VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Del nga shtypi “MAQEDONIA NGA ANTIKITETI DERI TE KOHA JONË” e autorit JUSUF BUXHOVI

By | May 13, 2019

Komentet

(Video) Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Më 27.09.2019 (E premte) ora 20:00

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe (Prishtinë)

Starton Koncerti i hapjes së sezonit

Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjellë në Prishtinë koncertin në drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff (Gjermani).

I njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, ai kthehet përpara publikut të kryeqytetit për bashkëpunimin e radhës me një mbrëmjes koncertale me vepra romantike.

Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Eduard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore. Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”. Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893 derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve. Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969. Në 50 vjetorin e zbarkimit historik në hënë, ju mirëpresim në një mbrëmje si kjo për të provuar madhështinë e muzikës orkestrale.

Programi
E. Grieg । Koncert për piano në a – mol, Op. 16
A. Dvořák । Simfonia “Nga bota e re” në e – mol, Op. 95

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës
Lule Elezi – piano (Kosovë)
Dirigjent: Boian Videnoff (Gjermani)

 

Kosovo Philharmonic
September 2019 – June 2020

27.09.2019 (Friday) । 20:00
Palace of Youth and Sports – Red Hall (Prishtina)

Season Opening Concert

Season Opening Evening of the Kosovo Philharmonic Orchestra brings to Pristina a concert led by conductor Boian Videnoff (Germany). Known as the artistic and general director of the Mannheimer Philharmoniker and his work with few of the most renowned soloists of our time, he returns for his next collaboration with Kosovo Philharmonic Orchestra in a concert with a romantic program. The evening’s soloist, the well-known Kosovar pianist Lule Elezi will play the only piano concerto written by Norwegian composer Edvard Grieg, known as one of the most popular piano concertos ever written. The second part of the concert is reserved for Dvořák’ s Symphony No. 9 in E – minor also known as the New World Symphony. It was composed in 1893 while Dvorak was the director of the National Conservatory of Music in America in New York and is one of the most popular symphonies of all time. Astronaut Neil Armstrong took a tape recording of the New World Symphony along during the Apollo 11 mission, the first Moon landing, in 1969. On the 50th anniversary of the Historic Moon Landing, do join us to experience the wonder of orchestral music.

Program
E. Grieg । Piano concerto in A – minor, Op. 16
A. Dvořák। New World Symphony in E – minor, Op. 95

Kosovo Philharmonic Orchestra
Lule Elezi – piano (Kosovo)
Conducted by Boian Videnoff (Germany)

NJERËZIT E NËNMJEGULLËS – Nga Iliaz Bobaj

(Shenime për kundraromanin ‘‘Engjuj pa qiell’’ të shkrimtarit Ton Zmali)
Dikur, kur shkruaja poezinë “I vetëm”, një poezi paksa ndryshe nga të tjerat, e cila mbaron me dy vargjet e fundit: “Më hyn vetmia gjer në palcë e ndjej se mpakem”, kam të ftohtë, sapo mbarova vargun e saj të fundit, më shkuan mornica nëpër trup dhe ndjeva të ftohtë. Aq shumë kisha jetuar shpirtërisht atë poezi, me botën e saj të ftohtë, vetmitare. Por edhe u gëzova. Poezia ishte “ngopur”. Mu kujtua kjo ndodhi e jetuar sapo “shkela” në botën e nënmjegullës, në kun­draromanin “Ëngjuj pa qiell” të shkrimtarit të mirënjohur, Ton Zmali.
Mendoj se një shkrimtar të vërtetë e karakterizojnë dy gjëra: talenti dhe guximi. “Të guxosh, përparimi fitohet vetëm me këtë çmim. Agimi guxon kur agon”, thotë Viktor Hygoi. Ton Zmali ka guxuar. Ai, me taientin e vet, ka ndërtuar një bote të tërë të nënmjegullës. Kjo botë është ndërtuar mbi simbole edhe funksionon përmes alegorisë. Por mbi një konceptim të vetin, të ndjeshëm deri në dhimbje. Gjithë kjo botë frymon në planin e nënmjegullës, por edhe brenda mureve të ankthit, pa dale aspak jashtë këtyre mureve të pathyeshëm, pa ngritur kokën mbi mjegull. Një simbiozë e çuditshme, e detyruar. Nxjerrja e kokës mbi mjegull është vdekje, guxim i marrë, vetvrasje. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i autorit, me të cilin ai ka vendosur pushtet mbi personazhet e vet, ngjarjet, zhvillimet. Por nga ana tjetër ngjarjet që zhvillohen në botën e nënmjegullës, janë reale, atyre u ndjen dihatjen, frymëmarrjen, dhimbjen. Kjo e bën simbolikën të kup-tueshme dhë metaforën të ndjeshme. Ata kanë gjithçka që kanë njerëzit dhe u mungon gjithçka që u mungon njerëzve për të qenë njerëz të lirë. Kështu, pra, nën simbolikën, irealen, zhvillohet në pjesën dhe në masën e saj realja, jetësorja, e lidhur me të nëpërmjet personazheve, ngjarjeve, toporiimeve, zakoneve, rrëfenjëzave, këngëve, fjalëvë të urta, baladave, në tërë kompleksitetin e vet, por gjithnjë e njësuar dhe e kufizuar nga mjegulla. Mbi këtë simbiozë është konceptuar dhe ndërtuar kundraromani në fjalë dhe mbi këto dy “shina, Ton Zmali e ndjen veten bukur mirë për të shkuar aty ku është nisur. Unë iu gëzova sinqerisht Tonit, po për vete ndjeva të dridhura, si atëherë me atë poezinë time. Aq bukur e ka ndërtuar autori këtë bote, sa jo vetëm më tmerroi dhe më detyroi të jetoj gjithë zymtësinë e saj, po rashë edhe në njimendjen e zhveshur të mjerimit. Vetëm me një hiperbolë, autori e skajon mjerimin në dy faqe: a) njeriun-buall dhe b) njerëzit-miza. (kujtoni fabulën e njohur të buallit me mizën).
Ky skajim artistik, i bërë me një mjeshtëri intuitive të shtesimit krijues mbart me vete një nënkuptim të gjerë qartësor, krijon një hapësirë artistike duke zgjeruar këndvështrime të botës së person­azheve të vet, linjave të brendshme zhvillimore e rrjedhimisht edhe të frymarrjeve alegorike të veprës. Ajo është një zgjerim dritareje, nga ku hyn më tepër ajër e frymë, më tepër dritëjetë dhe rrezatim figurativ, artis­tik, mistikë e mitologjik. Shkallët ç’njerëzore të zvogëlim-zmadhimit (buall-mizë), përveç në përmbajtje e kundërpeshave është konceptuar si sëmundje psiqike e monizmit hjerarqik, ku pjella mizore tragjike e vetizolimit si një virus kanceroz cënon e rrezikon shoqëritë njerëzore në pafundësi prespektive, kohë e hapësirë. Mesazhet aisbergale të kësaj hiperbole shpërthejnë zengjinë radio-aktiv brenda të keqes si varrmihëse qiejsh e engjujsh, si tokë pjellore ku mbillen, mbijnë, rriten e hedhin shtat trysnitë e simpiozat më paradoksale të mbijetësës së bashkësive nënmjegullore. Imagjinoni prespektivën e jetës njerëzore në breza nën duart e këtyre specieve… Hanxharët e shpatat e përgjakura, të pathara… Zhvillimi e përparimi shpirtëror e teknologjik i ispiruar e i dhunuar prej qenieve të kësaj natyre, pushtetore…Llahtar e paspjegueshme, një katraurë e paimagjinueshme. (Ato “ndoshta mund ti shpjegojnë” veç mjegulloset me nënfishat e tyre bastard e steril). Këto gremina, rrënoja e hone të jetës paralajmëron profetizmi intuitiv i krijuesve, që në të shumtën e herëve bashkëkohësia jo vetëm nuk i çmon por mjerisht i viktimizon e i kryqëzon si mësuesin e mjegullës në “Lerat e Sorrave”, si Maliqin në boshtskotin e mullirit, Doktor kripën, Kunën, Nusen e shitur etj etj: krime anonime të një mbijetese të gatuar me art.
Shkulja e gjuhës së Patër Gjergjit, shtimi i krimbave, Bualli, tokësat e kuq, Maliqi i çmendur, korbat, armata lashkuqe më bënë ta kem mendjen në vend dhe të hedh këmbën me kujdes. Jetoja në botën e kundraromanit me të gjitha dhimbjet dhe gëzimet njerëzore. Gjuha e prerë e patër Gjergjit më rrinte mbi krye, si shpata e Demokleut. Metaforë e goditur vërtet. Mesazh i qartë, i kuptueshëm. Në diktaturë gjëja e parë që i bëhet njeriut, është shkurtimi i gjuhës. Pastaj edhe shkul­ja e saj. Diktatura nuk do gjuhë. Ky është përçudnimi më i tmerrshëm që i bëhet njeriut. Jeta nën mjegull ecën ngadalë, jeta bardhë e zi, lumi bardhë e zi, që ecte si me përtim, ngjyrat e tjera të spektrit janë shuar, ato nuk i duhen sistemit. Po, ndërsa jeta ecën ngadalë, me përtesë, autori nuk rri i qetë. Ai rri pas skenës dhe si regjisor me përvojë, i shpërfaq lexuesit pikërisht ato që i duhen atij, duke i lidhur dhe harmonizuar këto pjesë me të tërën. Pasi mjegullon mjedisin, sjell Patër Gjergjin, tokësat, bullarin. I vjen radha Maliqit të çmendur, ushtrisë së korbave. Ai di të rrëmojë e të skenojë dhimbjen e tejdhimbshme të fëmijës, që vdes për një pikë qumësht, ngre madhërishëm Gjergjin e madh, shpëtimtarin e qytetërimit, shenjtëron gruan ëngjëllore, “Bamirësen e botes”, i lë të bëjnë dashuri për shtatë palë qejfe Lekën e Zojën, pa asnjë kufizim, pa asnjë moral. Dashuria nuk ka moral. Skenat të shndërrohen pa prerë, duke ia lënë vendin njëra-tjetrës, vjen njeriu i vogël mikroskopik, që bënte programe jashtë kohe, bota e tmerrshme, e ndyrë, zvarritore e krimbave, për t’ia lënë vendin fillikates Kune, ndan shapin nga sheqeri tek vëllezërit Coli e Koli (kujtoni botën bardhe-zi të nënmjegullës). Në çdo detaj sjell një mesazh. Raporti ndërmjet personazheve është bindës, me një zhvillim natyror, të kuptueshëm. Sa më shumë largohet sfondi i Gjergjit të madh dhe gruas ëngjëllore, aq më poshtë, e ma e ndyrë bëhet bota e krim­bave.
Antitezë me vend. Autori i zë qiellin malit, që është aq pranë tij. Mali nuk mund të rrojë dot pa pakëz qiell. Por nga ana tjetër edhe mjegulla është e natyrshme pranë majëmalit. Kështu, mjedisi bëhet më prekës. Mjegulla e dendur mbars mjedisin njerëzor me dhimbje, dritëmungesë, vuajtje, fytyrëzvërdhje. Nga kjo mbarsje lind urrejtja, kundërshtia e na­tyrshme, forca,! Ky është skicimi i optimizmit që i bën autori të ardhmes. Është krejt e natyrshme dhe po kaq e kuptueshme: kur arrin kulmin shtypja, lind fuqia, kundërshtia. Autori e njeh këtë parim të madh njerëzor, prandaj edhe e lë shtypjen deri në ngopje, që të lindë fuqia, optimizmi i të ardhmes. Kështu, dyert e daljes nga mjegulla lihen të hapura. Njerëzit nuk mund të rrojnë nën një shtypje pa fund, forca e vet njeriut qëndron brenda tij, ai kërkon zhvillim, fisnikërim. Duke ecur nëpër faqet e kundraromanit, mu kujtua parimi i njohur “hapi punët që të mos të të hapë punë”, parim mbi të cilin ishte ndërtuar lufta e egër e klasave. Të dënosh diktaturën, ti japësh asaj pjesën që i takon, do të thotë se je bartës i së resë. Dhe ai që mediton për të renë, meriton vlerësim e nderim njerëzor. Nuk mendoj se ka folklorizëm kundraromani në fjalë. Përkundrazi, mendoj se ka dy argumente për të thënë të kundërtën. Së pari, mendoj se kjo është bërë për të arritur e përsosur artistikisht personazhet, për të krijuar mjedisin e përshtatshëm, për të dhënë koloritin e nevojshëm artistik. Dhe së dyti, autori ëcën me këmbë në tokë, si Anteu që e merr fuqinë e vet tek toka, në rastin konkret tek ata njerëz që jetojnë, punojnë, robtohen, dashurojnë, urrejnë, ëndërrojnë. Kjo është jetësore, paçka se edhe e traditës. Veç kësaj do të shtoja se futja e baladave të fuqishme popullore etj, nuk e ul vlerën e një veprë letrare, mjafton që ato të futen me mjeshtëri artistike. Ajo që mund dhe duhet diskutuar në veprën e Ton Zmalit, është gjuha. Në një bisedë me Tonin për këtë problem, ai mu përgjigj se qëllimi u tij në gjuhën e përdorur në këtë kundraroman, është se synon praktikisht një rrugë të mesme ndërmjet dy dialekteve të shqipes së sotme, një gjuhë bashkuese të tyre, mendim ky që e thekson edhe Konica e Çabej.
Për këtë është disku­tuar shumë dhe natyrshëm do të diskutohet edhe në të ardhmen. Toni është përpjekur të gjejë një nyjëlidhëse ndërmjet dy dialekteve, duke i shkrirë në një. Pavarësisht se dlalekti tjetër, ai gegërisht lëvrohet nga shumë autorë me sukses të admirueshëm. Personalisht kam mendimin se të dy dialektet kanë vlerat e tyre të çmuara gjuhësore (të folur e të shkruar) dhe kurrsesi nuk do të bija në ujdi që thjesht per arsyen e një bashkimi apo njësimi të tyre, të humbnin vlerat e të dyve dhe ecja me të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre, ose shkrirja graduate në një të vetëm, por me të gjitha vlerat e tyre. Kjo e dyta është një punë e vështirë, e gjatë. Kërkon njohuri të thella, punë të studiuar e të kujdesshme, këndvështrim e vlerësim serioz e të barabartë të dy dialekteve. Toni ka hedhur një hap, i prirë nga mendimi dhe dëshira e mirë. Problemi tjetër me gjuhën është të qëruarit e saj. Tëk-tuk autorit i kanë shpëtuar huazime krejt të panevojshme, kryesisht nga gjuha turke, italiane e më rrallë ndonjë greke (edhe mbiemri i Jak Belasë, ndoshta, mund të mos ishte i tillë). Mendoj se këto fjalë veçse e zvargin gjuhën dhe i rëndojnë sado pak veprës në fjalë. Janë krejt të evitueshme. Gjuha e pastër i jep bukuri dhe lirshmëri, një vepre letrare. Tektuk ka edhe disa gabime drejtshkrimore. Kjo, padyshim, është punë e shtëpisë botuese dhe e redaktorit, dora e të cilëve pak ose aspak duket në botimet e sotme të pafundme letrare shqipe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe ky është një problem më vete. Për librin në fjalë Tonit i kam dhënë një mendim për ta zhvilluar më tej idenë e vet. Ose më mirë e kemi diskutuar miqësisht një gjë të tillë. Tani për tani kjo ide nuk është përtja shpërfaqur lexuesit. Le të presimi Mendja e Tonit punon. Ndoshta do të na sjellë ndonjë befasim tjetër. Hëpërhë, le të shijojmë veprën e tij të mrekullueshme që kemi në dorë. Nga Iliaz Bobaj Patra-Greqi

Xheladin Zeneli, “Shqiptarët në Mal të Zi – Popull i rrezikuar”, botoi: Art Club, Ulqin, 2019 – Nga Dr. Nail Draga

Pas rënies së sistemit monist  në  lidhje me  shqiptarët në Mal të Zi  nga autorë të profileve të ndryshme shkencore, artistike e kulturore opinionit i janë prezantuar  botime të fushave të ndryshme. Kemi të bëjmë me botime shumëdimensionale në  kohën e pluralizmit, duke dëshmuar se kemi të bëjmë më autor të cilët në monizëm e kishin të mohuar një mundësi të tillë   për rreth pesë dekada. Në  gamën e gjerë të  botimeve nuk kanë munguar edhe ata nga fusha e publicistikës duke sjellur risi në trajtimin e çështjeve përkatëse sidomos  mbi pozitën e statusin e shqiptarëve në këtë mjedis.
Pas librit të parë “Diaspora dhe vendlindja” botuar në vitin 2011, kohë më parë Xheladin Zeneli i paraqitet opinionit me librin me të ri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar”. Kemi të bëjmë me një përmbledhje të artikujve publicistikë, të cilat autori i ka shkruar dhe botuar viteve të fundit në mediat e shkruara apo portalet e rrjetëve sociale.
Vet titulli i këtij botimi është intrigues për lexuesin sepse kemi të bëjmë  kryesisht me pjesëtarët e popullit shqiptarë në Mal të Zi, të cilët kanë sfiduar rrethanat shoqërore të kohës për të mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike. Dhe një çështje e tillë vazhdimisht ka qenë dhe mbetet  preokupuese për studiues profileve të ndryshme, ku nuk mungojnë botimet  edhe nga fusha e publicistikës.
Ndonëse i larguar nga vendlindja ai nuk ka qenë statist sepse interesimi i autorit për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi ka vazhduar edhe në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork në  mjedisin e ri ku është vendosur në fund të vitit 1991. Një veprim i tillë paraqet rast të veçantë, jo vetëm për diasporën por nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një person me qasje intelektuale, andaj edhe artikujt, analizat  dhe komentet e publikuara në mediat e shkruara apo portalet e ndryshme,  dëshmojnë seriozitetin dhe  shqetësimin  e vazhdueshëm, çështje kjo preokupuese për autorin e këtij libri.
Qasja e autorit është shumëdimensionale sepse vetëm si e tillë mund të trajtohet çështja shqiptare në Mal të Zi edhe në kohën e pluralizmit. Pa mohuar të arriturat të cilat janë pothuaj kozmetike, autori trajton identitetin e shqiptarëve në aspektin arsimor, kulturor, informativ e ate politik. Janë këto fusha të cilat mund të shkruhet gjatë  dhe me argumente, që dëshmojnë për pozitën  dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Si rrallë kush deri më tash autori në disa tekste thekson  Deklaratën për Drejtat e Popujve Autokton  e miratuar nga Organizata e Kombëve të Bashkuara, çështje kjo e cila nuk është marrë në shqyrtim asnjëherë nga asnjë parti politike nacionale te shqiptarëve në Mal të Zi. E dhëna së një Deklaratë e tillë vlen vetëm për në shqiptarët si popull autokton në Mal të Zi, ka peshë të veçantë, andaj meriton analizë të veçantë, që duhet të jetë obligative edhe për Malin e Zi. Nga ana tjetër duke e marrë parasysh se ne shqiptarët jemi i vetëm  popull me përkatësi jo sllave, është një argument plus, që shqiptarët këtu duhet të kenë  tretman të veçantë, si qytetarët e një vendi multinacional e multigjuhësor, por me specifikat e veta kombëtare. Një veprim i tillë, do të ishte digë qasjeve mohuese të qeverive në Mal të Zi, si në të kaluarën edhe në ditët tona, sepse ka tendenca të asimilimit kombëtar dhe të atij politik.
Duke lexuar artikujt e ndryshëm në këtë libër, del qartë shqetësimi i autorit në aspektin politik, ku shqiptarët me një numër të vogël banorësh kanë numër të madh të subjektëve politike, të cilat gjoja janë formuar për avancimin e çështjes shqiptare në këtë  vend. Ndërsa pas tyre viteve në pluralizëm, çdo gjë është transparente dhe e qartë për çdo kend, se disa subjekte politike janë formuar për interesa të ngushta personale e klanore, që nuk është në favor të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa mungesa e një platforme të përbashkët politike për çështjet jetike në nivel shteti  është dëshmi e mungesës së seriozitetit ndaj çështjes shqiptare në këtë mjedis. Andaj, nuk është  për tu çuditur së shqiptarët në zgjedhjet shtetërore dalin jo të unifikuar në një listë zgjedhore, por në disa të tilla, nga del se kemi rezultate dëshpruese, pa përfaqësim  dinjitoz në parlamentin e Malit të Zi.
Autori po ashtu trajton edhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, në sajë të kontakteve me personalitete të rëndësishme të jetës politike në SHBA, çështje kjo e cila ka një vazhdimësi, duke filluar me kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z.Joseph Dioguardin, por edhe kongresmen e senator të nderuar të senatit e kongresit amerikan. Duhet cekur me këtë rast dëshminë në Kongresin Amerikan me 30 tetor 2003, të udhëhequr nga kongresmeni dhe miku i shqiptarëve Tom Lantos, ku folës ishim tre shqiptarë nga Mali i Zi. Duke marrë parasysh se statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, është duke ngecur, jo sipas dinamikës së dëshiruar, sepse nuk ekziston vullneti politik i pushtetit,  faktori ndërkombëtar mbeten gjithnjë adresë e obligueshme, sidomos për mjediset me demokraci të pakonsoliduar.
Madje, çdo artikull i prezentuar në këtë botim paraqet një temë të veçantë që meriton analizë sepse kemi të bëjmë me një mjedis i cili vuan nga mentaliteti i kohës së monizmit, ku ndonëse në pluralizëm ende mungon  kapaciteti dhe vullneti politik i pushtetit për avancime demokratike sipas standardëve ndërkombëtare.
Pikërisht duke marrë parasysh çështjet e trajtuara të cilat kërkojnë zgjidhje këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë e ne veçanti ata që janë pjesë e strukturave të ndryshme politike, sepse kanë informacione të natyrave të ndryshme që janë të nevojshme për takime kur diskutohet për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një libër të shkruar nga një autor i cili edhe vet ishte pjesë e fillimeve të pluralizmit  politik në Mal të Zi,  dëshmon seriozitetin në qasjen e çështjeve të cilat janë preokupuese për shqiptarët në këtë mjedis në të kaluarën dhe në ditët tona.
Libri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar” i shkruar nga bashkëvendasi ynë i cili jeton në diasporë, është shembull se si duhet  trajtuar çështjet e identitetit, në këtë kohë te tranzicionit shoqëror  të kohës së pluralizmit, duke mos qendruar pasiv, por aktiv sikurse të jetonte në vendlindje, që paraqet rast të veçantë  në diasporën shqiptare.
Andaj, duke marrë parasysh ate qe u tha më lartë  këtë libër e vlerësojmë  një kontribut me vlerë për ndriçimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, ku autori prezanton pikëpamjet  dhe jep  rekomandime për avancimin e çështjeve përkatëse ku e them pa hezitim se  do të jetë i mirë se ardhur për opinion e gjerë shoqëror.
Dr.Nail  Draga
(Lexuar më rastin e përurimit të librit  në Ulqin, me 12 gusht 2019)

SYNI I TRETË I KRIJUESIT – Nga TON ZMALI

 

(Sprovë – Ese për risinë e parimit estetik të ‘’Dy rruzullimeve’’ të Fishtës )

Krijimi ka lindur bashkë me njerëzimin dhe do të zhduket bashkë me jetën njerzore dhe vlerat e saj. Shumë studiues, estet, kritikë e analistë e kan krahasue krijimin me zjarrin, qymyrin dhe hinin e jetes. Krijimtaria e çdo brezi krijon zjarrin e vet ku ngrohen kultura dhe andrrat e botës së bashkohësisë e ma tej. Që të ngrohen njerëzit shpirtërisht përveç prushit të trashguem të zjarrit shpirtnor e vazhdues, që të mos shuhet e të mbet ndez ngrohtësia ai djeg tymë e flakë e i bam shkrumb e hi në furrën e vet shumë nga vlerat e përkohshme, e kalimtare. Së pari shkarrashkruesit e shkruesit në letërsi, bojaxhijtë, lustragjitë,e ikonagjitë në pikturë e skulpturë ,tellallagjitë, sazegjite e borizanët në muzikë e kështu me rradhë. Këto zjarre të pamëshirushme të kohnave nuk mund të veprojnë jashtë disa ligjeve të mbijetesës së vlerave konformë me parimet universale të së bukurës në jetë e në art. Estetika si shkenc ne evulim i përmbledh ligjësitë objektive e subjektive të artit në tansi e sidomos të krijimit në veçanti. Të rrezikuar në këtë zjarr për tu shëndërrue në hi e thëngjill të shuar janë edhe me vlerat e tyre adekuate me realitetet sipërfaqsore dhe empirike të përshtypieve të syve fotografikë e real. Këtu futen jo vetem biografët, jetëshkruesit, ditaristët, krijimtaria e historianve me realtetin e saj. Ky art që quhet pasqyrues, nuk ban gja tjetër veç se si xhami i një pasqyre dëshmon ngjarie e fakte, ndodhi e imitime të botës rrethuese. Tipik i pasqyrimit u vetshpall Real-Soc, i cili në të vërtetë nuk pasqyronte por maskonte me formate, mashtronte e politizonte në emër të realizmit duke e fallcifikue e tjetërsue çdo pasqyrim real të tij. Pra duke mos qenë as pasqyrim as realizëm letërsia e ashtuquajtun mbeti pseudoart lustrues i pasqyrave konkave e konvekse me epika miopike e biopike të nji shëmtimi karnavalistik. Parimet estetike e kritike u dhunuan dhe kështu zjarri i kohës dogji e shkrumoi njëheri gjithë botën shkarrashkruese të atyne modeleve duke varros dhe të vetmin tregues të fundit vlerë atë të historiologjiisë që mund të dëshmonte ekzistenca e tij e përballun me të vërtetën e maskave. Krijimtaria e rëndomtë pasqyruese e cila ashtë pjellë e dukjeve, vështrimeve sipërfaqsore vizive , dhe të vetmen vlerë që mund të dëshmojë ashtë kronologjia e thatë e ngjarjeve dhe ndodhive larg sa qielli e toka me krijimin e vërtetë pa mort, arkivol as varr por që mbijeton me prushin e pashuar të gjithë stinëve e të gjitha kohërave. Prej këtu natyrshëm vjen pyetja.

-Po çashtë vallë krijimtaria dhe krijimi i vërtetë ?………..

Arti krijues ashtë prenue si nji trashegim i përjetshëm në zhvillim, i cili nuk pranon formë e as kallëp, shabllon e as format të paravendosuna as të paraorientueme. Vlerat objektive artistike e estetike të realitetit janë trojet, arat,farat , fushat pjellore ku artistët krijuesit mbjellin, rritin e kultivojnë mëvetësitë e tyne, individualitetin dhe genet e talentit të patjetërsueshëm. Letërsia dhe artet në tansi i ngjajnë nji pylli të pamort që orjentohet e vetzhvillohet duke ecur drejt drites se diallit edhe në qoftë se nuk kultivohet nga organizimet aspirante shoqërore ato i hapin rrugën vetëseleksionit e ligjve të xhunglës që jo rrallë zhduk e qet fare llojet e sajë të vlefshme e të dobishme duke jetue e mbijetue spermazoidet e farës e dhunës si produkt të xhunglave e jo të vetseleksionimit natyral të vlerave të vërteta. Mjerisht shoqëria jonë e njohur për ekstreme vulgare verbuese kalon sot stadet mjerane të xhunglës ekonomike e shoqnore por duhet të jemi realist se xhungla politike e artit në shërbim të monizmit ishte varrimsi i çdo lloj vlere të krijimit dhe krijuesit. Liria e xhunglës ashtë pamëdyshije një hap përpara dhunimit sidomos në pranimin e gojës së hapur e fjalës së lirë si vlera të çlirimeve shpirtërore. Kaosi harbues i mbijetesës së frymes xhunglave si në gjithë fushat e jetës ashtu dhe në art krijon mekanizmat e dyshimtë e jashtëcilsore në gjykimin e vleres e cilësisë duke lejue lulzim pa kriter të antivlerave. Krijuesi si vetë jeta njerzore e organizmat e saj asht i bombarduar nga një seri sëmundjesh të kohës e të parakohës pa mohue mashtrimet e dogmagjive për ardhmërinë. Krijimtaria i shpërfillë por dhe i rilind modelet e së shkuarës. Përsa i përket gjuhës letrare vetem e vetem nji e mesme e artë si produkt mbidjalektal, natyral e harmonik asht zgjidhje e sakët dhe e plotë.

