VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bllokohet autostrada “Ibrahim Rugova”, një i vdekur e disa të lënduar rëndë

By | August 18, 2019

Komentet

Thaçi: Tarifat të hiqen sepse po e izolojnë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje të premten që të hiqen tërësisht tarifat ndaj mallrave serbe, duke theksuar se Kosova duhet të marr vendim që i japin fund izolimit.

Në një shkrim në rrjetet sociale ai shkruan se “kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë”.

Ai tha se nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare Robert O’Brien.

“Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se do të fillojë heqjen e kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se qëndrimi i tillë nuk është bashkërenduar me të dhe se ajo nuk do ta votojë miratimin e tij.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se Brukseli po pret të mësojë më shumë hollësi, por e mirëpret vendimin si një hap të parë që mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit. zëri i amerikës

Albin, a ta mbajmë apo ta n’shojmë veriun e vendit!? – Nga Florim Zeqa

Në këtë shkrim nuk do të merrem me takimin e kryeministrit Kurti me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç në Samitin e BERZH-it në Londër, se pse ishte ulur afër dhe çfarë i ka kërkuar asaj, as me rezultatet e punës së qeverisë, për shkak se është tepër herët për të dhënë vlerësime për punën e qeverisë së re, por do të flas për disa çështje të cilat duhet të tërheqin vëmendjen kryeministrit të ri, Albin Kurti.

Pas hapave të vegjël, priten vendime të mëdha për vendin

Pajtoj me mendimin e kryeministrit Kuri, se nuk mund të arrihen rezultate brenda një dite dhe një jave, por brenda një ore dhe një dite të vetme mund të mirren vendime të rëndësishme për vendin.
Janë për t’u përshendetur nismat e mbara të kryeministrit Albin Kurti, filluar nga përgjysmimi i pagave për kabinetin qeveritar, shkarkimin e 14 konsujve të emëruar jashtëligjshëm, anulimin e disa tenderëve të dhënë po ashtu jashtëligjshëm gjatë periudhes së qeverisjes së kaluar. Por këta hapa janë tepër të vegjël në raport me shumë çështje të hapura dhe të mbyllura nga paslufta e deri në ditët e sotme.
Në vitet e para të pas luftës, të gjitha qeveritë dhe partitë politike erdhën dhe u larguan nga pushteti pa përmbushjen e premtimit elektoral për bashkimin e Mitrovicës së ndarë me 12 Qershor 1999 nga forcat ruso-franceze të KFOR-it. Pas 17 Shkurtit 2008, të gjitha qeveritë e Kosovës përveq zbehjes së këtij premtimi deri në anashkalim, partitë politike në pushtet erdhen me premtimin për liberalizim të vizave dhe me kauzën e Demarkacionit me Malin e Zi.
Fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel e shënon fillimin e ri të iluzioneve për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe (Zajednica) nga dy ish kryeministrat paraprak, përkatësisht ajo e nënshkruar nga Hashim Thaçi me 19 Prill 2013 dhe Isa Mustafa me 25 Gusht 2015 i kanë vënë thëmelet e autonomisë së Zajednicës serbe në veri të vendit dhe lidhjes asimetrike me komunat serbe në brendi të vendit.

Karta e Zajednicës e ka trimëruar Serbinë

Zajednica serbe me kompetenca ekzekutive në një mënyrë e legjitimon ndarjen e veriut të vendit. Me “kartën” e Zajednicës në xhep, Serbia i ka shtuar akoma më shumë apetitet grabitçare për shtrirje më të thellë në brendi të Republikës së Kosovës.
Si rezultat i atyre dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga dy ish kryeministrat kosovarë, përgjatë dy viteve të fundit janë hartuar platforma gjeo-politike, plane të fshehta dhe të hapura për ndarjen përfundimtare të pjesës veriore të Kosovës.
Siq dihet, në mes të këtij plani, qeveria e kaluar me rekomandim të disa parnterëve ndërkombëtar e instaloj Taksën 100 % politike, kinse si masë masë ndëshkimore ndaj Serbisë, e cila u bë pretekst për ndërprerjen e dialogut të Brukselit.
Mirëpo, kjo ndërprerje e dialogut i ka intesifikuar akoma më tepër takimet e fshehta mes dy palëve, si dhe ka prodhuar takime tjera në nivel ndërkombëtar të liderëve serb dha atyre shqiptarë, siq ishte ai i Berlinit dhe Parisit vitin e kaluar, nga të cilat takime është avancuar ideja e shkëmbimit të territoreve, përkatësisht gllabërimi i pjesës veriore nga Serbia.

