VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

ÇEREK SHEKULLI ME VEPRIMTARI ATDHETARE!

By | December 31, 2018

Komentet

NË HEILBRONN U MBAJT – E PAMJA – PËR HEROIN IZET DEMAJ – Fotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ

 
 
Vëllezërit Demaj: Mentori, Osmani, Emini
 
     Familja Demaj, në bashkëpunim me Bashkësinë Gjithëshqiptare në Heilbronn të Gjermanisë, organizuan – Të Pame -, në përkujtim e nderim të Izet Demaj, Hero i Kosovës, i flijuar në krye të detyrës policore, në Istog.
 
     Është në traditën gjithëshqiptare nderimi i atyre që rrezikohen dhe flijohen në mbrojtje të rendit, të ligjit, të qytetarëve, të pronës shtetërore, shoqërore e private. Këtë e dëshmoi edhe – E Pamja -, e policit të vrarë, në krye të detyrës të heroit Izet Demaj. Fluksi i njerëzve ngushëllues, ishte numerikë dhe unik, duke filluar nga mëngjesi e deri në buzëmbremje. Salla e madhe pritëse, gjithnjë e mbushur, veçsa  bëhej ndërrimi i njerëzve, i bashkatdhetarëve tanë, të cilët e përjetuan rëndë vrasjen e policit Izet Dermaj, Hero i Kosovës.
 
     Në ballorën – Pamore -, vëllezërit Emini, Mentori dhe familjari i tyre Osman Demaj. Djathtas tyre, menaxhuesit -e Pamjes -, veprimtarët e Mërgatës Idriz Zeqiraj dhe Cenë Berisha. Në një kënd të sallës, një tavolinë, me fotografinë e Izet Demaj dhe libri i përkujtimeve.
Pamje nga salla, Hafiz Gagica me shokë
     Në dy anësorët e sallës kishin zënë vend pritësit. Këshilli i Qendrës Kulturore në Heilbronn, me kryetar Abaz Imerin, i cili, njëherësh është edhe ushtrues i detyrës të kryetarit të Degës të LDK-së, në Gjermani, Skënder Alimetaj, Bedri Kryeziu, Shkëlzen Gashi; nëpunësi komunal në Heilbronn dhe veprimtar i komunitetit shqiptar, Isuf Fetahaj; veteranët ushtarë të Jusuf Gervallës: Mehmet Kokaj, Ahmet Kolgeci, Sefer Zeqiraj; vëllai dhe djali i heroit Sali Çekaj, përkatësisht, Smajli dhe Hyseni; djali i heroit Smajl Hajdaraj, Blerimi; kryesia e Shoqatës “Atdheu” në Schabischhall: Tahir Buçolli, Halil Zemaj, Ibrahim Ukhaxhaj me shokë.  
 
     Në pjesën e pasme të sallës ishin disa dhjetra mërgimtarë, nga të gjitha trevat e Kosovës. Ndërsa në koridorin dhe pritjen e jashtme, dominonin familjarët dhe vrellarët e shumtë.
 
     Moti i përkeqësuar në Gjermani, me borë dhe diku me shi të vazhdueshëm, nuk pengoi mërgimtarët, për të bërë udhëtime të gjata, deri në 1.000 kilometra, ardhje-kthyese. Të largëtit, të nisur në agun e ditës, për t`u kthyer në muzgun e dimrit. Ende më larg, kishin ardhur nga shtetet fqinjë me Gjermaninë, për ta nderuar aktin trimëror të heroit Izet Demaj si dhe për të ndarë dhimbjen me familjen Demaj.
 
     Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj”, në Bavarinë gjermane, e prirë nga kryetari Osman Ferizi, me anëtarët e kryesisë Shemsi Haziri, Ardian Ndreka nga Zadrima e Lezhës, Afrim Mulaj, me shokë, ishin ndër të parët, të cilët ngushëlluan Familjen Demaj, për ushtarin e Kosharës, më vonë policin e Istogut, Izet Demaj. “Kur është fjala për djemë, si Izeti, largësitë shkurtohen e afrohen. Rënien në krye të detyrës të Izetit, e kemi përjetuar rëndë, si të një anëtari të familjes, sepse ishte një rënie trimërore, në përballje me krimin. Pra, ishte rënie heroike”,- tha Osman Ferizi, shoku i armëve të heroit Sali Çekaj.
Nga e majta: Haxhi Rrahman Lajçi me shokë
 
     Mërgata shqiptare udhëhiqet nga shprehja-porosi e Presidentit Rugova se “shtëpia pa miq nuk mbahet”. Andaj, kryesitë e Shoqatave apo të subjekteve politike, janë pjesë aktive në -Pamjet -, të cilat i hapin anëtarët e tyre, për familjarët e humbur. Ata qëndrojnë përgjatë tërë ditës në pritjet-ngushëlluese.
 
     Edhe këtë herë, nderuan me praninë e tyre kryetari i parë i LDK-së në Gjermani dhe Diasporë, Hafiz Gagica me shokë, si: profesor Emrush Lokaj, Emrush Çeku, poeti Mentor Thaçi, Nezir Fejzaj, gazetari dhe mjeshtri i kudondodhur i kamerës, Halil Rrustemaj, fotografi i talentuar Reshat Murati dhe të tjerë. Zotëri Gagica, mik i Familjes Demaj, në mes tjerash, tha se ” e kam njohur Izetin, në raste ngushëllimi në famijle në Vrellë. Aty i kam dëgjuar edhe vlerësimet e komandantëve elitë të Kosharës, për trimërinë e IzetIt në luftë. Dhe, titulli suprem, – Hero i Kosovës -, i akorduar nga Presidenti i vendit, për Izet Demaj, e bën atë pjesë të historisë kombëtare, madje, në përjetësi”.
 
     Shoqatat shqiptare, që veprojnë në Republikën e Baden Würtenbergut, vinin me shumësinë e anëtarëve të tyre, të prira nga kryesitë përkatëse, Xhafer Leci, Taxhedin Bakiu, Selami Morina, të Shoqatës “Kadri Zeka”, në Kirchheim Tek. “Reagimet, qasjet ndaj vdekjeve ndryshojnë. Masiviteti, shprehja e dhimbjes kolektive, për heroin Izet Demaj, flet shumë. Kjo është vet lavdia e tij”, – tha, veç tjerash, Xhafer Leci, nga oxhaku i familjes pleqnare të Gëmicës së Dardanës. Shoqata “Bardhosh Gërvalla” në Ludwigsburg, e kryesuar nga Bedrush Nezaj; klubi futbollistik “Drita”, i kryesuar nga Enver Musliukaj, Xhevdet Pajaziti, Afrim Sylejmani, Nazim Bajraktari; udhëheqësi i grupit valltar, Arsim Lokaj; Qani Rexhepi drejtor i Radio-Drita; Nazim Bajrami nga Shoqata në Sinsheim.
Nga e majta: Xhafer Leci, Taxhedin Baholli me shokë
     Mërgimtarët vinin për ngushëllime në grupe të mëdha. Nga Drenica Fahri Dervishi me shokë; grupi tjetër nga Llapi, i kryesuar nga Rexhep Muçolli, nipi i luftëtarit të njohur Mustafë Hoxha; grupi nga Mitrovica i kryesuar nga Shaqir Imeri, nga Shala e Bajgorës me Bali Imerin; nga Presheva Fadil Hasani, nga Gjakova Isuf Deliaj, invalid, nga Shtutgarti Isa Turkaj. 
 
     Nga LDK-ja e Rheinland Pfalzit Lush Cana e Ibrahim Rexhaj me shokë; tri grupet e madha nga Ludwigshafeni e Mannheimi, të prirë nga Metë Krasniqi, Fazli Ahmetaj e Elez Bicaj; grupe mërgimtarësh të prira nga veprimtarët, si ish i burgosuri politik profesor Hasan Ukhaxha, juristi Elez Berishaj, Sadri Lata, Zekë Maçi, Avdyl Ismaili, Maliq Berisha, Musli Syla, Tahir Halilaj, Ramadan Latifi, Hasan Alihajdaraj, Bekim Imeraj, Faik Fekaj, Hajdar Alihajdaraj si dhe shumë grupe tjera, të cilët u fiksuan nga kamera e Gani Kryeziut, por, që nuk arritëm t`i shënojmë emrat e tyre. Rast i rrallë, kur grupi prej një duzinë njerëzish, të gjithë të panjohur nga pritësit! Hapësirë e madhe Gjermania.
 
     Pleqnari i njohur në të gjithë hapësirën shqiptare, Haxhi Rrahman Lajçi, i ardhur nga Kosova, krenar për jetën e veprën e heroi Izet Demaj dhe solidaritetin shqiptar, dha mesazhin e paqes ngushëlluese.
 
     Rrjedhimisht, në të – Pamen -, e organizuar në Heilbronn të Gjermanisë, për policin e vrarë në krye të detyrës, Izet Demaj, Hero i Kosovës, u përfaqësua i gjithë kombi shqiptar: Dukagjin, Drenicë, Llap e Gollak, Anamoravë e Karadak, Preshevë e Iliridë, Shqipëri, Malësi e Sanxhak.
 
Nga e majta: Cenë Berisha, Abaz Imeri, Emin Demaj, Bedri Kryeziu
 
     Bashkëluftëtarët e Izetit, oficer Shpend Shala, Isuf Qetaj, Fahri Dervishi dhe të tjerë, evokuan kujtimet nga lufta në Koshare; të tjerët rrëfyen për përballjen me bandat e haraçit, së bashku me Kosovë Zeqiraj dhe djemë të tjerë. Bandat e pas luftës, nën maskën e “çlirimtarëve”, filluan zhvatjen e dhunshme të bizneseve në Kosovë dhe sidomos në Dukagjin.
 
