VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

BRITANI-BE, MBRETËRESHA ELISABETË SHPALL PLANET PËR REFERENDUM

By | May 27, 2015

Komentet

Ndikimi rus brenda Kosovës

Leonat Shehu

Në një studim të Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, thuhet se ndikimi rus në Kosovë mund të kategorizohet në nivelin mesatar dhe se ky ndikim ushtrohet përmes serbëve të Kosovës të cilët shfrytëzohen për të krijuar paqëndrueshmëri të brendshme politike.

Në studimin “Ndikimi rus në Kosovë nën hijet e mitit dhe realitetit”, autori i tij, Elis Vllasi i tha Zërit të Amerikës se Kosova si çdo shtet tjetër në Ballkan por edhe më gjerë, përballet me një shkallë rreziku nga ndikimi negativ rus.

“Rreziku më i madh në Kosovë është ai rreziku i fshehur të cilin popullata e gjërë por edhe ne që e studiojmë këtë temë nuk kemi njohuri për arsye se shteti mundet të mos e dijë se a ka ndonjë subverzion e po ashtu nëse shteti e dinë nëse ka një subverzion të rusëve në Kosovë atë nuk e publikon, kështu që në një farë mënyre është niveli i fshehur i rrezikshëm për arsye se shërbimet e huaja operative posaçërisht ato ruse operojnë në hije edhe ti e dinë vetëm atëherë kur të nxinen ata, kur nuk nxinen, nuk e dinë a janë duke vepruar apo në cilën nivel janë duke vepruar, pra ky është niveli të cilin nuk e shohim pra niveli në hije”, tha ai.

Elis Vllasi

Elis Vllasi

Zoti Vllasi thotë se ndikimi rus është i shtrirë në mjediset ku jetojnë serbët të cilët e shohin Rusinë si aleatin kryesor të Serbisë.

“Duke marrë parasysh se serbët e njohin se pa ndihmën ruse ata e kanë edhe më shumë të humbur Kosovën ata lejojnë që të bëhen në një farë mënyre vegël e ndikimit rus në Kosovë ku dihet se Rusia nuk është që në Kosovë e lufton popullin kosovar apo ndoshta edhe në një farë mënyre edhe shtetin Kosovar, po në Kosovë, Rusia e lufton ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkësisë Evropiane, organizatave ndërkombëtare numër një, numër dy në Kosovë, Rusia përmes Kosovës e blen ndikimin e saj që don ta ushtroj në vet Serbinë”, tha zoti Vllasi.

Mefail Bajqinovci që është pjesë e Komisionit parlamentar për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes thotë se Rusia ushtron tërthorazi ndikim në Kosovë duke shfrytëzuar siç thotë instrumentin e Serbisë, Listën serbe, që është subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë.

“Rusia ka prezencë jo të vogël në Kosovë. Zyra e saj në Prishtinë ka përbërje të diplomatëve, në thonjëza që mund t’i quash, që shumica besojnë se janë të kamufluar dhe në esencë janë pjesëtarë të shërbimeve intelegjence”, tha zoti Bajqinovci.

Mefail Bajqinovci

Mefail Bajqinovci

Ai thotë se një shqetësim tjetër mbetet mos kontrollimi i zyrtarëve të Rusisë që hyjnë në Kosovë pa u verifikuar.

“Mos të harrojmë se Rusia ka prezencë edhe përmes organizatave ndërkombëtare sidomos përmes UNMIK-ut. Mbajtësit e pasaportave diplomatike ruse hyjnë në Kosovë pa viza dhe ky përbën një kërcënim për sigurinë e Kosovës sepse ata hyjnë pa u kontrolluar, verifikuar dhe askush nuk e dinë asgjë për ta”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim në Kosovë janë shtuar dhe kjo sipas tij pasqyrohet edhe përmes strategjisë ruse për shtrirje gjeo-strategjike në Ballkan.

Nuredin Ibishi

Nuredin Ibishi

“Diku dy kapituj nga kjo strategji i kushtohen Kosovës dhe mënyrës se si duhet veprohet në aspektin e qëndrueshmërisë apo shtrirjes ruse edhe në aspektin propagandistik nëpërmjet medieve shumë të forta siç janë Sputnik dhe Russia Today me një propagandë agresive por edhe në aspektin diplomatik në kuptim edhe në mes të shërbimit së inteligjencës në ministrinë e Jashtme por edhe atë ushtarake por edhe në inteligjencën ruse”, tha zoti Ibishi.

Zoti Vllasi thotë se institucionet duhet të investojnë për të luftuar ndikimin rus në Kosovë.

“Kosova, qeveria e Kosovës duhet të ketë një farë mënyrë organizma mbrojtës ndaj ndikimit. Duhet të kuptojmë se ndikimi rus është gërryes në Kosovë. Duhet të krijojnë një farë mënyre me ndihmën e të huajve normal, shembull sikurse në SHBA por edhe në shtetet tjera ekziston komanda kibernetike, e cila një farë mënyre lufton sidomos sulmet e mëdha që ndodhin ndaj një infrastrukture kibernetike ndaj një shteti, fatkeqësisht atë nuk e ka, Kosova po ashtu nuk ka një sistem mbrojtës themelor”, thotë zoti Vllasi.

