VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

AVANTI, SIGNOR ARGONDIZZA !… – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

By | February 10, 2019

Komentet

PËRKUJTESË – Vërejtje të përgjithëshme – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

 

Ngjarjet, qi po zhvillohen në Siujdhesën Ballkanike, na vërtetojnë e përforcojnë çdo ditë e mâ tepër bindjen tonë, se shpejt gjithë hapsina tokësore shqiptare do të kalojë nën pushtimin ushtarak t’Aleatvet. Rândësia politike e këtij fakti âsht e qartë dhe e dukëshme : Fuqia qi hahej, mâ shumë se çdo tjetër, me Italinë në fushën politike të Shqipnís po vjen tue u shmangë. Megjithatê nuk mund të mshifet fakti se suksesi nuk âsht ende i plotë : Qeveria italiane duhet të bâjë gjithshka të mundëshme qi të gjitha hapsinat qi i përkasin Shtetit shqiptar, të themeluem në Konferencën e Londrës të 1913, të pushtohen krejtësisht nga trupat italjane.
Mendimi i shqiptarvet për Korçën âsht i njohtun : ajo, si pjesë e padame e këtij Shteti, duhet të kalojë, qysh tash, nën të njâjtën Administratë të pjesve të tjera të Shqipnís. Por në rasën, kur kjo dëshirë e ligjëshme e gjithë popullsisë shqiptare nuk do t’ishte e mundun të sendërtohej, âsht së paku e nevojshme qi Grekët në mënyrë absolute të mbahen larg nga ajo krahinë, tue mos mujtë as tërthoraz me vazhdue dredhitë e intrigat e tyne kundra frymës kombtare të Korçarvet, siç kemi ndigjue vazhdimisht të ndodhë në muejt e fundit.
Nga ana tjetër Serbët, në vênd qi të kapërcejnë kufîjt lindorë politikë të Shqipnisë, do të kishte qenë mâ e leverdisëshme për tà e për çâshtjen e përbashkët të gjithë Aleatvet, po ashtu e nji rândsie themelore për t’ardhmen e Shqipnisë e për interesat jetike qi lidhin Italinë me tê, të vazhdojshin përparimin e tyne drejt veriut, për me çlirue vllaznit e tyne nga zgjedha e vjetër anmike. Nuk duhet me i lejue n’asnji mënyrë atyne të pushtojnë Matin. Vetëm nji krahinë gjindet në Shqipní, ku dredhía e tradhtarit Esad, për mâ tepër e përkrahun nga forca e mjete landore, mund të mbrrînte me hapë nji plagë të rrezikshme në trupin aq të dërmuem të Kombit tonë. Asht pikërisht ajo krahinë qi shtrihet nga Luma në Malsinë e Krujës e qi ka për qêndër Matin. Jo se kjo trevë e fundit âsht shumë përkrah Esadit, por do t’ishte shumë e lehtë, përsëris, me anë të nji fuqie të jashtme kërcnuese nga nji anë e korrupsionit nga tjetra, qi partizanët e tij të vjetër të fitojshin epërsí. Nëse intrigat e Esadit do të gjejshin nji fushë veprimi në Mat, pa dyshim do të gjejshin ndonji mbështetje edhe nga Luma në verí dhe nga Malsít e Dibrës, t’Elbasanit, të Tiranës e të Krujës, të gjitha të kufizueme me Matin nga lindja e nga jugu. Mirdita, në perëndim të Matit, âsht kundërshtare e thekun e Esadit po ashtu si pjesa mâ e madhe e Shqipnís Qêndrore, qêndrat e Elbasanit, Tiranës e Krujës, sikurse gjithë rrethet e Shijakut, Kavajës e Peqinit (tue përjashtue këtu Kadri Beun e pasuesit e tij). Janë kundërshtarë t’Esadit gjithashtu Shqipnija Jugore e ajo Veriore.
Shtoj ndërkaq se kudo qi do të mbrrîjë ushtrija italjane, me pranín e vet, do t’i vêjë nji pritë absolute sendërtimit të çfardo synimi tradhtar t’Esadit; sepse shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat. Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra nji forcë qi i siguron të parën e premton t’i garantojë të dytën mund të jetë e sigurtë se e pushton plotësisht.
Të kalojmë tash ke nji tjetër argument i karakterit politik qi prek thellësisht shpirtin tonë kombtar, qi kullon gjak nga vendimi i Konferencës së Londrës. Krahina e pafat e Kosovës, mes luftës ballkanike e asaj botnore, vuejti shumë përndjekje e masakra prej Serbëve. Rikthimi i tyne atje mund të shkaktojë nji tjetër periudhë shtypjesh e plojësh edhe mâ t’egra. Duem të shpresojmë se Qeverija Italjane do të kujdeset, me çka âsht e mundun, të mos i lâjë aleatët e vet Serbë të vazhdojnë, mbi nji milion shqiptarë, veprën e tyne të fëlliqtë të kryeme gjatë dy vjetve të zotnimit.
Aleatja e madhe e Turqvet ka meritue mallkimin e përjetshëm të botës së qytetnueme për ndihmën e tyne të patundun e kriminale masakravet armene e greke, përndjekjevet të Izraelianëve e Sirianëve. Nuk ka dyshim se Italija, në çâshtjen e Kosovës, do të meritojë mirënjohjen e gjithë nji populli të pafajshëm e lavdrimin e gjithë atyne qi ndjejnë dhimbje nga vuejtjet e tij. Italija pra, deri në fund të luftës, do t’ketë gjithë Shqipnín në duert e veta: do të jetë ky nji rast i çmueshëm me i diftue popullit shqiptar, me vepra, se deklaratat solemne e të përsërituna të ministrit të saj t’urtë rreth pavarësís e bashkimit t’Atdheut të tij, nuk bâjnë pjesë në kategorín e premtimevet të zakonshme e rrenacake të diplomacís evropjane; në t’kundërt, janë vêndime të peshueme burrash të sinqertë e të bindun, të cilët, me rastin e parë, kërkojnë mënyrën mâ të mirë me përgatitë terrenin për me i kthye në vepra.
Cilat do t’ishin udhët mâ të përshtatëshme për këto përgatitje? Simbas nesh ato mund të përmblidhen në dy kategorí : të llojit thjesht politik e të karakterit administrativ. Për pjesën e parë, vrejtjeve të shkurtna të paraqituna deri tash duem t’i shtojmë bindjen se gjykimi i shëndoshë e urtía e drejtuesve italjanë na japin besimin se asgjâ nuk do të mungojë nga an’e tyne, në fushën diplomatike, për me sigurue pavarësín dhe bashkimin e Kombit tonë. Për pjesën e dytë e quejmë të përshtatëshme të shfaqim ma gjânë konceptet tona.

Xhandarmërija dhe milicija shqiptare

Asht e ditun se asnji Vênd në botë nuk mund të mbahet mirë pa nji forcë të disiplinueme xhandamërije; aq mâ shumë kur ai të ketë pësue nji keq qeverim për gjatë shekujsh të tânë, si i yni. Duhet shtue këtu se në Shqipní, në pak vjet kanë kalue shumë zotnime të ndryshme, prej të cilëve asnji nuk mendoi me ngritë institucjonet qytetare në dobí të zhvillimit të lirë kombëtar ; në t’kundërt të gjithë kanë përdorë çdo mjet të mundshëm për me shtypë e pështjellue Vêndin sa materjalisht aq dhe moralisht, tue lânë mikrobin e grindjes e të mosbesimit.
Po t’i hedhim nji shikim të shpejtë periudhës së pavarësisë sonë, bindemi pa tjetër se arsyeja kryesore e të gjitha fatkeqësive ka qênë pikërisht mungesa e nji xhandarmërije t’organizueme e të disiplinueme. Nëse nji ditë jo të largët Shqipnija e lirë dhe e mosvarme, ashtu si jemi të sigurtë se do të bâhet, simbas parimevet të shpalluna e të pohueme disa herë nga Aleatët e në mënyrë të veçantë prej Qeverís M. Italjane, do të gjindej pa atë forcë të domosdoshme, do t’ishte prap pré e vështirësive të mëdhà e e fatkeqësive.
I takon Qeverís italiane t’i parandalojë të tilla vështirësí të mundëshme Vêndit, për të cilin âsht zotue para gjithë botës t’i mbrojë qênien dhe interesat, qi janë edhe të vetat, tue organizue pa mëdyshje në gjithë Shqipnín nji forcë xhandarmërije, jo mâ pak se pesë mijë frymë, të disiplinueme nën komandë oficerash italianë, mundësisht nga karabinierët mbretnorë.
Do t’ishte shumë me vênd për t’ardhmen e Shqipnís, me krijue veç xhandarmërís dhe nji milicí shqiptare nëpërmjet nji thirrje nën armë të vullnetshme. Kjo milicí, qi do të kishte rreth dhjetë mijë frymë, do t’ishte e paracaktueme thjesht me mësue e m’u ushtrue për me krijue atë bërthamë themelore t’asaj fuqíe kombëtare, qi do t’kishte në t’ardhmen detyrën me ruejtë rêndin publik të Vêndit, si ndihmëse e xhandarmërisë, e me i bâ ballë sulmeve të mundëshme e të paprituna t’anmiqve të jashtëm.

