VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bullgaria sërish në zgjedhje të parakohshme më 11 korrik

By | May 5, 2021
blank

Komentet

blank

Sofja kërkon nga Shkupi marrëveshje për identitetin maqedonas

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Isuf Kadriu

Bullgaria kërkon marrëveshje të re me Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga ajo për fqinjësi të mirë që ishte arritur në gusht të vitit 2017, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Risto Nikovski dhe Arsim Sinani, duke komentuar vizitën të enjten në Sofje, të kryeministrit, Zoran Zaev dhe takimet me kreun shtetëror bullgar.

Përveç angazhimit deklarativ apo nevojës për vazhdim të dialogut, në takimet e realizuara nuk u shënua asnjë përparim, madje presidenti bullgar theksoi nevojën për një marrëveshje të re, që sipas ish diplomatit Risto Nikovski, interpretohet si marrëveshje për zhbërjen e identitetit maqedonas.

Nikovski thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimet ishin të panevojshme, pasi që pozicionet e Bullgarisë, tani më janë të njohura për opinionin e gjerë.

“Kërkesa e presidentit Radev mbi nevojën e një marrëveshje të re, është diçka që ne vet po e kërkojmë dhe tani jemi në situatë të heqjes dorë nga marrëveshja e përkuljes, lutjes, të gjithë asaj që kërkon pala bullgare. Nuk ka asnjë dilemë për atë se çfarë kërkon Bullgaria nga ne dhe këtë e ka bërë të qartë në mënyrën më zyrtare të mundshme, në Qeveri dhe Parlament. Ajo kërkon që ne të pranojmë se deri në vitin 1945, nuk ka pasur maqedonas, se nuk ka pasur gjuhë maqedonase, apo se ne jemi ende bullgarë të fjetur, apo se kemi ndryshuar pak, por se pas Luftës së Dytë Botërore, kemi një identitet të ri me prejardhje bullgare”, thotë Nikovski.

Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje me Sofjen është e domosdoshme, ashtu siç ka thënë presidenti bullgar Rumen Radev. Sipas tij, pa një marrëveshje, zhbllokim të procesin integrues nuk mund të ketë.

“Nuk mendoj se Bullgaria do të lëshoj pe për arsye se kontesti, qartazi ka të bëjë me çështje historike, të identitetit, gjuhësore dhe kombëtare, si dhe nuk besoj se Bullgaria do të bëjë lëshime. Por pjesa e politikanëve të Maqedonisë së Veriut, nuk e kupton se duhet të bëjnë kompromis për shkak se ai do të ndihmonte në kapërcimin e situates, për të lëvizur drejt asaj që vendit t’i mundësohet vazhdimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thotë Sinani, duke shtuar se pala maqedonase duhet të pranoj të kaluarën historike, apo se ka më shumë lidhshmëri me Sofjen, por se largimi mes dy popujve, sipas tij, ndodhi pas vitit 1945, kur maqedonasit nisën të ndikohen nga fryma jugosllave për krijimin e një identiteti të ri.

“Situata është pak e ndërlikuar për shkak se nga viti 1945 e këndej në identitetin e maqedonasve të sotëm është investuar që ata të ikin nga identiteti i tyre i vërtetë i para vitit 1945, që realisht më i përafërt ka qenë me Bullgarinë. Dhe Maqedonisë së Veriut i duhet një kohë që të lirohet nga fryma jugosllave dhe të pranojë të kaluarën e vet, pasi në të kundërtën do të kemi probleme të cilat do ti paguajnë jo vetëm maqedonasit, por edhe qytetarët e tjerë që jetojnë në këtë vend”, thotë Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Kryeministri Zoran Zaev, tha se në takimin me drejtuesit e lartë bullgarë, ka dorëzuar një propozim për zhbllokimin e procesit negociues, por pa dhënë detaje se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se propozimi bazohet në atë të presidencës portugeze me BE-në, që siç është bërë e ditur, ka të bëjë me pranimin e palës maqedonase të modifikimit të çështjeve të identitetit pas vitit 1945, por pa saktësuar prejardhjen e maqedonasve apo të gjuhës së tyre para kësaj periudhe.

Ish diplomati Risto Nikovski, thotë se çfarëdo që të jetë propozimi i Zaevit, paraqet kapitullim para palës bullgare.

“Propozimet që i paraqet pala maqedonase, nuk janë gjë tjetër pos kapitullim, ashtu siç u bë me Greqinë, por shpresoj se këtë populli nuk do ta lejojë. Ne nuk duhet të ngutemi me datën e bisedimeve. Kjo më duket jo normale, pasi sikur edhe sot të nisim bisedimet, ato mund të zgjasin 15 apo 20 vjet, ndërkohë që ne po humbim gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë”, thotë ish diplomati Risto Nikovski.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e institucioneve, thotë se dialogu me palën bullgare do të vazhdojë dhe nëse jo në samitin evropian të 22 qershorit, atëherë deri në vjeshtë apo më së voni deri në fund të vitit, vendi do të arrijë ndonjë kompromis me Sofjen, për zhbllokimin e integrimit evropian.

blank

Shkarkohet ministri malazez që mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Ish-ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vlladimir Leposaviq (në mes).

RFE/RL

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma (17 qershor) një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pro shkarkimit të Leposaviqit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq. Kjo parti është në opozitë.
Çfarë thotë Rezoluta për Srebrenicën?

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty më 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë.

blank

Bullgaria nuk i jep shpresa Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

RFE/RL

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të enjten ka qëndruar në Bullgari në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Sofjen para samitit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi një hapë para dhe zgjidhja është e mundur”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve dhe thelbin e kontestit që ka të bëjë me identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike, kontestohen nga pala bullgare.

Kryeministri bullgar, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje mbi rrjedhën e bisedimeve dhe kushtet e palës bullgare për të hequr veton e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit evropian.

“Si fqinj, miq, popuj vëllezër, kemi nevojë për komunikim të shpeshtë dhe shkëmbim mendimesh. Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE. Delegacioni i Zaevit doli me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale në ditët në vijim”, ka deklaruar Janev duke mos dhënë asnjë shpresë për heqjen e vetos bullgare të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri maqedonas paraprakisht ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar “nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut”.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do të urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk do të realizohen projekte të rëndësishme në infrastrukturë”.

Kryeministri maqedonas ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend.

Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Qëndrimi lidhur me kornizën për negociatat për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshuar. Kuadri negociues duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë të vitit 2017, të cilat aktualisht nuk janë përmbushur. Prandaj, kushtet për të zhvilluar një Konferencë Ndërqeveritare nuk janë përmbushur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

blank

Kryediplomati kroat u kërkon 5 anëtarëve të BE-së ta njohin Kosovën: Do të stabilizohej rajoni

Kroacia po u kërkon anëtarëve të fundit të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, tha ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, raporton televizioni publik kroat, HRT, transmeton Gazeta Express.

Në vitin 2008, Kosova e shpalli pavarësinë, e njohur nga mbi 100 vende, përfshirë të gjithë anëtarët e BE-së përveç Qipros, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Sllovakisë.

 

Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE ta njohin Kosovën, sepse kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës, u tha Grlić Radman gazetarëve.

Sot, ai po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, ku do të diskutohet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Kryediplomati kroat tha se tri gjëra janë thelbësore për stabilitetin e rajonit: respektimi i integritetit territorial të shteteve, barazia kushtetuese e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe vendosja e besimit të ndërsjellë pas luftërave të viteve 1990.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet. Pa rivendosur kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa non-papers të famshëm që ishin drejtuar në atë drejtim”, tha Grlić Radman.

Ai beson se mirëbesimi mund të arrihet përmes bisedave të ndershme, zgjidhjes së fatit të të zhdukurve, ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe dhënies së drejtësisë për viktimat.

