VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dalin faturat – Ministrja e Drejtësisë në hotele luksoze gjatë udhëtimeve jashtë shtetit, mbi 700 euro një natë

By | August 24, 2019

Komentet

Nga aeroporti i Rinasit te stadiumi Dinamo, veprat e ndërtuara nga intelektualët e dënuar

Një listë e tokave të hapura dhe ndërtimeve të realizuara nga puna e detyruar e intelektualëve dhe të burgosurve të pafajshëm të regjimit komunist, nxjerrë nga botimi “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” i studiuesit Kastriot Dervishi.

Ata nuk ishin të përgatitur për atë lloj pune. Në universitet ku kishin përfunduar studimet, me siguri nuk u kishin mësuar asgjë të ngjashme. Ata nuk ishin as të ngrënë për atë lloj pune. Racioni ditor për të përballuar punën e rëndë, nuk kishte asgjë të ngjashme me atë që u ofrohej të dënuarve të kampeve komuniste të Shqipërisë. Në vapën zhuritëse, u mungonte uji i pijshëm. Në temperaturat nën zero, u mungonin veshjet dhe këpucët. Ndaj mbijetesa e tyre, siç thotë një prej personazheve në librin e Atë Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, nuk mund të shpjegohej ndryshe veçse si një mrekulli.

Sa për pushtetin, ishte e qartë që ai nuk shqetësohej për kohëzgjatjen e kësaj mrekullie. Të dënuarve u ulej norma e ushqimit dhe u rritej norma e punës, deri në pikën e fundit të rezistencës. Në një Shqipëri që burgoste për një fjalë goje, krahu falas i punës nuk do të mungonte asnjëherë.

Kampet e punës, në shumë raste me shumicë të dënuarish politikë, u importuan në Shqipëri nga regjimet totalitare komuniste dhe fashiste, por ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës do ta ndalonte punën e detyruar që në vitin 1957, në Shqipërinë e anëtarësuar në OKB në vitin 1955, ajo do të vazhdonte të ishte në fuqi, deri në çastet e fundit të diktaturës. Të dënuarit u shfrytëzuan kryesisht në miniera, në tharjen e kënetave, në ndërtim dhe në bujqësi.

Kujto.al po sjell një listë me veprat kryesore të realizuara nga puna e të burgosurve, mes të cilëve, gjeje plot intelektualë, artistë, ish-ministra, politikanë apo klerikë, siç gjeje edhe të mitur apo të sëmurë mendorë që me urdhër të drejtorive përkatëse nxirreshin në punë, me argumentin që vetëm puna mund t’i korigjonte sjelljet e tyre. Kjo listë është krijuar duke u mbështetur në të dhënat e hollësishme që studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” dhe megjithëse mund të duket e gjatë, përmban vetëm një pjesë të punës së të burgosurve, pa përfshirë punën e rëndë të nxjerrjes së mineralit në miniera, punën në fabrika apo në bujqësi. Nuk përfshihen në këto vepra, as ato intelektualet, kryesisht në fushën e përkthimeve, të cilat gjithashtu realizoheshin nga të burgosurit, por paraqiteshin si vepra të tjetërkujt.

Sado e vonë të jetë kujtesa e një qytetari shqiptar, është vështirë që të mos ketë parë me sytë e tij, një prej këtyre ndërtimeve, megjithëse shumica prej tyre, si hekurudhat dhe kombinatet tashmë nuk funksionojnë ose janë shkatërruar plotësisht. Dhe kur në Shqipëri ka ende shumë për të bërë për kujtesën, njohja e këtyre vendeve ku është shfrytëzuar puna e të dënuarëve të pafaj, të detajuara në botimin e Kastriot Dervishit, i ndih asaj duke i dhënë një këndvështrim më afër së vërtetës çdo udhëtimi nëpër Shqipëri, apo edhe ca hapave në Tiranë, ku ende gjen banesa të ndërtuara nga të burgosurit.

Të dënuarit, të internuar apo të burgosur, janë shfrytëzuar në punë të rënda që në vitet e para të pushtetit komunist, por në fillim të viteve ’50, shfrytëzimi i tyre u bë objektiv kryesor, ndaj dhe të gjitha burgjet, me përjashtim të një burgu në Tiranë dhe burgut të Burrelit ishin kampe pune. Ato lëviznin nga një vend në tjetrin, në një zinxhir që ndërtonte Shqipërinë socialiste duke shkatërruar elitën e saj intelektuale. Ishin 4-6 mijë të burgosur që nën emërtimin zyrtar “punëtorë të detyruar”, shfrytëzoheshin për ndërtimin e veprave brenda afatit të caktuar për përurim dhe kur pritej shiriti, ata ishin dërguar tashmë në një tjetër kamp, ishin rrethuar me një tel tjetër me gjemba dhe iu ishte dhënë një tjetër detyrë gati e pamundur.

Vepra të ndërtuara me punën e të burgosurve gjatë regjimit komunist

Kanalet kulluese në Jubë

Prill 1946. U ngrit kampi i parë i punës në Jubë, fshat në lindje të Durrësit. Në të u grumbulluan 700-800 të burgosur nga Tirana dhe Durrësi. Të burgosurit politikë hapnin kanale kulluese afër detit. Mes punëtorëve të kanalit 5 km të gjatë dhe 6 m të gjerë ishin ish-qeveritarët Kostaq Kotta, Ibrahim Biçakçiu, Et’hem Cara.

Tharja e kënetës së Maliqit

Qeveritë e Ahmet Zogut kishin dështuar në këtë nismë. Komunistët vunë objektiva të paarritshme për ta tharë liqenin e Maliqit brenda pak muajsh dhe meqë nuk e arritën dot, pushkatuan si sabotatorë disa nga teknikët më të mirë në vend dhe larguan misionin amerikan në Shqipëri. Në këtë çast, detyra u kalon të burgosurve politikë. Në pranverë të 1947-ës, hapet kampi i Orman-Pojanit me qendër në Vloçisht ku qeveria grumbullon mbi 2500 veta nga armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës, të cilët me nga “800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë” punuan për një nga projektet më madhore të Shqipërisë. Disa nga punëtorët e kënetës së Maliqit ishin Atë Zef Pllumi, përkthyesi i Dante-s, Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona etj.. Punimet mbaruan në vitin 1951.

Kanali ujitës Peqin-Kavajë

Në vitin 1951, të burgosurit politikë dhe ordinerë të Kampit nr.1 që punonte për tharjen e kënetës së Maliqit, mori emrin Reparti 301. Pas Maliqit, ata u zhvendosën në Gosë të Kavajës, ku hapën kanalin ujitës pranë këtij qyteti.

Kanali i Bedenit

Në kampin që do të hapte kanalin nga zona kënetore e Bedenit, që quhej dhe këneta e Zhabjakut, deri në lumin Shkumbin për të liruar fushën nga uji, kanë punuar mes të dënuarëve politikë plot 29 priftërinj katolikë.

Kanali ujitës Devoll-Thanë

Në vitin 1948, 1500 të burgosur u sollën në Vlashuk të Beratit për të hapur një kanal që fillonte nga lumi Devoll, i cili u përurua më 21 korrik 1949. Shokët e shkollës së Enver Hoxhës në Francë, Foto Bala dhe Isuf Hysenbegasi ishin ndër të dënuarit që punuan për këtë kanal 8 km të gjatë.

Kanali i Tërbufit

Në vitin 1956 në Tërbuf u krijua një repart me qëllim tharjen e kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Punimet vazhduan deri në vitin 1958.

Kanali ujitës Vjosë-Levan-Fier

Kampi i të burgosurve për ndërtimin e këtij kanali ka qëndruar në Shtyllas nga 3 nëntori 1953 deri më 18 mars 1955, kur mes të burgosurve, 715 ishin politikë dhe 172 ordinerë.

Bonifikimi i fushës së Kamzës dhe Valiasit

Në këtë punë u angazhuan kryesisht të burgosurit e Tiranës dhe Durrësit.

Kanali ujitës “Naum Panxhi”

Të burgosurit e Elbasanit nisën ndërtimin e kanalit që merrte ujë nga lumi Shkumbin dhe e dërgonte në fushën e Cërrikut në vitin 1947, por më pas vepra u përfundua nga aksionistët dhe punëtorët me pagesë. Gjatë kohës që punuan në këtë projekt, të burgosurit, marshonin çdo mëngjes përmes qyteti për 5 kilometra në një kolonë poshtërimi nga burgu në vendin e punës dhe sërish në mbrëmje nga vendi i punës, në qeli.

Punime në lumin e Gjadrit

Gjatë vitit 1954 të burgosurit punuan në kushte që të kujtonin punën e skllevërve për hapjen e një kanali 1500 m në Hajmel që synonte shmangjen e mbytjes së fushës së Zadrimës.

Bonifikimi i Thumanës

Kanale ujitëse dhe kulluese në Sarandë

Sipërfaqet e përftuara nga hapja e kanaleve:

Jubë 1700 ha

Beden 6500 ha

Maliq 10.400 ha

Rrushkull e Hamallaj 5000 ha

Zadrimë 6.200 ha

Hoxharë 2200 ha

Tërbuf 18000 ha

Rruga Gramsh-Lozhan

Rruga nga Gramshi në Lozhan të Korçës u hap me krahë, nga të internuarit e kampit të Kamzës në vitin 1949.

Hekurudha Peqin-Elbasan

Për këtë hekurudhë, që nisi të ndërtohej në janar 1950, u ngritën dy kampe pune me të burgosur: kampi i Urës së Bonës dhe kampi i Bishqemit. Hekurudha kishte 4 tunele dhe 100 ura. Në kampin e Urës së Bonës punuan rreth 500 të burgosur, të cilët realizuan 70.350 ditë pune, duke u ushqyer me një supë bollguri në mëngjes, fasule dhe ndonjëherë pak mish në drekë dhe çaj e marmalatë në darkë, ndërsa racioni i bukës vijonte të ishte 700-800 gramë për person. Në kampin e Bishqemit, punuan rreth 800 të burgosur të cilët përballuan punën më të rëndë dhe realizuan mbi 100 mijë ditë pune. Hekurudha u përurua nga Mehmet Shehu më 21 dhjetor 1950, në nder të Stalinit, të cilit qeveria shqiptare i detyrohej për metodat e shfrytëzimit të të burgosurve, edhe pse puna e tyre nuk u përmend në fjalimet inauguruese.

Hekurudha Vorë-Laç

U përurua më 1 maj 1963. 30 km e gjatë. Në kampin që punoi për ndërtimin e saj, në vitin 1961, kishte 600 të dënuar.

Kriporja e Vlorës

Në vitin 1970 në këtë zonë punonin 340 të burgosur.Të burgosurit hapnin kanale të thella. Ndërtuan një argjinaturë 8 km që ndante kriporen nga këneta. Kanë punuar edhe për një projekt të shkripëzimit të tokave, por ai dështoi.

Në fushën e ndërtimeve

Uzina e naftës në Cërrik

Fusha e aviacionit Kuçovë

Në vitin 1952, të burgosurit u përqendruan në Urën Vajgurore për të nisur ndërtimin e fushës së aviacionit të Kuçovës. Fillimisht punonin 2000 të burgosur, ndërsa në vitin 1953, punonin 1150 të burgosur dhe ishin realizuar 204.605 ditë pune. Sipas një raporti zyrtar të vitit 1952, jeta e të dënuarve nuk paraqitet e mirë për faktin “se kur kemi ardhur këtu e deri sot, nuk kanë ngrën as edhe një herë gjellë me mish, pse kjo mungon”.

Aeroporti i Rinasit

Muajin e dytë pas fillimit të punimeve, më 30 tetor 1953, natyra e veprës që po ndërtohej u duk se frymëzoi katër të burgosur, të arratiseshin, edhe pse jo përmes ajrit, por përmes një tuneli të nëndheshëm 11 metra të gjatë. Punimet për aeroportin e Tiranës nisën në shtator 1953 dhe të burgosurit që vinin nga kampi i Urës Vajgurore kanë qëndruar deri vitin pasardhës, ndërsa një grup tjetër të burgosurish, që do të formonin Repartin nr.303, punuan për aeroportin e Rinasit nga 14-15 korriku 1955 deri më 8 shkurt 1959, kur përfunduan punimet e aeroportit që të ishte gati për pritjen e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në Tiranë. Dinamika e të burgosurve ndryshonte nga viti në vit, por kryesisht dominohej nga të burgosurit politikë, të cilët në vitin 1957 përbënin 100 për qind të kampit. Raportet zyrtare vinin në dukje që inxhinier Pandeli Zografi, i dënuar në procesin e Maliqit, u shënonte më tepër normë të burgosurve, duke e akuzuar kështu, edhe një herë të dytë, për të njëjtin “krim”.

Stadiumi Qemal Stafa

U përfundua nga puna e robërve italianë dhe gjermanë.

Kombinati i tekstileve në Yzberisht

Të burgosurit kanë ndërtuar kanalin e kullimit të bojërave me të cila do të ngjyroseshin pëlhurat në këtë kombinat, gjatë vitit 1950. Sigurisht, edhe puna për kanalin e bojërave u bë në terr. Ditën e përurimit, 8 nëntor 1951, askush nuk i përmendi të burgosurit, të cilët tashmë ishin larguar drejt një kampi tjetër pune.

Pallatet Agimi

Ndër godinat e para që u ndërtuan nga kampi nr.4 i krijuar me qëllim që të dënuarit të ndëshkoheshin me anë të punës. Ky kamp u krijua në vitin 1953 dhe në muajt e parë më shumë se gjysma e të dënuarëve ishin të dënuar politikë, raport që u përmbys në vitet në vijim, megjithatë të dënuarit politikë nuk munguan asnjëherë në këtë kamp pune që u vendos pranë Lanës.

Stadiumi Dinamo, sot “Selman Stërmasi”

Stadiumi i projektuar nga Koço Miho u përurua më 8 korrik 1959. Në atë vit, kampi i të dënuarëve të angazhuar në ndërtimin e tij kishte 491 të burgosur.