Zoti Ibishi thotë se rrezik për rajonin kohëve të fundit mbetet edhe armatosja e Serbisë nga Rusia dhe vetmja siguri mbetet anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Vetë lidershipi i Kosovës por edhe në bashkëpunim me partnerët tonë strategjikë në rend të parë SHBA-të, vendet e BE-së por edhe vendet fqinje por edhe sidomos në anëtarësimin në organizata rajonale ushtarake siç është Karta e Adriatikut por edhe vet anëtarësimi jonë përmes partneriteti për paqe në NATO na jepin premisa të mira që ne të hyjmë në ombrellën e NATO-s dhe njëkohësisht të jetë ky rrezik dhe kërcënim nga Rusia më i vogël për një Kosovë e vogël çfarë jemi”, tha zoti Ibishi.

“Aspekti tjetër që Kosova mund të bëjë me një kosto shumë të vogël është ligji për media, në Kosovë sa kam njohuri mungon ligji për media ku dihet se kush është pronari i vërtetë, nga vijnë fondet për financimin e mediave, po ashtu në Kosovë nuk ka ndonjë transparencë mediatike ku luftohet dukuritë negative, shumë gazetarë e kompani mediale ju mungojnë aftësitë për hetimin e fakteve për të ditur a është ndonjë lajm i vërtetë apo i rrejshëm po ashtu me programe shkollore, populli në Kosovë, gjeneratat e reja kanë një nivel shumë të ulët të alfabetizmit mediatik dhe digjital, çdo send që është në internet dhe paraqitet në Facebook një farë mënyre pranohet si e vërtetë edhe mundësia e të rinjëve por edhe të vjetërve ju mungojnë aftësia për të përdorur aftësia e mendimit kritik për të vlerësuar”, thotë zoti Vllasi.

Zoti Vllasi thotë se Rusia tashmë i ka bërë dëm Kosovës duke ngadalësuar njohjen e pavarësisë së saj nga shtete të ndryshme dhe pengimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe në tërheqjet e njohjeve të pavarësisë.

“Kosova bën tejet gabime kur gjithmonë negocion sovranitetin e saj me Serbinë edhe për derisa Kosova merr pjesë me Serbinë ku serbët në një farë mënyre këtë e tregojnë se janë bisedime për rinegocimin e statusit të Kosovës dhe me këtë e bëjnë diplomacinë botërore me këtë, atëherë shumë shtete nuk janë të interesuara dhe krejt bota nuk është e shqetësuar me Kosovën që të bëjnë kërkimet e veta dhe e pranon diplomacinë serbe se këto dy shtete ende janë duke negociuar statusin e Kosovës”, thotë zoti Vllasi.

Hagë: Mandati i Gjykatës së Posaçme për Kosovën – deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, tha të enjten se mandati i Gjykatës së Posaçme të Kosovës do të zgjasë deri në një njoftim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Vendimi i saj pasoi kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të bërë më 24 gusht që parlamenti i Kosovës të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës në bazë të të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në propozimin e presidentit Thaçi dërguar kryesisë së parlamentit kërkohej ndryshimi i pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare”. Ai kërkoi që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Në komentet e ish presidentit Thaçi dërguar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se “sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhej në sqarimet e zyrës së ish presidentit Thaçi.

Kërkesa e zotit Thaçi ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme e cila e cilësoi atë jo kushtetuese.

Propozimi i tij u dërgua në Gjykatën e Posaçme nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe më pas Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila pasi shqyrtoi komentet e palëve, të enjten tha se “në pajtim me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, pikat 13 dhe 14, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj pasoi pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa pese veta, në mesin e të cilëve edhe ish presidenti Thaçi ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Akuzat kanë nxitur shumë reagime në Kosovë ku organizatat e dala nga lufta pohojnë se Gjykata është një etnike dhe nuk trajton mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

zëri i amerikës

Sarkozy përballë akuzave për korrupsion

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit në gjyq të enjten për t’u përballur me akuza për korrupsion. Ai akuzohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës me qëllim që të merrte informacion në lidhje me një hetim rreth fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Ish-kreu i shtetit këmbëngul se është i pafajshëm.

Është e pazakontë të shohësh një ish-president duke hyrë në sallën e gjyqit me avokatët e tij për t’u gjykuar. Kjo skenë po ndodh në Paris, ku Nicolas Sarkozy përballet me akuza për rryshfet dhe përdorim të influencës.

Jean-Claude Beaujour, avokat i shoqatës Francë-Amerikë, komentoi për Zërin e Amerikës.

“Është shumë e pazakontë që një ish-kryetar shteti në Francë të ndiqet penalisht për korrupsion,” tha Beaujour. “Ish-presidenti Sarkozy dyshohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës të rangut të lartë në këmbim të informacionit mbi një çështje gjyqësore që lidhet me vetë Nicolas Sarkozy-në”.

Prokurorët thonë se Sarkozy i premtoi një punë të paguar mirë në Monako një gjykatësi, në këmbim të informacionit të brendshëm mbi një hetim rreth pretendimeve se ai pranoi pagesa të paligjshme nga trashëgimia e trashëgimtares së firmës L’Oreal, Liliane Bettencourt gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Sarkozy vazhdimisht i ka mohuar akuzat.

