VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Dashuriçka në aksione” Si bëheshin në kohën e komunizmit dasmat e “shthurura” për të fituar transferimin në Tiranë

By | May 31, 2019

Komentet

Excelsior (1939) – Djalë apo vajzë ? Ja emrat e zgjedhur nga mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë për fëmijën e tyre

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Qershor 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 29 marsit 1939, në faqen n°2, një shkrim mbi emrin e ardhshëm të fëmijës së mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Skënder apo Donika ?

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbretëresha e bukur e Shqipërisë, Geraldina, pret pas pak ditësh të lindë fëmijën e saj të parë.

 

Çdo gjë është gati në Pallatin e Tiranës për këtë ngjarje të lumtur. I gjithë populli ndan padurimin e lumtur të prindërve të ardhshëm.

 

Këto ditët e fundit, ata kanë zgjedhur emrat e destinuara për trashëgimtarin e fronit apo për princeshën e re.

 

Nëse fëmija lind djalë, ai do të quhet Skënder; nëse lind vajzë, ajo do të quhet Donika.

 

Nga e kanë prejardhjen këto emra, simpatikë dhe bukurtingulluesë ?

 

Skënder, është shkurtimi i emrit Skënderbe, heroit kombëtar të Shqipërisë, dhe Donika, emri i bukur i gruas së tij.

 

Kështu, një dinasti e re vazhdon me traditën.

 

Excelsior (1938) – Ja kërkesa e veçantë e Geraldina Apponyi për dasmën e saj

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Qershor 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të premten e 1 prillit 1938, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me kërkesën e veçantë të mbretëreshës së ardhshme të Shqipërisë për dasmën e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :  

 

Kontesha Apponyi, e fejuara e mbretit të Shqipërisë, nuk dëshiron të marrë dhurata për dasmën e saj

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Budapest, 31 mars. – Nga Tirana u është thënë gazetave hungareze se kontesha Geraldinë Apponyi, e fejuar me Mbretin e Shqipërisë, ka vendosur të mos pranojë dhuratat e dasmës, dhe në vend të tyre, ajo ka kërkuar që pjesëmarrësit të ndihmojnë (dhurojnë) për krijimin e Shtëpisë së Veteranëve në Tiranë.

Le Temps (1930) – Fjalimi mbresëlënës i ambasadorit amerikan, Herman Bernstein, para mbretit Zog

Herman Bernstein (Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Qershor 2019

 

“Le Temps” ka botuar, të premten e 5 shtatorit 1930, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me fjalimin e ambasadorit amerikan, mbajtur para mbretit Zog, me rastin e përvjetorit të themelimit të monarkisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Festa Kombëtare

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na telegrafojnë nga Tirana :

 

Me rastin e përvjetorit të themelimit të monarkisë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, z. Herman Bernstein, Dekan i Korpusit Diplomatik, mbajti, para mbretit, fjalimin e mëposhtëm :

 

Në emër të kolegëve të mi të ndëruar të korpusit diplomatik, kam privilegjin dhe kënaqësinë e madhe, në këtë rast të paharrueshëm të përvjetorit të Mbretërisë së Shqipërisë, për të përshëndetur me përzemërsinë dhe urimet e mia më të ngrohta Madhërinë tuaj, organizatorin e këtij vendi për përparim.

 

Madhëri, ju, simbol i Shqipërisë së vjetër dhe të re, në këtë vend të lashtë dhe të madh, të njohur për heroizmin dhe lavdinë e tij, për përpjekjet shekullore për pavarësinë e tij, keni qenë instrumenti i rinovimit dhe rehabilitimit të këtij kombi, i cili në sajë të rendit, paqes, këmbënguljes dhe tolerancës së gjerë fetare dhe në sajë të frymës suaj tradicionale dhe të pandryshueshme bashkëngjitur pavarësisë, tani renditet në mesin e vendeve të tjera të botës, duke bërë hapa të mëdhenj drejt progresit.

 

Në këtë ditë historike, mundësuar nga Asambleja Kushtetuese, e cila shpreh vullnetin e popullit shqiptar, më lejoni t’i shpreh Madhërisë suaj, urimet tona më të mira për prosperitetin dhe përparimin e kombit dhe për shëndetin dhe lumturinë e Madhërisë suaj.

 

Mbreti u përgjigj :

 

Kam qenë veçanërisht i ndjeshëm ndaj urimeve që Shkëlqesia juaj, në emër të tij dhe të kolegëve të tij të nderuar, më shprehën. Kam kënaqësinë të theksoj se punët e paqes, rendit dhe progresit, të ndërmarra tashmë në Shqipëri, konsolidimi i të cilave i mbush zemrat tona me besim të madh në të ardhmen e kombit, hasin të njëjtin konstatim pranë jush dhe kolegëve tuaj të shquar, përfaqësuesë të fuqive miqësore të Shqipërisë.

Si iu kërkua industrialistit amerikan të bëhej mbreti i Shqipërisë! Debati në ‘New York Times’ dhe replika e Konicës: Mbretërit lindin, s’bëhen

Kreshnik KUÇAJ/ Në përfundim të Luftës së Madhe, apo Luftës së Parë Botërore, në Shqipëri nis një periudhë stabiliteti e vëmendja përqendrohet paralelisht në ngritjen e institucioneve qeverisëse dhe në ngritjen e ekonomisë.

 

Në fillim të viteve ’20, një ndër potencialet kryesore për të zhvilluar ekonominë e vendit ishte ajo e dhënies së koncesioneve të ndryshme për kompanitë e huaja.

Në kushtet kur Shqipërisë i ishte refuzuar një  hua ndërkombëtare nga Lidhja e Kombeve, që mbetej opsioni më i preferuar, qeveritarët shqiptarë iu drejtuar opsionit të dytë, atij të dhënies së koncesioneve për pasuritë natyrore që deri atëhere njiheshin por nuk ishin shfrytëzuar akoma.

Një nga pasuritë më të rëndësishme për të cilat studimet ishin premtuese ishte nafta.  Për këtë qëllim, në Shqipëri erdhën përfaqësues të kompanive më të mëdha të botës duke zhvilluar atë që mund të cilësohet ‘garë’ për të marrë të drejtën e eksplorimit e shfrytëzimit të naftës.

Kompani italiane, franceze, britanike e amerikane erdhën në Shqipëri për të kërkuar këto të drejta nga  autoritetet shqiptare. Në listën e këtyre kompanive, ishte edhe kompania e naftës “Sinclair” që në atë kohë konsiderohej një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në Amerikë dhe një ndër kompanitë më të rëndësishme në botë.

Emrat e kompanive dhe të pronarëve të tyre u bënë shumë të famshme në Shqipërinë e fillimviteve ’20, ndaj edhe pronari i “Sinclair”, Henry Ford Sinclar ishte gjithashtu i famshëm dhe si të gjithë amerikanët gëzonte vlerësimin pozitiv të shqiptarëve edhe pse këta të fundit nuk e kishin takuar ndonjëherë industrialistin e famshëm.

Elemente që duhen evidentuar janë se shqiptarët gëzonin një adhurim për amerikanët sidomos pas rolit të luajtur nga Presidenti Thomas Woodrow Willson në moslejimin e copëtimit të territorit të Shqipërisë dhe falë rolit të luajtur nga misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën direkt pas përfundimit të luftës në Shqipëri duke ndihmuar familjet shqiptare për kapërcimin e pasojave të luftës.

Ndaj, në rast se një amerikan do të propozohej si alternativë për detyrën më të lartë qeverisëse të vendit, në shembullin e Princ Vidit në 1914, pak ose aspak shqiptarë do t’i thonin JO kësaj alternative.

Rendi kushtetues

Konform vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, ishte përcaktuar se Shqipëria do të ishte një Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Në këtë mënyrë, Princi Wilhelm Wied u zgjodh për fronin e Shqipërisë por këtë detyrë e mbajti vetëm pak muaj, duke u detyruar të largohet nga Shqipëria pas trazirave.

Pas periudhës së Luftës kur Shqipëria administrohej nga trupat ushtarake ndërkombëtare, në vitet ’20 do të rikthehej diskutimi sërish se cili do të ishte rendi kushtetues i vendit.

Deri në atë periudhë, në fuqi mbetej Statuti Organik i vitit 1914 që juridikisht nënkuptonte se Shqipëria ishte principatë e që Princi Wilhelm Wied formalisht ishte akoma sovrani i vendit.

Megjithatë, pas Kongresit të Lushnjes në vitit 1920 dhe sidomos pas Statutit të Zgjeruar të Lushnjes u konfirmua edhe më shumë se rendi kushtetues do të ishte një tjetër. Vendimi i marrë ishte për përzgjedhjen e rendit kushtetues “Republikë” me një president të fortë, sipas modelit amerikan.

Por ndërsa Shqipëria po konsolidonte rrugën e vendosjes së rendit kushtetues Republikë, që praktikisht rrëzonte Statutin Organik të 1914 dhe si rrjedhojë edhe do të zhbënte “Mbretërinë e Wied-it”, në shtypin amerikan del një lajm për një ftesë të pazakontë.

Gazeta amerikane “Chicago Tribune” do të publikonte një artikull që më pas do të gjente reflektim edhe në New York Times me 17 dhjetor të vitit 1923. Në artikull evidentohej se një anëtar i misionit shqiptar në Romë i kishte thënë “Tribunës” se njëfarë milioneri amerikan i është ofruar froni i Shqipërisë së pasues i Princ Wied-it, me shpresën se ai mund ta vendoste vendin në një bazë financiare të shëndoshë.

Kjo gazetë në fakt, edhe pse nuk e ka konfirmuar emrin e milionerit amerikan, hedh dyshime se personi për të cilin bëhet fjalë është industrialisti i njohur amerikan Harry Ford Sinclair.

Shumë agjentë të fshehtë të zotit Sinclair janë parë të lëvizin nëpër Romë dhe Tiranë javën e kaluar. Ata janë në vëzhgim të të afërt nga policia politike e shumë vendeve europiane” shkruan gazeta.

New York Times nuk do të linte me kaq këtë lajm, por do t’i kushtonte vazhdimisht rëndësi.

Me 19 dhjetor të vitit 1923, gazeta do të publikonte një artikull me titullin “Të kënaqur me historinë e ‘mbretit’ Sinclair. Miqtë e tij në Wall Street e marrin me humor ‘ofertën’ shqiptare”.

Më tej, gazeta hedh dritë më shumë se çfarë ka ndodhur. Në artikull shkruhet se një fraksion i partisë monarkiste në Shqipëri ka thënë se është për amerikanin e naftës.

Raportime të ndryshme shkruajnë se froni i Shqipërisë i është ofruar Harry F.Sinclair, amerikanit të naftës, si pasues i Princit Wilhelm Wied me shpresë së ai mund të fusë vendin në baza ekonomike të shëndosha” shkruhet në artikull, por më tej evidentohet se kur është marrë mendimi i ortakëve të biznesit të Sinclair, këta të fundit u morën me të qeshur duke thënë vetëm se kompanitë e shumta që zotëronte industrialisti i njohur e mbanin atë më të ngarkuar me punë sesa do të mundeshin ndonjëherë financat e Shqipërisë.

Në artikull evidentohet gjithashtu se në zyrën e Sinclair kishin mbërritur shumë telegrame nga miqtë e tij me adresimin “Kink Sinclair”. Në këtë rast, bëhej fjalë për një lojë fjalësh Kink (ngërç)-King (mbret);pra “Ngërçi Sinclair” dhe jo “Mbreti Sinclair”. Më tej, ortakët e industrialistit të njohur shprehen se “Harry nuk do të ndërronte punën që ka as për postin e mbretit të Anglisë”.

Gazeta që shkruajti e para për ftesën shqiptare për industrialistin e famshëm amerikan shkon me tej kur jep detaje se nga erdhi oferta.

“Chicago Tribune” në dhjetorin e 1923 shkruan se “një telegram nga Tirana konfirmon se një seksion i partisë monarkiste shqiptare ka nisur të “tenderojë”informalisht  postin e mbretit për Harry F. Sinclair por një fraksion tjetër i drejtuar nga Aqif Pasha që ndodhet në Vienë, po punon për kthimin e Princ Wied-it”.

Nëse fraksioni monarkist, sipas gazetës, do të merrte pushtet në zgjedhje, atëhere ata do t’i ofronin zotit Sinclair postin e mbretit dhe koncesione ekskluzive për naftën në këmbim të një huaje domethënëse që ai do t’i jepte qeverisë.

Kush ishte Harry Ford Sinclair

Harry Ford Sinclair lindi në vitin 1876 në West Wirginia dhe u nda nga jeta në vitin 1956. Ai ishte një industrialist amerikan, themelues i Sinclair Oil.

Në vitin 1910 sëbashku me 3 biznesmenë të tjerë ai blen një bankë bujqësore të falimentuar që e shndërron.  Ai bëhet President i bankës. Në vitin 1916, me suksesin e madh të arritur, ai formon ‘Sinclair Oil’ nga asetet e 11 kompanive të vogla të naftës që i bashkoi.

Në të njëjtin vit, ai bleu një kompani që kishte në zotërim tubacione të shumta dhe rafineri të tjera. Kompania e tij arriti të bëhej kompania e 7-të më e madhe në Shtetet e Bashkuar.

Në vitin 1920 ai ishte përfshirë në një skandal dhe kishte kryer 6 muaj burg për pengim të jurisë gjatë procesit gjyqësor. Pas kësaj ai iu rikthyer jetës së mëparshme dhe shijoi pasurinë e tij derisa u nda nga jeta.

Reagimi i Faik Konicës: “Mbretërit, ashtu si poetët,  lindin, nuk bëhen”.  

Artikujt e shumtë që filluan të “ziejnë” në shtypin amerikan, e sidomos qasja ironike që kishte përmbajtja e tyre, sollën një fushatë reagimesh nga pala shqiptare. Në “lojë” futet Faik Konica, misionari amerikan që ishte në Shqipëri Charles Telford Ericksson dhe konsulli shqiptar A.B.Sula.

Me stilin e tij të veçantë të të shkruarit që e karakterizonte, Faik Konica i drejton një letër editorëve të New York Times me titullin “Nuk duhet një mbret amerikan. Në çdo rast, mbretëria e naftës ofron më shumë siguri se Shqipëria”.

Letra e publikuar edhe në gazetë me 21 dhjetor 1923 nis me fjalinë “Shtypi amerikan në ditët e fundit ka qenë viktime e një shakaje  budallaqe”.

Zërat se zotërisë Sinclair i është ofruar kurora e Shqipërisë janë, sigurisht, një shaka, një shaka me shije të dyshimtë, madje edhe i mungon edhe hiri i risisë. Është përsëritur aq shpesh edhe në kurriz të personaliteteve të tjera amerikane dhe është në mënyrë të pashpresë bajate.

Një fakt i vogël që do të mjaftojë për të hedhur në erë këtë shaka. Zgjedhjet për një konventë konstitucionale po mbahen tanimë në Shqipëri dhe si partia qeverisëse dhe ajo opozitare që me shumë gjasa do të fitojë, kanë shpalosur platformat e tyre për regjimin republikan, si më të përshtatshmin për Shqipërinë. 

Kështu që mesa duket nuk ka shanse për një monarki. Gjithsesi, mbretërit ashtu si poetët,  lindin, nuk bëhen” shkruan në letrën e tij Konica.

Më tej, në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare, Konica shkruan se amerikanët janë të huajt më popullorë në Shqipëri dhe se askush nuk e harron kontributin e dhënë nga presidenti Willson dhe punën e bërë nga Kryqi i Kuq Amerikan në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

Ndërsa e vlerëson Sinclair si “një amerikan të vlefshëm” Konica shprehet se “ai nuk është Amerika”.

Me siguri se ky zotëri i dashur ka qenë i pari që ka qeshur me këtë shaka. Mbretëria e naftës është më pak romantike se mbretëritë e tjera, është më domethënëse dhe më e sigurtë” e mbyll letrën e tij Konica.

Replikat që prodhoi “Marquise de Fontenoy”

Në debatin për “mbretin amerikan” të shqiptarëve do të përfshihej edhe Frederick Cunliffe-Owen, një shkrimtar britanik që jetonte në New York dhe që punonte si gazetar.

Ky i fundit, që njihej me pseudonimin “Marquise de Fontenoy” shkruante kryesisht për shoqërinë aristokratike e mbretërore europiane si dhe kishte eksperiencë diplomatike.

Ai mbante gradën e kolonelit dhe kishet marrë një serë titujsh nderi nga Britania deri në Serbi. Në rastin aktual, ai i kushton një editorial në New York Times propozimit për fronin shqiptar duke analizuar arsyet se pse shqiptarët po e bënin një kërkesë të tillë.

Në editorialin e tij, Cunliffe-Owen bën një përshkrim të gjatë se cilët janë shqiptarët dhe dhe ndalet mes të tjerash edhe në situatën politike dhe ekonomike të vendit.

Shqipëria njihet nga të gjithë dashamirësit e sportit në të gjithë Europën se ka një nga gjuetitë më të mira në botë por njihet edhe nga fuqitë e mëdha e të vogla si burimi i sherreve ndërkombëtare dhe shqetësimeve të brendshme, të cilat deri më tani u kanë zënë rrugën eksplorimeve dhe zhvillimit të resurseve të fjetura, sidomos fushave të pasura naftëmbajtëse” shkruan ai në artikull.

Më tej ai evidenton se arka e shtetit është bosh dhe se ka një rritje të ndjeshme të kriminalitetit.

Pas ofertës shqiptare për ‘mbretin e naftës’, sipas tij, fshihet nevoja e Shqipërisë për të pasur administrim ekonomik, eksplorim të rezervave të naftës si dhe për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja.

Artikulli në fakt përmban disa pasaktësi historike por edhe mosnjohje të realitetit të Shqipërisë së vitit 1923, çka bën që të ketë dy reagime të njëpasnjëshme.

Reagimi  i parë vjen nga Charles Telford Erickson, misionari i njohur amerikan që jetoi rreth 30 vite në Shqipëri e që ngriti shkollën shqiptaro-amerikane bujqësore në Kavajë. Në replikën e tij, Erickson evidenton pasaktësitë historike që përmbante editoriali i Cunliffe-Owen, vlerëson lart shqiptarët dhe hedh poshtë pretendimin se ishte rritur kriminaliteti.

Misionari amerikan evidenton faktin se ka jetuar në Shqipëri dhe ashtu si Konica, shkruan se dy forcat kryesore që garojnë në zgjedhje janë për një rend kushtetues republikan. Gjithsesi, nëse ndodh ndryshe, Erickson shkruan se “do të jetë i pari që do të thërrasë ‘Rroftë Mbreti’ nëse shqiptarët do të zgjedhin monarkinë dhe si mbret amerikanin e naftës”.

Përgënjeshtrimi zyrtar dhe mbyllja e debatit

Debatit i jep fund një një shkrim zyrtar i konsullit shqiptar (A.B Sula) që në reagimin zyrtar hedh poshtë pretendimet se situata në Shqipërinë e pasluftës botërore është ende e pastabilizuar dhe se arka e shtetit është bosh.

Sot Shqipëria ka një buxhet të balancuar, që është e rrallë në mes vendeve europiane. Po ashtu Shqipëria nuk ka borxh publik duke u bërë një prej pak vendeve që e shijon një privilegj të tillë dhe në të njëtën kohë ka si monedhë arin.

Domethënë thesari nuk është bosh sikurse pretendon zoti Owen. Në kuadrin e lajmeve false të raportuara jam i detyruar që të shpreh qendrimin se pas eksperiencës së hidhur me Princ Wied-in në 1914 dhe në kuadër të ecurisë së përditshme të demokracisë me shtetet fqinje, shqiptarët janë të vendosur që të mos lejojnë despotizmin e një mbreti. Si rrjedhim, ata nuk ia kanë ofruar fronin asnjë princi e as zotit Harry Sinclair” shkruan konsulli shqiptar në reagimin drejtuar Neë York Times.

Ky reagim në fakt i jep fund debatit në shtypit amerikan! Shqipëria vijon rrugëtimin duke u shpallur në vitin 1925 Republikë dhe jo monarki.

Megjithatë, vetëm tre vite më vonë, fjalët e Konicës në New York Times nuk do të realizoheshin sepse në vitin 1928 Shqipëria u shpall monarki “me një mbret të bërë dhe jo të lindur”.

Marre nga SCAN

Excelsior (1931) – Ja makina e mbretit Zog shpuar nga plumbat gjatë atentatit të Vjenës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Qershor 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 25 shkurtit 1931, në faqen n°6, fotografinë e makinës së mbretit Zog të shpuar nga plumbat gjatë atentatit që iu bë në kryeqytetin austriak, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Atentati kundra mbretit të Shqipërisë në Vjenë

Makina e mbretit e qëlluar nga vrasësit – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne raportuam për atentatin ndaj mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, në dalje të Operas së Vjenës. Dy ish-oficerë shqiptarë gjuajtën pesëmbëdhjetë herë me revolver mbi makinën në të cilën gjendej sovrani, duke vrarë një pjesëtar të oborrit mbretëror, por duke dështuar për të arritur mbretin.

Përsëri për Ali Pashë Tepelenën dhe historinë

( INTERVISTE E MOIKOM ZEQOS DHENE GAZETARES JORIDA PASKU)

Eruditi Moikom  Zeqo flet për Ali Pashën ushtarakun e zot , që dinte të rrinte në korrent të ngjarjeve me rëndësi të kohës; për diplomatin që  diti të krijonte marrëdhënie me një tjetër dinak si ai, Bonapartin e Francës, por edhe për burrin që joshi 14 vjeçaren e cila që e dashuroi përjetë

“Hankoja, kjo grua provokuese, autarkike dhe e pangopur, vendosi te banorët taksa të rënda. Përveç kësaj, me ndihmën e trimave të saj, rrëmbeu dhe një fshat që i takonte kardhiqotëve. Ata ia mbajtën vathë në vesh dhe një natë hynë në Karjan të armatosur, zunë rob Hankon, Shanishanë dhe djaloshin Ali dhe i çuan në Kardhiq. Dhe aty, para syve të tiranit të ardhshëm, në shenjë hakmarrjeje, shpërthyen në orgji kolektive mbi trupat e nënës dhe të motrës së tij. Në shpirtin e tij primitiv, të egër dhe krenar, hodhi rrënjë urrejtja kundër njerëzve, si dhe etja e pashuar për t’u bërë i fuqishëm, me qëllim që të dënonte dhe të shpëlante këtë ofendim”. Ky përshkrim që Spiro Mela ia ofron lexuesit qysh në hyrje të librit “Luani i Epirit-Ali Pasha dhe Suli” (Toena 2013).
Eruditi Moikom Zeqos, që bëri një analizë të shkurtër, por të hollë për librin bashkë me Aurel Plasarin, i solli ndër mend Aleksandrin e Madh,”që u formësua nën ndikimin e s’ëmës së tij, Olimbisë, një grua e egër e cila e stërviste të bëhej një sundimtar që ambicia të mos kishte asnjë kufi”.
Kurse Hankoja e atij djalit që pa tmerre qysh në moshë të njomë,“mundohej ta rriste me frymën e një urrejtjeje dhe një vetëdije, madje edhe të një deliri që ai duhej t’i sundonte të gjithë të tjerët”. Ai nuk ia la hakun pa marrë nënës, duke i djegur dhe i shkretuar hormovitët, i shkoi në hell dhe i torturoi gra e fëmijë, aq sa Mela shkruan edhe që “u qethi flokët për të mbushur jastëkët”. Kurse Zeqo do të kujtojë amanetin e dytë që Aliu nuk e çoi dot deri në fund, atë të dërgimit të një thesari në Mekë për shpëtimin e shpirtit të gruas pedante, Hankos. “ Por në Mekë duhet të çohej një thesar i fituar me djersën e ballit, jo i grabitur dhe Ali Pasha nuk e kishte atë”. Nuk mund të nisë historia e njohjes së Aliut, pa njohur “këtë fshatar të pagdhendur, pa asnjë kacidhe”, një bandit i pamëshirshëm, që nuk kurseu në vrasje mikun e tij, kunatin, krushqit, deri edhe vajzën e vet, më tej gruan e parë Eminenë e bindur. Tradhëtoi bijtë: Myftarit i mbyti të dashurën, Veliut i vidhte pas krahëve Zejbedejën. Nuk ra në paqe derisa i shkretoi dhe bastisti suljotët trima me të cilët luftoi për vite, duke ditur fare mirë forcën dhe durimin e tyre. Nuk kishte grua që nuk i nënshtrohej po t’i hipte gjaku në kokë pashait plot fuqi. Mister ngelet edhe për studiuesin Moikom Zeqo historia e dashurisë me Vasiliqinë e njomë, 50 vjet më e vogël se ai, që nuk e tradhtoi edhe kur këtëe bënë të gjithë, dhe nuk u martua kurrë pas vdekjes së tij. Një figurë hipnotizuese, Aliu, që krijoi marrëdhënie interesi me konsuj francezë e anglezë, gjithmonë aty ku e çonte ambicia. Shqetësimi i studiuesit Zeqo, që ka lexuar jo pak për figurën shqiptare më me rëndësi të shekujve XVIII-XIX,është varfëria që ekziston në burime, në botimin e dokumentave. Deri më tani“janë botuar një pjesë fare e vogël e dokumentave angleze, vetëm libri i Pukëvilit nga ato diplomatike franceze, po përgatiten greket, pormaterialet osmane nuk janë ende botuar, të Rusisë po ashtu, dhe ato të vendeve rreth e qark që kanë shkruar për Ali Pashën. Ato duhen botuar, pastaj duhet bërë një gjykim më gjakftohtë, më objektiv, ndoshta edhe më tolerant”.

-Zoti Moikom, si e vlerësoni botimin më të fundit për figurën e Ali Pashës, “Ali Pasha dhe Suli-Luani i Epirit” te akademikut grek Spiro Mela?

-Ali Pasha është më i ndërlikuar nga ç’duket në shikim të parë. Është bërë edhe më i ndërlikuar për shkak të librave paradoksalë, shënimeve dhe përshkrimeve me kahe të ndryshme që janë shkruar për të. Nuk kemi një studim në bazë të dokumentave,janëmë tepër studime në bazë të opinioneve dhe librave të bashkëkohësve të tij, kryesisht të huaj. Mungojnë dokumentat shqiptare për të, ose dëshmitë e shqiptarëve për të.
-Nga vjen kjo mungesë?

-Mendoj se mungojnë një pjesë e shqiptarëve, përveç një shqiptari i cili ka lënë dëshminë më të madhe, poeti i tij zyrtar Haxhi Shehreti, që ka botuar poemën epike me titull “ALIPASHIADA”. Ai ka të dhëna historike të cilat konfirmohen edhe nga dokumentat e kohës, por natyrisht, ka një qendrim apologjik, bën apologjinë e Ali Pashë Tepelenës. Shumë të dhëna që ka te “Alipashiada”, të cilën e ka përkthyer në shqip Irakli Koçollari, janë tepër interesante dhe autentike. Haxhi Shehreti, poeti i tij i oborrit, e ka shkruar në një greqishte vulgare eposin e tij.Edhe padyshim është një figurë e madhe kulturore e shek XIX. Kaq e vërtetë është kjo sa shumë shkrimtarë grekë të shek XX e çmojnë tepër veprën e tij.

-Mbi cilat fakte ka hedhur dritë, që nuk ka guxuar dhe arritur kush më parë?

– Ai ka hedhur dritë përgjithësisht në faktet e kulmit të fuqisë së Ali Pashës, ka diçka nga fëmijëria. Por, përveç faktit të palëkundshëm që Ali Pasha është shqiptar dhe ka lindur në një fshat të Tepelenës, edhe disa elementëve që lidhen me fëmijërinë e tij, sidomos në raport me të ëmën dhe motrën, pjesa tjetër ku flitet për këtë fazë të parë të jetës është apokrife, nuk është e saktë. Madje edhe në këtë libër, thuhet që gjoja Ali Pashë Tepelena pohon se e ka origjinën nga një fis i largët arab. Këto janë gjenealogji fantaziste të përhapura shumë në atë kohë. Të gjithë shpiknin gjenealogji të tilla. Ali Pasha është shqiptar i kulluar dhe është një lab, po ta quajmë në kuptimin krahinor, me një zgjuarësi të pazakontë.

-Cilët autorëve u referoheni kur pohoni se kanë shkruar pa u mbështetur në dokumente shkencore?
-Po të marrim ambasadorin e Francës, Pukëvilin, ai ka shkruar mirë kur Ali Pasha kishte marrëdhënie të qeta me Francën, pastaj kur ai pati marrëdhënie të mira me Anglinë, pra u bë kundërshtar i Francës, Pukëvili ka shkruar gjërat më të mënxyrshme. Ai arrin të shkruajë edhe kundër Bajronit dhe Likut nga urrejtja që ka për pashain e Janinës.

-Po çfarë duhet marrë me rezerva tek diplomati francez?

-Pukëvili është një figurë minore e historiografisë, nuk është ndonjë dijetar i madh. Sot në Francë nuk e njeh askush. Për shkak se edhe pashai e mbajti gati-gati si të internuar, ka një urrejtje të kuptueshme dhe për këtë shkak, ai i zmadhon të metat e Ali Pashës dhe i minimizon të mirat.
I dyti që ka shkruar keq për Ali Pashën është Manzur Efendiu, një prift i i Zyrës së Shenjtë të Vatikanit, që ra rob në duart e Aliut, ndërroi fenë, u bë bektashian dhe për shkak të gjuhëve të shumta qëdinte, u bë një lloj sekretari poliglot i administratës së tij. Të gjitha këto janë një pjesë e realitetit, por nuk janë realiteti i plotë. Që ta rindërtosh atë, duhen botuar dokumentat origjinale. Irakli Koçollari po përgatit për botim disa mijëra faqe, dekrete, urdhëra, dokumente tëadministratës së tij, por më të rëndësishme ngelen ato të arkivave të huaja. Po ashtu janë botuar 50 syresh të panjohura të arkivave britanike. Interesante është se në këto dokumenta, Ali Pasha ka pamjen e një diplomati të madh, të një figure shtetari, të një figure të respektueshme, aq sa britanikët, duke përfshirë edhe Lord Nelson, që është figurë me rëndësi e historisë së Anglisë, përdornin edhekundrejt tij edhe titullaturën, gjë që ka shumë rëndësi në diplomaci. E quanin “madhëri”, “shkëlqesi” në një kohë kur ai nuk ishte sulltani i Turqisë, por thjesht pashai i një krahine.

-Çfarë thuhet për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë në këto dokumente?

-Ekziston një dokument i përpiluar në oborrin e Ali Pashës, një lloj promemorie ku tregohen edhe idetë e tij për kombin shqiptar, për krijimin e një shteti tëpavarur, madje edhe për një kushtetutë. Dihet që dërgoi edhe njeriun e tij te konti Meterlik në Austri për t’i kërkuar propozimin e projektit të një kushtetute. Ai ka qenë i ndikuar nga idetë e revolucionit francez, por njëkohësisht edhe i lidhur me atë fuqi që ishte më përpara sesa Franca në pikëpamje të perspektivës historike. Në konfliktin midis Francës dhe Anglisë në fund të fundit, fitoi Anglia. Marrë nga një pikëpamje e perspektivës,ai e kuptoi që anglezët do të ishin fitues. Siç del nga dokumentat, britanikëte çmuan shumë rolin e Ali Pashës, por në momentet e fundit nuk e ndihmuan. Bënë diçka tjetër, i dërguan një mesazh ku i premtuan dërgimin enjë anije për të shpëtuar njerëzit e afërt dhe thesarin, sepse asokoheLondra nuk mund t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane. Ai pranoi të sakrifikohet.

