Në jug të Istrit e deri në Heladë banojnë fiset ilire dhe thrake (dardanët) dhe të gjithë ata që janë përzier me fise kelte ose me disa fise të tjera. Straboni.
Problemi kyç që lidh apo zgjidh të gjitha fiset e lashtësisë së hershme të kohës së bronzit në trevën e Dardaneleve, mbetet ai dardan. Dëshmitë për dardanët janë tepër të lashta. Ata shfaqen si një popullsi aktive qysh në luftën greko-trojane, shek. XII para Krishtit. Kur ushtarët grekë u hodhën nga anijet në tokën e Trojës, i pari që vrau ushtarin e parë të akejve, sipas dëshmisë homerike, ishte një dardan:
“Protesilaun, një burrë dardan e vrau,
sa nisi të zbriste nga anija…”
(Iliada 39,vargu 86.3)
(Po tek “Iliada”) thuhet:
“Në luftë”dardanëve u printe
Eneu, djali trim i Ankisit”.
Në një vend tjetër thuhet:
“Trojanët zemërakë e bestarë të ndritur”.
Më poshtë jepet një informacion për një koalicion fisesh në mbrojtje të lirisë dhe të tokave trojane:
“Thrakë, misë, ipomolengë, trojanë e liqenas…e kordhëtarë dardanas”.
Sipas legjendave homerike, dardanët radhiten në rreshtat e parë të ushtrisë mbrojtëse të mureve të Trojës. Përdorimi i armëve është i veçantë. Ata përdorin më mirë kordhën (shpatën), ndërsa teukrët i besojnë heshtës. Peonët përdorin më mirë harkun.
Nga “Iliada” marrim edhe një të dhënë tjetër, një karakteristikë të luftës së tyre, ballë për ballë dhe trup me trup me armikun:
“Trojanë, liqenas dhe dardanë që luftojnë afër”, (Iliada,kap.VII,v.173.)
Karakteristikat trimërore të fisit dardan janë të dukshme kudo në “Iliadën” homerike. Për sa i përket gjenezës dardane, në këtë vepër na jepet një e dhënë me rëndësi, që përbën themelin mbi të cilin duhet të ngrihen apo të nisin studimet mbi këtë fis, me biografi të dokumentuar mbi tremijëvjeçare: “Dardanin e lindi i pari Zeusi rembledhës” (Iliada , kap.XX, vargu 215)
Ky informacion dëshmon që fisi dardan ka rrjedhë hyjnore. Pra, jo vetëm kemi të bëjmë me një nga fiset më të vjetra, por edhe që epiqendrën e vet më të hershme dardanët e kanë pasur më në perëndim, meqë vetë Zeusi rembledhës e ka pasur selinë në Dodonë, në malin Tomarus. Për të dalluar fiset autoktone të shpërndara në Mesdhe, në Veri dhe në Jug, te “Iliada” përdoret termi “hyjnorët”.
Hyjnorët quheshin ato fise që bartnin të fshehtën e orgjinës së tyre njerëzore prej zotave. Po nga Homeri kemi një tjetër informacion për dardanët. “II dardanidi ishte gjyshi i Hektorit”. Kështu, teukrit, sado që dalin të parët në listën e luftëtarëve, luftojnë në mbrojtje të trojeve dardane.
E.Zanger flet për një zanafillë dardane qysh në ishullin legjendar të Atlantidës. “Janë të njëjtat madhësi të mureve që përkojnë me muret e Trojës”,- thotë ai.
Materiali arkeologjik i gjetur nga epoka e bronzit në atë të hekurit (vitet 1500-800 para Krishtit) mbështet tezën se dardanët ekzistojnë në disa vende të Mesdheut me tipare karakteristike që i diferencojnë nga peonët dhe nga fiset e tjera më të përafërta, që historianët i kanë quajtur “ilirë”.
Samothraka quhet “Ishulli i dardanëve”. Dhe një qytet me emrin Dardanos përmendet në afërsi të Trojës.
Te “Iliada” nuk përmenden ilirët. Ndoshta do të kenë qenë një fis nën emrin e të cilit më vonë janë thirrur dhe fise të tjera. Në shekujt e mëvonshëm emri dardan nuk është më parësor. Parësore del rrënja “IL” (yll).
Gjurmët e ilirëve tashmë i gjejmë nga territori dalmat e deri në kufi me fiset epirote, duke përfshirë edhe fisin kaon, i cili te “Iliada”, përmendet për herë të parë brenda koalicionit trojan, me emrin e vet të hershëm:”Kaokhonë”.
Teza e qendrës së etnogjenezës ilire, Nish-Sofje-Shkup, e pranuar dhe e argumentuar nga shkencëtarë seriozë, gjuhëtarë e arkeologë, midis tyre dhe nga Çabej, duket më e sakta dhe tregon se dardanët, në lëvizjet Lindje-Perëndim, diku kanë bërë më shumë vend, diku kanë qëndruar më gjatë dhe kanë lënë gjurmë më shumë.
Shkencëtarja maqedone, Fanula Papazoglu, pranon se në lulëzimin e epokës së hekurit (shek.700 para Krishtit) në këtë territor, le ta quajmë “dardan”, infiltrohen ilirët. Duhet pasur parasysh që “baza autoktone dardane në këtë trevë është e pavarur nga ilirët”.
Ne nuk i njohim lëvizjet e fiseve dardane si dhe përzierjen e tyre të gjakut me fise të tjera dako-mize dhe me fiset trakopellazgo-ilire,por pranojmë idenë e një konglomeracioni fisesh, duke përzier këtu dhe ato greke.
Karakteristikë e fiseve në lashtësi ishin lëvizjet e tyre të vazhdueshme, drejt burimeve, kullotave, ndaj dhe banesat e tyre, në shumë raste kanë qenë të tipit të një popullsie me banim të përkohshëm. Nga një analizë e dukurisë ilire, del se ata asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një bashkësi homogjene , sado që banonin në zemër të Ballkanit.
Kjo ka arsyet e veta të cilat lidhen jo vetëm me natyrën e tyre paqësore, por edhe me profesionin e tyre të parapëlqyer të blegtorit. Dardanët, në mos janë vetë pellazgët e kohëve parahomerike, i përkasin rrënjës së lashtë të popullsisë mesdhetare. Ky përfundim nxirret nga dy arsye: Së pari, dardanët ishin një popullsi që flitnin një gjuhë të vetën dhe, së dyti, ata ishin nën mbrojtjen e Zeusit. Dardanët kanë qenë një popullsi, një njësi e vetëdijshme e cila ka lëvizur nëpër kohë duke lënë gjurmët e veta që nga Azia e Vogël e në gjithë trevat ballkanase, por edhe në trevat e tjera ku ka ndodhur procesi i asimilimit gjatë dyndjeve romake dhe sllave. Dëshmia homerike flet për një prejardhje ballkanike të dardanëve të Dardaneleve. Këtë fakt e përforcon më vonë poeti romak Virgjili.
Pas shkatërrimit të Trojës, në udhëtimin e vet plot guxim kundrejt fatit, Eneu zbriti në Buthrotum, gadishull i ngushtë që zgjatet në ujërat e Korfuzit. Ishte ajo toka në të cilën Theb Kadmi kishte zënë vend dhe e kishte emërtuar me emrin e djalit të tij, Ilir. Te “Eneida” e Virgjilit thuhet: “Toka ku së pari lindën stërgjyshërit tuaj, kjo tokë do t’ju presë tani që po ktheheni. Kërkojeni nënën e lashtë.” (Eneida, libri II, v.94-98.)
Mos vallë enianët që banonin në këmbët e Dodonës, kanë lidhje me këto fise, me fiset dardane të emigruara prej kohe në Azinë e Vogël dhe emri Ene është një kujtim i të parit të enianëve?”Enianët ishin banorë të Dodonës dimërkeqe.” Kjo, gjithsesi, nuk duhet harruar, pasi me emrin e enianëve lidhet edhe vendbanimi i faltores dodonase.
Gjuhëtari i njohur, Hahni, emrin “dardan”e shpjegon me anë të shqipes “darda”, Dardaninë e quan “vendi i dardhave”.
Të dhëna të tjera të kulteve: materiale të gjetura në varre, portrete në relieve, motive të tjera astrale, punime në dru, teknika të punimit të terakotave etj., shprehin karakterin autokton të ilirëve, si vijimësi e fiseve dardane. F.Papazoglu ( në “Dardanskaja onomastika”,1964) tregon lidhjet dardano-ilire me praninë e elementit thrakas. Gjë normale për dy popuj fqinjë. Po kjo autore, gjen fisin dardi edhe në ilirët e Apulisë si dhe emërtimin “Galabroi dardan”.
Labanët e Jugut që emigruan në Itali dhe që në të vërtetë kanë një lidhje me fiset kaone dhe labe, do të jenë një përzierje fisesh, që këtu na dalin me një emërtim ku përzihet dhe elementi i tretë dardan, i cili merr përparësi.”Galabroi dardan”,nënkupton një degëzim dardan në edhe në Kalabri. Përcaktuesi “dardan” në togfjalëshim “Galabroi dardan” ka të bëjë me emrin e fisit galabroi, me prejardhje dardane. Edhe në kompozitat dyemërore dardanët dalin parësorë në origjinën e tyre.
Sipas Çabejt, historianët e vjetër, në emrin e një fisi emërtonin gjithë fiset e tjera më të vogla me të cilat kishin marrëdhënie fisnore. Teoria e hedhur së pari nga V.Georgievi i cili thotë se dardanët janë të origjinës dako-mize, nuk ka gjetur asnjë përkrahje. Të dhënat për dardanët janë të mjaftueshme për ta hedhur poshtë një pretendim të tillë.
Treva e etnogjenezës ilire përcaktohet në atë zonë gjografike të ndërmjetme, Nish-SofjeShkup, por me kufij të prerë qartë nga male e lumenj. Dardanët kanë lënë gjurmë në shumë vende, “si fise baritore që ishin, kanë qenë gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme”.
Ilirët dardanë janë pasardhësit e trojanëve dardanë “zemërakë dhe bestarë të ndritur”. Në shek.VI para Krishtit, vendi i zbuluar prej Enrik Shlimanit, Troja, quhej “Novum ll-um”. (Ylli i ri) Martiri i parë i luftës greko-trojane ka qenë Protosilau, i cili zbriti i pari nga anijet akease dhe ra në betejë. Homeri thotë e ai u vra nga një trim dardan.
Për gjenezën dardane gjejmë të dhëna te “Iliada”: “Zeusi që vrenjt e kthjell, i vdekatarëve, në fushë të Trojës ngritur, ende s’ishte. Njerëzit rronin ndër lugina të Id-ës, me tokë të ujitur prej burimesh të shumta. Pastaj Dardani bëri Eriktonin, mbret pasanik, si askush në faqe të dheut… Eriktoni, mbret i trojanëve, Troin e lindi, e Trojit i lindën tre djem, trima si zana: IIi dhe Isaraku dhe Ganimeti me bisht të bukur. Ili bëri Laomedont zëmadhin, prej Laomedonit lenë Titoni dhe Priami.”
Sipas këtij përshkrimi, me “Trojë” është emëruar fusha, jo popullsia teukre apo dardane.Gati në çdo këngë të “Iliadës” përmenden fiset ndërluftuese, duke i karakterizuar peonët harkëtarë, ndërsa dardanët kordhëtarë trima:
“Në breg të detit kanë zënë vend karianët
dhe ata peonët harklakuar, lelegët.
Kaokhonët diva, me pellazgët,
më tutje fushorja e Tibrës u ra short liqeve
edhe meonëve që luftojnë prej qerresh”
Nga ky përshkrim vihet re se besëlidhja, që mori emrin “trojane”, ishte shumë e madhe, ajo u ngrit mbi baza gjakësie dhe bese. Këtu përmendet dhe një fis tjetër, fisi i “trekëve”, që mori pjesë me trojanët. Ky fis mbetet në errësirë. Rreth 80 vjet pas rënies së Trojës, fisi grek i dorëve pushtoi Mikenën. Në ato vite Mikena ishte në lulëzimin e vet, ndërsa Troja “ishte e mbytur në ar”. Shkaqet e vërteta që i shtynë akejtë drejt Trojës nuk dalin hapur. Nuk dalin këtu as fushat pjellore, as qyteti “i mbytur në ar”, as vajzat e bukura teukre.
Legjenda e “Iliadës”, ashtu si ajo e “Odiseut”, ka në qendrën e vet një histori zemërimi të kreshnikut grek, Akilit, prijësit të mirmidonëve. Çdo përshkrim tjetër u përket shtresave dhe shtesave të autorëve të mëvonshëm, të cilët kanë zhvendosur legjendën, duke e lënë atë në plan të dytë dhe duke e mbushur shtratin e poemës me përshkrime luftarake të dy superfuqive të mëdha të kohëve të antikitetit të hershëm. Edhe brenda personazhit të Akilit, sipas përshkrimeve, ka gjëra që kundërshtojnë vetveten.
Poetët shtesarë që do të vinin, nuk i qëndruan besnik përshkrimit të figurës autentike të Akilit: njerëzor, i ndjeshëm, i ndershëm dhe trim,. e ndoshta edhe pak sentimental, si grek i vërtetë i ujërave të Egjeut, por krijuan brenda veprës një Akil mizor dhe tiran, që nuk i përshtatet Akilit të legjendës, që ruan kufomën e Hektorit të paprekur, për t’ia kthyer të atit, në fshehtësi të vëllezërve Atridë. Përse e bën këtë Akili? Askush gjer më sot nuk e ka vërejtur me vëmendje këtë fakt.
Homeri tregon se, fillimisht, Akili nuk deshi të luftonte. Ishte vrasja e mikut të tij të ngushtë, Patroklit, ajo që e bëri të ndërronte mendje dhe e hodhi në luftë. Nga ana tjetër, duhet menduar edhe se Akili kishte lidhje gjaku me fisin e dardanëve. Hektori jepet në vepër me tiparet e një njeriu familjar, fisnik, të mençur, paqësor, i besës, që lufton ballë për ballë, atdhetar dhe trim … Ky është prototipi i heroit dardan, që vjen si mesazh nga mijëvjeçarët.
Emrat dardanë të prijësve trojanë, si:Troji, Illi, Priami, Ankizi, Enea etj., janë në përshtatje të plotë me ligjërimin dhe kuptimin e gjuhës shqipe.
Në vepër përmenden djemtë, nuset dhe dhëndurët e shumtë të mbretit Priam. Siç mund të vihen re lehtë, emrat e tyre janë kalke dhe kompozita fjalësh të gjuhës së tyre. Ato gjejnë shpjegim kryesisht përmes shqipes dhe greqishtes së vjetër. Për të treguar lidhjet e këtyre emrave me gjuhën me gjuhën shqipe mund të përmendim disa prej tyre: Larti, Piriflijetoni, (biri fleik jeton) Guri, Kosti, Kadesi, Tiresi, (Thirrësi), Glauku (Gjaku), Ast-ai (ashtai) Aqroni, (Aqerroni), Hipsinor, Aengiala (ngjala).
Priam në shqip ka kuptimin “i parë”,ndërsa greqisht do të thotë: “blej”. Dardanët e shek. XII para Krishtit kishin njohur një lulëzim të paparë ekonomik, i cili u bë shkak i katastrofës së madhe dhe i shpërnguljes së tyre drejt Perëndimit..
Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar se Troja e shkatërruar i përket një mijëvjeçari më tej se Troja homerike dhe se 8700 sendet e artit të gjetura nuk mund të ishin lënë atje të harruara.
Duhet të ketë ndodhur një tërmet i madh që i ka detyruar banorët trojanë të iknin rrëmbimthi, pa marrë asgjë me vete.Edhe hiri i kuq i gërmadhave hedh një hije dyshimi për kohën e vërtetë të rrënimit të Trojës.
*VOAL po boton “ Dardanët sipas Homerit” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet