VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Çerek milionë nga elektorati rugovist i LDK-së votuan Vjosa Osmanin dhe bojkotuan LDK-në e Isa Mustafës – Nga Elida Buçpapaj

By | February 22, 2021
blank

Komentet

blank

Në përvjetorin e 36 të shuarjes – HOMAZH PËR BACË DERVISH SHAQA – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Bacë Dervishin e njoha në nëntorin e vitit 1969, në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Bëhej përgaditja për mbremjen festive të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Artistët ishin të vendosur në konviktët tona studentore. Në mes tyre edhe rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri.
     Një vit më vonë u cikërruam, me fjalë, me bacën Dervish, për reportuarin laraman të këngëve të tij, të dhëna nga Radio-Tirana dhe, më shumë, nga Radio-Kukësi. Më vonë mësova se ishte politikë redaktuese e partisë. Në vitet `70-a po bëhej pajtimi dhe afrimi i Tiranës me Beogradin.
     “Me vëllezërit jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëtat beteja”,- tha Enver Hoxha, në vizitën e bërë në Tropojë. Prandaj, këngët historike, u zëvendësuan me këngë lirike dhe erotike të bacës Dervish dhe Demush. Beogradi kushtëzoi edhe burgosjen e djemëve të përndjekur nga UDB-a jugosllave, të ikur në Shqipëri. Dhe, PPSH-ja porosinë e zbatoi vullnetshëm.
     Në vitin 1970, një bisedë në Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm drejtori i Kundërzbulimit të Shqipërisë, Drejtori i Emigracionit dhe shefi i Kriminalistikës. Prania e këtij të fundit, më ngjalli dyshime.
     Në mes tjerash, u thashë se në Shqipëri jetojnë 300 mijë kosovarë. Janë disa Shoqata Foklorike. Dhe, rapsodët Devish Shaqa e Demush Neziri, po i shtojnë radhët e këngëtarëve dhe të valltarëve rinorë. Do të ishte mirë që Dervish Shaqa të vazhdojë studimet e specializuara muzikore, në Institutin e Arteve, sepse, do t`i perfeksionojë dhe lartësojë këngët dhe muzikën, në kushte dhe rrethana tjera në Shqipëri.
     Pasi e panë njëri-tjetrin, foli drejtori i Emigracionit: “Është i moshuar për studime!”
-Muzika nuk ka moshë- u gjegja unë.
Tre vjet më vonë humba lirinë, u arrestova. Në gjyq u lexua një akuzë shkrimore e Ministrisë të Brendshme:
-“I pandehuri Idriz Zeqiraj ka kërkuar të pranohet student, në pleqëri, rapsodi Dervish Shaqa. Kjo tregon se ai është i pakënaqur me trajtimin e kosovarëve në Shqipëri. I pakënaqur edhe me politikën e shokut Enver”.
 Gjykata e pranoi si dëshmi dhe masë rënduese!
     Burgu i gjatë na ndau. Baca Dervish ishte shuar kësaj jete, kur unë vuajta burgun. Edhe pse në kushte të rënda, specifike, i përgjuar nga Sigurimi kriminal monist, doja të bëja diçka për Dervish Shaqen. Sepse ai bëri shumë për Kosovën, Shqipërinë, Shqiptarinë, kur frymëzoi brezat shqiptarë, duke e vënë lavdinë historike në telat e sharkisë. Doja ta shquaja, nga të tjerët, edhe në varreza, ta përjetësoja në bronz. Por, kjo ishte e kushtueshme, madje, skajmërisht e rrezikshme, që mund të më kushtonte me jetë.
     Një tufë fotografish, i sigurova nga Familja e bacës Dervish. Skulptori më i zëshëm në Shqiptari, akademik Muntaz Dhrami, pranoi skalitjen e portretit të rapsodit Shaqa. Kishte vetëm një shkritore të “Realizimit të Veprave të Artit”, edhe ajo shtetërore.
     Kërkesa ime u refuzua prerazi: “Dervishi është artist i merituar, por, jo “Artist i Popullit” dhe nuk pranohet derdhja në bronz e skulpturës së tij”.
     Unë nuk doja të largohesha nga Shqipëria, pa e realizuar portretin-skulpturë të bacës Dervish. Dhe, gjeta një nuse-inxhiniere, origjinë kosovare, lindake tiranase, fort e guximsshme, e cila do të ndërlidhej me dy miq të saj, në fshehtësinë më të madhe, punonjës profesional të uzinës-shkritore dhe brenda një nate, realizuan veprën në fjalë, kundrejt një çmimi, shumëfish më të lartë, se sa një shërbim legal, ligjor i këtij lloji.
     Derdhja ilegale në bronz të skulpturës të bacës Dervish, ishte shumë e rrezikshme. Në rast zbulimi, ligji akuzonte për shpërdorim dhe sabotim të pasurisë socialiste. Dhe, prashikonte dënim nga 20 vjet burg, deri në pushkatim, për të gjithë të implikuarit, porositësit dhe zbatuesit, në këtë vepër penale, të cilësuar si armiqësore.
     (Për montimin e skulpturës, ke varri i Dervish Shaqës; kërkesën e mikut të tij, bacë Demush Nezirit, që të varrosën pranë njëri-tjetrit, në varrezat e fshatit Shenavlash dhe jo në Rashbullë, ku jetonte baca Dervish, do të flasim një herë tjeter.
     Rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, kanë qenë dy burra të ndershëm e krenarë të Kosovës, me drejtëpeshimin e duhur. Dinjitozë dhe të ndergjegjshëm se çfarë përfaqësonin ata në Shqipëri. Të përgjegjshëm për peshën e tyre, ishin të kujdesshëm, madje, në çdo hap të hedhur, në kushtet e diktaturës më të egër në Evropë.
     Reportazhi-dokumentar, me skenar e tekst të shkrimtarit, emigrant në Shqipëri, Adem Istrefaj, i cili u shua dy muaj më parë, në Tiranë, është realizuar suksesshëm. Përkundër disa emisioneve, të cilat kanë zënë shumë hapësirë në media vizive, pamore, me pretendime të mëdha, për ta shpalosur jetën e dy rapsodëve të zëshëm, kanë dështuar. Bilëz, edhe shtrembëruar, me porosi, të vërtetën pëmbajtësore. Realisht, vazhdojnë ta cënojnë peronalitetin e rapsodëve brilantë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, pas amëshimit të tyre!)
blank

Varri i hapur i Ballkanit është kolonializmi gjenocidal i Serbisë, JO ideja e Janshës! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Prandaj, duhet ta rikujtojmë mikun tonë, kryeministrin slloven Janez Jansha, se me atë “Non-paper” të tij nuk penalizohet kolonializmi gjenocidal i Serbisë në Ballkan. Së pari, si mbiprioritet i BE-së dhe i bashkësisë ndërkombëtare, duhet të jetë DEKOLONIZIMI I SERBISË në kuadrin e ndonjë Konference Ndërkombëtare për ridefinimin e kufijve të Ballkanit.

Me një fjalë, nuk mund të ketë kurrfarë procesi të bashkimit në Ballkan, pa dekolonizimin e Serbisë ! –Mbase kolonializmi gjenocidal shekullor i Serbisë (1878-2021), është rreziku permanent i paqes, i stabilitetit dhe i sigurisë së Ballkanit, Jo ideja sugjeruese dhe parashikuese “Non-paper” e kryeministrit slloven, Janez Jansha. Këtë duhet kuptuar vetëm si një lloj testi politik për BE-në, përkatësisht për bashkësinë ndërkombëtare.

Ideja sugjeruese e Janshës nuk vret askë, por apelon për zgjidhjen e problemeve gjeopolitike në Ballkan

Kryeministri slloven Janez Jansha në “Non-paper” nuk ka parashikuar krijimin e “Shqipërisë së Madhe” (sepse kjo as historikisht, as ideologjikisht e as kombëtarisht) nuk ka ekzistuar në asnjë projekt apo axhendë të gjeopolitikës shqiptare, e as të formimit Serbisë së Madhe, sepse kjo ekziston dhe jeton, edhe sot, që nga viti 1878. Pra, është gabim i madh, kur thuhet dhe shkruhet, se gjoja serbët po duan të formojnë Serbinë e Madhe! –Ky është diletantizëm sui generis historik dhe politik, ngaqë SERBIA E MADHE EKZISTON, që nga Kongresi i Berlinit (1878), ku në territorin e saj, edhe sot kanë ngelur tri koloni shqiptare, siç janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Mirëpo, këto e kanë tejet vështirë të shkolonizohen dhe t’i bashkohen Kosovës derisa bashkësia ndërkombëtare ligjërisht sipas Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare nuk e zhvesh Serbinë e Madhe nga çdo formë e sistemit kolonialist të saj. Në këtë vështrim, duhet të përmednim, edhe tri(3) luftërat e fundit gjenocidale të Serbisë (1990-1999) në Kroaci, në BeH dhe në Kosovë, të cilat gjoja “janë bërë për krijimin e Serbisë së Madhe”, siç shkruajnë dhe pohojnë gabimisht shumë njerëz të politikës e masmediave të ndryshme.), POR janë bërë për shkak të ZGJERIMIT TË KUFIJVE TË SERBISË SË MADHE. Kjo është e vërteta, sepse Serbia e Madhe ekziston dhe është e gjallë dhe, shumë e rrezikshme për territoret dhe popujt e saj fqinjë, sidomos për shqiptarët dhe për Shqipërinë etnike (1878-2021).

Në këtë kontekst, askush nuk mund të parashikojë e as të vendosë, që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, para se kjo të bashkohet me Preshevën, me Bujanocin dhe me Medvegjën. Madje, Kosova nuk mund të aderojë as në BE, para se të bashkohet me Preshevën, me Bujanocin dhe me Medvegjën. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, sepse pa bashkimin me Kosovën dhe me pjesët e tjera të Shqipërisë etnike, do të jetë i largët integrimi i saj në BE. Fundja, ekziston frika dhe skepticizmi se, dy shtete shqiptare do të mund të integrohen në BE? Për më tepër, kur dihet se, Kosova ende nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare, duke qenë se nuk njihet nga Organizata e Kombeve të Bashuara (2008-2021).

Janez Janasha, do të duhej të kërkonte një Konferencë Ndërkombëtare për Ballkanin
Do të ishte tejet racionale dhe e pranueshme që Dokumenti fakultativ “Non-paper” i kryeministrit slloven Janez Jansha, të përmbante vetëm një KËRKESË, jo vetëm për BE-në, por edhe për OKB-në, për Amerikën, e kjo është-ORGANIZIMI URGJENT I NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE për NDËSHKIMIN E KOLONIALIZMIT SHEKULLOR SERB në Ballkan (1878-2021).
Pa rindërkombëtarizimin e kësaj “teme”, ideja sugjeruese e kryeministrit Janez Jansha, që parashikon “bashkimin e “Republika srpska” me Serbinë; bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe bashkimin e “Herceg Bosnjës” me Kroacinë, është e paarritshme, sepse , së PARI, në “rend dite” të NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE, do të duhej të vihej vetëm KOLONIALIZMI GJENOCIDAL i Serbisë në Ballkan (1878—2021).
-Sepse, derisa nuk penalizohet kolonializmi serb, Ballkani do të jetojë në ethe lufte (mos sot, nesër mund të shpërthejë ndonjë luftë, e shkaktuar nga Serbia, pavarësisht nga militarizimi i Ballkanit ).
Këtë duhet ta mbajnë parasysh të të gjithë liderët politikë dhe, të gjitha shtetet e Ballkanit, sepse derisa nuk flitet, nuk debatohet në asnjë nivel politik dhe diplomatik qoftë në kuadrin e BE-së, qoftë në OKB, qoftë në OSBE, qoftë nga popujt e kolonizuar të Ballkanit, në veçanti shqiptarët, të cilët qe 30 vjet (1990-2021), ndër të parët, do të duhej të kërkonin nga Evropa Perëndimore, nga Amerika dhe nga OKB-ja, që të organizonin NJË KONFERENCË NDËRKOMBËTARE PËR NDËSHKIMIN E KOLONIALIZMIT GJENOCIDAL TË SERBISË SË MADHE.
Ky është problemi që e kërcënon dhe e rrezikon Ballkanin dhe Evropën, si dhe sigurinë e stabilitetin në dimensione ndërkombëtare të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, JO kursesi “Non-paper” e kryeministrit slloven Janez Jansha, që ipso facto është vetëm një ide-sugjerim për qetësimin e Ballkanit. Asgjë më shumë.
Prandaj, nuk ekziston ndonjë arsye reale, që dikush të “preket aq shumë” nga një ide e tillë sugjeruese e paqësore e Janez Janshës, se ka ardhur koha që të debatohen dhe të ridefinohen kufijtë artificialë ndërmjet Serbisë, Kroacisë, BeH dhe Kosovës.
Këtë ide-sugjerim të “non-paper” të kryeministrit slloven Janez Jansha, sidomos politika dhe diplomacia shqiptare, duhet kuptuar seriozisht, sepse pa mbajtjen e NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR PENALIZIMIN E KOLONIALIZMIT TË SERBISË SË MADHE, nuk do të kenë gjasë të bashkohen as “dreqi me dreqin” se lëre më popujt e copëtuar dhe të kolonizuar në Ballkan nga ana e Serbisë, e Malit të Zi, e Greqisë dhe e Maqedonisë Veriore.
Pa dekolonizimin e Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është vetëm një fantazmë e trishtë !
Në këtë pikëvështrim, në asnjë kuptim, nuk ndihmon “Non-paper” e kryeministrit slloven Janez Jansha (gjoja se duhet bashkuar Kosova me Shqipërinë; “Republika srpska” me Serbinë etj.), ngase në asnjë rresht nuk flet për KOLONIALIZMIN SHEKULLOR TË SERBISË.
Mirëpo, këtë ide-sugjerim të kryeministrit slloven Janez Jansha e kanë pritur në “thikë” në veçanti ultranacionalistët serbomëdhenj kinse “nuk po u pëlqeka” ideja e bashkimit të “Republika srpska” me Serbinë, e cila është shkëputur dhe e krijuar me gjenocid,1992-1995. Ndërkaq, “harrojnë” kolonialistët dhe imperialistët fashistë serbë se vet e kanë krijuar “Republika srpska” me gjakun e qindra e mijëra viktimave myslimane boshnjake (ndër të tjera, këtë e dëshmon edhe Gjenocidi serb në Serbrenicë, ku forcat militare e paramilitare çetniko-serbe të Ratko Mladiqit, të Radovan Karaxhiqit, të Bilana Plavshiqit, të Vojislav Sheshelit, të Arkanit.. etj. kanë masakruar mbi “8 mijë myslimanë boshnjakë brenda 23 ditësh, 11-22 korrik 1995” ).
Së fundi, idenë propozuese paqësore të kryeministrit Janez Jansha e kanë problematizuar deri në atë shkallë me rrezikshmëri të lartë për sigurinë dhe për paqen e Ballkanit; si një lloj fantazme trishtuese, të gjithë ata që nuk duan ta shikojnë në sy, e as të merren me problemin e pazgjidhur kolonial dhe neokolonial imperialist të Serbisë së Madhe, e cila si “Piemont” i elemntit sllav, është ngulitur dhe formuar në Ballkan për bashkimin e të gjithë sllavëve të Jugut.

blank

GREVA E URISË NË BURGUN E QAFË BARIT ËSHTË PËR SHQIPËRINË – Kërkesa nr. 9, vulnerabile, si plaga e nëntë e Gjergj Elez Alisë – Nga Visar Zhiti

Që një grup (ish) të përndjekurish politikë janë futur në një grevë të re urie dhe ku? – në burgun e tyre të dikurshëm, në Qafë Barin famëkeq, të rrënuar si kujtesa e Shqipërisë, është një lajm tronditës, është një kambanë e rëndë për Shqipërinë.