     Idriz Zeqiraj, në emër të Familjes Demaj, falenderoi mërgimtarët në Evropë dhe Amerikë, për gadishmërinë e shprehur, për ta ndihmuar Familjen e ngushtë: nusen Arditë dhe vajzat njomëzake: Erza dhe Valza të Izet Demaj. Por, Familja e gjerë Demaj, apeloi, madje, publikisht, se mërgimtarët duhet të mjaftohen me solidarizimin në dhimbjen tonë, sepse Institucionet shtetërore kanë marrë përsipër përkujdesjen financiare për Familjen.
 
     Në përmbyllje të – Pames -, vëllai Emin Demaj, “në emër të familjes, falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata, që na ngushëlluan me praninë fizike; ata që na shprehen ngushëllime përmes mjeteve elektronike; si dhe të gjithë ata, që u bënë pjesë e dhimbjes të Familjes tonë. Në gëzime jua kthefshim!”
 
     Lavdi jetës dhe veprës të heroit Izet Demaj!

KUJTESA SI SHENJË E RESPEKTIT PËR PRIFTIN E SHQIPTARISË DOM ANTON KÇIRA – Nga Mr.sc.Nue Oroshi

Plejadës së atdhetarëve idealistë shqiptarë që si kredo jetësore e kishin përparimin dhe ecjën përpara të kombit shqiptarë nëpër periudha të vështira historike iu shtua edhe një atdhetarë shqiptarë – Dom Anton Kçira.Ai gjatë rrugëtimit të dritëjetës u përplas me jetën sepse nuk ishte e lehtë ta lutesh Zotin ku lutej e propagandohej djalli,dreqi e mefistofili.Pra, nuk ishte e lehtë të veprosh për shqiptarizëm kur korbat e zinjë dhe ushujzat i bënin varrën dhe varrin kombit tonë shqiptarë. Nëpër këto ecjakëje të vështira eci pa u ndalur asnjëherë prifti i kombit dhe i fesë, prifti i nderit dhe i burrërisë Dom Anton Kçira.

Si fryt i kësaj pune të gjatë mbi pesëdhjetë vjeçare, për ta nderuar e respektuar si dhe kujtuar veprën e tij atdhetare Shoqata”Trojet e Arbrit” më 1 Gusht 2018, në Gjakovë mbajti një Sesion të veçantë shkencorë me temën :” Dom Anton Kçira -Ambasador i Shqiptarëve në SHBA”.Si fryt i këtij Sesioni shkencorë të veçantë tash po i japim në dorë lexuesit shqiptarë librin me titull: ”Dom Anton Kçira -Ambasador i Shqiptarëve në SHBA”,me tridhjetë autorë, studiues nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare.Gëzon fakti se për Dom Antonin kemi autorë nga të gjitha viset etnike shqiptare, diaspora e madhe atdhetare si dhe autorë e studiues nga të gjitha religjionët që ka shqiptaria të cilët të gjithë së bashku bashkuan idetë ku mblodhën jetën dhe veprën e Dom Antonit dhe si fryt i këtyre studiuesëve të vyer kemi librën e radhës për këtë priftë atdhetarë.

Me punimet e tyre në këtë vepër shkencore u paraqitën këta autor: Prof.dr.Muhamet Shatri, imzot Hil Kabashi, prof.dr.Islam Lauka, patër Ndue Kajtazi, Franz-Llesh Grishaj, Dr.Dom Nikë Ukgjini, Eugjen Merlika, Dr.Ermelinda Kashah, Prof.Dr.Riza Sadiku, Hasan Hasani, Dr.Besim Morina, Mr.sc.Rezehana Hysa, Don Albert Jakaj, Fatmir Minguli, Selman Etemi, Arben Çokaj, Pjetër Nikolla, Pal Canaj, Dr.Sali Haxhiu, Tomë Mrijaj, Mr.sc. Nue Oroshi, Martin Dedaj, Klajd Kapinova, Krist Gjinaj, Mikel Gojani, Prekë Gjetaj, Mhill Velaj, Msc.Leonora Laçi, Lekë Mrijaj dhe Msc.Kristinë Oroshi.

Kjo vepër enciklopedike që po i japim në dorë lexuesit është libri i shtatëmbëdhjetë me radhë që boton Shoqata ”Trojet e Arbrit” në këto pesëmbëdhjetë vjet të veprimtarisë së saj shkencore dhe libri i parë që flitet për Dom Anton Kçirën që vjen si fryt i një Sesioni të vetëm shkencorë që është mbajtur deri më tani për jetën e veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare.

 Por për dom Antonin ky libër është libri i pestë më radhë që është shkruar deri më tani. Librin e parë për dom Antonin e botoj shkrimtari dhe studiuesi i njohur Hasan Hasani-Perkola duke botuar romanin “Ulerima“ në vitin 1989, që ja botoj shtëpia botuese“ Rilindja“ në Prishtinë ku këtë roman shkrimtari Hasan Hasani ja kushtoj Dom Anton Kçirës dhe Mulla Muhamet Lipës.

Pastaj studiuesit e vyer Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova botuan dy vepra shumë të rëndësishme e shumë të plota me tituj: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit dhe Atdheut“, botuar në vitin 2002 në Shkodër dhe “Don Anton Kçira në jubileun e 50 vjetorit të meshtarisë“ Botim i “Volaj “po ashtu në Shkodër në vitin 2017, pa harruar edhe një libër që kishte dalur në formë të intervistës me titull: “30-vjet me malësorë“, bisedë në Detroit me Dom Anton Kçirën, e realizuar nga Pjetër Jaku, botim i Shtëpisë “Kuvendi“ (Lezhë 2001), shtypur në GEER, Tiranë.

Ky libër enciklopedik që po e sheh dritën tash më është libri më i plotë që është botuar për Dom Antonin dhe që vjen si një fryt i një pune të gjatë dhe një frytshmërie të madhe të tridhjetë studiuesve, të cilët shkrinë idetë e tyre në këtë vepër shkencore.

Është për tu theksuar fakti se rrallë herë mund të ndodhë në botën shqiptare që për së gjalli një prifti atdhetarë ti botohen pesë vepra nga shumë autor.

Kjo është bërë për faktin se sa më shumë që të gjurmosh ne biografinë e Dom Antonit aq më shumë do të gjesh fakte që ky atdhetarë shqiptarë nuk ndaloj asnjëherë për të dhënë kontributin e tij si në aspektin kombëtar,fetarë ,kulturor dhe duke u shkrirë si qiriu në aspektin human. Në fund mund të them se po e ndiej vetën të gëzuar që edhe unë po kam mundësi ta vendosi një guri të çmuar në Kështjellën e madhe kombëtare me emrin Dom Anton Kçira,si shenjë respekti për këtë rrap shekullorë të kombit tonë shqiptarë.

Violinisti i shquar Florian Vlashi shpreh dhimbjen për Kozma Larën dhe plejadën e gjithë Artistëve që kanë ikur duke na lënë Artin e madh si tatuazh !

Violinisti i shquar Florian Vlashi prej dhimbjen për largimin nga kjo jetë të kompozitorit të njohur shqiptar Kozma Lara. ja si shprehet Florian Vlashi në rrejtin social:

“Më hidhëroi shumë vdekja e profesor Kozma Larës.

Brezi i ndritur i muzikës shqiptare po largohet pak nga pak në një “diminuendo” pa “rallentando”.

Mora sot partiturën e tij nga një dosje e vjetër ku ishte bashkë me veprën e Feim Ibrahimit.

Të dyja titullohen “Scherzo”.

Po qeshin me ne më duket? Pse jo? Kanë të drejtë. Ata, bashkë me shumë emra të ndritur, e kryen detyrën e tyre, e krijuan korpusin sonor shqiptar në kohën më të veshtirë për artin.

Po ne?

Në këtë të ashtuquarturën liri plot “panem et circenses” (bukë e cirk) shpesh harrojmë se ka një dallim të madh nga “të luash veprën e tyre” apo “të luash me veprën e tyre”.

Ky korpus është për ne orientimi më i mirë për të mos humbur në kaosin e përditshëm që ngjason me një pikturë abstrakte.

Partitura e Kozma Larës është me shënimet e tij dhe të profesor Ibrahim Madhit nga koha kur unë përgatitja premierën e saj në koncertet e majit. Janë shënime me laps të kuq dhe lapsat e kuq nuk kanë gomë. Ato shenja nuk prishen. Nuk ndërrohen. Nuk shuhen. Janë tatuazhet tona.”

Fotografia e Florian Vlashi

Forcat e Armatosura Gjermane shënojnë ceremoninë tradicionale të Vitit të Ri, pianistja e shquar nga Kosova Lule Elezi interpretoi para 700 vetave

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona. Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

E veshur me një fustan të zi, me një elegancë të hollë  prej një pianiste të shquar, kosovarja Lule Elezi ka performuar në piano me rastin e ceremonisë tradicionale të Vitit të Ri të Forcave të Armatosura Gjermane, komandantët e Forcave Territoriale (komanda në Brandenburg) dhe Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura Gjermane në Postdam , e cila ishte e ftuar për të shënuar këtë koncert madhështor, shkruan KultPlus.

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona në sallën Nikolaisaal të Potsdam . Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

Me tingujt e veprave të Frederik Shopen, Lule Elezi ka magjepsë audiencën gjermane me programin e saj nga krijimtaria e Shopenit, e cila në këtë koncert është përcjellë edhe nga 25 atashe ushtarak të dërguar nga shtetet respektive, nga ambasadorë të shumtë të akredituar në Gjermani, si dhe ambasadorja kosovare Mimoza Ahmetaj, që aktualisht është shefe e misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg.

“Ishte një koncert madhështor, të përcillet interpretimi im nga njerëzit më me ndikim në këtë pjesë të Gjermanisë, dhe nga një masë kaq e madhe, me të vërtetë është emocion që nuk harrohet. Intepretimi im u prit jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi për KultPlus, e cila ka treguar se pikërisht nga ky koncert kanë pasuar edhe disa oferta të tjera për bashkëpunime të radhës.

Performanca e shkëlqyeshme e pianistes Elezi u ndoq me kënaqësi nga audienca, që disa herë me ovacione dhe duartrokitje të gjata, dëshmoi profesionalizmin e këtij koncerti.

Pianistja Elezi do të ketë koncertin e radhës më 1 shkurt, në qytetin Ebersëalde, në veri të Berlinit./KultPlus.com

Lule Elezi me Lieutenant General Erich Pfeffer

Rugova ishte burrë i urtë, i mençur, diplomat i shkëlqyer dhe strateg i pavarësisë së Kosovës – Nga XHAVIT ÇITAKU

Ängelholm, 19 janar 2019

Kështu u tha në Akademinë e sotme përkujtimore në Angelholm të Suedisë e titulluar “Malli për Rugovën” kushtuar figurës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Në këtë event u mbajt edhe “ Dita e plisit” si dhe u përurua numri i nëntë ”Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare”, dy leksikon, si dhe disa libra të rinjë të krijuesve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi
Në Angelholm të Suedisë, në organizim të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës-Dega në Suedi dhe Shoqatën Kulturore “Nënë Tereza” në Ängelholm u mbajt një Akademi përkujtimore “ Malli për Rugovën” si dhe manifestimi “ Dita e plisit”. Këto dy aktivitete u mbajtën në nderim të figurës së presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës si dhe të plisit këtij simboli të moçëm të identitetit tonë kombëtar. Ky event kulturor
Nën drejtimin e Saranda Isenit, Osman Ahmetgjekaj dhe fjalës përshëdnetëse të kryetarit të SHKSH “Nëna Terezë” në Ängelholm, për Presidentin Rugova folën Qibrije Hoxha, Hysen Ibrahimi dhe Ramë Manaj.

-Po bëhen 13 vjet nga shkuarja në amshim e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës, po bëhen 13 vite që jo vetëm njerëzit e afërm të tij, veprimtarët e LDK-së , por të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin shumë respekt , admirim e dashuri për këtë burrë të mash të shqiptarisë, për arkitektin e pavarësisë së Kosovës, për krijuesin e shtetit të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova ishte një personalitet i papërsëritshëm i historisë më të re shqiptare, për të cilin shprehim falënderim me përkulje dhe respekt për veprimtarinë e tij sublime për realizimin e vizionit profecia , për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e popullit të Kosovës. Kështu tha në fillim të fjalës së saj Çibrije Hoxha, kryetare e degës së LDK-së në Suedi.

Ajo më tej shtoj se falë këtij burri të madh, të urtë e të mençur me sukses po tejkalohen baticat e zbaticat rreth nesh e në mes nesh dhe për këtë arsyeja është e thjesht: “ Ne shkojmë e vijmë, kurse ideali mbetët, ne shkojmë e vijmë, ndërsa ideali mbetët, ne shkojmë e vijmë, Kosova e shqiptaria mbetën. Qentë lehin, por karvani vazhdon, ishte një thënie e juaj”. Ne jemi mësuar që me urtësi t’i tejkalojmë sfidat ngado që na vijnë dhe kështu do të vazhdojmë dhe në të ardhmen, sepse këtë ua kemi borxh brezave që vijnë në mënyrë që të mësojnë të vërtetën për të kaluarën e tyre. Prandaj ashtu siç kemi punuar deri me tash, për të cilën gjë na keni lavdëruar gjithnjë, ne veprimtarët e LDK-së, nuk do të ndalemi së punuari edhe tash e në të ardhmen në afirmimin e vlerave demokratike të kombit tonë, tha ndër të tjera kjo veprimtare e devotshme për komb e atdhe.
Ndërkaq, Hysen Ibrahimi dhe Qibrije Hoxha folën për përshtypjet e tyre pas takimeve që kishin pasur me këtë njëri të madh të kombit tonë. Ata thanë se Rugova ishte një njëri i urtë, i thjeshtë, i afërt, këshillues….

Plisi është një simbol identifikues i historisë sonë

Në këtë manifestim mori pjesë edhe Ramë Manaj, një veprimtar i devotshëm i LDK-së, bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Ibrahim Rugova dhe aktualisht Kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit të Arkivave të Kosovës. Ai në fillim theksoi se e ndien veten shumë mirë që është pjesëmarrës i këtij eventi të shkëlqyeshëm ku po promovohen, përurohen dhe valorizohen vlera të çmueshme materiale e shpirtërore të kulturës sonë kombëtare shqiptare, aktivitete këto që po zhvillohen suksesshëm dhe në kontinuitet, që duhet tua kenë lakmi edhe organizma e shoqëri kudo në diasporë, por edhe në Kosovë. Ai foli edhe rreth historikut të plisit duke u bazuar në disa të dhëna të studiuesve të ndryshëm, për të përfunduar me këto fjalë: Edhe ne shqiptarët, pasardhësit e pellazgo- ilirëve, në mesin e simboleve tjera, kemi ruajtur, do të thoja me dashuri e xhelozi,, njëkohësisht qeleshen e bardhë mbi kokë, simbolin më karakteristik e më identifikues dhe atë pashkëputshëm gjatë periudhave të ndryshme të historisë sonë, të historisë së një etnie të lashtë, me shekuj e mileniume.
Rreth plisit foli edhe Hysen Ibrahumi, kryetar i SHSHKSH “ Papa KLementi i XI Albani”, i cili u angazhua për të qitur në dritë disa të dhëna që kanë shërbyer edhe si simbol verifikues, ku janë bërë kërkime për vendbanime të caktuara. Aty ku kanë parë gjurmë të plisit, qoftë në forma apo foto eventuale është aluduar për vendbanim shqiptar. Ai përmendi edhe fotografin e figurës së madhe të Papa Klementit të XI Albani, emrin e të cilit e mban Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar të Suedisë, e vendosur në ikonografi, tregon se ai kësulën e ka bartur në form të plisit. Ai me tej tha se populli shqiptar, kudo që është, duhet ta ruaj me kujdesin më të madh çdo simbol të vetin, përmes të cilit do të njihet e dallohet nga të tjerët. Një histori të tillë e kishte mësuar edhe ish presidenti amerikan Bill Klinton, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova e preferonte plisin e bardhë dhe e mbante në kokë shpeshherë, përfundoi ai.
Me disa të dhëna karakteristike dhe të argumentuara historikisht nga studiues të ndryshëm për plisin e bardhë foli edhe prof. Fetah Bahtiri . Së pari ai tregoi rreth prejardhjes së emrit të këtij simboli me domethënie të shumta në traditat dhe ritet tona. Plisi është edhe një kult i shenjtë i bardhësisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë simbolizon pastërtinë, mençurinë, bujarin, urtinë, burrërinë, trimërinë dhe virtyte tjera fisnike të popullit shqiptar, tha ndër të tjera ky folës.

Krijimtari e pasur e anëtarëve të shoqatës së shkrimtarëve shqiptar

Në këtë event u përuruan edhe disa libra të krijuesve shqiptarë të tubuar rreth SHSHKSH “Papa Klementi i XI Albani” si dhe dy leksikon të rëndësishëm për mërgatën shqiptare që jeton e punon në këtë vend të largët. Duke folur për leksikonin e Sadullah Zendeli- Dajës. Hysen Ibrahimi ndër të tjera theksoi: Edhe pse në moshën 84 vjeçare Sadullah Zendeli – Daja së fundmi doli me fjalorin e tij të shtatë suedisht- shqip , i cili i kushtohet nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Këtë punë aq të madhe autori e bëri nga dëshira për të shërbyer popullit suedez dhe mërgatës shqiptare dhe të tjerëve që dëshirojnë t’a mësojnë gjuhën suedeze dhe anasjelltas. Ky leksikon i ka 10 mijë fjalë. Me këtë vepër si vazhdimësi e shumë fjalorëve të mëhershëm e shumë voluminoz, mund të konstatohet se Sadullah Zendeli – Daja ka hyr në plejadën e leksikografëve më të shquar të popullit shqiptar. Ai me kohë e kuptoi se sa shumë ka rëndësi një fjalor, ndaj me tërë qenien e tij iu qas kësaj pune dhe në këtë mënyrë mundësoj që dy popuj të komunikojnë mes tyre në të dy gjuhët: Shqip- suedisht dhe anasjelltas, tha ndër të tjera ky referues i kësaj vepre të madhe.
Një vlerë të çmuar kishte edhe përurimi i leksikonit të prof. Fetah Bahtirit suedisht shqip, i cili ka të bëj me shprehje, fraza dhe këshilla në shërbimet mjekësore.
Në këtë tubim u përuruan edhe librat e autorëve: Elhame Gjyrevcit “ Princesa Meri,” Idriz Gashit “Po të pres”, Saranda Isenit dhe Hysen Ibrahimit “Dhoma 334”, Hyre Tejecit “Monument dashurisë së përflakur për atdheun”, Xhavit Çitakut “Pëshpëritje e jetës në mërgim” dhe Remzi Bashës dy vepra me poezi.
Pjesëmarrësit e këtij tubimi shprehen kënaqësinë për punën e madhe që po bëhet botimin e “ Thesarit kombëtar të mërgatës shqiptare” në Suedi. Pikërisht sot u përurua vepra e nëntë, e cila me shifra e fakte tregon për një aktivitet të begatë që kanë zhvilluar për çështje kombëtare në tërë hapësirën ku jetojnë e punojnë shqiptarët në këtë vend skandinav. Fjalë miradije për këtë veprimtari të madhe tha edhe referuesi Sadullah Zendeli- Daja, aktualisht kryetar i unionit të shoqatave shqiptare, duke nënvizuar se të gjithë anëtarët e posaçërisht kryetari i SHSHKSH “Papa Klementi i XI Albani” po bëjnë një punë të çmuar në argumentimin e gjithë atij aktiviteti të madh që është zhvilluar për çështje kombëtare nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë në Suedi.
Në fund u mbajt edhe një orë letrare. Poezitë e lexuara kryesisht iu kushtuan Dr. Ibrahim Rugovës, plisit si dhe mikut të madh të shqiptarëve Ulmar Qvick. Juria shpërbleu këta poet: Poezia më e mirë që e zuri vendin e parë ishte e z. Idriz Gashi.