Sanatoriumi

130 të burgosur u vunë në dispozicion të ndërmarrjes së ndërtimit nga viti 1959 në vitin 1960 për të ndihmuar në ndërtimin e Sanatoriumit.

Kombinati ushqimor “Ali Kelmendi”

Sipas marrëveshjes së ndërmarrjes së ndërtimit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërtimin e këtij kombinati, i cili do të niste dhe do të përfundonte brenda vitit 1960, do të angazhoheshin 330 të dënuar.

Pallatet Puna

Pallatet e rrugës “Myslym Shyri”

Hyrja kryesore në rrugën e Durrësit

Zona e Zogut të Zi

Fabrika e bukës

Blloku “50 vjetori i Pavarësisë”

Kombinati i mishit

Peliçeria e Tiranës

Ndërtesa të fermës “Gjergj Dimitrov”

Uzina e autotraktorëve-një pjesë të punimeve

Kompleksi Dinamo

100 të dënuar politikë dhe 50 ordinerë u angazhuan nga viti 1987 për ndërtimin dhe përfundimin në kohë të kompleksit sportiv “Dinamo”.

Uzina e sodës kaustike në Vlorë

Fabrika e çimentos në Elbasan

Fabrika e Çimentos e Fushë-Krujës

200 banesa në qytetin e Bulqizës

Në vitin 1985 hapet një repart të burgosurish në Bulqizë enkas për ndërtimin e pallateve të banimit. Në vitin 1987, në të kishte 105 të dënuar politikë.

Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik

Uzina e superfostatit në Laç

U ndërtua në vitet 1963-1967

Banesa në Laç

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh

Nga viti 1972 deri në vitin 1979 të burgosurit kanë punuar për ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës. Pas vënies në punë të saj, janë detyruar të punojnë për ndërtimin e pallateve dhe riparimin e shtratit të lumit Gjanica. /Kujto.al/

“Më përshkuan të dridhurat, mësyva derën shigjetë e dola”- Rrëfimi rrëqethës i nënës që komunizmi e ndau nga i biri

Nuk janë të pakta historitë rrëqethëse nga komunizmi, ku nënat u ndanë nga fëmijët, ndërsa për 45 vite me radhë, sistemi internoi mjaft qytetarë e familje i torturoi në mënyra nga më çnjerëzoret nëpër kampe famëkeqe, madje edhe i pushkatoi.

Me një postim në facebook, Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka shpërndarë një histori të tillë. Atë të një gruaja që ndahet nga i biri, e për të cilin, ndonëse e kërkoi me vite, nuk mësoi më asgjë.

 

Historia: 

GJAKU I TIM BIRI

(sipas rrëfimit të një nëne)

– Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, – më tha polici. Bashkë me tim bir për dore, Arturin e vogël katërvjeçar, ai na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit. Ishte 10 tetori i vitit 198…
– Djalin lërja sportelistes, – tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes Jeminé me djalin përdore… pesë minuta… mbaron punë dhe e merr.
Sportelistja, një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e errët që më kaploi, nxorra një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje vijat e kuqe, bardhë e blu dhe u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.
– Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.
– Po, – i thashë, – sot ka mbushur katër vjeç…
Më përshkuan të dridhurat. Asnjë fjalë urimi.
– Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si ti… – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e tavolinës. – Nuk do ta lëmë gjakun e shkokut tonë partizan, besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh gjakpirës! Dëgjon? Ndaj ne…
Mësyva derën shigjetë e dola jashtë.
As djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.
– Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.
Burri me dy gratë kishin dalë në holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.
– Kot e kërkon, – foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë… nuk e arrin.
Pas kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza më mbërtheu në shtrat për 3 vjet. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-herë vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht: “Shko, gjeje djalin tonë!”. Ai vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë, e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”
Derisa ra diktatura. Nisa kërkimin e Arturit tim. “Tani do të jetë bërë 12 vjeç. A do të më njohë?” Derisa, një dite të mjegullt vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.
– Zonjë, – më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet midis nesh. Përndryshe, po ma nxorre emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e kërko më djalin tënd, Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin gjak. Në një nga këto raste, me 30 mars 1985, fill pasi i morën gjakun, Arturi… nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë…
I gjori im bir! Gruaja nuk e dinte se atë ditë loçka ime do mbushte 6 vjeç…
Mos e kërko më… Bëhu e fortë, – tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më lënë të shituar në prag.
– As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete që nuk hapen kurrë, – shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi. Po atë natë qe larguar familjarisht në Greqi.
Në verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e prindërve të tij në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të lexoj pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “8 tetor 198…”:
“Gjithçka është ujdisur me kujdes… Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B… Artur S…, do të rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit… Do ta shlyejmë dhe këtë njollë. Më në fund….”
Më shungëllonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim! Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit 4 vjeçar? Si ta pyes, tani që ka vdekur?
Do të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas… deri sa të ngrihet… të më japë përgjigje!

Excelsior (1939) – Mbreti Zog, mbretëresha Geraldinë dhe princeshë Maxhidja në hotel “Stambolli”(Foto)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Shtator 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 10 majit 1939, në faqen n°8, fotografinë e mbretit Zog, mbretëreshës Geraldinë dhe princeshës Maxhide, të strehuar asokohe në hotel “Stambolli”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Sovranët në mërgim

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë duke pirë çaj në tarracën e hotelit “Stamboll”, ku po qëndrojnë për momentin; në të majtë, princesha Maxhide, një nga motrat e mbretit.

DY SHPÊLLA T’ THÊLLA… – Nga Fritz RADOVANI

 

AT SHTJEFEN GJEÇOVI

(1874 – 1929)

 

Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929.., kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort!

E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!…E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”…!

Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm…por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 90 vjet ma parë.

Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata, i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar!

Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh.

Ai nuk eci kurr mbi shilte e cerga…Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë…

Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët Shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore  dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.

Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë Shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky.

Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht i madhi At Shtjefën Gjeçovi.

Kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike.

Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën kryesisht të përfshimë në Gjenocidin sllavokomunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut.

Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të  realizmit socialist.

Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi per disa”…, në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue A. Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.”

 

Ja, dhe një fragment i poezisë “E DREJTA !”:

 

“M’ kam, se Atdheu don që t’ vllaznohi
E njihni n’ t’ bame t’ keni e n’ fjal
M’ kam, se Atdheu don që t’ bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j’ a ndal
…M’ kam, shqyptart, m’ kam, e n’ zemrat trimnohi!


M’ kam, flamurin e Shqypnis qit – e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’ n tande, n’ t’ cilën Mama t’ ka rrit
N’ drit me qitun, prej Zotit ke leje
…Ngrehu prej gjumit, se mjeft t’ ka topit!”

 

Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit në Shkoder, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët Ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj.

Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Ai asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres.

Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar.

Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit…, etj. për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica,  i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë Shqiptar këto fjalë: “At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla.

Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu.

Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’ Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti njëherë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej. Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit.

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin.

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí. Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e Shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”

            ***

Aty rreth vitit 1954, 55…

I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit…, kishim përpara një portret të Tij…Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë:

“Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet, armët serbe i këthyen në dy shpella..?!”

Melbourne, 12 Tetor 2019

 

Cili ishte plani i monarkisë austro-hungare për Shqipininë – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

Ramleh (Aleksandrí), 11. XI. 1950

I dashtuni Atë,
Tash po gjej rend me i u përgjegjun letrës s’Ate. Nuk besoj se ke për t’a zânë të madhe këtë vonesë.
Për përkthimin e frazës latine Të falem nderës. Natyrisht ky i yti âsht përkthim’i drejtë e jo i imi, edhe s’ ke si e përkthen ndryshe veçse q’ashtu. Tash po vij e T’a zâ derën me … jo mâ pak se 30 fraza aso doret, do madje shumë mâ të gjata. Nuk janë të nguçme. Disa të shkurtna i kuptoj edhe vetë, por nuk due me bâmë gjâ me dyshim. Fjala e moçme thotë: Kur ke mashën mos digj dorën! A po fyhe qi po Të bâj mashë me këtë proverb?
Para se t’i hŷj përgjegjes së pyetjeve të Tua po T’i bâj un edhe nja dý të lehta: 1) A njeh kund andej ndonji Slav qi të dijë edhe slavishten, mâ përpiktas sërbishten e vjetër? Me ç’shoh vetë, kjo e fundit s’po na paska shumë ndryshim prej së soçmes. Kishem me pasun pak gjâ për t’a pyetun. – 2) Dushmani a âsht, si e dij un, nji ndër bajrakët e vogjël të Dukagjinit? – 3) A njeh kund në Shqipní të Verit nji katund qi quhet Dushi?
Atentat’i Vjenës kundra Mbretit Zog ka qênë organizue prej refugjatvet shqiptarë t’atij qyteti e vetëm prej këtyne pa dije të kurrkuj tjetër.
Plan’i monarqís austro-hungare për Shqipnín, po t’a kishte fitue luftën, ka qênë me i dhânë ksaj vetëm nji autonomí të përmbrêndshme, tue i premtue se do t’i njihte indipendencën e plotë kur t’ishte pjekun për tê. Kështu e pat shpallë zyrtarisht Trollmann-i (s’të garantoj për orthografín), në ligjiratën qi bâni për popullin shqiptar në Shkodër mbas pushtimit. Sa për autonomín, këtê administrativisht e vû madje në zbatim menjiherë e asaj do t’i a dijmë për nderë themelat mâ të parët të nji administrate shqiptare.
Punën e atij kafazit shqiptar qi po më pyet edhe un këtu e kam ndie mbasi ka dalë libri qi flet për tê. S’e kam këndue as librin e nuk dij kurrgjâ për atë njeri. Por do t’ ishte për njimênd nji gjâ interesante me dijtun nëse kjo shkelje e nji tradite qi e ka nderue farën t’onë kudo qi na ka ramë puna në botë, âsht bâmë për nji ideal e me nji bindje personale, apo për do pare të shkreta. Më pëlqeu fort ajo fjala “bravurë” ndër thojza qi ke përdorë.
M’a ka marrë mêndja qi do të jetë punë e vështirë me i gjetun “Anzat e Parnasit” e tjerë libra shqip si atê khâ përjashta. Ju qi keni pasë dalë jashtë për studime s’ keni pasun pse me marrë me vete libra të kënduem e të stërkënduem e kategorij’e jonë po dihet se si ka dalë! Librat shqip mund të gjinden vetëm te Shqiptarë qi disi kanë pasun në dhé të huej nji farë banimi të ngulët. Lahutën e Malcís dikush e ka këtu n’Egjypt, madje ka qênë fjala për nji botim të saj rishtas. Por mue më lypë shpirti sod Anzat e jo Lahutën. Gomarin e Babatasit s’e kam lexue fare, s’ kam pasun rasë.
E tash po e këpus bisedën me përshëndetjet e mija të zakonshme, dmth. gjithmonë me miqsín mâ të përzêmërt.

I Yti
Mustafa Kruja
P.S. Frazat latine s’ ke nevojë me m’ i kopjue por vêni vetëm secilës numrin e vet renduer, qi ka në kryet, mbasi kam kopjen. Numri në funt ndër kllapa âsht nji shënim vetëm për nevojën t’eme. Frazën 2 m’a ke përkthye e âsht aty kot.
M. K.

BOLZANO, me 19 Nanduer 1950

I dashtuni Mik,
Pardje e mora letren tande e Të falem nderës per pergjegje të shpejtë.
Sa per 30 frazat shpresoj me T’i nisë të perkthyeme heren tjeter. Po kje se mbeten per Kshndella, mos m’u idhno! Per Kshndella kena mâ se dý javë vakanca e prandej kam nji grimë kohë mâ shum se tash. Kam 16 orë shkollë në javë per të bâ, e prandej nuk gjej kohë me t’i perkthye mejherë frazat e dishrueme. I kam lexue të gjitha e shumica e tyne nuk janë fort të vshtira.
Tash te pvetjet t’ Ua. Pvetjes së parë do t’i pergjegji se ktu nuk kena kurrkend qi din slavishten ase serbishten e vjeter. – 2) Dushmani âsht nji nder bajrakët e vogjel të Dukagjinit, njashtu si thoni ju. 3). Në Shqipnín e Verit âsht nji katund qi quhet Dushi e ky gjindet në Pukë, bile krejt afer katundit an’ e kand të permendun nder 12 bajrakët (gati sa s’ pata thânë 12 pushtetet atlantike), due me thânë afer katundit të Kçirës. Ktij të dytit shpresoj se do t’i a keni ndie zanin që ka herë e tash po gzohem tejet qi po Të bjen rasa me i a ndie zanin edhe katundit të Dushit, qi âsht po i permendun nmos mâ fort se Kçira, gjithnji njaq sa Kçira me doemos!!
Pvetjet e mija kso heret janë kto : Mâ parë e mâ dalë do të më tfilloni se shka mendoni Ju per “gjakun” (vendetta ase Blutrache, si po na i thonë kta të huejt). Po t’u vête nji i huej e me të shá tue të permendun punen e gjakut në Shqypní, shka kishi e si kishi me i pergjegjë Ju atij? Prá më pergjegjni mue njata shka kishi me i thânë nji të huejit.
E dyta pvetje âsht kjo: a âsht e vertetë se qeverija shqiptare i pat premtue ase dhânë 1000 napoljona Sufflayt per me vijue e plotsue shi vepren e vet qi Ju e keni citue në nr. 25 të frazave latine tueja? Pat kenë thânë – më bjen nder mend – se shi para se t’ a mbytshin serbët me sakica, i pat marrë Sufflay kta 1000 napoljona prej qeverís shqyptare.
E treta pvetje âsht edhe kjo punë paresh. A âsht e vertetë se Italija deri në vjeten 1939 i pat dhânë uhá Shqypnís mâ se 1 miljard e 800 miljon lire italjane? Më si më bjen nder mend mue, në nji fjalim qi pat mbajtë Ciano në Kameren e at hershme italjane në 1939, pat deklarue ket shumë, qi Italija po i paska dorzue Shqypnís nder kto 15 vjetët qi marojn me 1939. Kjo shumë, kuptohet me doemos, me vleren qi ka pasë Lira në vjeten 1939 e jo me vleren e sotshme. Mue më duket se me 1 Miljard e 800 miljon Lire me vleren e para 1939 do të kishte mujtë m’u ba shum mâ teper se kje ba deri në vjeten 1939.
Nji gja e ré në punen e të shkuemit t’em n’Austrí. Auktoritet austrijake më kanë deklarue se nuk m’apin kurrsesi mâ teper se dy muej ndalim n’Austrí. Arsyen m’a thanë krejt nder sy pa marre aspak: kanë të huej mjaft e nuk duen qi prap kta të shtohen, tue kenë se të huejt rifugjat jetojn në shpinë të shtetit austrijak. Âsht e dijtun se po pat njeri me pague ndalimin, d.mth. jetesen n’ Austrí, at herë s’ kishin me pasë kurrgjâ kundra. Por letra maroi e prandej po i ap fund me shndete të perzemerta.
Miku yt
P. P. Margjokaj