Grevës së urisë nuk po i japet mbështetja e duhur dhe as jehona e duhut, se qeveria, partitë, deputetët, kandidatët për deputetë, militantët, qytetarët, opinionet, media e gjithë janë të përfshira në fushatën zgjedhore politike të tanishme, të 25 prillit, kështu po thuhet, ndërsa përtej oqeanit, në SHBA diaspora po sensibilizohet dhe bën apelin që grevës së urisë t’i jepet përgjigje.

Në fakt është kjo që i ka munguar në këto 30 vjet demokracisë postdiktatoriale të Shqipërisë, tranzicionit të pa mbarim, zhgënjyes dhe të trishtë, që edhe pse vendi është hapur, ka pluralizëm partiak, ekonominë e tregut të lirë, pavarësisht se cilët pasurohet dhe si, njeh të drejtat e njeriut, kur ka shumë rëndësi si zbatohen ato dhe sa arrijnë dhe te qytetari më i thjeshtë, kur Shqipëria ka hyrë në NATO, në koalicionin më të fuqishëm euroatlantik, por sa jemi ne në gjendje dhe të vendosur të mbrojmë veten, truallin dhe detin tonë dhe aspirojmë të futemi në familjen e saj të natyrshme evropiane, ishim të parët që e kërkuam me qeverinë e parë deokratike dhe kemi mbetur të fundit në raport me të gjitha shtetet afër dhe larg, që bënin pjesë në perandorinë komuniste, megjithëse vendi ynë kishte diktaturën më të egër dhe më mizore, që ende vazhdon, mashtrueshëm, me forma të përditësuara, etj, etj.

Futja në Europë kërkon dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj së kaluarë së saj, diktaturës dhe diktatorit Enver Hoxha me bashkëpunëtorët, se sa janë dënuar ata dhe sa janë integruar në shoqërinë e tanishme të dënuarit e tyre, qëndrimi ndaj isht të burgosurit politikë, të gjallë dhe të vdekur

Në fund të fundit në këtë realitet të përzierë janë dhe shkaqet e grevës së re në burgun e Qafë-Barit.

Ndjej dhimbje dhe shqetësim të madh. Duket sikur na kthen po në atë gjendje. Gjej një nga poezitë e mia të shkruar fshehurazi në Qafë Bari, botuar në posdiktaturë, por e ruaj ende fletën e origjinalit. Ruaj atë vuajtje, ato plagë.

Ja, poezia:

GREVË URIE

Edhe brenda në burg
ka prapë një burg.
Të fusin brenda
po s’punove për shembull,
e të tjera, e të tjera.

Ti, i shtrirë mbi dyshemenë
e birucës së arkivoltë, sot s’hëngre bukë.
As dje. As pardje. As para tri ditësh.
Që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore.
Dhe s’do të hash as nesër, as pasnesër,
as i vdekur.

– Ngordhsh! – tha polici ditën e parë.
Të dytën u zgërdhi si një çizme e shqyer.
Heshti të tretën.
Njollat e murit i dridheshin mbi fytyrë.
Ditën e katërt: ha! – të tha.
– Ç’ke? – të pyeti ditën e pestë.
Pastaj erdhi dita e gjashtë. Në fakt
asgjë s’erdhi. Dita e shtatë u fsheh
pas të nëntës. Viti i parë i Krishtit
u hodh para festave të Nëntorit.
Ditëvdekja e diktatorit vononte.
Ngulte këmbë si mushka.
Por erdhën ata të komandës
në birucën tënde.
Kokëposhtë ishin të gjithë. Se
pasqyroheshin në pjatën me supë
të ftohtë. Si sy ciklopi – pjata.
Bukën e hanë minjtë që lëvrinin lirshëm –
nota muzike mbi vijat e … doktrinës.
Muret vallëzojnë. Herë afrohen,
herë largohen.
Një britmë vrapon zbathur
nëpër korridor.
Brumbujt u trembën. Shih si dalin
nga të çarat e kujtesës pa kafkë.
Njolla drite
se nga ranë,
si të vjellat e ditës së sëmurë.
Dhe u mblodhën rreth teje
oficerët, mjeku. Byroja politike. Marksi.
Revolucioni kulturor Kinez. Ti hesht.
Nuk lëviz nga vendi.Ende
di të kuptosh absurdin e atyre
që ta japin bukën tënde
dhe të marrin jetën.

E shtunë, 4.II.’84

 

Dhe prapë grevë urie, sikur vazhdon në shekull tjetër, në mijëvjeçarin e ri, në Shqipërinë tjetër, demokratike. Tani, në prag të zgjedhjeve të reja…

S’i kanë dhënë jehonë, mund t’u duket përsëritje, pengesë, e pa kohë, etj. Ajo mund të politizohet, të përdoret, mund të jetë e nxitur siç nxitet nga çdo opozitë dhe goditet nga çdo pozitë, po ajo, edhe e pas shprehur, është “Nyja Gordiane” e realitetit posdiktatorial shqiptar, në fund të fundit mbart të drejtën e atyre që u përndoqën dhe u burgosën për një Shqipëri antidiktatoriale, demokratike, ka dufin e lirisë, dëshirat dhe idealet për një Shqipëri më të mirë, që dënon krimet e çdo kohe, vendos drejtësinë në shoqëri dhe në pronën e saj e të gjithsecilit.

Pra, sërish në grevë urie futen në burgun e shpartalluar të Qafë-Barit ish të burgosurit politikë të atij burgu e të tjerë, ata që bënë dhe revoltat në burg kundër dhunës komuniste para më shumë se 3 dekada, në Spaç e Qafë-Bari, të vetmet në të gjitha burgjet politike në perandorinë komuniste, kur tani ata grevistë nuk janë më të rinj, janë 60 vjeçarë, madje njeri midis tyre në këtë grevë grevë, bashkëvuajtës yni, ka ende në shpatull vragën e plumbit, që e goditën gjatë revoltës ata oficerë të burgut, që jo vetëm nuk u ndëshkuan, por një pjesë e atyre u lanë të ikin si azilantë politikë, jo në Rusi, Kinë a Kubë, por në Perëndim dhe që andej guxojnë ende të sulmojnë të ish të burgosurit e tyre, ndërsa të tjerë zunë detyra të reja në Shqipërinë Demo(n)kratike, shpesh të larta, madje ndonjë koleg i tyre, ndër më të këqinjtë, u bë dhe president Republike, edhe ai sulmon i pa ndëshkuar ish të burgosurit politikë e tani seleksionoi kanditadët për deputet të partisë më të madhe të opozitës, ku të burgosurit politikë mbështetën shpresat dhe një pjesë dhe iu përkushtuan, pra në këtë kaos, edhe të dëshiruar, greva është e domosdoshme dhe ulëritëse. Ajo është fushata e vërtetë.

Shpesh kërkesat e (ish) të përndjekurve politikë, të mohura në këto dekada, i reduktojnë në kushtet ekononomike, në dëmshpërblimin e tyre, që më së shumti, moralisht i ka ngjarë një shpërblimi-të-dëmshëm. Edhe tani gjej se kërkesat e tyre në Qafë Bari përmblidhen në 8 çështje:

1. Ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit që përjashton, persekuton dhe diskriminon qindra të ish-të burgosur politik (2007-2009 e në vijim).

2. Përfshirja e letrave me vlerë në dëmshpërblimin financiar

3. Kthimi i parave të mbajtura në faturën e dëmshpërblimit nga përfitimi
falas i banesave nga shteti për kategorinë tonë

4. Kompensim fizik e material të pasurive të konfiskuara, pronat dhe tokat bujqësore të grabitura nga diktatura e ligjit 7501

5. Njohja me projektligj dhe vlerësimi i punës së papaguar të të gjithë të dënuarve dhe të përsekutuarve politik

6. Status të veçantë pakete ligjesh për pensionet duke u dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit pa avokat mbrojtjeje

7. Financa të ligjëruara për sëmundje profesionale të fituar dhe trashëguara nga puna e rëndë e me pasoja në miniera, këneta etj

8. Vlerësimi i krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare të shteteve ish-komuniste.

 

Normale dhe të drejta. Që ato të plotësohen me ndërgjegje e drejtësi, duan përgjegjshmëri shtërore dhe historike, se rrënjë janë më të thella Kërkesa është bërë herët, e përsëritur shpesh, ku krahas konkretes, është idealja, madje dhe universale.

Që të kuptohet më mirë, po ripërsëris atë që ka shpjeguar një ish i burgosur në kampin e Aushvicit, hebreu-hungarez Imre Kertész, shkrimtar nobelist, dhe kjo përbën thelbin e krijimtarisë së tij, por dhe ndërgjegjen shoqërore që duhet të kenë të jithë.

Sipas tij “Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Ai thekson se “holokausti tani ka krijuar një kulturë”… e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende… mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin.

Kur lexojmë holokaust kam të drejtë të nënkuptoj dhe persekutimin tonë..

“Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. (Kupto: persekutimin, shën. imi. “Il secolo infelice”, Imre Kertesz, “Bompiani”, Milano 2007. fq, 54, 258, nënvizmet e mia.)

Ja, pra kërkesa vulnerabile, nr, 9 po e quajmë, por kryesorja e të gjithave, shqetësim dhe kredo e shoqërisë, që duhet të ishte dhe thelbi i fushatës elektorale të tanishme: të përshkuarit nga fryma e vuajtjes së atyre që ëndërruan dhe deshën atdheun të lirë, një shoqëri demokratike, që u ndëshkuan për këtë, të nxjerrjes së përgjegjësive ndaj së kaluarës, me kujtesën historike, dënimin e krimeve, me drejtësinë në themele, ndërgjegjësimin dhe vizionet për një ardhme më të mirë, të shëndetëshme moralisht, etj.

Një Shqipëri demokratike dhe e begatë, është dëmshpërblimi i vërtetë. Të burgosurit politikë i dhanë Shqipërisë lirinë e tyre dhe rininë, punën e madhe të papaguar kurrë, të gjithë veprat e mëdha të ndërtuara në diktaturë kanë gjakun dhe djersën e tyre, tharja e kënetave, kanalet, taracat, themelet e uzinave e të shumë pallateve, të stadiumeve, aeroportit të vetëm, ku ende s’ka një pllakë memoriale, etj, etj. Ata sollën moralin e munguar, mos-hakmarrjen, bashkëjetesën me paqen, etj.

Prandaj dhe ambasadorja Yuri Kim, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, superfuqisë së botës, aletatit dhe mbështetësit jetik të Shqipërisë tonë të vogël, tha: “Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshimin. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë.”

Me SHBA duhet bashkëpunuar, jo thjeshtë bindje për të mbajtur rotacionin e pushtetit. Votoni dhe për ata që janë futur në grevën e urisë e bashkëvuajtësit e tyre. Kanë vite kështu, të uritur për drejtësi më shumë e demokraci të vërtetë, jo thjeshtë atë të atyre që bënë dhe diktaturën.

Kjo grevë e vogël ka shqetësimin e madh për Shqipërinë. Prandaj…

 

blank

VOTA PËR NDRYSHIM NË SHQIPËRI E FORCON KOMBIN SHQIPTAR DHE MIQËSINË ME AMERIKËN! – Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

 

  • Kryeministri i gjertanishëm Edi Rama është fatkeqësi kombëtare

 

Të gjithë ata që ja duan të mirën kombit shqiptar e kanë një porosi për popullin e Shqipërisë sot: VOTONI PËR NDRYSHIM! Këtë e bëri të qartë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim me deklaratën e saj : “Nëse doni ndryshim votoni për ndryshim, nëse doni kriminelë votoni për kriminelë”. Ndryshimet janë të domosdoshme në çdo vend demokratik, që qeverisja të bëhet më e mirë dhe të punohet në interes të popullit dhe kombit. Nuk duhet dhënë më shumë se dy mandate asnjë partie, përveç nëse ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Periudha tetëvjeçare e sundimit njëpartiak të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste paraqet periudhën më të errët të zhvillimit të shtetit shqiptar pas ardhjes së demokracisë. Korrupsion, krime ekonomike, pasurim i paligjshëm i një klase të privilegjuar dhe varfërimi i shtresave të gjëra popullore. Potencialet ekonomike të Shqipërisë nuk janë shfrytëzuar as për së afërmi. Bashkëpunimi ekonomik me Dardaninë ( Kosovën) dhe Trojet tjera etnike shqiptare ishte minimal. Në planin ndërkombëtar nuk është shënuar asnjë arritje e rëndësishme për shtetin shqiptar, veçse largim i mëtutjeshëm nga Unioni Evropian. Fatbardhësisht, dështuan përpjekjet Rama-Vuçiq-Thaçi për krijimin e të ashtuquajturës zonë Minishengen apo Serbi të Madhe.

Arroganca dhe sjelljet e pahijshme të Edi Ramës e kalojnë çdo kufi të mirësjelljes së një lideri politik. Urrejtja përçmuese e tij për bashkëkombasit e Dardanisë dhe Trojeve tjera etnike është e papranueshme. Është e pakuptueshme si mund të zgjidhet të qeverisë me shtetin shqiptar një anti-shqiptar. Ngritja e tij brenda partisë socialiste deri te pozita e kryeministrit të Shqipërisë është një fatkeqësi kombëtare.

Përulja e vazhdueshme e Edi Ramës ndaj armikut të kombit shqiptar, shovenistit Vuçiq është e turpshme. Bisedimet e tij të fshehta dhe të hapta me te dhe Thaçin për ndarjen e Kosovës paraqesin tradhti kombëtare. I gjori ai, ndoshta mendon se “Vuçiq e don shumë”dhe si “internacionalist” që është i ndihmon për tu bërë “i rëndësishëm”. Nuk e kupton fare se ai e përdorë si paçavër për të fshirë pluhur, në planet e tij të errëta për t’a nënshtruar kombin shqiptar. Pas përdorimit dhe shtrydhjes së mirë e hudhë në pleh bashkë me Baton Stanishiqin. Nuk e ka lexuar historinë për ta kuptuar se shovenistët serb, duke të përqafuar, ta futin thikën në shpinë. Nuk e kupton se shovenistët serb e urrejnë atë dhe Batonin njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë, pa marrë parasysh territorin, besimin fetar apo qëndrimin politik të tyre. Arsyeja e shfaqjes së urrejtjes më të hapët dhe më të madhe ndaj shqiptarëve të Dardanisë dhe të Luginës është e thjeshtë, ata janë pengesa e parë në arritjen e qëllimeve të tyre, grabitjen e mëtutjeshme të tokave shqiptare.

Populli i Dardanisë më 14 Shkurt e dha provimin e pjekurisë, mençurisë dhe demokracisë, votoi për ndryshime në mënyrë të organizuar dhe madhështore. Votoi për kandidatë të pakorruptuar, të aftë e të guximshëm, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. U bë shembull për shtetet tjera të Evropës Juglindore se si mund të mbahen zgjedhjet e lira,se si mund të rrëzohet në mënyrë demokratike klasa e korruptuar. Duhet shpresuar dhe besuar se populli i Shqipërisë do ta bëjë të njëjten gjë me 25 Prill. Kjo mund të arrihet vetëm me votimin e Aleancës për Ndryshim të Partisë Demokratike në krye me Z. Lulzim Basha. Dëgjohet shpesh se Basha është i pavendosur apo tepër i sjellshëm dhe ka gabime. Gabimi më i madh i PD-së të udhëhequr nga Basha ishte djegia e mandateve. Bojkotimi i Parlamentit është akt jodemokratik i cili e destabilizon shtetin dhe ia bën të mundur kundërshtarit të veprojë sipas dëshirës, pa u trazuar fare. Mendoj dhe besoj se Basha dhe PD kanë mësuar nga gabimet dhe kanë bërë ndryshimet e nevojshme për ta udhëhequr shtetin shqiptar në drejtimin e duhur. Asnjë politikan apo parti nuk janë të përsosur dhe të pagabueshëm por në këtë rast, Z. Lulzim Basha me përvojën dhe aftësitë e tij është më i mirë se Rama, e thënë popullorçe, sa prej Shkupit deri në Shkodër.

Gjatë ditëve të fundit, në media të ndryshme vërshuan kritikat e kuazi politikanëve dhe (ba)analistëve të shumtë kundër Kryeministrit të Dardanisë  z.Albin Kurti, për vizitën e tij në Shqipëri në përkrahje të kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje të Shqipërisë, jashtë detyrave të tij të punës, si dhe për kinse “përzierje në punët e brëndshme të Shqipërisë”. Shihet se nuk i kuptojnë aftësitë e tij për të bërë shumë gjëra në të njëjten kohë, krahas punëve tjera jashtë detyrës së Kryeministrit. Në të vërtetë, ai e zëvendësoi atë kohë me punë gjatë gjithë vikendit. Po ashtu nuk e kanë të qartë se përkrahja e kandidatëve të partive apo çështjeve të rëndësishme në shtetin amë është e drejtë dhe detyrë e çdo shqiptari ngado qoftë, pa marrë parasyshë pozitën e tij. Shqipëria është nëna jonë, pra edhe nëna Albinit. Shumë më pak kritika pati kundër ndërhyrjes së vërtetë, shumë të rrezikshme në punët e brëndshme të Shqipërisë nga Kryeministrit i Maqedonisë Zaev, në përkrahje të Ramës. Dëshiroj të shtoj se, si shumë bashkëkombas të tjerë nga të gjitha Trojet tona, mendoj se Rama është kandidati i preferuar edhe i Vuçiqit dhe i Putinit.

Edhe unë, si shqiptar i Dardanisë së shumëvuajtur antike, i cili filloi ta donte nënën Shqipëri me zemër që nga momenti që diti për vete, dëshiroj që të “përzihem në punët e brendshme të nënës Shqipëri”. Me kënaqësi të veçantë dhe shpresë të madhe, i ftoj të gjithë vëllazërit dhe motrat shqiptare që kanë të drejtë vote, të votojnë për ndryshim dhe jo për kriminelë. Të votojnë për Aleancën e PD-së për ndryshime dhe tre kandidatët e pavarur të OJQ-së Vetëvendosje. Dëshiroj ta veçoj me emër, kandidatin me numër 33 të PD-së, Z. KORAB LITA. Vlerat atdhetare të tij dhe të mbarë familjes Lita të zbritur në Kamëz nga Kalaja e Dodës heroike, janë admiruese. Ai qëndroi i vetëm opozitë e PS-së në mandatin e fundit të Parlamentit të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për sa më shumë politikanë si ai, të aftë, të pakorruptuar dhe sypatrembur.

Mërgata shqiptare ka luajtur një rol shumë të rëndësishem në zhvillimet politike të Shqipërisë, që nga koha e Nolit dhe Konicës. Përpjekjet politike për ta ndarë dhe izoluar atë, janë të dëmshme dhe anti-kombëtare. Mbjellja e urrejtjes dhe përçarjes në mes të mërgatës dhe vendlindjes ju shërben drejtpërdrejt interesave të armiqëve tanë. Mundësimi i votimit më të lehtë dhe më praktik të diasporës është detyrë me rëndësi shtetërore dhe kombëtare. Në këtë pikë dështuan me qëllim, qeverisjet dhe disa parti politike në të dyja shtetet tona. Mërgata e Dardanisë, me gjithë vështirësitë, ja arriti qëllimit që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, me telefonata, votime me postë dhe udhëtime të përcjellura në mënyrë madhështore me muzikë, me defa e tupana. Ishte impresionuese. Këtë duhet ta bëjë edhe mërgata e Shqipërisë. Një pjesë e madhe jeton në Greqi dhe Itali, gjë e cila e bën udhëtimin me qëllim të votimit në atdhe më të lehtë. Të tjerët është mirë t’i marrin në telefon familjet e veta dhe të gjithë miqt e shokët për t’i lutur që të votojnë për ndryshime. Po kështu, edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, që nga Trojet tona etnike e deri te mërgata më e largët, duhet “të përzihen në punët e brendshme” të nënës Shqipëri, t’i marrin në telefon shokët dhe miqët e tyre atje dhe t’i lusin të votojnë për ndryshime.

Ardhmëria e sigurt e kombit shqiptar është e lidhur ngushtë dhe në mënyrë të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë daton që nga koha e Presidentit Wilson dhe vazhdon me Presidentët Clinton, Bush dhe Biden. Interesat strategjike të kombit shqiptar dhe atij amerikanë janë të përbashkëta, ndalimi dhe kontrolli i hegjemonizmit ruso-serb në Evropë. Afrimi i qeverisë së Edi Ramës me shtetet si Serbia, Rusia, Greqia dhe Turqia është kundër interesave shqiptare dhe amerikane. Administrata e Presidentit Biden nuk mund të ketë respekt as përkrahje për një qeveri e cila e rrjepë popullin e vet, e dobëson kombin shqiptar, dhe ja mundëson shteteve shoveniste diktatoriale të Serbisë dhe Rusisë dominimin e Evropës Juglindore me dalje në detin Adriatik. Prandaj, vota për ndryshim në Shqipëri e forcon kombin shqiptar, si dhe aleancën me Amerikën dhe shtetet demokratike të Unionit Evropian.

Nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë folklor as hobi. Jan nevoja jetësore të pazavendësueshme, të cilat e bëjnë të mundur ekzistencën e një kombi. Bashkimi kombëtar e bën kombin më të fortë dhe më të rëndësishëm në mesin e kombeve tjera botërore. Frika e disa politikajve, veç për ta përmendur bashkimin si një gjë normale dhe të mundëshme është turpëruese. Lejimi i propagandës shoveniste serbe për ta barazuar projektin e tyre qindvjeçar për “Serbi të Madhe”, me dëshirën e kombit shqiptar për bashkim duke e quajtur ate projekt kinse për “Shqipëri të Madhe”, paraqet një idiotizëm politik të klasit të parë. Si mund të barazohet një projekt kriminal i studiuar dhe i përgaditur mirë, i cili parasheh në detale zhdukjen e popullit shqiptar  dhe grabitjen e tokave të tij, i jetësuar me lufta mizore dhe represion, me vrasjen dhe ndjekjen e qindra-mijëra civilëve nga tokat stërgjyshore deri te Molla e Kuqe te Nishi, Toplica, fshatra dhe qytete të tjera shqiptare,  me një dëshirë legjtime të një kombi për të jetuar i lirë dhe i bashkuar?!

Kombi shqiptar nuk është as i vogël as i parëndësishem siç tentojnë ta paraqesin armiqët tanë dhe disa politikanë të korruptuar e të shitur, apo qyqana dhe dembela të vendeve tona. Edhe pse i përçarë dhe i ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete nga fuqitë e Mëdha të influencuara nga Rusia, por edhe me fajin e tradhëtarëve dhe pjellës së keqe përbrënda, ka arritur të mbijetojë në saje të përpjekjeve dhe flijimit të mijëra patriotëve dhe heronjve kombëtarë. Shembuj të fundit madhështorë janë rezistenca paqësore e udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe lufta e lavdishme e UÇK-së me komandantin legjendar Adem Jashari. Kërcënimet e disa liderëve shovinist serb për kinse përdorim të forcës kundër republikës së Dardanisë, janë sa dëshpëruese ashtu edhe qesharake. Me ndërhyrjen e NATO-s në Dardani, luftat në Evropë kanë përfunduar. Edhe po të ishte e mundur një luftë tjetër në mes të shqiptarëve dhe serbëve, Serbia do të humbte prapë me turp. Nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në tokat e veta mijëra vjeçare.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

blank

SOVRANITETI I RI DHE I PAPRITUR: KËSHTU KTHEHET SHTETI KOMBËTAR – Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

            Me efektet që prodhon në realitetin e gjërave e në mendësinë e njerëzve pandemia, që prej kohësh ka pllakosur botën, po ndihmon fuqimisht për t’a bërë të dukëshme krizën e globalizimit. Krizën pra – në mos qoftë fundi – të asaj faze historike që, për së paku një tridhjetëvjeçar, ka zotëruar realitetin ekonomik e ideologjik të planetit tonë.  Janë së paku tre faktorët që po shënojnë fundin e mundshëm të një qarku historik të nisur në vitet 80 të shekullit të shkuar.

Faktori i parë është thërmimi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të dalë nga fundi i “luftës së ftohtë” (1991). Në perëndimin e mbizotërimit amerikan që atëherë arriti majën e tij, të tjera fuqi botërore e rajonale në mënyrë mujshare dolën përpara gjithandej – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Hindia – e të tjera më të vogla trysnojnë në kërkim të hapësirës. Të gjitha synojnë të krijojnë hapësira ndikimi, kërkojnë të zgjerohen, shkaktojnë konflikte, prishin barazpesha, duke ndjekur vetëm interesin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë, marrëveshje apo status quo të mëparëshme. Nga ana tjetër globalizimi duket se nuk ka sjellë asnjë përhapje të vlerësueshme të demokracisë, ndërsa miti i paqes – për më tepër si “botërore” – po zbulohet gjithënjë e më shumë se mbetet vetëm një mit.

Edhe themeli i dytë i globalizimit, shkëmbimi i lirë – që pati simbolin e tij në pranimin e Kinës komuniste në Organizatën e Tregëtisë Botërore më 2001 – ka humbur një pjesë të mirë të miratimit. Shkëmbimi i lirë, në fakt, ka përcaktuar po rritjen ekonomike të disa Vëndeve (me shumë gjasë në kurriz të asaj të të tjerëve), por ka nxjerrë në dukje një pikë të dobët dramatike. Madje dy. Para së gjithash mbas ekranit të tij dhe në sajë të tij ka mundur të marrë formë projekti alarmues i Pekinit për t’u bërë zot i pikave kyçe gjeografike, të burimeve dhe teknologjisë strategjike të ekonomisë botërore, me synimin për të ndërtuar zotërimin e vet planetar. Madje duhet të shtojmë nga ana tjetër, se çdo Vend është përpjekur në të vërtetë të vërtisë gjërat vetëm e vetëm në dobinë e vet e në rradhë të dytë, pikërisht gjatë pandemisë është parë se sa e pasigurtë është ajo aksiomë në themel të shkëmbimit të lirë, simbas së cilës pronësia dhe vendosja gjeografike e prodhimeve do të ishte krejtësisht e parëndësishme, sepse ajo që do të vlente do të ishte vetëm kostoja e tyre. Por sot po kuptojmë se pikërisht mbi këtë pikë është e drejtë të ushqehet më shumë se një dyshim: me të vërtetë, për shembull nuk ka asnjë rëndësi që një fabrikë, t’a zëmë vaksinash ose mbulesash fytyre, të gjëndet në Itali apo kush e di se ku? A është e parëndësishme që të kihet mundësi apo jo të prodhohen disa pjesë elektronike në shtëpi?

Elementi i tretë që shtyn të mendohet që po mbaron koha e globalizimit ka të bëjë me rolin e Shtetit, që vetë globalizimi parashihte e uronte të shkonte drejt perëndimit të tij. E diskutueshme apo jo mbetet dëshira e uruar, por sigurisht parashikimi nuk po shfaqet i goditur në shenjë. Në të vërtetë ardhja e kohëve të vështira të sjella nga pandemia ka detyruar të gjithë t’i drejtohen Shtetit: për të shpresuar që të kurohen, për të gjetur treguesit se çfarë duhet bërë, për të patur ndihma të çdo lloji, për të përfytyruar rikthimin e zhvillimit ekonomik. Nën sytë e pabesuar të shumëve Shteti, organizimi i pushteteve publikë, ndërhyrja e tij në rruzullin shoqëror, po marrin sot në Perëndim një riligjësim shumë të fuqishëm ideologjik nga i cili do të jetë shumë i vështirë rikthimi mbrapa. Aq më tepër se me ardhjen e piskamës, i gjithë gërshetimi i shumëanësisë dhe organizatave ndërkombëtare – në veçanti ai i Bashkimit Evropian që na intereson më shumë –  sigurisht nuk kanë treguar as një efektshmëri të madhe dhe as një përqindje të lartë të thuknisë e të përgjegjësisë së përbashkët. Si pikë riferimi ka mbetur për mirë apo për keq vetëm Shteti: e të mos i vijë keq askujt se për Shtet kuptohet natyrisht Shteti kombëtar.