Çdo model pararendës do të ishte për pasardhsin i manget dhe i paplotë. Krijimi ashtë një misterie e labirintheve të shpirtit i konformuar në ndërgjegjien e vullnetshme e të pavullnetshme të botës së krijuesit. Pjesa e ndërgjegjshme e krijimit ka të bëjë me vëzhgimet eksperimentale dhe formimet bashkëkohse të krijuesit si adekuat e pjestarë aktiv i ndërgjegjsimit progresiv shpirtërorë të shoqërisë. Çdo mohim e nënvleftësim i vlerave të vërteta të traditës e të epokës krijion vetvetiu boshllëk. Por krijimi duke marr brenda vetes shumë landë shpirti ndjenjën e parashikimit të mistereve të botës dhe ardhmërive të saj në sferat e pavullnetshme ose të pandërgjegjshme zbresin dhe ato që me të drejtë janë quajtur pjesa hyjnore . Në krijimtari të ashtuquajturat sjanë gja tjetër veçse misteriet e pastudiueshme të ndjejave që përbëjnë esencat e individualiteteve, elitave, gjenive. Parakusht për të lulzue këta stade ashtë talenti ose siç e quan Fishta geni i krijuesit i cili megjithse ashtë një i vetëm i unit e genit të përjetshëm të individit ai nëpërmjet imagjinatës e fantazisë krijon besueshmëninë e rregullit të dytë ku bota e krijueme mbart, mbjell, korr e rimbjell, sharton e zhvillon botë të reja. Ka pasqyruesa, imituesa, e interpretuesa ngjariesh faktesh e biografikë , letërshkruesa e shkarrashkruesa që besojnë në e të sipas të cilve ata gjana që nuk i njoh unë nuk ekzistojnë . Ky nikilizëm e mbyllje në qelinë e vetëvetes jo rrallë rrezikon nji vetëizolim që nuk i shërben gjethit të krijimit por mospranimit si shkalla më empirike, amatoreske dhe e pa integrueshme e zanit të naltë të komitve shpirtërorë të artit. që është e vetmia portë për të hy në botën tjetër pra në botën e krijimit ashtë i paisur me mistrerijet e lindjës e përjetsimit të botëve që nuk i shohin sytë e zakonshëm qofshin ato dhe më të mëdhejt, më të mençurit e njerzimit . Pa që është syni i fantazisë, i ndjejës, i shpirtit e ndërgjegjes e i idealit që i ngjason një prozhektori të padukshëm të transparencës fluide ku misteriet e labirinthet e individuales fitojnë statuesin e kolektives duke ndikue në formimin e gjithanshëm të forcimit mbijetues të antikorpësve e rrezistencave parandaluese të së keqes me universalitet e tyne të pafundme.

Kalim nga dy sytë pamës fotografik e pasqyrues në << synin e tretë >> të fantazisë përbën në vetvete hapin më të domosdoshëm për të hyrë në botën tjetër ku psiqika, vullnesa, ndërgjegjia e kushtëzuar dhe e pakushtëzume, koshienca dhe subkoshienca harmonikisht krijojn botë të reja ku jetojnë e mbijetojnë pranojnë e kundërshtojnë në bashkëekzistencë realia dhe irealia , fantazia e realiteti, sytë e jetës dhe ata të andrrës për një botë ku materia e zhvillon idealen e ku egërsitë e verbëra të unit egoist e material janë masa verbuese pa sytë e shpirtit dhe ndjejat e zemrës që përbëjnë magmat vullkanike të vetëbotës së krijimit pa imponime të jashtme dhunuese e paragjykuese. Kultura e eksperiencës së trashgueme e mjedisi rrethues nuk lindin talente por ndihmojnë e zhvillojnë … broshurat e tyne. Korpusi i paragjykimeve dhe i jashtëorientimeve të krijuesit ashtë varri i artit dhe arkivoli i tij i mbërthyer me gozhda të ndryshkme harrese. Arti i vërtetë gjykon sipas parimeve të shpirtit e ligjeve të tij unikale pa marrë në konsideratë interesa të ngushta të shitjes së vetvetes, përfitimet të ditës stinës , fushatës bile edhe bashkëkohës ku jeton e mësojeton krijuesi . Shpesh herë lë vështrim të kufizuar ose të vetëkufizuar dhe ashtu largpamësia e botës s’ë krijuar prej tij nuk ka qiell, yje e horizonte por tavan të ulët e kandila e tym të flakëkashtës që ma shumë tymojnë sesa ndriçojnë vatrat e shpirtit. Kjo ndodh ma shpejt me parazitet krijues, urthet e kurpnat që pëpiqen me mjete jashtë shpirtnore e joestetike ti ngjiten majave, maleve, kreshtave e pyjeve të begatëshme të krijimit duke helmue, damtue e jo rrallë duke u ngjitur si mish i huaj, nyje e gërxhe, zgavra e tharesa damarësh nëpër trupet e shëndosha të krijimit të vërtetë. Jo gjithmonë krijuesi ashtë fajtorë për moskuptimin ose mospranimin e tij nga lexuesi. Kur flasim për lexuesin duhet paraprakisht të parapranojmë shumëllojshmëritë e tij të pashmangshme.

Masa të tana njerzish vdesin pa lexue as nje libër jashtë shkolle, asnjë libër të horizonteve të praktizimit dhe improvizimit të vetkënaqun me fjalëpazari e me kulturë vjedhaveshi e truke televizive.

Shtresa e dytë e lexuesit ashtë ai i shkolluar i letrave i cilit kufizohet me programet shkollore të traditës sunduese vendase e të huaj pa hyrë aspak në detaje e analiza thelluese të njohjes.

Se treti ashtë masa e lexusit mesatarë i cili e vlerëson krijimin dhe krijuesin nisur nga famat, uni , jehona, propoganda dhe reklama që bahet. Lexuesi elitarë ku përveç njerzve të ditur , të shkolluar e të kohës hyjnë edhe vetë masa e krijuesve, kritikve, estetve e interpretuesve të gjithë llojeve e sojeve të artit e letërsisë. Krijuesi në tansi ka streset e veta të cilat në forma të ndryshme janë njëkohësisht edhe strese, ankthe, ngarkesa e mbingarkesa të kohës që veprojnë edhe mbi lexuesin e krijuesin. Ajo që duhet theksue në këtë raport ashtë se gabimisht shpesh herë kritikët e studiuesit apo edhe vetë lexuesi i mirëfilltë janë të pa afatë për ta kuptue e përjetue krijuesin e krijimin, kështu pra faktorë në moskuptim e krijimit jo rrallë ashtë edhe shkalla e ultë e vlersimit, paragjykimi ose dashakeqsia dogmatike e nivelit masiv të zhvillimit estetik e formimit kulturor të masës së lexuesve pa përjashtue këtu shenjat e paplota e të keqformuara nga faktorë jashtëestetikë, jashtëkulturorë. Në kushtet e ekonomisë së tregut dhe zhvillimit të bursës si rregullatorë i prodhimit dhe konsumit të artit përparsi kan marrë edhe televizioni dhe arti i shtatë i kinematografisë dhe së fundmi interneti. Megjthë përsosjen e takimeve në këto sfera të artit askund nuk mund të përjashtohet rritja e kërkesave ndaj vlerave orgjinale artistike që ofron përkryerja dhe përsosia të krijuesve , realizuesve, skenaristëve, dramaturgve , regjisorve etj. Përsoja e përkryerja në formë e në formbajtje , në origjinalitet dhe individualitetet, në frymën e pavarur të krijimit ku teknikat e krijimit përputhen në harmonitet me mjeshtëritë e realizimit të mesazheve spontane. Pa nuk mund të bahet fjalë për krijim dhe krijimtari por për imitim, pasqyrim, histriografi,e biografi sterile e steriotipike të dalëboje. Kompiuteri,interneti, informacioni, celulari etj, ndikojnë në masivitetin e artit, shkencës, teknologjisë etj…

Ato reklamojnë por nuk krijojnë…

Reklama sado e madhe dhe e fortë, sado e kamufluar apo e organizume ka kenë e do të mbetet faktorë i jashtëm, jovendimtarë dhe gjithmonë e rrezikuar në qoftëse ashtë e paplotë , e i pa arritun apo e gjymtume dhe e sëmurë vetë esenca e vlerave që reklamohen. Reklama krijon famen por jo vleren.

Që të reklamosh duhet paraprakishtë të prodhosh vlera. Me prodhim të skaduar, të injektuar, stinorë, elektoral, fushativ e joesencial, krijimi e krijimtaria janë të vetërrezikuara në thelbin e tyne ekzistencial. Në këndvështrimet analitikopsikologjike ashtë produkt parakusht i talentit individual të lindun, i genit të trashëguar dhe predispozitave të tij. Geni përban shtysat e brëndshme që imponojnë vetlindjën e brendshme për me aftësitë koshiente të pakushtëzuara për ta vetëorintue krijuesin në atë sferë të artit ku individi beson universalisht se sjellë vlera e mbivlera të dobishme për shoqërinë dhe mbijetesat e saj. Kur << syni i tretë>> i krijuesit ashtë forcë vullkanike, integrale e imagjinatës e fantazisë, e vrulleve të subkoshiencës dhe ekstazave të plota të botës intujtive, shpirtit e ndërgjegjies, arti i dalë nga këto lloj furrnaltash bart specifikën individuale të atyne substancave të pazbërthyeshme që vetkrijon model të ri derdhie në formë e përmbajtje të mishëruar në organizimin e ri botëplotë të krijimit artistik.Në studimin e vet, Zeja e Fjalës, Fishta spiegon fenomenin e imagjinates së artit ku mbijetojnë ndjenjat dhe anes shkencore ku udheheq llogjika e idesë dhe mendimi rracional.Esteti i madh e i papërsëritshëm T.S.Eliot në esen e vet të magjishme na thotë se ruajtja e masës së raporteve dëshmonë ekujlibrat e domosdoshëm që harmonizojnë vlerat . . Ky mësim universal i detyrueshëm për çdo lloj kritike e mendimi analitik e studimorë e udhëheq estetin e madh në konkluzionin se cilit do të ishte ai vërtetë mirënjohës…. << Kritiku të cilit i detyroj mirnjohjen më të madhe , ashtë ai që mund të më bëj të shikoj diçka, që kurrë nuk e kisha pa më parë , ose e kisha pa vetëm në sy të vargëlluar nga paragjykimi, kritiku që mund të më sjell ballë për ballë me atë dicka, e pastaj të më lër vetëm me atë >>. Ajo për të cilën na flet Elioti nuk ashtë gja tjetër veçse magjia e ndjenjave parashikuse intujtive që sjellë imagjinata e krijuesit, syni i veçantë i asaj pjese hyjnore të qenies që bashkëjeton me trupin e organizmit deri në vdekien e materializimin lëndorë të tij ku ai fiton përjetsinë. Mbijetesa universale e shpirtit do të ishte e mangët pa boten e krijuesve të të gjitha kohnave dhe në të gjitha sferat e jetës. Sa ma i lirë, i plotë i çliruar e largpamës syni i tret i krijuesit aq më të pavdekshme e universale horizontet e pafundësisë të qiellit shpirtnor të artit dhe krijimtarisë të tij.

Ton Zmali – Athinë. Korrik 2014

Poet, shkrimtar e studiues

Ikja e bletëve – Nga Zamira Matoshi

Duke medituar mbi poezinë e Ton Zmalit

 

Dimri zgjati më shumë se ç’pritej ……

Zgjati aq shumë sa që  njerzit menduan se PERËNDIA harroi të bënte ndërrimin e stinëve.

Dimri ishte tmerrësisht i egër,më i egri që mbante mend natyra …

“dhe pranvera erdhi…”  

Kishte lajmëruar dikur Migjeni i madh, por e vërteta është se ajo nuk ngjante shumë me PRANVERËN e vërtetë.

Ishte një pranverë që përveç boshatisjes së ZGJOIT nuk bani gja tjetër veçse solli pikëllimin e madh të BLTËRRITËSIT PLAK që tash kaq – vjet u stërlodh duke thanë:

 

-Amza e butë,amza e butë

hajde – hajde në zgjuer të ri…

 

Por bletët edhe pse ndjejnë keqardhje për BLETËRRITËSIN PLAK, prap nuk kthehen, sepse e shohin e ndjejnë më mirë me thënë e parandjejnë,(poetët dikush i ka quajtur profetët e kohrave) se Dimri vetëm sa është zbutur pak,vetëm sa ka ndryshuar formë,por kurrsesi nuk besojn se ai është larguar plotësisht.

Një nga kto BLETËT E IKURA e që nuk besojn në kthimin e shpejtë është edhe poeti  – Ton Zmali. Ai është BLETA që i rezistoi dimrit të tejzgjatur sepse në atë dimër vdiqën shumë prej tyre.

Ndoshta dhe ai vetë s’mund ta ketë kuptuar se hapat nëpër “Malet ku Qeshin  Qyqet” janë skalitur në “shkëmbin e pa mortshëm”që quhet kujtesa e popullit.

Hapat e tij ndjehen akoma nëpër bjeshkët e luginat ku kaloi rininë e plakur.

Jam rritur në ato bjeshkë ku edhe sot pas shumë dekadash banorët e tyre e ndajnë kohën me emrin e Ton Zmalit ashtu si ndanë historia e botës periudhat me lindjen e krishtit.

Është e qartë historia e fshatit të stërlargët s’mund të krahasohet me historin e stërlashtë të botës,por unë dua ta theksoj faktin që banorët e këtij fshati tradicionalisht djep i rritjes së intelektualëve të njohur dhe të panjohur,të cilët jo pak vlera sollën për ktë komb.

– Jo rastësisht kan zgjedhur Ton Zmalin si pikë referimi mes gjithë atyre emrave  të tjerë, por për të vetmen arsye se ai diti të gjurmonte .

Të gjurmosh nuk bën vetëm lëvizje hapash,por edhe peshim.

Një ditë kur po mundohesha t’i sqaroja këtë fakt poetit ai qeshte përlotshëm. Unë e dija pse qeshte sepse e dija që e kisha prekur mu në dhimbje,në dhimbjen që ende vazhdonte.