-Si i shërbeu ky diplomat dhe ushtarak Greqisë dhe Perandorisë Osmane?

-Libri i Melës është një libër popullarizues, nuk është një studim historik. Është një biografi e letrarizuar dhe nga kjo pikëpamje, ai të kujton më tepër librat e tipit të Stefan Cvajgut, Emil Ludvigut ose Andrea Moruasë. I thjeshtëzojnë faktet historike, i shkruajnë me një stil të bukur dhe ky ka një stil shkrimtari, tërheqës, grishës, me elementë romantikë. Ai thotë edhe disa të vërteta që janë me rëndësi. Në historiografinë greke ka libra në të cilët shahet, por ka edhe nga ata që e lavdërojnë sepse roli politik i Ali Pashës, kundër qendrës osmane, Stambollit, krijoi premisat për çlirimin e Greqisë. Dokumentat janë të sakta kur dëshmojnë që ai ka ndihmuar të ashtuquajturit komplotistë, që donin të krijonin pavarësinë e Greqisë. Ka pasur njohje dhe i ka ndihmuar me para, me armë. Pak a shumë ka bërë atë që ka bërë Bajroni për kryengritësit grekë. Aq më tepër që një pjesë e komandantëve të revolucionit grek qenë shqiptarë, madje disa të oborrit të tij. Ai kishte një koncept pak modern, kozmopolit, për administratën e pashallëkut të vet. Krijonte një barazi formale midis feve dhe etnive, i jepte shumë rëndësi tregtisë.
Libri më i mirë që kam lexuar është i një amerikaneje, Katherine Flemng, ai me titull: “Bonaparti Musliman”.
Është hera e parë që shikoj një studim që merret me të dhënat ekonomike, të tregtisë, të qarkullimit financiar, duke treguar që Aliu krijoi formën më moderne ekonomike në të gjithë perandorinë osmane. Nga kjo pikëpamje, elementët e tjerë të zhvillimit tregtar të lirë, kanë qenë premisa pozitive të pushtetit të tij.
Kurse libri që më ka tronditur më shumë është ai i një mendimtari amerikan që quhet Edward Said, “Orientalizmi”, i cili bën analizën e koncepteve të letërsisë europiane, romantizmit, autorëve të shumtë. Koncepti i shtrembëruar i romantizmit ka ndikuar edhe te Ali Pasha, përshembull edhe Aleksandër Dyma nuk ka saktësinë historike. Kanë një prirje metaforike për ta bërë sa më interesante veprën, për ta bërë sa më mistike. Saidi bën kritikën e këtyre koncepteve.

-Po në dokumentet shqiptare çfarë thuhet për të?

– Ne nuk i kemi të shumta, përveç disa mbishkrimeve të disa kishave që janë ndërtuar me mbështetjen e Ali Pashës, ndonjë kronike të thjeshtë të shek XIX-të. Interesant është korpusi i poezive popullore për fundin e tij, për vrasjen. Populli i ka ditur mizoritë e tij, ka ditur edhe faktin që ai ishte kundër Perandorisë Otomane. Nga kjo pikëpamje, natyrisht është shkruar edhe ndonjë biografi e letrarizuar.
I pari është Myfit Libohova, që veprën e ka shkruar turqisht.
Pastaj Sabri Godo, por nuk ka sjellë risi të madhe. Studime historike të vërteta për Ali Pashën i ka shkruar vetëm Irakli Koçollari,- dhe libri më i rëndësishëm është ai,- për dokumentat angleze.

-Çfarë vlerësohet në marrëdhënien që krijoi me diplomatë të Francës dhe Anglisë?

-Ai është produkt i kohës. Në një kohë që Perandoria Osmane po pësonte përçarje, kur ishin luftrat ruso-turke, kur revolucioni francez krijoi një klimë për lirinë e popujve, Anglia mundohej të luante rolin e saj parësor në kontinentin Europian.
Të gjitha këto krijuan një personazh napoleonid,- sepse Andre Morua por edhe Svajku thonë ,-që të gjithë personazhet e shek XIX janë napoleonide, dhe e vërteta është që këta ishin njerëz rrebelë, që donin pavarësinë, me një prirje të mëvetshme. Në këtë kohë shquhen tre shqiptarë të mëdhenj: më i madhi është Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, i dyti është Ali Pasha i Janinës dhe i treti është Mehmet Bushatlliu i Shkodrës. Për fat të keq Bushatlliu është lënë pak mënjanë. Të gjithë ishin fillimisht pjesë të Perandorisë Osmane. Më i sukseshmit qe Ali Pasha i Egjiptit sepse ai e shkëputi dhe e bëri shtet modern. Kurse këta mbetën brenda kuadrit formal, politik të Perandorisë, kishin pushtet absolut brenda pashallëqeve të tyre, por përfunduan tragjikisht. Këto pashallëqe ishin forma fillestare që treguan aftësitë shtetformuese të shqiptarëve për të qenë të pavarur nga Perandoria.Aftësi qënuk qenë të plota, por pregatitëse, pjesë e një procesi. Mendoj se Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, ndikimi i Ali Pashës dhe i Bushatlliut ka qenë thjesht njëfrymë, meqë shqiptarët donin të krijonin një shtet.Një shtet që u krijua më 1912.

-Po në lidhje me Perandorinë Osmane, thuhet që ai vendosi rregull në pikëpamjen administrative, paguheshin taksat, dënohej vjedhja, grabitja, imoraliteti edhe pse shumicën e ndëshkimeve e bënte për interesa të tjera tërësisht vetjake…

-Perandoria Otomane në atë kohë ishte në kulmin e krizës. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës marrëdhëniet e pashallëqeve me qendrën qenë më tepër klienteliste.
Vlen të përmendet edhe që ai është krijues i shërbimit inteligjent shqiptar, pra rrjetit të spiunazhit, natyrisht për interesat e veta. Një pjesë e historisë është akoma konfuze. Megjithatë, këto lëvizje e dobësonin qendrën e Perandorisë Osmane.
Objektivisht ishin pozitive për pavarësinë e shqiptarëve, por ajo që pati rezultatin më të hershëm ishte pavarësia e grekëve. Mos të harrojmë që në revolucionin grek, një pjesë e madhe e kapedanëve qenë shqiptarë.
-Çfarë duhet riparë dhe rifreskuar në tekstet e shkollës së mesme, apo universiteteve kur shkruhet për këtë kohë?

-Mendoj që Ali Pasha është ende si duhet i pastudiuar në Shqipëri. Asnjë historian shqiptar nuk është marrë seriozisht me të.Por Irakli Kocollari ka bere nje veper te jetes me studimet e tij shumedimensionale mbi Ali Pashe Tepelenen dhe epoken e tij .
Librat që janë shkruar, si puna e Godos, hyjnë më tepër në letërsi.
Ka një libër historik, për Bushatllinjtë, që e ka bërë Stavri Naço, “Bushatllinjtë e Shkodrës”, i pajisur me dokumenta.
Ka lënë disa monumente të mëdha që lidhen me emrin e tij, e para është Kështjella e Porto Palermos që është një mrekulli, e dyta është ajo e Gjirokastrës dhe e treta është Kështjella e Ali Pashës që është gati e shkatërruar.
Unë kam parë disa fotografi të viteve ’20, ishte një ndërtim i përsosur dhe i dihet edhe emri arkitektit, Petro Korçari.
Puthitja e gurëve në Tepelenë është mahnitëse.
Ne njëherë duhet të restauronim kështjellën e Tepelenës, se këto të tjerat janë deri diku në gjendje të mirë. Eshtë bërë një monument nga Muntaz Dhrami, por përgjithësisht nuk kemi bërë ndonjë gjë për Ali Pashën.
Për Ali Pashën kanë folur kaq shpesh diletantët.

-Pashai mbetet i çuditshëm edhe në jetën intime…

-Më e çuditshme është lidhja me gruan e tij Eminenë, që thuhet që ia vrau vajzën. Më e pashpjegueshjma, që hyn te dashuritë më të çuditshme, është dashuria për Vasiliqinë. Diferenca në moshë e tyre është shumë e madhe, ajo ka qenë 19 vjeçe, ai afro 70. Ky njeri mizor që kishte vrarë, që nuk pyeste për askënd, befas i beson në mënyrë më naive gruas, sepse vetëm ajo e qetësonte.
Madje kur ai, në momentin kur e vrasin, i jep urdhër Thanas Vajës që ta vrasë Vasiliqinë, për të mos rënë në duart e turqve, ajo nuk u vra.
Pjesa e dytë e jetës së saj është shumë e çuditshme, nuk pranoi të martohej me asnjeri tjetër, u dha pas pijes dhe duhanit dhe ka vdekur 50 e ca vjeçe.
Nuk e di ku qendronte magjia midis tyre, do mbetet një enigmë e madhe.
-Faleminderit !

POST SCRIPTUM :
Çfarë duhet vlerësuar nga libri i Melës? Mela nuk ka shkruajtur një libër që mund t’i referohesh shkencërisht. Është pozitiv për opinionin grek sepse në fund fare ai thotë që i takon historisë sonë, sepse ka një pjesë të historisë së Greqisë. Është një libër i këndshëm, lexohet si një roman, por nuk ka referenca. Për ta cituar duhen referencat. Përkthimi i Kristo Pullës dhe Foto Bixhilitështë i mirë. Duhet lavdëruar gjithashtu Irena Toçi që bëri të mundur botimin e këtij libri.

Liri e plotë për helenizimin e Jugut të Shqipërisë – Nga NURI DRAGOJ

Procesi i helenizimit të jugut të Shqipërisë po ecën me hapa të shpejta. Dalja e tabelave rrugore të shkruara në greqisht dhe shqip, është thjesht një “aksident” prej të cilit vështirë të shpëtojë pala shqiptare. E shumta do të ndërrohet vendi i shkrimeve. Përpjekjet për të zyrtarizuar gjuhën greke nuk janë të sotme. Organizata Omonia e ka ngritur këtë problem në muajin gusht të vitit 2008, duke kërkuar hapur njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë në Shqipëri. Këtë e quan detyrim të qeverisë shqiptare, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar si palë edhe Tirana zyrtare. Athina vetëm kërkon, përherë në sulm, duke u kapur rreth çështjes së minoritetit etnik grek në Shqipëri, nga minoritetet më të mirëtrajtuara në botë.

Greqia nuk njeh për minirotet qindra mijëra shqiptarë të mbetur brenda kufirit grek, për shkak të vendimeve të Kongresit të Berlinit, 1878, dhe të Konferencës së Londrës, 1912-1913. Shqipëria detyrohet të qëndrojë gatitu për rreth 30 mijë minoritarë grek, që mund të jenë me banim brenda territorit shqiptar. Për këto dhe arsye të tjera, populli shqiptar është viktimizuar nëpër shekuj, për shkak të urtësisë dhe përçarjes, për shkak të mirëbesimit dhe paditurisë së tyre. Shqipëria etnike, para ardhjes së turqve në Ballkan, zinte një sipërfaqe prej rreth 90.000 km2. Por nga ai moment, asaj iu mbyllën Portat e Europës për gati 5 shekuj. E shkatërruar dhe e plaçkitur, mbi të fshikullonin shpatat dhe flakët e luftës. E denigruar në aspiratat e saj kombëtare dhe në gjuhë, djemtë e saj rekrutoheshin për të luftuar në beteja, të cilat jo rrallë ktheheshin në luftëra vëllavrasëse. Jo vetëm kaq, por Turqia ka ndihmuar në tkurrjen e territoreve shqiptare, në favor të fqinjëve ballkanikë. Pas luftës së vitit 1876-1877 me Rusinë, qeveria osmane dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit, rreth 25.500 kilometra katrore nga sipërfaqja e tokave shqiptare.

Helenizimi gradual i banorëve shqipfolës të Epirit është një ndër shkaqet e cungimit të trojeve shqiptare. Ky process u intensifikua, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë, kur administrata dhe kisha ortodokse greke, nisën një fushatë sistematike për këtë qëllim. Duke i dhënë rëndësi përherë e më shumë faktorit fetar, në vend të atij etnik, ky proces ka përparuar me hapa të shpejtë. Mjafton të citojmë artikullin e botuar, më 7 maj të vitit 1853, në “Theatis” [Spektatori], ku thuhej: Është e sigurt se vetëm fakti i aneksimit të viseve shqiptare në mbretërinë greke, së bashku me vendet që varen prej tyre në mënyrë të natyrshme, Thesalinë dhe Maqedoninë, do të bëjë që elementi i krishterë të fitojë karshi elementit myslimanë një epërsi të tillë, që do të sjell si rrjedhim zhdukjen e çdo mundësie antagonizmi ndërmjet dy feve. Në çastin e vet aneksimit do të ketë aty 3 milionë të krishterë, karshi rreth 900 mijë myslimanëve, ndër të cilët duhet të llogariten që ka mijëra kriptokristianë [Persona që kanë ndërruar besimin, por që ende shpirtërisht vazhdojnë të jetojnë si të krishterë]. …Në Lindje, me përjashtim të sllavëve, çdo njeri që ka fenë e grekëve, është duke u shkrirë në kombësinë e madhe greke… Feja u mësohet greqisht… Gjuha greke, si gjuhë e kultit, është një nga elementët kryesorë të shkrirjes. Çdo banor në Lindje, që dëshiron të marrë mësim, është i detyruar të fillojë nga mësimi i greqishtes, gjë që shpjegon ekzistencën e shkollave të mëdha greke, jo vetëm në Shqipërinë e Poshtme, por edhe në Gjirokastër, Berat, Elbasan dhe në Ohër…Po të kemi parasysh që njerëzit në këtë gjuhë mësojnë, i falen Zotit, shprehin me shkrim mendimet, kuptohet lehtë se kjo e bën për vete të gjithë qënien morale të tyre, i transformon dhe i bën një me atë kombësi, shprehja më e gjallë e së cilës është gjuha. Ky efekt i gjuhës do të ishte edhe më i madh kur Shqipëria t’i aneksohej Greqisë, pasi do të mbulohej me shkolla të shumta dhe më mirë të organizuara. Përveç kësaj, një mori kushtesh të tjera shoqërore e politike do të nxitin këtë lëvizje dhe do të shumëfishojnë mjetet e shkrirjes. (“Theatis”, 7 maj 1853, f. 11-21).

Goditja e kombit shqiptar e ka zanafillën në planet e thurura në Patrikanën greke të Stambollit, ku servilizmi i klerikëve fshihte poshtë veladonit, planin e copëtimit të Shqipërisë. Për të fituar besimin e perandorëve turq, Patrikana ka bërë një punë të madhe për shuarjen e lëvizjeve kryengritëse të shqiptarëve kundër kësaj perandorie. Në një letër që i dërgon kadiut të Filatit, në emër të Padishahut, Shën Kozmai, një prej atyre që ka punuar me shumë zell në këtë drejtim, shkruan: “Unë, imzot, si i krishterë i padenjë dhe shërbëtor i sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t’u mbushur mendjen të krishterëve, të ruajnë besën e Zotit dhe t’u binden urdhrave të Sulltanit, siç kam porosi edhe prej Patrikut e prej të parëve të Kishës”.  Ai shkruante: “Pushteti turk është më i mirë se çdo pushtet tjetër. Turqit na lanë të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na lanë tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë francezët e as venecianët. Prandaj Zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha turqve, për të mirën tonë”.

Në të vërtetë, dekada më pas, ndjekja e shqiptarëve prej trojeve shekullore ishte e tmerrshme. Në vitin 1611, peshkopi grek, Maksimi i Peleponezit, mallkoi kryengritësit shqiptarë nga Paramithia, dhe kreun e tyre, Dionisin, për faktin se guxuan të ngrenë krye kundër pashait të Janinës. Të njëjtin veprim kreu edhe patriku i Stambollit, Grigori V, i cili e mallkoi dhe e shkishëroi kryengritjen antiosmane të shqiptarëve.

Ndihmesën osmane në favor të helenizimit, e shpreh mjaft qartë Sevasti Qiriazi: “Mund të duket e çuditshme, por është realitet që pushtimi turk, më 1453, ishte në dobi të Patrikanës greke. Mehmedi II, pushtuesi i Kostandinopojës, duke shfrytëzuar urrejtjen midis Papës dhe Patrikut, u ngazëllye prej faktit që Kishën Ortodokse të Lindjes, ta konsideronte bamirëse dhe mbrojtëse të vetën. Ai i dha Patriark Genadit gradën e pashait dhe nxori një dekret që njihte atë dhe pasuesit e tij si krerë shpirtërorë dhe civilë të të gjitha bashkësive ortodokse. Përveç grekëve, juridiksioni i tij përfshinte të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe sllavët. Me fjalë të tjera, ky dekret perandorak e shndërroi Kishën Ortodokse të Lindjes në një shtet brenda shtetit. Ai e vuri atë nën kontrollin e plotë të grekëve që banonin në Fanar. Që prej asaj kohe, forcat e kishës përdoreshin si armë politike në shërbim të Idesë së Madhe (Megaliidesë), helenizimit të kombeve të tjera të Ballkanit”.

Duke qenë se Patrikana e Stambollit bashkëpunoi ngushtë me krerë të Portës së Lartë, këta të fundit i krijuan mjaft lehtësi, me pretendimin mbi origjinën “greke” të popullsisë shqiptare. Më 26 maj 1881, zëvendës konsulli francez në Janinë, Viet, i raportonte qeverisë së tij: “Kleri i lartë ortodoks, i cili varet nga kryeqyteti osman, ka interesa të shumta, që të krishterët shqiptarë, sllavë dhe vllahë, t’i quajë grekë”. Nga njëra anë, kleri ortodoks grek përpiqej të mbante larg kryengritjeve antiosmane shqiptarët ortodoksë, nga ana tjetër, përpiqej të tërhiqte pas vetes krerët e kryengritjeve, herë pas here edhe duke i raportuar te Porta e Lartë. Ky veprim kryhej jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri.

Diplomati francez, Le Conte, nënvizonte: “Nën sundimin turk, peshkopët e emëruar nga Patrikana e Stambollit në krahinat jo greke, ishin në përgjithësi grekë, që nuk kishin asnjë dashuri për vendin ku kryenin funksionet e tyre. Gjithçka ata e prisnin nga Stambolli, shfrytëzonin së bashku me pashallarët dhe kadilerët krahinën, e cila mbetej për ta një vend i huaj dhe jetonin në marrëveshje të plotë me nëpunësit e tjerë të Portës. Me këtë nuk duam të themi, aspak, se këta peshkopë dhe gjithë fanariotët, e kursenin popullin punonjës grek, se edhe këtij, ata i rripnin lëkurën”. (Shih: Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (Dokumente arkivash franceze vëll. I 1876-1879, përgatir nga Ligor Mile, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1978; Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (Dokumente arkivash franceze vëll. II 1880-1881, përgatir nga Ligor Mile, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1986).

Për të siguruar mbështetjen e Greqisë, për sundimin e mëtejshëm mbi Shqipërinë, Porta e Lartë i dha privilegje të shumta kishës greke, për të hapur faltore ortodokse me orientim grek dhe për të përhapur gjuhën greke, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Me këto privilegje, ajo i dha shansin mbretërisë greke të justifikonte pretendimet e saj më të volitshme, përpara Europës, ndaj trojeve shqiptare, duke përzier besimin me kombësinë, nën parullën: Të krishterët janë grekë, myslimanët janë turq. Kjo u dha dorë qarqeve të caktuara greke dhe sidomos kishës ortodokse, për t’u hedhur në ofensivë, me pretendimin e të qenit grekë, të tërë ortodoksëve shqiptarë. Një sajesë e tillë ka mëse dy shekuj që mbahet gjallë dhe ushqehet dita-ditës, për t’u shndërruar në një realitet, të cilit t’i besojnë pastaj edhe vetë shqiptarët ortodoksë.

Historia, në dëm të shqiptarëve, është tjetërsuar në vite, duke iu përshtatur interesave të fqinjëve, me objektiv: paraqitjen e kombit shqiptar si një pakicë e ardhur në trojet e Ballkanit. Por, për fat, gjenden dokumente autentike që tregojnë këtë shpërdorim, me qëllim zhdukjen e kulturës fetare shqiptare. Një tjetër problem që lidhet me tendencën për helenizimin e Shqipërisë është ai i konsiderimit prej kishës dhe politikës greke, të gjithë ortodoksëve shqiptarë, në jug të vendit, si grekë. Turqit, me të ardhur në pushtet, vendosën parimin fetar si të vetmin që dallonte kombësinë. Të gjithë ata që kishin një fe, për ata ishin në të njëjtën kombësi. Ja pse të gjithë ortodoksët ata i quajtën grekë dhe të gjithë myslimanët turq, kudo që të ishin. Nacionalistët grekë e rrokën menjëherë këtë parim për ta përdorur rënien e Autoqefalisë së Ohrit dhe nëpërmjet kishës dhe patriarkëve të vet synuan, fortësisht, idenë e greqizimit të të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit, me devizën – të gjithë ortodoksët të quheshin grekë, ashtu siç thoshin turqit. Shkatërrimi i Mitropolisë së Ohrit dhe arkivave të saj ishte një gjëmë kombëtare për shqiptarët, sepse i hoqi të gjitha barrierat e mundshme fetare dhe historike ndaj furisë së lëvizjeve helenizuese. Shqipërisë së zhveshur nga tradita e një kishe autoqefale – për aq sa qe e mundur deri në ata shekuj – dhe dorëshkrimet e kësaj tradite, i mbeti për të mbrojtur vetëm Shpirti i kombit

Kavtanzoglu: Të mbajmë nën kontroll gjendjen në Shqipëri

Në mënyrë të veçantë, ashpërsia e këtij procesi është vërejtur gjatë helenizimit të Epirit, ku bën pjesë edhe Çamëria. Kjo u bë masive pas vitit 1912, me shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve myslimanë drejt Turqisë. Jani Vreto, në ato vite të vështira, thoshte se, “po të vazhdojnë grekët të ngrenë pretendimet e njohura territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekëve dhe që kanë kontribuar jo më pak se grekët, në themelimin e mbretërisë greke”. Ndërsa Fan Noli, duke parë qëndrimin armiqësor të fqinjëve, për lirinë e të cilëve shqiptarët kanë dhënë kontribute të çmuara, thoshte: “Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona, janë armiqtë tanë më të këqij”.

Qeveria greke kishte mbështetjen e vazhdueshme të Rusisë dhe Francës, ndërsa në krah të shqiptarëve nuk ishte asnjë fuqi e madhe europiane. Perandoria Osmane kishte perënduar, ndërsa Austria dhe Italia, të cilave u cënoheshin interesat e tyre, ishin në konflikt me njëra-tjetrën.

Në kohën kur kryengritjen antiosmane të viteve 1910 – 1912 u shpeshtuan dhe morën karakter kombëtar, Athina e rriti kujdesin ndaj ngjarjeve dhe punoi për të shmangur pavarësinë e Shqipërisë. Politikani i lartë grek, Kavtanzoglu, më 26 tetor 1911, i shkruante ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Jani Gripari, për masat që duhej të merreshin për të kontrolluar gjendjen në Shqipëri. Ishte koha kur u tentua të nënshkruhej një marrëveshje me Faik Bej Konicën, i cili, sipas Kavtanzoglu, duke besuar se luftohej ndershmërisht kundër një armiku të përbashkët, merrte përsipër të nënshkruante marrëveshjen, ta shumëfishonte atë tipografisht dhe të shpërndante falas fletushkën, ku do të evidentohej marrëveshja e pakushtëzuar midis Greqisë dhe Shqipërisë; të vepronte nëpërmjet miqve të tij dhe të propagandonte te batalionet shqiptare, që ato të mos pranonin të luftonin kundër Greqisë. Aty behej fjalë dhe për shpenzimet, duke caktuar shifra konkrete që nevojiteshin për të korruptuar njerëz brenda territorit shqiptar.

Më 22 shkurt të vitit 1912, në një letër të firmosur nga Koromilla, drejtuar Ministrisë së Jashtme dhe Drejtorisë së Përgjithshme Greke, për problemet politike, thuhej se lartëmadhëria e tij, Mbreti i Greqisë, me kënaqësi e pranon frakën e simpatisë së shqiptarëve për të, dhe se qeveria e tij dëshiron me të vërtetë dhe ndërgjegje të lartë bashkëpunimin, mbi bazën e njohjes së kombësisë shqiptare. Por nisur nga zhvillimet e përgjithshme në gadishullin e Ballkanit, nuk ekziston preteksti për formimin e shtetit shqiptar, sipas dokumentit të hartuar për bashkimin e dy vendeve, sepse këto veprime vazhdimisht konsiderohen të parakohëshme dhe tronditin themelet e paqes. Për momentin, kombësia shqiptare duhet të qëndrojë asnjanëse dhe të jetë kurdoherë konkrete dhe e ndërgjegjshme, që ky ndryshim mund të krijojë shumë probleme.

Sipas tyre, rreziku që u kanosej shqiptarëve të shkëputur nga Perandoria Osmane, ishte i madh, sepse dy fuqi të mëdha fqinje e rrezikonin Shqipërinë, për ta ndarë atë nga Perandoria Otomane, dhe sipas relacionit, ajo menjëherë, dhe në mënyrë të pandreqshme, do të skllavërohej nga një zgjedhë tjetër e huaj. Pra nuk ishte rrezik Greqia, por të tjerë. Shqiptarët duhet ta kenë parasysh se zgjidhja e vjetër apo e re, nuk ka ndryshim për ta, prandaj ata nuk duhet të krijojnë asnjë shkak te më të fortët e tretë, sepse dhe ata do t’i shfrytëzojnë për të njëjtin qëllim. Tani për tani, shoqëria shqiptare, e udhëhequr me urtësi nga bajraktarët e saj dhe drejt lëvizjes, padiskutim të mrekullueshme, të zgjimit kombëtar, duhet t’i mënjanohet provokacioneve të huaja si dhe veprimit të tyre e ndërhyrjes për ta ndarë Shqipërinë nga Turqia tjetër. Energjia e shqiptarëve duhet të inkuadrohet në këto dy drejtime kryesore: a) edukimi me çdo mënyrë i ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, nëpërmjet përhapjes së arsimit; b) nën udhëheqjen e drejtuesve të kombit shqiptar të ndjekim politikën e programuar për sigurimin e të drejtave të kombësive në Turqi.

Më tej në letër thuhej se grekët janë të predispozuar të afrojnë ndihmën e tyre si fqinj dhe të afërm të shqiptarëve. Kjo duhet të bëhet e njohur te udhëheqja shqiptare, ose në analogji duhet të propagandohet te populli i pacivilizuar shqiptar, nevoja dhe interesimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me grekët. Sipas autorit të letrës, qeveria greke dëshiron të shikojë të përparuar në çdo gjë kombësinë shqiptare,  të cilën e konsideron myslimane. Sipas tyre, ka qenë idea e Faik Bej Konicës për krijimin e një shteti të ri greko-shqiptar, që do të ishte një prototip në situatën e krijuar, e pranuar kjo, dhe nën udhëheqjen e Qeverisë Greke. Në letër thuhej se, po të kishte ndonjë problem tjetër të të çmuarit në drejtim të memorandumit, ose të mbështetjes që shqiptarët mund t’i jepnin Greqisë në rast lufte kundër ndonjë sunduesi, çështja të shihej me përparësi. Ne duhet ta konsiderojmë të vlefshme maksimalisht përpjekjen e shqiptarëve për pajtim, si dhe qetësimin e situatës, thuhej në të. Natyrisht kjo do të bëhej me ndërmjetës, pasi “për ne nuk është mundur të bisedojmë me ta, për këtë dhe atë shkak të politikës sonë kundrejt Turqisë, me të cilën është e pamundur që ne të bëjmë paqe të përbashkët”. Më se fundi, thotë Koromilla, theksoj se, po të nevojiten sakrifica materiale e financiare ndaj sigurimit të bashkëpunimit me shqiptarët, qeveria greke e ka për detyrë të ndërhyjë brenda fuqive të mundshme të saj dhe kuadrit të interesave, dhe brenda këtyre sakrificave unë mundem të parashtroj mbështetje për shkollën e Elbasanit, me kushtin e mësimdhënies në të të gjuhës greke. Dhe nuk mjaftohen me kaq. Në një tjetër letër, datë 20 gusht 1912, dërguar ministrit përkatës, Kavtanzoglu lutet që të miratohen shpenzimet e nevojshme për përhapjen e propagandimin e idesë së Shqipërisë për bashkëpunimin me Greqinë. Nëse pretendimet janë të pranueshme, qeveria është plotësisht e predispozuar që të bëjë sakrifica. Ai i lutet ministrit të ndërhyjë, me qëllim që ambasada të aprovonte sa më shpejt shumën financiare për shqiptarët në Amerikë, që kanë krijuar shoqërinë Vatra dhe që kanë ndikim të fuqishëm në Shqipëri. Ambasada greke nuk duhej të vepronte në mënyrë të ngadalshme për zbatimin e planit, apo në mënyrë të pavendosur dhe të mos e vështirësojë zbatimin e programit. (Κοσμα Θεσπρωτου και Αθανασιου Ψαλιδα, Γεωγραφια Αλβανιας και Ηπειρου, εξ ανεκδοτου χειρογραφου του Κοσμα Θεσπρωτου και γεωγραφικους χαρτας του…Προλεγομενα και σημειοσεις, Αθαν. Χ. Παπαχαριση ‘Εκδοσεις “Ιωαννινα”, 1964 (Kozma Thesproti dhe Athanasiu Psalidha, Gjeografia e Shqipërisë dhe Epirit, dorëshkrim i Kozma Thesprotit me skica topografike dhe harta gjeografike. Parathënia dhe shënimet nga Athanasios H. Papaharizu, Botimet Janina, 1964, f. 3-40. Kozma Thesproti, Plotësim i përshkrimit gjeografik të bërë nga Athanasiu Psalidha për Epirin dhe Shqipërinë, Libri II (Përshkrimi gjeografik i Shqipërisë: Kufijtë), Janinë, 1964).

 Ikonomi Jerothe: Hapja e një gjimnazi në Përmet, garanci për helenizimin e jugut tëShqipërisë

Politika greke u ka kushtuar dhe vazhdon t’u kushtojë shumë rëndësi hapjes së shkollave greke dhe meshimit në greqisht. Ofensiva e tyre intensifikohet në momente të veçanta historike. Kështu, në fillim të shek. XX, kur u shtuan përpjekjet e shqiptarëve për dituri dhe autonomi, u aktivizuan gjerësisht qarqet antishqiptare të Athinës. Krahas politikanëve, edhe gazetat greke i bënin apel qeverisë helene të merrte masa të shpejta për të parandaluar krijimin e një shteti shqiptar të pavarur. Gazeta “Panellinios” shkruante se qëllimi i shqiptarëve ishte të ngrinin sa më shumë çeta, të kapnin qendrat më të rëndësishme për ta dhe të realizonin vetqeverisjen e Shqipërisë. Autori i shkrimit shqetësohej se çetat shqiptare kishin marrë nën kontroll të plotë trevat e Kolonjës, Përmetit, Beratit, Gjirokastrës e Leskovikut. Nëse ata do të liheshin të lirë, shumë shpejt do të realizonin qëllimin pasi “edhe Janina ruhej nga 700 ushtarë, një e treta e të cilëve ishin shqiptar”. Ndërsa politika zyrtare e Athinës shprehte frikën se me shpalljen e autonomisë së Shqipërisë, grekët dhe në tërësi ortodoksët që banonin në territoret që shqiptarët do t’i përfshinin në shtetin e tyre, nuk do të kishin mundësi të mësonin gjuhën greke.

