VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

I dhanë drogë Robert Ndrenikës! – Nga Elida Buçpapaj

By | June 20, 2018

Komentet

NË KUADËR TË 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBE: KUJTOJMË SHQIPTAROAMERIKANIN E MADH PETER GENC ÇIKOS – Nga Frank Shkreli

Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra. Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte natyrisht i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets. Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore. Detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtri, përfshirë atë si oficer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit. Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të këthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.

Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe. Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë.

Gazeta Boston Globe shkruante gjithashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork – “Kur për herë të parë”, thekson gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.” Gazeta shënon gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte ndihmuar në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, por kishte kryesuar gjithashtu një delegacion mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori pjesë në ato ceremoni në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Romë dhe në Vatikan, ku shqiptarët e mërguar, sidomos në Amerikë dhe në Evropë ishin mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh dhe njëkohsisht për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë dinjiteti kombëtar dhe bashkpunimi dhe marrveshje vëllazërore.

Është ky rol historik dhe ndihmesa e Peter Çikos në organizimin e 500-vjetorit të Skenderbeut që më shtyri të kujtoj këtë burrë të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të Kombit, pikërisht këtë vit, të shpallur nga Shqipëria dhe nga Kosova si Viti i Gjergj Kastriotit Skenderbeut — 50-vjetë më vonë — me rastin e 550-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Por fatkeqësisht, në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve duket se është harruar Gjergj Kastrioti – Skenderbe – ndërkohë që zyrtarët më të lartë të dy shteteve shqiptare si dhe media në përgjithësi, flasin më shumë për influencën e Presidentit të Turqisë, Recep Erdogan në trojet shqiptare se sa për trashëgiminë dhe për porositë e Gjergj Kastriotit-Skenderbe për bashkim. Kjo temë nuk është subjekt i këtij shkrimi modest, por le të këthehemi tek kontributi historik i Peter Çikos, duke cituar disa prej bashk-kohasve dhe bashkpuntorve të tij, të cilët e kanë njohur atë nga afër, si person dhe si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, që përveç manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë dhe në Vatikan në vitin 1968, organizoi gjithashtu edhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe Seminarin Ndërkombëtar të Vatrës në Nju Jork në vitin 1969.

Ernest Koliqi, një bashkrendues dhe bashkorganizator i manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Itali kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese dhe për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çikos për të bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. “I lindun e i rritun në tokën amerikane, dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndamuna”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër ashtu nga dasahmirë të ri, ia doli qëllimit në skaj: organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.” Ernest Koliqi e pagëzon Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi ose( Unifikatori) i gjakut të shprishur”. Koliqi në të vërtetë e krahason Peter Genc Çikon me më të njohurit e historisë shqiptare, duke u shprehur se, “Instinktivisht, ndoshta pa dijeni t’imtë të rrethanave historike shqiptare, Ai ka rrah udhën diellore të Shqiptarëvet më të mëdhej: t’atyne që tue fillue prej Skenderbeut dhe tue mbarue tu Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, u munduan me mish e me shpirt t’i bashkojnë Shqiptarët. Peter Çikos ndoqi shembullin e tyne”, përfundon Koliqi nderimin e tij për punën dhe veprimtarinë e këtij shqiptaro-amerikani të njohur.

Ndërsa një tjetër eskponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne. Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimoren e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”

Ndërsa Martin Camaj, poeti dhe shkrimtari në mërgim thotë se e kishte takuar për herë të parë Peter Genc Çikos në Romë në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, i cili megjithse i lindur në Amerikë, i kishte lënë poetit të Dukagjinit një përshtypje të mrekullueshme, siç shprehet Camaj, me “korçarçen e tij të bukur me elementa të shqiptimit amerikan”. Martin Camaj ka shkruar se e kishte njohur Çikos-in si “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar, për të ia pasë lakmi”. Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i “Sollën nderimin emrit shqiptar në botën amerikane.” Ne shkruajmë e flasim për meritat e Fan Nolit e të Faik Konicës për krijimin e një qëndre shqiptare në Amerikë e cila luajti një rol të dorës së parë në mbrojtje të interesave të Kombit Shqiptar, por shton Martin Camaj, shpesh “Harrojmë e nuk vemë në dukje sa duhet ndihmesat e etërve të Peter Chicos-it me shokë, të cilët dijtën të organizoheshin, e ndanë deri kashatën e gojës për ta mbajtë në kambë këtë vepër të madhe. Këta e banë këtë me thjeshtësi dhe pa trumbetime mburrëse”, është shprehur poeti e shkrimtari Martin Camaj, me rastin e vdekjes së Peter Çikos më 1970. Camaj e ka kujtuar atë si një “Të rritun e të burrnuem në nji botë shqiptaro-amerikane i cili kishte ndjenjat e të atit, shqiptar me përmallim të pashlyeshëm për vendlindje…” Është kjo ndjenjë shqiptaro- amerikane e Peter Çikos që i kishte lënë një përshtypje të thellë edhe albanalogut të njohur italian At Zef Valentinit, se me të takuar Peter Çikos i ishte dukur sikur, “Me ‘të në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës, dhe ashtu kishte hi përnjimend Amerikanizma në shërbim të Shqiptarizmës.”

Në Korrik të vitit 1970, Vatra ka humbur Kryetarin e vet ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan humbi burrin e madh, shqiptaro-amerikanin e ndershëm dhe krenar, diplomatin dhe njeriun që besonte me gjithë zemër dhe bëri aq sa kishte mundësi dhe rast për bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim këtu në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë, ndërsa komuniteti ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbi unifikuesin e vet. Siç ka shkruar edhe Skendër H. Hasani në një shkrim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit, Peter Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por me program të caktuar bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës.”

Vdekja e Peter Çikos në Korrik të vitit 1970, në një mosh relativisht të re, ishte e rëndë për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, por shembulli dhe nami i tij prej një unifikuesi të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, ideologjie a krahine, sidomos në këtë 550-vjetor të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe, duhej të shërbente si një rast për bashkimin e fuqive më të shëndosha intelektuale, morale dhe kombëtare, në shërbim të interesave më të larta kombëtare, jo vetëm këtu në diasporën tonë në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pikërisht ashtu siç bëri edhe Peter Genc Çikos me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit Kombëtar të Shqiptarëve në vitin 1968.

Peter Çikos Me Z. Anthony Athanas në Romë, 1968

Peter Çikos tek varri i Faik Konicës me Mons. Zef Oroshin, Nikoll Shkoza, Prof.Ernest Koliqi, Ndue Gjomarkaj, Christo Thanas, Dr Ismail Vërlaci, Ing, Ago Agaj, Sejdi Bytyçi dhe Gjon Buçaj

Peter Çikos me Dr. Hamdi Oruçin dhe me Anthony Athanas në Romë në sallën e madhe të Universitetit Antonium me rastin e ceremonive përkujtimore me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit – Skenderbe, 1968

Peter Çikos në Romë në mes të emigrantëve shqiptarë: shihen Dom Prenk Ndrevashaj, Piktori Lin Delija, Mac Mckeever, Dr. R. Frashëri, At Malaj, Albert Akshija, Ernest Koliqi, e të tjerë

*Fotografitë janë marrë nga revista Shëjzat të viteve 1968-1970

KUR SERBI E MBRON KOSOVËN ME SHUMË SË PRESIDENTI THAQI!! – Nga Prof. dr. BINAK MAXHARRAJ

 

Në një postim timin të para do ditëve  me titull:Kriminieli Vuçiq dhe “paçesori”Hashim Thaçi”,e pata quajtur Vuçiqin si kriminel lufte i cili tashti po bisedon për “paçë” me “paçesorin” Hashim Thaqin,sepse Vuçiq ishte minister i Millosheviqit dhe bante pjese ne Partinë shoveniste-çetnike te Milovan Sheshelit.Por disi Hashim Thaçi sikur nuk u pajtu me këtë duke thanë së është fat i mire që po bisedonte me “paqesorin”,pra njeriun e paçës A.Vuçiq.

Hashim Thaqi e rrembeu me forcë timonin për ti udheheqë këto bisedime finale me Serbin pa ndonjë autorizim nga Parlamenti,pa nje konsesus dhe unitet te mbrendshem.Ky njeri qe mbi shtatë vjete merrë pjesë ne keto bisdeime te pafundme,te paqarta dhe konfuze nuk solli asgjë te mirë për Kosovën,asnje Mareveshje me vlerë për te mirën e Kosovës,pos qe te gjitha ishin te damshme për Kosovën.Na e solli Demarkacionin me Malin e Zi ku i humbem mbi 80 mije hetktarë tokë,e nenshkroi me 2015 Mareveshjen me te rrezikshme për Kosovën për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe,e cila ishte me 23 vjrejte te kundërta me Kushtetutën.Ky njeri sikur done qe nëpër deren e kapiçikut te sjell nje “mini shtet serb”mbrenda Kosovës,e kjo do te ndodhë nese zbatohet  Mareveshja tinzare qe ai e ka nenshkruar ne Bruksel.Është plot pompozitet kur thotë se duhet te bisedohet rrafsh pakushte e vija te kuqe me Serbin,anipse Serbija që 19 vite insiston qe vija e kuqe te jete te ura e Ibrit,te cilen ure nuk pati guxim kurr ta kaloi Hashim Thaqi.Duhet te bejmë kompromise te dhembshme me Serbin,kur Serbia nuk benë kurrfare kompromisi për Kosovën.Duke i patur parasyshë të gjithë këto ky njeri nuk e ka përkrahjën qe ti vazhdoi këto bisedime,sepse nuk ia kanë besën,sepse mund lehte te”baje kompromise te dhembshme” ne dame te Kosovës,e sidomos kur është fjala te formimi i Asiciacionit te Komunave me shumicë Serbe me kompenteca ekzekutive,qe faktikishte jo vetem qe është antikushtetues,por ne thelbë e prekë edhe sovranitetin e Kosovës,sepse kështu Veriun e Kosoves e ka ne dore Berogradi,udhehqe she qeveris me te si te dojë,e kjo ngadal qonë deri te ndarja totale e veriut.

Pra “Thembra e Akilit” ne këto bisedime do te jete formimi i Asiciacionit te Komunave me shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive.Kjo do te ndodhë nese Thaqi nuk do te ndalohet,sepse për këtë ai e ka nenshkruar Marveshjen ne Bruksel  qysh ne vitin 2o15 pa e vete askend.Pra,e ka hanger karremin,se a do ti jetë ne fyte mvaret nga ajo se a do te ndalet ky njeri apo jo.

Por,jo vetem Shqiptarët që nuk pajtohën me këtë “doktrinë shkaterruese”te Thaqit,por ka edhe zera te arësyeshëm edhe nga ana e Serbeve te Kosovës te cilët e kundështojnë Thaçin duke  në mbrojtje  Kosovës me shumë se Hashim Thaqi.Njeri ndër ta është edhe ish ministri për Komunitet dhe Këthim ne Qeverin e Kosovës Sllavisha Petkoviq.