Arusha nuk trembet me shoshë

Sado që kryeministri Albin Kurti po mundohet t’i mbulojë problemet që ka para vetës me deklarata bombastike dhe reciprocitet, nuk do mund t’u ikë temave të hapura, për të cilat bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar zgjidhje të shpejtë dhe pa kushte.
Nëse Albin Kurti ka menduar mirë deklaratën bombë në takimin e Mynihut të Gjermanisë në përballje me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova”, atëherë paraprakisht “çlirimit të Serbisë nga Kosova”, Albin Kurti duhet ta çlirojë veriun e vendit nga paramilitarët serb dhe bandat kriminale, në të kundërtën sovraniteti i shtetit të Kosovës rrezikon të përfundojë shpejtë tek Ura e Ibrit në Mitrovicë.
Meqë është kështu, atëherë pa humbur kohë, Albin Kurti duhet të ndërmerr veprimet e duhura për të dëshmuar lidershipin e tij, ashtu siq konsiderohet në popull, si politikan që mbanë fjalën dhe premtimet, e jo të bie në nivelin e politikanëve mashtrues.
Nuk është koha e fjalëve të medha dhe kauzave të rrejshme, por është koha e veprimeve konkrete, për arsye se është momenti më i ndjeshëm nga përfundimi i luftës, më kruciali pas 17 shkurtit 2008.
Përpara çdo fjale apo veprimi kërkohet maturi dhe pjekuri politike, pragmatizëm dhe syqeltësi para çdo situate, e mbi të gjitha kërkohet unitet i faktorit politik dhe qytetar, për shkak se çështja sovranitetit dhe territorit të vendit është e të gjitheve, pra e pozitës dhe opozitës, e të gjithë qytetarëve të vendit dhe e mërgimtarëve që jetojnë me mijëra kilometra larg atdheut.
Ashtu sikurse 21 vjet më parë që na u dasht ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për çlirim nga Serbia, edhe tani na duhet ndihma e miqve për ta përmbyllur çështjen e hapur të veriut të vendit.

Thirrje e sinqertë për kryeministrin Kurti

I nderuari kryeministër i vendit tim, Albin Kurti, kërkojë nga ju që të jeni transparent në veprime dhe i sinqertë në deklaratat politike. Nuk ka taksë dhe as reciporcitet që na e zgjidhë çështjen e veriut të vendit, sikurse që nuk ka forcë që na bashkon më shumë sesa sinqeriteti dhe transparenca e veprimeve politike.
Nëse e mendoni që e keni forcën bashkoni Mitrovicën dhe veriun në përgjithësi, mjafton një thirrje e juaja si kushtrim për të gjithë shqiptarët, në të kundërtën, bëni mirë ta thoni të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur, që të lirohemi nga stresi dhe ankthi i së ardhmës së pasigurtë në Republikën e Kosovës.
Nëse keni vizion për ta bashkuar qytetin e ndarë të Mitrovicës, atëherë para anulimit të çdo vendimi tjetër, duhet të merrni vendim për anulimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa për themelimin e Zajednicës me kompetenca ekzekutive, në të kundërtën, bëni mirë t’ua tregoni të vërtetën qytetarëve të vendit, se çka fshihet pas zgjidhjes finale me Serbinë.
Zoti kryeministër, të jeni i qartë, konkret dhe i sinqertë përpara qytetarëve të vendit, se a jemi të gatshëm ta mbajmë veriun e vendit apon ta n’shojmë në mëshirën e ndërkombëtarëve!?
Janë pak më tepër se shumë 21 vjet të humbura për Kosovën, nuk guxojmë të humbim më asnjë ditë të vetme dhe asnjë javë, për shkak se muajt dhe vitet vlejnë dekada dhe shekuj për Kosovën.
Zgjidhja e problemit të veriut të vendit dhe mbyllja e kapitullit shekulor me Serbinë, përveq zgjidhjes së shumë problemeve zinxhirore, hapë përspektivën e sigurtë të investimeve kapitale dhe determinon zhvillim të shpejtë dhe stabilitet qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.
Per dallim nga marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, varianti final i marrëveshjes me Serbinë, para çdo lloj nënshkrimi duhet të kaloj në referendum popullor, e tek pastaj të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, e assesi nuk guxon të mbetet çështje inividuale e presidentit, kryeministrit apo cilit do lider shtetëror.
Janë edhe shumë tema tjera të ndjeshme për vendin, me të cilat dhe për të cilat duhet të merret kryeministri i vendit, por pa dyshim “alfa dhe omega” e të gjitha problemeve mbetet pjesa veriore e vendit, pa zgjidhjen e së cilës Kosova do të mbetet vrimë e zezë në zemër të Ballkanit, pa liberalizim të vizave dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore dhe integruese në organizatat prestigjioze ndërkombëtare (OKB, BE, INTERPOL, etj.).