Gabriel Louis-Jaray shkruante se Austro-Hungaria ishte caktuar përgjegjëse për çështjen shqiptare dhe nëpërmjet këtij misioni synonte të ruante interesat e veta në Ballkan. Ajo i trembej shpërbërjes së Perandorisë Osmane për shkak të rrezikut të shthurjes së perandorisë dualiste, ndaj synonte që otomanëve t’u zgjatej jeta, ndonëse kjo taktikë nuk rezultoi e favorshme për shqiptarët. Rusia mbronte me këmbëngulje popullsinë ortodokse dhe përpiqej të ndihmonte në zgjerimin e trojeve sllave, pavarësisht nga pasojat që binin mbi popullsinë shqiptare. Franca nga ana e vet ruante aleancën me Rusinë, por shprehej pro autonomisë së shqiptarëve në një territor të kufizuar, duke kundërshtuar zgjerimin e Italisë, edhe pse marrëdhëniet diplomatike midis tyre ishin të mira. Ndërkohë shqiptarët vuanin varfërinë dhe tmerrin e luftës, pasi ushtritë e vendeve fqinje kishin pushtuar tërë trojet e tyre. (Gabriel Louis-Jaray, Au jenne Royaume d’ Albanie, (Ce qu’il a été = Ce qu’il est), (Chapitre IX, Conclusion l’Albanie Autonome et l’Europe), Paris: Hachette et Cie, 1914, page, 191-244).

Në kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha kishin marrë për herë të dytë bisturinë në dorë për të “krasitur” thellë trupin e kombit shqiptar,  Ikonomi Jerothe i mitropolisë së Korçës, që kryente edhe funksionin e arqimandritit të Përmetit, i dërgoi një letër kryeministrit të Greqisë, J. Theotoqit, ku shprehte shqetësimin për hapjen e shkollave shqipe. Sipas tij, lëvizja për rritjen e numrit të shkollave shqipe në Përmet qe më e dukshme. Ai kërkonte me çdo kusht që të ngrihej një gjimnaz në Përmet, pasi në këtë mënyrë mund të shpejtohej helenizimi për katër rrethe që kufizoheshin me Përmetin, Tepelenë, Leskovik, Skrapar dhe Gjirokastër. Meqë letra ka vlerë për të kuptuar qëndrimin antishqiptar të klerikëve, të cilët emëroheshin nga Athina dhe miratoheshin nga patrikana, po e japim të plotë përmbajtjen e saj.

“Shumë i nderuar Kryetar i Këshillit të Ministrave të Greqisë! Ju drejtohem si drejtues shpirtëror në zonën e Përmetit, i cili ka një pozicion qendror mes qyteteve të asaj ane të Epirit, ku flitet gjuha shqipe, dhe ku agjentë të paguar antigrekë të Austro-Hungarisë e Italisë, kanë bërë për vete shumë muslimanë. Tani, për shkak të lirisë së mendimit dhe të tolerancës së autoriteteve, po punojnë fare hapur për arritjen e qëllimeve të tyre. Në këto kushte, Përmeti është sot i vetmi vend ku mund të mbrohen të drejtat e mëmës Greqi në Epir, në kohën kur Lëvizja Shqiptare priret të zgjerohet, për shkak të përpjekjeve të mëdha që po bën propaganda shqiptare, për të ngritur shkolla shqipe dhe institute për kujdesin ndaj të vobektëve.

Përmeti rrethohet nga katër rrethe të mëdha, të banuara nga shqipfolës: Tepelena, Skrapari, Leskoviku dhe Gjirokastra. Pra, megjithëse ka një shkollë greke me 6 klasë, Përmeti nuk mundet të mbrojë me sukses të drejtat greke dhe të realizojë misionin e tij në një rreze kaq të shtrirë. Udhëheqja e Kishës, e cila deri tani ka vigjiluar duke marrë të gjitha masat për shmangien e rreziqeve të tilla, aktualisht nuk di si të veprojë, pasi nga koha kur i paharruari Anagnostopullos nga Papingji, fali gjithë pasurinë e tij për ngritjen e një gjimnazi në ndonjë qytet të Epirit, ne kemi dërguar letra të njëpasnjëshme, e ndër to, letrën e parë ia dërguam përunjësisht qeverisë suaj të nderuar, nëpërmjet konsullit tonë në Gjirokastër. Aty shpjegonim rëndësinë e posaçme të qytetit tonë, i cili nëpërmjet ngritjes së atij gjimnazi, do ishte në gjendje t’u shërbente më së miri interesave kombëtare dhe të bënte hi e pluhur veprimet e nacionalistëve shqiptarë.

Letrën e dytë ia nisëm Patrikanës së Shenjtë, së cilës iu bashkëngjit një telegram, i nënshkruar edhe nga muslimanët. Këtë telegram ia përcollëm edhe qeverisë suaj të nderuar… Ju lutemi, i nderuar z. Kryetar i Këshillit të Ministrave, bëni ç’është e mundur, që ky gjimnaz të ngrihet në Përmet dhe jo në Konicë. Kjo e fundit banohet nga grekofonë dhe ka afër qytetin e Janinës, ku mund të dërgohen të rinjtë që të studiojnë. Prandaj, i nderuar z. Kryeministër, thirrini urtësisë suaj politike dhe bëni që nëpërmjet gjimnazit “Anagnostopullos”, apo ndonjë shkolle tjetër, të fuqizohet qyteti i Përmetit, i cili nëpërmjet arsimit, mund të kthehet në bastionin dhe në fanarin e helenizmit”.(V. Kondis: Elenizmos tou Voreiou Epeiroi kai elleno-alvanikes scheseis, vëll. I, Athinë 1995, f.143-144).

Jemi armiq të vetvetes

Greqia nuk ka hequr dorë për asnjë çast nga “Vorio-Epiri”. Nëse në Kongresin e Berlinit, u tha se Greqisë iu bë nder i madh duke i dhënë Prevezën, tërësisht shqiptare, nuk mund të miratohej dhënia e Janinës, kryeqendra e Shqipërisë së Jugut. Por Athina nuk u ndal. Punoi për helenizimin dhe atë e realizoi pas 25 vitesh, në Konferencën e Londrës. Aty kërkoi tërë “Vorio-Epirin”, por nuk iu dha. E përsëriti kërkesën në Konferencën e Paqes së Versajës në Paris, më 1919, dhe sërish në Konferencën e Paqes së vitit 1946, po në Paris. Dhe vazhdon ta kërkoj edhe sot. Helenizimi i jugut të Shqipërisë nuk po ndalet, madje ka përparuar në një masë të tillë, sa habitet dhe vet politika e Athinës. Janë hapur një numër i madh shkollash, nëpërmjet të cilave përcillet te fëmijët shqiptarë kultura greke, kultivohet ndërgjegja kombëtare greke, dhe mbi të gjitha zbehja e atdhedashurisë. Programet e këtyre shkollave, sipas burimeve nga institucione përgjegjëse, janë tërësisht të pakontrolluara.  Klerikët e përzgjedhur nga kisha ortodokse greke vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Shteti vetëm hesht. Varrezat  e ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, 1940-1941, kanë ravijëzuar vijën Venizellos. Politika shqiptare është pajtuar me çdo hap të hedhur nga politika e Athinës.

Mithat Frashëri, në një artikull të botuar në revistën “Diturija”, nr. 2, korrik 1916, thotë se armiqtë e Shqipërisë, dëmin më të madh na e bëjnë duke përdorur shqiptarët për interes të tyre. Pra “të ligën më të madhe e sjellim vet, duke u bërë vegla e të huajve, e atyre armiqve që na kanë pështjellë si një rreth prej flake”. Më tej ai thotë se nuk është mirë që njeriu të shaj veten e vet, por në këtë rast është fjala për qortim, të hapim sytë dhe të shohim më mirë për t’u shëruar nga kjo sëmundje e rrezikshme. Sipas Mithat Frashërit, tendenca për të gjetur një mik, që të na marrë nën mbrojtje, nuk është dhe aq shpresdhënëse, pasi po nuk deshe veten, nuk ka si të dojë dhe të ndihmojë tjetri. Po të bëhemi të zot e të bashkuar, edhe armiku detyrohet të na respektojë, në të kundërt, ai tenton të zhvasë sa më shumë prej teje. Ajo që thotë Mithat Frashëri 102 vjet më parë, ndodh edhe sot. Qortimet e tij vlejnë në ditët tona për të gjithë ne. Ja çfarë shkruan ai: “Mos rrini si Buda të kënaqur prej kotësisë dhe mefshtësisë suaj; mos u madhështoni pse krihni leshrat dhe dini të vishni kollaro të zbardhura me niseshte. Hyni në prekje me popullin, njihni dhe studioni shpirtin e tij, ndritoni dhe ndihni mendjen e tij. Mos i flisni fjalë të kota, mos i epni mendime të dëmshëm, mos e bëni gjendjen e gjorë më enarshike dhe më të egër nga ç’është. Po shikoni ta zbutni, t’i epni ndjenja njerëzore, parime dhe virtyte shoqërore, ta bëni të butë dhe të mirë, të mëshirshme dhe të dashur”. Mësoheni popullin të shmangi cmirën dhe egoizmin, sedrën e rreme dhe inatin e tij; bëjeni që të dhurojë, të fal, të dojë dhe të mëshirojë; të shkoj me shokun dhe me vëllanë. Me një fjalë të bëhet miku dhe dashamiri i Kombit e i truallit, dhe jo armiku i tij”. (Revista Dituria, nr. 2, korrik 1916, f. në: Mid’hat Frashëri (Lumos Skëndo), Vepra të zgjedhura, vëllimi i parë, përgatiti për botim Uran Butka, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2017, f. 366-368).

Vazhdon të thuhet edhe sot se jugu i Shqipërisë është dygjuhësh. Duke bërë fjalë për dygjuhësinë që flitej në Himarë, William Martin Leake, 180 vjet më parë, shkruante se greqisht flitej nga shumë njerëz, italisht nga ata që udhëtonin jashtë vendit dhe gratë flisnin vetëm gjuhën shqipe. (William Martin Leake, Travels in Northern Greece, V. 2, London: J. Rodëell Neë Bond Street, 1835, f.86-90). Pra kuptohet që gjuhët që flisnin banorët ishin gjuhë tregtare, gjuhë të cilat ua kërkonte interesi i punës, dikujt italisht për tregtinë me Italinë, të tjerëve greqisht për lidhjet me Korfuzin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kazanë e Delvinës dhe të Gjirokastrës, me përjashtim të një pakice banorësh me kombësi greke, të ngulitur aty për arsye ekonomike. Edhe sot flasin greqisht shumë shqiptarë, por a janë grek edhe ata? Varet si ndihen, – thotë politika e ditës. Dhe arrijmë deri aty, sa në Himarë të japim certifikata pronësi në gjuhën greke. Vetëm politikë nënshtrimi.

Dhe po e mbyll me dy fjalë. Në një konferencë të zhvilluar, në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ndodhëm në një tryzë me dy historianë grekë. Ne po vazhdonim të flisnim për lashtësinë e kombit shqiptar, për Athinën që dikur fliste shqip, për banimin edhe të Kretës nga shqiptarë, për heronjtë shqiptarë të Greqisë, për mite dhe këngë të moçme, për NATO e Bashkimin Europian etj. Ata vetëm dëgjonin. Pastaj, njëri prej tyre tha: Të gjitha janë të vërteta. Ju mbani mitet, mbani këngët, heronjtë, ta gëzoni dhe lashtësinë, ne nuk flasim, veç hapim krahët.

Esat Toptani, si pjesë e historisë së padeformuar – Nga Gazmend A. Bakiu

Është e rëndësishme të dimë të vërtetën mbi ngjarjet dhe personalitetet e historisë sonë, sepse sidomos në këto kohë të trazuara, kjo na shërben. Matematikani francez, Pierre-Simon Laplace pohonte: “Nëse njohim saktë të kaluarën dhe të tashmen, mund të parashikojmë të ardhmen. Mirëpo nëse kemi një përfytyrim të gabuar apo të rremë të së shkuarës, do të jemi të paqartë për të tashmen dhe të turbullt për atë që do të ndodhë në të nesërmen. Në këtë kuptim, ndriçimi i ngjarjeve dhe i personazheve kryesore që lidhen me historinë e shtetit shqiptar merr një rëndësi të dorës së parë.

Gënjeshtrat e mëdha
Veç vështirësive të natyrshme që ka studimi dhe interpretimi i historisë, problemi është komplikuar, sepse regjimi komunist e deformoi keqazi të shkuarën tonë, duke e vënë në shërbim të pushtetit të vet. Për këtë qëllim përgatiti propaganduesit e tij, të cilët s’kanë ndër mend të heqin dorë nga zanati i tyre. Për periudhën 1912-1939, katër ishin gënjeshtrat e mëdha të regjimit të vjetër:

1. Haxhi Qamili kishte qenë hero.

2. Ahmet Zogu kishte shitur apo dhuruar Shën Naumin.
3. Në vitin 1924 kishte ndodhur revolucion demokratiko-borgjez.
4. Esat Toptani ishte tradhtar.

Le t’i cekim çështjet shkurtimisht me radhë. “Heroizmi” i Haxhi Qamilit dhe dumbabistëve, i artikuluar me porosi të vetë diktatorit ra shpejt, pas vitit ’90. Çështja e Shën Naumit, e paraqitur nga historiografët e regjimit të vjetër, herë si shitje dhe herë si dhurim, është tashmë e argumentuar katërcipërisht, që s’ka qenë e tillë. Në qershorin e vitit 1924, minoranca parlamentare mori pushtetin me dhunë dhe qeverisi 6 muaj pa parlament, në kushtet e një grushti shteti. Vetëm të palëçiturit dhe të indoktrinuarit vazhdojnë avazin e tyre, ndërsa këto tri çështje janë prej kohe krejt të qarta. Mbetej tashmë problemi më i koklavitur dhe intrigues, ai i Esat Toptanit.

Problemi i Esatit

Vështirësia për të zbardhur të vërtetën për të ishte e madhe, sepse:
1. Për gati 100 vjet nuk ishin bërë përpjekje sa ç’duhej për ndriçimin e figurës së pashait. Libri i Tahir Kolgjinit “Esat pasha patriot apo tradhtar” dhe ndonjë tjetër ishin të pamjaftueshëm dhe jo mbushamendës.
2. Përgojimi apo damkosja e Esatit kishin filluar më herët se vrasja e tij, si pasojë e luftës politike të kohës kur ai zhvilloi aktivitetin.
3. Shumë periodikë, arkiva e dokumente me rëndësi, që mund të hidhnin dritë mbi çështjen ndodhen jashtë vendit dhe në disa gjuhë të huaja.
4. Duhej një përpjekje e fuqishme nga një studiues mendjehapur dhe pa paragjykime.
Më në fund ndodhi që dy vite e gjysmë më parë patëm një zhvillim të ri, të mirëpritur. Gazetari Ilir Ikonomi, pas 4 vjet pune, me botimin e librit “Esat Toptani, njeriu, lufta, pushteti” arriti të ndriçojë në tërësi dhe me paanësi gjeneralin Toptani. Për këtë libër pata botuar një artikull kritik në “Gazetën Shqiptare”, datë 10.12.2016, ku përshëndesja arritjet e mëdha dhe parashtroja mundësitë për më tej. Por, çfarë na rezulton?!
Rezulton se Esat Toptani e ka ushtruar aktivitetin e tij politik në kushte tejet të vështira, pak të imagjinueshme sot, pas 100 e kusur vitesh dhe nuk ka kryer asnjë tradhti. Ndërkohë nuk kam lexuar asnjë kritikë apo replikë ndaj librit të Ikonomit, nga historiografët e shkuar, që mëtojnë të kundërtën. Në fakt pati një, por s’vlen të përmendet.
Natyrshëm, lind pyetja: Përse gjithë ky mllef ndaj Esatit?! Siç nënvizova më lart, problemi ka qenë i komplikuar dhe shkon përtej gënjeshtrave që u thanë pas vitit 1945. Le t’i marrim me radhë ngjarjet në një analizë të shkurtër.

