VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

CIA zbardh të tjera detaje nga gjyqi i agjentëve të saj në Tiranë, 8 persona në pushkatim, rivalët e Hoxhës dhe amerikanët në alarm nga Sigurimi i Shtetit

By | January 19, 2018

Komentet

Kur shtrati ishte dhomë, jeta që niste nga kamioni i deportimeve

Fatmira NIKOLLI – Më 23 gusht, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare organizohet Dita Muze në Kampin e Tepelenës, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Bashkia e Tepelenës, Harabel dhe MEMO, me të mbijetuar, institucione e shoqëri civile aktive, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, qeverisë së Italisë dhe ambasadës së Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. Aktivitetet fillojnë në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës, Tepelenë, me ekspozitë me materiale arkivore dhe simpozium shkencor mbi punën e detyruar në diktaturë, duke paraqitur edhe ecurinë e punës për projektin e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar. Vijojnë në orën 18.00 në Kampin e Tepelenës, me nderimin e të mbijetuarve nga Presidenti i Republikës, në shenjë të triumfit të dinjitetit njerëzor dhe me projektet artistike-sociale të MEMO e artistëve të tjerë, në bashkëpunim me Harabel. Po atë ditë zhvillohet aktiviteti “N’dritë” në nderim të të internuarve të Kampit të Tepelenës 1949-1953, organizuar nga AIDSSH dhe Harabel. MEMO do të japë kontributin e saj me “Sikur mama”, dy km me kamionin e deportimeve; me “Dhomën shtrat”, rindërtim i situatës
së kampit, bazuar në vizatimet e Lek Pervizit dhe “I përkasim njëri –tjetrit”, video në vetë të parë, bazuar në histori të vërteta.

“SHTRATI DHOMË” 
Kamioni do të ndalet pranë ish-fjetores së kampit, ku një punëtor do të jetë duke ndërtuar një “shtrat dhomë”, sipas vizatimeve të Lek Pervizit dhe ndërkohë, të mbijetuarit e pranishëm mund të ndajnë kujtimet e tyre apo të tregojnë se si e mbajnë mend atë vend, duke i dhënë orientime punëtorit. Në kapanonet e mbijetesës dhe në jo pak raste, të vdekjes, ishin të detyruar të jetonin rreth 700 persona në të njëjtën hapësirë. Çdo familje, – kishte edhe me nga dhjetë vetë, – kishte në dispozicion katër metra katrorë sipërfaqe dërrase në të, ku të jetonte dhe të flinte. Në jo pak raste, kjo do të thoshte rreth 30-40 cm hapësirë për person. Transformimi i ardhshëm i kampit në Muze Kombëtar të Kujtesës parashikon rindërtimin e njërës prej kazermave, sipas kushteve të jetesës së të internuarve gjatë 1949-1953, në kampin me tela me gjemba. Me rënien e errësirës, kamioni do të shndërrohet në një hapësirë ku do të mund të shihen videot e nismës “I përkasim njëri-tjetrit”, një pjesë e të cilave janë bazuar në histori të ndodhura në kamp. Kamioni do të transformohet në kinema të hapur.

“SIKUR MAMA”…
Gratë dhe fëmijët janë dërguar në kampin e Tepelenës pa pasur mundësi të merrnin gjë me vete, veç rrobave të trupit. Disa prej tyre kanë vdekur rrugës, prej urisë dhe kushteve të motit. Kjo performancë artistike do të jetë një ndërveprim në distancë kohe me rrugëtimin e gjatë të shumë grave e fëmijëve të dënuar në kampin e Tepelenës. Një kamion i epokës (nga të paktët ende të mbetur) do t’i presë të ftuarit dy kilometra përpara mbërritjes në kamp. Stafi i MEMO-s do t’i orientojë të ftuarit të hipin në kamion.
Përgjatë rrugës për në kamp do të ketë zhvillime të tjera që mund t’i përjetoni në vetë të parë…

“I PËRKASIM NJËRI-TJETRIT”
I përkasim njëri-tjetrit është nisma e një grupi intelektualësh dhe artistësh të pavarur për të hapur dialog
konstruktiv mbi të shkuarën, duke u përballur ndershmërisht me të. Me drejtor ekzekutiv Gjon  Radovanin dhe bashkëpunimin e Ema Andreas si autore e drejtore artistike, Agron Tufës si hulumtues e
shkrimtar, Ervin Kotorit si regjisor, Gjergji Panos si montazh, Ema Ndojës si bashkëpunëtore dhe Elvana Zaimit si përkthyese, qasja artistike-sociale është një ide e Ema Andreas, autore e projektit në fazën e parë të tij. Historitë e vërteta të vetëm pak viteve më parë, pas të cilave janë fatet e shumëkujt,  vëllait, motrës, fëmijës, të kolegut, të të afërmve tanë, të njohurve apo të panjohurve e sot duket sikur nuk kanë ndodhur kurrë, janë përzgjedhur dhe sjellë në vetë të parë nga shkrimtari Agron Tufa. Ideja, koordinimi, përkthimi dhe realizimi artistik e teknik i çdo videoje janë bërë të mundura nga puna kolosale dhe përkushtimi i të gjithë grupit të mësipërm. “I përkasim njëritjetrit” ka bërë bashkë përvoja të fushave të ndryshme për të iniciuar një projekt shumëdimensional, që në thelb mbështet marrëdhënien me të vërtetën dhe mbështetet te bashkëpunimi me të gjithë ata që e ndiejnë këtë përgjegjësi shoqërore ndaj së shkuarës dhe së tashmes. Historitë e vërteta, të trajtuara artistikisht dhe të interpretuara nga personazhe publikë e njerëz të zakonshëm, mund të gjenden në faqet zyrtare ose dokumentet që zotërojnë institucionet shtetërore të kujtesës, në publikime, libra apo portale online dhe kanë arritur deri te ne nëpërmjet dëshmive, kujtimeve dhe vullnetit për të treguar të vërtetën e të mbijetuarve të regjimit komunist.

Zgjedhja për të rrëfyer monologët, – duke dashur që historitë mbi jetët e të mbijetuarve ose atyre që nuk ia dolën të shkojnë te të gjithë dhe t’i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme shqiptare, – është e lirë dhe shpreh qëndrimin individual të gjithkujt që ka vendosur të jetë një zë për të pazëshmit.

Kampi i Tepelenës – Hapen dosjet e të dënuarve dhe regjistrat, si u bënte presion Sigurimi banorëve të zonës

ALMA MILE/ Ai është një bllok me kapak ngjyrë vishnje: “Tepelena”. Aty është renditja emërore e çdo banori dhe veprimtaria e tij, ka ndihmuar partizanë, ka ndihmuar ballistë, ka bashkëpunuar, ka bërë rezistencë, ka bërë ankesë, është arratisur, ka dëshmuar….

 

Kushdo që mendon se Tepelena ishte e kuqe, “gabohet”. Tepelena ishte nën kontrollin e plotë të Sigurimit të Shtetit. Asgjë nuk i shpëtonte vigjilencës së Sigurimit. Dje, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi ekspozitën “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelenës”.

dosje3

Ndonëse në një periudhë pushimesh, të interesuarit për të parë nga afër dhe për të shfletuar me duart e tyre ato dhjetëra fletë dosjesh, ishin të shumtë. Ishin mes tyre të mbijetuar të kampit të Tepelenës, të mbijetuar nga burgjet dhe kampet komuniste, por edhe studiues dhe historianë. Ekspozitat e AIDSSH-së nuk kanë nevojë për ndonjë kurim të veçantë. Aty, çdo fletë e zverdhur flet vetë.

dosje2

Për kryetaren e AIDSSH, Gentiana Mara, hapja e këtyre dokumenteve merr një vlerë të veçantë për të kuptuar atë ç’ka ndodhur jo vetëm në ish-kampin famëkeq të Tepelenës, por në të gjithë atë zonë; për të mësuar për kryengritjet antikomuniste dhe persekutimin komunist të shumë intelektualëve. Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, qasja ndaj historisë duhet të jetë sa më pranë së vërtetës.

Duke cituar një thënie të Oscar Wilde, ai u shpreh se “askush nuk mund ta blejë të shkuarën e vet”, ndaj edhe aktivitete të këtij lloji shërbejnë për të hedhur dritë mbi ngjarje të rëndësishme të së shkuarës. Kjo ekspozitë do të pasohet në datën 23 nga një tjetër aktivitet: Dita Muze Memorial/Tepelenë, titulluar “N’dritë”, gjatë së cilës do të ketë ekspozita, performancë, simpozium shkencor, dekorime të të mbijetuarve dhe koncert me pjesëmarrës “Tre muskëtjerët”.

dosje1

DOKUMENTET

Të gjitha dokumentet e ekspozuara në ambientet e AIDSSH-së dhe që do të udhëtojnë drejt Tepelenës pas dy ditësh, dëshmojnë përndjekjen e ish-Sigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës, dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit të krishterë e bektashi, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, ndër ta ushtarakë, intelektualë, shkencëtarë; dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos, etj.

Mes tyre edhe një regjistër emrash të banorëve të Tepelenës, me shënimet përkatëse. Nga një shfletim rastësor i njërit prej regjistrave lexojmë:

M. Qorja: I ka dërguar një lutje Gjykatës së lartë Ushtarake për uljen e dënimit me vdekje të djalit të saj Hekuran Qori, si kriminel i Luftës Nacionalçlirimtare.

M. Beqiri: Ka dëshmuar për veprimtarinë e Shamet Bushit. Shameti, i dënuar.

M. Kerma: Ka Ndihmuar partizanin Skënder Codo, që ballistët kanë dashur ta vrasin.

M. Dede: Është vrarë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

M. Manxhari: Ka deklaruar për krimet e bëra nga Shamet Bushi. Shameti, i dënuar.

Q. Çobaj: I arratisur në Greqi

Baba Qamil Gllava: Është dënuar me vdekje si kriminel i Luftës Nacionalçlirimtare.

Q. Halimi: Ka dëshmuar për veprimtarinë armiqësore të ballistëve.

Lista emërore është e gjatë për të mbajtur nën presion një zonë të tërë, e cila nuk ishte edhe aq komuniste sa ç’mendohej.

Sadik Bejko: Tepelena, një faqe të ndritur dhe një të turpshme

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në AIDSSH, studiuesi Sadik Bejko, duke iu referuar rezistencës kundër ngritjes së memorialit në kujtim të viktimave të kampit të Tepelenës, u shpreh se Tepelena ka aq faj në atë që ndodhte në kamp, aq sa kanë qytetarët e Shkodrës, Mirditës, Lushnjës e me radhë… Pra, ata nuk kanë asnjë faj në gjithë këtë. Ai deshi të sqarojë se ky akt nuk lë aspak në hije kontributin e dhënë nga kjo zonë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. “Kjo nuk hedh pluhur mbi vlerat e LANÇ, nuk ua ul vlerat heronjve që kanë rënë në luftë. Është faqe e ndritur njëra dhe e turpshme tjetra, është turpi ynë dhe duhen pasqyruar”, tha Bejko, duke shtuar se Tepelena nuk ka qenë vetëm komuniste, por në të janë zhvilluar kryengritje antikomuniste që në vitin 1945.

Nevila Nika: Luftën e klasave e kemi nëpër këmbë

Një ndër dosjet e deklasifikuara ishte edhe ajo e shkencëtarit Selahudin Toto. Stërmbesa e tij, historiania Nevila Nika, u shpreh dje se: “Faji i vetëm i atyre burrave që dhanë jetën pa faj, ishte se e donin shumë Shqipërinë, ndaj dhe u ishte destinuar ai fat. Selahudin Toto u pushkatua dhe ne sot nuk i kemi eshtrat e tij. I kemi kërkuar, por nuk i kemi gjetur. Reagimi ishte i ashpër me familjarët, por nuk kursehej as me të vdekurit. Jemi para një feste fetare. Ata njerëz u bënë vetë kurban”, tha Nika, duke u shprehur se në kushtet e mungesës së dokumenteve, po përpiqet të nxjerrë sa më shumë veprimtarinë e njeriut të afërm, i cili krijoi Institutin e Shkencave dhe sot më shumë se kurrë, kërkohet edukim. Duke iu referuar asaj çka tha më herët Sadik Bejko, Nika tha se shqiptarët “luftuan me pushtuesin dhe më pas luftuan me njëri-tjetrin. Është e pafalshme. Një në katër u persekutua. Lufta e klasave është akoma nëpër këmbët tona”, tha ajo.

Uran Kostreci: Po bëhet propagandë për të zbutur krimet

Ish-i persekutuari, poeti Uran Kostreci, u shpreh se tashmë po bëhet shumë propagandë nga qarqet komuniste, madje, sipas tij, “shapllamosja” ka shkuar deri në Amerikë, duke bërë presione që ish-kampin e Tepelenës të mos e quajnë Aushvic. “Çfarë rëndësie ka se si quhet ai kamp: Aushvic apo kamp komunist. Atje janë vrarë fëmijë dhe po bëhet propagandë për ta shuar atë krim”, tha Kostreci. Ai përmendi edhe punën e AIDSSH-së. Sipas tij, ky institucion “për hapjen e dosjeve duhej bërë më parë. Duhej bërë çik më ndryshe, por s’i lejohet. Duheshin hapur më parë dosjet e atyre që vranë, që dënuan ata fëmijë në Tepelenë. Në 27 vjet, ne treguam se nuk jemi hakmarrës dhe pse duhet të ishim, po këtu qëndron ndryshimi mes nesh dhe atyre. Ata duheshin dënuar me një gjyq publik, por nuk u bë”, tha Kostreci, dje në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

PAKTI HITLER-STALIN, ‘MUAJI I MJALTIT’ I DY DIKTATORËVE – PAKTI MOTOLOV-RIBBERNTROPNËNSHKRUHET MË 23 GUSHT 1939

 

Me 23 gusht bëhen 75 vjet nga nënshkrimi i të ashtuquajturit Pakti “Molotov-Ribbentrop”. Me këtë pakt Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit u bënë aleatë për 22 muaj.