Kokdoda, Mërturi, Iballa, Darsia ishin honet dhe malet e tij, ishin honet ku ra, e malet që u ngjit një jetë të tërë. Ishte dimri i gjatë me netë të stëgjata ku “idetë ngrohse të stinëve të papara kurrë me ndezin furrë”.Poetin e bën të paqetë shpresa sepse vetëm ai e shikonte “qiellin e mjergullimin dritëlypës….”. Ai e ëndërron PRANVERËN si ëndërron i burgosuri lirin, por PRANVERËN e ëndërroi disi më ndryshe nga ajo që erdhi vërtetë.

Ai ëndërronte pranverën ku malet përveç lartësive, përveç dendësive të lisave të ken edhe shtigje të zbresin në fusha të bukura e jo në “djerrina”.

Ai ëndërron lumej ,e ujë të qetë me ujra të kristalta dhe jo me ujra të rrëmbyshëm e të turbullta.

Ai ëndërron një pranverë pa “larva plehu” , “pa sorra” pa “zvarranikë”,pa “kafaz pëllumbash”.

Ton Zmali do preferonte të qëndronte më shumë në ZGJUA veç mos e takonte ” njeriun e arnuar” njeru që ia kish lodhur shpirtin, çuditërisht i kishte rezistuar dhe ai DIMRIT.

Në takimin e padëshirushëm e njeh menjëherë edhe  pse si kishte ndryshuar me “fjalë”  “sy”  “zë” “dhëmbë” e gjithçka, e njohu sepse në vend të “arnave” ai kishte vendosur prap “arna”.

Ton Zmali do të preferonte të rrinte prap në ZGJUA veç kur të dilte nga ai të mos jetonte në kohën e “kotësisë”atë kohë që e kish detyruar të hante shumë “brumë statujash ” . Ai brumë që e bëri të villte infeksionet e panumërta të kohës, me të vetmin qëllim për tu ndjerë një çast Ton. – Dimri atëherë zgjati më shumë se ç’pritej…

Netët nuk kishin mbarim. Ishin netët nëpër të cilat poeti thurte “Ëndërrpritjet” që zvarriteshin nga “Ligjet e Verbëta” që kanë bërë të mundur kthimin e njerzve në Robotë. Atë DIMËR të gjithë u kthyen në robtë përveç poetëve,profetëve që thurnin “Ëndërrpritjet”! Poeti e quan veten robot që derdh lotë sepse energjia i vinte nga dashuria për “gjallesën e pakullura nën piramida maskash”

 

Lotët e tij rridhnin për “Malet e Qyqshit “për “kullat e bregdrinasve” që “flinin në ujë për tu bërë dritë”.

Loti që rridhte nga malet e bardha për “Kodra e Rencit”, loti që rridhte nga ajo që shkaktoi “Dashuria me hënën”. Lotët që rridhnin, të ngrohtë të kripur të kristaltë e që tentonin të shkrinin diçka e mbi gjithshka “morgun e harresës”.

Jo pa qëllim poeti e përdor shpesh, shumë shpesh fjalën “morg”.Morgu i Ton Zmalit është krijesë me një emër të veçantë “varrtruri im”.

– E ç’farë s’kish sjellë ai në këtë “morg”?!

Kishte sjellë “diellin”,lulet, “pranverën e thatë”,”shpresat pamorte”  “varret e të parve”

mrizat e bjeshkëve”, “zanat e maleve”,”këngët e dasmave të Iballës”,”trishtimin e Gjamës së burrave malsorë”,”kaçakun e maleve”,”rrugët e darsisë” të gjitha i kishte mbledhur me dhimbje e sistemuar në “arkivole qielli”.

Sigurisht të gjitha kto ishin viktimat e DIMRIT, të gjitha ishin të vdekura sepse DIMRI na kishte “betonuar mushkurit”. I mblodhi poeti për t’i shpirtëzuar sepse poeti është profet,ai kurrë nuk pranoi t’i kallte në varr por veç në “morgun e trurit”  Me ç’kam kuptuar unë ,ai po tenton të ndërtoj me ta ura për të lidhur “MALET”me qëllimin e vetëm për të humbur fuqinë thithëse të “HONEVE” sepse e ndjen se duhet të kthehet tek “ZGJOJET” e tij …… sepse ai e ndjen se “dheu po e thërret me zërin e luleve”, luleve që nuk i ngriu acari i DIMRIT.

Ne s’duam ti humbim profetët….

 

 

 

Shënim:

Fjalët dhe fjalitë në thonjëza janë marrë nga libri “Honeve të Askundit”

Autorja e këtij shkrimi punon si mësuese e Gjuhës dhe e Letërsisë  e cila ka shkruar e vënë në skenë dramën

“Guri i rand peshon në vend të vet”. 

Kritiku i Balonistave dhe i Mohuesve kasapë të letërsisë… – Esé nga Ton Zmali

Mesazhe gjithëkohore nga libri i Fishtës “Estetikë dhe kritikë”             

 

Rreth një shekull më parë në botën e letrave shqipe midis yjeve të rilindjes e pavarësisë u shfaq nji diell gjigand i kulturës shqiptare. Dimensionet epokale të veprës së tij e kanë kurorëzuar atë qysh për së gjalli si Homerin e dytë të ballkanit. Në studimin e parë për Fishtën si estet ashtu siç, thotë vetë autori, përcollëm te lexuesi botkuptimin elitar origjinal mbi pikpamjet e tij estetike të pasqyrueme imtësisht në teorinë e dy rruzullimeve. Në përpjekje për t’i lidh hallkat e keputuna të kulturës shqiptare të cilat u përballën mjerisht me robërimin pesqindvjeçar të pushtimit otoman dhe me pesëdhjetë vjet dhunë e çensurë të pushtimit komunist. Pa u ndalue tërërsisht në vitet 20-30 në këtë studim ne do të dalim nga rrethanat tragjike që i sollën kulturës sonë këto dy katastrofa e do të udhëtojmë nëpër gjadetë e vlerave universale krijuese të “përbindëshit të dijeve për kohën e vet”, siç e quan me të drejtë Plasari në parathënien e tij, Fishta MEDITANS.

Në shtigjet e ngushta të hullive të letërsisë dhe artit kishte shumë tradita që përpara errësirës së stërgjatun të robërisë kur gjurmët e Buzukut, Bogdanit, Budit, Matrengës, Bardhit, Barletit, Varibobit, De Radës, Darës, etj., përbënin shtratin e bukurive prej nga mund të fillonte me ngallitë arti e letërsia. Përhapja kudo e zhvillimit dhe zgjerimit të kulturës europiane ringjallit të mbiellat, rriti e vaditi vetëdijen e re për misionin e artit, letërsisë, estetikës dhe kritikës në qytetërimet e jetës, emancipimin, iluminitetin e civilizimin shoqnor sidomos në Europë. Duke gërmue në pjesën KRITIKE  të librit, Fishta – Estetikë e Kritikë, ajo që të bie në sy që në kontaktet e para janë mesazhet gjithëkohore me frymë aktuale saqë me të drejtë lexuesi i rastësishëm kujton se Gjeniu “pavarr” asht diku midis nesh sëbashku me “Gomerët e Babatasit” sot më aktual se kurrë në botën shqiptare. Mesazhet e vlerave aktualizojnë ecjet tona në stilin gaforre. Le të  ulemi në mesazhet e pavdekshme të mendimeve të këtij kritiku të cilat mendoj se duhet të jenë parimet themel të shkollave tona të estetikës e kritikës, me bazë De Radën, Konicen e Fishtën, si krijues që janë marrë drejtpërdrejt me lidhjet filozofi, estetikë e kritikë në botën e letërsisë  e artit. Mesazhet që aktualizojnë botën e letrave nga libri “Estetikë e Kritikë” janë aq shumë sa që ashtë e trembshme të besosh se ke të dhëna prej zotit me mund  me transmetue ato drita, ato rreze, ato shkëlqime të pafundme që lypin si paraprakisht “cilësinë e veçantë për të kenë artist nderi duhet qi të ketë le artist”. (Fq. 42)

Të lindurit artist Fishta e vendos si një nga parakushtet më të domosdoshme pa, pa atë cilësi as që mund të mendohet të besohet e të diskutohet për vepra të cilësive të mirëfillta artistike. Nga dogma e deri te arti i vërtetë asht nji rrugë e gjatë.  Fishta, autori i 13000 e disa qindra vjershat e tij të Lahutës së  Malcis, vepra si  Mrizi i Zanave, Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Makaronadha, Nikalaida, Gjok Tarçuku ase mjek perdhuni, Hija e Skënderbegut, Kryepremja e Shën Gjonit, Shen Françesku i Asizit, Shqyptari i gjytetnuem, Sh’Luigji Gonzaga, me afër 1600 vjersha-Dramë, Jerina ase Mbretënesha e Lulevet, Juda Makabë etj. Gjeniu i letrave shqipe thotë se një ditë rrinte tuj shikue prej dritsorje se si Marka Pula një adolishent voçrrak u dëshpëronte fort përse nuk kishte ma tepër pe për me u lëshue edhe ma nelt balonën e vet. Ato çaste, thotë Fishta ynë, unë po lexojsha artikullin tënd për mue për me më ngrehë nelt në sfera të epra të landës letrare dhe hjekshe, hjekshe me më ngrit nalt e ma nalt, i shkruan ai, At Pal Dodajt mikut të tij të madh e të vërtetë. E lexon me andje e më pëlqen fort kjoftë për gjuhën e stilin, kjoftë për vlersimin e shfaqun prej zotnisë s’ate kundrejt meje.

 

***

E lexonte Fishta shkrimin lavdrues të mikut të tij Pal Dodaj teksa Marka Pules i kishte mbarue peni e po mërzitej se nuk kishte pe tjetër me  neltsue e me ngjit lart e më lartë balonën e vet tullumbace. Ai po vërtitej i shqetësuem për një rrotull peni për me ngjit balonën e vet ku ta shohin sa më shumë sy e ta blejnë sa më shumë balonistë e tollumbacdashës.

Nuk janë të pakët dje dhe sot Markapulat që ulurinë tue thanë:” Shikoni o qorra sa nelt i ngremë ne balonat tona. Balonat tona sundojnë qiellin?!…

 

* * *

I dashtun kjeçë tue kqyrë Marka Pulen tonë të vogël se si u arktote tue lshue për ajr balonën e tij mue me  bahej se kjeçe e se ti  kje Marka Pula em që me penin e fjalës tande të ambël e të  harmonishme … më ngrejshe nalt, a thua se kishe dashtë me fitue ndaj  bast. Nelt  e manelt …

– Kuku për mue … sa nelt …

– Kuku për mue …  aq nelt …

– Kuku për mue … po t’u kputete aj pe !?!? … Kishim me ra picingul! … Picingul!? Tue thye qafën në humnera …

– Pingul maje heshtave, gjambave a ferrave ku ta shtynte balonën tabake më të lehtë e paadresë, flet me nëntekstin mësimdhënës të gjithkohshëm poeti.

Letërsia jonë në tërësi si dhe marka Pulat e Realizmit Socialist në veçanti duke mbijetue në shpirtdhanie i kanë mbush rrotat me spango e përpiqen t’palodhur tue ngjit nelt e ma nelt balonat e tyne. Aty-këtu ata i kanë lidh balonat me lloj-lloj fijesh, telash e kanë veç e veç me mbajt në ajr lart … lart balonat e fjalëve të tyre.

– Mjer ata … Peni po hollohet.

– Mjer ata … mjer ata … ku do bien?!…

– Humnerat çdo ditë thellohen ma shumë. Telat përdridhen e kavot janë ndryshk… Mjer ata, kur të bien picingul! Nuk kam me i pritë posht as Marka Pulat me  borizanat as shpresshkëmit e tyre. Poshtë balonat e tyre kan me u përplas honetë e pafundme në haresat e anonimit të tyne.

Letërsia e  balonave dhe  kritika baltore vazhdojnë edhe sot e kësaj dite kur me aq forcë përçmonte dënueshëm poeti ynë kombëtar. Kujtojmë kritikën e egër Nazif Mamaqit, polemika me Mehdi Frashërin për LAHUTËN. Shekull pas tij  nuk ka arritë me u orientue as me asimilue mesazhet madhore të  korifejve të vet. Në prirjet lindore dhe aziatike literatura jonë kombëtare dhe disa njerëz sado që të  mërzitshmëm e fort të rrezikshëm për kah dhelpnia, dredhia e intriga byzantino-balkano-aziatike, sidomos kundra parimeve të kulturës “oksidentale” “modern” e “liberale” mundet edhe me u plakë nder akademija e universitete e me gjithë këto mos me u kuptue kurrgjasend në dije në kulturë e përparim të popujve të qytetëruem,- thotë Fishta.

Prandaj produkti i mendjes s’tyne del gjithmonë i shëmtuem, garrvaxh e raketik; sado që këto produkte munden me kenë çmue e botue me pare të shtetit, thekson ai. Ai gjithnjë ka qënë i deklaruar kundër këtyre produkteve. Vlerat e vërteta të letërsisë Fishta në kritikat, vlerësimet e opinionet e veta ishte objektiv e i paparagjykime. Kështu ashtë ai në gjykimin e veprave “Endrra e lotë” Asdrenit. Juvenilja e Ndre Mjedës, Visari Kombëtar i At Vinçenc Prenushit, Bleta shqiptare e Thimi Mitkos etj, etj.

Polemikat e tij të viteve 1920-1940 me revistat Besa, Lekaj me Zalvin etj, janë modele madhore të papërsëritshme në kulëturën tonë. Ai debaton me Mehdi Frashërin, analizon Faustin e Getes, vlerëson përkthimet dhe çmon artin e përkthimit të  Koliqit duke e radhitur krye intelektualëve artist. Kritikat e tij kanë në çdo rrethanë një botë të gjërë të frymës shpirtërore që mbjell, mihë e ushqen literaturat klasike. Poeti i madh thotë se krijuesi a interpretuesi para se  me dhanë të rejat e shpirtit të vet duhet me u përpjekë me  u ba i  dijshëm. Por halli ashtë se  nuk del kush i dijshëm po nuk u mundue me  xanë; po si thonë Anzat e Parnasit:

“S’a’ ba i dishëm kush pa hiri

Ndejë pështetë e tuj njefë miza”.

