VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

CNN: Shqiptari detyrohet të mbjellë drogë në Britani, për të shlyer borxhet

By | July 19, 2019

Komentet

Copley për finalen e dialogut me Serbinë: SHBA nuk mund ta braktisin Kosovën

Gregory Copley, analist dhe redaktor i Gazetës “US Defense and Foreign Affairs”, që është shumë e afërt me qarqet ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me seli në Washington, ka folur rreth përfshirjes së Shtëpisë së Bardhë në zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, SHBA-të janë shumë më të interesuara që të gjejnë një zgjidhje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sesa për të ndëshkuar Serbinë për qëndrimin dhe veprimet kundër Kosovës.

Copley thotë se tashmë është e qartë që SHBA-të kanë filluar t’i kushtojnë pak më shumë rëndësi qëndrimit serb sesa në të kaluarën.

Ai thotë se kjo ndërlidhet edhe me faktin se Washingtoni dëshiron të mos e humbë ndikimin në Gadishullin Ballkanik.

“Ajo që është e sigurt është që SHBA-të po i kushtojnë më shumë vëmendje pikëpamjes serbe për këtë çështje sesa në të kaluarën, por në të njëjtën kohë tregon se SHBA po lufton për ndikim në Ballkan, së bashku me Rusinë dhe Kinën “, ka thënë Copley.

Copley ka folur edhe për presionin e SHBA-së ndaj Serbisë për të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për atë se si BE-ja e ka humbur avantazhin karshi Serbisë, gjë që sipas tij ka bërë që SHBA-ja të jetë më e interesuar që të arrihet një marrëveshje, sesa të ndëshkojë Serbinë.

“Në këtë fazë, nuk ka asnjë përfitim për të ushtruar presion ndaj Serbisë, por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të braktisin krijimin e vet, Kosovën, në këtë fazë, përveç nëse arrihet një kornizë e re negociuese, dhe kjo është sigurisht e mundur”, ka përfunduar Copley për Kosovonline./GazetaExpress/

Milionat që Shqipëria e varfër u fal miliarderëve – Nga Klodian Tomorri

Jahti 400 milionë dollarësh i Emirit të Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, që u ankorua sot në Sarandë e ka kapacitetin e serbatorit 1.2 milionë litra karburant.


Për shkak të një politike absurde fiskale Shqipëria ja u shet karburantin jahteve me 0.58 dollarë për litër. Aq është sot. Arsyeja? Nafta e jahteve në Shqipëri nuk paguan akcizë 350 lekë për litër, nuk paguan taksë qarkullimi 270 lekë për litër, nuk paguan tvsh 300 lekë për litër. Nuk paguan asnjë taksë sepse konsiderohet rieksport.

Në Francë, çmimi i naftës për jahtet sot është 1.54 dollarë për litër sepse qeveria franceze i ka vënë taksë të posaçme karburantit të jahteve si mall luksi që janë. Dhe Saint Tropez është vendi ku ankorohen jahtet e pjesës dërrmuese të pasanikeve të botës.

Në Itali, çmimi i naftës për jahtet sot është 1.72 dollarë për litër. Dhe Italia është një nga vendet më të vizituara nga jahtet e pasanikëve për shkak të plazheve fantastike që ka, veçanërisht Porta Cervo dhe Sardenja.

Morali? Me një të mbushur të jahtit, Shqipëria i fali sheikut multimialirder që erdhi sot disa orë në Sarandë potencialisht 1.1 mln usd. Llogaria: 1.2 milionë litra x (1.54$-0.58$) = 1.1 mln $.

Para 20 ditësh erdhi jahti i vëllait të këtij po në Sarandë. Mori 600 mijë litra karburant. 500 mijë dollarë të tjera të falura.

Nafta e ambulancës 1200 lekë taksë për litër. Nafta e jahteve 0 lekë taksë për litër.
Unë nuk e di se ca emri mund t’i vësh tjetër kësaj politike, përveçse çmenduri.

E dini sa janë përfitimet për turizmin nga kjo taksa? Zero. Përveç ndotjes së bregdetit nga jahtet që vijnë këtu dy orë sa të mbushen.

E dini pse bëhet gjithë kjo? Që të fitojnë leke ca të babëzitur, të cilët i janë qepur Portit të Sarandës dhe ca agjenci turistike të zotëruara nga ca ish-zyrtarë në konflikt të pastër interesi. Kjo është e pështirë. Neveri.

Por pjesa më e ndyrë është kur zarat e këtyre përfituesve, këta që lëpijnë ndonjë kockë, nisin e sulmojnë të gjithë ata që denoncojnë këtë padrejtësi.

Kapet mbi 1 ton drogë në anijen me vela në Greqi. Mediat greke: Erdhi nga Shqipëria me destinacion…

Një sasi prej mbi 1 tonë drogë është sekuestruar nga policia greke, e cila u gjet në një anije me vela, ndërsa destinacioni i saj ishte Turqia.

 

Mediat greke raportojnë se sasia e madhe e drogës ishte nisur nga Shqipëria. Më konkretisht, në mjetin lundrues ishin 1 ton e 64 kg marijuanë. Lënda narkotike besohej se do të këmbehej me heroinë të pastër në Turqi, një metodë e njohur kjo nga grupet e trafikut të drogës.