Nëse gjërat e thëna deri këtu janë të vërteta na zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm: ripohimin fuqishëm të temës së sovranitetit dhe gërshetimin e saj me politikën, pra temën e vetë aftësisë së Shtetit të ushtrojë pushtetin e shërbimit kundrejt një projekti të përbashkët. Një pushtet që mund të gjejë një kufizim vetëm në sajë të një vendimi të tij të pavarur: një pushtet sovran të Shtetit kombëtar që në regjimet demokratike, si i yni, është i barazvlefshëm me sovranitetin e popullit, burim i gjithë vendimeve dhe veprimeve të vetë Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij.

Një ndryshim i këtillë i perspektivës nuk mund të mos ketë pasoja pohenike mbi diskutimin politik italian, të përqëndruar në vitet e fundit në një pjesë të mirë të tij, në mënyrë të rreme rreth temës së sovranitetit. Me të majtën të gatëshme të nënvizojë dobinë e çfarëdo lëshimi apo ushtrimi të pakësuar të sovranitetit nga ana e Italisë – sikurse të trajtohej për pale çfarë shfaqjeje të një qytetërimi epror – dhe së djathtës shtazërisht kundër, të vënë në të njëjtën hulli  me përfaqësuesit më të shpëlarë të skenës evropiane, duke tërhequr mbi vete padinë e “sovranizmit”, që tashmë në të folmen e konformizmit ideologjik tingëllon pak a shumë si sinonim i nazizmit.

Por kohët këshillojnë që të bindemi se nuk është më çështje poje ose joje sovranizmit. Është çështje vetëm sovraniteti. Sot më shumë se kurrë duket i nevojshëm ripërcaktimi, për vitet që kemi përpara, i një roli veprues e shtytësi përpara në të gjitha fushat të Shtetit kombëtar e të vullnetit të tij politik. Ajo që nga një anë e bën tepër urgjente reformën e të gjithë administratave dhe kundërshtimin më të vendosur kundrejt copëzimit krahinor, e n’anën tjetër duhet të na shtyjë të mbajmë shtrënguar fuqimisht të gjitha lidhjet tona evropiane dhe atllantike, por duke mbajtur  të palëvizshëm kushtin paraprak që jo gjithmonë në të shkuarën e kemi mbajtur parasysh. Atë që të respektohet në mënyrë të rreptë një kusht i barazisë dhe i ndërsjelltësisë, pa kokëfortësi llogaribërëse por me një vendosmëri të mënçur.

 

“Corriere della Sera”, 15 prill 2021           Përktheu Eugjen Merlika

blank

ËNDËRRAT E DITËVE TË PRILLIT – Nga HAMIT TAKA

 

Funksioni kryesor i babait, thotë psikanalisti frëng Lacan-i në seminarin XIX, është “të mahnitë familjen e vet”…

 

E vërteta e kësaj thënie shpaloset fare qartë këto ditë pranverore në vendin tonë, një javë para 25 prillit, kur votuesit shqiptarë do të shkojnë te kutia e votimit, për të zgjedhur qeverinë e katër viteve të ardhshëm. Po të ndjekësh vendet që zgjedh kryeministri aktual, ku do të vendosë skenën dhe teatrin e aktrimit të tij e deri te konfigurimi i karrigeve, për të bërë takime me zgjedhësit, shikuesit televiziv i duket se ne jemi një nga vendet më të zhvilluara në Europë. Pasi qytetarët zënë karriget, kryeministri fillon aktrimin dhe recitimin që do ta kishin zili humoristët më të mirë dhe recituesit më të spikatur. Dikush do të thotë se, si ish-piktor, i është bërë natyrë imazhi. Po, por shumica e popullit shqiptar, në këtë gjëndje varfërie që është dhe në kushtet e pandemisë, nuk ia ndjen dhe nuk ka oreks sot për teatrin imazhist. Dhe vërtetë, sa shkojnë te vendi i takimit me kryeministrin socialistët dhe simpatizantët e PS-së, “babai” e mahnit familjen e tij me dekorin, aktrimin dhe fjalimin e tij.

Fushata elektorale njëmujore për partinë në pushtet nuk ka mision vetëm të shpalosë programin për një mandat të mëtejshëm, por së pari duhet të jetë edhe llogaridhënie, ku qeverisësit të tregojnë para të qeverisurve arritjet e mosarritjet e mandatit të mbaruar. Sidomos të përmenden mosarritjet dhe të argumentojë sinqerisht shkaqet e vërteta dhe të besueshme. Unë si qytetar do të besoja më shumë sinqeritetin se sa premtimet: të argumentohen të paktën shkaqet e papunësisë, varfëria ekstreme në pjesën më të madhe të popullsisë, mosrritja e pagave dhe pensioneve, korrupsioni galopant, mospranimi dhe përjashtimi nga administrata shtetërore dhe ajo lokale e të gjithë shqiptarëve që nuk janë votues të PS-së, shkaqet e largimit të të rinjve dhe intelektualëve më të mirë nga vendi i tyre dhe pse ne nuk arrijmë akoma të plotësojmë kushtet e pranimit në BE…

Votuesi shqiptar sot ka nevojë për programe të qarta dhe të realizueshme, që t’i japë shpresë për të ardhmen, të ketë punë, të dalë nga varfëria e skajshme dhe fëmijët e tij të kenë të nesërme në vendin e tyre për shkollim dhe punësim, nuk ka nevojë për ëndërrat e një dite pranvere. Mirëpo kryeministri i tyre u servir parajsën. Sa e sa herë televizionet kryesore u tregojnë shikuesve imazhin e ardhshëm të Durrësit, të cilat ia kalojnë edhe Dubait të sotëm. Natyrisht shqiptari i sotëm s’është në kohën e diktaturës, kur besonte përrallën e fenerit ndriçues në Europë e më gjerë.

Paradoksi jashtë çdo logjike është pretendimi i kryeministrit aktual se, në se nuk votohet ai për të qënë sërish kryeministër i vendit, Shqipërinë e mori lumi dhe dreqi; vaksinim të popullsisë nuk do të ketë më, bukë e ujë më nuk do të ketë më,  krojet do të shterin dhe dielli nuk do të lind më për Shqipërinë e bekuar nga Zoti në brigjet e Mesdheut; investime të huaja nuk do të ketë më, sipërmarrësi global i Emirateve, Mohamed Alabbar, do ta prishë kontratën dhe nuk do të investojë në portin e Durrësit, por shqiptarët nuk janë aq naivë të mos e kuptojnë se kontrata e investitorit arab nuk është nëshkruar me personin Edi Rama, por me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Shqipëria është këtu, e paluajtshme.

Në këtë situatë pa rrugëdalje të qeverisë mazhoritare dhe Kryeministrit, këshilltarët legalë dhe ilegalë të tyre, u kanë këshilluar përdorimin e armës së vjetër, trumpirëse, mashtruese e dhunuese të propagandës, imazhit përrallor. Kushdo që ka sy e vesh e shikon dhe e kupton se ajo është bërë mëngjesi, dreka dhe darka që u serviret qytetarëve të varfër me anë të mediave servile apo të blera, të cilat kanë vetëm një moral-paranë apo karriget e deputetëve, ministrave, zvendesministrave e atyre bashkiake.

Eshtë për të ardhur keq që edhe pjesa më e madhe e opinioneve në emisionet televizive dhe atyre që që botohen në shtypin  shkruar kanë të bëjnë me politikënaktuale, më ngushtë me politikanët kryesorë në fushatën zgjedhore. Është një vërshim i vërtetë, që shkon nga analiza e qetë politike te eseja pasionante, satira  e hidhur e deri hosanarat për prijësit sipas simpative dhe angazhimeve partiake.

Dhe së fundi do dëshiroja të theksoja mendimin tim, që unë e quaj fakt, se në vendin tonë thyesa dinjitet/ambicie është vendosur kokëposhtë. Gjen kudo njerëz që kanë ambicien më të rëndësishme se sa dinjitetin, madje, është më e saktë të thuhet që gjen kudo njerëz që kanë ambicie e s’kanë dinjitet.  Fjala është për kandidaturat e karrigeve në parlamentin e ardhshëm. Disa nuk e kanë për gjë të tradhëtojnë skuadrën, e cila i ka ngritur nga hiçi në karrierën e prijësave e të përfaqëuesve të popullit në kuvendin popullor, kanë bërë pasuri e biznese pa djersën e ballit, kanë shkolluar fëmijët në shkollat më të mira, brenda e jashtë vendit dhe i kanë sistemuar në punë të lakmuara, duke mënjanuar intelektualë me diploma të arta(për t’i degdisur jashtë vendit), të kalojnë në kampin tjetër apo të krijojnë partiçka, për t’u marrë votat për unin e tyre egoist.

blank

KILI, VAKSINA KINEZE KA EFEKTSHMËRI TË PAKËT: ËSHTË VËNDI I FUSHATËS – REKORD TANI KTHEHET NË LOCKDOËN – Nga SARA GANDOLFI

 

            E quajnë “paradoksi kilian”. Vëndi amerikanojugor ka habitur botën me shpejtësinë e fushatës së tij të vaksinimit në masë kundër Kovidit – 19 : 4,6 milionë njerëz ndër 18 milion banorë kanë marrë dy doza, 7,2 milionë së paku të parën; vetëm Izraeli, Emiratet Arabe dhe Seychelles kanë bërë më shumë.

            Megjithatë infektimi vazhdon të përhapet me ritme rekordi, veçanërisht ndërmjet të rinjve, dhe terapitë intensive të spitaleve janë të zëna mesatarisht në 95 %. “Buletini” i fundit flet për 1.076.499 raste të përgjithëshme të vërtetuara dhe 24.346 të vdekur. Kështu, nga fundi I marsit, një pjesë e mirë e Vëndit është kthyer në lockdown pothuajse të plotë.

 

Çfarë po ndodh në Kili?

“Paradoksi” ka më shumë se një shpjegim. I pari, më i drejtpërdrejti e për të cilin kishim folur këtu, është që me lehtësimin e kufizimeve për zhvendosjet dhe rihapjen e shkollave e dyqaneve popullsia ishte gënjyer se pandemia ishte vetëm një kujtim. Siç ka nënvizuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) imunizimi nuk zëvendëson parandalimin. “Ka nga ata që pushojnë së binduri masave si hapësira fizike, higjena vetiake, ajrimi i hapësirave dhe ndalimi i grumbullimeve” ka thënë Maria Van Kerkhove, përgjegjëse e bashkësisë teknike kundër – Kovid të OBSH. “Por vaksinat janë vetëm njëri nga mjetet për të ndaluar infektimet dhe nuk mund të flemë mbi dafina vetëm sepse jemi të vaksinuar”.

Efektshmëria e pakët e vaksinës kineze Sinovac

            Një tjetër shpjegim më shqetësues i “paradoksit kilian” është efektshmëria e pakët e vaksinave të përdorura. Një studim i drejtuar nga kërkuesit e Universitetit të Kilit mbi rezultatet e fushatës së vaksinimeve, ka dalë në përfundimin se mbrojtja është mesatarisht në masën 56,5 % mbas dy javësh të injektimit të dy dozave të parashikuara dhe vetëm 3 % mbas dozës së parë. Duke mbajtur parasysh se në Kili përdoret kryesisht vaksina kineze Sinovac (93 %) e 7 % tjetër është Pfizer Bio NTech, që n’Izrael ka treguar një efektshmëri prej 94 %, kërkuesit përfundojnë se efektshmëria e vaksinës kineze është e ndalur në 54 %. Një vlerë pak më e lartë se ajo e regjistruar në Brazil ku, për të ndërlikuar kuadrin, është edhe qarkullimi i një varianti që duket se është në gjëndje t’i bishtnojë mbrojtjeve imunitare, natyrore e të panjohura: studimi i efektshmërisë nga Instituti Butantan regjistronte një të tillë prej 50,4 %.

Befas vërtetimi erdhi edhe nga Kina. Gao Fu, drejtori i Qendrës kineze për sëmundjet, Kontrollin e parandalimin, ka pranuar në një konferencë shtypi të shtunën e shkuar se vaksinat kineze që përdoren tani “nuk kanë tregues mbrojtjeje shumë të larta”. Në vazhdim, ka pohuar se komentet e tij ishin “keqkuptuar plotësisht”, por të dhënat e njoftuara tregojnë që në fakt vaksinat kineze janë më pak të efektëshme se sa Pfizer e Moderna, edhe se janë më të thjeshta për t’u ruajtur.

 

Jemi në rrugë të drejtë

 

            Kili ka paguar 3,5 milion dollarë për të “strehuar” eksperimentimin klinik të vaksinës kineze dhe ka porositur më pas 60 milionë doza për të mbrojtur popullsinë e saj prej 18 milion banorë në tre vjet. Rëndësia e krizës shëndetësore në Kili është vërtetuar në fakt nga presidenti Sebastian Pinera dhe nga Kongresi që kanë vendosur të shtyjnë gjashtë javë zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese që duhet të shkruajë një Kushtetutë të re. “Përparësia e jonë është të mbrojmë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë” ka thënë kryetari I Shtetit.

Megjithatë, autoritetet kiliane të djelën mbrojtën përdorimin e vaksinës Sinovac dhe I hapën rrugën përdorimit të Corona Vac. Heriberto Garcia, drejtori I shëndetësisë publike kiliane ka thënë se njerëzit nuk duhet t’I kushtojnë shumë vëmëndje titujve të gazetave: “Numëri i njerëzve që sëmuren dhe shtrohen në spital është pakësuar, kjo do të thotë se jemi në rrugën e drejtë”, ka pohuar në një intervistë të së përditëshmes vendore La Tercera. Kili ka firmosur marrëveshje për furnizimin me vaksina Johnson & Johnson dhe AstraZeneca që nuk kanë arritur ende.