Administrata civile

Kohët e fundit administrata civile e Shqipnís (Prefektura e Gjinokastrës), me urdhnesat e reja ka fitue nji karakter kombtar. Ky ndryshim, megjithëse i bazuem në qëllime të mira e shumë të sinqerta, për zbatimin e tij të shtrêmbët, nëse lajmet qi kemi deri tash nuk na mashtrojnë, âsht i prirun me sjellë pasoja qi nuk i përgjigjen qëllimit. Simbas nesh, dy janë kushtet thelbësore e të domosdoshme për nji administrim civil të mirë të Shqipnís:
Para së gjithash âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja. Mund të lêhet mangut, në raste skajore, ajo e fundit. Arsimimi âsht i domosdoshëm për prefektët dhe zavêndsit e tyne. Të parët duhet të kenë krye studimet e nalta e të dytët së paku ato të mesmet. Skaji mâ i ngushtë i atdhetarís, simbas nesh, âsht ai qi kurrë e n’asnji mënyrë mos të kenë veprue kundër Atdheut. Nuk mund të kihet besim në njerëz, deri dje vegla qorre ase vullnetarë të propagandës anmike, edhe se sot do të vijshin e t’na thojshin thjesht se janë pêndue. Duhet me i kthye në udhë të drejtë e me i bâ për vete ; por nuk i u duhet besue, për mos me i dhânë atyne mundësí me damtue Atdheun.
Nuk mund të thuhet se njerëz të ndershëm, atdhetarë, të mësuem e me përvojë na mungojnë, sidomos tash qi do të kemi në dorë gjithë Shqipnín, e pra të gjithë shqiptarët e mirë. Këtyne do t’u shtoheshin dhe atdhetarë të tjerë jashtë shtetit porsa t’u paraqiteshin kërkesat e Atdheut. Njerëz të korruptuem, të ngjajshëm me Esadin, nuk meritojnë trajtim të ndryshëm a mâ të mirë se ai i Pashës. Si ai edhe ata duhen mbajtë larg shërbimit t’Atdheut. Nuk mund të pritet tjetër veç tradhtisë nga njerëz pa karakter e ndërgjegje.
Së dyti, atdhetarët e mirë qi do të kenë në duert e tyne Administratën e Vêndit, për t’a krye detyrën, duhet të pajisen me autoritet e me mjetet qi bâjnë t’aftë me veprue. Përndryshe ata do t’u shëmbëllejnë makinave të mira qi nuk mund të punojnë për mungesë të forcës lëvizëse. Nëse Administrata civile, në fushën e saj, nuk do të kishte nji farë lirije veprimi të paracaktueme, nëse prefektët duhet të këshillohen me autoritetet ushtarake e qëndrore në çdo hap e për gjânë mâ të vogël, nuk mund të pritet prej tyne nji shërbim i përsosun. Sepse n’ato rasa ata nuk do t’ishin tjetër veçse makina elektrike, sustat e të cilave do t’ishin në dorë të tjetërkuj e veprimi i tyne do të përmblidhej thjesht në kallzime e këshilla. Pra nji administratori të mirë duhet me i dhânë autoritetin mâ të gjânë të mundshëm, të shoqnuem nga përgjegjësia mâ e qartë e mâ e përpiktë.
Nuk mjafton vetëm autoriteti: duhen edhe e, mbi të gjitha, mjetet e veprimit. Mjeti veprues i Administratës civile âsht xhandarmëria. Të vetmit përgjegjës të rêndit publik të Vêndit duhet të jenë prefektët e nanprefektët. Për pasojë xhandarmëria duhet të jetë krejtësisht e absolutisht në dorë të tyne. Në çdo rreth duhet të jetë nji repart xhandarmërie shqiptare, në sasinë e nevojshme simbas rândësisë së vêndit, me në krye nji oficer italian të ndihmuem nga ndonji oficer e nga nënoficera shqiptarë. Në prefekturat këto reparte duhet të jenë mâ të mëdha në përputhje me nevojën e ndihmës së rretheve. Përsërisim se oficerët e xhandarmërisë, vetëm përsa i përket disiplinës duhet të jenë të varun nga eprorët ushtarakë, ndërsa në funksjonin e tyne administrativ duhet me u vue nën urdhnat e drejtuesve t’administratës civile.

Shkolla

Duhet thânë haptas se në këtê fushë politika austrijake në Shqipní ka qenë shumë mâ e aftë se ajo italjane, jo vetëm gjatë pushtimit ushtarak, por qysh nga kohët e fundit të zotnimit turk. Ndërsa shkollat italiane, në pjesë të ndryshme të Vêndit tonë, mezi kishin futë ndonji orë mësimi të shqipes në programet e tyne, n’ato austriake gjuha kryesore ishte e jona. Mbretnija tinzare, në këtê mënyrë, i bânte me besue shumë atdhetarve shqiptarë se ajo ishte e vetmja Fuqí qi ishte e interesueme me ndihmue idealin e kombit tonë, nga çasti qi fëmijët tonë, në shkollat e saj, mund të arsimoheshin në gjuhën e tyne tmerrësisht të luftueme nga pushtuesi, e mund të mësojshin historín’e tyne, bâmat heroike të Skanderbeut. Ishin shumë të paktë ata qi mundeshin me zbulue në thellësín’e saj politikën dinake të Vjenës kundër aspiratave tona kombtare dhe synimet e saj pushtuese. Librat mâ të mirë të këndimit në gjuhën shqipe e të tjerë të aritmetikës e të besimit katolik shtypeshin atëherë në Vjenë. Nga ana tjetër, pushtimi i parë italian i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t’administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte Arsimi Publik : shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.
Dihet se çfarë ka ndodhë me shkollat tona në rrethet e Vlonës e të Gjirokastrës: e njâjta mënyrë e ndjekun në kohë të mâparshme ; shkolla italjane e jo shqiptare! Sigurisht nuk mund të mos kenë të drejtë ata qi kanë dashtë me dallue nji politikë koloniale në veprën e kryeme deri tash nga Italianët në Shqipní. Për të davaritë çdo dyshim të tillë e për me dhânë provën mâ siguruese të ndershmënisë në synimet e saj rreth t’ardhmes s’Atdheut tonë, Qeverija M. italjane duhej të vendoste nji Administratë shkollore thjesht kombtare.
N’anë tjetër, nji vepër e dobishme e Italís për Shqipnín, do të kishte qenë shtimi në përmasa të mjaftueshme i bursave shkollore për studentët shqiptarë, të paracaktueme kryesisht për shkollat normale.

Përfundim

Të gjitha përsijatjet e paraqituna deri këtu, janë për t’i kujtue Qeverís M. Italjane atë qi ndien zemra jonë për të mirën e Atdheut tonë, atê qi arsyeja na këshillon në interes të çâshtjes së përbashkët. Mâ parë se me mbyllë këtë përkujtesë modeste duem me vue në dukje se, tash qi e gjithë Shqipníja ose pjesa mâ e madhe e saj do të jetë në dorë t’Italís, mprojtëses së pavarësís sonë, a do t’ishte e përshtatshme krijimi i nji Qeveríje kombtare? Simbas mendimit tonë, kjo do t’ishte nji gjâ e aftë me shkaktue efektin mâ të madh, në dobí të çâshtjes së përbashkët, si në popullin shqiptar ashtu edhe Jashtë. Pjestarët e kësaj Qeveríje, sigurisht, nuk duhen emnue prej Qeverís italiane, mbasi atëherë do t’ishin vetëm funksjonarë të thjeshtë të nji force pushtuese e jo përfaqësues të nji kombi të shpallun i pavarun. Duhet të vazhdohet me votime popullore, në përputhje me kushtet shoqnore të Vêndit dhe rrethanat e çastit. Vetëm kështu edhe kombi shqiptar, në çastin e volitshëm, do të paraqitej para botës si nji njisí shtetnore e formueme në sajë të përkrahjes s’Italís çlirimtare. Në zgjedhjet e nalt përmênduna sigurisht do të merrshin pjesë, nëpërmjet delegatvet të tyne, edhe shoqnít shqiptare t’Amerikës, në mënyrë qi Qeverija e dalun mund të quhet përfaqësuesja e vërtetë e gjithë popullit të vet.

Romë, 19 Tetor 1918 M. A. Kruja
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

KRITIKË NJË KRITIKE – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

Kemi përpara sŷsh, ndër faqet e “Javës”, N. 47 me 25 Prill të këtij viti, një artikull gjuhësije shqipe, marrë nga “Dielli” i Amerikës, të Z-it Faik Konica me titullin: “Ndofta? Ndoshta? Ndothta!” Një titull mrekullish i goditur për të treguar sendin e studjuar e bashkë me të edhe përfundimin e studimit ku arrin Auktori : nuk duhet thënë dhe shkruar ndofta as ndoshta, po ndothta! Ky është mejtimi i Z-it Konica.
Nëpër ç’farë argumentash ka mundur Z. e tij t’arrijë në këtë përfundim? Ja këtu shkurtazi : këtë fjalë të vjetër të stërgjyshërve të tyre e kishin humbur Shqiptarët. Vêndin e saj e kish zënë turqishtja bejta për Toskët dhe belda për Shkodranët. Pranë kësaj turqishtje Toskët përdornin edhe sinonimin mundet. Për viset e tjera të Shqipërisë Auktori s’na thotë se ç’fjalë përdornin për të çfaqur këtë kuptim. Mbase u mungonte fjala fare, mbase përdornin njërën nga këto të dyja: bejta=belda apo mundet. Sepse Z. Konica na siguron se:
“përveç këtyre dy fjalëve, populli i Shqipërisë s’di e s’përdor tjatër”.
E Kristoforidhi paska bërë këtu:
“një nga lajthimet e ralla të tij duke çpërdorur fjalën dru=se me kuptimin mundet a bejta”.
Më vonë pastaj:
“kur nisi lëvizja kombëtare pas Lidhjes së Prizrenit, dhe Shqipëtarët mir’e liksht zunë të shkruajnë, më të diturit nër ta filluan të kqyrin librat e vjetëra shqip, edhe nër këto libri që vunë re mê tepër ish një fjalor latinisht-shqip”, fjalori i Frano Bardhit i botuar në Romë në 1635. Dhe atje, ndër faqet e këtij fjalori, shkrimtarët t’anë gjêjnë një fjalë të shtypur kështu: ndosta, si përkthim të latinishtes forsan. Edhe, si e gjetën këtê, nuk u mejtuan fare se mund t’ishte shtypur me ndonjë gabim, sadoqë vetë auktori i fjalorit qahej nga gabimet e shtypit dhe porositte këndonjësit e tij që të kishin kujdes e t’i ndreqnin vetë, me urtin’e tyre, ato gabime.
Ku ishte gabimi i shtypit në fjalën t’onë? Ishte te s-ja, thotë Z. Konica. Se Frano Bardhi për zërin th përdorte një grafí q’i ngjante s-së, e shtypësi roman e mori atê për s dhe e shtypi kështu. Nga e mori vesh Z. Konica këtë gabim shtypi? Kërkoi rrënjën e fjalës dhe e gjeti se kjo na vjen nga ndoth (ndodhur) + ta. Dhe pas këtij përfundimi, Z. Konica lëvdohet se:
“jam njeriu që, pas treqint vjet, munda të vê në vênt porosin’e Bardhit edhe të ndreq një lajthim shtypi”.
Po si u bë pastaj që shkrimtarët t’anë s’e shkruan fjalën ashtu siç ishte shtypur, d.m.th, ndosta, me s, po e kopjuan me f (ndofta), Toskët, ase me sh (ndoshta), Gegët? Z. Konica na e shkoqit edhe këtê:
“Në grafinë latine të shekullit XVII, thotë, s-ja, kur vinte para t-së, i ngjante f-së, dhe kështu Toskët bënë këtë ngatërrim në mes të dy gërmavet. Gegët i kishin sytë më të mësuar me shkrimet e vjetëra të Perëndimit dhe e kënduan fjalën drejt siç ishte shtypur. E mbasi ata, jo vetëm që dinin t’i këndonin mirë shkrimet e vjetëra të Perëndimit, po kishin, duket, edhe një kulturë gjuhësore mjaft të xhvilluar që të dijnë se “st shqip është gjë e pamundur”, ashtu “vendosnë se Bardhi ka dashur të thotë n d o sh t a”.
Gjer këtu nuk bëra tjatër veçse të spjegoj sa më mirë që mund tezën e Z-it Konica. Këndonjësi e ka kuptuar se po t’isha dhe unë në një mêndje me Z. e tij nuk do të kisha nevojë t’a shkruaja kët’artikull.
Z. Konica e pështet tezën e tij në një premisë krejt të lajthitur. Dy trajtat ndoshta e ndofta, e para në Gegëri dhe e dyta në Toskëri, nuk janë letrare, të përdorura vetëm ndër shkrime, siç pandeh ay, por janë popullore, të përdorura në gojë të qindra mijë katundarëve e malsorëve që nuk dijnë të këndojnë. Ndoshta thotë gjithë Gegëria gjer te Kurbîni i Krujës e sipër, ndofta thotë një pjesë e madhe e Toskëvet, an’e Korçës sidomos.
Unë nukë dua të hyj në hipothesa etimologjike për të gjetur rrënjën e kësaj fjale. Në qoftë se kjo është ndoth-, si shkruan Z. Konica, spjegohet lehtë trajta ndof-, por jo ndosh-. Fjalori i Meyerit s’e ka këtë fjalë. Albanologët e tjerë nuk dij a kanë shkruar gjë mbi të. Sido qoftë spjegimet e Auktorit për prapashtesën –ta s’më bindin. Ay thotë:
“Ka patur njëherë në shqipen një tip adverbi që mbaronte me –ta. Kemi edhe sot nj’a dy asi adverbesh të mbetura të gjalla në gojë të popullit”.
Dhe na tregon vetëm njërin prej sish: fshehta nga fsheh. Pas mejtimit t’im fshehta s’është tjatër gjë veçse një shkurtim nga fshehtaz(i), geg. fshehtas. Le t’a krahasojmë këtë, për t’u bindur më mirë, dhe me këtë formën tjatër toskërishte: fshehura<fsheuraz(i). Në të dy rasjet kemi këtu një adjektiv q’i është hequr nyja për t’u përdorur si adverb, fshehtë (fsheh+të) dhe fshehur, me prapashtesën – as (geg.) = – az(i)(tosk.). Gjer në provë të kundërt s’kemi pra një tip adverbi me prapashtesë –ta.
Z. Konica, siç nuk dinte se fjala ndoshta=ndofta është popullore, ashtu nuk ditka as sinonimet e kësaj fjale që dëgjohen nga goja e popullit në dialekte të ndryshme. Dhe kështu vete e i bie mbë qafë Kristoforidhit që ka përdorur – “çpërdorur” thotë Z. e tij – fjalën dru-se (e drejta është që Krist. s’e ndan fjalën dyshë, por e shkruan të ngjitur druse) për ndoshta. Këtë fjalë e ka Gegëria që nga Elbasani e gjer në Shkodër, mu me të njëjtin kuptim q’e ka përdorur Kristoforidhi dhe pa i shkuar ndër mênd kujt fare kuptimi origjinar që ka verbi nga i cili rrjedh. S’është faj për askênd sepse nuk di të gjithë thesarin e gjuhës që ka populli. Po faj është kur ay pandeh se e di dhe pastaj pret me sopatën e Dardharit dhe hedh poshtë çdo fjalë a kuptim fjale që s’ka arrirë në vesh të tij. Faji i z.-it Konica pastaj madhohet më shumë këtu, sepse, sadoqë e pohon vetë se Krist. i ka shumë të ralla gabimet, e qërton këtë pa bërë më të voglin mundim që t’a studjojë çështjen duke kërkuar ndër burime të tjera. B.f. vetë Krist. e shënon në fjalorin e tij se këtë fjalë e ka përdorur edhe Budi, që në shekullin e XVII. Gjithashtu e gjêjmë të regjistruar edhe prej albanologut të madh Gustav Meyerit në fjalorin e tij etimologjik, me përkthimin gjerm. “vielleicht”, si të përdorur në Gegëri. Në qoftë se Z-it Konica, si shkrimtar i hollë që është, i pëlqen t’a përfillë edhe kuptimin e rrënjës, mundet fare mirë t’a kufizojë në shkrimet e tija përdorimin e adverbit druse vetëm për gjëra të padëshiruara, si b.f.: qielli u mbush me re: druse nesër ka për të rënë shi; po në qoftë se fjala është për një shi Korriku, të thomi, q’e dëshiron bujku për të mirën e të gjithve, ahere le të mos thotë druse, po ndofta, mbase, mundet që, thomse, me gjasë, kushedi. Janë shkrimtarët e mirë ata q’i krijojnë nuance-at letrare në mes të sinonimevet që ka populli.
Dhe ja se sa sinonime paska populli shqiptar me kuptimin e latinishtes forsan! Këtyre po u shtojmë edhe ca trajta të dorës së dytë, që po i quajmë ndërdialektore. Noshta në Mirditë thuhet me ndoshta. Budi shkruan druese, me diftong; por orthografisë s’onë i pëlqen më shumë trajta e thjeshtë e Kristoforidhit druse, mbasi kështu shqiptohet sot, e pastaj për të mos pasur një orthografi të ndryshme për toskërishten që do t’a bënte drua(j)se. Në Tiranë e Krujë dëgjohet edhe vetëm drue, pa se, si edhe dro(se). Për mundet që, përdoret, mbase më dêndur, edhe mund që, e pra që të dyja mund t’i përdorim pa ndryshim. Meyeri ka edhe soce e oce, q’i ka gjetur në rapsodit’ e Schirò-it e që, etimologjisht, i bie nga thomse. Do të jenë pra trajta italoshqiptare, dhe s’e shoh nevojën e tyre për gjuhën t’onë letrare. Me gjasë përdoret në Shkodër e në Krujë e u përgjigjet gjermanishtes wahrscheinlicherweise e frëngjishtes vraisemblablement, it. verosimilmente. Forcohet duke thënë me shumë gjasë. Fjala përdoret edhe mbë vete si emër, kur thonë: ka gjasë apo s’ka gjasë, e këtu emëri ka kuptimin e probabilitetit. Kushedi përdoret në Shqipëri të mesme, nga Elbasani e gjer në Krujë. Gjithëkush e sheh se është një fjalë e formuar prej një fraze pyetëse q’e ka humbur, në këtë rasje, kuptimin e vet për të marrë këtë tjatërin adverbor.
Kur kemi gjithë këto fjalë shqipe kuptohet vetvetiu që s’na duhet turqishtja belda=bejta e as tjatëra belqim. Z. Konica thotë se belda vjen nga tyrqishtja belqi da. Po mua më duket pak zor që të ketë rënë qi-ja, edhe prandaj, duke qênë dhe vetë fjala turqishte belqi e përbërë nga bel+qi, më vete mêndja që në turqishten e vjetër të ketë qênë përdorur një belda pa qi.
Z. Konica, për të spjeguar arsyen q’i shtyti Gegët t’a shkëmbejnë s-n e Bardhit në fjalën ndosta me sh, na thotë se:
“st shqip është gjë e pamundur”.
Si duhet t’a kuptojmë këtë frazë? Që shqipja s’ka fjalë me st? Po ç’është pastër? e pastaj? Ç’farë ndryshimi ka st-ja e këtyre me atê të fjalës ndosta siç e kishte Bardhi? Fjalë me st ka me duzina shqipja. Ja ca nga to: stan, stap, starë, stepem, sterrë, stër- (parashtesë që hyn në shum fjalë) dhe të tjera e të tjera plot si këto.
Z. Konica thotë se ka qërtuar dhe një gabim shtypi të dytë në fjalorin e Bardhit te një sinonim tjatër i adverbit ndoshta. Bardhi paska si fjalë shqipe q’i përgjigjen latinishtes forsan këto të dyja: cuurtae, ndosta. (Mjerisht unë s’i kam para sŷsh as fjalorin e Bardhit as “Diellin” që ka botuar artikullin e Z-it Konica. Kam vetëm “Javën”. Prandaj nga kjo e kopjova edhe fjalën cuurtae edhe qërtimin q’i bën Z. Konica). Ky na siguron se kjo fjalë e pakuptueshme e Bardhit duhet ndrequr dhe kënduar kështu: kurtash. Po nuk na siell asnjë provë. E mua më duket çudi dhe pa asnjë lidhje logjike që nga këto dy adverbe kohe të ngjitur (kur+tash) të dalë një adverb i tretë me një kuptim aqë të ndryshëm. N’asnjë dialekt unë s’kam dëgjuar një fjalë të këtillë a që t’i ngjajë sado pak. Mundet që Auktori e ka parë në ndonjë shkrim të vjetër shqip. Po atëherë duhet të na e thotë se ku.
Auktori i ynë ka bërë dhe ca gabime gramatike që s’i kanë hije pêndës së tij të famshme, sidomos në një kritikë gjuhësije si kjo.
Z. Konica të gjithë shumësit i ve në gjirí femërore. Kurse populli i Gegërisë i tërë dhe ca vise të Toskërisë vetëm një farë shumësi emërash mashkullorë – se për mashkullorët flasim këtu – ka për femëror : atë që mbaron me e. Kështu b.f. është drejt të shkruhet; “lajthime të shuma” (me gjithë që ky emëri lajthim mua më duket një ndërtim i gabuar, mbasi s’kemi një verb lajthuar apo lajthyer, po lajthitur), “tekste të vjetëra”, “adverbe të mbetura”, “shpjegime të gjata”, et. Po jo kështu “libra të vjetëra”, “sy të mësuara” et.
Prapë lajthitet Auktori kur shkruan “asi adverbesh të mbetura” e “këto libra” në vênd që të thotë “aso…” e “këta…”. Ay shkruan “pas treqint vjet”, duke harruar se preposita pas nuk vete me nominativ po me ablativ, kështu që thuhet pas treqind vjetsh. Edhe në qoftë se ka ndonjë dialekt gjëkundi në Shqipri q’i bën këto gabime, nuk duhet t’i bëjë shkrimtari.
Gjithashtu lajthitet Auktori në kuptimin e verbit të Bardhit “bdaret” q’e përkthen toskërisht me “prishet”, kurse ay do të thotë humb. Ky verb, ndër shkrimtarët e vjetër gegë e në dialektet e ndryshme të shqipes ka shumë forma, të gjitha këto: bdarë, bdjerrë, vdarë, vdjerrë, dbarë, dbjerrë, dvarë, dvjerrë, barë, bjerrë, darë, djerrë e rbjerrë. Nga këto trajta Gustav Meyeri bie etimologjisht të drejta djerrë e vdjerrë, që përdoren sot që nga Mirdita dhe gjer n’Elbasan. Por në gjuhën letrare ka hyrë trajta shkodrane bjerrë.
Z. Konica njihet e çmohet në botën letrare shqiptare sidomos për fjalorin e tij të pastër – nga pikëpamja gjuhësore – dhe me të drejtë. Ay nuk përdor kurrë fjalë të huaja pa qênë i shtrënguar nga një nevojë e domosdoshme. Po s’e gjeti dot fjalën shqipe q’i duhet, përpiqet t’a çfaqë iden’e tij makar me një perifrazë po shqip. E kjo është një meritë e madhe në këto ditët t’ona kur nga çdo çip i botës intelektuale shqiptare na mbin një shkrimtar, një shkrimtar-gazetar sidomos, me fjalorin e tij frëngjisht apo italisht në xhep të truvet për të shkruar një shqipe që një nga shkrimtarët t’anë të vërtetë e pati cilësuar aty-shpejt shumë bukur në faqet e “Cirkës” me fjalët pitoreske çorbë derrash!
Shqipja e gjorë ka pasur këtë fatkeqsi që lëronjësit e saj, nga më të lashtët e gjer në të sotmit, që të gjithë e kanë formuar kulturën e tyre në shkolla e gjuhë të huaja. E prandaj edhe ata që duan të shkruajnë një shqipe të thjeshtë, me gjithë vullnetin më të mirë të tyre, s’i shpëtojnë dot qind për qind influencës që ushtron mbi ta gjuha e huaj. Kjo ngjan më shumë në ndërtimin e frazave. Fjalëve të huaja është shumë më lehtë t’u ruhet njeriu se sa ndërtimit të frazave pas rregullash sintaksore e gramatikore të gjuhëve të huaja që ka mësuar. Në këtë pikë çalon edhe Z. Konica. E që të mos i kapërxejmë caqet e ngushta të lëndës që na shtron përpara artikulli i tij, po shënojmë këtu vetëm nja dy barbarizma që gjêjmë në këtë. P.sh. “të ndreqim lajthimet shtypi” dhe “gjithë gjuhët e grupit gjuhësh ku ka vênt edhe shqipja”! Shqiptari s’flet kështu, po thotë: të ndreqim lajthimet e shtypit, dhe: gjuhët e grupit të gjuhëve ku ka vênd edhe shqipja (e këtu pleonasma është fare pa vênd, se nuk do t’i mungonte asgjë qartësisë së kuptimit duke thënë vetëm: gjithë gjuhët e grupit ku ka vênd edhe shqipja, bile kështu kuptimi do t’ishte më i kthielltë, sidomos në krahasim me frazën e Auktorit).
Më në fund, Auktori e mbaron artikullin e tij me këtë tallje:
“S’kam asnjë kundërshtim në qoftë se të tjerë duan të vazhdojnë së përdoruri lajthimin e një shtypësi roman të shekullit XVII si një fjalë shqipe të drejtë.”
Na do të vazhdojmë të shkruajmë siç na mëson gjuha e popullit t’onë, që (s’ka të bëjë as me shtypësin roman të fjalorit të Bardhit sikundër pandeh këtu Z. Konica e as me disertimet etimologjike të Z. së tij. Përveç kësaj mua më duket se s‘është shqip e thëna që ndërvizova më lart, d.m.th. “të vazhdojnë së përdoruri”, po e përkthyer nga ndonjë gjuhë e huaj, b.f. nga frëngjishtja continuer de se servir. Shqip unë do të thoshja: të vazhdojnë në të përdorur, ase: të vazhdojnë të përdorin. Rasja ablative që ka përdorur Auktori këtu, “së përdoruri”, ka vênd tjetër. P.sh. u lodha a u mërzita së përdoruri, sikundër thomi: u meka së qeshuri. Për t’a kuptuar më mirë se ku mund të përdoret kjo mënyrë të thëni duhet shtuar parafjala prej. A mund të thomi “vazhdoj prej së përdoruri”? Jo! A mund të thomi “lodhem, mërzitem prej së përdoruri”, “mekem prej së qeshuri”? Po! Unë kështu e dij. Në lajthitem u kërkoj ndjesë dhe u falem nderit atyre që do të më provojnë të kundërtën.
*****
Për sa i përket kësaj pjesës së fundit në kritikën t’eme, që s’ka të bëjë drejt për drejt me subjektin e studjuar prej Auktorit, po vetëm tërthorazi si argument gjuhe, nuk duhet të më zëmërohet Z. e tij, se e bëra nga çmimi që kam për të si shkrimtar. Për të kritikuar një tekst shqip, sot mjafton të zgjatim dorën symbyllur e të marrim cilin do nga botimet e ditës dhe do të gjêjmë lëndë sa të duam. Por një auktoritet si Z. Faik Konica, të cilin shumë kush e ndjek për mjeshtër gjuhe dhe shkrimet e të cilit i merr si model, ay s’ka të drejtë të bëjë gabime të këtilla, që tjetri i kopjon si një tekst të pabiseduarshëm. Mbaj mënd që njëherë, nja 10 vjet të shkuar, vuaja t’i mbushja mêndjen një djaloshi, që sot hiqet për gazetar i radhës së parë, se lajthitej kur thosh “sidoqë në qoftë” e se duhej thënë “sidoqë të jetë” apo “sido qoftë”. Mbë kot! E kish kënduar ashtu ndër shkrimet e Faik Konicës, dhe pesë para s’bënin për të as gramatika e ime as shqipja e popullit!
*Shpend Bardhi
Botuar për herë të parë tek “ Përpjekja Shqiptare” Maj 1938
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

