VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Britania shpall zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor

By | October 30, 2019

Komentet

GJND urdhëron Mianmarin të parandalojë gjenocidin kundër myslimanëve Rohingya

Marrë nga Associated Press

Në një fitore gjithpërfshirëse ligjore për anëtarët e pakicës myslimane Rohingya, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara ka urdhëruar Mianmarin që të marrë të gjitha masat nën pushtetin e tij për të parandaluar gjenocidin kundër popullsisë Rohingya.

Gjykatësi Abdulqawi Ahmed Yusuf tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka mendimin se popullsia Rohingya në Mianmar mbetet shumë e rrezikuar.

Gjykata shtoi se urdhëri i dhënë nga ana e saj për masat e përkohëshme që synojnë të mbrojnë popullsinë Rohingya është i detyrueshëm dhe krijon detyrime ligjore ndërkombëtare ndaj Mianmarit.

Pas një diskutimi të gjatë prej një ore, gjykatësit po ashtu i dhanë urdhër Mianmarit që të raportojë para tyre pas katër muajsh lidhur me masat që ka ndërmarrë ai vend për të zbatuar urdhërin, dhe pastaj të raportojë çdo gjashtë muaj ndërsa çështja vazhdon me ngadalësi në gjykatën botërore.

Vendimi i gjykatës erdhi pas një çështje të ngritur nga shteti afrikan Gambia në emër të një organizate të vendeve myslimane që e akuzojnë Mianmarin për gjenocid në goditjen që ka ndërmarrë ndaj popullsisë Rohingya.

Gjatë një seance dëgjimore publike muajin e kaluar, pala akuzuese përdori harta, imazhe satelitore dhe foto për të detajuar, atë të cilën ata e cilësojnë si një fushatë vrasjesh, përdhunimesh dhe shkatërrimi që përbëjnë gjenocid të ndërmarrë nga ushtria e Mianmarit. zëri i amerikës

Dhjetëra udhëheqës shtetesh marrin pjesë në Forumin Botëror të Holokaustit

Udhëheqësit botërorë gjatë pritjes nga presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.

Krerët e shteteve dhe qeverive nga dhjetra vende mbërritën në Jerusalem për të shënuar 75 vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Aushvicit në Poloni.

Ceremonia përkujtimore në Jerusalem, mbahet në kohën kur sulmet kundër hebrenjëve kanë shënuar rritje në Evropë dhe në mbarë botën.

Në mesin e pjesëmarrësve janë: presidenti rus Vladimir Putin, ai francez Emmanuel Macron, Princi i Britanisë së Madhe Charles, nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence si dhe presidentët e Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë.

Forumi Botëror i Holokaustit është tubimi më i madh në përkujtim të Holokaustit dhe luftimit të antisemitizmit në ditët moderne.

Sidoqoftë, presidenti polak, Andrzej Duda, nuk pranoi të marrë pjesë, në shenjë pakënaqësie që nuk iu lejua të marrë fjalën, ndërsa përfaqësuesit e Rusisë, Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të mbajnë fjalime.

Organizatorët izraelitë thanë se vetëm katër aleatët e Luftës së Dytë Botërore dhe Gjermania do të flasin në këtë ngjarje.

Më shumë se 1 milionë njerëz, shumica e tyre hebrenj, u vranë në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau gjatë okupimit të Polonisë nga Gjermania naziste.

Gjashtë milionë hebrenjë u vranë gjatë Holokaustit.

Në një pritje që organizoi në prag të tubimit, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që “të lënë historinë për historianët”.

“Roli i liderëve politikë është të formësojmë të ardhmen”, tha Rivlin.

“Shpresoj dhe lutem që udhëheqësit e botës do të qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër racizmit, antisemitizmit dhe ekstremizmit, në mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave demokratike. Kjo është sfida jonë. Kjo është zgjedhja jonë”, tha ai.