Ndërkohë, policia ka arrestuar dy persona nga Ukraina, 28 dhe 42 vjeç, të cilët ndodheshin në velierën e mbushur me drogë. Nga ana e saj, policia greke po heton nëse kapja e kësaj veliere ka lidhje me ngjarjen e 4 majit në Sivota, Igumenicë, ku një tjetër velierë e quajtur “My Melody”, u dyshua për trafik të paligjshëm, por drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe më pas i vuri zjarrin anijes, prej ku dy marinarë tentuan të largohen me një mjet ndihmës, ndërsa pronari i saj nuk është gjetur ende.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se veliera e kapur quhet “My Dream” dhe ka qenë në gjirin e Sarandës disa kohë më parë për t’u furnizuar me karburant.

Pas këtij lajmi, Policia e Shtetit në Shqipëri, duke theksuar se dy personat e arrestuar nuk kanë pasur hyrje-dalje në Shqipëri, ndërsa mjeti lundrues nuk ka hyrë në asnjë nga portet e jugut të vendit.

“Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi”, thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Shtetit, në kuadër bashkëpunimit me homologët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer informacion në kohë reale apo duke zhvilluar operacione të përbashkëta, menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues është vënë në dijeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord me qëllim verifikimin e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas.

Nga verifikimi i bërë në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri.

Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar as nga QNOD e as nga Policia Kufitare asnjë rast i dyshimtë, i ndonjë mjeti lundrues që të ketë lundruar në drejtim të Greqisë, apo të vendeve të tjera fqinje.

Policia Kufitare shkëmben në vijimësi informacion me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufijve.

Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi.

Policia e Shtetit edhe njëherë shpreh vendosmërinë dhe angazhimin për luftë kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, si dhe  mbetet e fokusuar çdo ditë e më tepër në forcimin e bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Policia e Shtetit fton dhe qytetarët të denoncojnë përmes numrit 112 apo Komisariatit Dixhital për çdo informacion të vlefshëm, për të ndërtuar së bashku më shumë siguri.

Evropa, Perëndimi, Kina dhe Rusia – Nga Jamie Dettmer

Kina dhe Rusia besojnë se mund të sillen si të duan dhe të mos ndëshkohen kur shtypin disidencën, sepse vendet perëndimore kanë kontradikta mes tyre, paralajmërojnë disa analistë. Perëndimi, thonë këta analistë, e ka humbur besimin në aftësinë e tij për të ndikuar mbi botën që e rrethon.

“Ekziston një rrezik që ne në Perëndim po bëhemi spektatorë të ngjarjeve të mëdha që ndodhin në botë. Pamundësia jonë për të artikuluar një përgjigje të qartë që të sjellë ndryshime në sjelljen e vendeve të ndryshme nënkupton se pandëshkueshmëria ka hedhur rrënjë”, thotë Rafaello Pantucci, drejtor i studimeve ndërkombëtare të sigurisë në Institutin britanik të Shërbimeve Mbretërore të Bashkuara.

Në një shkrim në gazetën britanike The Times, Pantucci thotë se “Përgjigjet tona ndaj protestave që po ndodhin aktualisht në Hong Kong dhe Moskë janë artikulimi më i qartë ndaj këtij problemi. Pekini dhe Moska përgjithësisht janë sjellë ashtu siç dëshirojnë.”

Diplomatët dhe analistët perëndimorë druhen se samiti tre-ditor i G-7s në qytetin turistik francez Biarric do të demonstrojë përsëri mungesën e unitetit midis udhëheqësve perëndimorë për një seri çështjesh, duke përfshirë ndryshimin e klimës, marrëdhëniet me Rusinë, nacionalizmin në rritje, dhe luftën tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pasojat e së cilës po dëmtojnë Evropën shumë më tepër sesa Amerikën. G-7a përfshin demokracitë më të mëdha e më të zhvilluara të botës.

Në përpjekje për të zbutur përshtypjen e përçarjes, mikpritësi i samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që samiti të mos lëshojë një komunikatë të përbashkët dhe kjo do të ishte hera e parë në historinë e G-7s. Ai shpreson të shmangë përsëritjen e asaj që ndodhi vitin e kaluar, kur Presidenti i SHBA Donald Trump e tërhoqi miratimin e tij për deklaratën e përbashkët 10 minuta pasi ajo ishte lëshuar. Zoti Macron synon ta zëvendësojë komunikatën duke shpërndarë, si kryetar i G-7s, një përmbledhje të diskutimeve kryesore.

Është e paqartë nëse kjo do të shërbejë ose jo si mbulesë për mosmarrëveshjet, por disa analistë thonë se samiti rrezikon të karakterizohet nga tensione të mëdha.

“Ekziston një mundësi e madhe që bota perëndimore të duket më e ndarë në fund të takimit sesa në fillim,” thotë William Hague, ish sekretar i jashtëm britanik. Ai thotë se udhëheqësve të G-7s “u mungojnë mjaft idetë rreth të cilave të mund të bashkohen”, ide të cilat u duhen për të “përballuar kërcënimet e mëdha nga të cilat do të mposhteshin, nëse nuk tregojnë largpamësi qysh tani.”

Në prag të takimit, Presidenti Macron parashtroi një plan ambicioz për të nxitur udhëheqësit e tjerë që të rishikojnë qasjen e tyre ndaj udhëheqjes globale. Ai do t’i nxisë ata të shpëtojnë demokracitë nga populistët nacionalistë, të zbutin kapitalizmin, duke synuar pakësimin e pabarazisë sociale, të forcojnë biodiversitetin dhe të përqafojnë përsëri multilateralizmin. E gjithë kjo përpjekje kjo rrezikon të përballet me një reagim të fuqishëm të Presidentit Trump.