Kritiku i balonistave duket sikur jeton në vitin 2005-2006 në Atdhe e në mërgim kudo shkruhet e vlerësohet litratura, arti e letërsia jonë. Të bën përshtypje si përsëriten gjërat e si Markapulat e letërsisë e të kritikës me lamshat e penjeve, tojave, litarëve e mjete të tjera moderne të fjalës së bashkëkohësisë përpiqen të ngrenë balona të vjetra, të riparuara e të konstruktuara e të përngjashme me gomerët e Babatasit të cilët mbeten prototipat e  gjitha kohërave.

Fishta në gjitha kritikat dhe opinionet e tij që nga debati me ish-kryeministrin serb (V. Gjeorgjeviç) për librin e tij të  paskrupullt antishqiptar e deri te  mbrojtja e argumentuar e vlerave të kulturës sonë tradicionale, parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit të mbledhun nga Gjeçovi, e deri te vlerësimi objektiv i letërsisë e kulturës botnore. Kudo ai asht një estet e kritik i përmasave të mëdha një hulumtues, gjurmues e studiues i pashembullt që nga  Iliada e Odisea e Homerit, Platoni, Shekspiri, Getja, Petrarka, Haines, Lepopardi etj, etj.

Në studimin parathënës të veprës “Fishta Estetikë e Kritikë”, dr. Aurel Plasari na thotë se “mendimi estetik si dhe ai kritik i Fishtës paraqitet si një nga dëshmitë magjepsëse të atij mendimtari të madh shqiptar që kultura jonë ndonjëherë ka patur”.

Kështu kryegjeniu i letrave shqipe, At’Gjergj Fishta kurr nuk i deshti as nuk i preferoi balonistat e mëdhenj por goditi pa mëshirë dhe egërsisht mohuesit e mëdhenj siç asht fjala për z. Mehdi Frashëri kur i thotë se “Lahuta e Malcis” nuk bahet paçaver vetëm me nji të zgërdhime e me nji të sterpikun pendë. (Hijeve të Parnasit. HD.1932.12)

Po kështu  për poezitë e N.O.Mamaqit Valët e Vjosës. Pra në të gjitha kohërat letërsia, artet dhe kritikat e tyre janë rrezikue e vazhdojnë të vuajnë nga  sëmundjet dhe  ethet e  mohuesve të mëdhenj ashtu si dhe nga  penjët e gjatë të balonistëve, të Markapulave dhe Krygjelapulave të tyre. Letërsia dhe Artet janë shpirt, zemër frymë pavdeksie, vise të arta të blerimeve njerëzore, kritikët si kirurg të tyne duhet me i pa  e me i ba mirë skopitë, grafitë, biopsitë, skandrat e dukshme e të padukëshme të shpritrave krijues, protestues, akuzues e rebelues e pas konsultare e bindjeve shëruese me fillue kirurgjinë e dhimbshme të vlerave. Në të kundërt siç thotë Fishta duke tallur kasaphanët e kritikës, kur thotë “Edhe kasapi mban thikën në dorë e pret mish, nja për nja si kirurgu…

– Por “hanë” kasap, “hanë” kirurg… Mjerisht bashkëkohësia dëshmon se çdo ditë po zvoglohet numëri i kirurgëve të shpirtit e po shtohen kasapët e kasaphanët e tyne të pashpirt e pazemër. Letërsia dhe artet fillojnë e udhtojnë me triumfet qiellore  frymë- shpirt- zemër. Mesa kuptohet në paragrafin e fundit që mbyll kapitullin e KRITIKËS Fishta ka shprehur nji vlerësim të tij që kundërshton ashpër At Justin Rrota, shprehimisht ai dëshmon: “Fort keq më vjen që Justini ia ka lejue vedit me më nëpërkëmbë për terthuer n’at mënyrë në Literaturën shqipe të t’ijën…nuk mund të lejoj qi pikërisht bashkëvllazënt e mi t’i trajtojnë me të përbuzën veprat e mija letrare. Ato janë aq sa janë, as çmimet e At Justinit a t’kujtdo tjetër, nuk munden me i shtue a hieqë një miligram t’vetëm vlerës a s’tyre reale e t’rëndësishme”. Kurse duke analizue tetrrokëshin (1934 dorëshkrim), te vjersha heroike shqyptare (HD1935.4) ai thotë se Calderoni njani nder dramaturgët më të mëdhenjtë e botës me origjinë spanjolle në dramën e tij Dashni mbas deket, -Valori (harap) tue falë me Mendozën, i thotë:

– Të parët e tij, si dhe të mijt, kjenë të gjithë Mbreten.

Mendoza i përgjigjet:

– Por të parët e mi, pa kenë Mbreten vlejshin fort ma shumë se Mbretnit harapë, pse ishin malsorë. Mesa kuptohet e nënkuptohet nga dialogu Mretërit harapë të letërisë vinë që nga thellsitë e shekujve, mesazhe nga Calderoni e Fishta por që sot falë maskave e makiazheve kan ngjyros e zbardh ftyrat. Përballë gjithë Mbretërve harapë të letërsisë sonë Fishta qiellëzoi vlerat e vendit nga erdhi i patretshëm e i pavdekshëm si vetë vendi i njësuem në emrin e tij, në përjetësinë e shpiriti të tij artist. As balonistët as mohuesit harapë nuk e errsuan dot ndriçimin e veprave të tij. Në tempullin e shenjtë të kulturës sonë ku kan bashkëjetue e mbijetojnë gjithë “urithë dhe perënditë”, mi të shpallur perëndi e perënditë të akuzuara si minjtë, pushteti i fjalës mbetet një qerre që ven në lëvizje mbretnitë e padukshme të mendimeve të ideve, të shpirtarave. Për vlerën por edhe përgjegjësinë e fjalës Fishta konkludon në kapitullin “Mbi zeje të fjalës” te paragrafi i titulluar “vlera e fjalës” kur parashtron verdiktin e tij:

– “Fjala ka një fuqi në vetvete, sa mos me ndalë as gjatsia e kohës, as gjanisja e hapsinës, mundet me përmbledh të gjithë kohën në një çast e hapësinën në një pikë, kshtu ajo deperton qiellin i vjen rreth e rrotull rruzullimit dhe na prashtron bukuri e madhni të teja, rison e then kryeneqët e rrashtave ma të fortë të njerzvet”. Fishta na mëson me veprat e tij se kukullat apo thengjitë e hiri i zjarrit të letërisië e artit do të maten me mosqënien si flaka e tymit që shuhet shpejt. Fishta na jep përtej kohrave mesazhin e përjetësisë së krijuesit të shpirtit të lirë kur thotë: njeriu kalbet bëhet hi e pluhen, fjala e tij e vlefshme asht më e gjatë se a, se varri i tij, se gjithçka i përket. Këtë përjetësi nuk mund tia siellin kurr krijuesit, balonistat, markapulat as gjelapulat por as kasapët e pashpirt as mohuesit harapë të kumteve qiellore që i afron botës njërzore shpirti e psika hyjnore e krijuesit, artisit e shkrimtarit të vërtetë. Respektimi i fjalës thotë Fishta asht virtyt ndër popuj të gjytetnuem ku njerëzve të njëmand të letrave u ngrifen permendore të madhnueshme e i lexojnë e i nderojnë si të ishin do hyjni… Prej këtu del konkluzioni i kundërt largpamës i vërtetë se popujt e prapambetur e të pa zhvilluem të pakulturuem lindin në mjerimin e mizerien e vet hyjnitë e rreme, bolonistat e ajrit dhe kasaphanet e mohuesave harapë si kudo në jetë edhe në kulturë e art e letërsi. Fenomeni i majave heroike dhe i ngjitjeve në parajsat hyjnore e qiellore te Fishta sheshtohet njerëzisht e natyralisht duke dëshmue se hiperbolika ka qëllime të lartësimeve shpirtrore të vetmisë por çuditërisht brenda hapsirave të krijimtarisë së tij heroizmi i Lahutës së malësisë zbret në deheroizmin fatal, ironik, saterik e sakazmik siç ashtë vepra Gomari i Babatasit. Ky nelsim shpirtëor, përballë uljeve në ferr asht dëshmi e thyerjeve të mëdha që mund t’i përjetojnë vetëm talentë gjenialë të fjalës së lirë. Vepra shumë dimensonale e Fishtës edhe atje ku duket se qielli takon me tokën, atje fillon një qiell e një tokë tjetër e kështu me radhë, frymëzon lexuesin, lundron në universe të reja me mesazhe gjithëkohore e gjithë njerëzore. Ky fenomen shfaqet te Fishta e folklori, te Fishta e gjuha, te Fishta e estetika, te Fishta e kritika, te Fishta e muzika, te Fishta e poezia, arkitektura, teatri, politika të trajtrua prej tij. Fishta asht një univers brenda të cilit zgjohen universe të bashkëkohsirave të reja. Përball këtij fenomeni të ringjalljeve kristiane ndodhet sot universi polidimensinal e veprës së kohërave të letrave shqipe poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishtës në nderimin te të cilit tentova këtë studim ese gërmuese me përpjekje për të nderue me mesazhet e tij gjithëkohore në letërsi, estetikë e kritikë por edhe në zgjimin e orientimit e shpirtit të vetëqënies. Lum ata që mundohen me u ngjitë në malet më të larta të artit Fishtian. Por siç thotë vetë Fishta në veprat e veta «Shënime Estetike»:

– Mbi natyrë të artit e shija estetike, dy rruzullimet, artisiti i vërtetë duhet me i ngjit malet mbi krye, e me u petzue nën peshat e tyne, o me dëshmue se geni madhnues i tij i ban ato pjesë të rruzullimit shpirtnor.