Sllavisha Petroviq nuk është serb hibrid i Kosovës,nuk është ndonjë kriminel i tipit te Aleksandër Vuçiqit Daçiqit,Milosheviqit apo Sheshelit,por është një qytetar i Kosoves si te gjithë te tjeret,nuk banë dallim se a je ti shqiptarë apo serb.Fill pas luftës e formoi Partin e tij,e cila edhe fitoj shume vota ne Parlamentin e Kosovës ,ku edhe vete u ba minister,i cili sa ishte minister nuk e kishte mendjen e as syt nga Beogradi por kah Kosova.Për kete arësye Beogradi e shihte si te “rrezikshem” dhe hyri ne veri me forcen me te madhe per ta qite jashtë rrjedhave politike Sllavisha Petkoviqin,duke e formuar njefarë “Lista Srpska”,me plotë serb kriminela,hajna,te korruptuar te tipit Radojçiq te cilit Ramusha harajdinaj po i bie ne gjuj, te cilët me forcë e zapuen Veriun për interesa te Beogradit,dhe së kjo “Lista Srpska” me mednje e sy nuk është kah Kosova por nga Beogradi,vepron dhe zbaton çdo gjë së çka ju thotë “paçësori” i Hashim Thaqit Aleksandër Vuçiq.

Sllavisha Petkoviq këto ditë edhe u prononcue publikisht duke thanë se na sërbët e Kosovës nuk duhet te kemi me shumë të drejta te garatuara me Kushtetutë se sa qe kanë pakicat tjera kombetare ne Kosovë.Petkoviq nuk pajtohet me Hashim Thaqin edhe kur është fjala për formimin e Asiciacionit te Komunave me shumicë Serbe.Ai thotë se ne Kosovë duhet te jetojm se bashku e jo ndaras.Nuk mund te këtë sistem te tretë juridik te pushtetit,nuk duhet te kete”mini shtet” ne shtetin e Kosovës,nese nuk ndalet Projekti i Hashim Thaqit kjo do te ndodhlë në Kosovë,kjo puna e Asaociacionit është ide e keqe thotë Petkoviq,sepse nuk duhet dhe nuk mund te ketë Asiciacon me kompentenca ekzekutive,sepse de facto kjo do të ishte ndarja e Kosovës,sepse Asociacioni sipas tij do ti prishte edhe kufijtë e Kosoves,dhe kjo nuk është zgjidhja me e mirë,sepse do te çonte Kosovën edhe ne ndonje luftë eventuale,duke përfunduar se na serbet ne Kosovë nuk mund te kemi me shume te drejta së sa qe kanë komnitetet tjara pakicë ne Kosovës.E qartë,shumë i çartë është ky njeri i cili po rezonon me esull së sa Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Pra, ky është qendrimi i nje ish ministrit ne Qeverin e Kosovës,keshtu mendojnë edhe shumë serb të tjere te cilët deshirojnë te jetojnë ne paqe me shqiptaret dhe te tjeret ne Kosovë,por kështu nuk mendojnë kriminelt serb te rreshtuar dhe te kapur nga Beogradi përmese te ashtuquajturës”Lista Serpska”të kapur nga krimineli ordinar Radojçiq,te cilët nuk e kanë qellim jetesën e përbashkët ne Kosovë,por ndarjen e saj,e cila sipas tyre do te vije përmes formimit te Asociacionit te Komunave me shumeicë serbe me kompetenca ekzekutive qe bie ndeshë me Kushtetuten dhe e atakon direkt sovranitetin e Kosovës.

Se a do te vije deri te kjo mbetet te shihet,por nje gjë është e qartë se nese Hashim Thaqi lihet i vetem ne keto bisedime kjo edhe do te ndodhë dhe Kosova do te futet ne ngaterresa edhe me te medha.Klasa politike tash ose kurr duhet te jete ne krye te detyres qe te mos e lejoj te ndodhë kjo.Kjo mund te anashkalohet duke e formuar nje ekip unitetit,pa Thaqin ne krye,me plateformë dhe kerkesa te te qarta se çka donë,pa kompromise,sepse Kosova nuk ka se për çka ti beje Serbise komromise sepse nuk i ka asgje borgj asgjë.

Po pse jo,ne kete ekip te  unitet te përfshihe edhe ndonjë serb i kalibrit te Sllavisha Petkoviqit,i cili po i del ne mbrojtje Kosovës më shume se sa shume pushtetar tanë.

SUBVERSIONI RUS NË GREQI – ALARM PËR BALLKANIN – Nga SHABAN MURATI

Njoftimi i autoriteteve zyrtare greke në 11 korrik se Greqia ka dëbuar dy diplomatë rusë dhe u ka ndaluar hyrjen në vend dy të tjerëve, përbën një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për marrëdhëniet greko-ruse, por për krejt Ballkanin. Nga Greqia vjen një pamje dhe një dëshmi e re e veprimtarisë tradicionale ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe e subversionit të vazhdueshëm për të vendosur influencën dhe kontrollin e jetës së vendit. Në 12 korrik zëvëndësministri i jashtëm grek, Georgos Katrougalos, e specifikoi se ”Ne kemi reaguar ndaj asaj, që e konsiderojmë shkelje të detyrimeve ndaj ligjit ndërkombëtar, në mbrojtje të sovranitetit tonë”.
Denoncimi zyrtar i veprimtarisë së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi duhet të rizgjojë disa alarme në institucionet e specializuara shtetërore të të gjitha vendeve ballkanike, përshirë edhe Shqipërinë. Sepse kur kjo veprimtari ndodh në Greqi, një shtet shumë i afërt me Rusinë, është lehtë të imagjinohet se çfarë po bëjnë shërbimet diplomatiko-sekrete ruse në shtetet tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Përse duhet ngritur një alarm ballkanik nga ngjarja e re diplomatike greko-ruse?
Së pari, duhet thënë që Rusia zhvillon një veprimtari ndërhyrje dhe cënimi të sigurisë kombëtare në një shtet shumë mik, me një qeveri shumë mike të Rusisë. Greqia është antarja e NATO-s dhe e BE, që nuk u bashkua me afro 30 shtete të BE dhe të NATO-s, të cilët në muajin mars të këtij viti dëbuan diplomatë rusë. Greqia është shteti që nuk u bashkua me sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë. Greqia nuk e ka dënuar asnjëherë aneksimin e Krimesë. Greqia i dha Rusisë hapësirën ajrore për kalimin e avionëve ushtarakë në ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri. Kaq flagrante duhet të ketë qenë veprimtaria e shërbimit diplomatiko-sekret rus kundër interesave kombëtare greke, sa që Athina u detyrua t’i dëbojë diplomatët ruse. Madje qeveria greke e kishte paralajmëruar Moskën për këtë veprimtari të paligjshme të diplomatëve rusë, por Moska, e cila përçmon miqësitë e shteteve të vogla, nuk e mori në konsideratë paralajmërimin. Iu duk habi kur iu dëbuan diplomatët spiunë dhe në datën 13 korrik MPJ ruse thirri ambasadorin e Greqisë në Moskë për t’i shprehur protestën dhe për të lëshuar akuzën absurde se “Uashingtoni qendron prapa këtij vendimi antirus të qeverisë greke”. Në datën 12 korrik, siç njoftonte portali i njohur rus “lenta.ru”, MPJ ruse bëri të ditur anullimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus në Athinë.
Së dyti, Rusia zhvillon një veprimtari të ndërhyrjes në një shtet të vjetër anëtar të NATO-s dhe të BE. Kjo do të thotë që anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk sjell ndërprerje automatike të ndërhyrjes ruse. Kjo do të thotë që të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, anëtarë të rij të NATO-s dhe të BE, janë objekt i veprimtarisë së gjithanëshme ruse për influencë. Me metodën e karambolit diplomatiko-subversiv në Greqi, Moska synonte të sabotonte hyrjen e Maqedonisë në NATO, por këtë metodë pritet ta bëjë me çdo shtet tjetër të rajonit, që aspiron për në NATO.
Së treti, Rusia ka ndërhyrë hapur në procese të jetës së brendshme politike greke. Ajo ka ndërhyrë në përplasjen aktuale të skenës politike greke midis qeverisë dhe opozitës lidhur me marrëveshjen me Maqedoninë për emrin. Interesi strategjik i Rusisë është që Maqedonia të mos hyjë në NATO dhe kjo arrihet duke mbajtur gjallë pengesën e deritanishme greke të emrit. Në funksion të këtij qëllimi Moska mobilizoi në një fushatë urgjente shërbimet e saj diplomatiko-sekrete për të sabotuar marrëveshjen e Athinës me Shkupin për emrin. Moska financoi, organizoi, përkrahu dhe sponsorizoi të gjitha forcat politike proruse dhe manifestimet e protestës në Greqi kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Shërbimi diplomatiko-sekret rus ndërhyri direkt tek deputetët e parlamentit grek, duke i shantazhuar dhe duke u përpjekur t’i korruptojë me para, që të votonin kundër marrëveshjes për emrin. Kemi metodën ruse të ndërhyrjes tek deputetët edhe në shtetet e tjera të Ballkanit për të ndikuar në miratimin apo refuzimin e ligjeve sipas interesave ruse. Portali “intelnews.org” shkruante në 12 korrik se “disa raporte thonë që rusët janë kapur ndërsa përpiqeshin të shantazhonin deputetët grekë kundër zgjerimit të NATO-s. Diplomatët rusë janë përpjekur të bindnin deputetët grekë përmes kërcënimit dhe ryshfeteve, ose të të dyjave bashkë, që të votonin kundër marrëveshjes me Maqedoninë”.
Së katërti, tërheq vëmendjen veprimtaria e shërbimit dplomatiko-sekret rus për të kontrolluar dhe për të përdorur kishën ortodokse greke për qëllimet ruse. Burime zyrtare greke kanë deklaruar me këtë rast se diplomatët rusë jo vetëm mobilizuan rrjetin e tyre në strukturat kishtare në gjithë qytetet dhe komunat, por ata qenë dhe organizatorë të manifestimeve të protestës, të thirrura nga kisha ortodokse greke kundër marrëveshjes për emrin. “Kathimerini” theksonte në 11 korrik se “Shoqata Imperiale Ortodokse Palestineze”, e krijuar dhe drejtuar nga Rusia në Greqi, është një nga grupet fetare, që përpiqet të nxisë influencën ruse në Greqi, përfshirë edhe komunitetin ortodoks grek të Malit Atos. Gazeta “Njujork Tajms” shkruante se kjo shoqatë ruse “dyshohet se është kanali i influencës ruse në Greqi, sidomos në Malin Atos”. Sipas mediave greke, edhe qendrimi zyrtar i manastireve të Malit Afon, që u shpall në fund të qershorit kundër marrëveshjes për emrin dhe kundër qeverise greke, lidhet me nxitjen ruse. Strategjia e veprimtarisë subversive ruse për përdorimin e kishës ortodokse për qëllimet e politikës së jashtme ruse, që u zbatua brutalisht në Greqi, haset në të gjitha shtetet e tjera të rajonit, ku kisha ruse po mobilizon lidhjet me kishat ortodokse për t’i aktivizuar ato në shërbim të interesave të Rusisë në Ballkan.
Së pesti, shërbimet diplomatiko-sekrete ruse u investuan dhe financuan shumë në fushën mediatike dhe në rrjetet sociale greke për të mobilizuar opinionin kundër marrëveshjes për emrin me Maqedoninë. Fryrja e emocioneve nacionaliste dhe megallomane në mediat dhe rrjetet sociale greke ishte një megaoperacion i organizuar nga shërbimet ruse për të ngritur opinionin kundër marrëveshjes për emrin.
Flagranca dhe metodat aktuale të ndërhyrjes së shërbimit diplomatiko-sekret rus në Greqi përbëjnë një alarm të ri për intensifikimin dhe shtrirjen e veprimtarisë së Rusisë në rajon. Është një alarm, që duhet t’u hapë sytë të gjitha shteteve të rajonit se rrymat e nëndheshme ruse po shkojnë drejt baticës së tyre dhe po e bëjnë më të brishtë situatën gjeopolitike të rajonit. Shqipëria, jo vetëm nuk është jashtë rrezes së kësaj veprimtarie, por është ndër objektivat preferenciale të strategjisë së Moskës për ndikim në dinamikën politike dhe për përhapjen e qendrimeve antishqiptare dhe antiatlantike, të cilat jo rastësisht po inondojnë forcat politike, mediat, rrjetet sociale, akademike dhe të quajturën shoqëri civile shqiptare. Idiotët e dobishëm të Rusisë në Tiranë, nga politika e deri tek mediat, jo vetëm po shtohen, por po guxojnë të dalin çdo ditë e më hapur.