Duke folur për BeH, ai tha se vendi është bllokuar midis dy tendencave politike – centralizmit ose unitarizmit dhe separatizmit.

blank

Vuçiq: Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën më 22 qershor

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se Kuvendi i Serbisë, më 22 qershor, do të mbajë një seancë, në të cilën do të flitet “detajisht” për dialogun me Kosovën.

Vuçiq tha se në këtë seancë do të diskutohet për “çdo çështje me rëndësi për situatën në Kosovë” dhe se ai do t’i paraqesë planet dhe idetë e Serbisë.

Të martën, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e parë të tyre u shprehën vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa u arrit pajtim vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.

Vuçiq tha se pala kosovare ka shkuar në Bruksel “me dëshirën për ta detyruar delegacionin e Beogradit që t’i linte bisedimet”.

Ai tha se Serbia refuzoi njohjen e Kosovës, por edhe propozimin për deklaratën e paqes.

Vuçiq po ashtu tha se gjatë javës së ardhshme do të mbahen “disa takime të mëdha me serbët e Kosovës”.

Kurti, pas takimit me Vuçiqin, tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë do të jetë e vështirë, por shtoi se nuk është pesimist se një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Ai tha se marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë dhe të finalizohet sa më shpejt.

blank

E konfirmuar: Trupi i pajetë që u gjet në Ulqin është i ish-shefit të anti-drogës

Trupi i pajetë që u gjet dje në Ulqin është i ish-shefit shqiptar të anti-drogës, Rudolf Dofi Elezoviç. Autoritetet fqinje e konfirmojnë. Natën e kaluar, anëtarët e policisë kufitare gjetën trupin e pajetë të oficerit të policisë Rudolf Elezović në lumin Bojana, zhdukja e të cilit u raportua më 27 maj.

Institucioni i Policisë shpjegoi se prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë u informua për ngjarjen dhe urdhëroi që trupi të dërgohet për autopsi në mënyrë që të përcaktojë shkakun e vdekjes.

“Autopsia u krye dhe zbulimi drejtohet nga Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë,” njoftoi UP.

“Vijesti” njoftoi këtë mëngjes se policia e Ulqinit gjeti një trup të pajetë të dyshuar si i Elezoviq. I njëjti burim tha se shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia, por që tani për tani, gjithçka tregon për vetëvrasje.

Zhdukja e Elezoviç u raportua nga gruaja e tij Marina më 27 maj.

Elezoviç shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014, kur u zëvendësua nga Sead Djozovic. Më parë, ai gjithashtu ka punuar për disa vjet në pozita menaxheriale në OB Ulqin dhe më vonë ka mbajtur poste të përgjegjshme në sektorin e policisë kufitare.

blank

“Kosova për ne është si Jerusalemi për hebrenjtë”, fjalia e klerikut serb pak orë pas takimit me Lajçakun dhe Palmerin

Miroslav Lajcak dhe Matthew Palmer kanë takuar gjatë vizitës në Beograd edhe kreun e Kishës Ortodokse të Serbisë, patriarkun Porfirije. Lajcak ka treguar se me klerikun serb kanë diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për një takim të tillë me Porfirijen ka reaguar ashpër, doktori i shkencave politike, boshnjaku, Jasmin Mujanoviq, duke e cilësuar si një vendim të tmerrshëm, meqë sipas tij, nuk duhet që të faktorizohen drejtuesit e institucioneve fetare për çështje që ndërlidhen me politikë.

Pas këtij takimi ka folur edhe vetë patriarku serb, Porfirije, i cili ka thënë se për  serbët “Kosova është ajo çfarë Jerusalemi është për Izraelin.

“Për serbët, Kosova është çfarë është Jerusalemi për hebrenjtë dhe patriarkana e Pejës për Kishën Ortodokse është çfarë është Vatikani për Kishën Katolike”, ka thënë Porfirije, shkruan Novosti, raporton Gazeta Express.

