VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dalin videot,ja si dy ekstremistët fyejnë myslimanët e Shqipërisë

By | August 14, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Shqiptari musliman 3 weeks ago Reply

    A mund te dim se ku jan kta qente edhe na muslimanet shqiptare kta berllog do o drejtoim nga ruga e bekume

Komentet

In memoriam/ Njeriu që ikën, njeriu që (ri) vjen -Nga prof. dr. Mimoza Lezha

 – Ikën njeriu, mjeku, pedagogu, miku.

Gjithçka boshatiset, sfumohet, shtanget. Për ta rikrijuar sërish njeriun, mjekun, mikun thërrasim  në ndihmë kujtesën. Dhe e bëjmë si ç’duam, siç na pëlqen, siç mundemi, siç e meriton, siç e deshëm, adhuruam, respektuam atë, prof. dr.Maksim Cikulin.

Koha e pakohë

18 maj 2020. Një lajm i trishtë tronditi mendjen e zemrën time: ndarja nga kjo jetë për t’u ngritur lart në qiell e pedagogut, kolegut dhe mbi të gjitha e mikut tim të mirë, prof. Maksim Cikuli. Shtanga brenda meje bashkë me kohën jashtë meje. Lajmi ishte fakt. Më duhet ta pranoja, se jam mjeke. Profesioni i përbashkët me Maksin më vuri në sprovë pohuese. Shoqëruar me mendimin rebelues dhe shpëtimtar për mua se vdekja merr trupin, Zoti merr shpirtin. Mendjet tona ruajnë kujtimet, zemrat tona mbajnë dashurinë.

Data 18 gjithmonë do më kujtojë ikjet e dy njerëzve fort të shtrenjtë për mua, babait tim dhe profesor Maksit. Dy njerëz tepër të çmuar të jetës sime, që sendërtohen tashmë nga malli dhe kujtesa e meritueshme.

Një shpirt kaq i bukur si ai i prof. Maksit u mor shumë shpejt. E ndërsa këmbëngul në kujtimin e takimit tonë të fundit më të, më shfaqet ai, diku afër shtëpisë së tyre, me bashkëshorten Zana si gjithmonë, me pamje të mirë, me humorin fin e copëza bisedash që zgjasin. U ndamë me premtimin tim për të gjetur kohën për kafe ­- bisedën tonë. Atë ditë nxitoja dhe isha e pakohë. Por ajo kafe nuk u arrit të pihej. Mbeti si peng, ndërsa kujtesa më mbush kohët e miqësisë sime të çmuar me prof. Maksin.

Koha e parë – Pedagogu

Megjithëse kanë kaluar dekada, e ruaj shumë të freskët në mendjen time momentin kur e njoha prof. Maksin. U shfaq në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë kur isha  studente në vitin IV. Një ditë, në sallën e leksioneve të sëmundjeve të brendshme hyri një djalë i ri, tepër serioz, me trup mesatar, me sy me ngjyrë të  çelët, me një shkathtësi të admirueshme, që evidentohej nga mënyra e ecjes. Poshtë përparëses i dukej një pulovër e trashe me golf, ngjyrë jeshile. (Besoj kujtim nga qyteti i ftohtë i Kukësit ku kontribuuan si çift mjekësh për katër vite, duke dëshmuar humanizmin, thjeshtësinë e fisnikërinë e tyre). E ndoqa me vëmendje, me padurimin e fillimit të shpjegimit. Zëri rridhte i qartë, kumbues. Auditori heshti. Nga mënyra se si shprehej, kuptova që përballë kisha një djalë të qytetëruar, të kulturuar, të ditur, pasionant dhe argumentues. Impresioni i parë ishte pozitiv, mbresëlënës. E dëshironim ta kishim sërish në auditor si një pedagog që dinte të bënte paktin e dijes me studentët. Dhe ai u rishfaq sërish para nesh, duke na u prezantuar tashmë si pedagog i lëndës që do të zhvillonim bashkë. Kënaqësia dallohej lehtë në sytë e çdo studenti të grupit tim. E kemi kujtuar shpesh më vonë me profesorin keqkuptimin tonë të fillimit. Unë zakonisht bëja pyetje në leksione, sepse gjithmonë kam kërkuar të di më shumë. Dhe bëra pyetjen time edhe për profesor Maksin për pak paqartësi që kisha. Ai, pavarësisht përgjigjeve sqaruese që më dha, më mbajti mend dhe qëndrim distant, duke më etiketuar si “studentja e pyetjeve”. Kjo situatë u sheshua shpejt se mbi të gjitha ai ishte njeri i kulturuar dhe qytetar dhe komunikimi ynë i standardeve të mira na hapi rrugën e një miqësie të mirë e rezistente ndaj kohës, ku baza ishte shkëmbimi i vlerave, dijeve, eksperiencave, projekteve, sfidave të qenësishme që lidhen me një fushë të bukur e të vështirë, siç është mjekësia.

Koha në raportin tim studente–pedagog ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien time. Në thelb ishte ruajtja qartazi e pozicionit pedagog–studente. Duke qenë se në atë kohë isha sekretare e rinisë së klasës, kontaktet e mia me prof. Maksin ishin më të shpeshta, pasi ai ishte dhe pedagogu kujdestar i grupit tonë. Diskutonim për mbarëvajtjen e studentëve të grupit në mësim, për temat e “orës politike”, që ai i bënte shumë tërheqëse. Ai  nuk i trajtonte thjesht si orë politike, por si orë kulturore dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, ‘background’-i familjar i Maksit, formimi dhe kultura mjaft e gjerë e tij, mendja e mprehtë do t’u jepnin këtë nuancë dhe shije interesante “orëve politike”. Më kujtohet që ne vinim nga Sanatoriumi për në fakultet në këmbë që të mos humbnim këto orë. Ne prisnim me padurim orën e terapisë, pasi atmosfera e ngrohtë dhe shumë profesionale dhe shkencore që krijonte profesori, sensi tepër praktik i zhvillimit të mësimit, ku nuk mungonin dhe nuancat e humorit të tij tepër fin dhe insistimi i tij që ne të përgatiteshim si mjekë të mirë klinicistë, na tërhiqte shumë. Profesor Maks Cikuli ishte një pedagog modern, që kërkonte dhe këmbëngulte për  pavarësi, kreativitet dhe të menduar kritik nga ana e secilit prej nesh. Brilant që në fëmijëri, me dy medalje të arta gjatë periudhës së studimit ishte shumë mendjehapur dhe kërkonte nga studentët gjithmonë mendime dhe ide të reja. E them me plot bindje që bazat e interpretimit të imazheve radiologjike dhe të EKG-ve i kemi dhuratë profesionale nga prof. maksi. Për ne ishin ditë me fat ato ditë-net qëndrimi në spital kur pedagogu ynë ishte roje. Ende më mahnit përkushtimi dhe serioziteti i tij në trajtimin e të sëmurëve si edhe qëndrimi në Shërbimin e Urgjencës së qytetit të Tiranës, që ishte njëkohshëm edhe pjesë e programit tonë mësimor. Figura e tij e adhurueshme si mjek  nxitën tek unë dëshirën për t’u bërë një mjeke kliniciste.

Faleminderit prof. Maksi për kultivimin e kësaj dëshire tek unë! Kam qenë e bekuar dhe me fat që kam qenë studente e një profesori të tillë, një pedagogu me mëndje dhe sjellje brilante.

Koha e dytë – Mjeku

Figura e doktor Maksit më shfaqet korridoreve të spitalit a oborreve të tij, në salla konferencash a në momente pushimi kur ngarkesa emocionale e një dite të ngarkuar pune sfumohej lehtazi mes bisedash të çlirëta kolegësh, ku bashkë më kafenë në këmbë shkëmbehej informacioni, konsultimi i shpejtë a humori fin. Bluza e bardhë ishte domethënëse për të, për profesionin e trashëguar dhe që kishte zgjedhur e të cilit iu kushtua një jetë të tërë. Ai ishte vizionar, ishte inspirues dhe një person i lindur për standarde të larta. Të tilla i kërkonte standardet në çdo stacion sfide ku ndalonte. Shpirti i tij kërkues ngulmonte për arritje të tjera. Ai themeloi Shërbimin Kombëtar të Gjenetikës, i vetmi në vendin tonë, shërbim të cilin e drejtoi me shumë pasion e devotshmëri. Me krijimin e këtij shërbimi, prof.dr Maksim Cikuli mbolli dhe rrënjosi besimin te njerëzit. Kam pasur nderin dhe privilegjin të kem prof. Maksin edhe si konsulent. Megjithëse unë kisha specialitet tjetër (kardiologe) disa herë kam konsultuar raste të pacientëve kardiakë me sindroma të lindura dhe madje kemi publikuar edhe punime të përbashkëta, nisur nga rastet për të cilat kemi mbështetur njëri-tjetrin në studime. Ishte kënaqësi të bashkëpunoje me doktor Maksin, konsultat ishin interaktive dhe minutat kalonin shumë shpejt. Shërbimi i Gjenetikes dhe Departamenti i Pediatrisë kanë qenë të nderuar që kanë pasur një drejtues dhe një bashkëpunëtor të tillë, një studiues, erudit e gjithmonë kërkues si ai. Gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo bashkëbiseduesi, ndaj çdo mendimi kolegu. Ai kërkonte të dëgjonte dhe shikonte gjithmonë diçka të re dhe tërheqëse në atë që ofronte çdo koleg e bashkëpunëtor. I dashur me të gjithë dhe i adhuruar nga të gjithë që e njihnin atë, për xhentilesën, intelektin dhe mirësinë e tij.

Ngjante me një magnet, kishte aftësinë e pakonkurrueshme për të tërhequr rreth vetes studentë, profesorë, mendimtarë. Rrezatonte kualitet të lartë deri në madhështi. Mjeku që të falte emocion dhe besim duke të zgjatur dorën e humanizmit, ndihmës dhe fjalës së mirë në çdo situatë, mjeku që bardhësinë e bluzës së bardhë që mbante supeve ia kishte veshur edhe shpirtit të tij, qenies së tij të pasur. Drita e tij, shkëlqimi i tij, xhentilesa, guximi, sensi i humorit dhe lufta kundër padrejtësive do të mbahen mend nga studentët, kolegët, bashkëpunëtorët. Sepse kështu është ravijëzuar figura e doktor Maksit për të gjithë ata që ndanë çaste pune a jetë me të. Ndjehem me fat dhe e privilegjuar që kam pasur prezent në jetën time për afro 40 vjet një personalitet si prof.dr. Maks Cikuli.

Koha e tretë – Njeriu

Maksi ishte një njeri me plot kuptimin e fjalës. Me shumë dëshira dhe interesa, që i kultivonte vazhdimisht. Adhurues i natyrës, artit, letërsisë, i ushqimit, i muzikës, një mik me vlera që u rezistonte rendjeve të kohës e zhbërjeve meskine. Sepse ashtu ishte mbrujtur, ashtu mbrujti veten. Për të mbetur njeri i pakorruptueshëm nga e liga, pushteti, paraja. Të mbetesh qelibar në kohëra jo shumë të pastra është sfidë më vete. Por për Maks Cikulin aspak e vështirë, aspak e pamundur. Sepse e kishte kultin e njeriut dhe besonte te njeriu.

Besonte te shoqëria e evoluar dhe emancipuar dhe kontribuoi për të pa u lodhur dhe pa humbur besimin në këtë rrugëtim aspak të lehtë të shoqërisë shqiptare në një tranzicion të gjatë dhe të vështirë. Siç besonte te miqësitë e bukura dhe rezistente që i kultivoi paqësisht pa bujë e zhurmë.

Koha ime e miqësisë me të i ka fillesat që në kohën e universitetit. Nëse insistoj kujtesa më sjell kohën e bukur të aksioneve në tunelin e Lezhës në vitin e fundit të studimeve tona. Profesor Maksi nuk iu nda ekipit të pedagogëve. E ne nuk kemi ndjerë lodhjen për shkak të pasditeve argëtuese dhe turistike në të cilat promotori ishte ai. Për të njohur qytetin ku po jetonim, historinë, arkeologjinë, njerëzit e atij qyteti. Më dijet dhe kulturën e gjerë profesor Maksi shndërrohej në një guidë speciale dhe zbulonte para syve tanë vlera që nuk dukeshin, nuk shiheshin. Organizator shumë i mirë, frymëzues drejt gjërave të bukura, njerëzor dhe komunikues, i mençur dhe i thjeshtë ai shfaqej simpatik dhe gazmor, i vërtetë dhe pasionant në të gjitha vitet e miqësisë sonë familjare. Udhëtimet e shpeshta në kohë fundjavash drejt vendeve bregdetare të Shqipërisë shndërroheshin në ditë të kaluar bukur e në mënyrë aktive. Miqësia me të më lejoi të njihja djalin e dy prindërve të nderuar e të mrekullueshëm të tij, dr. Rashela dhe dr. Zisa, pasqyrë shembullore e të cilëve ishte edhe ai. I dashuruar përjetësisht me Zanën, bashkëshorten e tij mjeke, prind i devotshëm i Julit dhe Sarës, që u rritën edhe në kohën e miqësisë sonë e për të cilët ndjehej krenar. Maks Cikuli krijoi jo vetëm për sytë e mi modelin e njeriut fisnik dhe familjar, mikpritës dhe vatërngrohtë, që hartën e miqësisë e kishte cilësore dhe të zgjeruar në kohë. Miqësi të tilla rezistente dëshmojnë vlera të pakontestueshme të njeriut që mbeti njeri deri në frymën e fundit.

