Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta, Sadija, bashkëshortja e Dritëro Agollit, ka vendosur ta përkujtojë shokun e një jete, duke botuar letërkëmbimin e tyre shumëvjeçar. E ka titulluar “Dashuri në moshën e Krishtit”, duke iu referuar moshës së Dritëroit, kur ata u njohën. Në këtë përmbledhje janë përfshirë letrat që Sadija dhe Dritëroi i kanë dërguar njëri-tjetrit në vitet e para të njohjes, por edhe më vonë për të kujtuar kohë të vjetra apo për t’i thënë njëri-tjetrit gjëra që nuk i thoshin dot me fjalë.
Libri është i pajisur me një parathënie të shkruar nga vetë Sadije Agolli, përmes së cilës ajo ndan me lexuesin dhimbjen, mungesën, një vit të gjatë dhe të vështirë pa njeriun e dashur. Ajo rrëfen copëza nga përditshmëria e tyre së bashku, por edhe kujtime të hershme, që tanimë, që Dritëroi nuk jeton më, i rikthehen si një film. Janë momente të bukura dhe të vështira, të cilat jo rrallëherë, Dritëroi i kthente në vargje. E tillë ka qenë edhe një grindje e 45 viteve të shkuara.
SADIJE AGOLLI
Harmonia familjare mund të prishet edhe nga një gjë fare e vogël në dukje, nga gjaknxehtësia, nga indiferenca, nga ndonjë veprim i pamenduar. Prandaj çifti, sidomos kur nuk janë njohur mirë, duhet të kenë kujdes të përbashkët. Po kujtoj një nga ngjarjet që më shkaktoi shumë dilema për zgjedhjen time. Kjo ka ndodhur 45 vjet më parë, ngjarje të cilën e kam gjallë edhe sot që kam mbushur 75 vjeç. Jetonim në apartamentin me dy dhoma dhe një kuzhinë të vogël në pallatin karshi ndërtesës së “Zërit të Popullit”, qysh në vitin 1965 kur u martuam.
Po e përshkruaj ngjarjen siç më ka mbetur në kujtesë. Duhet të kem qenë 27 vjeç, ndërsa Dritëroi, burrë i pjekur, 38-vjeçar. Elona ishte e vogël, e dërgoja në çerdhe. Sa kisha mbetur shtatzënë me Artanin, 2-3 muajshe. Pleqtë e Dritëroit, babai Riza dhe nëna Xhexhe (Hatixhe) që jetonin me ne, nuk ishin atë ditë në shtëpi, kishin shkuar nga vëllai i Dritëroit, Tajari, për drekë.
Sapo u ktheva nga shkolla e mesme “Partizani”, ku isha mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e lodhur. Ngrihesha që në orën 4 të mëngjesit për të blerë qumështin, pasi zinim radhë. Ishin kohë të vështira për të siguruar ushqimet e ditës. Dritëroi si gazetar dhe poet ishte mësuar me një jetë të lirë prej bohemi. Erdhi i gëzuar me një shok dhe duke thirrur që sapo hapi derën e shtëpisë, m’u drejtua: -Ç’bën nusja ime e bukur, të lodhën nxënësit çamarrokë? Të kam sjellë dhe një shokun tim për drekë, se nuk kishte ku të shkonte i shkreti.
Sot jemi dhe vetëm, pa pleqtë, kështu që do të gëzohemi cazë. Verën e kam sjellë. Është verë Kallmeti, nga Shkodra, qyteti yt, që na përmend gjithnjë. Do të gëzohemi bashkë me Vangjushin (shoku i tij, Vangjush Zallëmi, gazetar te “Zëri i Popullit”). Kishin pirë disa gota konjaku në klubin e gazetarëve dhe ishin çakërrqejf e llafazanë. -Sa të shohim disa libra në dhomën tjetër, nusja ime përgatit tavolinën dhe na thërret për t’u shtruar të tre së bashku, që të gëzohemi në këtë kohë të mërzitshme. Dhoma e pritjes, siç e quanim, kishte një bibliotekë të pasur, sidomos me libra dhe revista në gjuhën ruse, me një raft me pasqyrë të madhe alla Burbone, franceze, me kolltukë të mëdhenj. Ishte dhe një akuarium me peshq të vegjël të kuq.
Unë isha aq e lodhur, sa doja vetëm të pushoja, të rrija shtrirë dhe mos të flisja. U ngrita nga krevati, shtrova tavolinën me ato ushqime që kisha përgatitur ndërsa shishet e verës i mora dhe i derdha në banje. U shtriva përsëri, pasi lajmërova Dritëroin për tavolinën e shtruar. Zhurmonin të dy, duke më lavdëruar për drekën. – Po shishet e verës ku janë? Mos u kanë dalë krahët dhe kanë fluturuar për në Shkodër ?! – bënte humor Dritëroi. Në dhomën e gjumit erdha në vete për atë që kisha bërë, por tani nuk ç’bëhej. Super lodhje nga puna, nga thashethemet për Dritëroin qejfli i pijes, që kishte disa ditë që pinte dhe binte në gjumë pasdrekeve, të tëra këto kishin bërë punën e tyre, derisa humba logjikën; isha edhe grua e re, pa përvojë.
Isha rritur në një familje kur përveç kafes, nuk pihej pije nga asnjëri. Nuk njihja zakonet e Shqipërisë jugore dhe sidomos të fshatrave. – Na nxirr verën tani, se nuk na shijon dreka e mirë që ke shtruar. Vangjushi i gjorë mezi ç’pret për të pirë gjakun e Krishtit – më fliste Dritëroi te krevati. – Unë e derdha në banje, atje i ke shishet – iu përgjigja me një farë ndrojtjeje. – Po unë i hapa shishet për të pirë verën me Vangjushin! Si mund t’i derdhësh në banje? – u nxeh Ai dhe më kapi për flokësh, duke më rënë dy shpulla të forta. Unë ngriva.
As nuk qava, as nuk bërtita, por vetëm qëndroja e ngrirë në krevat, pa lëvizur. Dritëroi mbeti në këmbë pranë meje dhe më shihte i hutuar. Vangjushin e dëgjova, që thërriti: “Ika unë Dritëro.” Dritëroi u hodh tek unë në krevat dhe më tundte, ndërsa unë kisha ngrirë, as lotë, as fjalë nuk nxirrja. Atëherë Ai u ngrit dhe u ngjit një kat më lart tek shoqja ime e shkallës, Xhina Tanini, gruaja e Niko Taninit. Me atë ndanim shpeshherë shqetësimet e jetës së përditshme. Kisha shumë vite, që nuk kisha provuar shpulla ose shkulje flokësh.
Babai ishte autoritar në shtëpinë me 10 fëmijë, por vetëm na bërtiste, na shante kur bënim prapësira, ose kur nuk shkonim në shkollë. Ai sa nevrik ishte, aq i dashur dhe fjalë të ëmbla na thoshte. Me nënën nuk e kishim dëgjuar të zihej. Mbyllej me atë në dhomë dhe i shprehte pakënaqësitë që kishte, shkarkonte lodhjen e ditës. Nënën e kisha parë të qante fshehurazi ose nxirrte rrobat tona dhe i lante në një legen të madh te rrasa e pusit. Aty me lodhjen e të larave, shkarkonte dufin e mbledhur nga ne fëmijët, nga im atë dhe nga të tjerët.
Porosia e vetme që më dha kur u martova ishte: “Mos mbaj në shpirt asgjë. Kur ke dëshpërim, nxirre jashtë, mos e mbaj brenda helmin, por përpiqu mos të shohin, se nuk arrin të shkarkohesh dhe të qetësohesh. Shko në ndonjë vend, ku të jesh vetëm me veten tënde, shaji, nxirre atë që të mundon”, – më kishte porositur ajo. Ashtu e ngrirë kujtoja vetëm nënën time, që i kishte bërë ballë jetës me 10 fëmijë. Çdo 1 vjet e gjysmë lindte mes dhimbjeve për të nxjerrë një krijesë, pale pastaj t’i mëkëmbte dhe t’i rriste; me një burrë fanatik që ia kursente fjalët e ëmbla, që punonte në shtëpi dhe në bahçe, madje gjente kohë të lirë për të mbjellë edhe lulet. Në atë gjendje më gjeti shoqja ime, Xhina, të cilën e thërriti Dritëroi.
Ajo erdhi e tronditur, se nuk kishte ndodhur asnjëherë që Dritëroi të ngjitej në apartamentin e saj. “Sadija është pak e sëmurë dhe nuk flet. Ulu, po deshe, poshtë, që ta shohësh, mos ka nevojë për ndonjë gjë – i kishte thënë”. Xhina sapo erdhi, u lëshua tek unë në krevat, më tundte, më fliste pa pushim, më përkëdhelte me fjalë dhe me duar. “Ja sa të bukura të janë bërë flokët e tua të zeza dhe kaçurrela. Fol një fjalë. Ke harruar të flasësh. Foli Xhinës tënde. Çfarë të ka ndodhur?”, më tundte ajo mbi krevatin bashkëshortor.
Ndërsa Dritëroi sillej vërdallë sa në dhomën e gjumit, sa në studio, duke marrë ndonjë libër a revistë në dorë. Atë natë, të vetmen gjatë 52 vjetëve, e kaluam të ndarë, në dy dhoma (nuk ishin pleqtë në shtëpi), pa fjalë. Këtë ngjarje ia tregova vjehrrës, Xhexhesë dhe nënës time Fatushe. Xhexheja më tha: “Edhe ti merr zjarr si pushka e jevgut”. Ndërsa nëna ime, si nënë më këshilloi: “Burri, sado i shkolluar të jetë, mbetet burrë, prandaj s’duhet t’ia prishësh, deri sa e detyron të të godasë. Ja, pse unë flas shpesh me vete. Ju shaj juve, të gjithëve. Edhe Qerimin (tim atë) e shaj. Shpërthe, asnjëherë mos mbaj në shpirt pakënaqësitë, pastro shpirtin, se vuan më shumë, e mbyll në vetvete dhe ngrin siç ke ngrirë ti.
