VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dalin fakte të shkruara për “Aferën Spitali”, përmendet prapë Veseli e SHIK-u

By | June 1, 2019

Komentet

DW: “Sekretet” e Matthew Palmer, kush është i ngarkuari për Ballkanin. Amerikanët e njohin si shkrimtar, pse Daçiç e quan “dhëndri ynë”

Kush është Matthew Palmer, i ngakuari i posaçëm amerikan për Ballkanin? Nga ai pritet ndihmë në zgjidhjen e çështjeve shumë të ndërlikuara në këtë rajon.

 

Si „Holbrookun e shekullit 21″ e sheh revista beogradase “Vreme” (Koha) diplomatin amerikan Matthew Palmer. Gazeta kujton kështu ish-ndërmjetësuesin amerikan  Richard Hollbrook, i cili me stilin e tij, kërcënimet me bomba dhe punën intensive, ka arritur t’i bindë palët në Bosnje-Hercegovinë që të arrijnë marrëveshje paqësore. Ministri i Jashtëm amerikan Mike Pompeo e ka emëruar tani zëvendëssekretarin për Ballkan dhe Egje, si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, që paraqet më shumë se vetëm simbolikë. Menjëherë pas emërimit, Palmer ka vizituar pikat më nevralgjike në rajon, ku bëri të qartë, se krahas BE-së, Rusisë, Kinës dhe Turqisë, edhe SHBA do të luajë në të ardhmen një rol të rëndësishëm në Ballkan. Nëse amerikanët do të marrin rolin udhëheqës, si dikur Holbrooke, mbetet të shihet. Por kjo me siguri që nuk mund të përjashtohet.

Mbështetësit e Palmerit

Opinioni amerikan e njeh Matthew Palmerin në radhë të parë si shkrimtar. Edhe babai i tij Michael ka qenë autor i njohur me romanet e tij thriller nga bota e mjekësisë, të përkthyer në shumë gjuhë. Vëllai i tij Danieli ka shkruar libra me tematikë Science Fiction. Historia dhe tematika e komunikimit kanë qenë shpesh në rend dite në shtëpinë tonë, shkruante dikur Matt. Të tre Palmerët kanë shkruar apo shkruajnë ende. Babai i tij Michael, ka vdekur në vitin 2013, pa pasur ambicie të mëdha në tregun e librit. Librat e Matthew me tematikë krimet dhe diplomacia, janë lexuar me vëmendje në Departamentin e shtetit, në veçanti pjesët ku bëhet fjalë për rrezikimin e interesave amerikane.

Palmeri dallon nga Richard Holbrooku, i njohur si një diplomat i ashpër. Ai është miqësor, pak i tërhequr dhe me karakter ndryshe. Misioni i madh amerikan, i cili lulëzonte në kohën e presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush, është zbehur në kohën e Barack Obamës dhe është shuar në kohën e Donald Trumpit. Palmer është mbështetur dikur nga ministrja e Jashtme e Clintonit, Madeleine Albright. Palmer ka qenë këshilltar i Bushit dhe në pesë romanet e tij ka paraqitur mendimet e veta. Një nga romanet e tij mban titullin madje „Misioni amerikan”.

Njohja me rajonin

Palmeri e njeh këtë rajon më mirë se gati të gjithë bashkëvendasit e tij të tjerë. Beogradi ishte stacioni i parë i diplomatit të ri Palmer, në vitin 1993. Deri atëherë ai ishte i interesuar për Lindjen e Largët dhe Japoninë. Pas Afrikës, Azisë dhe Qipros, Palmer është rikthyer prapë në Ballkan, sikur edhe heroi i romantit të tij të tretë „Ujku nga Sarajeva”, ku ai përshkruan vuajtjet shpirtërore të një diplomati amerikan nga tmerret e para në Srebrenicë. Në Beograd ai është njohur edhe me gruan e tij, me të cilën pjesën më të madhe të pushimeve e kalon në bregdetin malazez. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq e ka përshëndetur emërimin e “dhëndrrit tonë”, si të ngarkuar të posaçëm për Ballkanin. Ai tha se nga Palmeri pret shumë, që shkaktoi qeshje në sallën e diplomatëve të mbledhur në Bled të Sllovenisë. Mbetet të shihet nëse njohja e rajonit do të jetë përparësi apo mangësi për Palmerin. Por mendimet në Beograd janë të ndara. “Dhëndrri” shihet si pjesë e një aleance të natyrshme. Por Palmeri shihet edhe si një person që është përzier në punët e brendshme të Serbisë dhe Kosovës, me rastin e krijimit të qeverisë, e thuhet madje se e ka mbështetur Partinë Përparimtare të Vuçiqit.

Matthew Palmer në Tiranë

Politikën amerikane ndaj Ballkanit e kanë dominuar muajt e fundit presidenti Trump dhe ish-këshilltari për sigurinë, John Bolton. Trumpi e ka mbështetur në dy letra dërguar krerëve të Serbisë dhe Kosovës shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Ballkan dhe Gjermani. Pas largimit të Boltonit, tani sytë janë drejtuar sërish nga Departamenti i Shtetit. Palmer ndryshe nga Boltoni nuk i përket grupit të ideologëve republikanë, të cilët hedhin poshtë konceptin multilateral dhe i besojnë shteteve nacionale. Por ende nuk është e qartë se si do të pozicionohet në çështjen e ndryshimit të vijës kufitare. „Në qendër të historisë qëndron gjithmonë një personalitet i fuqishëm”, shkruante dikur Palmer. Koncepti i tij i shkrimtarit i ngjan edhe konceptit politik. Në qendër qëndrojnë personat e fuqishëm, jo strukturat apo interesat e popullit, të pa artikualuara deri në fund. Të fuqishmit në pushtet në Beograd, Sarajevë, Banja Lukë, Podgoricë, Prishtinë dhe Tiranë me siguri që i gëzohen këtij koncepti.

Zëri i Amerikës: Kush është Robert O’Brien, këshilltar i ri i Sigurisë Kombëtare të SHBA

Presidenti Donald Trump ka emëruar zotin Robert C. O’Brien si Këshilltarin e tij të ri të Sigurisë Kombëtare.

Zoti O’Brien zëvendëson zotin John Bolton, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar.

Presidenti Trump e shpalli emërimin të mërkurën nga llogaria e tij në Twitter, duke përmendur se O’Brien po shërbente si i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit. Presidenti shtoi se ka punuar gjatë dhe shumë me zotin O’Brien. “Ai do të bëjë një punë të shkëlqyer!” shkruante Presidenti.

Robert O’Brien ka qenë përzgjedhur nga ish-Presidenti George W. Bush si përfaqësues i SHBA në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai punoi me paraardhësin e tij, Bolton.

Robert O'brien swearing in

Robert O’brien swearing in

Ai ka qenë gjithashtu këshilltar për fushatat presidenciale republikane të ish-guvernatorit Scott Walker nga shteti Wisconsin, ish-guvernatorit Mitt Romney nga shteti Massachusetts dhe senatori Ted Cruz nga Teksasi.

Më parë në karrierën e tij, O’Brien ka qenë zyrtar i lartë juridik për komisionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që vendosi pretendimet financiare kundër Irakut si rrjedhojë e Luftës së Gjirit. Ai ka qenë më parë major rezervist në ushtrinë amerikane.

O’Brien ka një diplomë juridike nga Universiteti i Kalifornisë-Berkeley, dhe është bashkë-themelues i një firme juridike në Los Angeles që merret me çështje gjyqësore dhe të arbitrazhit ndërkombëtar.

O’Brien është autor i librit “Ndërsa Amerika flinte”, një përmbledhje shkrimesh mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA. Shkrimet shihen si një thirrje zgjimi për popullin amerikan.