Kurti: Jam koordinuar me LDKnë për heqjen e tarifës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot, në një konferencë për media, vendimin e qeverisë që udhëheq për heqjen e pjesshme të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

Kurti ka thënë se për vendimin e marrë është dakorduar paraprakisht me partnerin e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisjen e vendit, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se e ka njoftuar zëvendëskryeministrin e parë të vendit, Avdullah Hoti, për shpalljen e vendimit.

“Në vija të trasha e kam njoftuar se sot do të dal me qëndrimin sa i përket reciprocitetit në njërën anë, dhe heqjes së tarifës 100 për qind për lëndën e parë që vjen nga Serbia, në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

“Ne, me konceptin e reciprocitetit, kemi garuar në shtator dhe tetor të vitit kaluar. Kemi fituar më 6 tetor, e kemi përfshirë në programin e qeverisjes së përbashkët si partnerë të koalicionit në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar”, është shprehur ai.

“Është politikë e jona. Është princip i rregullimit të raporteve të shëndosha”, ka deklaruar Kurti.

“Edhe nga takimi që kam pasur sot, edhe me bashkëpunimin e deritanishëm, natyrisht që jemi të harmonizuar dhe jemi bashkë”, ka shtuar Kurti.

“E theksoj edhe njëherë që hapin e parë po e bëjmë ne, gjestin e parë të vullnetit të mirë po e bëjmë ne, duke hequr tarifën…”, ka thënë ai më tej.

Kurti ka njoftuar se ministrit të Financave dhe Transfereve i ka “dhënë detyrë që nga Doganat e Kosovës të marrë të gjitha kodet doganore të lëndës së parë që importohet nga Serbia, që të njëjtat të mos e paguajnë më tarifën 100 për qind”. /Express/

Kryeministri e heq pjesërisht dhe me kushte taksën ndaj mallrave serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konferencë për media, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta heqë taksën pjesërisht dhe me kushte ndaj mallrave serbe.

Kurti ka vendosur ta heqë tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina duke filluar nga data 15 mars.

“Nga 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina”, është shprehur Kurti.

“Kjo si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë. Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

E nëse Serbia vazhdon fushatën miqësore, atëherë nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditëshe”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu, Kurti kushtëzoi edhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BE’ja ta zhvillojë lart këtë veprimin tonë, duke filluar liberalizimin e vizave. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e Qeverisë së Kosovës për eliminim e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pas në fushën ekonomike e politike”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti thotë se nëse Serbia nuk reflekton, tarifa do të rikthehet përsëri.

“Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qeshor do ta rikthejë tarifën përsëri”.

“Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qeshorit”, shtoi Kurti.

Kryeministri Kurti del në konferencë për media në orën 18.30

Kryeministri Albin Kurti ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media, njofton Zyra e tij.

Pasi e anuloi mbledhjen e Qeverisë, që ishte planifikuar të mbahej sot në orën 16:00, kryeministri do të deklarohet për media sonte në orën 18:30.

Kështu ka njoftuar Zyra e tij, ndërsa mbledhja e anuluar sot, do të mbahet të premten në mesdite.

Express ka raportuar se ka përplasje mes dy partnerëve qeveritarë LDK’ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për shkak të qëndrimeve për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar sot që të hiqet taksa dhe të mos rrezikohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Express/

Albin Kurti i kthen përgjigje SHBA-ve: Nuk e heqim taksën

Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer përgjigje negative kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe. Kësisoj priten pasoja të mëdha për Kosovën.

Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, Shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga qeveria e Albin Kurtit.

