VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bashkimi Euroazian fton Shqipërinë dhe MV: Më shumë benefite se në BE

By | October 30, 2019

Komentet

Shkarkohet ministri brazilian, ia kopjoi fjalimin ministrit të Hitlerit

Ministri brazilian i kulturës, Roberto Alvim, është shkarkuar nga pozita për shkak të parafrazimit të ish-ministrit gjerman për propagandë në qeverinë e Hitlerit, Joseph Goebbels.

“Arti brazilian në dekadën e ardhshme do të jetë heroik dhe nacional. Ai do të jetë i pajisur me një kapacitet të madh për përfshirje emocionale dhe do të jetë po aq i domosdoshëm, sepse është thellësisht i lidhur me aspiratat urgjente të popullit tonë, në të kundërtën nuk do të jetë asgjë”, tha ministri i shkarkuar.

Këto fjalë janë mjaft të ngjashme me fjalimin që e kishte mbajtur ministri i Hitlerit në vitin 1933 para një grupi të menaxherëve dhe drejtorëve të teatrove. Ai kishte thënë: “Arti gjerman në dekadën e ardhshme do të jetë heroik, i sertë, por romantik, faktik, pa sentimentalizëm. Ai do të jetë nacionalist me një thellësi të madhe të ndjenjave, do të jetë i detyrueshëm dhe do t’i bashkojë njerëzit, në të kundërtën do të pushojë së ekzistuari.”

Përmes rrjetit social, Facebook, ministri i shkarkuar u arsyetua se kjo ngjashmëri është thjeshtë rastësi retorike.

Rivalët e presidentit Bolsonare e kanë akuzuar atë për marksizëm kulturor dhe për mohim të ndryshimeve klimatike dhe feminizmit.

Deklarata kundërthënëse e ish-ministrit të kulturës lidhej me promovimin e një fondi prej 4.8 milionë dollarësh për teatro, opera dhe ekspozita të artit dhe muzikës, ku prioritet do të ishin temat konservatore dhe religjioze, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Mishustin nuk u zgjodh rastësisht nga Putini për kryeministër

Todd Prince

Kryeministri i ri i Rusisë, Mikhail Mishustin, ka reputacionin e njeriut që i çon gjërat deri në fund.

Përgjatë qëndrimit të tij afro një dekadë në krye të shërbimit tatimor të Rusisë, me një ushtri prej afro 150 000 punëtorësh, të cilët mbikëqyrin pagesat e taksave, Mishustin ka trefishuar shumën e të hollave që kjo agjenci kontribuon në buxhet.

Teksa Rusia përballet me rritje të ngadalshme ekonomike për shkak të sanksioneve dhe uljes së çmimit të naftës, rezultatet e mira e kanë shpërblyer Mishustinin, prandaj qeveria e ka zëvendësuar atë në vend të Dmitry Medvedevit, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 15 janar.

Qeveria e Medvedevit me vështirësi ka tentuar të realizojë ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, sidomos ato për projekte kombëtare në vlerë të 400 miliardë dollarëve. Kjo qeveri po ashtu ka dështuar të përmbushë premtimin e Putinit të dhënë në maj të vitit 2018 për rritje të pagave për disa nivele të punëtorëve shtetërorë.

“Pas disa vjetëve të fokusimit në sigurime, duke përfshirë rrezikun në sanksionet e ardhshme, autoritetet ruse duhet të fokusohen në çështje të brendshme siç është ofrimi më i mirë i shërbimeve publike”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, ekonomistja, Elina Ribakova, që mbikëqyr Rusinë në Institutin Ndërkombëtar të Financave.

“Ekziston nevoja e një menaxheri efektiv që do të sigurohet se projektet kombëtare realizohen dhe përmbushen objektivat”.

Megjithatë, Mishustin, të cilin televizioni shtetëror rus e ka quajtur “forcë speciale e politikës financiare qeveritare”, një referencë për fuqitë e tij në fushën e taksave, mund të jetë një zgjedhje ideale për të mbajtur nën kontroll fraksionet brenda elitës.

