to a friend