Kurti tashmë u është përgjigjur amerikanëve negativisht. SHBA-tëa planifikojnë të merren masa, ndërsa vetëm tërheqja e njohjes nuk është një nga opsionet për “ndëshkim”. Nuk dihet saktësisht se çka që do të ndërmarrë Amerika, megjithatë suspendimi i investimeve dhe aktiviteteve tjera që ndihmojnë Kosovën për 20 vjet, mund të jetë disa nga masat.

Kryeministrit Kurti i kanë kërkuar heqjen e tarifës shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Kërkesa të njëpasnjëshme ka bërë edhe emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi, i cili është emëruar edhe ushtrues detyre i shefit të 17 agjencive të inteligjencës në SHBA. bw

Qeveria paralajmëron mbajtjen e një takimi për të vendosur për taksën

Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të mblidhet së shpejti për të marrë vendimin në lidhje me taksën apo tarifën doganore të vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Vendimi për tarifën doganore prej 100 për qind ishte marrë në nëntor të vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Qeveria aktuale e kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Vendimi i qeverisë në lidhje me taksën, po paralajmërohet pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria planifikon të mbajë një takim ku përveç çështjes së tarifës, do të diskutohet edhe për realizimin e planit qeverisës që rrjedhë nga marrëveshje e koalicionit, ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abazi, tha se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se sipas tij, çështja e heqjes së tarifës po shikohet me kujdes.

“Në përgatitjen e planit qeverisës, i cili është në finalizim, është që të kemi qasje të përgjithshme përfshirë edhe marrëdhëniet në rajon, po në mënyrë specifike, në kalimin nga tarifa për mallrat serbe dhe boshnjake në reciprocitet për të përdorur këtë si instrument të njohur përbrenda marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Abazi.

Megjithatë, ai tha se ende nuk mund të tregohet një datë se kur do të largohet taksa, por theksoi se Qeveria e Kosovës , po punon që t’i mbyll çështjet e hapura dhe jo të hap çështje të reja në rrafshin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e SHBA-së e BE-së për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje i ka munguar në tentativën e proklamuar që taksën ta zëvendësojë me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, para më shumë se një jave ka shkruar në Twitter se Kosova duhet të heqë tarifën, pa vënë masa tjera në mënyrë që të evitohen barrierat për bizneset dhe ekonominë.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Abazi thotë se Qeveria do të jetë e kujdesshme me vendimet që do të merr.

“Lëvizjet duhet të jenë në një paralelizëm të veprimeve konstruktive për të arritur në një fazë tjetër [të dialogut] e cila nuk është vetëm edhe një cikël i pafund i diskutimeve, por determinim i vullnetit politik dhe i fqinjësisë së mirë, që të përfundohet njëherë e mirë e përgjithmonë problemi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Abazi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha një ditë më parë se “masa e reciprocitetit nuk është për hakmarrje e as nga inati”, por siç u shpreh ai, vendoset për shkak se Kosova ndihet e diskriminuar dhe kërkon të trajtohet e barabartë.

Kurse, zëvendësi i tij, Haki Abazi thotë se vendosja e reciprocitetit, është qasje pragmatike.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një postim në Facebook është shprehur se para Kosovës është një proces sfidues i arritjes së Marrëveshjes së paqes me Serbinë, që sipas tij, si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës.

“Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”.

“Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin. Pengesat e vetëshkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi”, ka shkruar Hoti pos tjerash në Facebook.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke u shprehur se ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb.

“Paragjykimet për këto dy tema, në fakt, janë standard i vënë nga vetë ai dikur. Ky debat në publik i duhet pikërisht atij, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore. Por, kjo nuk i duhet sot Kosovës”, ka shkruar pos tjerash Veseli.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast të rinisjes së procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të sqarohen formati i bisedimeve, pasi që, sipas tij, deri tash ai format ka qenë i paqartë.

“Ne e kemi të qartë, duke u bazuar në premtimet, por edhe kërkesat e komunitetit ndërkombëtar që me t’u marrë vendimi për largimin e tarifës, konsiderohet se më nuk ka asnjë barrierë që dialogu të rifillon. Megjithatë, unë konsideroj se nëse vendimi për largimin e tarifës merret nëse ose pas nesër, konsideroj që do të fillojnë vetëm parapërgatitjet për takimet mes palëve të përfshira”, tha Kryeziu.

Kryeziu thekson se para rifillimit të dialogut, në rrafshin e brendshëm, duhet të ketë një unitet gjithëpërfshirës të spektrit politik. Kjo sipas tij shihet si një sfidë dhe disavantazh në raport me palën tjetër në dialog.

“Në situatën e tanishme është përgjegjësi e institucioneve udhëheqëse drejtuese qeverisëse që të kujdesen që kurdo që dialogu të rifillojë ata të jenë të gatshëm dhe paaftësia për të arritur një pajtueshmëri të mos jetë disavantash i shënuar dhe shumë i dëmshëm për zhvillimin e procesit të dialogut dhe përfundimisht për marrëveshjen dhe përmbajtjen e saj finale”, tha Kryeziu.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë caktuar tashmë dy diplomatë të saj që do të ndihmojnë dhe lehtësojnë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mathew Palmer dhe Richard Grenell. Përderisa Bashkimi Evropian ka propozuar diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialog.

Sipas burimeve të REL-it në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Thaçi, pas takimit me Pompeon: SHBA, interesim i ri për Kosovën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas takimit me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Departamentin e Shtetit se politika kosovare, partitë politike dhe qeveria duhet të orientohen dhe të marrin vendimet që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me SHBA.

Duke komentuar për Zërin e Amerikës menjëherë pas takimit, ai tha se “është qëndrim i qartë i SHBA që Kosova ka nevojë të prodhojë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimin e saj ekonomik.”

Ai tha se nuk është i arsyeshëm konfrontimi me dikë për të lënduar raportet strategjike me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. “Por para së gjithash ne jemi të bekuar me këtë interesim të ri dhe konkret të SHBA për Kosovën,” tha Presidenti i Kosovës.

Zoti Thaçi tha se i kërkoi Sekretarit Pompeo që roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Ai tha se kishte marrë zotimin e tij e në të njëjtën kohë kishte shfaqur edhe zotimin e Kosovës “që të jemi sa më shpejtë pjesë e Natos, sepse kemi një ushtri profesionale dhe multietnike.”

Zoti Thaçi komentoi edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan shkelje të Kushtetutës nga zoti Thaçi kur ishte kryeministër lidhur me marrëdhëniet e FSK-së me NATO-n. Presidenti i Kosovës tha: “Kosova është e bekuar që ka Naton në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e Natos. Shqetësim për Kosovën është paranoja për Naton dhe jo prezenca e Natos.”

Presidenti Thaçi u prit gjithashtu me ceremoni në Departamentin e Mbrojtjes.

Kurti: Thaçi ka bërë shkelje me “marrëveshjen sekrete” me NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka shkelur Kushtetutën gjatë kohës kur ishte kryeministër i vendit.

Ai i bëri këto komente duke shpalosur një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.

Një pajtim i tillë mes Kosovës dhe NATO-s është përmendur në disa raste edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, posaçërisht pas vendimit të parlamentit të Kosovës në dhjetor të vitit 2018 për të shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj. Kjo u ritheksua edhe të mërkurën nga zyrtarët e NATO-s.

Kryeministri Albin Kurti tha e përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të Forcës së Sigurisë në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Kryeministri Kurti i është drejtuar me një letër kryetares se Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani, për të informuar siç thuhet me “implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013”, duke përfshirë edhe një opinion të zyrës së tij ligjore rreth letërkëmbimit të cilin ai e quan marrëveshje të fshehtë.

“Marrëveshja është mbajtur fshehtë, bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare sipas opinionit të zyrës së kryeministrit, opinionit ligjor, tash e kanë 120 deputetë të Kuvendit të republikës edhe opinionin ligjor të zyrës së kryeministrit edhe letrën time dërguar kryeparlamentares Osmani edhe shkëmbimin e letrave midis ish kryeministrit dhe ish sekretarit të NATo-s. Pra, nuk është se ne do të marrim veprime tash, ne duam marrëdhënie shumë të mira me NATO-n dhe KFOR-in mirëpo duhet ta bëjmë transparente për ligjvënësit dhe për qytetarët e Republikës se nuk na paska qenë vetëm një marrëveshje por dy me 19 prill të vitit 2013”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se letërkëmbimin e ka siguruar nga një zyrtar i NATO-s dhe se tani është në duar të deputetëve të parlamentit të vendosin për hapat e ardhshëm ndaj presidentit aktual.

“Unë nga çfarë kam parë këtu, besoj që kemi një rast të cilin duhet të trajtojnë organet e drejtësisë. Nuk mund të bëj edhe gjykatësin, unë po e bëj personin i cili po ju informon”, tha kryeministri Kurti.

Ndaj deklaratave të kryeministrit reagoi kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli që e cilësoi “shqetësues faktin që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës”.

Në llogarinë e tij në facebook, zoti Veseli shkroi se “sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, shkroi ai.

Ndërsa, ish kryeministri Ramush Haradinaj bëri publike një letër të 9 janatrit të vitit 2019 në të cilin ai e njoftonte NATO-n për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Zoti Haradinaj shkroi se “qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvleftësohen kufizimet territoriale të letrës së ish-kryeministrit Thaçi të vitit 2013, dhe i bëhej ftesë NATO-s që përmes KFOR-it të nënshkruajë protokollin e të bashkëpunimit operacional, këtë herë pa kufizime territoriale”.

Letërkëmbimi kishte ndodhur në kohën kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjet e para në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti tha të mërkurën se nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sa i përket përmbajtjes së saj dhe se e kupton dhe vlerëson rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj, duke nënvizuar se nuk do të ndërmarrë asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e Kosovës. zëri i amerikës

Grue, djali i ka ga rrogtarit – Nga Sinan Kastrati

                                                                                  

 

Nuk ka mëngjes që nuk ka lajme taze nga Kosova e nuk ka ditë që nuk festohet. Lajmet taze tash na servohen edhe në mbrëmje e natën.

Lajmet nga politika, janë më joshëse. Ndoshta pse ata që udhëheqin vendin, në politikë janë emra që tash, deshëm e s`deshëm ta pranojmë janë emra me stazh të gjatë.

Hashimi paska shkua në Amerikë e Albini bashkë me kryeministren e Serbisë, Bernabiç gu me gu në Londër, aty ku dikur ishte edhe Isa Boletini me dy alltia e Hashimi (në Rambuje) me dy bomba.

Lajmet nuk mbarojnë veçme Albinin, si kryeministër i ri e me Hashimin me një përvojë mbi 20 vjet në politikë.

Ajo që duhet të na shqetësoj të gjithëve, është sëmundja Koronavirusit, që dasht Zoti e nuk na vjen në Kosovë nga politikanët tanë që kohën më të madhe e kalojnë në ”bisht të ballanes”.

Kush rrejti i para për njohjen nga Xhamajka?

Tjetra, që veç ka fillua të harrohet është skandali diplomatik i (ç)nohjes së Xhamajkes.

Dhe sikur të mos mjaftonte që të presin së pakut dy netë, udhëheqësit tanë vrapuan se kush po merr myzhde i pari për një rrenë siq doli në të vërtetë. Edhe kësaj here, Hashimi ishte i pari, ai që e plasoji rrenën e radhës “

Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka falënderuar Xhamajkën për njohje, Kamina J Smith ka shkruar se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, ka shkruar ajo.

Por kjo nuk ishte rrena e parë e as nuk do të mbetet ”myzhdja” e fundit. Ai, kur Kosova e shpalli pavarësinë, 17 shkurt 2008, pat dekraru ”Kam konfirmim zyrtar se 100 shtete, në grup do ta njohin Kosovën…. ”,mbante ymyd në shtetet e Ligës Arabe (shën.imi).

Për gjendjen e vështirë të pjesës më të madhe të popullsisë askush pra s`i kallxon veshit. Pse janë martua e kanë ”gjetur” aq shumë carrokë? Le të jetojnë qysh të duan ata, punë e madhe. Ata, gajlen kanë se si ti punësojnë të afërmit e ti rrisin pagat edhe ashtu të majme ”lluc” që janë marramendëse, për akraballakin e tyre, për gratë, kojshitë, kusherinjët, për kunatat e për djallarët. Rrogat e tyre janë afërsisht sa të industrialistëve përendimorë.

Seq mua kujtuan dajtë dhe një anekdotë për dajtë.

Fëmiu iu gan daj`ve

Një pasanik i cili kishte pasuni që nuk ia dinte skèjin, kish edhe edhe disa rrogtarë që i punonin tokën e i ruanin gjâen.

Pas disa viteve martesë, pasunikëve iu lind një djalë. Gëzimi ishte shumë i madh e i zoti i shtëpisë bâni një zjafet që s`mbahej në mend në at nahi, lindi trashëgimtari.