Koha e rikrijimit

Shpirti i prof. Maks Cikulit fluturoi shpejt në qiell. Buzëqeshja e tij e paqtë ka ngrirë në kujtesën time. Mungesa është prezent te çdo njeri që e ka njohur dhe ka ndarë kohë me të. Shoqëria shqiptare humbi një mendje brilante, mjekësia humbi mjekun e talentuar dhe të investuar drejt dijes dhe të mirës. Ne humbëm  pedagogun, kolegun, mikun, njeriun që me prezencën e tij profesionale dhe njerëzore ndikoi qenësishëm në rrugëtimin tonë profesional. Do të na marrë malli për atë mëndje të ndritur, për zgjuarsinë dhe erudicionin e tij, për aftësinë depërtuese dhe interesin për gjithçka të re. Do të na mungoje zëri i Maksit, buzëqeshja e tij, dashuria e tij, mirësia e tij, humori i tij i hollë. Do të na mungojë njeriu inteligjent, xhentil e bujar, i ndershëm dhe me integritet, njeriu të cilit unë ndjej nevojën t’i them “faleminderit!” për gjithçka na dhuroi me bujari në jetën tonë profesionale dhe njerëzore.

E atëherë ribëj përmes copëzave të mendimeve, ndjesive, ngjarjeve, mbresave njeriun që njoha, ribëj pedagogun, kolegun e sërish mikun. Duke u ndjerë me fat për prezencën e tij shumëplanëshe në jetën time. Ndërsa nderimi dhe malli për të nuk shteron.

Haxhi Shala thotë se Thaçi e Haradinaj i kanë shkuar në shtëpi në orën 1:00 të mëngjesit

Një vizitë të papritur të martën pas mesnatës e kishte pasur deputeti i NISMA’s, Haxhi Shala. Atij në shtëpi në orën 01:00 i kishin shkuar dy mysafirë të paftuar. presidenti i vendit, Hashim Thaçi e kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Këta dy kishin mision që ta bindnin Shalën për të ndërruar mendjen për t’i dhënë votën pro, Qeverisë së Avdullah Hotit, raporton Gazeta Express

I ftuar në Frontal tek Arsim Lani, deputeti Shala ka dhënë detaje për takimin që kishte pasur me Thaçin e Haradinaj.

“Për mu kanë ardh si miq të vjetër. As si kam thirre as si kamë ftu, veç kur i kam pa te shrëpia. Ata ma sqaruan edhe krizën politike. Më thanë që koalicioni varet krejt nga vota juaj.  Unë iu thash që i kam bashkëluftëtar e nuk mund që t’i ktheje prapa. Unë votë për Hotin nuk kam, por votë për ju të dyve kam. Ka mujt edhe Limaj një telefonatë me ma ba, e më thanë jemi në këtë gjendje. Në Prishtinë erdhën në shpi. Më erdh mirë kur i pash dytë bashkë.  Bilez unë me shaka iu thash ‘ra Albini iu bani bashkë. Kanë ardhur në ora 01 të natës e pastaj ndenjtë gogja shumë”, ka deklaruar Shala

Haxhi Shala i çel letrat, tregon me cilin ministër të NISMA-s i ka mbetur hatri

Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA-s, Haxhi Shala, ka qenë një prej emrave më të diskutuar ditëve të fundit pas deklarimit të tij se nuk do të votojë për qeverinë e Avdullah Hotit, pavarësisht se partia e tij kishte lidhur koalicion.

Deputeti i NISMA’s ka thënë se problemi i tij nuk ka qenë me qeverinë e Avdullah Hotit por me zhvillimet brenda partisë së tij.

Shala në FRONTAL të T7 ka thënë se i ka mbetur hatri me emërimin e Skënder Reqicës për herë të dytë ministër, duke thënë se i njëjti nuk i ka sjellë vota partisë, raporton Gazeta Express.

“Unë i kam vërejtjet e mia për ministrat. Për njërin s’kam vërejtje dhe ai është Vesel Krasniqi, Skënder Reqica është djal i mirë, partia ia ka dhënë mundësinë një herë. Dhe kur ta jep partia mundësinë një herë, duhet fituar vota pastaj. Ne e kemi bërë ministër jashtë Malishevës, për t’i sjellë vota partisë. Ai është ministër për hatër të bacit Jakup”, ka thënë Shala në FROTNAL.

Mediat italiane: Rezart Taçi ka 362 milionë euro pasuri në një bankë në Singapor

Ish-presidenti i klubit sportiv italian Parma dhe ish sponsori i Milanit me kompaninë “Taci oil”, Rezart Taçi është kthyer sërish në vëmendjen e mediave italiane.

Zbulohet banka që ka pasurinë e Rezart Tacit

Thashethemet ndërkombëtare, të mbështetura edhe në raportimet e mediave italiane, thonë se qindra miliona euro u zbuluan në Singapor që i atribuohen kompanisë së naftës të menaxhuar nga ana e Rezart Tacit.

Banka ku mbahet pasuria e Tacit është “Maybank Singapore Ltd” dhe shuma që Taci mban atje është 362 milionë euro.

Rezart Taci u bë i njohur në Itali gjatë dekadës së kaluar, për faktin se ishte president i klubit sportiv Parma dhe se ishte sponsori kryesor i Milanit përmes kompanisë së tij Taçi Oil .

Ndjesa e munguar e Zonjes Shahini! Nga Denisa Daka

Kam pritur nje ndjese publike nga Znj. Shahini, per gjithshka ndodhi e peshtjelloi shumekend ne kete vend!

Prej disa ditesh ka pritur nje ndjese publike me shume gjase dhe nena e vajzes se abuzuar ne Tirane, nje tjeter nënë në Vlore, një tjeter në Kavaje e gjetkë, dhjetra minorene ndodhur ne keto kushte gjithashtu, te cilat nuk guxojne te denoncojne dhunuesit e tyre per disa arsye ne rradhe.

Pasiguria per jeten, “njolla e turpit”, mosbesimi tek insitucionet, policia, media dhe e gjithe shoqeria, ben qe keto njomezake te bjerrin ditet siç nuk desherojne, duke shpresuar dikush t’i shpetoje nga ky ferr e tmerr pa fund!

Znj. Shahini!

Jane shume te tilla rrotull ne kete vend te vogel, te cilat mallkojne diten e fatin e mbrapshte per disa arsye ne rradhe!

Nese nje dite me pergjegjesi qytetare e insitucionale do kryenit nje tur ne shkollat e vendit, do te njiheshit me brengen e ferrin e dhjetra vajzave ketu.

Jane shume te tilla rrotull, te cilat gjenden brenda ketij qerthulli te errët e pa rrugedalje, ju siguroj per kete!

Per fat te keq, ju vendoset te humbnit serish rastin t’u kerkonit ndjese te gjitheve!

Ne daljen tuaj te fundit u rreket te merreni rishtas me pasojat e gjithekesaj, pa u ndalur ne asnje moment tek shkaku!

U zotuat te shtoni psikologet ne shkolla, duke propozuar dhe ashpersimin e ligjit nder te tjera!

Por sipas meje e jo vetem gabuat serish, pasi çelesi i gjithkesaj është:

-Ndryshimi i mendesise se drejtimit e politikberjes posaçerisht.

-Parandalimi nepermjet edukimit ne çdo rast.

-Perzgjedhja e drejtuesve te kualifikuar e vullnetmire te cilet do te sillnin nje qasje e fryme te re ne insitucionet tona arsimore.

-Ushtrimi i kontrollit periodik ne ambientet shkollore, per te garantuar paprekshmerine, integritetin e sigurine e nxenesve ne çdo rast.

-Koordinimi me strukturat perkatese per te shmangur rastet ne vijim.

-Zbatimi i planit kombetar “Per Arsimin”, i cili nuk arriti te implementohej ne asnje rast ketu.

-Respektimi ne formen e duhur i te drejtave e lirive te femijeve, siç ligji e parashikon, duke konsideruar bashkepunetore ne kete rrugetim prinderit e femijeve.

-Perfshirjen e menjehershme te lendeve “Edukim Ligjor” dhe “Edukim seksual” ne kurrikulat mesimore.

-Perzgjedhjen brenda nje standarti te mirepercaktuar te rojeve te shkollave, duke vleresuar karten morale te sejcilit, ne bashkepunim me komunitetin e prinderve (inekzistent pergjate ketyre viteve).

-Koordinimin ne formen e duhur me patrullen e policise, duke mos toleruar asnje shkelje ne çdo rast.

-Monitorimin e rasteve specifike nga specialiste te fushes, duke u kujdesur qe te dhenat personale te cilat mbrohen me ligj, te mos te keqperdoren nga policia e media, duke mbrojtur jeten e femijeve ne çdo rast.

Sefundmi Znj. Shahini,

Organizoni nje forum te hapur me prezencen e mesuesve, femijeve e prinderve dhe ejani t’i degjoni nga afer shqetesimet, kerkesat e sugjerimet e tyre!

Ndryshe zilet e propogandes do te shuajne gjithshka duhet te ndryshoje e ju do te humbni perfundimisht rastin te adresoni problemet ne formen e duhur!

Zgjohuni e veproni sa nuk eshte vone, ndryshe askush prej nesh nuk do t’ua fale demin e pakujdesine, shkaktuar nga mosveprimet posaçerisht!

Nje dite historia do t’u gjykoje te gjitheve bashke!

Shkrimtari Pjetër Meta i drejtohet Atit të Shenjtë: Ju lutem dhe përulem para Jush, që të shpallni në pak kohë njohjen e Kosovës – SHTET

 

Letër e Hapur

Shenjtërisë së Tij, PAPA FRANCESKU

VATIKAN- Romë

 

Fort i nderuar At’!

Më falni, Ju lutem, për sa po Ju shkruaj!

Së pari, dëshiroj nga zemra, që tu uroj shëndet e jetë të gjatë në krye të Selis së Shenjtë të Vatikanit, nga ku rrezaton paqe, mirësi e dashuri për të Lumin zot e për gjithë njerëzimin.

Po u drejtohem Ju Shenjtëri, Papë i uruar e respektuar i të gjithë katolikëve të botës, sot 13 ditë para  natës së Shën Antonit të Padovës, Doktor Ungjillor, thënë ndryshe në shqip,- “Nata e Shna Ndout”, përvjetori i 789 të vdekjes, me një lutje, me përuljen më të thellë para Jush, që të na e plotësoni një kërkesë të ligjshme.

Para se t’ua shkruaj kërkesën time, dëshiroj që tu prezantoj, Shenjtëri, me disa të vërteta të hidhura padrejtësie, që i janë bërë popullit shqiptar ndër shekuj.

Populli shqiptar, është i vetmi popull në botë, që kurrë nuk ka ndërmarrë luftëra pushtuese ndaj asnjë populli tjetër gjatë gjithë historisë së tij.

Populli shqiptar është ndër popujt  e parë në botë, që përqafoi Krishterimin, që në vitet ’60-‘80  pas Krishtit, kurse në Dardani (Kosova e sotme), që në shekullin e parë pas Krishtit, pesë shekuj pas dyndjeve serbe, me ç’rast është ngritur dhe ka funksionuar organizimi kishtar në këto troje.

Populli shqiptar, me kryetrimin Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Atleti i Krishtit) në krye, ishte i vetmi në Evropë, që ndaloi marshimin e otomanizmit  drejt qytetërimit evropian, i cili bashkë me luftëtarët  e tij, në politikën e të cilit mishërohej krishterimi roman, ndaloi shkatërrimin e Romës dhe rrezikun që i kanosej me këtë rast qendrës më të madhe të Krishtërimit ,- Selinë e Shenjtë.

Ky shërbim madhorë dhe i paharrueshëm, duhet të përbëjë një falënderim dhe mirënjohje të Evropës dhe Vatikanit për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët me një intuitë të shkëlqyer dhe një fuqi të pazakontë, dhe pse një popull i vogël, iu kundërvunë me sukses një rës nga perandoritë më të mëdha të kohës, siç ishte Perandoria Otomane.

Por populli shqiptar është i vetmi popull në Evropë, i cili është ndarë dhe copëtuar nga Fuqitë e Mëdha, sikur të ishte plaçkë tregu, për të plotësuar shijet dhe pasionin shovinist të fqinjëve tanë, armiqtë dhe pushtuesit shekullorë të këtij populli, siç janë Serbia dhe Greqia. Sot populli shqiptar, me një shtrirje historike që nga Athina deri në portat e Beogradit, është shpërndarë  (copëtuar) në pesë shtete, me dy shtete shqiptare, Shqipëria mëmë me 28.748 km2, dhe shtetin e Kosovës me 10.887 km2, nga 92.000 km2, që Shqipëria ishte para vitit 1912.

Të gjitha ndarjet që iu bënë Shqipërisë, si tokat dhe popullsia, ishin fatkeqësi e dhimbje e madhe, por ndarja e fundit, më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, ishte tragjike, një thyerje më dysh të vendit, popullsisë dhe kombit shqiptar. Në këtë konferencë, e ashtuquajtur “Konferenca e Paqes”, Shqipërisë iu shkëputën  10887 km2  territore, Kosova (Dardania historike), duke ia aneksuar Serbisë.

Serbia dhe serbët, historikisht e kanë masakruar popullin dardan (shqiptar). Që nga viti 1300-1320, kur Serbia u bë perandori, i masakroi shqiptarët katolik të Dardanisë, duke iu djegur, shkatërruar e tjetërsuar të gjitha kishat latine- katolike, e duke ngritur mbi themelet e tyre kishat ortodokse serbe, për të “ligjëruar” pretendimet historike, se këtu “është tokë serbe”.

Por masakrat më çnjerëzore mbi popullin kosovarë (dardan), Serbia i ka bërë gjatë shekullit të XX-ë, duke vrarë në grupe qindra burra para varreve masive të hapura para tyre e më pas, ashtu siç janë vrarë dhe masakruar me qindra a më shumë në vitet 1989-1999, siç Ju Shenjtëri e dini dhe që i keni parë dhe të pasqyruara në kronikat e këtyre ngjarjeve dhe në dokumentarët e Luftës së Kosovës në fund-shekullin e kaluar.

Të gjitha këto masakra, kishin në themelin e vet padrejtësinë e Fuqive të Mëdha dhe që Evropës, që iu bënë shqiptarëve, e cila vetëm pas 100 vjetësh, me Lutjen  edhe të Nënë Terezës, drejtuar Presidentit të SHBA-ve, Bill Klintonit, vuri në vend padrejtësinë e saj shekullore, duke ia shkëputur me luftë Kosovën  Serbisë.

Po Selia e Shenjtë, a duhet të kthejë kokën pas, e të korrigjojë atë padrejtësi të madhe, që Evropa i bëri popullit të Kosovës (Dardanisë së hershme)?

Më lejoni që të sjell në vëmendjen Tuaj edhe disa të vërteta të tjera historike”

Ju kërkoi ndjesë, pasi gjithçka që unë do të iu shkruaj më poshtë, është thjeshtë një përpjekje e sinqertë për të sjellë në kujtesën Tuaj Shenjtëri, pasi Ju , të gjitha i dini. Sado që historia u soll keq me ne shqiptarët, Papë-t dhe Selia e Shenjtë kurrë nuk hoqi dorë e as nuk i la pas dore Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Janë me dhjetëra ndihmat dhe përkujdesjet e Papë-ve të Selis së Shenjtë për Shqipërinë, që nga Papa Point-i, në vitin 1571 e deri tek Papa Klementi i XI (me gjak shqiptar) në vitin 1711. Janë të shumta ndihmat e Papë-ve në përhapjen e kulturës shqiptare, që nga ngritja e kolegjeve, të shkollave, të botimit të librave, të gjuhës e të gramatikave shqipe.

Ishte monumentale, ndihma që që dha Papa Benedikti XV-të Shqipërisë, pas pritjes që i bëri kryetarit të delegacionit shqiptar Imzot Luigj Bumçi, dhe sekretarit At Gjergj Fishta, kur i prezantuan  planin e dytë të Fuqive të Mëdha  në Konferencën e Paqes në Paris në tetor- dhjetor  të vitit 1919, për t’i dhënë Greqisë  Korçën dhe Gjirokastrën. Në saje të ndërhyrjes së tij (Papa Benediktit të XV-të) tek ambasadori amerikan, i cili duke ia prezantuar atë (planin) Presidentit të SHBA-ve Udro Uillson, këto territore  mbetën në shtetin shqiptar, siç janë dhe sot.

Nuk mund të lë pa Ju sjellë në kujtesë dhe pritjen dashamirëse dhe vëllazërore, me një qasje të rëndësishme diplomatike për kohën, që Papa Gjon Pali i II-të, i bëri Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova, u pagëzua nga Papa si katolik i devotshëm, duke i treguar Evropës dhe popullit të tij, se populli kosovar ka qenë historikisht pjesë e saj dhe mbetet i tillë.

Ju Shenjtëri keni në dorë dhe mbi supe punët e gjithë botës, e unë dua me ua shtua pak rëndesën, por duke iu kërkuar falje, dua të ju kërkoj një nder të ligjshëm që mund t’i bëni popullit të Kosovës:

Në këtë kohë pandemie, unë një katolik i devotshëm nga zona katolike e Nikaj- Merturit, ku të parët e mijë u larguan nga viset e Dardanisë (Kosovës), kur Stefan Dushani po i digjte e persekutonte katolikët dardanë, Ju lutem dhe përulem para Jush, që të shpallni në pak kohë njohjen e Kosovës – SHTET.

Duke u njohur Kosova- shtet nga Selia e Shenjtë, shpresoj se nuk do të ketë asnjë pasojë negative qoftë autoriteti i Vatikanit dhe as  feja katolike, por përkundrazi, paqja do të jetë më e sigurt.

Duke u njohur nga Selia e Shenjtë Kosova- shtet, shpresoj dhe kam besimin e plotë në atë të vërtetë që Ju Shenjtëri ua thatë më 24 shtator 2014 në vizitën Tuaj në Tiranë shprehimisht:”Nënë Tereza, është bijë e madhe e këtyre trojeve, Paqe në shtëpitë tueja!”, se pas këtij akti, në Kosovë do të ketë më shumë paqe dhe mirësi.

 

Me respekt për Ju e mirësinë Tuaj Atë,

nga një besimtar i Zotit,

Pjetër META,

Studiues – shkrimtar

Tiranë, më 02 qershor 2020

 

Mos hapja e doganave në Qafë Morinë e Qafë Prushi ngjan si “Perde e Hekurt”, sjell krizë mbi krizë për Tropojën e Hasin – Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Qeveritë e Kosovës ende nuk i kanë hapur dy pikat e kalimit kufitar e doganor në Qafë Morinë (Tropojë) e në Qafë Prushi (Has). Ndërkohë që prej 1 qershorit 2020 funksionojnë 6 të tilla në 24/7 me status e standarde të njëjta, si ato në Vermicë (Kukës, Shqipëri) Kullë (Mali i Zi), Hani i Elezit (Maqedoni e Veriut), Dheu i Bardhë, Merdarë e Jarinjë (Serbi). Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë i ka hapur “kufijtë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët”. Për ma tepërt, kur edhe vet Serbia mbrri deri aty sa lëshon deklarata politike, diplomatike e shoviniste “do i hapim kufjtë me Shqipërinë”(!).

“Qeveria Kurti” i hapi “100 përqind” pikat kufitare e doganore (të çertifikuara për udhëtarë e mallra) me Republikën e Serbisë, ndërsa me Shqipërinë vetëm “30 përqind”, vetëm atë të Morinës në Kukës, ndërkohë që vijën kufitare me Kosovën e ka 116.3 km përgjatë bashkive Tropojë, Has e Kukës.

2.

Mos hapja e PKK e PKD në Qafë Prushi e në Qafë Morinë (që janë rrugë kalimi të udhëtarëve e karvanëve qyshce në hershmërinë antike ilire, të cilat e lidhnin bregdetin Adriatik me Alpet), në kushtet aktuale gjeostrategjike politike e diplomatike, përban një akt të lig përjashtimor e përveçues, një veprim antikombëtar e prosllav të Qeverive të Kosovës (në ikje e ardhje), i damton ndjeshëm ekonomitë private e shtetërore të Shqipërisë (Tropojës e Hasit, etj.) dhe të Kosovës (Rrafshi i Dukagjinit, etj.), nuk mundëson lidhjet etno-historike, kulturore, etj.

Vetëm rregjimet e Krajlëve të Dinastive të Serbisë Mbretërore, të Enverit izolacionist, të Titos e Millosheviçit të Jugosllavisë ia kanë mbyllun Tropojës dhe Hasit kufijtë tokësorë me piramida e klone, në pika kalimi kufitare e doganore.

            Vetëm këta nuk e kanë lanë Malësinë e Gjakovës (Tropojën) të lidhet me Gjakovën e saj dhe Gjakovën të lidhet me Malësinë e vet (!) Vetëm këta nuk e kanë lanë Hasin e Thatë të Shqipërisë të lidhet me Hasin e Rrafshit të Kosovës dhe Hasin e Rrafshit në Kosovë të lidhet me Hasin e Thatë në Shqipëri (!)

            3.

Tropoja (Malësia e Gjakovës) sëbashku me Brigadën “Agim Ramadani” të Kosovës e të tjerët, në Luftën historike të Koshares, qyshce me 9 prill 1999, me gjak e plumba, me sakrifica e heroizma, e kanë thye njëherë e përgjithmonë  kufinin e padrejtë të Fuqive të Mëdha që i ndante Kosovën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Kosovën.

            Tropoja dhe Hasi kanë ma shumë se çdo rreth (bashki) tjetër e Shqipërisë: a.-pjesmarrës luftëtarë e kontributorë në Luftën e fundit të Kosovës (1997-’99), b.-Dëshmorë të Luftës së Kosovës,  c.-Invalid në Luftën e fundit të Kosovës.

            4.

            Asnji rreth (bashki) tjetër e Shqipërisë nuk është damtue ma shumë se Tropoja e Hasi nga Lufta e Kosovës, të cilat kanë pësue humbje me disa miliardë dollarë (USD) përgjatë Luftës së fundit të Kosovës, aq sa dhe sot e kësaj dite i ndjejnë deri në mbijetesë pasojat e mëdha të saj, aq sa ende ecin, mbjellin e korrin mbi tokë të minueme nga shovinizmi gjakatar e genocidial serb, etj.

Vetëm Tropoja (Malësia e Gjakovës) nga rreth 700 dëshmorët e saj, i ka rreth 500 prej tyne të ramun Dëshmor i Atdheut për Kosovën, prej nga kohërat e kryengritjeve e luftërave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri tek Lufta ma e fundit e Kosovës.

Dikur, bashkarisht, edhe para dy-tre dekadave të fundit, e kena thye me zemër e shpirt të pastër e “me qefin në krye” kufinin e padrejtë shqiptaro-shqiptar mes Shqipërisë e Kosovës të vendosun prej të tjerëve në shekujt e fundit.  Tropojanët e Hasianët dhe Kukësianët, (e të tjerët) kena dhanë kontribute të mëdha nga buka tek pushka për me luftue e me fitue lirinë e Pavarësinë Kosova dardane. E tashti padrejtësisht e pabesisht Qeveritë e Kosovës (në ikje e ardhje) po duan me na nda ndërveti, për së gjalli e me mjaft ligësi politike e shtetërore, me hakmarrje primitive politike, etj.

Përgjatë historisë, në jetë e mote, Tropoja e Hasi i kanë pasë bashkarisht miqësitë e gjakut e të pragut; i kanë pasë bashkarisht edhe lidhjet ekonomike e kulturore; i kanë pasë bashkarisht edhe dasmat e luftërat. Haxhi Zeka aq sa është i Pejës është dhe i Tropojës. Bajram Curri aq sa është i Gjakovës është dhe i Tropojës. Ndaj, kush na ndaftë ndërveti si dikur, as ditë të mirë e as dritë të pastër mos paftë!

5.

Tropoja (Malësia e Gjakovës) e ka veç një krahë e një hap larg Gjakovën, është pjesë etno-historike e saj, janë njësh – nji e vetme.

Tropoja e ka mbi dy herë ma afër Prishtinën (120 km) se sa Tiranën (260 km). Ma shpejt shkojmë në Gjakovë, Pejë, Prizren e deri në Prishtinë, se sa në qytetin e Kukësit, në kryeqëndren e Qarkut të Kukësit apo në Tiranë – në metropolin shqiptar.

Veçanarisht bashkia e Tropojës (Malësia e Gjakovës), po përgjithsisht dhe Bashkia e Hasit (Hasi i Thatë) nëse nuk funksionojnë Pikat e Kalimit Kufitar e Doganor të Qafë Morinës e të Qafë Prushit bien menjëherë në krizë të madhe ekonomike e financiare, bien në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse magjen e bukës, tregtinë me mall, kuletë e çek bankar, tregtinë me çanta dore e me makina të vogla e të tonazhit të madh,  e kanë kryesisht e përgjithsisht me Kosovën dardane.

Dihet botnisht se tre muaj izolim pandemik e kanë lodhë së tepërmi Tropojën e Hasin, krejt Qarkun e Kukësit, ndaj në këto çaste Kosova është frymëmarrja jonë ekonomike, fuqia jonë ekonomike. Edhe vet Kosova, kryesisht Rrafshi i Dukagjinit, ia ndien peshën ekonomike Qarkut të Kukësit.

            6.

            Absurdi ma i madh politik e diplomatik ka të bëjnë dhe me faktin se Qarku i Kukësit (ku përfshihen tri bashkitë e sotme Tropojë, Has e Kukës) është ndër ma të pasuritë në botë për nga pasuritë natyrore të tij, por ka mbetun Qarku ma i prapambetur në Shqipëri e në Europë, prej politikave mbishekullore të qeverive shqiptare në vargni, prej politikave të fqinjëve tanë ballkanikë e mesdhetarë në histori shumëshekullore, prej mos pasjes me ose pa dashje të ndërhyrjes e të ndihmës ndërkombëtare euro-atlantike, si dhe nga politika të tilla të izolimimit e bllokimit me PKK e Doganor në Qafë Morinë e në Qafë Prushi të mbajtura këto ditë nga qeveritë e Kosovës.

            Sot është dita, ora, minuta, që të ndërhyjnë edhe Ndërkombëtarët Euro-Atlantik, me përfaqësuesit e tyre në Uashington e Bruksel, në Prishtinë, në Tiranë, duke e vlerësuar dhe situatën e çastit dhe shkaqet e pasojat e prejkohshme, se Qarku i Kukësit, se Tropoja e Hasi (të bllokuara me Kosovën) nuk janë larg gjeopolitikisht, po në mesin e Europës e të Botës; nuk janë as bashki të vogla krahasime dhe me disa shtete të Europës. Qarku i Kukësit është gati sa shteti i Luksemburgut. Bashkia e Hasit është mbi dy herë ma e madhe se shteti i Lehtenshtajni. Bashkia e Tropojës është mbi dy herë ma e madhe se shteti i Andorrës.

“Perdja e Hekurt”, jo vetëm më përngjan, por nuk ka si të jetë ndryshe, veçse me “stop” në kufi e me “traun” e ulun të doganës edhe në Qafë Morinë të Tropojës e në Qafë Prushi të Hasit e krahinës së Bytyçit!

“Mbi-Kriza” (kriza mbi krizë) nuk ka si të jetë e të vijnë ndryshe veçse nga mbyllja ngujuese prej tre muajsh në shtëpi prej situatës së fatkeqësisë natyrore Covid-19 në Shqipëri e në Botë, prej mos-hapjes (mbylljes) së kufijve me Kosovën; prej moskthimit në investime e vlera monetare të pasurimeve të mëdha natyrore të hidrocentraleve, minierave, pyjeve, etj. të grabituna nga të gjitha qeveritë shqiptare të Tiranës; prej mos shpërblimeve në investime e vlera monetare për damet e shkaktueme nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e fundit e Kosovës.

Vladimir Vladimiroviç Putin, fuqia dhe dobësia e një Cari të ri – Nga Spartak Topollaj*

Rusia (emri zyrtar Federata Ruse) me sipërfaqe mbi 17 milionë km.2 është shteti më i madh i botës, ndërsa me 150 milionë banorët e saj është edhe shteti me popullsinë më të madhe në Europë.

Të ardhur nga tajgat, tundrat dhe stepat, rusët ishin fise sllave nomade të përmendur mes shekujve III – VIII që për herë të parë ngritën kryeqendrën e tyre të quajtur Novgorod, ku mbizotëruan variagët, popullsi elitë e ardhur nga Skandinavia ndërsa prej vitit 882, bënë kryeqytet Kievin. Herët u afruan me Bizantin dhe përqafuan fenë ortodokse. Në shekuj luftuan me fqinjët për ekspansion reciprok dhe ndër heronjtë e parë të tyre kundër suedezëve dhe teutonëve ishte Aleksandër Nevskij. Nga mesi i shekullit XIV forcohet Dukati i Moskës që thyen tartarët në Betejën e Kulikovos, 1380. Pas Ivanit I e II, Ivani III, i Madhi, u mbiquajt Car, (variant rus i emrit Cesar) shteti i të cilit filloi të ndihej si Roma e Tretë, madje ai thirri nga Italia për rindërtimin e Kremlinit, Ridolfo (Aristotele) Fioravantin, Marko Ruffon dhe Pietro Antonio Solarin, inxhinierë e arkitektë të shquar e të sprovuar në ndërtime kryeveprash, si katedrale, kështjella dhe pallate mbretërore e aristokratike. Shteti i tij degradoi në autokraci, që kulmoi gjatë sundimit të Ivanit IV, i njohur ndryshe “Ivani i Tmerrshëm”, që u bë edhe i pari Car që u kurorëzua zyrtarisht më 1547.

Rusët kanë luftuar gjatë me mongolët, turqit, por edhe me polakët e lituanët ku shquan fitorja e vitit 1612 me heronjtë Minini dhe Pozharskij.

Nga 1613, për 300 vjet Rusia do sundohet nga Dinastia e Romanovëve, filluar me Mikhailin, birin e Patriarkut të Moskës, vazhduar me Pjetrin i I-rë që themeloi e bëri Perandori Rusinë me kryeqytet Shën Pjetërburgun më 1721, Katerinën II, deri te i fundit Nikolla II (1894-1917). Është e kuptueshme që në këta tre shekuj të romanovëve të ketë edhe ngjarje të tjera të mëdha, si fitorja mbi Napoleonin, 1812, Kongresi i Vjenës 1815, Lëvizja Dekabriste 1825, Lufta e humbur e Krimesë, epidemia e kolerës me 1 milion viktima, Lufta Ruso-Turke 1877-1878, Kongresi i Berlinit me vendimet antishqiptare (ndërkohë që shpallej Autonomia prej Turqisë nga Lidhja e Prizrenit, udhëhequr nga atdhetarët e mëdhenj, Iliaz Pashë Dibra-Qoku, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Syl Vokshi). Po ashtu shënohet vrasja e Car Aleksandrit II, 1881, Lufta Ruso-Japoneze 1904-1905, Revolucioni i 1905 me të Dielën e Përgjakshme të 9 Janarit, Lufta I-rë Botërore, 1914-1918 dhe Revolucioni i Shkurtit 1917. Abdikimi nga Froni i Carit dhe rënia de facto e Monarkisë. Rusinë në kaos e qeveris Gregorij Jevgenijevic Lvov,15 Mars-21 Korrik 1917, e më pas Aleksandër Fjodoroviç Kerenski, deri në rënien e Pallatit të Dimrit, 25 Tetor(7 Nëntor) 1917, kur fiton Revolucioni Bolshevik i Leninit dhe Trockit, të cilët vendosin Diktaturën më jetëgjatë të  Proletariatit (rreth 75-vjet).

Revolucioni i Tetorit 1917

Duhet pranuar, që në Rusinë cariste, pushteti autokratik i Nikollës II, kishte ngjallur pakënaqësi të madhe për të gjitha arsyet. Jeta luksoze dhe shpenzimet e shfrenuara të Oborrit dhe aristokracisë nëpër festa e orgji, mjerimi i muzhikëve dhe punëtorëve, disfatat në Front nga mungesa e pajisjeve e furnizimeve të ushtrisë, Caresha që urrehej për origjinën, madje akuzohej edhe si agjente gjermane e imorale, për shkak të tradhtisë e raporteve intime me një personazh tepër të diskutueshëm e të urryer nga të gjithë, Grigorij Efimoviç Rasputin (1869-1916) një figurë sa mistike, aq edhe  apokaliptike e perverse, por me rol e influencë të madhe te çifti perandorak, sollën shpërthimin e revoltave të armatosura.

Masakra e bolshevikëve mbi familjen Romanov

Pushtimi i Pallatit të Dimrit dhe të shtënat e Kryqëzorit Aurora, që për koincidencë do të thoshte Agim, vërtetë shënuan fundin e një dimri të gjatë 300 vjeçar me shi e borë të autokracisë cariste të romanovëve, por rusët shpejt do kuptonin, se për ta do të fillonte një tjetër dimër, shumë më i vështirë, gati 75 vjeçar, me breshër dhe borë të skuqur me gjakun e rreth 30 milionë viktimave. Lenini, Trocki dhe Stalini ishin “trojka” e parë bolshevike që udhëhoqën vendosjen e Pushtetit Sovjetik, krijuan Ushtrinë e Kuqe,(23 Shkurt 1918) dhe thyen në Luftën Civile 1917–1923, “të Bardhët” e Kollçakut, Kornillovit, Denikinit, Vrangelit, Judeniçit etj., të cilët u ndihmuan ushtarakisht nga Britania, SHBA, Franca etj. Në 17 Korrik 1918, me urdhër të Svjerdllovit dhe pa dyshim me miratimin e Leninit, në Ekaterinburg, në Shtëpinë Ipatjev, pas 78 ditësh izolim, u ekzekutua Cari, Caresha, katër vajzat, Ollga, Tatjana, Marija, Anastasija dhe Aleksei djali 11 vjeçar, Dr. Botkin-mjeku personal i familjes, roja personale Trupp, kuzhinieri Sharitonov, e në fund edhe kujdestarja Anna Demidova. Krim ky i pashembullt, që vazhdoi me përpjekjet e egra dhe perverse për poshtërimin dhe asgjësimin e kufomave duke i varrosur e zhvarrosur disa herë, deri sa më 1998 u varrosën në Katedralen e Shën Pjetrit e Palit në Shën Pjetërburg dhe më 2008 u kompletua dhe u vërtetua me ADN se trupat i përkisnin familjes së Carit.

Stalini eliminoi bashkëpunëtorët e tij

Më 30 Dhjetor 1922 themelohet BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Me gjithë rezervat e mëdha të Leninit për Stalinin, madje dhe kërkesën e tij me shkrim drejtuar Komitetit Qendror për ta shkarkuar nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm, ky si një mjeshtër i intrigës, pragmatizmit, shantazhit e dhunës, ia doli të mbetet në krye të Partisë duke injoruar e spostuar Leninin, mësuesin e tij, me sëmundje veneriane dhe poshtëruar Krupskajan, bashkëshorten e tij, të cilën e quante një shterpë të shëmtuar, që i ngjallte krupë! Për 30 vite, deri sa vdiq më 5 Mars të 1953, diktatori paranojak e delirant, krimineli patologjik komunist, ish grabitësi i bankave, i pa shkollë, vetëm me një seminar ortodoks, asgjësoi familjarët më të afërm, miqtë e shokët më të ngushtë, dhe të gjithë ata që guxuan ta kritikojnë e kundërshtojnë sadopak, çka ne shqiptarët, mund ta kuptojmë shumë më mirë se të tjerët, nga imitimi i përkryer që diktatori ynë, i bëri monstrës gjeorgjiane.

Pasi formoi një tjetër trojkë me Zinovievin dhe Kamenievin, për eliminimin e nr.2 të Bashkimit Sovjetik, Trockit (të cilin e përzuri nga vendi në 1929 dhe më pas e vrau në Meksikë më 1940), iu kthye edhe atyre të dyve duke i ekzekutuar pas një gjyqi farsë e të montuar, siç bëri më pas me Buharinin, Rikovin, Tukaçevskin etj, apo duke vrarë Kirovin dhe “vetvrarë” Orxhonikixen. Ai keqpërdori deri në detaje policinë e tij sekrete, që ndërronte shpesh emër, si CEKA, NKVD, GPU, KGB etj., krerët e së cilave, përjashtuar Xherxhinskin, i ekzekutoi pa mëshirë, si Menzhinskin, Jagodën (që në gjyq pohoi helmimin e paraardhësit) e Jezhovin, ndërsa të tmerrshmin e kameleonin Beria, e ekzekutuan fill pas vdekjes së Stalinit, grupi i Malenkovit, Hrushovit, Bulganinit, Voroshillovit, Mikojanit, Molotovit e Zhukovit.

Hrushovi, pasardhësi i Stalinit që goditi kultin e tij

Hrushovi do të mbahet mend, si njeriu që guxoi të godasë rëndë kultin stalinist të individit në Kongresin XX të PKBS, Shkurt 1956, por edhe si lideri që shtypi me tanket e ushtrisë sovjetike, Revolucionin Demokratik në tetor të vitit 1956 në Hungari, sipas skenarit të ambasadorit të tij Andropov (më pas Shef i KGB-së, e lider i Bashkimit Sovjetik, karrierë kjo pak a shumë e ngjashme me atë të Putinit). Ishte po Hrushovi, që zhvilloi edhe vizitën e famshme gati dy javore në Shqipëri në prill-maj 1959, të trumbetuar me aq bujë nga ne, por që Enver Hoxha e harroi shpejt, ndërkohë që në fund të vitit 1961, Shqipëria po hynte në “Dimrin e Vetmisë së Madhe” me Europën, siç do e përcaktonte gjeniu ynë Kadare në veprën e tij të famshme dhe po niste miqësinë e “pathyeshme” me “vëllezërit” tanë kinezë të Maos, që do të thyhej më 28 korrik të vitit 1978.

Në 15 Shtator 1959, Hrushovi u bë lideri i parë që vizitoi SHBA, me ftesë të Presidentit Ajzenhauer, dhe më pas, në akord me Presidentin Kenedi, shmangën një katastrofë bërthamore, gjatë krizës kubane të raketave. Në tetor të vitit 1964, Hrushovin e  “bashkekzistencës paqësore”, e rrëzojnë nga pushteti dhe në krye të Bashkimit Sovjetik, për 18 vite do sundojë plot prepotencë e arrogance rusomadhe, Leonid Brezhnjev, zbatues i  doktrinës së “Sovranitetit të kufizuar”, nxitës pro arab i luftës 5 ditore me Izraelin në qershor të 1967-ës, që në gusht të 1968-ës, urdhëroi mareshalët, Greçko e Jakubovski, të pushtojnë Çekosllovakinë aleate, ndërsa më 1979-ën pushtoi Afganistanin, populli i të cilit, pas një luftë dhjetë vjeçare, i përzuri me turp sovjetikët. Pas Brezhnjevit, në 1982 – 1984, në pushtet u vendos njeriu hije, Andropovi dhe me vdekjen e tij, për rreth një vit, erdhi Konstantin Çernjenko, të cilin e zëvendësoi më 1985-ën Gorbaçovi, autor i “Gllasnostit” dhe “Perestrojkës”, ai që pranoi pas këmbënguljes së Presidentit të madh amerikan, Ronald Regan, shembjen e Murit të Berlinit, më 9 nëntor të vitit 1989 dhe bashkimin paqësor të dy Gjermanive, akt që nisi nga një deklaratë e Gynter Shabovskit, një prej liderëve gjermanolindorë, drejtuar qytetarëve të tij.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe reformat gorbaçioviane

Por rënien e lirë dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, nuk e shpëtonin dot as reformat gorbaçoviane, me të cilat konservatorët stalinistë nuk mund të pajtoheshin, ndaj duke përfituar nga mungesa e tij në Moskë, pasi ndodhej me pushime në Krime, teksa panë se më 28 qershor “KOMEKON” dhe më 1 korrik 1991, Traktati i Varshavës, pushuan së funksionuari, organizuan puçin ushtarak të 19-21 gushtit, i cili, jo vetëm nga populli, por edhe nga shumica e forcave ushtarako-policore që do e realizonin, nuk u përkrah dhe natyrisht dështoi. Rol përcaktues për dështimin e grushtit të shtetit, luajti Boris Jellcin, lider i Republikës Ruse, që mbrojti Gorbaçovin gjysmë të arrestuar nga puçistët në Krime, duke i mundësuar kthimin e sigurtë në Moskën e trazuar. Krerët e puçit, kryeministri Pavlov, zv/presidenti Janajev, ministri i Mbrojtjes, Jazov, kreu i KGB-së Krjuçkov, dhe disa shtetarë të lartë, si Starodubcev, Baklanov, Tizjakov etj., u arrestuan. Ndërsa ministri i Brendshëm, Pugo, këshilltari ushtarak i Gorbaçovit, Akromejev dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komitetin Qendror, Kruçina, vranë veten (Pugo, para vetes, vrau dhe gruan)!

Më 24 gusht Gorbaçovi jep dorëheqjen si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe më 25 dhjetor 1991, edhe nga funksioni i Presidentit të BRSS, duke u zëvendësuar nga i sapozgjedhuri President, Boris Jellcin. Por përpjekjet për ta përmbysur edhe Jellcinin nuk munguan. Duke kundërshtuar ‘Referendumin’ për Kushtetutën e Re, (shtator-tetor 1993, Parlamenti vendosi shkarkimin Presidentit dhe ngarkoi Aleksandër Ruckojin si President “ad interim”. Ky bashkë me kryeparlamentarin, Ruslan Hasbulatov, kryesuan komplotin e “Shtëpisë së Bardhë” (kështu quhet edhe ndërtesa e Parlamentit rus), të cilit Jellcini iu përgjigj me top dhe me arrestimin e krerëve të tij. Megjithatë, Jellcini nuk e ndali dot shpërbërjen e BRSS, autoriteti i të cilit po lëkundej ashtu si vetë lideri sarhosh, që kutërbonte shpesh erë vodka. Ekonomia në stanjacion, korrupsioni galopant i administratës, teknologjia e prapambetur, privatizimet pa kriter, shthurja e kastës ushtarake, mbetur pa paga e privilegje, shkurtimet drastike të personelit burokratiko-agjenturor të KGB-së, prej fundit të “Luftës së ftohtë”, akaparimi i resurseve të vendit në duart e një grushti oligarkësh, operacioni në zemër, etj. etj., e detyruan Jellcinin të mendonte për pasardhësin, i cili natyrisht do të duhej t’i garantonte paprekshmëri atij e familjes, edhe pas largimit nga pushteti. E mesa dukej, ky fat do ti ndriste një ish agjenti të shërbimit sekret sovjetik, të quajtur Vladimir Vladimiroviç Putin?

Kush ishte Vladimir Putin dhe rruga e tij e mundimshme drejt pushtetit në Kremlin?

Putin lindi në Leningrad, sot Shën Petërburg, më 7 tetor 1952, në familjen e Vladimir Spiridonoviç Putin (1911-1999) dhe Maria Ivanovna Shelomova (1911-1998). Gjyshi, Spiridon Ivanoviç Putin, (1879-1965), ishte një nga kuzhinierët e përzgjedhur për besnikëri dhe aftësi, në një nga daçat, (vilat) ku pushonin Lenini dhe Stalini. Një kërkim i revistës Moskovskij Komsomoljec, supozon origjinën viçentine të familjes Putin, ardhur pra nga Viçenca e Italisë, në kohën e ndërtimit të hekurudhës Trans-Siberiane. E ëma ishte punëtore, besimtare ortodokse, ndërsa babai në vitet ’30-të, marinar nëndetëseje, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e rekrutoi NKVD, (shërbimet sekrete) për ta hedhur me grupet sabotatore, në territoret e pushtuara, e pas Lufte, Sekretar Partie në një fabrikë.

Putin u rrit në varfëri, madje për disa kohë edhe në një komunitet fëmijësh. Shumë vite pas, më 22.10.2015, në Soçi, Putin pranon se: ‘rruga në Leningrad më ka mësuar që nëse sherri është i pashmangshëm, godit ti i pari’! Dy vëllezërit para tij vdiqën, njëri vetëm pak muajsh, tjetri gjatë rrethimit të tmerrshëm të Leningradit. Putini u martua më 28 korrik 1983 me Ljudmilla Aleksandrovna Shkrebnjeva, e cila kish lindur në Kaliningrad më 6 janar 1958. Çiftit i lindën dy vajza në Dresden, (Maria-1985 dhe Ekaterina-1986). Ljudmilla studioi për Filologji dhe Spanjisht, ndërsa vajzat: Maria, pediatre endokrinologe dhe inxhiniere gjenetike, martuar me Jorrit Joost Faassen, kurse Ekaterina, balerinë akrobatike, martuar me një oligark financash bankare, i quajtur Kirill Shamalov, me 500 milionë $, bir i një bosi bankash me 2 miliardë $, pronarë të Sibur Holding. Dhëndrit, më 2018-ën, SHBA i vendosi sanksione së bashku me 23 persona të tjerë, i dyshuar për implikim me ngjarjet në Ukrainë. Me Ljudmillën, që ruajti një profil të ulët, si Zonjë e Parë, Putin divorcohet më 2014-ën, por që para divorcit flitej se kish filluar bashkëjetesën me yllin e gjimnastikës ritmike, modelen bukuroshe dhe politikanen, Alina Maratovna Kabajeva, e lindur në Tashkent të Uzbekistanit, më 12 maj të vitit 1983, vajzë e futbollistit Marat Kabajev, kampione Bote dhe Olimpike, të cilës iu hoq titulli botëror i 2001-it në Madrid, pasi rezultoi se kish përdorur doping. Ajo u bë deputete e Dumës Ruse dhe lindi Dimitrin më 2009-ën dhe një vajzë më 2012-ën, atësia e të cilëve i atribuohet Putinit. Por edhe Ludmilla nuk mbeti pas. Në shenjë hakmarrjeje, kësaj “gjelle” që zakonisht gratë e “servirin të ftohtë”, ajo s’vonon dhe më 2015-ën martohet me biznesmenin, Artur Oçeretnij, 21 vite më të ri se ajo.

Shkollimi e diplomimi i Putin dhe karriera si agjent i KGB-së

Putin u diplomua më 1975-ën, për të Drejtën Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Leningradit dhe u rekrutua nga KGB-ja, si dikur i ati, për të cilën punoi 15 vjet, (përfshi vitet 1985-1990-të) në Dresden të Republikës Demokratike Germane, ku bëri “përkthyesin” pranë STASI-t, (shërbimet sekrete gjermane), ku mbërriti gradën nënkolonel dhe në ditët e shembjes së Murit të Berlinit, u gjend pranë zyrave qendrore të këtij shërbimi, ku drejtoi asgjësimin me djegie në kaldajë, të arkivave të sulmuara nga turmat që e urrenin për vdekje policinë e tmerrshme sekrete gjermanolindore drejtuar në 40 vite (1950-1990) nga katër shefat e mëdhenj, Zaisser,(’50-’53), Wollweber (’53-’57), i frikshmi Mielke mbi 30 vjet, (’57-’89) dhe Schwanitz (’89-’90). Në 5 dhjetor të 1989-ës, Putini, teksa drejtonte operacionin, kërcënoi me pistoletën me 12 plumba të qëllonte, duke ruajtur plumbin e fundit për vete, si alternativë të fundit.

Kthimi dhe karriera në Bashkimin Sovjetik të pas viteve ’90-të

Putin tashmë kthehet në Bashkimin Sovjetik, por në gusht të vitit ‘91, duke nuhatur fundin e një epoke, dorëhiqet nga KGB-ja, pas përkrahjes që ajo i bëri grushtit të dështuar të shtetit kundër Gorbaçovit, dhe fillon punë në Universitetin e Leningradit, Sektori Marrëdhënieve Ndërkombëtare, e më pas i përkrahur nga kryebashkiaku Sobçiak, bëhet këshilltar i tij. Lidhet me një nga bosët e GAZPROM-it, Aleksej Miller dhe të tjerë njerëz të fuqishëm të industrisë së metaleve joferroze, ku edhe u përfshi në një aferë 93 milionë $. Në vitet që vijnë drejton një agjenci imobiliare gjermane, që u hetua për pastrim parash. Në ’94-ën ai zgjidhet në Këshillin e Qytetit, kryeson delegacionin proqeveritar në Partinë “Rusia-Shtëpia Jonë” dhe grupin botues të gazetës, “Sankt Peterburgskije Vedomosti”.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 1996-ës nga Sobçiak dhe fitores së Jakovlev, Putini thirret në Moskë pranë të besuarit të Jellcinit, Pavel Borodin, ndërsa më 26 mars 1997, vetë Jellcin e emëron Shef Personeli të Presidencës. Teksa ndjek një master për Ekonomi, rezulton që punimi i tij është një plagjiaturë e plotë, madje 16-20 faqe fjalë për fjalë kopjuar nga profesorët amerikanë, King dhe Cleland, të përkthyer nga një Institut i afërt me KGB-në, ç’ka çuditërisht nuk e pengoi të bëjë përpara, duke spostuar funksionarët e lartë Mitina dhe Sahraj. Dhe pas gjithë këtyre, habitshëm, po vetë Jellcin e emëron në krye të FSB (ish KGB) në Lubjankën famëkeqe më 25 korrik ’98, ku qëndron deri në gusht ’99-ës edhe si anëtar i përhershëm i Këshillit Rus të Sigurisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë, Juri Skuratov, kish guxuar të hetonte për korrupsion edhe vetë Jellcinin për aferën FIMACO, një kompani financiare që gjatë kolapsit ekonomik e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kishte manipuluar në shifra astronomike deri 50 miliardë $, duke bërë edhe pastrim parash mes Rusisë dhe Zvicrës. Nuk është e vështirë të kuptohet që Jellcini nuk do t’ia falte kurrë këtë Skuratovit, ndaj dhe dha porosi që ai të mbahej nën “kujdes”. Dhe më mirë se ministri i Brendshëm, Stepashin dhe kreu i FSB, Putin, askush nuk mund ta kryente “porosinë”! Në Prill të ’99-ës, në një konferencë të përbashkët shtypi, këta të dy paraqitën publikisht para gazetarëve materiale kompromentuese të regjistruara nga një orgji në të cilën dilte Skuratovi në shoqërinë e dy femrave të reja nudo, servirur nga kriminelë të rangut të lartë të botës së nëndheshme, që Stepashin dhe Putin, për shkak të detyrës dhe eksperiencës, s’e kishin të vështirë t’i gjenin e t’i përdornin. Dhe ai që u shpërblye më shumë për shërbimin, ishte pikërisht Putin-i, të cilin Jellcin e propozoi për kryeministër dhe Duma me 233 vota pro, 84 kundër dhe 17 abstenime e zgjodhi të tillë më 16 gusht të 1999-ës, zgjedhje kjo, që u kundërshtua ashpër nga dy mëtuesit për President, ish kryeministri Primakov dhe ish kryebashkiaku i Moskës, Luzhkov, nën pretekstin se ende Putin nuk përbënte një figurë të njohur të nivelit të lartë, por koha tregoi se të dy ata kishin qenë të gabuar.

Rritja e autoritetit të Putin pas luftës në Çeçeni

Putini e rriti autoritetin veçanërisht gjatë Luftës së II-të në Çeçeni. Ai pat deklaruar aso kohe (24.09.1999) se: “Ne do t’i ndjekim ngado terroristët dhe kur t’i gjejmë, më falni për shprehjen, do t’i hedhim drejtë e në gropën e gjirizit”! Në këtë kohë ndodhën ngjarjet në Kaukazin e Veriut, ku Daghestanin e pushtojnë çeçenët e riorganizuar. Më 31 dhjetor ’99-ës, ai viziton dhe frymëzon ushtarët rusë atje. Në të njëjtën ditë, papritmas për të gjithë, por pa dyshim jo për Putinin, Jellcin jep dorëheqje si President, duke ia lënë sipas Kushtetutës, deri në zgjedhje, detyrën e Presidentit “ad interim”, kryeministrit, që në këtë rast ishte V. V. Putin dhe ashtu siç edhe mund të merret me mend, pas një akordi paraprak mes të dyve, ndër dekretet e parë që Putini do të firmoste pasi të fitonte, do të ishte ai që garantonte paprekshmërinë e presidentëve paraardhës dhe familjeve të tyre! (këtë e ndryshoi me 12 shkurt 2001). Më 26 mars të vitit 2000, zhvillohen zgjedhjet presidenciale, të cilat pa problem, Putin i fiton që në turin e parë dhe më 7 maj, ai betohet si President i Federatës Ruse, detyrë që e nisi me zëvendësimin e himnit të njohur sovjetik me muzikë të Aleksandrovit dhe tekst të Mikhailkovit, me një himn të ri, me muzikë të të madhit Glinka, por pa tekst!

Seriali i eliminimit fizik të kundërshtarëve

Tani Putin, i ka rrugët e hapura, ndaj dhe ndërmerr një sërë reformash administrative-territoriale dhe të qeverisjes duke e filluar me goditjen e oligarkëve, por këtë e bën me përzgjedhje selektive. Në korrik e tetor të vitit 2003, arrestohen oligarkët Lebjedjev dhe Khodorkovski, të akuzuar për “aferën Jukos dhe Apatit e më pas Berezovski, nr. 1 i AvtoVAZ, e aksionisti kryesor i Aerofllot-it”. Në të vërtetë ai ishte miliarderi i parë i periudhës postsovjetike. Mik i Jellcinit, ai u akuzua si “Kumbari i Kremlinit”, në librin e gazetarit investigative, Paul Klebnikov (që e pagoi me kokë librin, pasi u gjet i vrarë në Moskë më 2004). Kundërshtar i Putinit, Berezovski përfiton nga amnistia dhe ikën në Londër, por dikush s’e kish harruar. Kështu në rrethana “misterioze”, gjendet i vdekur në Titness Park, më 23 mars 2013, ndërsa kolonel Litvinjenko, agjent i KGB-së, para vdekjes, i helmuar me “Polonium 210” po në Londër (me shumë gjasa nga agjenti tjetër i KGB-së, Dmitri Kovtun), pohoi se edhe Berezovski ishte eliminuar me metodë të sofistikuar që vdekja  të dukej si vetëvrasje.

Edhe Khodorkovski, njeriu më i pasur i Rusisë në atë kohë, (sipas FORBES, me 15 miliard $), pas lirimit iku në Londër. Po ashtu oligarku Abramoviç, i ngjashëm me ta, jeton në Londër, ku veç të tjerash është edhe President i Klubit të Futbollit “Chelsea”. Lista e të vrarëve apo të arrestuarve si opozitarë, oligarkë, gazetarë investigativë apo ish agjentë të hedhur në Perëndim, është e gjatë. Kështu vritet në Moskë, gazetarja investigative opozitare, Anna Politkovskaja, më 7 tetor 2006 (u përdorën si ekzekutues separatistë çeçenë, pikërisht në datën e lindjes së Putinit), biznesmeni i përfshirë në politikë, hebreo-gjeorgjiani Arkadi Shalvoviç “Badri” Patarkatsishvili, me 12 miliard $ pasuri, vdes në rrethana misterioze në Britani, më 12 shkurt 2008. Eliminimet vazhdojnë me liderin e opozitës, Boris Njemcov, më 3 mars 2015, i cili vritet pranë mureve të Kremlinit.

Më pas helmohen në Londër, babë e bijë, Skripal-ët, që fatmirësisht i shpëtoi mjekësia angleze, ashtu si u helmua me ‘klorid amoniumi’ dhe mbeti me vraga në fytyrë edhe Presidenti i Ukrainas së asaj kohe, Viktor Jushçenko, pa harruar të përmendim vrasjen që i parapriu eliminimit të disidentëve me këto mënyra, të shkrimtarit të shquar bullgar, Georgi Ivanov Markov, kundërshtar i deklaruar i Brezhnjevit dhe kopjes së tij bullgare, Zhivkovit. I cili teksa priste autobusin në stacionin Balham të Londrës, u gërvisht me majën e helmuar të një çadre më 11 shtator 1978. Po ashtu prej vitesh përndiqet Vladimir Gusinski, (bosi i mediave të shkruara e vizive opozitare ruse), që tani jeton në Perëndim dhe gazetarja Elena Viktorovna Tregubova, dikur korrespondente e tre gazetave që mbulonte Kremlinin, autore artikujsh dhe dy librave anti-Putin, me nga 200.000 kopje, u shantazhua, kërcënua, madje edhe tentuan ta vrasin me eksploziv më 2.02.2004, detyrohet të kërkojë strehim politik në Britani, që pas një viti hezitim, iu miratua më 2.04.2008 etj.

Një tragjedi e ndodhur më 12 gusht të vitit 2000, me nëndetësen atomike K-141 KURSK, ku pas dy shpërthimeve në thellësi 100 m.  humbën jetën 118 oficerë, marinarë dhe konstruktorë të shquar të Flotës, i uli shumë pikë Putinit, teksa ai për një javë rresht nuk denjoi të linte pushimet në brigjet e Detit të Zi. Për më keq akoma, me teknologjinë e tyre, ata nuk mundën ta nxjerrin mbi sipërfaqe, gjigandin 154 metra, (mbi 16.000 ton), deri sa u detyruan të kërkojnë ndihmën e një ekipi të specializuar norvegjezo-britanik, që ia dolën ta nxjerrin mbi sipërfaqe, por kuptohet pa asnjë të gjallë brenda, se vonesa kish qenë fatale! Përveç 23 të parëve që vdiqën nga shpërthimet, 95 marinarët e tjerë vdiqën në agoni disa ditore nga mungesa e oksigjenit. U gjetën ditarët dhe letrat e dhimbshme të së vërtetës dhe lamtumirës, ndaj familjarët e akuzuan Putinin për vrasje kur ai, kokulur, më në fund mbërriti në Severomorsk.

Që më 1998-ën, kur ende ishte në pushtet Jellcin, rubla pësoi kolaps të plotë ndaj dhe një nga detyrat me përparësi që i doli skuadrës së Putin-it, ishte forcimi i saj që për hir të së vërtetës, u arrit mes vështirësish të shumta, gjë që gradualisht solli ringritjen e ekonomisë së Rusisë, e cila sot e ka GDP nominale rreth 1.7 trilionë$ (e 12 në Botë).

Lufta e parë parë ruso-çeçene (11.12.1994-31.08.’96), shpërtheu pas shpalljes së pavarësisë së Republikës Çeçene, por shkak i vërtetë ishin rezervat e mëdha të naftës, që zotëronte ajo dhe që mund t’i iknin nga dora Rusisë, pa përjashtuar edhe rolin e Kishës Ortodokse Ruse, që ndikonte edhe te politika dhe vetë Presidenti Jellcin, për një qëndrim jo dashamirës madje edhe përçmues, ndaj çeçenëve islamikë të cilët patjetër patën frymëzim religjionar dhe ndihma nga jashtë. Këtu nuk duhet harruar se ata vërtetë mbetën nën Rusinë që në kohën e Pjetrit të madh, shek. XVIII, i cili i mundi dhe i përzuri otomanët nga këto territore, por nuk u nënshtruan kurrë. Në fakt lufta kish nisur fill pas shpërbërjes së BS. Ajo shkaktoi shumë të vrarë,(që llogariten mbi 100.000) të plagosur dhe pengje nga të dyja palët, kryesisht civilë (si rasti i Spitalit Budjonovsk, ku nga 1500 pengje që u morën prej grupit të Shamil Basajevit, 120 u vranë). Kryeqyteti Grozni, pothuaj u shkatërrua plotësisht. Situata u komplikua me luftimet në Ingusheti dhe Oseti. Vriten dhe merren peng edhe gjeneralë, si Vorobjev, e plagoset rëndë komandanti i trupave ruse, gjenerali Romanov dhe më 21 prill, vritet me raketë edhe vetë lideri, Xhokhar Dudajev, teksa gaboi rëndë duke përdorur një celular satelitor. Paqja e përkohshme me rusët u nënshkrua nga lideri i ri, Asllan Maskadov, ndërsa duhet pranuar se Lufta e parë me çeçenët, ia uli shumë autoritetin Jellcinit.

Rusia e Putin-it, përballë xhihadistëve islamikë

Lufta e dytë ruso-çeçene (26.08.1999-16.04.09), filloi kur të ashtuquajturat “Brigada Ndërkombëtare Islamike”, u futën në Kaukazin e Veriut, në Daghestan dhe kur rusët filluan raprezaliet pas atentateve terroriste në Bujnaksk, Moskë dhe Volgodonsk, për të cilat akuzonin çeçenët. Kjo luftë shkaktoi mes 25.000-50.000 të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur, shumica civilë. Tashmë, Rusia e Putinit përballej me xhihadistë islamikë dhe muxhahedinë, të cilët arritën ta rimarrin edhe Groznin. Në këto kushte lufta e Rusisë putiniane u motivua edhe si luftë kundër terrorizmit islamik. Pasi qe bërë President, Maskhadovit iu bënë dy atentate, të cilave u mbijetoi dhe akuzoi rusët se qëndronin pas tyre. Nga ana tjetër, në Mars ‘99, në aeroportin e Groznit, merret peng përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, gjenerali, Shpigun, që në kulmin e konfliktit në vitin 2000, gjendet i vrarë.

Atentate me eksploziv, sulme të armatosura, bombardime, rrëmbime pengjesh, krime, tortura etj., pati pothuaj çdo ditë nga të dy palët me vite të tëra, por dy masakra të mëdha nuk do mund të harrohen lehtë: e para, ajo e Teatrit “Dubrovka” në periferi të Moskës, që zhvillohet mes 23-26 tetorit të vitit 2002, që përfundoi me 169 të vrarë, prej tyre 130 pengje dhe 700 të plagosur, ku trupat speciale ruse përdorën për neutralizim një analgjezik të fuqishëm, FENTANYL, e ndoshta edhe gaz NERVIN.  Kjo qe një shuplakë për Putin-in dhe e dyta, masakra e shkollës së Beslanit, (në Osetinë Veriore), mes 1-3 shtatorit 2004, me 344 të vrarë, nga të cilët 186 fëmijë dhe 700 të plagosur. Në këtë rast Putini u godit më rëndë akoma, pasi hëngri një grusht të fortë hundëve. Maskhadov nuk i shpëton dot atentatit të tretë, kur i goditur nga një raketë, vritet në 8 mars të vitit 2005, në Tolstoj-Jurt. Në suksesin për t’i mposhtur çeçenët, rusët i përdorën të gjitha, sidomos dhunën disproporcionale, por eksperienca e Putinit si KGB-ist, i regjur në përçarjen, blerjen dhe kundërvënien ndaj njëri-tjetrit të krerëve rebelë, pati rol gati përcaktues. Krerë si Kadirovët, Basajevët, Jandarbijevët, Barajevët, Umarovët, Gelajevët, Radujevët e plot të tjerë, të vrarë apo të gjallë, mbeten figura komplekse.

Konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë

Po në gusht të vitit 2008, nis dhe një tjetër konflikt i armatosur, kësaj here mes Rusisë e Gjeorgjisë, por që nuk zgjat shumë sepse ndërhyrjes ushtarake gjeorgjiane në Oseti dhe Abkhazi, që arrin të marrë nën kontroll pjesën më të madhe të kryeqytetit Tskhinvali, osetët iu përgjigjën duke “ftuar” Rusinë, që “miqësisht” pushtoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, ndërsa Mikhael Saakashvili, presidenti gjeorgjian, nuk bindi dot askënd në Perëndim apo dhe NATO-n vetë, që të ndërhynin. Një tjetër konflikt jo pa lidhje me Rusinë, në territore prej kohësh të diskutueshme mes dy Republikave Sovjetike të Armenisë dhe Azerbaixhanit, i pati fillimet e veta që më 1988 me provokime dhe akte dhune, në Nagorno-Karabakh, e banuar në shumicë nga armenë, por që pretendohej edhe nga azerët, deri atentate e vrasje por shpërthimi i konfliktit daton më 1992 dhe në një farë mënyre përfundoi me Marrëveshjen e brishtë të Bishkekut (kryeqyteti i Kirgizstanit) më 1994, e cila shumë herë është shkelur e vazhdon të shkelet edhe në ditët tona. Rrënjët e konfliktit të ashpër datojnë herët, por ato kulmuan më 1915-ën, kur turqit kryen gjenocid ndaj armenëve ortodoksë, duke vrarë e masakruar gati 1.5 milionë syresh dhe azerët myslimanë mbajtën anën e Turqisë, që kurrë s’e pranoi dhe nuk kërkoi falje, ndërsa Rusia atë të armenëve. Edhe SHBA dhe BE e njohin gjenocidin turk ndaj armenëve.

Konflikti ruso-ukrainas dhe “ndërmjetësimi” i kryeministrit shqiptar, Rama

Aktual, i madh, dhe i vështirë për t’u zgjidhur duket edhe konflikti ruso-ukrainas për Krimenë, pushtuar me luftë nga Putini, që Perëndimi dhe SHBA nuk mund ta miratonin e që rreket ta ndërmjetësojë zgjidhjen Edi Rama, në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së. Me precedentë konfliktualë disa herë të përsëritur, në krizat e brendshme politike të Shqipërisë, ai vështirë të merret seriozisht nga palët, çka u duk qartë të paktën në përçmimin prej megallomani rusomadh që Putini tregoi  ndaj Ramës, duke mos begenisur ta takojë në Moskë. Madje nuk lejoi ta bëjë këtë edhe homologu i tij, kryeministri i sapozgjedhur Mikhail Vladimiroviç Mishustin, me të cilin për koincidencë, i kanë etërit adashë dhe pasionin e njëjtë për të peshkuar në brigjet e “Donit të qetë”, pasion që nuk mund ta ndalte takimi me kryeministrin tonë Edi Rama, të cilin e “hodhi” në thonjtë e “ujkut të vjetër siberian” të diplomacisë ruse, Lavrovit, këtij Gromikoje të ditëve tona, i njohur ndryshe si “Gaspadin Njet” Nr.2- Zotëria Jo!, me të cilin Rama s’do të duhej të gabonte, siç edhe gaboi për fat të keq kur përmendi Stalinin apo me korrigjimin e Lavrovit dhe jo përkthyesit?! Për analogji, mund të kujtojmë Hrushovin te “DIMRI… Kadarean” që dyshon në aftësinë e përkthyesit.

Mosnjohja e Kosovës nga Moska?!

Tejet interesante do të ishte të analizonim shkurt dubëlstandardin politik dhe diplomatik rus, dhe hipokrizinë ekzemplare lidhur me konsistencën dhe konsekuencën e Putin-it, e natyrisht Lavrovit, për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur prej më tepër se 12 vitesh?! Në varësi të koniukturave dhe interesave hegjemoniste ruse, këta të dy, ndërkohë që pranojnë t’i referohen GJND, që ia njihte Kosovës se shpallja e Pavarësisë së saj, nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar aneksimit të dhunshëm të Krimesë, kërkojnë analogji?! Së pari, vetëm ngjashmëri në asnjë pikë nuk ka këtu.

Shqiptarët në Kosovë janë mbi 95% e popullsisë, ata janë prej mijëra vitesh në trojet e tyre të lashta në një territor unik, me histori, gjuhë, kulture e tradita të veçanta nga popujt dhe vendet fqinje. Kosova iu shkëput me dhunë trungut të trojeve të Kombit tonë, ndërsa Krimea e banuar gati 50% me 50% nga rusë e ukrainas, iu bashkua Ukrainës pa dhunë gjatë pushtetit komunist, duke qenë se të dyja republikat ishin pjesë e të njëjtit shtet, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Por, nëse rusëve në Ukrainë, nuk iu ushtrua kurrë dhunë dhe si sllavë që janë  edhe gjuhën e kanë gati të njëjtë, për Krimenë mund dhe duhej të gjendej zgjidhje paqësore. Kosovarët vuajtën dhunën shekullore dhe persekutimin e një regjimi të huaj, që kulmoi me masakrat, krimet e luftës, gjenocidin, përdhunimet masive, deportimin me forcë te popullsisë, djegiet e shkatërrimet e shtëpive e pronave, ndaj kurrë s’ka analogji por, edhe nëse paska një të tillë për Putinin e Lavrovin, pse këta vazhdojnë të mos e njohin Kosovën?! Përkundrazi, janë të parët që përkëdhelin e llastojnë Serbinë e Gëbelsit të Millosheviçit, (familjen e të cilit, përndryshe tre M.-të, (Mirjana-Marko-Marija), e strehuan me bujari për vite të tëra, madje kërkuan edhe vetë M. e katërt- Millosheviçin, Kasapin e Ballkanit ta kuronin në Moskë, duke e nxjerrë nga Burgu i Scheveningen-it në Hagë) e nga ana tjetër furnizojnë pa ndërprerje edhe me armët më të sofistikuara Serbinë e Vuçiçit.

Pasuria përrallore e Putin dhe hobet e pasionet e tij!

Putin, ashtu si shumica dërrmuese e rusëve, nuk është se kishte ndonjë pasuri, edhe pse siç themi ne, nuk mund të quhej “pabuks”. Me kursimet nga rroga si ushtarak i KGB-së, mezi mundi të blejë autoveturën ZAZ (Zaparozhec) të prodhimit sovjetik, por pas ikjes nga KGB-ja dhe fillimit të punëve të reja në Bashkinë e Leningradit, në kompani private të përshkruara më sipër, zë e shton pasurinë. Kështu në ’92-in, posedon një daça me 7000 m.2 tokë, në Solovjovka të Priozerskijt, (pranë Leningradit), në Istmin Karelian, bashkë me fqinjët më ’96-ën ngrenë edhe një kooperative. Me mbërritjen në Moskë dhe ngritjen e shpejtë në përgjegjësi, ashtu si shumë nga funksionarët burokratë, partiakë apo shtetërorë, e shton pasurinë në progresion gjeometrik. Ai ishte një ushtarak ateist, por pas aksidentit të Ljudmillës në ’83-in dhe zjarrit në vilën e tij, kthehet në praktikant ortodoks, si e ëma. Putini ka pasion gjuetinë, peshkimin, kalërimin, xhudon dhe karatenë, përgjithësisht sportet dhe artet marciale. Është që herët një fans i grupit muzikor suedez ABBA dhe ndjekës i rregullt i garave të Formula 1, po ashtu si leningradas, është tifoz i Klubit të Futbollit “ZENIT”. Qentë e racave të ndryshme janë dobësia e tij, ndaj mban shumë të tillë dhuruar nga homologë si Bojko Borisov, Gurbanguly Berdimuhamedov, Aleksandar Vuçiç etj. Si ekzibicionist i pakrahasueshëm që është, nuk lë rast pa humbur të shfaqet si trim i madh, që vret tigra siberiane apo arinj të tajgave, të pilotojë avionë ushtarakë “MiG-35”, “Sukhoi-57”, helikopterë “Mi”, “Ka” dhe “Jak” (kuptohet vetëm në tokë), timonier  motovedetash të sofistikuara, etj.

Automjetet, avionët dhe jahtet që përdor Putin

Putin përdor një limuzinë presidenciale super të blinduar “AURUS SENAT L 700”, të gjatë 6.62m, 2 m. të gjerë dhe 1.695 m. e lartë, 6.5 tonëshe, e prodhuar nga “NAMI&PORSCHE” në Moskë, ku çmimi  i saj fillon nga 10 milionë rubla (160.000)$ -jo e blinduar. Megjithatë ajo nuk mbërrin dot kurrë limuzinën “BISHA e ZEZË” –  CADILLAC, prodhuar nga “General Motors” për Presidentin Trump, 7 tonëshe, ultra super e blinduar, me përzierje metali e fibra karboni dhe xhama 24 cm., që i rezistojnë çdo shpërthimi, e që kushton 1.5 milionë $ (për siguri janë prodhuar 12 të tilla). Putin ka dy avionë presidencialë, i pari një “IL 96-300 Pu” (5 miliardë rubla-70 milionë Euro) dhe tjetri një “TU-154 M” version VIP, që, gjithashtu, nuk i afrohen asnjëherë dy avionëve presidencialë të Trumpit, “AIR FORCE ONE BOEING 747-200 JUMBO JET” me modifikim VC-25A.

Amerikanët: Pasuria e Putin, 200 miliardë dollarë

Një burim amerikan mjaft i denjë për t’u besuar e vë Putinin, në vend të parë në listën e më të pasurve të botës, me pasuri mbi 200 miliardë $, pra shumë përpara listës së revistës FORBES, ku tre më të pasurit janë: Bezos-114.7 miliardë $, Arnault-113 miliardë $, Gates-108,3 $ etj. Është po FORBES që e klasifikon Putinin dy herë, më 2013-ën dhe 2016-ën, si njeriun më të fuqishëm të Botës, kurse e përjavshmja amerikane TIME, e shpalli njeriun e vitit për 2007-ën! Vetëm rezidenca e tij përrallore në Gelenzhik, buzë Detit të Zi, më e madhe se vetë Kremlini, projektuar e realizuar nga arkitektë e konstruktorë italianë, kushtoi mbi 1 miliardë Euro! Ai është akuzuar shpesh për abuzime dhe korrupsion galopant si edhe për shkelje të rënda të të drejtave e lirive të njeriut, përfshi homofobinë, (me përkrahjen edhe të kishës ortodokse ruse) nga të gjitha organizatat ndërkombëtare që i mbrojnë ato. Shto dhe kultin gati stalinist të individit, ai cilësohet si “autokrat politik dhe oligark me kontorno diktatoriale”, që pranon t’i thuren këngë si ajo: “Dua një njëri si Putini”!

Modifikimi i Kushtetutës për të qenë i përjetshëm…?!

Një aspekt të rëndësishëm për të kuptuar se kush është Putini i vërtetë paraqet sjellja e tij ndaj Kushtetutës, ligjeve dhe vetë Parlamentit (Dumës), me të cilat ai ka luajtur dhe luan si ia ka dashur interesi. Kështu, gjatë sundimit 20 vjeçar, gati absolutist të tij, ai është shquar herë si “xhongler” dhe herë si gangster politik, sepse teksa po i mbaronte edhe mandati i dytë presidencial, dhe s’mund të rizgjidhej për të tretin, modifikoi Kushtetutën, duke ndërruar vendet me kryeministrin Mjedvjedjev, këtë politikan “të lëngët” që përherë merr formën e “enës” ku e hedh Putini. Kështu, pasi bëhet kryeministër, merr me vete shumë nga kompetencat që kishte sa qe njëshi i Kremlinit. Më 2012-ën, përsëri ndryshon Kushtetutën dhe kohëzgjatjen e mandatit presidencial, (nga katër, në gjashtë vjet), dhe për pasojë përsëri ndërron karriget me “të lëngshmin” Mjedvjedjev (që nga 16 janari ka pranuar të jetë zv/President i Këshillit të Sigurisë) dhe po përsëri, merr me vete kompetencat e kryeministrit! Në zgjedhjet e 2018 Putin fiton mbi ¾ e votave, 76.69 % ose 56.430.712 vota, rezultat ky gati identik me ato të epokës sovjetike! E pikërisht në 20 vjetorin e ardhjes në pushtet, të martën e 10 marsit 2020, nëpërmjet një show para deputetëve të Dumës, me idenë se edhe kësaj here iu a hodhi të gjithëve, keqpërdori “Heroinën” e ish-BRSS, ish-kozmonauten Valentina Tereshkova, (aktualisht deputete), të propozonte përsëri ndryshimin e Kushtetutës, për të mundësuar pas skadimit të mandatit të dytë më 2024, edhe dy mandate të tjera 2 x 6 vjet, që do i jepnin mundësinë Putinit të mbretëronte deri më 2036-ën, aq sa edhe vetë Stalini, po të mos e kishin shndërruar në hi, “do të kthehej përmbys në varr”.

Propozimi i Tereshkovës, s’kish si ta befasonte, se për t’u skuqur nga turpi as që bëhej fjalë, ndaj dhe Putin e pranoi propozimin…por me një kusht: nëse këtë, do ta miratonte Gjykata Kushtetuese?! Putin, zotëron gjermanishten, e deri diku kupton suedisht, po nëse një ditë do t’i hynte edhe frëngjishtes, shprehja e parë që do parapëlqente ta përdorte, do të ishte ajo e Luigjit XIV: “L’Etat c’est moi” (Shteti jam unë)! Mbretin “Diell”, Putin duhet ta ketë shumë për zemër edhe për faktin se ndoshta ai me 72 vitet e 110 ditët që u njoh si Mbret, përbën shembullin unikal, që do të donte ta arrinte e pse jo edhe ta kapërcente Putini.

Shqiptarët e kanë dashur popullin rus nga i cili kanë dalë kolosë të të gjitha fushave me kontribut të çmuar për mbarë njerëzimin, listën e gjatë të të cilëve ata e njohin mirë, por ne kurrë s’e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë politikën rusomadhe, e sidomos stalinizmin, këtë teori dhe praktikë diktatoriale, shovenizmin dhe ekspansionin pansllavist rus, që veçanërisht në këto dy dekada të autokracisë putiniste, është shfaqur haptazi dhe pareshtur me predispozicion antishqiptar. Shqiptarët nuk ka pse lusin asnjë vend për miqësi sado i madh qoftë ai dhe qëndrimi ynë do të jetë ngaherë dinjitoz. Nëse Putini vazhdon të shpresojë ende se një krah i fuqishëm stalinist brenda të majtës shqiptare, ekzistencën e të cilit aq saktë e ka përcaktuar gjeniu Kadare, “ka forcë të ngjallë nostalgji për sovjetikët”, gabohet rëndë. Dhe kjo, jo vetëm se numri i tyre sa vjen e zvogëlohet, porse shqiptarët vuajtën për gati gjysmë shekulli, variantin më të shëmtuar dhe kriminal të stalinizmit, ushtruar nga diktatura hoxhiste e PPSH-së, me Enver Hoxhën dhe kastën e tij, që s’qe gjë tjetër veçse një sekt terrorist.

       (Historian, analist, ambasador dhe diplomat i karrierës)      

Nju Jork, policët i shtyjnë, gazetarët ndërpresin mbulimin e protestës

Gazetari Robert Bumsted duke i kujtuar punonjësit të policisë se reporterët konsiderohen “punonjës thelbësorë” dhe lejohen në rrugë edhe gjatë shtetrrethimit (2 qershor 2020, Nju Jork)

Marrë nga Associated Press

Oficerët e policisë së qytetit të Nju Jorkut rrethuan, shtynë dhe fyen dy gazetarë të agjencisë së lajmeve Associated Press që po mbulonin protestat ditën e martë, sulmi më i fundit ky ndaj punonjësve të mediave gjatë një jave trazirash në të gjithë vendin.

Pjesë të incidentit u filmuan nga gazetari Robert Bumsted, i cili po punonte me fotografen Maye-E Wong për të dokumentuar protestat në Manhatanin e Poshtëm për vrasjen e George Floyd-it në Mineapolis.

Videoja tregon më shumë se gjashtë oficerë që përballen me gazetarët, ndërsa ata filmonin dhe fotografonin policët që urdhëronin protestuesit të dilnin nga zona përreth Fulton dhe Broduej menjëherë pas orës 8 të mbrëmjes kur kishte hyrë në fuqi ndalim-qarkullimi.

Një oficer, duke sharë, i urdhëron ata të shkojnë në shtëpi. Bumsted dëgjohet në video duke shpjeguar se mediat konsiderohen “punonjës thelbësorë” dhe lejohen të jenë në rrugë. Një oficer i përgjigjet “Nuk më plas fare…..”. Një tjetër i thotë zotit Bumsted: “Qërrohu nga këtu ti copë…” (përkthimi jo i plotë për shkak të gjuhës së papërshtatshme).

Zoti Bumsted dhe zonja Wong thanë se oficerët i shtynë ata me forcë, duke i ndarë nga njëri-tjetri dhe duke i çuar drejt makinës së zotit Bumsted, e cila ishte e parkuar aty pranë.

Në një moment, Bumsted tha se po e mbanin të mbërthyer mbi makinën e tij. Ai dëgjohet në video duke i thënë oficerit se zonja Wong ka çelësat e tij dhe se u duhen që të largohen nga zona. Oficerët më pas lejuan zonjën Wong të afrohej dhe të dy u futën në automjet dhe u larguan. Të dy gazetarët kishin mjetin e identifikimit të agjensisë së lajmeve Associated Press dhe iu prezantuan policëve si punonjës të mediave.

Protestuesit në Nju Jork

Protestuesit në Nju Jork

“Atyre nuk u interesonte,” tha zonja Wong. “Ata thjesht po më shtynin”.

Zyrtarët e Departamentit të Policisë në Nju Jork thanë se ata “do ta shqyrtojnë këtë rast sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gazetarët janë përballur me policë agresivë dhe protestues gjatë demonstratave nëpër Shtetet e Bashkuara, pasi afrikano-amerikani George Floyd vdiq javën e kaluar ndërsa mbahej në pranga, ndërkohë që oficeri i bardhë, Derek Chauvin, i mbante gjurin në qafë për disa minuta.

Policia në Louisville, Kentaki, kërkoi ndjesë pasi një oficer i hodhi plumba me material djegës drejt një ekipi televiziv lajmesh dhe një gazetar në Mineapolis u qëllua nga një plumb gome.

Gazetarët janë përballur me rreziqe të tjera, ndërsa raportojnë trazirat, krahas agresionit nga policia. Në Karolinën e Jugut, një reporter i lajmeve u godit në kokë nga një gur i hedhur dhe jashtë Shtëpisë së Bardhë, një reporter i kanalit Fox News u ndoq dhe u godit nga protestuesit. Dikush ia mori mikrofonin dhe ia hodhi mbi shpinë, dhe një kamera e fotografit të Fox News u shkatërrua.

Në Atlanta, protestuesit që luftuan me policinë dhe i vunë zjarrin makinave, gjithashtu thyen dritaret dhe shkruajtën fjalë të pahijshme në zyrat e CNN-it.

Zëdhënësja e Associated Press, Lauren Easton kritikoi të martën veprimet e oficerëve, të cilat ndodhën pasi mijëra njerëz në Nju Jork po kundërshtonin një ndalim-qarkullimi të vendosur pas disa netëve dhune dhe shkatërrimi. Gazetarët që mbulojnë ngjarjen janë të përjashtuar nga masat e ndalim-qarkullimit.

“Roli i gazetarëve është që të raportojnë lajmet në emër të publikut,” tha zonja Easton. “Është e papranueshme dhe thellësisht shqetësuese kur gazetarët sulmohen thjesht se po bëjnë punën e tyre”. zëri i amerikës

Reuters: Kosova zgjedh qeverinë e re që premton marrëveshje me Serbinë

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur një qeveri të re të mërkurën me një kryeministër që ka premtuar të arrijë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila do t’ia mundësonte vendit marrjen e një ulëseje në Kombet e Bashkuara, shkruan “Reuters”.

