“Kush është ajo e re e mjegullt?”, pyeti Napoleon Bonaparti. Ajo ishte Elizabeta Brentano, e njohur thjesht si Betina. Në fakt, Napoleoni nuk ishte mes trofeve të saj, as nuk ishte tipi i saj. Ajo nuk i kërceu në prehër, siç bëri me Gëten, apo të këndonte emrin e saj në veshin e tij, siç bëri me Bethovenin, apo të bënte ecje intime, siç bëri me Karl Marksin.
Napoleoni nuk i kushtoi një betejë asaj, siç ndodhi me Bethovenin, Shumanin dhe Brahmsin që i kushtuan këngë apo Grimët, një edicion me përralla. Por edhe pse në largësi, Betina Brentano tërhoqi komentet e tij. Ajo ishte e motra e një poeti të famshëm, bashkëshortja e një tjetri dhe frymëzim për të tjerët, por refuzoi të shkruante poezi.
Ajo që shkroi i ka inatosur dhe magjepsur njerëzit qysh atëherë. Ajo ishte një muzë e epërme, një lëvizje letrare e një gruaje, njëherazi mes figurave unike dhe më përfaqësuese të shekullit romantik. Betina u lind në Frankfurt më 1785–n në familjen e madhe të një tregtari italian.
Gjyshja e saj ishte një romanciere e njohur sentimentale. E ëma kish qenë dashuria e parë e madhe e Gëtes dhe Betina u rrit, duke menduar për të si pronë e familjes. Kur e ëma vdiq, Betina, atëherë tetë vjeçe, u fut në një kuvend. Kur ishte 12 vjeçe dhe jetonte me gjyshen, një burrë i ri i pashëm u shfaq. Ishte i vëllai, Klemensi, të cilin nuk e kish parë qysh kur ishte 5 vjeçe. Ai u bë mentori dhe mbrojtësi i saj.
Klemensi i dha zemër Betinës të lexonte Gëten. Ai u marros pas personazhit të trilluar të Minjonit në Stazhin e Vilhem Maisterit. Minjoni i Gëtes ishte një valltar i vogël italian, i vjedhur prej familjes nga artistët e cirkut. Ajo ngjitej mbi çati, disa ditë nuk fliste dhe ditë të tjera fliste me gjëegjëza; mbante një thikë dhe ndeshej me keqbërës. Në sjellje dhe veshje, Betina u bë shejtani, i pashpjegueshmi Minjon.
Ndërkohë për Gëten vetë, ajo ngjizi një pasion që do të ziente deri sa të vdiste. Mjaft çuditshëm, ishte shqetësimi kryesor i Klemensit që Betina duhet të martohej me një kandidat të mirë dhe të bëhej një zonjë shtëpie e vërtetë. Ai kishte frikë se e motra do të lidhej me një poet të çmendur. Klemensi i njihte poetët e çmendur, sepse ishte vetë një i tillë. Në një pikë, ai leu dhomën e tij (tavan dhe dysheme), qilimin, perdet dhe fytyrën e tij ngjyrë blu. Ai shkroi drama dhe përralla dhe miku i tij, Akim von Arnim, (me ndihmë nga Betina) grumbulloi poema popullore për koleksionin epokal “Des Knaben Wunderhorn”, një pjesë e rëndësishme për Romantizmin gjerman. Si një poet lirik, Klemensi rivalizoi Gëten.
Dekada më vonë, Betina do të botonte letërkëmbimin e saj me të vëllain. E shohim që me hope i jepte zemër dhe, po ashtu, përpiqej ta frenonte. Ajo rezistoi pa pushim. “Për qiell”, e qortoi ajo, “mos u bëj si profet… Nëse do ta dije këtë… shtrigat e shekujve të kaluar nuk ishin tjetër veçse viktimat e kapsllëkut, do të kujdeseshe më shumë”. Që atë kohë, Betina kishte tmerr të zakonshmen.