Gjyqtarët po e mbështesin çështjen e tyre në provat e regjistruara nga përgjimet e bisedave telefonike midis zotit Sarkozy dhe avokatit të tij. Të dy ata janë objekt i një hetimi tjetër për financimin e dyshuar nga Libia të fushatës së zotit Sarkozy në vitin 2007.

Ish-presidenti francez e ka kundërshtuar ligjshmërinë e përgjimit. Ai e mbrojti veten në fillim të këtij muaji në një intervistë për kanalin francez BFMTV.

Sarkozy tha se i vjen keq që e gjithë jeta e tij private ka qenë përgjuar. Sipas tij, është skandaloze që privilegji avokat-klient nuk u respektua pasi bisedat telefonike mbrohen sipas dispozitave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Unë nuk jam mashtrues dhe kjo që po kaloj është skandal,” këmbënguli Sarkozy.

Gjyqi pritet të zgjasë tre javë. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti mund të përballet me deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë 1.2 milion dollarë.

SHBA, rekord ditor infeksionesh me koronavirus

Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të viktimave si pasojë e koronavirusit që nga muaji maj. Rritje rekord pësoi dhe numri i infeksioneve të shënuara brenda një dite, rreth 200 mijë raste, shifra më e lartë ditore që prej fillimit të pandemisë.

Ndërkohë më shumë se 89 mijë persona janë shtruar në spital prej ditës së mërkurë, një tjetër shifër rekord që vjen mes shqetësimesh se dita e Falenderimeve do të çojë në rritje të infeksione ndërsa shumë njerëz nuk i kanë shmangur grumbullimet familjare me rastin e festës.

Zyrtarët në shumë shtete kanë vendosur kufizime për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Gjykata e Lartë lëshoi një urdhër të përkohshëm që bllokon shtetin e Nju Jorkut të vendosë kufizime pjesëmarrjeje në objektet e kultit në ato zona ku është shënuar një rritje e rasteve me koronavirus.

Në një votim 5 me 4, gjykata mbështeti Dioqezën Katolike të Bruklinit dhe dy kongregacione Hebreje Ortodokse që sfiduan urdhrin e guvernatorit Andrew Cuomo. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts ishte i vetmi gjykatës konservator që nuk iu bashkua vendimit të shumicës.

Koreja e Jugut, një nga pikat e hershme të nxehta të pandemisë ndodhet gjithashtu në mesin e një rritjeje të re të rasteve, duke raportuar më shumë se 500 infeksione në ditë, për herë të parë që nga fillimi i marsit.

Rritja vjen pas një muaji që qeveria vendosi të lehtësojë kufizimet e rrepta për distancim fizik në Seul dhe në rajonet përreth.

Të enjten Rusia njoftoi një rritje rekord rastesh të shënuara brenda një dite me mbi 25 mijë infeksione, duke e çuar totalin e përgjithshëm në rreth 2.2 milionë. Numri i vdekjeve gjithashtu shënoi një shifër rekord, 524 vdekje brenda 24-orësh.

Në Gjermani u shënuan 400 viktima të reja duke e çuar numrin në më shumë se 15 mijë që nga fillimi i pandemisë.

Qeveria gjermane vendosi në fillim të nëntorit të mbyllë restorantet, baret dhe objektet sportive për të luftuar një rritje rekord të numrit të infeksioneve.

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e shteteve ranë dakord të mërkurën vonë në mbrëmje të zgjasin kufizimet deri më 20 dhjetor.

Në të gjithë botën që prej fillimit të pandemisë janë shënuar më shumë se 60.4 milionë të infektuar nga COVID-19 dhe 1.4 milionë viktima. Shtetet e Bashkuara kanë nurmin më të lartë të viktimave, pasuar nga Brazili me 170 mijë, India me 135 mijë dhe Meksika me 103 mijë të vdekur.

zëri i amerikës

Trumpi fal ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn

Presidenti Trump shpalli falje të plotë për këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, të cilit iu desh të përballej me një betejë të gjatë ligjore me prokurorët federalë, si rrjedhojë e hetimit për çështjen e Rusisë.

Presidenti Trump e njoftoi lajmin në Twitter në prag të festës së Falënderimeve.

“Është nderi im i madh të njoftoj se Gjeneralit Michael T. Flynn i është dhënë Falje e Plotë. Urime@GenFlynn dhe familjes së tij të mrekullueshme; e di që tani ju do të kaloni një festë Falënderimesh vërtet fantastike!” shkruante ai.

Falja i jep fund një odiseje të gjatë ligjore për zotin Flynn, i vetmi anëtar i administratës Trump ndaj të cilit u ngritën akuza si pjesë e hetimit për Rusinë, të kryer nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Ai pranoi fajësinë në vitin 2017, për akuzat se kishte gënjyer FBI-në rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus në Uashington.

Flynn ishte ndër ndihmësit e parë të presidentit që pranoi fajin në hetimin e prokurorit Mueller dhe për muaj të tërë ai bashkëpunoi mjaft me prokurorët. Bashkëpunimi ishte aq i gjerë saqë prokurorët nuk rekomanduan burgim dhe lanë të kuptohej se do të ishin të kënaqur me një lirim me kusht.