Ramleh (Aleksandrí), 20. 12. 1950

I dashuni Atë,
Nuk do të kishem pritun qi t’a bashkoj me urimet e mija për Kërshëndella përgjegjen e letrës s’Ate qi shi dje u mbush mueji qyshse m’a ke shkrue. Por kjo kishte nji pyetje cifrash, së cilës un s’ ishem në gjêndje me i u përgjegjun me përpikní pa bâmë do hetime. Nuk duel gjâ si dishrojshem un as prej këtyne hetimeve, por desha të bâj detyrën t’eme, qi m’ u duk mâ e rândsishme se nji përgjegje e shpejtë.
Sido qoftë, pra, po nis me urimet si për Kërshëndella ashtu edhe për mbarimin e 1950-s qi theu qafën pa na sjellë ndonji të mirë, posë me na lânë gjallë e me ngale, siç shprehen Mirditasit, madje me brengë e me gazepe, e për tjetrën qi po vjen, tue i u lutun të Madhit Zot qi të na bjerë ndonji rreze drite shpëtimtare, jo atê të bombës atomike, ndonse edhe kjo ndoshta âsht bâmë e nevojshme për njerzín e soçme si përmbytja universale për atê t’atëhershmen. Por tue i lânë mbë nj’anë njerzí, atdhé, familje e dashamirë përgjithsisht, nga të cilët shpirt’i ynë s’mund të dahet, po T’uroj me rasën e këtyne dý festave gjân mâ modeste qi Të dishroj: shëndet, jetë e durim.
Të falem nderës për Dushin e qysh tash edhe për përkthimet.
Çashtj’ e gjakut kujtoj qi mund të zhvillohet disi kështu si mâ poshtë:
Pikë së pari gjakun po e përgjithsojmë e po e bâjmë shpagim. Shpagimi, pra, ka në themel drejtsín, e prandej nuk mund të spjegohet pa pasë tfillue mâ parë këtê. Ç’quen njerzija drejtsí? Shpërblimin e drejtë, adekvat të së mirës a të së keqes qi i bân individi ase Shoqnija individit. Drejtsín, shi kështu dý anësh, si për veprën e mirë ashtu edhe për të keqen, e ka vûmë Zoti vetë, edhe njeriu e ka ndie, kuptue e quejtun si të parin gur themeli të nji jete shoqnore. Zoti na ka premtue për atë jetë shpërblimin e të miravet qi bâjmë në këtê e na ka diftue ndeshkimin për të ligat. Ligjët e çdo Shteti e të çdo Shoqnije, s’ka rândësí a janë ligjë të shkrueme apo zakone shekullore, e deri rregulloret e shkollavet kanë bâmë e bâjnë gjithashtu për këtë jetë. Pra ku s’ka drejtsí s’ka Zot, s’ka jetë shoqnore.
Ndërsa parimin e drejtsís s’ka bir robi në botë qi t’a mohojë e qi, kur kjo s’i bie krés së vet, mos t’a dishrojë e mos t’a kërkojë me kâmbëngulje e me zâ të naltë, t’u folmen për shpagim, qi s’âsht tjetër veçsë nji formë primitive, nji formë e pagdhêndun, e palimueme e drejtsís. Ndër shoqnít qi e kanë kapërcye kamot atë fazë drejtsije, kërset shkandulli. S’ka dyshim qi shpagimi âsht nji formë e drejtsís. Në mos u gabofsha, proverbi “sŷ për sŷ e dhâmb për dhâmb” âsht i Biblës, âsht ligja e talio- s (taglione), qi Korani e ka sankcjonue me versetin e famshëm lakonik “Në talio ka jetë”. Ungjilli âsht ngjitun ndër sferat sublime t’idealit hyjnuer tue na urdhnue ndjesën e Krishna don qi jo vetëm t’a falim atê qi na bân nji të keqe, por edhe t’i dishrojmë, t’i urojmë e t’i bâjmë të mira. Po a ka vallë në botën t’onë e sa janë ksi njerzish?
S’ka dyshim, thashë, qi shpagimi âsht nji formë drejtsije, por nji drejtsije primitive. E gjaku âsht shpagimi mâ mizori. Ka të drejtë, pra, njeriu i qytetnuem të shkandullohet për këtë formë drejtsije barbare, por vetëm duhet t’a kuptojë qi âsht nji formë drejtsije e t’a kritikojë pse âsht barbare. Dhuna duhet shpague, sikur ndera duhet shpërblye: kjo âsht nji drejtsí, por edhe drejtsija, si thashë, duhet të jetë e drejtë, duhet të jetë adekvate me veprën e me nji shumicë të madhe rrethanash e shkaqesh ambjentore e psikologjike. Ligja e gjakut (nuk jam tue bâ dallim ndërmjet ligjës e zakonit) âsht barbare, sepse nuk merr para sysh ato rrethana e shkaqe. Ajo thotë: A të vrau? Vraje! Giustizia sommaria. Nuk pyet as pse as si të vrau. Në Shqipní ka burra të mirë, burra të fortë qi falin vrasën qi bâhet pa hír, kur u mbushet mêndja se âsht kështu me të vërtetë. Por thashë e falin, e âsht burrnij’ e tyne qi e fal, jo ligja. Kjo e mallkueme urdhnon, p.sh., qi shputa ( e cila âsht nji faj ) lahet me gjak. Të rá kush shputë? Duhet të vrasish a të varrojsh, me nji fjalë të derdhsh gjak për me e lamë atë marre qi psove, ndryshe jet me tê faqe gjithë shoqnís! Por a vrave për faj, për nji turpe? Rae në gjak, se marrja lahet me gjak, por gjaku për faj s’ jet pa marrë. Pra pikë mâ së pari vetë ligj’ e gjakut – ndër ne, se ngjeti nëpër botën primitve nuk dij si âsht – do të cilsohet patjetër e me të drejtë barbare. E makar t’ishte barbare vetëm për kaqë. Por jo, ti ke të drejtë me e marrë gjakun jo vetëm prej dorasit, por prej gjithë burrave të tymit të tij! Këta mund të jenë gishtarë (complici) me tê, por mundet edhe qi mos të jenë aspak. P.sh. u zunë dy barij në mal e u vranë. Shpagim’i gjakut âsht drejtsí direkte, personale, pra barbare edhe mënyr’e ushtrimit të saj. Prandej zakoni e ka bâmë aqë të thjeshtë e kështu aqë t’egër sa mund t’a kuptojë nji mende primitive. Âsht ligj’e fisevet, e nji jete shoqnore primitive, e krijueme prej natyrës primitive të njeriut e prej nevojës së tij për vetproje. I egër e egoist njeriu i natyrës, pa nji fé të vërtetë, pa nji organizim shoqnuer të pështetun mbi parime morale, kur mujte me besue në nji forcë individuale qi i a kalonte nji tjetri, e merrte këtê nëpër kâmbë, i vetmi frê për tê ishte forca e kundërt individuale. Këndej leu ligja e shpagimit, pra edhe e gjakut. Kjo gjêndje vazhdoi mija vjeç, deri qi fét e vërteta a së paku të pështetuna mbi baza morale lenë e bânë efektin e vet mbi natyrën barbare e egoiste të njeriut primitiv, deri qi u krijuen pushtete t’organizueme mirë me ligjë të përshtaçme e të forta sa me i frymzue individit mâ të dobët kundra atij mâ të fortit sigurín e jetës, të pasës e të nderës së vet, sa me i vûmë fré instinktit primitiv e egoist t’atij mâ të fortit. Vetëm atëherë leu e u zhvillue dalkadalë deri diku nji ndërgjegje morale e shoqnore ke njeriu bashkë me idén e sigurís e me besimin në nji drejtsí kolektive. Por me gjithë këtê, mijvjett e përparshme kishin lânë gjurma aqë të thella, qi instinkt’i shpagimit shfaqet me të tânë furín e vet deri ndër popuj me nji qytetnim mijvjeçarë porsa të mungojë nji pushtet i fortë për t’i vûmë frê.
Të vijmë tash drejtpërdrejt ke populli shqiptar. Ilirët deri në pushtimin e Romakvet nuk qênë tjetër veçse fise pagane me nji besim qi s’kishte asnji bazë morale e me nji organizim shoqnuer primitiv. Romakët e sunduen Ilirín gati vetëm me qëllime ushtarake, nuk çanë kryet aspak me shtrí e zbatue në tê ligjët e tyne. Ilirët ishin të kënaqun deri sa Roma s’u prekte në zakonet e tyne barbare edhe kjo e kënaqun deri sa kishte udhlidhjet e veta të sigurta. Feja e krishtenë hŷni shpejt, qyshë në të parin shekull, ndër të parët t’anë. Por nuk gjet nji truell të volitshëm për nji efekt të shpejtë e sidomos të thellë. Ilirët u bânë të krishtênë vetëm në sipërfaqe, edhe ata qi u bânë, e në shpirt mbetën po ata qi ishin, paganë. Mbrapa erdh shqizma e Shqipnija u ndodh shi në kufî të Okcidentit e t’Orjentit ku s’prâni lufta fetare ndërmjet këtyne dyve deri në ditën qi i a mbërrini Tyrku me nji fé tjetër. Kështu qi ndërgjegja fetare e popullit t’onë, pa qênë formue ende mirë, u pështjellue e u bâ lamsh. Anarqija morale vazhdoi e nji pushtet i fortë s’u themelue kurrë në vêndin t’onë. Prandej zakonet e vjetra, me të mirat e të këqijat bashkë, mbetën gjallë. Ndër ta edhe ndiesija e shpagimit të gjakut. I quejmë këto zakone Kanun’ i Lekë Dukagjinit, kurse në të vërtetë janë zakone qi e kanë rrânjën kush e di sa mijë vjet para Lekë Dukagjinit. Ndoshta ky mund të ketë bâ ndonji reformë të lehtë në ta, sikurse shihet në disa ndryshime të vogla ndërmjet zonës ku ka sundue ai e ngjeti, ku përmêndet nji Kanun i Skanderbegut, nën lumin e Matës p.sh. Aleksandr’ i Madh, nuk mbaj mênd se në ç’farë rase, paskish pasë thânë nji herë se ai Maqedonas qi s’kishte qênë i zoti me marrë gjakun ishte i detyruem me dalë në shoqní me nji konop të lidhun për brez! Krahasonje këtë zakon me atë t’onin në të njâjtën rasë qi ka vazhdue deri dje…
Gjakmarrja sod vazhdon edhe ndër popuj tjerë, ndër të cilët deri ndër Korsikasit qi kanë pamë e gzuem qytetnime shumë mâ të nalta e mâ të gjata se populli shqiptar, pa folë për popuj tjerë qi gjinden ende në stadën e fiseve si na.
Qe pra, lum miku, shkurt, un tue folë për këtë problemë si gjyqtar moral e objektiv, nuk dij ç’i thom tjetër as Shqiptarit as të huejit, as mikut as anmikut. Se deri ku kam mujtun me i a ngjitun shênjit gjykoje ti vetë.
Ai libri me titullin latinisht qi Të kam çue me përkthye më duket se thotë bash aty qi ka qênë botue qyshë në 1913. Pra Šufflayi, në pastë pasë marrë pare prej qeverís shqiptare nën okupatën gjermane për të botue gjâ mbi Shqipnín, duhet të ketë qênë nji tjetër libër, ndoshta nji historí qi shkruen vetë diku se e kishte në dorë qyshë në 1916 e qi nuk më resulton t’a ketë pasë botue. Kur të më bjerë rasa me u tokue me ndonji mis t’asaj qeverije kam për t’a pyetun e tash Të shkruej.
Sa për miliardat e Cianos, për të cilët bâna hetime, po të diftoj qi Shteti Shqiptar nuk resulton të ketë marrë tjetër hua nga Italija posë asaj qi dihet për 50 miljon frang ar. Shqipnija s’e ka pague kurrë kamatën e ksaj shume e pra kapitalit i âsht shtue edhe kjo. Sido qoftë mundet qi Ciano ka shtue edhe shuma tjera qi ndoshta janë dhânë kund nën dorë e tjera qi kanë hângër vetë Italjanët në rasa t’atila; por edhe bashkë me të tâna këto shtesa eventuale, prap se prap gjith’ata miljarda më duken tepër të fryem. Në fund të fundit kjo âsht një bisedë thjesht kureshtet tashmâ, mbasi Italija me traktatin e paqës qi ka nënshkrue me ish anmiqt e vet, jo veç qi ka hjekun dorë prej çdo të drejte nga Shteti shqiptar, por âsht detyrue me i pague këtij edhe pesë miljon dollarë USA. E me këtë borxh t’Italís nuk dij çka âsht bâmë deri tash.
Udhtim’i Yt n’Austrí, pra paska mbetun. Mâ për hajr! E s’po më vjen aqë keq. A je i zoti me i gjetun shteg vetit kund në botën e re, kudo qi të jetë, mbasi s’janë kohna me u hudhun kah Lindja, por sa mâ larg kah Perëndimi, me gjithë qi, e drejta, me të tâna rêtë e zeza qi shihen, barometra e ime nuk sheh shi të shpejtë.
E me kaq po i apim fund. Përsris urimet e shëndetet e mija vllaznore.