Pakti parashikonte në një protokoll të fshehtë ndarjen e Polonisë dhe vuloste fatin e shteteve Balltike, të cilat binin nën Bashkimin Sovjetik. Finlanda, Bessarabia dhe Bukovina e Veriut u shpallën gjithashtu zona sovjetike të interesit. Po aq befasuese si për të gjithë botën, ishte edhe për njerëzit në Bashkimin Sovjetik dhe në “Rajhun e Tretë” fakti se me 28. shtator u nënshkrua edhe “marrëveshja e miqësisë dhe e kufijve shtetërorë”. Faktikisht Stalini dhe Hitleri ishin përgatitur për këtë pakt që në vitin 1938. Veçanërisht me ngut e kishte Hitleri: Sulmin kundër Polonisë ai donte ta fillonte, para se të nisnin shirat e vjeshtës.

Vetëm një javë pas nënshkrimit të paktit “Molotow-Ribbentrop” me 23 gusht 1939 filloi Lufta e Dytë Botërore me sulmin ndaj Polonisë. Dhe dy javë më vonë edhe trupat sovjetike pushtuan territore të Polonisë. Fushata e suksesshme përfundoi me një “vëllazërim” të njësive të Wehrmachtit dhe të Ushtrisë së Kuqe në një paradë të përbashkët në Brest. Në atë kohë komandanti i brigadës Semjon Krivoshein dhe gjenerali Heinz Guderian qëndronin krah për krah njëti-tjetrit. Dy vite më vonë njësitë tankiste të Guderianit qëndronin para Moskës. “Muaji i mjaltit” kishte qenë i përkohshëm.

Sulmi ndaj Polonisë në vitin 1939

Synimet e Stalinit

Qëllimet e Hitlerit me nënshkrimin e paktit ishin të qarta, për këtë janë të një mendimi historianët gjermanë dhe rusë. Për synimet e Stalinit vazhdohet të diskutohet. “Në verën e vitit 1939 Stalini kishte ushtrinë më të madhe të këmbësorisë në botë. Ai kishte mundur t’ia bënte të qartë Hitlerit, që sapo Gjermania të pushtonte Poloninë, miliona ushtarë sovjetikë një ditë më vonë do të ndodheshin në kufirin e Polonisë. Atëherë nuk do të kishte pasur luftë. Por Stalini nuk donte ta pengonte Hitlerin”, thotë në një intervistë me DW publicisti i njohur rus Mark Solonin.

Stalini donte të vepronte në radhë të parë me strategji, mendon historiani gjerman Jërg Ganzenmüller. “Stalini e dinte se Hitleri heret apo vonë do të sulmonte Bashkimin Sovjetik. Ai e njihte konceptin e Hitlerit. Llogaria e tij ishte: Nëse Gjermania është e përfshirë në një luftë me fuqitë perëndimore, atëherë Hitleri nuk do të guxojë, të bëjë luftë në dy fronte. Në këtë kohë ai mund të vazhdonte me armatosjen e BS. Stalini kishte gjithmonë frikë se fuqitë kapitaliste do të bashkoheshin dhe do të sulmonin së bashku Bashkimin Sovjetik, Prandaj qëllimi i tij ishte që të niste një luftë në mes këtyre fuqive. Kjo luftë ishte për Stalinin garancia e sigurisë, dhe jo pakti në vetvete.”


Nënshkrimi i paktit

Kthesë në Moskë

Pas nënshkrimit të paktit nga dy ministrat e jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe Vjaçslav Molotov në Moskë, Stalini ngriti gotën për shëndetin e “Fyrerit”. Molotovi vlerësoi në një takim të Sovjetit Suprem “qëllimet paqësore” të Hitlerit. Ai e quajti luftën e aleatëve perëndimorë kundër Hitlerit “të pakuptimtë dhe kriminale”. Më vonë Molotovi u prit ngrohtësisht në Berlin nga Hitleri, Goering-u dhe Hess-i.

Menjëherë pas paktit Maxim Litvinov u shkarkua nga posti i Komisarit të Popullit të Punëve të Jashtme të BRSS. Ai ishte çifut dhe përkrahës i një aleance me demokracitë perëndimore. Ai nuk i përshtatej më strategjisë së re të Moskës kundër Hitlerit.

Në 22 muajt e përbashkët u zhdukën nga shtypi sovjetik të gjitha sulmet kundër nazistëve. Nga kinematë u hoqën filmat e njohur anti-fashiste, ndër ta edhe “familja Oppenheim” sipas romanit të Lion Feuchtwanger. Edhe nga repertori i teatrit u zhdukën të gjitha pjesët me përmbajtje antifashiste.

Edhe policia e fshehtë dhe ekonomia përfitojnë

Të dy regjimet përfitonin nga pakti, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Nga fundi i gushtit 1939 deri me 22 qershor 1941 Moska furnizon Gjermaninë naziste me produkte të naftës, drithëra, por edhe nikel, mangan dhe krom, fosfate, dru dhe materiale të tjera. Nga ana tjetër “Rajhu i Tretë” furnizon BRSS, me avionë luftarakë, eksplozivë dhe bomba shpërthyese, radiostacione, impiante industriale dhe madje edhe me kryqëzorin “Lützow”. Përveç kësaj Bashkimi Sovjetik mori një kredi prej 200 milionë markash të Rajhut gjerman.

Gjëja më e rëndësishme në bashkëpunimin gjermano-sovjetik të viteve 1939-1941 nuk ishte aq shumë bashkëpunimi në mes dy ushtrive, por ishin furnizimet ekonomike, që kryheshin në një masë të madhe”, thotë historiani nga Jena, Ganzenmüller. “Ka madje raporte, që dëshmojnë se edhe më 22 qershor 1941, ditën kur Wehrmachti sulmoi Bashkimin Sovjetik, ushtarëve u erdhën trena me furnizime sovjetike. Sovjetikët e respektonin marrëveshjen deri në fund.”

Pakti: Nga e majta: Friedrich Gaus, Joachim von Ribbentrop, Stalini dhe ministri i Jashtëm, Molotov

Një tjetër “partneritet” ekzistonte edhe mes NKVD – policisë sekrete sovjetike – dhe Gestapos gjermane. Sipas një marrëveshjeje të fshehtë, e cila ishte miratuar nga udhëheqja sovjetike, mund të dorëzoheshin ish-shtetasit gjermanë dhe austriakë, që ndodheshin në territorin e Bashkimit Sovjetik dhe luftonin kundër Hitlerit, pra antifashistët. Disa dhjetëra prej tyre – duke përfshirë komunisten e njohur gjermane Margarete Buber-Neumann iu dorëzuan Gestapos. Shumica e tyre u vranë.

Llogaria e gabuar e Stalinit

“Stalini humbi,” thotë Mark Solonin. “Ai i vlerësoi gabimisht raportet e forcave. Ai mendonte, tani do të vijë një kasaphanë që do të zgjasë, si me Verdunin në Luftën e Parë Botërore. Por që në maj apo në qershor 1940 Franca ishte praktikisht e shkatërruar. Hitleri kontrollonte pjesën më të madhe të Evropës kontinentale. Plani i Stalinit, për të ardhur më vonë si arbitër në Evropën e shkatërruar dhe të përgjakur, dështoi.”

“Stalini besonte me të vërtetë deri në fund, deri më 22 qershor 1941, se Gjermania nuk do ta bënte këtë luftë në dy fronte”, thotë Ganzenmüller.” Që kjo strategji nuk funksionoi, ishte një befasim dhe zhgënjim për Stalinin. Pas fillimit të luftës, tri javë më duket, ai nuk doli më në publik. Ai ishte si i paralizuar. Plani i tij ishte shkatërruar si një shtëpi prej letre.”

Pakti Molotov-Ribbentrop

Më 23 gusht 1939, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Naziste nënshkruar një marrëveshje në Moskë, duke i hapur rrugë këisoji puishtimit nazisr në Poloni dhe fillimit të Luftës së Dytë Botërore. I njohur si Pakti Molotov – Ribbentrop, në bazë të emrave të ministrave të jashtëm sovjetik Vyacheslav Molotov dhe gjerman Joachim von Ribbentrop, ky traktat i dha dorën e lirë Adolf Hitlerit për të sulmuar Poloninë, duke mos pasur frikë nga ndërhyrja e Bashkimit Sovjetik. Në të njejtën kohë, Hiteli dhe Josef Stalin, kishin formuar një protokoll të fshehtë, duke e ndarë Evropën lindore dhe atë qendrore në “sfera të ndikimit”.

1

Ministri i jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop (majtas), lideri sovjetik Josef Stalin dhe ministri i jashtëm sovjetik, Vyacheslav Molotov (djathtas), takohen në Kremlin më 23 gusht 1939 për të nënshkruar paktin.

2

Molotov nënshkruan marrëveshjen. Për Bashkimin Sovjetik, pakti ofroi kohë për ta rindërtuar ushtrinë e vet, para se të fillonte ajo që cilësohej si luftë e pashmangshme.

3

Von Ribbentrop përshëndetet me Stalinin pas nënshkrimit të marrëveshjes. 

4

Faqja e fundit në gjuhën gjermane e protokollit të fshehtë, qe e ndau Evropën qendrore dhe atë lindore në “sfera ndikimi”.

5

Dokumenti i njejtë në rusisht

6

Kjo hartë u publikua nga “Izvestiya” më 18 shtator 1939. Në të shihet vija e demarkacionit sipas paktit Molotov-Ribbentrop. 

7

Trupat gjermane dhe sovjetike takohen te vija e demarkacionit, afër atij që njihej si “Kufiri i Paqes”, në shtator të vitit 1939. 

8

Komisari sovjetik Borovensky takohet me oficerët gjermanë për të diskutuar ndarjen e Polonisë ndërmjet dy armatave në qytetin e pushtuar Brest – Litovsk (qyteti sot njihet vetëm si Brest).

9

Ushtarët gjermanë dhe sovjetikë në Brest, 22 shtator 1939. 

10

Një perspektivë britanike mbi paktin e nënshkruar në një karikaturë të publikuar nga Daid Low, në gazetën “Evening Standard”, më 20 shtator 1939.

11

Part of the Molotov-Ribbentrop Pact published in the Soviet newspaper “Pravda” on September 28, 1939

12

Stalini dhe von Ribbentrop në faqen e parë të gazetës  “Newsweek”, 9 tetor 1939.

13

Adolf Hitler takohet me von Ribbentrop në Berlin, më 4 nëntor 1939. Lufta në Poloni tashmë kishte nisur. 

14

Molotov (majtas) në Berlin më 14 nëntor 1940. Pakti i nënshkruar mbeti në fuqi deri kur Gjermania pushtoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941. 

Dalin dokumentet, kur klerikët ‘predikonin’ kundër komunizmit

Fatmira Nikolli

4.-P.P. Në mbledhjen që kemi bërë në dylben e Baba Kasos kemi bërë ndarje pune si ma poshtë:
a)Mbasi unë jesha element i dyshimtë dhe survejohesha nga organet e pushtetit, mu nagrkua vetëm ana axhitative n’elemenat që njifeshin prej meje ose duhej t’ishin elementa me siguri kundra pushtetit.
b) Bab Shefqeti si kryetar i këtij grupi dhe si njeri që gëzon një influencë të madhe në popullin e N/ Prefekturës Tepelenë dhe jashtë rrethit të saj, ju ngarkua rë propagandonte në besnikët e t’afërmit e tij kundra pushtetit, se teqeja e tij ishte qendër që frekuentohej prej qindra njerzësh e sidomos nga ata të krahinës së Buzit, e cila dhe gjatë luftës ka qenë e lidhur me Ballin Kombëtar dhe Baba Shefqeti e ka drejtuar dhe n’atë kohë popullin e kësaj krahine kundra Lëvzijes.
c)At-Gjergj Suli ishet caktuar për detyrë që të punonte në krahinës e Rëzës tepelenës (Labovat, Lekël, etj) dhe tëmundohej të grumbullonte njerëzit e pakënaqur rreth këtij grupi.
d)Jashar Halili, ky ishet ngarkuar të punonte në rrethin e tij në katundin e Dames dhe të ndërlidhej me Dëshni… se aty ka patur miq ai si Maliq Psarin dhe elementë të tjerëq kundërshtarë të këtij Pushteti.
Dh) Neki Rexhua. Ky kishte për detyrë që të punonte në katundet rreth [për qark Tepelenës dhe të bënte që atë punë që do bëjshin…
4.P.P. Në muajin korrik të këtij vjeti me rastin e ndrimit të kartëmonedhës së vjetër në të reja jam takuar në Tepelene me Surja Bej Vasjarin dhe të dy bashkë shkuam në shtëpun e Jashar Halilit dhe biseduam rreth situatës ndërkombëtare. Surja Beu na tha se anglo-amerikanët kanë vendosur ndrrimin e këtij regjimi, grekët të lihen të

LIRË…
Ky është vetëm një prej dokumenteve të ekspozitës që çelet sot në Tiranë. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës ekspozon materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në zonën e Tepelenës, shumë prej të cilave, për herë të parë.
Materialet janë disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë.

Konkretisht, janë identifikuar personazhet kryesore të Kryengritjes së Zhapokikës në gusht të 1948 dhe dosjet e tyre hetimore gjyqësore, formulare, të përpunimit, mes të cilëve ajo e Atë Gjergj Suli, Baba Shefqet Mahmutit, etj.
Ekspozohen treguesit alfabetikë që mbante Sigurimi i Shtetit për të përndjekurit në zonën e Tepelenës; statistika të të burgosurve të 1945, mes të cilëve disa dosje formulare, si ajo e Selahudin Totos; dosje informative të të pushkatuarve, të përndjekurve dhe statistika të detuajara të tyre, raporte të elementit antiparti, ku dokumentohet survejimi i personave të internuar, lista të Sigurimit me të arratisurit dhe të vrarët në kufi; raporte informative për banda diversantësh dhe dosjet e Sigurimit të Kampit të Bënçës.