Më vonë, Flynn ndërroi avokatë dhe taktikë, duke argumentuar se prokurorët e çështjes e kishin futur në kurth dhe e kishin bërë të gënjente në lidhje me bisedat që kishte patur në dhjetor 2016 me ambasadorin rus Sergei Kislyak.

Departamenti i Drejtësisë ka mohuar në mënyrë të përsëritur aludimet për gabime të prokurorisë. Në dhjetor 2019, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut Emmet Sullivan i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e zotit Flynn.

Në janar të këtij viti, prokurorët federalë i kërkuan gjyqtarit ta dënonte zotin Flynn me deri në gjashtë muaj burg, duke argumentuar se: “I pandehuri nuk ka nxjerrë mësime. Ai është sjellë sikur ligji të mos kishte vlerë për të dhe sikur veprimet e tij të mos kishin ndonjë pasojë”.

Flynn ka qenë gjithashtu kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Pentagon, por u detyrua të largohej në vitin 2014 pjesërisht për shkak të stilit të tij të menaxhimit dhe opinioneve se si duhej luftuar militantizmi islamik.

Ai iu bashkua fushatës zgjedhore të zotit Trump në vitin 2016. Në Kuvendin Kombëtar Republikan të atij viti, ai nxiti mbështetësit e zotit Trump të brohorisnin me thirrjet “Burgoseni!”, duke iu referuar kandidates demokrate Hillary Clinton.

Ish-ndihmës të tjerë të zotit Trump u dënuan për krime federale pas hetimit për Rusinë.

Miku dhe këshilltari i tij i vjetër Roger Stone u dënua në 20 shkurt me tre vjet e katër muaj burg për pengim të drejtësisë, manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim të ligjvënësve që hetonin ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s. Në korrik 2020, Presidenti Trump e reduktoi dënimin e tij.

Paul Manafort, ish-kryetar i fushatës së zotit Trump, u dënua vitin e kaluar me 3,5 vjet burg, pasi u shpall fajtor për lobim të paligjshëm dhe manipulim të dëshmitarëve. Kjo, së bashku me fajësinë për një çështje tjetër, e çonte dënimin e tij të përgjithshëm në më shumë se 7 vjet.

Falja e zotit Flynn pritet të dënohet nga kritikët, të cilët kanë thënë se veprimet e Presidentit Trump për të ndihmuar miqtë e tij, janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Krerët demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve e dënuan faljen.

Qysh në muajin mars, Presidenti Trump tha se po shqyrtonte fuqimisht mundësinë e një faljeje të plotë për zotin Flynn. Ai tha se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë ia kishin “shkatërruar” jetën zotit Flynn dhe familjes së tij dhe përmendi një raport të paspecifikuar, të pabazuar në fakte se zyrtarët kishin humbur disa dokumente që lidheshin me ish-këshilltarin e tij.

Vendimi i sotëm gjithashtu hap derën për falje të mundshme të ish-këshilltarëve të tjerë të zotit Trump që u paditën si pjesë e hetimit për Rusinë, përfshirë ish-kreun e fushatës së tij, Manafort.

Donald Trump pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kur frenat e pushtetit t’i kalojnë Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

zëri i amerikës

Nipi i Adem Jasharit kandidat i mundshëm për president të Kosovës? Ja çfarë thonë nga familja

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, vlerëson se zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhje për Kosovën. Jashari ka thënë që nuk e sheh të unifikuar mjaftueshëm spektrin politik.

“Si shtet, që nga paslufta s’kemi qenë në krizë më të thellë; qoftë ekonomike, qoftë politike, por edhe “vëllazërore” si popull shqiptar që jemi. Spektri politik, nuk janë të unifikuar. Shfrytëzoj rastin, si anëtar i familjes Jashari, t’i bëj ftesë liderëve politik, që të jenë më të matur, më të kujdesshëm në situatën që jemi, sepse nuk mendoj që zgjedhjet do të na zgjidhin problemin e postit të presidentit”.

“Mendoj që edhe pas zgjedhjeve, sërish do të jemi në situatën e njëjtë, nëse s’kanë konsensus dhe marrëveshje mes vete. Po shpresoj, që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëhet zgjidhja”, tha Bekim Jashari në Edicionin Special në Klan Kosova.

Në anën tjetër, është përfolur edhe emri i Murat Jasharit, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, si kandidat i mundshëm për president të Kosovës.
Për këtë, Jashari ka shprehur gatishmërinë e kësaj familje, që të kandidojë për president të Kosovës nëse është e nevojshme.

“Në situatën që jemi tani nga dorëheqja e Thaçit deri sot, s’ka asnjë kontakt nga asnjë subjekt politik ose lider politik, qoftë me Muratin ose me mua për këtë temë”.

“E kam thënë edhe një herë, ne anëtarët e gjallë të familjes Jashari, nuk është që i frikësohemi përgjegjësive në momente të caktuara, sepse kemi treguar edhe në të kaluarën, që dimë dhe mundemi të kontribuojmë, kur ka nevojë vendi. Unë besoj që nëse vjen deri në atë pikë, që i gjithë spektri politik, dakordohen që të propozojnë një kandidat nga familja jonë, ne do të marrim përgjegjësi”.

“Për fat të keq është cituar familja Jashari vetëm kur kanë pasë nevojë; qoftë në zgjedhje ose situata të vështira, kur kanë qenë. Por, kur kanë siç thotë populli ‘shlirë, pa asnjë telashe’, kanë harruar të vijnë në vizitë, e lëre më shumë”, u shpreh Jashari.

