VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Delegacioni i PLL vizitë dhe takim në Uashington DC për të përkujtuar viktimat e komunizmit

By | July 11, 2017

Komentet

Tiranë: Protesta në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Ilirian Agolli

Një grup artistësh shqiptarë të mbështetur nga qytetarë të Tiranës protestojnë çdo ditë pranë ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar në përpjekje për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi.

Ky ritual vazhdon pothuaj çdo mbrëmje qysh nga muaji shkurt 2018, pra afro 15 muaj rresht ata diskutojnë në një skenë të improvizuar në oborrin e kompleksit teatror për rëndësinë e kësaj ndërtese historike në kulturën shqiptare dhe nevojën për rikonstruksionin e saj.

“Ne presim që Teatri Kombëtar të fillojë restaurimin, por nuk ka asnjë mundësi për këtë, nëse kjo qeveri nuk bie. Nëse kjo qeveri rifiton besimin politik ose lokal, teatri rrezikon shumë, sepse ata e kanë ndarë mendjen që do ta cojnë deri në fund. Të gjithë ne që vijmë te sheshi i Teatrit, e dimë shumë mirë që nëse kjo qeveri nuk bie, apo të ndërrohet, apo një qeveri teknike, nuk e di, atë Teatri do të jetë gjithmonë i rrezikuar. Mos flasim pastaj për restaurimin, por ne jemi të vendosur, që protestat nuk do të ndalojnë, qëndresa nuk do të pushojë deri ditën që Teatri do të restaurohet” – thotë Robert Budina, regjisor i njohur dhe bashkorganizator i protestës.

Qeveria dhe bashkia kanë bërë plane për pallate dhe një teatër të ri në atë zonë dhe e kanë braktisur ndërtesën historike, ku për 80 vjet lindën gjithë institucionet e kulturës shqiptare dhe ku artistët më të mirë shqiptarë interpretuan sa e sa pjesë nga dramaturgjia botërore dhe vendase.

Artistët rivendosën në hyrjen e ndërtesës shkronjat Teatri Kombëtar, të cilat punëtorët e bashkisë i hoqën natën. Profesoresha amerikane Lori Amy ishte aty me qytetarët gjatë kohës së vendosjes së shkronjave.

“Ai ishte një çast i bukur dhe magjik. Ishte një restaurim konkret dhe atë natë pamë një grup me shpirt të madh, që na thanë se ne mundemi dhe se ne do ta ringrejmë vendin tonë. Atë natë ishte e rëndësishme edhe larmia e moshave; erdhën aty gjyshër dhe nipër, të rinj dhe mosha të mesme, erdhën njerëz nga cdo sektor i popullatës shqiptare dhe morën pjesë në rivendosjen e shkronjave. Kjo nuk është kurrë dhe nuk ka qenë kurrë një çështje politike. Qysh nga fillimi shumë njerëz me qëndrime shumë të ndryshme politike po marrin pjesë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të treguar se ne mund ta ringremë vendin tonë” – tha zonja Amy.

Artistët shqiptarë vizitohen herë pas here edhe nga artistë e studiues të ndryshëm nga Italia, Greqia, Zvicra, Belgjika, Britania dhe shtete të tjera. Këtë fundjavë ata u takuan me 11 studiues nga SHBA.

“Grupi ynë ka ardhur nga Rollins College, Orlando Florida. Erdhëm këtu për të studiuar mbi kulturën shqiptare për dy javë, duke udhëtuar nëpër rajone të ndryshme të Shqipërisë, për të mësuar se si kultura shqiptare u ka mbijetuar ngjarjeve të ndryshme në vite dhe shekuj. Shpirtin e populli; këtë po admirojmë dhe po studjojmë” – thotë Jonathan H. Harwell nga Rollins College në Florida.

“Këtu po takohemi me grupe nga universiteti, akademikë, shkrimtarë, regjisorë e aktorë, dhe po mësojmë shumë për Shqipërinë, kulturën dhe historinë e saj. Këtu dëgjuam edhe për protestën e artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar. Shqipëria është një vend i bukur, njerëzit janë të dashur dhe miqësorë, ata kanë një histori interesante si popull dhe ende po po mësojmë shumë për këtë” – thotë Margaret McLaren nga Rollins College në Florida.

Ndërsa studiuesit amerikanë largohen, artistët shqiptarë vazhdojnë protestën, të vendosur që të pengojnë planet për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke ditur mirë se edhe qeveria Rama dhe bashkia janë po aq të vendosur për ta bërë këtë, dhe se nga zgjedhjet vendore të qershorit varet edhe ekzistenca e qendrës më të njohur kulturore të Shqipërisë.

Basha në Dhomën e Lordëve: Pa votë të lirë nuk ka stabilitet!

LONDËR

Në përfundim të vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, lideri  i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i ftuar nderi në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.