Lufta e Ftohtë prej Berlinit zhvendoset në Mitrovicën e Kosovës (1999-2019) – Nga Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Siç kemi mësar nga historia e marrëdhënieve politike ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Lufta e ftohtë pati filluar me krizën e Berlinit më 1948  ndërmjet aleatëve perëndimorë (Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) dhe BRSS-së pas okupimit të Gjermanisë më 1945, duke qenë se aleatët perëndimorë  bashkuan tri zonat e tyre okupuese në një zonë të përbashkët, me qëllim që  të pengohej depërtimi i ideologjisë komuniste të Bashkimit Sovjetik në pjesën perëndimore të Gjermanisë.

Mirëpo, Stalini në shenjë revolte dhe pakënqësie pati bllokuar këtë zonë të njësuar nga aleatët perëndimorë, duke ua mbyllur të gjitha rrugët tokësore dhe vijat hekurudhore të transportimit të mallrave dhe të ushqimeve të ndryshme për furnizimin e  popullsisë gjermane. Megjithatë, aleatët perëndimorë Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) ia arritën që  përmes vijës ajrore ta pajisnin popullin me artikuj dhe me mallra të nevojshëm jetësorë.

Një bllokadë e tillë e Berlinit perëndimor të Gjermanisë nga ana e BRSS-së, mëpastaj solli ndarjen e  Gjermnaisë në dy pjesë: Republika Federale Gjermane Perëndimore (1949) dhe Republika Gjermane Demokratike Lindore. Me këtë rast, për shkak të antagonizmave dhe të sferave ndikuese të interesit perëndimor dhe atij lindor, krijohen dy blloqe: Blloku Perëndimor me Amerikën në krye dhe Blloku Lindor me BRSS-në në krye. Kjo krizë disavjeçare  e luftës së ftohtë (1945-1949), së pari çoi në formimin e Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) më 1949 dhe më pas si kundërpërgjigje aleancës perëndimore me Amerikën në krye, Bashkimi Sovjetik formoi Traktatin e Varshavës më 1955. Kjo luftë e ftohtë mdis dy superfuqive botërore (SHBA dhe BRSS) zgjati jo më pak se 41 vjet derisa  u nënshkrua Marrëveshja historike Ronald Regan –Mihail Gorbaçov në Rejkjavik të Islandës (12  tetor 1986), e cila garantoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, më 1989, kur edhe u shemb Muri famëkeq i Berlinit (1961), me ç’rast u bashkuan dy  gjermanitë. Ky ishte epilogu i luftës së ftohtë  të sistemit bipolar të marrëdhënieve ndërkombëtare, cili filloi  dhe përfundoi në Berlin të Gjermanisë.

Mirëpo, fatkeqësisht , kaptina e dytë e kësaj lufte të ftohtë filloi në Beograd më 1990, kur Serbia, duke mos njohur Rendin e Ri Botëror (1989) vazhdoi luftën e ftohtë me mjete të nxehta luftarake, duke kryer 3 agresione dhe 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999). Si rrjedhojë e kësaj lufte gjeopolitike të pushtimit të territoreve të këtyre 3 vendeve të theksuara, edhe pse me vonesë të madhe, bashkësia ndërkombëtare me SHBA-në krye e bombardoi të ashtuquajturën Jugosllavi  Federale- Serbia+ Mali i Zi)  jo më pak se 78 ditë, duke përdorur forcat e NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999). Kjo ndërhyrje e ligjshme e NATO-s e detyroi Serbinë e Slobodan Milosheviqit, që të tërhiqte forcat e saj pushtuese militare, paramilitare dhe policore nga Kosova shqiptare.

Mirëpo, pas vendosjes së forcave ndërkombëtare paqësore të OKB-së (UNMIK) dhe KFOR në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, Beogradi filloi me luftën e ftohtë, duke dërguar fshehurazi  në Kosovën veriore njësite të ndryshme paramilitare dhe të sigurisë policore e ushtarake të të pauniformuar, me qëllim që të formonte pushtetin paralel serb përballë institucioneve shtetërore të Kosovës.

 

Edhe pas 3 luftërave gjenocidale, Serbia ngeli në “baltën e gjallë” të konfliktit kolonial me Kosovën

Në kohë paqeje, Serbia me “pushtimin paqësor” të territorit verior të Kosovës, tanimë qe 20 vite ka kthyer luftën e ftohtë në Ballkan (1999-2019). Në këtë lojë të rrezikshme ka futur Rusinë dhe Kinën, të cilat me votat e tyre ( njëra me  veto, e tjetra me abstenim) në KS të OKB-së kanë bllokuar mosndryshimin e Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe ndërtimi i bazës ushtarake  dhe të sigurisë të Rusisë në Nish si kundërpeshë bazës ushtarake amerikane në Bondstil të Kosovës.

Për të tejkaluar këtë luftë të ftohtë 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë si rrjedhim i mosnjohjes së Kosovës nga ana e Beogradit, saktësisht më 15 shkurt 2019, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tump ia dërgoi një letër formale përshëndetëse dhe  miqësore presidentit Aleksandar Vuçiq me rastin e festës së shtetësisë së Serbisë, ku ndër të tjera   sugjeron edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, duke e njohur njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë. Mirëpo, deri tani presidenti serb A. Vuçiq ende nuk i ka thyer përgjigjen homologut të tij amerikan, Donald Trump, edhe pse përmbajtja  e  kësaj letre ka karakter qëllimirë të shërbimit të vullnetit të mirë human, poltik, diplomatik dhe paqësor që përfill interesat e dyanshme të këtyre dy shteteve fqinje, që reciprokisht ta njohin njëra-tjetrën, me qëllim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre si shtete të barabarta të pavarura dhe sovrane.

Ky është shansi historik që Serbia me ndihmën dhe  me kontributin direkt të Amerikës, të mbyllë konfliktin 100-vjeçar me  ish-koloninë e saj të dikurshme-KOSOVËN.

Ndryshe,   refuzimi eventual i propozimit të Trump-it nga ana e  Serbisë, do të konsiderohet si akt  provokues i  shpalljes së një lufte të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ballkan, e cila do të involvonte edhe Amerikën së bashku me aleatët e saj evro-perëndimorë dhe Rusinë me aleancën e saj të re (Kina, Turqia dhe Irani etj.).

Mirëpo, një akt i tillë më së shumëti, do të   godasë dhe  shkretojë Serbinë,  e cila pas një lufte të tillë me përmasa botërore, do të ngelte vetëm brenda kufijve të principatës së dikurshme  vasale serbe  nën Turqi, sepse do të humbiste të gjitha territoret e grabitura dhe të aneksuara nga Shqipëria, Hungaria, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina.

 

Pra, nëse Serbia refuzon letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që ta njohë Republikën e Kosovës, në atë moment do të marrë fund edhe lufta e ftohtë 20-vjeçare midis Beogradit dhe Prishtinës rreth  statusit të veriut të Kosovës  (1999-2019). Me një fjalë, nuk do të ketë më negociata të mëtjeme ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare në Bruksel (2011-2019), por do të fillojë një kapitull i ri i  sanksioneve politike, ekonomike dhe tregtare ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu sikurse në vitet e 90-ta të shekullit XX kundër Serbisë agresore dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, të cilën e detyruan që të kapitullonte në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Atdheu im ka shpirtin e vet, dhe njerëzit që e zbukurojnë atë – Nga Aurel Dasareti*

 

Gjyshi im (ish oficer), ka shkruar për mallëngjimin, humbjen, ikjen (nën presion), dhe mërgimin e pavullnetshëm prej Shqipërie në Amerikë (1943), në moshën 18 vjeçare. Historia e jetës së tij është një prej rasteve të shumta të tragjedisë tonë kombëtare, brenda dhe jashtë kufirit të imponuar nga të huajt, dashakeqëve të Shqipërisë. Tani është 94 vjeçar, megjithatë letrat dhe poezitë e tij manifestojnë dëshirën e zjarrtë dhe vuajtjet masive që pulsojnë në të gjitha zemrat mërgimtare.
***
Mars 1981, viti i demonstratave studentore në Kosovë kundër pushtuesve serbo-jugosllavë. Në muajin gusht të atij viti, gjyshi dhe prindërit e mi dëshironin ta vizitojnë farefisin në Shqipëri (veçanërisht prindërit e moshuar të gjyshit), por organet e shtetit enverist nuk u dhanë leje dhe siguri hyrjeje. Në pamundësi për këtë, kanë udhëtuar për në ish Jugosllavi (mua më morën me vete) të paktën të takohen me shqiptarët e trojeve të copëtuara: Kosovës, “Maqedonisë”, Malit të Zi, Kosovës Lindore. Por edhe me arbëresh të Zarës (Kroaci) me prejardhje nga rrethi i Shkodrës, sidomos profesorin Aleksandër Stipçeviq. Në atë kohë isha 4 vjet e 9 muaj, prandaj më kujtohen vetëm 3 momente edhe atë si në mjegulli, ashtu që detajet plotësuese i kam marrë nga ditari i prindërve dhe rrëfimet e gjyshit.
***
Në periferi të Zarës takuam duke hëngër drekë 3 shqiptarë (djem të rinj) nga “Maqedonia”. Kishin shtruar në peshqir 2 bukë, 2 konserva të vogla peshqish dhe një shishe me ujë. Përndryshe, gërmihnin kanale të thella me kazma e lopata, 7 ditë në javë, 12 orë në ditë, për paga të pasigurta dhe minimale.
***
Mali Zi, Budva. Në plazhin e Beçiç-it, vetëm disa metra nga uji, ishte pushimorja “Ganimete Tërbeshi” për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore të Kosovës. Afër saj, një pushimore për nxënësit serb, ndoshta nga Vojvodina. Fëmijët shqiptarë, shumë më të dobët me trup se moshatarët serb. Mbetëm disa ditë në Beçiç, rreziteshim përherë afër asaj pushimore. Një vajzë 15 vjeçare nga Kosova u ndihmonte arsimtarëve që kishin përgjegjësi për nxënësit tjerë. Kalonte shumë kohë me mua, e dinte pak anglishten dhe “kuptoheshim”. Pasi prindërit ia kishin vrarë serbo-sllavët, një vit më pas (1982) prindërit e mi i mundësuan emigrimin në Amerikë. Deri në moshën 21 vjeçare u ndihmua ekonomikisht, u shkollua dhe banoi falas në shtëpinë tonë. Nga mosha 8 vjeçare zonjusha Teuta filloi të ma mëson abetaren (gjuhën) shqipe, mua dhe vëllait, pastaj edhe motrës së vogël.
Gjyshi donte të takonte z Veli Deva që kishte një shtëpi verore në Beçiç, jo aq larg plazhit “tonë”. Zotëria në fjalë ka kontribuar shumë në mirëvajtjen e kombinatit gjigand metalurgjik Trepça dhe për autonominë e gjerë të Kosovës (1974).
***
Për në Amerikë do t`u ktheheshim prej një aeroporti të Gjermanisë. Ku, njëherësh gjyshi do të takonte ish korrespodentin e javores gjermane Der Spiegel në Jugosllavi, z Hans-Peter Rullman, i njohur për “That was Yugoslavia – Information and facts”.
Me autobus, për në Beograd. Gjatë rrugës 2 policë serb e ndalën autobusin. Njëri prej tyre hyri brenda, i kontrolloi dokumentet e udhëtarëve dhe i nxori prej autobusi 6-7 persona (të gjithë shqiptarë, gra e burra), i rreshtuan me fytyrë nga autobusi, maltretim i vrazhdë. Udhëtarët tjerë (të gjithë sllav) dhe ne mbetëm brenda. Shikonim nga dritarja. Njëri prej policëve, e tërhoqi pas barakës së vogël policore djaloshin 16-17 vjeçar nga Kosova, kurse ai polici më i moshuar i ruante ata tjerët. Papritmas dëgjuam klithmat e fuqishme të djaloshit, u përpoq të ikë prej policit i cili vrapoi pas tij me shkopin e gomës në dorë. Nuk i ndalte goditjet. U trishtova shumë duke parë trupin e mbuluar me gjak prej kokës e deri në thembër, nga klithmat e hatashme të dhimbjes që nxirrte nga goja e përgjakur, me dhëmbë të thyer. I ra të fikët, u shtri për toke. Polici i lëshoi një kovë me ujë në kokë që të vije në vete dhe t`ia lajë pak gjakun. Gjyshi dhe babai im dolën prej autobusit. U llafosën me policët. I ndihmuan djaloshit të hyj brenda në autobus. Koka dhe fytyra e tij ishte e dëmtuar rëndë, mbuluar me gjak, sërish i humbi ndjenjat…
***
Fragmente nga: That Was Yugoslavia. Information and Facts. Editor: Hans Peter Rullman, Hamburg Germany.
Nga anglishtja, përkthimi im: “Kur mbretëria serbe dhe malazeze pushtuan Kosovën në vitin 1878 dhe 1912, gjithashtu edhe në atë kohë, më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës ishte shqiptare.
Politikat kolonialiste të pushtuesve (okupatorëve) çuan në një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e popullsisë. Deri në vitin 1941, rreth 500.000 femra shqiptare u dëbuan (zhvendosën), kryesisht në Turqi. Në të njëjtën periudhë, rreth 18.000 familje serbe dhe malazeze u vendosën në Kosovë. (Ata përbëheshin nga një mesatare prej 7 personash).
Pas Luftës së Dytë Botërore, serbomëdhenjtë rifilluan të njëjtën politikë të paraluftës ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit ishin Aleksander Rankoviç, Milovan Gjillas, Svetosar Vukmanovic-Tempo. Në periudhën 1945-1966, ata u kujdesën të zhvendosin (dëbojnë) qindra mijëra shqiptarë, kryesisht në Turqi”.
***
Gjyshi rrëfehet: “Së pari duhet të them se unë gjatë gjithë jetës në emigrim kam ndjerë dhe ndjejë një mallëngjim të hatashëm për prindërit e mi me të cilët nuk jam takuar më kurrë prej asaj ditës kur u detyrova ta braktisi atdheun tim të dashur. Për shkak të gjendjes gjatë sistemit monist, nuk pata siguri për jetën të vizitoj prindërit e mi derisa ishin gjallë. Kam vizituar dhe i putha varret e tyre. Unë nuk isha pranë tyre, kur ata jetonin. Të jem me ta në jetën para vdekjes“.
***
Kujtimet janë jeta, të terrorizuarit dhe të zhdukurit e pafajshëm i takojnë historisë dhe zemrave të dëshmitarëve okular, familjarëve dhe dashamirëve!

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Kosovë Dardane, URIME PËR 11-VJETORIN E PAVARËSISË! – Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Sot, më 17 shkurt 2019, lexova, dërgova  dhe, njëkohësisht mora shumë urime për pavarësinë e 11-vjetorit të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008), ku emërues i përbashkët i mesazhit të tyre ishte dëshira që Kosova të jetë pjesë e strukturave euro-atlantike (NATO dhe BE).

Një dëshire të tillë i bashkohem edhe unë, që Kosovën e pavarur ta shoh sa më parë në gjirin e NATO-s dhe të BE-së. Mirëpo,  hëpërhë kjo është vetëm një dëshirë, një synim dhe një shpresë e madhe  e jona, që  të bëhet realitet derisa Kosova nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, si dhe derisa  liderët drejtues politikë të saj  kosovarë (Hashim Thaçi, Behxhet Pacolli,Enver Hoxhaj etj.) të  debatojnë me    presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me nënkryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq dhe me kryeministren  e qeverisë së Serbisë, Ana Bërnabiq në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2019).

Prandaj, me  gjithë aspiratën dhe dëshirën tonë të flaktë, që Kosova të jetë pjesë integruese e BE-së dhe e NATO-s, ARDHMËRIA E KOSOVËS ËSHTË BASHKIMI I SAJ ME SHQIPËRINË OSE ME AMERIKËN. Kjo do të ishte ekzistenca, prosperiteti dhe ardhmëria e  sigurt e Kosovës.

Politika dhe diplomacia  zyrtare e Prishtinës dhe e Tiranës, pikësëapri (ashtu siç kanë filluar bashkëpunmin e  tyre të ndërsjellë të dy qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke hequr kufijtë dhe barrierat doganore, ekonomike, tregtare mes dy vendeve), duhet të fokusohen, të  angazhohen dhe të punojnë me seriozitetin më të madh  në realizimin e projektit  të tyre historik për bashimin e Kosovës me Shqipërinë, Jo të fantazojmë  dhe të jetojmë  me ëndrra  të bukura dhe me dëshira të parealizueshme , d.m.th. të jetojmë në vetëkënaqësi, jashtë rrethanave të realitetit politik , duke qenë se Kosova nuk mund të fitojë statusin e saj si anëtar me të drejta dhe me detyrime të plota as në BE e as në NATO, duke qenë se ende nuk njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga Organizata e Kombeve të Bashkuara .

Pavarësisht nga  dëshirat e zjarrta, nga deklaratat dhe nga intervistat  ekzagjeruese bombastike politiko- diplomatike (pa tavan) të liderëve drejtues të Kosovës,  sipas së drejtës ndërkombëtare dhe sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Kosova as de fakto e as de jure nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare.  Ligjërisht, kjo është pengesa kryesore, pse Kosova  nuk mund të aderojë as në BE e as në NATO, pavarësisht nga manipulimet, nga mashtrimet dhe nga  gënjeshtrat politiko-propagandistike të udhëheqësve të Republikës së Kosovës (2008-2019).

Pra, nuk është e ndershme që vazhdimisht ta gënjejmë opinionin publik se gjoja  Kosova “së shpejti do të jetë anëtare e BE-së dhe e NATO-s” !?

Kjo utopi e shkretë politike  nuk  është e vërtetë, sepse  kusht themelor juridik dhe politik për t’u anëtarësuar në BE  ose në NATO, është që pikësëpari të jesh shtet i  njohur nga OKB-ja, ashtu sikurse që janë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Atlantikut Verior (NATO).

Kush është ai shqiptar normal dhe patriot i Kosovës, që nuk do ta dëshironte hyrjen sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO, sepse në këtë rast,  do të merrnin fund përgjithmonë pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës së Shqipërisë etnike.

Kjo do të kishte qenë e mira e Zotit, por si, dhe kur do të vinte në shprehje realizimi i një dëshire të tillë, duke qenë se  Kosova ende nuk është subjekt juridik  i së drejtës ndërkombëtare?

-Tjetra pengesë e supozuar politike, a do të pranonin BE-ja dhe NATO-ja, që dy shtete të njëjta shqiptare (Kosova dhe Shqipëria) të integroheshin në strukturat e tyre ekzistuese?

Edhe këtë element të rëndësishëm, duhet ta mbajë parasysh politika dhe diploamcia zyrtare e boshtit Prishtinë – Tiranë, në mënyrë që shqiptarët e Kosovës, të mos dezinformohen për çdo ditë, se gjoja, tanimë “është punë e kryer”  përfshirja e Kosovës në BE dhe në NATO!?

Kjo propagandë retrotike  dhe manipuluese, duhet të flaket nga shtetarët drejtues të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe nga “KAZANI”  i masmediave të verdha dezinformuese të tyre, sepse  veprimet e tilla nuk e ndihmojnë aspak çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Përkundrazi, një propagandë e tillë po zhvillohet me qëllim që me çdo kusht të pengohet procesi bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Kjo formë e propagandimit  se gjoja, SË PARI “Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen në BE, është shumëfish e dëmshme për procesin e filluar të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse ky është vetëm një servilizëm ndaj   BE-së dhe ndaj strukturave evro-atlantike nga ana  e disa “timonierëve” të anijes drejtuese të Kosovës dhe të Shqipërisë, tanimë të vetëdeklaruar se, SË PARI  “shqiptarët duhet të bashkohen në BE”!?

Kjo është “formula dialektike”  më lukrative që kastave despotike dhe autoritare në pushtet (si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipër) u garanton “mbiejtesën” e sundimit të tyre me dekada, ashtu sikurse deri tani (1990-2019).

Prandaj , nuk ka dilemë se kjo formë propaganduese e gënjeshtërtë dhe dezinformuese (në dëm të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë) mbjell mosbesim, konfuzion dhe  polarizim pikëpamjesh dhe veprimesh mes shqiptarëve dhe, vështirëson krijimin e  atmosferës për bashkëpunim kosntruktiv dhe të ndërsjellë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

17 SHKURT 2019

Kosova mon amour Poemë nga Elida Buçpapaj

Kosovë
sot po vjen e gjitha
n’Prishtinë
i madh e i vogël
edhe fmijtë
në barkun e Nanave
po vinë

prej gjithë anësh
po vjen Kosovë
n’Ulpianë
po zgjohesh para agimit
natën po e ban ditë
andërr dashnie
me mbjellë farën
gjumin hapa dhe ecje
ditën po e ban rrugë
me ardh n’Prishtinë
nga çdo cep e kënd
me ia tregu fytyrën tënde të lodhun
të keqes
përtej horizontit
që e ndave me luftë prej trupit tënd

fytyra jote
e bukura e dheut
me relieve dhimbjesh,
rrënjët e tua
magmë vullkanesh
prej eshtrash
mijevjeçaresh
janë miliona sy
prej fytyrës tënde
që të ndjekin nga qielli
e bahen sytë e natës
prej atyne syve
janë kriju yjet
me ndriçu
udhëtarët e pyjet

Kosovë
lule shkambore dardane
rrënjosur në tokën
e ngrimë pjellore
lule diellore
mos e prek
që shkrin acarin
e akujt i kthen në lumenj
që s’rreshtin së
rrjedhuri jetë prej jetës
kurrë
Kosovë dje, sot, nesër
mon Amour!

sonte Kosovë
të gjitha andrrat
i kam pa tuj hypë
nëpër avionë
nëpër gjithë
aeroportet e Zvicrës
nga Gjeneva, Zürichu, Baseli
me destinacion
Prishtinën
e tuj zbritë tek Adem Jashari
që ka dalë vetë
me më pritë

t’kam zili Kosovë
se ke qenë gjithmonë
e çume në kambë
në kohë pushtimi
e në kohën e dreqit
e kjametit
dhe sot vjen valë valë
si valët e detit
Jon e Adriatik
nga frymon shqipja
shqip

t’kam zili Kosovë
se m’ke mësu
me e dasht lirinë
m’ke mësu
me ndejt e çume në kambë
edhe fjetun,
edhe dekun

t’kam zili Kosovë
se çohesh përpjetë
pishë malsore
e lartë e drejtë
edhe kur t’lanë
pa bukë e ujë,
zdathë
me barkun thatë
nga hiri mbin
ti prapë e ma lartë

t’kam zili Kosovë
që nuk shterr forcash
me u ngritë
sa herë t’rrëzojnë
sa ma poshtë bjen
aq ma lart ngrihesh
mos m’u rrzu ma kurrë
Kosovë mon amour

desha me qenë
me ty Kosovë
me ty jam mish e shpirt
prej nesh asht krejt bota
zjarri, ajri, uji e toka

t’kam zili Kosovë
se e keqja
boksiere e sprovume
nuk t’shtrin
për tokë
e keqja zhbëhet
para teje
lule shkambore
shkamb alpesh
e fortë

me ty kam qenë
Kosovë
në jetët
pararendëse
me ty jam
edhe sot e gjithmonë
bashkë jena
n’Prishtinë
tek sheshi Skënderbe
ku takuam
Çun Lajçin
apo n’Prizren
n’Kosovë frymoj
ajrin e pastër
me erë lulesh e bjeshkësh
që ka thith
Bogdani, Isa, Jusufi,
Ademët, Agimi e Ibrahim Rugova
kush frymon n’Kosove
bahet me krahë
e vetë jeta merr fletë
në qershor, n’shkurt,nandor
n’Ulpjanë, Dardani
ku knon lahuta e kërcejnë
tupanat
n’Drenicë, Mitrovicë
Gjakovë a Prishtinë
gjithmonë, gjithherë
e gjithkur
Kosovë mon amour!

 

*Pjetër Bogdani, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Adem Jashari, Adem Demaçi, Agim Ramadani, Ibrahim Rugova