Libri paralajmëronte se bota është bërë më e rrezikshme “nën politikën e jashtme pasive të Presidentit Obama”.

Harry J. Kazianis, Drejtor në Qendrën për Interes Kombëtar, i cili ka punuar me zotin O’Brien për gati një dekadë, thotë për VOA se O’Brien njihet në bashkësinë e sigurisë kombëtare si dikush që kuptoi ngritjen e Kinës – veçanërisht synimet e saj detare – si një sfidë kryesore për SHBA në Azi.

“Ai ishte shumë vite përpara të tjerëve kur e kuptoi se aspiratat e Pekinit përbënin një kërcënim të madh për interesat e SHBA dhe u kritikua shumë për këtë. Por veprimet agresive të Kinës vitet e fundit, vërtetuan se O’Brien ishte i saktë,” thotë analisti.

Ndërkaq, Larry Pfeiffer, ish-shef i stafit të CIA-s thotë se nuk e njeh personalisht zotin O’Brien, por shton se “ai nuk ka thellësinë e përvojës në çështjet e sigurisë kombëtare, krahasuar me secilin prej pararendësit e tij të fundit.”

Presidenti Trump e kërkoi dorëheqjen e zotit John Bolton javën e kaluar, duke thënë se ai kishte qenë një “katastrofë” në politikën për Korenë e Veriut, se ishte treguar “i ngathët” me Venezuelën dhe se nuk shkonte mirë me disa zyrtarë të rëndësishëm të administratës.

Zëri i Amerikës – PD: kryebashkiaku i Vaut të Dejës i arrestuar në Itali edhe më 1996

Në Shqipëri, Partia Demokratike publikoi sot një tjetër dokument që sipas saj provon se kryetari socialist i Bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani, është arrestuar në Itali edhe në vitin 1996. “Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumenta që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi duke publikuar një dokument që siç tha ai është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali. “Dokumenti ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane”.

Dy ditë më parë zoti Bardhi, publikoi një tjetër dokument, përmes të cilit, sipas tij, vërtetohej se “Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian”.

Ashtu si dhe më herët, kryebashkiaku socialist i mohoi akuzat duke përsëritur se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka qëndruar as 24 orë në burg dhe as nuk është ndaluar ndonjëherë nga policia.

Por sot PD-ja theksoi se “Kartela e arrestimit tregon qartë se Mark Babani me emrin Fatmir Babaj kishte shkelur dënimin e gjykatës për dëbimin e tij nga Italia si hajdut makinash në vitin 1994. Policia italiane bëri lidhjen se Fatmiri në foto dhe Marku i Ramës në Bashkinë e Vaut të Dejës janë i njëjti person. Ai u arrestua më datë 24 janar 1996 me identitetin e rremë Fatmir Babaj, dhe u mbajt në burg deri më datë 27 Janar 1996, ku u provua se ishte Marq Babaj, i dënuar në Itali për vjedhje në rrethana rënduese të kryer në bashkëpunim”, u shpreh zoti Bardhi duke kërkuar veprime të menjëhershme të Prokurorisë ndaj kryebashkiakut Babani.

Nazizmi dhe Stalinizmi – Nga Prof. TOMASZ KAMUSELLA

Gjatë periudhës së parë 33-vjeçare të shekullit XIX, në vendet e veta koloniale, Britania shfarosi popullsinë vendëse të Tasmanisë.

Ndërmjet 1830 deri 1877, SHBA shpikën pastrimin etnik ose zhvendosjen e grupeve etnike (“fiset”) nga një skaj i kontinentit në tjetrin. Nën emrin e gënjeshtërt të Shtetit të Ri të Kongos (1885- 1908), në vetëm dy dhjetëvjeçarë, administrata e monarkut belg zhduku rreth gjysmën e popullsisë (10 milionë) përmes punës së detyrueshme. Në agun e shekullit XX, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania i përsosi kampet e përqendrimit. Perandoria Gjermane e zbatoi këtë metodë, duke ushtruar gjenocidin e Hereros dhe Namës (1904-1908) në Afrikën Juglindore (Namibia e sotme). Gjatë ekspansionit drejt jugut të Perandorisë Ruse, në kurriz të Perandorisë Otomane, në shekullin XIX, Shën Petërsburgu e shfrytëzoi me sukses pastrimin etnik. Për shembull, gjatë viteve 1977- 1978 në Bullgari dhe gjenocidin për çrrënjosjen e kaukazianëve (1864), në atë që sot quhet rajoni i Krasnodarit i Rusisë në Kaukaz.

Ndërkohë, industrializimi i përshpejtuar dhe zhvillimi teknologjik në Europë dhe në Amerikën e Veriut u dha politikanëve armë të shkatërrimit në masë (trenat e blinduar, armë automatike, telat me gjemba, tanke, aeroplanë lufte dhe obusë). Duke reflektuar ndaj këtyre zhvillimeve, industrialisti dhe bankieri me bazë në Varshavë (atëherë në Rusi), Jan Bloch, shkroi një vepër në gjashtë vëllime, me titull “A është e mundshme një luftë tani?” (1899). Sipas tij, një dijeni e tillë për potencialin vdekjesjellës të këtyre teknologjive të kasaphanës duhet të na bëjë që ta shmangim një luftë të ardhshme në Europë.

Sidoqoftë, këto armë të shkatërrimit në masë u përdorën gjatë Luftës së Parë Botërore, në kombinim me praktikën koloniale të përmendur më sipër të “mbarështimit të popullsisë”, “si të justifikuara” nga pikëpamja mbizotëruese, atëherë raciste, për disa grupe njerëzore “inferiore”.

Fronti i Lindjes ishte më i përgjakshmi, më i gjati dhe më gjerësisht i lëvizshëm. Ai shtrihej në 2000 km nga Baltiku në Detin e Zi dhe zhvendosej në 1500 km nga Polonia e sotme në Kaukaz. Në këtë zonë lufte, të gjitha perandoritë e paraluftës u shkatërruan (Austro-Hungaria, Perandoria Otomane, Rusia) dhe u zëvendësuan me shtete të reja.

Ndërsa në Perëndim lufta mbaroi në vitin 1918, në Lindje ajo zgjati deri 1920. Shkatërrimi i tërësishëm i strukturave shtetërore humbjet e popullsisë nga gjenocidi (përfshi gjenocidin e Perandorisë Otomane ndaj armenëve dhe sirianëve 1915), detyruan miliona civilë të zhvendosen.

KRIJIMI I KULAKËVE DHE MUNGESA E DEMOKRACISË

Duke shfrytëzuar mundësinë e rrallë të pasluftës të falimentimit të plotë të shtetësisë në gjysmën lindore të Europës, bolshevikët, nën udhëheqjen e Vladimir Leninit, morën pushtetin në Rusi dhe në vitin 1922 vendi mori emrin Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Ambicia ishte ta përhapnin komunizmin nëpër botë dhe të ndërtojnë një perandori globale bolshevike. Ndërmjet 1917 deri 1921 ndodhën disa revolucione dhe kryengritje të stilit bolshevik që nga Franca Lindore deri në Rusi dhe nga Finlanda në Hungari. Por pas dështimit të Ushtrisë së Kuqe në Luftën Bolshevike-Polake (1919- 1921), përhapja kah perëndimi e komunizmit u ndërpre. Kremlini pati më shumë sukses në përhapjen e ideologjisë së vet në Azi, duke i prirë themelimit të shteteve komuniste sovjetike satelite të Tannu Tuvaanit dhe Mongolisë më 1921 dhe 1924 përkatësisht.

