VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Cilat janë ndryshimet e propozuara për vizat amerikane?

By | September 26, 2020

Komentet

(Video) Ish Kongresmeni Joe DioGuardi u bë një urë lidhëse midis shqiptarëve dhe Presidentit George H W Bush (1984-1992) e djalit të tij Presidentit George W Bush (2000-2008) 

Voal.ch – E kanë harruar shqiptarët ?! Kaq shpejt i ka kapluar harresa ! Shumë keq nëse i harrojnë ata që i kanë shpëtuar nga rreziku i zhbërjes.

Një nga Ëngjëjt e kombit shqiptar është ish Kongresmeni Joe DioGuardi i cili u bë një urë midis Shqiptarëve dhe administratave Amerikane të drejtuara nga nënPresidenti dhe Presidenti George H W Bush (1984-1992) dhe administrata e birit të tij Presidentit Presidentit George W Bush (2000-2008), duke i kthyer edhe dy Presidentë të SHBA Ëngjëj të kombit shqiptar.

A ju kujtohet “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” që Presidentit George HW Bush  i dha kasapit të Ballkanit Milosheviç ?

A ju kujtohet kur Presidenti George W Bush e deklaroi pavarësinë e Kosovës në mes të Tiranës më 10 qershorin e 2007 dhe pastaj do ta njihte shtetin e Kosovës më shkurtin e 2008!

Mos harroni!

voal.ch po ju sjell videon që ta shihni me sytë tuaj dhe sytë e mendjes!

 

 

 

SHBA konfirmojnë vdekjen e eksponentit të lartë të al-Kaidas

Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje të rëndësishme ndaj grupit terrorist, megjithë konfuzionin në njoftimet fillestare për pozicionin e tij në hierarkinë e Al-Kaidas.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi vdekjen e Abu Muhsin al-Masrit të hënën, duke thënë se forcat amerikane ofruan mbështetje gjatë operacionit afgan në provincën lindore Ghazni.

Në vazhdim, Shtëpia e Bardhë ofroi edhe konfirmimin e saj, duke e lavdëruar operacionin afgan për eliminimin e al-Masrit si një “lajm të mirëpritur”.

Komentet nga zyrtarët amerikanë vijnë dy ditë pasi Drejtoria Qendrore e Sigurisë së Afganistanit (NDS) njoftoi e para vdekjen e al-Masrit nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së shtunës, duke e përshkruar atë si numrin dy të njërës prej degëve të Al-Kaidas në Nënkontinentin Indian (AQIS).

NDS gjithashtu tha se al-Masri kishte lidhje të afërta me udhëheqësin e al-Kaidas, Ayman al-Zawahiri, dhe se jetonte në Afganistan nën mbrojtjen e talibanëve.

Në përgjigje të mesazheve në Twitter të palës afgane, Drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, Christopher Miller, i tha të shtunën vonë agjencisë së lajmeve Reuters se vrasja e al-Masrit ishte “një goditje e rëndë” për al-Kaidan, megjithëse nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme.

Sidoqoftë, disa zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë kundër terrorizmit i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse me domethënie, vdekja e al-Masrit nuk është goditja që u përshkrua në disa variante.

Ata thanë se në veçanti raportet që thonë se al-Masri ishte i dyti në hierarki pas Zawahirit janë të gabuara, dhe se e kanë ngatërruar me një tjetër eksponent që ndonjëherë përdor pseudonimin al-Masri.

Ata thonë se al-Masri i vrarë në provincën Ghazni të Afganistanit është Abu Muhsin al-Masri, i njohur gjithashtu si Husam Abd al-Ra’uf, një udhëheqës i lartë i cili së fundmi ishte caktuar të punonte me talibanët për bashkëpunimin operacional dhe koordinimin e strehëve të sigurta për luftëtarët e al-Kaidës.

Këta zyrtarë thonë se udhëheqësi numër dy i al-Kaidës, dhe pasardhës i mundshëm i al-Zawahiri, është një al-Masri tjetër, Abu Muhammad al-Masri, i njohur gjithashtu si Abdullah Ahmed Abdullah.