MKruja

P. S. Kam nji ves të keq e po t’a diftoj: letrat e mija, sidomos kur janë të gjata si kjo, s’e kam zakon me i lexue veçse tepër rrallë. Pra kudo qi të hasish në shqepa mos u vê roe, por qyr vetëm me kuptue se ç’due me thânë!
M.K.

PAK FJALË NË PËRCJELLJEN E FUNDIT TË MIKES SË PAHARRUAR HYRIJE KUPI DOSTI – Nga EUGJEN MERLIKA*

Të dashur familiarë, miq e pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore, qofshi të nderuar!
Sot, me dhimbje të thellë në shpirt, po i japim lamtumirën e fundit të jetës tokësore një nëne, një bije fisnike të Krujës, një gruaje shqiptare që I ra “pash më pash” ferrit të historisë sonë kombëtare, zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti.


Bijë e nuse familjesh atdhetare të Shqipërisë, kjo zonjë që tashmë e mbylli rrethin e saj të jetës tokësore, duke I paguar atdhetarizmit të të parëve të saj një tribut të lartë me çmimin e flijimeve të panumurta vetiake e familjare, tani prehet e qetë në gjyqin e amshimit mbasi e ka plotësuar më së miri detyrën e saj në botën tonë.
Mjaft prej nesh e lidhin me të ndjerën, veç dashurisë njerëzore dhe respektit të ndërsjelltë, një kalvar i gjatë mundimesh fizike e cfilitjesh shpirtërore, dukuri që, për vite të gjata karakterizuan rrjedhën e jetëve tona në këtë Atdhe, të cilit të parët tanë i kishin blatuar pasurinë e tyre më të madhe lëndore, intelektuale e shpirtërore.
Të nënëshkruarit kujtimet e kësaj zonje fisnike i fillojnë që në agun e jetës, në moshën pesëvjeçare, në birucat e degës së brëndëshme të qytetit të Krujës, kur Hyrija dhe Dudija atëherë në moshë fare të re, së bashku me nënën e tyre të urtë, Vajen, dhe motrën më të madhe, Bukurijen, së bashku me gjyshen time, Cajen dhe nënën time, Elenën, filluam rrugën e gjatë të privimit të lirisë, që do të përshkonte kampin e çfarosjes së Tepelenës, punët e detyruara në veprat e t’ashtuquajturit “socializëm” si burgu i Vlorës apo fabrika e tullave të Tiranës, për të përfunduar në ngritjen e sektorëve të fermës së Lushnjës, në tokat e liruara nga ujrat e kënetës së Tërbufit.
Në këtë rrugë të gjatë Hyrija u tregua sokoleshë, bijë e denjë e prindërve të saj, duke përballuar çdo vështirësi, që nga barrët e druve mbi shpinë çdo ditë për orë të tëra në malet e Tepelenës deri tek punët më të lodhëshme e më të vështira në fushat e pafund të qëndrave të interrnimit të Myzeqesë, gjithmonë me ballin lart e buzëqeshjen në fytyrën e saj të hijshme.
E vendosur të mos bënte kompromis me diktaturën, vuri në jetë detyrën e saj hyjnore e njerëzore, të krijonte një familje e të lindëte fëmijë, që do të ishin ngushullimi i vetëm në kalvarin e pafund të jetës. U bashkua me Viktor Dostin, një djalë bashkëvuajtës, birin e një personaliteti të njohur të historisë së Vëndit të saj. Nëpërmjet punës së tyre të ndershme sollën në jetë e rritën Kutbiun, Valjetën dhe Artën, që e kaluan fëmijërinë e tyre në kampin e interrnimit të Gradishtit të Lushnjes.


Sot ata të tre, qytetarë të botës së lirë, me dhimbje birësore në shpirt e dashuri e respekt të pafund në zemër, i japin nënës së tyre të dhëmshur lamtumirën e fundit. Ata të tre, ashtu sikurse qindra e mijra të rinj të familjeve tona, të lindur në vitet e vështira të “luftës së klasave”në Shqipërinë komuniste, janë prova më e gjallë e forcës, gjallërisë e qëndresës së kësaj shtrese shoqërore që, në kundërshtim me logjikën më parake, sfiduan sistemin çnjerëzor duke sjellë në jetë krijesa, të cilave Zoti i madh, fatmirësisht, do t’u jepte mundësinë të bëheshin qytetarë të lirë të Vendit të tyre, por edhe të botës së madhe.
Ky qe misioni i sendërtuar i Hyrijes sonë të dashur që, me tjetërsimin e sistemit, i vuri vehtes një tjetër detyrë, jo vetëm atë të dëshmisë së kalvarit të saj e të bashkëvuajtësve të saj, por edhe të ndriçimit të jetës e verës së babait të saj të nderuar, Abaz Kupit.
Qe një barrë jo e lehtë edhe kjo, e dashur Hyrije, të cilën u munduam t’a mbajmë, jo në kushtet e terrorit policor, por të indiferentizmit të përgjithshëm të një sistemi, fatkeqësisht refraktar e mospërfillës ndaj së vërtetës historike. Ti e kryeve dhe atë detyrë që i vure vehtes nëpërmjet intervistave të tua në shtyp apo në televizion. Të lumtë!
Tani fli e qetë pranë njerëzve të tu të dashur, në atë botën tjetër ku ka veç dritë e mirësi të përjetëshme. Për të dashurit e tu në jetë, për ne të gjithë do të mbetesh gjithmonë e gjallë në kujtesat tona.
U prehtë në paqen e Zotit shpirti yt i bardhë, të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë, qoftë i përjetshëm kujtimi yt.

*Kjo është fjala e mbajtur nga Eugjen Merlika në varrimin e zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti, të zhvilluar në ceremoninë mortore tek varrezat e Sharrës më 5 tetor 2019.

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. – Nga Fritz RADOVANI

 

8 JANAR 1948:VENDIMI I GJYQIT SLLAVOKOMUNIST “ME VDEKJE”;

At Matia në fjalën e fundit tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit…”

  

  • 23 TETOR 1871 U LE AT GJERGJ FISHTA O.F.M. në Fishtë të Zadrimës së Shkodres. Vdiq me 30 Dhjetor 1940. AI ASHT POETI KOMBTAR I POPULLIT SHQIPTAR! Edhe pse dihet vendvorrimi i fundit i Tij në Vorreza Rrëmaji, nuk bahet asnjë perpjekje per me e nxjerrë vetem nga urrejtja ndaj Zhgunit Tij.

 

2 TETOR 1882 U le në Shkoder At Mati PRENNUSHI O.F.M.(1982 – 1948)

Ishte nga viti 1943 Privinçial i Françeskanve të Shqipnisë deri me futjen e armëve nga Sigurimi i Shtetit komunist nën Elterët e Kishës Françeskane, kur edhe Kuvendi u kthye në burg me 17 Nandor 1946. Vazhduen torturat deri në Janar të 1948, kur u zhvillue gjyqi i mbyllun në mensen e Kuvendit dhe, Ju dha dënimi me vdekje. U pushkatue me 11 Mars 1948 në Zallin e Kirit në Shkoder, tue mos Ju dijtë vorri as sot. Edhe Ky me Zhgun!

23 TETOR 1887 U le piktori i madh Shkodranë Prof. Simon RROTA(1887 – 1961)

31 Tetor 1892 U le Don Nikoll SHELQETI  Vdes në kampin e shfarosjes në Beden të Kavajës, në moshen 54 vjeç? Burrë në fjalë e në vepra!

 

19 TETOR 1899 U le n’ Itali At Giovani FAUSTI S.J. (1899 – 1946) U pushkatue me 4 Mars 1946 i pafajshem, akuzue me Organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Qendrimi i Tij në hetuesi dhe në gjyq asht një material i rrallë per studim.

 

15 TETOR 1904 U le At Gegë LUMAJ O.F.M. (1904  – 1990) Asht Meshtari i Parë që asht arrestue nga Sigurimi i shtetit komunist në 15 Janar 1945. Arrestohet prap në 1967 me “Revolucionin Kultural” dhe, per qendrimin burrnor plotson 25 vjet burg… Vdes si Frat i nderuem nën kujdesin e kushrinjve të Tij në Dukagjin me 18 Nandor 1990.

 

13 TETOR 1911 U le shkrimtari Millosh Gjergj Nikolla MIGJENI (1911 – 1938).

 

13 Tetor 1928 Anjeza Gonxhe Bojaxhiu niset per Dublin drejtë Misionit Madh Shpirtnor… Realizoi veprat e Mëdha Shpirtnore dhe Atdhetare të pavdekshme në shekuj!

 

13 TETOR 1929 Masakrohet nga serbët At Shtjefen GJEÇOVI O.F.M.

 

13 TETOR 1931 U le shkrimtari Dritëro AGOLLI në Menkulas, Korçë. (Vdiq 2017).

 

5 TETOR 1936 U le Presidenti i Çekisë HAVEL (1936 – 2011) Ai ka thanë: “Njerzit ma të rrezikshem per Demokracinë janë komunistët e konvertuem në demokratë!”

 

13 Tetor 1943 Bombardimi i Tiranës nga Aleatët. U vrane 503 vetë, ora 13.13’…

 

1 Tetor 1945 Pushkatohet oficer Pjeter Gegë GURAKUQI (1912  – 1945) Edhe pse disa nga kriminelët komunist deklarojnë per Pafajsinë e Tij…U gjet edhe vrasësi!

 

1 Tetor 1945 dënohet Don Nikoll KIMZA (1878 – 1960). Nga frika e pushkatimit, porsa perfundoi dënimin dhe u lirue, u arratis jashta Atdheut.

 

Tetor 1945 Mbytet në tortura At Papa PANDI (1910 – 1945 ?) Dosja e Tij nuk asht!

 

10 Tetor 1946 Arrestohet Don Mark BICAJ (1911 – 1946) Dënohet 15 vjet burg.

11 Tetor 1946 Arrestohet At Karlo Serreqi (1911 – 1954) Vdiq në burg t’ Burrelit.

21 Tetor 1946 Arrestohet At Pjeter MESHKALLA… U dënue e bani 15 vjet burg.

U arrestue edhe me 29 Prill 1967 dhe, u dënue edhe 10 vjet të tjera… Gjithsejt 25 vjetë.

 

25 Tetor 1946 Don Ndre SIMONI (1906 – 1975) Shkrimtar e perkthyes i disa gjuhve të hueja. Arrestohet edhe pse i pat të gjitha mundësitë me u arratisë…

 

26 TETOR 1946 Arrestohet Don Jakë ZEKAJ (1906 – 1995) Dënohet me burg.

Mbas lirimit nga burgu ka punue dhe ka lanë disa vepra me vlerë letrare e artistike.

 

27 Tetor 1946 Arrestohet Don Shtjefen KURTI (1898 – 1972) Pushkatohet per Pagzimin e një fëmije në vitin 1972, se ka shtue “edhe një Katolik në Shqipni.”

 

28 Tetor 1946 Arrestohet At Pashko GJADRI S.J. (1877 – 1953) Bani 7 vjet burg…

 

28 Tetor 1946 Arrestohet At Mëhill TROSHANI (1904 – 1983) Bani dy herë  burg.

 

31 Tetor 1946 Arrestohet Papa Josif Mihajli (1912 – 1948)  në Korçë. E mbysin në Maliq… E mbulojnë Trupin e Tij me baltë derisa vdes si Martir i Fesë.

 

22 Tetor 1947 Arrestohet At Buon GJEÇAJ (1873 – 1957) Ishte në Hot kur me At Mati Prennushin i çuen Flamurin në gjokset e Tyne Dedë Gjo’ LULIT në 1911…

 

31 TETOR 1947 Vdiq Fra Gjon PANTALIA S.J. (1887 – 1947) U le në Prizren. Vdiq në Burgun e Kishës së Fretenve në Shkoder. Mbas mbylljes së Kuvendit Jezuitëve shkoi me jetue tek Françeskanët e Shkodres, ku u arrestue dhe u torturue barbarisht…

 

10 Tetor 1958 Vdes Don Matish LISNA (1924 – 1958) Mjekët konstatojnë helmatisje… Një vrasje e kurdisun nga Sigurimi i shtetit komunist.

 

12 Tetor 1958 Vdes Don Pashko ZOJZI. Shumë kohë Prift i Shirokës…

 

22 Tetor 1967 Vdes Imzot Gasper GURAKUQI (1885 – 1967) Asht ndër dijetarët e Kishës Katolike Shqiptare, me një kontribut të madh tue fillue nga “Hylli i Dritës”…

 

14 Tetor 1976 vdes Don Lek DREDHAJ (1907 – 1976) U dënue me varje në 1926 nga Ahmet Zogu, dhe bani edhe 15 vjet burg me komunista…Vetem se ishte Atdhetar!

 

16 Tetor 1978 Kardinali polak Vojtila zgjidhet në Vatikan PAPA GJON PALI II, Papa i Pavdekshem që ndihmoi në shembjen e sistemit botnor terrorist të komunizmit.

 

30 Tetor 1994 Emnohet nga Papa Gjon PALI II Kardinali i Parë Shqiptar Imz. Mikel KOLIQI (1902 – 1997). Mbas vitit 1944 kaloi 38 vjet në burgje e kampe shfarosje.

 

22 Tetor 1997 vdes Imz. Frano ILLIA Autor i “Kanunit Skenderbeut” 1992…

 

19 Tetor 2003 Papa Gjon PALI II shpallë në Kishen e Shen Pjetrit në Vatikan, Romë: “E Lumja e Parë Shqiptare NANË TEREZA e Kalkutës.”