Mes pjesëmarrësve në këtë darkë pune ishte Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve, ndërsa Basha vuri në dukje se pa garantimin e votës së lirë nuk mund të këtë stabilitet dhe zhvillim në Shqipëri.

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë qëndrimit në Londër ishte i shoqëruar edhe nga aleati i tij, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Siç njofton zyra e shtypit të PD-së, në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Ëilliamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu në darkë ishte i pranishëm edhe Sir Hugh Orde, ish Kryedrejtuesi i Shërbimeve të Sigurisë në Irlandën e Veriut.

Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri. Në fjalën e tij gjatë darkës, kryetari i opozitës shprehu mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj, në konfliktin e armatosur në Maqedoni e Marrëveshjen e Ohrit dhe, së fundmi, Marrëveshja e Prespës që shërben për të konsoliduar perspektivën afatgjatë euroatlantike të rajonit, duke garantuar anëtarësimin e saj në NATO.

Basha ndau me miqtë e shquar britanikë qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik. Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtesia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës” vuri në dukje Basha.

Lideri i opozitës i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëvë të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe do të përmbushë të gjitha parakushtet e ngarkuara me ligj për të gararantuar votën e lirë.

“Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Basha i njohu miqtë britanikë edhe me programin e Partisë Demokratike, në veccanti, me masat që do të marrë përmes vetingut të politikanëve dhe goditjes me tolerancë zero të krimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Kreu i opozitës shpjegoi se këto masa synojnë t’u japin fund trafiqeve dhe pastrimit të parave të pista të krimit, në mënyrë qe të hapet rruga për Shqipërinë e standarteve europiane me barazai para ligjit, liri dhe mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

Ne përfundim të vizitës së tij në Londër Zoti Basha shprehu mirënjohjen për takimet e frytshme të nivelit të lartë dhe interesin e madh me të cilin autoritetet britanike përcollën krizën politike në Shqipëri. Ai shprehu bindjen se me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve tanë strategjikë euroatlantikë,  Shqipëria do ta kapërcejë këtë krizë dhe do t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur përmes reformave të thella politike që do të cimentojnë kontrollin demokratik të qeverisjes nga qytetarët dhe sundimin e ligjit.

“Për Partinë Demokratike është prioritet strategjik forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar jo vetëm në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit, por në veçanti, në fushën ekonomike.

Refleksione të së djelës: EUROVISION! Identiteti kombëtar shqiptar nuk asht TALLAVAJA! – Nga GJERGJ JOZEF KOLA

Teksti i kanges qe prezanton atdheun tem ne Eurovizion, (qe ne standart thuhet: EVROVIZION?) jo vetem nuk me prezanton porse asht shume fyes ndaj mejet.

Se pari une si shume shqiptare e kena gjete vedin ne perendim, na jane hape dyert e shkollave te nalta, kena botue libra, vue ne skene drama, organizojme koncerte dhe i rrijme lerg kultures se TALLAVASE qe ka mberthye atdheun. Shkurt e kjarte: Nese ka nji KRIZE IDENTITETI kjo krize gjendet vetem ne Shqipni, atje ku na ftojne autoret e kanges: KTHEJU TOKES!

Ky mesazh i formuluem ne stilin e rilindasve ishte jashte çdo kohe dhe hapesine, ne nji kohe qe po shofim me u integrue si komb ne Europe e ky kontinent asht edhe TOKA E JONE:

Natyrisht qe ikja e gati 1 milion shqiptareve ne keto 30 vjet pseudodemokraci monopartiake asht e trishtueshme per nji komb, porse IKJA qendron pikerisht ne perzanjen qe i kane ba dhe vazhdojne me i ba establishmenti postkomunist.

Ne perendim njeriu meson mbi te tana diçka thelbesore: THELBI KA RANDSI E JO DUKJA! Ne Shqipnine postsocialrealiste ndodhe e kunderta: Keshtu kanga qe prezantoi Shqipnine ne dukje ishte e pranueshme, zani i kangtares optimal, performimi modern, ndersa mesazhi ishte krejt jashte kohes e vendit… Ne vend qe te bahej thirrje diaspores te kthehet te atdheu qe po lengon perdite nen thundren e establishmentit e po kthehet ne nji FERME orvuelljane e ti jape Shqipnise dinjitetitin e IDENTITETIN perendimor, bahet nji thirrje krejt absurde dhe jashte cdo realiteti… kjo te kujton thirrjen 45 vjecare realsocialiste: Shqiperia nji fanar ne brigjet e Adriatikut…

Futja e tallavase edhe ne artin modern perban nji etape te re dekompozimi qe po kalon kultura shqiptare, ku sidomos ministrat e majte kane tash 30 vjet perpiqen ta mbushim me kufomen e vdekun te realsocializmit…

Dy luftanije të NATO-s ankorohen në Portin e Durrësit

Dy anije luftarake të NATO-s janë ankoruar në portin e Durrësit. Kjo vizitë e anijeve të NATO-s në Shqipëri vjen në kuadër të 10 vjetorit të anëtarësimit në këtë aleancë. Dy luftanijet do të zhvillojnë edhe një stërvitje me trupat tona detare në Durrës.