Ndërsa të dy burrat kanë qenë në listën e më të kërkuarve të FBI-së, Departamenti i Shtetit po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që sjell Abu Muhammad al-Masrin para drejtësisë.

Në një seri mesazhesh në Twitter të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani lavdëroi forcat afgane për operacionin që vrau Abu Muhsin al-Masrin.

Por zoti Ghani paralajmëroi se operacioni tregon se, “terrorizmi mbetet ende një kërcënim i madh për Afganistanin, rajonin dhe botën dhe se talibanët nuk i kanë ndërprerë ende lidhjet e tyre me rrjetet e tjera terroriste, përfshirë al-Kaidën”.

Zyrtarët lokalë i mbështetën këto deklarata duke i thënë shërbimit afgan të Zërit të Amerikës të hënën se luftëtarët talebanë ishin me Abu Muhsin al-Masri kur hynë forcat afgane.

“Një komandant taliban, Emran Hanzalah, dhe disa luftëtarë të tjerë u vranë”, tha Vahidullah Jumah Zada, një zëdhënës i guvernatorit të provincës Ghazni.

Një zyrtar tjetër i tha Zërit të Amerikës se nuk është e zakonshme të shohësh të huaj që duket se janë nën mbrojtjen e talibanëve.

“Njerëz të tillë shihen shumë në rrethet Qarah Bagh, Andar dhe Giru”, tha Esmatullah Jamoradwal, një anëtar i Këshillit Krahinor të Ghaznit. “Ata flasin urdu, arabisht dhe gjuhë të tjera”.

“Talibanët nuk i lënë vendasit t’i shohin ata nga afër dhe është e qartë se mes tyre janë shumë luftëtarë të huaj”, shtoi ai.

Disa zyrtarë të antiterrorit të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po nënvlerësojnë forcën e al-Kaidës në Afganistan.

Një raport i OKB-së i publikuar në korrik paralajmëroi se grupimi “është fshehtazi aktiv në 12 provinca afgane”, duke shtuar se komandon ndoshta 400 – 600 luftëtarë.

Raporti tha se AQIS besohet të ketë deri në 200 luftëtarë të tjerë në dispozicion; shumë prej të cilëve po u ofrojnë mbështetje talibanëve.

Senati miraton emërimin e Gjyqtares Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Senati amerikan konfirmoi të hënën Gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Amy Coney Barrett si anëtaren më të re të Gjykatës së Lartë me 52 vota pro dhe 48 kundër.

Senatorja republikane nga shteti Mejn, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të zonjës Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e Gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në bazë të arkivave ekzistuese historike, asnjë anëtar tjetër i Gjykatës së Lartë nuk është konfirmuar pa mbështetjen e asnjë prej senatorëve të partisë opozitare, në të paktën 150 vjet.

Zonja Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Presidenti Donald Trump, gjë që ndikon fuqimisht në balancën ideologjike të gjykatës më të lartë në vend. Me përfshirjen e zonjës Barrett, gjykata me nëntë anëtarë ka tani një shumicë të konsiderueshme konservatore prej 6-3.

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Anëtari i Gjykatës së Lartë Clarence Thomas pritet të kryesojë ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett të planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në orët e vona të së hënës.

Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e zonjës Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.

Demokratët kishin argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet t’i lihej kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale, një qëndrim që republikanët mbajtën për plotësimin e një vendi të zbrazët në gjykatë në fillim të vitit zgjedhor 2016.

“Senati po vepron siç duhet,” tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. “Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit”.

Senati votoi 51- 48 të dielën për t’i mbyllur fjalimet e gjata që synojnë të bllokojnë votimin, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar.

“Demokratët po marrin fjalën gjithë natën për të luftuar këtë proces të rremë nga Republikanët e Senatit,” tha udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer. “Ne nuk do të ndalemi së luftuari.”

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e cilësoi votën “të papërligjshme” dhe “grahmat e fundit të një partie të dëshpëruar,” njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjyqtarja Barrett mund të jetë një ndër gjykatësit që mund të peshojnë padi të ngritura lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse nuk është e sigurtë nëse ajo do të kërkojë të përjashtohet pasi u emërua nga Presidenti Trump. Gjatë seancave të konfirmimit ajo nuk pranoi të jepte një përgjigje të qartë ndaj pyetjes.