I bën dëm edhe vetes, edhe Dritëroit që bëri gabim me ty. Kështu lehtësohesh dhe i sheh gjërat më me gjakftohtësi”, më foli ajo si filozofe, por këto leksione i kishte nxjerrë nga përvoja e jetës së gjatë me fëmijët dhe babain fanatik, dogmatik, i cili e mbante të mbyllur në shtëpi me ferexhe dhe perçe dhe më vonë me benevrekë e shami në kokë. Kjo histori u mbyll dhe nuk e kujtuam asnjëherë. Dritëroi i ka shprehur në shumë poezi gjatë viteve, përjetimet e veta për këtë ndodhi, që përsëritet në jetën e çdo çifti. Unë do të citoj një poezi, që më kujton ngjarjen: “Para dhe pas shkreptimës”, të cilën e zgjodha mes shumë poezive të tjera:
Para dhe pas shkreptimës
Një qetësi e tmerrshme ra mbi tokë
Dhe s’pipëtinë zogj e bar e gjeth
Veç kuvendonin kokë më kokë
Këto stratege shirash e rrufesh.
Pastaj e hodhi blozën errësira,
Çdo gjë e ndali frymën dhe u tkurr,
Veç ndonjë gur shkëputej nga rrëpira
Dhe ankthi i rëndë ngrihej si një mur.
Të dukej se në heshtje diçka ziente,
Të dukej se të fshehta ishin grindjet
Dhe pritej një tronditje të shpërthente
Dhe me rrëmbim të hynte gjer në indet.
Por shkreptiu dhe malet kryelartë,
Si perandorë u ngritën prapë në fron;
Kurorën e rrufeve, krejt të artë,
Me mburrje e treguan në horizont.
Dhe bari derdhi gjithë gjelbërimin
Dhe zogjtë derdhën këngë e ligjërim,
I verdhi ankth me heshtjen dhe trishtimin
Rrëpirave u shkrinë me nxitim.
Dhe burri la dyshimet dhe mërzitë,
Dhe gruan përqafoi në prag me mall,
Pas shpine mbetën zënkat dhe mëritë
Dhe dashuri e hershme u ringjall…
Çdo gjë e turbullt, e paqartë u qartësua,
Çdo grindje e mërzitshme mori fund,
Se tërsëllima me rrebeshe u lëshua
Dhe botë e vogëlsirave u shkund.
Ndofta ky është një nga ata sekretet kryesore të dashurisë së përjetshme, që më vjen në ndihmë edhe sot që jam në gjendje të vështirë shpirtërore dhe fizike. Ky është edhe sekreti i letërsisë që e ka frymëzuar dhe ka shkruar Dritëroi, që pëlqehet dhe lexohet nga shumë dashamirës të veprave të tij. Ai ka qenë njerëzor, që prekte shpirtin e njerëzve me gjithë veprën e tij, në poezi, në prozë apo në dramë, qoftë edhe në këtë letërkëmbim që do të lexoni, të shkruar 52-53 vjet më parë.
Nga ky letërkëmbim m’u zgjua kujtesa për një kohë, që e kisha harruar, kishte mbetur në sirtarët e trurit, të fjetura vite dhe vite me radhë. M’u zgjuan vitet e para të njohjes, të dashurisë në mes dy të rinjve në botën e madhe dhe në kohë krejt të ndryshme nga kjo e sotmja. Në ato letra, të dashur lexues, do të gjeni naivitetin, sinqeritetin, modestinë, intimitetin e dy të rinjve, që kanë vendosur të lidhin jetën, fatet e tyre të përbashkëta në njësh. Në ndihmë më vjen përsëri Dritëroi me poezinë e tij “Letrat”, i cili duke pasur dhe fatin e një jete të gjatë, duke qenë i mençur, i ditur, filozof, nuk ka lënë pa cekur edhe atë, që duket e parëndësishme, që ka kapur me penën e tij gjithë dukuritë njerëzore, natyrore, shoqërore…
Letrat
Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim,
Me biçikletë a mushkë apo me kalë,
Me vapë e shi, dëborë dhe thëllim.
Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr nuk kishte faks dhe internet.
Megjithatë, më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste,
Një dashuri të vjetër për një çast.
Dhe ja, përsëri më vjen në ndihmë Dritëroi, i cili më jep frymë dhe kurajë për të jetuar, për të punuar, për t’u hidhëruar, por edhe për t’u gëzuar me dorëshkrimet që ruajti, i sistemoi, i përgatiti, madje, shpesh dhe i emërtoi me titullin, siç ka bërë edhe me këtë libër. Në heshtje ka punuar, i ka lexuar këto dorëshkrime dhe i sistemuam bashkë. Ai më shihte, se unë isha e ngarkuar me punë dhe probleme të ndryshme të shtëpisë, jashtë shtëpisë, me daktilografimin e romanit “Arka e Djallit”, të artikujve që shkruante pa mbarim, punonte i vetmuar.
Emocionet e ngjallura nga leximi dhe sistemimi i tyre, i mbante për vete. Ne nuk vuajtëm asnjëherë nga boshllëku, përkundrazi nuk kishim kohë të lirë për t’u sorollatur kot. Për të mbaruar punët dhe dosjet, që ka lënë, duhet një institut me drejtori të veçanta, pasi i ka të fushave të ndryshme. Edhe këto dosje që gjeti Elona, u hapën kur ende ishim në jerm, kur na ndiqte Dritëroi me hapat e tij të javashme. Kur hap dosjet, ndjej dhimbje të thellë, të papërshkruar, e kam të vështirë të shkëputem qoftë ditën, qoftë natën, me gjithë ilaçet e shumta, që pi.
Vdesin pleq, vdesin të rinj dhe të reja nga aksidente apo sëmundje të rënda, vdesin fëmijë, shuhen deri sa japin frymën e fundit të moshuar mbi 80-90 vjeç… Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot. Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndjej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin… Kjo më qetëson. Pi kafe dhe cigare pa mbarim, megjithëse përpiqem t’i rralloj. Mendoj si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time.
E di, se megjithëse i dobët fizikisht do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë. Megjithatë, unë nuk e prisja të vdiste. Shpeshherë e kisha parë në gjendje më të vështirë, me tension shumë të ulët, me frymëmarrje shumë më të rënduar, me duar që i dridheshin, me kokë të vendosur mbi dy jastëkë, ndërsa në datën 3 shkurt ishte i qetë, i qartë në mendime, me një fill humori për politikën e ditës dhe infermieret, që i shërbenin.
Prandaj m’u mbush mendja gjithë këto muaj se Ai vendosi vetë të largohej nga kjo botë, kur unë dhe fëmijët nuk ishim pranë tij. Ai donte të vdiste i bukur, siç vdiq. U drejtua në krevat, kokën e rënduar nga mendimet e vendosi në mes të jastëkut, buzët i la pak të hapura me një nënqeshje…
Kjo më qetëson dhe them, se duhet të forcohem, që të arrij me aq sa nuk kam humbur mendjen, të botoj disa vepra që ka lënë: Letërkëmbimet “Dashuri në moshën e Krishtit”, Publicistikën, që mund të dalë në shumë vëllime, romanin e pambaruar “Vrasja e kukuvajkës”, Albume me fotografi e jetëshkrimin e tij. Por për Dritëroin kanë shkruar dhe kanë folur shumë, kanë shkruar poezi, që mund të përmblidhen në disa vëllime… Për ta mbyllur këtë pasthënie, të shkruar me shumë vështirësi, kam zgjedhur këto tre poezi:
Të marrtë dreqi Sadije,
Të marrtë,
Më bëre të qaj me lot,
Por edhe më çmalle shumë
Me një Dritëro TENDIN që s’e njihja deri sot,
Po më bëre që ta njihja edhe unë nga ti,
Më e besueshmja, njeriun më njeri.
Edhe mua mu mbushen syte me lot kur lexova kete shkrim teper njerezor te Sadijes, por jeta keshtu eshte, vijme dhe ikim nga kjo bote dhe vec kujtimet mbeten. Dhe Sadija ka plot prej tyre dhe po i ndan me ne.
VOAL- William Wordsworth lindi më 7 prill 1770 në Cookermouth në rajonin Cumberland të Anglisë. Fëmijëria e tij, ndryshe nga ajo e shumë poetëve romantikë, ishte e qetë dhe e lumtur falë dashurisë së nënës së tij dhe disponueshmërisë ekonomike të lejuar nga babai i tij, i cili punonte si avokat dhe taksambledhës.
Lumturia që i riu Uilliam gëzon i zhytur në natyrë, të cilën mëson ta dojë në këto vite, ndërpritet fillimisht nga vdekja e nënës së tij dhe më pas nga vdekja e babait, pesë vjet larg njëri-tjetrit. Kur babai i tij vdiq ai ishte vetëm trembëdhjetë vjeç dhe me ndihmën e xhaxhallarëve të tij ai hyri në një shkollë lokale dhe më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Kembrixhit.
Debutimi i William Wordsworth si poet ndodhi në 1787, kur ai botoi sonetin “The European Magazine”. Në të njëjtin vit ai u regjistrua në universitet, duke u diplomuar më 1791.
Në vitin 1790 ai bëri një udhëtim në Zvicër dhe Francë, të cilat i kaloi rreptësisht në këmbë. Megjithatë, është gjatë udhëtimit të tij të dytë në Francë që jeta e Wordsworth pëson një pengesë. Revolucioni po tërbohet në Francë dhe ai nuk qëndron indiferent, i ndikuar nga kapiteni Michel Beaupuy, me të cilin është bërë mik, përfundon duke marrë anën e Girondinëve deri në atë pikë sa thuajse përfshihet fizikisht në betejën në Orleans.
Ai në fillim nuk tronditet negativisht nga masakrat e Terrorit, i bindur se është i nevojshëm një rigjenerim total politik. Megjithatë, në momentin që zbulon qëllimet imperialiste franceze, ai tronditet thellësisht. Kriza personale që ai përjeton në këtë periudhë bëhet protagonist i dramës “Kufijtë” (1795). Për të përkeqësuar konfuzionin e tij është edhe lidhja me të renë Annette Vallon, me të cilën ka një vajzë, Caroline, të cilën e njeh edhe pse nuk martohet me të dashurën e tij.
Ndërkohë, paratë e pakta me të cilat ai jeton i mbarojnë, kështu që detyrohet të kthehet në Angli, por dhimbja e ndarjes dhe ndjenja e fajit për braktisjen e vajzës do të mbeten gjithmonë të gjalla në shpirtin e tij, duke shkaktuar shumë poezi në tema e gruas së braktisur. Kështu ai del në pension për të jetuar në fshat së bashku me motrën e tij të pandarë Dorothy.