Pas vdekjes së Leninit më 1924, Josif Stalini mori kreun e qeverisë sovjetike, ai përparimisht spastroi, burgosi dhe vrau çdo kundërshtar të tij për pushtetin, duke u bërë eventualisht Prijësi (vozhd) i padiskutueshëm në vitet 1936- 1938. (Spastrimi i Madh u kushtoi jetën 1.2 milionë njerëzve). Që në kohën e Leninit disa grupe sociale, politike, ekonomike dhe etnike u përzunë, u burgosën ose u shfarosën, duke filluar në vitin 1919. Policia e Sigurisë (NKDV, më pas KGB) e themeluar më 1917, u ngarkua për kryerjen e një shtypjeje të tillë. Kampi i përqendrimit të Solovkit, i ngritur më 1923 në disa ishuj të Detit të Bardhë, ishte fillimi i sistemit të gjerë të punës së detyruar dhe i kampeve të përqendrimit (Kulakët). Deri në vitin 1953, u burgosën thuajse 20 milionë njerëz në kampet ose më shumë se 10 % e popullsisë sovjetike. Një e dhjeta e tyre u vranë ose vdiqën nga mosushqimi dhe puna e rëndë. Në vitin 1960, shtatë vjet pas vdekjes së Stalinit, zyrtarisht kulakët u shkrinë, por disa nga kolonitë e dënimit mbijetuan deri në fundin e Bashkimit Sovjetik dhe madje, vijojnë edhe në ditët tona në Federatën Ruse.

Sistemi sovjetik i kampeve të përqendrimit është shtrirë sot në shtetet komuniste si Kina, Kuba, Laosi, Koreja e Veriut dhe Vietnami. Gjermania demokratike ndërmjet luftërave botërore (zyrtarisht e njohur si “Perandoria Gjermane”) bashkëpunonte fshehurazi me Kremlinin, kështu ushtria gjermane, e kufizuar rreptësisht nga Traktati i Versajës, mundej të stërvitej në BS. Në vitin 1933, në rrugën e populizmit që lindi nga papunësia në rritje dhe diktati i Versajës, partia e Adolf Hitlerit (Partia Nacional-Socialiste e Punëtorëve Gjermanë) e mori pushtetin në Gjermani dhe nisi çmontimin e demokracisë. Ndonëse regjimi nazist ishte tërbueshëm antikomunist dhe antisovjetik, ai faktikisht i ngriti lart metodat e totalitarizmit stalinist apo të “prijësit të vetëm”, që kontrollon të gjithë jetën publike të vendit, duke përfshirë edhe disa sfera të jetës private të qytetarëve. Nuk ishte e beftë që, sikurse Stalini, Hitleri e modeloi veten si prijës dhe zhvilloi kultin e personalitetit të vet.

Kampet e para të përqendrimit atje u ndërtuan në vitin 1933 dhe, sikurse kulakët, e kishin synim burgosjen dhe shfarosjen e grupeve sociale, politike dhe etnike të përcaktuara si “të padëshirueshme”.

Nëpunësit e dikurshëm gjermanë të kolonive u caktuan të drejtonin sistemin totalitar të shtypjes.

Në kursin e Holodomorit të planifikuar (gjenocidi përmes urisë, 1932-1933), Kremlini shfarosi më tepër se pesë milionë ukrainas dhe gjysmën e kazakëve. Për këtë “sukses”, më 1934, BS u shpërblye me anëtarësinë e kërkuar prej kohësh në Lidhjen e Kombeve.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Naziste përmirësoi me këtë metodë shfarosjen (ndjeshëm, me përdorimin e makinave llogaritëse, të furnizuara të gatshme nga kompania amerikane IBM, të paguara me para transfertë përmes bankave të Zvicrës asnjanëse) dhe e zbatoi atë duke kryer Holokaustin e hebrenjve dhe romëve (gabelëve) dhe vrasjen e miliona sllavëve (me “racë inferiore” (bjellorusë, polakë dhe ukrainas) dhe të robërve të luftës sovjetikë. Si në rastin e BS, puna e skllavit u bë shtylla kurrizore e ekonomisë në Perandorinë e Zgjeruar Gjermane (e riemëruar e tillë në 1943).

Ndërmjet viteve 1916 e 1926 konstatojmë spastrime etnike, nga njëri shtet në tjetrin (falë mobilizimit masiv të popullsisë).

Gjermania (krahas Austro-Hungarisë) ishte e detyruar ta pranonte paqen e Versajës, por këtë e pa si një poshtërim nga ana e aleatëve perëndimorë, si diktat. Ndonëse SHBA ishte arkitekti kryesor i sistemit, Uashingtoni qëndroi larg Lidhjes së Kombeve (LK), që duhet të mbikëqyrte sistemin. Për më tepër, në agun e Depresionit të Madh (1929-1939), Britania dhe Franca e humbën gjithashtu interesin për mbarështimin e Lidhjes së Kombeve. Ndërmjet mesit të viteve ‘20 dhe ‘30, demokracia u zëvendësua me autoritarizmin (fashizmin, populizmin, nacionalizmin ksenofob) si mënyra e parapëlqyer e qeverisë në gjysmën lindore të Europës, me përjashtimin e pjesshëm të Skandinavisë dhe Çekosllovakisë.

Më në fund, në Marrëveshjen e Mynihut (1938), Londra dhe Parisi, në mënyrë të njëanshme, e detyruan Pragën t’u dorëzojë Gjermanisë, Hungarisë dhe Polonisë rajonet kufitare të Çekosllovakisë. Demokracia mbaroi në Europën Qendrore.

NAZIZMI DHE STALINIZMI, NGA MIQËSIA NË LUFTË

Tetëdhjetë vjet më parë (23 gusht 1939), në Moskë, Berlini dhe Kremlini bënë një marrëveshje sekrete për copëtimin e Europës, që nga Skandinavia deri në Detin e Zi, ndërmjet Perandorisë Gjermane dhe Bashkimit Sovjetik.

Më 1 shtator 1939, trupat gjermane sulmuan Poloninë dhe më 17 shtator Ushtria e Kuqe hyri në Poloni nga lindja, një ditë pasi mposhti japonezët në Mongolinë e Brendshme. Aleanca dyvjeçare përfundoi më 22 qershor 1941, kur Berlini sulmoi aleatin sovjetik.

Gjatë luftës, Gjermania (përfshi Austrinë), krahas aleatëve të vet, asgjësoi gjashtë milionë hebrenj dhe më shumë se gjysmë milioni romë. Në Europën qendrore-lindore nuk mbijetoi asnjë hebre. Në Europën e pushtuar nga Gjermania, Shqipëria ishte i vetmi shtet që mbrojti qytetarët e vet hebrenj, po ashtu hebrenj që erdhën në Shqipëri nga vendet e tjera, kështu numri i hebrenjve në të u njëmbëdhjetëfishua nga 200 në 2400 vetë. Tre milionë e gjysmë të burgosur sovjetikë të luftës dhe dy milionë e gjysmë të tjerë u zhdukën në kampet gjermane të shfarosjes. Nga ana tjetër, 2.7 milionë të burgosur gjermanë të luftës u mbyllën në kampet e përqendrimit sovjetike, nga të cilët 14 % u shfarosën. Humbjet tërësore të luftës qenë 55 milionë civilë dhe 25 milionë ushtarë. Nazizmi, si sistem dhe projekt politik, mori fund në vitin 1945, ndonëse disa diktatura latino-amerikane përshtatën disa elementë të tij, krahas azilit që u dhanë kriminelëve nazistë të luftës. Stalinizmi mbaroi zyrtarisht në vitin 1956, tre vjet pas vdekjes së Stalinit. Elementë të këtij sistemi dhe ideologjisë së tij mbijetuan deri në falimentimin e bllokut sovjetik më 1989 dhe shkatërrimin, dy vjet më pas, të Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ngre lart Stalinin si “një udhëheqës të madh”. Ndërkohë, stalinizmi vijon të lulëzojë në Korenë e Veriut ose në Kinë, ku maoizmi është bërë i njohur, eufemisht, si “modeli kinez”.