Tranzicioni i gjatë shqiptar – ÇORBË E RINGROHUR APO RISÌ POLITIKE? – Nga EUGJEN MERLIKA

Fundi i dhjetvjeçarit të parë të mijvjeçarit të tretë p.K. e gjen politikën shqiptare, në pragun e betejës zgjedhore, me një sërë ndryshimesh. Dy forcat kryesore vijnë mbas një katërvjeçari qeverisjeje dhe opozite, në të cilin janë përleshur rreptë njëra me tjetrën, por kanë patur edhe çaste marrëveshjesh për probleme të rëndësishme, siç është ai i ligjit zgjedhor. Kjo dukuri, e urueshme në një demokraci të përparuar, ka arsyet e saj që, simbas mendimit tim, përmblidhen në dy faktorë: trysnia e të huajve që tashmë kanë vendosur t’a përfshijnë edhe Ballkanin Perëndimor në strategjitë e tyre euro-atlantike dhe ndryshimet në partinë socialiste që, deri në një provë qeverisjeje, mbeten një shpresë për t’u marrë në konsideratë.

Këtyre ndryshimeve u shtohet edhe numuri i pafund i partive të reja që, në sajë të ligjit elektoral, janë të detyruara të futen në koalicionet kryesore që duket se tashmë kanë marrë fizionominë e tyre. E reja më e rëndësishme e kësaj faze parazgjedhore mendoj se është dalja në skenë e Polit të lirisë, një force të spektrit të djathtë, e detyruar të hyjë në garë me koalicionin qeverisës në atë pjesë të shoqërisë. Misioni i kësaj force, simbas themeluesve, është “shtëpia e përbashkët politike për parti të djathta, të qendrës së djathtë dhe të qendrës, për reformatorët, intelektualët dhe individët e moderuar, që janë të shqetësuar për boshllëkun etik dhe politik mbi të cilin është i mbështetur sistemi i partive të vjetra politike.”

Përtej retorikës së këtij përkufizimi duket qartë synimi për të krijuar një alternativë së djathtës zyrtare të PD-së të Kryeministrit Berisha, në zonën e saj t’influencës, n’atë pjesë të trupit zgjedhor që ndjehet i dëmtuar nga gjysëm qindvjeti komunist, që quhet i shkëputur mendërisht nga ajo periudhë e që nuk gjen asnjë motiv lidhjeje me pasardhësit e saj të çfarëdo ngjyre. Shqiptarët, ende mbas gati njëzet vitesh të ndrrimit të sistemit, mbeten robër të të mendësisë pro e kundër, me të gjitha nuancat e këtyre koncepteve. Kështu të gjithë ata që, në forma të ndryshme, ishin të lidhur me regjimin vazhdojnë të votojnë për partitë e majta, qofshin ato të reformuara apo më pranë zanafillës. Kundërshtarët e komunizmit që, gjatë diktaturës, ishin në letargji apo bënin pjesë në ushtrinë e viktimave të çdo forme u sintonizuan me një ndryshim të telekomanduar, në funksion të ruajtjes së interesave themelore të kontigjenteve të parapëlqyera të regjimit në këmbim të formave dhe brendisë së tij. Si pasojë,  ata besuan fillimisht në PD, si  shprehjen e aspiratave të tyre për një rimëkëmbje e shpresë për të gjetur tek ajo një parti të ndjeshme ndaj morisë së padrejtësive të pësuara.

18 vite qeverisjesh të ndërsjellta mes PD-së e PS-së ende nuk kanë ndryshuar mendësinë fillestare, por kanë shkaktuar një zhgënjim në të dy krahët, që shprehet në një shifër të konsiderueshme të abstenimit në votime, të mos pjesëmarrjes në to. Zhgënjimi nga politika sot pushton një pjesë të mirë të popullsisë, edhe t’atyre që votojnë. Vështirë se i besojnë më premtimeve lumë të fushatave zgjedhore, mbasi shohin se politika në Vendin e tyre nuk është përpjekje për të zgjidhur problemet e tyre, por mjet për të fituar mirëqënie e pasuri për protagonistët, familjarët, miqtë, puthadorët. Ata shkojnë të votojnë, siç thonte dikur Montaneli, “duke mbyllur hundët” sepse, në një farë mase, janë ende t’ideologjizuar, sepse duan të zgjedhin “të keqen më të vogël”, sepse ende u pëlqen të shpresojnë.

Në këtë atmosferë, kur pothuaj dy të pestat e trupit zgjedhor janë jashtë garës, një forcë e re politike mund t’i verë vetes një synim të saktë: të pushtojë një pjesë të tij nëpërmjet një imazhi të pranueshëm, shpresëdhënës, një mesazhi që i drejtohet s’ardhmes por që ze fill në një të kaluar me të gjitha të veçantat e problemet e saj. A është apo a mund të bëhet Poli i lirisë ajo forcë? Është vështirë të jepet një përgjigje e saktë në këto ditë, por mund të përcaktohen premisat që do t’a bënin të mundur një gjë të tillë. Nëse Poli i lirisë, që ka kopjuar emrin e formacionit politik të Silvio Berluskonit n’Itali, do të jetë një shumë aritmetike e mendësive të përbërsësve fillestarë të tij (PDK, LZHK, PBD), nëse këto mendësi nuk do të shkrihen në një amalgamë të re, të hapur për ide e projekte të sakta, të qëndrueshme e të guximshme, e mbi të gjitha për njerëz të rinj, të shkolluar e të gatshëm jo për të synuar pasurimin e shpejtë, por përkushtimin, me një dozë sado të vogël idealizmi, ndaj problemeve të Shqipërisë, atëherë edhe Poli i sotëm do të hyjë në rutinën e zakonshme të shifrave t’ulta, pa asnjë peshë në jetën kuvendore.

Po të kthehemi mbrapa në kohë do të shohim se përpjekjet për të krijuar forca politike shemra të PD-së në të djathtën nuk kanë munguar në të shkuarën. Në vitet 1995 – 96 e Djathta e Bashkuar Shqiptare qe një prej tyre, më e rëndësishmja, më qenësoria. Mbaroi keq, në një dështim të plotë, mbasi forca e persona të papërgjegjshëm në brendësi të saj vozitën kundër, duke i ardhur në ndihmë tërthorazi strategjisë së përherëshme të PD-së për të mos lejuar formimin e forcimin e asnjë formacioni përfaqësues të shtresave antikomuniste që dilte nga kontrolli i saj.

Duket se Poli i lirisë sot ka një strukturë më të qëndueshme se ajo e DBSH-së. Pjesëmarrja, me funksion drejtues, e Aleksandër Meksit në këtë beslidhje është diçka premtuese dhe siguruese. Koha e shkurtër në dispozicion për të hartuar një program real, konkret e bindës për zgjedhësit shqiptarë, nuk luan në dobi të Polit, por nëse këtë program do t’a paraqesin persona me një fizionomi të pastër morale e me një potencial të dukshëm intelektual, ai mund t’i djegë etapat e të ketë një rezultat të mirë në përfundim të zgjedhjeve.

Prania e Polit në spektrin politik, pa dyshim, është një dukuri pozitive, jo thjesht për të qënë një “rifugio pecatorum” e disidentëve të PD-së apo kundërshtarëve e të zhgënjyerve të Berishës, por për të paraqitur profilin e një partie liberale të së djathtës, larg koncepteve stataliste e populiste të partive më të mëdha, zotëruese te skenës politike sot. Ai duhet të jetë një forcë politike që, pa ripërtërirë në mënyrë shabllone përvojat e partive kundër komuniste të së shkuarës, të bëjë një sintezë të frutëshme t’asaj trashëgimie me elementët themelorë të demokracive liberale të botës perëndimore. Në këtë mënyrë ai do të dalë nga skemat mashtruese të Katovices dhe të Ramiz Alisë, të cilat fatkeqësisht janë vepruese edhe në ditët tona.

Poli i lirisë duhet të jetë, në rradhë të parë, një forcë përtëritëse e shoqërisë shqiptare, luftëtare për një Shqipëri pa monopole të çfarë do forme ekonomike apo politike, për një Vënd që e bazon zhvillimin e saj mbi kritere të konkurrencës së lirë e të ndershme, ku njerëzit e aftë të prijnë në çdo fushë të jetës, për një Vend që don të shkëputet plotësisht nga trashëgimia e hidhur e një sistemi që i solli mungesën e lirisë, shkatërrimin e vlerave shpirtërore e intelektuale, prapambetjen ekonomike e kulturore, shkëputjen nga bota e qytetëruar, varfërinë kronike e mbretërinë e terrorit. Nëse Poli i lirisë do të dijë të jetë zëdhënës i kësaj Shqipërie, jo vetëm me fjalë, por me koherencë opinionesh, mendimesh e veprimesh, me një linjë të qartë, të tejdukëshme,  të vendosur e pa kompromis me krimin dhe paligjshmërinë, me njerëz të besueshëm, t’aftë e të ndershëm në mbrojtjen, përçimin e zbatimin e saj, ka mundësi që në pak kohë të bëhet një nga aktorët më me peshë në politikën e Vëndit tonë. Në të kundërt do të mbetet një sprovë e pasuksesëshme për të ndryshuar kuadrin ngjyrë hiri të saj.

Maj 2009

Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”

Tranzicioni i gjatë shqiptar – REAL – POLITIKA DHE KOMBI – Nga EUGJEN MERLIKA

 “Një vend që nuk njeh të djeshmen e tij nuk mund të ketë një të nesërme.”

INDRO MONTANELLI

 

Pas fjalëvet që tha Z. Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ vênduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme.”

Kjo frazë e thjeshtë, e shkruar në një fletë letre të bardhë nga Luigj Gurakuqi, e pasuar nga përkthimi turqisht e firmat e 37 përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, më 28 nëndor 1912, shënonte aktin e lindjes së të parit shtet të bashkuar shqiptar në historinë e gjatë të këtij populli. Ishte një lindje e vështirë, në një kohë të turbullt, kur perandoria që na kishte mbajtur më shumë se 400 vjet në trupin e saj trekontinentesh ishte në grahmat e fundit, në një fillim shekulli të trazuar që do të shënonte në almanakun e tij tragjeditë më të mëdha e diktaturat më mizore.

Ata idealistë që, me shumë mund, e mbajtën në shpërgënj fëmijën shtet, t’ëndërruar prej trimijë vitesh si Mesinë, lutën Zotin që ai të rritej i shëndoshë e të ruante të gjitha gjymtyrët e trupit të tij. Por ajo lutje mbeti vetëm një dëshirë, një ëndërr e, si pasojë e dhunës që historia ushtroi mbi të, u kthye në një ideal, për të cilin punuan dy breza shqiptarësh. Ideali qe Shqipëria e bashkuar në kufijtë e saj etnikë. Qe një ideal paqësor, i natyrshëm, i çiltër e i dlirë në vetvete, por i paracaktuar të mbetej vetëm një vegim, mbasi sendërtimi i tij në vitet 1941 – 44 kaloi si një meteor, pa lënë gjurmë, jo vetëm për kohën e shkurtër por edhe për rrethanat në të cilat ndriçoi.

Arsyet e dështimit t’idealit janë të njohura, por të pamjaftueshme për të zbehur joshjen e tij në vetëdijen e kombit. Grushti vdekjeprurës që mori nuk ishte vetëm ai i vendimeve famëkeqe të konferencave të ndryshme ndërkombëtare, që nga Londra (1913) deri tek Jalta (1945), i luftrave botërore e pasojave të tyre, por edhe i një ideologjie të bazuar në “internacionalizmin proletar”, të përqafuar verbërisht nga fituesit e nëndorit 1944. Për 47 vite me rradhë Shqipëria zyrtare bashkëjetoi me idenë e përjetësisë së ndarjes së trojeve të saj, duke mallkuar, përbaltur e dënuar të gjithë ata shqiptarë që mbanin të ndezur në zemrat flakën e idealit të kombit të bashkuar. Me këtë frymë u rritën e u edukuan dy breza shqiptarësh, për të cilët kosovarët ishin miq kurse jugosllavët, rusët apo kinezët ishin “vëllezër” e shkuar vëllezërve të idealit…

Pasojat qenë rrënuese në arkitekturën shpirtërore të një populli që, falë një proçesi historik të pashmangshëm evropian, siç qe shëmbja e komunizmit, në teori duhej të kishte fituar lirinë e të kishte rifituar vlerat e përdhosura, të humbura e të groposura nga një regjim kundër kombëtar. Fatkeqësisht ndryshimi i sistemit ndikoi pak në drejtim të ringjalljes së vlerave qenësore të kombit, të rishikimit në kah vetëqortues të historisë së tij, të rivlerësimit në vështrim objektiv të kësaj të fundit. Kjo ndodhi mbasi mendësia dhe njerëzit që mbarështuan pas komunizmin ishin pjella shpirtërore dhe intelektuale të regjimit e ideve të tij, të paaftë të shkëputeshin realisht nga nënëvetëdija e trashëguar dhe formimi konceptual i fituar.

Qindvjetori i Pavarësisë e gjen kombin shqiptar të ndarë në pakica kombëtare, të njohura zyrtarisht në Maqedoni, Sërbi e Mal të Zi, posë dy shteteve të pavarura, Shqipërisë e Kosovës e qindra mijra qytetarëve të tyre, të shpërndarë në gjithë globin. E gjen më mirë se sa shumë përvjetorë të tjerë, mbasi mund të gëzojmë Kosovën e pavarur nga Serbët, por të kushtëzuar aq shumë nga liria e fituar, sa që të mos mundet as t’a festojë atë përvjetor…

Sigurisht ëndrra e firmatarëve të Vlorës, në krye të një shekulli, është bërë copë e thërrime. Kjo jo vetëm se Shqipëria që, në përfytyresën e tyre, duhet t’ishte Zvicra e Ballkanit, mbeti ende vëndi më i varfër i Evropës, por edhe se shqiptarët, në nivele të ndryshme të drejtimit të shteteve e bashkësive të tyre, kanë lënë peng n’altarin e Evropës gjithshka që përbënte idealin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar së bashku në trojet e të parëve.

Bjerrja morale, ndërthurur me mungesën e vullnetit për të qenë bashkë, do të merrte përmasa të frikshme kur prekte klasën politike, atë që do të duhej të ishte rojë e parë, së paku për çështjen numër një të kombit. Edhe këtu do të shtrohej pyetja nëse klasa politike, për shkak të dobësisë së saj, arrinte të sëmurej prej pezmatimit moral, apo ishte ajo vetë që e nxiste atë.”

Solla këtu një fragment të shkurtër nga sprova letrare e fundit e më të madhit nga shkrimtarët shqiptarë n’aktivitet, vëllimi “Mosmarrëveshja” i Ismail Kadaresë. Duke mos vënë në diskutim vlerat e përgjithshme të studimit, mendoj se kapitulli i fundit që titullohet “Epilog me Zotin”, është një kryevepër thellësie zbërthyese e stili në paraqitjen e një dukurie sa trishtuese aq dhe të hidhur për shoqërinë shqiptare, siç është ajo e braktisjes zyrtarisht e, jo vetëm, e asaj ideje të kombit të bashkuar, së cilës paraardhësit tanë i kushtuan gjithshka, mëndjen e zemrën, fuqitë, energjitë e vrullet shpirtërore, pasuritë, familjet e shpesh edhe jetën e tyre.

Sot përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë “demokratike”, zv.kryeministri Haxhinasto, shkon në Prishtinë, n’atë trevë historike ku u shkrua saga e pavdekshme e Lidhjes së Prizrenit e ku zu fill kryengritja e madhe e vitit 1912, për të deklaruar botërisht se “ Tirana nuk mbështet idetë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”!!! “ O tempora, o mores!” shpreheshin romakët e lashtë. Nuk mund të kishte shuplakë më të fortë se sa kjo për kujtimin e atyre dhjetra mijra vullnetarëve të Lidhjes e të Malësive të Veriut që, me forcën e armëve e të idealeve atdhetare, bënë të ndërroheshin  tri herë vendimet e të mëdhejve të Berlinit, deri sa flota ndërkombëtare të garantonte zbatimin e tyre, nëpërmjet gjymtimit të parë të madh që pësonte Shqipëria etnike.

Ministri nuk shqetësohet për këtë shuplakë, madje krenohet me të, sepse është në vazhdën e atyre që, për dhjetra mijrat e kosovarëve të masakruar nga serbët, në një gjysëm shekulli të socializmit, dhanë ndihmesën e tyre të çmuar, duke shkelur mbi të gjitha parimet fisnike që bartëte në vetvete geni i shqiptarëve. Por a është vetiak mendimi i ministrit, apo shpreh një vijë, një koncept zotërues të qeverisë së tij e, më gjërë, të politikës shqiptare në shtetin amë, që gjen jehonë në segmentet e shumicës qeverisëse edhe në Kosovë? Duke mos parë asnjë kundërveprim zyrtar të opozitës në Shqipëri e të pozitës në Kosovë mendoj se, fatkeqësisht është kështu. Në atë rast është e kotë të merremi me personin zyrtar dhe qeveritarët t’i falim se NUK DIJNË  SE Ç’BËJNË !

Problemi është më i gjërë e më i thellë e duhet trajtuar në dy vështrime. I pari është ndjenja e përgjithshme kombëtare, qëndrueshmëria, prirja e shqiptarëve për t’a ruajtur si vlerë e për t’a patur si synim, apo  braktisja e saj në  dobi të një iluzioni e vizioni më të hapur : të të qënit qytetarё të Evropës së bashkuar. I dyti është projeksioni i kësaj prirjeje në klasën politike që, në teori, duhet të jetë filtri i sintezës së saj e i kthimit në një vizion politik të qartë e pa mëdyshje .

Vështrimi i parë kërkon një analizë të plotë, për të cilën do të na kishin ndihmuar shumë sondazhet e opinionit në të gjitha trevat shqipfolëse, por kryesisht në Shqipëri e Kosovë. Shqiptarët e sotëm nuk janë ata të njëqind apo gjashtëdhjetë viteve më parë, kur koncepti i atdheut dhe përkatësisë së tij ishte më i ndjerë e më i fuiqishëm. Por mendoj se edhe sot ajo ndjenjë e afërsisë së gjakut, e njëjtësisë së gjuhës, e bashkësisë së traditës e interesave, ideja se një komb i bashkuar ka më shumë mundësi të shkojë përpara në krahasim me entitetet e veçanta e të vogla, do të ishin bindëse e përcaktuese në kushtet e një shprehjeje të lirë të vullnetit të shqiptarëve. Por sot as që guxohet të merret në shqyrtim një mundësi e tillë, sepse në përfytyresën e përgjithshme të politikës evropiane ajo klasifikohet si një blasfemi, si diçka që nuk duhet çuar nëpër mënd, mbasi do të shpinte në “destabilizimin” e Ballkanit e më gjërë. Konkretisht kemi të bëjmë me një vështrim të ngurtësuar të problemit, që ka hedhur rrënjë në plogështinë mendore të diplomacisë evropiane, që është kthyer në një farë tabuje, së cilës i bëjnë jehonë jo vetëm burokratët e kancelerive të ndryshme të Brukselit, Strasburgut apo Pallatit të qelqtë, por edhe mas-mediat e një pjesë e mirë e opinionit publik.

E keqja e madhe është se një “tabu” e këtillë është përvehtësuar edhe nga politika shqiptare në të majtë e në të djathtë të Drinit, me përjashtime të rralla siç është Vetvendosja në Kosovë. Arsyet janë të ndryshme por, mbi të gjitha është ndjenja e ligjshme e mirënjohjes ndaj faktorëve ndërkombëtarë, që bënë të mundur pavarësinë e Kosovës, fitores më të madhe të kombit shqiptar, mbas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë motiv nuk mund të ketë vërejtje, por krahas tij ka dhe arsye të tjera që përcaktojnë një nënështrim të plotë të mendimit politik shqiptar ndaj real-politikës evropiane apo amerikane. Shkaqet mendoj se duhet t’i kërkojmë jo vetëm në vartësinë objektive ndaj qendrave vendim marrëse të politikës botërore, po edhe në nivelin e ulët profesional e madje edhe të profilit karakterial të klasës së improvizuar politike të Shqipërisë e, pjesërisht, edhe të Kosovës.

Këta zotërinj që sot kanë nderin dhe detyrën të përfaqësojnë kombin shqiptar, duhet të kenë kurajon qytetare e politike të nxjerrin nga naftalina shumë dhjetëvjeçare aspiratën mijëvjeçare të popullit të tyre. Të bisedohet mbi një bashkim të mundshëm mes Shqipërisë e Kosovës, nëse qytetarët e të dy Vëndeve e dëshirojnë një gjë të tillë, nuk është një “sakrilegj”, as një sfidë që u bëhet fqinjëve, Evropës, apo paqes në Ballkan e më gjërë. Evropa, e kuptuar jo thjesht si emri i kontinentit, por si model i zhvillimit ekonomik e shoqëror, si djep qytetërimi, prej të cilit rrjedhin vlera morale, intelektuale e politike, të cilat ne vetë i kemi huajtur për t’i shartuar në bazën e mendësisë sonë, duke i konsideruar të qenësishme për ecjen tonë përpara, mbetet gjithmonë synimi kryesor i shoqërisë sonë. Futja zyrtare në organizmat politike e organizative të saj nuk është vetëm objekt i politikës e cila, në vënd të rrjeshtimit të pafund të vetëlavdërimeve të pamerituara, duhet të spjegojë përse rruga jonë drejt Evropës është gjithmonë në të përpjetë, pse i ngjasojmë një anijeje pa busull në det të hapur e pse i arrijmë gjithmonë të fundit objektivat e mëdha. Në këtë drejtim ka shumë të thotë, sepse është ajo kryekëput përgjegjëse për zvarritjen e pafalshme të proçesit të integrimit evropian.

“Teoria” e ministrit Haxhinasto dhe gjithë politikës zyrtare shqipfolëse se “ Teza për bashkime, për shkëmbime territoresh, janë teza të dëmshme që nuk shërbejnë aspak, e aq më pak u shërbejnë shqiptarëve…”është vetëm një refleks i kushtëzuar i diplomacisë evropiane, e cila nuk ka anjë dëshirë të përballojë problemet që ajo vetë i ka krijuar në shekullin që shkoi e kujtohet për to vetëm nëse gjindet para malit të kufomave. Bën një përshtypje të keqe kur ajo bëhet vija drejtuese e shtetit shqiptar e, sinqerisht, nuk arrij të kuptoj se si mund të motivohet publikisht “dëmi” imagjinar që paralajmërohet, pasojë e një mosarsyeje që nuk bind asnjë fëmijë filloreje. Ajo diplomaci e, së bashku me të, dhe “politikanët pa atdhe” të markës shqiptare, siç i përkufizon bukur Kadareja, do të bënin mirë të kthenin vështrimin jo më shumë se njëzet vite mbrapa, duke bërë një krahasim të thjeshtë  mes Evropës s’atëhershme e kësaj të sotmes.

Pa hyrë në hollësitë e kthesave epokale të bashkimit t’Evropës së Lindjes me simotrën e saj të Perëndimit, dua të kujtoj ndryshimet e kufijve e të territoreve të kryera, që nuk kanë shkaktuar as kataklizma, as cuname në jetën e Evropës, siç profetizonte shumkush në fillimin e viteve 90-të. Bashkimi i Gjermanisë qe një proçes politik që vulosi fundin e një epoke historike, një ngjarje përmasash të jashtzakonshme në drejtpeshimet e Evropës. Megjithëse u kundërshtua nga mjaft prej drejtuesve të Perëndimit u krye pa trauma, sepse populli gjerman e deshi e sepse pati në krye të qeverisë federale një burrë shteti të vërtetë që diti të bindë të lëkundurit brënda e jashtë kufijve se e ardhmja e atij populli duhet t’ishte e përbashkët dhe e njëjtë për të gjithë qytetarët, se Gjermania e bashkuar nuk ishte një “rrezik” por një faktor force e paqeje për gjithë kontinentin, se kombi gjerman ishte një e meritonte t’ishte i bashkuar, pavarësisht nga çmimi që duhej paguar.

Ndryshe menduan ish përbërësit e Çekosllovakisë, që kërkuan të jenë secili në vete, duke u ndarë paqësisht mbas një referendumi, duke krijuar dy shtete të veçanta. Federata serbo – kroato- sllovene, krijesa më “largpamëse” e Konferencës së Versajës në sintoni me interesat e Francës dhe Anglisë, sapo ra sistemi komunist u bë copë e thërrime, duke lënë pas vetes gjashtë shtete të reja në hartën e Evropës. Kosova, në sajë të qëndresës së popullit të saj, të udhëhequr me largpamësi nga Kryetari Rugova, duke patur si katalizator luftën e armatosur të UÇK-së, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që nuk mundi të qëndronte më gjatë vëzhguese e thjeshtë e krimit shtetëror të serbëve e të Milosheviçit, fitoi pavarësinë.

Pamja e re e Evropës së sotme që theu monotoninë politike të një gjysëm shekulli, duke hedhur në koshin e plehrave statu-quon e mbas luftës së dytë botërore, qe një fitore e arsyes, e së drejtës, e vullneteve të popujve. Si e tillë qe një hop i madh cilësor në ristrukturimin e një kontinenti që, megjithë vështirësitë, mbetet gjithmonë një pikë riferimi për mbarë njerëzimin. Në këtë kuadër problemi i shqiptarëve mbetet ende një ekuacion i shtruar për zgjidhje. Alibija e zgjidhjes së tij në kuadrin e Evropës së bashkuar është një gjethe fiku që mbulon paaftësinë e drejtuesve politikë për të gjetur kurajën dhe argumentat e duhura në mbrojtje të shtetit të bashkuar. Duke pritur kohët biblike të hyrjes n’Evropë, për shumë arsye, përfshirë këtu dhe mangësitë e theksuara të klasës politike, ne duhet të punojmë me të gjitha forcat tona, me mënçuri, realizëm e largpamësi, për të qënë një komb i bashkuar e për të hyrë n’Evropën e dëshëruar si i tillë e jo si pakica të shpërndara si zogjtë e korbit, duke arritur edhe një tjetër rekord absurditeti, si i vetmi popull i Bashkimit me dy shtete.

Duket një mirazh i paarritshëm një opsion i tillë, ashtu siç ishte dhe pavarësija e Kosovës në fillimin e viteve 90-të. Shkruesi i këtyre rradhëve, nëpërmjet letrash gazetave të ndryshme italiane n’ato vite, ka pohuar me forcë drejtësinë e ligjëshmërinë e pavarësisë së Kosovës, herë herë edhe duke polemizuar me kundërshtarët e saj. Sot bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nuk e quan një tabu të paprekëshme, por një objektiv të sendërtueshëm në kohët e përshtatëshme, sepse është një projekt në përputhje me një parim universal e të patjetërsueshëm, siç është ai i vetvendosjes së popujve, sepse do të jetë një faktor paqeje e qëndrueshmërie politike në Ballkan.

Projekti mund të hasë në vështirësi, ndoshta më shumë nga ne se nga të tjerët, por mendoj se duhet të nisë rrugën e tij. Nëse politika shqiptare, në miopinë e saj, e sheh të pamundur, madje “të dëmshme” një nismë të tillë, opinioni publik duhet të jetë veprues në pohimin, mbrojtjen dhe argumentimin e saj. Politika është e kushtëzuar nga interesa, konjunktura, vendime, vartësi objektive e subjektive, mungesë personalitetesh të forta e projektesh largpamëse, por opinioni publik, që nuk njeh të tilla dukuri, e ka për detyrë të thotë fjalën e tij me forcë e të rrahë mendimet për çështjet që kanë të bëjnë me problemet madhore të kombit, me të sotmen e t’ardhmen e tij. Një opinion publik, që i beson verbërisht këtë mision aparatçikëve t’administratës së tij shtetërore, pa bërë të ndihet zëri i tij, nuk është në lartësinë e detyrës. Uroj e shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë për shqiptarët në të dy anët e kufijve.

Mars 2011

Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nw vwshtrimin e njё tё mёrguari”

 

STATUSI I ÇAMERISË NË KOLIZION ME TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik



***“ Nëse fuqitë e dikurshme kolonialiste evropiane (Anglia, Franca, Spanja dhe Portugalia) gëzojnë të drejtën juridike mbi kolonitë e tyre të dikurshme: Amerikën Jugore dhe atë Veriore”, – atëherë një të drejtë të këtillë, do të duhej ta gëzonin edhe shtetet e sotme kolonialiste serbosllave ballkanike: Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia mbi territoret e kolonizuara të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike , që nga vitet 1878;1912-1913 (!?)

– – –

Historia shekullore e lashtësisë së Shqipërisë Etnike në Ballkan ka provuar se “shqiptarët-neoilirët” kurrnjëherë nuk janë pajtuar me robërinë dhe me sundimet e huaja kolonialiste barbare të vendeve fqinje serbosllave dhe të perandorive: romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë i kanë luftuar ato, duke zhvilluar kryengritje dhe luftëra të drejta për ta mbrojtur identitetin e tyre etnik, kulturor, kombëtar, gjeopolitik, shtetëror dhe territorial. Këtë konstatim tonin e mbështesin edhe këto argumente të qëndrueshme të historiografisë ndërkombëtare të autorëve të ndryshëm se: “ Shqiptarët nuk kanë dashtë kurrë të bijnë nën zgjedhë të Serbëve e të Malazezëve as nën atë të Turqve e të Grekëve. S’u vyen fort atyne qi pushtuesi t’a ndrrojë emnin… ata kanë vdekë e kanë për të vdekë deri sa të mbesin gjallë nji luftar, burr a plak, fëmij a grue, për të qëndruem kundra Serbve e Malazezve kah veriu, kundra Italijanve kah prendimi, kundra Grekve kah jugu.” (Citat i cituar në veprën “Të drejtat e Shqipërisë Etnike”, “Albin”, Tiranë, 2001, f.201 nga autori frëng J. Godart, “L’ Albanie en 1921, f.16: “Jamais les Albanais n’ont voulu passer sous le joug des Serbs ou des Montenegrins, pas plus que des Turcs ou des Grecs. Peu leur importait que la domination changeat de nom; ils ont supporte celle des Turcs, parce qu’elle ne s’eserçait que par intermittences, mais ils se sont fait massacrer et il continueront a se faire massacrer, aussi longtemps qu’il leur restera un combattant, homme, vieillard ou enfant, ou femme, pour resister contre les Serbes et les Montenegrins au Nord, countre les Italiens aul’ Ouest, contre les Grecs au Sud”).