Lufta e Shkodrës

Esati nuk mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Kësisoj, ai nuk mori aureolën e firmëtarit të pavarësisë, por zgjodhi të luftojë e të mbrojë Shkodrën nga malazezët dhe serbët. Lufta në qytetin verior ka qenë lufta më e madhe që është bërë në trojet tona që nga viti 1912 e këtej dhe Shkodra i mbeti Shqipërisë, pikërisht në sajë të saj dhe të presionit austro-hungarez. Kujtoj që edhe në Janinë u bë luftë e ashpër me forcat greke, qyteti u dorëzua më 6 mars 1913 dhe i mbeti Greqisë, por komandanti i Janinës nuk u quajt asnjëherë tradhtar. Ndërsa, Esati që luftoi thuajse 7 muaj, në një rezistencë ekstreme, siç kanë dëshmuar Gino Berri dhe Hortense von Zambaur, në ditarët e tyre (“L’Assedio di Scutari” dhe “Die belagerung von Scutari”), për popullsinë që vdiste nga uria, kur ushtria nuk kishte më as municion dhe as me ç’të ushqehej, na quhet nga të indoktrinuarit, tradhtar që shiti Shkodrën. Shkodrën që i mbeti Shqipërisë.
Në fakt, Toptani u prit me nderime në Vlorë në korrik 1913 dhe mori postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit. Mos vallë, Ismail beu kishte pranuar në qeveri një tradhtar?! Ky është një absurditet logjik. E vërteta është ajo që ka shkruar Mihal Grameno, më 1925, në librin e tij të mbramë “Kryengritja shqiptare”: “Evropa mbeti e habitur,.. me guximin e trimërinë e Esat pashës (f.148).

Rivaliteti Esat pashë-Ismail bej

Në qeverinë e Vlorës u shfaq hapur rivaliteti mes Toptanit dhe Ismail Qemalit, me zakonin shqiptar se kush do të ishte i pari i vendit. Ne nuk duhet të biem pre e emocioneve pro njërit dhe kundër tjetrit, me këndvështrim paragjykues, të përciptë e bardhezi, aq më tepër që sipas Brancaçio-s, kundërshtarët bënë paqe më 1918 dhe Toptani i lidhi një pension mujor Ismail beut, që ndodhej në vështirësi ekonomike. Gjithsesi, rivalitetin për kohën që po bëjmë fjalë e fitoi Esati, që shkoi në krye të delegacionit në Newvied për dhënien e kurorës, më 22 shkurt 1914, te princi gjerman, që na caktuan Fuqitë e Mëdha. Në qeverinë e Turhan pashë Përmetit, që u formua në mars 1914, Esati ishte ministër i Brendshëm dhe i Luftës.
Wied-i, rebelët, serbët dhe Antanta
Princi i mirë Wied nuk e njihte realitetin shqiptar, legatat austriake dhe italiane ishin të përfshira në një rivalitet për dominimin e principatës së saponjohur, ndërsa princesha Sophie ishte fort aktive në punët që i takonin të shoqit. E pikërisht në këtë situatë të trazuar shfaqet kryengritja e rebelëve, e nxitur siç na ka rrëfyer Gabriel Louis Jeray te libri i tij “Au jeune Royaume d’Albanie”, nga agjentë turq, por pse jo edhe nga serbë e grekë. Në situatën kur koloneli holandez Sluys nuk zbatoi një urdhër të tij, Esati dha dorëheqjen te princi, i cili nuk ia pranoi. Por dy ditë më pas, më 19 maj 1914, intrigat e huaja kishin bërë të vetën dhe Esatin e etiketuar si filoitalian, e arrestuan dhe e përzunë jashtë vendit. Asnjë provë nuk u gjet për implikimin e tij me rebelët, asnjë tradhti ndaj shtetit nuk ishte kryer, (lexoni Armstrong-un -sekretarin e Wied-it) ndërkohë që princi humbi kësisoj njeriun e vetëm të aftë, i cili mund të shtypte kryengritjen dumbabiste që në fillimet e saj.
Nën presionin e rebelëve dhe i mbetur pa përkrahjen e Fuqive të Mëdha që e fronëzuan, princi Wied u largua nga Shqipëria më 3 shtator 1914. Pikërisht në rrethanat që princi nuk qëndroi dot, mes kaosit, Esati u kthye në Durrësin e rrethuar, duke u rezistuar për muaj të tërë rebelëve. Ndryshe nga të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë që ishin pro Austro-Hungarisë, ai pati largpamësinë të rreshtohej pro Antantës, pasi ajo sipas tij do ta fitonte luftën botërore që tashmë kishte filluar; vendi nuk duhej të bëhej palë me humbësit, sepse kjo do të sillte së paku humbje të tjera nga territori që i ishte lënë Shqipërisë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Për pragmatizëm politik dhe për pasojë të aleancës me Antantën, Esati bëri aleancë me serbët, armiqtë historikë, të cilët i shfrytëzoi për të shtypur rebelët, dhe ashtu ndodhi. Forcat serbe i thyen rebelët në Qukës, në qershor 1915 dhe pastaj Esati i kapi një e nga një krerët e tyre dhe ata u varën, pas një procesi të rregullt gjyqësor. Më pas, aleancën me Antantën e respektoi duke ndihmuar të largoheshin forcat e mundura serbe nga Durrësi, në janar 1916, por do të etiketohej nga kundërshtarët e tij si proserb, proitalian etj. Nga ana tjetër, konfliktualiteti i tij me thuajse të gjithë politikanët e rëndësishëm të kohës do të bënte të vetën, dyshimet dhe opinioni negativ (madje demonizimi) ndaj tij do të ishin në ngritje.

Promemoria
dhe memorandumi
Përgjatë Luftës së I botërore, si asnjë shqiptar tjetër, Esat Toptani u prit me nderime në Romë, Paris dhe Londër duke marrë dekoratat, që askush nuk i mori edhe më vonë. Kur mbaroi lufta, Esati paraqiti promemorjen te presidenti amerikan Wilson dhe memorandumin e 16 prillit 1919 drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, të cilat nuk janë përfillur nga historiografia shqiptare, por që mund t’i lexoni tek libri i Ikonomit. Aty nuk kërkohet as fare më pak se Shqipëria londineze dhe asnjë cedim mbi territoret shqiptare nuk ka. Këto dokumente të mbrame hedhin poshtë çdo akuzë që i bëhet.

Vrasja e pashait

Por kanceleritë perëndimore ishin mërzitur nga kërkesat e Toptanit, si njeriu që kishte qenë pro Antantës. Nga ana tjetër, Kongresi i Lushnjës e kishte lënë Esatin jashtë tortës së pushtetit, gjë me të cilën ai nuk mund të pajtohej, prandaj kishte filluar kryengritja esadiste, që mund të rrëzonte qeverinë. Autoritetet e Tiranës dërguan një delegacion në Paris për bisedime me Esatin, por ndërkohë i përgatitën një atentat. Paratë që iu gjetën vrasësit dhe investigimi i Kastriot Dervishit në librin “Plumba politikës” për porositjen janë indicie të qarta (K. Dervishi, Plumba politikës, Tiranë, 2009, f.46).
Vrasja u krye më 13 qershor 1920. Ky ishte një gabim i rëndë i klasës së re politike të vendit, e cila mendoi të zgjidhte problemet politike përmes kobures. Habia e madhe ishte se gjyqi ndaj Rustemit përfundoi pa e dënuar dhe duke e liruar këtë të fundit nga burgu. Kjo të çon në deduksionin se shërbimet e huaja ishin të përfshira në këtë aferë dhe Fuqive të Mëdha u interesonte eliminimi i pashait. Por marrëzi e madhe është se akoma edhe sot “i kërkojnë hesap” Esatit se ku është varrosur, ndërkohë që kjo “ngjarje” ka historinë e vet.
Pas 1920-s ndodhi që killeri u fut në politikë dhe organizoi një atentat tjetër, por përfundoi vetë i vrarë. Deri në pushtimin italian, Rustemi ishte krejt i harruar, por për regjimet diktatoriale vrasësit janë heronj dhe kësisoj, edhe sot për të kemi një shesh, që e pagëzuan fashistët me një bust që e bënë komunistët. Uroj që “heroi” të mos jetë akoma frymëzim për kokat e nxehta shqiptare.

Konkluzion

Sipas dokumenteve dhe një analize logjike, të gjitha kolonat e rreme të gjoja tradhtisë kanë rënë. A nuk na kishte thënë Atë Zef Plumi te libri i tij “Rrno për me tregue”, ndërsa studionte letërkëmbimin e Esatit me Atë Pal Dodajn, në arkivin e françeskanëve se pashai “aty dilte në një dritë tjetër”?! (Rrno me tregue, Tiranë, 2006, f.42) Esati veproi në një kohë dhe terren të rrëpirtë, shumë të vështirë, kur thureshin intriga të panumërta nga italianët, austriakët, francezët, serbët, rebelët etj., në një periudhë kur shqiptarët akoma nuk kishin formësuar si popull, një ndërgjegje të qartë kombëtare.

Toptani ishte një ushtarak i aftë dhe një politikan pragmatist; ai parashikoi dhe kërkoi që Tirana të ishte kryeqytet që në vitin 1914. Duke qenë fort i fuqishëm prodhoi gjithandej armiq, por kjo ka qenë edhe pasojë e karakterit të tij. Siç thoshte Mustafa Kruja: Abdi beu (Toptani) ishte i dashtun, ndërsa Esati ishte i drashtun dmth., e kishin frikë. Mendoj se në gjykimin ndaj tij, të anshëm dhe pexhorativ, rol ka pasur se ai vinte nga një familje e madhe, e pasur, tiranase.

Esat pashë Toptani pa dyshim nuk ishte as tradhtar, as hero dhe ne duhet të lemë pas për këdo, etiketimet komunisto-folklorike. Toptani ishte një politikan i rëndësishëm, që ka kontributin e tij në historinë e shtetit shqiptar. Tashmë, ai është pjesë e një historie të padeformuar, por çlirimi i mendjeve nga të paqenat që janë thënë për të (dhe jo vetëm për të), do të jetë një proces i gjatë.

Qëndrimi europarlamentar grek i 1989-s për Kosovën, parathënie e raporteve greko-serbe të 1999-s

Albert Hitoaliaj

U bënë njëzet vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe realitetit ballkanik i është shtuar në mënyrë të pandryshueshme, ekzistenca e shtetit të dytë shqiptar. Në këtë material, si kujtesë e homazh i atyre kohëve të vështira, po sillet një diskutim i zhvilluar në Parlamentin Europian, në vitin 1989, 30 vjet të shkuara, lidhur me situatën në Jugosllavi dhe gjendjen e rëndë në Kosovë. Materiali është pjesë e botimit: “Sitting of Thursday, 13 April 1989, Debate on topical and urgent subjects of major importance”. Në: Official Journal of the European Communities, No 2-377, Debates of the European Parliament. 1989-90 Session, Report of proceedings, from 10 to 14 April 1989. Europe House, Strasbourg: (1989: 282-283). Ai ofron pikëshikimet e eurodeputetëve gjermanë, të një belgu e të një greku. Ndërsa të gjithë përmendin problemin djegës të Kosovës, përfaqësuesi grek i “qan” hallin minoritetit serb në Kosovë dhe atij grek në Shqipëri(!). Koha tregoi që ai nuk ishte qëndrimi i thjeshtë i një deputeti, por orientim strategjik i shtetit grek, që kishte lidhje me Shqipërinë dhe me Serbinë.
Procesi i lindjes së shtetit të Kosovës i kushtoi kombit shqiptar mijëra të vdekur, të plagosur e të gjymtuar, të përdhunuar e të linçuar, të zhdukur pa nam e nishan që akoma nuk dihet se ku u kanë përfunduar eshtrat. Por, Kosova lindi. Ajo pa dritën e lirisë. Një liri e pritur me shekuj. Një liri e paguar me durim, gjak dhe e fituar vetën në sajë të rezistencës unike shqiptare, – unike ashtu siç e ka treguar historia e tre mijë viteve të fundit.

Edhe pse shqiptarët ishin ndër të parët dhe më rezistuesit, që ngritën krye në Perandorinë Osmane, ata ishin të fundit në tragjedinë e tyre, që u quajt “Shqipëri londineze”: gjysma e trojeve dhe e popullsisë mbeti jashtë këtij shteti. I pashlyeshëm është kontributi i shqiptarëve në luftën antiosmane që u quajt “Revolucioni Grek”; i pashlyeshëm është roli i tyre në krijimin e shtetit të ri grek me kufij deri në Artë, e mandej në të gjitha etapat e zgjerimit të atyre kufijve, deri në 1913; i pashlyeshëm është kontributi i tyre, në të gjithë zhvillimin e Greqisë. Arbrit e Greqisë dhanë gjakun, djersën, mendjen e zemrën e tyre për shtetin e kombin grek. Ata i dhanë shpirtin e tyre, shpirtit të Greqisë. U tretën si kripa në ujë dhe u konsideruan thjesht “vëllezër” ortodoksë që flisnin një dialekt tjetër. Jo gjuhë shqipe, por një “dialekt” tjetër të vjetër, – që kuptohej vetëm nga shqiptarët ama. Nuk pati universitete në gluhën e tyre arbërishte; nuk pati tabela e tekste dygjuhëshe për kombin kryesor të Greqisë (meqë nuk quhen minoritarë); nuk pati katedra apo institute të kulturës popullore, që të studionin vallet dhe këngët e tyre heroike e idilike, edhe pse ato u përkthyen dhe u futën në fondin e kulturës “greke”; nuk pati ndonjë shenjë mirënjohjeje, qoftë sa për sy e faqe ndaj tyre, as për fustanellën shqiptare që Mbreti Oto e bëri kostum kombëtar të Greqisë; nuk pati, e çfarë nuk pati… Asgjë! Shihni arbëreshët e Italisë se kush janë dhe shihni arbrit e Greqisë, apo arvanitët: njëra palë me flamujt e kuq me shkabë dykrenore kastriotase, në Pashkën ortodokse të ritit bizantin, e pala tjetër, – me mbiemra që një “dreq” e di se përse ua kuptojmë vetëm ne shqiptarët(!), – që jo vetëm shenjë flamuri nuk ka, por kujton se shqiptarët janë komb tjetër e i ndryshëm prej tyre. Arbëresh dhe arvanitas – kaq mjafton për të parë së ç’fuqi ka asimilimi i organizuar shtetëror.

Ky krahasim kaq minimal, për një problem shumë të gjerë që ka lidhje me vendin e popullsisë shqiptare në historinë ballkanike dhe në politikën e gadishullit, vlen të sillet ndër mend tash, meqë si kusht nga Greqia, për çeljen e negociatave me BE, na është vënë në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme, respektimi i të drejtave të minoritetit grek. Se kur nuk janë respektuar të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, i cili ka atdhe po atë Greqi që nuk njeh minoritete, këtë nuk mund ta thotë askush. Së paku, për të qenë “lokomotivë” e integrimit evropian ballkanik, siç pretendon, Greqia mund të jepte një shembull fqinjësie të mirë me shqiptarët, duke njohur shtetin e Kosovës. Kjo nuk ndodh dhe me ç’na mëson diplomacia kësaj ane, kjo nuk do të ndodhë pa u paguar, pa u blerë shtrenjtë nga shqiptarët. Për të kuptuar atë diskutim të vitit 1989 në Parlamentin Europian duhet shtjelluar gjerësia e strategjive shtetërore greke e serbe, në bashkëpunim me fuqi të tjera, si Rusia, dhe pse jo, edhe me botën e krimit. Po sjell veç disa dromca të tilla.