Njoftimi i Putinit më 15 janar për ndryshime kushtetuese ka rezultuar me dorëheqjen e Medvedevit, ndonëse analistët këtë vendim e përshkruajnë si “shkarkim” nga Putini.

Këto zhvillime pritet të ndajnë fituesit dhe humbësit brenda elitës.

“E gjithë ajo çfarë kemi parë më 15 janar, na tregon se marrëdhënia me popullin nuk është shqetësimi kryesor i Rusisë. Asaj më shumë i intereson mbajtja e elitës në linjë të kontrollit”, ka thënë Sam Greene, drejtor i Institutit për Rusinë në Kolegjin King të Londrës.

“Andaj një person, i cili është zbatues i ligjit dhe vjen nga sfondi i tatimeve, ku kanë dijeni ku varrosen trupat, është më i dobishëm për ta pasur afër”, ka thënë Greene.

Ndyshimi i kryeministrit për herë të tretë

Putin ka synuar të promovojë ndjenjën e stabilitetit qeveritar gjatë 20 vjetëve në pushtet, duke ndryshuar qeveritë në mes të mandatit vetëm dy herë tjera.

Putin pati shkarkuar Mikhail Kasyanov në shkurt të vitit 2004 pak para rizgjedhjes, duke e zëvendësuar atë me Mikhail Fradkov, një burokrat.

Fradkov “ka dhënë doëheqje” më 2007, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale, dhe vendin e tij e ka zënë, Viktor Zubkov.

Të dy, si Fradkov, ashtu edhe Zubkov kanë punuar për shërbimin kombëtar të taksave. Fradkov një kohë ka udhëhequr agjencinë policore të taksave, një agjenci, e cila te shumë persona ngjall frikë.

Zubkov ka qenë përgjegjës në këtë agjenci në rajonin verior, dhe më vonë ka drejtuar agjencinë në luftimin e pastrimit të parave.

Greene ka thënë se e kaluara e njëjtë e Mishustinit, Fradkovit, and Zubkovit nuk është e rastësishme.

Mishustin ka të përbashkët edhe diçka tjetër me këta dy burra, thonë analistët. Ai është person që nuk ka ambicie politike dhe, i cili pavarësisht pozitës së tij të fuqishme, nuk konsiderohet pasardhës i Putinit kur këtij të fundit t’i përfundojë mandati më 2024.

“Mishustin nuk ka përvojë politike apo famë tek elektorati dhe nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit”, ka thënë analistja politike, Tatiana Stanovaya.

“Ai është aty vetëm sa për të qenë”, ka thënë ajo.

Përbërja e kabinetit të Mushustinit nuk pritet të ndryshojë shumë nga ai i Medvedevit, pasi ministrat e njëjtë pritet të jenë në fushën e ekonomisë dhe financave.

Njeri i taksave digjitale

Rusia ka hasur në vështirësi, sidomos në vitet 1990 për të luftuar evazionin e përhapur fiskal, krim të cilin një analist e ka cilësuar “burim të krenarisë” në mesin e kompanive dhe qytetarëve rusë.

Rusët dhe kompanitë e pasura në këtë vend dërgojnë të hollat në banka të dyshimta jashtë shtetit për t’iu ikur taksave.

Një pjesë e madhe e ekonomisë ka qenë në hije, pasi Rusia ka humbur 16.2 miliadë dollarë në vit nga tatimet, pati thënë ish-drejtori i Bankës Qendrore, Sergei Ignatyev më 2013.

Mirëpo Mishustin, 53-vjeçar ka vënë në funksion së fundmi teknologjinë e fjalës së fundit për të penguar evazionin fiskal.

Ndërtesa e shërbimeve për taksa në Moskë, dikur zonë ushtarake, tani është e mbushur me serverë të të dhënave dhe specialistë të teknologjisë informative.

Më 2018 kjo agjenci ka mbledhur 345 miliardë dollarë taksa, apo tre herë më shumë sesa kur Mishustin ka nisur udhëheqësinë më 2010, transmeton agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Mishustin i ka thënë Putinit në nëntor, gjatë një takimi në Kremlin, se vlera e taksave më 2019 është 8 për qind më e madhe, në krahasim me vitin paraprak.

Rritja e fitimit nga taksat ka ndikuar në aktivitetin ekonomik në dekadën e fundit, duke i ndihmuar qeverisë të mbyllë vrimat problematike, pasi ekonomia është dobësuar si pasojë e sanksioneve.

Alexis Rodzianko, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Moskë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bilanci i taksave ka qenë kryesisht e mirë gjatë udhëheqësisë së Mishustinit.

“Efikasiteti i mbledhjes së taksave është rritur dhe profesionalizmi po ashtu. Përvoja jonë është pozitive. Në gjysmën e kaluar të vitit, kualiteti i dialogut ka qenë i mirë dhe konstruktiv”.

Agjencia e Mishustinit ka prezantuar një faqe online për individë dhe kompani, duke thjeshtësuar deklarimin e taksave.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Toyota investon në zhvillimin e veturave që fluturojnë

Prodhuesi i veturave, Toyota i Japonisë thotë se do të investojë rreth 400 milionë dollarë në një kompani që punon për të zhvilluar vetura fluturuese të cilat do të siguronin “shërbime të shpejta, të qeta dhe të përballueshme të transportit ajror”.

Toyota, më 16 janar, tha se investimi në transportin ajror ka qenë një “qëllim afatgjatë”.

Presidenti i kompanisë, Akio Toyoda, tha se kompania që ai e udhëheq po transformohet.

“Ndërsa ne vazhdojmë punën tonë në biznesin e veturave, kjo marrëveshje vendos vështrimin tonë në qiell”, tha Toyoda në një deklaratë.

“Përmes kësaj përpjekjeje të re dhe emocionuese, shpresojmë të ofrojmë lirinë e lëvizjes dhe kënaqësisë tek klientët kudo, në tokë, dhe tani, në qiell” tha ai.

Investimi i Toyota-s do të bëhet në kompaninë Joby Aviation, e cila po zhvillon një mjet transporti elektrik, me katër pasagjerë, që ngritet dhe ateron vertikalisht, si një helikopter.

Kompania parashikon që prodhimi i saj të përdoret për transport komercial. rel

INSTAGRAM sjell risinë që të gjithë e kemi pritur prej kohësh

Instagram-i sa vjen dhe përmirëson opsionet e tij, duke jua lehtësuar kështu “jetën” përdoruesve të tij. Shumica prej jush me siguri e hapin Instagramin nga telefoni dhe DM (Direct Message) e keni të aksesueshëm nga celulari.


Mirëpo, çfarë ndodh kur ju e hapni llogarinë tuaj të Instagramit në kompjuter? Nuk ka një opsion ku ju mund të flisni me mesazhe me miqtë tuaj.

Epo, së shpejti Instagram do të ketë të aksesueshme në kompjuter edhe DM. Ju mund të flisni me mesazhe, të bëni like dhe komente nga kompjuteri njësoj si në celular. Kjo gjë po testohet dhe së shpejti do të jetë e aksesueshme për të gjithë.

Qeveria e Medvedevit jep dorëheqje

Qeveria e kryeministrit të Rusisë, Dmitry Medvedev, dorëzoi të mërkurën dorëheqjen te presidenti Vladimir Putin.

Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi Putin, gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, bëri thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të ketë ndryshime të rëndësishme, sa i përket balancës së pushtetit”, tha Medvedev gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, tha Medvedev.

Putin, duke iu adresuar Asamblesë Federale, tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.

Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.

Putin po ashtu tha se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.

“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.

Ai po ashtu tha se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.

Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.

Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.

Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit. rel

Britania, Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjidhje për shkeljet e Iranit

Britania, Franca dhe Gjermania njoftuan të martën se hapat e Iranit në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nuk u lënë atyre zgjidhje tjetër veçse ta kalojnë çështjen në një proces të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashtruar në dispozitat e marrëveshjes.

Vendet thonë se ata kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre në bazë të Planit të Përbashkët të Veprimit, përfshirë heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Iranit dhe duke punuar për të promovuar tregtinë e ligjshme me Teheranin.