Për herë të parë ekspozohen regjistrat e përpunimit të mbarë zonës së Tepelenës, si dhe dosjet voluminoze hetimore gjyqësore të grupit me të cilin u dënua poeti Trifon Xhagjika, ato të Neim Pashës, Zenel Shehut e dhjetëra të tjera.
Të gjitha materialet që dokumentojnë përndjekjen, rezistencën dhe masat që e pasuan ekspozohen në mjediset e Autoritetit, pranë Gardës së Republikës. AIDSSH ka kryer kërkim të thelluar mbi viktimat dhe të përndjekurit e kësaj zone nga periudha 1945-1968, në dokumente, indekse alfabetike dhe statistika.

Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente. Veç paraqitjes në mjediset e Autoritetit, materialet do të ekspozohen edhe në Tepelenë, më 23 gusht 2018, në kuadër të organizimeve të AIDSSH me partnerët, për Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, me praninë e komunitetit vendas.  Kjo ekspozitë komplekse synon të inkurajojë dialogun lokal mbi të shkuarën, duke e vënë fokusin në ngjarje të spikatura të zonës, që i ridimensionojnë figurat dhe nxisin reflektim.

DËNIMI
“GSH” sjell sot, edhe një pjesë nga dokumenti që i dënon klerikët e lartpërmendur. “Përveç të panderhurvet Nako Dede dhe Zagoll Saliko për të cilët trupi gjykues nuk formon bindje që ta kenë kryer me koshiencë të plotë fajin e tyre dhe si mbas nenit 40 të ligjes nr.382 datë 2\4/ XII/ 1946 ju akordohen shkaqe lehtësore gjenerike.

Për këto arsye: Gjykatra bashkërisht duke parë dhe nenin 4 të liogjësx nr.372 datë 12/12/1946 vetëm për të pandehurit për fajet e nalt treguara dhe në bazë të dispozitave ligjore të mësipërme i dënon si më poshtë: Për të pandehurit At Gjergj Suli, Zenel Shehu, Baba Shefqet Haderi, Sali Neim Guri, Gaqo Muzina, Namik Haderi e Rako Çekën me VDEKJE, bjerjen e të drejtave civile e politike. Konfiskimi i pasurisë së Sail Neim Gurit, konfiskimin e ½ e pasurisë dhe parat e ardhura nga Sillopgu Gaqe Muzinës; konfiskimin e ¼ të pasuris së Zenel Shehut.

Për të pandehurit Tehmo Muzha e Vasillaq Xhelo me privim të lirisë për jetë dhe konfiskimin e ½ e pasurisë të Themo Muzht si edhe parat e ardhura nga Sillogu, për të dy bjerjen e të drejtave civile e politike. Për të pandehurit Xhelo Shameti e Polo Nako me nga 20 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme, bjerjen e të drejtave politike për nga 5 vjet secilit.

FOTOT- Si u ekzekutuan 14 burra pas vrasjes së Bardhok Bibës, publikohet letra e Bilbil Klosit: Më orientoi Enveri me telefon

Publikohet letra e vitit 1949 ku Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake informon sekretariatin e Komitetit Qëndror për të gjitha dënimet që kishte dhënë, përfshirë dhe ekzekutimin e 14 mirditorëve në shënjë hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës.

Raporti i Klosit: “Asnjë vendim me vdekje nuk është aprovuar pa vendimin e Partisë, asnjë vendim me vdekje nuk është zbritur pa pëlqimin e Partisë. Për çdo rast kam biseduar me Enverin, Tukun, Hysniun, Mehmetin etj dhe kam marrë aprovimin e tyre”.

 

Nga Dashnor Kaloçi

Ngjarja e 7 gushtit të vitit 1949 ku mbeti i vrarë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Mirditës dhe njëherazi deputeti i asaj krahine në Kuvendin Popullor, Bardhok Biba, si dhe hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës për atë që ndodhi që si shpagim për vrasjen e Bardhokut ekzekutoi 14 burra dhe burgosi e internoi me dhjetëra e qindra mirditorë të pafajshëm, që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme ka ngjallur vazhdimisht diskutime të shumta. Ku vihen pikëpyetje të mëdha si rreth ngjarjes së vrasjes së Bardhok Bibës, ashtu dhe se kush ishte udhëheqësi i lartë që vendosi e urdhëroi hakmarrjen brutale ndaj “Mirditës reaksionare”?! Ndërsa që nga viti i largët 1949 kur dhe ndodhi ajo ngjarje e në vazhdim deri në ditët e sotme, ajo gjë i është atribuar Mehmet Shehut, personit që edhe udhëhoqi personalisht operacionin ndëshkues në Mirditë, një dokument arkivor i zbuluar së fundmi, e hedh poshtë atë version.

Kjo gjë bëhet e qartë nga informacioni i Bilbil Klosit, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake në vitet 1945-1949 (më pas ministër i Drejtësisë e Sekretar i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor), i cili mban datën 21 tetor të vitit 1949 dhe i dërgohet sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe vetë Enver Hoxhës. Në mes të tjerash në atë raport-informacion, Bilbil Klosi shkruan me dorën e tij se: “Kam gjykuar në Rrëshen në lidhje me vrasjen e shokut Bardhok Biba: Kam marrë në telefon Shokun Komandant dhe më orjentoj për goditjen”.

Pra, njeriu që i ka dhënë orientimet, apo më saktë ka urdhëruar ekzekutimin e 14 burrave në Mirditë, ka qenë vetë Enver Hoxha. Dokumentin në fjalë me raport-informacionin e ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake të asaj kohe, po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim, edhe për faktin se aty hidhet dritë dhe ndriçohen emrat e disa prej urdhërueseve të mjaft ekzekutimeve me vdekje të atyre viteve (1945-1949), ku Bilbil Klosi i cilëson jo vetëm me emra, por shpjegon edhe debatet apo urdhrat që merrte prej tyre lidhur me dënimet që jepte, kryesisht ato me vdekje.

Për të cilat thotë: “Në asnjë rast, nuk kemi dhënë asnjë dënim me vdekje pa u konsultuar apo pa pyetur Partinë”?! Pra, thënë më qartë; ky dokument “nxjerr zbuluar” krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare të asaj kohe, si: Enverin, Mehmetin, Hysni Kapon, Tuk Jakovën, Bedri Spahiun e ndonjë tjetër, të cilët dilnin mbi gjykatat, duke i orientuar apo urdhëruar në dënimet që ato jepnin.

LETRA E BILBIL KLOSIT PER KOMITETIN QENDROR DHE ENVER HOXHEN

Për shokun komandant

S E K R E T A R J A T I T

Shoku Tuku më komunikoj trasnferimin t’im për gabimet e mija nga Gjykata Ushtarake në Ministrinë e P. të Jashtëme. I biseduam me të këto gabime që nuk më ishin vënë në dukje; por duke kënduar referatin e shokut Mehmet në Zërin e Popullit, nuk mund të rrijë pa i formuluar me shkrim observasjonet e mija rreth gabimeve që më vuri në dukej shoku Tuk në dukej.

1.Indipendenca e Gjyqit: Kur më njoftuan caktimin tim si kryetar i Gjykatës së Naltë Ushtarake, Shoku Komandant dhe Shoku Mehmet më bënë pyetjen: Si e kupton ti indipendencën e Gjykatës dhe marrëdhëniet e saja me Partinë? Kam thënë se Gjykata gjykon simbas ligjës në bashkëpunim dhe nën direktivat dhe kontrollin e Partisë. Në asnjë rast të vetëm në punën t’ime nuk i kam shkëputur lidhjet me Partinë dhe nuk kam vepruar ndryshe. Ja gjyqet që kam gjykuar vetë: (Gjykata e Naltë) Trockistët Hysen Sejdini e tjerë: Jam konsultuar me Shokun Tuk dhe me shokun Bedri për goditjen që duhej bërë. Kam gjykuar Niko Oparin: Jam konsultuar me shokun Hysni dhe Shokun Komandant. Kam gjykuar në Rrëshen në lidhje me vrasjen e shokut Bardhok Biba: Kam marrë në telefon Shokun Komandant dhe më orjentoj për goditjen. Ka gjykuar Gjykata e Naltë në Milot. I kemi dhënë relasjon me shkrim Shokut Hysni dhe ai na tha se si duhej të goditnim. Ka gjykuar du majora për rrahje (Major Enver Dajçin dhe Sulo Kozelin) kam pyetur shokun Hysni për dënimin. Kam dënuarë një shofer me vdekje: Kam biseduar me shokun Tuku dhe megjithëse opinion i Juristave ishte se nuk mund të dënohet ligjërisht me vdekje, duke e interpretuar në mënyrë revolusjonare Ligjën, zbatova urdhërin e Partis. Kam gjykuar Kadri Hoxhën: Kam pyetur Shokun Hysni. U nis atë shkojë në Vlorë, kërkova udhëzime nga shoku Komandant:

U pezullua vajtja për shkak të transferimit. Këto janë Gjyqet që ka bërë Gjykata e Naltë, për shkak të rëndësisë që kishin. Në shkallë të dytë (d.m.th. kur kemi parë vendimet e dhëna nga Gjykata e Garnizonit pse ankoohej i dënuari apo prokurori), jam konsultuar me shokun Hysni, Shokun Komandant, dhe njëherë me shokun Tuk, sa herë që ka qenë rasti që shqyrtohesh nji vëndim me vdekje.

Asnjë vendim me vdekje nuk është aprovuar pa vendimin e Partisë; asnjë vendim me vdekje nuk është zbritur pa pëlqimin e Partisë. Edhe kur e kam gjetur të zorshme të vendos në shkallë të dytë në një process, me dënime më të vogla, kam pyetur Partinë, p.sh. kam bërë relasjon Partisë mbi proceset e nji grupi në Shijak, procese të ngatërruara me plot gabime ligjore. Nuk kam pyetur Partinë për rastet e shumta dhe të parëndësishëme për të cilat kam menduar se nuk ishin për t’ju shtruar Partisë dhe që nhuk është praktikë dhe as që më është kërkuar nga Partija.

Rastet e dënimeve të zakonëshme, me 1,2,3,4,5,7, 10, e tjera vite burg. Edhe kur kam liruar si Gjykatë e Naltë ndonji person (kjo ka ndodhur rrallë) jam informuar mbi rrezikshmërinë e tij; p.sh. para se të vendosja mbi lirimin e Dhimosten Malos, që ishte dënuar me 10 vjet burg, nga Gjykata e Garnizonit Tiranë, kam pyetur Shokun Mehmet Shehu. Nga të gjitha këto del se unë në praktikë për asnjë moment nuk i kam shkëputur lidhjet dhe konsultimet me Partinë dhe as që e kam menduar dhe e mendoj kurrë që, jo Gjykatat, por cilido sektor tjetër, të mund të eci drejtë pa dorën e Partisë. Këtë mund ta mendonte një anëtar i ri dhe i ulët ideologjikisht, por jo unë anëtar i 1942-it i Partisë. Sado e fortë të ishte Kultura Borgjeze e shkollës që kam kryer, stazhi në parti dhe lufta që kam bërë, më kanë mësuar aq sa e dij se këtë gjë elementare: Partija mbi të gjitha dhe Partija kudo.

Kështu si kam vepruar, kështu dhe kam menduar dhe mendimet e mija, mbi të gjitha problemet dhe punët e Gjyqit ja paraqita në dy relasjone të përm,bledhura pothuej identike sekretarjatit me datën 5 dhe 15 korrik 1949, d,m.th. tre muaj e gjysëm, mbasi filluam efektivisht nga puna. Në këtë relasjon kam shprehur më konkretisht, por shkurtimisht mendimet e mija; ndër të tjera kam thënë në relasjonin prej 13 faqësh, në faqen 10, “Konsultimi për neve është i domosdoshëm kur nji vendim dënimi me vdekje mund të ligjërohet vetëm pot ë dojë situate dhe duke interpretaur shumë gjerësisht ligjën. Partija do të na thotë nëqoftë se e do situate dhe ne veprojmë sin a thotë ajo; p.sh. në proceset kundra një Grupi në Shijak kemi dënuar një person me vdekje pse e donte situata; pa konsultim me Partinë, Gjykata e Naltë nuk do ta kishte dënuar; por duke e dënuar, ne nuk kemi shkelur ligjën pse ligja e lejonte që për ato faje të jepej dënimi kapital.

Sidoqoftë në këto raste, i lutemi Partis, për sa të jetë e mundur ta respektojë bindjen t’onë të brendëshme si gjyqtar për raste konkrete. Fraza e fundit “Sidoqoftë në këto raste, i lutemi Partisë për sa të jetë e mundur që ta respektojë bindjen t’onë të brendëshme si gjyqtar për raste konkrete”, është keqkuptuar. Unë nuk kam dashur ta them se edhe mua si gjyqtar më vjen mirë që Partija të më dëgjoj kur unë i them se x person nuk ka faj dhe nuk paraqët rrezikshmëri sa për ta dënuar me vdekje; ose e kundërta duhet dënuar me vdekje se është i rrezikshëm. Këtë e kam thënë në praktikë, thënijet e mija të bazura në të vërteta që dilte nga gjyqi, nuk janë marrë parasysh nga shoku Hysni në disa raste. P.sh. ka dashur të dënohej me vdekje nji ushtar dezertor në Gjinokastër sa kujtonte, që kish faje të rënda; unë i thoshnja nuk i ka këto faje; në syt t’im mori në telefon Komisarin e Divizionit dhe kur i tha ai që të mos dënohet, atëhere pranoj mendimin tim. Për deri sa unë them në fillim të frazës konsultimi me Partinë është i domosdoshëm, si mund të kuptohet fraza e fundit “I lutem Partis”, në mënyrë që është kuptuar? Sikur unë i lutem Partisë të respektojë indipendencën e Gjykatës, se Gjykatat janë të pavarura nga Partija?