 

Pse kjo mosnjohje greke për Kosovën?
Në raport me shqiptarët, në Ballkan grekët kanë vetëm një frikë: bashkimin dhe fuqizimin e tyre. Ata e shohin elementin shqiptar si kërcënim, edhe pse kurrë nuk ka pasur asnjë veprim apo strategji shqiptare kundër tyre. E kundërta, ka ndodhur! Disa përgjigje të lidhura me këtë frikë dhe me miqësinë (strategjike) greko-serbe e sjell arvanitasi Takis Michas në librin e tij: Unholy Alliance: Greece and Miloševi?’s Serbia (College Station: Texas A&M University Press, 2002). Sipas tij, me rënien e “perdes së hekurt” dhe ndarjes Lindje-Perëndim, u projektuan linja të tjera ndarjeje, të cilat i zhvillon edhe Huntington në teorinë e tij të përplasjes së qytetërimeve. Greqia e sheh veten si pjesë e linjës ortodokse Rusi-Serbi-Greqi që i kundërvihet linjës myslimane turke, përfshirë edhe Shqipërinë në të. Ashtu siç Hantington vë në dukje, Greqia ka qenë gjithnjë një “anomali”, e cila nuk ishte kurrë e aftë që të pranonte “parimet dhe traditat” e NATO-s dhe të BE-së, ndërsa “udhëheqësit e saj shpeshherë dalin nga rruga e tyre, duke devijuar nga normat e Perëndimit dhe të antagonizojnë qeveritë perëndimore”. Një shembull thelbësor i kthesës së politikës së jashtme greke, pas ndarjes së Europës sipas linjave të civilizimeve, është ai i konfliktit në ish-Jugosllavi. Sipas Hantingtonit, politika greke ishte tërësisht e ndryshme nga ajo e NATO-s dhe e partnerëve të BE-së: mbështeti në mënyrë aktive serbët, kundërshtoi idenë e NATO-s për veprime ushtarake kundër tyre dhe, theu embargon e naftës së Kombeve të Bashkuara. Ky afrim me Serbinë shoqërohet njëkohësisht edhe me një afrim me Rusinë, duke bërë që me kalimin e kohës politika grek të ketë, sipas Hunatingtonit, “një orientim të fortë ortodoks”. Megjithatë, duket se teoria e Hantingtonit nuk e shteron përgjigjen për sjelljen greke në politikën e jashtme, përderisa Maqedonia edhe pse ortodokse, nuk u favorizua në politikën e jashtme greke; nga ana tjetër lidhjet e forta greke me Muamar Kadafin apo Ushtrinë Çlirimtare të Palestinës, përsëri, e zbehin atë linjë.

Politika e jashtme greke është më gjakftohtë se sa kjo linjë që ngre Hantington, e cila mbahet si frymë shoqërore atje, por në skenën politike ajo nuk është e vetmja shtysë. Nafta e Greqisë kalonte përmes Shqipërisë duke thyer embargon dhe gjente rrugën për Serbi, që nga Shkodra. Dy të tretave të eksporteve të naftës nga Greqia, në atë kohë, Shqipëria u dha statusin “Jo të rregullta”, por ato nuk u frenuan nga Greqia. Një raport sekret i Komisionit Europian, i vitit 1995, vinte në dukje shkelje të njëpasnjëshme të sanksioneve tregtare, nga Greqia. Që nga viti ’92 e këtej në Glifadha, lagjen e pasur të Athinës, vunë bazat e tyre mafiozët serbë, të cilët ishin të lidhur me mafien ruse. Ato ishin qendrat e operacioneve financiare të mafies ruso-serbe. Një multimiliarder prej tyre ishte Vladimir “Vanja” Bokan, mik i ngushtë i Arkanit, i cili sipas raporteve franceze udhëhoqi trafikun e naftës, cigareve dhe armëve dhe u rekrutua nga shërbimet sekrete greke “për kontrabandën e naftës për llogari të Micotaqisit dhe Millosheviçit”. Qeveria greke në këmbim i dha nënshtetësi greke dhe e bëri syrin qorr për aktivitetin e tij kriminal. Sipas raporteve të ndryshme, ai përfaqësonte liderin Millosheviç përmes llogarive të shumta në Greqi (llogaritë e Vanjas kishin degëzime deri në Panama, Qipro etj.). Por, në Glifadha e kishte rezidencën edhe Milorad “Legija” Ulemek, shef i Forcave Speciale serbe, i cili urdhëroi vrasjen e ish-kryeministrit serb, Gjingjiç. Po në këtë lagje greke kanë qëndruar Damjan dhe Srdana Dudiç, fëmijët e Dragan “Fric” Dudiç, personit kyç të kartelit të drogës Sharriç, etj. Lidhjet e shumta të krimit të organizuar serb me mafien ruse dhe me shtetin grek e shtetin serb, të atyre viteve, nuk ka si të mos kenë pasur efekt te kombi shqiptar i të gjitha trojeve etnike. Ato lidhje, mbase do të zbardhen një ditë të largët a të afërt dhe do sqarojnë shumë enigma politike.

Koha e luftës së Kosovës ishte koha kur media greke i hidhte benzinë zjarrit, duke deklaruar se ushtarët turq do të vendoseshin në kufirin greko-shqiptar për të ruajtur Shqipërinë nga Greqia; se NATO po planifikonte një luftë të tretë ballkanike; se “Klintoni, kasapi ndërkombëtar kishte hapur dritën jeshile për një masakër”, etj. Fryma ishte e gjitha antiperëndimore dhe anti-NATO; audienca greke ishte një viktimë e propagandës së thellë serbe, e cila shpërndahej përmes medies greke. Ky “kasap” amerikan, për shqiptarët është një hero. Kuptohet se çfarë na ndan me grekët, në këtë pikëshikim; ashtu siç na ndan me pikëshikimin e peshkopit Sebastianos, i cili në maj 1994 bënte thirrje që të futeshin tanket greke në “Vorio Epir” dhe në tetor të po atij viti, MAVI sulmonte e vriste ushtarakët e pafajshëm shqiptarë në postën e Peshkpisë. Nga shtypi i Dioqezës së Dimitrias ata paramilitarë vrasës, u quajtën “heronj”. Për ne shqiptarët, ata janë “kasapë”. Kjo gjë na ndan e do na ndajë përjetë me të dy popujt e tjerë të Ballkanit, serbët e grekët: shtysa e akteve heroike. Kjo gjë besoj se e sqaron edhe qëndrimin e eurodeputetit grek, z. Çunis, në vitin e largët, – por jo dhe aq, – 1989.

Eurodeputeti belg, Willy Kuijpers: “Asimilimi i arvanitëve në Greqi – po aq tronditës sa edhe rasti i Kosovës”

Në vijim po jepet diskutimi i zhvilluar në Parlamentin Europian, në vitin 1989, lidhur me situatën në Jugosllavi dhe gjendjen e rëndë në Kosovë. Qëndrimi grek i atyre ditëve ishte sinjali fillestar për veprimet që u kryen më pas në ndihmë të Serbisë dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s atje.
HÄNSCH (S). – (DE): Z. President, zonja dhe zotërinj, dua të flas mbi Jugosllavinë dhe situatën në Kosovë. Ky debat nuk ka të bëjë me ofrimin e ideve të thjeshta lidhur me zgjidhjen e një problemi kompleks. Por, nëse në një shtet evropian të lidhur ngushtë politikisht, ekonomikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht me Komunitetin Europian, ashtu si Jugosllavia; nëse, në një shtet nënshkrues të Aktit Final të Helsinkit, lindin konflikte etnike dhe shtypen me forcë, atëherë duhet t’i kushtojmë vëmendje.
Për shumë vite politika e Jugosllavisë ndaj pakicave të saja etnike paraqiste një shembull për shtetet e Ballkanit. Dhe, as nuk e mendojmë se tani do të shpërthejë një luftë civile. Në këtë kontekst, meqë ra fjala, ekziston një gabim në rezolutën e përbashkët lidhur me përdorimin e ushtrisë. Por, ne jemi të shqetësuar, se reforma kushtetuese mund të çojë në një përpjekje shumë të gjerë duke i vendosur provincat autonome serbe, përfshirë edhe Kosovën, në të njëjtën linjë. Ne jemi të shqetësuar se një konflikt tjetër i dhunshëm mund të lindë në Evropë, përveç Irlandës së Veriut, vendit të baskëve dhe Armenisë. Meqenëse ne në Evropë, ndikohemi drejtpërdrejt ose indirekt nga shpërthimi i këtyre konflikteve, ne e mirëpresim ftesën e Presidentit të parlamentit jugosllav për një delegacion të parlamentit tonë për t’u informuar në vend. Këtë debat, nuk po e zhvillojmë ngaqë mbështesim shpërbërjen e Jugosllavisë.
Ne duam të ruajmë dhe forcojmë shtetin shumetnik jugosllav. Ne jemi në favor të dhënies së të drejtës së autonomisë për Kosovën. Por, nga tjetër, nuk harrojmë as që minoritetet serbe në Kosovë, duhet të mbrohen dhe nuk duhet të margjinalizohen. Ne nuk e shohim shqiptarizimin total të Kosovës si një zgjidhje për konfliktin, madje edhe më pak akoma mund të mbështesim lëvizjet separatiste. Por, shtypja me forcë e kërkesave të justifikuara për pavarësi etnike, dhe në veçanti kulturore brenda Jugosllavisë nuk çon në integrim, ashtu siç e dimë nga të gjitha përvojat tona evropiane. Kjo është arsyeja se përse bashkëjetesa paqësore midis popujve nuk mund të sigurohet në terma afatgjatë nga tanket dhe nga bajonetat, por vetëm nga mirëkuptimi i ndërsjellë, toleranca dhe lejimi të dy popujve në hapësirën jugosllave për vetëzhvillim.

KUIJPERS (ARC). – (NL): Z. President, zonja dhe zotërinj, jam i lumtur të flas këtu, në emër të popullit të vetëm ilir të Evropës, – përkatësisht popullit shqiptar, – të shpërndarë në katër shtete: Shqipëri, Jugosllavi, Greqi dhe Itali. Është vërtetë shumë e çuditshme që provinca e Kosovës, në Jugosllavi, sapo është zbuluar, pasi gjendja e popullsisë shqiptare në Itali apo në Greqi, sigurisht që nuk është më pak e dhimbshme. Tjetërsimi/asimilimi i arvanitëve në Greqi, për të cilin nuk ekziston asnjë statistikë, është relativisht po aq tronditës sa ç’është edhe rasti i Kosovës në Jugosllavi. Tani është përdorur dhuna. Sipas të drejtës kushtetuese, shqiptarët kanë pësuar diskriminim të konsiderueshëm. Ç’kemi bërë dhe ç’vlerësim praktik do të bëjmë? A do të japim bursa për shqiptarët që nuk marrin grante nga Beogradi? Isha në zonën për të cilën flasim, në Jugosllavi, dhe dëgjova se diplomatë të ndryshëm tregonin se me mbështetjen e SHBA-së dhe me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik, po ndërtohej një Serbi e fortë, një Serbi që synohet të formojë një digë Perëndimore kundër botës komuniste. Kjo është një teori. Nuk mund ta provojmë kurrë këtë si e bardha mbi të zezë [shënim A. H. : të dokumentojmë]. Hapja e këtyre dokumenteve mund të jetë e mundur pas 100 vjetësh, por jo për momentin. Nacionalizmi serb, nacionalizmi shtetëror është duke u mbështetur në këtë mënyrë, nga Komuniteti Europian. I kemi dhënë Jugosllavisë kredi, vit pas viti, jo vetëm për lidhjet rrugore me Greqinë, por edhe për promovimin e mundësive të eksportit të Jugosllavisë. Kjo është gjë e mirë në vetvete, por ne duhet t’i vëmë kushte. Është kryer dhunë kushtetuese në Kosovë. Thjesht, le të mos përbuzim ata që kanë vdekur dhe tanket që janë atje, por gjithashtu të ndiejmë keqardhje që është ndryshuar kushtetuta, dhe, që populli i vetëm ilir i Europës, si rrjedhim, ka pësuar diskriminim. Si duhet të veprojmë? Komisioni duhet të përgjigjet me një veprim të prerë!

TZOUNIS [ÇUNIS] (EPP). – (GR): Z. President, zonja dhe zotërinj, ngjarjet në Kosovë dhe numri tragjik i të vdekurve dhe i të lënduarve dëshmojnë sërish për natyrën shpërthyese të nacionalizmit ballkanik dhe për nevojën e gjakftohtësisë dhe të maturisë, në trajtimin e tij. Eksploziv, për shkak të emocionalitetit dhe fanatizmit që e udhëheq atë, dhe gjithashtu, për shkak të atyre që u nxiten pasionet, shpeshherë nga jashtë, e që mund të sjellin destabilizim politik në rajone të tëra, për shkak të tyre apo nën ndikimin e sloganeve hipokrite. Për më tepër, ndërhyrjet johistorike, siç është ajo e parafolësit, nuk japin ndonjë ndihmë për zgjidhjen e problemit. Pra, pa marrë parasysh se si shihen ngjarjet në Kosovë, nuk mund të shpërfillim faktin se shumica shqiptare në rajon ka një përgjegjësi të madhe për shkak të shtypjes së përgjithshme që i bëhet pakicës serbe në rajonin autonom të Kosovës. Ne, nuk duhet të harrojmë se bashkëqytetarët e tyre përtej kufijve, që supozohet se veprojnë në mbështetje të së drejtave të pakicave të bashkëqytetarëve të tyre, shtypin pakicat që jetojnë brenda kufijve të tyre në mënyrën më brutale, përfshirë këtu edhe pakicën greke vorio-epirote të njohur ndërkombëtarisht, të cilëve u ndalohet madje edhe pagëzimi i fëmijëve e tyre me emrat që tregojnë besimin e tyre fetar. Nga ana tjetër, dhuna, edhe në terma afatgjatë, kurrë nuk ka zgjidhur ndonjë problem, veçanërisht ato që lindin nga ndërgjegjja kombëtare dhe kulturore e një kombi. Shembujt e Lindjes së Mesme, Armenisë, Baltikut dhe së fundi Gjeorgjisë, na kujtojnë çdo ditë se vetëm dialogu i zhvilluar në një atmosferë vetëpërmbajtjeje dhe qetësie mund të ngjallë shpresën e sjelljes së zgjidhjeve që kanë ndonjë shans qëndrueshmërie. Draft-rezoluta e propozuar për kompromis, para nesh, përmban disa “kumbulla të tharta” që EPP i përçmon. Sidoqoftë, ajo ka përparësinë e madhe të shmangies së përfshirjes në konfliktet e brendshme politike të Jugosllavisë dhe që trajton ekskluzivisht respektimin e të drejtave të njeriut dhe rivendosjen e një klime të denjë dhe qetësie, si parakusht thelbësor për çdo lloj dialogu të sinqertë. Për këtë arsye, pavarësisht nga disa rezerva, EPP do të votojë për të.

HABSBURG (EPP). – (DE): Z. President, edhe unë do të doja të flisja gjithashtu, rreth propozimit të përbashkët për një rezolutë mbi Jugosllavinë, pasi padyshim që është detyra jonë, që të paktën, të formulojmë disa parime, meqenëse në fund të fundit kemi përgjegjësi të madhe ndaj Jugosllavisë. Siç theksoi edhe z. Hänsch tanimë, ne kemi lidhje shumë të forta me atë vend dhe është mjaft e qartë, se për ne, shumë gjëra varen nga paqja dhe stabiliteti i atij vendi. Megjithatë, lejomëni të qartësoj diçka. Së pari, kjo trazirë vjen nga Serbia. Dhe, është një njeri i tillë si Millosheviçi, i cili është një diktator totalitar në të vërtetë, që ka sjellë këto gjëra. Nuk po përpiqem të them se shqiptarët janë “të bardhë borë”, por nuk duhet ta harrojmë përgjegjësinë serbe. Së dyti, ngjarjet në Jugosllavi shfaqen pikërisht si të njëjta me ato që po ndodhin në Bashkimin Sovjetik: një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes vetëvendosjes dhe aty ku vetëvendosja nuk është e mundur, vetëm përmes tolerancës më të gjerë ndaj grupeve gjuhësore të ndryshme, – refuzoj t’i quaj ato minoritete, sepse ato janë grupe gjuhësore, të cilat mund të kenë të drejtat e tyre në një sistem demokratik. Kështu që, unë mund veç ta mirëpres faktin që u ftuam të dërgojmë një delegacion të tërë për të studiuar situatën në vend. Shpresoj se kjo do të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët dhe gjithashtu, se individët që shkojnë atje, do të dinë diçka mbi vendin dhe do të përzgjidhen, për t’i vajtur në thelb çështjes.