Pas ankorimit në Durrës ka mbajtur fjalën Komandanti i Fregatës holandeze, Sjoerd Feenstra i cili ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes vendeve antare.

“Në kuadër të 10 vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, jemi këtu për të vlerësuar kontributin tuaj. Në këtë kuadër do të zhvillojmë edhe një stërvitje të përbashkët. Theksoj se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes vendeve anëtare të aleancës!” deklaroi Feenstra.

Luftanija holandeze dhe ajo kandadëze janë pjesë e grupit të Anijeve të Gatshme të NATOS-s (Standing NATO Maritime Group 2 SNMG2.

“S’ka zgjedhje pa u ndëshkuar politikanët që vodhën votat me krimin”, Basha mesazh të fortë nga Parlamenti britanik

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur edhe njëherë kushtet e opozitës për zgjidhjen politike të krizës ku ka hyrë vendi.

I pranishëm në një vizitë në Westminster, Basha theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa u ndëshkuar politikanët që u kapën në bashkëpunim me krimin e organizuar duke vjedhur vota.

 

Sipas Bashës, mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës është largimi i qeverisë dhe kryeministrit si dhe krijimi i një qeverie tranzitore.

Zgjedhjet e diktuara nga krimi janë rrënja e krizës, sepse kanë prodhuar një parlament të diktuar nga krimi dhe jo nga vota e shqiptarëve. Politikanet që janë kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, duhet të ndëshkohen dhe jo të promovohen. Pa shkëputur lidhjet e krimit me politikën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës” – theksoi Basha.

Kryetari i PD Lulzim Basha dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilluan një takim me kryesuesit e Grupit Parlamentar bipartizan për Shqipërinë në Parlamentin Britanik, deputetët John Grogan (kryetar i grupit) dhe Martin Vickers (nën kryetar). Zyra e shtypi pranë PD, bëri me dije se në këtë takim u diskutua gjerësisht për shkaqet e krizës politike në Shqipëri, për krizën kushtetuese, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e Gjykatës së Lartë, mungesën e një Prokurorie të pavarur që nuk i mbyll, por i heton dosjet e krimit të lidhur me pushtetin.

Skandal: Politika pushton Akademinë e Shkencave me puç institucional – Nga ARTAN FUGA

Komunikatë për median : 17 maj 2019
Për njoftim : Komunitetit shkencor të vendit
Kryetarit të delegacionit të BE në Tiranë : z. Luigi SORECA
Presidentit : Z. Ilir Meta
Kryetarit të Kêshillit të ministrave : Z. Edi Rama
Kryetarit të Kuvendit : Z. Gramoz Ruçi
Kryetarit të opozitës : Z. Lulzim Basha

—————————————-

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton zyrtarisht se në datën 24 maj do të kryhen zgjedhjet për kryetar dhe ekipin e ri drejtues të saj.

Pa u ndaluar aktualisht te fakti që zgjedhjet atje bëhen si gjithmonë pa kandidatura konkurrente, dhe realizohen sipas parimit të qëmotit, si farsë, ku kryetarit bëhet nënkryetar dhe nënkryetari ribëhet kryetar, veçoj se kandidatura e vetme për kryetar të Akademisë të Shkencave është paraqitur ajo e z. Skënder Gjinushi, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate, e shpallur në 30 prill si parti aleate në koalicionin ASE të forcave politike qeveritare, një politikan karriere prej disa dekadash.

Kam dyshimin e arsyetuar dhe mbështetur në fakte objektive e dokumente shkresore zyrtare se Akademia e Shkencave është bërë monedhë shkëmbimi midis disa grupimeve politikanësh dhe burokratësh në pushtet dhe grupit uzurpator të Akademisë të Shkencave.

« Na jepni drejtimin e Akademisë të Shkencave, t’ju japim mbështetje për zgjedhjet e ardhshme politike për pushtetin lokal të 30 qershorit 2019 ! »

Është fare e qartë që në kushtet e degradimit të plotë të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, të dështimit të procesit të reformimit të saj, politika ka vënë dorë, po merr drejtimin, po pushton duke uzurpuar edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë !

Politizimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor është akt i fundit i këtij kobi kombëtar ! Mendja e shqiptarit do të drejtohet zyrtarisht nga politika ! Ndarja e pushteteve si vlera bazë e demokracisë pô dhunohet aq fort saqë nuk do të ketë më asnjë dallim midis drejtimit politik dhe gjykimit shkencor !