 

2 TETOR 2017 Vdiq Robert ELSIE (1950 – 2017) Studjues e perkthyes i madh i shumë veprave nga gjuha Shqipe në ato Europjane.

            Melbourne Shtator 2019.

“Shefi i Gestapos së Hitlerit u strehua në Tiranë”, ish-oficeri i Sigurimit pohon akuzat e CIA-s

Dokumentet e panjohura të CIA-së amerikane për Heinrich Mylerin, shefin e Gestapos naziste të Hitlerit, për të cilin thuhet se pas vitit 1945 u rrëmbye nga sovjetikët dhe u dërgua në Moskë, ku për vite me rradhë shërbeu për KGB-në ruse të Stalinit tregojne se ai ka qene i strehuar ne Tirane. Sipas shërbimeve të fshehta amerikane, në vitin 1956, Myleri erdhi në Shqipëri dhe për vite me rradhë u vu në shërbim të Sigurimit të Shtetit, nën emrin e rremë Abedin Beqiri, gjë e cila pohoet edhe nga disa ish-kuadro të lartë të Sigurimit të Shtetit….?!

Në vitin 1945, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas marrëveshjes që kishin bërë tre fuqitë e Mëdha: SHBA, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik, shërbimet sekrete të këtyre vendeve, në bashkëpunim edhe me ato të shteteve të tjera që dolën fituese nga ajo luftë, filluan ndjekjen, zbulimin dhe arrestimin e të gjithë atyre personave që akuzoheshin për krime lufte. Në këtë kuadër u ngrit dhe funksionoi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, e cila u bë e njohur me gjyqin e famshëm të Nurembergut, ku u gjykuan dhe u dënuan një pjesë e eksponentëve të lartë të kupolës naziste të Adolf Hitlerit, të cilët kishin bërë krime lufte. Por në bankën e të akuzuarve të atij gjyqi mungonin edhe shumë ish-oficerë të lartë të Shtabit të Hitlerit, të cilët në fundin e luftës kishin mundur të arratiseshin dhe më pas të fshiheshin, duke i shpëtuar gjykimit. Një nga ta ishte dhe Heinrich Myleri, kreu i Gestapos naziste, për të cilin thuhet se ka qenë në bunkerin e Kancelarisë së Reisch-ut, deri në momentin e fundit kur aty hynë ushtarët sovjetik. Aty humbi gjurmët e tij. Thuhet se në momentin kur ushtarët rusë po merrnin nën kontroll strofullën e fundit të Hitlerit, Myleri u rrëmbye nga KGB-ja ruse dhe më pas u dërgua në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, ku për vite me rradhë i shërbeu Moskës zyrtare dhe shërbimeve të fshehta ruse që udhëhiqeshin  nga Lavrentiy Beria. Që nga viti 1945 e në vazhdim, për fatin e Mylerit janë dhënë e shkruar me dhjetra version, nganjëherë dhe kontradiktore me njëra tjetrën. Nga disa dëshmi të CIA-s amerikane, bëhet e ditur se në vitin 1956, Myleri ka ardhur edhe në Shqipëri, ku për vite me rradhë i ka shërbyer Sigurimit të Shtetit të rregjimit komunist të Enver Hoxhës.

Kush ishte Heinrich Myler?

Heinrich Myler u lind më 28 prill të vitit 1900. Në Luftën e Parë Botërore ai shërbeu si shef në policinë e Mynihut, ku shumë shpejt u bë i njohur si antikomunist. Në vitin 1923, Heinrich dhe Geringu, themeluan Policinë Sekrete të shtetit gjerman, e cila shkurt njihet me emrin GESTAPO. Më pas, Myleri mori pjesë si efektiv në rradhët e RSHA (Zyra e Sigurimit të Rajhut), ku shërbeu si udhëheqës në organet drejtuese të saj, deri në shtatorin e vitit 1939, kur Gjermania pushtoi Poloninë. Me vrasjen e Heinrich në Çekoskllovaki më 1942-in, Myleri u emërua si shef i Gestapos dhe në atë kohë ai filloi përndjekjet ndaj elemetëve komunistë gjermanë, hebrenjëve dhe robërve rus, të cilët ekzekutoheshin në kampet e përqëndrimit. Në tetorin e vitit 1944, me propozimin e Hitlerit, Myleri u dekorua me Kryqin e Hekurt, si shpërblim për shtypjen e puçit anti-Hitler që kishte ndodhur në korrikun e vitit 1944. Një nga sukseset më të njohra të shërbimeve të fshehta të Gjermanisë naziste, në kohën që ajo udhëhiqej nga Myleri, ishte dhe asgjësimi i organizatës “Orkestra e kuqe” dhe marrja e informacioneve nga ana e spiunazhit sovjetik, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Pas mbarimit të luftës, në vitin 1945, Myleri dhe miku i ngushtë i itj, Walter Schellenberg, u vunë në dispozicion të shërbimeve sekrete të Moskës dhe punuan për Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Nga viti 1946 e deri më 1963-in, Myleri punoi për shërbimet sekrete të Bashkimit Sovjetik, Çekoskllovakisë dhe Argjentinës. Në disa raste, Myleri i jepte informacione KGB-së ruse, për bazat e amerikanëve të instaluara në Gjermaninë Perëndimore. Më 1963-in Myleri u arratis në Kubë dhe më pas në Argjentinë, e cila në atë kohë kishte në krye Presidentin Juan Peron. Ka edhe një version tjetër lidhur me zhdukjen e Mylerit, i cili jepet nga lideri komunist çek, Rudolf Barak, që tregon se agjentët e KGB-së e rrëmbyen Mylerin nga Argjentina dhe me disa gjermanë të tjerë e dërguan në një burg të Bashkimit Sovjetik. Një version tjetër për Mylerin jepet edhe nga Alois Brunner   ( komandant i një kampi përqëndrimi për hebrenjtë, që ndodhej në Francë), i cili ka shkruar se Myleri u strehua në Siri dhe se ai (pra Myleri), nuk është fajtor për “zgjidhjen” finale të problemit të hebrenjëve. Dëshmi të tjera në lidhje me Mylerin jepen edhe nga Marvin Hier, themeluesi i Qendrës së Holokaustit” Simon wiesenthal” në Los Angelos, i cili ka dëshmuar: ”Myleri nuk është gjykuar kurrë për ato që ka bërë gjatë luftës dhe se për të nuk kemi marrë vesh asgjë”. Në vitin 1946, shërbimet e fshehta të ushtrisë amerikane kanë bërë të ditur se mbas luftës Myleri është vetëvrarë së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tyre. Sipas CIA-së, Myleri dhe Eichman (bashkëpunëtor i tij në krime lufte), kanë qëndruar në një tunel nëntokësor në Berlin, nga ku më vonë dolën në ilegalitet me emra të rremë. Eichman u arrestua më 1960 nga agjentët e shërbimeve të fshehta izraelite (Mossadi ) dhe u vra prej tyrenë Jerusalem, ndërsa Myleri iku në Rusi e më pas në Amerikën Latine.

Kërkimi i parë për Mylerin e Gestapos

Mbas hyrjes së trupave anglo-amerikane në Berlin, shërbimet e fshehta britanike të kundërspiunazhit në bashkëpunim me ato kundërspiunazhit amerikan, filluan të hartonin një plan të detajuar deri në hollësira për arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve nazistë të luftës. Në planet e listat e tyre, më i rëndësishmi ishte Heinrich Myleri, së bashku me Schellenberg, Ohlendrof, Steimle dhe Sanderberger, të cilët pas luftës ishin zhdukur, ose bënin lojë të dyfishtë me agjenturat e huaja të vendeve komuniste të Lindjes, si p. sh., me KGB-në e Bashkimit Sovjetik, në rastin  e Mylerit. Më 22 gusht 1945, shërbimet e fshehta amerikane besonin se kishin arrestuar Heinrich Mylerin, por doli se e gjitha kjo ishte një dezinformim, pasi ata kishin arrestuar Walter Huppenkothen, persekutuesin e “Orkestrës së kuqe” dhe jo shefin e tij (Mylerin). Një zbulim i mëvonëshëm i bërë nga George Blake, Harri Hjungton dhe Heinz Felfe, tregon se sipas dëshmive të Mikail Golinevski (shefi shërbimeve të fshehta polake deri në vitin 1958), nga viti 1948 deri në 1958-ën, nga informacione të mbledhura për kriminelët e luftës, del se Myleri qëndronte në Moskë me ndihmën e KGB-së. I njëjti informacion jepet edhe nga Jakobs Loegles (ish-shefi i Gestapos së Gdanskut në Poloni), i cili më vonë shërbeu e punoi për BND-në (Shërbimi i Fshehtë Informativi Republikës Federale Gjermane).

Fundi i Luftës dhe Myleri

Në vitin e fundit të Luftës,Heinrich Myler ende besonte në fitoren e nazizmit. Në atë kohë ai bashkëpunoi me oficerët e kundërspiunazhit gjerman dhe në dhjetorin e 1944-së, në pyllin e Ardene ata korrën një sukses të përkohshëm kundër amerikanëve. Gjatë kësaj kohe, agjentët e tij bënin lojë të dyfishtë me sovjetikët. Një numër i konsiderueshëm i agjentëve të Mylerit, mbas lufte u kthyen te sovjetikët, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe Walter Schellenberg (ish-shefi i RASH) kur tha: ”Myleri u kishte thënë në radio rusëve, se Stalini ishte lider më superior se Hitleri”. Por sipas një zbulimi të agjentëve të CIA-s dhe dëshmisë së Heinz Pannwitz (sekretar në Gestapo), bëhet e ditur se Myleri absolutisht nuk e kishte thënë kurrë një gjë të tillë, dhe se ai kishte urdhëruar likujdimin e “Orkestrës së Kuqe” (organi i spiunazhit sovjetik).

Hipoteza për vdekjen e Mylerit

Pas lufte, autoritetet gjermane punësuan tre ish-majorë nazistë për të vërtetuar vdekjen e Mylerit. Nga dëshmitë e majorit të parë me emrin Fritz Leopold (ish-oficer në morgun e Berlinit), bëhet e ditur se trupi i pa jetë i Mylerit është nxjerrë nga morgu e prej disa oficerëve të SS (efektiva të shtabit të RSHA) në rrugën “Princ Albert” (2 km nga Kancelaria e Reisch-ut) dhe është varrosur në perëndim të qytetit. Por më vonë kjo deklaratë e tyre u përgënjeshtrua, sepse në atë kohë dhe në atë vend, rezultoi se ishte varrosur një njeri tjetër, tetë vjet më i ri se Myleri. Dëshmia e dytë vjen nga Heinz Pannwitz (punonjës në RSHA), i cili tregonte se Myleri u dorëzua te sovjetikët dhe më 1957-ën ai punoi për BVD). Por ai ka theksuar se gjatë fundit të Luftës Myleri ishte bllokuar në tunelin e Kancelarisë dhe se atij i ishte gjetur vetëm koka dhe dokumentet e identifikimit. Dëshmia e tretë vjen nga Valter Luders (rekrut i Volkshturm), i cili tregon se gjatë ditëve të fundit në kopështin e Reisch-ut Kancelarisë, midis dhjetra kufomave të zakonshme, dallohej edhe një kufomë në veshjen e së cilës dukeshin qartë medaljet dhe gradat e një oficeri madhor SS. Më pas, kjo kufomë, e cila mendohej se ishte e Mylerit, u zhvendos në ”Sheshin e vjetër të hebrenjëve”, në sektorin sovjetik, ku më pas u zhduk në rrethana të pa qarta. Në vitin 1955, Zyra e Informacionit për Ushtrinë Gjermane pohon se dhjetë vjet më parë, në Grasen-Hamburgerstrase, po aty ishte varrosur trupi i Mylerit. Por pohimet dhe informacionet nuk ishin të plota. Ato nuk u përmëndën kurrë në dosjen e aleatëve për Mylerin. Nga disa të dhëna të tjera të CIA-s, në lidhje me veprimtarinë e Mylerit, bëhet e ditur se mbas luftës ai është strehuar në Afrikën e Jugut, Rumani, Turqi, Bashkimin Sovjetik, Argjentinë dhe më vonë në Shqipëri. Në Shqipëri ai është marrë nën mbrojtjen e punonjësve komunistë të Sigurimit të Shtetit të Tiranës zyrtare, të cilët e kanë mbajtur atë të fshehur nën emrin e rremë: Abedin Beqir Nikoshir. Por KGB-ja, ku thuhet se ka punuar vetë Myleri, ka nxjerrë edhe ajo versionin e saj. Sipas Moskës, Myleri ka vdekur në Berlin në maj të vitit 1945.

Në 1965-ën, “Zëri I Popullit” përgënjeshtroi strehimin e Mylerit në Shqipëri

Versionet dhe dëshmitë e ndryshme për një strehim të mundëshëm në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës për ish kreun e Gestapos nazistetë Adolf Hitlerit, Heinrich Myler, nuk janë krejtë të pa njohura. Disa ish-funksionarëtë lartë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, të cilët para viteve ’90-të kanë shërbyer në disa përfaqësi dhe ambasada të vendit tone (të akredituara kryesisht në Perëndim), duke u kamufluar nën petkun e diplomatit, kanë dëshmuar në mënyrë kofidenciale për Memorie.al  se ”çështja Myler” nuk është e panjohur dhe e re për ta. Sipas tyre, aty nga viti 1956 kur Hrushovi po ndërmerrte destalinizimin e Bashkimit Sovjetik, qarqe fanatike të KGB-së e larguan Mylerin nga Moska dhe e sollën në Shqipëri, duke e parë vendin tonë si më të sigurt dhe më të mbyllur ndaj botës. Sipas tyre, thuhet se Myleri u mbajt për vite me rradhë nën masa të rrepta sigurie në një prej dhomave të godinës së Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar (brënda Pallatit të Brigadave), të cilës dhe i shërbeu për vite me radhë. Për identitetin e vërtetë të Mylerit dhe vendodhjen e tij në Tiranë, kishin dijeni vetëm Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu. Ky sekret u ruajt deri në fillimin e viteve ’60-të, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Që nga ajo kohë, herë pas here disa vende perëndimore i kërkonin Tiranës zyrtare që të dorëzonte ish-kreun e Gestapos naziste të Adolf Hitlerit. Sipas dëshmisë së njërit prej ish-diplomatëve tanë në Perëndim, aty nga viti 1965, gati çdo ditë pranë ambasadës shqiptare në Vjenë (ku asokohe shërbente si ambasador Mehmet Çaka), dorëzoheshin letra e nota proteste ku i kërkohej qeverisë së Tiranës që të dorëzonte Mylerin. Nisur nga kjo gjë, me anë të Agjensisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Tirana zyrtare i përgënjeshtroi lajmet e dhëna se Myleri strehohej në Shqipëri. Përgënjeshtrimi i shkurtër i ATSH-së, në atë kohë u botua në pak rreshta edhe nga gazeta “Zëri I Popullit”, organ i KQ të PPSH-së. Por gjurmët e Mylerit nuk humbin përfundimisht në Shqipëri, pasi thuhet, se pak para prishjes me kinezët, ai u morr prej tyre dhe përfundoi në Republikën Popullore të Kinës nga ku nuk dihet më shumë se si shkoi fati i tij…?! / Memorie.al

Historia tragjike e ‘sabotatorit’. U pushkatua me urdhër të Shefqet Peçit, por 40 vite më vonë, regjimi…

Një ekzekutim me vdekje, për të kënaqur etjen për terror të komandantëve partizanë, një ekzekutim që u shpall i gabuar nga vetë gjykata komuniste. Kjo është historia e Vasil Milorit, i cili u pushkatua me urdhër të Shefqet Peçit e pas vdekjes, u shpall i pafajshëm. 

Kjo shkresë e shkurtër e 5 shtatorit 1946 është vetëm një prej dokumenteve ku dëshmohet se urdhërat e përbindshëm të ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm, krerët e regjimit i jepnin me një lehtësi e qetësi kriminale. Madje çdo vendim gjykate me vdekje ata e përforconin ndërsa kërkonin “të ekzekutohet menjëherë”, ose “sa më parë”….

Shefqet Peçi, një prej autorëve të qindra krimeve që në vitet e luftës e më tej në vitet e para të regjimit komunist, kërkon në këtë shkresë me katër fjali që të shpejtohet ekzekutimi i një të dënuari me vdekje nga Gjykata e Gjirokastrës.

Shkresa e siguruar nga kujto.al ka këtë përmbajtje:

Nr. 02-296/3 Res.

5/9/946

Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare

Në lidhje me urdhërin Nr.Al-820 datë 29/VIII/946. Dy të pandehurit ju përcuall Gjykatës Ushtarake të këtushme, e cila vendosi për Vasil Milorin dënimin me vdekje dhe për tjetrin burgim të përjetshëm. Lutemi shpejtoni ekzekutimin e tijë.

Komandant i Divizionit të I-rë

Kolonel

Shefqet Peçi

Sipas të dhënave në “Fjalorin enciklopedik të viktimave të terrorit komunist” Vasil Milori ka lindur në Vrion, më 18 mars 1919. Ishte arrestuar më 26 gusht 1946 dhe dënuar me vdekje e konfiskim të pasurisë me vendim nr. 56, datë 31 gusht 1946 nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, i akuzuar si “armik i popullit” dhe “sabotator i pushtetit”.

Vasil Milori u ekzekutua më 8 shtator 1946, në orën 11: 00. Por më tragjik në këtë rast, ishte fakti se 40 vite pas ekzekutimit, në prill 1984, Plenumi i Gjykatës së Lartë, me vendim nr. 35, vendosi prishjen e vendimit nr. 56, datë 31 gusht 1946 të Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës dhe vendimin nr. 84, datë 5 shtator 1946 të Gjyjatës së Lartë Ushtarake, dhe e deklaroi të pafajshëm.

Vasil Milori u shpall i pafajshëm po prej organeve gjyqësore të regjimit komunist, një pafajësi që nuk vlente më, sidomos për viktimën, që ishte pushkatuar me urgjencë, vetëm 3 ditë pas urdhërit të Shefqet Peçit./kujto.al 

Më 9 deri 19 tetor 1944 në Moskë u mbajt Konferenca e Churchillit dhe Stalinit

Konferenca e Katërt e Moskës, [1] e njohur gjithashtu si Konferenca e Tolstoit për emrin e saj kodik Tolstoy, ishte një takim në Moskë midis Churchillit dhe Stalinit nga 9 tetor deri më 19 tetor 1944.

Churchill bëri një propozim të fshehtë në një copë letër që ndante Evropën e pasluftës në sferat e ndikimit perëndimor dhe sovjetik, si vijon: njohja e interesave sovjetike në Poloni; Bashkimi Sovjetik do të kontrollonte 90% të Rumanisë dhe 75% të Hungarisë dhe Bullgarisë; Perëndimi do të kontrollonte 90% të Greqisë; Jugosllavia do të ndahej 50-50. Stalini ekzaminoi copëzat e letrës dhe e meditoi për një çast, pastaj bëri një rreth të madh me laps blu dhe ia dha përsëri Churchillit. Churchill komentoi: “Mund të mos dukej aq cinike sikur të mos kishte të bënte me çështje të tilla, aq fatale për miliona njerëz, në një mënyrë kaq të pabarabartë? Le të djegim letrën”. Stalini këshilloi, sidoqoftë, të ruante copëzën historike. Churchill e quajti copëzën e letrës një “dokument të keq”, [2] i cili u bë i njohur si “marrëveshja e përqindjeve”. Nuk kishte amerikanë të pranishëm dhe Churchilli nuk i tregoi asnjë amerikani për propozimin e përqindjeve. Harriman nuk ishte i pranishëm, por më vonë dëgjoi për të nga Sovjetikët. SHBA kurrë nuk treguan marrëveshje me të. Ndarja e përqindjeve të propozuara nuk u përmend kurrë në Jaltë ose në takime të tjera. [3] Leffler deklaron se “konfirmoi që Evropa Lindore, fillimisht të paktën, do të shtrihet brenda sferës së ndikimit të Bashkimit Sovjetik”. [4] Megjithatë historiani britanik Andrew Roberts deklaron:

Konferenca e Dytë në Moskë nuk ishte në gjendje të zgjidhë çështjet madhore dhe çështjen e Evropës Lindore, dhe kur Churchill përfundoi marrëveshjen e tij të përqindjeve me Stalinin, ajo nuk u ratifikua nga amerikanët. [5]

Stalini u pajtua që Bashkimi Sovjetik do të fillojë luftë kundër Japonisë, dhe britanikët ranë dakord të kthehen në Bashkimin Sovjetik të gjithë ish-qytetarët sovjetikë që ishin çliruar nga gjermanët. [6]


Përfaqësuesit e pranishëm

Përfaqësuesit kryesorë për Bashkimin Sovjetik në konferencë ishin udhëheqësi Sovjetik Joseph Stalin  dhe Vyacheslav Molotov Ministri i Jashtëm Sovjetik. Përfaqësuesit kryesorë të Mbretërisë së Bashkuar ishin Kryeministri britanik Winston Churchill  dhe Sekretari i Jashtëm britanik Anthony Eden. Fieldmarshalli Sir Alan Brooke i The United Kingdom CIGS,  ishte gjithashtu i pranishëm ashtu si edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Moskë, Averell Harriman dhe gjenerali John R. Deane, kreu i Misionit Ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Moskë – si vëzhgues. Gjithashtu në konferencë ishin dy delegacione polake nga qeveria polake në Mërgim me qendër në Londër dhe qeveria komuniste e përkohshme polake me qendër në Lublin. [7] [8]

See also

  • First Moscow Conference (1941)
  • Second Moscow Conference (1942)
  • Third Moscow Conference (1943)
  • List of World War II conferences
  • Russia–United Kingdom relations#Second World War

References

  1. ^ Some British sources call this the Second Moscow Conference as it was the second time Churchill and Stalin had met at a conference in Moscow. The previous time was for the 1942 Conference (see Fact File : Second Moscow Conference 9 to 19 October 1944 Archived 20 August 2010 at the Wayback Machine BBC)
  2. ^“The Untold History of the United States,” Stone, Oliver and Kuznick, Peter (Gallery Books, 2012), page 114, citing “The Second World War Triumph and Tragedy,” Churchill, Winston, 1953, pages 227-228, and “Modern Times: The World from the Twenties to the Nineties, Johnson, Paul (New York: Perennial, 2001), page 434
  3. ^Siracusa, “The Night Stalin and Churchill Divided Europe: The View from Washington”.
  4. ^ Melvyn Leffler, Cambridge History of the Cold War: Volume 1 (Cambridge University Press, 2012), p. 175
  5. ^ Andrew Roberts (2009). Masters and Commanders: The Military Geniuses Who Led The West To Victory In World War II. p. 527.
  6. ^ Tolstoy, Nikolai. The Secret Betrayal. Charles Scribner’ Sons (1977). p. 75. ISBN 0-684-15635-0.
  7. ^ Fact File : Second Moscow Conference 9 to 19 October 1944 Archived 20 August 2010 at the Wayback Machine BBC
  8. ^ Stanly Smith Part 1: The Polish Government: Could Churchill have done more to save Poland from Communism?

Further reading

  • Ehrman, John (1956). Grand Strategy Volume VI, October 1944-August 1945. London: HMSO (British official history). pp. 213–219.
  • Resis, Albert. “The Churchill-Stalin Secret ‘Percentages’ Agreement on the Balkans, Moscow, October 1944.” American Historical Review 83.2 (1978): 368-387. online
  • Siracusa, Joseph M. “The Meaning of TOLSTOY: Churchill, Stalin, And The Balkans Moscow, October 1944.” Diplomatic History 3#4 (1979): 443-444. includes British minutes; online
  • Siracusa, Joseph M. “The Night Stalin and Churchill Divided Europe: The View from Washington.” Review of Politics 43#3 (1981): 381-409. online

E majta dhe e djathta e Ballit Kombëtar – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

Ramleh (Aleksandrí), 15. 10.  1950

 

I dashtuni mik,

Mora letrën t’Ânde të k.m. e me gjithë përkthimin e dokumentavet latinë. Të falem nderës fort e shpresoj se s’kam me pasun mâ për do kohë mundime kaq të randa me Të dhânë.

Tash “Ndrekë Topija kishte vetëm sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” sekretar slav qi din gjuhën e shkrimin slavisht? Ase kishte sekretar slav e ai vetë, Ndreka, dinte gjuhën e shkrimin slavisht? Apo tjetër? Ksi shtegu s’po T’ap  tjetër mërzí.

Kishem me dashun qi bisedimet T’ona me këtë korrespondencë të kândshme qi kemi nisun të zhvillohen mbi thema historike. Me gjithë këtê mbasi po dishron me Të tfillue edhe nji lâmsh politike të tashme, edhe un po Të përgjigjem.

Balli Kombtar u krijue në Shqipní nën pushtimin italjan si lëvizje qëndreset prej prinjësve jugorë nën kryesín e Midat Frashërit. Lëvizje nacjonaliste në bashkëpunim të ngushtë me Nacjonalçlirimtaren, dmth. me komunistat deri ditën qi këtyne u a muer mêndja qi mund të veprojnë pa ta  edhe kundra tyne madje. Si në çdo partí, edhe Balli kishte të djathtën e të mângjëtën e vet. E para kishte për leader Alì Këlcyrën dhe e dyta Abaz Ermenin, strukun ky nën hijen morale të Frashërit. Në mërgim ndryshim’i koncepteve e  taktikës politike mbë nj’anë e antagonizmat personale në tjetrën e thelluen e e zgjânuen edhe mâ fort hendekun ndërmjet dý tendencave. E mangjëta me personalitetin e Frashërit, të njohun e të përkrahun edhe prej disa qarqeve inglize, me personalitetin e fortë të Prof. Abas Ermenit e me metodat gati komuniste mbërrini me shtí në dorë në mërgim krejt drejtimin e organizatës. Ksaj gjâje i ndihmoi edhe largim’ i Këlcyrës prej Italije tue ardhun me zânë vend këtu n’ Egjypt si protagonist nga ana e partís së vet, dmth. e anës së djathtë t’asaj partije, për nji bashkpunim edhe me Mbretin Zog. Duhet shënue edhe nji fakt me rândsí: komunistat kishin dijtun qysh në Shqipní me va mbushun mênden aljatvet qi Balli Kombtar kishte tradhtue kauzën e këtyne tue bashkpunue tinzisht si me Italjanët ashtu edhe me Gjermanët. Ky bashkëpunim, sidomos me Gjermanët, kishte ndodhun për njimênd kur Balli qe shtrëngue me hymë në shamatë me komunistat, ish shokët e vet. Kështu qi të vûmen kambë në Bari, qi ishte pushtue prej Inglizvet, si Frashëri ashtu edhe Këlcyra u kapën e u ndrŷn në nji fushim aljat. Frashëri, me ndihmën e miqve të vet ingliz, u lirue shpejt – ndoshta edhe tue i a veshun të tâna akuzat vetëm shoqit të vet, me sa ky tjetri mbet nja motmot e gjŷmsë i ishulluem në fushim.