Zonja Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, të cilin zoti Trump ka kërkuar ta rrëzojë.

Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidenti Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë. Fati i ligjit është një shqetësim thelbësor për shumë njerëz mes numrit të shtuar të rasteve të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Kongresi i udhëhequr nga Republikanët në vitin 2017 eliminoi klauzolën e ligjit e cila e bënte të detyrueshme blerjen e sigurimit shëndetësor. Ata tani duan që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin në tërësi, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë.

Shtëpia e Bardhë: “Nuk do ta kontrollojmë koronavirusin”

Me rritjen sërish të rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi të dielën se vendi “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

“Nuk ishte një lajthitje nga zoti Meadows,” tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pranim i sinqertë i asaj që strategjia e Presidentit Trump ka qenë e qartë që nga fillimi i kësaj krize: të valëvitësh flamurin e bardhë të humbjes dhe të shpresosh që duke e injoruar atë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi, “Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që kushton mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ​ dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

SHBA kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej 225,000 vdekjesh dhe 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Më shqetësuese është rritja e shpejtë e numrit të rasteve të reja, me 32% duke arritur në më shumë se 68,000 në ditë javën e fundit dhe në 84,000 të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve qeveritarë të shëndetit për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Të shtunën vonë, zyrtarët njoftuan se Marc Short, shefi i kabinetit të Zëvendës Presidentit Mike Pence, dhe disa ndihmës të tjerë të zoti Pence janë infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.

zëri i amerikës

Trump dhe Biden përplasen për koronavirusin, racën, taksat…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.

“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.

Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.

“Kanë vdekur 220,000 amerikanë. Nëse nuk dëgjoni asgjë tjetër që them sonte, dëgjojeni këtë”, tha Biden. “Kushdo që është përgjegjës për kaq shumë vdekje, nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.

Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.

Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.

Akuza dhe kundërakuza për korrupsion

Trump po ashtu e sulmoi Bidenin, duke e quajtur politikan “të korruptuar”, ndërsa përsëriti edhe akuzat kundër djalit të tij Hunter, i cili ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, për pesë vjet, duke filluar nga viti 2014.

Roli i Hunter Bidenit në Burisma është vënë nën vëzhgim të ri, pas akuzave nga Trump, që, sipas tij, janë prova të korrupsionit.

Biden tha se djali i tij nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme derisa ka punuar në Burisma. Ai më pas kaloi në ofensivë, duke thënë se Trump është ai që është fajësuar për marrëdhëniet e tij me Ukrainën.

Biden po ashtu tha se akuzat kundër djalit të tij janë hetuar në mënyrë të përsëritur dhe se ato nuk lidhen me ndonjë keqbërje.

Biden e sulmoi presidentin, duke vënë në dyshim taksat dhe lidhjet e tij me biznese të huaja.

Ata i adresuan edhe çështjet racore në SHBA dhe Biden e akuzoi Trumpin për nxitje të racizmit.

Trump, në anën tjetër, tha se ka bërë për afrikano-amerikanët më shumë se çdo president tjetër, përveç Abraham Lincolnin, i cili i ka liruar skllevërit.

Ai vuri në dukje përpjekjet e tij për reforma në drejtësinë penale dhe përsëriti se, para pandemisë, papunësia në mesin e afrikano-amerikanëve ishte e ulët.

Trump gjithashtu e akuzoi Bidenin se nuk ka bërë asgjë për afrikano-amerikanët gjatë dekadave të tij në politikë.

Ai e kritikoi atë edhe për mbështetjen e një ligji për krimin në vitet 1990, i cili ka rritur nivelet e burgimit në SHBA, veçanërisht për burrat afrikano-amerikanë dhe ata që janë gjetur fajtorë për vepra jo të dhunshme të drogës.

Debati përfshiu edhe sigurinë kombëtare, sigurinë e zgjedhjeve, Kinën, imigracionin, ndryshimin e klimës dhe energjinë e ekonominë.