Kolonizimi i Kosovës nga rusë, serbë dhe malazezë më 1920/30 (fotot)

Gazeta serbe “Illustrovani List” kishte publikuar më herët fotografi të kolonializimin të Kosovës me rusë dhe serbë.

FMimages.net për herë të parë sjell foto-dokumenta të kolonizimit të Kosovës , nga serbët, rusët dhe malazezët në vitin 1920. Ky proces i kolonizimit ka vazhduar deri në vitin 1940 dhe është shtrirë në shumë pjesë të Kosovës, sidomos në ato treva ku popullësia ishte 100% shqiptare.

Me ripushtimin e Kosovës, në vjeshtë të vitit 1918 dhe vendosjen e pushtetit serbo-malazez e vënien në funksion të aparatit të veçantë administrativo-politik, administrata shtetërore e ushtarake, krahas organizimit të operacioneve ndëshkimore, të dhunës, terrorit, vrasjeve, dënimeve të mëdha etj., në të njëjtën kohë filloi një presion politik për shkombëtarizimin e popullatës shqiptare me metoda të ndryshme. Qarqet drejtuese të Beogradit rifilluan politikën e vjetër shoviniste,

Pushteti menjëherë filloi organizimin administrativ në Kosovë dhe vise të tjera për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare. Regjimi i mbretit Aleksandër në vitin 1920 e ka përpiluar programin special për pastrimin e territoreve etnike shqiptare. Duke u bazuar në atë pogram, ushtria serbe dhe xhandarmëria kanë bërë krime të paparë, duke i djegur 182 fshatra shqiptare.

DOKUMENTI – Hyrja në Dibër: “Partizanët u lëshuan si bisha mbas vjedhjes”

Dokumenti që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, relatori i të cilit nuk dihet zyrtarisht, përshkruan aktet vandale të partizanëve pas marrjes së Dibrës, plaçkitjet e depove dhe zyrave shtetërore nga kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar, Abdi Golja gjatë 10 ditëve që qëndroi në krye të këtij Këshilli dhe fshehjen e vjedhjes prej 46 mijë frangash, të dhëndrit të tij, Xhavid Kaba. Raporti përmend edhe ekzekutimet pa gjyq që kryente shtabi komunist, gjatë kësaj periudhe.

Kur kapitulloi Italia, divizionet e saj në Dibër u vunë nën Komandën e Lartë Aleate të Orientit të Mesëm dhe u shoqëruan nga kapiteni anglez i forcave aleate dhe partizanët e çetës së Haxhi Lleshit, për në Burrel, e më pas në Milot, për të penguar rrugën e forcave gjermane që mund të vinin nga Shkodra në Tiranë. Në këtë kohë, siç shkruhet në një “Relacion për Veprimtarinë e Këshillit Nacional Çlirimtar të Dibrës dhe Komandës së Shtabit të batalionit të komanduar prej Haxhi Lleshit”, partizanët e grumbulluar në Dibër, u lëshuan në vjedhje dhe plaçkitje të ndjekur edhe nga popullsia e qytetit, tashmë të mbetur pa kontroll.

Më 8 shtator 1943, një ditë mbas kapitullimit të Italisë, një kapiten anglez me mision organizimi pranë çetës së Haxhi Lleshit të shoqnuem nga 25 partizanë, Esat Ndreu, N/komandant i Shtabit, Qazim Prishtina, Komisar Politik, Ahmet Jegeni, Komisar Politik dhe Sulejman Toptani, përkthyes i anglishtes, vinte nga afërsinat e Zerqanit dhe drejtohej për në kazermat e divisionit Firenze (41) ku mbas një bisedimi që pati me Gjeneral Piçini, Komandant i Fanterisë Divizionale bien dakord që njësitë e Divizionit të viheshin në komandën e divizionit të Komandës së Lartë Aleate të Orjentit të Mesëm (Afrikës Veriore). Divizioni do të ngelte i armatosur ashtu sikur ish, vetëm se armatimin dhe materialin e tepërt do ta vinin në dispozicion të fuqive partizane që sa kishin hyrë në Dibër.

Aty kah ora 19.00 e 8 shtatorit ’43, mbasi kishin mbërrit edhe forcat e dislokueme nëpër Prefekturat e N/prefekturat Rekë, Gostivar, Kërçovë dhe Tetovë, si dhe në Peshkopi me përjashtim të një batalioni fanterije me qëndrim në Strugë, Divizioni komplet me armatim, material dhe ushqim rezervë u nis për në Burrel e prej këndej do të vazhdonte rrugën e Milotit, ku aty do të zinte pozicion në fortifikatat e bame dhe donte që të pengonte rrugën e forcave gjermane që eventualisht mund të vinin nga Shkodra për në Tiranë.

Me largimin e divizionit filloi vjedhja në të gjitha anët e qytetit sidomos nëpër kazerma. Komanda e Shtabit Komunist, tue mos pasun eksperiencë nuk qe në gjendje që të rivendosë rregullin kështu që vetë partizanët u lshuen si bisha mbas vjedhjes e këto ma vonë i pasoi një sasi e madhe e popullit.

Kryetarët e çetave komuniste nuk mundën që të mbajshin depot e paprishuna e magazinat që ushtria italiane i kishte lanun mbasi nuk ishte mjete. Mbrapa lëshojti ushtarët e kuq që të vjedhshin ç’të gjejshin e me anë të mjeteve që disponojshin si automjete të sekuestrueme, e kuaj, e mushka, i dërgojshin sendet e vjedhuna nëpër shtëpitë e veta. Aty para mesnate gjithnjë në datën 8 shtator, partizanët tue dashtë me pa ma mirë materialin që kishin nëpër magazina, aksidentalisht u dhanë zjarrin disa ndërtesave, zjarr që shkaktoi plasjen e një sasie të madhe eksplozive. Më datën 9 në ndërtesën e Prefekturës së Dibrës u mblodhën disa nga parija e qyteteve dhe nëpunësve të shtetit dhe oficera të xhandarmërisë si kapiten Qazim Shllulli, kapiten Andrea Botka, Josif Gjindi, Rexhent i Kuesturës dhe Zavendës Prefekti, Muzafer Kallajxhi, Inspektor i Bujqësisë, Abdi Golja, intendent i Financës, Edip Tershana, Zv.Inspektor i Arsimit, Sulejman Baholli, etj.

Këtë mbledhje e kryesonte N Komandanti i shtabit komunist Esat Ndreu tue pas pranë dhe Komisarin politik, Njazi Islami ish ndihmës përçuesi. Në këtë mbledhje u bisedue formimi i një këshilli N.Ç; rivendosja e rregullit e qetësisë si dhe masat që duhet të merrte shtabi i partizanëve kundra sulmevet eventuale të ushtrisë gjermane. Si kryetar këshilli u zgjodh Abdi Golja, me anëtarë: Sylejman Baholli, Haki Shehin, Musa Mulla, Shaban Strazimiri, Myzafer Kallajxhi, Edip Tërshana dhe komisar politik Njazi Islami përfaqësues i shtabit komunist pranë këtij këshilli, i cili kishte faktet me imponue vendimin dhe me ndryshue.

Këshilli i kryesum prej Abdi Goles qëndroi në fuqi vetëm 10 ditë pse nuk qe kapabël me rivendosë rregullin dhe qetësinë bile vetëm kryetari i këshillit në marrëveshje me Dan Koloshin, ngarkojshin kamjona me ushqim e materjal për në Kastriot. Abdi Golja tue ditë se tregtarët e nëpunësat të drejtuem nga drejtësia e mjaftueshme, thirri nëpunsin e ngarkuem nga E.N.N.S që të dorëzonte çelësat e të përfitonte tue vue dorë mbi të gjitha sendet. Këtë deshti ta bënte për dy arsye 1) që të humbte gjurmat e vjedhjes 46000 Fr.Shq. nga ana e Xhavid Kabës, ish ushtrues i tregtores dhe dhandërr i Abdiut, që këshilli e Shtabi mos të vihesh në dijeni të sendeve ushqimore që ishte ngarkue nga Perfekti. Me kontrollue herë mbas heret gjestorin e shtabit, ia refuzoi dhanien e çelësave, kështu që këshilli dhe shtabi ranë në posedim të çelësave vetëm mbas largimit të tij. Gjatë 10 ditëve kohë, që Abdi Golja kryesonte Këshillin N.Ç., u vodhën krejt materiali e armatimet e sendet ushqimore që ndodheshin në gazermat e divizionit Italian ashtu dhe gjithë mobiliet e zyrave shtetnore e parashtetnore. Aktet e këtyne zyrave u përdorën për mbledhje sendesh nga ana e tregtarëve e kasapëve.

Abdi Golja me një bisedim që pati me oficerin anglez mujti me tërhjekë gjoja për ndihmë të këshillit që kryesonte, 40 napolona ari, një divizë ushtarake të cillën e veshi. Shumën e të hollave e përvetësoi. Abdi Golja tre-katër ditë para se të kapitullonte Italia, drejtoi dhandrin e tij, Xhavit Kabën, që të largohej nga qyteti. Xhavidi sikur thamë ma sipër, ish ushtrues i tregtores ushqimore dhe nuk i kishte dhanë ndonjëherë llogari E.N.N.S. për sende ushqimore të shituna. Procesverbalet e komplikuem nga ana e Prefekturës së Dibrës me rastin e largimit të Xhavitit ndodhen edhe sot pranë E.N.N.S. i cili ende sot nuk i ka kërkue llogari. Mbasi Komanda e partizanëve, anëtarët e Këshillit N.Ç. dhe mbarë populli nuk u kënaqën me veprat e Adi Goles, ia raportuen çështjen oficerit, i cili kërkoi që të zgjidhej një kryetar tjetër.

———————-

Kështu drejtuesat komunistë përfituan nga rasti dhe afruan plakun e urtë Sheh Latifin nga katundi Gjoricë, Dibër. Vetëm në këtë mënyrë do të mujshin me përfitue simpatinë e popullit dhe të besimtarëvet. 6 ditë pas ardhjes së partizanëve, u pa një farë partizani Temko, Svetozar Vukmanoviç Tempo, oficer komunist malazez dhe simbas partizanëve ishte Nkomandanti I Shtabit Komunist Ndërballkanik  I cili mblodhi një herë këshillin e N.Ç Shtabin e mbas një përshkrimi të luftës propozon ngritjen e flamurit maqedon në Dibër tue thënë se këtu ka minoritet maqedonas. Propozimi I Tempos përkrahet nxehtësisht nga Sulejman Baholli dhe nga një maqedonas. Pas tij flet Edip Tërshana I këshillit N.Ç I cilli kundërshtoi energjikisht ngritjen e flamurit maqedonas. Muzafer Kallajxhiu plotëson me argumente protestën e Edip Tërshanës. Bisedim zgjati më se dy orë dhe përfundon në mosngritjen e flamurit maqedonas.

Në Dibër erdhën edhe një sasi trupash komuniste malazeze të cilët morën rojën e gazermavet mbasi partizanët e Haxhi Lleshit ishin lëshue mbas vjedhjes.

Mbasi edhe sheh Latifi dha dorëheqjen shtabi komunist nuk u kënaq dhe e zëvendësoi këtë me Haki Stërmillin i njoftun për veprimtarinë e tij komuniste.

Shtabi si bashkëpunëtorë dhe me ide thjesht komuniste kishte Sulejman Bahollin, Haki Stërmillin e Musa Mullanë të cilët ishin anëtarë të këshillit N.Ç. Sulejman Baholli me gjithë Haki Shehin, dhe ky i fundit anëtar i këshillit, bajshin pjesë edhe në shtab përsa i përkiste vendimeve të dënimeve me vdekje (ekzekutimeve). Komanda partizane për me ba që i gjithë populli i Dibrës të ishte i bindur ndaj urdhrave, arrestoi tre vetë dhe i akuzoi si spiunë, mbasandej i dënoi me vdekje, por përpara se të kryhej ekzekutimi ia referoi bazës e cila kërkoi faljen e tyre, në këtë mënyrë mujti me rekrutue të gjithë të rinjtë e qytetit dhe formoi bataljonin e rinisë të cilin e nisi për Kërçovë, qytet në të cilin valonte flamuri maqedonas bri tonit. Shaban Strazimiri, major i ushtrisë së rregullt shqiptare dhe komunist me ndjenja të flakta, së bashku me Haxhiun drejtonte veprimet ushtarake dhe mbante drejtimin si Komandant i Dibrës. Haki Shehi me gjithë hajdutllëqet që kishte ba gjatë okupacionit italian mbërriti me u emërue anëtar i këshillit N.Ç. Vjedhjet e tij janë këto për të cilat ka dijeni Mustafa Shashaj, ish-inspektori i Ministrisë së Industrisë e Tregtisë gjithashtu faktet mund të rezultojnë në arshivën e Ministrisë së sipërme dhe në Komisariatin e Lartë të Nazullimeve. Hakiu me anën e kushëririt të tij, Musa Shehu, që ishte grosist I sendeve ushqimore, i sendeve të racionueme dhe I lëndës djegëse për qytetin e Dibrës, ka vjedhur 170 kv miell gruri, 40 kv oriz, 37 kv.sheqer, 40 kv vaj të ngrënshëm për veç spekullimit që bante në lëndët djegëse. Në këtë vjedhje në kurriz të popullit dyshohej të jetë implikue edhe Mustafa Shashaj, por si kur të pyetet dyshoj se do të jepte spjegim për heshtjen që banin mbas inspektimit.

Sa për luftën që plasi në Peshkopi midis nacionalistëve dhe partizanëve mund të japim hollësina më shumë midis Kryetarëve Nacionalista Dibranë, të cilët sot kanë pozita në departamentin shtetnuer dhe disa njerëz politikë me përgjegjësi.

Mbas hyrjes së gjermanëve në qytetin e Dibrës, me urdhrin e Ministrisë së Brendshme, Abdi Golja u emnue si Z.Prefekt dhe për me justifikue vjedhjen e dhendrit të tij, Xhavit Kaba, i paraqiti E.N.N.S. një dëftesë gjoja të lëshuar nga partizanët. Letra në krye mban këtë moto: Vdekja e Fashizmit Liri Popullit dhe në fund Komandanti i Bataljonit N.Ç. Haxhi Lleshi. Kjo dëftesë është e shoqnueme nga një letër përcjellë Prefekturës së Dibrës me firmën e Abdi Goles, por në ekzaminimin e firmës së Haxhi Lleshit bamë nga një nacionalist që e njef mirë firmën, rezulton të jetë krejt false për sikur sa thamë edhe më sipër Xhavidi u largua bashkë me Abdiun pa derdhë një cent në arkën e shtabit.”/Kujto.al/

Excelsior (1928) – Poligamia ndalohet zyrtarisht në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Qershor 2019

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 11 janarit 1928, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me ndalimin zyrtar të poligamisë në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Ndalimi i poligamisë në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Londër, 10 janar. – Është raportuar nga Tirana se një kod i ri penal ka hyrë në fuqi sipas modelit të kodit italian.

Që tani e tutje, poligamia do të jetë e ndaluar në të gjithë territorin shqiptar dhe abuzimet që toleronte kodi i vjetër turk në fuqi në Shqipëri, do të ndëshkohen ashpër.