2) Po në relacionin e datës 15 korrik 1949, kam thënë “E gjejmë të zorshme të kuptohemi me Partinë në këto raste; për rrezikshmërinë që paraqet një person, për nevojën e situatës, për të dhënë shëmbull në të tjerë, duhet dhënë dënimi me vdekje kundër një fajtori”. Mirpo ligja nul e lejon dënimin kapital për fajin që akuzohet i pandehuri; p.sh. për fajin strehim t’arratisurish, nji person sado i rrezikshëm që të jetë, sado që ta dojë situate, nuk munt të dënohet ligjërisht më tepër se 20 vjet privim lirije pune të detyruar. Në këto raste Gjykata e Naltë nuk është dakort dhe nuk ka qenë dakord që të jepen dënime kapitale pse do të shkelesh ligja. Nga ana e jonë kemi bërë me sa kemi ditur dhe mundur të gjitha përpjekjet për të interpretuar sa më gjerë dispozitat e ligjeve, pa i shkelur këto, me qëllim që t’u përgjigjemi nevojave të situatës.

Por Partija, kuptoj shokun Hysni në këto raste se efektivisht për rastet për të cilat bëj fjalë në relacion kam pasur frikësione me shokun Hysni. Me këtë rast shpreh pikpamjen time se nuk munt të kalohen caqet që cakton ligja në dhënien e dënimit; kam marrë strehuesa si shembull, mund të merrja mosdenoncimin e fajeve kundra Popullit dhe Shtetit, i cili dënohet vetëm me 2 vjet pune korrektonjëse në maksimum, os e ndonjë kategori tjetër faji, por nuk ka qenë kurrë mendimi im, kur të gjeja zgjidhje ligjore, që të mos dënohen strehuesat edhe me vdekje, kur faji i tyre nuk është aq i rrezikshëm. Në fakt duhet konsideruar bashkëpunëtor (d.m.th. duke gjetur zgjidhejn ligjore), unë gjykova 26 strehuesa në Rrëshen dhe nga këta dënova 14 me vdekje. 13. Gjyqet me dyer të mbyllura: Rregullimi simbas nenit 78 të statutit, është që gjyqet të bëhen publikisht. Ky rregull ishte shkelur kryekëput para kthesës së Partisë, duke lënë vënd të mendohesh se të gjitha vendimet kanë qënë arbitrare dhe të pa drejta, gjë që s’është aspak e vërtetë. Për të zhdukur këtë opinion dhe për të respektuar statutin, kam dhënë udhëzime që gjyqet në parim të bëhen me dyer të hapura. Gjyqet me dyer të mbyllura të bëhen vetëm kur ka dekonspirime ose rrezikohen interest e Sigurimit të Shtetit. Kështu kam urdhëruar dhe kështu është vepruar me përjashtim të një rasti në Shkodër, të cilën nuk e peshoj mirë Gjykata dhe as që më njoftoi (rasti i Pjerin Kçirës). Unë nuk shof këtu raste lëshimi nga ana ime.

Sa herë që më ka njoftuar Sigurimi kam urdhëruar të bëhet me dyer të mbyllura. Duke patur parasysh interesat e Sigurimit të Shtetit sygjerova nxjerrjen e dekret ligjeve që na lejojnë të vëmë oficera për avokatë edhe kur gjykojmë civilë, gjë që nuk mund të bëhej më parë. 4) Oportunizmi në Punën e Gjykatës Naltë qysh nga kthesa e Partisë: Ky oportunizëm është dukur, simbas komisionit të analizës, në dënimet që ka ulur kjo Gjykatë në shkallë të dytë. Vlen të theksohet këtu se është roli i Gjykatës Naltë që të uli dënime kur i duken se nuk korespondojnë rëndësisë së fajit dhe rrezikshmërisë së fajtorit ose kur nuk mbështeten në ligje. Gjykata e Naltë nuk e ka në dorë të ngrejë dënimet e lehta që mund të kenë dhënë gjykata e garnizonit.

Po të marrësh edhe vendimet e Gjykatës Naltë para pleniumit të tetë, edhe atje do të gjejsh raste ulje dënimesh, sa do që për atëherë nuk është fol për oportunizëm. Në qoftë se Gjykata e Naltë kufizohej në aprovimin e vendimeve të Gjykatave të shkallës I-rë atëherë do të humbiste edhe qëllimi i ekzistencës së saj. Sidoqoftë unë jam përgjegjës për vendimet e dhëna në Prill, Maj, Qershor, (sepse në Korrik filloi analiza), për punën e mëparshme unë nuk kam qënë në Gjykatën Ushtarake. Komisioni duhesh të më pyeste përse i kam bërë unë ato raste ulje të dënimeve që jan konstatuar nga Komisioni për të parë në se i bëja për shpirt-butësi dhe mëshirë karshi armikut apo për arsye krejt ligjore.

Në fakt unë duke u ndodhur përballë proçeseve të marra para kthesës së Partisë, nuk mundja ligjërisht të aprovoja këto vendime që paraqiteshin me plotë gabime ligjore. Duke ulur relativisht dënimet e disa personave në disa raste kam arritur që t’i jap zgjidhje të drejtë dhe ligjore çështjes, pa mos diskutuar aspak interest e Sigurimit të Shtetit. Në realitet nuk është liruar asnjë person nga Gjykata e Naltë që të ketë paraqitur rrezikshmëri. Në vendimet mbas Korrikut (mbas analizës) proporcioni i vendimeve të ligjëruara është shumë i lartë për shkak se proçeset e vjetra ishin likujduar dhe vendimet paraqiteshin më të rregullta. Nuk përjashtoj që në uljen e dënimeve të ketë pasur gabime nga ana jonë, nuk përjashtoj që këto ulje me gjithë se të justifikuara me çdo vendim dhe raste konkrete të jenë keqkuptuar nga gjykatat poshtë dhe të jenë marrë si orientim.

Por pas sinjalit që dha Partia duke na thirrur në analizë i kemi hapur sytë mirë në këtë drejtim dhe orientimin e gjykatave qysh nga Korriku është në rrugën e drejtë pse dhe proçeset e vjetra janë likujduar. Në fakt gjykatat ushtarake qysh se kam ardhur unë kanë dhënë 52 vendime me vdekje, nga të cilët në konsultim me Partinë janë zbritur 11 nga Gjykata e Lartë. Vetë Gjykata e Naltë Ushtarake ka dënuar 18 veta. Kjo është një provë se unë nuk e kam harruar luftën që i bëjmë armikut të klasës. Për gabimet që nuk eskludoj të jenë bërë në uljen e dënimeve të shkallës së dytë në disa raste, të goditem nga Partia kaq rëndë pa u thirrur gjatë punës dhe pa u ndihmuar që t’i korigjoj?

Partia sot, para se të mbërrijë në masa, të këshillon të ndreqësh gabimet dhe kur nuk i ndreq të godet rëndë dhe drejtë. Kjo nuk është bërë në rastin tim, me gjithë se kjo ishte qëllimi i analizës, simbas fjalëve që na tha shoku Bedri kur na mblodhi për të bërë relacionin mbi të cilën do të mbështetesh analiza. Vendimi i Partisë është urdhër suprem për mua, atje ku do të shkojë dhe do të punojë me të gjitha fuqitë e mia. Largohem vetëm me ndërgjegjen të vrarë se dënohem nga Partia si një antar që nuk ka kryer detyrën.

Me respekte (Bilbil Klosi) V.F.L.P Tiranë më 21/X/1949

P.S Me këtë relacion po sqaroj Sekretariatin për gabimet që më vuri në dukje Shoku Tuku. Mundet që në relacionet e mia të Korrikut ose në punën time të jenë konstatuar edhe gabimet të tjera që unë nuk i di, rezervohem ti sqaroj këto kur të më thërres Byroja, simabs fjalës që më tha shoku Tuku.

TemA

Le Petit Parisien (1929) – Ja arsyet e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë së mbretit Zog dhe Turqisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Gusht 2018

 

“Le Petit Parisien” ka botuar, të premten e 4 tetorit 1929, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me marrëdhëniet e tensionuara diplomatike asokohe midis Shqipërisë dhe Turqisë, për shkak të tri çështjeve, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë në vijim për publikun shqiptar:

 

Romë, 3 tetor (dep. Petit Parisien)

 

Sipas informacioneve që vijnë nga Tirana për gazetat italiane, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë janë ndërprerë për arsyet e mëposhtme:

 

– mosnjohja, deri sot, nga republika turke, e monarkisë shqiptare me në krye Ahmet Zogun;

 

– tërheqja prej shumë kohësh në Angora (Ankara), e ministrit turk të akredituar pranë qeverisë shqiptare;

 

– largimi (shkarkimi) i një përgjegjësi turk.

 

Këto fakte demonstrojnë qartë synimin e qeverisë turke, ndaj qeverisë mbretërore të Tiranës, që të mos ketë marrëdhënie miqësore me shtetin shqiptar.

 

Sa i përket zyrës së shtypit të qeverisë shqiptare, ajo ka publikuar në shtypin lokal një deklaratë në të cilën pretendon se largimi i legatave të Shqipërisë nga Angora (Ankara) dhe Bukureshti ka ndodhur vetëm për arsye ekonomike.

Lame: Flamuri grek mbi kalanë e Janinës një kiç, Ali Pasha kthehet përmbys në varr

Studiuesi Artan Lame (sot mban detyrën e drejtorit të ALUIZNI-t) ka bërë një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, për kalanë e Janinës e Pashain e Tepelenës.

Jo pak ironik, siç është gjithherë ai, Lame thotë se teksa sheh flamurin grek mbi kalanë e Janinës, mendon se “Flamuri grek mbi kullat e kalasë së Janinës. Duket pak kiç ai flamur mbi ato kulla, se gati asgjë s’e lidh Janinën me Greqinë”.

Shton jo pa ironi edhe se “ne shqipot pak ose aspak bëmë për ta mbajtur atë qytet këndej kufirit në ato vite që ndaheshin sinorët e shteteve”, por për të me gjasë “Aliu i Hankos, që tani u shërben grekëve për të ndjellë turistët, ndoshta kthehet përmbys në varr kur sheh flamujt me kryq të kaltër që valojnë përreth kullave të sarajeve të veta, por atë meriton”.

Por nëse ne do të suleshim për të kërkuar në ‘Facebook’ Janinës, Lame na kujton se “Historia ndëshkon jo të padrejtët, por të pazotët”

Shah Moskës! “Si i zbuloi Uashingtoni planet sekrete të Kremlinit për të shmangur dorëzimin e Millosheviçit”

Miranda Kastrati

Me përfundimin e luftës, nëpërmjet një blici ushtarak, rusët të hyjnë në Prishtinë: 2500 parashutistë të gatshëm të lëshohen mbi qytet. Moska hedh poshtë gjithçka, por do një sektor që ta kontrollojë. Ky është programi i studiuar nga Kremlini dhe nga Beogradi. Millosheviçi reziston, Jelcini jo. Dhe të parit nuk i mbetet veçse të dorëzohet.

Misteri i vërtetë dhe i pazgjidhur i krizës në Kosovë është: Pse u dorëzua Millosheviçi? Të shumta teoritë lidhur me këtë, por asnjëra vërtet bindëse. Edhe duke dashur t’i lexosh në tërësinë e tyre, nuk kuptohet se pse 79 ditët e bombardimeve ajrore kanë bërë të ngrihet flamuri i bardhë në Beograd. Analizat më të rëndësishme mund të përmblidhen kështu:

Një fitore ushtarake
Versioni i parë, fillimisht i mbështetur nga Zëdhënësi i NATO-s: Millosheviçi është dorëzuar pas eskalimit të bombardimeve të Aleancës në dëm të trupave të tij, të bëra më efikase pas ndërhyrjes së njerëzve të UÇK-së, të cilët kanë nxjerrë forcat serbe nga vendodhjet e tyre. Dobësia e kësaj teorie qëndron në vetëdijen se ushtria serbe e ka lënë Kosovën në kushte të mira, pa vuajtur kushedi se çfarë nga inkursionet ajrore të aleatëve, pavarësisht komunikatave, dhe pa pësuar humbje të konsiderueshme njerëzore apo materiale. Në një profil pastërtisht ushtarak, bombardimet kanë qenë një fiasko e vërtetë.

Një fitore strategjike
Versioni i dytë, domethënë rasti kur Zëdhënësi i NATO-s bën një hap prapa: Millosheviçi është dorëzuar prej dëmeve të pësuara prej bombardimeve ndaj infrastrukturave ekonomike serbe, dora dorës të bëra gjithnjë e më të mëdha. Edhe kjo tezë nuk qëndron, pasi bombardimet nuk e kanë minuar kurrë moralin as të popullsisë civile, as të forcave ushtarake. Përkundrazi: Milicitë serbe dukej pothuajse sikur po e prisnin momentin që NATO më së fundi do ta gjente kurajën për një sulm tokësor që të mund t’i shkaktonin, megjithëse pjesërisht, humbje të konsiderueshme aleatëve. Millosheviçi, është stërnjohur, nuk është njeri sentimental dhe aq më pak e besueshme që mjerimi ekonomik i popullit mund të ketë qenë vendimtar në dorëzimin e tij.

NATO, një armik i pamposhtur
Versioni i tretë, i hedhur në qarkullim nga Shtëpia e Bardhë: Millosheviçi është dorëzuar pasi e ka kuptuar se një sulm tokësor ishte vetëm një çështje ditësh dhe se Presidenti amerikan po bindej përditë e më shumë për domosdoshmërinë e saj. Hipotezë jo e besueshme, duke parë se kur Millosheviçi ka kapitulluar, përgatitjet për një sulm tokësor qenë akoma në një gjendje smebrionale. Dhe sidomos, pavarësisht sigurimeve të vazhdueshme të Clinton, lidershipi amerikan ishte larg nga pasja e kurajës për marrjen e përgjegjësisë së sulmi tokësor të përgjakshëm.

Një sukses politik

Versioni i katërt, i favorizuar nga Departamenti i Shtetit: Millosheviçi është dorëzuar pasi ka kuptuar se NATO, falë rakordimit të fortë diplomatk të saj, nuk do t’i pushonte bombardimet dhe se do të qëndronte khoezive deri në fund. Konsideratë ka mundësi e vërtetë, që megjithatë nuk shpjegon se pse Millosheviçi ka zgjedhur papritmas të braktisë fushën, sidomos në dritën e asaj që u tha më sipër lidhur me joefikasitetin e bombardimeve mbi trupat, mbi ekonomike dhe mbi ngurrimin amerikan për të hyrë në luftë tokësore. Një pasivitet public dhe kushtet e përgjithshme të mira të ushtrisë qenë pikat e tij të forta.

Rusia shpëton NATO-n

Versioni i pestë, i hedhur në qarkullim nga të gjithë ata që shikonin tek Rusia një aleat edhe kur, në mënyrë të qartë tregohej se nuk ishte: Millosheviçi është dorëzuar pasi më 3 qershor Rusia, pasi e ka mbështetur fuqimisht, e braktis në fatin e tij dhe zgjedh Perëndimin, duke e izoluar kështu Beogradin dhe duke e privuar faktikisht nga çdo zgjedhje alternative. Kjo analizë, e përqafuar haptazi midis të tjerëve nga Sër Michael Jackson (komandanti britanik i KFOR-it), përmban ndonjë element vërtetësie sidomos nëqoftëse lidhet me teoritë e tjera. Ama nuk hedh dritë as mbi atë se çfarë donte të fitonte Moska kur dukej se përqafonte kërkesat e aleatëve dhe kërkonte që ta bindëte liderin e Beogradit ta braktiste Kosovës, as mbi faktin se pse Millosheviçi papritmas është bërë personazh jokomod.

Përgjigja për misterin duhet gjetur në një analizë të kujdesshme kronologjike të reagimeve të Moskës ndaj krizës dhe sidomos në sjelljen dukshëm të çuditshme të Kremlinit gjatë 10 ditëve vendimtare të konfliktit, nga data 2 deri më 12 qershor. Politika ruse ndaj Kosovës mund të kuptohet më mirë në dritën e 3 fazave të mirëdalluara. E para ka qenë instinktive dhe e thellë, duke qenë se në mënyrë emotive dhe instinctive solidaritetin moskovit ndaj Millosheviçit, dënimin e sulmeve të NATO-s dhe premtimin për ta mbështetur liderin e Beogradit. Kohë përpara nisjes së bombardimeve, Duma ka bërë të ditur se do ta ndihmonte Millosheviçin në rast sulmimi. Dhe me afrimin e orës X, rusët kërkuan dënimin e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që Kryeministri Primakov tentonte të bindëte gjermanët që të mbështesnin një propozim paqeje fuqimisht në favor të Millosheviçit. Ndërkohë shtoheshin zërat për një kontigjent vullnetarësh rusë të hyrë në Serbi me urdhërin që të ndihmonin ushtrinë serbe, dhe inteligjenca perëndimore denonconte dërgimin e pajisjeve ushtarake. Për më tepër, pozicioni rus është fotografuar shkëlqyeshëm më 25 mars nga e përditëshmja moskovite “Nezavisimaya Gazeta”. “Është në interesin rus të lejojë që Shtetet Bashkuara dhe NATO-ja, bashkë me aleatët e tyre të çmendur të të Europës Lindore e Perëndimore të shkojnë përpara me luftën në Ballkan dhe të ngecin aty. Ka nisur rënia e perandorisë amerikane”, por kur Kremlini kupton se fronti europian do të qëndrojë kompakt, atëhere ja ku skenari ndryshon dhe kalohet në fazën e dytë.

Rusia fillon të lëvizë dhe për të mos mbetur e përjashtuar nga vendimet perëndimore. Këtë e bën gjatë konsultimeve të Ministrave të Jashtëm të G-8. Chernomyrdin, ish Kryeministër, luan një rol të dorës së parë në tentativën për ta bindur NATO-n të drejtohet nga një zgjidhje politike në shkëmbim të zbutjes ruse. Në fund të majit hyn në skeenë edhe Presidenti finlandez Martti Akhtisaari, që drejton bisedimet në emër të G-8. Ndërkohë, Chernomyrdin takohet veçmas më liderin e Beogradit, ndërsa deklarimet zyrtare moskovite bëhen gjithnjë e më të ashpra. Më 26 maj Chernomyrdin boton në “The Ëashington Post” një editorial histerik, në të cilin shkruan se “Shtetet e Bashkuara e kanë humbur të drejtën morale që të jenë lideri i demokracisë botërore në dritën e bombardimeve që varrosin lirinë dhe demokracinë në Jugosllavi” dhe kërkon që Beogradi të dëmshpërblehet për të shmangir që Jelcini të ngrijë marrëdhëniet diplomatike midis rusëve dhe amerikanë deri në përfundim të bombardimeve. Të nesërmen takohet me Millosheviçin. Nga ai moment, në harkun e pak ditëve, politika ruse hyn në fazën e tretë.

Dy ditë pas daljes shpërthyese të Chernomyrdin, bëhet e njohur se diskutimi i tij me Millosheviçin ka qenë mjaft i frutshëm. Më 2 qershor, emisionet e lajmeve ruse deklarojnë se Akhtisaari dhe ish Kryeministri “i kanë paraqitur Beogradit jo një, por dy plane” dhe se “Moska e konsideron mundësoinë e një ndarjeje virtuale të Kosovës”, me një “kontigjent rus” të gatshëm që të kontrollojë verilindjen e Kosovës. 24 orë më vonë, më 3 qershor, Millosheviçi e pranon propozimin e NATO-s për tërheqjen e trupave nga Kosova, ndërsa Chernomyrdin deklaron në televizionin shtetëror rus se “me kërkesën jugosllave, edhe Rusia do të marrë pjesë në operacionin paqeruajtës”. Mëkat që ngjarjet i shpëtojnë nga dora. Më 4 qershor, ministrat rusë e Jashtëm dhe të Mbrojtjes e sigurojnë Dumën se Jugosllavia nuk du të tradhëtohet. Më 5 qershor, rusët nuk paraqiten në takimin e parë të mbajtur midis oficerëve serbë dhe atyre të NATO-s për të studiuar detajet e tërheqjes brenda një jave. Midis 5 dhe 7 qershorit, traktativat ndërpriten dhe më 10 qershor NATO shprehet në favor të një shtyjeje.

Po atë ditë, një kontigjent ushtarak rus lë vendodhjen e tij në Bosnje dhe, në marrëveshje me Serbinë, niset me shpejtësi drejt Kosovës. Kjo ndërkohë që qeveria ruse siguron Zëvendëspresidentin amerikan se trupat ruse nuk do të futen në Kosovë. Shtëpia e Bardhë i beson dhe bllokon planin e komandantit të NATO-s për një sulm preventiv në Prishtinë. Në orën 1 e 30 të natës, rusët hyjnë në Prishtinë dhe, me ndihmën serbe, pushtojnë aeroportin dhe u ndalojnë hyrjen forcave të NATO-s. (Burime të inteligjencës pohojnë se rusët kanë mundur të mbështeten mbi një pajim ushtarak të dhënë nga serbët). Një kronohistori e detajuar e e këtij blici ushtarak është botuar më 14 qershor nga “Moskovsky Komsomolets”, që zbulon sesi qysh më 12 qershor një kontigjent prej 2500 parashutistësh ishte i gatshëm që të lëshohej mbi Prishtinë, ndërkohë “që tashmë ishte vendosur që Rusia të kishte një sektorin e saj” në Kosovë. Dhe në rast se Hungaria do t’ia ndalonte përdorimin e hapësirës së saj ajrore, atëhere Bullgaria do t’ia lejonte kalimin, duke i dhënë kështu jetë një korridori që lidhte drejtpërsëdrejti Rusinë me Kosovën. Domethënë, ndarja e territorit ishte caktuar tashmë në mënyrë unilaterale, i pëlqente ose jo NATO-s. I ndryshëm versioni i Kremlinit, që e hedh poshtë të ketë kërkuar lejen bullgare, përveçse rumune dhe hungareze, për të hyrë në fly zone respektive. Aq sa ta ndërpresë operacionin nga frika e rrëzimit të ndonjë avionic. Ndërkohë forcat serbe, tashmë në rrugën ë tërheqjes, e shmangin një mbështetje të hapur ndaj rusëve për të shmangur një rifillim të bombardimeve.

Gjatë një jave të tërë, Moska vazhdon të pretendojë një sector të sajin. Deri kur, më 18 qershor, pranon me gjysmë zemre që t’i shpërndajë trupat e saj në zonat e kontrolluara nga francezët, amerikanët dhe gjermanët. Operacione që të lënë të kuptosh mjaft mirë sesi dorëzimi i Millosheviçit nuk është gjë tjetër përveçse ana tjetër e medaljes e një manovre të dakordësuar midis Beogradit dhe Moskës. Po, pasi sapo kupton se nuk mund ta përçajë Aleancën, Moska vendos që të “shitet” si ndërmjetëse për Perëndimin, duke biseduar në realitet me Beogradin qysh nga fillimi. Ideja ishte ajo që të bindëte NATO-n se zgjidhja e drejtë ishte dhënia Serbisë e zonës verilindore të Kosovës, natyrisht nën kontrollin e Moskës. Një zgjidhje që do t’i jepte edhe vlerë e prestigj veprimit diplomatik rus. Por projekti ka kapitulluar pasi 3 vende të vogla europiane kanë pasur mirësinë që të mos i besojnë Moskës, ndërsa NATO nuk ka dashur të lëshojë lidhur me një sektor të kontrolluar ekskluzivisht nga rusët.

Në dritën e këtyre rrethanave, mund të thuhet se aleanca e dyfishtë serbo – ruse ka dështuar. Ndërkohë që Clinton ka luksin ta falenderojë publikisht Kremlinin për bashkëpunimin e tij.

(Zbigniew Brzezinski për Global Viewpoint, 1999)/ Bota.al

ÇFARË I SOLLI FEJA E PUSHTUESIT POPULLIT SHQIPTAR? – Nga KOLEC TRABOINI

 

Kur i ishte mbush mendja top për ta bërë Shqipërinë Kalifat të Zi, Abdi Baleta, para e prapa vitit 2000, më pat quajtur në 15 shkrimet e veta të hallakatura të botuara në shtyp si “katoliko-manjak”, “katoliko-centrik” dhe epitete të tjera. Kurrë nuk e kam marrë vesh çfarë kuptonte ky fanatik fetar me këto fjalë kur unë nuk dallohesha në asgjë si ndonjë njeri që propagandon fe a besime. I gjithë strumbullari i shfryrjes së Abdi Baletës në fillim të pranverës 2000, ishte fakti se 2 vjet më parë, a thënë plot 20 vjet si sot, në nëntor 1998, kisha përcjellë në mediat sociale shkrimin “Çfarë i solli feja e pushtuesit kombit shqiptar” si kundërpërgjigje turrit të marrë të osmanëve të rinj që pas vitit 1990 mbinë si kërpudha pas shiut. Ata nga shkollat fetare islamike ku studionin vehabizmin ekstrem në Jordani, Siri, Malajzi e gjetkë, përcillnin shkrime me të cilat kërkonin të rrënonin figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, por merreshin edhe me denigrimin e Nënë Terezës dhe Dedë Gjon Lulit. Ishte një grup i programuar studentësh të mbështetur nga një organ shtypi i Abdi Baletës në Tiranë, që mohonin gjithçka shqiptare sikur të ishim një popull turko – arab dhe ngulmonin se koha e pushtimit osman për shqiptarët kishte qenë një lumturi e madhe.

Madje edhe tani që po e ripërcjellim këtë shkrim të zgjeruar, del Nexhmedin Spahiu në Prishtine e shkruan se shqiptarët e kanë përqafuar me dashuri të madhe fenë e pushtuesit osman, i cili dihet botërisht se ka qenë me gjakësori që ka përballuar populli shqiptar në shekujt. Atë shkrim timin po e ripërcjell pas dy dekadash dhe në vazhdim do të bashkëngjisim një përmbledhje të përgjigjes që i dha studiuesi Profesor Engjell Sedaj (1943 – 2006) Abdi Baletës në gazetën “Bota sot” më 12 mars 2000, shkrim që më ra në dorë kësisoj:  Atëbotë në Boston më është dërguar nga Parisi prej dukagjinasit që jetonte në Francë që pas Luftë së II Botërore, Nikoll Daka, një zarf ku kishte fotokopjet e 15  shkrimeve polemizuese të Abdi Baletës ku përmendej emri im, dhe për të njëjtën arsye edhe shkrimi i Prof.Engjëll Sedaj “Skriptomania e një maniaku konvertit”, të cilin do ta paraqesim me shkurtime në fund të shkrimit.

 

 

Shkrimi që ndezi Andi Baletën: Çfarë i solli feja e pushtuesit popullit shqiptar?

 

 

Duke venë re se disa shqiptarë myslimanë po duan ta propagandojnë fenë e besimin e tyre si diçka absolute, si burim më i madh kulturës së popullit shqiptar është e nevojshme tu kujtojmë se nëse katolikët dhe ortodoksët janë me të përmbajtur në propagandime të kësaj natyre, kjo ndodh për faktin se është në moralin e fesë së krishterë të mos u mburrur besimtari për fenë e vet, por të jetë i përvuajtur, të punojë më shumë me vepra mirësie se sa me fjalë. Kjo në fakt duhet të jetë në moralin e çdo lloj feje, pa u hedhur në rivalitet me njëra-tjetrën. Në qoftë se dikush mendon se kjo heshtje është shprehje e tronditjes së besimit dhe se Krishterimi ka vdekur sepse katolikët dhe ortodokset janë më të përmbajtur në propagandimin e fesë, ose ky besim për shkak të pakicës në popull është në krizë, ky dikush e ka krejt gabim. Potenciali shpirtëror i njerëzve të një besimi matet në fund të fundit me vepra e jo me pasione të sëmura diletantësh e njerëzish me mungesë kulture e dije.

A mund të gjendet një libër tjetër- apostull të shqiptarizmes- si “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” i priftit katolik Marin Barleti, apo një monument të Gjuhës shqipe si meshari i Gjon Buzukut, me gjeni ju lutem një kodik si Kodiku i Arte dhe ai i Purpurtë i Kishës Ortodoksë Shqiptare ne Berat – të rradhë për nga lloji në mbarë botën e qytetëruar. Gjeni modele ikonografie si ato të Onufrit në kishat Ortodoksë Shqiptare (nuk janë greke), me te kuqen e tij i konsideruar si i dyti artist i ikonografisë botërore pas rusit Andrei Rublov. Por artistë tanë të mëdhenj, si ata të hershmit dhe ata të periudhës së Rilindjes, kur i kanë punuar veprat e tyre, kanë filtruar aty shpirtin e vet atdhedashës, ata e kanë përdorur motivin fetar për ti shërbyer aspiratës se popullit shqiptar.  Është pikërisht ajo kohë Rilindje që dikush ka marrë përsipër ta gjykojë si “ujë i ndenjur” për të mos thënë i qelbur apo “qereste” në disa filozofime ex-katedra. Nuk dua ti bëj koment këtij vlerësimi kaq absurd për Rilindësit tanë të mëdhenj, për apostujt kombëtar. Këtë lloj denigrimi nuk e bëjnë kurrë grekët për Kollokotronin të cilin e kanë helmuar vetë në qelinë e burgut, përkundrazi e kanë shpallur pa hezitim hero kombëtar, nuk e bëjnë as serbët për Vuk Karaxhiqin e që e vlerësojnë si shenjt të tyre, nuk e bëjnë as bullgarët për Kristo Botevin, a hungarezet për Shandor Petefin, por veprat e tyre i shpallin monumente me të cilët mburren para botës së qytetëruar.

Por ndryshe nga se bënin artistët e fundit të Mesjetës apo Rilindësit që edhe kur tema ishte fetare përçonin ide iluministe dhe atdhetare, sot (në këto kohërat tona moderne të fudullëkut) po ndodh krejt ndryshe. Kujtoj një fakt tepër të dhimbshëm: të tëra xhamitë e rindërtuara pas vitit 1990 në Shqipëri janë të mbushura me arabizma, dhe kurrkush nga besimtaret shqiptar (myslimanë) nuk e di se çka shkruhet në ato faqe muri me pika e vija ovale të padeshifrueshme. Madje edhe arkitektet janë turq Stambolli (gjë te keqe nuk ka por arkitektët e zot shqiptarë shkojnë e punojnë kamarierë në Greqi – ndoshta dhe në Turqi – se ka papunësi në Atdhe), gjithashtu në hyrje e xhamive, kujtoj atë të Parrucës në Shkoder, shihen ca pllaka mermeri a bronzi në të cilat shkruhen emrat e ca Merzuk Sunxhukëve të Kuvaitit, të cilët kështu mbeten të shënuar në historinë e kulturën e popullit shqiptar në kuadrin e internacionalizmit islamik.

Nuk jemi një komb mysliman. Mos shihni ëndrra me sy hapur. Jemi populli shqiptar dhe fetë në histori i kemi ndërruar për t’ju përshtatur terrenit e rrethanave e për të gëzuar privilegje në Perandorinë Osmane. Ndërrimi i fesë nuk është bërë për të ndihmuar në çështjet kombëtare, por për ti ndihmuar interesave të ngushta të individit. Mos flisni gjëra që tingëllojnë si absurditete të padëgjuara më parë. Grekët nuk u asimiluan në pikëpamje fetare por dolën prej perandorisë gjakatare osmane më të fuqishëm prej tërë popujve të Ballkanit. Serbët nuk e ndërruan fenë dhe e bënë shtetin e vet në Ballkan, madje morën edhe territore të popujve të tjerë ( Kosovën e Vojvodinën) edhe pse atje kishte fare pak serb. Rumunet po ashtu nuk e ndërruan fenë dhe e nxorën atdheun e vet nga zgjedha turke shumë vjet përpara nesh, bullgarët po ashtu.

Vetëm ne në Ballkan nuk arritëm kurrnjë farë objektiv kombëtar, derisa kalbësirës perandorake Osmane i ra dhe trau i fundit që desh na zuri brenda, pikërisht neve që e përqafuam fenë e pushtuesit të parët dhe masivisht në Ballkan, që i dhamë pushtuesit osmanë 40 vezirë shtypës popujsh, me të cilët çuditërisht mburremi, e pra pikërisht ne që mezi u ndamë nga “përqafimi” me pushtuesin tonë “të dashur”, Perandorinë Osmane. A mund të mburremi sot se ish Jugosllavisë pushtuese i dhamë një president kryesues radhe e një shkrimtar si Sinan Hasani, a mund te mburremi se Fadil Hoxha ishte antarë i forumit me të lartë të Jugosllavisë, mik kryekreje me Titon, a gjeni dhe një shqiptar të vetëm të mburret për një tradhtar si Rrahman Morina, dhe akoma më tej sikur kosovarët të ishin konvertuar të gjithë në ortodoks (fenë e pushtuesit serb) çfarë do të ishte Kosova sot?!

Sot Kosova shihet me të drejtë si qëndra e shqiptarizmës në Ballkan, por kjo ka ardhur për shkak të rezistencës së pashoqe në të gjitha fushat e jetës, duke ruajtur gjuhën, kombësinë, traditat, zakonet, kulturën dhe edhe fenë. Mosndrrimi i fesë në këtë rast nuk është shenj konservatorizmi e fanatizmi fetar, por shenja e identitetit, sepse ndërrimi i saj dhe konvertimi në fenë e pushtuesit serb, do të sillte pasoja katastrofike për popullin shqiptar në Kosovë. Por nga kjo nuk duhet të përfitojnë spekulatorët fanatike që infiltrohen nga thellësia e Lindjes, sepse në këtë rast mbështjellja fetare është në funksion të mbrojtjes së thelbit kombëtar shqiptar. Pra në këtë rast kemi një shkrirje harmonike të gjithë aspekteve të kulturës, dijeve, besimit në një qëllim, çlirimin nga pushtuesi gjakatar serb, dhe këtu feja myslimane në periudhën e pushtimit serb, luajti rol pozitiv. Ndërsa kur një popull krijon e bashkon kombin ndodhet para probleme te tjera, dhe feja në këtë rast nuk është ne atë funksion që ishte në periudhën e formimit të kombit ku mund të losë një rol pozitiv ose negativ.

Duhet të pranojmë se ndryshe nga se po ndodh në Kosove sot (1998), funksioni i fesë në periudhën e Rilindjes e të luftërave për pavarësi ka pasur më së shumti një rol negativ e ka qenë faktor përçarje. Kush e di historinë sado pak duhet ta dijë edhe faktin se Shkodra disa vite para pavarësisë ka qenë para një nate të Shën Bartolemeu, kur qytetarët e rinj myslimanë, si u inkuadruan me forcat turke shkuan për të nënshtruan Malësinë e Madhe por pësuan disfatë. Në kthim nga shpartallimi, këta puthadorë të pushtuesit shkulen të gjitha kryqet e varreve të fshatrave prej nga iknin. Fanatikët katolikë ja shpërblyen me të njëjtën monedhë urrejtje duke var një derr të therur brenda në një xhami e kjo i konfrontoi qytetarët qe u gjenden para një luftë vëllavrasëse, te barrikaduar, madje u vranë disa shkodranë nga të dy krahët, e cila luftë civile u shmang vetëm me ndërhyrjen energjike të Austro-Hungarisë, e cila e kërcënoi Stambollin me shpallje lufte nëse do tu ndodhte gjë katolikëve shkodranë të rrethuar në lagjet e veta. Prandaj kushdo që dëshiron të jap opinione për çështje kaq delikate si kontributi i fesë në krijimin e kombit shqiptar, duhet të ketë lexuar ca faqe nga historia, nga librat me dokumenta, të ketë shfletuar dy-tre gazeta të periudhës se para pavarësisë, “Albanian” e Faik Konicës të paktën, për të parë si ishin punët atëherë dhe të kërkojnë pastaj e te gjejnë nëpër rrënojat e asaj kohe “xhevahiret” që i dha feja e pushtuesit kulturës së popullit shqiptar.

Në qoftë se ndokush dëshiron të ngrejë flamurin e fesë se vet në Internet, e vetmja mënyre komunikimi për shqiptaret në mbarë botën, le të kuptojë se po bën një punë tepër të dëmshme për popullin e kombin shqiptar. Këtu nuk është fjala për të bërë etiketime, si, jo “tradhtar” e jo “fundamentalist” e të tjera shprehje në zhargonet e atyre që kanë një nivel të ulët në argument, por për t’ju bërë thirrje atyre që merren me kësisoj dokrrash, që të heqin dorë nga propaganda fetare që sjell tension e grindje në mes nesh, duke e bëre dasinë fetare molle sherri e grindjesh. Fanatizmi e pasioni i sëmurë në këtë rrugë, sjellin jo vetëm dem shoqëror e ndjellin konfrontime ne mes shqiptarësh, por edhe rrezikun tjetër që në opinionin botëror ne të shfaqemi si një popull islam, dhe sikur kultura shqiptare nuk është kurrgjë tjetër veç kulturë  fetare islame.

Ka edhe mënyra të tjera për t’ia nxjerrë sytë vetes, sigurisht, por kjo mënyre është me e mira dhe me e efektshmja për armiqtë tanë në Ballkan të cilët do të dëshironin shfarosjen me rrënjë të kombit shqiptar e në pamundësi të kësaj, të paktën tjetërsimin e paraqitjen si një popull i ardhur nga Azia e Arabia e mbetje të perandorisë osmane. Gjithashtu, është gjithnjë aktual morali që del nga dy shprehje të urta popullore shqiptare të krijuara prej brengës së madhe që ka pas i mjeri popull i ndarë e i përçarë historikisht:

“Një e nga një e thyen fare lehte tufën e shkopinjve.” Dhe “Në shtëpinë e të varurit mos e kujtonit litarin!”. Ju lutem!

 

Kolec Traboini, Boston, 25 nëntor 1998

 

 

SKRIPTOMANIA E NJË MANJAKU KONVERTIT (Fragmente)

Nga Prof. ENGJËLL SEDAJ

(1943-2006)

Në vazhdimin e pestë të shkrimit te tij me titull “Polemikë me maniakë katolikë”, botuar në “Bota sot” (më 12 mars 2000), Abdi Baleta ka përmendur emrin tim, duke thënë se “Rexhepi ka polemizuar fuqishëm pikërisht me 4 njerëz shumë me të njohur se Koleci (Traboini) edhe për aftësi intelektuale, edhe për urrejtje ndaj islamizmit e osmanëve dhe pikërisht me dr. Zef Mirditën, me dr. Engjëll Sedajn, me Ismail Kadarenë dhe me Rexhep Qosen”. Në të njëjtin artikull ky gazetar skriptoman ka pasur guximin të shënonte përsëri emrin tim, por tani duke ia shtuar këtij emri kualifikantin e “tendencave jezuite dhe antikombëtare”, pa dhënë shpjegime më të hollësishme se ku dhe kur kam shfaqur unë “tendenca antikombëtare”. Në të njëjtën mënyrë ai ka vepruar edhe në vazhdimin e shtatë ( 14 mars 2000) të këtij fejtoni, ku ia ka paraqitur lexuesit  emrin tim në një renditje më të gjatë emrash, me te cilët (profesionalisht) Vogëlsia ime, pothuajse nuk ka asgjë të përbashkët. Ai i mbetet borxh lexuesit edhe për mungesën e shpjegimit se çka “ ka polemizuar Rexhepi” me mua dhe se kush qenka ky Rexhep (Hoxha), që, së paku, të dihet se me çka merret ky njeri dhe ku qëndron “përparësia” e argumentit të tij në këtë “polemikë”.

Krejtësisht i mangët është dhe dezinformues edhe në vazhdimin e nëntë (më 16 mars), ku përmend emrin tim në lidhje me Nënë Terezen, që nuk ishte objekt i shkrimit tim. Me një fjalë, dezinformimet manipulative në këto shkrime të gjata e të mërzitshme, pa koncept dhe pa përmbajtje serioze, janë tepër të mëdha që të lijet lexuesi pezull dhe me shumë dilema që vijnë nga ky njeri pa përgjegjësi kur e përmend emrin tim. S’do mend se në lidhje me këtë emër (dhe emra të tjerë) ai paraqet shtrembërime dhe qëndrime të pajustifikueshme në çdo pikëpamje, kështu që praktikisht problemet e tij kanë të bëjnë kryesisht me insistimin këmbëngulës të ndryshimit të fakteve historike të popullit shqiptar dhe te rezistencës së tij të vazhdueshme për liri dhe pavarësi në trojet e veta.

E keqja edhe më e madhe është se ky njeri i humbur, këtë paraqitje të emrave bën duke recituar Kuranin (në vazhdimin e dytë të fejtonit) gjerë e gjatë, bash si një maniak i vërtetë, qe reciton rrugës mendime të pa artikuluara e të pakuptueshme, me një dallim të vogël se as maniakët e rrugës (ndër shqiptarë) nuk e kanë zakon t’ i përbuzin kështu librat e shenjtë në luftë kundër te tjerëve. Çka nuk është parë, as nuk është ndier deri më sot, në këtë fejton me një libër të shenjtë në dorë përbuzet gati tërë historia e popullit shqiptar, sidomos emrat më të njohur, siç është emri i heroit kombëtar Skënderbeu dhe emra të tjerë të rezistencës kombëtare për liri, që, s’ do mend, është në kundërshtim me parimet kuranore.