Debati u mbajt me një rregull të ri, me të cilin i fikej mikrofoni kandidatit që nuk fliste. Rregulli u miratua pas debatit të parë Trump-Biden, i cili u përshkua me ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit.

Debati i parë është mbajtur më 29 shtator. I dyti, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.

Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.

Përgatiti: Valona Tela

Biden propozon krijimin e një komisioni për reformimin e gjyqësorit amerikan

Marrë nga Reuters

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.

Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.

Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.

“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.

“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.

Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.

Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.

Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.

Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.

Zbulimi amerikan: Rusia, Irani kanë shtënë në dorë të dhëna të votuesve amerikanë

John Ratcliffe, Drejtori i shërbimeve amerikane të zbulimit

Marrë nga Associated Press

Rusia dhe Irani kanë shtënë në dorë informatat e regjistrimit të votuesve amerikanë, tha në një konferencë të rrallë për shtyp kreu i shërbimeve amerikane të zbulimit.

John Ratcliffe, drejtor i shërbimeve amerikane të zbulimit dhe drejtori i FBI-së, Chris Wray thanë se SHBA do të përgjigjej me masa ndëshkuese ndaj çdo vendi të huaj që ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020.

“Kemi konfirmuar se i njëjti informacion mbi votuesit është shtënë në dorë si nga Irani, ashtu edhe nga Rusia,” tha zoti Ratcliffe gjatë një konference për shtyp të zhvilluar pa paralajmërim. “Kemi diktuar Iranin duke dërguar emaile me emra të sajuara për të frikësuar votuesit, për të nxitur trazira sociale dhe për të dëmtuar Presidentin Trump,” tha ai gjatë komenteve të mërkurën në mbrëmje.

zëri i amerikës

Çfarë ndodh nëse nuk ka fitues të qartë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA?

Dy javë nga zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti, ekspertët politikë po analizojnë një sërë skenarësh me të cilat vendi mund të përballet në ditën e zgjedhjeve dhe në javët në vijim. Mundësitë ndryshojnë midis një fitoreje të qartë nga Presidenti Donald Trump ose ish-nënpresidenti Joe Biden, dhe një beteje të pazgjidhur ligjore që e lë rezultatin të pasigurt në janar, kur Kongresi i ri duhet të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ekspertët thonë se përcaktimi i fituesit të këtyre zgjedhjeve është veçanërisht i tensionuar për shkak të një niveli të paprecedent të votimit në mungesë të nxitur nga pandemia e koronavirusit. Dallimet e ligjeve mes shteteve mbi mënyrën dhe kohën e numërimit të fletëvotimeve në mungesë lenë të kuptohet se mund të duhen ditë ose javë për të përfunduar numërimin e votave.

Në atë që ai e quan “skenar makthi”, studiuesi politik William Galston i Institutit Brookings thotë se kontestimi i zgjedhjeve me rezultat të ngushtë për të cilin ka dyshime do ta “[zhyste] vendin në kaos në rrethana shumë të pafavorshme”.

Presidenti Trump ka ngritur vazhdimisht shqetësimin që përdorimi masiv i fletëvotimeve me postë do të çonte në një rezultat të manipuluar të zgjedhjeve dhe ka refuzuar vazhdimisht të angazhohet paraprakisht për një transferim paqësor të pushtetit nëse ai humbet. Zoti Biden ka thënë se ai do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, me kusht që të ketë një numërim të drejtë të votave.

Duke patur parasysh trazirat e mundshme që mund të shkaktojnë zgjedhjet e kontestuara, skenari më i mirë do të ishte një rezultat i qartë ose gati i sigurt natën e zgjedhjeve, që edhe mund të ndodhë. Por natyra e sistemit amerikan të zgjedhjes së presidentit lë të hapura rezultate të ndryshme.

Një proces kompleks

Joe Biden, sfiduesi demokrat, aktualisht gëzon një epërsi afërsisht prej 9 deri në 10 pikësh në sondazhet në të gjithë vendin, por presidenca nuk fitohet në bazë të votës popullore. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen përmes një sistemi kompleks me dy hapa në të cilin votat në nivelin shtetëror pasohen nga një votim i dytë në një organ të njohur si Kolegji Zgjedhor. Shteteve individuale u caktohet një numër i dhënë “elektorësh”, bazuar në popullsinë, dhe pasi të jenë numëruar votat çertifikohet një listë personash që mbështesin fituesin e votës popullore në secilin shtet. (Vetëm në dy shtete, Mejn dhe Nebraska, është e mundur që kandidatët t’i ndajnë mes tyre votat elektorale.)