Ndërkaq shumë Vënde të zonës latinoamerikane shohin me shpresë tek vaksinat kubane Soberana II dhe Abdala, të hyra në fazën 3 të eksperimentimit dhe gjërësisht në përdorim mbi ishull (të tjera janë në faza më të prapambetura sprove). Havana ka premtuar se do t’u a shpërndajë Vëndeve “vëllezër” me çmime shumë më të ulta sa ato amerikane.

 

“Corriere della Sera”, 13 prill 2021      Përktheu Eugjen Merlika

blank

Zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri dhe pritshmëria e shqiptarëve në Mal të Zi – Nga Xheladin Zeneli

 

Ashtu si zgjedhjet e tjera që janë mbajtur në të kaluarën në Shqipëri, edhe zgjedhjet e  25 Prillit  të këtij viti, ndiqen  me vëmendje nga shqiptarët në Mal të Zi si një interesim i tyre i natyrshëm lidhur me ate se kush do të jetë në pushtet në katër vitet e ardhshme në Shtetin e tyre Amë.

Që nga vendosja e sistemit demokratik dhe pluralist në Shqipëri para  tre dekadave, shqiptarët në Mal të kanë pasur dhe gjithënjë vazhdojnë të kenë një pritëshmëri të lartë lidhur me përkujdesjen dhe interesimin e Shtetit Amë  për të drejtat kombëtare të tyre.Kjo përkujdesje është e përcaktuar me  Kushtetutën  e Shqipërisë 

(neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Me keqardhje mund të konstatohet se pa marrë parasysh cila parti ka qenë në pushtet në Shqipëri, deri më tani ka munguar një përkujdesje e tillë dhe përkrahje e duhur dhe kuptimplote nga ana e qeverive të Shtetit tonë Amë.

Derisa ka pasur vizita të vazhdueshme të krerëve të shtetit shqiptar  në Mal të Zi , si dhe takime me përfaqësuesit shqiptarë në këte shtet, por që ato kanë përfunduar pa vepra apo projekte konkrete , projekte  këto të cilat do të kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në aspektin ekonomik, edukativo-arsimor,kulturoro-gjuhësor dhe identitetit të tyre kombëtar.

Nëse reflektojmë pak në periudhën e viteve të pushtetit të PS-së, pra në kohën gjatë dy mandateve të kryeministrit Edi Rama, do të vërejmë se në raport më shqiptarët në Mal të Zi, ka pasur disa iniciativa dhe premtime por që nuk janë realizuar në praktikë deri më sot.

 

Po përmendim disa prej tyre.

Në Prill të vitit 2012 , Edi Rama ,në pozitën e kryetarit të Partisë Socialiste dhe një vit përpara se të bëhet kryeministër i Shqipërisë, zhvilloi një vizitë në Mal të Zi, me ç’rast pati takime me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Ulqin dhe në Tuz. Në takimin e tij në Ulqin me drejtuesit e atëherëshëm të Komunës së Ulqinit, kishte propozuar dhe kërkuar hapjen e një univerziteti në gjuhën shqipe në Mal të Zi për arsimimin e lartë e të rinjëve dhe të rejave shqiptare në këtë shtet. S’ka dyshim se kjo ishte një iniciativë e qëlluar e z. Rama, por për të cilën as pas tetë viteve në pushtet të PS-së dhe pas dy mandateve të Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë , deri më sot nuk është punuar në realizimin e saj.

Kurse me rastin e takimit të z. Rama në Tuz me përfaqësuesit shqiptarë , atëherë ai pat propozuar unifikimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në rajon, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi. Edhe kjo iniciativë mbeti në suazat e një dëshire. Megjithate, disa vite më vonë, përkatësisht në vitin 2015 erdhi deri te shpërdarja e 288 Abetareve Kombëtare në shkollat shqipe në Mal të Zi,të cilat ishin dhuratë (donacion) nga kryebashkiaku Erion Velijaj . Vlen të përmendet se përdorimi i këtyre Abetareve  nuk u bë  i obliguar, por vetëm si mjet plotësues arsimor për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore.

Për hirë të korrektësisë duhet përmendur se qeveria shqiptare gjatë kësaj kohe ka përkrahur financiarisht Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me një kontribut modest i cili ishte më shumë një gjest simbolik se sa një ndihmë e mirëfilltë financiare.

Në fund të vitit të kaluar , Tirana zyrtare paralajmëroi organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, si dhe fushatë ndërgjegjësuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi që është i paraparë të organizohet këte vit. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve realizimi në praktikë i kësaj iniciative.

Një mirënjohje për Edi Ramën që u harrua dhe gafat e shtetit shqiptar  

Në Prill të vitit 2015 ,me rastin e Ditës së Ulqinit, me iniciativën e kryetarit të atëherëshëm të kësaj komune, u shpallën ” Qytetar Nderi”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bashkë me zv. kryeministrin e atëherëshëm të Kosovës Hashim Thaçi.Ishte ky një shenjë respekti që vjen, jo vetëm Ulqini por edhe nga trevat e tjera shqiptare  në Mal të Zi për udhëheqësit shtetëror të dy vendeve të tyre kombëtare, Shqipërinë dhe Kosovën.Por tashmë kjo është një mirënjohje e harruar.

Kurse një vit më vonë , pra në 2016,kryetari i Kuvendit të atëherëshëm të Shqipërisë, z. Ilir Meta,me rastin e 13 Korrikut , ditës së shtetësisë së Malit të Zi , i dorëzoi kryeministrit malazez Millo Gjukanoviqit në Podgoricë dekoratën e Flamurit Kombëtar, nga presidenti Bujar Nishani, dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë !?. 

Sipas mendimit tim, kjo jo vetëm që ishte një veprim i gabuar i presidentit shqiptar, por njëkohësisht edhe një gjest i turpshëm i tij.

Zhgënjimi tjetër si dhe disa gafa të radhës erdhën me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën me 30 Gusht 2020, atëherë kur kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama mbështeti publikisht fushatën zgjedhore të Milo Gjukanoviqit dhe Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) ,çka ngjalli atëherë reagime të shumta në opinionin shqiptar.

Gjithashtu me rastin e atyre zgjedhjeve, ndërhyrjet e pabalancuara të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të qeverisë së 

tij, ndaj faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, u vlerësuan nga një pjesë e këtij faktori politik, si veprim i pamatur i cili nuk i shërbeu unitetit por ndikoj  dhe i kontriboj ndasive  të mëtejshme të elektoratit të atjeshëm shqiptar.

Kush do të jetë “kryeministri i shqiptarëve “ në katër vitet e ardhshme?

Shpeshëherë kryeministri i Shqipërisë quhet “kryeministri  i gjithë shqiptarëve”, sidomos nga shqiptarët që gjinden jashtë kufijëve të Shqipërisë londineze, sepse një kryeministër i tillë pritet të posedojë kualitetin e një lideri vizionar i cili çdo herë do të duhej të këqyrë interesin kombëtar e të gjithë shqiptarëve pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe gravitojnë ata.

Në zgjedhjet e 25 Prillit të cilës po i paraprinë një fushatë tepër tensionuese në mes rivalëve politik, Partia Socialiste (PS) me në krye Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë kërkon mandatin e tretë, të cilët garojnë kundër Partisë Demokratike (PD) nën drejtimin e Lulzim Bashës ,Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe disa parti të tjera të vogla.

A do ti besohet PS-së dhe Edi Ramës mandati i tretë apo PD-së me në krye Lulzim Bashën dhe aleatëve të tij politik, këte do t’a përcaktojnë qytetarët shqiptar me votën e tyre në këto zgjedhje.

Kurse për shqiptarët në Mal të Zi mendoj se është pak e rëndësishme se cila parti apo kualicion do të fitoi zgjedhjet e  25 Prillit Shqipëri. Por ata , pra shqiptarët në Mal të Zi, janë më shumë të interesuar që nga këto zgjedhje të dal  një qeveri dhe kryeministër i cili do të jetë i ndijeshëm ndaj nevojave dhe kërkesave të tyre, një qeveri dhe kryeministër i cili do t’i kushtojnë një vëmendje më serioze problemeve të tyre duke ushtruar të drejtën e vet kushtetuese në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të asaj  pjese  të popullit të vet që jetojnë jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë.

Shqiptarët në Mal të Zi të cilët vazhdimisht janë të rrezikuar dhe të kërcnuar  nga shpopulimi i trojeve të tyre etnike, tkurrja demografike , ç’kombëtarizimi dhe asimilimi , kanë nevojë më shumë se kurr për një qeveri dhe kryeministër  të ndërgjegjësuar kombëtar në Shtetin e tyre Amë.

blank

Vdekja e një UDBASHI – Nga XHAFER SHATRI

Sqarim: Ky shkrim është pjesë e një libri që do të botohet së shpejti, publikimi i të cilit është shtyrë për shkak të një vonese në marrjen e një dokumenti origjinal nga drejtësia belge për rrethanat e vrasjes së Enver Hadrit. Dokumenti ishte e domosdoshëm në respekt të lexuesit, për t’i dhënë një pamje të plotë të ngjarjeve, por dhe për të mos i krijuar hapësirë askujt për të vënë në pikëpyetje vërtetësinë e fakteve.

Fati ka tekat e veta. Një javë para se të më vinte dokumenti, mësova se protagonisti i këtij shkrimi, Sherif Bala, naçallniku i dikurshëm i UDB-së së Pejës kishte vdekur.

1. Një sqarim i domosdoshëm për një dosje të errët

Më 8 dhjetor 2009 një portal publikon shkrimin me titull: “Përballja me pasojat e ish-UDB-së dhe ish-Shikut në Kosovë“ dhe me nëntitull “Sherif Bala, ky udbash krenar!“

Shkrimi ishte permbledhje e një interviste me Sherif Balën dhe Asllan Sllamnikun, të cilët, në vitet 70-të e 80-të, ishin naçellnikë (kryeshefa) të UDB-së, sektori politik, në Pejë.

Tehu i sulmit të udbashve ishte drejtuar kundër Enver Hadrit, vrarë 30 vjet më parë, më 25 shkurt 1990, në Bruksel. Sherif Bala e akuzonte Enverin drejtpërdrejtë si spiun të UDB-së. Njohësit e dosjes Hadri e dijnë mirë se në dramën Enver Hadrit dhe në tragjedinë familjare të tij, prej fillimit e deri në fund, pra deri në ditën kur është vrarë, Sherif Bala kishte një rol aq të lig, dhe vetëm një sistem drejtësie i mirëfilltë do t’i shkonte deri në fund.

Siç e përmenda, krahas Enver Hadrit, Sherif Bala edhe mua më akuzonte si spiun të UDB-së. Ishte e rëndë, por jo e papritur nga Sherif Bala, me të cilin, për fatin tim të keq, jeta me kish përballur qysh fëmijë. Megjithatë sulmi i pabesë ndaj Enver Hadrit, ishte larg më i rëndë. Ishte jashtë çdo kodi moral. Organet e drejtësisë belge kishin konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë më urdhër të Millosheviqit, ndërsa ekzekutorët e tij diheshin më emër e mbiemër. Ata ishin koka e nëntokës serbe, që talentin e tyre prej vrasësish e kishin vënë në shërbim të shtetit serb. Këtë e kishte pohuar publikisht para medieve vetë organizatori i atentatit, Bozhidar Spasiq, aso kohe funksionar i lartë i UDB-së federale.

Ajo që më la pa frymë ishte pyetja pa përgjigje. Si është e mundur? Si mund të lejohet një udbash të përdhosë hapur në Kosovën e pasluftës njeriun që e kishte vrarë Serbia? Ky sulm i pabesë nuk mund te ishte “mirënjohja” e shqiptarëve ndaj Enver Hadrit, njeriut epitafi dhe thelbi i jetës së të cilit ishte

“Kosova është gjaku im që nuk falet”.

Udbashi i vjetër, po përdorte të kapurit e Kosovës së pasluftës, të përdhoste heronjtë e saj. Miku im Enver Hadri nuk ka nevojë për mbrojtje. Vepra e tij flet vetë. Por është detyra ime të sjell profilin e udbashit që ka terrorizuar breza të tërë në Kosovë. Kosova nuk mund të harrojë. Kurrë.

2. Portreti i çakallit të Serbisë

Kryepersonazhi i kësaj dosjeje quhet Sherif Bala, i lindur në katundin Lluga, komuna e Istogut. Ka jetuar në Pejë, por fushëveprimtaria e tij prej çakalli serb përfshin një territor shumë më të gjerë.

Filimisht ka qenë mësues, ndërkaq, më vonë ka filluar të punojë në UDB dhe, falë aftësive zhbiriluese shpejt ka arritur të bëhet kryeshef (naçellnik) i sektorit më delikat të UDB-së, sektorit politik, që mbulonte 4 komuna: Pejën, Istogun, Klinën dhe Deçanin. Sherif Bala ka qenë për një dhjetëvjeçar maja e pushtetit në këto territore. Njeriu që ka vrà dhe ka kthjellë. Person më një rrjet jashtëzakonisht të gjerë spiunësh të të gjitha kategorive, prej “akademikëve“, arsimtarëve, vejushave, bujqëve, kurvave deri edhe lypësve. Ishte i lindur për intriga. Gjatë viteve të apart’heidit, Sherif Bala është marrë aktivisht me fajde. Ka qenë dhe ka mbetur, deri vonë, fajdexhiu më i madh i Dukagjinit.

Ky person më ka dhënë mësim në shkollën fillore në Gurrakoc.

3. Motivet personale të udbashit serb si shtysë për hakmarrje të përgjakshme

Ky është një rrëfim i errët i dy gjenerateve krejt të ndryshme, rrugët e të cilave do të kryqohen shpejtë dhe keq.

Përparësitë e Sherif Balës ishin kolosale. Ai përfaqësonte njërin prej shteteve më të fuqishëm të Evropës, ndërkaq unë dhe gjenerata ime ishim një turmë endërrimtarësh që e kishte verbuar Ëndërra e Lirisë. Shumë prej nesh do ta paguajmë shtrenjtë këtë gjakim për Lirinë. Ndërkaq, Sherif Bala, më këlbaçët e tjerë ishte i kudopranishëm dhe i paguar rrastë që të na e ndalte hovin tonë rinor, të na i vriste ëndërrat dhe të na e vriste Idenë e Lirisë dhe gjakimin për të.