BE-ja pret vaksinimin e parë kundër COVID-19 para fundvitit

Bruksel

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, njoftoi se vaksinimi mund të fillojë para fundit të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shohim dritë në fund të tunelit. Qytetari i parë i BE-së mund të vaksinohet para fundit të dhjetorit”, tha von der Leyen në llogarinë e saj në median sociale.

Duke theksuar që vendet anëtare të BE-së duhet t’i përfundojnë përgatitjet për shpërndarjen e vaksinave, von der Leyen deklaroi se vaksina është “biletë” për të dalë nga pandemia.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian tha se “Nëse gjithçka shkon mirë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) mund të lëshojë autorizim të kushtëzuar të tregut për vaksinat e BionTech dhe Moderna në gjysmën e dytë të dhjetorit”.

Presidentja e EMA-së Emer Cooke gjithashtu njoftoi se mund të japin mendim pozitiv mbi vaksinat kundër COVID-19 përpara Krishtlindjeve.

Ndryshe, BE-ja ka rënë dakord të marrë 400 milionë doza vaksine me AstraZeneca, 300 milionë me Sanofi-GSK, 400 milionë me Johnson and Johnson, 300 milionë me Pfizer dhe BioNTech, 405 milionë me CureVac dhe 160 milionë me Moderna.

Raportohet se Trumpi synon ta falë ish-këshilltarin Michael Flynn

Ish-Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Micheal Flynn.

Presidenti amerikan, Donald Trump synon të shfrytëzojë mundësinë e faljes së ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Micheal Flynn, i cili është deklaruar fajtor më 2017 për gënjim të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) rreth kontakteve të tij me rusët, kanë raportuar mediat amerikane.

Trump u ka thënë ndihmësve të tij se planifikon të shtojë Flynnin në një seri të faljeve që do t’i bëjë publike pak ditë para përfundimit të mandatit, kanë raportuar mediat si Axios dhe New York Times, duke cituar burime të paidentifikuara.

Bisedimet sekrete të Flynnit me ambasadorin rus në Uashington në dhjetor të vitit 2016, kanë qenë pikë kyçe e hetimeve për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe rreth asaj nëse ka pasur koordinim në mes të fushatës së Trumpit dhe Qeverise ruse në zgjedhje.

Trump pati shkarkuar Flynnin në shkurt të vitit 2017, mirëpo presidenti ka pretenduar se hetimet kanë qenë “gjueti shtrigash” politike dhe se Flynn është “burrë i mirë”.

Flynn, general ushtarak i pensionuar dhe ish-udhëheqës i Agjencisë për Inteligjencë në Mbrojtje, është deklaruar fajtor dy herë për gënjim të FBI-së për bisedat që ka pasur me ambasadorin rus në SHBA, gjatë tranzicionit presidencial në fund të vitit 2016 dhe të fillim të vitit pasues.

Mirëpo ai ka synuar të tërheqë deklaratën e tij, duke thënë se prokurorët i kanë shkelur të drejtat dhe e kanë shtyrë drejt një marrëveshjeje pranimi.

Përmes një veprimi befasues, në maj të këtij viti Departamenti amerikan i Drejtësisë ka tërhequr rastin kundër Flynnit, duke thënë se gënjeshtrat e supozuara drejt FBI-së, nuk kanë qenë të rëndësishme.

Mirëpo një gjyqtar federal që ka shqyrtuar rastin e Flynnit ka kërkuar kërkim më të thellë gjyqësor lidhur me këtë çështje.

Një falje eventuale nga ana e Trumpit do ta largonte këtë rast nga gjykatat. rel

Biden: Amerika, gati të udhëheqë botën

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur Joe Biden deklaroi të martën se SHBA është “gati të udhëheqë botën, jo të tërhiqet prej saj,” duke sinjalizuar një kthesë të fortë nga strategjia “Amerika në plan të parë” e ndjekur nga Presidenti Trump gjatë katër vjetëve të fundit.

Ndërkohë që përgatitet të marrë udhëheqjen e vendit më 20 janar, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë “gati të përballen me kundërshtarët, jo të flakin aleatët. Jemi gati të ngremë zërin në mbështetje të vlerave tona”.

Nga qendra ku drejton punën e tranzicionit në Uillmington të shtetit Delauer, presidenti i zgjedhur prezantoi ekipin e tij të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare.

“Këta individë mishërojnë bindjen time esenciale se Amerika është më e fortë kur punon me aleatët e saj,” tha ai. “Në këtë mënyrë do ta mbajmë Amerikën vërtetë të sigurtë, pa u angazhuar në konflikte të armatosura të panevojshme dhe do të mbajmë nën kontroll kundërshtarët tanë si dhe terroristët”.

Individët e zgjedhur për poste të larta, sidomos sekretari i ardhshëm i shtetit, Antony Blinken, kanë një botëkuptim globalist, të ndryshëm nga administrata Trump.

Nën administratën e Presidentit Trump, SHBA shpesh u gjend në pozita jo të përputhshme me aleatët tradicionalë perëndimorë, ndërkohë që zoti Trump dukej se preferonte një qëndrim më të butë ndaj udhëheqësve autokratë si Presidenti rus Putin, Presidenti turk Erdogan dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un.

Zoti Biden tha: “Amerika udhëheq jo vetëm me fuqinë e saj, por me fuqinë e shembullit të saj”.

Ai tha se zyrtarët që ka zgjedhur “jo vetëm që do të ndreqin, por do t’i japin formë të re politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për brezin e ardhshëm. Ata do të më thonë atë që është e nevojshme të di, jo ato që dua të di unë”.

Politika e jashtme amerikane nën administratën Biden ka të ngjarë të përqendrohet në një qasje shumëpalëshe dhe diplomatike që synon të riparojë marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë dhe të ndjekë rrugë të reja për çështje të tilla si ndryshimi i klimës.

Zoti Biden tha se ishte befasuar nga telefonatat me udhëheqësit botërorë për faktin “se sa me padurim po presin ata që Shtetet e Bashkuara të afirmojnë rolin e tyre historik si udhëheqës global kudo në Paqësor, Atlantik dhe në të gjithë botën.”

Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Zotin Biden dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.

Antony Blinken

Antony Blinken

Zoti Antony Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden. Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.

Zoti Biden tha se përzgjedhja nga e tij e zotit Antony Blinken, do të rikthejë moralin dhe besimin në Departamentin e Shtetit, që përgjigjet për marrëdhëniet diplomatike të vendit.

Ndër emërimet e tjera për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, si ambasadore amerikane në OKB dhe Jake Sullivan si këshilltar i sigurimit kombëtar. Zonja Thomas-Greenfield, afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama.

Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.

Avril Haines u emërua drejtore e inteligjencës kombëtare, gruaja e parë që do të shërbente në një rol të tillë. Ajo ka qenë nëndrejtore e CIA-s nga viti 2013 në 2015 dhe gjithashtu zv / këshilltare e sigurimit kombëtar.

Janet Yellen, ish kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit.

Janet Yellen

Janet Yellen

Megjithëse nuk janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar zotin Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës, pasi lindën antagonizma nga politika e Presidentit Trump “Amerika, e Para”. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden është zotuar ta rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Teherani rifillon respektimin e termave; rikthim në Paktin e Parisit për klimën; anulimin e planeve për daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anulimin e rregullores ekzistuese që nuk lejon mbështetjen me fonde federale të grupeve bamirëse që diskutojnë abortin. Këto masa do të anulonin politika të administratës Trump dhe disa prej tyre pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt pas inaugurimit të residentit të ardhshëm më 20 janar.

Në fjalën e tij të martën, presidenti i zgjedhur Biden u bëri thirrje senatorëve të konfirmonin të emëruarit e tij mbi një bazë dy-partiake, një njohje e nënkuptuar kjo e pengesave që Senati, i kontrolluar nga republikanët, mund t’i nxjerrë administratës së tij.

Presidenti i zgjedhur ndau vizionin e tij për një politikë të jashtme të bazuar mbi një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë dhe mbi forcimin e aleancave në rajonin Azi-Paqësorit.

“Diplomat mes Diplomatësh”

Zoti Blinken, 58 vjeçar, ka ngritur prej kohësh nevojën që SHBA të marrë një rol udhëheqës në botë, duke komunikuar e bashkëpunuar me aleatët, përndryshe atë rol do ta marrin vende si Kina, që kanë interesa krejt ndryshe.

“Megjithëse mund të duket si barrë nganjëherë, alternativa, për sa u përket interesave dhe jetëve të amerikanëve, do të ishte shumë më e keqe,” tha zoti Blinken në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters në tetor.

I pyetur nëse SHBA mund të dëshmojë përmirësim me zotin Blinken në postin e sekretarit të shtetit, në vend të zotit Mike Pompeo, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian e anashkaloi pyetjen duke thënë se nuk komenton për çështje të brendshme amerikane. Ai nënvizoi se Kina është e gatshme për përmirësim në komunikimin me SHBA.

Zoti Blinken nënvizoi se Kina ishte e gatshme të përmirësonte komunikimin, të forconte bashkëpunimin dhe të adresonte mospajtimet me SHBA.

Persona që e kanë njohur nga afër zotin Blinken, e quajnë “diplomat mes diplomatësh”, me një të folur të qetë, por me njohuri të forta mbi praktikat e detajet e politikës së jashtme.

Pasi kandidatja demokrate Hillary Clinton humbi zgjedhjet presidenciale në 2016, zoti Blinken ishte një ndër themeluesit e grupit konsulent WestExec Advisors që ofron këshilla mbi rreziqet gjeopolitike.

Zoti Blinken, i diplomuar si jurist, hyri në politikë në vitet 1980, duke ndihmuar për grumbullim fondesh kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Michael Dukakis. Ai ishte një ndër ekspertët për përgatitjen e fjalimeve të ish-presidentit Bill Clinton si dhe më pas një ndër këshilltarët për sigurinë kombëtare. Gjatë administratës Obama, ai punoi për të kufizuar numrin e trupave amerikane të dislokuara në pjesën më të madhe të misioneve jashtë vendit.