“Megjithatë, Irani ndërkohë ka vazhduar të thyejë kufizimet kryesore të përcaktuara në marrëveshje,” thuhet në një deklaratë të përbashkët. “Veprimet e Iranit janë në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes bërthamore dhe kanë ndikime gjithnjë e më të rënda dhe të pakthyeshme të përhapjes së armëve bërthamore.”

Marrëveshja, e nënshkruar gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, kishte për qëllim të ulte shqetësimet se Irani po punonte për të ndërtuar një armë bërthamore dhe vendoste kufizime në programin e tij bërthamor, që synonin ta bënin të pamundur një gjë të tillë. Në këmbim, Irani u lehtësua nga sanksionet që dëmtuan keq ekonominë e tij.

Por pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018, Irani filloi të zvogëlojë pajtueshmërinë e tij me hapa të tillë si tejkalimi i kufijve të lejuar të sasisë së uraniumit të pasuruar, që mund të rezervojë, duke e pasuruar në nivele më të larta dhe duke përdorur më shumë centrifuga sesa lejohet.

Irani e bëri këtë përmes një seri hapash, duke pohuar çdo herë se ato ishin të kthyeshme nëse nënshkruesit e tjerë punonin me Iranin, kryesisht për ta ndihmuar atë ekonomikisht pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif tha të hënën se të tre vendet evropiane “ishin përkulur ndaj diktatit amerikan” dhe se një qasje e tillë kurrë nuk do të arrijë asgjë.

“E3 mund të shpëtojë marrëveshjen por jo duke kënaqur bullistin dhe duke i bërë presion palës përgjegjëse,” tha zoti Zarif në Twitter. “Përkundrazi duhet të marr guximin për të përmbushur detyrimet e veta.”

Administrata e Presidentit Donald Trump argumentoi se marrëveshja ishte shumë bujare për Iranin dhe nuk e kufizonte atë që e quajti sjellje armiqësore të Iranit në Lindjen e Mesme. Ajo ka realizuar atë që e quan një fushatë “presioni maksimal” për të detyruar udhëheqësit e Iranit të ndryshojnë kursin e tyre.

Britania, Franca dhe Gjermania përsëritën “keqardhjen dhe shqetësimin” e tyre për tërheqjen e SHBA nga marrëveshja dhe e sqaruan të martën në deklaratën e tyre se kërkimi i një rezolute nga Komisioni i Përbashkët nuk do të thotë se ata po mbështesin strategjinë amerikane.

“Tri vendet tona nuk po bashkohen në një fushatë për të zbatuar presionin maksimal kundër Iranit,” thuhet në deklaratë. “Shpresa jonë është që ta kthejmë Iranin në përputhje të plotë me angazhimet e tij sipas marrëveshjes.”

Komisioni i Përbashkët përbëhet nga një anëtar nga secili nga nënshkruesit, dhe sipas marrëveshjes ata kanë 15 ditë për të zgjidhur një mosmarrëveshje. Hapi është i pari në një seri mekanizmash të zgjidhjes së mundshme, i fundit prej të cilave përfshin referimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. zëri i amerikës

Protestat e studentëve përbëjnë kërcënim të ri për regjimin e Iranit

Frud Bezhan

Protestat e udhëhequra nga studentët në Iran mund të përbëjnë rrezik më të madh për autoritetet sesa protestat kombëtare të nëntorit të vitit të kaluar, përmes së cilave është kundërshtuar rritja e çmimeve të naftës.

Në këto protesta situata ishte përshkallëzuar, meqë janë vrarë qindra persona, duke shënuar kështu përgjigjjen më të përgjakshme në historinë 40-vjeçare të regjimit, që është themeluar më 1979 gjatë Revolucionit Islamik, kanë thënë analistët.

Irani është goditur për muaj nga një varg protestash kundër qeverisë, të nxitura nga menaxhimi i dobët dhe vështirësitë financiare, në të cilat janë vrarë apo burgosur protestuesit.

Trazirat e brendshme kanë qetësuar tensionet e ngritura si pasojë e vrasjes së gjeneralit ushtarak, Qasem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara përmes një droni në Bagdad më 3 janar.

Zemërimi për vrasjen e gjeneralit të famshëm, njëherësh një prej figurave më të fuqishme në këtë shtet, shumë shpejt ka bashkuar iranianët.

Gjenerali i vrarë iranian, Qasem Soleimani.

Gjenerali i vrarë iranian, Qasem Soleimani.

Mirëpo një valë e re e protestave kundër qeverisë, këtë herë e udhëhequr nga të rinjtë e zemëruar, ka shpërthyer pas lajmeve se ushtria iraniane ka rrëzuar një aeroplan të një linje ajrore ukrainase duke lënë të vdekur 176 persona më 8 janar.

Autoritetet iraniane janë akuzuar për tentim të fshehjes së këtij incidenti, pasi fillimisht kanë mohuar përfshirjen në këtë fatkeqësi.

Tri ditë më vonë, ata kanë thënë se një gabim njerëzor ka shkaktuar rrëzimin e aeroplanit, çka ka nxitur reagime ndërkombëtare.

“Teksa ka çështje të llogaridhënies të lidhura me këto aspekte ekonomike, fshehja e rrëzimit të aeroplanit ukrainas ngrit dilemat nëse iranianët mund t’i besojnë regjimit, qoftë edhe liderit suprem kur është në pyetje jeta apo vdekja?”, ka thënë Scott Lucas, ekspert për Iranin në Universitetin Birmingham dhe redaktor në faqen, EA World View.

“Vdekje dikatatorit”

Protestat e studentëve kanë nisur në mbrëmjen e 11 janarit, pas përkujtimit të viktimave të rrëzimit të aeroplanit. Në mesin e pasagjerëve kanë qenë shumë iranianë të rinj, të cilët ishin nisur në Kanada, përmes Ukrainës, për të studiuar.

Mirëpo kjo ceremoni në njërin prej universiteteve të Iranit është kthyer shpejt në protestë, pasi iranianët kanë dalë nëpër rrugët dhe sheshet e Teheranit.

Protestuesit kanë bërtitur “Vdekje gënjeshtarëve”, “Ju nuk keni turp” dhe “Vdekje dikatorit”, duke iu referuar liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Në disa fotografi janë parë disa protestues duke shqyer fotografitë e Soleimanit.

Në Iran vazhdojnë protestat pas rrëzimit të aeroplanit

Për të tretën ditë me radhë, në Iran mbahen protesta kundër regjimit, i cili ka pranuar se ka rrëzuar një avion ukrainas të pasagjerëve

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë parë forca të sigurisë dhe zyrtarë policorë duke hedhur gaz lotësjellës, plumba gome dhe kanë shtënë me armë zjarri për të shpërndarë protestuesit në Teheran.

Më 12 janar, pakënaqësitë janë zgjeruar përtej kryeqytetit, duke përfshirë dhjetëra qytete të Iranit.

Protestat kundër-qeverisë kanë vazhduar për të tretën ditë me radhë më 13 janar. Protestat janë zhvilluar në Universitetin Sharif në Teheran dhe Universitetin, Amir Kabir.

Shefi i policisë së Teheranit ka mohuar që zyrtarët tjerë policorë kanë shtënë me armë zjarri, duke thënë se atyre u është dhënë urdhër që të tregojnë “përmbajtje”.

Pamjet në rrjetet sociale kanë shfaqur protestues dhe rrugë të gjakosura. Dëshmitarët kanë pretenduar se dhjetëra protestues janë plagosur.

Autoritetet iraniane janë duke u përballur me kritika të ashpra nga të dyja palët e ndara të Iranit. Edhe pjesëtarët e linjës së ashpër kanë kritikuar qeverinë për mënyrën si ka menaxhuar fatkeqësinë, duke akuzuar autoritetet për mashtrim të publikut.

Autoritetet iraniane fillimisht kanë përmendur probleme teknike për rrëzim të aeroplanit dhe kanë thënë se akuzat që Teherani kinse ka rrëzuar këtë pajisje janë propagandë amerikane.