Vdekja e palavdishme politike e Edi Ramës – Nga REXHEP SHAHU

Me 16 shkurt 2019 ra politikisht Edi Rama nga një protestë e madhe burrash e grash të dëshpëruara të këtij vendi të tradhtuar e dhunuar prej qeverisë së tij që nuk ka fytyrë njerzore. Nga një protestë e fuqishme burrash e grash, jo të rinjsh e të rejash se rreth 500 mijë të rinj të Shqipërisë Edi Rama i ka dëbuar prej Shqipërie me arrogancën e keqqeverisjen e tij që mbjell frike e terror e nuk jep shpresë e mundesi jetese në atdhe.
Edhe në renie Edi Rama don të zërë të tjerë nën vete, nën gërmadhat e tij.
Edhe në rënie don të shëmtojë dikë, të damkosë dikë, siç bëri sot me Vlorën.
Shkoi në Vlorë dhe kërkoi strehë e mbrojtje duke shpallë kështu vdekjen e tij politike.
Po Vlora nuk bojatiset kollaj nga bojrat e tij, nuk merr ngjyrat e tij. Vlora ka paguar shumë jetë njerzish për lirinë dhe kundër komunizmit. Këtë Vlora e di edhe pse Rama don t’ia faturojë Vlorës vetëm faturën e zezë të turpit të 1997 që në fakt nuk është e vlonjatëve, por e antishqiptarëve dhe edhe e enveristëve të Kosovës të mobilizuar nga UDB e shërbimet sekrete serbe e greke.
Sot dështoi me lavdi shoku Rama.
Pas bllokimeve të gjithanshme të rrugëve që të pengohen protestuesit me ardhë në Tiranë, pas terrorit policor në media për protestë pa leje, pas terrorit të tellallëve të tij se ka infiltrime e axhenda të këqinjsh vendas e të huaj në proteste, pas bllokimit pa arsye të linjave të urbanit në kryeqytet, me bisht nër shalë shkoi e kërkoi strehë si liliput në bythë të Vlorës.
Nuk të mjafton Vlora o mavri me të mbrojtë, nuk ka qenë as bëhet kurrë Vlora strehë horash, nuk është Vlora kundër Shqipërisë. Nuk duron asnjë damkë Vlora.
Nuk është Vlora strofulla jote dhe as ti nuk je ariu që shkon të ngordhë në strofullën e tij. Ik shko dhe gjej vendin e ogjigjinës tënde dhe aty ngordh politikisht nëse ke ndokund ndonje cep vend a origjinë për varr politik.
Nuk e shëmton dot Vlorën as ia ngordh nervin kombëtar e demokratik me regjinë mjerane që i detyron njerzit nga frika e rrogës të mbledhin karriget e bukës nëpër shtëpia e ti nxjerrin në shesh të dëgjojnë piskamat e tua të deshpërimit e të frikës, vnerin tënd për kundërvënie e karshillek ndaj opozitës së vendit, ndaj të deshpëruarve e njerzve shpresëvrarë të vendit.
Edhe dhentë e qarkut të Vlorës ti mbledhësh nuk të mbrojnë dot dhe nuk të shpëtojnë dot prej dëshpërimit, frikës e braktisjes politike vendase e të huaj që po të shkakton humbje të orientimit, deshpërim total, ankth e pagjumësi.
Të dëgjova pak tek llomotisje në Vlorë.
Shkove atje të kujtosh burimin nga ka dalë pushteti yt, të kujtosh 1997 kur unat e zjarrit antishqiptar dogjën Shqipërinë me duart e kriminelëvë të burgosur me dënime të përjetshme që dolën nga burgjet greke, me duart e pushtetit të fshehtë të diktaturës komuniste që u rrëzua por që ka ende gjallë metastazat kanceroze antishqiptare.
Shkove në Vlorë qe ta “armatosje” Vlorën si Zani i saj i turpit dhe ta bëje gati ta mësyje drejt Tiranës. E bërë me zjarrin e fjalëve që volle që atje, u bërë një Zançaush.
Shkove në Vlorë t’i thuash asaj se “Ata po vijnë”, po dynden Ata. Ata malokët, ata kokëpalarët, ata çeçenët. Ata gegët. Shkove atje të mobilizoje toskët, të ngjallje frikën prej gegëve sic bëri gjysmë shekulli diktatura komuniste e shefat e saj. Shkove të mbillje e të ndizje urrejtje por dështove. Nuk arrin të mbijë më fara e urrejtjes së toskës a labit kundër gegës. Se të mbysin nipat e mbesat e njëri – tjetrit, nipat e mbesat që kanë sfumuar kufirin tënd të urrjetjes. Veç sa e poshtrove me atë shfaqje antimitingjesh komuniste e enveriste sot Vlorën.
U bërë i vogël sot, bubrrec politik, frikacak i pashembullt. A kështu duhet të bëjë Shkodra, Korca, Elbasani, Durrësi, Kukësi që bëri të të shpëtojë shurra pika pika…
Deshe të jepje mesazhin se ti ke Shqipërinë tënde, Vlorën tënde që në fakt nuk është tëndja, një mut është tëndja. Është e madhe Vlora që ta kesh a ta bësh ti tëndën dhe je i vogël ti për gjithë atë Vlorë të madhe.
Shkove të tregoje se janë dy Shqipëri, por dështove, nuk janë dy Shqipëri pse të do bytha ty, është një Shqipëri unike, janë një gegë e toskë, jane një se edhe të duan nuk bëjnë pa njëri – tjetrin, janë një se janë dy këmbët e një trupi, dy sytë e një balli, dy duart e një shtati, dy buzët e një goje dhe Shkumbini ndarës mes gegëve e toskëve është thjeshtë një vijë imagjinare ku ndahen me bashkim gegë e toskë të një atdheu që nis në Mitrovicë e mbaron shumë larg poshtë Vlorës.
Shkove në Vlorë mbase të sigurosh një varr politik atje te dëshmorët e gjallë ku varret politike janë rezervuar me kohë për ata që kishin ndërmend të bënin ndonjë luftë për atdhe.
Ishe shumë i varfër sot në metafora. Të vdiqën edhe metaforat shoku Rama. Mbase boja që t’u hodh në gojë në parlament t’i fshiu metaforat…
Ti kishe shumë frikë sot në fjalimin tënd të thatë pa ndonjë frymëzim tjetër veç nxitjes së urrejtjes kundër Atyre…, kundër dyndjes së Atyre… Sa më lart që e ngrije zërin aq më ë madhe të lexohj frika.
Në mesditë e dhive me atë vajtimin tënd për vazon që u thye nga protestuesit. Na dhive gazit…
M’u bë të thërras, digje Vlorën, atë Shqipëri tëndën që kujton se e ke marrë peng, digje gjithë Shqipërinë, edhe këtë timen e tonën, por mos u shit e mos mashtro me ato statuse me gjasme dhimbje për vazon sikur je artist, një mut je artist.
Një artist nuk krijon një pushtet që prodhon frikë e terror, pasiguri kudo, ankth, një pushtet që dëbon njerzit nga vendi, dëbim nga atdheu, që në një mënyrë është genocid ndaj kombit, genocid me pakësim shqiptarësh në teritor të kombit, një pushtet që mediat serioze deklarojnë se 60 përqind e njerzve duan të ikin nga ky vend për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës që bën karagjozin, që është dhi e zgjebur dhe e mban bishtin përpjetë, që krenohet me arrogancën e qeverisjes së tij, që i duket si kënaqësi seksuale kur tall e përgojon tjetrin dhe thotë se nuk janë në nivelin tim të debatit, që ushtron pushtet përsonal për veten e familjen, për veten, miqtë e shokët e tij.
Me 16 shkurt ra Edi Rama politikisht. Nuk e di kur do ta largojnë kufomën e tij politike drejt varrezave të harrimit.

Prishtina nuk ka platformë strategjike për Veriun e ndërkombëtarizuar të Kosovës – Nga Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Edhe pse për këtë çështje ish-kryeministri dhe, tani presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me “bekimin” e qeverive dhe të kuvendeve të Kosovës ka zhvilluar bisedime me palën serbe në Bruksel, Jo më pak se 9 vjet (2011-2019), mirëpo, deri tani Kosova nuk ka pasur dhe, ende nuk ka ndonjë platformë politiko-strategjike për zgjidhjen e problemit të territorit verior të Kosovës.

Sepse de fakto ajo është pjesë e ndarë qe 20 vjet, të cilën nuk e kontrollon Kosova, por Serbia. Kështu që, tani kemi të bëjmë me një gjendje “pat-pozicioni”, ku “Serbia dhe serbët nuk mund të bëjnë luftë për këtë territor. Gjithashtu, qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë luftë. Madje, forcën nuk do ta përdorin as forcat ndërkombëtare.- Autonomia e veriut nuk është e mundur brenda Kosovës shqiptare. Atëherë çfarë do bëhet me Veriun? “

-Asgjë, derisa Amerika të ndërhyjë në këtë çështje, që Serbia të tërhiqet nga territori verior i Kosovës, tjetër zgjidhje nuk mund të ketë në favroin e tërësisë së sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës.

Prandaj, janë të kota “platformat” e “shuttle grupeve” negociuese të Kosovës se gjoja në Bruksel “nuk do të lejojnë prekjen e kufijve të Kosovës”.

-Çfarë konstatimi ky, po, kush ka sy, vesh e mendje, kufirii veriut të Kosovës, tanimë është prekur qe 20 vjet (1999-2019), por çështja është se si ta përzëmë Serbinë nga ajo pjesë vitale e territorit të Kosovës.

Vazhdimi i Dialogut në Bruksel nuk sjell njohjen e Kosovës nga Beogradi, por vetëm prekjen e kufijve të saj territorialë

Të gjithë ata liderë politikë të Kosovës, të involvuar dhe, të tjerët që kanë shprehur dëshirën të involvohen në Dalogun e Brukselit (2011-2019), janë dijeni se epilogu i tij nuk do të jetë NJOHJA E KOSOVËS nga ana e Serbisë ( me gjithë dëshirën e tyre), por vetëm po e gënjenjë dhe po e mashtrojnë popullin shqiptar të Kosovës, se gjoja në Bruksel po bisedohet për ta bindur Beogradin që ta njohë Kosovën e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk është e vërtetë, thjesht, për faktin se, sikur Serbia të donte ta njihte Kosovën, ky vendim do të merrej në Beograd, Jo në Bruksel. Pse në Bruksel?!

Pra, fare nuk është e ndershme, e nevojshme as e ligjshme, që të zhvillohet një propagandë e tillë politike se gjoja në Bruksel, Serbia do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë në dialogimin serbo-shqiptar në Bruksel.

Prandaj, nuk ekziston nevoja që ndonjë “ ad hoc grup politik” të udhëtojë për në Bruksel, që ta marrë “izën” e Serbisë, sepse ajo këtë mund ta bëjë drejtpërdrejt nga Beogradi, pa shkuar fare në Bruksel.

Mirëpo, “lepuri fle dikund tjetër”, pikërisht në “pat-pozicionin” e statusit të territorit verior të Kosovës, që Serbia përmes Dialogut të Brukselit me palën kosovare dhe me atë ndërmjetësuese të BE-së, me çdo kusht po kërkon që ta rikthejë nën sovranitetit territorial dhe shtetëror të saj. Kjo është “tema kyç” për të cilën pala kosovare ka pranuar të dialogojë me palën serbe në Bruksel, jo më pak se 9 vjet (2011-2019).

Derisa të vazhdojnë negociatat serbo-kosovare në Bruksel, nuk do të vlejë kurrfarë garancie nga pala negociuese e Prishtinës, sepse ai dialog pikërisht po bëhet për zgjidhjen e statusit politik të veriut të Kosovës. Këtë “ grupet negociuese” të Kosovës e dinë shumë mirë. Parandaj, edhe kanë përgatitur “Platformën” e tyre se gjoja në Bruksel nuk do të “debatojnë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, por për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”!?

Çfarë kulmi i gënjeshtrës ky se gjoja “ Viti 2019, është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti që Kosovës do t’i hapet rruga drejt NATO-s, viti i liberalizimit të vizave, dhe viti i integrimit në BE.”. (https://www.kosova-sot.info/lajme/355930/ahmetiveselielimajnjezerikufijteerepublikessekosovesnukprekenngakydialogduamnjohjenngaserbia/).

-PO, cili shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj nuk do ta dëshironte që brenda këtij viti(2019), Kosova të njihej nga Kombet e Bashkuara dhe të aderonte në NATO?

Mirëpo, si të jetësohet ky gëzim dhe kjo dëshirë në praktikë, kur Beogradi po ngulmon, jo ta njohë Kosovën, por ta copëtojë territorin verior të saj, kinse duke i “korrigjuar lehtë” kufijtë e saj së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se me përfundimin e Marrëveshjes në Bruksel, do të fitojnë të dy palët (Fifty-Fifty-Win-Win), jo vetëm Serbia, apo vetëm Kosova. Sipas kësaj progonoze politike të tij : “Rezultati i dialogut të Brukselit, do të jetë WIN për Serbinë dhe WIN për Kosovën”.( https://www.blic.rs/vesti/politika/taci-rezultat-dijaloga-ce-biti-win-win-i-za-srbiju-i-za-kosovo/4rmbmgf).

Jo, anasjelltazi!

SË PARI REFERENDUM (pëlqimin nga SOVRANI), pastaj mund të blihen “biletat” për në Bruksel apo për në Beograd, JO ANASJELLTAZI, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të njohë kurrfarë rezultati të REFERENDUMIT (qoftë në Serbi apo në Kosovë), nëse PARAPRAKISHT arrihet ndonjë Marrëveshje e kompromisit politik mes palëve negociuese në Bruksel. Përkundrazi, do të urdhërojë urgjentisht dhe pa kushte, që ajo të ratifikohet nga Kuvendi i Serbisë dhe nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë duhet ta mbajnë parasysh si “grupi ad hoc negociues”, ashtu edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se “Fjalën përfundimtare për marrëveshjen me Serbinë do ta thonë qytetarët përmes Referendumit. Ne do të miratojmë këtë platformë, ndërsa vendimmarrjen për marrëveshjen finale, do ta keni ju vetë me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës”. ((Po aty, www.kosova-sot,info).