Aso kohe nuk e dija me çka e kisha nxitur apo merituar armiqësinë e tij patologjike ndaj meje, por, më vonë, duke i kaluar me detaje ngjarjet kam ardhur në përfundimin se kjo, veç fanatizmit të argatit serb dhe ligësisë së tij organike lidhet me dy momente fort të çuditshme, njëri krejt i rastit, ndërsa tjetri si një vëlim imi djaloshar:

a. Isha nxënës i klasës së katërt. Një ditë pranvere, vetë i treti, kthehesha prej shkolle në shtëpi. Ishim vonuar sepse kishim luajtur top në oborrin e shkollës.

Kur mbërritem të Mullini i Jovanit (para Jovanit, Mulliri ka qenë i Selman Shatrit, të cilin ia kishte marrë shteti), e pamë të dalë nga lisnaja e bregut të Jazit të Gogës, një shoqja jonë e shkollës, më duket dy vjet më e vjetër. Ishte një vajzë shumë e bukur, e një fshati afër Gurrakocit, e zhvilluar përtej moshës së saj, por, megjithatë fëmijë. Ishte skarrakuqë…

As sot nuk e di ç’dreqi më çoi, por, pas pak, u ktheva disa hapa prapa dhe shkova drejt vendit prej ku ajo doli. Çka të shoh, mësuesi, Sherif Bala, ishte ulur mbi një cung, këmishën e kishte të shpërthekuar. Më pa. Nuk dita çka t’i them pos: “a u lodhe shok Mësues?“

“Ik, more kopil, se hina për nevojë…“ Ishte zor më e nxanë ngusht Sherif Balën.

Shumë vjet më vonë, një bashkëfshatar imi, disa vjet më i moshuar se unë, ma ka konfirmuar, se e kishte parë me sytë e tij Sherif Balën, duke abuzuar me të njëjtën nxënëse. Ishte ky një krim i dyfishtë. Abuzim më fëmijë dhe abuzim më detyrën e shenjtë të mësuesit.

E di se asnjëri prej nesh kurrë nuk e kemi hapur këtë temë. Ashtu ishin kohët.

b. Në vitin 1965 isha nxënës në gjimnazin e Istogut. Një pjesë dërrmuese e lëndëve ishin në gjuhën serbe. Kjo më pati revoltuar dhe i pata shkruar disa trakte: Më zbuluan, më çuan në burg dhe më përjashtuan nga të gjitha shkollat në Jugosllavi. Ky përjashtim pati bërë zhurmë të madhe, sepse u bë në sallën e kinemasë në Istog, ku ishin të pranishëm të gjithë nxënësit e gjimnazit, profesorët komiteti… Ishte një spektakël i turpshëm politik, por ajo që i pati befasuar nxënësit, po sidomos komitetlinjtë ishte qëndrimi im krenar dhe përbuzës.

Pas rënies së Rankoviqit, gjërat ndryshuan dhe unë fitova të drejtën regjistrohem në gjimnazin e Pejës.

Disa muaj më parë kisha dalë nga burgu, ku, ani se i mitur më kishte torturuar mizorisht, dy javë ditë rresht, Tomisllav Todoroviq për të më detyruar të nënshkruaj deklarata përmes të cilave mëtonte të arrestonte gjysmën e Tomocit.

Ani se fëmijë, nuk mujti me m’thy. Burgosja veç më kishte egërsuar edhe me shumë me UDB-në dhe çdo gjë që vinte prej saj.

Në këtë gjendje të acaruar, një ditë, në autobusin që na çonte në shkollë, në Pejë, e takova Sherif Balën, i cili tashmë punonte në UDB-ë.

Mu afrua më dhelpërinë e tij të njohur: “Ku je kushëri…, a dreqi që je ti, ani se fëmijë i kishe pa ditë punët ma mirë se na të tjerët…?“

Më acaroi shikimi i tij i lig dhe buzëqeshja e shtirë. “Shko, more në …, o udbashi i m…“ Kjo ishte tepër e papritur për të dhe u zbeh e u bë mejt. Autobusi ishte plot nxënës dhe e panë të gjithë çka ndodhi.

Nuk m’i harroi kurrë që e gjeta në lisnajë dhe që e kundërshtova në autobus. Mu ka hakmarrë gjithë jetën, duke përdorë organet e shtetit, krejt rrjetin e spiunëve, madje edhe familjen e tij me të gjitha lidhjet e saj.

Persekutimi im nga Sherif Bala nuk ka shëmbull. Kishte dhe ka në të diçka që i tajkalon larg përmasat e çdo realiteti. Ai, si i plotfuqishëm që ishte, siç e kam analizuar më vonë kur kisha moshën dhe përvojën e duhur, ka filluar të më përthekojë më veglat e tij në Gjimnaz. Të gjithë ishim gati fëmijë dhe në një vlug rinor e rrethana që kishte krijuar zgjërimi i autonomisë. Një panverë e harlisur djaloshare.

Flisnim krejt shlirë, i këndonim Enver Hoxhës, që ishte idoli ynë. Dhe këmbëngulnim në qëndrimet tona madje edhe staliniste, taman si të dehur. Më vonë, e besa edhe sot, shpeshherë më janë skuqur majat e veshëve nga marrja kur e kujtoja se unë përpiqesha ta bindë për ëndërrat e mia babain tim, një burrë që e maste fjalën 1000 herë, një burrë tepër i zgjuar e më i fortë se guri dhe Bacin Haxhi, që jam i sigurtë se ka qenë eruditi më i madh i Kosovës së asaj kohe. Na shikonin mua dhe moshatarët e mi në odë dhe më drejtoheshin kryesisht mua, sepse edhe këmbëngulja më së shumti:

Baba: Ruaju se merr n’thu sivjet e një Zot e din pas sa vitesh e then qafën!

Baci Haxhi: Në komunizëm funksionojnë mirë vetëm dy gjëra, propaganda dhe dajaku.

Asnjë fjalë më shumë, por si më i folë tavanit. A merr vesh tavani?

c. Siç e kam kuptuar shumë vonë hakmarrrja e Sherif Balës fillon mu në këtë kohë. Ishte koncentruar në rrethin e të rinjve që i takoja në gjimnazin e Istogut, dhe sidomos pasi shkuam kolektivisht në studime, në Prishtinë. Më vonë e kuptova se jo pak prej tyre i kishte futur në kurthin e tij. Shpërndante intriga, duke më akuzuar sidomos mua si spiun të Udb-së.

(Njërin prej këtyre viktimave (R…), e kam takuar pas Luftës në Istog. Pasi nuk ma ktheu përshendetjen, e pyeta a bon të më tregosh se çka të kam borxh?

Ai: Më ke edhe shumë bile!

Unë: A mund ta di, bre burrë sepse më dijen time kurrë gjë të keqe prej meje nuk ke pasë.

Ai: Po. Shkaku yt Sherif Bala ma ka shkatërru jetën, memzi i kam krye studimet nga stresi i presionit të tij… M’ka shti me të përcjellë se çka po bon, me kë po rri, çka po flet… krejt çdo gjë për ty. Bile edhe çfarë ushqimi po merr në mensën e studentëve dhe me kë po ulesh në tavolinë. Për çdo javë më është dashur të bëjë raport për ty…

Pasi je burgos detyra ime ka qenë me propagandu kundër teje, kudo që të shkoja.

Dhe nuk kam qenë i vetmi.

Unë: Sa keni qenë që është dashur të bëni raporte?

Ai: Jo pak prej atyre që ishim të Istogut…

Unë: Në rregull, po çka kam unë në këtë mes? Nuk ju kam persekutuar unë, por Sherif Bala.

Ai: Po, veç kjo ishte për shkakun tënd!

E pashë se nuk i hynte n’kry, sepse ende ishte i traumatizuar. I fola më konkretisht:

A të kam propozuar ndonjëherë më të organizuar në veprimtari ilegale?

Ai: Jo.

Unë: A kam nënshkruar çfarëdo deklarate ku të kem përmendur emrin tënd, apo të cilitdo qoftë të atyre që kanë pësu si ti?

Ai: Jo.

Unë: A të kam folur ndonjëherë ty kundër shtetit?

Ai: Jo mua, por të gjithëve që ishim në konvikt. Nuk ia ke çkoçë kurrë.

Unë: Në rregull, por ty personalisht dhe vetëm për vetëm?

Ai: Jo, asnjëherë.

Une: E atëherë? Si guxon të më akuzosh mua pse Sherif Bala të ka angazhuar, jam i sigurt pa asnjë shpërblim, të punosh për të. Ti ke qenë punëtor i Sherifit e jo i Xhaferit… Bile bile ti më paske dëmtuar, më paske spiunuar, paske intriguar kundër meje deri sot. Dhe ke fytyrë të më akuzosh. Pse nuk shkon të ankohesh të Sherif Bala që të ka bërë telef?

E lash duke folur vetëmëvete. Në fakt ora e tij ishte ndalur në vitin e kahershëm 1974.

Duhet theksuar se burimi kryesor i intrigave të Sherif Balës në rrethin e gjimnazistëve të Istogut e pastaj edhe kur në shkuam në studime, padyshim ka qenë kunata e tij, përndryshe shoqe e klasës. Gjatë kohës së studimeve deri te arrestimi, por edhe më vonë sa isha në burg e madje edhe në mërgim kam dëgjuar detaje të tmershme nga bashkëmoshatarë që e kishin deshifruar më kohë sjelljen dhe gjuhën e saj prej nëperke.

ç. Pas burgimit të dytë, ku ndejta 9 muaj (1968, 1969), Sherif Bala kishte arritur ta bëjë spiun aktiv, njërin prej shokëve të mi më të mirë të djalërisë, IB.

Falë këtij, Sherif Bala disa vjet më vonë arrijti ta zbulojë Grupin Revolucionar dhe t’i fusë në dorë organin e tij “Zëri i Kosovës“ dhe sidomos një punim teorik “Udhëzimë për konsipracion“.

Më pati paralajmëruar, përmes Babës, një kushëriri i IB, por për mua kjo ishte e pa imagjinueshme. Megjithatë falë edhe këtij paralajmërimi e hetova rolin e pistë të IB në momentin e fundit dhe kjo më ndihmoi që Sherif Balës t’ia luaj një lojë që i ka kushtuar më vonë me karrierë dhe ta shpëtoj 98% të efektivitit të Grupit Revolucionar.

Ky fakt më ka ndihmuar shumë edhe gjatë hetimeve, sepse e dija se IB nuk kishte guxim të dalë para meje më ia dhënë ‘ku lenë e ku praron”.

d. Sherif Bala duke ma njohur mirë karakterin, e dinte se nuk ka torturë që mund të më thyejë, prandaj përdori metodën e ngulfatjes së mëndafshtë.

Arrestoi pa asnjë faj djalin e axhës, Metën një mësues e student par excellence, vetëm pse në dhomën e tij ishin gjetur 2 revista letrare “Nëntori“, të cilat i kishte marrë në bibliotekën universitare për të përgatitur provimet në fakultet dhe një fletore më poezi të Agollit, Kadaresë etj., që asokohe botoheshin legalisht në Kosovë.

Më shantazhonte: fol ti dhe unë e lëshoj Meten menjëherë. Në këtë shantazh ai ka shkuar aq larg, saqë ka kërkuar nga Meta që ky të kërkojë orgazimin e një mbledhjeje të krejt familjes tonë në zyrën e tij: Meta, babai im, axha dhe djali i axhës Malushi dhe ata bashkë të bëjnë presion mbi mua që t’i zbuloj lidhjet.

Këtë ide diabolike, Meta ia ka hedhur poshtë mënjëherë, prandaj është dënuar dhe i ka mbajtur 2 vjet burg, pa pasur pikën e fajit.

dh. Mua më merrte në pyetje Mehmet Hasku, një udbash i regjur dhe shumë inteligjent. Qarku i hetimeve ishte krejt i mbyllur, unë nuk pranoja asgjë madje as ato që IB ua kishte referuar gjerësisht, por, për ta çuar lojën deri në fund, as nuk ua mohoja kategorikisht, sepse dëshiroja të krijohet përshtypja se ne që ishim në burg, i kishim bërë të gjitha vetë. Qëllimi ishte që shokët jashtë të kenë mundësi të riorganizohen pa ndonjë thyerje të madhe.

Procesverbalet e mia, të cilat SHIKU-u i pas luftës, i ka kërkuar më pishë nëpër arkivat e Gjykatave, kanë qenë bosh. Aty kanë mundur të lexojnë vetëm një rresht: “Nuk jam fajtor, nuk kam haber për gjërat për të cilat po më akuzoni.“

Ndihesha tepër komod, sepse e dija se Mehmet Hajrizin, Rexhep Malën dhe Liqenin, nuk do të mund t’i ndalte as vdekja. Dhe falë punës së tyre dhe të të tjerëve, Grupi Revolucionar është organizata e vetme ilegale e Pasluftës së Dytë Botërore që nuk e ndali aktivitetin e saj mbi 20 vjet rresht. Ajo shumë shpejtë, realisht për nga ndikimi, u bë forca e dytë politike në Kosovë, kundërshtarja më e rrezikshme e Lidhjes Komuniste. Grupi Revolucionar, më vonë i njohur si OMLK, arrijti të nxjerrë gazetë të mirëfilltë më emrin “Liria“. Më këtë e kanë zëvendësuar “Zërin e Kosovës“, për të mos e ngarkuar gjendjen tonë që ishim në burg.

Sa herë shpërndaheshin traktet jashtë, Sherif Bala më thërriste në zyrën e tij dhe vazhdonte më ato tiradat e mërzitshme. Ndihesha tepër mirë kur e shihja se sa në siklet ishte.

Njëherë, kishte dalë krejt prej kontrollit. Ekspertët i kishin thënë se një trakt që ishte shpërndarë pas arrestimit tim kishte vulën e sintaksës dhe stilit tim. Ma përplasi në tavolinë më tërbim: “Kjo është vepër e jotja!“

Më zbaviste: “Nëse unë prej burgut po mundkam të nxjerrë dhe të shpërndaj trakte gjithandej Kosovës, atëherë më paskit arrestuar kot…, e besa edhe ti po e merrke rrogën badihava…“

Ai: “Jo, jo! Këtë trakt ti e ke shkru para se më ra në burg dhe e kanë shpërnda shokët e tu. E ke lënë venë dhe tash ajo është bërë zog.“

Një herë e mbaj mend të më merrte në pyetje i dehur. Kënaqesha duke e parë ashtu të pafuqishëm, naçallnikun e UDB-së së Pejës. Atë natë më mbajti deri në orën 5 të mëngjesit. E kishte humbur torruan. Në një moment më tha:

“Shiptari është si kr…, nëse e lëmon çohet, nëse i bie ulet…“

Unë: “Paske respekt për shqiptarët…“

Sh. B.: “Nga përvoja po ta them… Ne, Jugosllavia, jemi të fuqishëm, në jemi të pathyeshëm…, me ne nuk mund të luajë askush… “

h. Një ditë më çuan në UDB-ë. U çudita, sepse zakonisht më çonin natën. Më çuan në zyrën e Sherif Balës. Babai im kishte qenë aty. Ishte lodhë e plakë për disa vjet. U përshendetëm e u pyetëm. Nuk dija se a është një kurth apo ceni sadist i Sherif Balës. Ma tha hapur: “Po mërzitem shumë për Metën.“ (Meta djali i axhës, ishte rritë jetim, babai im ishte përpjekur më zemër t’ia zëvendësonte Metës dhe vëllezërve e motrave të tij disi babain që ua kishte grabitur vdekja në moshë të re).