Skënder Përpepaj, shembull i suksesit, njerëzillëkut dhe shqiptarizmës – Nga Prof. dr. LUSH SUSAJ

Skender Perpepaj në Londer, Mbretërinë e Bashkuar

Shqipëria është zhvilluar falë shqiptarizmës së familjeve tradicionale nga ku janë lindur, rritur dhe edukuar bijë dhe bija të mbushura me dashuri dhe respekt për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Djemtë dhe vajzat e këtyre familjeve orëmëdha, pavarësisht ku kanë emigruar dhe punuar, asnjëherë nuk e kanë ulur vëmendjen e tyre ndaj fateve të njerëzve dhe vendit të tyre. Një nga shembujt tipik të kësaj përkujdesjeje lidhet me emrin dhe sjelljen e fisme të Skender Perpepajt me punë dhe banim në Angli.
Rëndësia e angazhimit të intelektualëve dhe investitorëve të Diasporës në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të Shqipërisë sa vjen e rritet. Në këto 106 vite të Shtetit të Pavarur Kombëtar, kemi mbijetuar si shtet, si komb dhe si kulturë jo për ndonjë meritë të politikës, politikanëve dhe as të administratës, por për shkak të asaj që thoshte Lamartini: “ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë…Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”. Kur flitet për njerëzit dhe kombet, ajo që nuk mund të anashkalohet është origjina që duhet të trajtohet dhe të përcillet me vërtetësi.
Skender Perpepaj është djali i Pjetër Kukelit të Kukel Ndout, i rritur dhe edukuar nga një familje tradicionale të vllaznisë së Currajve të fisit të Nikajve.
Në takimet dhe bisedat tradicionale që zhvillohen në Nikaj-Mërtur, në krahinat e tjera të Malësisë së Gjakovës dhe më gjërë, sa herë që flitet për shembullin, njerëzillekun dhe ndihmën e Skenderit ndajë njerëzve në nevojë, nuk mungojnë as ato shprehjet e njohura identifikuese, vlerësuese e fisnikëruese, si: “është nipi i Kukelit” apo “është mashkull i trollit të Kukelit”. Janë fjalë dhe shprehje që bartin dhe përcjellin historinë e kësaj familje në breza e shekuj.
Sa herë që flasim për Skenderin, përtej asaj që është personale dhe lehtësisht e dukshme, mendoj se duhet hulumtuar e parë më thellë për të të identifikikuar dhe paraqitur sa më të plotë truallin historik, gjentik e kulturor të plazmës autoktone nga ku janë lindur e rritur personazhe dhe shembuj të shkëlqyer të qëndresës, vitalitetit, zhvillimit dhe intelektit njerëzor. Historia e vjetër e Gadishullit Ilirik tregon se popullsia e Nikaj-Mërturit dhe e Malësisë së Gjakovës, e ka origjinën nga Dalmacia Ilire. Studjuesi i mirënjohur Jakov Milaj, në librin e tij me titull “Raca Shqiptare”, argumenton se: “Atje kemi përfaqësonjësit më të përsosur të racës sonë. Në ballë të kombit tradita numëron 12 fise: Berisha, Gashi, Hoti, Kelmendi, Kastrati, Gruda, Shkreli, Krasniqja, Bytyçi, Thaçi, Kabashi dhe Morina. Që nga fundi i mesjetës, në Malësinë e Gjakovës, evidentohen fiset e Gashit, Krasniqes, Bytyçit, Nikajt (janë vëlla me Krasniqen) dhe Mërturit (janë fis Berishë), si dhe degë të fiseve Berishë, Kelmend dhe Hot”.
Më konkretisht, për origjinën e Nikajve, Valentini (f. 369), ka shkruar: “Nikajt është bajrak i po të njëjtit fis e, sipas traditës, me Dakët e Pukës, me Krasniqen…. Në fakt, një bari i Krasniqes me emrin Nika, kryetar i fisit të Nikajve, i ardhur në vendbanimin aktual rreth vitit 1200, duhet të ketë qenë biri ose, gjithsesi, një pasardhës i Gegë Lazrit, kryetar i fisit të Hotit dhe babai ose vëllai i kryetarit të fisit të Gashit”. Ndërsa për origjinën e Hotit (f. 306), Valentini shkruan: “Hoti, fis, bajrak, njëri prej bajraqeve më antike dhe më të rëndësishme të Malësisë së Madhe. Prijësi i fisit të Hotit modern quhej Gegë Lazri, bir i Lazër Keçit i ardhur nga Bosnja, bijtë e të cilit, përveç Hotit, duhet të jenë zanafillorët e Piperit, pjesërisht të Triepshit, të Krasës në Krasniqe dhe të Nikës në Nikaj”. Tek origjina dhe trashgimia gjenetike Iliro-Pellazgjike e Dalmatëve duhet kërkuar edhe bukuria dhe pamja madhështore e tyre.
Popullsia Iliro-Dalmate e Veriut të Shqipërisë karakterizohet nga njerëzit gjigandë, nga burra të gjatë, të zgjuar, të guximshëm e të bukur si Kukel Ndou dhe pasardhësit e tijë (Kukelanat).
Duke folur për këtë lloj trashëgimie, Eduard Shnaider (2009), tek libri me titull “Pellazgët dhe Pasardhësit e Tyre”, ka shkruar: “Ndër gjigandët që kishin lindur nga bashkimi i tokës me qiellin, më i shquari ishte Gigas, me një trup kolos, i fortë, krenar, i egër, i dhunshëm dhe një nga fëmijët më t’egër të tokës. Shqiptarët e Veriut sikur e kemi parë, ruajnë akoma emrin Gegë, të Giga-sit të Homerit që banonin pas maleve Akrocerauni, në Veri të Epirit, duke ruajtur emrin e gjigantit. Gegët duket se kanë shenjën e shtatmadhësisë e të skeletit viganor, që i bën të dallohen ndër bashkëatdhetarët e tjerë, që në përgjithësi janë më të vegjël me trup, por të shpejtë e të shkathët si kaproj”.
Shprehjet dhe fjalët e mësipërme duket sikur janë shkruar nga një gjenetist apo antropolog që ka përshkruar Kukel Ndoun apo Kukelanat e tjerë të Currajve.
Pavarësisht nga rezultatet e shkëlqyera në mësime dhe nga dëshira e madhe e Skenderit për të studjuar në gjimnazin e qytetit të Bajram Currit apo në shkollën e mesme ekonomike “Nako Spiru” në Tiranë, nuk e lejuan për shkak të “njollave” në biografi. Në këto kushte, me një vendosmëri dhe sakrificë të pashoqe, Skenderi është rregjistruar dhe në vitin 1987 ka përfunduar shkollën e mesme në Lekbibaj. Të gjithë bashkëmoshatarët e tij e njohin dhe e mbajnë mend sakrificën e tij të madhe për faktin se shtëpia e tij ishte 4-5 orë larg nga shkolla. Në këto rrethana, për të zënë orën e parë të mësimit i duhej që të nisej që në orën 4 të mëngjesit. Ka qënë një lodhje tepër e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar qoftë edhe për një muaj e jo më për 4 vite me radhë.
Pavarësisht nga kërkesa dhe dëshira e madhe e Skenderit për të vijuar studimet e larta në Tiranë, në Gusht të vitit 1987, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Tropojës, përseri nuk nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet në shkollën e lartë. Me një guxim, argument dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme, Skenderi e kundërshtoj vendimin e padrejtë të komitetit komunist të kohës, duke siguruar një shpresë më të madhe për vitin 1988.

Skender Perpepaj në Curraj Epër, vendlindjen e tij

Kjo mërzitje dhe kundërshti ka patur dy burime.
Së pari, për shkak se familja e Kukel Ndout (Gjyshit të Skenderit), ka patur (dhe ka) miqësi të sinqertë e të fortë me familjet dhe trojet më të mira të Malësisë dhe më gjërë. Për fatin e keq të Malësisë dhe të Shqipërisë, pothuajse të gjitha këto familje fisnike, pas vitit 1946 janë burgosur, pushkatuar, sekuestruar dhe shpallur armiq e kundërshtarë të komunizmit.
Së dyti, elita politike dhe administrative e kohës, pavarësisht nga kompetencat dhe hierarkia institucionale, ishin shumë të vegjël, të panjohur e të paditur përballë Kukelit dhe historive të gjalla e të pavdekshme të tij. Dihet se si drejtuesit komunistë të kohës as nuk pranonin hije dhe as nuk i donin njerëzit e ditur e të respektuar nga populli. Për më keq, fëmijët dhe pasardhësit e tyre pengoheshin me çdo mjet në rrugën e tyre drejt shkollës dhe administratës. Goditja selektive dhe për një kohë të gjatë e traditës dhe talenteve të rritura në familjet nacionaliste ka patur një ndikim të madh edhe në zhvillimet kaotike e regresive të ekonomisë dhe superstrukturës shtetërore të këtyre 28 viteve pa meritokraci dhe pa qarkullim të mirëfilltë të elitave shoqërore, shtetërore dhe politike.