Para forumit, deklaratat e liderëve botërorë flisnin për një angazhim të shtuar në shuarjen e një klime, për të cilën disa thanë se sjellë në kujtesë atë të para Luftës së Dytë Botërore.

“Unë theksoj shpresën time të zjarrtë, që me vigjilencë të vazhdueshme dhe edukim pozitiv, ligësitë e kryera gjatë periudhave më të errëta në historinë tonë do të eliminohen nga faqja e dheut”, shkroi Papa Françesku.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi antisemitizmin në nivel global.

“Këtë luftë kundër antisemitizmit, unë e udhëheq çdo ditë duke e trajtuar atë në fjalime, në sjellje, në internet”, tha Macron.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, përmendi në mënyrë të veçantë “plagën e antisemitizmit dhe urrejtjes, e cila edhe një herë po bëhet shumë e zakonshme”.

“Vrasja e gjashtë milionë hebrenjve nga regjimi brutal dhe antisemitik nazist filloi me një erozion të ngadaltë të të drejtave dhe normalizimin e diskriminimit. Ne nuk mund të lejojmë që kalimi i kohës të zvogëlojë vendosmërinë tonë për të mos lejuar që tmerre të tilla të ndodhin përsëri”, shkroi ai.

Ngjarja shënon një nga tubimet më të mëdha politike në historinë e Izraelit.

Më shumë se 10,000 oficerë policie u vendosën në Jerusalem, ndërsa autostradat kryesore dhe pjesë të mëdha të qytetit ishin mbyllur përpara fillimit të ceremonisë. rel

Kina konfirmon se virusi i ri është ngjitës

Michael Brown

Ekspertët kinez të shëndetësisë kanë konfirmuar se virusi i ri i quajtur “korona” dhe që u ka marrë jetën katër njerëzve, është ngjitës, ndërsa është përhapur frika se virusi mund të përhapet me shpejtësi tek njerëzit. Qeveria kineze beson se shpërthimi i virusit të ri në qytetin Wuhan do të vihet nën kontroll.

Një zyrtar nga Ministria e Tregtisë po ashtu u përpoq të qetësonte shqetësimet për ndikimet që mund të ketë në tregje shpërthimi i virusit.

Zyrtari i lartë kinez Chu Shijia tha se ministria do të sigurohet që tregu është i mbrojtur gjatë shpërthimit të virusit.

Zyrtarët e shëndetit në qytetin Wuhan, ku edhe filloi përhapja e virusit, thonë se numri i rasteve tani e ka tejkaluar shifrën 200, me shumicën e rasteve të konfirmuara si simptoma të buta. Ndërkohë është konfirmuar viktima e fundit që ka humbur jetën, një burrë 89 vjeçar në qytetin Wuhan.

Zyrtarët e shëndetit në Korenë e Jugut thanë të hënën se kanë konfirmuar rastin e një gruaje të prekur nga virusi e cila kishte fluturuar nga qyteti Wuhan për në Incheon të Koresë së Jugut. Tailanda dhe Japonia po ashtu kanë konfirmuar raste të virusit.

Zyrtarët e shëndetit po u kërkojnë njerëzve që të tregohen të kujdesshëm por thanë se nuk ka arsye për panik. Organizata Botërore e Shëndetit nuk ka dhënë rekomandime kundër udhëtimeve drejt Kinës, ndërsa Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë thotë se përhapja aktuale e virusit është e parandalueshme dhe mund të kontrollohet.

“Nuk kishim zgjedhje tjetër”- Harry thyen heshtjen, pas vendimit për t’u shkëputur nga monarkia

Së fundmi, Princi Harry theu heshtjen duke folur rreth “trishtimit të tij të madh” sa i takon largimit nga Familja Mbretërore. Harry u shpreh se ai dhe e shoqja, Meghan-i nuk kishin zgjedhje tjetër përveç se të hiqnin dorë nga detyrat e tyre të larta mbretëore.

