VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Basha: Largimi i Ramës është i panegociueshëm. Mision kombëtar për të mos lejuar zgjedhje false

By | May 12, 2019

Komentet

Regjistrohen 168 vatra zjarri anembanë Shqipërisë, shumica zjarrvënie

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ka bërë një deklaratë për media në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në vend gjatë ditëve të fundit. Ai shprehet se vetëm në muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri, ku shumica e vatrave janë të qëllimshme.



Çako ndër të tjera shton se disa bashki se nuk po përdorin tërësinë e aseteve të tyre, duke theksuar se ato duhet të mbajnë rolin dhe peshën kryesore, ndërkohë që angazhimi i strukturave qendrore operacionale siç janë FA apo Policia e shtetit sipas ligjit vjen vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor.

DEKLARATA e PLOTE MBI SITUATEN E ZJARREVE:

Ardhjen e stinës së verës u shoqërua me rritje të mëdha të temperaturave duke shtuar së tepërmi mundësinë e rënies së zjarreve në pyje, sipërfaqe me shkurre, kullota etj.

Shkaqet e rënies së zjarreve natyrisht janë temperaturat e larta por nuk ka munguar neglizhenca, pakujdesia e banorëve të zonës dhe në shumë raste ka qene zjarrvënie e qëllimshme, për të cilët policia e shtetit po heton dhe gjej rastin ta inkurajoj për intensifikimin e punës për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve.

Nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri.

Sipas raportimeve të bëra nga Bashkitë dhe Prefekturat në AKMC (bashkitë më të prekura janë:

Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani. Në total ne gjithë Shqipërinë janë djegur 598 hektarë duke përfshirë dhe 2419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie.

Gjatë gjithë kësaj periudhe AKMC ka qenë dhe do të vijojë të jetë në gatishmëri të plotë për të dhënë asistencën e saj si autoriteti qendror koordinues, kontrollues dhe mbikëqyrës në fushën e mbrojtjes civile dhe të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë.

AKMC gjatë gjithë kësaj periudhe përveç koordinimit dhe menaxhimit të situatës së krijuar në mënyrë të pandërprerë ka kryer dhe rolin e kontrolluesit dhe monitoruesit të të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e kësaj situate.

Ndërkohë që disa bashki janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve si me mjete ashtu dhe me njerëz disa prej tyre ende sot nuk po përdorin tërësinë e aseteve të deklaruara për çështje të mbrojtjes civile.

Duhet të jetë e qartë nga të gjithë se mbrojtja civile nuk është thjesht një kompetencë e shtuar për to, por një detyrim dhe një përgjegjësi primare e tyre, për të cilat duhet të jenë të përgatitura me njerëz, mjete, strategji vendore, plane veprimi dhe buxhetim përkatës.

Në çdo rast fatkeqësie, janë vetë bashkitë ato të cilat mbajnë rolin dhe peshën kryesore për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, gjësë së gjallë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, ndërkohë që angazhimi i strukturave qendrore operacionale siç janë FA apo Policia e shtetit sipas ligjit vjen vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor.

AKMC dhe Ministria e Mbrojtjes janë në kontakt të vazhdueshëm me pushtetin vendor, dhe janë duke ndjekur në kohë reale situatën në çdo vatër zjarri. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur çdo përkeqësimi situate siç kundër e kanë bërë deri tani përmes ndërhyrjeve nga ajri. Sipas ligjit të ri “Për Mbrojtjen Civile”, Forcat e Armatosura angazhohen në raste emergjencash duke asistuar të gjithë ato bashki të cilat kanë përmbushur detyrimet tyre ligjore për angazhimin e kapaciteteve dhe respektimin e ligjit për parandalimin dhe përballimin e zjarrvënieve. AKMC ka konstatuar se disa bashki rendin të kërkojnë ndërhyrjen e FA pa ezauruar më parë kapacitetet e tyre, veprim i cili sjell një faturë financiare disa herë më të lartë se sa ajo që ligji parashikon për pushtetin vendor në rastin e emergjencave civile.

Në bazë të ligjit të ri, AKMC si strukturë koordinuese ju rikujton bashkive që nuk zbatojnë ligjin se do të përballen me penalitete për çdo rast, kur nuk respektojnë dispozitat ligjore për përballimin e emergjencave civile.

Së fundmi do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjitha strukturave të qeverisjes vendore që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit me qëllim intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e autorëve të zjarreve të qëllimshme dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Ylli Ndroqi në Polici, avokatët: Sulm politik! E ndaluan në rrugë dhe i sekuestruan “Benzin”

Avokatët e biznesmenit Ylli Ndroqi reaguan fill pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, njoftoi se ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit pas një hetimi ndaj tij.

Ata thanë për mediat se kjo e sotmja është një sulm politik, ndërsa sqaruan deklaratën e tij në polici.

“Zoti Ndroqi ka qenë duke udhëtuar më mjetin e tij mercedes S600, ai nuk është shoqëruar, dhe ka shkuar në polici, pasi i thanë se makina e tij do sekuestrohet, ka kërkuar vetë të shkojë në polici për të shoqëruar mjetin.

Brenda 5 ditësh ne do apelojmë. Do vërtetohet se pasuria e tij është e ligjshme, Zoti Ndroqi mendon se është një sulm politik “, thanë ata.

Në njoftimin e SPAK thuhet se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

GJKKO pas hetimit të SPAK ka vendosur sekuestron për të gjitha pasuritë e tij.

Ora e maleve në Rozhajën iliriane si orakull dhe muzë e poezisë shqipe – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Orët e maleve ju bëjnë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi:
Bashkohuni.

Shqiptarë të Malit të Zi:
Mos e vrisni vetë orën tuaj.

Rozhaja, kjo trevë e lashtë iliro- arbërore, me bukuri mahnitëse të natyrës ka përkundur brez pas brezi në djepat e saj trimat e këtyre bjeshkëve kryelarta, me kulla të bardha e krenare, të cilat qëndrojnë në këmbë shekull pas shekulli si deshmi e trashëgimi autentike, jo vetëm të autoktonisë së banorëve të tyre, por përtej këtij fakti si bartëse të traditave të shquara të Kombit tonë, qëndresës për liri e pavarësi, besës, mikpritjes e bujarisë.
Aty janë ruajtur e trashëguar si relike të shenjta tiparet themelore të cilat janë kolona vertebrale e etnokulturës shqiptare, trashëgimia iliro-arbërore, Eposi i Kreshnikëve, lahuta, plisi, xhamadani e xhubleta, poezia gojore, tradita e vajtimit.
Këto vise të bekuara, të cilat Zoti ua dhuroj stërgjyshërve tanë pellazgo- ilirë janë pushtuar nga shumë hordhi pushtuesish, por Rozhaja ka mbetur ashtu siç ishte në agimet e historisë, një trevë shqiptare, të cilën askush nuk mund ta mohojë, e për më tepër ta tjetërsojë.
Pavarësisht shpërnguljeve të shqiptarëve, të dhunshme, të vazhdueshme, këtu toka e qielli flasin gjuhën tonë të cilën korifejtë e kulturës arbërore Naimi, Fishta, Aristidh Kola e kanë quajtur gjuhë e perëndive, apo gjuhë hyjnore.
Është pikërisht kujtesa historike e krenaria e origjinës së lashtë dhe të lavdishme të stërgjyshërve tanë që i ka bërë banorët e Rozhajës të mbijetojnë përmes një qëndrese stoike përballë vershimeve të pushtuesve e projekteve famëkeqe sllave për zhdukjen e asimilimin e tyre.
Historia nuk mund të tjetërsohet nga asnjë forcë ushtarake apo ideologjike, nga traktatet e përpunuara në akademitë e shteteve shoviniste, apo nga “marrveshjet”e kancelarive të fuqive të mëdha.
Askush nuk mund ta mohojnë se Kombi fisnik i shqiptarëve është më i lashti dhe se paraardhësit e tyre, pellazgët janë themelues para 4-5 mijë vitesh të qytetërimit botërorë.
Është i pavdekshëm Ali Daci, një mësues i talentuar e patriot, nderuar me plot të drejtë nga Presidenti i Shqipërisë z Ilir Meta me “Titullin Naim Frashëri”, sepse ka një dekadë që organizon manifestimin kulturor tradicional “Ora e Maleve” si dhe mitingun kombëtar të poezisë.
Në mitologjinë tonë popullore orët e maleve parafytyrohen ashtu si zanat, si qenje të mbinatyrshme, mitike, me bukuri të pashoqe, të cilat e shoqërojne njeriun nga lindja e deri në vdekje, e mbrojnë atë nga armiqtë dhe fuqitë demonjake të së keqes.
Shprehjet proverbiale si filani ka lind me orë, është orëmadh, apo mallkimet e kobshme “T’u vraftë Ora”, “Të vdektë Ora”, tregojnë qartë simbolikën e shpirtit shqiptar, me Orën, simbolin e fuqinë hyjnore e të pastërtisë morale.
Por njëherësh Ora është edhe simbol frymëzimi për të shprehur të bukurën e madhështoren, në art, në krijimtarinë folklorike dhe në poezi, ashtu siç është muza e poezisë për grekët e antikitetit.
Arti, kultura, poezia janë shpirti i vertetë i një kombi, apo forca mistike që realizon kohezionin e tij dhe e mban atë të bashkuar.
Është një simbolikë e bukur e kuptimplote fakti që Rrozhaja shndërrohet për disa ditë në kryeqytet i kulturës kombëtare, kryeqendër e poezisë shqipe përmes manifestimit kulturor tradicional “Ora e Maleve”.
Ashtu si Shkupi, Struga, Berati, Peja, Gjakova, Permeti, Plavë- Gucia etj, përligjin thënien e Aristotelit të madh se “Jeta rrjedh nga rrjedhin lumejtë.
Lumejtë janë mjalti i qytetërimeve”, edhe Rozhajës i shkon për shtat më së miri ky postulat i filozofit të lashtë grekë.
Këtu kalon Lumi i Ibrit “Lumi i bardhë”.
Këtu edhe vetë natyra është një muzë.
Me pejsazhin madhështorë e bukuritë mahnitëse ajo të frymëzon për tu bërë poet, ashtu siç u frymëzua Homeri nga Olimpi e perenditë e tij për të shkruar veprat e tij të pavdekshme “Iliada” dhe “Odisea”.
Ora e Rozhajës flet e kuvendon me gjuhën e perëndive, me poetët e të gjitha trevave shqiptare, me artistët e Kombit Shqiptar.
Ora e maleve banon këtu qysh në agimin e historisë dhe nuk i ka braktisur kurrë banorët kreshnikë të kësaj toke.
Ashtu si shqiponjat të cilat e patrullojnë e ruajnë qiellin e kaltër të kësaj krahine zëmadhe të Atdheut, edhe poetët shqiptarë që mblidhen këtu në takimet e përvitshme e tradicionale në manifestimin kulturor “Ora e Maleve”, ruajnë shpirtin e Rozhajës.
Nderim e mirënjohje për Ali Dacin, misionin e tij të shenjtë, për të mbajtur të ndezur flakadanin e patriotizmit e kultures shqiptare.
Ora shqiptare po troket.
Ajo nuk të ndalojë kurrë.
Por që kjo ditë të vijë sa me shpejt shqiptarët e Malit të Zi duhet të bashkohen.
Edhe pak kohë ka mbetur dhe skadon afati ligjor i regjistrimit të koalicioneve në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Guci në Mal të Zi, me dt 30-të gusht.
Liderë të shqiptarëve të Malit të Zi:
Bashkohuni!
Vëllezër dhe motra të Malit të Zi, bëhuni bashkë.
Orët e malit bëjnë thirrje për bashkim.
Vetë Zoti lëshon kushtrimin:
Bashkohuni!!
Mos e vrisni vetë Orën tuaj.

Humb betejën me koronavirusin, ndërron jetë në “Shefqet Ndroqi” mjeku Anibal Byberi

Ndërron jetë nga koronabirusi një tjetër mjek. Burimet thanë për News24 se mjeku pneumolog Anibal Byberi ka humbur jetën për shkak të koronavirusit, ndërsa ndodhej i shtruar në Spitalin Covid2, “Shefqet Ndroqi”.

Byberi, 53 vjeç, ishte shtruar tek ish-Sanatoriumi në gjendje të rëndë shëndetësore ku ishte vendosur në intubim. Fatkeqësisht mjeku nuk arriti të fitonte betejën me COVID-19 dhe ka ndërruar jetë në mbrëmje.

Lajmin e kanë konfirmuar dhe të afërm të tij në rrjetet sociale.

Byberi ka punuar mjek në Tropojë dhe ka mbajtur dhe postin e drejtorit në Spitalin e Tropojës.

SPAK sekuestron pasurinë e pronarit të Ora News, Ylli Ndroq

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, SPAK njoftoi sot vendimin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë.

Ndroqi është pronari i televizionit Ora News.

Ai akuzohet se ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale.

Sipas SPAK nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

Njoftimi

Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organziuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″ (ligji Antimafia) :

  1. Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

  1. Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italaine kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Së pari, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Trafikimit të narkotikëve″ dhe ″Organizata kriminale″, sipas legjislacionit penal turk, parshikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

Së dyti, pasuria e mësipërme, zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt te ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme.

Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.

Bazuar në sa më sipër Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sekuestrimin e pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij. Me vendimin Nr.16, datë 01.08.2020, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

  1. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 117 m 2 , me adresë, Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës.
  2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  3. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 600 m 2 , mbi të cilën ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 90 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  4. Pasuria e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 43.7 m 2 , me adresë, Tiranë.
  5. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe totale 67.3 m 2 , me adresë, Tiranë.
  6. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 15 m 2 , me adresë, Tiranë.
  7. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  8. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 2026 m 2 , me adresë, Mullet, Tiranë.
  9. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 52.3 m 2 , me adresë, Rruga ″Qemal Stafa″, Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen Mimoza Ndroqi
  10. Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe totale 100 000 m 2 , me adresë, Lanabregas, Tiranë.
  11. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa AA 007 YN, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  12. Automjeti i tipit autoveturë, marka BMW, modeli 760LI, ngjyra e zezë, me targa AA 007 AV, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  13. Automjeti i tipit autoveturë, marka Land Rover, modeli Range Rover Vogue, ngjyra e zezë, me targa CD 6902 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  14. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa CD 6901 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  15. Automjeti i tipit autoveturë, marka RollsRoyce, modeli PHANTOM, ngjyra e zezë, ma targë AA 001 YN, në pronësi të shtetases Mimoza Ndroqi.
  16. Sekuestrimin e masës prej 51% të kuotave të shoqërisë ″Landon″ sh.p.k., me NIPT K92226004H, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  17. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “YLDON” sh.p.k., me NIPT K31618007S, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  18. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “RENDON OIL″ sh.p.k., me NIPT L57716501I.
  19. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “DON – UCD” sh.p.k., me NIPT L51326022D, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  20. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″Ecogades Landon Balcan″ sh.a., me NIPT L22006005S, me aksioner shoqërinë ″Landon″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
  21. Sekuestrimin e masës prej 30% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″CHANNEL ONE″ sh.p.k., me NIPT K12412002L, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  22. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″P S 31″ sh.p.k., me NIPT L42215016R, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  23. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″INTERKINEX″ sh.p.k., me NIPT J71506006T, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
  24. Sekuestrimin e masës prej 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″ORA″ sh.a., me NIPT K71505003O, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases Mimoza Ndroqi.
  25. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″REN-DON″ sh.p.k., me NIPT L41622002A, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  26. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″ALBANIA BAY MARINE″ sh.p.k., me NIPT L61307081M, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Shqipëri, 5 viktima dhe 123 raste të reja me koronavirus

Tiranë

Në Shqipëri janë regjistruar 123 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 5 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është bërë e ditur se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 5.519 dhe numri i të vdekurve në 166.

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë realizuar 474 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe rastet më të larta janë regjistruar në Tiranë.

Sipas të dhënave të ministrisë, në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 3.018 numrin e të shëruarve.

Në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 42.183 testime dhe Instituti i Shëndetit Publik vazhdon punën në terren për rastet e dyshuara me koronavirus.

Korridori Adriatik Alpe, aorta e Kombit Shqiptar – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Ne ideatorët e tij shpresojmë që ky projekt të realizohet nga Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Lulzim Basha

Lugina e Drinit një “Parnas” shqiptar

Rrugët janë po aq të rendësishme për zhvillimin ekonomik, kulturor e civilizues të një kombi siç është sistemi i venave dhe kapilarëve për qarkullimin e gjakut në trupin e njeriut.
Qysh në kohët e lashta dhe krijimit të dinastive të mëdha, unifikimi administrativ, territorial dhe politik i rajoneve është bërë i mundur veç të tjerash falë ndërtimit të veprave të mëdha inxhinierike rrugore, të cilat kanë bërë të mundur qarkullimin më të shpejtë të njerëzve, mallrave, shkëmbimin ekonomik e kulturor.
Ishte Perandoria Romake ajo që me gjeninë e saj krijuese i dha hov të jashtëzakonshëm zhvillimit ekonomik e tregtisë së lirë në kohën antike.
Ajo ndërtoj në tre kontinente, në Europë, Azi dhe Afrikë një sistem të përsosur rrugor,’ i cili i lidhte qendrat e provincave e rajoneve me kryeqendrën perandorake.
Vija “Egnatia”, e cila lidhte Dyrrahun me Kostadinopojën është dëshmi e kësaj trashëgimie.
Të parët tanë ilirët e më vonë arbërorët i shfrytëzuan luginat e lumenjëve për ndërtimin e rrugëve, të cilat lidhnin ultësirën bregdetare me pjesën e brendëshme të viseve lindore kontinentale të trojeve tona me Kosovën e viset e tjera Dardane, rajone me pasuri të mëdha, me burime ekonomike, bujqësore, blegtorale, pyjore e minerare.
Ata ndërtuan kala e fortifikata në mbrojtje të tyre për të garantuar zhvillimin e pandërprerë e komunikimin në çdo stinë dhe shkembimin e tregtisë, të eksportit e importit të mallrave.
Një nga arteriet më të rendësishme të rrugëve kombëtare e përdorur që në lashtësi e në mesjetën e hershme është ajo e Luginës së Drinit e pagëzuar sëfundmi si Korridori Adriatik -Alpe, i cili fillon në Portin e Shëngjinit, kalon pranë ish qyteteve të Dejës, Sardës e përmes luginës së Komanit një panoramë mahnitëse e natyrës e cilësuar si një “Parnas”shqiptar mbërrin në pikëtakimin e Drinit me Valbonën, aty ku shpaloset natyra madhështore e alpeve shqiptare, muri natyror që ndan trojet tona iliro- dardane dhe vazhdon drejt Rrafshit të Dukagjinit e viseve lindore të Kosovës.
Nuk është vetëm panorama mahnitëse që e bëri këtë rrugë të ketë një rendësi kaq të madhe për vendin e rajonin e Ballkanit.
Trashëgimia kulturore e Luginës së Drinit është kaq e pasur e autentike për historinë tonë se me të drejtë është cilësuar si një deshmi e çertifikatë autentike e qytetërimit iliro- dardano -arbëror dhe e vazhdimësisë së tij të pandërprerë deri në ditët tona.
Në trevat që njihen si Korridori i Alpeve janë ruajtur mrekullisht margaritarët e kulturës së vjetër shqipe, mitet, legjendat, Eposi i Kreshnikëve, e drejta zakonore, lahuta iliriane gjersa iu dhurua serbëve.
Janë ruajtur plisi, xhubleta e xhamadani, kullat e fortifikuara, si deshmi e qëndresës ndaj pushtuesve, e mbi të gjitha geni autentik i racës shqiptare, i cili arriti mrekullisht deri në ditët tona pa u asimiluar nga rrebeshet e shekujve dhe erozioni i kohërave.
Qysh para dy shekujsh udhëpërshkrues, studiues e autor të njohur europian si Han, Ami Bue, Nopça, Edit Durham etj, janë mahnitur me thesarin kulturorë të Luginës së Drinit, me natyrën dhe njerëzit e saj.
Për këtë rrugë kaq të rendësishme, për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë kombëtare është lobuar prej 16-të vitesh, në parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, në kohën e Qeverisë Haradinaj dhe janë organizuar tre workshope, në Shkodër, Gjakovë, Lezhë.
Ky korridor kalon në një panoramë mahnitëse të natyrës, në një terren të favorshëm për ndërtimin e mirëmbajtjen e tij , me një kosto të ulët.
Studimi dhe fizibiliteti ka treguar se kostoja e ndërtimit të kësaj rruge shkon rreth 263 milion euro, afërsisht sa rruga e Balldrenit.
Korridori Adriatik- Alpe është jetik për zhvillimin ekonomik sepse u shërben një populisie mbi një milion banorë.
Kalon në një zonë me pasuri të mëdha natyrore, siç janë burimet minerale, hidroenergjetike e pyjore e më në fund bën të mundur konfigurimin e unazës së alpeve, perlave të natyrës, si Thethit e Valbonës, Sylbicës, Currajt e Epërm, Plavë- Gucisë, Malësisë së Madhe, Grykës së Rugovës, bjeshkëve të Deçanit e Junikut.
Bën funksionale unazën shqiptare Tropojë – Junik – Deçan – Plavë- Guci – Tropojë.
Kjo rrugë që lidhë mbi 5000 km katrorë tokë shqiptare është premtuar në të gjitha fushatat elektorale, por fatkeqësisht ka mbetur në letër dhe në deshirën e mirë të ideatorëve dhe atyre që lobuan fort për ndërtimin e saj.
Për rendësinë kombëtare e rajonale të këtij projekti mjafton të theksojmë faktin së Sllovenia vendi më i zhvilluar i Ballkanit e ka theksuar sëfundmi rendësinë e këtij korridori dhe e ka quajtur domosdoshëmëri realizimin e projektit për jetësimin e tij.
Në rrafshin kombëtar Korridori Adriatik -Alpe ka rendësi fondamentale, jo vetëm për të venë në efiçencë të plotë potencialin e madh ekonomik të alpeve shqiptare për zhvillimin turistik, shfrytëzimin e burimeve të mëdha minerale a atyre ujore, por edhe për të shndërruar Portin e Shëngjinit në një nyje me rendësi kombëtare, për zhvillimin ekonomik, për lëvizjen e njerëzve e të mallrave, e për ta vënë atë realisht e pa mëdyshje në shërbim të Kosovës.
Atyre që mendojnë ndryshe jua kujtoj faktin se vertet jami komb që jetojme në dy shtete, por kemi ADN-në, historinë, gjuhën dhe flamurin të përbashkët.
Kemi të përbashkët hapsirën e trojeve etnike, detet, lumenjtë, malet dhe qiellin shqiptar, si dhe faktin se luftërat e fuqishme dhe kuvendet e mëdha të Kosovës kanë jetësuar pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912-të në Vlorën historike të Ismail Qemalit.
Është vepër e ulët, antikombëtare t’u japësh Portin e Shengjinit kinezëve, turqëve, italianëve, apo të huajve të tjerë e të privosh Republikën e Kosovës e qytetarët e saj nga dhënia e një porti në Atdheun e tyre.
Ne ideatorët e këtij Korridori jetik kombëtar shpresojmë që realizimin e këtij projekti madhorë do ta jetësojë Kryeministri Shqiptar Lulzim Basha dhe ashtu siç premtoj për heqjen e traut të Rrugës së Kombit, besojmë t’ia japë Republikës së Kosovës Portin e Shëngjinit.

Shqipëri, 4 viktima dhe 120 raste të reja me koronavirus

Tiranë

Në Shqipëri janë regjistruar 120 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 4 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është bërë e ditur se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 5.396 dhe numri i të vdekurve në 161.

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë realizuar 510 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe rastet më të larta janë regjistruar në Tiranë.

Sipas të dhënave të ministrisë, në 24 orët e fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar në 2.961 numrin e të shëruarve.

Në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 41.709 testime dhe Instituti i Shëndetit Publik vazhdon punën në terren për rastet e dyshuara me koronavirus.

Përparim Kabo paralajmërim politikës shqiptare: Rrini mes vilave, jahteve e luksit, por ky popull s’ka për të duruar më!

Profesor Përparim Kabo, bëri një apel të gjatë kundër politikës aktuale në Shqipëri. Sipas tij, sferës aktuale politike në vendin tonë i ka ardhur fundi.

“Lëreni politikën dhe fjalët, mos bëni sikur nxeheni, sikur keni probleme të mëdha parimore me njëri-tjetrin. Ju jeni njësoj, një prerje jeni. Madje këtë e keni provuar vetë me aleancat dhe marrëveshjet që keni bërë.

Keni kërcyer nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të djathtë pa ju dridhur qerpiku. Po nga ndryshon programi juaj, si qenka, një herë i majtë një herë i djathtë? Kjo tregon që partitë politike udhëhiqen nga interesa, jo nga vlera, jo nga parime. Mendoj se jo vetëm qytetarët shqiptarë, që tanimë e kanë humbur durimin, por të gjithë shqiptarët kudo që janë në të gjithë botën, duhet të përfshihen në votimin në Shqipëri. Zoti Majko në një studio televizive tha, tani mandatin e tretë do ta marrim për inerci, se njerëzit do të na votojnë prapë ne. Jo mor jo, ty të ka ikur koha me kohë, s’të voton më njeri ty. Për çfarë do të votojë ty? Ty edhe shokët e tu për çfarë duhet të votojë? Për borxhin e madh? Për deficitin buxhetor? Për çfarë duhet të votojë? Ikni një orë një sahat e më parë, misioni juaj mbaroi.

Nuk ua bën jetën të lumtur as vila as jahti, as luksi, as çantat gjashtë mijë euro të fëmijëve tuaj që s’kanë punuar asnjë ditë, nuk jua bëjnë jetën të lumtur. Mund t’jua bëjnë më luksoze por më të lumtur jo. Ky është një popull fisnik, që ka duruar shumë, por s’ka për të duruar më. E ardhmja është e tij, sepse demokracia është mënyrë e organizimit të shtetit, ku populli në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të lirë përfaqësohet përmes delegimit të sovranitetit. Demokracia nuk është vjedhje e sovranitetit për të pasur ti pushtetin autokratik, koha juaj ka mbaruar”, tha ai për Top Talk.

SPAK iu çon urdhër arrestet për dosjen 339, por 2 nga 21 komisionerët rezultojnë të vdekur

21 nga 23 arrestet e lëshuara nga SPAK ditën e djeshme për dosjen 339 ishin për komisionerët e zgjedhjeve të qershorit 2017, por dy prej nuk kanë mbërritur në destinacion.

Kjo pasi fatkeqësisht dy nga komisionerët e asaj periudhë kanë ndërruar jetë, por siç duket SPAK nuk ka qenë në dijeni, pasi rezultojnë të parregjistruar nga regjistri civil.

Dy komisionerët të cilët nuk janë më quhen Kasem Lala dhe Basir Bregu, ku i fundit kryetar i PD në komision.

Për këtë situatë, që deri diku duket edhe qesharake SPAK-u sqaron se është njoftuar nga policia, pasi në rregjistër ata nuk figuronin të vdekur.

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ose ndryshe SPAK, lëshoi dje 23 urdhër arreste për dosjen e shumëpërfolur 339 per zgjedhjet 2017 në qarkun e Durresit. Nga 21 komisionerë të përfshirë të partive kryesore dhe më të vogla, PS, PD, LSI dhe PR, 8 janë në arrest shtëpie.14 prej tyre janë nga opozita (PD, LSI, PR) dhe 7 nga PS. Pranga edhe për një prej trafikantëve të drogës të heroinës në Has, Fisnik Sadiku.

KIZ duhet t’i shkruante “dy gisht letër” Dekanes së FMD, zonjës E. Xhajanka – Nga Dukagjin Hata

Në foto: Autori shkrimit Dukagjin Hata

 Si gazetar i vjetër kam ndjekë me vëmendje zgjedhjet në Universitete, në një kohë jo të zakontë, kur shqiptarët po përballen me pasojat e epdemisë globale Covid 19 dhe arsimi nuk ka qenë kurrënjëherë më parë gjatë këtyre 30 viteve më në krizë se tani. Ka shumë gjëra që enden në mjegull e keqkuptim, por që janë çështje opinionale, por ka dhe një problematikë tjetër faktike dhe kokëfortë, që bie ndesh me ligjin dhe me moralin institucional të konkurimit në zgjedhje dhe që nuk mund të zhbëhet e tjetërsohet me sajime të stisura me ngut dhe propogandë.

Më ka bërë përshtypje se në listimin e kandidatëve, është një emër i përfolur për probleme të hapura me drejtësinë, çfarë mendoj se përbën një rast unik dhe pa asnjë alibi.

Unë e kuptoj ngutin e kandidatëve për të hedhur baltë mbi kundërshtarët, duke shfytëzuar “thembrën e Akilit” të gjithëkujt të përfshirë në këtë garë, por këtu nuk flitet për përfolje, retorikë e propogandë, por për akuza konkrete të listuara për zbardhje nga organi i akuzës.

Gjatë ditëve të fundit, në disa media të vendit janë pasqyruar informacione për një denoncim dhe janë botuar disa artikuj kundër abuzimeve, përfitimeve të paligjshme, si dhe shmangies nga llogaria e fakultetit në llogari ojq-sh prej dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Profesores, Edi Xhajanka. E vërteta është se këto akuza, të cilat duket se janë përshkallëzuar mediatikisht për shkak të fushatës zgjedhore, nuk janë thjesht kundërvënie për shkak të konkurencës së kandidatëve, por tashmë janë pjesë e një hetizimi zyrtar dhe procesi të nisur nga Prokuroria e rrethit të Tiranës.

Prej disa muaj Prokuroria e Tiranës, ka nisur një hetim ndaj dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare (FMD) znj. Edit Xhajanka, e cila akuzohet për vjedhje, shpërdorim detyre dhe përvetësim të fondeve të fakultetit, duke ngritur një skemë të transferimit dhe përvetësimit të të ardhurave publike nga organizimi i veprimtarive shkencore të organizuara nga FMD në drejtim të dy OJF-ve.

Procesi hetimor, i bazuar në kornizën ligjore që rregullon veprimtarinë dhe proceset administrative të fakulteteve të universiteteve publike, po ndjek një mori shkeljesh dhe shpërdorimesh të pajustfikuara nga administratorja e dekanatit, Profesore Xhajanka. Abuzimet me të ardhura të siguruara nga veprimtari kërkimore-shkencore të realizuara nën logon e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, janë tejet flagrante dhe në sasi të konsiderueshme të ardhurash financiare.

Është e vërtetë se ligji i arsimit të lartë i jep mundësi institucioneve të arsimit të lartë të krijojnë të ardhura dytësore përmes organizimit të veprimtarive kërkimore-shkencore, por drejtuesja e këtij fakulteti znj. Xhajanka, akuzohet se duke shfrytëzuar këtë mundësi dhe postin, me sa duket ka shpërdoruar detyrën, duke i transferuar këto të ardhura të krijuara nga kongreset e organizuara nga Fakulteti, drejt dy organizatave jofitimprurëse, me të cilat përflitet se ajo bashkëpunon.

Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori, nuk është zvarritja e çështjes nga prokuroria, gjëra me të cilat tashmë jemi mësuar, përndryshe prokuroria dhe organet e drejtësisë nuk do të kishin një perceptim kaq negativ tek publiku, por tek heshtja e Komisionit Institucional Zgjedhor i Universitetit (KIZ), si i vetmi organ që administron zgjedhjet në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Nëse perifrazojmë një nga titujt e novelave brilante të Gabriel Garsia Markez do të thoshim se Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare Edit Xhajanka, nuk ka kush i shkruan…KIZ nuk duhet të bënte të paditurën dhe të mos I shkruante “dy gisht letër” zonjës dekane, ku të thoshte se në bazë të rregullores së zgjedhjeve “nuk mund të kandidojnë për drejtues të njësisë kryesore në institucionet publike të arsimit të lartë, kandidatët që janë në ndjekje penale…”. Pas kësaj, lypsej që urgjentisht KIZ të këshillohej me kriteret e vendosura në pikën 2/d të nenit 41 të Statutit të UMT, miratuar nga Ministria e Arsimit, për të ndërhyrë në këtë proces, duke penguar kandidimin e saj.

Unë e kuptoj se akti i kandidimit në një proces zgjedhor kaq serioz së pari është një akt moral i vetë kandidatit, i cili duhet që ta ndërmarr këtë hap vetëm kur është i bindur se i shërben interesit më të thellë e më të gjërë të atyre që përfaqëson dhe vetë publikut. Pra, “letrën” e pare, kjo zonjë duhet të merrte në mënyrë simbolike nga vetvetja, e cila nuk duhet ta lejonte që egoja dhe turbulencat e mundshme, që vijnë nga pushteti i parasë dhe çdo pushtet tjetër i mundshem, të errësonte gjykimin e shëndetshëm dhe moralin njerëzor, që ajo të mos bëhej pjesë e një gare, kur ndodhej e penguar në një proces hetimi në Prokurori, për shkak të një akuze të ardhur nga brenda institucionit, që synon të përfaqësojë me kanditimin e saj.

Por kur kjo nuk ka ndodhur, duhet të kishte ndodhur dhe duhet të ndodhë tjetra, detyrimisht duhet të ndodhë, si reagim institucional dhe ligjor, që KIZ, si i vetmi organ që administron zgjedhjet në institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri, t’i shkruante kësaj zonje dhe t’i bënte të qartë se përse në rrethanat kur është në proces hetimi ajo nuk mund të jetë pjesë e një garimi kaq të rëndësishëm.

Dikush duhet t’i shkruajë Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare Edit Xhajanka (KIZ, po e po) dhe t’i kujtojë se ligji dhe morali janë në të njejtën anë, ndërkohë që në anën tjetër, në të kundërt të tyre, është gjithçka tjetër që vjen si megallomani, si egocentrizëm, si etje për pushtet, për të shijuar frytet e pemës së helmuar, që në këtë vend shkundet nga gjithkush me një farë mbështetjeje politike, pa u ndëshkuar nga askush!…

Shqipëri, zgjedhjet 2017, nën akuzë 22 komisionerë

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, lëshoi 22 urdhëra arresti për komisionerët e tri qendrave të votimit në Durrës, të dyshuar se kanë lejuar, në zgjedhjet e vitit 2017, votimin në emër të personave që ndodheshin jashtë vendit

Një pjesë e komisionerëve kanë përfunduar në qeli, ndërsa disa të tjerë në arrest shtëpie ose me detyrim paraqitjeje. Bëhet fjalë për përfaqësuesë të katër partive, asaj socialiste, Partisë Demokratike, LSI-së dhe Partisë Republikane. Në total janë 58 vota të hedhura në kutitë e votimit, në emër të atyre që nuk kanë qenë fare në Shqipëri ditën e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, “komisionerët zgjedhor të Qendrës së Votimit nr.1508 0, adresa e QV: “Shetel”, shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”.

Po ashtu “komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1335 0, adresa e QV: “Rubjek, Kopshti”, shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 7(shtatë) persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit

Ndërsa “komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1336 0, adresa e QV: “Rubjek Shkolla 9-vjeçare”, shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 23 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”, bën të ditur njoftimi duke shtuar se “në këtë episod shtetasi Armelin Zeza ka votuar në emër të personave të tjerë”.

Arrestimet janë pjesë e së ashtuquajturës Dosja 339, e cila lidhet me hetimet e nisura për trafik droge, ku dyshohet të jetë i implikuar grupi i Avdulajve në Durrës. Pikërisht gjatë procesit hetimor, u zbuluan dhe komunikimet që ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako kishte patur me pjestarë të këtij grupi. Avdulajt gjithashtu rezultojnë të kenë ushtruar trysni për të garantuar vota në favor të Partisë socialiste në Durrës.

Publikimi i një pjese të përgjimeve ngriti dyshime të forta për manipulime të *procesit zgjedhor dhe lidhje të pushtetarëve me grupet kriminale.

REAGIMET

Në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim nënvizoi se “puna e SPAK-ut për çështjen 339 fillon të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Vetëm një gur”, pèrfundon postimi i ambasadores amerikane.

Më herët kryeministri Edi Rama, shkroi, po në Twitter se “arrestimi i komisionerëve politikë, nxjerr në pah pse-në e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore! 14 të pandehur të PD-LSI dhe 8 të PS, janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!”, theksoi zoti Rama duke shtuar se “për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM”.

Ndërsa për Partinë Demokratike “Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime. Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, sipas të cilit “SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti. Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?”.

Pas njoftimit të arrestimeve të komisionerëve, reagoi dhe presidenti Ilir Meta. “Koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave! Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve! Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore!”, shkruajti Kreu i Shtetit në një postim në Facebook.