Qeveria e re e kryeministrit Avdullah Hoti, i cili vjen nga partia e qendrës së djathtë, Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua nga 61 deputetë në kuvendin me 120 ulëse pas disa javëve të mosmarrëveshjes ligjore.

“Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e bazuar në njohjen reciproke mes dy shteteve. Ne nuk do të lejojmë ndonjë ndryshim të kufijve apo shkëmbim të territoreve”, tha Hoti para deputetëve.

Hoti ka premtuar se do t’i largojë të gjitha barrierat tregtare për mallrat që vijnë nga Serbia, ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për ta vazhduar dialogun e përkrahur nga Brukseli, që u ndërpre në vitin 2018.

Serbia, së bashku me aleaten e saj tradicionale, Rusinë, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për Beogradin që të anëtarësohet në BE, shkruan “Reuters”.

Vuçiçi falënderon Iranin për mosnjohjen e Kosovës

Beograd

Irani dhe Serbia do të zhvillojnë bashkëpunim në të gjitha fushat ku për atë ka mundësi, u dakorduan sot në një bisedë telefonike presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti iranian Hassan Rohani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç falënderoi Rohanin për iniciativën e bisedës dhe theksoi se Serbia do të zhvillojë bashkëpunim me Iranin në fushat ku ka mundësi reale dhe interes reciprok për këtë, njoftoi Presidenca e Serbisë.

Ai shfaqi shpresën se të dyja vendet do të kapërcejnë me sukses situatën e tanishme shëndetësore dhe do t’i përkushtohen përmbushjes së planeve për të ardhmen si dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, veçmas ekonomik, sepse ngec prapa marrëdhënieve të mira politike.

Vuçiç tha se Serbia falënderon Iranin, i cili miqësinë e tij e tregon me qëndrimin parimor për mosnjohjen e Kosovës si dhe mbështetjen e saj për këtë çështje, përskaj presioneve të mëdha.

Rohani tha se Irani do të respektojë integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë dhe do të vazhdojë të mbështesë vendin në organizatat ndërkombëtare. Ai konfirmoi vendosmërinë e Iranit për të zhvilluar marrëdhënie gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe falënderoi Vuçiç-in për angazhimin e tij në zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.

Presidenti i Serbisë shprehu ngushëllimet e tij për viktimat nga COVID-19 në Iran.

Të dy bashkëbiseduesit shfaqën shpresë se çrrënjosja e epidemisë COVID-19 së shpejti do të mundësojë kontakte të planifikuara më parë ndërshtetërore dhe shkëmbimin e vizitave. Rohani ftoi presidentin Vuçiç të vizitojë Iranin kur rrethanat e lejojnë atë, gjë që presidenti Vuçiç e pranoi me kënaqësi.

Vëllai i George Floydit bën thirrje për protesta paqësore

Terrence Floyd, në qendër, tek vendi ku humbi jetën vëllai i tij

Marrë nga Reuters

Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën para dyqanit Cup Foods në Mineapolis për të nderuar afrikano-amerikanin George Floyd, të hënën. Familjarë dhe pjesëmarrës vendosën lule në vendin, ku George Floyd arrestua dhe më pas vdiq. Vëllai i tij, u bëri thirrje pjesëmarrësve për protesta paqësore, duke thënë se veprimet e dhunshme nuk do ta ringjallin George Floydin.

Turma të mëdha njerëzish krijuan një memorial me lule dhe disa prej tyre u lutën rrethi tij për të nderuar afrikano-amerikanin George Floyd, në vendin ku ai ndalua nga policia. Floyd vdiq ndërsa ishte nën arrest. Vëllai i tij, Terrence Floyd, në një fjalim para turmës së mbledhur të njerëzve, foli kundër dhunës dhe shkatërrimit.

Unë e kuptoj që ju të gjithë jeni të mërzitur, por dyshoj që jeni aq të mërzitur sa unë, ndoshta as gjysëm të mërzitur. Kështu që, nëse unë nuk fyejë njerëzit dhe nuk hedh në erë gjëra, nuk bëj rrëmujë në komunitetin tim, atëherë çfarë po bëni ju? Nuk po bëni asgjë. Këto gjëra nuk do të rikthejnë vëllain tim. Mund tju bëjnë të ndjeheni mirë për një moment, ashtu si pirja e alkoolit, por kur të zgjoheni ju do të pyesni veten se çfarë keni bërë”.

Zoti Floyd theksoi se ai dëshironte që njerëzit të arsimoheshin, të votonin dhe të mos shkatërronin komunitetet e tyre. “Ta bëjmë këtë në një mënyrë tjetër,” tha ai, para protestuesve të mbledhur.

“Të ndalojmë së menduari se zëri ynë nuk ka rëndësi, le të votojmë! Jo vetëm për presidentin, por në zgjedhjet paraprake, të votojmë në zgjedhjet e të gjitha niveleve. Të arsimojmë veten. Mos prisni që dikush tjetër t’u tregojë se kush janë kandidatët. Mësojeni vetë dhe vendosni se për cilin kandidat do të votoni. Dhe kështu do t’i godasim ata. Sepse ne jemi një grup i madh.”

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ishte e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit. Incidenti rindezi zemërimin në vendin e ndarë nga pikëpamja politike dhe racore, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, që ka goditur më rëndë afrikano-amerikanët.

Shumë qytete të prekura nga trazirat sapo kanë rifilluar disa aktivitete normale ekonomike pas masave kufizuese mbi dy mujore për frenimin e përhapjes së Covid-19, që ka vrarë mbi 104,000 njerëz dhe ka lënë pa punë mbi 40 milion vetë. zëri i amerikës

Në Tropojë, ku takon perenditë e Eskilit dhe orët e shqiptarisë – Nga AZGAN HAKLAJ

Sofra ku gjen me bujari vetëm shqiptari.

 

Vite më parë isha i motivuar së tepërmi që vendlindjes time, Tropojës të mund t’i ledhatoja sadopak dhimbjen.
Ka qenë një dhimbje e madhe që, siç thotë populli, edhe hasmit nuk i urohet.
Por ja që vite me rradhë pushteti u bë hasëm e shkuar hasmit për Malësinë e Gjakovës.
Nuk është as rasti dhe as objekti i këtyre radhëve situata e Tropojës asokohe.
Tropoja, jo vetëm bijtë e saj, por edhe një mysafir të rastit i mban peng malli dhe kujtimi i gjatë nëse je larg saj.
Kjo më ngjet mua dhe besoj kujtdo, një vend që çdo pëllëmbë tokë e ka të njomur me gjak për liri, që bukën e kripën, zemrën e bujarinë e ruan me fanatizëm për mikun.
E pra, pikërisht këto treva si vendlindja ime, lakmohen aq shumë nga miku e nga hasmi, një lakmi që shpesh kërkon duele në histori dhe duelet kanë pasojat e tyre.
Gjithsesi askush s’mund ta mohojë se Zoti ka qenë bujar në fertilitetin e vlerave, në shumësinë e burrave e grave të shquar në çdo fushë e në çdo kohë.
Pikërisht në Tropojë, kur Ballkani nuk njihte as kanun e as ligj shtetëror, ndodhej “miniGjykata e Kasacionit Shqiptar”, ku gjykatësit zemërmëdhenj si Binak Alia ndante pleqninë dhe Shpend Zeqir Haklaj bënte pajtimin.


Në ato troje u rritën burra të shquar si Binak Alia, Mic Sokoli e Ali Ibra, Haxhi Zeka, Col Delia, Bajram Curri, Hasan Beg Prishtina e Tahir Sinani.
Do të duhej një libër më vete për politikanët e shquar, shkenctarët e shumtë, shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, diplomatët e veçantë, artistët e talentuar të skenës dhe ekranit, sportistët e spikatur, gjeneralët, biznesmenët e suksesshëm nga kjo trevë e shquar e Historisë Kombëtare.
Por unë penën po jua kaloj në pajtim historianëve, shkrimtarëve që me guxim të përshkruajnë bollekun historik të Tropojës.
Të shkruash për lavdinë e vendlindjes natyrisht merr sado pak nga lavdia e saj.
E pra nuk kisha si të mos intrigohesha e të mos përfshihesha i tëri dhe të vazhdoj të jem i përfshirë në ndjesinë e të kontribuarit, jo vetëm si njeri politik, si artist, por së pari si bimë humane e asaj toke.
Sëbashku me miqtë e mi vendosëm t’i rikthenim Tropojës kohën e kuvendeve historike, ku mblidhen nga të gjitha skajet krushqit e lirisë, krushqit e vlerave nacionale, të artit e të kulturës dhe Sofra Tropojane e ruajtur për bujtësit e shqiptarisë ku ulej kambëkryq Azem Bejta e Isa Boletini u shndërrua natyrshëm në Sofrën Dardane.
Kjo sofër, nga një projekt artistik këngësh e vallesh, vetvetiu kaloj në një tubim historik, ku bashkimi kombëtar nga një definicion i etershëm ideal përfundon në një realitet të materializuar.
Dikush mund të thotë se sofrër artistike është “Sofra Dardane”!
Po, po sofër arti, sofër buke e kripe është, por mbi të gjitha: Sofër e bashkimit, e bashkimit të shpirtrave të ndarë shqiptar.
Arti dhe kultura nuk mbajnë, mbartin e transmetojnë veç magjinë e dëfrimit, por më së shumti magjinë e integrimit njerëzor.
Edhe Aleksandri i Madh, edhe Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, (Skënderbeu) dëshmohet se para betejave të mëdha ia merrnin këngës dhe valles.
Edhe legjenda e bujshme e Tropojës dhe shqiptarisë në këngë e valle është përjetësuar, mijëra vite përpara lindjes së Patër Engjëllit e të Gjon Buzukut.
Në sofër ngrënia dhe gostia janë të papërfillshme.
Në Tropojë historikisht nga sofra jonë është mbajt mend fjala e gjykimit të mënysë, e pra mënyja e Sofrës Dardane tashmë është formëzuar, ajo përbëhet nga dy nocione, bashkim, integrim.
Vendet në Sofrën Dardane zihen me vlera dhe vendi i vlerave nuk ngelet kurrë pa Zot.
Në Malësinë e mirë më zor’ rriten lisat e gjatë se sa burrat me zë.
Vetëm datën e ditën e organizimit të kësaj Sofre e kemi patur veshtirë për ta caktuar, se nuk ka datë e ditë të pa shënuar në vendlindjen time, por vendosëm ta shtrojmë në qershor, se pikërisht atëherë:
Valbona e qartëson blunë e veçantë të burimit të saj.
Në qershor tek burimi i saj bashkëjetojnë të katër stinët.
Atëherë zogjtë e malit e ndalojnë përkohësisht korin e këngës.
Zanat dhe shtojzovallet dalin për të kujtuar Ajkunën që vajtonte Omerin.
Lulëkuqja e Gjakovës çel mbi gjakun e Luanit, të Shkëlzenit e Tahir Sinanit.
Luleshqerrat çelin në lëndinën e Koshares mbi gjakun e Agim Ramadanit, të Sali Çekajt, Abaz Thaçit e Mujdin Aliut.
Qershori është kujtesa historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e udhëhequr nga Iljaz Pashë Dibra, Imer Prizreni, Avdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, ku Tropoja ka kontribut të shquar me Ali Ibrën, Col Delin, Mic Sokolin, Zmajl Hysenin e Shpend Zeqir Haklajn.


Në qershor, 110-të vjet më parë, Tropoja u ndesh me hordhitë osmane pas kryengritjeve shqiptare që shpërthyen në Kosovë, në zonën e Karadakut, të udhëhequr nga Idriz Seferi, në zonën e Mitrovicës, të udhëhequr nga Isa Boletini, e pas luftërave të ashpra turqit kaluan në Qafë të Morinës, por u ndeshën në rezistencën e bajraqeve të Malësisë të Gjakovës, të udhëhequr nga Adullah Hoxha, Shaban Binaku, Zeqir Halili, Arif Delia, Shpend Zeqir Haklaj me të vëllanë, Groshin e të bijtë, Halil e Zenel Brahimi, Prel Tuli e djelmnisë së Dukagjinit të udhëhequr nga Mehmet Shpend e Marash Delia..
Kjo kryengritje ishte revolucioni i parë i shqiptarëve kundër xhonturqëve, i cili u pasua nga kryengritja e Malësisë madhe, e cila ishte prologu i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Qershori i vitit 1999-të është agimi i lirisë Dardane, çlirimi i Kosovës martire nga hordhitë serbe.
Tropoja ka kontribut të jashtëzakoshëm për realizimin e ëndrrës shekullore për çlirimin kombëtar.
Çdo vit në këtë sofër, në preher të alpeve, aty ku bashkohet Drini me Valbonën, rrezë Shkelzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike, vijnë jo vetëm ata që janë rritur në Tropojë, por nga çdo skaj e nga çdo anë, nga mbarë hapsira etnike shqiptare.
Ky referendum artistiko-qytetar, ku marrin pjesë mbi njëmijë artistë nga i gjithë Kombi Shqiptar dhe mijëra qytetarë nga Tropoja, Qarku i Kukesit, Rrafshi i Dukagjinit e më gjerë e shndërrojnë qytetin e bacë Bajramit për tre ditë në kryeqytet të kulturës kombëtare.
Kjo sofër shtrohet çdo vit me dt 10-11-12 qershor në stadiumin e lojrave me dorë në qytetin e Bajram Currit.
Aty gjen me bujari vetëm Shqiptari.
Aty gjen’ fjalën e urtë, hyjnore të orëve të shqiptarisë, Dervish Luzhës “Nderi i Kombit”, të Rexhep Belit, “Nderi i Kombit”.
Aty ku takohen Drini me Valbonën takohesh me perënditë e Eskilit.
Natyrisht që këtë vit për shkak të pandemisë së shkaktuar nga covidi 19-të, ky festival kombëtar, kjo pikëpjekje e shpirtit të Kombit do të shtyhet për një moment tjetër.