Brenda javës që vjen ky kob shpallet fakt i kryer me mbështetjen e atyre akademikëve që e pranojnë këtë për të ruajtur thjesht interesat e tyre egoiste, në kundërshtim të plotë dhe të hapur me parimet dhe vlerat e shkencës, sidomos me moralin e saj.

Eshtë një ngjarje e paprecedent që nga koha e themelimit të kësaj akademie ! Edhe në periudhën e diktaturës, qoftë edhe formalisht, kurrë Akademia e Shkencave nuk ka pasur në krye të saj një njeri politik, madje as anëtar partie, por personalitete shkencore, madje të parreshtuara hapur me pushtetin e kohës !

Politizimi i shkencës nëpërmjet kapjes nga politika e Akademisë të Shkencës është një parametër që mat shkallën e politizimit të institucioneve dhe përbën një puç institucional, duke anashkaluar të gjitha ligjet dhe parimet demokratike, duke i treguar grushtin e politikës të gjithë komunitetit shkencor të vendit.

Nuk është rastësi pushtimi i pritshëm i shkencës shqiptare nga politika. Ai po kryhet në kushtet kur rrugën ja ka hapur vetë ministrja e arsimit qytetarja Besa Shahini duke lënë në mes të rrugës detyrën e vet institucionale dhe duke shpalosur platforma personale antiinstitucionale të pambështetura në asnjë ligj, ja ka hapur rrugën grupi i deputetëve socialistë kryesuar nga deputetja qytetarja Eglantina Gjermeni, që duke shpërfillur komunitetin shkencor të vendit shpall si iniciativë ligjore të vetën faktikisht dokumentin e formuluar nga grupi i kryesuar nga z. Skënder Gjnushi, dhe me komplicitetin e drejtueseve të Komisionit parlamentar për edukim dhe mjetet e informimit publik, ku spikat përfaqësuesja e shumicës, qytetarja deputete Milva Ekonomi, ndërkohë që kryetarja e këtij komisioni, e opozitës së re, as nuk ndihet ta ndalojë farsën që bëhet nën hundën e saj.

Pas pushtimit të Akademisë të Shkencave nga ana e politikës, Kryetari i ri i kësaj akademie mund edhe të shpalli largimin nga kryesia e partisë së tij në aleancë me qeverinë, por kjo është tanimë pa asnjë vlerë edhe nëse ndodh !

Të gjitha procedurat e ndjekura prej muajsh kanë privilegjuar këtë akt pushtimi !

Duke qenë edhe kryetar i grupit reformues, caktuar po me urdhër politik nga ana e ministres të arsimit, Kryetari i pritshëm i Akademisë të Shkencave është në konflikt të hapur interesi që vetëm të marrët dhe uzurpuesit nuk do të duan ta shohin.

Reforma dhe marrja e pushtetit në Akademi bëhen kështu njësh !!! Kjo pikërisht e dështoi reformën e vërtetë të Akademisë të Shkencave në Shqipëri !

Në këto kushte, i angazhuar deri në fund për ta shpëtuar Akademinë e Shkencave nga rrënimi përfundimtar, pa interes të veçantë personal të asnjë lloji, pa konflikt interesi,

u bëj thirrje krerëve të shtetit shqiptar që ta ndalin këtë aventurë fatkeqe,

i bëj thirrje opozitës ta denoncojë politikisht këtë akt të paprecedent në asnjë nga akademitë e shkencave të Europës a të Botës,

i bëj thirrje zotit Lugi Soreca si përfaqësues i BE në Tiranë të ngrejë zërin kundër kësaj katastrofe që po ndodh në mes të ditës kundër vlerave europiane të marrëdhënieve mes shkencës dhe politikës,

i bëj thirrje komunitetit shkencor të vendit :

Ngrihuni më këmbë për të mbrojtur jo thjesht dinjitetin tuaj, por për të bërë detyrën për të cilën na paguan shoqëria dhe i detyrohemi kombit !

Përsa më takon, në ditët në vazhdim do të publikoj faktet e pakundërshtueshme të këtij pushtimi fatkeq të politikës ndaj simbolit të rrënuar të shkencës dhe dijes kombëtare !

Me respekt,

Artan Fuga

“Zhduket” nga Arkivi i Shtetit vula 400- vjeçare e Sulltanit

Një vulë mbi 400-vjeçare, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, në Tiranë.

Objekti është cilësuar me rëndësi të veçantë historike dhe i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, që ndodhet mes Delvinës dhe fshatit Kakodhiq.

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për “Panorama” se ngjarja është referuar si vjedhje nga Policia e Tiranës disa ditë më parë.

Ndërsa denoncimi është bërë nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, në datë 10 maj 2019, ditë kur edhe ai kishte marrë dijeni për mungesën e vulës në vendin e caktuar.

Drejtori ka njoftuar Policinë për humbjen e saj, pa saktësuar rrethanat nëse ishte vjedhur nga dikush.

Megjithëse të gjitha rrethanat flasin për një vjedhje të organizuar, nisur edhe nga fakti se një ditë para se të zhdukej objekti, kamerat ishin fikur. Për herë të fundit, vula e fermanit të Manastirit të Kamenës është parë më datë 7 maj, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Sipas të njëjtave burime, në materialin e referuar nga Policia, thuhet se mungesa e objektit është konstatuar në Godinën B, ku bëhet skanimi i formateve të mëdha, që ndodhet brenda rrethimit të Arkivës së Shtetit.

Për këtë ngjarje u është marrë deklarim 15 punonjësve, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ndërsa aktualisht, Prokuroria është në pritje të një akti ekspertimi, pas ekzaminimit që i është bërë fermanit të Manastirit të Kamenës në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

DENONCIMI

Në materialin e referuar në Prokurorinë e Tiranës thuhet se në datë 10 maj 2019, pas një njoftimi të dhëna nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, për humbjen e një vule të një fermani të Manastirit të Kamenës, oficerët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Fermani i humbur datonte rreth viteve 1600.

Oficerët që kanë shkuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave kanë konstatuar se: Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, konkretisht në Godinën B, ku bëhej edhe skanimi i materialeve të formateve të mëdha, ishte konstatuar mungesa e një vule, e cila ishte pjesë përbërëse e një fermani të Manastirit të Kamenës. Vula kishte qenë e lidhur nëpërmjet disa penjve me këtë ferman dhe për herë të fundit është parë që ka qenë në vendin e saj në datën 7 maj 2019, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Më pas është marrë nga Përgjegjësi i Sektorit të Evidencës për t’u çuar për skanim në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, pasi një studiues kishte bërë kërkesën dhe pagesën për t’u njohur me këtë material.

Fermani ka qëndruar përgjatë datës 7 maj 2019 dhe 8 maj 2019 në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, e cila operon brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në katin e dytë të saj. Pasi materiali është lënë për dy ditë aty, më datë 9 maj 2019, rreth orës 14:30, është marrë për t’u skanuar nga shtetasi A.M. dhe duke qenë se është me format të madh, është dërguar pranë Godinës B, e cila është brenda rrethimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

MOMENTI KUR U ZBULUA MUNGESA

Pasi është hapur për t’u skanuar, është konstatuar se në fermanin e Manastirit të Kamenës mungonte vula. Menjëherë pas këtij momenti ka marrë dijeni për ngjarjen edhe drejtori i Përgjithshëm i Arkivave. Bëhet fjalë për datën 10 maj 2019, kur vetë ai ka njoftuar Policinë. Drejtori është shprehur se pasi kishte shkuar pranë institucionit, punonjësit e kishin vënë në dijeni rreth këtij fakti dhe pasi kishte lajmëruar eprorët e tij, ka lajmëruar Policinë e Shtetit.

Prej datës 10 maj 2019 është bërë një hetim i mirëfilltë mbi këtë ngjarje, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, konkretisht fermanit të Manastirit të Kamenës, në prezencën e ekspertit kriminalist dhe është bërë kontrolli i vendeve. Konkretisht është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha zyrat ku kishte qëndruar fermani, që nga dalja nga magazina e deri në momentin e konstatimit të mungesës së vulës.

Gjithashtu, është bërë pyetja në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale i të gjithë stafit të Seksionit të Evidentimit, si dhe stafit të kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”. Në materialin referues theksohet se gjatë hetimit ka rezultuar se kamera që ndodhet brenda ambienteve të zyrës së kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, ka ndërprerë filmimet në datë 9 maj 2019, në orën 10:20 dhe sipas deklarimit të inxhinierit të kësaj kompanie, kishte skaduar licenca e marrë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila kishte një afat prej 180 ditësh.

Nga ana e oficerëve të Policisë së Shtetit është marrë kontakt edhe në mënyrë zyrtare me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të saktësuar kohën e aktivizimit dhe të përfundimit të kësaj licence dhe nëse e ka lajmëruar kompania “AlfaScan Sh.p.k” për përfundimin e saj.

Kufijtë Kosovë-Serbi, Basha pohon për herë të parë: Çfarë më kërkuan serbët?!

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar për herë të parë se edhe atij kur ishte ministër i Jashtëm i ishte propozuar nga Serbia ndryshimi i kufijve. Të njëjtën deklaratë bëri edhe pak ditë më parë Besnik Mustafaj.

 

Basha tha gjithashtu se këto ide të Ivica Daçiçit, nuk ia kishte marrë mendja se do t’i dëgjonte si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hadhim Thaçit.