Gjatë fushatës së zotit Biden, ai ka qenë një ndër këshilltarët e tij më të ngushtë, edhe për tema përtej politikës së jashtme. Ai njihet si person i besuar i zotit Biden, pasi ka punuar me të që në përpjekjet e tij të pasuksesshme për të konkurruar për president në 2008. Në fillim të mandatit të zotit Biden si nënpresident, Antony Biden punoi si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare dhe si drejtor i stafit për Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë gjatë kohës që zoti Biden ishte kryetar i këtij komisioni.

Jake Sullivan

Jake Sullivan

Jake Sullivan ka punuar më parë si këshilltar i zotit Biden për sigurinë kombëtare, gjatë kohës kur ai ishte nënpresident. 43-vjeçari që është diplomuar në universitetin Yale, ka qenë po ashtu pjesëmarrës në programin prestigjoz Rhodes në Universitetin e Oksfordit dhe ka marrë emër se di të zgjidhë punë prapa skenave. Zoti Sullivan ishte pjesë e bisedimeve përmes kanaleve jozyrtare dhe manovrave që çuan në marrëvreshjen e vitit 2015 me Iranin, e cila u anulua nga Presidenti Trump.

Zoti Sullivan kishte në portofolin e tij një numër temash të politikës së jashtme e të brendshme, përfshirë probleme të shëndetit publik dhe përgjigjen ndaj goditjes së ekonomisë nga pandemia dhe u bë shumë shpejt pjesë e ekipit të tranzicionit për presidentin e zgjedhur Biden.

Basha pas takimit me mjekët: Folën pa doreza për skemën e manipulimit të së vërtetës me njerëzit që humbin jetën nga COVID

Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar takimin me mjekët sot ku dëgjoi problemet dhe shqetësimet që ata hasin në luftën ndaj COVID-19.

Basha ndër të tjera thekson se ai u informua mbi skemën e manipulimit të të vërtetës me njerëzit që humbin jetën nga COVID-19.

Ai shton se ekspertët e shëndetësisë me të cilët u takua kërkuan testim masiv, rimbursim të ilaçeve, hapjen e spitaleve rajonale dhe mbështetje financiare.

Në fund ai garanton se PD në qeveri mund të mposhtë pandeminë dhe ringjallë ekonominë, si dhe të shërojë Shqipërinë.

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Konsultimi me mjekët ka qenë dhe mbetet një konstante e përpjekjeve që po bëjmë për të gjetur rrugët për tejkalimin e situatës kritike të krijuar nga pandemia dhe keqmenaxhimi i saj. Zëri dhe qëndrimi i mjekëve duhet të jetë i pari që duhet dëgjuar siç është e para dhe e vetmja përpjekja dhe ndihma që mjekët po u japin qytetarëve sot.

Ekspertët e shëndetësisë, me të cilët zhvillova një takim të frytshëm, kërkojnë testimin masiv dhe gjurmimin e kontakteve, rimbursimin e ilaçeve, hapjen e spitaleve rajonale, mbrojtjen e mjekëve dhe infermierëve dhe mbështetjen financiare të tyre. Mjekët folën pa doreza edhe për skemën e manipulimit të të vërtetës me njerëzit që humbin jetën nga COVID.

Edhe sa jetë shqiptarësh duhet të humbim që Edi Rama të ndalë fajësimin dhe përbaltjen e mjekëve dhe të marrë përsipër përgjegjësinë që i ngarkon ligji?

Shqipëria kërkon një shpresë të re. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj – që mposht pandeminë dhe ringjall ekonominë.

Ne do ta shërojmë Shqipërinë dhe do ta sjellim këtë shpresë të re për vendin.

Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Salih Mustafës

Gjykata e Posaçme e Kosovës më seli në Hagë, refuzoi kërkesën për lirimin me kusht të ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.

Në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, thuhet mes tjerash se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe zbulimit të Kosovës, i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësonin çdo përpjekje për të ikur; të pengojë procedurat përmes ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët, ose të kryejë krime të mëtejshme”.

Sali Mustafa, ishte zyrtar i lartë në Drejtorinë e Zbulimit dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës para se të arrestohej me 24 shtator nën akuzat për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në paraqitjen e parë para gjykatës ai tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Avokatët e zotit Mustafa thanë se ai është “paraqitur vullnetarisht për t’u intervistuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm dhe se do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij dhe do të paraqitet para gjykatës sipas kërkesës”.

Por, Prokuroria e Posaçme tha se zotit Mustafa “i është rritur nxitja për të ikur sepse tash është i vetëdijshëm për mundësinë e dënimit, dhe se rreziku nga ikja është më e madhe marrë parasysh numrin e kufizuar të shteteve me cilat Kosova ka marrëveshje për ekstradim”.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se çështja e zotit Mustafa do të trajtohet pas dy muajsh kur skadon edhe vendimi për vazhdimin e paraburgimit të tij.

Zoti Mustafa është i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme në gusht të vitit 2015 me vendim të parlamentit të Kosovës.

Arrestimi i tij u pasua me arrestimin ish drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë.

Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme thuhet se procesi gjyqësor ndaj tyre duhet të fillojë jo më vonë së muaji shtator i vitit 2021.

Javën e kaluar avokatët e të akuzuarve thanë se gjykimi nuk mund të fillojë para vitit 2022.