“E di, i thashë. Qe, besa, o Babë, Meta ka faj në këto punë aq sa ka faj nana Ajshe (gjyshja jonë).

Ky, që e kemi përballë, po e mban për të më thy mu, në mënyrë që ta mbushi burgun me njërëz të pafajshëm. E kjo nuk ka për të ndodhë kurrë.“

Baba: “Ma hoqe një barrë të madhe. Për mu nuk është më rëndësi kur vjen ti, por qysh vjen.“

blank

Deklaratat për kufijtë e Shqipërisë në takimin e 5 prillit mes ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë e Qipros dhe diplomacia jonë e përgjumur – Nga SHABAN MURATI

Askush nuk kishte menduar se dosjet e kryeministrit të Greqisë, Elefteros Venizellos, dhe kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiç, që nënshkruan Traktatin e Aleancës midis dy shteteve në qershor të vitin 1913 për të ndarë midis tyre territoret shqiptare, do të shërbenin si hartë diplomatike për takimin e parë të ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë dhe Qipros, të cilët përuruan aleancën e re trepalëshe në datën 5 prill në Beograd.

Një nga çështjet me të cilat u mor kjo aleancë e re e Serbisë me dy shtetet greke, ishin kufijtë e Shqipërisë. Agjencia zyrtare serbe e lajmeve “Tanjug” njoftonte në 5 prill se ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç, deklaroi në bisedime se “Serbia ka mbështetur Greqinë në lidhje me një marrëveshje me Shqipërinë për delimitimin e kufijve midis dy vendeve”.

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve e falenderoi publikisht ministrin e jashtëm serb për mbështetjen në çeshtjen e kufijve me Shqipërinë, dhe e numëroi midis rezultateve të suksesshme të takimit trepalësh të Beogradit. Kjo shenjë diplomatike është e mjaftueshme për të kuptuar se Greqia dhe Serbia i kanë bërë objekt bisedimesh mes tyre kufijtë e Shqipërisë.

Shqetësimi i parë që ngrihet është se ç‘punë ka Serbia dhe Greqia të diskutojnë për kufijtë e Shqipërisë. Me çfarë tagri ministri i jashtëm serb del dhe flet nga pozitat e arbitrit për kufijtë e një shteti të tretë në Ballkan sikur Beogradi ka monopolin e certifikimit të kufijve midis shteteve të rajonit.

Deklarata e ministrit të jashtëm serb për kufijtë e Shqipërisë hap shumë dyshime dhe pikëpyetje si për aleancën e re trepalëshe, ashtu dhe për intrigat e reja gjeopolitike me baza fetare, që po luhen në rajon nga shtete historikisht jo miqësore me shqiptarët dhe me kombin shqiptar. Serbia po noton në ujërat e turbullta të kohërave të errëta të luftërave ballkanike kur bashkë me Greqinë nuk njihnin pavarësinë e Shqipërisë, kishin pushtuar territore shqiptare dhe diskutonin mes tyre ku të vendosnin kufijtë e pronave të reja në këto territore.

Në një farë kuptimi kemi një afishim të ri të rrezikshëm të pretendimeve të diplomacisë serbe, e cila për herë të parë merr pozicion publik për të gjykuar zyrtarisht kufijtë dhe marrëveshjet për kufijtë mes shteteve të treta në rajon.

Nuk e dimë shkallën e njohjes së historisë së Ballkanit nga ministri i jashtëm serb, por atij nuk i falet të mos e dijë që në 30 korrik 1926 në Paris fuqitë e mëdha kanë nënshkruar “Aktin Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, akt të cilin e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar edhe qeveritë e Serbisë dhe të Greqisë. Çështja e kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe me Greqinë është mbyllur nga ai Traktat Ndërkombëtar, i cili ka anekset dhe konventat bashkëlidhur dhe të cilat janë depozituar në Lidhjen e Kombeve si të gjitha aktet dhe dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare.

Beogradi ka pranuar me firmën e qeverisë së tij jo vetëm kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Jugosllavinë, por edhe kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Greqinë.
Intriga bizantine nis që nga formulimi i ri i çështjes. Ministri i jashtëm serb përshëndet “delimitimin e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë”, pra përfshin ratifikimin e kufijve detarë dhe të kufijve tokësorë të Shqipërisë me Greqinë.

Zyrtarisht Greqia deri tani ka rivendikuar kufij të rij detarë me Shqipërinë dhe sipas burimeve të pakonfirmuara ka arritur t’i shkëpusë Tiranës një marrëveshje të fshehtë detare, të cilën qeveria greke dhe ajo shqiptare kërkojnë ta sanksionojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka autoritetin që me pëlqimin e dy palëve të vizatojë kufij të rij detarë dhe të zhbëjë vlefshmërinë historike të “Aktit Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”.

Për njohësit e vjetër të marrëdhënieve ballkanike, shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, është e qartë se Serbia nuk e ngriti kot çështjen e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë, si çështje që shkon përtej kufijve detarë. Qeverisë së përgjumur shqiptare dhe diplomacisë së përgjumur shqiptare nuk i kujtohet se në selinë e kryeministrisë së Shqipërisë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në 27 prill 2009, kryeministri grek K. Karamanlis lëshoi publikisht sfidën e ratifikimit të kufijve tokësorë me deklaratën: “Fryma konstruktive na lejon të përmbyllim dhe të firmosim këtu në Tiranë një marrëveshje shumë të rëndësishme, përvijimin e vijës kontinentale dhe zonës detare mes Greqisë dhe Shqipërisë”. (Libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”,Tiranë, 2018, fq.72)

Duke rihapur të ashtuquajturën çështje të kufijve të Shqipërisë, Serbia ka interesat e saj afatgjata. Serbia nuk është më as shtet fqinjë dhe as shtet kufitar me Shqipërinë. Por ajo ka objektivin e dobësimit strategjik të Shqipërisë dhe është e kuptueshme se çdo rrudhje territoriale e Shqipërisë në det apo në tokë është në funksion të dobësimit strategjik të kombit shqiptar.

Mendoj se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të marrin në shqyrtim këto situata negative, që po krijohen rreth kufijve edhe rreth integritetit territorial të Shqipërisë. Në Beograd sapo u legalizua një aleancë e re e tre shteteve, që nuk e njohin Kosovën, dhe që nuk pranojnë rol të faktorit shqiptar në Ballkan. Strategjia e aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke është rrethimi dhe neutralizimi i faktorit shqiptar në Ballkan. Kemi Serbinë, që rivendikon territoret shqiptare të Kosovës dhe lufton ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, dhe kemi Greqinë, që rivendikon hapësirat detare shqiptare dhe hapësirat tokësore të Shqipërisë së Jugut.

Është pak të quhet e habitshme aleanca e tre shteteve, që nuk njohin Kosovën dhe të cilat konfirmuan në Beograd se një nga boshtet e kësaj aleance të re është pikërisht mosnjohja e Kosovës. Për fanatizmin filoserb të demonstruar nga Qipro për mosnjohjen e Kosovës, presidenti serb Vuçiç i akordoi ministrit të jashtëm qipriot një dekoratë të lartë shtetërore serbe. Në ceremoninë e marrjes së dekoratës serbe ministri i jashtëm qipriot theksoi se një nga motivet dhe bazat e aleancës së re të tre shteteve janë lidhjet e tyre historike fetare të ortodoksisë.

Aksi ortodoks i aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke nuk premton asgjë të mirë për mbarëvajtjen e rajonit dhe as për procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Përtej pyetjes së logjikshme se ç’punë ka Qipro me Ballkanin Perëndimor dhe ç’punë ka Serbia me Mesdheun Lindor, këtu lind dyshimi i madh se pse duhej të krijohej kjo aleancë e re e tre shteteve ortodokse.

Që pas agresionit rus në Ukrainë Ballkani është përmbytur nga aleanca e grupime të shteteve ortodokse njeri pas tjetrit. U krijua aleanca katërpalëshe e Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. U krijua aleanca trepalëshe e Serbisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua aleanca trepalëshe e Greqisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua tani në 5 prill aleanca trepalëshe e Serbisë me Greqinë dhe me Qipron. Ministri i jashtëm grek njoftoi në 5 prill në Beograd se Greqia do të organizojë së shpejti një grupim të ri shtetesh Greqi-Serbi-Maqedoni e Veriut.

Është një fenomen diplomatik dhe shtetëror i habitshëm, që nuk mund të mendohet pa një sponsorizim të fuqishëm të nëndheshëm të diplomacisë ruse dhe të kishës ortodokse ruse. Rusia është e interesuar strategjikisht që shtetet ortodokse të Ballkanit të integrohen në ortodoksizëm politik dhe jo në integrimin euroatlantik. Rusia ka interes strategjik që me këto grupime treshe apo katërshe shtetesh ortodokse Ballkani të fragmentarizohet dhe të devijojë nga orientimi strategjik i integrimit euroatlantik.
Ballkani po bëhet terreni i zbatimit të një gjeopolitike të rafinuar ortodokse ruse.

Udhëheqësit serbë, grekë qipriotë, etj. flasin hapur se në themel të këtyre aleancave janë lidhjet e tyre historike ortodokse. Ortodoksizmi politik dhe diplomatik shërben si motor i veprimit diplomatik dhe gjeopolitik të tyre. Ministria e Mbrojtjes e Greqisë në një dokument të saj në vitin 2017 lidhur me marrëdhëniet strategjike midis Greqisë dhe Serbisë deklaron se “Si shtesë të rrugës sonë të përbashkët ortodokse dy shtete tona Serbia dhe Greqia kanë edhe rrugën e përbashkët europiane”.

Pra në prioritetet strategjike zyrtare greke integrimi europian vjen pas integrimit ortodoks. Kemi një prirje diplomatike dhe gjeopolitike, që shkon në kah të kundërt me objektivat e integrimit euroatlantik të Ballkanit. Kemi hallka të reja të kordonit sanitar gjeopolitik ortodoks, që ka si instrument gjeopolitik aleancat e shteteve ortodokse në rajon. Boshtin fetar gjeopolitik ortodoks e vërteton fakti që në asnjë nga këto grupime të panumërta shtetesh ortodokse në Ballkan nuk janë ftuar asnjëherë të marrin pjesë shtete të NATO-s të rajonit si Kroacia, Shqipëria dhe Turqia.

Aleanca e re trepalëshe e Serbisë me dy shtetet greke është vazhdim i aleancës së ngushtë strategjike që Serbia dhe Greqia kanë vendosur me njëra-tjetrën. Në 11 dhjetor të vitit 2019 presidenti i Serbisë Vuçiç dhe kryeministri i Greqisë Micotaqis nënshkruan në Athinë “Deklaratën e Partneritetit Strategjik midis Serbisë dhe Greqisë”, e cila është praktikisht një traktat bashkëpunimi strategjik midis dy shteteve. Duhet theksuar se Greqia është shteti i tretë, që nënshkruan Traktat Strategjik me Serbinë, pas Kinës që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2009 dhe pas Rusisë, që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2013.

Nuk dihet nëse Greqia ka konsultuar NATO-n në lidhje me nënshkrimin e “Traktatit të Partneritetit Strategjik” me Serbinë, e cila është një shtet i lidhur ushtarakisht me Rusinë, që ka bazë ushtarake ruse në territorin e saj, që bën stërvitje të rregullta ushtarake me trupat ruse dhe që armatoset rregullisht me armë të sofistikuara ruse kundër shteteve të NATO-s si Kroacia dhe Shqipëria.

Nuk ka informacion nëse Greqia është konsultuar me NATO-n për vendosjen e bashkëpunimit ushtarak trepalësh si një nga drejtimet bazë të veprimit dhe të bashkëpunimit të aleancës së re Greqi-Serbi-Qipro. Këtë drejtim ushtarak e pohoi edhe ministri i jashtëm grek Dendias në konferencën e shtypit pas bisedimeve me dyer të mbyllura të tre ministrave të jashtëm.

Portali “vsimag.com” në 7 prill, me titullin “Një dimension i paeksploruar aktual në konsolidimin gjeopolitik ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Serbisë”, shkruante se “Këto përpjekje mund të kombinohen për të krijuar një strukturë të bashkëpunimit ushtarako-industrial midis Greqisë, Serbisë dhe Qipros, e cila mund të shërbejë si bazë për një qasje më të gjerë gjeopolitike”.

Nuk ka informacion nëse qeveria apo MPJ në Shqipëri kanë reaguar për këto zhvillime negative për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, sepse çdo aks i ri diplomatik dhe strategjik ortodoks në Ballkan, me tre apo katër shtete ortodokse, tehun e tij gjeopolitik dhe afatgjatë e ka në radhë të parë kundër interesave jetike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Demagogjisë së projektit serb të “mini Shengenit” i doli kallaji shpejt dhe shpresoj se dashuria infantile e Tiranës për atë projekt serb të jetë ftohur. Serbia dhe Greqia as kanë bërë dhe as nuk do të bëjnë kurrë aleanca të sinqerta shtetërore me Shqipërinë dhe me shqiptarët.

Aleancat shtetërore, diplomatike, gjeopolitike dhe strategjike ata i ndërtojnë me shtetet ortodokse. Le të shpresojmë se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do t’i forcojnë mirë frenat e historisë për të mos rënë në greminën e 1913, kur aleancat dhe traktatet e Serbisë me Greqinë gjymtuan trungun e atdheut dhe të kombit tonë.
Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të rrinë duarkryq përpara këtyre zhvillimeve negative rajonale.