Britania dhe Skocia janë të vetmet vende ku në shekullin XX nuk ka pasur kampe përqendrimi dhe nuk ka ndodhur spastrim etnik. Por Londra, për shembull, lejoi të ndodhte uria në Bengal më 1943 (kur vdiqën 3 milionë vetë), drejtoi në vitin 1947 ndarjen e Raxhit Britanik në dy shtete- Indinë dhe Pakistanin, që u spastruan etnikisht (“u zhvendosën”) deri 14 milionë dhe vdiqën 2 milionë vetë.

Bashkimi Europian (BE) u themelua në vitin 1958 (i njohur atëherë si Komuniteti Europian) për ta ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në Europën Perëndimore dhe për të shmangur atje ringjalljen e nazizmit (ose të nacionalizmit të skajshëm, antiliberalizmit, autoritarizmit, totalitarizmit) ose rikthim të sovjetëve (stalinistëve).

Në vitin 2009, u shpall si Ditë Botërore e Kujtesës së Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, 23 gushti. Tetëdhjetë vjet më parë, në vitin 1939, këtë ditë, nazizmi dhe stalinizmi qenë bashkuar dhe kishin vendosur totalitarizmin në shumicën e vendeve europiane.

Ne duhet të mësojmë dhe të kujtojmë tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe të totalitarizmit, “të mos harrojmë”. “Sepse harresa sjell përsëritjen, mbase me emra të rinj”.

* Universiteti i Shën Andreas

“Kërriçi i Kryeministrit”, media greke reagon pas raportimit të Cakajt në komision

Nje dite pas raportimit qe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj beri  Kuvendin e Shqiperise, ne Komisionin e Integrimit në lidhje me hapat e ndërmarra për të marrë një përgjigje pozitive per negociatat, mediat greke nuk i kane kursyer kritikat per te.

Tachydromos.org pasi ka ndjekur me vemendje deklaratat e bera gjate kesaj seance ka botuar një artikull me titull: “MEPJ i vogël kosovar për minoritetin etnik grek”, duke e quajtur atë, nder te tjera “kërriçin e Kryeministrit”.

“Ndërsa z. Mitsotakis e bën të qartë se ai dëshiron të shohë përparim praktik në të drejtën e pronës për minoritetit etnik grek, z. Rama po ecën përpara i pashqetësuar me legjie dhe VKM për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme të minoritetin etnik grek, manastireve dhe famullive në rajonin bregdetar të Himarës – Sarandë”- shkruhen nder te tjera ne kete shkrim.

 

Shkrimi i plotë i tachydromos.org:

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, gjatë paraqitjes në Komisionin e Integrimit Evropian të Parlamentit shqiptar foli në lidhje me progresin e Qeverisë Rama, dhe punën e bërë që në tetor vendi të marrë një datë për fillimin e negociatave të integrimit. Pavarësisht përpjekjes së Zëvendësministrit (bëhet fjalë për kërriçin e Kryeministrit që e ka bërë Ministër duke shkelur kushtetutën dhe çdo precedent) për t’i paraqitur gjërat bukur, por që në praktikë mbetet një çështje aspak e lehtë.

Kjo për faktin se qeveritë e Francës dhe Holandës e kanë bërë të qartë se në rrethanat aktuale, Shqipëria nuk mund të marrë një ftesë.

MEPJ insistoi në raportin gjashtëmujor të Komisionit Europian i cili rekomandon që Shqipërisë dhe Shkupit t’i jepej një datë fillimi të negociatave, por duke mos arritur të shpjegojë ngurrimin e vendeve të veçanta të cilat paraqesin kushte shtesë në mënyrë që të hapin çështjen në Këshillin e BE-së që zhvillohet në mesin e muajit tjetër. Së fundmi, klima me të cilën u përball Kryeministri Edi Rama në Kancelarin (gjermane) gjatë javës së kaluar nuk është aspak inkurajuese. Cakaj këmbënguli në qëndrimin stereotip të Qeverisë së tij se janë plotësuar pesë kushtet e paraqitura në konkluzionet e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së një vitë më parë, kështu që siç thotë fuqimisht mentori i tij Rama, topi tani është në dorën e vendeve evropiane. Në pjesën më të madhe të rasteve, Rama insiston, sipas mësimeve të Erdogan, se evropianët janë në mëdyshje për Shqipërinë për shkak se vendi është me pupullsi në shumicë myslimane. Kështu ai provokon euroskepticizmin në opinionin publik.

Në të njëjtën gjatësi vale dhe kërriçi i tij, Ministri i vogël i Jashtëm kosovar. Në një pyetje shqetësuese nga një deputet i opozitës në Komisionin e Integrimit Evropian për një ndryshim të qëndrimit të Qeverisë Greke, për të cilin Kryeministri (grek) shprehu se ai nuk ka ndërmend të japë pëlqimin në tetor, nëse nuk ndërmerren hapa praktikë për trajtimin e minoritetit etnik grek, Caka u përgjigj se ne i kemi plotësuar kushtet. Sigurisht, masën e përcakton shefi i tij dhe ai vendos nëse janë përmbushur apo jo parakushtet. Në çdo rast, ai ishte edhe më provokues duke thënë se nuk mund të analizojë dhe të merret me qëllimet specifike të çdo kreu të shtetit dhe në rastin e Kryeministrit grek, ajo që ai di është që situata e minoritetit etnik grek është shumë e qartë dhe publike!!!

Kjo është pikërisht ajo që po e shqetëson Kryeministrin grek dhe vetë minoritetin etnik grek: situata është e qartë dhe në mënyrë dramatike shqetësuese. Qeveria Rama jo vetëm që nuk arrin të marrë një qasje të sinqertë ndaj problemeve dhe të gjejë zgjidhje të pranueshme, por në mënyrë provokative, kryen veprime edhe më abuzive. Raporti i Këshillit të Evropës është teksti më i detajuar se si është situata. Është pasqyra para së cilës duhet të ulet Gent Cakaj para se të flasë publikisht.

Në intervalin kohor midis këtij qëndrimi dhe deklaratave të Kryeministrit grek shfaqen dy elementë. Ndërsa z. Mitsotakis e bën të qartë se ai dëshiron të shohë përparim praktik në të drejtën e pronës për minoritetit etnik grek, z. Rama po ecën përpara i pashqetësuar me legjie dhe VKM për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme të minoritetin etnik grek, manastireve dhe famullive në rajonin bregdetar të Himarës – Sarandë. Mediat e opozitës theksuan insistimin e Ramës që edhe pse mund të mbante për një kohë projektligjin në fjalë që ishte kthyer nga Presidenti për rivlerësim si antikushtetues, ai ia kaloi menjëherë Komisionit të Financave të Parlamentit, duke i dërguar një mesazh tejet sfidues homologut të tij grek para takimit të tyre në Nju Jork.

Le të mos harrojmë se kjo çështje është gjithashtu në axhendën e Komisionit Evropian, sepse ajo përfshihet në konkluzionet e Këshillit të fundit të Punëve të Jashtme të BE-së dhe në qëndrimet e shprehura në Parlamentin Evropian me ndërhyrje dhe pyetje përkatëse.

E dyta ka të bëjë me fenomenin e tendencës së ulët të shpërnguljes së minoritetit etnik grek. Mungesa e përkujdesit shtetëror për infrastrukturën dhe stanacioni ekonomik që prek zonat rurale, po largojnë gjithnjë e më shumë grekët nga shtëpitë e tyre stërgjyshore. Një reportazh i Zërit të Amerikës në shqip zbuloi situatën dramatike demografike në fshatin Andon Poçi, i banuar kryesisht nga vllahë-grekë. Ndërsa dikur fshati ishte një model i organizimit të komunitetit dhe ekonomisë familjare, sot është thuajse i shkatërruar.

Nëse për Cakajn dhe Ramëm nuk mjafton Raporti i Këshillit të Evropës për shkeljet e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare, dhe as qëndrimet e OMONIA-s, të paktën të përqendrohen në raportimet dhe analizën e mediave vendase”.

Të dërguarin evropian për dialogun do ta caktojë Gjermania?

Gjeraqina Tuhina

Është gjithnjë e më e sigurt se gjatë mandatit të ri të institucioneve të Bashkimit Evropian, pritet të emërohet një i dërguar i posaçëm që do të merret me normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Sipas burimeve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në rast se përbërja e re e Komisionit Evropian vendos të bëjë këtë emërim atëherë, personi që do ta ushtrojë këtë funksion do të jetë nga Gjermania.

Burime të REL-it nga Qeveria gjermane kanë konfirmuar se Berlini zyrtar është shumë i interesuar për një të dërguar të mundshëm që vjen nga ky vend.

Sipas burimeve në Berlin, në momentin kur nisma fillon zyrtarisht, Qeveria gjermane do të insistojë që ndërmjetësi në dialogun e bllokuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë përfaqësuesi i saj.

Sipas burimeve gjermane, kjo do të “amortizonte” procesin e udhëhequr deri tani nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në largim Federica Mogherini, e cila, siç thonë në Berlin, “në mënyrë të pashmangshme çonte në një shkëmbim territoresh”.

Dy arsye për emërimin e të dërguarit të posaçëm

Burime nga disa shtete anëtare të BE-së tregojnë se ekzistojnë dy arsye për caktimin e një përfaqësuesi të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

E para ka të bëjë me vendimin e fundit të administratës amerikane për të emëruar Matthew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Një rrethanë tjetër që çon në vendimin për emërimin e një të dërguari special evropian është Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm i BE-së, Josep Borrell.

Ministri aktual i Jashtëm i Spanjës, dhe kryediplomati i ardhshëm evropian, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai personalisht ka qenë shumë kritik.

Megjithëse BE-ja pretendon të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës, burimet diplomatike të BE-së e konsiderojnë se pozicioni i Borrellit si një lehtësues ose ndërmjetës në dialog, është shumë i ndjeshëm.

Toby Vogel, një ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), mendon se ideja e emërimit të një të dërguari të BE-së për të mbikëqyrur dialogun Prishtinë-Beograd është i kuptueshëm, pasi do të lehtësonte punën e Josep Borrellin, i cili, sipas tij do të merrej me çështje më të ngutshme ditore.

Në një bisedë me Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët evropianë shpjegojnë mundësinë e emërimit të një të dërguari të veçantë me faktin se dialogu ndërmjet Kosovës-Serbi kërkon energji të veçantë, investim në kohë dhe angazhim, kështu që është “më e mençur të emërosh një person që të merret vetëm me këtë çështje”.

Të njëjtat burime njoftojnë se, në terma zyrtarë, i mbetet Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell të vendosë nëse ai do të angazhohet në dialog personalisht, ose, si një skenar më i mundshëm, ta delegojë çështjen te përfaqësuesi i posaçëm.

Sipas burimeve jozyrtare të BE-së, Borrell tashmë ka treguar se është në gjendje të heqë dorë nga ndërmjetësimi duke emëruar një të dërguar special. Zyrtarët e BE-së presin që gjërat të jenë më të qarta në tetor pas një debati në Parlamentin Evropian, kur duhet të diskutohet edhe konfirmimi i emërimit të Josep Borrell në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar. Në përgjigje të masave të Serbisë për të bllokuar pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar pret që Qeveria e ardhshme e Kosovës të përqendrohet në çështjen e taksës, duke krijuar kështu kushte për rinisjen e negociatave, pasi Serbia refuzon të kthehet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e saj.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Media: SHBA arrijnë në përfundimin se Irani është autor i sulmeve ndaj naftës saudite

Pamje nga sateliti e një rafinerie saudite që digjet pas sulmeve nga ajri

Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se ishte Irani që ndërmori sulmet me dronë dhe raketa fundjavën e kaluar, të cilat paralizuan gjysmën e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite.

Rrjeti CBS News citon zyrtarë të paidentifikuar që thonë se në sulmet e mesnatës të së shtunës u përdorën raketa kruz me lartësi të ulët fluturimi. NBC News tha se gjatë sulmeve u përdorën më shumë se 20 dronë dhe raketa.

Njëra prej raketave fluturoi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa drejtohej për në jugun e Arabisë Saudite, njoftoi CBS. Ndërkohë, SHBA po punojnë me vende të tjera për të analizuar gjurmët e radarit të fluturimit të raketave. Analistët gjithashtu po shqyrtojnë një mekanizëm të telekomandimit të raketave të gjetur në Arabinë Saudite si dhe një raketë pothuajse të paprekur kruz.

Përfundimet e arritura nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe nga ushtarakët u njoftuan ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte nisur për në Riad për të diskutuar me zyrtarët e Arabisë Saudite.

Nënpresidenti Mike Pence tha gjatë një fjalimi në Uashington se diplomati i lartë amerikan do të diskutojë mbi kundërpërgjigjen amerikane ndaj sulmit, ndërkohë që si Arabia Saudite ashtu edhe Presidenti Donald Trump kishin sinjalizuar tashmë se ata besojnë që Irani është përgjegjës për sulmet.

MBRETËRIA SAUDITE, E EKSPOZUAR NDAJ SULMEVE ME DRONË

Sulmet e fundit në qendrën e naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite në Abqaiq dhe Khurais tregojnë se edhe një vend me një ushtri të sofistikuar dhe një buxhet të madh mbrojtjeje është i prekshëm nga sulmet e dronëve.

Shtetet e Bashkuara thonë se imazhet satelitore dhe informacionet e zbulimit tregojnë se në sulmet me dronë kundër rafinerive saudite të naftës u përdorën armë iraniane. Sulmet kanë paralizuar gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite. Ekspertët e sigurisë thonë se ky incident i fundit ngjall shqetësim në rritje për evolucionin e shpejtë të teknologjive që po zgjerojnë aftësitë sulmuese të dronëve.

Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë kanë thënë për mediat perëndimore se më shumë se 12 sulme goditën instalimet nga një drejtim perëndim-veri-perëndim dhe jo nga jug-perëndimi siç pretendohet nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen, të cilët thanë se ishin ata që e kishin ndërmarrë sulmin e koordinuar.

Në korrik, rebelët huthi, të cilët janë duke luftuar kundër një koalicioni të udhëhequr nga sauditët në Jemen, demonstruan raketat e tyre kruz me rreze të gjatë veprimit të prodhuara nga Irani, të quajtura “Al-Quds” dhe dronët “Sammad 3” të ngarkuar me eksploziv që thuhet se mund të godasin objektiva deri në 1.500 kilometra larg.

Asnjë sulm i mëparshëm, që nga fillimi i konfliktit në Jemen katër vjet më parë, nuk ka ndërprerë furnizimet e naftës. Por këto sulme kanë paralizuar kapacitetet prej 5.7 milionë fuçi naftë në ditë në tregjet botërore. Ato gjithashtu kanë ekspozuar cenueshmërinë e qendrës prodhuese të naftës saudite.

Analistët e mbrojtjes thonë se sulmet kanë ekspozuar probleme strukturore në mbrojtjen e mbretërisë saudite. Ata thonë se sistemet – megjithëse të sofistikuara – janë krijuar për mbrojtje kundër sulmeve të stilit tradicional – dhe jo për ato asimetrike, si sulmet me dronë.

Deficiti tregtar i Kosovës kalon mbi tre miliardë euro

Disa kamionë të ardhur nga Serbia të parkuar në pikëkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdare.
Luljeta Krasniqi – Veseli

Kosova ka një deficit vjetor tregtar që arrin shifrën në mbi 3 miliardë euro. Ky deficit tregtar, sipas ekspertëve, është i lartë dhe vjen si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve. Si i tillë, deficiti në këtë nivel, nënvizojnë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve, ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2018, vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë kishte arritur shifrën mbi 3 miliardë euro, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës, ishte mbi 350 milionë euro.

Ndërkaq, në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportin “Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë”, theksohet se eksporti i mallrave në muajin korrik 2019 kishte vlerën 40.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerë 336.8 milionë euro.

Këto shifra tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3 për qind në muajin korrik 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Deficiti tregtar, sipas BQK-së, ka shënuar rritje nga viti në vit.

Kjo situatë nga ekspert të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve konsiderohet të jetë e dëmshme në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ulë varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi, nëpërmjet nxitjes së prodhimtarisë vendore.

Por, sipas tij, ajo që po pamundëson zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e prodhimtarisë vendore, është pabarazia në treg.

“Fatkeqësisht, Kosova ka një deficit të lartë tregtar që tejkalon 3 miliardë euro në vit, që do të thotë se vetëm 1 me 10 e importit të mallrave dhe prodhimeve të cilat vijnë në Kosovë, mbulohen nga eksporti, ku shprehur në shifra 1 me 10 e kemi proporcionin e bilancit tregtar me botën e jashtme. Pavarësisht disa skemave publike të përkrahjes së prodhimit vendor, megjithatë hendeku i deficitit të lartë tregtar me botën e jashtëm po thellohet në vazhdimësi, pasi që këto skema nuk po japin efektet e dëshiruara për shkak të korrupsionit të nivelit të lartë që ekziston në Kosovë dhe pabarazisë në treg”, thotë Gashi.

Kosova vazhdon të ketë një sektor jokonkurrues të prodhimit. Prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përballen me probleme të shumta, si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike, konkurrenca jo e barabartë.

Gashi thekson se të gjitha këto probleme duhet të eliminohen për të përmirësuar bilancin tregtar.

“Bizneset në Kosovë, të cilët kanë lidhje me pushtetin, ato janë të favorizuara në treg dhe zakonisht ato marrin projekte nga fondet publike, ndërsa ato të cilat investojnë në kapacitetet e fuqisë punëtore dhe në teknologji, ato në fakt nuk janë konkurrente në treg për shkak të pabarazisë”, thotë Gashi.

Kurse, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se deficiti i lartë tregtar është një dukuri e cila po pamundëson zhvillim dhe rritjen ekonomike në vend.

“Kosova vuan ende nga mungesa e një dokumenti kombëtar, pra një strategjie kombëtare për zhvillim ekonomik, ku do t’i vendoste prioritet e veta e njëra nga to është edhe zvogëlimi i deficitit tregtar, duke e zëvendësuar atë me prodhim vendor. Që nga mbarimi i luftës, Kosova ka pasur deficit tregtar me miliarda euro. Kjo neve na bën të jemi të varur nga importi, nga inflacioni dhe vazhdimisht të jemi vendi që eksporton para të gatshme, qoftë të taksapaguesve, qoftë paratë e buxhetit dhe po ashtu remitencat – paratë që vinë nga diaspora”, thotë Shahini.

Ndërkohë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati thënë se me një fokus më të madh në sektorin ekonomik, Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike prej 6 deri në 7 për qind, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të adresonte dy nga problemet me të cilat përballet vendi, siç është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar.

SHBA, çifti kinez nën akuza për vjedhje të pronës intelektuale

Një çift kinezo-amerikan është arrestuar dhe përballet me akuzat se kanë vjedhur sekrete shkencore nga një spital pediatrik në Ohajo. Ky është një tjetër rast i ngritjes së akuzave nga autoritetet federale me synimin për t’u prerë rrugën vjedhjeve të pronës intelektuale, për të cilat Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën.

Autoritetet njoftuan të hënën se çifti Yu Zhou, 49-vjeç dhe bashkëshortja e tij 46-vjeçare Li Chen, punonin në laboratorë të ndryshëm në Spitalin Pediatrik të qytetit Kolambus të Ohajos për 10 vjet, duke vjedhur rezultate të kërkimeve shkencore të mbrojtura me patentë shpikjeje, të tranferuara për përfitim personal.

Sekretet shkencore për të cilat akuzohet çifti me vjedhje/transferim, luajnë një rol kyç në diagnostikimin dhe mjekimin e një numër problemesh shëndetësore te fëmijët, që nga kanceri i mëlçisë si dhe një anomali tek foshnjat e lindura premature, siç thuhet në aktpadinë federale.

Dokumenti i akuzës shpjegon se çifti krijoi një kompani në Kinë në 2015 pa dieninë apo autorizimin e spitalit, për të tregtuar produkte që lidheshin me këtë teknikë mjekësore. Dy vjet më pas, Zhou ishte i përfshirë në themelimin e një kompanie bioteknologjike amerikane, përmes së cilës reklamonin produkte, përfshirë një mini-laborator për përdorim personal, i cili përfshinte avancime shkencore të mbrojtura me patentë, të zhvilluara në laboratorin kërkimor të spitalit. Pak para se të dorëhiqej nga spitali në 2017, Zhou njoftoi në një konferencë për shtyp se kompania e tij e re do të shiste “sisteme mjekësore të mbrojtura me patentë” nga zyrat e saj në qendër të Ohajos.

“Spitali Pediatrik ka shpenzuar vite të tëra dhe fonde nga buxheti i vet për të bërë kërkime për këtë element të patologjisë së njeriut në mënyrë që të avancohej shkenca mjekësore në mënyrë të ndershme,” tha përmes një deklarate Benjamin Glassman, prokuror federal për Distriktin Jugor të Ohajos.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, spitali thotë “Kur zbuluam këtë incident, njoftuam FBI-në dhe kemi bashkëpunuar me ta në mënyrë aktive”.

Çifti u arrestua në korrik. Aktpadia u bë publike të enjten kur ata dolën para gjykatës federale ku iu lexuan zyrtarisht akuzat, të cilat ndëshkohen me 10-20 vjet burg.

Avokatët e çiftit nuk i janë përgjigjur ende një emaili të Zërit të Amerikës për të komentuar për çështjen.

Aktpadia ngrihen ndërkohë që administrata Trump po merr masa ndaj atyre që i cilëson si praktika grabitqare nga ana e Kinës, me vjedhje të pronës intelektuale amerikane. Kjo çështje ka qenë ndër temat kryesore në tensionet SHBA-Kinë.

Në dhjetë muajt e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër shtetasve dhe kompanive kineze në të paktën shtatë raste të veçanta të spiunazhit ekonomik, një rritje e konsiderueshme krahasuar me tre akuza të ngritura në dhjetë muajt pararendës. Po ashtu në gjashtë raste të tjera gjyqësore për spiunazh, të akuzuarit kanë pranuar fajin dhe janë shpallur dënimet, pas akuzave ndaj katër shtetasve kinezë se kanë anashkaluar sanksionet kundër Koresë së Veriut.