Ç’ është e vërteta, A. Baleta polemizon me Dom Ndoc Nogën dhe Kolec Traboinin, te cilët s’ kam pasur mundësinë ti njihja, ndonëse edhe nga citatet e tyre (që jep vetë Baleta), kuptohet shumë qartë se ata mbrojnë qëndrimin e pranueshme dhe në pajtueshmëri me rrjedhat e zhvillimit historik të popullit shqiptar dhe me idealet e shenjta patriotike të traditës shqiptare. Megjithatë, unë nuk i kam lexuar punimet e tyre (në Internet) dhe këtu nuk mund të jap mendimin tim të plotë përkitazi me qëndrimet e tyre për çështje që interesohet ky gazetar, por do të përqendroj vëmendjen më tepër te ato momente të cilat lexuesit mund t’ i vijnë në mend, kur e lexon emrin tim dhe te ato efekte që do t’ i ketë dëshiruar edhe autori i këtij shkrimi, kur e ka përmendur emrin tim.

…Në këtë pikëpamje mund te shfaq ndonjë mendim konstruktiv, jo gjithaq pse unë jam marrë me këtë çështje, por pse kam konstatuar se në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare (pa përjashtim) dhe në burimet e tjera të kohës së pushtimit të egër turk, dëshmohet imponimi me dhunë i fesë së pushtuesit.

Ç’ është e vërteta, tema qendrore e A. Baletës në këtë fejton është feja islame te shqiptarët, jo gjithaq si “besim në Zotin”, por më tepër si fe “e përqafuar” me vetëdije të plotë për t’ u mbrojtur nga fqinjët, që kishin tjetër fe, fenë e krishterë, kështu që ai  këtu e shikon “rëndësinë dhe rolin shpëtimtar të myslimanizmit në jetën individuale e kombëtare të shqiptarëve dhe dobitë e mëdha që  pati kombi shqiptar nga perandoria Osmane.

“Ky qëndrim mbrohet në kundërshtim me K. Traboinin dhe bashkëmendimtarët e tij se kjo fe, duke qenë fe e pushtuesit, ju ka ardhur shqiptarëve me dhunë dhe atyre praktikisht nuk u ka sjellë asgjë të mirë, por vetëm të këqia. Mirëpo me ketë qëndrim të papranueshëm, sipas Baletës, dalin ata njerëz, të cilët ai i ka quajtur “maniakë kryqëzatash”, sikur këta njerëz të luftonin për idealet në tokën e shenjtë, pra në tokat e huaja e jo për të mbrojtur idealet e tyre në trojet e veta. Duke i krahasuar autorët që i citon ai si kundërshtarë të tezës së tij, pra si “maniakë katolikë”, ose që i takojnë këtij grupi, siç janë, I. Kadare, S. Repishti, M. Frashëri, F. Lubonja. M. Kruja, A. Demaçi, K. Gazideda, K. Resuli, K. Blushi e tj…kuptohet se ai nuk bazohet në burimet e historiografisë shqiptare e as ne rezultatet shkencore të saj, kurse ne çështje teologjike-fetare paraqitet totalisht injorant, nga feja si dhe nga “perandoria” kërkon “dobi” (materiale sigurisht), kurse në punë te fesë së shqiptarëve, thotë ai, “feja e të parëve për të gjithë shqiptarët është paganizmi ( vazh. XI), pastaj krejt dogmatik dhe i pakuptueshëm  është kur pohon se “Libri ka zbritur nga qielli” dhe se falja bëhet në gjuhën që zbriti Kurani në tokë”, që në brendinë  e saj duhet kuptuar si frenim të zhvillimit të gjuhëve dhe të filologjisë dhe që është në kundërshtim me botëkuptimin (teologjik se Zoti ka krijuar njeriun të lirë (në marrjen e vendimeve).

Qëndrimi i artikullshkruesit dhe porosia e tij – në parim- është shumë e qartë se shqiptarët në të kaluarën e tyre nuk duhej të rezistonin, por duhej t’ i nënshtroheshin pushtetit aziatik, ose, së paku, thotë ai (sipas Imam Alisë) “nevoitet bashkëpunimi i dy individëve, i shtypësit dhe atij që e pranon shtypjen”. Prandaj ata që nuk i marrin parasysh “nga sa kanë thënë shumica e studiuesve për shkaqet e përqafimit masivisht të fesë islame, i besojnë një fantazme që kanë përhapur urryesit e islamit” (vazhdimi i katërt). Dhe kjo porosi aktualisht – përsëri në parim – mund ta ketë vetëm një kuptim, se meqë shqiptarët atëbotë e kanë pranuar fenë e pushtuesit dhe nuk kanë pasur nevojë të rezistojnë, ata duhet edhe sot të pranojnë fenë e pushtuesit (sepse pushtuesi prej pushtuesit nuk bën shumë dallim) dhe të heqin dorë nga zakonet (fetare e etj.)  e tyre, sepse rezistenca nuk sjell dobi: rezistenca e atyre që nuk kanë pranuar fenë islame.

Meqë me kohë është dashur të veprohet kësisoj, por të pranohet feja e pushtuesit, sipas Baletës të gjithë ata që kanë bërë rezistencë dhe e kanë kundërshtuar “fenë e pushtuesit”, pak a shumë, janë tradhtarë të kombit, duke filluar nga Skënderbeu e këtej. Madje ata që kanë pasur guximin më të madh të rezistonin më tepër, sipas tij, duhen konsideruar tradhtarët me të mëdhenj, sepse qoftë dhe në mënyrë të tërthortë, ata i kanë shërbyer interesave të huaja (grekëve, serbëve e tj.  Në vend që t’ u shërbejnë interesave të turqve, përkatësish interesave të përbashkëta turko – shqiptare )…

Me fjale të tjera, njerëzit që kanë luftuar kundër turqve aktualisht nuk mund të shërbejnë si shëmbëlltyra të kombit, siç iu ka shërbyer për shembull Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, të cilin e kishin vrarë serbët afër Zymit në 1929, e siç iu ka shërbyer pastaj ky klerikëve të tjerë kosovarë, që në vitin 1930, kishin shkruar promemorien Kombeve të Bashkuara për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme.

… Nuk dihet të jetë shfaqur në literaturën shkencore ndonjë mendim tjetër për përhapjen e fesë se pushtuesit turk në trevat tona të Gadishullit Ballkanik veçse me dhunë dhe me motive çkombtarizuese. Lidhur me këtë, Selami Pulaha, historiani i njohur i periudhës osmane, ka konstatuar madje edhe forma të shumta të dhunës, duke thënë se  “ për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë social-politikë, si masat shtypëse dhe politike dhe sidomos politika e veçantë që ndoqi pushtuesi osman për të thyer luftën çlirimtare nëpërmjet islamizimit të tij”.( Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek.. XV-XVI, T. 1983, f. 29). Prandaj, shqiptarët duke u bërë myslimanë nuk bënë as faj as delikt, por pushtuesit e egër aziatikë, kurse detyrë e jonë është ta themi të vërteten historike.

Prandaj paraqitja e efekteve pozitive të fesë së pushtuesit te A. Baleta merr përmbajtje komike dhe zgjon interesim të shtuar si krejt e panjohur në literaturën shkencore, sepse tekefundit, i përngjan atij filmit të vizatuar mbi Tomin dhe Xherin, të cilët në lëvizjet e tret shumë lehtë i kapërcejnë kodrat, bash sikur ky i yni, që i kalon shekujt dhe faktet historike pa asnjë pengesë. Ai e konsideron krishterimin si të huaj, jo vetëm aktualisht, por edhe në te kaluarën, përkundër fakteve historike, se, siç shkruan Kasëm Biçoku, “përbërja shqiptare e klerit katolik dhe shkollimi paraprak i tij në Shqipëri i dhanë besimit katolik tiparet e një feje kombëtare, (Falangat që rrëz. kombin shqiptar, T. 1999, f.10).

Në përcaktimet e qarta të polemizuesve të tij ( S. Repishti, K. Traboini….) për apostullin e shqiptarizmit të M. Barletit dhe të protagonistit të veprës së tij Skënderbeut, A. Baleta jep përgjigje të prerë se pikërisht fajin më të madh për kameleonizëm e ka Skënderbeu dhe në përgjithësi kastriotët që ndërronin vazhdimisht fenë, sepse , shkruan ai, Skënderbeu është “rritur dhe edukuar nën flamurin e Muhamedit”, çka do te thotë se qëndrimi i tij peng nuk do të ketë ndikuar në frymëzimin për vendlindjen, por përkundrazi, sikur të thuash se qëndrimi i Bacës Adem( Demaçi) në burgjet e Serbisë nuk ka ndikuar në shqiptarizmin e tij, por në serbizimin e tij, sepse atje ka mësuar të fliste serbisht mirë…

Për P.Bogdanin madje mendon se, duke u sjellë nëpër Shqipëri në kohën e kryqëzatave, ishte “mashtrues i madh”, kështu që nga këto qëndrime kuptohet çdo gjë, që do të thotë se ky artikullshkrues është – thënë në gjuhën politike -edhe më radikal se Shesheli dhe Zhirinovski. Edhe pse këto qëndrime janë shumë te qarta dhe nuk kërkojnë shpjegime të hollësishme, megjithatë, duhet thënë se A. Baleta është shumë perfid dhe vepron me një taktikë të komunistit të konvertuar në demokrat, duke bërë lajka në diferencimin mashtrues, fort mirë të njohur (në Kosovë) nga serbët, që bënin ndarjen e shqiptarëve ne të ndershëm dhe të pandershëm, duke porositur“të dëgjojmë katolikët besimtarë e atdhetarë, jo klerikalistët fanatikë ( vazhdimi VI). Me fjalë te tjera, ai konstaton se “Traboinët dhe te gjithë maniakët katolikë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i shërbejnë strategjisë serbo-greke”, jo vetëm pse kishin shfaqur rezistencë gjatë shekujve për te ruajtur fenë dhe zakonet e tyre, por edhe tani, sepse si të tillë u pengojnë shqiptarëve të tjerë( lexo shqiptareve muslimanë)  dhe u vihen ne shërbim grekëve, serbëve, dhe popujve të tjerë evropianë, ata pra nuk janë te krishterë për vete por për të tjerët. Në këtë drejtim ai do ta shoh shqiptarin, siç është vetë dhe çdo ngjarje dhe personalitet historik që nuk përputhet me modelin e tij, e quan të papranueshëm si një fantazmë, kurse patriotizmin evropian (aq te theksuar në programet e të gjitha partive politike) as që e ka parasysh fare. Atë nuk e brengosin as faktet e trilluara apo supozimet e paarsyeshme se gjoja të krishterët do t’ u shërbejnë grekëve e serbëve, sepse, tekefundit, sipas tij, turqit ishin te mirëseardhur edhe për vetë grekët, të cilët gjithashtu “e kishin thirrur pushtuesin osman që tu ndihmonte kundër sllavëve (vazhdimi v).

Vërejtjet tona: Gabimi më i madh ne aspektin metodologjik i A. Baletës qëndron në faktin se ka bërë seleksionimin e literaturës me qellim të arritjes së rezultateve dhe te konstatimeve krejt subjektive përkitazi me çështje në shqyrtim, kështu edhe kur polemizon me më shumë njerëz të njohur në kulturën shqiptare. Për shembull, nuk ka asnjë argument që do ta kundërshtonte qëndrimin( e cituar) e Mehdi Frashërit se “ feja që suellen me vete dhe e përhapen ne Shqipëri turqit osmanlinj ishte fe në kundërshtim me zakonet shqiptare dhe shkaku më i rëndësishëm  i mospajtimit te popullit qëndron pikërisht ne këtë pikë( vazhdimi IX).

Apostrofimi i njerëzve vend e pa vend e bën te bindshëm lexuesin se ky njeri nuk mund te përballojë një plejadë te tërë “manjakësh”, siç na quan ai neve, duke filluar nga I. Kadare, si më i njohur, e deri te ata që janë më pak të njohur në letrat shqipe, kurse kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve kundër turqve për liri dhe pavarësi, nuk i përmend fare, sepse as që citon ndonjë historian (shqiptar).

Botkuptim i gabueshëm është gjithashtu të kërkosh sot efekte pozitive nga një ngjarje (historike) tejet negative që ka ngjarë para disa shekujsh, siç ka ndodhur me pushtimin e vendeve tona nga barbarët aziatikë…Si mund te ketë pasur efekte pozitive apo ndonjë te mirë nga pushtuesit aziatikë, si bartës të injorancës dhe te fesë se tyre te politizuar( e huazuar nga arabët), kur gjatë kohës se pushtimit nuk iu kanë dhënë shqiptarëve të drejtat kombëtare dhe qytetarë?! Prandaj edhe mund te merret me mend se çka do te thotë per qenien etike dhe etnike shqiptare t’ i takosh pushtuesit, qoftë dhe fetarisht, në kohen kur ishte ne fuqi ligji i sulltan Bajazitit të II (siç shkruan E. Çabej ne parathënien e “Mesharit”), se për botimin e një libri në gjuhen shqipe dënimi ishte me vdekje, kurse shndërrimi i kishave në xhami, sidomos ne ato qendrore me te njohura ne Shqipëri, ishte një praktikë e vazhdueshme. Një prek kishave të para katedrale që kishin shndërruar në xhami turqit para vitit 1575, ishte ajo e Lezhës për të cilën në një dokument të kohës thuhet: “U mor prej turqve kisha katedrale në qytetin e Lezhës dhe e bane xhami pasi i hodhën në lumë eshtrat e te vdekurve të mjerë, dhe kjo gjë shkaktoi kaq shumë dhimbje e vajtim ndër këta popuj sa gjëmimet e tyre arritën deri ne yje”( Cituar sipas: Dekumanta të shek.. XVI-XVII…vëll. II, T.1990, f. 301).

Siç shihet, turqit jo vetëm që nuk mundësuan zhvillimin e vetëdijes kombëtare ndër shqiptarë, por u përpoqën të zhduknin edhe atë që ishte arritur (asnjë libër nga letërsia e vjetër nuk është ruajtur në Shqipëri por ne Itali), kështu që ky popull e ruajti vetëdijen kombëtare në bazë te rezistencës së vazhdueshme antiturke, të organizuar kryesisht nga prelatët e krishterë, për te cilët E. Çabej, ndërmjet të tjerash, thotë: “përveç se barinj shpirtërorë, kanë qenë edhe agjitatorë, dhe pas frymës së kohës, pa ndarë idenë e fesë nga atdheu, në kohen e sundimeve të huaja kanë udhëhequr popullin në luftë për të drejtat e tij, në njërën fushë dhe në tjetrën”, (Studime gjuhësore, IV, faqe 341.).

Këtu qëndron një përparësi e konsiderueshme e shqiptarëve, jo vetëm në krahasim me klerikët muhamedanë , dhe te organizimit fetar të tyre me qendër ne Stamboll, por edhe në krahasim që mund të bëhet me vetë turqit, të cilët nuk e kishin mundësinë e zhvillimit  te gjuhës se tyre për shkak te obskurantizmit dhe te militarizmit, kështu që ata vetë qenë te detyruar të huazonin prej nesh( prej evropianëve, pra) edhe shkrimin(e latinicës) dhe ta fusnin në përdorim të dendur më vonë se shqiptarët. Vetëm ky faktori i rëndësishëm, që tregon se ata, pas rënies së Perandorise Osmane, dolën më te varfër se shqiptarët, së paku në punë te alfabetit të tyre, do te mjaftonte që ne t’ i kthehemi kulturës sonë, kulturës evropiane, nga i kanë drejtuar sytë edhe vetë turqit…

 

Botuar në “Bota sot”, 22, 23 mars 2000, f.15.

Dokumenti i vitit 1949 – Mehmet Shehu: Terrori sovjetik mbi 33 fshatra të Mirditës, tri kategoritë e popullsisë që u goditën

Nga Kastriot Dervishi – Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë që bënin, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.

 

Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafon drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:

-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)

-84 të kategorisë së dytë (për dënime me burgim)

-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).

Shehu kërkon edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandon që Gjykata Ushtarake të vijë në Rrëshen më 12 gusht. Kërkon ndërhyrjen pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor, në mënyrë që tre të dënuarit me vdekje në Burrel të mos faleshin, por të ekzekutoheshin. Shehu thotë se do shkonte në Shkodër për “çështjen e Peros”.

Pavarësisht se këto masa merreshin për nderin e Bardhokut, Partia e Punës ia dha shumë vite më vonë heroizmin atij. Me dekretin 4600, datë 22.11.1969 Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha Bardhok Bibës titullin “Hero i Popullit”, me motivacionin:

“Për kontributin e madh që ka dhënë si një nga kuadrot kryesorë të organizatës së partisë të Rrethit të Mirditës, duke luftuar e punuar me devotshmëri të lartë, me trimëri dhe aftësi si revolucionar, kundër prapambetjes dhe bandave të armiqve të popullit deri në fund të jetës së tij”.

Marrë nga 55

Kur Ismail Qemali u propozoi osmanëve të bënin një “Konfederatë Evropiane”

Ben ANDONI – Ismail Qemali është jo thjesht figura themelore e pavarësisë shqiptare, por edhe një nga ideatorët për ndryshime strukturore në qeverinë osmane. Jo më kot, figura e tij ka merituar shkrime dhe përmendje nga më të ndryshmet. Kurse një shikim ndryshe i tij na jepet në një roman historik, “Sulltani i fundit” i autorit Mishel de Gres, botuar kohë më parë nga “Plejad”, ku tregohet ngjitja e tij deri në postet më të larta të Perandorisë Osmane.

Kuptohet se romani është fikshën dhe një moment e përshkruan Ismail Qemalin, deri në postin e kryetarit të Parlamentit, post që ai nuk e ka pasur realisht, por tregon në të vërtetë, pozicionin e tij tepër të rëndësishëm në Perandorinë osmane. Në këtë shkrim do të përshkruajmë idenë e tij për një konfederatë, e cila duket pak a shumë, si Bashkimi Evropian i ditëve tona. Kuptohet se Perandoria
autarkike, megjithëse i kërkonte direkt fjalët e tij nuk i donte këshillat e Ismail Qemalit, madje tentoi që ta eliminonte dhe kështu në fund të jetës së tij ai u morr me ëndrrën dhe me atë që e bëri të pavdekshëm: Pavarësinë e Shqipërisë

Eshtë e tepërt që të merresh me jetëshkrimin e thjeshtë të burrë-shtetit të madh Ismail Qemali. Jo se kjo
nuk ia vlen, por për një arsye tjetër, figura e tij ka qenë e madhe në aspirata, që sot popujt evropianë i ëndërrojnë: Në krijimin e një bashkësie shtetesh të pavarur. Në këtë roman historik del dhe roli i tij i madh për forcimin e shtetit osman, që jeton në grahmat e tij dhe figura e tij poliedrike.

“Ismail Qemali ishte kundër faktit që një vend sado i vogël të mbetej i izoluar brenda kufijve, pa lëvizje
tregtare e pa marrëdhënie me vendet e tjera. Por marrëdhëniet ekonomike nuk duhet t’i detyronin atij vendi heqjen dorë nga pavarësia politike, por me një ekuilibër të aftë, duhet t’i siguronin gjallërinë”, shkruan Vjollca Tafaj, e cila është marrë me përgatitjen e kujtimeve të Ismail Qemalit.

Duhet pranuar se Shkëlqesia e tij Ismail Qemali, për shkak të pozicionit dhe kontributit që kishin dhënë shumë njerëz të tij për Historinë e Turqisë, ishte për një demokratizim të Perandorisë. Ai kërkonte që të
hiqej centralizmi absolut, sepse kjo amalgamë popujsh, e cila ishte në sundimin osman nuk mund të
rregullohej në kohët moderne me një dorë të vetme. Dhe, arsyeja e tij nuk mund të kundërshtohej. Ai,
vetë, kishte lëvizur në poste të ndryshme në hapësirat e Perandorisë dhe kishte parë me sytë e tij ndryshimet thelbësore që ishin në zakonet e popujve të ndryshëm në kulturë, besim, zakon, por edhe në mjediset krejt të ndryshme gjeografike ku jetonin. Si një njohës i mirë i historisë së Evropës ai kishte idenë e një Konfederate të madhe, që afronte pak me konceptin helvetik, ku rregullimi i çdo vendi në mënyrë autonome do të ndikonte në rregullimin e përgjithshëm.

Ky vizionar, po të zhvendosesh pak në kohë dhe në hapësirë mund ta kuptosh lehtë, sesa mund të kuptohej nga bashkëkohësit, që i kishin sytë akoma të lbyrur me shekujt e lavdisë osmane?! Përmes situatave të ndryshme në romanin e fundit historik del edhe roli i plotë dhe shumë i veçantë i këtij burokrati “të frikshëm” të Perandorisë. Të cilin e adhuronin dhe po aq e luftonin. “Mendja e tij e mprehtë dhe idetë novatore bënë që sulltani Abdyl Hamiti të kishte njëherësh respekt e frikë prej tij. Ndonëse e internuan për disa vjet, atij nuk reshtën së dhëni grada”, saktëson për të Edwin Jacques tek “Shqiptarët”.

Ishte koha, kur ai ishte për autonominë “në suazën e Perandorisë”. Dhe, nga kjo kohë, është edhe propozimi që i bëri Sulltanit, për të penguar Rusinë, që donte të dilte me anë të Kostadinopulit në
Mesdhe më 1892.

“Një politikë e dobishme për të tashmen e për të ardhmen do të ishte prirja drejt vendosjes së një pakti midis shteteve ballkanike përmes arritjes së një aleance mbrojtëse dhe një marrëveshje ekonomike, prelud i kushtetutës së një shteti të madh Oriental”…i shkruan shqiptari i madh-Sulltanit.

Nga shqyrtimi i dokumentevedel se deri në vitin 1908, në kokën e tij, ishte e ideuar mirë që pavarësia
ekonomike, ose një mundësi ekonomike më e madhe do të ishte ajo që do të ndihmonte për një pavarësi.
Historianët vërejnë, se ky ishte një koncept i avancuar, sepse në atë kohë -vendet e ndryshme, peshën e tyre e matnin me fuqinë politiko-ushtarake.

“Vendosja e bashkëpunimit të lirë, që propozoj unë, do t’u jeptepopujve të çdo shteti të drejtën që të vendosen në çdo pjesë të Perandorisë së madhe dhe të kenë përkatësinë e saj, me lirinë për t’iu futur
çdo ndërmarrje që dëshirojnë.

Turqia do të kishte avantazhin e rivendosjes së unitetit të saj, si shtet në kufijtë e vjetër, por, në vend që t’ia kushtonte energjitë ndalimit të emancipimit të njerëzve… fuqia e saj do të qëndronte në unitetin e njerëzve për mbrojtjen e përbashkët, kurse energjitë e tyre do t’i kushtoheshin zhvillimit ekonomik të perandorisë”.

Një mësim brilant nga historia e tij për kujtimin e Perandorisë Osmane. Krahas me këto, Ismail Qemali,
kishte filluar të mendonte ndryshe për vendin nga vinte origjina e tij. Kështu, në programin, që i paraqiti
ambasadorit italian në Londër, një mikut dhe adhuruesit të tij, Antonio di San Xhuliano ishte:

“Qëllimi i vendosur për të luftuar: që në gjithë vendet, që flitej shqip, ti përkisnin Shqipërisë; përhapjen
e shkollave shqipe me alfabetin latin; një hekurudhë Vlorë-Manastir, në mënyrë që të kishte akses në
Selanik, një nga portet më të mëdha të Mesdheut, hyrjen e kapitalit të huaj”.

I gjithë ky mozaik do t’i jepte vendit më shumë fuqi administrative…Si një burokrat i vjetër i perandorisë, ai nuk mund të shtynte dot dhe rënien e përnjëhertë të Perandorisë, ndaj në mendimet që i
kërkuan, ai i kërkoi direkt Sulltanit, që të shpallte Kushtetutën e re, që në fakt ndodhi. Për këtë kushtetutë kishte vdekur dhe Mit’hat Pasha, mësuesi i tij, që përmendet aq shumë në romanin historik dhe ku tregohet njëherazi dhe figura e këtyre dy personazheve për zhvillimin e Turqisë.

Por, nuk kishte kohë më për të. Tashmë, protagonistë të Turqisë janë bërë Turqit e rinj, ose xhonturqit,
të cilët synonin dhe iu drejtuan menjëherë pushtetit absolut. Më 15 shkurt 1909, Komiteti i “Bashkim-Përparimi” iu sul personazheve të njohur një prej të cilëve ishte dhe Ismail Qemali, i saporehabilituar nga internimi i radhës. Ai u qëllua në Parlament dhe kjo shënoi dhe ikjen e tij përfundimtare ndaj Turqisë duke kërkuar tashmë në mënyrë finale rrugën e Shqipërisë. Kishte marrë fund edhe ëndrra e tij e madhe, për të krijuar një konfederatë moderne, që të përbëhej nga disa vende, të cilat do të ishin të pavarur…

***
Ajo që ndodhi pastaj me jetën e njeriut vizionar dihet dhe është përsëritur shpesh. Më 5 nëntor 1912 në Rumani u bë një mbledhje e madhe e shqiptarëve, por nuk dihej nëse do të shpallej autonomia apo Pavarësia. Ismail Qemali e kishte busullën e tij dhe mendonte se për çështjen shqiptare në atë kohë nevojitej vetëm diplomacia e madhe. Nga këtej, ai shkoi në Budapest, ku u takua me ministrin Bertohld dhe pastaj iku në Vienë. Kishte gjetur mbështetjen e vërtetë, e cila ishte nga Italia dhe Austria dhe epilogu i kësaj përpjekje ishte në Trieste, kur ai shpalli në momentin e nisjen me anijen”Bryn” vendimin e madh për të shpallur Shqipërinë të pavarur.

Sipas parashikimit, nuk mundi ta bënte këtë në Durrës për shkak të ushtrisë serbe që po i afrohej qytetit. Ndaj, iku në Vlorë ku shpalli në të njëjtën ditë me Skënderbeun më 28 nëntor 1443, Pavarësinë…Kishte lindur kështu dhe shteti më “i ri” i Ballkanit, që ishte ngjizur që me kohën e Zotërve Paganë. Epilogu zyrtar ishte më 1 Dhjetor 1912, kur “Autonomia Shqiptare” u njoh edhe nga Fuqitë e Mëdha, por kuptohet jo nga Greqia dhe Serbia…

Gazeta franceze (1928) – Mesazhi historik e patriotik i Ahmet Zogut drejtuar Asamblesë së parë kushtetuese shqiptare

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Gusht 2018

 

Gazeta franceze, “Le Journal”, ka botuar, të dielën e 26 gushtit 1928, në faqen n°3, mesazhin historik e patriotik të Ahmet Zogut drejtuar asokohe Asamblesë së parë kushtetuese shqiptare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

 

Tiranë, 25 gusht. – Sot në orën 9:00 u mbajt në solemnitet i madh dhe në mes të entuziazmit të përgjithshëm hapja e Asamblesë Kushtetuese Shqiptare

 

Ministri i drejtësisë lexoi një mesazh të kreut të shtetit.

 

Në këtë mesazh, Ahmet Zogu thekson se Presidenti i Shtetit ka respektin më të madh për sovranitetin integral dhe të pacenueshëm të popullit shqiptar.

 

Mesazhi i Zogut :

 

Përfaqësues të kombit, ju do të shqyrtoni dhe do të zgjidhni të gjitha pyetjet mbi të cilat varet fati i atdheut, me plotësinë e sovranitetit tuaj, siç do ta gjykoni më të dobishme për prosperitetin e Shqipërisë. Vendimi juaj, duke pasqyruar vullnetin e popullit, do të jetë rendi i pandryshueshëm, i cili do të përcaktojë udhëzimet jetësore të shtetit, bazuar në parimin e sovranitetit dhe vullnetit të kombit. Duke ju uruar një sukses të plotë në misionin tuaj të lartë, që shënon një moment të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare, ne ju përshëndesim sërish.