The U.S. Electoral College

The U.S. Electoral College

Sondazhet në disa shtete të caktuara nxjerrin se pavarësisht se është prapa në sondazhet në nivel vendi, Presidenti Trump mund t’i fitojë zgjedhjet edhe nëse ai nuk merr më shumë vota se rivali i tij, siç bëri në vitin 2016, duke fituar në Kolegjin Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Për të arritur fitoren, një kandidat duhet të marrë të paktën 270 nga gjithsej 538 votat e Kolegjit Zgjedhor. Votat numërohen zyrtarisht në një seancë të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit më 6 janar.

Ndërsa shumë shteteve do t’u duhen ditë ose edhe javë për të përfunduar numërimin e të gjitha votave, një numër shtetesh kyçe për rezultatin e zgjedhjeve pritet të shpallin rezultatet e plota ose gati të plota në mbrëmjen e zgjedhjeve ose në fillim të ditës pasuese.

Mes tyre është Florida, një shtet që Presidenti Trump e fitoi në vitin 2016 dhe ku ai dhe zoti Biden tani janë në një garë të ngushtë. Një fitore e zotit Biden në këtë shtet do t’i siguronte atij 29 vota elektorale dhe do t’ia mbyllte gati të gjitha rrugët e fitores zotit Trump. Karolina e Veriut, me 15 vota elektorale dhe Arizona me 11, gjithashtu të rëndësishme për shumicën e skenarëve që mund t’i japin fitoren Presidentit Trump, ka të ngjarë t’i njoftojnë rezultatet herët.

“Ka një arsye për të besuar se ato shtete mund të jenë në gjendje të përfundojnë numërimin e plotë të votave natën e zgjedhjeve, ose mëngjesin e ditës tjetër”, tha Richard H. Pildes, ekspert i ligjit të zgjedhjeve dhe profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju Jorkut . “Nëse ne e dimë, për shembull, se Presidenti Trump ka humbur Floridën, atëherë edhe nëse Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsini nuk do të kishin përfunduar numërimin e votave, do të kishim një arsye shumë të fortë për të besuar se zoti Biden do t’i fitonte zgjedhjet.”

Miçigani ka 16 vota elektorale, Pensilvania 20 dhe Uiskonsini 10.

Zoti Pildes shton se në një skenar ku rezultati në Florida është shumë i ngushtë dhe nuk mund të përcaktohet fituesi natën e zgjedhjeve, ndërsa shtetet e tjera janë të ndara midis kandidatëve, gjërat shumë shpejt mund të bëhen të debatueshme.

Betejat e mundshme ligjore

“Nëse rezultati është i pasigurt nga, le të themi herët në mëngjes të nesërmen, sepse ka shtete që nuk mund të përfundojnë numërimin e plotë për shkak të vëllimit masiv të fletëvotimeve në mungesë që ende duhet të numërohen … atëherë unë do të prisja mosmarrëveshje të forta në ato shtete për secilën prej atyre fletëvotimeve në mungesë, dhe debate nëse ato duhet të trajtohen si të vlefshme”, thotë Pildes.

Ka disa momente kryesore midis ditës së zgjedhjeve dhe çertifikimit të rezultatit nga Kongresi më 6 janar. I pari prej tyre është 8 dhjetori, e ashtuquajtura data “e sigurt” deri në të cilën shtetet pritet të paraqesin listat e çertifikuara të zgjedhësve tek Arkivisti i Shteteve të Bashkuara.

Early voting Arlington, Virginia

Early voting Arlington, Virginia

Në rast se një shtet nuk e ka përfunduar numërimin e votave deri në atë datë, ose për shkak të vazhdimit të numërimit apo veprimeve ligjore, ekziston një dispozitë në ligjin federal që lejon legjislaturën e shtetit të mblidhet dhe të caktojë një listë të elektorëve pa e ditur numrin përfundimtar të votave. Kjo krijon mundësinë që një legjislaturë partiake të caktojë një listë elektorësh që mbështesin kandidatin, i cili në fund humbet votën popullore të shtetit.