“Në lidhje me historinë e hapjes sërish të diskutimit të kufijve. Një miku ynë i përbashkët, ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha para pak ditësh se çdo ministri të Jashtëm i është propozuar ndryshimi i kufijve të Kosovës. S’e kam thënë më parë, por po e them tani nga Londra: Po, po. Edhe mua më është propozaur. Kanë ardhur, në atë kohë,  autoritetet serbe dhe më kanë paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Këtë e di unë, e di udhëheqja aktuale e Kosovës, se i kam informuar, e dinë partnerët tanë nga Uashingtoni në Londër, nga Brukseli në Berlin.

Ju thashë më parë që jam i tmerruar nga papërgjegjësia totale, me të cilën ata mendojnë se mund të rikthejnë kohën e Millosheviçit apo kohën e luftërave të periudhës së Kongresit të Berlinit. Këta mendojnë akoma si të jenë në shekullin e 19-të. Po kurrë nuk ma kishte marrë mendja se idetë që do të dëgjoja nga goja e Vuk Jeremiçit dhe Ivica Daçiç, do t’i dëgjoja më vonë si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hadhim Thaçit. Këtë nuk ma kishte marrë mendja kurrë!”, tha Basha.

Telendisja e Akademisë së Shkencave me fytyrë-shpullën Gjinushi – Nga TAULANT DEDJA

35 akademikë në pozita të rregullta, të përhershme apo të asociuar ka Shqipëria dhe mes të gjithëve iu tek vetëm Skënder Gjinushit për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave. Mes tyre që plotësojnë kriterin e moshës ka disa, por që ose nuk denjojnë të lakojnë emrin nëpër mediat e qeverisë ose kanë bërë pazaret e tyre. Dhe kështu i vetmi që pranoi t’i bëhet fytyra shollë edhe nga shpullat, si gjithmonë është ai, i pështirosuri nga të tijët dhe të tjerët, por i servilosur deri në palcë, ai që arrin të shfaqet aty ku s’duhet, në shkencën e menderosur tashmë shqiptare.

I vetmi që ka reaguar sot e përtej të djeshmes është Akademiku Artan Fuga, i cili mos mendoni se ka interesa për t’u bërë kryetar vetë meqënëse kundërshton Gjinushin. Jo, ai reagon se ka guxim intelektuali dhe nuk ka frikë burracaku apo pseudo intelektuali të ngritur përmes lëpirjeve e qëndrimeve në hijen e pemëve të mbetura ende me sharm akademie në oborrin pranë kalasë.

Anëtarët e asamblesë kishin kohë një muaj të shpallnin kandidaturat, por nuk e bënë. Ata në heshtje, me mosveprimet e tyre po mbështesin prehistorikun e padokumentuar gjëkundi si shkencëtar në faqet ndërkombëtare të shkencës. E tregoi këtë edhe Taulant Muka, shkencëtari i ri që ka nisur fushatën e çjerrjes së maskave të medemek shkencëtarëve shqiptarë që duket se kanë mbirë si kërpudha pas shiut të dendur në vend.

Gjithashtu ata po lejojnë si kurrë më parë, në krye të shkencës një figurë të politizuar e dalë boje duke cituar Prof Artan Fugën, i cili në shkrimin e tij të sotëm të publikuar nga FlasShqip (lexo këtu) shprehet se Është një ngjarje e paprecedent që nga koha e themelimit të kësaj akademie! Edhe në periudhën e diktaturës, qoftë edhe formalisht, kurrë Akademia e Shkencave nuk ka pasur në krye të saj një njeri politik, madje as anëtar partie, por personalitete shkencore, madje të parreshtuara hapur me pushtetin e kohës!

Unë mendoj se nëse u ka mbetur një fije sedër profesionale, respekti për punën e tyre e të paraardhësve të tyre, respekti për emrin që kanë ndërtuar me mund e djersë, të paktën disa akademikë të shquar duhet t’i dalin përballë Gjinushit të dallavereve dhe aspak të shkencës. Nëse këta akademikë pranojnë Gjinushin do të thotë që s’kanë asnjë lidhje me paraardhësit e tyre që themeluan akademinë, Prof. Aleks Buda, Kolë Popa, Petrit Radovicka, Bedri Dedja, Eqerem Çabej, Mahir Domi e të tjerë, që pavarësisht sistemit ishin të gjithë shkencëtarë (përjashto ata që vinin nga fusha e marksizëm-leninizmit).

Disa ndoshta do t’i mirëkuptoja në pamundësinë e tyre për shkak të ndërthurjes së lidhjeve personale me ato profesionale si për shembull Prof. Mejdanin, por nëse shumica e akademikëve do të kishin lidhje shoqërore, partie, fisnore apo krushqie me Gjinushin do t’i binte që të tërhiqeshin në heshtjen e tyre siç edhe po bëjnë.

E në fund të fundit le t’i mbetet gjuajtja përfundimtare e topit presidentit, i cili është mësuar të hajë e të presë goditje si para ashtu edhe pas shpine. Në fund të fundit ç’do t’i ndodhte vendit me një institucion më tepër në kolaps? Asgjë! ERTV do vazhdojë të transmetojë arritjet e sukseset e mëdha të qeverisë.

Presidenti Meta u kërkon partive të shmangin konfrontimin civil

Ilirian Agolli

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u bëri thirrje partive kryesore politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë të trazuar dhe të zgjidhin krizën politike.

Presidenti Meta tha se maxhoranca dhe opozita duhet të jenë të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për pasojat, që i presin, nëse ndodh që vendi të shkojë në konfrontim civil.

“Kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë nga sistemet përjashtuese që në vitin ’90” – tha presidenti Meta.

Ai tha se askush nuk mund të hedhë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më pak tek Presidenti i Republikës.

“Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se e çojnë vendin drejt konfrontimit” – tha zoti Meta.

Ambasadori Borchardt nuk është kërcënuar – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Shkas për këtë shkrim u bë telefonata e një miku të vjetër, anëtar i Parlamentit Europian prej shumë vitesh. Ai ka mbajtur disa herë edhe poste ministrore në një nga vendet e mëdha të Bashkimit Europian. Miku im ishte i shqetësuar për kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE-së dhe po më kërkonte që unë të përcillja në rrugë informale këshillën e tij për drejtuesit e Partisë Demokratike, me qëllim që ata të dënonin hapur dhe pa vonesë këtë akt jo vetëm të shëmtuar, por edhe të dëmshëm për imazhin e opozitës.

– Po çfarë i kanë thënë? Si e kanë kërcënuar? – e pyeta unë.

Pa hyrë në hollësitë e bisedës sonë, miku im nuk dinte asgjë konkrete lidhur me përmbajtjen e këtij kërcënimi. Ai dinte vetëm se ambasadori i OSBE-së në Tiranë është kërcënuar, njoftim që e kishte marrë nga burime zyrtare brenda Parlamentit Europian. Unë i tregova pa shtuar as hequr asnjë fjalë çfarë kishte ndodhur. Madje i nisa edhe me Watsapp fotografinë e murit të pallatit ku jeton ambasadori, në hyrje të të cilit ishte shkruar “Ambassador Borchardt, shame on you”. (Ambasadori Borchardt, turp për ju!)

– Vetëm kaq është? – më pyeti ai.  – Nuk ka diçka tjetër?

– Vetëm kaq. Nuk ka asgjë tjetër.

Pastaj, me dëshirën për ta kuptuar më thellë çështjen, miku im më pyeti nëse në kulturën tradicionale shqiptare damkosja me “turp” nxiste ndjenja urrejtje, të cilat sigurisht do të linin vend për ta menduar kërcënimin. Një pyetje e tillë në gojën e mikut tim vinte pse ai, me aq  tekst sa kishte ngjarja, nuk po e shihte ku ishte kërcënimi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. I shpjegova se edhe në kulturën tradicionale shqiptare, një vlerësim i tillë nuk shkonte përtej një degradimi moral të njeriut. Aq më pak mund të përbëjë kërcënim sot, kur turpi i burrit është bërë një shfaqje banale në shoqëri. Turpi ka rëndësi vetëm atje ku nderi ka rëndësi. Pra, turpi në Shqipëri e ka humbur vlerën si emocion, sepse vetë nderi në thelbin e tij e ka humbur rëndësinë.

Me Bernd Borchardt jemi miq qysh në fillim të viteve 2000, kur ai erdhi në Tiranë si ambasador i Gjermanisë. Pas përfundimit të mandatit këtu, ai shkoi në Kosovë për të drejtuar Eulex. Jemi takuar po ashtu edhe në Prishtinë, kur unë isha Ministër i Jashtëm. Dhe kjo miqësi vazhdon me kthimin e tij në Tiranë, në krye të zyrës së OSBE-së. Shihemi herë pas here për kafe. Kam qenë i ftuar për darkë edhe në shtëpinë e tij. Po  i përmend këto fakte për të pohuar vlerësimin tim për të si njeri dhe si diplomat. Me kaq sa e njoh, mbetem i bindur se ai e ka kuptuar shumë mirë që fjala e shkruar në hyrje të pallatit, ku ai banon, nuk përmban ndonjë kërcënim. Rrjedhimisht, mbetem i çuditur si pranoi ai të marrë rolin e një viktime të paqenë, duke u bërë protagonist deklaratash deri në nivelin më të lartë të diplomacisë evropiane, shoqëruar kjo edhe me teatrin e rojave që nxitoi t’i vinte qeveria e Ramës për ta marrë në mbrojtje, pra, për ta bërë edhe më të dukshëm kërcënimin që rëndonte mbi të.