Edhe në prezencën e drejtuesve të partisë dhe pushtetit të kohës, njerëzit flisnin hapur dhe me respekt të thellë për Kukel Ndoun. Banorët e Currajve dhe më gjërë e përshkruanin si një burrë shtatlartë, si një strateg të mbrojtjes popullore, si një pleqnarë të zgjuar e fjalëpak.
Edhe sot, pas më shumë se 103 viteve, flitet për mënyrën se si në vitin 1915 Kukel Ndou organizoi luftën kundër forcave të ushtrisë pushtuese. Me një zgjuarësi të rrallë, pavarësisht nga shkalla e lartë e zemërimit të bashkëluftëtarëve të tij, Kukeli ia doli të bindë njerëzit për të mos i vrarë robërit e luftës që i çarmatosi dhe përcolli deri në kufirin e Malit të Zi.
Kukel Ndou u provue edhe në vitin 1923 kur doli hapur në krah të Luigj Gurakuqit, Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës
Me datën 9 Janar 1923, me iniciativën e Bajram Currit, në Krasniqe është mbajtur një mbledhje me përfaqësuesit e krahinave të Malsisë së Gjakovës dhe të Hasit të Gurit. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Kukel Ndou për ta mbështetur vëllaun e tij, Bajram Currin. Për këtë mbledhje, prefektura e Shkodres, në telegramin e datës 15 Janar 1923, shkruante: “Me 9 të këtij muaji fisi i Krasniqes ka bam nji mbledhje në Kolgecaj te xhamia ku kan marr pjes edhe Nikaj-Merturi”.
Currajt janë njerëz të lirë, janë njerëz që nuk e durojnë dhunën, plaçkitjen, mashtrimin, ligësinë as fyerjen. Kjo është arsyeja që më 13 Janar 1923, Kukel Ndou u vu përsëri në krye të 130 banorëve të Currajve dhe të Nikajve dhe sulmoi postën e xhandarrmërisë që ndodhej në vendin e quajtur “Kodra e Ndue Mulës” në fshatin Curraj Poshtëm. Në lidhje me këtë ngjarje, dëshmon telegrami i datës 23 Janar 1923, ku shkruhet: “ Njiqind  e tridhet vetë të armatosun prej Nikajve dhe Curraj t’Epër, gjashtëdhjet gra me sopata në dorë, kishin qartun postkomandën e Currajve Poshtërm ku kan luftue katër orë…”.
Pavarësisht nga rreziqet dhe vështirësitë e njohura të kohës, Shtëpia e Kukel Ndout ka qënë buka, besa dhe streha e sigurtë e Bajram dhe Hysni Currit me origjinë nga Currajt, e që Kukeli i quante vëllezër. Këtë fakt e tregojnë edhe telegramet e Prefekturës së Pukës (datë 7 Qershor 1923), drejtuar zyres sekrete të MPB, Tiranë, ku thuhet se: “ Hasan Prishtina e Hysni Curri qi ndodheshin në shpi të Sule Hoxhës prej Bunjej tash tri ditë kan ardhun në Curraj të Nikajt”. Ndërsa më vonë, në telegramin e Prefekturës së Krumës, datë 14 Korrik 1923, për MPB Tiranë, thuhet se: ” Bajram Curri gjindet  në Curraj t’Epër..”.
Në vitin 1967 kur filloj sulmi i hapur për shëmbjen e kishave, përseri ka triumfuar zgjuarsia e Kukel Ndout mbi arrogancën, ligësinë dhe injorancën e partisë. Në një ditë të bukur, pasi ishin shëmbur e plaçkitur të gjitha kishat në Nikaj-Mërtur, Dukagjin dhe në të gjithë Shqipërinë, partia kujtohet edhe për kishën e vogël të Currajve të Epërm. Ka shumë njerëz, përfshirë edhe vëllain e madh të Skenderit që e kujtojnë mënyrën se si atë ditë, Kukeli arriti që ta mbrojë kishën e Currajve nga shkatërrimi komunist. Në mesin e mbledhjes, në momentin që i derguari i partisë e ka përfunduar fjalën e mbushur me sharje e denigrime ndaj objekteve të kultit, festave fetare dhe klerikëve katolikë e myslimanë, ka pyetur nëse ka kush ndonjë fjalë. Në këtë moment e ka marë fjalën Kukel Ndou duke iu lutur drejtuesve të partisë për të mos e shkatërruar kishën me argumentin: “nuk dum të mbajmë prift e as të qojmë meshë, por të gjithë këta burra që janë këtu e dinë mirë se këtu jemi mbledhë me luftue kundër pushtuesve, në këtë godinë kemi rrethuar e çarmatosur ushtrinë pushtuese, në këtë godinë kemi pajtuar hasmëritë. E duam ta ruajmë si kujtim e për asgjë tjetër, meqë godina është e re, ta bëjmë muze, shkollë dhe vatër kulture”. Me këtë argument, kishës së Currajve nuk i është shkatërruar asnjë dritare dhe asnjë stol.
I kujtova faktet, ngjarjet dhe personazhet e mësipërme për të sjellë ndërmend atë fjalën e urtë sipas të cilës, “dardha bie nën dardhë” e për kuptuar edhe më mirë potencialet e mëdha njerëzore e shoqërore që bartin fiset, trojet dhe familjet autoktone shqiptare.
Pas vitit 1990, Skenderi ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degën Ekonomik. Pavarësisht nga kaosi i krijuar në vitet 1990-1995, me një zgjuarsi, pragmatizëm dhe korrektesë të admirueshme, gjeti pronarët legjitimë të tokës, ua bleu me lekë në dorë tokën ku ka ndertuar banesën e tij pa shkaktuar asnjë hatërmbetje, asnjë problem social.

Skenderi karakterizohet nga deshira për të bërë hapa përpara në drejtim të fisnikërimit dhe lartësimit të mëtejshëm të emrit të mirë të familjes dhe traditës së paraardhësve të tij. Duke qënë nipi i dy burrave shumë të njohur në Nikaj-Mërtur, i Kukel Ndout të Nikajve (nga baba) dhe i Rrustem Alisë së Mulajve të Mërturit (nga nëna), si dhe duke patur miqësi të ngushtë me familjet e mëdha të Luginës së Drinit, zbatoi rregullat e traditës dhe u drejtue për miqësi në familjen fisnike të Mylyshit të bajraktarëve të Mirditës, ku Skenderi ka marrë gruan. Vjehrrri i Skenderit jeton në Tiranë. Ai kujton me dhimbje vujtjet dhe mënyrën se si diktatura komuniste i ka pushkatuar babën dhe mixhallarët. Më pas, atë dhe të gjithë familjen Mylyshi e kishin internuar në kampin famëkeq të Tepelenës.
Pavarësisht nga ato që Skenderi dhe miqësia e tij kanë kaluar gjatë diktaturës, asnjëherë nuk ka besuar në koperturat që shiteshin për pluralizëm. Skenderi e kishte kuptuar me kohë demagogjinë katoviciane nga ku u sigurue vazhdimësia e zymtë e klaneve dhe elitave të vjetra politike që vetëm fatkeqësi i kanë sjellë kombit shqiptar.
Koha e qëndrimit në Shqipërinë e pas vitit 1990 ka qënë e shkurtër, sepse Skenderit iu desh që të emigronte në Angli për shkak të sëmundjes së djalit, e cila agravoi në mënyrë të pakthyeshme edhe nga paaftësia e mjekëve dhe situata kaotike e spitaleve të asaj kohe.
Shkaku fillestar i emigrimit ka qënë gjendja shëndetësore e djalit, ndërsa jeta në Angli e bëri që të shohë e të kuptojë se sa të ngushta e me sa shumë pengesa ishin rrugët e Shqipërisë për endërrat e tij që sot janë realizuar në një shtet demokratik që bazohet në meritokracinë dhe në qarkullimin e lirë të kapitaleve dhe vlerave njerëzore.
Pavarësisht nga jeta dhe puna e tij në Angli, Skender Perpepa mbeti pranë vëllezërve, prindërve, shokëve, kushërinjve dhe shqetësimeve të mëdha të vendlindjes. Zoti i ka shpërblyer dhe do t’i shpërblejë me mirësi dhe suksese të njëpasnjëshme të gjitha sakrificat, bamirësitë dhe punët e mira të Skenderit.
Kompania e krijuar dhe drejtuar nga Skenderi ka qënë streha e parë e punës dhe shkolla e parë profesionale për mjeshtrat e drurit, hidraulikët, muratorët, etj. Në atë strehë shkuan njerëz që nuk dinin të ngulnin as edhe një gozhdë e që sot janë bërë mjeshtra dhe sipërmarrës të ndertimit dhe rikonstruksioneve. Në kompaninë e Skenderit ka puntorë e specialistë nga e gjithë Shqipëria dhe nga vendet e tjera të botës. Në këtë mënyrë, për shumë nga shqiptarët që shkuan në Londër, kjo kompani do të mbahet mend si vatra e parë e kontaktit, bashkëpunimit, njohjes dhe socializimit të mirfilltë të shqiptarëve me njerëz të kombeve, të rracave dhe të modeleve të ndryshme të jetës shoqërore e politike.
Filozofia na mëson se pavarësisht nga dukja, asgjë nuk është e rastësishme, asgjë nuk lind e nuk zhvillohet në boshllëk. Kështu ndodhi edhe me rrugën e makinës për në Curraj Epër. U deshën rreth 106 vite nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e deri më 14 Tetor 2018, kur mbi 250 makina të gjitha llojeve të arrinin e të parkoheshin në Logun e Kishës së Currajve. Hapja e kësaj rruge ka qënë endërra e brezave që u ba realitet falë kontributit financiar të familjeve dhe diasporës së Currajve. Bashkimi i njerëzve në këtë sipërmarrje të pashoqe është fati dhe prova më e madhe e intelektualëve dhe familjeve të Currajve.
Arritja e një konsensusi të tillë ka patur një nukël të fortë – garancinë dhe mbështetjen pa kushte e kufi nga ana e Skender Perpepajt. Njëlloj si në vitin 1915 kur Currajt u bashkuan rreth Kukelit në luftën kundër ushtrive pushtuese, 103 vite më vonë Currajt u bashkuan përseri nën garancinë dhe fjalën e dhënë të Skender Pjetres së Pjetër Kukelit. Para 103 vitesh për çlirimin e vendit nga pushtuesit, ndërsa sot për ndertimin e rrugës së makinës me kontributet e tyre. Platoni (427-347, p. e. r) ka shkruar se: “Që shpirti të arrijë që të njohë duhet të jetë i pastër. Për të njohur dhe realizuar të mirën e vërtetë duhet të kesh shpirt dhe moral”.
Skender Perpepa është njeriu me shpirt të bardhë e të pastër, me moral dhe karakter të lartë, ai njihet si njeri i nderit dhe i fjalës së dhënë, njihet si intelektual i traditës dhe i modernizmit shoqëror e filozofik, është modest dhe fjalëpak. Pavarësisht se në rrugën e re, familja e tij ka financuar më shumë nga çdo familje apo personazh tjetër, pavarësisht se ai ka siguruar edhe financime të tjera të mëdha nga ana e kushërinjve (familjarëve të Kol dhe Prel Ademit) që kanë lindur e janë rritur në SHBA, etj, ai flet shumë pak, madje nuk ka dëshirë që të flasë e as të shkruaj për këtë aspekt duke rrezatuar një modesti e fisnikëri të jashtëzakonshme. Kjo lloj sjelljeje me kujton sjelljen e gjyshit të tij, Kukelit, për të cilin tregojnë se edhe pse ai ishte fjala më e peshuar në kuvende, edhe pse ai kishte armët më të mira të kohës, edhe pse ai ishte besa dhe ndera më e pastër, Kukeli kurrë nuk bezdisi dhe nuk dëmtoi njeri në sofër, as në punë, as në kuvend dhe as në luftëra.