Në shtetet ku guvernatori dhe legjislatura janë të ndara midis palëve, ekziston një faktor tjetër komplikues. Për shkak se është guvernatori që zyrtarisht çertifikon listën e zgjedhësve pas një votimi, është e mundur që një shtet mund të paraqesë dy lista elektorësh, të dyja me një pretendim të besueshëm legjitimiteti.

Sipas ligjit federal, nëse Kongresi i ri paraqitet me dy lista konkurruese elektorësh nga i njëjti shtet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votojnë për të përcaktuar se cila do të pranohej. Nëse bien dakord, atëhere merret propozimi që ata zgjedhin. Nëse ata nuk bien dakord, fiton lista e çertifikuar nga guvernatori.

Një rezultat i barabartë në Kolegjin Zgjedhor

Është gjithashtu e mundur, megjithëse nuk ka gjasa, që të mos ketë asnjë fitues të presidencës edhe pas numërimit të votave elektorale. Nëse të dy kandidatët përfundojnë me nga 269 vota secili, është Dhoma e Përfaqësuesve që vendos për fituesin. Megjithatë, në vend të një vote për secilin nga 438 anëtarët Dhomës së Përfaqësuesve, delegacionet për secilin shtet votojnë si një grup, që do të thotë se partia dominuese në secilin shtet do të kontrollonte votën e saj.

Një rezultat i tillë do t’u jepte afërsisht të njëjtën peshë të 600,000 qytetarëve të shtetit Uajoming në zgjedhjen e presidentit sa 40 milionë qytetarëve të Kalifornisë.

Një alternativë e fundit në sistem është mundësia që disa nga zgjedhësit e dërguar për të votuar për presidentin më 14 dhjetor të rezultojnë “të pabesë”. Në një numër të kufizuar rastesh gjatë viteve, elektorët që duhet të votojnë për një kandidat të caktuar kanë hedhur votat e tyre në Kolegjin Zgjedhor për kandidatin tjetër.

Disa shtete kanë miratuar ligje që detyrojnë zgjedhësit të votojnë ashtu siç ka votuar shumica e votuesve të shtetit dhe Gjykata e Lartë ka vendosur që kufizime të tilla janë të ligjshme. Mbetet e mundur që zgjedhësit “e pabesë” të përpiqen të ndikojnë në rezultatin zgjedhjeve, por ekspertët theksojnë se rezultati duhet të jetë tepër i ngushtë që një përpjekje e tillë të jetë e suksesshme dhe do të duhej një shkallë e lartë koordinimi mes anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e vështirë për t’u realizuar.

Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa janë të mundur, shumica e këtyre skenarëve nuk ka të ngjarë të ndodhin.

Profesori Pildes, nga Universiteti i Nju Jorkut, thekson se edhe pa një numërim të plotë ë natën e zgjedhjeve, në fund mund të jetë e qartë se kush do të jetë fituesi.

“Edhe në shtetet që nuk mund ta përfundojnë dot numërimin e votave, qarqet e veçanta në ato shtete mund ta përfundojnë numërimin”. “Dhe media do të bëjë krahasimin e rezultatit të votimit të vitit 2020 për Presidentin Trump në ato qarqe me ato të vitit 2016. Dhe nëse nuk paraqitet mirë në mënyrë sistematike ose paraqitet shumë mirë bazuar në këtë krahasim, ky do të jetë një informacion që mund të sinjalizojë shumë fort se në cilin drejtim po shkojnë zgjedhjet, edhe nëse fituesi nuk mund të deklarohet zyrtarisht … Unë mendoj se kjo është e mundur ashtu si çdo skenar tjetër”, thotë profesor Pildes.

zëri i amerikës

SHBA, 300 mijë viktima që nga fillimi i COVID-19

New York

Një raport i ri qeveritar tregon se që kur filloi pandemia e koronavirusit (COVID-19), SHBA regjistroi 300 mijë vdekje, më shumë sesa zakonisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë ndjekur sa vdekje janë raportuar dhe i kanë krahasuar ato me numrat e nxjerra në vitet e tjera. Zakonisht, midis fillimit të shkurtit dhe fundit të shtatorit, raportohen rreth 1.9 milionë vdekje. Këtë vit, kjo shifër ka arritur në afër 2.2 milionë, një rritje prej 14.5 për qind.

CDC thotë se koronavirusi merr pjesë me rreth dy të tretat e numrit të rritur të vdekjeve. Zyrtarët e CDC-së thonë se ka të ngjarë që virusi të jetë faktor edhe në shumë vdekje të tjera. Për shembull, dikush me simptoma të sulmit në zemër mund të ketë hezituar të shkojë në spital që ishte përplot me pacientë me COVID-19.

Segmenti më i madh i vdekjeve të stërzmadhuara, rreth 95 mijë, ishte tek personat e moshuar nga mosha 75 deri në 84 vjeç. Kjo përbën 21.5 për qind më shumë se në një vit normal. Por, rritja më e madhe relative, 26.5 për qind ishte tek personat e moshës prej 25 deri në 44 vjeç. Vdekjet tek personat më të rinj se 25 vjeç shënuan rënie të lehtë.

Vdekjet u regjistruan tek grupe të ndryshme racore dhe etnike, por rritja më e madhe prej 54 për qind u regjistrua midis hispanikëve amerikanë.

Melania Trump anulon paraqitjen në një tubim fushate për arsye shëndetësore

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump nuk mori pjesë të martën në një tubim fushate me Presidentin Donald Trump për shkak të një kolle të zgjatur nga Covid-19, sipas shefes së personelit të saj, Stephanie Grisham.

Grisham tha të martën se shëndeti i zonjës Trump vazhdon të përmirësohet çdo ditë pasi ajo dhe presidenti njoftuan në fillim të tetorit se ishin infektuar me koronavirusin.

Zonja e parë ka vendosur të mos e shoqërojë PresidentinTrump në një tubim fushate të martën mbrëma në Erie të Pensilvanisë si një “masë shtesë kujdesi”, tha zonja Grisham.

Melania Trump, e cila njoftoi javën e kaluar se ishte shëruar nga Covid-19, bëri paraqitjen e saj të fundit publike gjatë debatit të 29 shtatorit midis Presidentit Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden.

zëri i amerikës

FAKSIMILE – Nga pavarësia, dialogu me Serbinë deri tek integrimi në BE, zbulohet plani i Joe Biden për Kosovën dhe Shqipërinë

Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden  ka publikuar një plan disapikësh, ku ka shpalosur se do të jenë marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në letrën e dërguar nga komiteti shqiptaro-amerikan, Biden thotë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Më tej, Biden thotë se duhet të anulohet qasja e Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu Biden thotë se do të mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë, dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit, duke përmendur edhe vëllezërit Bytyqi.

Ndër të tjera, përmend edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe hapat për integrimin në Bashkimin Evropian, përfshirë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Joe Biden po ashtu ka treguar se e ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës.

Në letër thuhet po ashtu se do të përkrahë Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE.

Komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit ngre shqetësime për dhunë gjatë zgjedhjeve

Michael John Null and Willam Grant Null (djathtas) ndër të akuzuarit e datës 8 tetor 2000 qëndrojnë me armë në ndërtesën qeveritare të shtetit Miçigan

 

Në shtetin amerikan Miçigan, autoritetet kanë kapur 13 persona që akuzohen se po planifikonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e guvernatores së këtij shteti. Koha e zbatimit të këtij plani, në të cilin përfshihej një grup paramilitar i armatosur me armë gjysmë-automatike dhe eksplozivë, ishte planifikuar të zbatohej në kohën e duhur për të prishur zgjedhjet amerikane dhe për të ngjallur një rebelim. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, foli me ekspertë të cilët paralajmërojnë se mesazhi provokativ nga liderët dhe mediat sociale me rregulla të dobëta, mund të jenë duke e orientuar klimën politike amerikane drejt dhunës.