Ton Zmali   Poet e shkrimtar

Që të shkosh te Migjeni – Nga TON ZMALI

Që të shkosh te Migjeni duhet të kalosh domosdo nga Puka. Po të shkosh edhe si vizitor a kalimtar në Pukë, Migjeni ashtë aty me gjithësinë e universit të tij, me grushtin e dobët e të sëmurë që godet malin që nuk bzan. Kujtoj Pukën e më zbret në kujtesë Migjeni, Luli, Zeneli, Bukuria që vret me legjenda mistri, molla të ndalueme e kangët e pakëndueme, gjithë ai shpërthim vullkanik i poetit të ri djaloshar që mbolli në fidanishtet e artit letrar “Kangët e Rinisë” dhe “Poemën e mjerimit”.
Migjeni e ka ngarkue Pukën në kurriz e udhëton me të në përjetësi, po e njajta gja ndodh edhe me Pukën që e mban poetin në gjithësi të historisë së vet si një pjesë të qënies eprore, ndaj dhe epiteti krahasues se “Puka dhe Migjeni janë dy vllazën siamez” më duket se i qëndron në sy realitetit, të vërtetës së pamohueshme që i lidhi përjetësisht.
Migjeni jetoi në Pukë nji periudhe të shkurtër kohe nga jeta e tij e shkurtër, e prerë në mes si nji shkrepëtim meteori që në djegien e tij ndriçon qiellin e përjetësimit të shpirtit fluid. Migjeni ia ndjente vullkanit llavën që djeg e përvëlon gjithçka gjen përpara, duke u ba lajmëtar i pavetëdishëm i tij, ai asht njikohësisht viktimë paqësore e zjarrit utopik e iluziv të turrit idealist përmbysës. Kodi i Migjenit asht kodi i varfërisë së tejskajshme, i shprehun në shpërfytyrimet e kohës së tij, shpërfytyrime tronditëse me vula mjerimi e shpresa të idhujve pa krena. Fenomene të përhershme prezente edhe sot si atëhere në jetën e bashkatdhetarëve të tij, ndonëse në kalendaret e botës ka kalue thuajse një shekull impulsiv zhvillimi, përvoje e përsosjeje. Vepra e tij si nji kasnec, lajmëtar burizan paralajmëronte mllefe, dhimbje eprore, kundërpetale varrezash masive, vrasjesh e zhdukjesh, internimesh e shfarrosjesh çnjerëzore në emën të nji “bote të re”.
Lind pyetja: A ishte Migjeni aspirant i iluzioneve utopike për barazi e drejtësi njerëzore, apo nji viktimë e verbër që u paraprin katastrofave të mëdha në emën të drejtësive të mëdha klasore?!…
Migjeni mbetet në tërësinë e vet nji krijues i avancuar i relizmit kritik, por kurrsesi vepra krijuese e tij nuk mund të quhet pararendës i letërsisë proletare, as tendencë qorrnajash për shkallmime traditash. Së pari, Migjeni nuk ka letërsi të orientuar e të angazhuar, por akuzë të orientimit shpirtëror ndaj padrejtësive shoqërore. Së dyti, ai nuk njeh rolin e ndihmëslustragjiut e bojatisësit të realiteteve përditë e më tragjike në emën të lumturive që nuk u duken kurrë. Migjeni u cilësue nga realizmi socialist si pararendës i tij për shumë arsye tashma të njohura botërisht. Për t’u godit poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta dhe kryevepra e tij kombëtare “Lahuta e Malëcis” duhej gjetur nga pseudoletërsia nji idhull i besueshëm i cili mund të ishte vetëm Migjeni për vetë fuqinë iluzive të artit të tij që buronte nga çdo pore dhimbje, gjak e qelb. Përzgjedhja e Migjenit në këtë rol u shkonte për shtat padronve sllavolindorë të parimeve leniniste mbi letërsinë e partisë. Por Migjeni u ndje tepër ngushtë, i vogël e i paplotë me mbush gjithë ato horizonte qiejsh që i sundonte profetësia e artit fishtian, ndaj dhe mbeti si nji varkë në detin e oqeanin e artit të traditës. Një vark pa port, anije, nëndetëse e flota të mëdha gjë e cila e fryu, e pompoi e tollumbacoi ashtu si “idhujt e rremë” të realizmit socialist për të mbush nji boshllëk të zbrazun të ushqimit idealist shpirtëror. Kjo përpjekje amatoreske e diletantizmit socialist për të mbulue diellin fishtian me lëkurën e artë të Migjenit ishte aq sa utopike edhe e dëmshme, hyjnizuese e hiperbolizuese për vetë lumin e vogël e burimet e njianëshme që reflektonte arti i thellë e i vertetë, por fatkeqësisht produkt i nji jete të shkurtër që bart më shumë vrulle, pathos e pasione, adoleshencë e iluzione se sa mundësi të praktikave reale dhe bashkëkohësi ideale.
Përpjekja mjerane e liderëve të Realsocit për të mbush qiellin e fjalës shqipe me Migjenin e Mjedën duke luftue deri në asgjësim Fishtën, Nikajn, Harapin, Gjeçovin, Prenushin etj., krijues e studiues që u shpallën reaksionarë e u etikuan me lloj lloj akuzash nga ma monstruozet, duke përfshirë “zogjtë pa flatra”, “papagallët e diktaturës” “shokët komunarë” e tellallgjijtë e idhtarët e tjerë të Realsocit. Kjo goditje qëllimkeqe e cila në çarqe dogmatike vazhdon edhe sot, s’asht gja tjetër veçse ngushtim e zvoglim i qiellit tradicional të letërsisë shqipe me tendencë për errësimin e kollosve si Buzuku, Matrenga, Bardhi, Barleti, Variboba etj., lëvrues të traditës së fjalës shqipe. Pa vënien në vend nderi të të gjithëve, fjala e re udhëton pa genin e vet pa rrajët ushqyese të truallit të vet. Ka mendjelehtë që me egoizmin e padijen përpiqen ta nençojnë këtë traditë duke e akuzue si “letërsi murgjish” pa ia njohur epokën, vlerën, kumtin as mesazhet që mbarten në raport me flakën e shkruar në gjuhën tonë. Ky errësim qëllimkeq i traditës nga segmente të veçanta nuk u bani asnji nder as talentit të Migjenit e Mjedës, por as vetë idhtarëve pa krena të letërsisë e arteve si ndihmuese të diktaturës e zingjirëve të hekurt të saj. Mjeda e Migjeni kanë vendin e tyre të veçantë, të nderuar deri në shkallën eprore, por ata nuk mund t’i bajnë hije askujt ashtu si nuk mund të mbeten bimëhije e asnji tjetri. Qielli ka aq shumë yje dritëzues sa që askush nuk ka pse të vrasë dritën hyjnore me shpresën e verbër se do të zënë vendin e tyre. Kjo logjikë krijoi idenë megallomanike te shumë krijues e lulëzon me Realsocin. Orvajtja për ta “zvoglue” veprën e Migjenit duke e etiketue si pararendëse e Realizmit Socialist s’ishte gjë tjetër veçse përpjekje për ta kallupos e për ta formatue me shabllonet e artit dogmë të modelit. Por Migjeni nuk ishte shkrimtar as poet i kallëpeve të ngurrta e stampave të fjalës sterile, ai krijoi hapsirën e vet të bollëshme për t’i dhurue vehtes vend nderi në panteonin e pavdekësisë së fjalës së shkruar. Ashtu si Anteu që merrte forcë nga toka ashtu edhe këngëtari i mjerimit gjeti anteun e tokës së vet, Pukën e Lulit të vocërr, legjendës së misrit e bukurisë që vret, duke sundue përjetësisht atje pavdekësitë e tij, të cilat edhe pse rastësisht u bënë vitrina xhevahirësh e margaritarësh magjistar që askush nuk mund t’ua shuajë origjinën e dyfishtë, shpirtin e poetit dhe vendsubjektet të artit ngadhnyes të sugjeruar prej mbijetesës së tij. Kështu Puka dhe Migjeni mbeten dy vllazën siamez, asnjani nuk udhëton dot pa marrë tjetrin në kurriz, në shpirt e në frymë hyjnore. Fakti që Migjeni u emnue si mësues në Pukë në nji kohë kur brenda këtij rrethi funksionin shtatë shkolla në kushte primitive për arsimin pukajan ishte shtytje shpresëmadhe. Nxënës të tij por edhe bashkëkohës e më tej u shkolluan e u arsimuan në gjurmët e fjalës dhe eksperiencës së tij, mësimdhënës, edukator e luftëtar u paepun i dritëdijes.
Shumë studiues e analistë kanë pranue faktin se periudha e artë e qëndrimit të tij në Pukë asht periudha e artë e lulëzimit të artit të tij me përmasa gjithëkohore. Kam ndjerë kënaqësi të vërtetë kur mësova se për Migjenin dhe vlerat e tij të gjithanshme bashkëmësuesit, intelektualët, krijuesit e njerëzit e dijes e penës kanë realizue një sesion shkencor dhe botue nji libër me titullin kuptimplotë “Migjeni në Pukë”. Aty janë përfshirë kumtesa, shkrime, kujtime.
Regjisori Fran Vukaj i dekoruar me dekoratën Martin Canaj, poet dhe krijues i talentuar, referon kumtesën me titullin magjistar: “Faleminderit, Migjen” (meditim). Ai thotë: “Puka dhe Migjeni plotësojnë mrekullisht njëri-tjetrin. Ata janë një binom i pandarë, janë sinonime të njëri-tjetrit. Kurrsesi nuk mund të kuptohen të veçuar nga njeri-tjetri”.
Të faleminderit Migjen por edhe ty Fran, artisti i madh i “Njëqind Buzëqeshjeve” dhe ‘titullar’ i këtij shkrimi. Falenderoj nga zemra kryebashkiakun Halit Furrikun që në fjalën e tij titullue “Në gjurmët e Migjenit” ka vu emrin tim në kryelistën. Si poet, por edhe si shkrimtar, Migjeni plotëson magjikisht universin e tij të plotë me zjarrin e atij vullkani që me llavën e vet krijoi malet e veta të dhimbjeve e pikëllimeve. Duhet thanë se vargmalet e lahutës së Malësisë kanë vendin e vet ashtu si “Andrra e jetës” dhe “Juvenilja” e Mjedës, veprat e Asdrenit, Poradecit, Canajt, e të tjerë bashkëkrijues. Unë mendoj se tendenca për të hiperbolizue veprën e tij, i ban dam në radhë të parë vetë atij, ndërsa akuza se ai ishte pararendës i Realizmit Socialist, asht nji akuzë ashtu si qindramijëra shpifje, falcifikime, mohime, zhdukje e mashtrime që polli rrenalizmi i madh me liderët e vet të artit proletar. Zërat e dëgjuar në lamin e letrave për të vlerësue a çvlerësue krijuesit nga etnia, origjina a faktorë të jashtëfjalës e jashtëpohimit të tyne nuk u bajnë aspak nder, vlerë as lartësim shfaqësve të tyre, të cilët për fat të keq harrojë se letërsia e artet janë “njeriu e shpirti në universalitet”, pastaj origjinë, etni, fe a raport kohor e natyral. Fenomeni i talentit dhe aplikimi real i tij nuk kushtëzohen as nuk parakushtëzohen nga shtysa të jashtme, por nga forcat e brendshme të genit individual të vetë krijuesit. Mjeda, Migjeni e Poradeci etj, i këndojnë botës së kafazit të vet e kjo u mjafton atyne për t’qënë bilbila të kohës së tyre. Fishta duke thye kafazët nuk priti të hapeshin ata, por i plasi e i bani copë e thërrime me forcën homeriane të artit të tij. Gabohen tmerrësisht të gjthë ata njerëz të letrave a papagaj të tyre që mendojnë se vetëm gjenitë kanë liçensa të krijojnë supervlera. Krijuesit janë si minierat, gjenden ku nuk pritet e zbulohen në jetë papritshmërisht. Kam ndëgjue se nji disident i nderuar ka diskutue për gjuhën e Migjenit, gja për të cilën sipas idesë time studiuesi gabohet. Gjuha asht për shkrimtarin e poetin vertetë lana e parë për veprat e tij, por ortografia e rregullsitë gjuhësore fillojnë aty ku ka vdek letërsia. Krijuesit e vërtetë krijojnë kodet e veta si kudo edhe në formatikat evulante të botës së fjalëve. Askush nuk e ka mandatin e formulës për të përligj rregullore, statute as kanone, kallupe as stampa teorike, as praktike në të cilat duhet të hyjnë krijuesit dhe krijimtaria. Migjeni në kohën e vet i theu të gjitha porcelanet, vorbat, vegshat, ortundat, çerepët, duke krijue prodhimet e veta unikale, që mbajnë përjetësisht vulën e tij.
Dikush mund të thotë se Migjeni ishte e do të mbetej si nji krijues i madh edhe për Pukën e binjakëzimin me të. Por ja që përgjigjen ua jep vetë Migjeni në Pukë, fjala plot emocion, dhimbje e shpirtit të tij të revoltuar ndaj mjerimit, varfërisë e padrejtësisë shoqnore. Pra, Migjeni dhe Puka, ky binom i përjetshëm udhëtojnë në kohra si dy vllazën siamez.

E Diele, 02 Mars 2008.
Nga Ton Zmali.

Foto nga faqja “Eko Mendje”.

Një roman që mbetet aktual – Esé nga Përparim Hysi


Romani” Të pabesët” i PETRAQ  JANKO PALIT

 
 
   Sado që”vallen e krijimtarisë”,PETRAQ JANKO PALI,  ka filluar ta”kërcejë” në vitet e postdemokracisë,për arsye “subjekitve”, mund të them pa mëdyshje: ka emrin e tij në fushën e krijmtarisë letrare dhe , po të vjedh një term nga fusha militare,PETRAQ JANKO PALI, është si një”pushkë me dy gryka”. Shkruan si në prozë e poezi. Nëse e quaj “pushkë me dy gryka”,e kam të jusitfikueshme metaforën time,se,ZHAN POL SARTËR,ka thënë:-Fjalët janë pistoleta të mbushura”. Kur fjalët janë”pistoleta”,atëherë PETRAQ JANKO  PALI deri tani ka shkruar 22 (njëzet e dy) libra dhe për kaq,duhet jo vetëm”pushkë”,por mundësisht me dy gryka.
Jo vetëm ka shkruar e botuar kaq libra, ka një “korpus” më vete,duke sistemuar, arshivuar,memorizuar rreth 11 libra nga veprimtaria e babait të tij, Mësuesit të merituar,JANKO PALI, që ka qenë gati një NJERI  Institucion,si mësues, poliglot dhe kulturollog më në zë në shekullin XX-të.
Nga ana jetër,ajo që e bën të vlerësuar krijimtarinë letrare të PETRAQ JANKO PALIT, është fakti shumë domethënës: është nominuar me 11 çmime,ku mund të veçoja”Pena e artë” nga LIdhja e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.”Nderii Shoqatës”Bijtë e Shqipes” në Filadelfia(USA);atëNderi i  shoqatës”Liter art’Athinë”.Shkrimtari i vitit 2018(USA).Misionar i paqes në botë(viti 2019). Dhe për t’i vënë “vulën e thatë prej noteri”: është Anëtar i Akademisë së SHkencave Shqiptare(USA).
                                                     *     *    *
Qëllimi i kësaj eseje nuk është për të folur enbloc për krijimtarinë e PETRAQ JANKO PALIT, por enkas për romanin e tij të,sapodalë,”Të pabesët”.
Tek i hedh një sy,pasi e përfundova së lexuari, shtroj pyetjen:- Ç’e shtyu autorin që të shkruajë një roman me këtë temë që,pak a shumë, me tematikën e tij të fut në hamendësime. Nuk është i vendosur as në kohë,as në një territor konkret historik a gjeografik dhe, megjithatë, në gjithë atë larmi ngjarjesh, autori e çon lexuesin atje ku lypset. Tek i bëj thirrje kujtesës që,sa vjen e më lë,bindem dhe e shkruaj me plot mendjen: autori si njeri që e ka kaluar tërë jetën duke lexuar, i ka vënë vetes si qëllim që lexuesi të bindet me faktin e madh historik:- Po të harrosh të kaluarën,- thotë CICERONI,- do të thotë  që të mbetesh gjithmonë fëmijë. Dhe dihet si ka qenë e kaluara jonë. Në ndihmë të kësaj thënies sime që nuk është fare hipotetitke, vjen dhe mendimi me vlerë i redaktores së  romanit,ZONJËS LEJLA GORISHTI (gjej rastin ta falnderoj),që ka ditur t’i vëjë pikat mbi i dhe ka shërbyer si një”guidë” për secilin lexues të romanit.
Hyn nëpër faqet e romanit dhe të ndodhë ajo që i ndodh një notari në det: sa më tutje bën, aq më i thellë dhe më i frikshëm bëhet deti. Has në pabesira; në rrëmbime e pogrome fshatrash apo dhe krahinash. Të gjitha fshatra e krahina ku banojnë shqiptarë dhe,natyrshëm,ndodh ajo që ka lënë me shkrim PETRARKA:” Aty ku ditët janë  me re dhe të”shkurtëra” lindin njerëz që nuk u dhimbset jeta”. Për këta njerëz”që nuk u dhimbet jeta”,shkruan PETRAQ JANKO PALI dhe këta nuk janë një e dy; nuk janë vetëm burrat, por edhe gratë. Tek e shoh atë grumbullim forcash vullnetare,për t’u ruajtur nga e keqja, nga sulmet e të pabesëve, më  mbushen mushkëritë plot me ozon dhe e shoh nëpër rreshta,autorin që,sado është si”ajëri, i padukshëm”, është kudo i pranishëm. Ka një logjikë historike të interpetuar drejt në roman: bashkim pa dallim feje dhe ideje. Personazhet janë të të gjitha feve dhe të krahinave dhe,po të futesha në  racionale, ka një emërues të përbashkët:-Vetëm të bashkuar do mposhtim të keqen; do të mundim të pabesët dhe,po të bashkuar, do ruajmë fitoren.
Këtu nuk është vendi për t’i ndarë personazhët në negativë aop pozitivë, por ajo që të bie në sy në roman është shumë sinjifikativ fakti se,historikisht,ashtu dhe në romanin në fjalë se,kur vjen puna për fatet e ATDHEUT, nuk ka dasi fetare apo krahinore. Natyrisht, në roman gjejnë vend mikpritja,besa, morali,nderi dhe stigmatizohen të kundërtat e tyre. Nuk ke si mos veçosh në roman një fakt shumë doemthënës: mbështetja që bën fshatarësia për një kauz të drejtë. Urrejtja popullore,-thotë autori,- është ortek.Lumë i rrëmbyeshëm,vullkan në shpërthim”. Me kohë CHARLES BUKOWSKI ka thënë:”Vetëm të varfërit dinë ta mbërthejnë sensin real të jetës…”.
PETRAQ JANKO PALI nuk ka shkruar një roman socrealist, por një roman që i  qendron kohës:” Pa të pasurit, pa njerëz me emër në krahinë, kurrë nuk shpëton nga e keqja.” Duke i çuar ngjarjet deri në ULQIN,autori,si të thuash, i bie pragut, të dëgjojë dera. GANI ÇOLLAKU,IMAMI HYSA, NASHO MATI dhe”galeria” mikste e  perosnazheve të tjerë,tregon se e keqja(deri tek lufta) përballohet vetëm me bashkim. Bashkimi bën fuqinë. E ndjek faqe për faqe gjithë këtë”peligrinazh” sa të dhimbshëm dhe aq dramatik, sa ndihesh pak si i zënë në lak. Pret që të soset  e keqja dhe,kur bien kambanat e fitores, rend edhe ti të marrësh pjesë në gëzim. Por autori ka dhe një qëllim të madh.Kurrë mos u deh nga”dafinat” e fitores. Jo më kot populli ka gldhëndur në gur sentencën:” Ujtë fle dhe hasmi nuk fle”.Porosia është;  baruti duhet mbajtur i thatë. Ajo finale tragjike në mbyllje të romanit është shumë domethënëse.Në Bibël thuhet:” Mos u gëzo,o  i gëzuar!”.
Unë mendoj që PETRAQ JANKO PALI  duke shkruar këtë roman, sikur ka patur për objektiv atë që thotë JANIS RICOS:” Objektivi im është që t’u flas të gjithëve që të prekë të gjithë botën”. Pa mëdyshje, me këtë roman PETRAQ JANKO PALI prek gjithë lexuesit. Urime PETRAQ JANKO PALI!
 