Më vonë ushtria iraniane ka pranuar se ka rrëzuar aeroplanin, duke e konsideruar aeroplanin gabimisht si “shënjestër armiqësore”.

Rrëzimi i aeroplanit ka ndodhur disa ditë pas vrasjes së Soleimanit në Bagdad dhe po të njëjtën ditë kur ushtria iraniane ka sulmuar dy baza ushtarake amerikane në Irak.

Një një moment të rrallë, udëheqësi i trupave të Gardës Revolucionare Islamike, gjenerali, Hossein Salami, ka bërë lutje për falje.

Më 12 janar, në po të njëjtën ditë, lideri suprem, Khamenei ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e 176 personave dhe u ka bërë thirrje forcave të armatosura që të hetojnë se ku qëndron faji për “këtë incident të dhimbshëm”.

Megjithatë, fjalët e tij kanë bërë shumë pak për të qetësuar protestuesit tejet të zemëruar.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Liderët mund “t’i fryejnë zjarrit”

Lucas ka thënë se protestat e studentëve kanë nxitur “zemërim dhe ndjenjë të tradhtisë”.

“Mbetet të shihet nëse kjo do të lidhet me shqetësimet ekonomike që kanë shkaktuar protestat masive të nëntorit”, ka thënë ai.

“Dhe mbetet të shihet nëse regjimi do të kryejë shtypje të njëjtë të përgjakshme sikurse dy muaj më parë, duke vrarë qindra persona dhe duke burgosur mijëra të tjerë, pasi ka rrezik të përshkallëzimit të mëtejmë”, ka shtuar mes tjersh Lucas.

Narges Bajoghli, profesoreshë në Universitetin Johns Hopkins ka thënë se shtypja qeveritare e protestave të studentëve mund të “përkeqësojë situatën”.

“Nëse ata mendojnë se mund ta ‘ndalin’ zemërimin përmes shtypjes për atë që kanë bërë, ata vetëm do t’i fryejnë zjarrit”, ka thënë Bajoghli në një postim në Twitter.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Medalistja iraniane largohet nga vendi

Kimia Alizadeh, e vetmja medaliste olimpike për femrat në Iran, thotë se është larguar përgjithmonë nga vendi, duke denoncuar publikisht atë që ajo e quan “padrejtësi” dhe “hipokrizi” të një sistemi politik iranian që përdor dhe poshtëron atletët për qëllime politike.

21-vjeçarja Alizadeh, e cila fitoi një medalje bronzi në taekwondo në Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio, nuk tha se nga ku po shkruante, por në të kaluarën ka thënë se dëshironte të vendosej në Holandë.

Në deklaratën e saj, ajo tha se nuk dëshironte asgjë më shumë se “sportin, sigurin[ dhe një jetë të lumtur, e të shëndetshme”.

Por ajo tha që nuk dëshironte të “ulet më në tryezën e hipokrizive, gënjeshtrave, padrejtësive dhe lajka”.

Alizadeha nuk i zbuloi planet e saj për të ardhmen në deklaratë, por i tha “popullit të dashur iranian” se ajo do të mbetej “një iraniane kudo ku jetonte”.

Në tetor, Alizadeh hyri në listën e 100 personave më “frymëzues dhe më me ndikim në bota” nga BBC për vitin 2019 bazuar në temën e këtij viti për “të ardhmen e grave”.

Lajmet për zhdukjen e saj më 9 janar ngritën shqetësime në vend, me agjencinë gjysmë zyrtare të lajmeve ISNA që shkruante: “Tronditje për taekwondon e Iranit. Kimia Alizadeh ka emigruar në Holandë”.

ISNA shkruajti se mendohej se Alizadeh po kërkonte të garonte në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2020, por jo si anëtare e ekipit iranian. zëri i amerikës

Protesta në Iran

Presidenti Donald Trump thotë se është indiferent në lidhje me perspektivën e bisedimeve me Iranin pas dy javë sulmesh dhe kundërpërgjigjesh dhe vendosjen e sanksioneve të reja që vënë në shënjestër ekonominë iraniane.

Këshilltari i tij i sigurisë kombëtare Robert O’Brien i tha rrjetit CBS se Irani është “duke u djegur”, dhe se zyrtarët amerikanë shohin një mundësi për të intensifikuar më tej presionin ndaj drejtuesve të vendit për t’i lënë ata pa zgjidhje tjetër veç negociimit.

“Në fakt, nuk dua t’ja dijë nëse ata negociojnë,” tha presidenti Trump në Twitter të dielën vonë. “Është në dorën e tyre, por asnjë armë bërthamore dhe “mos vritni protestuesit tuaj”, tha presidenti në Twitter.

Protestat antiqeveritare shpërthyen përsëri të dielën mbrëma në Iran në ditën e dytë demonstrimeve kundër ushtrisë, që fillmisht mohoi dhe më pas pranoi se qëlloi gabimisht një avion civil ukrainas javën e kaluar, duke vrarë të 176 pasagjerët në bord.

“Ata gënjejnë se armiku ynë është Amerika, armiku ynë është këtu,” brohoriste një grup protestues pranë një universiteti në Teheran. zëri i amerikës

Teheran, forca speciale si përgjigje ndaj protestave (video)

Irani dislokoi të dielën në Teheran forcat speciale ndërsa autoritetet po përgatiten për të tjera protesta që kanë shoqëruar vendin pasi zyrtarë të lartë të vendit pranuan se një raketë iraniane kishte goditur gabimisht aeroplanin civil ukrainas, duke vrarë të 176 personat në bord.

Forca të policisë të veshur me të zeza e me helmeta mbrojtëse, u vendosën në sheshin e njohur Azadi në jug të qytetit si dhe pranë disa pikave kryesore të Teheranit.

Të shtunën u zhvilluan protesta në disa qytete iraniane. Protestuesit u shprehën të zemëruar pas lajmit se zyrtarët iranianë kishin gënjyer fillimisht mbi rolin e vendit në incidentin e së mërkurës.

Zyrtarët iranianë treguan të vërtetën mbi rrethanat e rrëzimit të avionit, vetëm pasi u bë e qartë se provat e mbledhura në terren, nuk do t’i lejonin më të vazhdonin të gënjenin, thuhej në një nga gazetat kryesore amerikane.

Në një postim në twitter të dielën Presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin të mos sulmojë demonstruesit.

“Për udhëheqësit e Iranit…..mos i vrisni protestuesit. Me mijëra tashmë janë vrarë apo burgosur nga ju dhe bota po shikon. Më e rëndësishmja është që SHBA-ja po ju sheh. Rivendosni qasjen në internet dhe lini gazetarët që të lëvizin të lirë! Ndaloni vrasjen e popullit tuaj të madh iranian!”, shkruante Presidenti amerikan.

Avioni u rrëzua të mërkurën, por për disa ditë Irani nuk tha asgjë se ishte një raketë iraniane ajo që kishte goditur avionin, duke vrarë të gjithë 176 pasagjerët. Por të shtunën autoritetet në Teheran e pranuan më në fund përgjegjësinë.

Zbulimi se qeveria pati gënjyer për disa ditë rresht përpara se të rrëfente të vërtetën, shtyu qindra njerëz në disa qytete të vendit të dalin në protesta. Ata kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit Suprem Ajatollahut Ali Khamenei dhe hodhën thirrje si “poshtë mashtruesit” dhe “vdekje diktatorit”.

Të shtunën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit pranoi se rrëzoi gabimisht avionin e Linjës Ndërkombëtare Ukrainase.

Komandanti i forcave ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh u shpreh në televizionin shtetëror se “merrte përgjegjësinë e plotë dhe se do t’i bindej çfarëdolloj vendimi që do të merrej”. Ai shtoi se do të kishte dashur më mirë të “kishte vdekur” sesa të mësonte lajmin mbi atë që i ndodhi avionit.

Atë natë ishim në gatishmëri të plotë për luftë”, tha ai dhe shtoi se Garda Revolucionare kishte kërkuar që të anulloheshin fluturimet komerciale, por kërkesa ishte refuzuar.

Sipas një raporti në gazetën The New York Times, zyrtarët iranianë u detyruan të thonë të vërtetën “sepse provat për goditjen me raketë ishte bërë tepër e qartë për hetuesit ndërkombëtarë”.

Një zyrtar ukrainas i tha gazetës se ekspertët e vendit të tij kishin mbledhur informacione në vendin e përplasjes “megjithë përpjekjet e dukshme të iranianëve për të ndërlikuar hetimin, madje edhe duke i mbledhur stivë mbetjet, në vend që t’i dokumentonin me kujdes”, siç tha ai.

Rrëzimi i avionit Boeing 737 ndodhi vetëm pak orë pasi Irani zhvilloi një sulm me raketa balistike ndaj bazave irakiane ku ndodhen forcat amerikane, si reagim ndaj një sulmi ajror amerikan me dron javën e kaluar që vrau komandantin e Forcave Quds, Gjeneral Qassem Soleimani.

Ukraina tha se fluturimi drejt Kievit ishte nisur si zakonisht dhe se ekuipazhi nuk ishte informuar për sulmet me raketa balistike.

Oleksiy Danilov, zyrtari ukrainas që drejton hetimet në vendin e përplasjes, i tha gazetës The New York Times se iranianët nuk mund të vazhdonin të gënjenin për rrethanat pasi “hetuesit ukrainas gjetën fragmente në pjesën e lartme të kabinës së avionit, të cilat ishin shpuar nga copëzat e një rakete”. zëri i amerikës

Kina e dënon fjalimin e presidentes së Tajvanit

Pekin

Kina dënoi fjalimin e fitores së Tsai Ing-wen, pasi ajo fitoi zgjedhjet presidenciale të Tajvanit dhe kritikoi Pekinin për kërcënimet ndaj vendit ishullor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne shpresojmë dhe besojmë se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t’i përmbahet parimit një-Kinë, të kuptojë dhe mbështesë kauzën e drejtë të popullit kinez për të kundërshtuar aktivitetet secesioniste për ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe për të realizuar ribashkimin kombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Geng Shuang, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.

Tsai Ing-wen fitoi mandatin e dytë të shtunën.

Më vonë në fjalimin e saj të fitores, ajo kritikoi Pekinin duke thënë se “Kina është përpjekur të na detyrojë të pranojmë kushte të papranueshme, kështu që ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të forcojmë aftësitë tona mbrojtëse”.

Kina pretendon Tajvanin si territorin e saj që nga viti 1949, duke shkatuar rritjen e tensioneve në rajonin e Azisë Lindore.

Mbretëresha Elizabeta do të diskutojë me princin Harry për tërheqjen e tij nga detyrat e familjes mbretërore

Princi Harry, Dukë i Saseksit dhe Dukesha Meghan Markle

Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elizabeta, ka thirrur nipin e saj princin Harry për të diskutuar rreth planeve për të ardhmen e tij dhe të bashkëshortes Meghan Markle, pas njoftimit nga çifti se kanë vendosur të tërhiqen nga obligimet mbretërore.

Princi Charles, babai i Harryt si dhe vëllau i tij William, do të marrin pjesë në mbledhjen e së hënës me mbretëreshën, raporton Reuters.

Meghan, ish-aktore në televizionin amerikan, pritet të bashkangjitet në mbledhje përmes telefonit pasi gjendet në Kanada së bashku me djalin e saj.

Duka dhe Dukesha e Saseksit, kanë befasuar familjen mbretërore dhe opinionin me deklaratën për zhvillimin e një jete të re, që do t’ju mundësonte të qëndronin edhe në Amerikën jugore, si dhe kanë shtuar se kanë vendosur të punojnë që të bëhen financiarisht të pavarur.

Harry dhe Meghan nuk ishin konsultuar paraprakisht me mbretëreshën Elizabeta dhe anëtarët e tjerë të familjes, gjë që sipas burimeve, raporton Reuters, ka ngjallur reagime në mbretëri. rel