 

Pranverën e kaluar, në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta kundër masave të sigurisë për pandeminë. Në tubimet përpara godinës qeveritare të shtetit Miçigan në prill dhe maj, disa protestues shprehën dëshpërim për humbjen e të ardhurave, ndërsa të tjerët u nxitën nga ajo që ata e konsideruan si një abuzim i pushtetit nga Guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer.

 

Disa protestues sollën edhe armë në legjislaturën e shtetit.

 

Nëse nuk do të sillnim armët tona, këta njerëz nuk do të mbroheshin dhe qeveria mund ta tejkalonte autoritetin e saj sa të dëshironte“, thotë Duncan instruktor i armëve të zjarrit.

 

Javën e kaluar, 13 burra u akuzuan për komplot për rrëmbimin e guvernatores në përpjekje për të nxitur një kryengritje të dhunshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.

 

Disa nga të arrestuarit kishin qenë pjesëmarrës të rregullt në tubimet kundër masave të izolimit, aktivitete këto të organizuara dhe të mbështetura nga operativë politikë me lidhje të forta në spektrin e djathtë, thotë Lisa Graves, e cila drejton një grup studimor të politikave publike.

 

Ka grupe të konsoliduara që po ndihmojnë disa grupe që ishin më në periferi“, thotë Lisa Graves, drejtore ekzekutive e “True North Research”.

 

Këto grupe të krahut të djathtë po nxisnin përpjekjet për të shfuqizuar urdhërat (për izolimin) dhe duke e quajtur atë tirani. Dhe nuk ishin vetëm ata, por edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara“, thotë zonja Graves.

 

Këto janë rrethanat kur retorika mund të inkurajojë njerëzit që mund të kenë prirje për dhunë“, thotë zonja Graves.

 

Pas arrestimeve, Guvernatorja Whitmer akuzoi Presidentin Donald Trump se “ushqen mosbesimin dhe nxit zemërimin”. Presidenti Trump u përgjigj duke shkruajtur në Twitter se ai nuk e toleron “dhunën ekstreme” dhe se “Guvernatorja Whitmer ka bërë një punë të tmerrshme”.

 

Shtatë nga burrat e akuzuar ishin anëtarë të një milicie anti-qeveritare që rekruton dhe komunikon duke përdorur Facebook-un. Dhe megjithëse kompania Facebook lajmëroi FBI-në për deklaratat e zjarrta të grupit, ekspertë si Joan Donovan thonë se kompanitë e mediave sociale nuk kundërveprojnë gjithnjë ndaj kërcënimeve.

 

Për mua, kjo është më shumë një shenjë paralajmëruese se ka grupe të tjera që ndoshta po bëjnë plane të tilla“, thotë Joan Donovan, Drejtore Kërkimesh, në Qendrën e Harvardit “Kennedy Shorenstein” për Politikën e Medias dhe Politikën Publike.

 

Dhe nëse kompanitë që i kanë ndërtuar këto rrjete për të transferuar informacione nuk janë të vetëdijshme për atë çfarë transmetohet, atëherë kjo e vë publikun në rrezik shumë më të madh“, thotë zonja Donovan.

 

Gjatë këtij viti u panë gjithashtu protesta mbi vrasjet nga policia të qytetarëve afrikano-amerikanë që shpërthejnë në të gjithë vendin, me disa valë dëmtimi të pronës, plaçkitje dhe përplasje me kundër-protestuesit.

 

Drejtori i FBI-së Christopher Wray kohët e fundit trajtoi kërcënimin e përshkallëzuar të ekstremizmit në dëshminë e tij përpara Kongresit.

 

Megjithëse shumica e protestuesve kanë qenë paqësorë, ne kemi hapur hetime mbi individë të përfshirë në veprimtari kriminale në këto protesta, disa prej të cilëve u përmbahen axhendave të dhunshme ekstremiste të krijuara për të mbjellë mosmarrëveshje dhe trazira“, tha zoti Wray.

 

Votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Amerikës dhe FBI-ja po përpiqet të garantojë amerikanët për sigurinë e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje njerëzve të raportojnë krime të dyshuara zgjedhore ose frikësimin e votuesve.


Send this to a friend