Shqipëria duhet të ndërmarrë lëvizje dhe nisma adeguate diplomatike përballë kordonit sanitar gjeopolitik të shteteve ortodokse. Shqipëria mund dhe duhet të punojë për një nismë diplomatike të organizimit të grupimeve trepalëshe Shqipëri-Kroaci-Kosovë, si dhe Shqipëri-Kosovë-Turqi. Nuk thonë kot që diplomacia duhet të flerë me sytë hapur.

blank

Zoti President i Republikës, Gëzim Peshkëpisë duhet t’i ktheni përgjigje! – Nga Elida Buçpapaj –

Facebook-u më kujtoi një statusin tim të botuar më 15 prill 2013.

Pragfushata e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Deri atëherë LSI kishte bashkëqeverisur me PD.

Por pikërisht më 1 prill, në ditën e rrenave, Ilir Meta u divorcua me Berishën dhe bashkë me Edi Ramën nënshkruan marrëveshjen e turpit për të hyrë në Aleancë bashkëqeverisëse.

Të mos harrojmë se në janarin e 2011 Edi Rama me në krye Tom Doshin udhëhoqi protestatat e 21 janarit që shkaktuan 4 viktima dhe që kishin si casus belli Ilir Metën.

Në respekt të koherencës sime si gazetare po e sjell statusin e 15 prillit 2013 jo në mënyrë integrale: “Ilir Meta thotë se duhet rotacion, që shqip do të thotë që ai nuk duhet të rikthehet në qeverisje! Sepse Sali Berisha nuk mund ta çbëjë çiftëzimin katërvjeçar që pati me Ilir Metën. Sali Berishës i duhet të paguajë për gabimet e tij. Ndërsa PS po çiftëzohet aktualisht me bishtdredhësin që e kishte dëbuar si të padenjë nga shtëpia! Kjo vetëm demokraci nuk është! Në këto kushte, një pol i tretë i kishte fituar zgjedhjet e 23 qershorit.”

Kanë kaluar 8 vjet e në Shqipëri nuk ka as pol të tretë, se LSI shkon si patericë herë me PD e herë me PS. Në Shqipëri nuk kemi ende as Vjosë, as Donikë dhe as Albin.

Jemi përsëri në muajin prill, pas tetë vjetësh dhe Shqipëria ka 30 vjet në një gjendje stanjacioni. A kanë sy kryepolitikanët shqiptarë për të parë gërmadhën e shtetit dhe eleminimin e sistemit demokratik përmes akrobacive të tyre për pushtet!

Nuk jam gjykatëse dhe shkruaj nga pozitat e një gazetareje që ka ndjekur prej tri dekadash zhvillimet politike shqiptare, jam dëshmitare e papërgjegjshmërisë të klasës politike, e cila hyri në politikë me plaçkat e trupit si i gjithë populli dhe, tre dekada më vonë, e ka lënë popullin të zhveshur e të rreckosur dhe shtetin shqiptar të shpartalluar me themel, me kryerrëmimtarin sulltanin Edi Rama, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare, çka e bën të detyrueshëm rotacionin.

Presidenti Ilir Meta në kontakt me mediat denoncon diktaturën e sulltanit me shallvare e atlete dhe bën apel në mënyrë implicite për rotacion!

Sot Ilir Meta në prillin e 2021 kërkon rotacion për të hequr Edi Ramën .

Rotacion për të bashkëqeverisur me Edi Ramën kërkonte Ilir Meta në prillin e 2013.

Po cilin Ilir Meta të besojmë?

Ndërkohë që Shqipëria duhet të ndryshojë.

Ndryshim o sot o kurrë që do të thotë largimi i Edi Ramës është imperativ për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një nga figurat më emblematike të elitës së pavarur shqiptare, diplomati dhe studiuesi i shquar Shaban Murati ka kohë që ka vënë alarmin se në Shqipëri “po glorifikohen anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Sekretarët e Parë të Partisë së Punës nëpër rrethe, kryetarët e degëve të punëve të brendshme, gjeneralët e ushtrisë së atëhershme, kryeministrat dhe ministrat e qeverisë komuniste, shumë rrugë mbajnë emrat e tyre, madje disave u kanë ngritur edhe buste dhe fëmijtë e tyre janë bërë sot ministra si baballarët. Dhe që ikonografia të jetë sa më autentike: kushurijtë e Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Sulo Gradecit, etj. janë sot gurutë e partive kryesore politike shqiptare.”

Në këtë situatë dramatike, kur kryeministri ka kapur çdo qelizë të shtetit, Presidenti i Republikës është përpjekur që të mbajë qendrime konform kushtetutshmërisë. Ilir Meta po ashtu ka kundërshtuar korrigjimin e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në Kodin zgjedhor në prill të vitit 2008 nga Sali Berisha dhe Edi Rama që i vunë minat votës të lirë, parimit check and balance duke institucionalizuar klientelizmin dhe Njëshin ose kultin e individit përmes deputetëve të listave, që nga shërbëtorë të popullit janë kthyer në profiterë të paskrupuj dhe skllevër të kryetarëve të partive.

Dhe pikërisht në kulmin e fushatës zgjedhore, kur shqiptarëve u duhet mbushur mendja që votojnë për ndryshimin, Presidenti i Republikës Ilir Meta, që në publik i bën opozitë diktatorit Edi Rama, kryen një veprim që shkon plotësisht në favor të Edi Ramës! Presidenti Ilir Meta provokon gjithë shtresën e të përndjekurve politikë por edhe çdo shqiptar me ndërgjegje të pastër duke i dhënë dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Mehdi Bushatit, ish eksponent i Sigurimit të Shtetit, i denoncuar nga ish të burgosurit për egërsitë e tij gjatë diktaturës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gëzim Peshkëpisë, Antar i Bordit te Institutit studimit te krimeve te komunizmit, një monument i gjallë i vuajtjeve të regjimit totalitarist, që i ka provuar tmerret e diktaturës që fëmijë, i biri i Manush Peshkëpisë, i pushkatuar nga regjimi diktatorial, vetë i burgosur politik, i cili me një letër publike i drejtohet Presidentit të Republikës Ilir Meta duke i bërë apel që ta anullojë dekretin:

“Zoti President, Mora vesh per dhenien nga ana tuaj te dekorates se larte “Kaloresi i urdherit Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” kriminelit Mehdi Bushati.Turp ! Kete dekorate te larte te shtetit shqiptar e kam mbajtur me krenari e nderim me nje kornize ne studion time te varur ne mur ketu ne Gjermani. Them “e kam mbajtur” sepse nuk e mbaj me. Ate e hoqa dhe do ua kthej fizikisht ne çastin me te pare te mundshem. Te dy dekoratat jane ekuivalente, por ndryshimi qendron tek mbajtesit e tyre.Njera i akordohet nje familje te persekutuar keq nga regjimi komunist, ndersa tjetra nje persekutori sadist…Zoti President është në nderin tuaj ta anulloni këtë dekoratë. Bëjeni që mos t’jua mallkojnë Dorën me të cilën firmosët”.

Letra e Gëzim Peshkëpisë drejtuar Presidentit të Republikës është publikuar më 5 prill dhe deri tani ka mbetur pa përgjigje.

Poeti gjerman Heinrich Heine me rrënjë hebreje një shekull përpara se botën ta pushtonte terrori i kuq dhe terrori i zi shkruante: “Komunizmi zotëron një gjuhë të cilën çdo popull mund ta kuptojë – elementet e tij janë uria, zilia dhe vdekja.”

Edhe në dramën e tij “Almansor” shkruar më 1821, Heinrich Heine parashikoi në mënyrë profetike Holokaustin “Das war ein Vorspiel nur, dort wo man Bucher verbrennt man auch am Ende Menschen” që shqipërohet se “atje ku ata djegin libra, në fund të fundit do të djegin edhe njerëz ”.

Mbi njëqind vjet më vonë, në maj të 1933 në Opernplatz të Berlinit aktivistët e partisë naziste do të digjinin  mijra e mijra libra, duke përfshirë mdis tyre edhe veprat e Heinrich Heine-s, veprim mizor që  t’ju paraprinte krematoriumeve.

E solla Heinen si shembull për t’i kujtuar Presidentit të Republikës se Shqipëria është vendi që nuk e ka vënë ende shenjën e barazimit midis krimeve të nazizmit me krimet e komunizmit dhe nderimi me dekorata ish eksponentëve të sistemit totalitarist që u kanë shkaktuar dhimbje viktimave të diktaturës është antikushtetues për një sistem demokratik.

blank

QYTETARIA ËSHTË FITORE, FITORJA JO GJITHMONË ËSHTË QYTETARI – Nga HAMIT TAKA

 

Qytetaria është gjithmonë fitore, fitorja jo gjithmonë është qytetari. Të hysh në betejën elektorale me mjetet e metodat demokratike për të arritur fitoren është qytetari, ndërsa me ato antidemokratike nuk është qytetari; gjuha e qetë në fushatën zgjedhore është qytetari, gjuha e ashpër nuk është qytetari; të argumentosh me fakte gabimet e mosarritjet e qeverisjes gjatë mëndatit qeverisës është qytetari, të shash opozitën çdo ditë nuk është qytetari; të pranosh ballafaqimin e dy liderëve të kampeve rivale, është qytetari, të mospranosh nuk është qytetari…

Mungesa e qytetarisë gjatë fushatës elektorale nervozon e nxit konflikte, kurse shpalosja e programeve me kulturë  e qytetari u jep kohën e qetësinë e duhur votuesve, për të njohur e krahasuar programet. Gjykimin dhe verdiktin e bën dhe e jep sovrani ditën e votimit në kutinë e votimit. Të shembësh me votë modelet e vjetra dhe të fitosh me votën e pastër të qytetarëve, është qytetari, se do të thotë të përqafosh shpresën.

Natyrshëm të gjitha subjektet politike në garën zgjedhore të 25 prillit, për qeverisjen e vendit katërvjeçarin e ardhshëm, synojnë fitoren. Problemi qëndron te mënyra dhe mjetet që përdoren për të arritur fitoren. Përvoja tridhjetëvjeçare ka treguar se shpesh metodave dhe mjeteve demokratike të ndërrimit të pushtetit ua kanë zënë vendin metodat jodemokratike, ku më tepër ka spikatur shitblerja e votës, frikësimi i votuesve për pushime nga puna ose joshja me punësime në administratën e ardhëshme e deri te metodat e dhunshme të frikësimit dhe kërcënimit. Këto janë metoda të pandershme dhe nuk kanë të bëjnë fare me qytetari, civilizim apo demokratizim të shoqërisë.

Çdo ditë flasim për kushtet jo normale të zgjedhjeve të 25 prillit nga shkaku i pandemisë akute dhe pasojave të saj. Të gjithë prisnim për këtë arsye një fushatë më të qetë, më të kontrolluar dhe më të ekuilibruar, por nuk ndodh ashtu. Dhe balanca prishet nga pozita dhe jo opozita. Eshtë vërtetë e habitshme të shikosh se si pozita, e cila ka të gjitha avantazhet, pasi ka qeverinë, administratën shtetërore, ka tërë pushtetin vendor dhe administratën lokale të fryrë si tollumbace muajt e fundit, ka median , për të mos thnënë edhe Komisionin Qëndror të zgjedhjeve dhe është aq agresive ndaj opozitës, e cila ka vetëm fjalën dhe një program të detajuar he shpresdhënës.

Sivjet kemi një fushatë zgjedhore ku spikasin ndryshimet skajore të dy shefave të dy kampeve. Zoti Rama, që e përfaqëson i vetëm pozitën, ndonëse duket më konform rregullave të pandemisë si përfaqësues i shtetit, është i pafre në sulmet, sharjet dhe fyerjet ndaj opozitës, shkurt me një gjuhë fare pa qytetari. Shefi i opozitës, zoti Basha, ndonëse duket inkorrekt me rregullat e pandemisë, me qëllim për t’i dhënë pak entusiazëm dhe optimizëm opozitës, paraqitet shumë i qetë, i përmbajtur dhe nuk sulmon asnjë kundërshtar politik personalisht, as vetë kreun e qeverisë, mbi të cilin bie pesha e keqqeverisjes atje ku ekziston.

Pushteti i sotëm politik rreket të ngurtësohet, në varësi të ekipeve të militantëve dhe mercenarëve, që në këtë vend na i la peshqesh diktatura 45-vjeçare, të cilët ndërrojnë padronët në varësi të interesave materiale të ofruara në tregun e këmbimit elektoral. Presioni i heshtur apo i hapur mbi shoqërinë civile, pafuqia dhe përkuljet që ajo pëson, po rëndojnë në formimin e komunitetit të gjerë të shqiptarëve bashkëkohorë, të emancipuar nga pikëpamja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë, qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë dhe të Europës. Një media e kontrolluar, një shoqëri civile, që po tkurret nën peshën e falangave partiake e pushtetare, të cilat fshijnë çdo gjë që u del para, duke u bërë patericë e pushtetit, i kundërvihet demokracisë e qytetarisë për zgjedhje të lira e të ndershme

Në një vend me tre milionë banorë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga pikëpamja e menaxhimit administrativ të territorit, për çdo demokraci të mirëfilltë, punët, arritjet progresive politike dhe ekonomike, do të kishin qenë krejtësisht të lehta për t’u përftuar, sikur drejtuesit politikë të këtij vendi, të kishin pasur formime (të ngulitura natyralisht) ideologjike e politike, liberale dhe demokratike, të zhveshura tërësisht nga tradita komuniste e dyfaqësisë së sjelljes e të mendimit, të veprimit dhe të komunikimit politik. Për fatin e keq, pjesa e emancipuar dhe e qytetarizuar e shoqërisë sonë, me formim të mirëfilltë europian dhe perëndimor, vazhdon ende të jetë e reduktuar në masë, e paarritur në cilësi, jo mbizotëruese në opinion dhe në vendimmarrje, nën peshën e rëndë të mbijetesës sociale dhe familjare. Kjo mungesë nuk mund të mbulohet më me mjegullën rozë të propagandës së shfrenuar të mazhorancës apo edhe të nxirjes së gjithë punëve të qeverisë.

Nëse nuk do të kemi edhe këtë herë zgjedhje të lira e të ndershme, Shqipëria jonë do të vazhdojë ngecjen në kënetën e vet të patharë postkomuniste, pa mundur dot të dalë në detin europian, pasi mbetet produkt i vizioneve të ndryshme që shoqëria jonë ka për të ardhmen e saj brenda gjirit të vet kaq heterogjen politiko-kulturor e social, produkt i konceptimeve krejt të kundërta mbi vendin real të Shqipërisë. Shqipëria, kështu siç është, pa u dekomunistizuar dha pa u dekriminalizuar, ka treguar në vazhdimësi se nuk ka forcë për t’u ndarë nga e keqja e saj.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend