“Jemi në pronën e Shaban Jasharit, gjyshit tim, i cili me të gjithë familjen, gruan, dy djemtë, gratë dhe fëmijët e tyre, me vetëdije dha jetën për lirinë të cilën e gëzojmë sot”. Me këto fjalë fillon rrëfimin e tij Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, nipi i Adem Jasharit komandantit legjendar të UÇK-së. Para shtëpisë së gjyshit të tij në Prekaz të Komunës së Skenderajit, kryetar i të cilës është Bekimi, rikujton momentet kur forcat serbe në mars të vitit 1998 për tre ditë vranë 59 anëtarët e afërt dhe të largët të familjes së tij.
Bekim Jashari në një bisedë për Anadolu Agency (AA) thekson se gjyshi i tij ka qenë mësuesi i parë në Drenicë pas Luftës së Dytë Botërore dhe se gjatë gjithës jetës së tij për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme për lirinë e shqiptarëve është përndjekur dhe arrestuar nga regjimi i atëhershëm.
“Ai kishte tre djem dhe pesë vajza. Ata i edukoi dhe arsimoi në frymën e atdhedashurisë dhe pastaj ka qenë vet pjesëmarrës me djalin e tij të dytë, Hamzën, babain tim, ndoshta dhe organizator i demonstratave të vitit 1968, të cilat ishin për flamurin kombëtar në rajonin tonë”, thotë Bekimi.
Djali i Shabanit, Rifati nga viti 1969 ndodhej në Gjermani ndërsa Hamza dhe Ademi ishin në Prekaz, në Kosovë, ku u shkolluan dhe filluan aktivitetet për atdheun e tyre, thotë ndër të tjera Bekimi.
Sipas tij, Hamza dhe Ademi ishin organizator të protestave të vitit 1989 në Kosovë dhe ishin kyçur në lëvizjet e atëhershme që dëshironin të bënin diçka për vendin e tyre. Pas kthimit të Ademit nga stërvitjet me grupin në Shqipëri në vitin 1991, ai u zbulua nga regjimi serb dhe më 30 dhjetor 1991 shtëpia e tyre në Prekaz u rrethua, ku erdhi deri të shkëmbimi i zjarrit, ku pati të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët. Që atëherë Ademi me pushkë në dorë, thotë Bekimi, zgjeroi grupin e tij në mbarë Kosovën duke mobilizuar shqiptarët.
Sulmi i dytë i forcave serbe mbi shtëpinë e Shaban Jasharit ndodhi më 22 janar të vitit 1998, kur po ashtu pati të vrarë dhe të plagosur nga pala serbe ndërsa në shtëpinë e tyre u plagosën dy vajza të vogla, njëra e Ademit dhe tjetra e Hamzës. Sulmi i tretë dhe i fundit ndodhi më 5 mars të vitit 1998 në orën 6 të mëngjesit.
PRISHTINË (AA) – “Jemi në pronën e Shaban Jasharit, gjyshit tim, i cili me të gjithë familjen, gruan, dy djemtë, gratë dhe fëmijët e tyre, me vetëdije dha jetën për lirinë të cilën e gëzojmë sot”. Me këto fjalë fillon rrëfimin e tij Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, nipi i Adem Jasharit komandantit legjendar të UÇK-së. Para shtëpisë së gjyshit të tij në Prekaz të Komunës së Skenderajit, kryetar i të cilës është Bekimi, rikujton momentet kur forcat serbe në mars të vitit 1998 për tre ditë vranë 59 anëtarët e afërt dhe të largët të familjes së tij. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )
“Dëshmitarët tregojnë se tërë natën e 4 marsit kanë ardhur forca serbe ushtarake, policore dhe paramilitare, përafërsisht 15 mijë njerëz me makineri ushtarake, që janë vendosur në qytetin e Skenderajt dhe pjesa më e madhe e këtyre forcave ishte në kodrën e afërt, ku ka qenë fabrika e municionit dhe është kthyer në një bazë ushtarake të asaj kohe të serbëve”, tregon Bekim Jashari.
Forcat serbe fillimisht u pozicionuan në pikat që konsideroheshin të rëndësishme për të parandaluar ardhjen e ndihmës nga fshatra tjerë dhe më pas rrethuan shtëpinë ndërsa luftimet filluan më 5 mars. Luftimet vazhduan deri më 6 dhe 7 mars në orën 4 pasdite.
“Janë vrarë 20 anëtarë nga famlija jonë e ngushtë, Shaban Jashari me djemtë e tij, gruan, nuset, nipërit e mbesat. Gjithsej 20”, theksoi Bekimi.
Së bashku me mysafirët, që ishin daja i Adem e Hamzë Jasharit dhe anëtarët e familjes më të gjerë gjithsej u vranë 59 njerëz dhe të gjithë janë varrosur së bashku në kodrën e afërt.
Siç tregon Bekimi, motra e tij Besarta, atë kohë një vajzë dhjetëvjeçare, e cila ishte me familjen në një shtëpi të mbyllur, mbijetoi pa asnjë pasojë. Mbijetoi edhe djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, i cili në kohën e sulmit ishte në Prekaz dhe jo në shtëpi, por luftoi me disa të afërm të tjerë. Bashkimi sot është gjeneral i Ushtrisë së Kosovës.
Pas kësaj beteje, shqiptarët u mobilizuan edhe më shumë në njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftimet e tyre ndaluan në qershor të vitit 1999 me fundin e bombardimeve tre mujore të NATO-s ndaj Serbisë.
Bekim Jashari nuk ishte në Prekaz kur familja e tij u vra. Ai ka qenë në Gjermani që nga viti 1993, me xhaxhain Rifatin, ku veçmë ishte edhe Murati, djali më i madh i Rifatit, i cili në 1991 ishte pjesë e grupit të Ademit që ishte trajnuar në Shqipëri.
Pasi grupi u zbulua pasi u kthye në Kosovë, ai nuk u kthye më nga Gjermania. Atyre në Mynih në vitin 1996 iu bashkua edhe djali i Ademit, Lulzimi, në mënyrë që secili bir i Shabanit në Gjermani të kishte një djalë, në mënyrë që në rast të më të keqes, të mbijetonin pasardhësit.
Pas luftës mund të bëhej më shumë
Bekim Jashari vlerëson se në periudhën pas luftës dhe për 11 vjet të pavarësisë së Kosovës është bërë shumë, por kjo nuk është e kënaqshme, sepse ka mundur të arrihet shumë më tepër. Sipas fjalëve të tij, para 1999 patriotizëm ishte të jesh me pushkë në dorë ndërsa sot patriotizëm është zhvillimi ekonomik i vendit.
“Vetëm nëse ne e ndërtojmë dhe zhvillojmë vendin tonë, e krijojmë një shtet stabil, ku rinia e këtij shteti nuk kanë nevojë të mendojnë për të shkuar në Evropë për kafshatën e bukës, atëherë mund të themi se ne kemi përmbushur amanetin e të gjithë dëshmorëve të vendit. Kështu që, nuk jam i kënaqur me këtë, jo se nuk është punuar, është punuar shumë, por jo aq sa kemi mundur të punojmë”, thotë ai.
Ai thotë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe se kjo është plotësisht normale pas luftës, sepse shumë vende në botë kanë zhvilluar një luftë dhe kanë krijuar marrëdhënie miqësore dhe sot kanë marrëdhënie të mira reciproke.
“Mendoj se edhe ne gjithashtu duhet të kemi marrëdhënie dhe dialog me Serbinë, por me kritere të qarta. E para, Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që i ka bë në Kosovë dhe e dyta nuk kemi çka të bisedojmë për kufijtë e Kosovës, sepse për ato kufij është derdhur gjak. Por, spektri ynë politik shqiptar duhet të jetë më unik mes vete, të jenë me një gojë dhe me një vijë, sepse kemi të bëjmë me dialog me një armik shekullor. Kur është tema kombëtare në nivel të vendit, atëherë nuk duhet të na mundin këto ngjyrat e partive politike, nuk duhet të na përçajnë, por të na bashkojnë. Kur këtë ta përfundojmë, atëherë secili le të ketë drejtimin e vet politik”, porosit Bekim Jashari.
Mos me i leshu themelet e kosoves te lara me gjak ne shekuj…madje te te na kthehen kufijt e vjeter jo ti japim akoma…
❤❤❤