Gjykata e Posaçme pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

zëri i amerikës

SHBA: I hapet rruga tranzicionit presidencial

Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti i zgjedhur Joe Biden nisi sot një fazë të re në tranzicionin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë pasi administrata Trump i lejoi atij qasje në fonde dhe burime të tjera që do t’i mundësojnë të marrë frenat e pushtetit në janar.

Njoftimi i Administratës së Shërbimeve Qeveritare të hënën mbrëma se do të njihte zyrtarisht tranzicionin e zotit Biden erdhi pas pretendimeve të pambështetura në fakte, të bëra nga Presidenti Trump, se në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte patur mashtrim në shkallë të gjerë.

Në një postim në Twitter, Presidenti Trump ofroi mbështetje për fillimin e tranzicionit të pushtetit.

Kritikët kanë thënë se refuzimi i tij për të pranuar rezultatet minon demokracinë si dhe aftësinë e administratës së re për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

Dy zyrtarë të administratës Trump thanë se ekipet e zotit Biden mund të fillojnë të komunikojnë me zyrtarët e agjencive qeveritare, duke filluar që nga e marta.

Një zëdhënëse e Pentagonit, tha se Departamenti i Mbrojtjes ishte kontaktuar nga ekipi Biden-Harris.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, zoti Biden mori 306 vota elektorale kundrejt 232 të marra nga Presidenti Trump. Ai siguroi gjithashtu një epërsi prej më shumë se 6 milion votash popullore në shkallë vendi.

Trump jep dritën e gjelbër

Presidenti Donald Trump tha të hënën se kishte udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me procesin e tranzicionit, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse shtoi se ai do t’i vazhdonte sfidat ligjore.

Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se administratorja e GSA-së Emily Murphy dhe ekipi i saj duhet “të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare dhe i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”.

Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i zotit Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Unë e marr seriozisht këtë rol dhe, për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë sfida ligjore dhe vërtetime të rezultateve të zgjedhjeve, po e dërgoj këtë letër sot për t’i bërë ato burime dhe shërbime të disponueshme për ju,” shkruante në letrën për presidentin e zgjedhur, Biden, administratorja e GSA-së, Murphy.

Megjithëse në Twitter, Presidenti Trump shkruante se i kishte rekomanduar zonjës Murphy të fillonte tranzicionin, ajo vetë shkruante në një letër për agjencinë e saj, se vendimi ishte “vetëm i saji”.

Më parë GSA kishte thënë se zonja Murphy, një e emëruar nga zoti Trump në vitin 2017, do të “konfirmonte” ose do të miratonte zyrtarisht, tranzicionin kur fituesi të ishte i qartë.

“Përkundër raporteve të medias dhe sugjerimeve, vendimi im nuk u mor nga frika ose favoritizmi”, shkruante zonja Murphy.

Akti Presidencial për Tranzicionin i vitit 1963 nuk parashikon ndonjë afat të prerë brenda së cilit duhet të veprojë GSA, por agjencia ka vepruar historikisht pasi organizatat e medias parashikojnë fituesin, gjë që ndodhi më 7 nëntor.

Reagimet e republikanëve

Të hënën senatori nga Tenesi, Lamar Alexander që është në përfundim të mandatit dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për fillimin e tranzicionit, lëshoi një deklaratë të re duke thënë që zoti Trump duhej “të vinte vendin para së gjithash” dhe të ndihmonte administratën e zotit Biden të ketë sukses.

“Kur ke një jetë publike, njerëzit mbajnë mend veprimin e fundit që ndërmerr”, tha ai.

Senatori Republikan Rob Portman nga Ohajo i bëri thirrje të hënën Administratorse së Shërbimeve të Përgjithshme që të vinte në dispozicion paratë dhe personelin e nevojshëm për tranzicionin. Senatori Portman, një nga anëtarët kryesorë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe atij për Çështjet Qeveritare në Senat, tha gjithashtu se zoti Biden duhet të marrë informacione të nivelit të lartë mbi sigurinë kombëtare dhe planin e shpërndarjes së vaksinës për koronavirusin.

Senatorët Alexander dhe Portman, të cilët të dy kanë mbështetur zotin Trump, iu bashkuan një numri në rritje të zyrtarëve republikanë të cilët ditët e fundit i kishin kërkuar PresidentitTrump që të fillonte tranzicionin menjëherë.

Senatorja republikane Shelley Moore Capito e Virxhinias Perëndimore gjithashtu bëri thirrje për një tranzicion të qetë, duke thënë në një deklaratë të hënën se “në një moment të caktuar, zgjedhjet e vitit 2020 duhet të përfundojnë.”

Ndërkohë më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare – përfshirë ish-Drejtorin e Sigurisë Kombëtare Tom Ridge, ish-Drejtorin e CIA-s Michael Hayden dhe ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Negroponte – thanë në një deklaratë se refuzimi i zotir Trump për të pranuar dhe lejuar një tranzicion të rregullt”, përbën një kërcënim serioz” për procesin demokratik të Amerikës. Zyrtarët që nënshkruan letrën kanë shërbyer për katër presidentë republikanë, përfshirë zotin Trump.

Deklarata u bëri thirrje “Udhëheqësve Republikanë – veçanërisht atyre në Kongres – të kërkojnë publikisht që Presidenti Trump të pushojë sulmin e tij anti-demokratik ndaj integritetit të zgjedhjeve presidenciale.”


Send this to a friend