“Vjedhja e sekreteve tregtare është një kërcënim në rritje që ndikon seriozisht tek ekonomia dhe siguria jonë kombëtare,” thotë agjenti special i FBI-së, Todd Wickerham, i cili kryeson hetimet.

Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar arrestimin e një punonjësi të qeverisë kineze nën akuzat për mashtrim dhe manipulim për të siguruar viza jashtë rregullave për miq të tij që punonin në qeveri.

Zhongsan Liu u arrestua të enjten në Fort Li të Nju Xhërsit dhe më pas doli para gjykatësit federal në Nju Jork.

“Mirëpresim studentë të huaj, studiues nga vende të tjera, përfshirë edhe nga Kina, por nuk mirëpresim mashtrime me vizat, sidomos në interes të një qeverie tjetër,” tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm John C. Demers. “Ne do të vazhdojmë t’u kundërpërgjigjemi përpjekjeve të qeverisë kineze për të anashkaluar ligjin amerikan me qëllim që të çojë përpara interesat e saj duke transferuar në mënyrë të paligjshme arritje shkencore dhe dije në Kinë”.

A është Shqipëria një kakistokraci? Më shumë ngjan si kakonomi – Nga ENTON PALUSHI

Ish-kryeministri Sali Berisha e përsëriti edhe gjatë një interviste se qeveria është një kakistokraci. Kjo nuk është hera e parë kur ai e përdor këtë etiketim, pavarësisht se nuk e ka marrë kush mundimin për ta pyetur më tej se çfarë është kakistokracia, sikundër nuk ka pasur asnjë shpjegim në median tradicionale. Ndoshta kjo vjen për shkak të gjuhës plot ngjyra që përdor zakonisht zoti Berisha. Me shumë gjasë njerëzit i kanë rënë shkurt dhe kanë bërë lidhjen: kakis është diçka e keqe dhe kratos do të thotë qeverisje, kështu që me pak fjalë, Berisha po na thotë se kjo është një qeverisje muti.

Nuk është interpretim i keq. Vetëm se, kur kjo fjalë u përdor në SHBA nga ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, rrjetet sociale shpërthyen. Fjalorët online raportuan një rritje të pazakontë të kërkimeve për këtë fjalë. Brennan po i referohej qeverisjes së Donald Trump si një ‘kakistokraci’. Për ta shpjeguar për lexuesit, ky term është përdorur për herë të parë në Angli në shekullin e 17-të gjatë një fjalimi kur Paul Gosnold paralajmëroi se monarkia po rrëshqet në një kakistokraci, që përndryshe përkthehet si qeverisje nga njerëzit më të këqinj, më pak të kualifikuar ose nga njerëzit me më pak skrupuj. A është qeverisja e Edi Ramës një kakistokraci? Ka shumë njerëz që do e pranonin se kurrë më parë përfaqësimi në Kuvend apo në organe të tjera të shtetit nuk ka qenë në këtë nivel të mjerueshëm. Por më shumë se kakistokraci, Shqipëria është në pikë të hallit për shkak se i ngjan një tjetër fjale me kakë. Ajo është një kakonomi.

***

Përse po na mbyt mediokriteti? Përse gjërat nuk kanë cilësi? Përse Italia nuk u afrohet në këtë drejtim vendeve të tjera si Franca apo Britania? Për këto tema po diskutonin një ditë dy prej akademikëve më të njohur italianë në botë: Gloria Origgi, filozofe e institutit ‘Jean Nicod’ në Paris dhe Diego Gambetta, profesor sociologjie në Oksford. Pas kritikave të shumta për mënyrën se si organizohen gjërat në Itali, sidomos në planin akademik, ata arritën në përfundimin se kjo vjen për shkak të kakonomiksit- ose ndryshe ekonomisë së keqe.

Çfarë është kakonomiksi? Në një botë ideale mendohet se qëllimi i një kontrate është i tillë: të marrësh cilësinë më të lartë të një malli ose shërbimi në këmbim të pagesës. Po sikur palët të shkojnë me dëshirë drejt cilësisë së ulët? Madje ndihen mirë me këtë gjë, pavarësisht se kushtet e kontratës parashikojnë marrjen e shërbimit më të mirë. Imagjinoni një profesor që duhet të japë disa seminare për një shumë prej 1200 eurosh. Pagesa ka gjashtë muaj që i vonohet dhe në total i thuhet se do marrë vetëm 750 euro (gjasme do i zbriten ca taksa). Ndërkohë lektori e kalon shumicën e kohës me pushime dhe rrallë shfaqet përpara studentëve. Në mënyrë të çuditshme të gjithë ndjehen mirë: studentët bëjnë më pak mësim, fakulteti nuk ndjehet i turpëruar pasi tek e fundit profesori ka ardhur ndonjë ditë dhe ata kanë kursyer qindra euro për vete, profesori ka shijuar pushimet dhe nuk ka bërë ndonjë punë serioze. Një amerikan që e shijoi këtë ‘dolce vita’ të Italisë, thotë se po ndërtonte një vilë në Toskana: “Por ndërtuesit italianë nuk e mbanin kurrë premtimin, megjithatë gjëja e mirë ishte se as nuk prisnin që t’i paguaja në kohë”.

***

Jo vetëm për shkak të afërsisë me Italinë, por edhe sepse i ngjajmë në mentalitet, mund ta kuptosh lehtë se Shqipëria është një kakonomi ‘perfekte’. Shembujt i gjen kudo. Sa herë zgjohem në mëngjes, një ekskavator ka muaj të tërë që bën sikur punon tek rruga aty afër, që duhej të kishte mbaruar prej kohësh. Firma bën sikur punon sepse e di se do marrë dikur lekët, shteti gëzon sepse ka marrë pjesën e tij të ryshfetit dhe e di që një ditë ajo rrugë do mbarojë. Qytetarët konsumojnë pluhur e ndotje, shkatërrojnë nervat e makinat, por tek e fundit gëzojnë se po punohet. Rruga do përfundojë dikur dhe cilësia e saj do jetë mediokre.

***

Kur flitet për kontratat, shumë njerëz mendojnë se historia është e thjeshtë: ti kërkon një shërbim dhe mall të caktuar, kompania ose shteti duhet ta ofrojë me cilësinë më të mirë. Por kontratat janë një lëmsh i madh, një histori e komplikuar dhe e studiuar vazhdimisht nga ekonomistët. Në vitin 2016, dy ekonomistë fituan Çmimin Nobel në Ekonomi pikërisht për studimin në fushën e kontratave. Para disa kohësh, disa këshilltarë të presidentit amerikan, Donald Trump, mbrojtën nismën e tij për PPP-të në infrastrukturë. Me mjaft elegancë, në një shkrim në Nju Jork Tajms, ata argumentuan se problemi nuk janë koncesionet, por duhet bërë gjithmonë kujdes kur hartohen kontratat, duke garantuar që ato të zbatohen mirë.

Tani rikthehemi në terren shqiptar. Mbyllini sytë për një moment dhe imagjinoni se çfarë do bënit me 1 milion euro. Me shumë gjasë do zgjidhnit shumë prej halleve në jetë dhe do vinit për vije shumë gjëra të tjera. Nuk i thonë kot pyetja ‘1-milionëshe’. Edhe në psikologji mendohet se ky është numri që maksimalizon lumturinë.