Pra kur va deshi puna aljatvet me krijue nji komitet shqiptar antikomunist i a ngjitën dorën Midat Frashërit. Ky e formoi komitetin me Zef Palin, nji ish profesor shkodran qi në vênd t’vet për influencë në popull s’e njihshin as pulat e oborrit, si ka pasë thânë i shueti Dom Lazër Shantoja, e veten e tij si kryetar n’emën të Ballit.; me Abaz Kupin e Nuçi Kotën, të birin e ish-kryeministrit Kota n’emën të Lëvizjes së Legalitetit (monarqiste-zogiste) e me Seid Kryezín (të vllán e Cena Kryeziut të vramë dikur në Pragë e të Gani Kryeziut, sod gjallë në Jugoslaví) n’emën të nji partije të formueme ad hoc[1] mbë kâmb’ e në dorë, pse Inglizët kishin bashkëpunue me tê në Shqipní, si me Abaz Kupin, e prandej e dojshin me doemos në komitet. Partij’e tij u quejt Partij’e Katundarvet. Kështu qi u la jashta komitetit Bloku Kombtar Indipendent si grup ish kolaboracjonistash edhe Grup’i Kosovarvet edhe ky si kolaboracjonist e për mâ tepër edhe për mos me i ramë ndesh Titos.

Tash në dritën e këtyne tfillimeve krejt synthetike Ti sigurisht ke me dijtun me pamë disi qartë në veprën e në fjalët e Alì Klissurës qi ke lexue në gazetë. Ke me kuptue se komiteti qëndron mun ashtu si qe formue e se lëvizja e Aliut âsht jashta atij e kundra atij, së paku në formimin origjinal qi ruen ende. Balli, pjesa e mângjët, por n’ emën të krejt organizatës, ka hymë edhe në Frontin Antikomunist Agrar interbalkano-danubjan n’Amerikë. E Klissura me shokë thonë se kjo ka qenë nji e drejtë e partís së Kryeziut, se Balli s’âsht nji partí agrare. Kongresin e Bagnolit e bâni Aliu me shokët e vet tue përvetue emnin e organizatës së Ballit Kombtar, ndërsa tjerët, tue quejtun ata veten me at’emën e tjerët disidenta, kanë mujtun, formalisht me të drejtë, me e mohue atë kongres. Hasan Dosti, ish Ministër i Drejtsís në … kabinetin e Mustafa Krujës në mâ të shumën e kohës qi ka vazhdue kjo qeverí e dorhjekës mandej në shênj protestimi pse u varën tre komunistat e parë në bazë të ligjve qi ai vetë kishte hartue e nënshkrue si dhe tinzisht antar Ballit po n’atë kohë qi hartonte e firmonte ligjët antikomuniste, âsht nji qi Anglo-Amerikanët vûnë në krye të komitetit si diq Midati. Qe, kjo âsht Babelja shqiptare, lum miku! Të falem nderës fort se më ke bâmë me qeshë me atë frazë ashtu sikur qeshet P. Gjergji n’ Anzat e Parnasit “veç pse s’muj me kjá”… A proposito:[2] athue kishe mujtun me m’a gjetë nje-këtë libër qoftë edhe hua për do kohë? S’ ka libër tjeter qi i a ndiej mallin sa këtij në kto kohna.

Qyr sa e mêndshme kjo copë letër : mbaroi shi atje ku duhej, me gjithë qi pikën e mbrapme s’më la me i a vû! Me këto biseda kështu po m’a nxit mâ fort mallin për Tý. Sa i gzuem do të ishem me Të pasun afër! Por mjerisht s’po mundem as djalin t’em me e pasun këtu. Sa  mizore âsht kjo jetë. Shumë e shumë shëndete të perzêmërta.

 

Mustafa

 

 

BOLZANO, me 21 tetuer 1950

 

Fort i dashtun Mik,

Pardje e mora letren tande e të falem nderës per tfillimin njimend sintetik por krejtë të kjartë qi më dhae mbi partín “nacjonaliste” BALLI KOMBTAR a e b . Ka pasë thânë dikund njiherë Fishta: “Mâ lehtas mblidhen nji grusht pleshta, se nji grusht Shqyptarë”.

Fjalët latine “Ndrekë Topija kishte sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” Ti i paske perkthye kshtu: “sekretarë slav qi dín gjuhen e shkrimin slavisht”. Mndyra e dytë e perkthimit  t’And âsht krejt e gabueshme, tue kenë se scientes, qi âsht plural, nuk mund të perkojë me subjektin Ndrekë Topija në singular. Mbas mendimit t’em do të ishte ndoshta mâ mirë po t’u perkthete kshtu kjo fjalí latine: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav e asish qi dijshin gjuhën e shkrimin slav” Ktu kemi nji et  në mjedis e kjo lidhcë do të bashkojë  dý pjesë të njaj fjalije. E para pjesë âsht: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav”, e dyta pjesë: “ai kishte “scientes sclavicam linguam et litteram” = conoscenti la lingua e la scrittura slava: Kjo âsht fjalë per fjalë. Taman shqyp: “Asish qi dijshin gjuhen e shkrimin slav”. E kta qi dijshin gjuhen e shkrimin slav, mbas të tana gjasësh do të jén kenë shqyptarë, mjesá sekretarët po na i paska pasë slavë, e kta kuptohet vetvetiut se kanë dijtë gjuhen e shkrimin slav.

Ndoshta edhe ky perkthimi i em âsht teper me hamende, por tjeter mndyrë s’dij as vetë.

Pvetjet e mija kso here janë:

1) Atentati i Vjenës, kúr Ndokë Gjeloshi e shoku i tij paten dashtë me vrá Ahmet Zogun: kush i pat shtî kta me bâ ket atentat?

2) Austrija e para luftës së parë europjane si ka dashë me e rregullue punen e Shqypnís, merret vesht po të kishte dalë fituese ?

3). A din me më kallxue veçanerina permbi at kafazin e Ambashjatës hinglize n’Ankara qi i vodh ksaj dokumenta aq me randsí e u a dorzoi gjermanvet? Tash së vonit ka dalë nji liber me titullin: ” Der Fall Cicero”, shkrue prej Atasheut ushtarak n’ ambashjaten gjermane t’Ankarasë. Ky atasheu âsht nji austriak e thirret Ludwig Moyzich. Ky âsht kenë qi drejt për drejt  i ka marrë dokumentat prej atij shqyptarit e i ka percjellë per Berlin. Ket akt spijunazhit e çmojnë shum gazetarë si mâ të randsishmin e ksaj lufte, prandej më intereson me dijtë sa mâ shum per ket shqyptar qi ka fitue nji famë botnore me ket “bravuren” e vet.

Sa per “Anzat e Parnasit” tash i shkruej nji kolegës s’em tue e pvetë pale a e ka a jo. Un drue se edhe ai do të jét në të njajten gjendje si vetë. Kúr na, ai e gjith tjerët, patem lanë Shqypnín perpara, punët ishin ndryshej e nuk e mendojshim kurrkund se do të kishin per t’u sjellë kaq mbrapshtë. Librat shqyp kurrkuj s’i ka rá nder mend me i marrë me vedi. Me gjithkta un tash mundohem per sa të jét e mundun.

Po të ishem vetë atje, fort me ande do të kishem bisedue per sa çashtje shqyptare, e shum sende do të kishem me i kuptue mâ mirë, po të mujtte njeri me folë gjanë e gjatë. Me letra jo gjithmonë mund të shkojë njeri gját.

T’ uroj me gjith zemer shndet e të gjitha të mirat

                                        

                                                                                            Miku i yt

  1.        P. Margjokaj O.F.M.

[1] Ang. : posaçërisht

[2] It. : me që ra fjala

Letra e politikanit jugosllav Milovan Gjilas në tryezën e Enver Hoxhës – Nga Ylli Polovina

Në mes të vitit 1969 një shqiptaro-amerikan me emrin Nikolla Kosta dërgoi nga SHBA dy letra. Njëra qe për Enver Hoxhën në Tiranë dhe tjetra për Milovan Gjilasin në Beograd.
Siç e shpjegon në letrën për Hoxhën, Kosta pretendon se është studiues, madje ka titullin profesor. Në një bisedë verifikuese që kryem këto ditë me një nga punonjësit e Misionit Shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në fund të viteve shtatëdhjetë e fillimin e dekadës së tetë, Meno Dedaj, Nikolla Kosta qe person që me të vërtetë merrej me studime historike dhe posaçërisht sociale. Po ashtu, sipas Dedaj, Nikolla Kosta shkruante sinqerisht në mbështetje të Shqipërisë dhe nuk bënte hipokrizi. Ai ishte mik i Misionit prej shumë kohësh dhe bashkëpunonte ngushtë me disa nga punonjësit e tij.
Karakteristike për Nikolla Kostën, ishte simpatia e tij politike për Partinë e Punës (ish-Partinë Komuniste). Gjithsesi nuk mund të thuhej se ai qe tip stalinist, kishte një hapje më të gjerë ideologjike ndaj së majtës marksiste. Vite të shkuara autori i këtyre radhëve ka ndjekur në një televizion gjerman një dokumentar-intervistë me Milovan Gjilasin, i cili ende qe gjallë (ndërroi jetë në 1995). Në bisedën dhe regjistrimin që iu bë në shtëpi nga trupa gjermane e xhirimit, ai kërkoi që t’i sillnin dhe ta vendoste para kamerës për ta parë të tërë, një bust të madh të Karl Maksit, të cilin e mbante në studion e tij.
Ndërkaq, në mes të motit 1969 Gjilas qe tashmë një udhëheqës disident jugosllav shumë i njohur në të gjithë botën, madje i cilësuar si i pari i tillë i famshëm në tërë “kampin socialist” të kohës.

Jeta dhe idetë e tij qenë takuar shumë herë me fatin dhe historinë e Shqipërisë dhe pas rënies së diktaturës ne kemi bërë shumë pak për ta njohur këtë raport, pas të cilit fshihen mjaft surpriza. Na kanë penguar paragjykimet. Prandaj po ravijëzojmë fare shkurt disa nga ngjarjet më kryesore të jetës së tij.
A ËSHTË SHQIPTAR
MARKSISTI JUGOSLLAV MILOVAN GJILAS?
Milovani ishte i katërti i nëntë fëmijëve të fshatarëve Nikolla dhe Novka Gjilas. Ai pati lindur në 12 qershor 1911 në varganin e maleve të kufirit të Malit të Zi me Shqipërinë. Emri i fshatit vendlindje tingëllon afërsisht Podbishe.
Kur Andrea Shkodrani do të punonte si i Ngarkuar me Punë në Legatën Shqiptare në Beograd në motet 1964-1967, sipas një këshillimi që bëmë me të para disa ditësh, rezulton se në përfaqësinë tonë diplomatike mbledhjen e informacionit për fatin dhe jetën e Gjilasit nuk do ta kishte ndonjë epërsi, frymë kjo që vinte edhe nga Tirana. Ndërkohë sipas të gjitha rregullave të diplomacisë njohja e saj dhe raportimi njohës në qendër, duhej të ishte veprim i domosdoshëm.
Duket ekzistonte një vëmendje nga larg, një “përgjim” i skithtë, pa rënë në sy. Tirana bënte sikur nuk ja varte çfarë ndodhte me Milovan Gjilasin, por në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme kemi gjetur një radiogram të dërguar nga ambasadori shqiptar në Beograd Sokrat Plaka, diplomat mjaft aktiv dhe inteligjent, më pas edhe një nga drejtuesit e këtij institucioni të lartë diplomatik.

Ky mesazh i koduar për Ministrinë daton 16 shkurt 1981 dhe ka numrin e regjistrimit protokollar 390.
Në radiogram thuhet shprehimisht: “Ambasadori portugez po lexon librin e fundit të Gjilasit ‘Tito miku im, armiku im’. Në këtë libër ka referenca për qëllimet e Titos për të vendosur influencën jugosllave në Shqipëri. Ja kam kërkuar për lexim- Libri është botuar në Perëndim”.
Ndërkohë Andrea Shkodrani tregoi për një të fshehtë të jetës së Gjilasit: kur ishte me punë në Beograd (qe atje rreth shtatë vite) flitej se politikani i shumënjohur jugosllav ishte me origjinë shqiptare. Sipas fjalënajës, në këtë kombësi kishte qenë i gjyshi. Por Andrea saktësoi: Milovan Gjilas asnjëherë as me të shkruar dhe as me të folur nuk e ka pohuar këtë lidhje. Kur u pyet njëherë dha përgjigje pa pohuar dhe as mohuar. Shqiptoi fjalë rrëshqitëse.
Kjo traditë heshtjeje, në mos vetëcensurimi, për këtë mundësi përkatësie etnike u vijua më vendosmërisht nga i biri i tij Dragan, i cili i emëruar prefekt i Beogradit, në vitin 2010 bëri një vizitë në Prizren. Kur deshi të hynte pak javë më herët, duke qenë se nuk pati kërkuar leje tek autoritetet e qeverisë së Prishtinës, nuk u lejua të vinte këmbë në territorin e Kosovës. Kur bëri kërkesën zyrtare dhe nuk u pengua, Dragani u soll qetësisht dhe me frymë miqësore gjatë tërë turit, sidomos në Prizren. Këtu, mes shqiptarëve, ai jo vetëm që nuk lëshoi ndonjë nënkuptim për ndonjë afri kombësie me këta të fundit, por nuk u paraqit as si malazez, siç qe i ati.

