PRISHTINË – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka pritur delegatin apostolik të Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz.
Gjatë takimit, Veseli dhe Janusz biseduan për një mori çështjesh që kanë të bëjnë me relacionet në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë dhe u pajtuan se ato gjithmonë kanë pasur vazhdimësi, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Fillimisht, kryeparlamentari Veseli evokoi historinë e relacioneve Kosovë-Vatikan dhe theksoi se “shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan që kanë mbajtur gjallë krishterimin katolik, edhe përkundër vështirësive të mëdha dhe se në momente të vështira për popullin tonë, Selia e Shenjtë ka mbështetur Kosovën, sidomos në vitet ’90, nën drejtimin e Papës Gjon Palit të Dytë.”
Nga ana tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Janusz, theksoi se “Selia e Shenjtë e njeh realitetin e ri në Kosovë dhe mbështetë zhvillimet pozitive në vendin tonë” dhe në këtë kontekst, ai theksoi se, Vatikani po i përcjell zhvillimet në Kosovë, vend ky për të cilin tha se ka një potencial të madh zhvillimi, me faktin se ka një popullatë të re.
Gjatë takimit u bisedua edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe me këtë rast, kryetari Veseli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.
Delegati papal, nga ana e tij, u shpreh se Selia e Shenjtë ka mirëpritur letrën e përbashkët të bashkësive fetare të Kosovës, përmes të cilës, Vatikanit i kërkohet mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Më tutje, Januzs shtoi se populli shqiptar ka një traditë të fuqishme të tolerancës, bashkëjetesës e bashkëpunimit mes religjioneve, e se mesazhi i kësaj tradite është i njëjtë me mesazhin qendror që synon të përçojë sot në botë edhe vetë Kisha Katolike nën drejtimin e Papa Françeskut.
Takimi i sotëm i kryetarit Veseli me delegatin papal është i pari i këtij niveli që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Selinë e Shenjtë.aa
Komentet