Tani hapni sytë dhe mendojeni pak me thellë: kjo shifra që do ju garantonte lumturinë vlen sa … 60 metra asfalt diku në një rrugë me koncesion andej nga Balldreni, një fshat që shumica e shqiptarëve nuk e dinë me saktësi ku i bie. E gjitha falë kontratës për rrugën Milot-Balldren. Po a mund të quhet kjo një kontratë e mirë? A nuk duhet të ankohen qytetarët për barrën që do e mbajnë në shpinë për një rrugë që shumë nuk e dinë se ku i bie dhe çfarë ndikimi do ketë në ekonominë e rrënuar shqiptare? Sepse tani qeveritarët e kanë kapur edhe fabulën e re, ia ‘rrasin’ kontratën mbi shpinë parlamentit. ‘The Economist’ shkruante para pak ditësh se regjimet autokratike po ia kalojnë barrën parlamenteve me vendimet kontroverse, si për të thënë: ja, nuk e shkelëm ligjin.

***

Kur e sheh se sa ka rënë niveli i përfaqësimit në parlament e qeveri në Shqipëri, e kupton se në mos jemi kakistokraci, po rrëshqasim me shpejtësi në këtë drejtim. Por nuk ka asnjë dyshim që jemi kakonomi. Një arsye më shumë se pse kemi ngecur në kurthin e nënzhvillimit.

Cili nga kandidatët për kryeministër do të bisedojë me Serbinë dhe në ç’mënyrë?

Bekim Bislimi

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja ndaj këtij dialogu, është një temat në të cilat janë fokusuar shumica e kandidatëve, të cilët partitë politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, i kanë nominuar për kryeministër të vendit.

Dy kandidatët për kryeministër të partive politike, të cilat në mandatin e kaluar legjislativ kanë qenë pjesë e opozitës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë përjashtuar mundësinë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces. Sipas tyre, rolin kryesor në udhëheqjen e këtij procesi do ta ketë Qeveria e Kosovës.

Vjosa Osmani, e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se procesin e dialogut me Serbinë, në rast se bëhet kryeministre, do ta udhëheqë ajo.

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria. Atë proces do të udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se secili nga kandidatët për kryeministër. Pasi që ne si qeveria ta negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshjen, në bashkëpunim gjatë gjithë kohës me Kuvendin dhe pasi të ratifikohet ajo marrëveshje në Kuvend, presidenti e ka një detyrë ceremoniale që ta vendosë nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë Osmani.

Përjashtimin e rolit kryesor të presidentit të vendit në udhëheqjen e dialogut me Serbinë, e ka theksuar edhe Albin Kurti, kandidat i nominuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, procesin e dialogut duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës. Ai ka theksuar se në rast se merr postin e kryeministrit, fillimisht duhet rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

“Këtë nuk mund ta bëj rivalja ime (Vjosa Osmani), sepse ajo do të jetë kryeparlamentare. Unë do të jem kryeministër pas 6 tetorit. Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet ta ketë strategjinë përkatëse dhe duhet t’i ketë edhe parimet e dialogut, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt. Por, kjo nuk vjen menjëherë. Ne na nevojitet një komision, ta kemi një komision që e mbyllë shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministër në largim dhe i nominuar sërish për kryeministër nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate, ka deklaruar se vendimi për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, e ka sjellë këtë të fundit para situatës që ta kuptojë se Kosova nuk shkon në dialog me kushte.

“Ne kemi nevojë për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe po ashtu Serbia ka nevojë për fqinjësi të mirë me Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. Por nuk jemi të gatshëm për ripushtim, për rinënshtrim dhe për çfarëdo situate të dorës së dytë. Pra, vetëm si dy shtete, si dy fqinj, si dy palë që kanë interesa. Këtë, kurrë më të qartë nuk e ka pasur Serbia, ju siguroj”, theksoi Haradinaj.

Fatmir Limaj, i nominuar si kandidat për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ditë më parë përmes një letre publike të drejtuar ditë më parë kandidatëve që garojnë për postin e kryeministrit të vendit, ka thënë se nevojitet një unitet i spektrit politik për t’iu qasur dialogut me Serbinë, i cili unitete kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.

“Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Limaj.

Ndryshe nga të gjithë kandidatët tjerë të nominuar për kryeministër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ende nuk është deklaruar lidhur me qasjen që do ta ketë ndaj procesit të dialogut me Serbinë. Gjatë kohës sa në Kosovë po vazhdon një lloj parafushate për zgjedhjet e 6 tetorit, ai është koncentruar kryesisht në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Edhe Nenad Rashiq nga koalicioni “Liria”, ka shpallur kandidaturën për kryeministër të Kosovës. Ai thotë që dialogu Kosovë –Serbi duhet domosdo që të vazhdojë sa më parë dhe menjëherë pas formimit të qeverisë së re, e cila, sipas tij, duhet ta ketë rolin kryesor në këtë proces.

“Në atë rast, personi më kompetent do të ishte kryeministri i ri ose një ekip i ri, në kuadër të së cilit do të ishin kryeministri, zëvendëskryeministrat nga cilado shumicë qeverisëse. Kjo është e domosdoshme, sepse kemi parë që ka pasur raste që presidenti, i cili, para së gjithash duhet të jetë një pozitë ceremoniale, ndërkohë që doli se në esencë ai ka iniciuar gjëra që janë shumë serioze dhe që tashmë e dimë se si përfundoi e gjithë kjo. Marrëveshja mund të arrihet, por pjesa më e vështirë do të jetë zbatimi”, tha Rashiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka nisur me lehtësimin e këtij procesi nga Bashkimi Evropian, në vitin 2011. Ky dialog, i cili fillimisht ishte për çështje teknike, më pas ka evoluuar në dialog politik ndërmjet dy vendeve, i cili synon që në finale të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për të dy vendet. Që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës pati vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Serbia ka refuzuar të vazhdojë dialogun pa heqjen e kësaj takse.

Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë vendet e Kuintit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, kanë kërkuar pezullimin e taksës nga Kosova dhe rifillimin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve. Vendet e Kuint-it, veç e veç, i kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e tyre Bashkimit Evropian për krijimin e mundësive për arritjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshohet formati, Rusia lojtari i ri në dialogun Kosovë – Serbi?

Analisti serb dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Dusan Janjic, ka paralajmëruar se mund të ketë një format të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në të cilin do të përfshihen SHBA-ja, Rusia, Franca dhe Gjermania, raporton Gazeta Express.

Këto deklarata Janjiq i ka thënë teksa komentuar vendimin e sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

Janjiq në një intervistë për ‘Politiko’, ka thënë se edhe Gjermania e Franca do të kenë një Përfaqësues Special, megjithatë, sipas tij, të dy shtetet do ta kenë nga një përfaqësues.

Megjithatë, ai thotë se përfaqësuesit e këtyre shteteve do ta kenë shef dikë nga Bashkimi Evropian.

“Të gjithë ata, sikurse Palmer, do të jenë të dërguar special për Ballkanin Perëndimor që do të përcjellin dialogun Prishtinë-Beograd, do të marrin pjesë nëpër takime, por shef i tyre do të jetë një person i përzgjedhur nga BE-ja në vend të Federica Mogherinit. Me shumë gjasë do të jetë Laszlo Trochani, Komisionari për Zgjerim, por një gjë e tillë nuk është vendosur ende”, ka thënë Janjiq.

Ndër të tjera Janjiq ka folur edhe për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në bisedime.

“Një nga opsionet është që të jetë një sekretariat i veçantë, i cili do të përshijë edhe Rusinë me përfaqësuesin e saj, gjë për të cilën tashmë është rënë dakord”, është shprehur tutje Janjiq.

Për emërimin e një të dërguari special të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, ka folur edhe deputeti i CDU/CSU-së, Peter Beyer, gjatë qëndrimit në Prishtinë para disa ditësh. /GazetaExpress/