Në një fjalim emocionues, gjatë një darke private bamirësie në Ivy, Chelsea, 35-vjeçari tha se çifti mbretëror kishin shpresuar të vazhdonte t’i shërbente Mbretëreshës, Komonuelthit dhe shoqatave të tij ushtarake, pa ndonjë financim publik.

Duke këmbëngulur që Mbretëria e Bashkuar do të ishte gjithnjë shtëpia e tij, ai pohoi se gruaja e tij, Meghan, mbështet të njëjtat vlera si ai dhe se ishte “e ngazëllyer” dhe “e motivuar” për të luajtur një rol të plotë mbretëror pas dasmës së tyre.

Por ai tha se tani “realisht nuk kishte asnjë mundësi tjetër”, por të tërhiqeshin – një vendim që princi tha se nuk e bëri me lehtësi.

“Ne shpresuam se mund të vazhdonim t’i shërbenim mbretëreshës pa fonde publike, por kjo, fatkeqësisht, nuk ishte e mundur. Me Meghan-in, gjeta dashurinë dhe lumturinë për të cilën kishte shpresuar gjithë jetën time, por dua ta bëj të qartë se ne nuk po largohemi. Mbretëria e Bashkuar është shtëpia ime, është vendi që dua, dhe kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë.”

Harry shtoi se kjo ishte shenjë e presioneve që po ndiente. Si ai, ashtu edhe e shoqja kanë folur që të dy për vështirësitë e jetës mbretërore dhe sidomos vëmendjen e tepruar mediatike. Harry pati thënë madje në një moment se druhej që bashkëshortja mund të binte viktimë e të “njëjtave forca të fuqishme” që çuan në vdekjen e së ëmës, princeshës së Wellsit, Diana. Si pjesë e marrëveshjes së finalizuar të shtunën mes mbretëreshës, figurave të tjera të larta mbretërore dhe çiftit, Harry dhe Meghani nuk do ta përfaqësojnë më zyrtarisht monarkinë, dhe duke nisur nga pranvera, nuk do të përdorin dot më as titujt e tyre mbretërore. top channel

Konferenca për Libinë bie dakord për një armëpushim, çfarë përfshin plani i liderëve botërorë

Marrëveshje ka gjithashtu për faktin se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit.

Pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Libinë në Berlin ranë dakord për një armëpushim për këtë shtet të Afrikës Veriore. Dakordimi u arrit pas negociatave shumëorëshe të dielën në mbrëmje. Dakordimin pas rreth tetë orësh në Kancelarinë Federale e njoftuan kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Pjesëmarrësit në konferencën e Libisë ranë dakord për një plan. “Ne mund të konstatojmë që të gjithë pajtohemi që duam të respektojmë embargon e armëve”, tha kancelarja Merkel në Berlin. Marrëveshje ka gjithashtu për faktin se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit.

Italia është e gatshme të marrë përsipër një rol drejtues në mbikqyrjen e armëpushimit në Libi. Këtë ua tha gazetarëve kryeministri Giuseppe Conte.
Një organ në Libi, sipas ministrit të Jashtëm rus Lavrov do të monitorojë armëpushimin.

Projekti i komunikatës përfundimtare, i bërë i njohur më parë, u bënte thirrje vendeve të huaja të “përmbahen e të mos ndërhyjnë” në konflikt, të rifillojnë bisedimet për një armëpushim më konkret, si dhe të ndërmarrin hapa drejt rifillimit të një procesi politik për të arritur paqen në rajon.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara të dyfishojnë përpjekjet e tyre për një pezullim të qëndrueshëm të armiqësive, deeskalim dhe për një armëpushim të përhershëm,” thuhej në projektin e komunikatës përfundimtare.

Projekti i komunikatës përmbante 55 pika. Ai bënte thirrje më tej edhe që të gjitha palët t’u japin fund akteve armiqësore kundër objekteve të naftës në Libi. Thirrja erdhi pasi forcat aleate të Haftarit vunë nën kontroll të premten portet e naftës në Libinë lindore.

Kryeredaktorja politike e DW Michaela Küfner tha se rezervat e naftës në Libi qenë një pikë qendrore kontestimi për palët e përfshira në bisedimet e së dielës.

Erdogani e quan samitin “hap të rëndësishëm”
Para udhëtimit për në Berlin, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha që shpresonte se bisedimet në Berlin do të ndihmonin në forcimin e armëpushimit të brishtë në Libi.

“Ne e shohim samitin e Berlinit si një hap të rëndësishëm në rrugën për të forcuar armëpushimin dhe një zgjidhje politike,” u tha Erdogani gazetarëve.
Turqia mbështet fuqimisht qeverinë e Sarrajt në Tripoli dhe së fundmi ka zhvendosur trupa në Libi – një veprim që u dënua nga shumë në Evropë.

Përveç Erdoganit, në takim morën pjesë Presidenti rus Vladimir Putin, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo, Kryeministri britanik Boris Johnson, Presidenti drancez Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përpara konferencës, von der Leyen tha se krahu ekzekutiv i BE-së është “plotësisht i përkushtuar” për të mbështetur rezultatet e konferencës në Berlin dhe se do të mbështesë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve./DW/

Koreja e Jugut konfirmon rastin e parë të koronavirusit

Seul

Koreja e Jugut ka konfirmuar rastin e parë të lidhur me virusin e zbuluar së fundmi në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale raportojnë se rasti i paraqitur në Korenë e Jugut ka ngritur shqetësime se koronavirusi që shkakton simptoma të pneumonisë ka filluar të përhapet në Azi.

Autoritetet lokale të shëndetit thanë se një grua udhëtoi javën e kaluar në qytetin kinez Wuhan, e cila përjetoi ethe, probleme të frymëmarrjes dhe simptoma të tjera pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Koresë së Jugut, ku u testua pozitive për virusin.

Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bëri të ditur se gruaja u pranua në një spital lokal, ku vazhdon të trajtohet.

Pekini ka deklaruar se lloji i ri i koronavirusit nuk është ngjitës, por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk përjashton transmetimin e virusit në kushte të caktuara nga personi në person.

Përveç Kinës dhe Koresë së Jugut, raste të virusit raportuan edhe Japonia dhe Tajlanda.

Oxfam: Miliarderët e botës kanë pasuri më shumë se 4.6 miliardë njerëz

“Ekonomitë seksiste” po përkeqësojnë pabarazinë globale të të ardhurave, derisa numri i miliarderëve është dyfishuar në dekadën e fundit, thotë në raportin e ri organizata ndërkombëtare bamirëse Oxfam.

I titulluar “Koha për kujdes”, raporti thotë se 2,153 miliarderët e botës posedojnë më shumë pasuri se 4.6 miliardë njerëz, që përbëjnë 60 për qind të popullsisë së planetit.

“Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve nuk mund të zgjidhet pa politika që luftojnë pabarazinë dhe shumë pak qeveri janë të angazhuara në këtë drejtim”, tha shefi ekzekutiv i Oxfam-it në Indi, Amitabh Behar.

Raporti po ashtu thekson se 22 burrat më të pasur në botë kanë më shumë pasuri sesa të gjitha gratë në Afrikë.

Raporti vjetor i Oxfam-it për pabarazinë globale del zakonisht përpara se të hapet Forumi Botëror Ekonomik, i cili sivjet nis punimet më 21 janar në Davos të Zvicrës.

“Ekonomitë tona të prishura po mbushin xhepat e miliarderëve dhe bizneset e mëdha, në kurriz të burrave dhe grave të rëndomta”, tha Behar, i cili ndodhet në Davos për të përfaqësuar grupin Oxfam të organizatave joqeveritare. rel

Shkarkohet ministri brazilian, ia kopjoi fjalimin ministrit të Hitlerit

Ministri brazilian i kulturës, Roberto Alvim, është shkarkuar nga pozita për shkak të parafrazimit të ish-ministrit gjerman për propagandë në qeverinë e Hitlerit, Joseph Goebbels.

“Arti brazilian në dekadën e ardhshme do të jetë heroik dhe nacional. Ai do të jetë i pajisur me një kapacitet të madh për përfshirje emocionale dhe do të jetë po aq i domosdoshëm, sepse është thellësisht i lidhur me aspiratat urgjente të popullit tonë, në të kundërtën nuk do të jetë asgjë”, tha ministri i shkarkuar.

Këto fjalë janë mjaft të ngjashme me fjalimin që e kishte mbajtur ministri i Hitlerit në vitin 1933 para një grupi të menaxherëve dhe drejtorëve të teatrove. Ai kishte thënë: “Arti gjerman në dekadën e ardhshme do të jetë heroik, i sertë, por romantik, faktik, pa sentimentalizëm. Ai do të jetë nacionalist me një thellësi të madhe të ndjenjave, do të jetë i detyrueshëm dhe do t’i bashkojë njerëzit, në të kundërtën do të pushojë së ekzistuari.”

Përmes rrjetit social, Facebook, ministri i shkarkuar u arsyetua se kjo ngjashmëri është thjeshtë rastësi retorike.

Rivalët e presidentit Bolsonare e kanë akuzuar atë për marksizëm kulturor dhe për mohim të ndryshimeve klimatike dhe feminizmit.

Deklarata kundërthënëse e ish-ministrit të kulturës lidhej me promovimin e një fondi prej 4.8 milionë dollarësh për teatro, opera dhe ekspozita të artit dhe muzikës, ku prioritet do të ishin temat konservatore dhe religjioze, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Mishustin nuk u zgjodh rastësisht nga Putini për kryeministër

Todd Prince

Kryeministri i ri i Rusisë, Mikhail Mishustin, ka reputacionin e njeriut që i çon gjërat deri në fund.

Përgjatë qëndrimit të tij afro një dekadë në krye të shërbimit tatimor të Rusisë, me një ushtri prej afro 150 000 punëtorësh, të cilët mbikëqyrin pagesat e taksave, Mishustin ka trefishuar shumën e të hollave që kjo agjenci kontribuon në buxhet.

Teksa Rusia përballet me rritje të ngadalshme ekonomike për shkak të sanksioneve dhe uljes së çmimit të naftës, rezultatet e mira e kanë shpërblyer Mishustinin, prandaj qeveria e ka zëvendësuar atë në vend të Dmitry Medvedevit, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 15 janar.

Qeveria e Medvedevit me vështirësi ka tentuar të realizojë ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, sidomos ato për projekte kombëtare në vlerë të 400 miliardë dollarëve. Kjo qeveri po ashtu ka dështuar të përmbushë premtimin e Putinit të dhënë në maj të vitit 2018 për rritje të pagave për disa nivele të punëtorëve shtetërorë.

“Pas disa vjetëve të fokusimit në sigurime, duke përfshirë rrezikun në sanksionet e ardhshme, autoritetet ruse duhet të fokusohen në çështje të brendshme siç është ofrimi më i mirë i shërbimeve publike”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, ekonomistja, Elina Ribakova, që mbikëqyr Rusinë në Institutin Ndërkombëtar të Financave.

“Ekziston nevoja e një menaxheri efektiv që do të sigurohet se projektet kombëtare realizohen dhe përmbushen objektivat”.

Megjithatë, Mishustin, të cilin televizioni shtetëror rus e ka quajtur “forcë speciale e politikës financiare qeveritare”, një referencë për fuqitë e tij në fushën e taksave, mund të jetë një zgjedhje ideale për të mbajtur nën kontroll fraksionet brenda elitës.

Njoftimi i Putinit më 15 janar për ndryshime kushtetuese ka rezultuar me dorëheqjen e Medvedevit, ndonëse analistët këtë vendim e përshkruajnë si “shkarkim” nga Putini.

Këto zhvillime pritet të ndajnë fituesit dhe humbësit brenda elitës.

“E gjithë ajo çfarë kemi parë më 15 janar, na tregon se marrëdhënia me popullin nuk është shqetësimi kryesor i Rusisë. Asaj më shumë i intereson mbajtja e elitës në linjë të kontrollit”, ka thënë Sam Greene, drejtor i Institutit për Rusinë në Kolegjin King të Londrës.

“Andaj një person, i cili është zbatues i ligjit dhe vjen nga sfondi i tatimeve, ku kanë dijeni ku varrosen trupat, është më i dobishëm për ta pasur afër”, ka thënë Greene.

Ndyshimi i kryeministrit për herë të tretë

Putin ka synuar të promovojë ndjenjën e stabilitetit qeveritar gjatë 20 vjetëve në pushtet, duke ndryshuar qeveritë në mes të mandatit vetëm dy herë tjera.

Putin pati shkarkuar Mikhail Kasyanov në shkurt të vitit 2004 pak para rizgjedhjes, duke e zëvendësuar atë me Mikhail Fradkov, një burokrat.

Fradkov “ka dhënë doëheqje” më 2007, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale, dhe vendin e tij e ka zënë, Viktor Zubkov.

Të dy, si Fradkov, ashtu edhe Zubkov kanë punuar për shërbimin kombëtar të taksave. Fradkov një kohë ka udhëhequr agjencinë policore të taksave, një agjenci, e cila te shumë persona ngjall frikë.

Zubkov ka qenë përgjegjës në këtë agjenci në rajonin verior, dhe më vonë ka drejtuar agjencinë në luftimin e pastrimit të parave.

Greene ka thënë se e kaluara e njëjtë e Mishustinit, Fradkovit, and Zubkovit nuk është e rastësishme.

Mishustin ka të përbashkët edhe diçka tjetër me këta dy burra, thonë analistët. Ai është person që nuk ka ambicie politike dhe, i cili pavarësisht pozitës së tij të fuqishme, nuk konsiderohet pasardhës i Putinit kur këtij të fundit t’i përfundojë mandati më 2024.

“Mishustin nuk ka përvojë politike apo famë tek elektorati dhe nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit”, ka thënë analistja politike, Tatiana Stanovaya.

“Ai është aty vetëm sa për të qenë”, ka thënë ajo.

Përbërja e kabinetit të Mushustinit nuk pritet të ndryshojë shumë nga ai i Medvedevit, pasi ministrat e njëjtë pritet të jenë në fushën e ekonomisë dhe financave.

Njeri i taksave digjitale

Rusia ka hasur në vështirësi, sidomos në vitet 1990 për të luftuar evazionin e përhapur fiskal, krim të cilin një analist e ka cilësuar “burim të krenarisë” në mesin e kompanive dhe qytetarëve rusë.

Rusët dhe kompanitë e pasura në këtë vend dërgojnë të hollat në banka të dyshimta jashtë shtetit për t’iu ikur taksave.

Një pjesë e madhe e ekonomisë ka qenë në hije, pasi Rusia ka humbur 16.2 miliadë dollarë në vit nga tatimet, pati thënë ish-drejtori i Bankës Qendrore, Sergei Ignatyev më 2013.

Mirëpo Mishustin, 53-vjeçar ka vënë në funksion së fundmi teknologjinë e fjalës së fundit për të penguar evazionin fiskal.

Ndërtesa e shërbimeve për taksa në Moskë, dikur zonë ushtarake, tani është e mbushur me serverë të të dhënave dhe specialistë të teknologjisë informative.

Më 2018 kjo agjenci ka mbledhur 345 miliardë dollarë taksa, apo tre herë më shumë sesa kur Mishustin ka nisur udhëheqësinë më 2010, transmeton agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Mishustin i ka thënë Putinit në nëntor, gjatë një takimi në Kremlin, se vlera e taksave më 2019 është 8 për qind më e madhe, në krahasim me vitin paraprak.

Rritja e fitimit nga taksat ka ndikuar në aktivitetin ekonomik në dekadën e fundit, duke i ndihmuar qeverisë të mbyllë vrimat problematike, pasi ekonomia është dobësuar si pasojë e sanksioneve.

Alexis Rodzianko, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Moskë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bilanci i taksave ka qenë kryesisht e mirë gjatë udhëheqësisë së Mishustinit.

“Efikasiteti i mbledhjes së taksave është rritur dhe profesionalizmi po ashtu. Përvoja jonë është pozitive. Në gjysmën e kaluar të vitit, kualiteti i dialogut ka qenë i mirë dhe konstruktiv”.

Agjencia e Mishustinit ka prezantuar një faqe online për individë dhe kompani, duke thjeshtësuar deklarimin e taksave.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Toyota investon në zhvillimin e veturave që fluturojnë

Prodhuesi i veturave, Toyota i Japonisë thotë se do të investojë rreth 400 milionë dollarë në një kompani që punon për të zhvilluar vetura fluturuese të cilat do të siguronin “shërbime të shpejta, të qeta dhe të përballueshme të transportit ajror”.

Toyota, më 16 janar, tha se investimi në transportin ajror ka qenë një “qëllim afatgjatë”.

Presidenti i kompanisë, Akio Toyoda, tha se kompania që ai e udhëheq po transformohet.

“Ndërsa ne vazhdojmë punën tonë në biznesin e veturave, kjo marrëveshje vendos vështrimin tonë në qiell”, tha Toyoda në një deklaratë.

“Përmes kësaj përpjekjeje të re dhe emocionuese, shpresojmë të ofrojmë lirinë e lëvizjes dhe kënaqësisë tek klientët kudo, në tokë, dhe tani, në qiell” tha ai.

Investimi i Toyota-s do të bëhet në kompaninë Joby Aviation, e cila po zhvillon një mjet transporti elektrik, me katër pasagjerë, që ngritet dhe ateron vertikalisht, si një helikopter.

Kompania parashikon që prodhimi i saj të përdoret për transport komercial. rel

INSTAGRAM sjell risinë që të gjithë e kemi pritur prej kohësh

Instagram-i sa vjen dhe përmirëson opsionet e tij, duke jua lehtësuar kështu “jetën” përdoruesve të tij. Shumica prej jush me siguri e hapin Instagramin nga telefoni dhe DM (Direct Message) e keni të aksesueshëm nga celulari.


Mirëpo, çfarë ndodh kur ju e hapni llogarinë tuaj të Instagramit në kompjuter? Nuk ka një opsion ku ju mund të flisni me mesazhe me miqtë tuaj.

Epo, së shpejti Instagram do të ketë të aksesueshme në kompjuter edhe DM. Ju mund të flisni me mesazhe, të bëni like dhe komente nga kompjuteri njësoj si në celular. Kjo gjë po testohet dhe së shpejti do të jetë e aksesueshme për të gjithë.

Qeveria e Medvedevit jep dorëheqje

Qeveria e kryeministrit të Rusisë, Dmitry Medvedev, dorëzoi të mërkurën dorëheqjen te presidenti Vladimir Putin.

Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi Putin, gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, bëri thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të ketë ndryshime të rëndësishme, sa i përket balancës së pushtetit”, tha Medvedev gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, tha Medvedev.

Putin, duke iu adresuar Asamblesë Federale, tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.

Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.

Putin po ashtu tha se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.

“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.

Ai po ashtu tha se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.

Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.

Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.

Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit. rel