U vetëdeklarua serb.
Ndërkaq falë një verifikimi tjetër që bëmë me një punonjës të lartë të kulturës në Prishtinë në periudhën e para nëntëdhjetës (Nexhmedin Shehu, drejtor i Qendrës Kulturore të Rinisë), mes shqiptarëve të Kosovës nuk ka pulsuar ndonjëherë dëshirë dhe kuriozitet për ta pasur të gjakut të vet Milovan Gjilasin.
Mundet që fjalët se prej gjyshit ai është shqiptar (përderisa në disa nga biografitë e tij përcaktohet si vendlindje rreshti i maleve në kufi të vendit tonë me Malin e Zi dhe që njihet si territor historikisht i banuar palëkundshëm nga shqiptarët) të kenë qarkulluar prej udhëheqjes komuniste jugosllave dhe sidomos Titos, sepse të dy palët me kohë kanë bërë divorc politik. Josip Broz e burgosi Gjilasin tri herë. Ishte në interes të tij që veprën disidente të Gjilasit ta djallëzonte si të frymëzuar jo nga parimet marksiste, por prej irredentizmit shqiptar në Jugosllavi.
E përsëritim: shqiptarët e Kosovës nuk kanë asnjë grimë interesimi për ish-udhëheqësin jugosllav, edhe tani, kur janë të lirë e mund t’i çelin pak më shumë vend. Madje atje, kur bie fjala për Milovan Gjilasin, qarkullojnë një barsoletë. Sipas saj, një malazez e pyeti Mareshallin Tito përse e patën burgosur Gjiden (emri përkëdhelës i Gjilasit). Ky iu përgjigj: “Sepse ka kërkuar një tjetër socializëm”.
Atëherë malazezi ia kishte kthyer: “Aaa, pak na doli ky socializëm që kemi dhe ai të kërkojë një tjetër?! Mbajeni në burg e mos e lironi kurrë!”

TITO E BURGOSI TRI HERË,
POR SIGURISHT NUK E PUSHKATOI
Pasi pjesën e parë të shkollimit Milovan Gjilas e përfundoi në Malin e Zi, në 1929 ai u regjistrua në Universitetin e Beogradit për degën e letërsisë. Gjatë periudhës studentore u bë komunist dhe shumë shpejt u arrestua si agjitator i këtyre ideve. Diktatura e mbretit Aleksandër Karagjorgjeviç e burgosi. Ky dënim i tij i parë zgjati në motet 1933-1936. Pikërisht në periudhën e këtij burgimi, nëpër qeli, u njoh me Titon, me Mosha Pijaden dhe Aleksandër Rankoviçin, që të tre krerë të jugokomunizmit dhe të rezistencës partizane kundër pushtimit gjermano-italian.
Kur mbaroi dënimin nga mbreti diktator me të dalë nga burgu Gjilas u martua me një studente komuniste malazeze, Mitra Mitroviçin, me të cilën kaloi edhe vitet e luftës, përherë në mal. Në 1938 ai u zgjodh në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike të Partisë Komuniste Jugosllave. Kjo u përsërit edhe në 1940. Qe po ashtu kryeredaktor i gazetës së PKJ “Borba”(Lufta)si edhe pas çlirimit i “Nova Jugoslavija” (Jugosllavija e re). Më 1944 Milovan Gjilas u gradua edhe si gjeneral i ushtrisë partizane. Pikërisht këtë kohë ai udhëhoqi një delegacion të partisë së tij dhe lëvizjes së saj të armatosur në Moskë, duke u takuar për herë të parë me Josif Stalinin.

Gjatë viteve 1945-1954 Gjilasi u bë Nënpresident i Jugosllavisë si edhe kryetar i parlamentit (Asamblesë Federale). Me pak fjalë sipas protokollit shtetëror ishte figura e dytë e vendit pas Titos.
Në 1947 Milovan Gjilas dhe bashkëshortja e tyre Mitra Mitroviç lindën një vajzë.
Kur marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik në 1948, nën një tension të madh mes dy shteteve dhe partive komuniste, u ndërprenë, Milovan Gjilas shpërtheu sulmin kundër Stalinit dhe doktrinës së stalinizmit. Ai u bashkua fort pas Titos dhe bashkë me Eduard Kardelin dhe Boris Kidriçin u bënë arkitektët e “vetadministrimit” socialist jugosllav, themelit të teorisë dhe të praktikës së titizmit, rrugës nacionale të komunizmit për këtë vend. Këtë të fundit ata e quajtën edhe jugosllavizëm, term që e pranoi edhe historishkrimi perëndimor.
Në 1950 Gjilas u divorcua me gruan e parë, Mitrën, dhe në 1952 u martua me Steficën, një ish-partizane kroate. Prej kësaj lidhjeje në 1952 patën një djalë, Draganin, për të cilin ju folëm më sipër.
Duke e kritikuar ashpër që prej vitit 1948 stalinizmin, Milovan Gjilas në fund të motit 1953, tehun e qortimit të tij e nderi edhe ndaj Titos. Kërkoi demokratizimin dhe decentralizimin e titizmit. Për pasojë, Plenumi i Tretë i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në janar 1954 e shkarkoi nga të gjitha funksionet që mbante, kurse në mars ai u vetëlargua edhe nga partia. Arrestimi i parë i ndodhi më 1956 dhe burgosja zgjati deri më 1961. Ndërsa qe në qeli, shkroi librin e bujshëm “Klasa e Re”, i cili më 1957 u botua në Perëndim dhe SHBA (“The Neë Class”). Në këtë libër ai akuzonte partinë e shndërruar tashmë në një burokraci egoiste, bërë partnere në instalimin e diktaturës komuniste.
Realisht Milovan Gjilas në këtë libër tronditës e veçonte realkomunizmin në formën e stalinizmit, leninizmit apo titizmit nga marksizmi. Këtë dallim e ka argumentuar tek libri tjetër i tij “Shoqëria jo perfekte” (The Unperfect Society), të cilin e botoi në 1969. Informojmë se në periudhën 1962-1966, Gjilas ishte sërish në burg. Një nga arsyet qe botimi i një libri tjetër të tij “Biseda me Stalinin” (“Conversasions ëith Stalin”), i cili u publikua në Londër. Në këtë botim ka më shumë të vërteta akuzuese kundër intrigave titiste ndaj Shqipërisë se sa në librin e mëvonshëm të Enver Hoxhës “Me Stalinin”.
Librin për Titon Milovan Gjilas e botoi menjëherë pas vdekjes së kryekomunistit jugosllav, më 1980. Gjilas ka krijuar dhe publikuar edhe mjaft libra të tjerë. Me pak fjalë ai në Jugosllavinë komuniste bëri tre herë burg dhe nuk botoi dot asnjë prej librave të tij, të cilat qenë më shumë se një duzinë. Këto u publikuan në Perëndim.

LETRA E NIKOLLA KOSTËS
PËR E.HOXHËN, QERSHOR 1969
Thamë në fillim të këtij shkrimi se shqiptaro-amerikani Nikolla Kosta në qershor 1969 i dërgoi një letër kryekomunistit stalinist të Tiranës.
Letra e tij e plotë:
“I dashur Enver Hoxha!
Më tërheq vëmendjen se së afërmi shumë njerëz nga Komiteti Shqiptar i Amerikës do të ftohen të marrin pjesë në festimet e 25-vjetorit të ardhjes në fuqi të PPSH. Si edukator dhe amerikan me origjinë shqiptare jam shumë i interesuar për historinë e vendit të prindërve të mi, ky interesim i përgjigjet detyrës që kam marrë për të shkruar një tekst shkollor mbi formimin dhe sukseset e Republikës Popullore të Shqipërisë. Pra ky është qëllimi im që po u shkruaj. Në këtë tekst shpresoj të jap fakte të pa mohueshme të revolucionit politiko-shoqëror që dolli gjatë luftës për çlirimin kombëtar q’u zhvillua si rezultat i dëshirës së popullit, për të vendosur një strukturë të re politiko-shoqërore e cila do të bashkonte Shqipërinë dhe do t’i jepte fund ndarjes që ekzistonte midis bejlerëve dhe fshatarëve. Dëshiroj të faktoj pa asnjë dyshim se P.K.Sh. ishte i vetmi grup i zoti që bëri transformimin e nevojshmë dhe industrializimin. Dëshiroj t’i jap fund mitit që ekziston se P.K.Sh. u krijua si rezultat i emisarëve të Titos dhe Jugosllavisë, gjithashtu dëshiroj të paraqes një studim të hollësishëm të rritjes ekonomike të Shqipërisë, që mundi të arrihet vetëm nën udhëheqjen e PPSH.
Si edukator dhe njeri që dua të shkruaj për rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, mendoj se ju do të më ndihmoni në këtë projekt. Dëshiroj të më ftoni të vizitoj Shqipërinë kështu që do të kem mundësi, që me ndihmën e mësuesave të ndryshëm dhe ish-komandantëve partizanë të punoj në burimet kryesore dhe të përdor arkivat me qëllim që të mbledh materialet e nevojshme për tekstin tim.
Nuk e di si do t’i përgjigjeni kërkesës time. Akoma nuk e di se si shqiptar që jam dhe për shkak të dashurisë tonë të përbashkët për Shqipërinë, a do jetë e mundur që ju të merrni parasysh kërkesën dhe meritat e mia për studimin e projektit tim.
Juaji me respekt
Profesor Nikolla Kosta”.
Përveç kësaj letre, ku bashkëkombësi i kërkon Enver Hoxhës që ai personalisht ta ftojë të vijë në Shqipëri dhe me këtë rast t’i vihen në dispozicion njerëz dhe arkiva, kuptohet po ashtu edhe përballimin e tërë shpenzimeve, nuk kemi gjetur ndonjë shenjë tjetër të shkruar e ruajtur në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Ka të ngjarë që kjo çështje të jetë mbyllur, sepse shkrues të tillë që nuk jepnin garanci për t’ia dalë deri në fund nuk mbaroheshin, shumica të huaj. Nikolla Kostës as sot në internet nuk i gjendet ndonjë shenjë studimi, libri apo veprimtarie politike ose sociale. Në SHBA, pas kërkimeve online, ka të dhëna për një homonim të tij, i cili thotë se Nikolla T. Kosta ka lindur në Shqipëri, nënë ka pasur Marien dhe baba Theodhorin. Një vëlla me emrin Gjergj si edhe në tjetër e kishte në Shqipëri. Ky Nikolla Kosta ka qenë marrë me biznes të zakonshëm dhe po ashtu ka shërbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore në ushtrinë amerikane, në forcat ajrore. Ka qenë gjithashtu në këshillin e një kishe greke, pra ortodokse. Sipas këtij këshillimi në internet ky Nikolla Kosta ka lindur në 1923 dhe ndërruar jetë në 1990. Mund të jetë letërshkruesi i Enver Hoxhës pikërisht ky, ndoshta.


LETRA E MILOVAN GJILAS

Por ajo që e bën interesante dhe të dobishme tërë këtë histori, pra të paraqitshme para opinionit publik dhe studiuesve të historisë kombëtare është një letër që Nikolla Kostës i ka bërë Milovan Gjilasi.
Ka të ngjarë që Kosta t’ia ketë sjellë Tiranës dhe pse jo personalisht Enver Hoxhës në ndihmë të pikëpamjes së këtij të fundit, të këmbëngulur edhe në librat e tij me kujtime, se as Sejfulla Malëshova dhe as Koço Tashko, që në një farë mënyre e pretendonin, nuk ishin ndonjëherë të dërguar në Shqipëri të Kominternit.
Kjo provë nuk qe pak për tërë atë peripeci denigrimi dhe mohimi që Hoxha u bënte rivalëve të tij me në biografi lidhje më të vjetra se ai me lëvizjen komuniste botërore dhe Moskën. Enveri pati takime shumë të vona, pothuaj të pas një dekade, fillimisht me një kovaç në Korçë.
Besojmë se letra konfidenciale e Milovan Gjilasit ka përfunduar në tryezën e Enver Hoxhës, sigurisht pa e ditur shkruesi, ndoshta i përdorur nga Nikolla Kosta për të lehtësuar ftesën e dëshiruar që të vinte në Shqipëri i pajisur me shumë lehtësira e favore pune.
Kjo letër thotë:
“I dashuri Z. Kosta,
Praktikisht unë nuk di asgjë lidhur me përfaqësimin e komunistëve shqiptarë në Komintern për periudhën 1917-1939. Me sa duket faktet lidhur me këtë ju mund t’i gjeni në Moskë ose Tiranë. Unë di vetëm se në vitin 1928 ekzistonte një grup komunist në Moskë me Ali Kelmendin si udhëheqës (shiko “Iz istorije Albanaca, faqe 212, Beograd, 1938, zavod za izdavanje udzbenika). Në vitin 1930 ky grup u shpërnda. Në 1931 Kelmendi u kthye në Shqipëri dhe filloi të organizojë grupet komuniste. Më 1935 ai emigroi në Francë ku vdiq në 1939. Duket se Shqipëria nuk ka pasur përfaqësues në Komintern.
Ju falenderoj për ftesën tuaj të përzemërt për t’u vizituar juve dhe familjen tuaj.
Të fala të përzemërta
Sinqerisht i juaji
Beograd, 16 qershor 1969″.
Duhet theksuar se Enver Hoxha nuk e pretendoi ndonjëherë cilësinë e tij si i dërguar i Kominternit, por çuditërisht këtë rrethanë që nuk e përfitoi asnjë shqiptar, e kërkon Josip Broz Tito.
Në provë për këtë diversion po citojmë një fragment nga botimi në 1981, në shqip, në Kosovë, të librit “Shqipëria e Enver Hoxhës”, me titull në botimet e vitit 1949 në Perëndim “Gjaku i tradhtuar”. Në Kosovë u ribotua në 1981 si kundërpërgjigje për mbrojtjen që Hoxha i bëri çështjes së drejtë të protestave studentore për t’u shpallur republikë.
Në këtë fragment të këtij libri thuhet se në 23 dhjetor 1942 u përpilua letra e Titos për Partinë Komuniste Shqiptare, një vit më parë e themeluar edhe me ndihmë parësore të dy jugosllavëve, e cila shkoi në destinacion me anën e Blazho Jovanoviçit. Me anën e saj “Tito u parashtroi komunistëve shqiptarë detyrat që u shtronte para tyre Kominterni, pastaj përmendte disa çështje lidhur me organizimin e partisë. Thoshte më tej: “Nga materiali që po ju dërgojmë ju do të njiheni më hollësisht me strukturën e ushtrisë sonë nacionalçlirimtare, partizane dhe vullnetare dhe ju këshillojmë që të përfitoni nga përvoja jonë gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e cila ka dhënë rezultate shumë të mëdha në luftën tonë nacionalçlirimtare”.