Unë do ta kuptoja që ambasadori Borchardt të ndjehej i fyer dhe ta shprehte me plot zërin indinjatën e tij. Jo thjesht për solidaritet prej miku, por për parim do t’i bashkohesha në shprehjen e kësaj indinjate. Sepse ajo fjalë është një akt etik i papranueshëm nga ana e atij që e ka shkruar edhe shpresoj të mos përsëritet kurrë më ndaj një diplomati të huaj në Tiranë. Ma merr mendja se ambasadori Borchardt do të dilte shumë më i larë nëse këtë ngjarje të vogël, do ta trajtonte natyrshëm si një fyerje personale, morale, siç edhe është në të vërtetë. Konventat ndërkombëtare, në të cilat aderon edhe Republika e Shqipërisë, nuk i marrin në mbrojtje diplomatët kundrejt vlerësimeve morale, qofshin ato edhe padrejtësisht degraduese. Nga ana tjetër, duke e mbajtur incidentin brenda caqeve banale të përmbajtjes së tij, ambasadori Borchardt do t’i kishte hequr Kryeministrit Rama mundësinë për ta bërë manipulimin e tij të radhës me faktet, siç e bëri, duke dërguar skuadrën me roja. Në fjalë të fundit, me dëshirën apo pa dëshirën e tij, ambasadori i OSBE-së u përdor në këtë rast nga Kryeministri i Shqipërisë.

Rojet përreth banesës, zyrës apo çdo vendi ku gjendet ambasadori, për sytë e të huajve janë sot treguesi më domethënës për pasigurinë që sundon në vend. Përfshirja e këtij incidenti në raportet ndërkombëtare e prish imazhin e Shqipërisë shumë më tepër edhe se vjedhja e miliona eurove në pistën e aeroportit apo vrasjet për larje hesapesh midis bandave në Vlorë apo në Shkodër. E kam fjalën për imazhin që ndikon në udhëtimin e të huajve drejt Shqipërisë, kryesisht si turistë. Kërcënimi i një ambasadori nxjerr në pah pikërisht atë pasiguri, nga e cila tremben të huajt. Kryeministri ynë as që i mendon gjërat nga kjo anë. Ai madje gëzohet kur i jepet rasti të hedhë baltë mbi opozitën. Kështu veproi edhe kësaj here. Pa bërë asnjë hetim, ai nxitoi të niste drejt Brukselit, Vjenës apo Strasburgut mesazhe, ku fajësonte opozitën si kërcënuese të ambasadorit. Është pikërisht ky kryeministër, i cili ankohet kundër atyre që shajnë Shqipërinë në gjuhë të huaj.

Nga ana e saj opozita iu përgjigj në të njëjtën mënyrë. Domethënë, pa asnjë profesionalizëm. Ajo akuzoi Ramën si porositës të “kërcënimit”, me qëllim për t’i kthyer aleatët europianë kundër saj (opozitës). Pra, de facto e pranoi  se ambasadori ishte kërcënuar. Sigurisht që as Partia Demokratike nuk bëri ndonjë hetim për të arritur në këtë përfundim mbi fajësinë. Por ajo ndoqi rrugën e Ramës: shpifjes iu përgjigj me shpifje, duke përforcuar kështu tek “aleatët europianë” bindjen se, pavarësisht të vërtetës rreth fajtorit, ambasadori ishte kërcënuar. Opozitës do t’i mjaftonte një distancim nga ky akt, duke kërkuar një hetim serioz për përgjegjësit. Dhe, po t’ia thoshte zemra, le t’i shprehte ambasadorit mbështetjen e vet për të kryer detyrën. Nuk nevojitej asgjë më tepër.

VIDEO – “Studentja ‘kryqëzoi’ Ramën gjatë protestave”, Vasili: Skandal, ndalohet nga policia për Borchardt

Ish-kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili ka deklaruar sot se Policia ka arrestuar një tjetër studente për shkrimet në pallatit të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt.

Për ish-deputetin e LSI-së, Policia ka ndaluar sot studenten Viosana Kokla, e cila sipas Vasilit “gozhdoi” kryeministrin Rama gjatë debatit për protestat e studentëve.

 

“Turp. Skandal. Policia sapo ndalon studenten Viosana Kokla për Borchard. Studentja Viosana Kokla ndalohet nga policia për hesap te Borchard. Edi Rama shfrytëzon Borchard për tu hakmarrë me Viosanen studentes se arkitekturës qe e kryqëzoi kryeministrin.

Turp. Turp. Turp Policia nuk ndalon kriminelet dhe te korruptuarit por me urdher te Edi Rames do qe tju mbylle gojen te rinjve. Shiheni VIDEON kur kryqezohej Edi Rama.