Klemensit i shkroi, në terma ku mund të jehonte për të gjithë jetën: “Nuk ka dobi të më thuash të jem e qetë; për mua kjo do të thotë të ulem me duart në prehër, duke parë përpara për supën që kemi në darkë… Shpirti im është një valltare e pasionuar; ajo vallëzon me muzikën e fshehtë që vetëm unë mund ta dëgjoj…
Çfarëdo ligji që bota mund të përshkruajë për të zotëruar shpirtin, unë refuzoj t’i bindem”. Betina ishte e vogël dhe delikate, me krela të bulëzuara, lëkurë porcelani, sy të thellë ngjyrë kafeje dhe një magnetizëm përtej bukurisë konvencionale. “Cili artist do t’i jepte meritat?”, bërtiste Gëte. Dashuria e parë e adoleshentes Betina ishte për një vajzë pesë vjet më të madhe, një poete e bukur, melankolike dhe e varfër, që jetonte në një kuvend: Karolina von Gunderod. Betina do të botonte gjithashtu letrat e tyre.
“Nuk mund të shkruaj poezi si ty, Gunderod, por mund të flas me natyrën… Dhe kur të kthehem… do vendosim shtretërit tanë krah më krah dhe do të bisedojmë bashkë gjithë natën… spekulime të mëdha e të thella që e bëjnë botën e vjetër të gërvijë në menteshat e veta të ndryshkura”. Por Gunderod kishte një pasion të dëshpëruar për një burrë të martuar. Një ditë ajo hapi fustanin e saj për t’i treguar Betinës vendin në gjoksin e saj, ku një thikë do të takohej me zemrën e saj.
Në fund dashnori u kthye tek e shoqja dhe Gunderod goditi me thikë gjoksin. (Gëte e përdori incidentin në tregime). Betina u shkatërrua, por nuk u mposht. Gunderod kishte rënë në anën e errët të temperamentit romantik: vuajtje vdekjeprurëse si Vërteri i Gëtes. Betina ishte ana diellore. Zëvendësuesit e Gunderodës nisën të shfaqeshin. Më 1807–n, Betina u bë shoqe me të ëmën e Gëtes, dhe dëgjonte historitë e birit të saj, të kohëve të shkuara. Përmes Betinës, Gëte do t’i bënte të vetat ato histori në autobiografinë e tij.
Po atë vit, Betina më në fund do të njihej me Gëten: Ai ishte 58, ajo ishte 21. Ai e pyeti se çfarë i interesonte. “Asgjë nuk më intereson veç jush”, i tha ajo. Ai e ftoi atë në shtëpinë e tij. Ajo iu hodh në prehër, i hodhi krahët në qafë dhe e zuri gjumi. Klemensi e raportoi se për tri orë Betina e ngriti në qiell Gëten, e kërdisi, e gjallëroi. “Mos harro Gëte, se si ndodhi që mësova të të dashuroja”, i shkroi atij.
Ishte përmes librave të tij. “Kam qenë xheloze (ai kish shkruar shpesh për dashuritë e veta) dhe ndonjëherë jam ndierë se kam qenë subjekti i poemave të tua – dhe pse nuk mund ta ëndërroj veten drejt lumturisë? Ç‘realitet më të lartë ka sesa ëndrra?” Ajo donte të bëhej muza dhe profetesha e tij. Përgjigjet e tij ishin çmuese, por të habitura. “Kam lexuar vetëm gjysmën e parë të letrës tënde dhe jam shumë i mallëngjyer për të vijuar. Ndërkohë, pranoji falënderimet e mia, vazhdo me predikimet e tua nga lartësitë e Renit dhe lëri psalmet e tu të rrjedhin drejt meje dhe peshqit”. Ai donte të thoshte se si mistiku Shën Anton, ajo duhet t’u predikonte njerëzve dhe natyrës njësoj. Fill pas kësaj, Betina po përndiqte një tjetër gjysmëzot të epokës, Bethovenin.
Muzika për të ishte si natyra, një zbulim përtej gjuhës dhe intelektit, dhe ajo këndonte shumë bukur. Bethoveni njihte vëllain e saj, Francin, dhe bashkëshorten e tij, Antonian. Një ditë, ndërsa thuajse i shurdhëri kompozitor po punonte në piano, ai ndjeu duar në shpinën e tij. U kthye me zemërim për të parë një grua të re tërheqëse që i foli melodishëm në vesh: “Emri im është Brentano”.
Një buzëqeshje e ngrohtë ngriti tiparet e tij prej qeni bulldog. A donte ajo të dëgjonte këngën që po kompozonte ai? Nuk ishte tjetër veçse “Kennst du das Land” i Gëtes: poezia e famshme e Minjonit, kënga e Betinës. Në ditët në vijim, ata ecën dhe bënë muzikë. Në vitet e mëvonshme disa spekuluan se e dashuria e mistershme, e pavdekshme, e Bethovenit ishte Betina. Nuk ishte ajo, por ishte përmes saj që ai njohu gruan që mund të ketë qenë e dashura e pavdekshme, kunata e Betinës, Antonia Brentano. Betina ngulmoi të bënte bashkë Gëten dhe Bethovenin.
Në letrat që do të botonte në “Letërkëmbimi i Gëtes me një fëmijë”, ajo do të citonte vizionin e dalldisur të Bethovenit për artin e tij: “Muzika është një zbulim më i lartë se të gjitha urtitë dhe filozofitë, vera që frymë- zonte një prej proceseve prodhuese, dhe unë jam Baku që shtrydh verën e tij të lavdishme për njerëzimin… Ata që kuptojnë muzikën time do të çlirohen nga të gjithë mjerimet që të tjerët mund të derdhin mbi ta”. Këto dhe të tjera kredo nga letrat e Betinës do të bëheshin thëniet më të famshme të kompozitorit rreth muzikës dhe ndihmuan të ndërtohej miti romantik i Bethovenit. Por këto fjalë në re ishin të Betinës, jo të Bethovenit.
Ajo i ëndërroi ato. Bethoveni nuk kish thënë gjëra të tilla. Në një letër origjinale të mbijetuar drejtuar Betinës, ai ofshau nga një “bacchanalia” (aheng,) një natë më parë, për të cilin po vuante tashmë. Betina do ta kthente të pirit e Bethovenit në një vegim të Bakut që shtrydhte verën transcendente. Ajo bëri të njëjtën gjë si me botimin e letrave të Gëtes, Gunderodës, të vëllait dhe vetes. Ajo qëndisi dhe shpiku. Studiuesit kanë bërtitur qysh herët se ishte mashtrim. Admiruesit e kohëve të fundit deklarojnë se Betina e krijoi vetë zhanrin e saj letrat “romani epistolar”.
Jura është ende jashtë. Ka një tjetër element tronditës. Për aq sa dimë, Betina nuk ishte kurrë fizikisht dashnorja e Bethovenit apo Gëtes. Ajo e magjepsi Gëten dhe atij i pëlqenin gratë e reja. Me siguri ajo aspironte të bëhej dashnorja e tij. Por në fund, ajo ishte tepër për të. Ai e ktheu atë dhe letrat e saj në material për libra dhe poema, por e mbajti larg fizikisht. Nuk habitemi që ajo i qëndroi besnike atij. Lidhjet jashtëmartesore ishin një biznes i tensionuar dhe me rrezik, dëshmitare ishte Gunderode. Romantikët vuanin aq shumë pjesërisht prej dëshirës shpirtërore dhe Betina ishte një virtuozë në këtë. Bethoveni dhe Gëte më në fund u takuan.
Betina nuk ishte aty ta shihte, sepse ajo kish fyer bashkëshorten e Gëtes. (Por më pas ajo u martua me poetin, shokun e Klemensit von Arnimin). Të dy burrat ecën, folën dhe u ndanë me ankth. Betina sajoi historinë e famshme se Bethoveni u shty përmes Partisë Perandorake në rrugë, ndërsa Gëte qëndroi mënjanë dhe u përkul. Por është e vërtetë që Bethoveni e kritikoi respektin e Gëtes ndaj fisnikërisë. Gëte shkroi se talenti i Bethovenit “më mrekulloi”, por në fakt atij iu duk i padurueshëm. Ata nuk u takuan më kurrë. Siç doli, shumë e dëshironin atë. Pasi i shoqi dhe Gëte vdiqën, Betina e ringjalli veten. Letrat e saj drejtuar Gëtes e bënë të famshme.
Komentet