Më 1797 William Wordsworth takoi Samuel Taylor Coleridge dhe lindi një miqësi e thellë mes të dyve, e cila gjithashtu i shtyu ata të punonin së bashku. Fryti i punës së tyre poetike u botua në vitin 1798 me titullin “Balada lirike”. Synimi me të cilin Wordsworth shkruan poezitë e tij është të pikturojë jetën e zakonshme të njerëzve duke përdorur gjuhën e tyre, domethënë gjuhën e jetës së përditshme. Poetikën e tij e sqaron në parathënien e rëndësishme të botimit të dytë të “Baladave lirike” (1800).
Vitet në vijim karakterizohen nga një angazhim poetik gjithnjë e më total, i shoqëruar vetëm nga një sërë udhëtimesh në Itali, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermani. Wordsworth jeton në rajonin e liqenit, në Grasmere, duke pasur një ekzistencë në pension dhe varfëri, por suksesi pas botimit të Baladave Lyrical i lejon atij t’i dërgojë para Annette dhe vajzës së saj.
Në 1802 ai u martua me Mary Hutchinson. Gruaja e re shënon ndarjen përfundimtare nga Franca dhe Anet. Viti 1810 pa edhe ndarjen nga Samuel Taylor Coleridge, e cila u bë e nevojshme nga dallimet poetike dhe personale, duke përfshirë varësinë shqetësuese të shokut të tij ndaj alkoolit.
Në periudhën e tij të fundit ai u bë gjithnjë e më konservator në pikëpamjet e tij, duke iu afruar gjithashtu ortodoksisë së krishterë, siç dëshmohet nga “Sonetet kishtare” (1822). Ndryshimi i tij lindi nga zhgënjimi i hidhur me synimet ekspansioniste franceze. Ai ishte i bindur se Franca mund të ishte feneri i ndryshimeve demokratike në Evropë, por luftërat e Napoleonit, të cilat shkaktuan edhe vdekjen tragjike të vëllait të tij Xhonit, i cili u mbyt, e shtynë atë të rishikonte monarkinë angleze, duke përqafuar synimet e saj.
Ndërkohë, Wordsworth kompozoi poezinë e tij më të famshme së bashku me “Tintern Abbey” në këtë periudhë, duke e nënshtruar atë në rishikime të pafundme: “Preludi”, botuar pas vdekjes nga gruaja e tij. Më në fund botoi “Poezi në dy vëllime” më 1807.
Vitet më të lumtura nga pikëpamja poetike për poetin anglez ishin ato midis viteve 1830 dhe 1843, vit i fundit në të cilin ai mori titullin Poeti Laureat. Në mënyrë paradoksale, këto ishin edhe vitet më të këqija nga pikëpamja personale: ai dëshmoi i pafuqishëm vdekjen e dy prej pesë fëmijëve të tij dhe paralizën e motrës së tij të dashur Dorothy, më 1829.
William Wordsworth vdiq në moshën 80-vjeçare më 23 prill 1850 në Rydal Mount, ku jetoi për tridhjetë e tetë vjet./Elida Buçpapaj
Dita ndërkombëtar e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë. I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë.
Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.
Suksesi i librit dhe i të drejtës autoriale varet kryesisht në mbështetjen që duhet marrë nga të gjitha palët e interesuara ku hyjnë autorët e librit, botuesit, mësuesit, bibliotekistët, institucionet publike dhe private, OJQ-të dhe mediat, të cilat mobilizohen në çdo vend. Duke qenë një nga mjetet më të vjetra të komunikimit dhe shpërndarjes, jo vetëm libri që ka ndikim shpirtërore, arsimore dhe kulturore, por ai përfshin edhe aspektet ligjore ekonomike të tregtisë botuese. Dita botërore e librit dhe të drejtës autoriale këtë vit shënohet edhe në Kosovë në bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin kulturën.
Kjo ditë është një mundësi për të nisur një fushatë të gjerë dhe të qëndrueshme për ngritjen e vetëdijes, duke synuar të mbështesë veprimin e aktorëve lokalë dhe institucioneve në favor të librit dhe të leximit. Ajo bazohet në një qasje pjesëmarrëse dhe në partneritet me profesionistë, aktorët politikë dhe përfituesit që nënkuptohet në nivel kombëtar dhe rajonal.bw
Antologji e hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi
Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat
Panairi i Librit LIBREX 2024 u zhvillua në kryeqendrën e Moldavisë, në qytetin e Jashit, nga datat 10-14 prill 204. Këtë vit ishte edicioni i 29 i këtij panairi me pjesëmarrjen e 76 Shtëpive Botuese nga gjithë Rumania. Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit u krye ceremonia e ndarjes së Çmimeve nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, zoti Cassian Marian Spiridon dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Jashit, Mihai Chirica.
Juria akordoi 15 çmime të rëndësishme sipas gjinive letrare.
Këtë vit Shtëpia Botuese e ALAR-it mori çmimin Laurențiu Ulici për antologji letrare për botimin e Antologjisë së poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme me koordinuar Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Antologjia e poezisë shqipe (700 faqe) dhe me 63 autorë shqiptarë që nga zanafilla dhe deri më sot është botuar nga Shtëpia Botuese e ALAR, Asdreni, me një studim hyrës nga kritiku dhe shkrimtari Marius Chelaru, kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.
Në këtë mënyrë, juria LIBREX shpërbleu vlerën e botimit të antologjisë së poezisë shqipe në rumanisht. Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat. Anëtarë të jurisë ishin Eugen Munteanu, Prof. Dr. në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” Jash, Ioan Holban, shkrimtar, drejtor i Teatrit “Luceafărul” Jash, Petru Nicu Gavrilută, profesor PhD në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Jash, Cassian Maria Spiridon, shkrimtar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, Florin Cîntic, historian dhe shkrimtar, Valeriu Stancu, shkrimtar dhe Dragoş Pătrașcu, artist figurativ dhe profesor universitetit në UNAGE Jash.
Sytë e tu rrezatojnë një dritë
Një dritë që është e ngrohtë
Ndiej një ngrohtësi në shpirt
Dhe duket si tjetër kjo botë.
Buzët të trasha e tërë lëng
Syri i gjatë e me bisht
Koka sa nuk më bën “tëng”
Se diçka jetoj shpirtërisht.
Për mua ti ke shumë”resurse”
Çdo gjë e shoh me syrin tim
Je tunuduese,moj mike,shumë tunduese!
Je si ilaç për shpirtin tim.
2.Më verboi bukuria
Më verboi bukuria
Ke shumë nur e sharm
Doil mendja nga”burgjia”
Edhe jam si në”alarm”.
Ke një vështrim të kadifenjtë
Gjëkundi të tillë nuk kam parë
Dhe,edhe po të isha shenjt,
Për ty do kthehesha:djall!!!
Djall u ktheva dhe pusullën humba
Humba veç prej atij shikimi
Ja “firma” dhe bashkë me të dhe “vula”
Në”alarm” është Përparimi!!!
3. Je si një gur i limuar
Je si një gur i limuar dhe plot shkëlqim
Sa të pashë dhe shtrëngova dhëmbët
Sikur nga lart poshtë të gjithë i shikon me”përçmim”,
Ndaj dhe vendosa:-Do të t’i rrëzojë “pëndët”.
More një pozë si pak tunduese
Ndërsa sytë i pulite djallëzisht
I njoh prej kohësh ato “resurse”
Se di të lexoj”horoskopin e dashurisë”.
Të pashë tek qëndroje, e veçuar
“Mospërfilëse” tek vëzhgon në “pritje”
Edhe unë tinëzisht të jam afruar
Mandej ,t’i rrëzova”pëndët” që kishe.
4.Sot do të pimë
Le të pimë dhe godat t’i kthejmë plot
Me raki a verë(si ta pëlqeni?!)
Se unë jam bërë ujem sot
Dhe nuk mbahem nga shendi.
E kam shtruar tryezën plot e përplot
Dhe ju lutem:- Hiç mos më kurseni!
Ah, sikur ta dini se ç’gëzim kam sot!
Kund më të gëzuar nuk mund të gjeni.
E di që do pyesni:-Përse ky gëzim?
(Epo kushdo është kureshtar)
Asgjë nuk u fsheh miku PËRPARIM:
-Takova,pas kaq vjetësh,dashurinë e parë!
U takuam të dy dhe të dy jemi thinjur
U puthëm me mall si vjete e vjete më parë
Këto puthje reciproke treguan se nuk ishim nginjur
Sa mall që kishim! Eh,se sa mall!…
5.Një fjalë që vjen larg
Një fjalë që vjen nga larg,
Ka një forcë,vërtet,magjike
Si balsam që shëron plagë
Se vjen nga ti,moj mike!
E pres këtë fjalë me mall
Nuk ka kam se si ta fsheh gëzimin
A e di,moj dashuri e parë!
Se ma ke dyfishuar gëzimin.
I hipi barkës së kujtimeve
Dhe vozit në detin e kohës
Ligështohem prej mbresave e përmallimeve
Dhe regëtij prej”ohës”.
Punimi shumë profesional i pr. dr. Kastriot Gjikës, botuar kohët e fundit në gazeën ‘Nacional’, kushtuar krijimtarisë për fëmijë të shkrimtarit tonë të njohur, Num Prifti, që u nda kohët e fundit nga jeta në moshën 90-vjeçare, më ngjalli shumë kujtime për të ,të cilat fillojnë nga viti 1957 . Aëherë unë isha student i vitit të dytë të fakultetit histori-filologji në Institutin e Lartë Pedagogjik, dhe së bashku me mua edhe Dhimitër Xhuvani, i cili, ashtu si Naumi që sokohe, ndonëse të dy ende të rinj, me tregimet e tyre kishin filluar të njiheshin si shkrimtarë.
Dhe ndodhi që pikërisht në muajin shkurt të atij viti në faqet e ‘Zërit të Rinisë’ unë të botoja një tregim të gjatë ne tre numra. Ishte tregimi i parë që botoja, kur sapo kisha mbushur 19-vjetët, ndaj dhe shokët e mi të kursit më uruan . Ndër ta edhe Dhimitri me të cilin më pas, më lidhi një miqësi edhe më e ngushtë, sidomos kur ime shoqe, Natasha, u bë redaktore e disa romaneve të tij.
Dhe ja një një ditë, kur së bashku me të po kalonim nëpër sheshin ’Skëndërbej’, takuam Naum Priftin,për të cilin kisha dëgjuar se ishte shkrimtar dhe kisha lexuar edhe disa tregime të tij. Të dy kishin mbaruar Tenikumin Mjekësor, kishin punuar nëpër fshatra ndihmësmjekë, por pastaj i kishte bashkuar përfundmisht letërsia.
Kur gjatë saj bisede të shkurtër , dëgjoi emrin tim, edhe ai më përgëzoi për tregimin që kisha botuar dhe më uroi që të vazhdoja të shkruaja tregime.
Miëpo kjo nuk ndodhi. I dhënë pas mësimeve, sidomos pas lëndëve të gjuhës shqipe dhe pas sportit, për të cilin që në vitin 1954 kisha nisur të botoja në gazetën ’Sporti Popullor’ shkrimet e para, unë reshta së shkruari tregime. Edhe për një arsye tjetër. Përveç Dhimitër Xhuvanit, Halil Qendros, Jorgo Bllacit, studentë si unë të kursit tonë, që kishn nisur të botonin letërsi, ishin dhe studentë të kurseve më të larta, Bekim Harxhi, Bekim Gaçe dhe veçanërisht Ismail Kadarea, që shkruanin poezi dhe tregime ku e ku më të goditura se tregimi im, që, të them të drejtën, ishte shumë skematik.
Nuk mjaftoi kjo, por pas mbarimit të studimeve të larta në vi tin 1959, fillova të punoja folës, gazetar dhe po atë vit radiokronist sportiv në Radio Tirana, krahas Ismet Bellovës dhe ca më pas Anton Mazrekut, që u rikthye në mikrofonin sportiv pas disa viteve heshtjeje.
Atëherë ndiqja kryesisht të rejat kulturore dhe veçanërisht sportive në shtypin sovjetik, që vinte dy herë në javë me avion nga Moska, dhe po jo shpesh lexoja vepra artistike, dhe kryesisht të autorëve të huaj. Shkrimtarë shqiptarë personalisht njihja shumë pak dhe në rastet kur i ftoja në intervista për emisione të redaksisë së kulturës në Radio, ku vazhdoja të punoja, ose në klubin e Shkrimtareve dhe Artistëve, që ishte në një ndërtesë pranë Teatrit Popullor. Dhe aty, nga viti 1963, fillova të takohesha edhe me Naun Priftin. Ato kohë ai ishtë bërë ndër shkrimtart më të njohur shqiptarë. Veç tregimeve dhe përrallave për fëmijë në organet letrare, kishte botuar vëllimin me tregime ‘#ezma e floririt’ që pati ngjallur ngalli interes qarqet letrare. Në shkrimet kritike të kohës Naumi, aëherë 31 vjeçar vlerësohej për gjuhën e pasur, dialogun dhe frymën popullore të tregimeve, që i pati pëmbledhur në këtë vëllim. Për gjuhën e ndihmonte në këtë drej shumë edhe prejardhja e tij: kishte lindur në Rehovë të Kolonjës dhe ruante gjallerisht gjuhën popullore.
Në një nga takimet tona në klubin e mësipërm, Naumi më pyeti:
– Dikur ke botuar një tregim. Por nuk kam parë të botosh të tjera, veç reportazhevë në Radio ose shkrimeve sportive në ‘Zërin e Rinisë’.
I shpjegova se ngarkesa e madhe që kisha për emisionet letrare radiofonike dhe sportive , nuk më linin kohë të merresha me letërsi.
-Sidoqoftë, me pak sakrifica e gjen atëkohë, – më shpjegoi. – Ja, unë punoj në revistën ’Hosteni’, por botoj edhe tregime.
Thoshte një të vërtetë, por atëherë unë nuk kisha besim se do të bëhesha shkrimtar i mirë, ashtu siç e ndjeja se po bëhesha gazetar i tillë.
Në mos gaboj në vitin 1963 ai botoi nëfaqet e revistës ‘Nëntori’ dramën ‘Rrethimi bardhë’, të cilën me interpretimin e aktorëve të Teatrit Popullor në emisionin ‘Teatri në mikrofon’, e tramsmetoi Radio Tirana . Jo vetëm kaq, por një vit më vonë ajo u vu në skenë nga Teatri ‘Çajupi ‘ i Korçës. Të them të drejtën, unë as e kisha lexuar dhe as që nuk arrita ta shoh, sepse kjo dramë nuk u shfaq, jo më në Tiranë , por as edhe në Korçë.
Ç’kishte ngjarë? Ato ditë kur po shfaqej ‘Rrethimi i I bardhë’, në Korçë erdhi …Enver Hoxha. Dhe drejtuesit partiakë të këtij rrethi, e ftuan diktatorin të shihte pikërisht këtë dramë , të bindur se ai do ta pëlqente atë dhe do t’i përgëzonte. Mirëpo, siç më thonte më pas një shok që kishte qenë në atë shfaqje, Enver Hoxha, duartrokiti sa për sy e faqe, për më tepër, takoi partiakët e lartë të Korçës dhe për të meta të theksuara ideologjike, urdhëroi që ajo të shfaqej më.
Me sa mbaj mend, sipas tij realiteti shqiptar paraqitej me ngjyra të errëta, mveshur me përsonazhe egoistë, që në situata të vështira, të izoluar nga dëbora, nuk tregojnë solidaritet dhe dhëmshuri për njeri-tjetrin, por shikojnë vetëm interesat e tyre;një dramë që nxin reatetin socialist, kur në fakt në kushte të vështira jetësore në dramë shfaqeshin , natyrshëm njerëz me tipare pozitive, të dashur të afërt me të tjerët , të sakrificës, por dhe njerëz me tipare të kundërta, të cilët nuk mungonin në të. ( Pak a shumë, ndodhi ajo që do të ndodhte nëvin 1969 me dramën ‘Njollat e murrme’, ndonëse këtë dramë, që sapo kishte fituar edhe çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesioniste, dhe e kishte ngritur në qiell kryeministri Mehmet Shehu, me ta parë, Enver Hoxha, dha urdhër të mos shfaqej, po për të meta të theksuara ideore.
Nuk kisha pasur deri atëherë njohje kaq të afërt me Naumin, por kur ato ditë e pashë në Klubin e Shkrimtarëve, e mora me mend tronditjen e madhe të tij shpirtërore, sepse pas kësaj ngjarjeje kaq të papritur, emri tij do të vihej me siguri vihej në një rreth të kuq nga Sigurimi famëkeq i shtetit , aq më tepër se ai kishte një vëlla, Petrin, që kishte emigruar në Amerikë, fatmiërsisht në vitin1940, pra jo gjatë Luftës së Dytë Botërore, se më pas kishte qenë sekretari i FederatësPanshqiptare ‘Vatra në Boston dhe merrej me studime, pa ndërhyrë në probleme që lidheshin me Shqiqërinë komuniste.
Me Naumin u njohta më afër, kur, pas ‘Thirrjes ‘demagogjike të Partisë në shkurt të vitit 1966, që të punojmë ku ka nevoje atdheu, si shkrimtarë të tjerë edhe shkoi të punonte mësues në Divjakë, për ‘t’u njohur më afër me realitetine ri socialist, kurse unë gjithashtu mësues në Berat. Ato vite ai kishte botuar novelën e njohur për fëmijë “Cikua dhe Beni’ dhe vëllimin tjetër me tregime “Një pushkë më shumë”.
I duhej që njëherë të shtunave në çdo dy javë si dhe mua, të nisej nga Divjaka në Lushnjë dhe aty me autobuzin që vinte nga Përmeti, ( nëse kishte vend), të kthehej për të dielën në Tiranë, për t’u shmallur mme gruan dhe fëmijët, duke pasur një rrogë më të ulët se ç’kishte pasur dhe kushte jetese për të mos u zënë me gojë, siç ndodhi dhe me shkrimtarët dhe artistqt e tjerë që përmenda më lart.
Në disa nga këto udhëtime kam pasur rast të takohem me Naumin. Dhe natyrisht gjuha i shkonte aty ku ‘dhëmb dhembi’, pra te letërsia. Megjithatë, në një nga këto takime Naumi, si dikur, më pyeti nëse po shkruaja ndonjë tregim. I shpjegova se as që më kishte shkuar ndërmend edhe sepse deri atëherë nuk kisha gjetur ndonjë ngjarje që të më shtynte të shkruaja ndonjë skicë, pale më tregim.
-Përse nuk shkruan atëhrrë ndonjë gjë letrare për sportin? – më pyeti. -Ke kaq vite që je gazetar edhe komentator sportiv në Radio dhe je njohur me botën sportit.
Mblodha vetëm supat. Por nuk harrova…Për disa javë mendja më rrihte si çekan te fjalët që më kishte thënë ai. Dhe kështu, që nga dhjetori i vitit 1966 dhe deri në korrik të vitit it 1967 shkrova 13 tregime me temë krejt sportive.
Në një nga udhëtimet me autobusin e Përmetit që na shpinte në Tiranë, i dhashë Naumit dorëshkrimet e disave prej këtyre tregimeve. Dy javë më pas, kur u takuam në Lidhjen e Shkrimtareve, më përqafoi dhe më tha se tregimet në përgjithësi i kishin pëlqyer dhe më nxiti të shkruaja dhe të tjera. Ta pret mendja, se më bëri dhe vëretje për ndërtimin e ngjarjeve në disa tregime që iu dukën të stisura, dialogun jo të natyrshëm, për disa personazhe të zbehta, që më dëshpëruan, aq sa i thashë se ato nuk mund t’i ndreqja. Por Naumi më shpjegoi se pak a shumë edhe atij kështu i kishte ndodhur, kur kishte shkruar vëllimin e parë me tregime, ‘Çezmja e floririt’. Këshu më ndodhi dhe mua. Pata durim dhe këmbëngulje për të ripunuar disa tregime dhe 12 nga 15 prej tyre u botuan nga Shtëpia Botuese “Naim Frëshëri’, në janar te vitit 1988, me titullin ‘Një ndodhi në stadium’, kur unë kisha mbushur plot 30 vjeç.
‘Na solle për herë të parë parë në biblotekat tona një buqetë me lule të freskëta nga fusha e sportit’- më tha një ditë shkrimtari i njohur Shefqet Musaraj,që aso kohe ishte sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve’. I nxitur edhe nga lexues, sidomos sprtdashës, botova deri në vitin1970 edhe dy libra, po me temë sportive, por të them të drejtën nuk patën jehonën e librit të parë ‘Një ndodhi në stadium”. Ndër të parët që më përgëzoi ishte edhe Naum Prifti, i cili ishte edhe i pari që më kishte nxitur të shkruaja tregime me këtë temë.
Në vitin 1970 pas tre vjetësh qarkullimin absurd, si dhe shkrimtarë të tjerë, u kthyem në Tiranë, unë në Televizioni Shqiptar, dhe Naumi, inspektor për teatrin në Ministrinë e Kulturës. Po atë vit ai botoi vëllimin me tregime ’Litari i zjarrtë’, që dëshmuan për një nivel të ri më të dukshëm artistik. Por nuk ndodhi kështu me mua, sepse, vërtet botova dy vëllime me tregime për të rinj, kushtuar figurave të shquara në fushën e muzikës, “Zërat e jetës’ dhe ‘Mbi mjegullat e kohërave’, në fushat e tjera të shkencës dhe artit, por ato nuk shënuan ndonjë ngritje cilësore. Siç më tha më pas Naumi, nuk duhej të nxitohesha në përshkrimin e ngjarjeve disa herë me gjuhë disi të thatë. Por nuk ndodhi kështu me dy romane për fëmijë. ‘Kujtimet e mëhallës së vjetër’ dhe ‘Pas gjurmëve’, (1970,1972). Këtë të fundit e lexoi edhe Naumi në cilësinë e kryetarit të jurisë së konkursit të organizuar nga Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’. Dhe më përgëzoi, si më pati më pati përgëzuar dhe miku tjetër imi si ai, shkrimtari i njohur për fëmijë, Odhise Grillo, siç kam shkruar edhe në kujtimet e botuara për të muaj më parë po në këtë gazetë, i cili edhe ai, më ka ndihmuar shumë që të bëhem shkrimtar i pëlqyeshëm për fëmijë.
Takimet e mia me Naum Priftin më vonë qenë më të pakta. Vitet rrokulliseshin dhe ne shkruanim, por ai përsëri me sukses të dukshëm. Këtë e dëshmoi ndër të tjera edhe vëllimi me tregime ‘100 vjet, (1983). Duke vlerësuar krijmtarinë e tij kritiku Bashkim Kuçuku nënvizon:
”Dialogu në prozën e e Naum Priftit është i kufizuar, për t’i lënë hapësirë më të madhe monologut, që zbulon ndryshimin e brendshëm të personazhit. (FESH, faqe 2088).
Duke parë se në dy vëllimet e mësiprme me tregime ‘Zërat e jetës’ dhe ‘Mbi mjegullat e kohërave’ mbase te lexuesit ishte krijur bindja se ato ishin …përkthime, vendosa të shkruaja tregime për figura të shquara shqiptare në shekuj. Dhe kur këtë ide ia shpreha Naumit , që, ndër të tjera, më më shpjegoi se një ndër këto tregime, duhej t’ia kushtoja edhe atdhetarit ë madh Avni Rustemi, atentatorit legjendar kundër Esat pashë Toptanit.. Nuk më kishte shkuar ndërmend.! Dhe kur miku im Aziz Gergji, autori i dokumentarëve të njohur historikë në TVSH më tregoi me saktësi të dhënat e materialeve të duhura për këtë ngjarje në Arkivën e Shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare, lindi romani ‘Atentat në Paris ‘(1978). ‘Me këtë roman roman tashmë je edhe më i afirmuar ,- më tha Naumi duke më përgëzuar krahas shokëve të tjerë.
Në vitin 1992 ai së bashku me familjen ai u vendos përfundimisht në Nju Jork. Me përjashtim të një takimi në vitin 1994 në Tiranë, nuk patëm më rast të takoheshim. Por ja që rasti e solli që në vitin 1999 edhe unë së bashku me familjen të vendosesha në Amerikë. Kështu rinisi edhe komunikimi midis nesh jo vetëm me telefona, por edhe me vajtjet e mia nga Bostoni ku jetoj, në Nju Jork, për t’u takuar me të.
Në vitin 2002 dhe më pas ai botoi librat ‘Nëna e Diellit’,dramën ‘Plumbat e shkronjave ‘ dhe komedinë “Dasmë pa nuse’. Nuk mbeta pas edhe unë, ndonëse që në bisedën e parë telefonike me të në pranverë të vitit 1999,i pata thënë se në moshën 61-vjeçare sa isha atëherë, ç’kisha për të shkruar më.
‘Uroj që realiteti amerikan dhe mjediset shqiptare në të ,-‘ të të frymëzojnë,- më pati thënë’. Në vetvete nuk besova. Por kur një ditë vjeshte të vitit 2008 po i shpjegoja se si atë mëngjes të 11 shtatorit të vitit 2001, tek po punoja ‘security guard’ në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Logan’ të Bostonin, pa e ditur se kush ishin, kisha parë të kalonin në një pikë të kontrollit të këtij aeroporti të rinj arabë, të cilët pas atentatit dolën se ishin tërroristë që rrëmbyn avionët dhe me ta goditën Kullat Binjake të Nju Jorkut, atëherë ai menjëherë ma tha: ’Ja zanafilla e një romani”, sepse midis rreth 3000 njerëzve që humbën jetën në këtë tragjedi të tmerrshme, në katin fundit kishin qenë edhe tre shqiptarë që ato çaste po pastronin nga jashtë dritarët e këtyre kullave’. Nuk më kishte shkuar ndërmed të bëja këtë lidhje. Kështu, falë tij, lindi romani ‘Shtatori I gjëmë së madhe’’, që e botova në vitin 2011 në Tiraë. Më përgëzoi dhe shtoi:
‘Tani që ke kaq vjet në Amerikë, mendo për ndonjë roman tjetër, por përsëri me temë amerikano-shqiptare.. I shtytur përsëri prej tij, shkrova romanin ‘Një grua midis dy burrave’ me temë të tillë, si i pari, ashtu dhe i dyti, të botuar në Amerikë përkatësisht me titujt’ Disatrous September’dhe ‘A woman Between Two Men’.
U trondita kur mësova lajmin e hidhur se para disa javësh në moshën 92-vjeçare Naum Prifti ishte shuar. Ashtu si Çehovi ai nuk shkroi kurrë një roman, por mbeti i paharruar në letërsinë shqiptare si Çehovi shqiptar; veç kësaj si njeri fisnik dashamirës, sidomos me shkrimtarët më të rinj, siç u mundova të tregoj dhe unë në këto kujtime për të.
Nji ditë, në shkollën e Pukës, erdhi mësuesi i katundit të Dardhës, Filip Ndocaj.
Si kryemësues, gjithë shkollat e asaj nënprefekture vareshin prej Milloshit. Filip Ndocaj ishte thjesht nji mësues i atyne shkollave. Fillimisht u zhvillue nji bisedë zyrtare, mbi problemet shkollës, frekuentimin, vështirësitë e bazës arsimore. Kryemësuesi mbasi u vu në dijeni për krejt aktivitetin e shkollës, organizimin e bamë, mungesat e shumta, sidomos në libra, fletore e mjete të ndryshme mësimore, i dha edhe porositë e nevojshme…
Mbas asaj bisede pune u hap diskutimi mbi letërsinë dhe shtypin e kohës. Filipi e kishte krye shkollën e mesme ndër prifta, në Shkodër, (s’më kujtohet ndër jezuitë a françeskanë) kështu që kishte njohuni të plota mbi letërsinë klasike. Gjithashtu, ai ishte njoftës i mirë letërsisë italiane e deri diku edhe asaj frënge, mbasi i njifte mirë ato dy gjuhë. Në bisedë e sipër, vuna re se Milloshi e nxiste me shkrue, duket pse e shifte të talentuem:
-Filip, n’at zonë ku të kanë caktue mësues, ke kohë e mundsi me shkrue e me krijue gjana të bukura. Je krejt vetëm, mësimi t’i merr katër-pesë orë, po janë edhe njizet orë të tjera! Të kshilloj jo veç me lexue po në veçanti me shkrue, e po të lutem mos me e bjerrë kohën kot! Shpesh shkollat e malsisë, na krijojnë kët fat ne të letrave. Ndër qytete koha bjerret kafehaneve e muhabeteve kodra mbas bregut…
Si ta kishte prekë n’tel, Filipi qet prej xhepit të xhaketës nji fletore katrore dhe nis me na lexue nji novelëz të vetën, përmbajtja e së cilës ishte mjaft intriguese dhe na detyroi me e ndjekë me vëmendje deri në fund.
Bahesh fjalë për nji ngjarje të vërtetë, ku shfaqesh jeta, zakonet dhe traditat e katundit Dardhë. Nji dramë e dhimbshme e lidhun me malësorët me besën dhe fjalën e dhanë. Ajo ngjarje qe përjetue dikur n’at fshat e sot e kësaj dite përmendesh e kujtohesh me hollsi. Filipi, krejt rrëfimet e malsorëve të katundit i kishte mbledhë e kishte thurë nji novelëz të bukur e interesante, e ku ma së shumti i pat mëshue anës përshkrimore të zakoneve dhe traditave të asaj zone.
-Shumë bukur, – i tha Milloshi – asht punë e vyeshme, e s’duhet me u ndalë! Pa u marrë me vlerat artistike, po të tham se ke shkrue nji novelë prekëse e dramatike. “Ato shtatë krisma, ata shtatë të vdekun, ato shtatë varre…” asht nji tragjedi që ndodh shpesh ndër malsi tona. Unë deshta me e ditë mendimin tand, a bani mirë Sokoli që e vrau Diellën a jo?
-E vërteta asht që e ka vra! Asht fakt, e thonë të tanë në katund!
-Pavarësisht në asht a s’asht e vërtetë, unë due me dijtë prej teje, bani a s’bani mirë Sokoli që e vrau Diellën?
-Gojdhanat s’e komentojnë kët gjà!
-Dakord, që gojdhanat s’e komentojnë, po ti si shkrimtar i emancipimit, ti që len nji vepër për gjeneratat që vijnë, a e komenton kët veprim? Gjithsesi, ty të duhet me marrë nji pozicion te ngjarja, sepse edhe ti je mbrenda saj, a jo?
-As më kishte shkue ndërmend nji gjà e tillë! – i tha Filipi i ndodhun n’nji pozitë disi të vështirë.
-Ndigjo, Filip këtu s’asht fjala me t’bà vërejtje për punën që ke bà, jena tue folë miqsisht, po me dishmue pozicione ma të qarta na si shkrimtarë të parët, e mbas nesh sigurisht vijnë lexuesit, që mundet të jetë nxanës, malësorë, qytetarë, intelektualë, pse kështu puna që bajmë ne krijon gjithnji e ma tepër hapsina komunikimi. Ti je djalë i talentuem, mundesh me shkrue gjana shumë ma të bukura, veç mos harro asnjiherë se je edhe mësues: e njashtu si mësuesi asht edukator i nxansave të vet, ashtu edhe shkrimtari asht edukator i lexuesve të vet, edhe pse shpesh s’ka komunikim të drejtpërdrejt mes tyne, ai u shërben me shkrimet e veta njerzve dhe kohnave. Asht e domosdoshme për ne me synue me paraqitë të vërtetën, të përditshmen, at çka shofim me sy, çka ndigjojmë me veshë e çka ndijmë me shpirt, pse sot edhe letërsia moderne kët gjà po synon, e kët ne duhet me e mbajtë gjithmonë parasysh. S’mundem me thanë: “Na shkrimtarët”, sepse në t’vërtetë as unë e as ti s’jena shkrimtarë të mirfilltë; na jena veç filluesa që duhet me u përpjekë me ba diçka për kët vend. Kishe me dashtë që talentin tand ta vejshe në funksion të kësaj ideje, sepse novela jote asht e bukur, dramatike, emocionuese… po deri njaty. Ajo veç e paraqet tragjedinë e shtatë të vramve, të shtatë vorreve e shtatë plagëve të mbetuna hapë n’shpirtin e atyne malsorve, po s’jepet asnji alternativë, asnji zgjidhje, ajo i len të hapuna plagët. Si ngjarje ajo tashma ka kalue, asht shkue nga përjetimi në legjendë. Përballë kësaj tragjedie, ti si shkrimtar, e ke për detyrë me mbajtë nji qëndrim. Malsitë e Pukës, e përgjithsisht krejt malsitë tona janë përplot me ngjarje, me histori, me kangë e legjenda, me epos kreshnikësh ku ndërthuren heroikja, tragjikja, dhimbja, ndjenjat, pasionet njerzore, hakmarrja, kanuni e ku di unë… Shpesh ndër ne, për gjana krejt absurde, gjoja me mbrojtë nderin, kur në të vërtetë s’ta ka cënue kërkush, veç në dukje, ngjarjet koklaviten aq keq, sa për zgjidhjen e këtyne problemeve sa etike aq edhe juridike, fjala i jepet me lehtsinë ma të madhe grykës së pushkës…
Letra e vitit 1955 drejtuar Marilyn Monroes nga John Steinbeck, duke i kërkuar njüe fotografi të saj për djalin e tij, që është e paçmueshme
Zonja Marilyn Monroe
Kullat Waldorf
Dhoma 2728
New York City, N.Y.
E dashur Marilyn:
Në të gjithë përvojën time nuk kam njohur kurrë që dikush të kërkojë një autograf për vete. Autografi është gjithmonë për një fëmijë ose një hallë të vjetër, e cila bëhet shumë e lodhshme, siç e dini më mirë se unë. Prandaj, ju them se kam një nip që jeton në Austin, Teksas, emri i të cilit është Jon Atkinson. Ai është me një këmbë në pragun e pubertetit, por ky është vetëm një nga problemet e tij. Ti je tjetri.
Unë e di që ju nuk jeni bërë nga eteri qiellor, por ai nuk e di. Një sugjerim prej meje për atë se ju keni funksione normale do ta trondiste thellë dhe nuk desha të isha unë ai që do t’i tregoja.
Në një udhëtim të fundit në Teksas, gruaja ime bëri gabimin fatal duke i thënë Jonit se unë të kisha takuar. Ai nuk e beson vërtet, por respekti i tij për mua është rritur edhe duke pasë gënjyer për këtë.
Tani, më kërkohen disa favore pa kuptim, kështu që nuk kam asnjë hezitim të kërkoj një prej jush. A do t’i dërgonit atij, nën përkujdesin tim, një foto tënden, ndoshta të zhytur në mendime, në mënyrë vajzërore, ku i shkruani atij me emër dhe i tregoni se jeni në dijeni të ekzistencës së tij. Ai tashmë është skllavi juaj. Kjo do ta bënte atë skllavin tim.
Nëse do ta bëni këtë, unë do t’ju dërgoj një çelës hyrjeje të zonjave të Fort Knox 1) dhe, për më tepër, do të më pëlqeni shumë.
Ju sinqerisht
John Steinbeck
1) Shkrimtari do të thotë se do t’i jetë shumë mirënjohës pasi sikur dihet Fort Knox është një bazë ushtarake në Kentaki, ku hyrja është shumë e vështirë pasi aty ruhet pjesa më e madhe e arit të SHBA./Përktheu e përgatiti Skënder Buçpapaj
E quajnë Xhemal Karaj.Një burrë i pashëm, me tipare ekspersive e me qëndrim dinjitoz. Nuk të jep përshtypjen se i ka kaluar të tetëdhjetat.Vjen përditë te kafja ku takohemi mëngjezeve, ulet në një tavolinë, i vetmuar, porosit sipas xhepit: herë kafe, e herë kafe dhe raki.
-Sa vjeç mbushe Xhemal?- e pyet dikush.
-Unë? Duket sikur i ka harruar dhe vitet që i kanë ikur.Ja…në dyzetetreshin kam qenë 14 vjeç…
Dyzetetreshi për Xhemalin është një vit historik. Ishte ai vit kur djaloshi nga Picalli i Tiranës do të dilte partizan, gjashtë muaj më pas do të përfundonte në kampin famëkeq të Mathauzenit.
Dy hapa larg tavolinës sonë pi kafe një dëshmitar i gjallë i atyre vuajtjeve. Askush s’ka shkruar asnjë fjalë për të.Nuk dija asgjë për të, e për më tepër, isha kureshtar të dija si kishte shpëtuar nga ai kamp famëkeq.
-Ke pasur fat…
-Po.Kam pasur. Më ka shpëtuar një kolonel gjerman.
-Kolonel Gjerman!?
Është një histori e gjatë,- thotë ai.Midis tyre ka pasur dhe gjermanë të mirë. Njerëz ishin dhe ata.Shpirt kishin dhe ata. Fëmijë kishin dhe ata.
-Si e quanin kolonelin?
-Nuk ia mësova dot emrin.E thërrisnin Koloneli. Ashtu mbeti në mendjen time.Veç gjermanishtes fliste dhe sërbisht. Kur na çuan në kampin e Zemunit. Atje e kam parë fillimisht. Ishte një burrë i pashëm,bjond, i gjatë,i ashpër dhe i prerë.Kishte shumë autoritet tek oficerët e tjerë.Kështu më ka mbetur në kujtesë…
Shënimet e mëposhtme ia mora disa ditë më vonë.
* * *
Ka qenë muaji qershor. Viti 1943.Ishim në fshat.Unë shkova me prindërit për të korrur miser, në arë.Babai kishte marrë dhe dy miq për të na ndihmuar, ndërsa nëna kishte marrë gjashtë gra, shoqe të saj, nga fshati. Në orën njëmbëdhjetë, kur bëmë pushim, baba më thotë. -O çun! A po shkon me na mbush kotruven te burimi?
-Po babë- i thashë. Nëna më dha një kaçile me vete. Burimi mbante rreth çerek ore larg. Atje kishte dhe disa rrënjë fiq. U nisa drejt burimit. Kur po futesha në pyll më zuri syri një çadër italiane. Ishin çadrat e ushtarëve italianë.Italianët kishin disa ditë që kishin hyrë në Pezë. Dy kilometra më tutje, kishte komandën Çeta partizane e Pezës. Ato ditë priteshin sërish luftime të ashpra. Kur kalova pranë çadrës së parë, vura re një grykë pushke. Kishte dalë jashtë çadrës. Nuk e di si ma dha truri.Nuk mendova gjatë. Iu afrova çadrës.. S’pipëtinte asgjë. Ushtari flinte brenda çadrës. Ia tërhoqa pushkën me kujdes, e hodha në krahë dhe ia mbatha në pyll. Mbusha kotruven me ujë, në burim. Mblodha dhe ca fiq dhe, pas gjysmë ore u ktheva në arë. I shkoj babës me katruven me ujë, me kaçilen me fiq, por edhe me një pushkë italjane në krah, të tipit `41. Baba u çudit. -Ku e more? më pyet. I tregova se si ndodhi.Ai nuk më besonte. Në atë çast vjen komisari i çetës së Pezës, Spiro Moisiu.
Ky është djali yt?- i tha babait.
-Po.
-Hë qerrata!-m’u drejtua mua duke më lëmuar flokët.-Nuk pate frikë kur ua rrëmbeve pushkën? Po sikur të të kishin kapur. -Unë të pashë me dylbi,- iu drejtua babait. Djalin e paske të shkathët.
-Bujrum!- i tha baba duke e fuar të hante diçka.Nëna i zgjati fiq në një pjatë.
– Nuk do rri, -tha ai.-Por këtë djalë do ta marr me vete. Në qoftë se ma lejon.
-Si jo?- i tha baba.
Spiroja para e unë pas.Më çoi në shtabin partizan.
O babë, a e njeh këtë çun?- e pyeti Babë Myslimin.
-Si jo. Është çuni i Qazimit.
-Shiko se çfarë u mori italianëve, ma hoqi pushkën nga supi dhe ia zgjati Babës.
Babë Myslimi pasi më pyeti se si arrita që t’ua marr pushkën italianëve, ma hoqi pushkën nga supi dhe më tha:
-Ik tani, se të pret Qazimi.
-Jo, nuk iki! -i thashë i vendosur. Ose më jep pushkën, ose më mbani dhe mua partizan.
-Si thua Babë? – e pyeti Spiroja..
Mbajeni,- miratoi me kokë Babë Myslimi.
Qysh atë ditë unë u inkuadrova në çetën e Pezës.Në tetor të atij viti, bashkë me disa partizanë të tjerë kaluam në brigadën e tretë. Në nëntor gjendeshim në Priskë, e në maj shkuam në Shëngjergj. Atje qendruam 15 ditë.Pastaj u hodhëm në Labinot.Nga e gjithë ajo kohë mbaj mend luftën e Polisit të Elbasanit. U bë luftë e madhe. Patëm 46 të vrarë, e po aq të zënë robër.Mua më kapën robdhe më mbajtën disa ditë në një shtëpi ballisti. Më pas më dorëzuan tek gjermanët.Gjermanët na mbyllën në një kapanon. Kishin me vete një përkthyes.Na pyetën një nga një.Donin të dinin se cilët ishin udhëheqësit tanë.Nuk treguam asnjë. Tre prej tanëve, i nxorrën jashtë dhe i pushkatuan. Ditën e katërt na hipën në kamiona dhe na nisën për në Prishtinë.10 ditë në kampin e Prishtinës. Më pas na kaluan në kampin e Zemunit. Atje nisën të na torturonin pa mëshirë.Na çonin larg qytetit të ngrinim gurë.Këtë gjë e bënin vetëm për të na torturuar. Pas torturës së gurëve na priste një torturë edhe më e rëndë.Na merrnin një nga një, na fusnin në një dhomë, na zhvishnin dhe na qëllonin me shkop gome. Të nesërmen po ajo punë. Një nga këto ditë, hyri në kapanon një Kolonel. Na vërejti të gjithëve me radhë. Tek unë u ndal më gjatë. Për të tjerët urdhëroi të nxirreshin jashtë. Mua ma bëri me shenjë të mos lëvizja. Kur mbeta vetëm, m’u afrua dhe më tha.
-Ti nuk do të dalësh në punë, as sot as ditët e tjera.
Të nesërmen qëndrova në kapanon.Një roje gjermane më solli një pako me ushqime.Ishin pakot që u vinin të internuarve. Thërrisnin emrat.Pakot e të vdekurve ua jepnin të tjerëve. Një nga këto pako më erdhi mua.Ishte shkruar me shkrim dore “Savos”. Më shkoi mendja që pakon e kisha nga koloneli. Edhe ditët e tjera, rojet më binin pako me ushqime me mbishkrimin “Savos”. Nuk e di pse më kishte vënë këtë emër.
* * *
U nisëm me tren nga Banica e Sërbisë.Na ndaluan në një qytezëtë vogël. Emrin s’ ia mbaj mend.U hapën dyert e vagonit. Zbrisni!- thirrën ushtarët e vagonit që na shoqëronin. Rruga tjetër do të bëhej me kamjona. Ishte një rrugë malore.Pas disa orëve na zbritën sërish.Ne vepronim të bindur, sipas komandave të tyre.Na zbritën, na vunë në rresht dhe na futën në një kapanon ku kishte dhe shqiptarë të tjerë.
Si quhet ky vend? pyeta një shqiptar.
-Mathauzen, më -tha ai. Ky është një kamp internimi ndërkombëtar.Po ti mos ki frikë. Ky kamp nuk bombardohet nga aleatët.
Të nesërmen na vunë në njëshkollonë dhe na çuan tre-katër kilometra larg kampit.
Na vunë të transportonim gurë. Këtë punë bëmë për disa disa ditë. I zbrisnim gurët nga mali. Në fund të javës, po ata gurë i kthenim mbrapsht. Ishte një lloj torture.Një mëngjes, na rreshtuan para kapanonit.
-Ti dil këtej! -thirri oficeri i kampit. Shokët u nisën të gjithë. Mua më shoqëruan për në kapanon.Atë çast nuk më shkoi mendja se ky ishte një nder që më bëhej mua, e këtë nder ma bënte vetë koloneli.
Pashë kolonelin duke hyrë në kamp i shoqëruar.Sa më pa ma bëri me dorë.Shkova drejt tij.
-Ti nuk do të shkosh më të mbartësh gurë.
Kaq tha dhe u nis drejt zyrave. Ktheu kokën dhe ma bëri me dorë ta ndiqja pas. Ai para e unë pas tij, u futëm në një kapanon tjetër.Atje më prezantoi me një të internuar nga Vojvodina. Ishte i plagosur rëndë. Pas kurimit e kishin marrë gjermanët nga spitali dhe e kishin sjellur në kamp. Kishte qenë komandant brigade i forcave partizane.
-Ti do të kujdesesh për këtë djalin,-i tha Koloneli. Me sa dukej koloneli kishte simpati të veçantë për të. Ai pranoi, mirëpo unë iu luta kolonelit që të mos më ndante nga shqiptarët.Më hodhi një shikim dyshues.
-Shoqërojeni në kapanonin e tij,- u dha urdhër dy ushtarëve, pa m’i hedhur sytë.
Kështu, unë vazhdova dhe ditët e tjera të mos shkoja për të mbartur gurë. Mëngjeseve më linin të dilja jashtë kapanonit, në oborr. Kishin porosi nga koloneli që të trajtohesha në mënyrë të posaçme.Bëra gjashtë muaj në atë kapanon.
Një mëngjes na vjen vetë koloneli duke thirrur.
-I gjithë kapanoni, jashtë!
Dolëm të gjithë. Na rreshtuan sipas shtretërve që kishim në kapanon. Ishim rreth 300 të internuar. Shumica ballkanas.
-Kush dëgjon emrin të dalë nga rreshti!
Thirri 27 emra. Emrin tim nuk e thirri.Kur mbaroi listën, m’u drejtua mua.
-Ti, dil këtej!
Edhe pse nuk ma thirri emrin, dola dhe unë së bashku me të tjerët.
-Të tjerët nëpër kapanone, -thirri sërish.
Më pas sollën nga një kapanon tjetër edhe 17 të tjerë. Unë iu afrova dhe e pyeta:
-Ubit..?Doja t’i thoshja:-“Do të na pushkatoni”?
Ai më vërejti me inat. U kthye nga unë dhe më rrahu krahët. Për të më dhënë të kuptoja se emri im nuk ishte në atë listë dhe se ai e dinte vetë këtë punë.
Na hipën në dy kamiona dhe na nisën.Nuk dihej ku shkonim. “Do të jetë për mirë…” mendova, duke sjellur ndër mend shikimin e tij dashamirës.
Na çuan në një kapanon me të mirë, ku kishte edhe dushe për t’u larë. Na futën nëpër dushe. Kishim kaq kohë pa u larë. Rrobat tona i dezinfektuan. Na i sollën të thara. Atë natë fjetëm aty. Të nesërmen na hipën nëpër kamiona.Në krye të kolonës më zuri syri kolonelin dhe u gëzova.Në një stacion ndaluan karvanin.Erdhën ushtarë me qese në duar. Na dhanë të gjithëve qese me ushqime.Rruga e kthimit drejt Prizrenit do të bëhej me tren, shoqëruar me roje gjermane.Në një tunel qëndruam gjatë.
Treni ndaloi në tunel për shkak të bombardimeve të forcave aleate.
Në Prizren mbërritëm në mbrëmje vonë.Na zbritën nga treni dhe na futën në burgun e tyre.
Të nesërmen vinin në kapanon, thirrnin listën. I merrnin dhe i sillnin sërish. Askush nuk e kuptonte se çfarë kishin ndërmend të bënin. I thirrën të gjithë. Vetëm mua nuk më thirrën.Unë nuk isha në lista.
-Ka të tjerë?- pyeti oficeri.
-Është edhe një
-Silleni!
Më morën dhe më çuan para një oficeri që fliste shqip.
-Afrohu!
U afrova.
-Prej nga je ti?
-Prej Tirane, i thashë
-Aa! Ti je djali i Qazimit,- tha ai gjithë nervozizëm. -Ky është djali i korrierit të shtabit të Pezës, u tha të tjerëve.Ky ka luftuar kundër gjermanëve…
-Të kthehet pas!- thirri gjithë nervozizëm.
Ndërkohë në derë u shfaq koloneli. Sikur e solli zoti.
-Këtë e kam liruar unë,- i tha atij që më vonë do ta merrja vesh se ishte Xhafer Deva.Më tërhoqi për dore, më çoi gjer tek dera dhe më shtyu me forcë përjashta. Unë qëndrova pas derës. Dëgjoja se si ziheshin me njëri-tjetrin.Xhaferi me Kolonelin. Më pas doli koloneli. -Hip në makinën time!- më tha. Më çoi në një kapanon që ishte gjysmë ore larg burgut.Tre ditë më vonë na morën me makina, dhe na nisën për në Shkodër.Kur hyra në kufirin shqiptar, nisi të më hovte zemra nga gëzimi.Shpëtuam! Shpëtuam,gati sa s’thirra nga gëzimi. Ishte pikërisht ky koloneli nazist të cilit ia kam borxh jetën. E kam kujtuar gjithnjë.Kanë kaluar 71 vjet,e nuk më del nga mendja. Çudi! Si nuk munda të mësoj asgjë për të? S’ ia mësova dot as emrin!?
Terri shtrihet sa më dendur
Për t’ parë ne kacabujt
Dhe urrtjën e errët në sytë tonë.
Po kush e lë mollën n’ peshore
Dhe peshën e fajit në gotë.
Ai apo ajo që flasin rrafsh
Shtrihet pezhgve e madhe
Udha ka lehjet e rënda tejet te rënda
Te rralla tepër rralla që djegur sy e krah
Nga ujnajat mbesin thëngjijtë
Dhe furrat më bukën që nuk e kishin
E shtrihet i dendur ëmbël terri
Krahve var mallotën e kufomave
Ditën tjetër shtohen gropat
Me të fjeturit bezbardhë
Krejt si në kohë e shirave
Qe mykën ditët ….
DHUNTIA E DHUNËS…
Dhuntia dhunës kur i shtohet
Këlbaz e gjak rritet,
Faizet virtyti ,e dashuria
Gjithçka nga sofra e tutje
Përmbyset
Atëherë qipujt
Harlisën…
BREGUN TJETËR
Fletë ahu
Kam mysafir,
E koha aspiratore
Mastrubon
Mençurakve
U fishkët goja
Më gjasë bregun tjetër
Dikush po tëhollonë
Kur më erdhi ftesa për këtë tryezë, megjithëse dimër, dita kishte plot dritë dhe vetiu m’u kujtua çfarë i kisha thënë njëherë Ali Aliut. I kisha thënë se gjatë vitit Prishtina vërtet ka tërheqje, por edhe Tirana ka shumë ditë me diell. Nuk e di pse, përveçse si albanolog i shquar, edhe si personalitet njerëzor Ali Aliu më vjen në mend sidomos në ditë me diell. E kështu ndodhi që ky vegim m’u bë nxitje për t’i hedhur lirshëm ca shënime edhe në letër.
1.
Akademiku 90-vjeçar, që na nderon mes nesh, ka njëzakon të pashqitshëm. Kur është duke shkruar, ai sikur e këndon nën zë tekstin që po kompozon. Dhe kjo ndodh prej fjollave të frymëzimit. Nga Katër Stinët e Vivaldit, ndoshta për harenë e saj, do ta vija gishtin te Pranvera.
Ali Aliu i përket kritikës dhe filozofisë pozitiviste. Kur bën objekt studimi krijimtarinë e një shkrimtari, ai hedh dritë në anët më të forta të autorit, i analizon njëpër një, por me lupë në dorë nxjerr në pah edhe sythe që ose janë në zhvillim, ose premtojnë të zhvillohen. Në shkrimet e tij nuk ka asgjë toksike. Ai nuk helmon as me dashje, as pa dashje, përkundrazi, vihet në krah të shkrimtarit të cilit i dhuron vlerësim dhe ndjesi gëzimi. Nuk ka autor që mund të ankohet se Ali Aliu ia ka ngrënë hakun, siç nuk kam dëgjuar ta ketë pohuar dikush mbipeshën, kur mund t’i jetë dhënë më tepër.
2.
Ali Aliu e ka të lindur Dashninë për leximin dhe Pasionin e fjalës për letërsinë. Pa e patur fare qëllim, madje pa i shkuar asfare në mend, çfarë ka patur tëbrendshme e ka shpallur si kryemotiv qysh në fillimet e veta. Ja si mund të lexohen të bashkuar tre titujt e tre librave të tij të parë: “Kërkime e Shtjellime në Rrjedha tëLetërsisë”. Tre tituj në një, kredo e plotë.
Ali Aliu është studiuesi në simbiozë me zekthat që ka përditshmëria e kritikut. Ky është tharmi që, ashtu siç nuk e ka lënë në rini, nuk e lë rehat as në moshën e patriarkut. Kur i ka ardhur për të folur, atij nuk i ka ngrirë lapsi në dorë, madje me raste nuk është stepur për ta trajtuar një vepër edhe si kryevepër, pa manipuluar me heshtjen si element i estetikës sëreagimit apo si koncept i dilemës etike. Romancierët ndoshta s’janë aq bujarë sa poetët, të cilët jo rrallëngopen me aromën e lavdërimeve, ndërkohë qëprozatori ndalet ndër paragrafë e detaje, duke kërkuar argumentin në shumësinë e tyre. Nuk po i shtyj më tej reagimet e palës së shkrimtarëve, por po them se ndodh diçka e çuditshme me palën tjetër. Në vend të presëmirënjohje nga autorët e librave që ka pëlqyer, Ali Aliu sillet vetë i pari falënderues ndaj tyre.
3.
Sigurisht, me sy të lirë askujt nuk i duken shenjat e botës së brendshme. Por askush që merr guximin të shkruajë, sado të përpiqet, për një sy të stërvitur nuk mund ta fshehë transplantin e zemrës në tekstin e tij, në terma tëkardiologjisë, ritmin, aritminë, suficencën, insuficencën, etj. Ashtu si për çdo krijimtari, në rreshta e midis rreshtave shpirti i kritikut pulson në tekst, duke dëshmuar si ndihet fjala aty, vjen si harmoni, vjen si llogaritje matematike, rënkon nga mungesa apo kërcet nga teprimi.
Modalitetet e shqyrtimit kritik janë nga më tëndryshmet, rekomandohet objektiviteti. Mirëpo kur e kanë patur prirje, edhe kritikë e studiues të shquar nëbotë ia kanë dalë ta arrijnë objektivitetin jo vetëm përmes dijes, kulturës e kapacitetit mental, por edhe ndihmës së urtësisë shpirtërore. Më duket se kjo urtësi e karakterizon tekstin e Aliut. Në pjesën e shkrimeve kritike ai nuk është i shkarkuar plotësisht nga barra emocionale, porse emocioni i ngarkohet vetë zbulimit të një thelbi, bie fjala, thelbit të përgjigjes se çfarëështë e re në librin e këtij apo atij autori. Dhe nuk mund të mohohet, për vetë natyrën e tij zbulimi është ngritje e velit, njëfarë dasme e përjetshme, ai e ka nëaksionin e vet emocionin.
4.
Në veprën e Ali Aliut gjenden referenca, por zakonisht të natyrës pohuese, mbështetëse dhe informuese. Duke mënjanuar frymën e debatit dhe të polemikës, ai përqendrohet sidomos në faktorët e tij tëanalizës, në thellimin e argumenteve dhe depërtimin shpesh kapilar. Si fryt i punës së Ali Aliut, ndër të tjera, në librin voluminoz “Don Kishoti shqiptar”, që sapo është ribotuar i plotësuar, sot kemi një tablo plot ngjyra mbi krijimtarinë e disa prej poetëve e prozatorëve më të spikatur bashkëkohorë. Herë në rolin e historianit e herë tëpropozuesit për historianët e letërsisë, në këtë antologji vetjake të mendimit kritik gjejmë problematika tërëndësishme të estetikës dhe përgjithësisht të teorive letrare. Aty shtrohen pyetje e jepen përgjigje për çështje bazike të prozodisë, individualitetit dhenarracionit, raportit të reales me irealen, gjuhës sëtekstit e të nëntekstit, etj.
5.
Njëherë, teksa bisedonim për një shkrim të botuar në gazetë, vërejta se Aliut i kishte mbetur peng përse redaktori kishte ndajshtuar pranë emrit të tij ofiqin e akademikut. Dhe këtë nuk mund ta merrje as si shtirje, as si trill, aq më pak si rastësi. Ai gjithnjë nuk ka kërkuar ndonjë potencim me statuset zyrtare, për ta lënë lexuesin të lirë në gjykimin e tekstit, duke ia respektuar mendimin e pavarur dhe mënyrën e leximit. Tekefundit, tërë jetën edhe vetë është treguar një lexues i hatashëm, nga ata të thekurit, të cilët lënë sytë mbi shkronjat e tjetërkujt.
6.
Por si lexon Ali Aliu? Kam krijuar një përshtypje nga biblioteka e tij private. Me gjasë, me t’iu ndezur ndonjë shkëndijë përgjatë lëçitjes, ai hedh shënime nëmargjinat e librit, në ato hapësirat e bardha sa njëpentagram. Si ta përfundojë leximin, do të këqyrëpikërisht këto nota të shpejta. Nëse ka mundur tënxjerrë esenca, ndihet thuajse gati për shkrimin; nëse ende jo sa duhet, i rikthehet librit pjesërisht.Përndryshe, me kalimin e kohës ato shkëndijat ftohen dhe shënimet nuk dalin nga raftet.
Mes mënyrave të larmishme, pse jo, mua më pëlqen gjithashtu ky qëndrim, që afron me krijimtarinë e mirëfilltë: të punosh jo vetëm për të kënaqur të tjerët, por së pari për të ndier kënaqësi vetë gjatë procesit tëshkrimit.
Ali Aliu ka lexuar shumë libra të rëndësishëm. Por ma do mendja nuk ka profesionist që të ketë lexuar sa ai edhe libra të parëndësishëm. Nëpër vite, për t’i dhënë skenëd emrin që ka, kam parë si i “vërsulen” në panaire duke i dhuruar libra prej kahmos. Siç është e pritshme, nuk mungojnë autorë të afirmuar, por nuk mungon sidomos bylyku i fillestarëve, amatorëve të vonuar e maniakëve tëshkrimit. Si dreqin e ndiejnë këta se kanë gjetur “babaxhanin” e duhur?! Sepse Aliu, me torbat plot, shkon pastaj përtej mirësjelljes: i lexon thuajse të gjithë ato libra, madje cili është me fat edhe recensionohet.
Kam menduar ndonjëherë se Aliu nuk është fort i rreptë si kontrollor. Por më mirë genuin, sesa ta lidhte veten duke u bërë autocensor. Natyrisht, ne do të kishim edhe ashtu një profil letrar, por jo kaq tëpersonalizuar prej shenjave të tij, domethënë njëpersonalitet të pangjashëm midis të ngjashmëve, ose tëngjashëm me të pangjashmit. Shkurt fjala, një kritik kaq empatik.
7.
Në përvojën time, kur shkruaj një roman, synoj tëkaloj në katër nivele, që nuk është rasti të përmenden. Por ekziston edhe një i pestë. Ky është niveli, kur kritika letrare zbulon në veprën e shkrimtarit çfarë s’e ka ditur më parë vetë autori i saj. Kështu ndodh edhe me kritikët e studiuesit, jo rrallë dinë për veten më pak se të tjerët dinë për ata. Dhe sa mirë kur kolegët janë tëgatshëm t’ia thonë.
8.
Dhashtë Zoti që, një ditë, të jemi çliruar përfundimisht nga bizantinizmi i trashëguar, ai i llojit që, siç thotë Brodskij, sa më afër qëllimit të ndritur tëjetë dikush, aq më të mjegullta ia bëjmë mundësitë e arritjes. Afërmendsh, auditori më i drejtpërdrejtë për çfarë shkruhet sot janë bashkëkohësit. Por unë besoj se do të mbizotërojnë interesat e pastra, të cilat punën e çmuar të studiuesve tanë do t’ia përcjellin edhe sëardhmes.
9.
Ah, edhe diçka në fund, meqë pajtohem se çka është e mjaftueshme, mbetet gjithnjë e pamjaftueshme. Po, gjatë vitit Prishtina ka vërtet tërheqje, por edhe Tirana ka shumë ditë me diell…
60 vjet më parë, 19 prill 1964, kur isha në vitin e parë të Fakultetit Histori-Filologji, pa mbushur 19 vjeç, në gazetën e njohur dhe të vetme letrare të vendit “Drita”, shkrimtari i madh Ismail Kadare, që ishte redaktor për poezinë në atë gazetë, më botoi një cikël të veçantë vjershash të miat.
Për mua si poet i ri ishte një ngjarje e jashtëzakonëshme, të cilën nga albumi i kujtimeve kam kënaqësinë e veçante ta ndaj me miqtë e mi në këtë 60 vjetor të rinisë sime poetike.
Të marrtë dreqi Sadije,
Të marrtë,
Më bëre të qaj me lot,
Por edhe më çmalle shumë
Me një Dritëro TENDIN që s’e njihja deri sot,
Po më bëre që ta njihja edhe unë nga ti,
Më e besueshmja, njeriun më njeri.
Faslli Haliti
I madhi Dritero ka lene shum…. ,per ne è per ju….kenaqesi ta fillosh diten keshtu …..DRITEROI eshte midis nesh …..
Edhe mua mu mbushen syte me lot kur lexova kete shkrim teper njerezor te Sadijes, por jeta keshtu eshte, vijme dhe ikim nga kjo bote dhe vec kujtimet mbeten. Dhe Sadija ka plot prej tyre dhe po i ndan me ne.