VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Brnabiç: Deklarata e Thaçit për marrjen e Preshevës, jo serioze

By | September 18, 2018

Komentet

Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ) fiton zgjedhjet në Kroaci

Zagreb

Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën dje në Kroaci i fitoi partia e qendrës së djathtë Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ), raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (DIP) njoftoi se janë numëruar 91 për qind e votave, duke theksuar se HDZ ka fituar 67 ulëse në Parlamentin kombëtar prej 151 vendesh.

Kryetari i përgjithshëm i HDZ-së, Andrej Plenkoviç falënderoi të gjithë ata që kanë votuar. “Faleminderit për fitoren e shkëlqyeshme. Njerëzit zgjodhën që Kroacia të ecë përpara. Periudha që kaluam ishte e vështirë por plot përvoja. Ndërsa periudha që vjen ka përgjegjësi të mëdha”, tha ai.

Ndërkohë në vendin e dytë me 41 ulëse të fituara është koalicioni “Restart” i përbërë nga Partia Social Demokrate (SDP), Partia Fshatare Kroate (HSS), Partia e Pensionistëve (HSU), Unioni Civil-Liberal (GLAS), Partia Demokratike Istra (IDS), Unioni Primorje-Goran (PGS) si dhe Partia e Lëvizjes Popullore dhe Civile (SNAGA).

Në zgjedhjet partia “Lëvizja Atdhetare” e këngëtarit Miroslav Skoro fitoi 16 ulëse, Lista e të pavarurve “Most” 8, Aleanca “Mozemo” 7, Partia që ka emër dhe mbiemër, Aleanca “Pametno” dhe Fokus nga 2 dhe Partia Kombëtare Kroate dhe Reformistët fituan nga një deputet.

Anëtarja më e ri e Bashkimit Evropian (BE), Kroacia, së fundmi zgjedhje parlamentare mbajti në vitin 2016, të cilat gjithashtu i kishte fituar koalicioni i udhëhequr nga HDZ-ja.

Visnjiç: “Ekipi i Prokurorisë që publikoi aktakuzën ndaj Thaçit përbëhet nga amerikanët”

Avokati serb Tomislav Visnjic, i cili sipas mediave serbe është marrë me rastet e krimeve në Tribunalin e Hagës, mbrëmë gjatë një emisioni në televizionin publik serb, duke komentuar aktakuzën ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ka thënë se krejt ekipi i Prokurorisë së Gjykatës Speciale përbëhet nga amerikanët.

Ai ka thënë po ashtu se publikimi i njoftimit nga Haga, pa u konfirmuar aktakuza, deri diku  është i pazakonshëm, sepse sipas tij hetimet dhe të gjitha dokumentet zyrtare janë sekrete dhe mund të publikohen vetëm kur aktakuza të konfirmohet.

Sipas Visnjic, Gjykata Speciale ka një rregull që bën përjashtim se kur mund të publikohen të dhëna nëse për këtë ka arsye potenciale. E këtë prokuroria e ka bërë me arsyetimin se Thaci e Veseli i kanë penguar hetimet, ka vlerësuar ai.

Visnjic ka thënë se ekipi i prokurorëve është kryesisht i përbërë nga amerikanët përfshirë edhe kryeprokurorin.

“Ai (kryeprokurori), ka provuar t’i mbledhë të gjithë amerikanët nga Tribunali (ICTY). Njëri nga ndihmësit ka udhëhequr hetimet ndaj Radovan Karaxhiqit. Shefi i ekipeve të prokurorisë është Alex Whiting, profesor nga Harvvardi dhe një kohë prokuror kryesor në rastin e Fatmir Limajt” ka thënë Visnjic.

Ky avokat serb po ashtu ka thënë se për këtë arsye kjo prokurori është e kualifikuar të ndërmarrë veprime të tilla.

“Është një ekip respektabil që shtyn fuqishëm përpara atë që e ka menduar. Kjo nuk është befasi. Historia e kohës (së shpalljes së aktakuzave), është mjaftë e pasur në rastet padive ndërkombëtare, neve kjo na ka ndodhur në dy raste. Aktakuza kundër Millosheviqit Shainoviqit, Ojdaniqit, Milutinoviqit dhe të tjerëve, ishte bërë publike me 25 maj 1999, gjatë ose pak para fillimit të bisedimeve paqësore për Kosovën, që përfunduan më 10 qershor” thekson ai.

Në një proces tjetër, thotë se me 25 korrik të vitit 1995 ishte publikuar aktakuza kundër Karaxhiqit dhe Mlladiqit, ndërsa në tetor të atij viti kishin filluar negociata në Dejton.

“Koha e publikimit definitivisht është e ndërlidhur me diçka që do të ndodhë në të ardhmen” ka thënë ky avokat duke komentuar zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale. Express

Vuçiçi nga Moska: Putini do të vizitojë Serbinë në tetor

Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Moskë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka konfirmuar se do të vizitojë Serbinë në muajin tetor për hapjen e Tempullit Shën Sava, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pas takimit me presidentin rus në Moskë, raporton agjencia e lajmeve, Tanjug.

Vuçiq është në një vizitë zyrtare në Moskë, gjatë së cilës ai do të marrë pjesë në një paradë ushtarake, të planifikuar më 24 qershor, për të shënuar 75-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore.

Vuçiq është cituar të ketë thënë se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Putinin për të gjitha çështjet kryesore politike, dhe mbi të gjitha për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në rajon dhe botë.

Sipas tij, ai ka marrë analiza të mira dhe këshilla të caktuara nga presidenti Putin.

“Unë pres forcimin e mëtejshëm të besimit dhe bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiq ka konfirmur se do të udhëtojë të enjten drejt Brukselit për të biseduar me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Më pas ai do të niset drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët e Kosovës, në një organizim të ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse janë të vërteta raportimet e disa mediave se presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë pjesë e takimit në Uashington, Vuçiq ka thënë se nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas tij Trump mund të jetë i pranishëm vetëm nëse arrihet një zgjidhje.

“Unë mendoj se Richard Grenell ka konfirmuar se bisedimet do të jenë për marrëdhëniet ekonomike”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk mendon që ka qenë rastësi fakti që zyrtarët amerikanë kanë mbështetur idenë e një “Mini-Shengen”, sepse, siç tha ai, ai sjell një jetë më të mirë në Ballkan.

Mini-Shengeni Ballkanik është iniciativë përmes së cilës synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal.

Përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë patën përkrahur këtë nismë, por jo edhe ata të Kosovës dhe Bosnjës. rel

Vuçiçi në Moskë këshillohet me presidentin rus para takimit Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus në Moskë, ku po qëndron po ashtu për të marrë pjesë në një parakalim me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas takimi kokë më kokë me presidentin Putin, presidenti serb tha se mori “këshilla dhe analiza të mira” gjatë bisedave për “rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.

“Putini është shumë i matur dhe i madh që të thotë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, po a mund të jap udhëzime në mënyrë të zgjuar? Nuk ka dyshim për këtë”, tha ai.

Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështes çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh.

Autoritetet në Kosovë presin që nisma amerikane për rifillimin e bisedimeve të çojë në njohjen e ndërsjellë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, që është kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Të enjten e kaluar ai tha pas një takimi në Beograd me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se do të refuzonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian nëse Beogradi nuk përfiton diç më shumë në këmbim të njohjes së Kosovës dhe heqjes së pengesave për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. zëri i amerikës

Partia e presidentit serb Vuçiç – fituese e zgjedhjeve në Serbi

Në Serbi, sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës, që janë të parat në Evropë që nga mbylljet e shkaktuara nga koronavirusi tre muaj më parë.

Komisioni i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve paraprake kjo parti ka fituar 63,35 për qind të votave. Në vendin e dytë është Partia Socialiste e Serbisë, me 10.67 për qind të votave. Ndërsa në vendin e tretë Aleanca Patriotike serbe e një ish lojtari të vaterpolos, Aleksandër Shapiç, i cili mori rreth 4 për qind të votave.

Presidenti serb shpalli fitoren e tij duke theksuar se ishte “jashtëzakonisht bindëse”.

Të dhënat ende të paplota flasin për një pjesëmarrje më të ultë të votuesve sesa në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2016.

Një pjesë e partive opozitare bojkotoi zgjedhjet duke vlerësuar se ato nuk mund të jenë të lira apo të drejta si rezultat i kontrollit të fortë të presidentit Aleksandër Vuçiç mbi median. Pas shpalljes së rezultateve paraprake ata thanë se presidenti Vuçiç e shkatërroi jetën politike në Serbi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (te fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo Kinës”.

Por, presidenti serb tha se “sonte kemi fituar besimin e madh të qytetarëve, më i madhi ndonjëherë në Serbi, në kushte kur pak besuan, dhe ne kemi marrë një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, tha ai, duke shprehu bindjen se përqindja e fitores do të jetë më e lartë pas numërimit të votave të hedhura në Kosovë, ku është votuar në komunat me shumicë serbe.

Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë dhe edhe kësaj radhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë grumbulloi votat për t’i dërguar në Serbi për numërim.

Votimet e serbëve të Kosovës nxitën debatet e zakonshme në raste të tilla ndërmjet pushtetit që thekson se kjo është një praktikë e zbatuar edhe në të kaluarën dhe një pjese të opozitës e cila thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe ishte shkelje mbi sovranitetin e Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.

Udhëheqësit e të dyja vendeve pritet të takohen të shtunën e javës tjetër në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet e paqes, Richard Grenell, ndërsa gjatë korrikut priten raunde të reja bisedimesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në përpjekje për të arritur një marrëveshje normalizimi që është kusht për proceset integruese për të dyja palët.

Analistët thonë se qeveria e re serbe do të përballet me trysninë në rritje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që shihet si thelbësore për qëndrueshmërinë rajonale.

Në zgjedhjet e se dielës për herë të parë pesë parti shqiptare nga Lugina e Preshevës, morën pjesë në një listë të përbashkët.

Sipas rezultateve paraprake Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe shpreson të ketë të paktën 3 vende në parlamentin serb. zëri i amerikës

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov arrin në Beograd

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka nisur të enjten vizitën e tij zyrtare në Beograd.

Ai është pritur rreth orës 10:45 në Aeroportin “Nikolla Tesla”, nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Menjëherë pas arritjes së tij, Lavrov, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe më pas është planifikuar një konferencë për media.

Në kuadër të vizitës së tij në Beograd, Lavrov është thënë se do të takohet edhe me ministrin Daçiq, si dhe me ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim midis qeverive të Serbisë dhe Rusisë në luftën kundër terrorizmit.

Vizita e Lavrovit në Beograd vjen dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe më pak se 12 orë para heshtjes parazgjedhore.

Një javë para vizitës së zyrtarit rus, përkatësisht më 12 qershor, ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se Kosova do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit gjatë kësaj vizite.

Duke folur për pritjet e kësaj vizite, Daçiq, ka thënë një ditë më parë se “Rusia do të mbështesë çdo zgjidhje që është në interes të Serbisë dhe atë që dëshiron Serbia”.

Gazetari dhe analisti i politikës së jashtme, Bosko Jakshiq, ka thënë se shkuarja e Lavrovit në Serbi ishte paralajmëruar para njoftimit të të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për negociata midis Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, për organizimin e një takimi në mes të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor, në Uashington.

Jakshiq beson se “Rusia ka arsye për t’u shqetësuar” dhe, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (RFE), ka vlerësuar se Moska me siguri “po monitoron me kujdes përshpejtimin e ngjarjeve rreth Kosovës dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara”.

“Afrimi i çdo zgjidhjeje mund të prishë konfliktin e ngrirë, dhe konflikti i ngrirë është në thelb në interesin më të madh të Rusisë – të mbetet si një levë e ndikimit të zgjatur, kryesisht mbi Serbinë”, ka thënë mes tjerash Jashkiq.

Intervista – Vuçiç: Po e pres propozimin për zgjidhjen e çështjes me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijoi hapësirë për dialogun me Kosovën. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes me Kosovën dhe është duke pritur propozimin.

Radio Evropa e Lirë: Le të fillojmë me ndodhinë e së shtunës. Qeveria e Kosovës hoqi masat kundër Serbisë. Si do të ndikojë kjo në dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandër Vuçiç: Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh.

Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të fillojë dialogu? Zoti (Mirosllav) Lajçak ka përmendur muajin qershor?

Aleksandër Vuçiç: Pas zgjedhjeve (në Serbi) unë pres vizitën e zotit Lajçak edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Pastaj, do të shohim se si do të vazhdojmë.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel. Si e kuptuat këtë mesazh?

Aleksandër Vuçiç: Ato janë punë të brendshme të tyre. Dikush dëshiron të thotë se duan të dëgjojnë vetëm amerikanët, jo evropianët dhe në anën tjetër kemi të tjerë të cilët thonë se janë të hapur për evropianët, kështu që të gjithë thonë gjëra të ndryshme. Dhe mos harroni, ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë nga ana e atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni rolin e Amerikës dhe atë të BE-së kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?

Aleksandër Vuçiç: Pa marrë parasysh se si e shoh unë apo çfarëdo që mendoj për të, do të pajtoheni se nuk është e logjikshme për mua të flas publikisht sepse është… ne jemi në rrugën evropiane dhe nga ana tjetër Amerika është fuqia më e madhe në botë, dhe tani ju prisni nga unë që të kundërshtoj njërën ose tjetrën. Ne jemi shumë të vegjël për të qenë në gjendje të bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi të drejtë ta vendosim Serbinë në një pozitë më të vështirë. As që e mendoj një gjë të tillë. Ne flasim me të gjithë. Për ne më të rëndësishëm janë gazetarët, jo ju, por shumë gazetarë që kanë folur me ne gjithmonë, kanë folur për çështje teknike –kur do të vijë data, kur do të flisni, por askush nuk flet për thelbin.

Ajo për të cilën unë bëj pyetje gjithmonë është “në rregull, nëse ju tërhiqeni nga dëshira juaj për t’u bashkuar në organizatat ndërkombëtare për 60 ditë, nuk ka problem, këtu jemi dhe ne do t’i japim fund fushatës të çnjohjeve për 60 ditë”. Nuk është problem, por është teknike. Pyetja ime ka të bëjë me thelbin. Cila është përmbajtja e dialogut? Për çfarë po flasim? Dhe çfarë do të vijë në fund të dialogut. Sepse, nëse është thjesht “ejani serbë dhe njihni pavarësinë e Kosovës, le ta përfundojmë këtë histori”, sigurisht që nuk do të shkojë në atë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për Kosovën, ju thoni që do të përpiqeni që Serbia të fitojë sa më shumë dhe të humbasë sa më pak të jetë e mundur.

Aleksandër Vuçiç: Më së paku që duhet.

Radio Evropa e Lirë: Më së paku që duhet. Çfarë shihni si zgjidhje?

Aleksandër Vuçiç: Unë nuk shoh asgjë sepse kur e kam parë, të gjithë më kanë thënë se çfarëdo që shoh është e keqe. Të gjithë ata që janë jashtë Ballkanit dhe nuk kanë asnjë lidhje me serbët dhe shqiptarët, do të ishte më e mirë të zgjidhnin problemin sesa ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në problem, pra serbët dhe shqiptarët. Kjo është sjellja e fuqive të mëdha për më shumë se 150 vjet në këto treva. Ata kanë interesin e tyre, ata kanë vendimet e veta dhe mendojnë se është e rëndësishme që qëllimet e tyre të respektohen, të përmbushen dhe nuk u intereson se çfarë mendojnë vërtetë serbët dhe shqiptarët. Kjo është arsyeja se kur isha në Kombet e Bashkuara dhe thash: “lërini popujt e Ballkanit të rregullojnë marrëdhëniet e tyre vet, dhe në të kaluarën do të kishte pasur shumë më pak gjak dhe shumë më pak probleme”.

Por unë jam i vetëdijshëm se të gjithë ne së bashku jemi të vegjël dhe sigurisht që gjithmonë do të ketë në Ballkan të tillë që do të shikojnë mënyra për të kënaqur të mëdhenjtë, shumë më tepër sesa të krijojnë marrëdhënie më të mira me miqtë ose fqinjët e tyre. Kështu që unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet. Dhe nëse më pyet, kjo është arsyeja pse unë e thash atë, çfarë saktësisht është ajo që pres. Nuk pres asgjë. Unë nuk e di se çfarë të bëj. Kur them diçka do të jetë, por nuk e di se çfarë të pres. Asgjë konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Përsëri kur flisni për një periudhë prej tre ose gjashtë muajsh në të cilën mendoni se ndoshta diçka do të shkojë përpara. A ekziston…

Aleksandër Vuçiç: Serbia do të… nuk ka asnjë afat. Serbia do të flasë me mirëbesim, kështu që ne me të vërtetë do të kemi një qasje të plotë të sinqertë, dhe duam të sigurojmë paqe dhe stabilitet për dekadat e ardhshme. Serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjë do të jetë kështu edhe 100 ose 200 vjet të tjera. A do të jemi në gjendje të sigurojmë atë lloj stabiliteti, a do të kemi kuptim të mjaftueshëm për palën tjetër, a do të kemi inteligjencë të mjaftueshme për të kërkuar kompromis dhe jo vetëm të kërkojmë që të fajësojmë palën tjetër? Kjo është pyetje tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin vijat e kuqe për ju, kur bëhet fjalë për Kosovën?

Aleksandër Vuçiç: Sa herë që flisni për vijat e kuqe, atëherë nuk jeni të gatshëm për biseda. Kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë, por kur filloni të flisni për to ashtu si pala shqiptare që thotë:“Jo, jo, ne… e gjithë Kosova është e jona, kështu që do të marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, pak më shumë”. Unë vetëm pres që ata të thonë se do ta marrin edhe Kragujevcin dhe Kralevën. Sinqerisht, buzëqesh dhe vazhdo tutje. Kur hyni në një dialog, hyni me mirëbesim dhe jeni të gatshëm të bëni kompromis. Nëse kjo gjë do të bëhet e mundur, do të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, Kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, nëse e marrim këtë parasysh, atëherë cili është plani?

Aleksandër Vuçiç: Kushtetuta e Serbisë thotë se Serbia është një territor i vetëm, përfshirë këtu Provincën Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Kushtetuta e Kosovës flet për një shtet të pavarur të cilin 22 shtete të BE-së e kanë njohur dhe 5 të tjera nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarë të bëjmë tani? Cili është ai territor? Kjo është arsyeja pse unë kam thënë se është e rëndësishme të flasim dhe të kuptojmë pozicionet e njëri-tjetrit.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur një bisedë me ambasadorin rus këtë mëngjes, pastaj keni një bisedë me ambasadorin kinez. Në anën tjetër jeni kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Aleksandër Vuçiç: Dje kam pasur (bisedë) me përfaqësuesit e Komisionit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Deri kur mendoni se do të jetë e mundur që Serbia të ndjekë një politikë bashkëpunimi të balancuar me Rusinë dhe Kinën, dhe në anën tjetër të ketë aspirata që të jetë anëtare e BE-së?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se shumë anëtarë të BE-se bashkëpunojnë mirë me Rusinë dhe Kinën. Serbia ka pothuajse mijëra herë më pak tregti me Kinën sesa vetëm dy vende të BE-së. Nuk e di saktësisht se për cilën pjesë do të thoshte dikush, përveç që ekziston natyrisht ajo thënia latine që i përshtatet Jupiterit ose si e kemi përkthyer, sepse ajo rimon më mirë për ne, ajo që i përshtatet një Perëndie nuk i shkon një kaut. Disa kanë të drejtë për këtë, disa nuk kanë të drejtë dhe unë e kuptoj këtë gjë. Disa janë të mëdhenj, e disa të vegjël, por kjo nuk do të thotë se është gjithmonë e drejtë. Për sa na përket neve, ne jemi në rrugën evropiane, nuk heqim dorë nga kjo. Kemi shkëmbimin më të madh tregtar me BE-në, ndërmjet 66 dhe 67 për qind. Por, nga ana tjetër duam t’i përkasim asaj shoqërie.

Por, mos harroni se Serbia ka një situatë specifike me çështjen e Kosovës dhe Metohisë, për të cilën folëm. Ne pa dyshim që marrim mbështetje për integritetin e Serbisë nga ana e Kinës dhe Rusisë, dhe në anën tjetër kemi bashkëpunim shumë të mirë ekonomik në të gjitha fushat tjera. Ne do të harmonizojmë ngadalë politikën tonë të jashtme me politikën e BE-së, pasi t’i afrohemi anëtarësimit në BE dhe deri atëherë do t’i mbrojmë interesat tona kombëtare dhe shtetërore në mënyrë të përgjegjshme. Kjo është politika jonë. Ne kemi të drejtën për politikën tonë, unë jam avokues i politikës së pavarësisë dhe vendimmarrjes së pavarur, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni sondazhet e opinionit publik që thonë se qytetarët e Serbisë e shohin Kinën si donatorin më të madh edhe pse faktet tregojnë së është BE-ja?

Aleksandër Vuçiç: Ndoshta hulumtimi është bërë gjatë pandemisë së koronavirusit, kështu që unë mendoj se kjo është arsyeja. Por, Bashkimi Evropian deri më tani është investitori më i madh dhe donatori më i madh në vendin tonë. Siç thashë, më pëlqen të përgjigjem në mënyrë racionale për numrat. A na ka ndihmuar shumë Kina? Do të dëshiroja të falënderoja pafund për (uzinën) “Zelezaran” dhe minierën “Zidjinin” në lindje të Serbisë dhe përmes shumë projekteve të tjerat për të cilat po punojmë së bashku dhe se ata na kanë ndihmuar edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë: Është paralajmëruar vizita e presidentit kinez, a e dini se kur do të vijë si dhe cilat do të jenë temat e diskutimit?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se duhej të ishte mbajtur forumi strategjik i Leipzigut në mes të BE-së dhe Kinës, kështu që mendoj se para ose pas kësaj ai (presidenti i Kinës, Xi Jinping) do të vijë. Tani për tani ajo është anuluar, kështu që do të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë, a e ndihmoi Rusia Serbinë gjatë pandemisë dhe në çfarë mase?

Aleksandër Vuçiç: Ata na kanë ndihmuar aq sa kanë mundur. Ata ishin përballur me këtë krizë dhe edhe sot po përballen me të. Dje kanë vdekur 197 njerëz (në Rusi) nëse e mbaj në mend saktë. Mundohem të kujtoj të gjithë numrat kryesorë të botës, të paktën vdekshmërinë. Pra, edhe në ato kushte ata treguan vëmendje për Serbinë dhe unë vërtetë i falënderoj.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mase marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë u prishën nga afera me diplomatin rus, nuk e dimë se çfarë ndodhi pas kësaj, në njëfarë mënyrë u duk se u qetësua situata dhe nuk e dimë se cili ishte rezultati i kësaj afere?

Aleksandër Vuçiç: Reagoni në atë moment, por nuk duhet të lejoni që gjëra të tilla të shkatërrojnë marrëdhëniet në mes vendeve mike, dhe mua më duket se Serbia reagoi në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme. Rusia është një vend miqësor për ne, ne përpiqemi ta ruajmë atë marrëdhënie, ne përpiqemi të kuptojnë rrugën tonë evropiane, dhe unë mendoj se është e qartë për ta se sa i vështirë është pozicioni i Serbisë dhe i falënderoj për këtë mirëkuptim.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni mënyrën se qeveria juaj i ngjanë asaj të qeverisjes të Viktor Orban, e shihni si kritikë?

Aleksandër Vuçiç: Unë mendoj se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm dhe veprojnë në mënyra të ndryshme dhe kushte të ndryshme. Disa do të më lavdërojnë, disa do të më kritikojnë, nuk merrem me atë. Viktor Orban është mik shumë i respektuar i vendit tonë dhe falë tij, marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve janë absolutisht më të mirat në historinë tonë moderne. Falë punës dhe angazhimit të Viktor Orban, marrëdhëniet tona janë vërtetë të jashtëzakonshme. Mos harroni që ne në Vojvodinë deri më tani kemi numrin më të vogël të incidenteve në gjashtë vjetët e fundit të historisë sonë, pra nga Lufta e Parë Botërore, nga Marrëveshja e Trianonit e deri më sot. Pra që nga viti 1918 e deri më sot, gjashtë vjetët e fundit kanë qenë bindshëm më të mirat në marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve.

Ne kishim një këndvështrim tjetër për krizën e migrantëve. Ata ndërtuan mure, ndërsa ne jo, por patëm marrëveshje për të mos sulmuar, kemi pasur marrëveshje për të respektuar politikat e ndryshme, dhe unë e respektoj këtë gjë shumë nga pala hungareze. Ata gjithashtu na ndihmuan gjatë pandemisë së koronavirusit, me pajisje dhe duhet të them që ata po ndihmojnë dhe po mbështesin Serbinë kudo dhe në çdo vend.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për këtë, organizatat ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian vazhdimisht kanë kundërshtime ndaj shtetit dhe demokracisë në Serbi, mbi të gjitha për situatën e mediave?

Aleksandër Vuçiç: Ata kanë kudo, kudo…

Radio Evropa e Lirë: …në lidhje me gjyqësorin, si planifikoni t’i zgjidhni problemet?

Aleksandër Vuçiç: Kjo është njëra nga gjërat që unë vërtetë do të nënshkruaja gjithçka në raportin e Komisionit Evropian dhe do të isha edhe më i mprehtë. Ne kemi zbatuar një lloj reforme në vitin 2009 që nuk na solli efikasitet ose racionalitet në procedurat gjyqësore. Unë do të doja dhe jam i bindur që me mbështetjen e Bashkimit Evropian ne mund të zgjidhim këtë problem.

Sa i përket mediave, ju keni dy gjëra: e para është se nuk ka dyshim se duhet të bëjmë shumë më tepër, dhe nga ana tjetër, ekziston kjo qasje politike në të cilën gjithmonë dëshironi të shihni njërën anë në një mënyrë më të mirë dhe palën tjetër në një mënyrë të pakrahasueshme, por ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim për gjithçka dhe unë jam përpjekur veçanërisht gjatë tre muajve të fundit të mos sulmoj kundërshtarët politikë, të dëgjoj të gjithë dhe t’i përgjigjëm çdo pyetjeje.

Por, ata që ankohen për lirinë e mediave, ata flasin çdo ditë, ata bëjnë fushatë kundër meje dhe kundër shtetit në çdo mënyrë të mundshme, askush nuk i pengon në këtë, për më tepër unë i përgjigjem secilës pyetje që ata kanë dhe nuk është diçka e vështirë për mua që ta bëj. Disa të tjerë nuk ankohen aspak, por unë mendoj se ata u thonë atyre se janë budallenj ose shumë më pak të zgjuar se ata. Nuk e di çfarë të them tjetër, por në çdo rast, gjithçka që dikush mendon se mund të bëjmë, unë do të isha i lumtur ta bëja atë së bashku sepse pa qasje të përbashkët për gjithçka do të jetë e vështirë.

Vuçiçi: Do të luftojmë shumë për Kosovën, por nuk ka asnjë zgjidhje fatlume për ne

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është zotuar se do “luftojë” për Kosovën, por ka paralajmëruar se nuk do të ketë zgjidhje fatlume për Serbinë.

“Nuk është detyrë e presidentit të Serbisë të mashtrojë njerëzit. Do të ketë përpjekje për të zgjidhur gjërat gjatë vitit të ardhshëm, por nuk dihet nëse do të zgjidhen”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një interviste dhënë të shtunën për televizionin serb “Prva”.

Vuçiq theksoi se nuk mund të pritet që fuqitë e mëdha botërore do te ndryshojne qendrimin e vet për pavarësinë e Kosovës dhe as qëndrimin që nuk ka ndryshim të kufijve me Kosovën.

“Para nesh i kemi gjashtë muaj luftë të vështirë politike për interesat tona kombëtare në Kosovë dhe Metohi dhe për të drejtat e njerëzve tanë atje”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se pret nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak që ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, që do të mbahen më 21 qershor.

“Unë pres që Lajçak të vijë në Beograd menjëherë pas zgjedhjeve. Nuk ka zgjidhje të lumtur për ne, çfarëdo qoftë ajo, ne nuk mund të jemi të kënaqur veçanërisht. Nuk mund t’i gënjej njerëzit. Puna e presidentit ose dikujt që merret me politikë nuk është t’i mashtrojë njerëzit”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka shtuar se pret edhe bisedime me Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne do të përpiqemi ta bëjmë (rezultatin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë) zgjidhje më pak të pafavorshme, por ta bëjmë atë të favorshëm është jorealiste,” tha Vuçiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Kosova vendosi taksën 100 për qind. Në prill të këtij viti, Kosova e pati zëvendësuar taksën me masën e reciprocitetit. Por, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin dhe tha se tani pret nga Serbia që të heqë pengesat e tjera, në mënyrë që palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve. rel

Gjuriq: Kosova është dashur më herët të heqë pengesat tregtare me Serbinë

Pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Kosova do të duhej më parë të hiqte pengesat tregtare me Serbinë, duke shtuar se dëmi i shkaktuar nga bllokada dyvjeçare është i madh “dhe i pafalshëm”.

Gjuriq u bëri thirrje biznesmenëve nga të dy palët që të përdorin mundësinë për t’u lidhur më mirë dhe për të krijuar mundësi të reja për njerëzit e të gjitha kombësive dhe theksoi se forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës është një përbërës i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, dhe se forcimi i mëtutjeshëm i ekonomisë serbe do të forcojë pozicionin e shtetit serb.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve. rel

Bërnabiq: Nuk kam informacione se Serbia ka ndaluar fushatën kundër Kosovës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk ka informacione se vendi i saj ka ndaluar fushatën e tërheqjeve të njohjeve të Kosovës.

Të enjten, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“E kam parë këtë lajm, por jo edhe burimin e këtij lajmi. Kur flisni për lajm nga Brukseli, unë nuk e di se çfarë do të thotë. A vjen nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, apo e ka thënë ndonjë njeri në rrugë dhe ne e marrim atë si burim të ligjshëm”, tha Bërnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Ju kërkoni nga unë të komentoj lajme jozyrtare, që janë publikuar në mënyrë tendencioze dhe në kohë tendencioze”, shtoi Bërnabiq.

Ajo tha se përsërit qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe “qëndrimin e shtetit” se Serbia, gjatë dialogut, “mund të pezullojë bisedimet me shtetet tjera që mendojnë se kanë gabuar me njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, nëse Prishtina i pezullon bisedimet e saj për të arritur njohje të reja dhe për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare”.

“Mendojmë se kjo është e drejtë. Gjatë dialogut pezullohet gjithçka derisa të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje kompromisi”, tha Bërnabiq.

Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka mohuar të enjten se Serbia ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Megjithatë, numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Daçiçi: Serbia s’e ka ndalur fushatën e çnjohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiq tha se Serbia as që do ta ndalojë këtë fushatë “nëse të tjerët nuk e ndalojnë fushatën e njohjes së Kosovës”.

Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Si pjesë e vullnetit të mirë, për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, palët në Beograd kanë rënë dakord që të mos vazhdojnë me këtë fushatë”, ka thënë një burim i lartë diplomatik i BE-së.

Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut ka thënë se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.

“Duhet të krijojmë një atmosferë pozitive dhe jo të irritojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Për këto deklarata, ministri serb, Daçiq, tha se ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Daçiq tha se ato janë një “gënjeshtër e madhe”.

“Serbia, tash e sa vite, e thotë publikisht se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës vetëm nëse të tjerët pranojnë të ndalojnë fushatën e njohjeve të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, Serbia nuk ka ndaluar me fushatën e çnjohjeve. Kur ata të ndalojnë, do të ndalojmë edhe ne”, tha Daçiq.

Numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – e cila është shpallur në vitin 2008 – si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, nuk është i qartë.

Zyrtarët serbë, përfshirë Vuçiqin, nuk e kanë fshehur se diplomacia e tyre udhëhiqet në këtë drejtim.

Serbia po ashtu ka folur hapur për pozicionet e saj kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, të tilla si Interpol apo Unesco.

Diplomatët në Bruksel thonë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut.

Sipas tyre, masat e reciprocitetit që ka ndërmarrë Qeveria e kaluar e Kosovës ndaj Serbisë “nuk janë në këtë frymë”.

Zyrtarët në Bruksel presin që Qeveria e re e Kosovës t’i marrë të gjithë hapat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut, që nënkuptojnë heqjen e këtyre masave.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë së voni se është i zhgënjyer me vendimin për reciprocitet, të marrë nga ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ka kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të tij.
Përgatiti: Valona Tela

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të dialogut

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t’i heqë ato masa”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar.

I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.