                                                Tiranë,9 shtator 2019

“LULET E DIASPORËS“ nga Namik Selmani – Nga Neki Lulaj

Këto ditë pritet të dal nga shtypi një Abetare e re për fëmijë dhe te rriturit qe jetojnë ne mërgim  me titullin „Lulet e Diasporës“ libri  me i ri i shkrimtarit Namik Selmani. Te cilin libër para ca ditësh pata rastin ta lexoi ne dorëshkrim, pra.

Një libër që të jep emocion dhe dashuri për gjuhën amtare kudo ku ajo flitet. Mbresa rreth librit “Lulet e Diasporës” të shkrimtarit Namik Selmani . Oh, të thuash se e lexova me një frymë është pak. Një jetë me librin e gjuhën shqipe atje në Bërliq të Kosovës e këtu në mërgim dhe ja tani më   vjen pasqyra e viteve të jetës. Më sheh thinjat po ah, sikur të më shikonte shpirtin e lumturuar nga ky libër. Edhe me librin e ri tanimë të shkruar në mërgim nga pedagogu, poeti, shkrimtari e mbi të gjitha latuesi i fjalës së mençur Namik Selmani mbetet një regjistrues i vemendshëm i përditëshmërisë baritore te vargut nolian.

I gjithë ky mozaik dhe gjithë ky kapital i ri edukativ do të ngulitet thellë në kujtesën e gjeneratave që po rinohen po rriten, po martohen e po bëhen gjyshër dhe do të mplaken larg atdheut. Merrni miqtë e mi, bashkëatdhetarë kudo që gjendeni. Nuk është si ajo trastë me eshtra që dikur koloneli i Kadaresë ia hidhte bashkëatdhetarëve të tij italianë famikajtë t ëish- ushtarëve të vrarë, ështrat e ushatërve të vrarë. Jo, bre, për besë të fjalës shqipe Namiku po ju dhuron një atdhe të veçantë.! Ky libër është një burim i ri ujë akulli edhe për nxënësit, për ne mësuesit, pedagoget, prindërit, edukatorët, nënat tona dhe për të gjithë shqiptarët pa përjashtim moshe a gjinie.

Tanimë edhe nxënësit shqiptarë të mbarë mërgatës kanë Encilopedinë e identitetit në duar dhe kanë me çka krenohen para bashkëmoshatarëve të tyre evopianë, amerikanë,kanadezë, australianë, meksikanë, anglezë. Kanë librin ….,ABC… ketë vëllim brilant, i cili i përngjan një Lahute zulmëmadhe ose një parku botanik me plot lule, me plot aromë. Me ngjyrat me te bukura që ti do syri e që nuk dinë se cilën ta zgjedhësh për ta bërë një dhuratë shpiriti. Autori me një fanatizëm të rrallë e ruan at sinorqëndrimin e tij pedagogjik dhe shpesh drejtpërdrejtë e herë tërthorazi ngrihet mbi vargun, sepse ka një shpirt të tillë që nuk e gjen qetësinë.

Po lan një Testament mesharian………… Mbi të gjitha, është shkruar me një gjuhë të pastër letrare, pa gabime drejtshkrimore si jemi mësuar që të lexojmë kudo. Edhe kështu ai është një MODEL për t’u ndjekur. Është nder i lexuesit që të vrapojë në ketë stadium olimpik për të mbledhur nektarin e bukur qe po na ekspozon autori me këtë libër të rrallë dhe shumë të qëlluar për të gjithë ne që jemi shpërndarë në të katër anët e botës. Ky i vlen edhe bashkëmoshatarëve në Shqipëri, Kosovë Iliridë, Luginën e Preshevës si dhe në Ulqin.

E di se poeti Selmani rri zgjuar ngase ka një mision jetë e në vargje ai hap dyer të reja për gjeneratat me një thesar magjik.! Ne, pedagogët e Mërgatës do të mburremi me këtë prurje te re dhe presim me padurim që libri ta shohë sa më parë dritën e botimit e ne ta përqafojmë me mollëzat e gishtërinjve. Pra, ta kemi në duart tona Hyra në asfaltin e vargut namikjan pashë urtinë gjiganteske një oqean, një det. Ti, Miku im, e ke parpara një batalion gjeneratash të reja që do të të falenderojnë për këtë dhuratë shpirti, dhuratë çante e biblioteke nga Ju.. Mbase jam më i dehur nga fjala shqipe sot në krahasim me ditët e tjera, por ja që edhe fjala shqipe paska bukurinë e vet trallisëse aq më shumë kur lexoj këtë përmbledhje që ka një titull mjaft domethënës  LULET E DIASPORËS. Rrugëtim të mbarë me librin tënd më të Ri, mbase Kryelibrit tuaj!

 

Neki Lulaj Speyer, gusht, 2019 .

MALL DHE BRENGË – Nga VLASH PRENDI

 

= Rreth librit “Korbi i Aleksandrit” të autorit Ded Rramani

 

Letërsia jonë, sidomos ajo dokumentare është karakterizuar nga lidhja e saj e ngushtë me folklorin dhe traditën. Pasuria artistike dhe rrëfimtare e popullit tonë ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e krijuesve dhe njerëzve të kulturës për të shfrytëzuar me finesë arstistike subjekte të ndryshme dhe për t’i dhënë lexuesit krijime të bukura me vlera edukative. Sot subjektet e marra nga folklori, ose rrëfimet popullore kanë një ndikim të admirueshëm dhe të ndjeshëm në krijimtarinë artistike. Kështu ndosdh edhe me shkrimtarin Dedë Rramani i cili sapo ka dalë para lexuesit me librin e tij të tretë “Korbi i Aleksandrit” –Tiranë 2019.

Parë në kontekstin krijues, libri i ri i shkrimtarit Rramani, përbën një rritje cilësore në krijimtarinë e tij. Në të përmblidhen kujtime, emocione, tregime me subjekte interesante dhe shënime udhëtimi. Në të gjitha këta krijime, lexuesi bindet se ka të bëjë me një krijues tashmë të konsoliduar, plot ide dhe frymëzim në krijim. Nisur nga titulli “Korbi i Aleksandrit”, një titull sa joshës aq edhe intrigues, lexuesi njihet me një fakt të panjohur në thelb, por autori na e sjell pranë nesh si fenomen pozitiv, me vlera edukative duke shprehur në moment të caktuara dashurinë për vendlindjen e tij Selitën – Kurbnesh dhe njerëzit e urtë dhe bujarë të saj. Vec të tjerave populli i kësaj zone manifeston dhe zgjuarsinë, mencurinë dhe shkathtësinë e lindur. Korbi në terminologjinë popullore është quajtur si shpend – personazh negativ, sepse sapo dëgjohej kënga e trishtuar e tij, në bestytninë popullore ndjellte fatkeqësi.Madje në folklorin tonë, është përdorur gjithnjë si symbol i së keqes, por ja që në tregimin e Dedë Rramanit, korbi përshkruhet me ngjyrat më të bukura dhe merr këtu, një rol pozitiv dhe admirues.

Subjekti i tregimit zë fill nga një ngjarje reale me personazh kryesor nje djalosh nga Selita, Aleksandër Prenga i cili thuajse kishte rritur vetë këtë shpend me tipare negative, korbin. Familja e tij ishte e nderuar, blegtore e njohur në zonë për vlerat e saj njerëzore. Korbi ishte rritur me Aleksandrin dhe shpendi e ndiqte ngado tufën dhe bariun.Ndodhi që një ditë, tufa të mos kthehej e plotë në stan, korbi kishte pikasur njeriun që kishte dëmtuar tufën. Falë këtij shpendi, që në traditat tona simbolizon të keqen, u arrit zbulimi i keqbërësve. Ky tregim, sa original aq edhe emocional, dallohet për shfrytëzimin e mënyrës së rrëfimit artistik, përdorimit e fjalorit të gjallë që e shquajnë rrëfimin, por edhe notat epike dhe burrërore që manifestojnë trevat tona.

Një rrëfenjë mjaft interesante është edhe tregimi “Kroi i bushtrës”, ku shkrimtari Dedë Rramani përmes episodesh interesante dhe skenash nga jeta apo preokupimet e njerëzve në jetën e përditshme, rrëfyer këta me një ton të thjeshtë në vijimsinë e tyre kronologjike, vijnë para lexuesit tepër interesante. Kroi i bushtrës është toponim në rrethin e Mirditës. Thuhet se një nënë bashkë me fëmijën e saj të vogël po udhëtonin nëpër vapë. Fëmija kishte etje, por kur vajtën tek kroni, nëna piu e para ujë, në këtë kohë fëmija vdes nga etja. Që nga ajo kohë ka mbetur zakoni i vlefshëm që fëmija duhet të pijë para të rriturve ujë. Shkrimtari rrëfen bukur, thjesht dhe qartë, duke ngritur një problem, duke shtruar një cështje për zgjidhje duke parashtruar një moral, në situatën e sotme të edukimit dhe komunikimit shoqëror. Autori e shfrytëzoi rrëfimin artistik pa rënë në përsëritjen e motiveve të njohura të krijimtarisë gojore popullore. Fryma lirike mbizotëron në momentet e marrëdhënies nënë – fëmijë, por pas ngjarjes përshkruhen skena të dhimbshme me nota tragjike, dhënë kjo me takt artistik, fjalë të kursyera dhe shumë prekëse. I tillë, ndërtuar bukur dhe me shije artistike qëndron edhe tregimi “Elena”. Përmes këtij tregimi autori sjell para lexuesit dukuri negative të organizimit dhe edukimit të familjes shqiptare, ku Elena Bora, detyrohet të luftojë me guxim kundër veseve negative morale të të kunatit duke përballuar me vendosmëri dhe vetëdije instiktet negative të tij.Nuk është e lehtë për një vajzë të re në shoqërinë e sotme, të përballet me fenomene të tilla negative dhe padashje t’i shkatërrohet e ardhmja prandaj problemi aktual që ngre autori duhet të merret tepër seriozisht. Sigurisht, rrëfimi real i autorit kërkon të depërtojë më thellë në dukuritë dhe faktet e rëndësishme të jetës bashkëkohore, në botën e brendshme të përsonazhit kryesor dhe në përpjekjet për të pasqyruar sa më qartë veprimet jetësore të personazhit.

Shkrimtari Dedë Rramani me nje ndjeshmëri të rrallë,trajton probleme të mprehta shoqërore, godet dhe kritikon artistikisht kontradiktat e ndryshme shoqërore, luftën e klasave, veset negative të shoqërisë njerzore, ndonse ndonjëherë edhe me nota pesimiste. Sidoqoftë lënda që parashtron shkrimtari është zëdhënëse e idealeve shoqërore për të ndërtuar një shoqëri civile të mbrojtur nga drejtësia dhe barazia njerëzore. Këta çështje shtron autori edhe tek tregimi “Projektorë kohrash”, ku përmes vajzës së bukur, të internuarës Xheni ngre shumë probleme shoqërore. Mjeti artistiki i parapëlqyer në përshkrimin e personazhit të vajzës për të cilën ushqente dashuri fëminore – platonike edhe pse ajo ishte person “i deklasuar” është antiteza midis figurës së Xhenit dhe pushtetarëve që kishin internuar familjen e saj dhe i kishin mohuar të drejtën vajzës të jetonte e lirë. Fizionomia shpirtërore dhe pastërtia morale e vajzës janë dhënë në contrast me dhunuesit moralë të saj. Kjo ishte jeta e vështirë dhe plot vuajtje e banorëve të Kurbneshit të largët, Kurbneshit ku nxirrej flori, por mbillej varfëri dhe dhimbje.

Vëmendjen e autorit e tërheq edhe një temë mitologjike. Të moshuarit tregonin se në liqen jetonte Gërzheta e ujit, që në tregimet popullore përfytyrohet si një vajzë shumë e bukur, kurse në mitologji konceptohej gjysma vajzë dhe gjysma peshk. Jo pa qëllim, autori i vendos ngjarjet në Lurë, në vendin e rrallë të liqeneve, ku një djalosh i pashëm, shihte çdo ditë nje vajzë të bukur dhe kërkon ta marrë për grua. Meritë e autorit është se ai i vendos ngjarjet në kontekst real, duke na anashkaluar shumë elementë fantastikë të legjendës. Moment me rëndësi dhe mjaft emocional është ai i dasmës, madhështia e jetës dhe veprimtarisë shoqërore përshkruhet me nota optimizmi, por ndonjëherë ndodh që megjithse ke sakrifikuar aq shumë për të ndërtuar lumturinë, nga një pakujdesi e vogël të shembet gjithcka. Shihet qartë se me çfarë lirizmi të natyrshëm e rrëfen autori ngjarjen, në vendimet dhe preokupimet e të cilit shfaqet atmosfera e gëzuar dhe optimiste e jetës së fshatit, por që në fund ngjarjet marrin rrjedhë tjetër. Kujtimet, mbresat, personat e tij më të dashur zënë një vend të veçantë në krijimtarinë e autorit. Në këto shkrime zotërojnë kujtimet e ëmbla dhe nostalgjia për vitet e arta të fëmijërisë. Kujtimet për mësuesin e nderuar Mark Arapi, apo për të vëllain Nikollë Rramani e kthejnë autorin në vitet e shkuara. Synon Dedë Rramani të listojë cilësitë pozitive dhe burrërore të personazheve dhe kërkon të kultivojë tek njerëzit e ndershëm cilësitë e tyre. Ndikohet autori tek rrëfimi popullor, ndoshta tërthorazi, pasi ruan me kujdes terminologjinë, toponimet dhe motivet karakteristike të krahinës. Mjedisi dhe personazhet përshkruhen në mënyrë konkrete dhe të përpiktë, konciz dhe të gjallë. Për të përshkruar figurat e tyre të dashura, që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tij, autori përdor fjalë të thjeshta, me ngarkesë emocionale, me anë të të cilëve arrin të përshkruajë në mënyrë të goditur figurat dhe personazhet kryesor që lëvizin në këto tregime të bukura.

Lapsit të shkrimtarit Dedë Rramani nuk do t’i shpëtonte edhe pasqyrimi i mbresave dhe përshtypjeve nga një vizitë në Stamboll, së bashku me mikun e tij Zef Gjonin.Vizita në trojet e perandorisë bizantine qe mbreslënëse. Autori mrekullohej nga pamjet e vendeve nëpër të cilat kalonte duke shijuar kontrastet mes panoramave të buta dhe zhvillimore të Perandorisë Osmane dhe prapambetjes  së vendit të tij në disa aspekte. Autorin nuk e mahniti vetëm pamja madhështore e Stambollit, por edhe ura epike mbi ngushticën e Bosforit, Xhamia Blu, Pazari i Madh apo hotel Mati.

Libri i Dedë Rramanit zë vend të veçantë në thesarin kulturor – letrar. Këtë veper e bëjnë interesant subjektet e zgjedhura dhe të ritreguara artistikisht, përdorimi i figurave letrare rrëfimi i thjeshtë dhe me emocion. Ky shkrimtar, tashmë i afirmuar, ka ngjallur shpresa tek lexuesi se në të ardhmen do të përfaqësohet denjësisht me vepra të reja duke synuar mbrojtjen e dinjitetit kombëtar shqiptar.

Kundraroman në mekanizmin e legjendës – Ese nga Vasil Vasili

 

“Jeta e vjellagjolasve” i autorit Ton Zmali ështe nje kundraroman i buruar nga psikologjia popullore,pra ky liber ka qene dikur ne nje forme tjeter.

Ka qene i coptuar para se te strukturohej, ka qene i shkruar dhe i folur sipas estetikes,moralit, filozofis popullore. Si aed antik Toni ka mbledhur kenget, gojdhenat e shperndara u ka hequr vjetersine, por u ka lene mekanizmin veprues dhe i ka bashkuar ne strukturen e prozes. Bashkimin s’e ka lene mekanik dhe Iinear, porsic ndodh ne folklor, legjendat qe jane ne kohen e shkuar jepen me pasion dhe me afshin e se tashmes kur tregon.

Si aed modern ai legjenden s’e le ne kohen e shkruar po me ndergjegje artisti i shton legjendes kenge te reja,kenget e vjetra i kqyrë në drite te re, thekson enkas anë qe lidhen me shestimin e tij kompozicional. Ton Zmali tregon se mekanizmi i legjendes eshte ende veprues.

Duket sikur legjenda eshte dhe nje kundraroman. Gjithe mekanizmi psikologjik, moral, filozofik, estetik i anonimit popullore ka funksionuar me pare dhe ne psikologjine e ndergjegjes krijuese te Tonit aq sa kundraromani te le mbresen, se eshte popullor, se eshte i shkruar para autorit nga aedet ne nje forme me zanafillore. Ky proces eshte nje epos i prozes.

Toni ka mbledhur ne nje vater psikologjite, estetiken, moralin, kujtesen, simbologjine e koheve te nje populli per te theksuar se sa pa psikologji popullore,pa estetike popullore, pa moral popullor, pa kujtese popullore, pa simbologji popullore eshte koha e jetes se vjellagjolasve.llogjika e vepres eshte poetike me teper se racionale, struktura e optikes eshte Iegjenda, gjuha e shkruar e tij eshte e prejardhur nga estetika popullore. Morali i kesaj letersie eshte i pa qortueshem, personazhet bashkjetojn në kohe te ndryshme.

E gjithe koha e kundraromanit eshte krijuar kundra nje fragmenti kohe në jeten e nje populli. Kjo strategjeme krijuese eshte tipike poetike, ky eshte mekanizmi i legjendes. Simbologjia eshte nje arkiv me rebuse.

Personazhet e kundraromanit “Jeta e vjellagjolasve” jane te ndertuar sipas parimit te simbolikes.Ka dy menyra te ndertimit te ketij lloji personazhi; l pa rregulla. Ka drejtim nga personazhi te simboli; dhe i dyti:nga simboli te personazhi. Menyra e pere punon per te arritur te simboli, dhe personazhi, pak nga pak, behet simbol; ndersa menyra e dyte me simbolin krijon personazhin dhe simboli pak nga pak, behet personazh.Te menyra e pare asgje s’eshte e parathene ne kujtesen e lexusit,gjithcka do vijoje te thuhet per te mberritur te nje simbol. Menyra e dyte qe e ndjek Toni, e ka simbolin te gatshem.

Se pari e ka te gatshem ne histori. Historia eshte nje veper e kryer. Perzgjedhja nga arkivi i saj eshte permbushur. Ajo ka len figurat dhe moralin, filozofine dhe estetiken. Toni ketu e fillon personazhin e tij letrare, te figurat dhe morali qe ka perzgjedhur historia. Ai e vijon me tej punen e simbologjise. Emerton, mbush, i jep rrethana te ngjashme personazhit me idealin e tij historik, filozofik dhe estetik.

Per kete shkaksi, pra, per venjen kundrruell te personazhit, duhet figura tjeter per t’a theksuar, duhet e keqia per te miren qe ajo te shfaqet me e plote. Perseri thirret në ndihme simbologjia negative. Personazhet e Tonit kane plotesi, kur jane.kundruell, jo per dhënje marrjë por për ballafaqim. Ata jane te kunderta filozofike, paralele qe s’afrohen me njera-ljetren. Personazhet qe mbartin jeten brenda qerthullit te simbologjise, mbartin edhe akustiken poetike ndersa ata qe jane paralelja tjeter e jetes e kane te stigmatizuar edhe emrin.

Krijimtaria e Ton Zmalit eshte nje kendshikim i tij i ndihmuar nga drita e legjendave, morali dhe filozofia popullore.

Patra- Greqi, 08.11.2008

MJEGULLA NË LETERSINË SHQIPE DUHET ÇARË NGA ENGJUJ TË GUXIMSHËM – nga Zamira Matoshi

Atyre që u ka rënë në dorë kundraromani Engjuj pa qiell i shkrimtarit Ton Zmali, me siguri gjatë leximit të vëmendshëm do të jetë ndalur herë pas here për të pyetur vetën rreth situatave të krijuara nga personazhe të quditshme që bajnë një jetë misterioze në një botë të akullt e të denuar.
Në qoftë se ky liber është pak ndryshe nga forma e përmbajtja shpjegimin duhet ta gjejmë në faktin se ky liber i përket një gjinie të veçantë siç është kundraromani. Guximin e autorit për të parë përtej mjegullës edhe në letërsi nuk duhet ta kuptojmë si çmenduri artistike për të bërë diçka ndryshe, nuk duhet ta kuptojmë as si mënyrë e të shprehurit individual por më shumë se kaq është një vetsakrifikim për të gjetur një shteg për të care mjegullën që ka rrethuar prej kohësh letërsinë shqipe. Bota letrare aktuale jo se nuk ka emra e vlera të arrira por gjithsesi gjithë kjo sasi librash dhe autorësh që po shohim çdo ditë të prezantuara me lule e lajle hipërboleske dhe si përfundim shkalla cilsore e tyre len për të deshiruar dhe nuk është edhe aq…Po shprehem në këtë mënyrë sepse lexuesi i thjeshtë jo rrallë po detyrohet të lexojë e sterlexojë kollosët e medhaj të letersisë shqipe të traditës e botrore vetem sa për të mbushur boshllekun e krijuar. – Mos vallë kemi një rënje në çark të mbyllur që po vazhdon të inteligjencës apo shpirtrave krijuese?… Apo ndoshta efekti Mjegull po ndikon me inertsi akoma edhe në letërsi?.. E parë në këtë prizëm ardhja e këtij libri në dorën e lexuesit shqiptar unë e vlersoj si një eveniment. Nocioni Mjegull i shtjelluar me finesse në vepër, të njell shijën e padeshirueshme të paaftësisë së njeriut për të përceptuar atë çka është rrotull tij. Ankthi i mosnjohjës së vetës, i mosnjohjës së njerzve qe na rrethojnë, i mosnjohjës së botës ku jetojmë e aq ma keq misteri i përtejekzistencës nuk është ankthi i lindur kohët e fundit, janë pikpyetje të shtruara nga njerzimi që në fillimet e ekzistencës së jetës mbi tokë. Menyra se si e shtjellon nocionin mjegull autori i veprës është disi e veçantë dhe shumë besues. Në librin Engjuj pa qiell e mira dhe e keqja ekzistojnë, por jo të ndara, ato jetojnë bashkë në çdo moment, brenda një trupi, brenda një shpirti….E bardha dhe e zeza, e bukura dhe e shemtuara, tradhtia dhe besa, dashuria dhe urrejtja jetojnë brenda të njëjtit pesonazh, luftojnë për pushtet, dhe sigurisht pasojë e kësaj lufte është mjegulla, mjegulla që shtohet, shtohet e errsohet si për ironi të fatit për të na larguar sa ma shumë nga qielli
nga frymëmarrjet e liritë e tij.
Dikush që e lexon në menyrë siperfaqësore librin e Ton Zmalit mendon se ka të bëjë me një vepër të zakonëshme ku tentohet të nxirren në pah vitet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Ndoshta lexues të tillë mbetën pre e termave të tilla si Bualli ynë, Toksat kryekuq…etj. Të tjerë lexues mendojnë se ngjarjet e shtjelluara dhe emrat e përdorur kan efekte folklorike apo krahinore. Unë do deshiroja të thosha se nuk kam të drejtë të paragjykoj askënd, por vetëm të them mendimin tim, paksa më ndryshe. Së pari do të thosha se ekzistenca e të qenit pushtetdashës nuk vihet në një kohë të përcaktuar me caqe. Etja për pushtet nuk është fenomen i një diktature, është deshirë e fshehur në genet e njeriut të trajtuar qysh në tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Shekspirit e deri në kohët moderne. Semundjet e pushtetit janë reale dhe shumë të natyrëshme, atyre nuk u shpeton askush… Të mendojmë për pak çaste vetën kur arrijmë një shkallë më lart në herarkinë shoqërore, se si ndjehemi ndryshe, më të mëdhej më të sigurtë, se si fillojmë të na duken gjërat poshtë nesh më të vogla më të parandsishme. Së pari vertetë bota nuk mund të kuptohet pa shkallë, por do zoti qe mbi këto shkallë mos të ngjiten më njerzit injorant që vazhdimisht prodhojnë mjegull- kështu e mendoj unë përceptimin që ka dashur të na paraqesin autori në lidhje me këtë pikpamje. Së dyti, tendencat folklorike unë i kuptoj në lidhje me faktin se autori e ka menduar gjatë udhëtimin që duhet të bëjë për të çarë mjegullën e përmendur më lart. Ai për të qënë i sigurtë në vetvetën e tij e ka nisur udhëtimin nga toka dhe jo nga ajri. Shtytjen që mund të marrish nga toka është më e fortë se shtytja qe mund të marrim nga asgjëja.
Ngjarjet që na shfaqen në botën e ngrirë të nënmjegullës janë reale, të gjalla, janë personazhe që e duan jetën me gjithçka të sajen. Janë njerzit që veprojnë në situata të paparashikuara qe tentojnë të vetperballojnë si munden e sa munden por fati nuk varet vetëm prej tyre. Nuk besoj se ka ndonji folklorizim kur motra njeh vëllanë se ballada e rinjohjës po ndodh edhe sot kur vajzat tona po i nënshtrohen fateve më tragjike rrugëve të botës. Nuk ka ndonjë folklërizem, Gjuha e prerë e pader Gjergjit, kufizimi i mendimit të lirë dhe i thanjës së të vertetës me frikë kudo e kurdoherë ka qënë evident. Është një simbolikë tepër përgjithsuese kohore e gjeografike. Nuk ka ndonjë folklorizem pasqyrimi i historisë së plakës Kune, tragjedia e jetës së saj e nisur nga asgjëja. Është vetë paradoksalja ku yënë fill mijra histori tragjike që ne i shohim, i ndjejmë, i prekim çdo ditë e që gati po bëhen ralitet i pashmangshëm, ushqim i përditshëm.
Akullsinë e natyrës, ashpersinë e njerëzve që jetojne në botën nën mjegull mundohet ta ngroh e ta zbusin me dashurinë e Lekës me Zonjën. Mënyra e trajtimit të skenave erotike nga autori tregon nji frymëmarrje të lirë shumë të deshirue nga ana e menyrës së të shprehurit në letrat shqipe. Kjo dashuri është një tjetër shpresë që deshmon se bota nën mjegull mund të ndryshohet nëse guxohet. Engjujt qe guxuan për të parë qiellin e deshiruar vertetë u viktimizuan por jo vetëm nga mjegulla gjithëpërfshirëse, ata deshtuan në misionet e tyne sepse fluturimin e nisën vetëm drejt qiellit, prendaj e kishin të pamundur zhdukjën e mjegullës dhe fluturimin e lirë.
Le të tentojmë të gjithë së bashku të nisemi drejt qiellit seicili në fushën dhe profesionin që ka duke filluar që nga çarja e mjegullës që mbeshtjell kokën e secilit e do ta kuptojmë se qielli që paralajmëron Ton Zmali nuk është një ënderr.
Zamira Matoshi
Tiranë 20. O7. 2004