Kur fëmiu filloi të rritej e luante nëpër oborr, si fëmijët se si luanin dikur, i zoti i shtëpisë po e shikon dhe po i bân zâ gruas e cila ishte e zënë me punë tjera.

-Grue moj, a po e sheh qi djali i ka ga rrogtarit, ia ka “k`put kryet”.

-Uh burri jem, mos u bân budallë se f`mija iu gajnë dajve që janë shumë larg e na rragtarin e kemi n`shpi.

“Burri” nuk e qoj ma gat e u kënaq me përgjigjen e gruas.

Paga mujore 12.300 deri në euro

Një zyrtar ligjor në Telekom mori pagë mujore 12.300 euro (Ekonomia Sot 24/02/2020 18:24)12 mijë euro, ishte paga për shtatorin e kaluar që avokati Gazmend Nushi ka marrë nga Telekomi i Kosovës. Nushi, i cili figuron në listat e punëtorëve të Telekomit, ka pagë mujore prej 2 mijë e 950 eurosh, mëson KTV-ja.

Duhet besuar Xhavit Halitit,ënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti i cili e ka pranuar publikisht se i ka dy – tre milion euro, Kuvendit të Kosovës. Haliti, i kishte thënë Adriatik Kelmendit se, secili sot i ka dy apo tre milionë euro pasuri.

Çka ka mbetur pa u thënë?

Të shohim ditëve në vazhdim. Tash fillon edhe muaji mars, “mullza” rritet e koha nxehet.

Albin, nëse vazhdon kështu, do të jesh “heroj” im i shkrimeve të ardhsme.

Suksese Albin e mos u zmbraps por as mos u ngut se ngutia është rruga më e shpejt për me u rr`zua.

 

Sinan Kastrati, Suedi

Malmö, 25 shkurt 2020

Zëri i Amerikës: Paralajmërohet ngritja e akuzave në Gjykatën e Posaçme për Kosovën

Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, paralajmëroi të hënën fillimin e ngritjes së akuzave.

Në një njoftim të së hënës pasdite, thuhet se “Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”.

Në njoftim thuhet se kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ramush, a për inat, a për zanat? – Nga Sinan Kastrati

Ka disa ditë, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, që Ramushi herë i lutet e herë e kërcnon Albinin, “…. mos e hiq taksën”!

Refreni i Ramushit është si ajo kënga e dreqit “Kosova nuk ka asnjë garancë se heqja e taksës 100% për produktet e Serbisë e sjellë Marrëveshjen Finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”.

Bân qysh t`thâm unë e mos bân qysh bâj unë!

Po a është kështu qysh po i thot Ramushi Albinit apo ”bân qysh t`thâm unë e mos bân qysh bâj unë”.

E Avdullah Hotin e gjuajtën me vezë në qendër të Prishtinës, jo larg Skënderberut e Ibrahim Rugovës.

Ramush, sipas adetit që ti je “kanungji”, edhe një bijë e fisit nëse hyn nermjet, burrat i dorëzojnë armet. Sejmenët tu, e dh…në adetin.

Nuk ishte e vështirë me i gjet kush ishin ata që gjuajtën.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

 

“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje për T7…”

Dauti pra dhe disa të tjerë brenda AAK-së dualën haptaz në përkrahje të huliganëve që e gjuajtën me vezë të prishuara (shën. imi) Avdullah Hotin.

Por të k`thehemi mbrapa kur Ramushi u bë (apo u zgjodh ?) kryeministër dhe edhe më herët kur Ramushi ishte deputet.

Ramush Haradinaj ia përplas hartën për fytyre Murat Mehës, RAJONIPRESS 12:51, 13 Korrik, 2015

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Ramush Haradinaj ia ka përplasur për fytyre hartën kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi, Murat Meha. Mësohet se Haradinaj as nuk e ka lënë Mehën ta përfundojë raportimin, duke përplasur një hartë që kishte në dorë dhe më pas ka lëshuar mbledhjen, shkruan Gazeta Express. Ngjarja ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet mbledhja e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe po raporton Komisioni Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi.” ndërsa kur u bë kryeministër Ramushi vetë e votoi Demarkacionin.

“Deputetët e Lëvizja Vetëvendosje dhe të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk lan gur pa përmbysur e për ta kundërshtuar vetëm e vetëm që ”Demarkacioni” me Malin e Zi mos të kaloj.

Deputetët e këtyre dy subjekteve përdorën edhe gaz lotsjellës brenda Kuvendit e jashtë dhunë për ta ndaluar votimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Mirëpo, pas zgjedhjeve të vitit 2017 çdo gjë ndryshoi kur Ramush Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë.

Pavarësisht se e kundërshtonte çdo herë demarkacionin, Haradinajt iu deshën gjashtë muaj pas betimit të kabinetit të tij qeverisës që ta jetësoj marrëveshjen me Malin e Zi.

Më 21 mars të vitit 2018, me 80 vota u votua Demarkacioni

Më 21 mars të vitit të kaluar, me 80 vota pro dhe 11 kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Edhe për këto këto ka pasur e nde ka diskutime që janë për dhe kundër.

Ranë maskat

Një politikan do të ironizonte: ”Ditën kur u votua Demarkacioni, ranë maskat në Kuvend – BE t’i liberalizojë vizat

Mendimi im është: më i pavendosuri ka qenë dhe është vetë Ramushi dhe AAK-ja. Ata sikur e kanë harrua ”Kufirin me Malin e Zi” e tash iu kanë ly Albinit dhe LDK-së, për mos me e hjek Taksën 100% kundër Serbisë, sepse vetë nuk janë aty ku zihet pasuli nga një kokërr.

E tash, çka do të bëjë Ramushi?

Ai ka edhe derte dhe mospajtime e mosmarrëveshje të tjera me Albini, si kryeministër,  për rrugën Pejë -Gjakovë-Prizren që iu ka premtua dukagjinasve.

Ramushi: Albini është mashtrues

Ramushi i ka bërë ”hesapet pa hangjinë”.

Të gjithë do ti besonin Ramushit sikur Ramushi do ti rrinte besnik fjalëve që i ka thënë për Kufirin me Malin e Zi. Është Ramushi, si kryeministër që e ka dhënë pëlqimin për me u votua dhe kjo punë është krye. Ato toka, Çakorrin e Bjelluaha mund ti k`thehen Kosovës vetëm me luftë. E Ramushi e din se më luftë nuk mundet me bë, sepse nuk ka kaqik dhe nuk ka më si dikur kur e kishin UÇK-në, “aleaten” e NATO-s.

Ramushi, si Demushi

Ramush, pse nuk po e len Albinin rehat?

Nëse ti si kryeministër, ke bërë shumë prapësira duke keqpërdorur bugjetin e Kosovës, duke i rritur pagat vetes 100%, Albini, nuk do ti bëje këto.

Unë jam i sigurt se Albini edhe ti jeni larg njëri tjetri sikur Poli Verior me Polin Jugor.

Ramushi është si Demushi “Fal`t si Demushi e pun`t si kerkushi”.

Në veri të Suedisë, Norvegjisë dhe në Trekufirin: Morvegji-Finlandë-Rusi e deri në Altë të Norvegjisë isha në midis të muajit Korrik 1999. Atje, Dielli, Dritë e Ditë ishte 24 orë, natë nuk kishte.

Ngritët dolli kur ia falët Malit të Zi tokat e Kosovës e malet e Ruovës

Ramush, kur e votuat “demarkacionin, ngritët dolli me shampanjë sepse ju premtuan “VIZAT” ndërsa tash kërkon “Finalen” ose, garanci për njohjen nga Serbia për me e hjek taksën.

Tash e kanë radhën për dolli, LDK-ja e Vetëvendosja

Dielli në Kosovë nuk nxen 24 orë edhe sikur Kosova të ishte në Veri të Evropës. Aty do të ketë vetëm terr, tmerr e fukarallak deri sa të largoheni, pa përjashtim të gjithë liderët e partive politike e “shtetërore” dhe të gjithë “komandantët” e veterananët mashtrues e rrenca.

Pasi e përfundova shkrimin mu kujtuan grevat e minatorëve të Trepçës, të para 31 vjetëve dhe mashtrimi që iu bëri Rrahman Morina.

Dashtë Zoti e nuk do të kemi më Rrahman Morina.

Kosova u “çlirua” por “komandantët” u ngujuan nëpër bunkerat e Enver Hoxhës.

 

Sinan Kastrati

Malmö, 23 shkurt 2020