Mirëpo, me gjithë përpjekjet e derisotme shekullore për liri dhe për pavarësi, më se gjysma (mbi 50%) e kombit dhe e territorit shqiptar ende, edhe sot ka ngelur nën sundimin kolonial të shteteve fqinje serbosllavë. Një copëtim i tillë i padrejtë (si rrjedhim i luftërave grabitçare kolonizuese dhe i gjenocideve të përgjkashme të fqnijve serbosllavë mbi qenien shqiptare) të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve, është i papranueshëm si në kuptimin e së drejtës historike shqiptare, ashtu edhe të së drejtës ndërkombëtare.

Kjo padrejtësi shekullore ndaj shqiptarëve dhe tokave të tyre autoktone nuk mund të murkullohet dhe, për më tepër të justifikohet me politikën e standardeve demokratike pluraliste dhe integruese evropiane, as me filozofinë liberaliste të tregut të lirë ngase moralisht, historikisht, ligjërisht dhe demokratikisht shqiptarëve u janë mohuar dhe tjetërsuar të drejtat më elementare ekzistenciale për të jetuar të lirë dhe të bashkuar brenda shtetit të tyre kombëtar sovran, ashtu siç është rasti me popujt dhe me vendet fqnije të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Pavarësisht nga politika propagandistike antishqiptare e qeverisë dhe e Kishës greke, si dhe ajo e mbështetësve të saj nga partnerët serbosllavë imperialistë ballkanikë, që çështjes çame t’i “vëjnë kapak” të përjetshëm në llogari të rrudhjes territoriale të Shqipërisë Etnike, çështja e Çamërisë SHQIPTARE nuk mund të shikohet e izoluar nga historia e përgjithshme kombëtare dhe shtetërore e Shqipërisë Etnike, sepse i përket tërësisë së saj unike territoriale dhe kombëtare e jo kursesi Greqisë së “Megalidesë”, siç pohojnë imperialistët grekë.

Këtë të vërtetë në favor të historisë së tërësisë së Shqipërisë Etnike, e mbështet edhe ky argument me peshë shkencore dhe objektive, i shprehur nga historiani i shquar rumun, Prof.Dr. N. Jorga: “ se është e pamundur të ndahet historia e Veriut nga ajo e Jugut, sikurse është e pamundur të ndahet historia e Malcisë nga ajo e Mirditës.”( Shih në: “Të drejtat e Shqipërisë Etnike”, “Albin”, Tiranë, 2001, f.147). Gjithashtu, në këtë kuptim, jo vetëm se është e pamundur, por është iracionale dhe e papranueshme si në aspektin e së drejtës historike, ashtu edhe në aspektin e së drejtës së vetëvendosjes kombëtare dhe ndërkombëtare, që 50% territorit indigjen e Shqipërisë Etnike dhe e shqiptarëve, të ruajë statusin e deritashëm të plaçkës koloniale nën sovranitetin shtetëror të Greqisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, pavarësisht se gjysmë Shqipëria e pavarur e sotme, është përcaktuar për reformat noveluese të integrimit, të pluralizimit dhe të demokratizimit sipas standardeve dhe parametrave të parashikuar të agjendës transitore politke, ekonomike dhe të drejtave të njeriut etj.

Një kurs të këtillë të politikës së jashtme të Shqipërisë në kuptimin reformues, integrues, pluralist dhe demokratik rajonal dhe evropian, nuk duhet ta kenë keqkuptuar dhe keqinterpretuar kolonialistët e vjetër dhe të rinj serbo-malazezë dhe greko-maqedonë, se ajo, tamimë me aderimin e saj në aleancat integruese të “Ballkanit Perëndimor” dhe të Evropës Lindore, është pajtuar me fatin tragjik të gjysmës së trupit të saj të copëtuar dhe të kolonizuar nga partnerët serbo-sllavë në emër të “rujatjes së paqes, të sigurisë dhe demokracisë” në përmasa ballkanike dhe evropiane.

 Përkundrazi, rasti i njohjes së Republikës së Kosovës nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, si dhe ngritja e problemit të minoritetit çam në shkallë të marrëdhënieve bilaterale të qeverisë së Shqipërisë dhe të Greqisë, që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit XX, provojnë qartazi se shteti shqiptar në asnjë mënyrë (pavarësisht nga traktativat e fshehta dhe të hapura të aleatëve tradicionalë serbosllavë me aspirata të vjetra shekullore, që të ricoptojnë dhe të rikolonizojnë edhe më tej trojet etnike shqiptare në emër të ndonjë demokracie dhe integrimi të improvizuar në dimensione rajonale a ndërajonale, si substancë parësore dhe e qëndrueshme për promovimin e tregjeve të lira liberale të pakufijshme, që në thelb, nuk njohin institutin e së drejtës së vetëvendosjes si kategori juridike, por vetëm interesin ekonomiko-tregtar në dimensione ndërkombëtare) nuk do të luajë rolin e ndonjë “mediatori” të huaj, duke qëndruar indiferent edhe në shekullin XXI ndaj çështjes së pazgjidhur koloniale shqiptare në Ballkan.

Në veçanti, që nga përfudnimi i luftës së ftohtë në vitin 1990 të shekullit XX, kur përfundimisht mbyllet kaptina gjysmëshekullore e ish-BRSS-së si superfuqi botërore e kampit të shteteve socialiste, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe të drejtat e minoriteteve, në kuptimin juridik kanë evoluuar në rregullat dhe në normat e së drjetës së përgjithshme zakonore ndërkombëtare.

Mirëpo, me gjithë ndryshimet pozitive në mbrojtjen dhe në afirmimin e të drejtave të njeriut si institut ligjor ndërkombëtar, statusi i minoritetit çam shqiptar të Greqisë ka ngelur i pazgjidhur. Për statu quo-n e çështjes së minoritet çam në Greqi, fajtor krysor është vetë Greqia (anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e OKB-së dhe e OSBE-së), qeveria e së cilës çështjen çame ende e quan inekzistente, edhe pse kjo, edhe në fillimshekullin XXI (viti 2018) është e gjallë dhe frymën që nga kohët antike të Ilirisë, të perandorive romake, bizantine, osmane etj.

Gjatë viteve të fundit (1990-2018) si në aspektin intensiv, ashtu edhe në atë ekstensiv është shkruar mjaft për çështjen e minoritetit çam dhe të Çamërisë shqiptare me ç’rast kjo, me të drejtë është bërë objekt shqyrtimi edhe në sfondin e institucioneve dhe të mekanizmave të Bashkimit Evropian (BE), të OKB-së, të OSBE-së, si dhe të qeverisë së Republikës Shqipërisë. Mirëpo, jo edhe për qeverinë “demokratike” të Greqisë dhe për sundimtarët e saj grekomëdhenj, të cilët, edhe sot, në fillimshekullin XXI, e kontestojnë çështjen çame në të gjitha dimensionet e saj (etnike, territoriale, historike, politike, demokratike dhe juridike etj.), si rrjedhim i “Megalidesë” së mbijetuar në shekuj, në saje të së cilës dhe, me ndihmën e Fuqive të Mëdha të Evropës e kanë copëtuar dhe kolonizuar Epirin-Çamërinë e Shqipërisë Etnike.

 Mirëpo, të drejtën historike të popullit çam mbi territorin e tij indigjen shqiptar (edhe pse shumcia dërrmuese e tij është përzënë në saje të gjenocidit të kryer grekomadh, e cila sot ka statusin e refugjatit në Shqipëri, në Itali, në Turqi, në Evropë, në Amerikë dhe në Australi), të njohur me emrin Epiri-Iliria-Çamëria, Greqia e madhe raciste, antidemokratike dhe antishqiptare, mbi asnjë bazë ligjore nuk ka të drejtë që ta tjetërsojë përgjithmonë, sepse titullar i saj legjitim është Shqipëria Etnike dhe shqiptarët e askush tjetër, pavarësisht nga intrigat dhe falsifikimet e historiografisë dhe të politikës së djeshme dhe të sotshme “demokratike” të Greqisë dhe të Kishës Ortodokse Greke në favor të mjegullimit dhe të mohimit të së vërtetës historike mbi Çamërinë dhe çamët shqiptarë, që historikisht, ligjërisht dhe territorialisht i përkasin vetëm Shqipërisë Etnike.

Kjo e vërtetë mbi historinë shekullore të Çamërisë ua verbon sytë sundimtarëve grekomanë dhe “regjimit demokratik” të sotshëm të Athinës.

Mirëpo, kjo është çështje e tyre, të cilën asesi nuk do të kenë mundësi, që ta mbajnë si “çështje të brendshme greke” të konservuar edhe në shekullin XXI, sepse Greqia që nga formimi i saj si shtet i pavarur (si krijesë e Fuqive të Mëdha Evropiane) më 1832 e deri më sot, ka nënshkruar një sërë traktatesh ndërkombëtare, sipas të cilave është e detyruar, që t’i përligjë të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe të minoriteteve jogreke në Greqi, së këndejmi edhe të minoritet shqiptar çam.

Ndryshe, si çamët (qoftë brenda, qoftë jashtë Greqisë), ashtu edhe qeveria e Republikës Shqipërisë, janë të shtrënguar që të ushtrojnë kërkesën e tyre këmbëngulëse instancave përkatëse të OKB-së, të OSBE-së, të BE-së (Këshillit Evropian, Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Gjykatës Ndërkombëtare), me qëllim që të rishqyrtohet statusi juridik ligjor i Greqisë si anëtar i këtyre institucioneve ndërkombëtare. Përderisa Greqia nuk e miraton kërkesën e ligjshme të minoriteti çam, që të riatdhesohet në truallin e tij etnik të Çamerisë, asaj duhet t’i kontestohet, përkatësisht t’i “ngrihet” statusi ekzistues juridik ndërkombëtar (sipas së drejtës ndërkombëtare, konventave, marrëveshjeve dhe protokolleve ndërkombëtare dhe evropiane), si dhe t’i kufizohet pjesëmarrja dhe aktiviteti i saj i mëtejshëm në të gjitha organiztat dhe institucionet e theksuara evropiane e ndërkombëtare, duke i vënë sanksione ligjore sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Urime bashkëvuejtsi im! – Nga SAMI REPISHTI, PH.D

Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran dhe bashkëvuejtësin tim, z. Ahmet Bushati, “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këtë akt që plotëson nji mungesë të ndieme për nji kohë të gjatë. E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë (Nana ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomunist, u torturue mizorish, dhe u dënue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirësitë e Rregullores, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypjen e nji të riu entuziast, por i matun dhe impresionoi të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat çnjerëzore që u përdorën kundër tij dhe rezistencën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit. Bashkë me atë, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rinj të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikimet ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandës dhe praktikës së regjimit të hunit e të litarit.