Udhëheqësi amerikan është skeptik ndaj multilateralizmit dhe i irrituar nga mungesa e mbështetjes evropiane për qëndrimin e tij agresiv të “presionit maksimal” ndaj Iranit. Ai gjithashtu po u bën trysni evropianëve për të mbështetur luftën e tij tregtare me Kinën, duke argumentuar se një dhimbje afatshkurtër është e nevojshme për t’iu kundërvënë Pekinit, përndryshe Perëndimi do të humbasë në planin afatgjatë.

Disa komentatorë perëndimorë fajësojnë Presidentin Trump dhe populistët e tjerë nacionalistë për përçarjen e Perëndimit. Por të tjerë e shohin copëzimin e udhëheqjes globale perëndimore si pasojë të një sëmundjeje më të thellë dhe historike, në klimën e rritjes së shpejtë të Kinës, e cila përdor tregtinë si armë në marrëdhëniet shtetërore e diplomatike dhe agresivitetit të Rusisë, që gjithnjë e më shumë shpreh përbuzje për Perëndimin dhe mezi pret të hyjë në partneritet me Kinën.

I pyetur nëse do ta mirëpriste ripranimin e Moskës në G-7, Presidenti rus Vladmir Putin u përgjigj me sarkazëm, duke thënë: “G-7a nuk ekziston. Si mund të kthehem në një organizatë që nuk ekziston?” Presidenti Putin tha se preferon formatin G-20 sepse përfshin vende si India dhe Kina. G-20a i referohet grupit të 20 ekonomive kryesore.

Meqenëse ka investuar shumë në vendet e Perëndimit dhe në botën në zhvillim, Pekini nuk ka drojtje të kërkojë një shpërblim politik dhe protestat e Hong Kongut i kanë futur evropianët, veçanërisht britanikët, në dilemë. A duhet që ata të mbrojnë të drejtat dhe liritë, që populli i Hong Kongut i sanksionoi në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar me Pekinin, përpara se britanikët t’ia dorëzonin territorin kinezëve në 1997, apo duhet t’i zbutin ankesat e tyre ndaj Pekinit për të mos humbur përfitimet në tregtinë me Kinën?

Kjo dilemë do të bëhet më e mprehtë me vazhdimin e protestave antiqeveritare në Hong Kong, gjë që rrezikon një ndërhyrje ushtarake kineze në ish-koloninë britanike. Pekini e ka bërë të qartë, me kërcënime gati të hapura, se Britania duhet të ulë tonet kritike, përndryshe Londra, e cila është e dëshpëruar për të rritur tregtinë me Kinën pas Brexit, do të humbasë financiarisht.

Analisti Hague argumenton se G-7a “duhet ta ritheksojë çështjen e mbrojtjes së lirive”. Ai thotë se fundi i Luftës së Ftohtë “i ka privuar vendet demokratike nga uniteti automatik dhe kriza globale financiare ka tronditur vetëbesimin e tyre.”

Tronditja financiare erdhi mes një prirjeje më afatgjatë: gërryerja e bazës industriale të Perëndimit me zhvendosjen e prodhimit drejt Lindjes, duke shkaktuar zemërimin e shtresave punëtore në Perëndim, të cilat nuk duan të humbin për shkak të globalizimit. Kjo i ka bërë ato të hedhin dyshime mbi krejt bazat e multilateralizmit.

Sipas analistit Antonio Barroso, i grupit të konsulencës Teneo për rreziqet gjeostrategjike, “Ne kemi kaluar nga një botë që ishte shumë më multilaterale sesa kjo që kemi tani.”

Zbulohet shpella ku prifti Dom Nikollë Gazulli u fsheh për 14 muaj pasi përndiqej nga komunistët (video)

Në janar të vitit 1945, Dom Nikollë Gazulli, asokohe famullitar i Shkrelit, në Malësinë e Madhe, përmes kumoneve të kishës lajmëroi të gjithë zonën për vendosjen e një regjimi të ri në vendin tonë.

Që prej atij momenti, ai do të shpallej armik i regjimit komunist dhe për 14 muaj, Dom Nikolla do të përndiqej. Për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore, ai u fsheh në një shpellë të zonës, e cila u zbulua rastësisht nga një banor i Shkrelit vetem pak ditë më parë.

Kisha katolike kishte vite që kërkonte për ta zbuluar vendin ku Gazulli jetoi për 14 muaj.

Mëngjesin e 23 marsit të vitit 1946, Dom Nikollë Gazulli teksa doli nga kjo shpellë, u tradhëtua dhe u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist. Ai ishte një intelektual i madh, studiues e specialist në albanologji si dhe bashkëpunëtor i ngushtë në ruajtjen e gjuhës shqipe me Dom Gjergj Fishtën dhe Dom Ndre Mjeden.

Fliste 5 gjuhë të huaja dhe këto ishin arsyet se përse regjimi e shpalli si armik të popullit.

Dosja 184, Klodiana Lala:Ja pse Prokuroria e Dibrës s’e heton dot

Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli në lidhje me dosjen 184, në të cilën shfaqen zyrtarë të lartë të shtetit duke biseduar për shit-blerje votash në Dibër, për zgjedhjet e mbajtura më 2016.

Lala tha se dosja është voluminoze dhe se Prokuroria e Dibrës nuk ka kapacitet për ta hetuar atë.

“Prokuroria duhet të japë shpjegime se pse dosja po kalon nga një institucion në tjetrin. Dosja ka kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Dibrës. Pra ka kaluar nga një Prokurori serioze në një tjetër prokurori. Kalimi në kompetencë e Prokurorisë së Dibrës tregon se nuk është serioze. Ka probleme, sepse një nga prokuroret ka lidhje familjare me Arben Keshin, ka konflikt interesi. Si mund të hetojë Prokuroria e Dibrës, kur ata që kanë dalë në përgjime janë zyrtarë të lartë në polici dhe në institucionet lokale. Është një Prokurori e vdekur, e cila mezi heton ata që presin pyjet. Nuk ka forcën Prokuroria e Dibrës që të hetojë një dosje kaq voluminoze. Fakti që është emri i Kryeministrit në atë dosje, në një rreth të vogël, në një qytet të vogël si Peshkopia, kur të gjithë njohin të gjithë”, tha Lala.

Ajo shtoi se në përgjime duket qartë presioni që zyrtarët e lartë lokalë dhe në Tiranë ushtrojnë mbi mësuesit, teksa i marrin ata me lista.

“Në dosjen 184 janë përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit. Kujtojmë se zgjedhjet në Dibër janë rimbajtur, pas skandalit seksual të Shukri Xhelilit. Për Bashkinë e Dibrës kandidonte Muharrem Rama nën siglën e PS. Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste, ministra, ish-minustra, deputetë dhe ish-deputetë, ku përfshihet dhe vetë kryeministri. Kemi të bëjmë me presion ndaj mësuesve dhe në arsim për votat, siç e kemi parë, ndërsa kryeministri Rama i kërkonte një drejtuesi policie sesi “kanë shkuar punët”. Dosja 184 është tipike e shit-blerjes së votave”, deklaroi Lala.

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se edhe prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku duket se fshihet pas gishtit.

Zonja Marku fshihet pas gishtit. Ligji thotë se kur ka “përplasje” për kompetencë për një dosje, mund ta marrë prokurori më i lartë. Prokurori Klodian Braho vendosi të heqë veprën e organizatës kriminale. Prokurori i Përgjithshëm duhet ta dërgonte te Krimet e Rënda. Do të duhej të dilte mbi vendim-marrjen e prokurorit. Marku është përgjegjëse për “lëvizjen” e dosjes nga Tirana në Dibër.

Është kaq e pamundur për Krimet e Rënda që të zbardhë këtë dosje, e cila është një prokurori serioze në krahasim me prokuroritë e rretheve. Prokurorët bëjnë ping-pong, duke mos dashur ta mbajë askush, nuk ka prokuror fare. Ka 3 vjet që rri si dosje në Prokurori. Zonja Marku sa duket duke e çuar në Dibër tregon se duan ta pushojnë. Nuk duan ta hetojnë. Nëse as prokurorët e tjerë nuk e marrin përsipër këtë dosje, duhet KLP të ndërhyjë ose ta marrë përsipër SPAK. Kemi sot Prokurori të ndikuar politikisht.”, tha ndër të tjera Lala.

Teatri Kombëtar Shqiptar dhe Opera Kombëtare Hollandeze – Nga Keze Kozeta Zylo

Violinisti (Fiddler) Amsterdam, Hollandë

Kjo statuje bronzi per violinistin ndodhet ne shtepine e operas dhe baletit kombetar te Amsterdamit ne Hollande në hollin e teatrit muzikor. Statuja e bronzit e quajtur “Fiddler (ose Violinisti)” është një shprehje e bashkësisë ku komuniteti ka qenë i përqendruar në këtë rreth para Luftës së Dytë Botërore. Punëtorët duhej të bënin mjaft përpjekje për të thyer dhe hapur dyshemenë e mermerit për të vendosur këtu statujën.

Kjo statuje u krijua nga skulptori italian Matteo Pugliese dhe u vendos në Shtëpinë e Operës së qytetit, më 1991.

Opera Kombetare u krijua menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore si një kompani repertori me një ansambël të përhershëm.

E themeluar, më 1946, Opera Kombëtare Hollandeze do të bëhej vendi i begate për regjisorë me ndikim artistik dhe të përgjithshëm, në radhët e të cilave përfshiheshin Maurice Huisman (1964), Hans De Roo (1971), Truze Lodder (1987) dhe Pierre Audi (1988).

Duke inskenuar shfaqje që përmbajnë elemente të arteve pamore, si skena historike klasike, edhe shpikëse, si dhe solistë dhe kompani të shquara të miqve, këta vizionarë kanë shtuar diçka unike për secilën prodhim.

Duke eksploruar një liri artistike që shihet rrallë në botën e operës, Opera Kombëtare Hollandeze tani është e admiruar ndërkombëtarisht për punën e tyre origjinale, duke u përqëndruar në zhvillimin e talenteve dhe stilet e performancës jo konvencionale.

Stopera ndodhet në qendër të Amsterdamit në një kthesë të lumit Amstel midis Sheshit Waterlooplein dhe Kanalit Zwanenburgwal, në një komplot të tokës të quajtur Vlooienburg, e cila u rikthye në shekullin e 16-të. Ndërtesa e shtëpisë së operës është në formë si një bllok i madh, masiv, me një front të lakuar përballë qytetit. Fasada e saj është e mbuluar në një tullë të kuqe-portokalli dhe panele metalike të valëzuara. Fytyra e lakuar e teatrit është me mermer të bardhë të pikturuar nga dritare të mëdha që ofrojnë pamje panoramike të lumit nga dhomat e brendshme të lakuara dhe tarracat me shumë nivele.

Pranë Stopera është Joods Verzetsmonument, një monument i vitit 1988 për viktimat hebreje të Luftës së Dytë Botërore. Një kujtim i Kristallnacht mbahet në monument çdo vit.

Ndertesa e operes kombetare ka nje brendësi të bukur te elementeve të tij klasike. Vetë Amsterdam gjithashtu strehon një institut më dekadent të ndërtuar posaçërisht për vënien në skenë të operave, baleteve dhe formave të tjera të teatrit muzikor. Opera dhe Baleti Kombëtar gjithmonë nis sezonin e saj të ri në shtator me gala e tyre të shkëlqyeshme. Ata kane një liri artistike që shihet rrallë në botën e operës, Opera Kombëtare Hollandeze tani është e admiruar ndërkombëtarisht për punën e tyre origjinale, duke u përqëndruar në zhvillimin e talenteve dhe stilet e performancës jo konvencionale.

Nën drejtimin e talenteve si Sonia Gaskell, Rudi van Dantzig, Wayne Eagling dhe Hans van Manen, Baleti Kombëtar Hollandez u ngrit në një renditje ndërkombëtare në vitet ’70 dhe ’80 për skenimin e pavarur të dy baleteve unike dhe tërheqëse nga gjithe bota.

Opera Kombetare e Hollandes eshte shume e njohur ne boten, dhe ruhet me ligj dhe dashuri nga i gjithe Kombi.

Ndonëse është krijuar disa vite më vonë se Teatri Kombëtar i Shqipërisë, e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, projekt i nisur në fillimjanarin e 1938 dhe që përfundoi në shtator të 1939, mjerisht godina e Teatrit tonë që beri histori dhe nxori aktorë kalibri të paktën ndër artdashësit shqiptarë është vene në shënjestër nga kryeministri Rama në bashkëpunim me grabitqarët e qeverisë dhe grabitësit e huaj të pronës sonë të përbashkët, mbrujtur me aq gjak dhe sakrifica…

 

Mos i vini kazmën Teatrit Kombëtar kjo pasuri e patundshme e shpirtit të popullit!

 

Ps: Për shkrimin janë shfrytëzuar materiale nga Wikipedia.

 

Manhattan, gusht, 2019

 

Zbulohet sistemi mijëra vjeçar i furnizimit me ujë në Durrës

Sondazhet arkeologjike zbulojnë një tjetër dëshmi të zhvillimit të Durrësit gjatë antikitetit të vonë, duke hedhur dritë mbi një periudhë pak të njohur të qytetit.

Që prej 30 vitesh në qytetin antik nuk është ruajtur asnjë monument madhor i zbuluar, si amfiteatri apo mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”.

Prof. Brikena Shkodra që nga viti 2015 ka kryer disa sondazhe në oborret e banesave të lagjes 11, por zbulimin e muajit të kaluar ajo e dallon nga të tjerët.

“Bëhet fjalë për lidhjen ende të pavërtetuar të një kompleksi të rëndësishëm termal me tubacionin – kanal mbitokësor që e furnizon me ujë atë,” tregon arkeologia Shkodra, për objektet e antikitetit të vonë që u gjetën në të dy anët e rrugës “Mustafa Varoshi”.

Sipas saj, zbulimet e fundit fillojnë të hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të qytetit, në shekullin e IV të erës sonë, kur Durrësi u caktua si kryeqendër e Epirit të Ri.

Njëlloj si më parë, Durrësi vijon ta marrë ujin e pijshëm me tubacione të instaluara mbi ura nga lumi Erzen, pranë fshatit Rromanat, por sistemi i shpërndarjes brenda qytetit nuk shfrytëzon më tubacionet nëntokësore prej plumbi të vulosura që i përkasin periudhës romake.

Zbulimi i fundit i Shkodrës ka vërtetuar se pas reformave të perandorëve Dioklecian dhe Kostantin, qyteti e ka ndryshuar standardin urbanistik të furnizimit me ujë nëpër lagjet e tij.

Strukturat prej murature me gjysmëharqet prej tulle dhe llaç hidroizolues që u zbuluan në oborrin e familjes Mima, vetëm 200 metra prapa teatrit “Aleksandër Moisiu”mbanin mbi vete kanalin e dukshëm të ujit në një formë të re, të paaplikuar më parë.

Gjetjet në oborret e shtëpive dëshmojnë se jeta në këtë lagje ka vijuar pa ndalim për shumë shekuj, megjithë vështirësitë që krijonte rrëshqitja e kodrës pranë saj.

Familjet durrsake i kanë vënë në dispozicion oborret e shtëpive për sondazhet arkeologjike.

Tensionet – “Uashingtoni është tërbuar”, çfarë po rrezikon konfliktin e madh SHBA-Greqi? Mitsotakis nën presion

Cisterna iraniane “Adria Daya 1” është larguar nga porti i Gjibraltarit. Uashingtoni është tërbuar. Anija ka marrë rrugën drejt Greqisë – dhe po e çorodit Athinën.

 

Mbas tensioneve disajavorëshe cisterna iraniane “Adria Daya 1” u largua nga porti i Gjibraltarit dhe u nis për në Greqi. Cisterna është e ngarkuar me 2,1 milionë fuçi nafte të papërpunuar. Ajo është mbajtur e bllokuar nga marina britanike, që nga 4 korriku. Arsyeja ka të bëjë me supozimet, se ngarkesa është planifikuar të shkojë në Siri, gjë që do të shkelte sanksionet që BE ka vendosur kundër Sirisë. Bllokimi i anijes ka shkaktuar konflikt të ashpër midis Uashingtonit dhe Teheranit. SHBA mendojnë se ekziston lidhje midis cisternës dhe gardës revolucionare iraniane, të cilën Uashingtoni e ka vendosur në listën e organizatave terroriste. Kështu që grindja vazhdon.

Synimi ankorimi në port grek?

Irani i dha siguri me shkrim kryeministrit të Gjibraltarit, Fabian Picardo, se cisterna nuk do të dërgohet në Siri. Pas kësaj, autoritetet e enklavës britanike e lanë “Adria Daya 1” të vazhdonte lundrimin, pavarësisht nga mospëlqimi i Uashingtonit. Protesta vazhdoi. Ministri amerikan i Jashtëm, Mike Pompeo thotë se vendimi i Britanisë së Madhe është “i pakënaqshëm”. Më 16 korrik një gjykatë në Uashington vendosi konfiskimin e cisternës. Por kjo nuk u pranua nga Gjibraltari.

Tani “Adria Daya 1” ka marrë rrugën për në Mesdhe. Informacione të pakonfirmuara thonë se ajo është duke shkuar drejt portit grek, Kalamata. Kryeministri grek, i sapozgjedhur, Kyriakos Mitsotakis ka përpara konfliktin e parë ndërkombëtar. Ambasada amerikane në Athinë, i tha qeverisë greke se ankorimi i cisternës është ilegal. Pa dhënë shpjegime të tjera për këtë gjë, SHBA pretendon se me naftën iraniane ndihmohen aksionet terroriste.

Në këtë mënyrë për Uashingtonin është e sigurt, se kushdo që lejon futjen e cisternës në portin e vet, përkrah terroristët. Është e paqartë çfarë pasojash ka kjo gjë. Për SHBA është e rëndësishme që të mos bëjë kompromise me Iranin. Përveç kësaj, nuk dihet nëse porti i Kalamatas është në gjendje të përballojë hyrjen e cisternës së madhe “Adria Daya 1”. Nuk është e sigurt, nëse çështje të tilla teknike do të largojnë stuhitë nga velat e konfliktit. Uashingtoni kërkon që aleatët ta mbështesin dhe e ka kaluar konfliktin me vetëdije në nivel morali.

Mitsotakis nën presion

Griechenland | Erste Sitzung Kabinett Mitsotakis (Reuters/C. Baltas)

Kabineti grek rreth kryeministrit Mitsotakis në takimin e parë qeveritar

Për kryeministrin Mitsotakis, konflikti po ndodh në një moment shumë të papërshtatshëm. Ai ka mbaruar studimet në Harvard dhe përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me SHBA. Meqenëse marrëdhëniet me Turqinë janë të vështira, Greqia shpreson që të marrë ndihma nga Uashingtoni, kryesisht ushtarake. Njëkohësisht Mitsotakis që fitoi zgjedhjet e 7 korrikut, duhet ta tregojë veten, se duke qenë kryeministër është në gjendje të merret me çështje të nivelit europian.

Ai i pati premtuar grekëve uljen e taksave, premtim një pjesë të së cilës është duke e mbajtur nëpërmjet ligjeve. Po ashtu ai u ka premtuar grekëve që të diskutojë sërish me Brukselin çështjen e borxheve në mënyrë që të ulë përqindjet për pagesat. Por për këtë, do i duhet të fitojë besimin e kolegëve europianë. Nëse merr anën e Uashingtonit tani, atëherë kryeministri i ri grek do të vinte në rrezik  bashkëpunimin me Brukselin.

Por çështja nuk është vetëm kujt do i qëndrojë besnike Athina, Brukselit apo Uashingtonit. Greqia zotëron flotën tregtare më të madhe në botë. Transporti ujor është një industri me vlerë miliardash. Anije që lundrojnë nën flamurin grek ndodhen edhe në Gjirin Persik. Nëse Athina i ndalon hyrjen në portin Kalamata cisternës iraniane, atëherë mund të ndodhë që të ketë masa  hakmarrëse. Që kur Greqia hori dorë verën e kaluar nga blera e naftës iraniane, marrëdhëniet midis Athinës dhe Teheranit janë tensionuar. Përshkallëzimi i situatës në Gjirin Persik nuk do të ishte pa pasoja dhe do ta bënte edhe më të vështirë dilemën aktuale të shteteve perëndimore në trajtimin e Iranit.

Mole und Uferpromenade Kalamata (picture-alliance/Herve Champollion/akg-images)

Porti i Kalamatas, Greqi

Politika e përshkallëzimit në Uashington, e njëanshme

SHBA-së i shkon për shtat ashpërsimi i konfliktit midis Iranit dhe Greqisë. Nëse anijeve greke u bëhet presion nga Irani, kërcënohen ose madje sulmohen, atëherë Europa nuk mund të vazhdojë të këmbëngulë për politikën e uljes së tensioneve me Teheranin. Kjo do ishte ajo që do Donald Trump. Ashtu kështu, ai ka dalë në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja për armët atomike me Iranin dhe ndjek që nga ajo kohë politikën e sanksioneve të ashpra. Nëse midis Teheranit dhe Europës krijohen probleme serioze, atëherë Brukseli do ishte i detyruar t’i bashkohej politikës së përshkallëzimit që ndjek presidenti amerikan.

Për Europën kriza që ka të bëjë me cisternën iraniane është një goditje e rëndë për afrimet e bëra vitet e fundit midis Teheranit dhe Perëndimit. Në situatën aktuale Greqia ka marrë një rol simbolik, tek i cili nuk dallohet vetëm gjendja shumë e tensionuar midis Iranit dhe SHBA, por edhe konfliktet midis vendeve perëndimore, që po bëhen gjithnjë e më shumë konfuze. DW

Fitoi lotarinë amerikane, por mashtroi me diplomën, arrestohet sa doli nga ambasada e SHBA-ve

Ata që kanë fituar lotarinë gjenden pak hapa larg realizimit të ëndrrës amerikane, por jo ata qytetarë që mashtrojnë dhe abuzojnë me ligjin. Një tjetër shtetas ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit menjëherë sapo ka lënë ambientet e Ambasadës Amerikane.

Agron Selmani, 41 vjeç, iu hodhën prangat nga forcat ‘Shqiponja’ menjëherë sapo Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS zbuloi një tjetër rast falsifikimi e mashtrimi me vizat, që konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet gjithashtu si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.

Shërbimi Diplomatik i Sigurisë që është degë policore e Departamentit Amerikan dhe që është përgjegjës për hetimin e të gjitha aplikimeve për pasaporta e viza, ka njoftuar policinë shqiptare për mashtrimin e radhës me viza, çka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë dhe prokurorisë.

Agron Selmani, siç thonë burime të besueshme të policisë, ishte fitues i lotarisë amerikane. Por mes dokumentave që ka dorëzuar në ambasadë përpara se të intervistohej, ai ka depozituar edhe të dhëna të rreme, siç ishte një diplomë që e paraqiste 41 vjeçarin si të diplomaruar në shkollën e mesme “Jordan Misja” në Shkodër. Nga verifikimet që ambasada kryen për këdo përmes DSS, është zbuluar se në fakt ai nuk kishte qenë asnjëherë i regjistruar në këtë shkollë dhe se diploma ishte false. Siç thonë burimet të Top Channel, menjëherë sapo fituesi i lotarisë është paraqitur për intervistën është kërkuar ndërhyrja e Policisë së Tiranës.

Agron Selmani akuzohet për falsifikim dokumentash dhe mashtrim me vizat.

Pak ditë më parë Top Channel raportoi një tjetër rast, të një qytetari nga Dibra i cili rrezikon dënimin deri në tre vjet burgim pasi dorëzoi një diplomë false në Ambasadën Amerikane. Për të njëjtin fakt nën akuzën e shpërdorimit të detyrës është edhe ish-drejtori i shkollës.

Zëri i Amerikës: E paqartë situata në Bashkinë Shkodër

Një ditë pas njoftimit se Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokoi financat e Bashkisë Shkodër për shkak të përfundimit të mandatit të kryetares së kësaj bashkie, Voltana Ademit, është po kjo ministri që përmes një deklarate për mediat, bën të ditur se “strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kanë ndjekur nga afër këto procedura në përputhje më legjislacionin në fuqi”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaroi se: “Ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore”.

Por në njoftimin e saj Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk bën të ditur nëse në ditët në vazhdim, do të likuidojë apo jo faturat e kësaj bashkie të firmosura nga Voltana Ademi, të cilës, sipas kësaj ministrie i ka përfunduar mandati një ditë më parë.

Vetë zonja Ademi, e cila ndoqi sot punimet në një nga projektet e bashkisë, tha se asnjë nënpunës civil nuk mund të marrë përsipër të bllokojë procedurat që lidhen me vijimësinë e shërbimeve dhe investimeve në këtë bashki dhe se, për këtë, ajo do të ndjekë rrugën ligjore.

Zonja Ademi përëriti se, megjithë vështirësitë dhe presionin politiko-kriminal, do të vazhdojë detyrën deri në zgjedhjet e reja për kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak.

“Ne do të vijojmë të aplikojmë vetëm ligjin. Presim përgjigje zyrtare. Normalisht, çdo mosmarrveshje, sikurse parashikon Kushtetuta dhe ligji shqiptar, e zgjidhin gjykatat. Dhe, për këtë rast, ne do t’i drejtohemi gjykatës. Puna do të vazhdojë sepse nuk mund ta ndalë askush. Nuk është çështja të ndalësh kryetaren e Bashkisë Shkodër. Unë jam një ndër qytetarët e qytetit dhe bashkisë së madhe të Shkodrës dhe mendoj që nuk është e drejtë, është arbitrare, cënon të drejtat e njeriut kur bëhet fjalë për të gjithë banorët, që kanë nevojë të përfitojnë shërbimet dhe të vazhdojnë investimet e Bashkisë së Shkodrës”.

Një ditë më parë, përmes postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë njoftuan Bashkinë e Shkodrës për bllokimin e financave pasi, sipas ligjit, kryetares së bashkisë i mbaroi mandati me datën 20 gusht, në orën 16 e 30 minuta dhe se për ditët në vazhdim do të ishte Këshilli Bashkiak ai që do të zgjidhë problemin.

Kryetarja e Këshilit të sapokonstituuar të Bashkisë, Brisela Kadija, e pyetur nga Zëri i Amerikës, tha se “Këshilli Bashkiak është në proces të zbardhjes së vendimeve të mbledhjes së parë të konstituimit dhe se, pas kësaj, do të vazhdohet me procedurat ligjore, ashtu siç e parashikon ligji”, duke mos qartësuar kështu, se si do të veprohet me mandatin e zonjës Ademi.

Rasti i Bashkisë së Shkodrës ka krijuar një situatë të paqartë jo vetëm për analistët, por edhe ligjvënësit. Dorëheqja e fituesit të zgjedhjeve të 30 qershorit për këtë bashki, Valdrin Pjetrit, dhe deklarata e Presidentit të Republikës se nuk do të dekretojë zgjedhje të pjesshme për Shkodrën, kanë krijuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie.

Valdrin Pjetri dha dorëheqjen dy javë pas Zgjedhjeve të 30 qershorit, të zhvilluara pa pjesëmarrjen e opozitës. Dorëheqja e tij erdhi pas publikimit nga ana e PD-së e dokumenteve që vertetonin dënimin e tij në Itali, në vitin 2003, për trafik të lëndeve narkotike si dhe dëbimin e tij nga Italia.

Gjuha shqipe zgjon interesimin e studiuesve nga e gjithë bota

Taulant Qenaj

Kristina Kushlova nga Bullgaria është për herë të parë në Prishtinë. Ajo po ndjek ligjëratat në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. 23-vjeçarja që studion gjuhët ballkanike në Universitetin e Sofjes, thotë se është e dashuruar në letërsinë shqiptare.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha shqipe është shumë interesante sepse dallon shumë nga gjuhët tjera, por në të njëjtën kohë është shumë e ngjashme me gjuhët e tjera.

“Në fakt unë fillova të mësoj gjuhën shqipe shumë vone sepse mësoja të tri gjuhët rumanisht, greqisht dhe shqip në të njëjtën kohë dhe nuk kisha kohë t’i mësoj të gjitha. U takova pastaj me shqiptarët dhe e pashë sa njerëz të mirë janë dhe doja të di më shumë për kulturën edhe gjuhën”, tha ajo.

Kristinës dhe shumë studentëve të tjerë që kanë ardhur për të mësuar gjuhën shqipe, po u ligjëron profesoresha nga Rusia Maria Morozova, e cila ligjëron gjuhën shqipe në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut në Rusi.

Për dallim nga studentët, për Marian kjo është hera e dhjetë që është pjesë e seminarit.

Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se si kishte filluar lidhjen e saj me gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për herë të parë e kishte dëgjuar gjuhën shqipe nga shqiptarët e Ukrainës dhe pastaj kishte filluar të studionte për të zotëruar shqipen që e flet sot.

“Gjuha që flitet ka shumë variante, kultura ka shumë variante, edhe ushqimet, edhe kostumet, dhe kjo gjithmonë më habit. Kam shumë qejf të studioj edhe gjuhën edhe kulturën. Më intereson më shumë jeta familjare, jeta shoqërore. Për marrëdhëniet farefisnore, për institutin e martesës. Më pëlqen si ekziston ky institut edhe pavarësisht nga zakoneve të reja, doket dhe zakonet e veçanta të shqiptarëve që më pëlqejnë”, tha Morozova.

Profesoresha nga Rusia e adhuron jugun e Shqipërisë dhe qytetin e Prizrenit në Kosovë, që janë edhe rekomandimet kryesore që kjo i ka për miqtë e saj që dëshirojnë të vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë.

“Kur shkova (erdha) për herë të parë në Ballkan, Kosovë-Shqipëri, madje mamaja ishte e lumtur që do të shoh një vend kaq interesant. Miqtë për shembull, janë të interesuar pse e studioj një gjuhë kaq të rrallë, një kulturë kaq të rrallë. Shumë herë më pyesin diçka për shqiptarët, për Shqipërinë, a mund të shkojmë ne në Shqipëri?- A mund ta vizitojmë edhe Kosovën?- Çfarë mund të shohim?- Dhe gjithmonë u tregoj me shumë qejf”, tha Morozova.

Rina Asani, e cila është vullnetare në këtë seminar, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligjëratat e këtij seminari, janë mundësi shumë e mirë për studentët e huaj që të njohin gjuhën dhe kulturën shqiptare.

“Në seminar studentët do ta mësojnë gjuhën shqipe nëpër kurse të gjuhës të cilat mbahen nga mësimdhënës nga Kosova dhe Shqipëria në bashkëpunim. Po ashtu kemi ligjërata nga profesorë të nderuar të gjuhës shqipe, diskutime, tryeza, referime, ka edhe promovime të librave të ndryshëm. Në vikende i kemi ekskursionet, ku studentët e huaj shëtisin nëpër gjithë Kosovën dhe kanë mundësi t’i shohin bukuritë e shtetit tonë”, tha Asani.

Në Seminarin e 38-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, po marrin pjesë rreth 70 studentë nga e mbarë bota. Seminari do t’i vazhdojë punimet deri më 30 gusht.