Ai tutje ka thënë se Kosova, “Srpska Republika” dhe Mali i Zi janë të një rëndësie vitale për Serbinë, derisa ka drejtuar akuza drejt Prishtinës zyrtare se Kosova është e pa interesuar për dialog./GazetaExpress/

blank

“Vendim i tmerrshëm”, Mujanoviq kritikon ashpër Lajçakun e Palmerin

Jasmin Mujanoviq, doktor i shkencave politike, ka reaguar ndaj emisarit të BE’së, Miroslav Lajcak, dhe përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, për takimin që kanë zhvilluar të dy në Beograd me kreun e Kishës Otrodokse të Serbisë, patriarkun Porfirije, shkruan Gazeta Express.

Mujanoviq ka thënë se një vendim i tillë për të takuar Porfirijen është i tmerrshëm, meqë thotë se është gabim trashanik të promovohen institucionet fetare si faktorë politik.

“Ky është më të vërtetë një vendim i tmerrshëm nga të gjitha palët e përfshira. As BE-ja e as SHBA-ja nuk duhet të përfshihen në punë të promovimit të institucioneve fetare si aktorë politik. Një gjykim jashtëzakonisht i keq nga Lajcak dhe Palmer”, ka shkruar Mujanoviq.

blank

blank

Gjukanoviç: Serbia po sillet si në vitet ’90

Podgoricë

Sjellja e Serbisë ndaj Malit të Zi aktualisht të kujton sjelljen e këtij vendi ndaj vendeve tjera në rajon në fillim të viteve të 90-ta, nën petkun e rrëfimit mbi rrezikimin e serbëve, tha presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjukanoviç, pas një takimi me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komsiç dhe Shefik Gjaferoviç, duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me marrëdhëniet aktuale midis Serbisë dhe Malit të Zi, tha se qëndrimet e tij disa herë kanë hasur në keqkuptime në Beograd.

Gjukanoviç tha se, ndryshe nga shumë, ishte aktor edhe në politikën e viteve të 90-ta, e cila, siç deklaroi ai, tani përfaqëson një barrë për të nga njëra anë dhe një përvojë të vlefshme nga ana tjetër.

“Sjella e Serbisë ndaj Malit të Zi momentalisht pa rezistueshëm ngjason me sjelljen e saj ndaj vendeve të tjera në rajon në fillim të viteve të 90-ta, nën petkun e rrëfimit mbi rrezikimin e serbëve. Epilogun e dimë”, tha Gjukanoviç.

Ai tha se shpreson që “të paktën për pjesën tjetër të jetës sonë, nuk do të kemi mundësinë për të përsëritur gabime të tilla”.

“Kam frikë se do të përsëriten”, tha Gjukanoviç.

Ai tha se nuk kanë munguar dhe se nuk do të mungojnë sa herë që interesi i Malit të Zi është në rrezik.

Kur u pyet për Marrëveshjen themelore me Kishën Ortodokse Serbe, Gjukanoviç përsëriti se është e rëndësishme që ajo të nënshkruhet, por se është keq të mbahet në fshehtësi.

“Sigurisht, ne jemi të kujdesshëm dhe do të këmbëngulim që përmbajtja e saj të jetë në dispozicion të publikut përpara nënshkrimit”, tha Gjukanoviç.

blank

Qeveria serbe thotë se ka në fokus dialogun me Kosovën

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq me Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd.

 

RFE/RL

Qeveria e Serbisë e ka në fokus dialogun me Kosovën, por kërkon zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më parë.

Kështu është thënë në një komunikatë për media të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, pas takimit të kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe Zëvendësndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer.

Të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mirosllav Lajçak dhe Matthew Palmer, do të takohen me krerët më të lartë shtetërorë të Serbisë më 3 qershor në Beograd.

Në fokus të takimeve të tyre në Beograd, por edhe në Prishtinë, kanë qenë përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në muajin qershor në Bruksel, ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimeve, Lajçak dhe Palmer nuk do t’iu drejtohen mediave në ditën e parë të vizitës së tyre në Beograd, por informacionet dhe njoftimet u përcollën nga institucionet serbe.

Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Bërnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ne presim ta shohim atë nga pala tjetër, në mënyrë që dialogu të ketë kuptim. Njëra prej tyre është çështja e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje”, ka thënë Bërnabiq.

Sipas deklaratës, Palmer ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rolin e të dërguarit special Mirosllav Lajçak në këtë proces, si dhe ka vlerësuar “fokusin e Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në bisedimet me Prishtinën”.

Zyrtarin e lartë amerikan e ka pritur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i cili sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme ka thënë se “dialogu është rruga e vetme për të arritur një marrëveshje mes dy palëve”.

Sipas deklaratës, Selakoviq gjithashtu ka vënë në dukje se Marrëveshja e Uashingtonit shërben si plotësuese e veprimtarive të BE-së dhe se është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike është nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020 në Uashington, me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

“Selakoviq ka shprehur shqetësim edhe në lidhje me sulmet e shpeshta fizike ndaj objekteve të Kishës Ortodokse Serbe në periudhën e kaluar si dhe ka rikujtuar se manastiri i Deçanit është përfshirë në listën e shtatë monumenteve kulturore më të rrezikuara në Evropë nga organizata Europa Nostra”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Kurti ka thënë të mërkurën në Prishtinë se takimi në Bruksel “nuk është takim i vazhdimit te dialogut, por është takimi i parë që pritet ta kem me presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë”, pos në tryeza e konferenca.

“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

I pyetur nga gazetarët më 1 qershor për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka deklaruar ai.

Deklarimet rreth Asociacionit

Vuçiq ka thënë edhe se nuk pret që në takimin me kryeministrin e Kosovës, Kurti – i cili do të duhej të mbahej në qershor në Bruksel – t’i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ai (Kurti) thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve ose bashkëpunimi në fusha të tjera.

Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?

prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

blank

Ministri i Jashtëm grek viziton nesër Prishtinën, takim me krerët e shtetit, në fokus dhe dialogu Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, do të zhvillojë nesër një vizitë në Prishtinë, i shoqëruar nga zv.ministri i Jashtëm, Kostas Fragkogiani.

Mësohet se kryediplomati grek do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe zv.kryeministren, ministren e Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Gjatë takimeve do të diskutohet integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, dialogu Prishtinë-Beograd, si dhe bashkëpunimi energjitik.

blank

Në Stamboll arrestohet maqedonasi Boban Tomovski, krahu i djathtë i Sedat Pekerit

Mafiozi turk, Sedat Peker.

Isuf Kadriu

Në Aeroportin e Stambollit është arrestuar shtetasi maqedonas, Boban Tomovski, që konsiderohet si bashkëpunëtori i mafiozit të njohur turk, Sedat Peker, që ka trazuar Qeverinë turke, me pretendimet për përfshirjen e zyrtarëve të saj në korrupsion. Peker nuk ka ofruar dëshmi për akuzat e tij ndaj qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Mediat turke kanë raportuar se Tomovski ka jetuar si refugjat në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa është ndaluar teksa po tentonte të udhëtonte në Egjipt përmes territorit të Turqisë. Mediat pretendojnë për përfshirjen e tij në tregti me drogë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se është informuar për ndalimin e shtetasit, Boban Tomovski, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi procedurat e mëtejme.

Mafiozi turk, Sedat Peker ka trazuar edhe skenën politike në Maqedoninë e Veriut, pasi ishte pajisur me një pasaportë të rreme me identitetin Xhadin Amedovski.

Ai gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut ishte takuar me personalitete të ndryshme politike, ndërkohë që veprimtaria e tij ndërlidhet edhe me njoftimet e shoqëruara dhe me fotografi për furnizimin me armë të militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Sedat Peker më pas kishte qëndruar në Kosovë, ku kishte një leje të përkohshme qëndrimi. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, kishte bërë të ditur se Sedat Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh. Peker besohet se aktualisht gjendet në Dubai.


Send this to a friend