Ditët, javët e vitet kalojshin në këtë atmosferë mbytëse dhe nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “armikun” ma mirë, dhe ma kambëngulëse kundër egërsisë së policit. Njikohësisht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojën e pakundërshtueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg dhe sidomos në ditët kur dënimi jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu dhe cili ashtë “roli” ynë në nji shoqëni që eventualisht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?

Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashtë burgut ishte e pandryshueme dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma dëshpruese. Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshme na kishim fillue me u ba të ndërgjegjshëm për pasojat e komunizmit: A do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjshëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshim të lirë, pa frikën e persekutimit dhe pa kërcënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?

Vetë ideja që kujdesi jonë përqendrohej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji shtet monstër”. Ajo që na imponohej ato ditë ishte thania e filozofit gjerman, F.Nietzsche: “Ata që luftojnë kundër përbindëshit, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindësha”. Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi jonë… humbja jonë e plotë dhe e pariparueshme.

Për fatin tonë të mirë, kaluem këtë fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen për “armikun” kriminel- urrejtjen, këtë sëmundje, që vret të gjithë ata që e ushqejnë – dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqësisht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrieristët e politikës së ditës…! E kaluemja jonë u venit nga vitet e mosveprimit për ndërtimin e demokracisë dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindëshin e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Sepse, në Shqipëri, komunizmi ka zhveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit! Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pandërgjegjshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira dhe dyshimi ynë i justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme dhe do të vazhdojshin me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona…!

Në bankat e shkollës së mesme, kur Shqipëria nuk kishte akoma institucione të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studenteske e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativën e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E zhgënjyeme nga eksperienca komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Për Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duartrokitjet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ato kanë qenë gjeste të jashtëzakonshme, detyrë morale e korrekte politikisht për të gjithë. Edhe këtë detyrë breznia e re -sidomos ajo studenteske- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen”, që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabartë që nuk mund të fitohej… jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegjes dhe me ndjekë atë me pasionin e tyne rinor! Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi furtunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shumë kërkoi! Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipërinë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish-Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithshëm, nji konditë kryesore që në Shqipëri na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri, tue shlye turpin e së kaluemes së saj kriminale. Këtu kemi para vetes eksperiencën shqiptare: falimentimin në çrranjosjen e efekteve të komunizmit në Shqipëri. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës, monumentët për viktimët dhe muzeumet për popullsinë e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë. Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencës demokratike, kjo iniciativë u ba pikësynimi i bashkëvuejtsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pandërpreme, me ballafaqim të të gjitha vështirësive që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memories që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këtë ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.

I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohjen e qytetit të Shkodrës!

Srebrenica një plagë e hapur në Evropë – Nga JAHJA LLUKA

Me urdhërin e Ratko Mlladiq, forcat serbe ekzekutuan 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, duke i dhënë kështu fundshekullit të XX, masakrën më të madhe pas L.II.B. në sytë e vëzhguesve ndërkombëtar. Duke përkujtuar këto krime ndaj boshnjakëve, ndjejmë dhe dhimbjen e kombit tonë i cili jo vetëm në luftën e fundit me 99’ por një shekull rreshtë, përjetoi vuajtjet më të mëdha mbi kurrizin e tij, krimet nga më të rënda të cilat truri i një njeriu normal është e pamundur ti përceptoj.

Një vijë na ndan nga e kaluara e hidhur e Ballkanit, e cila nuk është zbehur aspak edhe pse nuk duam ta mendojmë. Shpesh nga frika dhe tmerri i kujtimeve, shpesh nga dhimbja dhe kështu duke tentuar ta mohojmë me ose pa vetëdije, ngjanë sikur gjeneratën tonë do e përcjellin përgjithmonë kujtimet e trishta dhe promblemet pa zgjidhje. U bënë 23 vite nga masakra e Srebrenicës, në Evropë ka qenë e pamundur të mendohet për krime të kësaj kategorie sepse u mendua që me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, nga kontinenti i vjetër do të zhdukën përgjithmonë skenat e mizorisë. Por jo, politikat naciste të pushtetit serb tejkaluan çdo parashikim për ta spastruar Ballkanin në favor të tyre.

Me urdhërin e Ratko Mlladiq, forcat serbe ekzekutuan 8 mijë burra dhe djem boshnjak, duke i dhënë kështu fundshekullit të XX, masakrën më të madhe pas L.II.B. në sytë e vëzhguesve ndërkombëtar. Duke përkujtuar këto krime ndaj boshnjakëve, ndjejmë dhe dhimbjen e kombit tonë i cili jo vetëm në luftën e fundit me 99’ por një shekull rreshtë, përjetoi vuajtjet më të mëdha mbi kurrizin e tij, krimet nga më të rënda të cilat truri i një njeriu normal është e pamundur ti përceptoj. Dhe nga e gjithë kjo arritëm të mbijetojmë, që me sakrificë dhe gjak të derdhur të krijojmë shtetin tonë me plotë vështirësi. Sot, është e pamundur të kthejmë kohën pas, por e kaluara është këtu prezente sepse dhimbjet ende janë të gjalla, e që në çdo të dytën bisedë me një ballkanas do të bie tema e luftës.

Përderisa Serbia vazhdon të mos e pranojë realitetin e krijuar në Ballkan, përderisa ende Serbia nuk kërkon fajle për krimet e shkaktuara, është i pamundur një bashkëpunim real, sepse me tendeca agresioni zor që mund të hapim etapa të reja në këtë drejtim, pa ndryshuar rrjedha e politikave.

Një Ballkan stabël është garanci për një Evropë të qetë e cila thirret në vlera të civilizimit. Por për ta arritur këtë gjë duhet shumë punë dhe bashkëpunim ne mes të popujve në Ballkan të cilët ndajnë një tragjedi e cila nuk është e largët

Gënjeshtrat serbe në mediet shqiptare – Nga Gani Mehmetaj

Serbët janë popull i mrekullueshëm, e hodhi në opinion gazeta serbe Blic gënjeshtrën ordinere, të cilën kinse e paska thënë presidenti amerikan Donald Trump. Gënjeshtrën tipike serbe, pos budallenjve nuk e besoi askush, sepse as Trump dhe as ndonjë tjetër më pak i informuar, nuk kishin si e thoshin këtë cilësim, kur nuk kishte kaluar shumë vjet nga gjenocidi i popullit serb ndaj shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve.

Serbët me dy kokrra mend qeshën nën buzë me lajmin për idiotë, disa u tallën me këtë marrëzi, por brenda disa orësh e shpërndanë pjesa më e madhe e shtypit e medieve elektronike në Shqipëri e Dardani. Asnjëra prej gazetave e televizioneve nuk bëri përpjekje elementare ta vërtetonte lajmin.

 Ndërkaq, kjo gazete serbe shquhet për lajme të rrejshme që i hedh si lopa bajgën, ndërsa në Shqipëri e Dardani mediet shquhen për shpejtësinë e kapjes në sqep të plehrave serbe. Sa turp!

Këto gënjeshtra pastaj i marrim me eufori budallaçkat delirante shqiptare, mbesa të kooperativistëve, bija të muzhikëve shqiptarë që e përsërisin si papagaj në rrjetet sociale.

President Trump, Ju lutem mos dilni në foto me kryepolitikanët shqiptarë! Nga Elida Buçpapaj

Shqipëria dhe Kosova vuajnë krizën e keqqeverisjeve, të mosfunksionimit të sistemit, vuajnë prej mungesës së shtetit ligjor, prej korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit, nepotizmit, klientelizmit, mercenarizmit që ka paralizuar tregun dhe iniciativën e lirë, që ka paralizuar konkurencën e ndershme, shanset për punë, që ka rritur pasigurinë, papunësinë, pabarazinë sociale, varfërinë, shtimin e shtresave vulnerabël dhe në nevojë.

Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.

Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kryepolitikanët janë mbi ligjin, kryepolitikanët e bëjnë ligjin, kryepolitikanët janë vetë ligji!

Qëllimi i tyre është përjetësimi i pushteti. Presidentëve të SHBA në kushte normale Kushtetuta u lejon të zgjidhen vetëm në dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre edhe përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.

Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.

Duke dalë nëpër foto me Ju:

Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi të pavarur, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;

Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,

Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet pasi kanë mbështetjen e SHBA !

Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë shpresë të madhe tek Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë me të drejtë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.

Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto  nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.

Këta kryepolitikanë faqezinj Ju përdorin për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin.

Kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me kryepolitikanët që sillen si sulltanë me Sovranin më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtij tranzicioni mbi çerek shekulli janë ndërruar pesë presidentë dhe SHBA, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë  pa të ardhme!

Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kryepolitikanët shqiptarë, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.

Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo kryepolitikanët!

Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!

 

*Ky opinion ribotohet, sepse kryepolitikanët shqiptarë dështimet e tyre kërkojnë t’i fshehin duke u fotografuar me kryeburrashtetasin e botës!

A KA TË DREJTË TRUMPI KUR THOTË SE VENDET E NATO-S NUK PAGUAJNË SA DUHET PËR MBROJTJEN E PËRBASHKËT? – Nga Frank Shkreli

 

Aleanca e NATO-s po zhvillon punimet e nivelit të lartë në Bruksel. Si zakonisht, në një takim të tillë, diskutohen çështje dhe sfida me të cilat përballet Aleanca e Atlantikut Verior, sidomos në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda aleancës si dhe me operacionet e saj në përgjithësi.  Mirëpo, duket se mbledhja e nivelit të lartë e NATO-s në Bruksel dje dhe sot, po dominohet nga ankesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se vendet anëtare të Aleancës Perëndimore nuk po shpenzojnë sa duhet për sigurinë e përbashkët dhe u ka kërkuar atyre që të rrisin kontributet e tyre ndaj aleancës.

 

Në takimin fillestar të mërkurën me Presidentin Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjenerali Jens Stoltenberg i shprehi mirëseardhjen udhëheqsit amerikan në kryeqendrën e NATO-s duke thënë se në takimin e nivelit të lartë në Bruksel do të preken shumë çështje me rëndësi, ndër to edhe shpenzimet për mbrojtje.  Uhdëheqsi i NATO-s shtoi se, “Të gjithë ne jemi dakort se duhet të bëjmë më shumë në këtë fushë”, duke i thënë presidentit Trump se, “Jam dakort me ju se duhet të sigurojmë që aleatët të investojnë më shumë në këtë fushë”, është shprehur Stoltenberg.  Ai deklaroi gjithashtu se lajmi i mirë është se të gjithë aleatët kanë filluar të investojnë më shumë për mbrojtje.  Z. Stoltenberg iu drejtua Presidentit Trump duke thënë se, “Mesazhi juaj ka pasur ndikimin e duhur dhe se do të bëjmë ç’është e mundur që të shënohen rritje të mëtejshme të buxhetit të mbrojtjes”, ka theksuar kryetari i NATO-s, në takimin që zhvilloi fillimisht me Presidentin Trump.  Ai shtoi se “Një NATO e fortë është e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg.

 

Edhe presidentë të tjerë amerikanë si dhe Kongresi, nga hera në herë në të kaluarën, kanë venë në dukje kontributin më të madh të Shteteve të Bashkuara ndaj buxhetit të NATO-s, në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Madje edhe paraadhësi i z. Trump, presidenti Barak Obama e kishte ngritur çështjen e mungesës së kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.  Por, presidenti Trump është treguar më këmbëngulës në këtë pikëpamje duke kërkuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga ana e vendeve anëtare të NATO-s duke përdorur një gjuhë direkte dhe të hapët, ndërsa disa do të thonin, aspak diplomatike, duke nervozuar aleatët me qëndrimet e tija ndaj NATO-s, një gjuhë kjo që nuk përdorej më përpara nga udhëheqsit ameriknaë.  Ai është shprehur se çdo vend anëtar i NATO-s që nuk kontribon atë që i takon për mbrojtje të përbashkët – e këta janë shumica, sipas tij – është duke përfituar në kurriz të taksa paguesve amerikanë.

 

Po, a ka të drejtë Presidenti Trump kur akuzon se shumica e vendeve të Aleancës nuk japin kontributin e nevojshëm për mbrojtje të përbashkët, madje as kontributin prej 2% të buxhetit të përgjithshëm kombëtar të vendeve anëtare, për të cilin kanë rënë dakort të gjithë, që në vitin 2006?  Është vështirë të thuhet dhe varet se statistikat e kujt duhet të besohen. Për më tepër, nuk është sigurt, sipas disa ekspertëve, se kur ankohet Z. Trump për mungesën e kontributeve evropiane ndaj NATO-s, nëse ai flet për fondet direkte ose indirekte të vendeve anëtare për mbrojtje të përbashkët të NATO-s.  Disa ekspertë, me të drejtë mbajnë qëndrimin se – nëqoftse ai flet për kontributet e drejtë për drejta ndaj aleancës nga vendet anëtare,  presidenti Trump po e ekzagjeron këtë çështje, por nga ana tjetër nëqoftse udhëheqsi i Shtëpisë së Bardhë flet për shpenzimet indirekte – të cilat janë shumë më të mëdha se sa fondet direkte të Shteteve të Bashkuara për NATO-n, atëherë ai mund të ketë të drejtë për pretendimet e tija se aleatët amerikanë në NATO nuk po konribojnë fondet që u takojnë, siç kanë pretenduar edhe para-ardhësit e Z. Trump, përfshirë, Presidentin Barak Obama.  Problemi mund të jetë mënyra se si e paraqet këtë problem presidenti Trump, në krahasim me para-ardhësit e vet.

 

Gazeta Washington Post, në një artikull mbi këtë çështje, shkruan se dokumentat e NATO-s tregojnë se shumica e vendeve anëtare nuk plotësojnë angazhimet e tyre dhe as udhëzimet e NATO-s, të pranuara nga të gjithë në vitin 2006, për kontributin prej 2% për mbrojtjen e përbashkët.  Sot, më shumë se një dekadë më vonë, vetëm një numër i vogël aleatësh evropianë në NATO, kanë realizuar këtë objektiv.

Burimi: NATO

 

Gazeta citon një dokument të NATO-s në të cilin thuhet se, “Shpenzimet e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara efektivisht përbëjnë 73% të shpenzimeve të përgjithshme të Aleancës, por kjo”, sipas NATO-s, “Nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara mbulojnë73% të kostos së përgjithëshme për operacionet e NATO-s si organizatë, përfshirë kryeqendrën në Bruksel dhe komandat ushtarake varëse të saj, por do të thotë se ekziston një varësi e madhe e Aleancës, në përgjithësi, në kontributin që japin Shtetet e Bashkuara, në fusha të tjera të operacioneve. Si për shembull në fushën e inteligjencës, mbrojtjen e raketave balistike e shumë fusha të tjera, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një epërsi në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Duket që, varësisht, se cilat shifra përdoren në lidhje me konributet, aq të ndryshme do të jenë edhe përfundimet në të cilat arrihet, gjë që mund të shkaktojë edhe keqkuptime.  Thuhet se statistikat, cilat do qofshin ato, gënjejnë.  Edhe ky problemi i kontributeve në NATO duket se është produkt statistikash që gënjejnë.

E kuptoj nëqoftse lexuesi është i konfuzuar me këto të dhëna, pasi as unë nuk e kuptoj se ku qëndron problemi i vërtetë dhe se cilat statistika duhen besuar, ose cilat të dhëna ka përpara presidenti Trump kur ankohet për mos kontributin e nevojshëm të aleatëve.  A flet ai për shpenzimet direkte apo ato indirekte, a po për dyja?  Por, sidoqoftë, ndonëse diskutimi është aktual mbi mosbalancimin në shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s, ai nuk është i ri, pasi vet NATO-ja ka thënë se ky problem ka ekzistuar ç’prej fillimit të aleancës.  Ndryshimi është se kur u themelua NATO, Evropa ishte ende e shkatërruar nga lufta dhe e dobët ekonomikisht dhe nuk mund të flitej për një kontribut më të madh për aleancën, ndërsa sot, Evropa e Bashkuar është shumë më e fortë, qoftë ekonomikisht, qoftë ushtarakisht dhe ndoshta me të drejtë ose jo, Shtetet e Bashkuara, pikërisht Presidenti Trump, ashtu si edhe paraardhsit e tij, presin më shumë kontribute nga aleatët e tyre evropianë për mbrojtjen e përbashkët – pasi shumica kanë mundësi ta japin ndihmesën fhe fondet.

Është e vështirë të thuhet nëse tensionet e fundit transatlantike, si përfundim i kritikave të presidentit Trump ndaj vendeve anëtare të NATO-s, do të prekin ose jo marrëdhëniet midis aleatëve, por është e qartë se kritikat, me vend ose pa vend të presidentit Trump, duket se kanë pasur ndikimin e tyre tanimë, pasi ka shënja se vendet anëtare të NATO-s kanë hedhur hapat e para dhe kanë marrë masa për rritjen e investimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e vet, përfshirë kontributin e 2% për operacionet e NATO-s.  Megjithëkëtë, ndonëse NATO duket se është e angazhuar për realizimin e këtij objektivi prej 2%, disa ekspertë ushtarakë janë të mendimit se disa vende evropiane anëtare të aleancës nuk mund të arrijnë këtë objektiv pa ndërmarrë reformat ë dukëshme në strukturat e tyre ushtarake.

Ndërkaq, ata që — si përfundim i kritikave, me vend e pa vend, të Presidentit Trump ndaj NATO-s — mezi presin prishjen midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në NATO, qetësohuni se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, madje edhe po të dëshironte kështu edhe Presidenti Trump, gjë që nuk e besoj.  Si mbështetës i fortë i NATO-s, ashtu si edhe shumë të tjerë, jam i bindur se është vet sistemi amerikan, përfshirë edhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai që nuk do të lejonte tensionet transatlantike. Lidhjet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë tepër të forta dhe të rëndësishme që të afektohen madje edhe nga disa deklarata të një presidenti amerikan. Përball kritikave të presidentit Trump ndaj NATO-s në të kaluarën, por edhe para se të nisej për Bruksel, ishin përfaqsuesit e vërtetë të popullit amerikan  — Kongresi i Shteteve të Bashkuara — ata të cilët i dërguan një mesazh jo vetëm presidentit Trump dhe NATO-s, por edhe botës, për lidhjet e patundura të Amerikës me aleatët e saj në NATO, duke votuar një rezolutë në mbështetje të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s.  Në rezolutën e Senatit të Shteteve të Bashkuara prej 100-antarësh republikanë e demokratë – e miratuar me 92 vota në favor dhe 2 kundër — ligjëvensit amerikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për NATO-n, ndërkohë që u bënë thirrje negociatorëve amerikanë të ritheksojnë angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Aleancën Veriore të Atlantikut, NATO.

KUR RAMUSH HARAJDINAJ ISHTE LYPSAR DHE KONTRABANDUES I VOTËS!! – Nga Prof. dr. BINAK MAXHARRAJ

 

Miser,miser,një kokerr miser ju lutem zoteri.Ishte kjo apo-theozë mjerimi,skamjes,ishte kjo apotheozë e bukës në kohën e Migjenit tone te Madh.

Kurse sot një votë deputeti është apotheozë e ditëve të sodit, një apotheozë mjerimi,apotheozë krimi i kohës tonë,është kjo një apotheozë e qyqarëve tanë politik,te cilët si lypsar kërkojne te kontrabandohet ndonje votë e ndonjë deputeti për koalicionin apo Partin e tij.Këta qyqar politikan s’kan as fytyrë e as faqe për tentim kontrabandimit te deputetëve për interesat e tyre.Por edhe ma qyqar jane ata
deputet te cilët lejojnë vehtën të kontrabandohën.

Deputetet e cildo koalicioni apo partie nuk kane te drejte te lu-ajn lojen e kontrabandimit te tyre,sepse populli nuk ua dha voten që te bahen objekt kontrabandimi por te jenë ne shërbim te popullit.

Apotheozë mjerimi shpirtëror i qyqarve tane politik eshte kontrabandimi me deputet,kjo është ligeshti njërëzore,por edhe tradheti e ndonje deputeti karshi popullit. Pa fije turpi kontrabandohet vota për tu bërë Kryeministër apo edhe Kryetar sheteti

Ju lutem une dua te bahem Kryeministër,dua te bahem gjith-
sesi Kryeministër me aminin e Klanit Pronto,por edhe me ndihmën e kontrabandimit te ndonjë deputeti.Ska gajlje sepse edhe vota sot është ba mall tregu,veç trego sa kushton një votë z.deputet.

Ky eshte mjerimi i kohes sonë.Kjo është apotheozë e kontrabandimit me votën e popullit,ky është mjerimi i jonë moral,intelektal por edhe me shumë mjerimi i jonë politik.

Ai sot si kryemimnister po shet dushk për gogla,është ngujuar,është ngujuar ne rrethin e nentë te ferrit te Dante Aligerit,kur mbi kokë po i rrinë Kadri Veseli me shpatë për ta rrexuar për tokë.Nuk e ka largë