VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DERI KUR DO TË VAZHDOJË SHQIPTARI TE KETË SJELLJE PRIMITIVE ME VETVETEN?! – Nga Bardh Nengurra

By | October 5, 2017
blank
3 Comments
  • author avatar
    Mal Gega 4 years ago Reply

    T’lumt që për mue asht nji reportazh i fiksuem nga një periudhë kohe e mjaftushme me i faktue episodet e ndryshme qi ndotin etikën e njeriut, të mejdisit dhe të shoqëris në pergjithsi!
    Besoj se ata polica që ju i keni sha me të drejtën e Zotit, kan me ju hakmerr nji ditë se të mirat harrohen, ndërsa e keqja s’harrohet! Mendoj që ne form peticioni me ja dergue Bashkis apo komunës qi keni aty ne Istogë per formalitet, se njishtu e don moderniteti e mandej t’je kndoje ne media! Por ky shkrim u bahet shnet komunës se ndjehen ma mir ne kaos, pasi tymi nuk i len me pa handrakun, llomin, vjedhjet, rrenat etj,……….
    Falemnerës për guximin dhe reportazhin si gazetar i stervitun! Shnet dhe don Zoti bahet ma mir!

  • author avatar
    Al 4 years ago Reply

    Z. Bardh Nëngurra, pikesepari ju uroj shendet dhe jete te gjate!
    Ju nuk thoni se cfare pune beni ne emigracion, por duket se jeni nje burre fisnik, si nga pamja, por vecanerisht nga shqetesimi qe ngrini ne shkrimin Tuaj, qe eshte nje shqetesim qytetar, nje shqetesim patriotik.
    Pershkrimi Juaj per mentalitetin mbizoterues ne trojet shqiptare, mungesen e pergjegjshmerise qytetare, mungesen e edukates se thjeshte, ate te mos krijimit te shqetesimeve per tjetrin, dhe komunitetin.
    Ne te kaluaren shqiptaret nuk e kne patur kete lloj sjelljeje. Ata nuk e shqetesonin kojshiun, por shkonin mire me te; ata nuk i sillnin shqetesime lagjes apo fshatit. Edhe ndonje qe kishte tendenva per te sjelle shqetesime, nuk mund t’i bente, sepse kishte nje opinion mbytes nga te tjeret per te.
    Me nderrimin e vendbanimeve, transferimin ne qytet, pothuajse u harrua kjo tradite e sjelljes dhe njerezit nuk shqetesohen per komunitetin ne pergjithesi, por vetem per te “pushtuar” sa me shume nga ato gjera qe u perkasin te gjitheve. Kjo sot konceptohet si normale, si zotesi. Ne fakt eshte e turpshme.
    Ne kemi institucione te dobeta. Kemi dhe qytetare te dobet, qe nuk duan te pyesin per ligjin, ate te shkruar e te detyrueshem, por edhe per ligjet e pashkruara, qe jane morali i nje shoqerie. Keta qytetare jane arrogante me me te dobetit, edhe me institucionet e vendit te tyre, por jane si pula te lagura para te forteve dhe institucioneve te vendeve te tjera ku jetojne ne emigracion apo kur shkojne per vizite. Keta lloj njerezish, qe nga frika i kane zbatuar rregullat, sapo vijne ne vendin e tyre, i shkelin ato aq rende, duke thene se ketij shteti (shtetit te tyre), duhet t’i q.. nenen. Turp per ata! Por turp edhe per shtetin qe nuk iu tregon vendin ketyre tipave. Turp per shtetin qe mban ne pune njerez si ata policet qe i keni pershkruar Ju, te cilet nuk punojne per institucionin qe i paguan, por mbajne ane sipas perfitimeve.

  • author avatar
    Anonymous 4 years ago Reply

    Ti Nëngurra që ke pas rastin të jetosh në perëndim dhe ke bindjen se ke mësuar mirësjelljen, për fat të keq ti nuk je i mirësjellur ashtu siç shkruani me fjalë të ndyta për njërzit e thjeshtë në lagjet e Kosovës, e keni fyer një femër shqiptare ,duke përdorur atë fjalor fyes dhe denigrues. Me të vërtetë se qenka një grua pa burrë se përndryshe ju nuk do të kishit pas guximin të zini në shkrimet tuaj që e të fyeni një femër , një nënë shqiptare se do ta pësoni keq. Kurrë mos shkruaj ashtu me atë gjuhë vulgare dhe fyese!!! Turp duhet të ju vijë për moshën që keni.

Komentet

blank

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE VAZHDON TË JETË I PA DËSHIRUAR NË VENDIN E VET – Nga Frank Shkreli*

20 Qershori (i vitit 1919) shënon përvjetorin e fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës në Paris mbi “Shqiptarët e të Drejtat e tyre”. Fjalimi ka si autor At Gjergj Fishtën, Sekretar i Delegacionit shqiptar por është lexuar në frëngjisht në Konferencën e Paqës nga Imzot Luigj Bumçi, Kryetar i delegacionit shqiptar.  Viti 2021 shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, me 15 mars, 1991 — pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës — dhe hapjen e parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me 1 tetor, 1991.

 

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet në lidhje me këto përvjetorë të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe rolit që ka luajtur At Gjergj Fishta si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar.  E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të Shqiptarëve – për të cilat pakë njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të — përfshir lobimin që Fishta zhvilloi gjatë vizitës së tij të parë në Washington me zyrtarët më të lartë amerikanë në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.  Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca në librin e vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna na del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekadat e fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot se historia e këtyre marrëdhënieve fillon me ta (e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm edhe mbaron me ta).

 

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë. Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.  Shumë është shkruar për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve kudo.

 

Por falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik – por edhe në 30-vjet të regjimeve post-komuniste, përfshir median dhe historiografinë shqiptare të influencuar nga komunizmi — pak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Veçanërisht, roli që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve.

 

Përpjekjet lobiste të Fishtës janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca përfshir në librin përkujtimor, të lartë përmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940.   Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor — midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj — Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri  arrijtjen e tij në Amerikë, duke shkruar se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

 

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva:  Një, të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.  I rëndësishëm është fakti se — nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe — pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si Faik Konica gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 – mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr interesimin e historiografisë pseudo-komuniste që gjithnjë dominon në interpretimin e historisë së Kombit shqiptar). Sidoqoftë, le t’i këthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington.

 

blank

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor (më sipër), “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër:

 

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore — shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.”  Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare– ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt.  Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë. Albania – Countries – Office of the Historian (state.gov)

 

Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit — me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922 — Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik, 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”

 

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

 

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën pasi edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot e kësaj dite është i stigmatizuar si tradhëtar, si një personi i pa dëshiruar në Shqipëri – persona non grata në vendin e vet – atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë.  Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoft kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti.  Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, “At Gjergj Fishta sakrifikohet pikërisht si përfaqsuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast i ndjeri Profesor Arshi Pipa.

 

Kemi arritur në një pikë të historisë pas kaq vitesh, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila kontrollon çdo aktivitet të jetës së shqiptarëve në një sistem që guxojnë ta cilësojnë si “demokraci”- e kemi humbur shpresën se shqiptarët, si komb madje edhe 30-vjet pas komunizmit – do të jenë të lirë të vlerësonin më në fund njerëzit e mëdhenj të Kombit si At Gjergj Fishta për meritat historike që kanë. Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve sot, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë një komb të përparuar, që dëshiron të jetë i lirë dhe demokratik, në fillim të shekullit 21! Si të tillë, kot e kini se nuk mund të bindni askënd se ndani vlerat me botën perëndimore.  Fatkeqësisht për Kombin shqiptar, po shihet tashti se vlerat tuaja i kanë rrënjët thellë në trashëgiminë e Enver Hoxhës, nga e cila duket se e kini shumë të vështirë të distancoheni.

 

Kot e kini se me Enver Hoxhën dhe me gënjeshtrat tuaja nuk do të bëheni kurrë pjesë e botës së qytetëruar. Pyetja për këtë klasë aktuale politike, “post-komuniste” e të gjitha ngjyrave, vazhdon të jetë: me cilat vlera doni të shkoni drejtë Evropës dhe drejtë lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara: me vlerat anti-kombëtare të sllavo-aziatikut Enver Hoxha a po me vlerat e At Gjergj Fishtës, “Përfaqsuesit madhor të vlerave kombëtare” dhe të vlerave të vërteta pro-perëndimore ndër shqiptarët, si dhe të njërit prej arkitektëve kryesorë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një shekull më parë.  Sa më parë që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje – për mirë ose për keq — aq më e qartë do të bëhet rruga në të cilën kini ndër mend ta çoni Kombin shqiptar në të ardhmen!

Frank Shkreli

blank

 

Ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve – i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — At Gjergj Fishta, për pothuaj një shekull tani i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar”, nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndërkohë që vazhdon të trajtohet si persona non grata në vendin e vet nga regjimet e të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist” i tre dekadave të kaluara.

Profesor Arshi Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar i ndjeri Profesor Pipa për patriotizmin e At Gjergj Fishtës.

—————————————————————————————

Më poshtë, fotot e Personaliteve të larta politike amerikane, emrat e të cilëve i përmend At Gjergj Fishta në korrespondencën e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në viti 1922

blank

Françeskani amerikan Godfried Shilling me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922

 

blank

Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme kur Fishta vizitoi Washingtonin

 

blank

Të jesh i lirë do të thotë të zgjohesh dhe heqësh qafe zinxhirët – Nga Aurel Dasareti*

 

Mos prit që punën tënde ta bëjë një i huaj e ti të vazhdosh gjumin. I huaji të jep një thelë e të merr një pelë.

***

E drejta për lirinë e shprehjes (fjalës) nuk do të thotë mbrojtje e lirisë së gënjeshtrës.

Ne nuk mund të presim ndihmë nga ndonjë vend i rëndësishëm i BE-së që me sa duket nuk po lufton për të drejtat e njeriut. Ajo që ka rëndësi sot nuk janë të drejtat e njeriut, por luftërat për territore dhe shfrytëzimi i fuqisë (së lirë) punëtore nga vendet e varfra. BE-ja “demokratike” për shkaqe interesash të veta, Kosovën e konsideron si pronë të Serbisë. Prandaj nuk është aspak neutrale, por një palë në konflikt. “Dialogun” e ka shndërruar në një Gjykatë ku sundon ligji i xhunglës sipas të cilit i forti përherë fiton. Kështu që, sipas tyre, shqiptarët autokton duhet t`ia kthejnë Kosovën tonë – të përkëdhelurve të saj, Serbisë naziste-terroriste. Kjo pafytyrësi e pakufishme, më tepër për të zbutur Rusinë. Nuk është aspak e rastësishme që BE-ja, midis atyre 28 shteteve anëtare, për “dialogun” në Bruksel ka zgjedhur pikërisht 2 “ndërmjetësues” prej atyre 5 shteteve që nuk e njohin Kosovën. “Ndërmjetësues” e jo mahi, që as kasapi i Ballkanit, krimineli kryesor serb, Sllobodan Millosheviç nuk mund t’i zgjidhte më mirë.

Nëse shtetet kryesore të BE-së vërtet do të donin që pesë shtetet e serta që mbahen gjallë nga ndihma sociale, ato brenda dy minutash do të detyroheshin të pranonin Kosovën. Kjo do të ndodhte edhe për faktin se këto 5 vende shkelin legjislacionin e BE-së në tërësi, ku politika e tyre e jashtme vlen për të gjitha vendet anëtare.

Në lidhje me imigracionin e paligjshëm nga Afrika dhe Azia, i njëjti BE detyron të gjitha vendet e saj anëtare, pavarësisht refuzimit masiv, të pranojnë “refugjatë” të padëshiruar, pavarësisht nga fakti se çështja e pranimit të “refugjatëve” është vetëm çështje e brendshme e secilit shtet anëtar.

Si është e mundur që në BE, për dekada hyjnë miliona “refugjatë” ilegalë nga e gjithë bota dhe qëndrojnë atje përgjithmonë, por shqiptarët e Kosovës evropiane nuk lejohen të hyjnë!?

E njëjta BE jo vetëm që lejon serbët që shkaktuan gjenocide ndaj shqiptarëve (dhe jo vetëm), për të hyrë në të dhe të sillen si ua donë qejfi, por mezi presin të bashkohen me radhët e tyre, edhe më me dashuri.

Serbia i trajton shqiptarët etnik në Kosovën Lindore si skllevër, ndërkohë kërkon “reciprocitet” me ata 17-18 mijë serbë ardhacak që jetojnë në Kosovë, për të cilët edhe faturat e energjisë elektrike paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Kjo është BE që i kërkon Shqipërisë të plotësojë të gjitha llojet e kushteve për anëtarësim, pavarësisht nga fakti se më të rëndësishmet janë të drejtat e pakicave, që Serbia nuk i respekton aspak, ndërsa Shqipëria dhe Kosova e ekzagjerojnë.

***

Unë i them të gjitha këto në mënyrë që të zgjidhni problemet, të përkrahni qeverinë aktuale ligjore të Dardanisë Pellazgo-Iliro-Shqiptare në luftën e saj kundër forcave të errëta brenda dhe jashtë vendit. Siç duket deri më tani, zyrtarët e saj nuk po luftojnë për interesa personale, por për të gjithë ju, për të mos lejuar shpërbërjen e vendit dhe vdekjen e popullsisë pavarësisht nga përkatësia etnike, feja, përkatësia partiake, fisnore, shoqërore. Në rregull?

Bazuar në përvojën time, shumica e të huajve mendojnë për ne shqiptarët si më poshtë: Është tipike shqiptare të jesh i trashë në kokë”!

Prandaj, lëni marrëzitë mënjanë! Zgjohuni! Të gjithë kemi një qëllim. Ta shpëtojmë Kosovën, ta nderojmë Shqipërinë!

Duhet t’i thuhet BE-së: Çështja e ndonjë shoqate (Asociacioni) në Kosovë nuk është detyrë e askujt prej jush, është çështje e një shteti të pavarur, Republikës së Kosovës, e cila ka gjykatën e vet kushtetuese që të gjithë qytetarët, përfshirë kryeministri, presidenti dhe të tjerët janë të detyruar (obliguar) për ta ndjekur atë absolutisht. Ky “problem” është vetëm rregullimi i tij i brendshëm. I Kosovës. Angazhimi juaj ndërkombëtar është të mos lejoni një ringjallje të trazirave në Ballkan, terrorizmin nazist serb në mes të Evropës. Mos lejoni përsëritjen e luftërave dhe gjenocideve të kryera nga shteti i trazuar kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, madje edhe në masakrat e viteve 1992-1999. A e keni harruar: “Kush e nisi luftën i pari”? Luftën e Parë Botërore 1914-1918? Pse, ku dhe kur?  Për daljen e Serbisë dhe Rusisë në Adriatik përmes Durrësit së Shqipërisë. Po sikur Rusia të ketë qasje në Adriatik, çfarë do të ndodhë me ju? Pse jeni anëtar i NATO-s, nga kush mund të sulmoheni përveç Rusisë? A doni një përsëritje të këtij tmerri, prandaj anoni aq shumë nga ujku. Serbia qimen e ndërron, por zanatin se harron?! “Të mëdhenjtë” tuaj në Evropë nuk kanë mësuar ende shumë nga historia, ju nuk qenkeni më pak kokëmish se ne shqiptarët autokton në Evropë!

***

Fatkeqësisht, e gjithë përvoja e terrorizmit serb nuk i ka bërë shqiptarët më të mençur, por ata janë të hutuar në një nivel më të lartë. Fëmijët e djegur do të digjen vazhdimisht derisa të zotërojnë zjarrin. Shumica e shqiptarëve e jetojnë jetën në dëshpërim të qetë. Arsyeja jote është e pakuptimtë para se të rritet në zemrën tënde. Mos i dëgjo më lehjet e korruptuarve të së kaluarës që në bashkëpunim djallëzor me armikun pas shpinës së juaj, janë shkaku kryesor i problemeve jashtëzakonisht serioze me të cilat sot ballafaqohet dhe duhet t’i rregulloj qeveria e shpresës.

Nuk ia vlen barra qiranë që me çdo kusht të fitojmë diskutimin deri në kacafytje të përgjakshme edhe në rastet kur e dimë se nuk kemi aspak të drejtë. Jemi shumë të vegjël të luftojmë njëri-tjetrin. Humbim të gjithë. Na kërcënohet një rrezik vdekjeje. E keqja e garës së minjve është se, edhe nëse fiton, prapë mi mbetesh!

Bashkëkombës të nderuar! Ndërsa të gjitha kombet e botës kanë qeveri dhe politikanë që kujdesen për mbrojtjen e atdheut të tyre nga të huajt dashakeq, ne shqiptarët, në kulmin e rrezikut nga fqinjë gjakpirës, jemi të detyruar të bëjmë të kundërtën, ta mbrojmë atdheun nga qeveritarë joligjorë dhe “politikanët” tanë kriminelë, që të mos ua shesin të huajve edhe atë tokë të rrudhur që na ka mbetur.

Nuk pritet që të fuqishmit të heqin dorë nga interesat vetjake. Prandaj lypset mobilizuar opinionin publik për të ushtruar trysni mbi ta. Tragjedia më e madhe nuk është brutaliteti i njerëzve të pistë, por heshtja e njerëzve të mirë. Hero është ai që kupton përgjegjësinë që vjen me lirinë e tij. Të ligjtë nuk ikin vullnetarisht, kanë vendosur të mbeten në pushtet edhe pas vdekjes. Bëni diçka më konkrete për tokën ku keni lindur, ku jeni rritur! Bëni diçka për tokën ku pushojnë eshtrat e më të afërmve të juaj! Për të arritur dëshirat e parealizuara të tyre dhe qëllimet tona: Dekolonizimi i territoreve të okupuara, liria, demokracia e vërtetë, ku i njëjti ligj do të sundojë për të gjithë – askush para ligjit.

Porosi për “politikë-bërësit” e dështuar analfabetë antikombëtarë, gjithashtu për  “gazetarët” e shitur gjysmë-analfabetë që i përmbajnë me rrenat e tyre:

 

“A ka more burrecë ndonjë mes jush, që ta përmbajë veten e të mos mashtroj, gënjej, manipuloj e luajë me padijen dhe varfërinë e këtij populli? A e dini more zagarë se ka gjëra shumë më të rëndësishme sesa të kesh dorën në kasën e shtetit që ka mbetur bosh, dhe të kesh prapanicën në kolltuk për dekada?”

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

blank

PËRSE ALEANCA ATLLANTIKE ËSHTË NJË RIKTHIM I MIRËPRITUR – Nga PAOLO LEPRI – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

            Një ent i kotë? Përgjigja është jo. Dhe as një organizatë pranë “vdekjes cerebrale”, siç kishte parashikuar presidenti francez Emmanuel Macron. NATO shërben ende e do të shërbejë në t’ardhmen. As më shumë dhe as më pak se sa ka ndodhur në një të shkuar të afërt që nuk ka kaluar krejtësisht. Në kufijtë e saj, në fakt, është “kërcënimi” i Rusisë. Të “Tridhjetët” (që dje në tryezën e Brukselit është edhe Maqedonia e Veriut) dënojnë “politikat aggresive” të Vladimir Putinit, dinë shumë mirë se çfarë mendohet në Kremlin për marrëdhëniet Lindje – Perëndim e për përballimin ndërmjet liberalizmit dhe autoritarizmit në lidhjet ndërkombëtare. Rreziqet janë të shumta e roja duhet të jetë e lartë.

Por do t’ishte e gabuar të ndalohemi në Moskë. Një aleancë strategjike ka për detyrë të shohë larg, edhe shumë më përtej kufijve të saj, në një botë ku lëviz me shumë vendosmëri një Vend si Kina që “i bën beleg sigurisë, mirëqënies dhe vlerave perëndimore”. Në 2010, vit i të fundmes formë të atij “koncepti strategjik” që do të përditësohet në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, Rusia ishte përmendur si “partner i mundshëm” dhe Republika popullore sapo ishte prekur. Tashmë është gjithshka ndryshe.

Të ndryshohet gjuha është shenjë gjallësie, të duam të mbrojmë lirinë tonë është diçka më tepër. Me të njëjtën frymë, ndoshta, që ka nxitur vitet më të lavdishme të një organizate që ka dhënë ndihmesën e saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Një frymë e pranishme tani edhe në fjalët e kryeministrit Draghi, në përfundim të takimit të nivelit të lartë dje: “Duhet të jemi gati për të përballuar të gjithë ata që nuk bashkëndajnë lidhjen tonë me rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla e që janë një rrezik për demokracitë tona”.

Sigurisht, u desh i gjithë zotimi i presidentit amerikan, që ka vënë menjëherë në dukje në Bruksel ”rëndësinë themelore” të NATO-s për interesat amerikane. Joe Biden ka bërë çmos, në këto javë, për të rivënë së bashku copërinat e shkaktuara nga papërkoritë veçimtare të para-ardhësit të tij e të antipatisë së tij përbrendësore në drejtim t’Evropës. Raporti transatllantik ishte dëmtuar nga tensione kaq të fuqishme sa që vetëm ndiesija e përgjegjësisë dhe përkatësisë politiko – kulturore të një bashkësie kanë shmangur katastrofën. Paditë e Trump-it (kush nuk e kujton udhëtimin e tij në Bruksel më 2017, kur “The Donald”mëtoi paratë e partnerëve? Rrezikonin për të nxitur kundërveprimin zinxhir për kohë të gjata, pikërisht përceptimit të vetë dobisë së Aleancës. N’atë epokë ishte normale të mendohej se Evropa duhej “të vepronte vetëm”, ose që të mund të shkonte edhe më shumë në rend të shpërbërë, në të kundërt, në marrëdhëniet me protagonistët e sfidave që përfundonin të ishin të nënvlerësuara.

Tani, siç po thonim, rreziku i dorëzimit tepër shpejt, ndërsa Rusia dhe Kina priren të imponojnë përparësitë e tyre, është pakësuar mjaft. Neni 5 mbi mbrojtjen e përbashkët (që Trump-i nuk pranoi as t’a mbështesë e që pasardhësi i tij e ka përcaktuar “një detyrim të shenjtë”) mund të zgjerohet në drejtim të sulmeve kibernetike. Në 45 faqet e komunikatës përfundimtare, numërohen kërcënime të reja për t’u përballuar të gjithë së bashku për t’i u ruajtur rrezikut: inteligjenca artificiale, dizinformacioni, teknologjitë e reja të raketave. Por me gjithë respektin për këto fusha të rëndësishme të veprimit, në të cilat është mirë të tregohet efektëshmëri e përbashkët, NATO-ja duket se don të thotë, ndërmjet rradhëve të 79 paragrafeve të miratuara dje nga kryetarët e Shteteve e të qeverive, se nuk ka asnjë synim të bëhet e parëndësishme.

            Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, debati i vjetër mbi “përmasën politike” të Aleancës merr një vështrim të ndryshëm. T’i jepet përparësi vështrimeve ”jo ushtarake” për të mos biseduar mbi kundërshtinë e mundëshme të përforcimit të mbrojtjes së përbashkët evropiane nën flamujtë e Bashkimit, nga disa anë është një çështje e tejkaluar. Ajo e themeluar më 1949 në Washington, objektivisht është bërë një organizatë politike e krijuar për t’u matur me problemet e globalizimit, veçanërisht duke mbajtur parasysh lidhjen që paraqitet ndërmjet kërcënimeve të luftërave teknologjike dhe ideologjive autoritare. Tashmë që “kundërshtarët” e saj – t’i quajmë kështu – janë Putini dhe Xi Jingpingu (duke ruajtur gjithmonë dëshirën për të inkurajuar vullnetin për bisedime e bashkëpunim në zona qenësore) shtysa ideale nuk mund të mos jetë mbështetja me mjete të reja, i aftësisë më të përgjithëshme për të mbrojtur Vendet antare nga kërcënimet.

Si përputhet ky ndryshim i dëshiruar i vijueshëm i lëkurës me praninë në brendësi të Aleancës, të “zonave të hirta”? Mendojmë natyrisht tek Turqia e Rexhep Taip Erdoganit. Nuk do t’ishte absolutisht e çuditëshme të mendohej për “rregulla sjelljeje”të detyruara – në rrafshin e mbrojtjes së Shtetit të së drejtës e mbi një rol jo agresiv në marrëdhëniet ndërkombëtare – që mund të shartojnë një mekanizëm virtuoz. Edhe në këtë mund të jetë vendimtar roli stimulues i një presidenti si Biden-i që e ka të qartë qënien e një përballimi, të shtrirë në të gjithë nivelet në botë, ndërmjet demokracive dhe regjimeve autokratikë. U pa ditët e shkuara në G7 të Carbis Bay.

Një përmasë e re e aleancës do të thotë edhe një rishikim i organizimit të brëndshëm, në nevojën për të nxitur bashkërendimin politik ndërmjet Vendeve antare. Jo i fundit është edhe problemi i drejtimit, me që sekretari i përgjithshëm i tanishëm, norvegjezi Jens Stoltenberg, arrin në mbarimin e mandatit të tij në shtatorin e vitit t’ardhshëm. Bashkimi i rigjetur ndërmjet dy brigjeve t’Atllantikut, në një kuadër mbrojtjeje të vlerave, mund të përforcohej nga një kandidaturë të shprehur nga një Vend historikisht evropeist, makar mesdhetar. Si për shembull Italia.

 

“Corriere della Sera”, 15 qershor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

blank

DEMOKRACIA E ORBANIT NUK PËLQEHET MË – Nga FEDERICO FUBINI – Përktheu Eugjen Merlika

 

            Mbas pesëmbëdhjetë muajsh pandemie, as edhe burrat e fuqishëm nuk janë më ata të një kohe. Hapi i rëndë i Viktor Mihály Orbán-it, kryeministër i Hungarisë pa ndërprerje prej dhjetë vitesh, papritmas nuk është më aq i sigurtë. Dy vjet më parë ai kishte vepruar në mënyrë që të përzihej nga Hungaria Central Europan University, që është amerikan, liberal, i rëndësishëm e, mbi të gjitha, i pavarur nga pushteti politik. Asgjë e befasishme, për të. Nga ana tjetër në Hungari edhe mediat e opozitës e kanë të vështirë të gjejnë botues. Gazetat kryesore janë në dorë të një fondacioni të lidhur me qeverinë e çfarëdo figurë që bëhet e bezdisëshme për rrethin e kryeministrit është objekt i fushatave tejet të fuqishme të baltosjes.

            Jo shumë kohë mbasi kishte larguar Central European University, Orbani në të vërtetë ka paraqitur një alternativë: një fushë të pamasë në periferi të Budapestit për Fudan Univesity, kinez por i paguar me 1,5 miliardë të llogarisë publike hungareze. Jo një institucion akademik dosido. Në dhjetorin e vitit 2019 Fudani ka fshirë nga statuti i tij parimin e “pavarësisë e të lirisë së mendimit” dhe e ka zëvendësuar me “zotimin për të ndjekur drejtimin e partisë komuniste”. Së fundi Orbani e shpërbleu duke vënë veton, vetëm, mbi një deklaratë evropiane që kritikonte përndjekjen kineze në Hong Kong.

Banorëve të Budapestit nuk u ka pëlqyer. Të shtunën me mijra kanë zbritur në rrugë për të kundërshtuar përdorimin e një pjese të gjërë të truallit komunal për kampusin e pafund kinez. Gergely Karácsony, kryetari 45 vjeçar liberal i bashkisë së Budapestit, e drejtuesi i pritshëm i opozitës në votimet politike të më pak se një viti, menjëherë ka marrë qëndrim. Rrugët për rreth truallit të dhënë për kampus janë pagëzuar me emrat “Rruga Liri për Hong Kongun”, “Rruga Martirët ujgurë” ose “Rruga Dalai Lama”. Ambasada kineze është ankuar, qeveria hungareze gjithashtu, por më së fundi Orbani është detyruar të lëshojë pe: projekti i Universitetit të Fudanit do t’i nënështrohet një referendumi ndërmjet banorëve të Budapestit. Pra, me gjasë nuk do të fillojë kurrë, sepse armiqësia në kryeqytet është shumë e përhapur.

Nuk është rastësi që kryeministri hungarez fillon të tregojë shënja dobësie pikërisht tani. Për të parën herë të gjitha partitë e Opozitës janë bashkuar në një aleancë për t’a mundur në zgjedhjet politike mbas më pak se një viti dhe veprimi mund t’i a arrijë. Fidesz, partia e kryeministrit, në hulumtimet e fundit është dhjetë pikë mbrapa bashkimit të opozitave (45% me 55%) dhe hapësira për tani po vjen duke u zgjeruar. Nga ana tjetër Hungaria nuk del aspak mirë nga pandemia. Është Vendi që shënon zyrtarisht numurin më të madh të të vdekurve në botë mbas Perusë, në përpjestim me popullsinë. Rënia e ekonomisë ka qënë e ashpër dhe e zgjatur, shtresat e mesme janë varfëruar, ndërsa rrethi i miqve dhe familiarëve të Orbanit vazhdon të fitojë shumë prej tenderave më të pasur publikë. Luca Visentini, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës evropiane të sindikatave, e përcakton Hungarinë e sotme “një oligarki iperliberiste simbas modelit rus”. Sigurisht gjatë pandemisë qeveria ka miratuar një dekret që fshin çdo lloj forme kontrate kolektive të punës nëpër fabrika e në sektorët publikë të arsimit e të shëndetësisë. Të gjithë punonjësit e atyre sektorëve mund të pushohen nga puna ose të ulen në detyrë për çfarëdo arsye, edhe se vetëm për pjesëmarrjen në një grevë. E cilido puntor që vendos të largohet nga puna më parë se të ketë plotësuar programin dyvjeçar të orëve të punës të paracaktuara, duhet t’i derdhë ndërmarrjes pagën përkatëse që do të duhej të kishte marrë n’atë periudhë. Në thelb, sikur t’ishte një skllav që duhet të paguajë për t’u liruar.

Një numur në rritje i hungarezëve po arrin në përfundimin se modeli iliberal i Orbanit paraqet mbi të gjitha humbje. Kur t’a kuptojnë edhe admiruesit e tij n’Evropë e n’Itali, ndoshta nuk do të jetë shumë vonë.

 

“Corriere della Sera”, 9 qershor 2021        Përktheu Eugjen Merlika

blank

Deklaratë paqësore e “leshit” me Serbinë kolonialiste – Nga Prof. Dr. Mehdi  HYSENI

Barometri diplomatik

        *** Edhe Hitleri e Stalini patën lidhur Marrëveshjen për Mossulmimin ( 23.08.1939), por  tanket  gjermane patën hyrë edhe në Stalingrad…  Duket se këshu   diç do ndodhë edhe me Serbinë (e cila është armatosur deri në dhëmb me armët më moderne  ruse, kineze…etj.), nëse çështja e Kosovës nuk  zgjidhet urgjenisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

 

Të mos harrojmë se, edhe ish-kryeministri Hajredin Kuqi u pat propozuar liderëve politikë të Serbisë, që të lidhin një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo, ata prerazi e patën hedhur poshtë  me pretekstin se “Kosova nuk është kurrfarë shteti, por krahinë e Serbisë”.

Andaj, çfarë “deklarate paqësore për mossulmimin”  i ka propozuar A.Kurti  presidentit ultranacionalist me syze të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste serbomadhe, Aleksandër Vuçiq  në takimin e Brukselit, më 15 qershor 2021, i cili iu përgjigj prerazi : “Nikad nećemo priznati Kosovo!”

Kjo deklaratë e tij është shprehje e logjikës së politikës së  forcës, përkatësisht është paralajmërim i shpërthimit të një konflikti të ri të armatosur serb kundër Kosovës.

Për më tepër ky kurs i politikës serbe nga pozita e forcës përjashton çdo mundësi për arritjen e ndonjë “deklarate paqësore të leshit” me Serbinë kolonialiste, fashiste dhe gjenocidale, e cila nuk pranon, përkatësisht nuk kërkon falje për të gjitha krimet e gjenocidit serb në Kosovë (1989-1999).

Pradaj, ky dialog është vetëm një “alibi” për politikën dhe për diplomacinë e Beogradit zyrtar, me qëllim që të justifikohen para bashkësisë ndërkombëtare,  se ja “ ne duam paqe me shqiptarët, por, Kosova është e jona” !?

– Në të vërtetë, kjo do të thotë të kundërtën-kërcënimin dhe përgatitjen e Serbisë për një luftë të re, që  me forcë ta rikthejë Kosovën nën sovranitetin e saj kolonial (1912-1999). Kjo  është “oferta paqësore” e Aleksandar Vuçiqit, e cila në asnjë formë dhe, në asnjë kuptim nuk ndryshon nga “oferta paqësore” e politikës pushtuese gjenocidale e Serbisë së Slobodan Milosheviqit “Kosovo je Srbija” !

Ndaj, kryeministri Kurti mund t’ia sugjerojë A.Vuçiqit “100” propozime për të arritur ndonjë kopromis politik në të mirë të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, mirëpo, kjo nuk do të “ndezë” (vetëm se është humbje kohe) ngaqë në mënyrën më arrogante dhe kërcënuese presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po  ngulmon para BE-së dhe Amerikës, që të dëshmojë se gjoja “Kosova është e Serbisë. -Shihni edhe Kushtetutën e vitit 2006, ku Kosova figuron si krahinë e Serbisë; shihni manastiret, kishat e sakralet e Serbisë në Kosovë…etj. “

Të gjitha këto gënjeshtra, shpifje dhe dezinformime historike të presidentit serb A.Vuçiq janë në funksion të përgatitjes për një luftë të re në Kosovë. Kjo është prapavija e Dialogut të Brukselit, ku pala shqiptare e Prishtinës nuk do t’i pranojë asnjë nga kërkesat e A.Vuçiqit, ngaqë emërues të përbashkët gjeopolitik dhe gjeostrategjik kanë formimin e një “Srpska republika” sipas modelit të “Srpska republika”, e krijuar me gjenocid në Bosnjë (1992-1995).

Ky është “problemi” i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe i Kishës Ortodokse Serbe, jo  kurrfarë gënjshtre dhe dezinformimi, se gjoja “minoriteti serb është në gjendje të vështirë dhe  i rrezikuar në Kosovë. Për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa gjendja e sigurisë dhe e mirëqenies së serbëve në Kosovë.” Me këtë paternalizëm të rremë dhe fals qe ushyer dhe shërbyer edhe politika dhe propaganda andishqiptare e regjimit gjenocidal të Slobodan Milosheviqit, i cili e përdori si pretekst për ripushtimin policor, ushtarak dhe paramilitar të Kosovës më 1989, me ç’rast shqiptarët i zhveshi nga autonomia që gëzonin sipas Kushtetutës së vitit 1974.

         Nuk mund të ketë marrëveshje paqësore me Serbinë, pa njohjen e Republikës së Kosovës !

Si mund të normalizohen marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, kur presidenti Aleksandar Vuçiq po kërkon kthimin prapa të Kosovës së pavarur dhe sovrane nën sovranitetin kolonial të Serbisë (1912-1999) ?

Si mund të ketë paqe, siguri e stabilitet në Ballkan e në Evropë, kur Serbia përmes Dialogut të Brukselit (2011-2021) po kërkon sine  qua non zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës, të cilin e kanë njohur mbi 100 shtete të Kombeve të Bashkuara (2008-2021)?

Për të dalë nga një “rreth vicioz” i tillë i politikës propagandistike dhe i diplomacisë shantazhuese  anitpaqësore serbomadhe me primesa të luftës së ftohtë si formë e politikës së forcës për zhbërjen e institucioneve shtetërore të Kosovës,  Aleksandar Vuçiqit, duhet t’i bëhet e ditur si (1+1=2) se pa njohjen paraprake të Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës, nuk  mund të hapen “tema” të tjera për dialogim, sepse nuk kanë asnjë kuptim dhe, asnjë vlerë për gjetjen e ndonjë kompromisi racional politik, që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella mes Kosovës dhe Serbisë.

             Zgjidhja e problemit të Kosovës vetëm në OKB, jo në Bruksel !

 Duke qenë se, tanimë ka dështuar Dialogu i Brukselit  (2011-2021), realisht nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e drejtë kompromisi politik mes palëve kontestuese (Serbisë dhe Kosovës), mbase Serbia kolonizuese  me Kushtetutën e saj (2006) Kosovën e pavarur, ende e konsideron si territor të saj, edhe pse e kanë njohur mbi 100 shtete të OKB-së.

Për të tjekaluar këtë krizë politike dhe diplomatike, të krijuar nga Serbia kolonialiste, është e domosdoshme që Prishtina zyrtare së bashku me 100 shtete të tjera, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, të kërkojnë, që ky problem 10-vjeçar, të rivendoset në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sepse kjo është me kompetencë dhe me autorizime juridike ndërkombëtare, që të zgjidhë problemet ndërkombëtare në bazë të Kartës së saj dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Pra,  zgjidhja e kontestit politik mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet kërkuar vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila ka për detyrë dhe, është përgjegjëse  për mbrojtjen, për ruajtjen dhe për forcimin e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në dimensione ndërkombëtare.

 

 Deklaratë a traktat paqësor me Serbinë, pasi kjo, ose OKB-ja  ta njohë Republikën e Kosovës

 

Si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ashtu edhe mediatorët e BE-së, si dhe të gjithë miqtë-partnerët dhe aleatët e Kosovës, nevojitet ta dinë të vërtetën se të gjithë shqiptarët e Kosovës duan të kenë paqe dhe bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë, por vetëm (kur të krijohen kushtet normale, ligjore dhe kushtetuese) mbi bazën e reciprocitetit si dy shtete të barabarta, të pavarura dhe sovrane. Kjo do të ishte esenca dhe kuptimi përmbajtësor i përfundimit të çdo traktati a marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Mirëpo, çështja është tejet e ndërlikuar ( se si të arrihet një paqe e tillë e ndërsjellë serbo-shqiptare), kur Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, por sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006, Kosovën e konsideron “pjesë territoriale të saj”!

Pikërisht mbi këtë “bazë juridike kushtetuese”, Serbia qe 20 vite ka pushtuar pjesën veriore të Kosovës, ku serbët e atjeshëm, të mbështetur nga Beogradi, nuk njohin institucionet legjitime, legale dhe kushtetuese të Kosovës.

Logjikisht, derisa Serbia ushqen ambicie dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, si dhe nuk e heq këtë “klauzolë kushtetuese” nga kushtetuta e saj në fuqi, qeveria, as parlamenti, asnjë parti politike (pozitë apo opozitë) nuk kanë asnjë të drejtë morale, ligjore dhe kushtetuese, që të lidhin ndonjë traktat a marrëveshje paqësore me Serbinë.

 

Derisa OKB-ja nuk e njeh Kosovën si subjekt juridik ndërkombëtar, nuk mund të ketë “traktati paqësor” e as kurrfarë reciprociteti me Serbinë. Ky është vetëm iluzion dhe tretje kohe sa për të manipuluar me opinionin publik.

Gjithashtu, derisa Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën, reciprocitet juridikisht të detyrueshëm nuk do të ketë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Këtë difekt ligjor, duhet ta mbajnë parasysh si presidenti, qeveria, ashtu edhe parlamenti i Kosovës. Ndaj, do të ishte e gabueshme nëse pala shqiptare e Kosovës, do të lidhte ndonjë marrëveshje me Serbinë pa ndonjë garanci ndërkombëtare (Amerika, OKB-ja dhe BE-ja), sepse Serbia nuk do t’i përmbahej zbatimit të parimit të reciprocitetit, duke qenë se Kosovën nuk e njeh si shtet të pavarur dhe sovran ngase  kjo ende nuk nijeht si subjekt juridik ndërkombëtar nga ana e Kombeve të Bashkuara,  por edhe pas pavarësimit të saj(17 shkurt 2008), Serbia e trajton dhe e konsideron si krahinë të saj, ashtu siç figuron në Kushtetutën e vitit 2006, si dhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

blank

Nonsensi diplomatik, si 5 shtete i kundërshtojnë 22 shtete të BE-së? – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

          

 

*** Edhe pse Spanja, Rumania, Greqia. Sllovakia dhe Qiproja Greke nuk kanë kurrfarë statusi special në BE, ashtu siç kanë Amerika, Rusia, Franca, Kina dhe Britania e Madhe si shtete të përhershme me të drejtë VETO-je në KS-në e OKB-së, këto nuk e njohin Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Ky është nonsens jo vetëm diplomatik, por para së gjithash juridik ligjor, që kërkon shqyrtim imediat nga institucionet thelbësore, siç janë:  Parlamenti i Evropës, Këshili i Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian, Gjykata e Bashkimit Evropian etj.

 

*** Nga ky privilegj dhe kjo e drejtë diskrecioni, kur të gjithë anëtarët kanë të njëjtat të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të barabarta  në Bashkimin Evropian (BE). Sikur këto 5 vende të mos kishin qenë anëtare të BE-së, askush nuk do të kishte pasur të drejtë, që t’i detyronte ta njihnin Kosovën, mbase sipas së drejtës ndërkombëtare, njohja është akt i vullnetshëm i një shteti, nëse ka interes të njeh, nëse jo, nuk të njeh, dhe askush nuk mund t’ia imponojë një detyrim të tillë.

 

Pse, si ka qenë e mundur që,  Josep Borell ( i Spanjës) Përfaqërfaqësues i Lartë për  Politikë të Jashtme dhe për Siguri të BE-së, dhe Miroslav Lajçak ( i Sllovakisë) idh-ministër për Politikë të Jashtme të BE-së, dhe, tani Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun serbo-shqiptar në Bruksel dhe për Ballkanin Perëndimor,  të emërhoen ndërmjetës  mes palës  negociuese shqiptare të Prishtinës dhe palës negociuese serbe të Beogradit, kur as Spanja e as Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?

Ky është nonsens politik, diplomatik dhe juridik, sepse  logjikisht, normalisht dhe realisht ato shtete që nuk e njohin Republikën e Kosovës, nuk do të duhej të kishin ndërmjetësit e tyre në Dialogun e Brukselit, thjesht për faktin se  ekziston dyshimi në njëanshmërinë dhe  në padrejtësinë e tyre, duke qenë se vendet e tyre e mbështetin Serbinë ish-kolonialiste. Ndërkaq, de fakto dhe de jure   e mohojnë pavarësinë e Kosovës, si dhe haptazi kundërshtojnë vendimin e 22 shteteve të tjera të BE-së, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës (2008-2021). Ky veprim konkret i Spanjës, i Sllovakisë, i Rumanisë, i Greqisë dhe i Qipros greke, është në kolizion flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet e tjera të BE-së. Kjo nuk duhet të tolerohet ( kur dihet se 27 vende anëtare të BE-së kanë të njëjtin status) , sepse edhe kjo “5-she”, e dalë kundër vedimeve të BE-së (shumicës dërrmuese-22 anëtare), është e detyrueshme, që të respektojë dhe të zbatojë të të gjitha vendimet dhe marrëveshjet e miratuara nga BE-ja, sepse këto nuk kanë kurrëfarë të drejte të VETO-s, ashtu sikurse  5 fuqitë e mëdha në KS-në e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prandaj, duhet të “disiplinohen” dhe të detyrohen që të mbështesin vendimet, kërkesat dhe standardet e BE-së, ashtu sikurse 22 shtetet e tjera anëtare të saj. Ndryshe, nuk ka kurrfarë kuptimi dhe efekti  politik, as juridik, as kushtetues e as ndërkombëtar, që Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja greke t’iu imponojnë dhe t’iu diktojnë “hiret” e tyre , të motivuara nga interesat e politikave të tyre të brendshme. -Thjesht, ligjërisht këto 5 shtete nuk mund të jenë përjashtim dhe të kenë privilegje  special ndaj 22 shteteve të tjera të BE-së, që e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Në këtë vështrim, shtrohet kjo pyetje serioze, sikur Shqipëria të mos e kishte njohur Spanjën, a do të kishte pranuar ky shtet shtet, që ndërmjetës të ishte ndonjë lider politik shqiptar në “dialogun e saj me Kataloninë” ? – Përgjigjja është negative-Jo! –Atëherë, pse  qeveria e Kosovës pranoi që  Josep Borelli të jetë ndërmjetës në Dialogun e Brukselit (2011-2021), kur Spanja e tij nuk e njeh Kosovën, por Serbinë. Ky është cirk politik dhe diplomatik.

                Nuk pranohet për ndërmjetës ai që nuk të njeh, por ai që të ka njohur !

 

Prandaj, politika dhe diplomacia e Kosovës nuk do të duhej të pranonin ndërmjetësimin e Borellit dhe të Lajçkat, për shkak se  shtetet e tyre (Spanja dhe Sllovakia) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ku është logjika racionale këtu, pse nuk është propozuar ndonjë përfaqësues nga 22 shtetet e BE-së, që e kanë njohur Kosovën (p.sh. Gjermania, Britania e Madhe, Franca apo Italia). Pikërisht, kjo logjikë iracionale, të bën të dyshosh dhe të mos besosh në objektivitetin e shërbimeve të vullnetit të mirë të dy ndërmjetësuesve të theksuar të BE-së. Ky është nonsens diplomatik dhe juridik  i BE-së.

               Kërkesa e ministrit të Jashtëm të Kroacisë, Gërliq Radoman, racionale dhe e pranueshme, që edhe 5-shja e BE-së ta njohë pavarësinë e Kosovës

Duke qenë se Kroacia si anëtare e BE-së e ka njohur dhe e mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës, është normale, që   edhe 5 shtetet e tjera  anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja Greke),  ta njohin Republikën e Kosovës, ashtu si e kanë njohur edhe 22 shtetet e tjera anëtare të BE-së (2008-2021), ka deklaruar Gërliq Radoman (ministër i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane), sepse një njohje e tillë do të ndihmonte në “stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës.”

               Lapsus lingua e Lajçakut !

Duke qenë se Miroslav Lajçak  është  vetëm një përfaqësues i Sllovakisë në BE, do të duhej të thoshte “nëse nuk më besoni mua, shkoni dikund tjetër”, Jo “nëse nuk i besoni BE-së, shkoni dikund tjetër”, sepse ai nuk është BE-ja. –BE-ja është  më e madhe se Slovakia e Lajçakut, ka  edhe 26  shtete  të tjera anëtare të  Bashkimit Evropian. Prandaj, nuk ka asnjë të drejtë, që në emër të BE-së, t’u thotë shqiptarëve : “Nëse nuk i besoni BE-së,  shkoni dikund tjetër”.

Duke qenë se, edhe Kosova, edhe Shqipëria kanë besim të plotë ndaj BE-së, por jo edhe ndaj 5-shes që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. –Si t’i besohet  ndonjë misionari paqësor , kur shteti i tij nuk të njeh as de fakto e as de jure, siç është rasti me Borellin dhe me Lajçkun?  Kjo është tejet e thjeshtë për t’u kuptuar , pa ndonjë thellim të veçantë politik a diplomatik.

Një gabim i tillë i M.Lajçkaut shkaktoi reagime zinxhirore edhe te liderët politikë në Kosovë, si Mimoza Kusari-Lila ( deputete e Kuvendit të Kosovës), e cila përmes twiter-it iu përgjigj me këtë kundërshtim :” A moment to reply to @MiroslavLajcak If you don’t like your job, maybe you should go somewhere else. What an arrogant statement from someone who’s suppose to help countries come closer to the EU and not look further from it. “ Ndërkaq, Vlora Çitaku (ish-ambasadore e Kosovës në Uashington) e quajti “skajshmërisht arrogant”  me këto fjalë: “Arrogant. Extremely arrogant. Enlargement is not an altruistic project. Furthermore, if EU continues to fail on its immediate neighborhood how on earth EU bureaucrats expect to be taken seriously in regions far more distant and far more complex.”  (Burimi: https://arenamediale.tv/lajme/nese-nuk-i-besoni-be-se-shkoni-diku-tjeter-kusari-lila-e-citaku-i-reagojne-lajcakut-e-quajne-arrogant/ ).

blank

REGAN, GORBAÇOV DHE JASHTËTOKËSORËT: DHE NË GJENEVË ARRITI SHKRIRJA E AKUJVE – Nga PAOLO VALENTINO – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

“Zoti sekretar, po nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmoheshin nga një fuqi jashtëtokësore, ju do të vinit në ndihmën tonë”, pyeti Ronald Regani një Mihail Gorbaçov të habitur. Drejtuesi sovjetik u përgjigj me një frymë: “Pa dyshim, zoti president”. “Edhe ne do të ju kishim ndihmuar” i a ktheu kreu I Shtëpisë së Bardhë. Ndodhte më 19 nëndor 1985, në shëtitoren buzë liqenit të parkut La Grange në Gjenevë. “Në vënd që të hynin në vilën ku ishte parashikuar takimi formal, kryetarët e dy Mbifuqive kishin befasuar protokollin, duke vendosur të bënin një shëtitje në breg të Lemanit për të shkëmbyer katër lloqe. Filloi kështu, me një premtim të ndërsjelltë aleance kundër jashtëtokësorve, takimi I nivelit të lartë SHBA – BRSS, i pari ndërmjet Reganit dhe Gorbaçovit, hyrja në një stinë të jashtzakonëshme që në rrjedhën e një pesëvjeçari do të kishte çuar në fundin e Luftës së Ftohtë dhe në shëmbjen e Bashkimit Sovjetik.

Tridhjetëegjashtë vite më mbrapa genius loci [1] i qytetit zviceran bëhet sfondi për Joe Biden-in e Vladimir Putin-in që, të mërkurën e ardhëshme do të kërkojnë të rimarrin perin e bisedimit, në kulmin e një faze të rëndë tensioni në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës. Edhe në takimin e lartë të vitit 1985, Regani dhe Gorbaçovi arritën mbi valën e gjashtë viteve të jetuara rrezikshmërisht. I zgjedhur më 1980, presidenti amerikan kishte filluar programin më të madh të armatimit të Mbasluftës, në përgjigje të vijës gjithënjë e më agresive të Kremlinit, që kishte arritur majën me mësymjen e Afganistanit në 1979. Lajmërimi amerikan i një shqyti yjor mbrojtës, projekti i “Luftërave Yjore”, e  kishte vënë në një qoshe xherontokracinë sovjetike, që kishte parë tre sekretarë të përgjithshëm – Brezhnjevin, Andropovin dhe Çernjenkon – të vdisnin brënda tre vitesh.

Zgjedhja e Gorbaçovit në prill kishte hapur një fazë të re. Rruga që çoi në takimin në Leman ishte e mbjellur me pengesa. Regani ishte nën trysninë e skifterëve të qeverisë së tij për të mos pranuar asnjë propozim sovjetik. Gorbaçovi haste ende qëndresa të fuqishme në brëndësi të Byrosë politike. Por Regani, edhe në sajë të Margaret Thatcher-it që e kishte takuar, dinte se Gorby ishte një drejtues i ndryshëm. Dhe ai vetë që e kishte vulosur BRSS si Perandoria e së Keqes, ishte bindur se holokausti bërthamor ishte “një rrezik i vërtetë e i shpejtë”. Jashtëtokësorët shërbyen për të thyer akullin. Gjeneva qe vetëm fillimi. M’e mira do të vinte mbrapa.

 

“Corriere della Sera”, 19 qershor 2021     Përktheu Eugjen Merlika

[1] Genius loci (latinisht) : një thelb natyror e mbinatyror, I lidhur me një vend dhe objekt kulti në besimin romak. (Vikipedia)

blank

Vëzhgim – Përse duhet të takohen akoma? – Nga ADRIATIK DOSTI

….Kur do ta njihni Kosoven …i eshte drejtuar sot ne takimin e radhes ne Bruksel ne vazhden e dialogut Serbi – Kosove …kryeministri i shqiptar i Kosoves Albin Kurti…- Presidentit te Serbise Aleksander Vucic …
….Kurre – Asnjehere i eshte pergjigjur prere e me nervozizem serbi.
…Une i bera 4 propozime dhe qe te 4 ai i refuzoi kategorikisht …u ra dakort qe takimi i ardhëshëm te zhvillohet ne 25 korik edhe pse nuk rame dakort per axhenden e radhes – u tha mediave pas takimit Kurti…
….Ai erdhi i tensionuar ne kete takim dhe me provokoi qe ne fillim duke me pyetur se kur do ta njohim Kosoven… e per kete mori pergjigjen time te prere – deklaroi Vucici duke shtuar se ata – shqiptaret kurre nuk pyesin per Asosacionet serbe ne Kosove por kerkojne me kembengulje vetem nje gje.,.,.njohjen prej nesh te Kosoves – deklaroi pas takimit Vucici…
Fare e thjeshte …kur nuk bihet dakort qe ne piken e pare te dialogut e per ate c’ka kembengul komuniteti nderkombetar pra njohjen e ndersjellte e reciproke Serbi – Kosove atehere perse duhet te takohen serisht e perse duhet te mblidhen per te folur per pikat 2-3-4 e me radhe…?
Thjesht per shown e radhes te BE ?
Eshte viti i 10 i dialogut Serbi – Kosove dhe pavaresisht reth fallsitetit te asaj c’ka deklarohet se eshte arritur …realisht ne te mire te dy vendeve e popujve me nje histori te djeshme e te sotme teper te hidhur …e kjo teresisht per faj te Serbise …asnje gje konkrete nuk eshte arritur deri me sot…
Shikoni c’ndodh sot …dialogun e kryesojne ose e mbikqyrin Jossef Borrell nje spanjoll vendi i te cilit nuk pranon ta njohe Kosoven .,..dhe Mirosllav Lajcak nje sllovak vendi i te cilit jo vetem qe nuk ka pranuar kurre ta njohe Kosoven por ne te kunderten qendron fort ne krah te Serbise….
E qe te dy Borell & Lajcak kush sa here me veprimet, vendimet, deklaratat e qendrimet e tyre publike me se shumti kane anuar nga Serbia e Vucici se sa nga e drejta nderkombetare e aq me shume diktuar kjo nga posti e pozicioni qe kane ne BE e nga fakti se po vete BE kembengul qe ta udheheqe ajo dialogun e askush tjeter…duke përjashtuar me këtë rast e jo pa qëllim nga pjesmarrja në dialog Ameriken.
Ndaj dhe eshte pak e besueshme qe Borell e Lajcak ta percjellin frymen e duhur europiane te dialogut Serbi – Kosove ashtu sic do deshironin realisht te gjithe euro- atlantikasit… ne te mire te te dyja vendeve e per te miren e te dy popujve per te jetuar ne paqe e respekt reciprok…
Por per kete se pari lypet qe Serbia te dale nga vet-izolimi i saj absurd e ti kerkoje falje publike Kosoves per gjithe c’ka ngjare nder vite…per krimet e saj te perbindeshme, per genocidin barbar , per perdhunimet makabre, per djegjet, vjedhjet, plackitjet, vrasjet, te zhdukurit etj etj…ndryshe dialogu do ti perngjase nje maratone pa fund e pa krye ku asnjeri nuk do te mund neser te flase dot per respekt e Paqe…
Serbia duhet te detyrohet nderkombetarisht per njohjen e Kosoves dhe nuk duhet te lutet me dore ne zemer sic po vepron ndaj saj BE e sikurse e thashe me lart permes Borrellit e Lajcakut te cilet me veprimet e tyre te fundit duket se i kane hedhur edhe me shume benzine – zjarrit …
Vetem nje perfshirje e Amerikaneve ne kete dialog mund ti jape drejtim ngercit e kokefortesise absurde serbe ndryshe BE e kushdo tjeter do te vazhdojne te rrahin uje ne hava sic themi ne shqiptaret e do te vazhdojne te bejne vetem show duke caktuar vende e data per ”takimin e radhes” e per vazhdimin e dialogut… e asgje me shume…
E mira fare do te ishte antaresimi urgjentisht i Kosoves ne NATO c’ka do te shuante njehere e mire enderren serbo-ruse ne Ballkan …por edhe Liberalizimi urgjent i vizave per popullin e Kosoves te cilin duket se qellimisht e pengojne brenda BE qarqe te caktuara antishqiptare qe jane mike te hershme e tradicionale historikisht te Serbise sic eshte fjala vjen Franca …
Per te paren…Kosova ne NATO fjalen duhet ta thone tani e sa nuk eshte vone vete Amerikanet qe kane kontribuar si askush tjeter deri me sot per clirimin e Lirine ne Kosove. e per kete Kosove qe fale tyre eshte kjo qe eshte sot…. ndersa per liberalizimin e vizave lipset nje kembengulje me e madhe prej vete Gjermanise qe historikisht ka mbajtur nje qendrim te drejte e korrekt ndaj kombit shqiptar …dhe atehere do ta shihni fare shpejt nese Serbia do vazhdoje te sillet ende keshtu me kete lloj rrugacerie politike e kokfortesie absurde ballkanike apo do te jete ajo qe me pas do i lutet Kosoves e komunitetin nderkombetar per vazhdimin e dialogut me Kosoven per te miren e dy vendeve, popujve e te krejt Rajonit …
Sa me pare qe Serbia te shkeputet nga Rusia ekspansioniste e antishqiptare por edhe te dale nga ombrella e piset e politikes franceze dhe hija gjakatare millosheviciane aq me mire per te…e per popullin e saj …
Ndryshe vargjet e nje poeti te madh kosovar do te vazhdojne te na kumbojne fort e dhimbshem ne veshet tane edhe per nje kohe shume te gjate….
….Ata thone qe Kosova eshte zemra e Serbise…
….ne themi qe Kosova eshte Djepi i shqiptarise
E si mundet qe i njejti djep te perkunde te tille Binjake
…ku njeri kerkon t’amel e tjetri po lyp gjak …
blank

Doktrina “Bajden” si ZGJIDHJE: Si po krijon presidenti amerikan një momentum të ri të jashtëzakonshëm që do ketë efekte në rajon! – Nga SHABAN MURATI

Presidenti amerikan Bajden ka krijuar një momentum të ri të jashtëzakonshëm diplomatik për Kosovën dhe për Ballkanin, që ka pasur dhe do të ketë efekte në rajon.

Një dëshmi është për këtë tronditja e pazakontë psikologjike e presidentit serb Vuçiç, i cili në mëngjesin herët të 15 qershorit, nga hoteli në Bruksel ku ndodhej për takimin e nivelit të lartë atë ditë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, urdhëroi ngritjen në alarm luftarak të 15 mijë ushtarakëve dhe oficerëve të ushtrisë serbe në gjithë territorin vendit për të provuar gatishmërinë luftarake dhe për të nisur manovrat ushtarake “Goditja e rrufesë 2021”.

Një absurditet tipik i kohës së Millosheviçit, i cili bënte gjëra të tilla mburravece kur po i shtrëngohej morsa e presionit amerikan dhe atlantik pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare të Rambujesë nga Kosova dhe refuzimit të nënshkrimit të saj nga Serbia.

Nuk ka informacion nëse diplomatët e lartë të BE, që ndërmjetësuan dialogun Vuçiç-Kurti në 15 qershor, i bënë ndonjë vërejtje presidentit serb për atë veprim alogjik, por e sigurtë është që mediat ruse i bënë jehonë të madhe urdhërit të presidentit serb për të ngritur në këmbë forcat ushtarake serbe ditën e dialogut në Bruksel. Është sintoni serbo-ruse për sabotimin e dialogut.

Pak rëndësi ka që presidenti serb kërkonte me këtë rast t’i jepte zemër vetes dhe grupit ultranacionalist serb, që e mban në pushtet. Domethënia diplomatike e këtij veprimi të disekulibruar është se presidenti serb shkoi në takimin e nivelit të lartë të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga BE, me qëllimin e vjetër për ta dështuar atë.

Natyrisht takimi i parë politik i nivelit të lartë midis presidentit të Serbisë Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Kurti në Bruksel në 15 qershor dështoi, sepse presidenti serb refuzoi të reflektonte momentumin e ri të krijuar nga politika e re e presidentit amerikan Xho Bajden për dialogun Serbi-Kosovë dhe për Ballkanin. Pas takimit të Brukselit presidenti serb deklaroi në 15 qershor në media se “unë thashë se ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën”, duke pohuar kështu absurditetin se si mund të bëjnë dialog dy shtete, që nuk njihen midis tyre, nëse nuk hapin së pari derën e njohjes.

Presidenti serb nuk ka kuptuar akoma se me presidentin e ri amerikan erdhi edhe një doktrinë ere ballkanike amerikane, e cila nuk e sheh më politikën e jashtme si kompani biznesi me bilance në shifra humbjesh dhe fitimesh, por e sheh si fushë e promovimit, mbështetjes dhe zhvillimit të interesave strategjike të SHBA dhe të aleatëve të saj në rajon.

Presidenti amerikan e dërgoi zyrtarisht sinjalin e parë presidencial në adresë të presidentit serb Vuçiç, kur në telegramin e 15 shkurtit 2021 për përvjetorin e festës shtetërore serbe i përcaktoi se në qendër të dialogut Serbi-Kosovë duhet të vendoset njohja reciproke midis dy shteteve fqinjë. Ishte një impostim i ri i drejtë dhe realist, diplomatik dhe strategjik, i dialogut Serbi-Kosovë, që ka dhjetë vjet që torollitet nëpër tautollogjinë burokratike diplomatike,(dhe disa herë filoserbe), të BE. Duket se në Beograd mungesa e realizmit dhe ndikimi rus penguan që të kuptohet si duhej serioziteti i angazhimit të ri të SHBA për zgjidhjen e dialogut Serbi-Kosovë dhe të problemeve të stabilitetit dhe të demokracisë në rajonin e Ballkanit.

Ahere në 8 qershor kemi aktin e madh me efekte panballkanike të shpalosjes konkrete dhe të detajuar të doktrinës Bajden për Ballkanin, kur për herë të parë përkufizohet misioni i ri i SHBA në rajon kundër korrupsionit dhe ndaj gjithë atyre politikanëve në rajon, që destabilizojnë Ballkanin, për t’u realizuar si pjesë përbërëse e platformës zyrtare amerikane të mbrojtjes së interesave strategjike të politikës së jashtme të SHBA.

Novacioni diplomatik i doktrinës së presidentit Bajden për Ballkanin duket jo vetëm nga vendosja e luftës kundër korrupsionit në Ballkan si detyrë e angazhimit diplomatik dhe strategjik amerikan, por sidomos nga paralajmërimi i drejtpërdrejtë për politikanët, zyrtarët dhe forcat politike të rajonit, që do të përpiqen të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

Është një Urdhër Ekzekutiv i presidentit, që i prek të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilët shohin për herë të parë se të ashtuquajturat çështje të brendshme si korrupsioni apo autoritarizmi apo minimi i stabilitetit në vendet e Ballkanit bëhet tashmë pjesë e interesit strategjik të politikës së jashtme të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës Mburravecët ballkanikë të hijes së mëngjesit do të bënin mirë me këtë rast të kujtonin se ku janë paraardhësit e tyre mburravecë rajonalë si Sadam Hyseini, Muamar Gadafi, Mubaraku, Millosheviçi, etj.

Kushdo, që ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor vitet e fundit, e lexon qartë se doktrina e re ballkanike Bajden i drejtohet në rradhë të parë Serbisë si shteti kryesor destabilizues dhe si aleati i vetëm strategjik i Rusisë dhe i ndërhyrjes ruse në rajon. Serbia është gjeneratori kryesor i dy vatrave të tensionit, që po ziejnë sot në rajon në emër dhe me nxitjen e interesave ruse. Këto vatra janë Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat Serbia dhe presidenti Vuçiç po kërkojnë t’i konservojnë si konflikte të hapura, duke luajtur një lojë të rrezikshme destabilizuese.

Presidenti Bajden e përcaktoi qartë qendrimin dhe zgjidhjen për dialogun e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që është njohja reciproke midis dy shteteve, pas së cilës mund të zhvillohen bisedime për çështjet e hapura midis tyre.
Duket nuk u vendos rastësisht dhe u krijua një konfuzion në disa qarqe diplomatike ballkanike përse presidenti Bajden përfshiu në Urdhërin e tij Ekzekutiv në rreshtimin e dokumentacioneve dhe akteve ndërkombëtare për rajonin edhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Presidenti amerikan e përfshiu, sepse SHBA e lexojnë drejt dhe siç duhet atë rezolutë, dhe jo si Rusia dhe Serbia, që e deformojnë gjithë ditën. Për SHBA pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB, ashtu siç ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010.

Për SHBA rezoluta 1244 është sanksionimi i largimit të tërësishëm të forcave ushtarake dhe policore serbe nga territori i Kosovës. Për SHBA rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë, sepse ajo nuk e përmend asgjëkundi emrin Serbi dhe rezoluta i takon një shteti, që nuk ekziston më. Për SHBA rezoluta 1244 nuk takon Serbisë, sepse sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të dhjetorit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë referencë në aktet e OKB, sepse në atë kohë ajo nuk ka qenë anëtare e OKB.

Në këtë interpretim Uashingtoni e njeh rezolutën 1244 dhe Urdhëri Ekzekutiv kërkon që edhe Serbia ta pranojë në këtë frymë. Rusia dhe Serbia e dinë fare mirë këtë qëndrim të SHBA, ndaj nuk u ndjenë kur e lexuan në Urdhërin Ekzekutiv të presidentit amerikan përmendjen e rezolutës 1244.
Urdhëri Ekzekutiv i kërkon Serbisë të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit.

Një paralajmërim të fortë e mori Serbia edhe nga mbështetja e fuqishme që shprehu samiti i NATO-s në 14 qershor për integritetin dhe funksionimin e shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe për aspiratat e tij euroatlantike. Si një paralajmërim ndaj Serbisë duhet konsideruar edhe përmendja në Urdhërin Ekzekutiv e Marrëveshjes së Prespës e vitit 2018 për emrin e Maqedonisë, sepse dihet që Serbia dhe Rusia ndërmorën veprime diversioniste dhe sabotuese për të penguar nënshkrimin e asaj marrëveshje, e cila hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Doktrina e re Bajden për Ballkanin krijon një momentum të ri, të cilin duhet ta kapin Kosova, Serbia, Shqipëria dhe BE. Doktrina Bajden sinjalizon se për dialogun Serbi-Kosovë ka zbritur momenti dejtonian, kur Serbia e vënë me shpatulla pas murit nga SHBA dhe NATO u detyrua të njohë tre shtetet e para të pavarura, që dolën nga federata komuniste jugosllave.

Është në të mirë të Serbisë dhe të rajonit që stabilizimi dhe vendosja e bashkëpunimit të plotë në Ballkanin Perëndimor të bëhet në rrugën e reflektimit realist nga udhëheqja politike e Serbisë për situatat e reja ndërkombëtare. Intransigjenca allamillosheviçiane e presidentit aktual serb, i cili dy ditë përpara i bënte apel presidentit rus dhe Rusisë që ta ndihmonin të dalë nga trekëndëshi i Kosovës, nuk mendohet se do të shërbejë si gomë shpëtimi.

Don apo nuk don presidenti serb Vuçiç, njohja e Kosovës nga Serbia do të bëhet, ashtu siç u detyrua ta bëjë pa dëshirë Serbia në 1995 dhe të njohë gjithë shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia. Vonesat janë kosto politike, shtetërore dhe personale për presidentin serb Vuçiç.

Ka qenë e drejtë zgjedhja e Prishtinës për impostimin e platformës për dialogun me Serbinë në qendërzimin e çështjes së njohjes reciproke midis dy shteteve, ashtu siç rekomandon presidenti amerikan. Adoptimi i kërkesave dhe i qëndrimeve të doktrinës ballkanike Bajden është në përputhje me realitetin e interesave shtetërore e kombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës.

Doktrina e re ballkanike Bajden kërkon gjithashtu sintonizimin e politikës ballkanike dhe të diplomacisë së Shqipërisë në rajon. Shqipëria nuk mund të guxojë t’i japë frymëmarrje diplomatike dhe alibi Serbisë duke qarkulluar tezat serbe të “pamundësisë së njohjes”. Dashuria e qeverisë së Shqipërisë për Amerikën nuk ka asnjë kuptim pa dashurinë e qeverisë së Shqipërisë për Kosovën.

blank

Pas Moskës, Serbia do ta njohë Kosovën?- Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

 

           *** Dialogu i Brukeselit nuk është “patentuar”, që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, por të kundërtën-zhbërjen e shtetësisë së saj. Këtë e dëshmon edhe tërheqja e njohjeve ndërkombëtare nga ana e “18 shteteve”, si rrjedhim i propagandës lobuese  të politikës dhe të diplomacisë së Serbisë (2008-2021). Mirëpo, dikush është verbuar politikisht dhe diplomatikisht, dhe po sheh “ëndrra në diell” se gjoja Beogradi zyrtar, do ta njohë Kosovën në Bruksel. Kjo nuk do të ndodhë para se Moska ta njohë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit  të OKB-së.

 

*** Vetëm nëse presidenti rus Vladimir Putin arrin ndonjë marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Gjenevë, më 16 qershor 2021, atëherë ekziston mundësia, që Moska ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës. Ndryshe jo.

*** Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë nuk varet nga Albin Kurti (kryeministër) dhe, nga  asnjë lider tjetër politik shqiptar, por vetëm nga Kisha Ortodokse Serbe. Pa dhënien e pëlqimit të saj, as presidenti Aleksandër Vuçiq, as Ana Bërnabiq(kryeministre) dhe as Ivica Daçiq (kyetar i kuvendit të Serbisë)…etj. nuk guxojnë që të hedhin firmën e tyre në ndonjë Marrëveshje të përbashkët, e cila do të nënkuptonte njohjen e Republikës së Kosovës. 

 

Prandaj, edhe sikur në takimin e Brukselit të datës 15 qershor 2021, të kishin shkuar të gjithë bashkërisht : Hashimi, Albini, Rugova, Jahjaga, Mustafa, Vjosa, Merofci…etj., nuk do të kishin fituar asgjë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, përpos një mospajtimi me propozimet e palës kosovare, sikur këtu e 10 vjet më parë (2011-2021).  Kështu do të ndodhë, edhe më 15 korrik në takimin Vuçiq – Kurti në Bruksel.  -“Asgjë e re në frontin e Perëndimit”, sepse çdo gjë ka bllokuar Kisha Orodokse Serbe! Këtë, vetëm liderët politikë makiavelistë nuk e besojnë dhe nuk e kanë të qartë, duke vrapuar si “Maksimi pas divizionit të shpartalluar”, duke ushqyer iluzione të kota dhe, duke gënjyer popullin se “Serbia së shpejti do ta njohë Kosovën”!?

 

Me gjithë ndërmjetësimin 10-vjeçar të BE-së , që të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi politik mes palëve negociuese të Serbisë dhe të Kosovës në Dialogun e Brukselit (2011-2021), Beogradi zyrtar nuk do ta njohë Republikën e Kosovës, pavarësisht kushtëzimeve që do t’i bëhen Serbisë për të aderuar në Bashkimin Evropian(BE).

Të githë ata që po shohin ëndrra të kota dhe janë duke u ushqyer me dezinformacione të agjenturave të ndryshme sllave dhe filosllave, të instaluara në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë, në Shkup etj., se gjoja në Dialogun e Brukselit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, do ta nënshkruajë njohjen e pavarësisë së Kosovës (si rrjedhim i trysnisë së BE-së), është vetëm një mashtrim, gënjeshtër dhe manipulim i opinionit publik të brendshëm dhe të jashtëm, si këtu e dhjetë vite më parë (2011-2021).

           Jo vetëm A.Vuçiq, por asnjë serb nuk guxon ta njohë Republikën e Kosovës!

 

Shtrohet pyetja, pse asnjë lider politik i Serbisë nuk do ta ketë guximin që ta hedhë firmën e tij në ndonjë marrëveshje me palën shqiptare për njohjen e Kosovës?

Përgjigjja është kjo, thjesht për faktin se, ndoshta me gjithë  dëshirën  dhe interesin e tyre për t’i pajtuar serbët dhe shiptarët, njëherë e përgjithmonë, ashtu siç kërkonte dhe rekomandonte dikur socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq në kritikat dhe në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” (1914), se  “Derisa serbët nuk kuptojnë se ndodhen në truallin e huaj shqiptar, kurrë nuk do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore me shqiptarët..”

Kjo është esenca e konfliktit shekullor shqiptaro-serb në Ballkan. Mirëpo, këtë as shteti, as shkenca e as Kisha Ortodokse Serbe, kurrënjëherë deri më sot nuk e kanë marrë në konsideratë (1878-2021), për shkak të  logjikës së kalbur  të politikës militariste, shfarosëse, hegjemoniste, kolonialiste dhe pushtuese të shqiptarëve  dhe të territoreve  indigjene të Shqipërisë Etnike. Fatkeqësisht, këtë e provoi edhe gjenocidi i fundit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të kryer në Kosovë (1989-1999). Ky është shkaku thelbësor, pse Beogradi zyrtar nuk e njeh Republikën e Kosovës, duke qenë se, edhe sot, pas kryerjes së gjenocidit të fundit e konsideron koloni të dikurshme të saj. Kështu flet edhe Kushtetuta e Republikës së Serbisë (2006), e cila Kosovën e quan pjesë të territorit të saj.

Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi Kisha Ortodokse Serbe ta japë “bekimin” e saj !

Ndryshe, mund  të mbahen edhe  njëqinnd dialogë në Bruksel, apo gjetkë në Evropë, por  asnjë Vuçiq, Daçiq, Bërnabiq..etj., nuk do të guxojë që ta njohë Republikën e Kosovës pa pëlqimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Prandaj, në këtë vështrim nuk varet se kush nga pala shqiptare e Kosovës dialogon me palën serbe të Beogradit në procesin e Brukselit ose në ndonjë  dialog a multidialog   në ndonjë kryeqytet tjetër të Evropës apo të fuqive të mëdha botërore, sepse  të gjitha do të dështojnë, jo me fajin e presidentit Aleksandër Vuçiq, por të Kishës Ortodokse Serbe, e cila që nga themelimi i shtetit serb, në vijimësi, në mënyrë institucionale dhe sistematike mbjell  urrejtje, sajon gënjeshtra, shpifje, spastrim etnik, përndjekje, gjenocid dhe grabitje të tokave shqiptare, me qëllim të shfarosjes së etnikumit shqiptar. Kisha Ortodokse retrograde politike serbe, jo që ka jusitifkuar dhe mbështet politikën kolonialiste dhe gjenocidale serbomadhe ndaj shqiptarëve dhe territoreve të Shqipërisë Etnike, por edhe  është “autori” kryesor i projekteve të tilla antishqiptare.

Për të gjitha gjenocidet e derisotme serbe ndaj shqiptarëve në Shqipërinë Etnike, fajin dhe përgjegjësinë kryesore morale, historike, politike, religjioze e ka  Kisha Ortodokse Serbe, e cila ishte dhe, ende është forca centrifugale motorike  në mohimin e së drejtës historike, etnike, shtetërore dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan.

 Shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe, do ta njihnin Kosovën:

(1) Nëse Rusia e Putinit e njeh paraprakisht Republikën e Kosovës, duke e anuluar VETO-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe,

(2) Nëse  Vatikani e njeh Republikën e Kosovës.

Në rastin e parë, në qoftë se Rusia arrin ndonjë marrëveshje politike të rëndësishme me Amerikën lidhur me çështjet e tyre kontestuese të karakterit  ndërshtetëror dhe global ndërkombëtar, atëherë është e pritshme, që Moska zyrtare ta tërheqë VETO-n  e saj nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kështu, do t’i hapej rruga miratimit  një Rezolute të Re për njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës. Kjo do të ndodhëte, nëse Uashingtoni zyrtar arrin pëlqimin me Moskën për çështjet kruciale  në mbrotjen dhe në ruajtjen e vlerave dhe të interesave paqësore, të stabilitetit dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë rast, pa dyshim se do të vinte në shprehje “çarmatimi në vend të armatimit” dhe “dialogu në vend të konfliktit” si në kuptimin e gjerë global, ashtu edhe në kuptimin e ngushtë rajonal, kur është fjala edhe për Serbinë dhe për Kosovën, që ta njohin njëra-tjetrën si dy vende fqinje të barabarta, edhe  si anëtare të barabrta në Kombet e Bashkuara. Realisht, nuk mund të pritet zgjidhje tjetër pozitive, paqësore dhe e ligjshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Gjithashtu, edhe në rastin e dytë, po qe se Vatikani do ta njihte Pavarësinë e Kosovës, mirëfilli, një njohje e tillë, do të kishte pasur ndikim të madh në ndryshimin e qëndrimeve dhe të pikëpamjeve negative, retrograde dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan.

Me një fjalë, Kisha Ortodokse Serbe është “frenuesi” kryesor, që po pengon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e qeverisë së Serbisë.

Prandaj, është e domosdoshme që pala negociuese shqiptare e Kosovës,  të kërkojë nga BE-ja, nga Amerika dhe nga OKB-ja, që Dialogu i Brukselit të rivendoset në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtu si  Serbia dhe BE-ja patën kërkuar që Plani 6 pikësh i Vuk Jeremiqit dhe i Ban Ki Moonit të shqyrtohej në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Plan ky, i cili prodhoi Dialogun famëkeq të Brukselit, me qëllim të revidimit të pavarësisë së Kosovës, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara (10.06.1999.

blank

HIPOKRIZIA SHQIPTARE ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT – Nga Frank Shkreli

Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni, me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.

Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të kryera në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur due sot nga regjime komuniste.

 

Ashtu si çdo vit ç’prej themelimit edhe sivjet, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit — para Monumentit të Viktimave të Komunizmit në Washington në kushtuar më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit në botë — zhvilloi ceremoninë përkujtimore vjetore, të premtën që kaloi.  Kjo ceremoni vjetore zhvillohet në në këtë ditë, në kujtim të vizitës së ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan në Berlin më 12 Qershor, 1987 dhe thirrjes së tij të famshme tashti, drejtuar udhëheqsit të atëhershëm sovjetik: “Z. Gorbaçov, shembe këtë mur”, një referencë kjo ndaj murit që kishte ndarë për 30-vjet Berlinin — në atë atë lindor (komunist) dhe perëndimor (demokratik) — e që konsiderohej edhe simbol i të gjithave të këqiave të komunizmit dhe i luftës së ftohtë për tre dekada.

 

Të premtën që kaloi, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit organizoi edhe sivjet ceremoninë para Memorialit, i ngritur në vitin 2007 jo larg godinës së Kongresit, kushtuar viktimave të komunizmit në botë ku morën pjesë përfaqësues të 16 ambasadave të vendeve ish-komuniste në Evropë si dhe një numër organizatash nga ish-vendet e robëruara komuniste. Ceremonia e 14-të e emërtuar si “Roll Call of Nations Wreath Laying Ceremony” është një ceremoni gjatë të cilës, historikisht, për çdo vit ambasadorë dhe diplomatë të vendeve ish-komuniste vendosin kurora me lule pranë Memorialit të Viktimave të Komunizmit botëror në kryeqytetin amerikan, në kujtim të mbi 100-milionë viktimave të komunizmit ndërkombëtar, anë e mbanë botës, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.

 

Me të vërtetë u ndjeva shumë mirë shpirtërisht por dhe krenar si shqiptar kur sivjet i pashë dy kurora midis dyzina sosh, njëra nga ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe tjetra nga ambasada e Republikës së Kosovës – ashtu krah për krah njëra tjetrës (siç mund të shikoni foton më poshtë) para një Memoriali në Kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit anë e mbanë botës.  Por, fatkeqësisht, fillova shpejt ta humbas krenarinë për këtë akt njerëzor të dy ambasadave shqiptare ndaj viktimave të komunizmit botërorë përfshir viktimat komuniste në trojet shqiptare, një akt që duhet të vlerësohet pa marrë parasysh nëse e kanë bërë me ose pa lejen e Ministrive të tyre përkatëse.

 

Sa bukur që dy ambasadat shqiptare renditen më përfaqësi të tjera nga vendet ish-komuniste për të kujtuar viktimat komuniste, por sa sa ironik, në mos hipokrit ky akt, thashë me vete që përfaqësitë diplomatike shqiptare në Washington vendosin kurora me lule para një monumenti amerikan kushtuar viktimave të komunizmit — në një vend si Amerika, e cila nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, por që në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kanë vuajtur nga komunizmi më shumë se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë – jo vetëm që nuk gjenë ndonjë monument të ngritur kushtuar dhjetra mijëra viktimave shqiptare të komunizmit.  Sa mirë do të ishte nëqoftse të afërmit e atyre viktimave shqiptare të komunizmit — eshtrat e të cilëve as nuk dihet se ku janë hedhur a varrosur  — por ku të afërmit e tyre ose të interesuarit mund të vendosnin një kurorë me lule të pakën për ti kujtuar ata në data me rëndësi të kujtimit të tyre, si kjo në Washington javën që kaloi, por edhe në data të tjera gjatë vitit kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit, sidomos në Evropë, por edhe në botë, përfshir Shtetet e Bashkuara dhe Kandanë, të cilat nuk kanë vuajtur kurrë nga komunizmi.

 

Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka asnjë date për të kujtuar viktimat e komunizmit – por nuk ka as monumente kushtuar viktimave shqiptare të komunizmit në asnjërin vend – ndërkohë që me autorizimin e autoriteteve vendase janë ndërtuar madje edhe natën për terr monumente dhe gjen kudo memoriale kushtuar të huajve, turqëve, grekëve e sllavëve. Turpi i mbuloftë këto autoritete të cilat jo vetëm nuk kujtojnë viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë – por, në të vërtetë, tallen publikisht me ta, me familjet e tyre dhe me vuajtjet e tyre.  Kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe ndryshe nga e gjithë bota tjetër e qytetëruar, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë madje as një ditë kushtuar mijëra viktimave të pafaajshme të komunizmit shqiptaro-sllav as monumente në kujtim të tyre, askund në trojet shqiptare.

 

Klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave ka vazhduar për 30 vjet tashti, të hesht, ta paraqesi dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për tu përballur me të kaluarën komuniste as me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikanëve shqiptarë — pozitë e opozitë — sidomos të përfaqsuesve të kulturës së vjetër komuniste, ose gardës së vjetër komuniste, e cila ka mbizotëruar për tre dekada politikën shqiptare të këtij tranzicioni të pa fund.  Edhe këta pretendojnë të bëjnë shtet?!

 

Shteti nuk bëhet me mendësi komuniste. Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet momunist dhe as liria nuk vendoset me ligje për kufizimin e lirisë, si për shembëll të lirisë së shtypit.   Ashtu siç as drejtësia nuk mund të vendoset nga ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të komunizmit, disa prej të cilëve kanë gisht në dënimet e viktimave të pafajshme të komunizmit.   madje as atëherë kur ata kanë mbështetjen e turpshme dhe pa rezerva të ambasadave më të mëdha përendimore.

 

Ironi, hipokrizi, a po diçka tjetër qoftë, unë e shikoj si shenjë shpresëdhënse vendosjen e kurorave me lule (me leje ose pa leje të qendrave) nga dy ambasadat shqiptare pranë Memorialit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit ndërkombëtar në Washington, të premtën që kaloi, në prani të një numri diplomatësh dhe përfaqsuesish të oganizatave të ndryshme ndërkomblëtare. Duke shpresuar se diçka mund të bëhet edhe në trojet shqiptare për të kujtuar mijëra viktimat e komunizmit shqiptar, anë e mbanë trojeve shqiptare, me besimin se e vërteta sado që të mbulohet nga errësira, më në fund gjithmonë triumfon.   Sepse, “Për një kohë tepër të gjatë e vërteta e asaj që ka ndodhur është përfolur në heshtje, e mbuluar me terr. Por vetëm e vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur. Dhe ndërsa terri mbulon shumë gjëra, ai nuk shlyen asgjë, asgjë!  Disa krime e padrejtësi janë aq djallëzore, aq të tmershme dhe shokuese, sa që ato nuk mund të mbulohen nën tokë, pa marrë parasysh sa mund përpiqen disa njerëz për të bërë një gjë të tillë.”  (Nga fjalimi i Presidentit Joe Biden me rastin e 100-vjetorit të masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma me 1 Qershor, 2021.)

 

Ka ardhë koha që Tirana dhe Prishtina zyrtare të veprojnë “në anën e duhur të historisë”, të bashkohen me botën e qytetëruar perëndimore dhe të përballen me krimet e komunizmit dhe me historinë e turpshme të regjimeve komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare. Është i nevojshëm një reflektim i thellë nga autoritetet më të larta dhe mëshirë njerëzore nga të gjithë të pyesni veten PSE ndodhën këto krime dhe PSE heshtni për 30-vjet tranzicion?!  Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të respektit për jetën e njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar 85-vjetë më parë nga një ish-diktator komunist sllavo-aziatik, pasojat e regjimit të të cilit shihen dhe preken ende anë e mbanë vendit dhe mëtej.

blank

blank

Kurorat me lule nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të vendosura rreth Monumentit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një vend ku nuk ka sunduar kurrë komunizmi – ndërkohë që në Shqipëri dhe në Kosovë ku regjimet komuniste të Enver/Titos shkaktuan mijëra viktima të pafajshme – vetëm e vetëm se konsideroheshin kundërshtarë të regjimeve të tyre, ndër më të egrat në botë.

 

blank

blank

Foto e pjesëmarrësve në ceremoninë e vendosjes së kurorave nga diplomatë everipian-lindorë në Washington

blank

DIALOGU ME ARMIKUN-SHTETIN KRIMINAL SERB – Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

 

 

-Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër sa që xhelatët e tyre i thërrasin miq pas një kohe të shkurtër- Leo Freundlich

 

 

E zgjodha këtë thënie të publicistit dhe politikanit të njohur austriak me prejardhje hebreje, autorit të  dokumentit për krimet serbe të quajtur “Golgota shqiptare”, jo për ta vërtetuar “budallallekun kombëtarë”, por për t’ia treguar vlerat njerëzore të kombit shqiptar botës demokratike. Vlera të cilat i mungojnë kombit serb. Hegjemonizmi, shovenizmi, johumaniteti dhe armiqësia agresive serbe është e hapët dhe plotësisht e dokumentuar. Planet e tyre për çfarosjen e popullit shqiptar dhe grabitjen e tokave shqiptare datojnë që nga Naçertanja e Grashaninit ( 1884 ) dhe memorandumi i Vasa Çubriloviqit “Zhdukja e shqiptarve”( 1937).  Faktet tmerruese dëshmojnë për vrasjet sistematike të popullsisë civile dhe shpërnguljen me dhunë të qindramijërave shqiptarëve në Turqi dhe vende të tjera të botës. Gjithë kjo përpjekje kulmoi me gjenocidin serb ndaj shqiptarve në vitin 1999.

Pas të gjitha këtyre mizorive serbe, shtrohet pyetja, si mund të bisedohet në mënyrë të barabartë me një armik kaq të ulët dhe kaq të rrezikshëm ?! Me një shtet katil të udhëhequr nga politikanë që nuk dallojnë fare nga krimineli i luftës Millosheviq, të cilët nuk janë penduar por janë të dëshpëruar pse nuk ia arritën qëllimit ta zhdukin popullin shqiptar. Qeveria shoveniste serbe e thotë haptas dhe pa kurrëfarë dileme. SERBIA NUK E NJEH KURRË PAVARËSINË E KOSOVËS. Kjo është e vetmja deklaratë e tyre e sinqertë. Të gjitha të tjerat, për kinse gatishmërinë e tyre për dialog, janë gënjeshtra dhe propagandë me qëllim të manipulimit të bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj qëllimet e ulëta serbe duhen ekspozuar.

Realisht dhe drejtësisht, përderisa pala serbe sillet si armike, duhet edhe të trajtohet si armike. Me te nuk do të duhej biseduar fare, derisa ta pranojë fajin, të kërkojë falje për gjenocid, t’i dorëzojë kriminelët e luftës t’i kthejë të pagjeturit e fshehur dhe t’i paguaj dëmet e luftës. Por, dialogun e kërkon dhe e pret bota demokratike të cilit Qeverisja e Republikës së Kosovës nuk mund t’i iki. Megjithatë, ai duhet të jetë real dhe i bazuar në fakte, jo për t’ja bërë qejfin dhe shërbyer interesave të bashkësisë ndërkombëtare, jo për ta gjymtuar shtetin e Kosovës dhe zgjeruar shtetin serb, jo për interesa personale karrieriste, jo me përulje dhe nënshtrim siç e bëri qeverisja e gjerëtanishme në krye me Thaçin dhe Mustafën. Disa parime dhe interesa qenësore, njerëzore dhe shtetërore nuk bënë dhe nuk mund të shkelen. Përndryshe, dialogu e humbë kuptimin dhe nuk na duhet fare.

SERBIA MUND DHE DUHET TË MUNDET VETEM ME ZOR. Me forcën e argumenteve, drejtësisë dhe të së vërtetës. Të gjitha këto janë në anën tonë. Veçse  duhet përgaditje, përkushtim, dituri, mençuri, sinqeritet, trimëri dhe diplomaci për ta fituar këtë betejë shumë të vështirë. Bota demokratike të ballafaqohet me parime dhe vlera të cilat vetë i kultivon dhe i predikon pandalë, të cilat nuk mund t’i nënçmon, mohon dhe nuk mund t’i shkelë haptas. Suksesi mund të arrihet me veprim  paralel në dy drejtime, FORCIMI I SHTETIT DHE DIALOGU.

Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të bëhet pavarësisht nga rrjedha e bisedimeve duke u bazuar në mundësinë reale që dialogu me Serbinë do të zgjasë pakufi. Duhet luftimi i pakompromis i korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizmit ekstrem. Angazhimi i kuadrove të shkolluara profesionale në bazë të aftësive. Përmirësimi dhe forcimi i të gjitha institucioneve shtetërore dhe ngritja e shërbimeve shëndetësore dhe sociale. Zhvillimi ekonomik i orientuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike, si dhe ato të cilat nuk tregojnë armiqësi të hapur ndaj shtetit të Kosovës. Forcimi i ligjit dhe sigurisë. Lehtësimi dhe thjeshtësimi i rregullave dhe ligjeve për investime të jashtme. Këto e forcojnë pozicionin e Kosovës në dialog.

Nuk ka dialog dhe bisedime të suksesshme pa angazhimin  e drejtpërdrejt dhe rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar e don dhe i beson Amerikës si vendi më i drejt dhe më demokratik në botë. Interesat strategjike të kombit amerikan, shumicës së shteteve evropiane dhe kombit shqiptar përputhen plotësisht. Amerika është i vetmi vend që mund ta bllokojë Rusinë. Për të siguruar përkrahjen e vazhdueshme për çështjen tone të drejtë, me Amerikën duhet  komunikuar dhe bashkëpunuar në mënyrë të përherëshme nëpërmjet  marëdhënieve zyrtare shtetërore, por paralelisht edhe me veprime lobiste në Kongresin amerikan. Shteti amerikan nuk bënë të kundërshtohet, por zyrtarët eventual pro-serb siç ishte ambasadori Grenell, mund të ballafaqohen dhe neutralizohen nëpërmjet kongresit amerikan me fakte dhe argumenta. Marrëveshja e tij për kinse “normalizim të marrëdhënieve ekonomike” midis agresorit dhe viktimës, ishte iluzion për interesa të kampanjës zgjedhore amerikane.

Nuk ka forcë në botë, që mund t’ja imponojë zgjidhjen e konfliktit me Serbinë popullit të Kosovës në dëm të tij, pa dëshirën e tij. Një ndër gabimet më të mëdha historike në konfrontim me Serbinë është se populli shqiptar ka rezistuar gjithmonë në mbrojtje, si përgjigje ndaj terrorit të organizuar serb, pa plan dhe pa strategji. Tashti janë pjekur të gjitha kushtet që të kalohet në sulm të përhershëm, duke filluar nga dialogu. Me strategji të përgaditur mirë duke bërë kompromise në gjëra më të vogla e më pak të rëndësishme dhe duke ngulur këmbë në çështje të mëdha, ekzistenciale.

-Integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës nuk mund të negociohet nga askush dhe me askend. Dhe: PIKË. PERIOD. TAÇKA.  ( për ta kuptuar të gjitha palët)

-Kërkesat serbe për asociacione të komunave të pastërta etnike brenda shtetit të Kosovës janë pa kurrëfarë baze dhe kundër vlerave multi-etnike amerikane dhe evropiane. Ato e nënkuptojnë kthimin e Serbisë në Kosovë dhe shkatërrimin e shtetit. Nuk bënë as të diskutohen. PIKË. PERIOD. TAÇKA.

-Serbia e ka humbur luftën dhe duhet të dënohet si agresore, të denazifikohet dhe shërohet nga  sëmundja e urrejtjes dhe iluzioneve për dominim.

-Bisha e tërbuar serbe duhet të ulet në bisht. Të konfrontohet me krimet dhe masakrat ç’njerëzore, në mënyra të ndryshme dhe të përhershme, përfshirë edhe dialogun, deri sa të bëhet e mundur padia ndërkombëtare për gjenocid. Duhet kërkuar hulumtimin e rolit të presidentit Vuçiq dhe të disa politikanëve të tjerë serb në krimet serbe. Atyre iu duhet bërë presion për tu deklaruar në përkrahje ose denoncim të krimeve të Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit.

– Shpresoj se Evropa është lodhur me përkdheljen e Serbisë me të cilën e ka kaluar çdo kufi.  Nëse dëshiron deri në vuajtje ta tërhjekë ate nga taborri ruso-kinez, gjë që është shumë e vështirë, mund t’i ofrojë  asaj diçka tjetër, jo tokat shqiptare.

-Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje ndërshtetërore, kurrsesi për punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

-Brengat dhe të drejtat e pakicës serbe të Kosovës duhet të adresohen në mënyrë të përhershme duke biseduar me përfaqësuesit e tyre nga Kosova në prezencë ndërkombëtare (jo të Rusisë), kurrsesi nga Serbia. Nëse mediatorët insistojnë që këto të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, mund të bëhet vetëm dhe vetëm me përfshirjen në mënyrë të barabartë të shqiptarëve që jetojnë në tokat etnike të okupuara nga Serbia. Këtu vjen në shprehje reciprociteti dhe nuk ka tjetër.

– Reciprociteti ekonomik e ka rëndësinë më të madhe në rast të dështimit të bisedimeve dhe mund të bëhet kurdo, nuk i kalon koha. Kritikat e opozitës për mospërmbushjen e premtimit për reciprocitet si dhe pagesën e rrymës minoritetit serb nga qeveria Kurti, duhet injoruar. Pagesa e rrymës mund të përdoret në bisedime për t’ju treguar mediatorëve se serbët kanë të drejta më të mëdha se ju takojnë, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.

– Nuk ka nevojë as kurrëfarë arsye për të siguruar ekstraterritorialitet për objektet fetare ortodokse dhe monumentet kulturore. Ato janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Janë ruajtur dhe mbrojtur nga populli shqiptar gjatë gjithë historisë. Për këto ka fakte. Duhet kërkuar të formohet komision i përbashkët me historianë dhe shkenctarë ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë t’i mbyllet goja Serbisë për kinse Kosovën si “djep të civilizimit serb dhe pjesë të Serbisë”. Rëndësi ka që përfundimisht të dokumentohet dhe pranohet zyrtarisht e vërteta historike se, siç e thotë më së miri patrioti Bardhyl Mahmuti, KOSOVA ËSHTË DJEPI I BARBARISË DHE I GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE.

Këto nuk janë gjëra të lehta. Janë detyrë, së pari e qeverisjes aktuale të Kosovës, por edhe e të gjithë të tjerëve, opozitës, gazetarve, shkrimtarve, historianve, lobistëve dhe organizatave të ndryshme në të gjitha Trojet etnike dhe diasporë. Qeveria Kurti i ka filluar mirë përgaditjet për dialog, me uljen e Serbisë aty ku duhet, në karrigen e agresorit, në Kombe të bashkuara dhe në takime rajonale.  Konsultimet me opozitën dhe figurat e rëndësishme me përvojë janë të nevojshme. Kontributi varet prej tyre, por është mirë ta dijnë se e kanë detyrë kombëtare për të ndihmuar. Opozita duhet të jetë pjesë e dialogut, por të dërgojë kuadro të reja dhe të afta, kurrsesi ata që me bisedime gati e shkatërruan shtetin.

Populli i Republikës së Dardanisë i votoi me shumicë znj. Vjosa Osmani- Presidente dhe, Z. Albin Kurti-Kryeminister, për shumë arsye. Dy ishin pika kryesore, luftimi i korrupsionit dhe i armikut serb. Nga ata pritet fitimi i dialogut me Serbinë, si dhe shpëtimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës. Nëse dështojnë në cilëndo prej tyre ata do ta humbin përkrahjen e popullit. Kritikat parimore të opozitës dhe kundërshtarëve politik është mirë të konsiderohen, të analizohen dhe të iu jepet përgjigje adekuate. Sharjet, fyerjet, ofendimet dhe kritikat joparimore është më së miri dhe më lehti të injorohen plotësisht.

Grumbullimi i opozitës së Republikës së Kosovës në “oborrin” e kryeministrit të sapozgjedhur (me dallavere) të Shqipërisë, Edi Rama, është i çuditëshëm dhe tregon shenja të këqija. Veprimet e tij të gjerëtanishme ishin haptazi anti-kombëtare, nënshtrim i tij i plotë dhe i turpshëm ndaj  shovinistit Vuçiq dhe interesave serbe. Nëse vazhdon kështu ai do të përfundoi në “Murin e Turpit” të historisë shqiptare. Bashkë me te edhe një pjesë e opozitës së Kosovës. Inkurajon këndshëm mosprezenca e liderit të ri, të mënçur dhe largëpamës të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Nga ana tjetër, ishte dëshpëruese pjesëmarrja e luftarit të vërtetë të lirisë, gjeneralit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Arësyeja e vërtetë nuk dihet, por ai nuk e ka vendin të shoqërohet me tipa si Rama, Mustafa dhe Veliu.

Kërcënimet e shovenistëve serb me luftë, janë të zbrazëta, naive dhe qesharake. Me hyrjen e forcave të NATO-s luftat në Evropën Juglindore kanë përfunduar përgjithmonë. Është më reale të pritet vazhdimi i aktivitetit armiqësor serb me  metoda të ndryshme, duke shfrytëzuar objektet fetare dhe kërkesat e minoritetit serb, përfshirë edhe trazirat eventuale nga bandat e infiltruara brenda tij në disa pjesë të Kosovës. Por, kombi shqiptar duhet të jetë i përgaditur, gjithmonë gati për tu mbrojtur me forcë nëse guxon ta sulmojë Serbia. UÇK-ja e heroit Adem Jashari dhe etja për liri nuk shuhen kurrë në zemrat, shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve.

E vërteta është se nëse populli i Dardanisë dhe Trojeve të tjera shqiptare, organizohet dhe reagojnë si komb, është më i fortë se Serbia. E ka përkrahjen e pafund dhe parezervë të mërgatës patriotike, shumë të fuqishme. Punë e madhe fort nëse Republiken e Kosovës nuk e njeh Serbia. Vetëm në kohën më të re, për dy dekada që nga viti 1981, Kosova ka qëndruar, ekzistuar dhe mbijetuar terrorin institucional serb. Për dy dekada të tjera, që nga çlirimi dhe fitorja e luftës kundër regjimit serb në vitin 1999, ka vazhduar jetën pa njohje nga Serbia, edhe pse me qeverisje të pahajrit, përveç kohës së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Me qeverisje të hajrit Kosova mund të ecë në rrugën e vet të lavdishme, pa njohje nga Serbia, për sa të ekzistojë bota.

Reagimi si komb e nënkupton edhe angazhimin e të gjithëve në drejtim të bashkimit kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë dhe ideal i patriotëve më të mëdhenj të kombit. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e çdo kombi, sidomos e popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete. Këte e di fare mirë Evropa dhe Amerika. Shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk e përkrahë bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet.

Ky nuk mund të krahasohet kurrë me projektin e errët serb për “Serbi të madhe” duke vrarë e masakruar qindra-mijëra njerëz me qëllim të grabitjes së tokave të tyre.

Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm.

 

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës


Send this to a friend