Skender Perpepaj është bërë mburoja dhe shpresa e madhe e shumë prej emigrantëve dhe shqiptarëve në nevojë.
Skender Perpepaj njihet për bamirësi dhe si financuesi pa zë e pa fjalë të mëdha i botimeve shkencore dhe letrare në Angli dhe Shqipëri.
Skender Perpepaj është iniciatori i ndertimeve dhe veprave social-kulturore e historike në shërbim të njerëzve të krahinës dhe gjithë Malësisë së Gjakovës.
Midis shokëve dhe intelektualëve Skender Perpepaj shkëlqen si më i besuari i të besuarëve që lidhen Currajt e Epër me rrugë makine.
Skender Perpepaj është shembulli që duhet njohur e ndjekur si modeli më i mirë i suksesit, atdhedashurisë, komunikimit, punësimit dhe sipërmarrjes.

Presidenti i Kosovës nuk e ka ftuar Ambasadorin Walker në Ceremoninë Përkujtimore të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut? – Nga KLARA BUDA

William Walker ose si një emër hyn në historinë e një kombi

Deklarata e Masakrës së Recakut i vlejti atij, dëbimin nga Jugosllavia brenda 48 orëve. Walker pagoi një çmim personal gjatë kohës që ishte në postin e Ambassadorit, por fitoi atë të humanistit që do të hynte në histori se i dha viktimave të drejtën dhe që të mos zhdukeshin në heshtje. William Walkeri do të ngulitej në kujtesën e opinionit publik, për nga kurajua, profesionalizmi, shpejtësia e veprimit dhe përgjegjësia e tij, si vëzhgues i paanshëm. Deklarata e tij gjatë identifikimit të provave dhe publikimin të fakteve të Masakrëss ë Recakut do të ngelen të shënuara në histori. Si­gurisht në atë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në veçanti por mbi të gjitha në historinë e humanitetit.

 

Ftesa që  Ambasadorin William Walker ka marrë nga Bashkia e Shtimës

NOTE Paris 15 janar 2019

Presidenti i Kosovës nuk e ka ftuar Ambasadorin William Walker në Ceremoninë Përkujtimore të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut?

Ambasadorin William Walker ka marrë ftesë vetëm nga Bashkia e Shtimës ndërkohë që ceremoninë e organizonte Institucioni i Presidentit.

Pse Ambasadori William Walker nuk është ftuar në këtë përvjetor të 20 vjetorit ?Ju a shtroj këtë pyetje për reflektim.

15 janar 1999 – 15 janar 2019

Nga publicistika: Masakra e Reçakut – vrasja me gjak të ftohte të 42 burrave dhe djemve të fshatit Reçak, më 15 janar 1999.

 Efekti i botimit të masakrës Reçakut shtypin francez

 Deklarata e Masakrës së Reçakut i kushtoi William Walkerit dëbimin nga Jugosllavia brenda 48 orëve. Ai pagoi një çmim personal gjatë kohës që ishte në postin e Ambasadorit, por fitoi atë të humanistit që do të hynte në histori se i dha viktimave të drejtën dhe që të mos zhdu­keshin në heshtje.

Tanimë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, një ngjarje e kishte tronditur botën e qytetëruar: Masakra e Reçakut. Identifikimi dhe përcaktimi i saj me fjalën adeguate masakër, do të shënonte pikën e vlimit  të kthesës së madhe, në informimin e opinionit publik perëndimor, në lidhje me natyrën e vërtetë të asaj që po ndodhte në Kosovë.

Kjo ngjarje dhe publikimi i fakteve që e pasoi i dha fund manipulimit të deriatëhershëm që paraqiste viktimat civile shqiptare si të vrarë në ndeshjet me UÇK-në dhe i tregoi botës aksionin e vërtetë të grupeve parami­li­tare serbe.

Roli i Ambasadorit William Walker, mbërritja e tij në kohë rekord në vend, konstatimi dhe prononcimi pa precedent për mediat ka qenë vendimtar në identifikimin dhe informimin e pastrimit etnik në Kosovë. Ky denoncim e modifikoi qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt konfliktit që kishte nisur në Kosovë. Kurajua, profesionalizmi, shpejtësia e veprimit dhe përgjegjësia e vëzhguesit të paanshëm William Walker, për publikimin e Masakrës së Reçakut do të ngelen të shë­nuara në historinë e humanitetit në përgjithësi dhe atë të shqiptarëve në veçanti.

Dëshmohej për vrasjen me gjak të ftohte të 42[1] personave mes të cilëve gra dhe fëmijë të fshatit Reçak, më 15 janar 1999.

Deri në këtë moment krimet ekzistonin dhe të gjithë shërbimet e inteligjencës, faktorët ndërkombëtarë i njih­­nin ato, por mungonin faktet. Paramilitarët serbë nuk “druheshin” në aktet e tyre, pasi ato e dinin se forcat speciale do të fshinin gjurmët e do të “pastronin” gjithça, pas tyre. Ambasadori William Walker punoi me vizion, ai njohu terrenin, metodat e paramilitarëve serbë dhe arriti të shkojë në vend para se të mbërrinin forcat speciale serbe për të zhdukur gjurmët, siç ishte bërë zakon sa herë që ishte kryer një masakër.

Hipokrizia e perëndimorëve që kishin heshtur në luftë­rat e mëparshme në ish-Jugosllavi, pushoi me këtë Am­basador që sfidoi praktikat e mëparshme.  Walker i dha viktimave të drejtën dhe dinjitetin që të mos zhdukeshin në heshtje, duke humbur postin e tij si ambasador, por duke fituar një vend mes humanistëve të këtij shekulli. Gjykata e Hagës dhe eksperienca e saj e vështirë dhe shpesh e pasuksesshme për vërtetimin e krimeve të luf­tës, gjatë proceseve të gjatë e të mundimshëm, tregoi se sa efikas dhe i pazëvendësueshëm kishte qenë aksioni i Ambasadorit Walker.

Në momentet e kësaj ngjarjeje kam qenë personalisht shumë e afërt me Komitetin Kosova, pranë revistës “Esprit” në Paris dhe dëshmoj se pothuaj të gjithë intelektualët e aktivistët që vinin në mbledhjet e këtij komiteti e njihnin të vërtetën mbi terrorin serb kundrejt popullsisë civile në Kosovë. Kjo ishte bërë e mundur edhe në saje të një numri udhëtimesh në Kosovë të këtyre intelektualëve por edhe i një numri politikanësh francezë të cilët kishin kryer misione vëzhgimi në terren. Gjithashtu, informimi ishte bërë i mundur në saje të perso­naliteteve kosovare dhe të vetë Presidentit të ndjerë I. Rrugova, i cili kishte ardhur personalisht dhe kishte dë­shmuar disa herë para Komitetit Kosova.

Kështu që për këtë kategori, njerëzish të mirinformuar Masakra e Reçakut nuk solli ndonjë informacion të ri, pasi këta intelektualë e njihnin ekzsitencën e krimeve të pushtetit serb në Kosovë dhe strategjinë e tyre të pas­trimit etnik të territorit të Kosovës, por ajo solli pro­vën e padiskutueshme për institucionet vendimma­rrëse dhe opinionin publik francez dhe europian, pasi deri në atë çast krimet ishin të maskuara mirë, ishin të kryera “pastër” që do të thotë profesionalisht!

Por edhe për ne që e dinim mirë se çfarë ndodhte rëndom në Kosovë, zbulimi i aq shumë njerëzve të vrarë e të shfytyruar, disa edhe me koka të prera, ishte një nga pamjet më makabre që ofronte ky fundshekulli në zemër të Europës dhe ishte e pamunduar të mos bëje automatikisht asocimin me pamjet makabre të krimit nazist kundrejt hebrenjve.

Ishte pikërisht revista e përjavshme franceze VSD “Vendredi-Samedi-Dimanche”, që botoi një dosje të plotë mbi Reçakun. Në artikullin e saj flitej për 42 shqiptarë të vrarë me gjakftohtësi. Sipas artikullit të revistës VSD, në mes të kufomave ndodheshin 12 fëmijë dhe 14 gra. E paimagjinueshmja kishte ndodhur në zemër të Euro­pës dhe falë William Walker-it askush nuk mund të thoshte se nuk e dija! Botimi në perëndim dhe veçanërisht në shtypin francez i fakteve të masakrës së Reçakut do të ki­shte një efekt vendimtar, në zgjedhjen e çështjes së Kosovës.

William Walker u ngulit në kujtesën e opinionit publik, për nga kurajua, profesionalizmi, shpejtësia e veprimit dhe përgjegjësia e tij, si vëzhgues i paanshëm. Deklarata e tij gjatë identifikimit të provave dhe publikimin të fakteve të masakrës do të ngelen të shënuara në histori. Si­gurisht në atë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në veçanti por mbi të gjitha në historinë e Europës e më gjerë të humanitetit.

 

Botuar fillimisht nga Klarabudapost, më 15 Janar, 2016 & Kosova Mon Amour, Shtëpia Botuese Pema, Prishtinë 2017, faqe 27

Nga e djathta në të majtë William Walker, Klara Buda në selinë e Vatrës, New York, 2016

Kosova me bardhësinë e borës dhe me ngricat e politikës – Nga Nue Oroshi

Acari i dimrit ka mbuluar me borë Kosovën. Krahas këtij acari që e ka kohën kemi edhe acarin politikë.Si do i përballon Kosova këtyre dy acarëve mbetët të shihet në të ardhmen. Burazonet e heshtjës e kanë kapluar mendimin e lirë të qytetarit.Kuloarët vlojnë nga mendimet sesi do të jetë e nesërmja. Qytetarët ballafaqohen me kalimin e veshtirësive jetësore në dimrin me ngricë dhe me borë.Poetët meditojnë se çka kanë në plan për të shkruar, shkrimtarët shkruajnë e shëmbin vargjet e tyre, piktorët janë të mbyllur mbrenda galerive duke bërë ekspertizat e tyre për portrete të  dukshme dhe të padukshme.

Në një skaj ideologët janë duke menduar për ide te reja se si do të duket skena politike e Kosovës pas dy vitesh.Secili me mendimet dhe idetë e veta mendojnë që ta dërgojnë përpara çështjet që i takojnë.Si duket vetëm lisat e gjatë dhe fushat pjellore e kanë humbur gjelbërimin sepse bardhësia e borës i ka bërë bashkë afër njëri-tjetrit hallegjinjët e shumtë. Skaj një fletore të mbushur me shpresë nxënësit e mendojnë të ardhmën e tyre kurse shumica e fëmijëve kërkojnë një perspektivë. Të rinjët dhe të rejat nuk janë fajtorë pse nuk e gjejnë perspektivën e tyre.

Ata kërkojnë që jeta t´iu mundësoj edhe atyre që të hapin një familje të re,të gjejnë dikund një vend të ri të punës.Ndryshimet politike që do të vijnë mbrenda dy vitesh në Kosovë, do të tregojnë gjithçka. Më së vështiri e kemi ne ideologët e Shqipërisë Etnike, që nuk duhet të na shkojë koha pa e realizuar qëllimin dhe vizionin e bashkimit kombëtarë në një shtet të përbashkët.Ngricat politike që e kanë kapluar Kosovën kanë lënë partitë politike pa vizion dhe pa shtegdalje.Ato sillen në një rreth viciozë pa pasurë një plan të përbashkët apo të përveçshëm se si duhet të dilet nga kriza politike.Liderët në ikje të shumicës së këtyre partive janë lodhur me vetvetën në mungesë të ideve dhe konceptëve politike se si duhet të ecët përpara.

Të vetmën brengë si duket e kanë se çka duhet folur ditën e nesërme,cilën parti apo lider politikë duhet kritikuar duke përdorur atë formulën e vjetër se mbrojtja më e mirë është sulmi. A kanë bërë ndonjë bilancë të aktiviteteve kryeministrat e qeverive tona në Kosovë për këto 20 vjet  të qeverisjës së tyre politike pavarsisht se cila parti ka qenë në krye të qeverisë se sa vende te punës kanë hapur nëpër sektore të ndryshme.

Sa investitor të huaj kanë sjellë në  Kosovë. Sa kanë qenë në gjendje të afrojnë kushte për investime për Diasporën e madhe shqiptare dhe shumë projekte tjera. Kosova me bardhësinë e borës dhe me ngricat politike do të dalë në Pranverë.Por vizioni për të ecur përpara duhet ta mundoj çdo shqiptarë të ndershëm dhe atdhetarë.Meqense politika është një art i veshtirë këtë art mundët ta kryejnë vetëm përsonalitetet që mund ta bëjnë ndryshimin dhe t´i sigurojnë Kosovës një perpektivë të mbarë.Koha e tyre po vjen.

Si sot 29 vjet ma pare ne nji te djele janari shkodranet vrane FRIGEN STALINISTO-HOXHIANE! Nga Gjergj Jozef Kola

Si sot ne nji te djele janari te 29 vjeteve ma pare Rinia shkodrane doli ne rruget e qytetit e vrau FRIGEN.

Ishte ajo friga ndaj monstres stalinisto-hoxhiane qe u terhoq zvarre neper rrugen e projektueme nga gjeniu i artit shkodran: Kole Indromeno.

Per te gjithe pjesmarresit ishte kjo nji dite e permasave mitologjike, ishte dita kur titanet shqiptare u zgjidhen dhe shperthyen portat e ferrit te dikatures komuniste.

Si cdo ndertese e re edhe ky akt i nalte demokracijet pati Martirin e vet. Rini Monajka humbi jeten shtate vjet ma vone ne Villach te Austrise si pasoje e torturave shpirtnore dhe fizike. Askush nuk u denue per kete, askush nuk doli para gjyqit per dhunen e perdorur ndaj demostruesve paqesore te Shkodres se Janarit 1990.

Shume vjet ma vone u shkrue drama “Kometa e Lirise” dhe ajo pati nji fillim mjaft entuziast, sikur te ishte nji “Rückspiegelung” i demokracise shqiptare. Perpjekjet e dy miqve te Monajkes dhe te demokracise shqiptare Gjergj Leqejza dhe Bruno Shllaku me e vu ne skene ishin mjaft pozitive, porse si vete natyra e demokracise shqiptare, ata u dorezuen qe ne pengesat e para…
Gjate ketyne 27 vjeteve demokraci ne teatrin e qytetit Te Shkodres nuk ka mbete autor apo regjizor ballkanas pa hype ne skene herojt e martiret e vet, vetem per herojt e martiret shkodrane ende nuk asht hape rruga.

Keshtu Herojt dhe Martiret mbi te cilet i jane afrue veprat dramatike Teatrit te Shkodres, si Gjergj Kastrioti – Skanderbeg, Nane Tereza, Rini Monajka, Martin Camaj, Arshi Pipa, Prenke Jakova, Frano Illia etj jane denigrue publikisht nga drejtuesit ose jane kalue ne kalendat greke. Keto drama, simbas kritikes serioze shqiptare ( Vasil Marku, Qendrim Rijani, Bruno Shllaku, Ndoc Selimi, Jozef Radi) dhe te huej (Hans Joachim Langsch, Hans Huber, Erika Camaj, Zuzane Finger), ndryshe nga ata qe vihen sot ne skenat shqiptare, kane nji stil dhe gjuhe krejt moderne dhe jane krijue jashte te gjitha skemave te realsocializmit.

Tallavaja qe ka mbulue institucionet shqiptare te politikes, te shtetit dhe te kultures nuk asht nji ure e qendrueshme per ne Europe, shume shume ajo asht nji kanal qe te hjedh ne llomin e historise.

Asgja nuk e pregatite nji kombe shpirtnisht ma mire se DRAMAT e tija ne rrugen e gjate te bashkjeteses me kombet e qytetnuem.

Keshtu perkujtojme sot martirin e pare te demokracise shqiptare, Rini Monajken ne heshtje me nji qiri ne katedralen e qyteti te Shkodres dhe te Villachut, me shprese se ne janarin e ardhshem per 30 vjetorin e rrezimit te Stalinit Ai ka me hype ne skenen e Teatrit te qyteti, te cilit i fali jeten….

E nese kjo nuk arrihet atehere stalinucet e vegjel qe kane marre peng institucionet e shtetit dhe te artit shqiptar kane fitue betejen e pare ate te perdhosjes se demokracise, sepse luften per demokraci nuk kane me e fitue kurre…

Gjergj Jozef Kola
Wien, Janar 2019.

Kometa e Lirisë – Rini Monajka  Nga Gjergj Jozef Kola

Kush asht Rini Monajka?
Rini Monajka kishte prejardhje austriake, ishte një djalë shkodran i edukuem, me kulture, që i donte gjuhët e hueja. Ishte futbollist i talentuem, i pashëm, inteligjent, kurajoz, idealist i lindun. Rini ishte një ndër organizatorët kryesorë të demonstratës së 14 janarit 1990 në Shkodër, që kishte synim rrëzimin e bustit të Stalinit. Rini u arrestue, u torturue dhe mori një plagë të madhe në krye nga torturat ç’njerëzore. U denue me 7 vjet heqje lirie dhe u burgos në burgun e Burrelit, por u lirua më 1991, pasi ishte transformuar shumë fizikisht e mendërisht nga torturat e qëndrimi në burg. Vdiq në Austri në pranveren e vitit 1997, në moshën 44 vjeç. — Jozef Radi

Bildergebnis für Rini Monajka

Rini Monajka

Prolog

Nji vepër letrare mbijeton vetëm nëse ka në bërthamën e saj nji prej këtyne dy energjive: Nji dashuni të madhe ose nji poezi të madhe. Këto të dyja në të vërtetë plotësojnë njena tjetrën: nji poezi e madhe asht gjithmonë nji dashuni e madhe dhe anasjelltes çdo dashuni e madhe asht nji poezi e madhe: sado jetshkurta kjoshin.

Në sofrën teme nuk keni me gjetë kurrë ufuth të lirë, që shkon si uji e ju len shije të keqe, porse gjithmonë nji aperitiv të fortë, të stazhionuem mirë, që ka me ju lanë për nji kohë të gjatë nji shije të kandshme. /Autori.

Kopertina:

Me 14 Janar 1990, rinia shkodrane, intelektualë, punëtorë, idealistë, familje me fëmijë në krah, dolën në sheshin e madh midis qytetit, për me vra frigën. Për herë të parë mbas 45 vjetësh diktaturë gjakatare, qytetnimi autentik shqiptar, hypi në altarin e lirisë për jete apo vdekje. Kjo ishte nji ngjarje e barazvlefshme me flinë e Rozafës në kala dhe për qindresën e themeleve pati edhe ajo martirin e saj, në personin e Rini Monajkës. Kësaj figure martire i kushtohet edhe kjo dramë qe mbart shumë motive personale dhe asht shkrue me gjakun e zemrës. — Autori

Klara Buda: Gjuha e shantazhit e Batonit alias shkopit sipas paradigmës “Do na mbulojne plerat e tokes do ngrihen këmbet t’i bien kokes!”

Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur Klara Buda me aktivitet në Francë komenton në rrjetin social rreth fenomenit Baton Haxhiu:

“Baton si personifikim i Kosoves, e metutjeshëm -:)Sërbisë?!

Gjuha e tij e shantazhit me stil demaskues te perkatesise se tij!

“Do na mbulojne plerat e tokes do ngrihen këmbet t’i bien kokes!”

Nuk kam ilustrim më të të bukur se këto vargje të Musarait* per letrën drejtuar Presidentit Meta prej Shkopit, alias Baton**, të KM shqiptar, (ose e anasjellta) dhe faljes që i kërkon ky i fundit Kosovës (qe do te thote se per te Batoni personifikon Kosoven, por po te thellohemi edhe me Serbinë, e deduktohet se kësaj i kërkohet falje) për mos dekretimin e kandidatit për kry-diplomat që punën e parë të karierës së vet e ka pasur zv/Ministër.

Po na mbulojne plerat e tokes janë ngritur këmbet i bien kokes!

*Edhe pse poetet e soc-realizmit nuk jane me te adhuruarit e mi
**baton ne frengjsht do te thote shkop!”

PRESIDENTI META: JEMI NË MBËSHTETJEN TUAJ, ME VLERËSIME E MIRËNJOHJE NDAJ JUSH

 Letër falenderuese drejtuar Presidentit Ilir META nga veprimtari atdhetar politik e kulturor, Hilmi GASHI, veteran i UÇK-së në Gjermani –

 

 

I nderuari President i Shqipërisë, Sh. Juaj, Z. Ilir Meta,

 

Unë jam një mërgimtar i lindur në rajonin e Drenicës martire të Kosovës dardane. Quhem Hilmi Gashi. Prej nga viti 1991 jetoj dhe veproj në shtetin mik të popullit shqiptar, në Gjermani.

Gjatë gjithë jetës e veprimtarisë time, si në Kosovë, ashtu dhe në Diasporë, kam dhënë maksimumin nga vetja për tokën tonë dardane të Kosovës, për t’iu ruajtur e mbrojtur integriteti territorial i Kosovës, për t’ia arritë qëllimin e madh të përbashkët të shtetndertimit të Kosovës.

Si shumë mërgimtarë të tjerë në Europë e më gjerë u angazhova në vazhdmiësi e gjithnjë në organizimin e demonstratave të mbajtura nëpër shumë qendra të shteteve europiane, për të ngritur zërin e protestës kundër dhunës dhe terrorit që serbo-sllavët zhvillonin mbi popullatën e pafajshme shqiptare të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, nën Serbi.

Isha në ballë të shumë komisioneve për grumbullimin e mjeteve financiare për ndihmë familjeve në nevojë, për arsimin shqip e shëndetësinë në Kosovë, për t’i ndihmuar organet tona shtetërore të zgjedhura nga populli që ato të zhvillonin aktivitete atdhetare politike e kulturore në Kosovën e okupuar nga serbo-sllavët.

Isha në mesin e atyre që bënë Betimin dhe u zotuan që të rreshtohen për të luftuar dhe për të çliruar Kosovën nga pushtuesi serbo-sllavë. Isha i rreshtuar nën komanden e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të udhëhequr nga i madhi Ukshin Hoti. Më pas, isha në kuadër të Ministrisë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, nën emblemën e shenjtë të UÇK-së. E gjithë kjo veprimtari e imja, me angazhime e përkushtime, ishte e mbetet vetëm dhe vetëm për të mbrojtë popullin shqiptar dhe tokën e shtrenjtë dardane të Kosovës.

 

I nderuari President i Shqipërisë, Sh. Juaj, Z. Ilir Meta,

Akti juaj shtetëror, burrëror, atdhedashës për mos dekretimin e z. Genti Cakaj tregon qartë e saktë se jeni më se i vendosur e këmbëngulës në mbrojtjen e kufirit e të territorit të tokës dardane të Kosovës tonë të përbashkët. Ndaj, ju jemi mirënjohës, z. President!

 

Kontributi i Mërgatës Shqiptare në Gjermani e Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo tjetër, investimet  tona të paguara me dijen e djersën dhe deri me gjakun e derdhur prej nesh nuk janë bërë e nuk po bëhen në Kosovë për ta shkatërruar këtë shtet të ri në ndërtim me shtetësi të plotë diplomatike, politike, ekonomike, financiare e kulturore , për ta copëtuar e shkatërruar shtetin më të ri në Europë e botë, duke ia prekë e tjetërsuar kufinjtë e sotëm kushtetues, duke e hedhur në tavolinë për pazare të pista personale nga disa fytyrave politike.

Ndaj, Presidenti ynë i Shqipërisë, Sh.Juaj, Z. Ilir Meta, jemi e mbetemi me Ju, në mbështetjen Tuaj, për aktet e veprimet tuaja kombëtare panshqiptare.

 

Me konsideratë të lartë falenderimi e mirënjohje ndaj Jush

 

Hilmi GASHI,

Gjermani, Veprimtar politik e Shoqëror. Veteran i Luftës së Kosovës

 

 

Gjermani, më 11 janar 2019

ME QENDRËN INFORMATIVE TË KOSOVËS NË KRYE ME ENVER MALOKUN, BOTA ARRITI TË KUPTONTE TË VËRTETËN E KOSOVËS – Nga HYSEN IBRAHIMI

Sot, bëhen 20 vjet të vrasjës së Enver Malokut, publicistit, gazetarit dhe shkrimtarit tonë të çmuar. Vrasja e Enver Malokut ka lënë vrragë të thella, jo vetëm për familjen, por për gjithë kombin shqiptar.

Ne mërgimtarët në Suedi, e kujtojmë me shumë dhembje humbjen e Enver Malokut, sepse e kemi pasur bashkëpunëtor të ngushtë për të gjitha zhvillimet që ndodhnin në Kosovë, në fillim të viteve 90-të, atëherë kur nisën ndryshimet e mëdha. Në periudhën kur u mbyllën mediat shqip në Kosovë, përmes Qendrës Informative të Kosovës, në krye të së cilës ishte Enver Maloku, bota arriti të kuptonte të vërtetën për Kosovën. Në atë terr informativ, Enveri arriti të depërtonte dhe të informonte me shpejtësi për të gjitha ngjarjet në Kosovë. Ai na dërgonte Informatorin në Suedi, të cilin ne e dërgonim në të gjitha adresat e institucioneve suedeze.

Në këtë mënyrë është informuar rregullisht opinioni suedez për situatën e përditshme në Kosovë. Disa argumente të atij bashkëpunimi janë botuar edhe në librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Për këtë shkrim, po shkëpus një kujtim të Reshat Hoxhës, i cili ishte krytar i komisionit për informim në Degën e LDK-së në Suedi, të cilit Enver Maloku i kishte thënë: “Reshat, ne po e përcjellim punën tuaj dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur, sepse po e bëni një punë të madhe duke e informuar opinionin suedez. Po na vijnë informata kërcënuese prej Beogradit se është një qendër informative në Stokholm”. (Botuar në librin ”Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, nr. 9, f. 339)

 

Enver Maloku ishte vrarë më 11 janar 1999, kur në Kosovë gjendja ishte shumë e tensionuar. Në rënie të muzgut dhe të territ, në pragun e shtëpisë së tij, dora e zezë ia mori jetën Enverit, duke e lënë në terr edhe më të thellë Kosovën. Ai terr ende vazhdon dhe do të vazhdojë, derisa mos të ndriçohet vrasja e tij.

 

Ne, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, kërkojmë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, që të zbardhë vrasjen e Enver Malokut dhe të gjitha vrasjet tjera politike në Kosovë. Pa gjykimin e fajtorëve nuk mund të ecë asnjë vend përpara. Bëjeni këtë për Kosovën e Enver Malokut, për të cilën ai punoi dhe dha jetën!

 

E nderuara familje Maloku, pranoni sot nderimin më të lartë të shqiptarëve mërgimtarë në Suedi, për Enverin e bashkëpunëtorët e tij, për punën e madhe që e kanë bërë.

I pastë dritë shpirt i tij,

Zoti e bekoftë familjen e Enver Malokut,

Zoti e bekoftë Kosovën.

 

Me respektin më të lartë,

 

Hysen IBRAHIMI, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi

 

11 janar 2019, Suedi