-E thënë mirë kjo deklaratë për qetësimin e nervave të opinionit publik shqiptar. Mirëpo, siç theksuam më sipër, nëse paraprakisht arrihet ndonjë Marrëveshje me palën serbe në Bruksel, palët e involvuara ndërkombëtare në këtë marrëveshje nuk do të pranonin rezultatet e ndonjë REFERENDUMI qoftë në Kosovë ose në Serbi. Për më tepër, nuk do të lejonin mbajtjen e referendumit në Kosovë, ashtu siç ndodhi edhe pas Konferencën e Rambujesë ( 14-19.3.1999).

Me gjithë premtimet garantuese të garniturës udhëheqëse shtetѱrore të Kosovës (president, kryeministër dhe kryeparlamentar) dhe të grupit të sapoformuar ad hoc, se gjoja në Brukesl nuk do të bisedojnë me palën serbe për ”korrigjimin e kufijve” të Kosovës, nuk parapëlqehet që, së PARI të lidhet ndonjë Marrëveshje me Serbinë në Bruksel, pa mbajtjen PARAPRAKE TË REFERENDUMIT në Kosovë se, dëshiron apo jo populli shqiptar të zhvillohen negociata politike me Serbinë në Bruksel për fatin e Kosovës.

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë – Nga Frank Shkreli

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi. Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Libri i autorit Dr. Besim Muhadri: “Prof Dr. Rexhep Krasniqi Një Jetë në Shërbim të Shqipërisë Etnike”, botuar kohët e fundit në Kosovë

Por kush ishte Prof Dr. Rexhep Krasniqi? Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Siç shkruan – në vend të parathënies — edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”. Në mungesë të prindërve Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë. Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938. Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie. Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi: “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941. Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij. Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull. Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët — ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre. Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York. Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit. Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim. Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak. Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.


Dr Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar. Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”. Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë. Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal — janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme. Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe. Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili — përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës — kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë — me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim — po tu ishte dhënë mundësia — do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin — të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike, të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore. Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.

Frank Shkreli

Kosova dikur ishte vetëm një ëndërr, sot është një realitet – Nga JAHJA LLUKA

Dikur ishte e pamundur të mendojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë, por na mbajti shpresa dhe fryma atdhetare. Kosova sot është e pavaur dhe po rritet dita ditës, një shtet i ri në Europë, me një komb më të lashtë sesa vetë lashtësia.
Dikur na mbajti buka dhe lotët, sot ne po i tregojmë botës vlerat tona të shumta, pa të cilat s’do ekzistonte as civilizimi perëndimor.
Eksode masive, vrajse, dhunime, burgosje, tortura, nuk u ndalën përgjatë një shekulli, regjimi serb donte t’i çrrënjoste shqiptarët nga toka nanë, dhe jo vetëm qëllimi ishte që qenia shqiptare të zhdukej nga planeti Tokë.
Në këto kushte çnjerëzore, pushtim pas pushtimi, çdo popull tjetër nuk do të ekzitonte më, por populli ynë u unikifua për të mirën e përgjithshme dhe brezave që do vijnë.
Meritat më të mëdha për kauzën e popullit shqiptar i kanë nënat shqiptare. Nënat shqiptare, përkunden djepat dhe rritën fëmijët me dashurinë ndaj atdheut.
Nënat shqiptare linden trima për ta mbrojtur atdheun, ruajtën nderin dhe pragun edhe pse fati i tyre shpesh ishte i trishtë, ato ishin dhe do mbeten hyjnoret tona, andaj në këtë përvjetor të 11 të Pavarësisë së Kosovës, propozoj që në shenjë nderimi për sakrificën dhe vuajtjet e Nënës Shqiptare, e cila ishte shtylla mbrojtëse e pragut dhe popullit shqiptar përgjatë shekujve, të inaugurohet një Memorial i “Nënës Shqiptare”, në kryeqytetin e Kosovës.

Populli shqiptar i Kosovës, përgjatë një shekulli rezistencë nga regjimi dhe pushtimi serbo-sllavë, e shkroi lirnë e tij me gjak, me vuajtje dhe sakrificë.
Ishte dëshira e madhe për liri dhe vullneti i këtij populli që ngriti para botës çështjen e tij fundamentale,për të mos u nënshtruar dhe për të jetuar i barabartë me të gjithë popujt tjerë të botës së qytetëruar.
Edhe pse kushtet dhe presioni nga regjimi serb ishin ç’njerëzore,ai nuk arriti ta ndali frymën kombëtare, andrrën e madhe për pavarësi dhe jetë të dinjitetshme në atdheun që lëngonte nga vuajtjet.
Eksode masive, vrajse, dhunime, burgosje, tortura, nuk u ndalën përgjatë një shekulli, regjimi serb donte t’i çrrënjoste shqiptarët nga toka nanë, dhe jo vetëm qëllimi ishte që qenia shqiptare të zhdukej nga planeti Tokë.
Në këto kushte ç’njerëzore, pushtim pas pushtimi, çdo popull tjetër nuk do të ekzitonte më, por populli ynë u unikifua për të mirën e përgjithshme dhe brezave që do vijnë.
Meritat më të mëdha për kauzën e popullit shqiptar i kanë nënat shqiptare. Nënat shqiptare, përkunden djepat dhe rritën fëmijët me dashurinë ndaj atdheut.
Nënat shqiptare linden trima për ta mbrojtur atdheun, ruajtën nderin dhe pragun edhe pse fati i tyre shpesh ishte i trishtë, ato ishin dhe do mbeten hyjnoret tona, andaj në këtë përvjetor të 11 të Pavarësisë së Kosovës, propozoj që në shenjë nderimi për sakrificën dhe vuajtjet e Nënës Shqiptare, e cila ishte shtylla mbrojtëse e pragut dhe popullit shqiptar përgjatë shekujve, të inaugurohet një Memorial i “Nënës Shqiptare” , në kryeqytetin e Kosovës.
Le të jetë përkujtim dhe mirënjohje për të gjitha nënat shqiptare të cilat, pavarësisht vuajtjeve dhe lotëve që derdhën, ato asnjëherë nuk ndaluan dhe sakrifikuan çdo gjë që kishin dhe fëmijet e tyre për lirinë dhe pavarësinë që po e gëzojmë sot.Nënat shqiptare ishin dhe do mbesin fryma dhe shpirti i kombit shqiptar.
Në përvjetorin e 11 të Pavarësisë së Kosovës, dua të shpreh falenderimet e mija dhe mirënjohjen e pakufi për të gjitha gjeneratat, të cilat dhanë çdo gjë që sot ta gëzojmë këtë shtet të pavarur.
Respekt dhe mirënjohje familjeve të mëdha shqiptare: Familja Jashari, Familja Haradinaj, Familja Ramadani, që u bënë shembëlltyrë në sytë e botës, se si ruhet atdheu dhe se dashuria për të nuk ka çmim.
Të gjithë martirët dhe dëshmorët e këtij kombi, të pagjeturit, janë shtylla e këtij shteti të ri por më i lashtë sesa vetë legjendat.
Intelektualët e shumtë dhe lëvizjen paqësore,të Presidentit Rugova, mësuesit, profesorët, studentët, mjekët, minatorët, që ngritën zërin tonë para botës, në rrethana pothuajse të pamundura, bënë që ky popull ta gëzojë lirinë dhe pavarësinë pas shekujsh pushtuesish.
Andaj sot shteti ynë me të gjitha pengesat dhe problemet, ka arritur progres në të gjitha fushat dhe po forcohet çdo ditë e më shumë.
Sukseset e artistëve, sportistëve,studentëve tanë nëpër botë po na bëjnë krenar, duke hapur rrugët edhe për gjeneratat e tjera të cilët andërrojnë një Kosovë të fuqishme ku dëshirat e secilit pë një jetë të dinjtetshme do të marrin frymë.
Bota le te kuptojë që vuajtjet dhe sakrifica e këtij populli u shndërruan në suksese dhe vullnet, për ti ndihmuar kombit dhe për të kontribuar me vlera të shumta në civlizimin perëndimor.

Nga Jahja Lluka

“JO”-ja e BE-së PARISIT e BERLINIT – Nga MARIO MONTI* – E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Një vendim i marrë dje në Bruksel nga Komisioni Evropian, edhe se nuk ka të bëjë drejt për së drejti me Vëndin tonë, meriton një vëmëndje të veçantë nga ana e opinionit publik dhe politikanëve italianë. Në një çast kur flitet shumë për Evropën, shpesh me një afsh polemik që e kapërcen shumë njohjen e fakteve, vendimi i djeshëm ndihmon për të kuptuar shumë gjëra: ka arsye të sakta nëse në disa fusha BE shkon mbarë e në të tjera jo; “burokratët e Brukselit” janë qeveritarë që ushtrojnë mandatin e dhënë atyre nga Shtetet antarë; kundër vendimeve të tyre mund të bëhet ankesë në Gjykatën e drejtësisë të BE; nuk është e vërtetë që Komisioni çon në vënd dëshirat e “pushteteve të fuqishme” apo i përulet “ligjit të më të fortit”, kritika shpesh të drejtuara nga ai që nuk është në gjëndje të mbrojë qëndrimet e tij me prova të qëndrueshme dhe parapëlqen sharjet; madje Komisioni dhe Gjykata, duke vënë në jetë të drejtën e bashkësisë, në fakt mbrojnë të gjithë nga përpjekjet e mundëshme të më të fortëve apo të më të mëdhenjve për të përfituar nga pushteti i tyre, siç do të ndodhte sigurisht nëse do të zhdukej BE.
Dje, pra, Komisioni ka ndaluar shkrirjen ndërmjet Siemens dhe Alstom, gjigandit gjerman dhe atij francez në prodhimin e trenave me shpejtësi shumë të lartë e me sistem sinjalizimi hekurudhor. Veprimi i dëshiruar fuqimisht nga qeveritë e Berlinit e të Parisit, është bllokuar sepse, mbas një hulumtimi të thelluar, komisaria Margrethe Vestager ka dalë në përfundimin se ai do të kishte pakësuar në mënyrë të ndjeshme konkurencën.
Shoqëritë hekurudhore do të kishin vuajtur për shkak të çmimeve më të lartë të trenave e të sistemeve të sinjalizimit, duke përcjellë shtesat mbi milionë udhëtarë që çdo ditë lëvizin në të gjithë Evropën. Nuk kam nërmënd të shprehem këtu mbi thelbin e vendimit që i ka hapur shtegun rrahjeve të gjalla të mendimeve.Do të desha t’a përdornja si një letër turnësoli mbi temat më të gjëra të cekura më sipër.
Përse shkon mbarë. Nuk ka dyshim se politika e garimeve është njëra nga ato pak fusha në të cilat BE shkon mbarë. Mund të jemi në një mëndje apo jo mbi vendimet e veçanta. Mund të urohen ndryshime në drejtimet bazë të politikës së konkurencës, siç u bë për shembull me një sërë reformash në vitet e para 2000. Por është një politikë në të cilën merren vendime në kohët e parashikuara. Vendimet zbatohen. Ata respektohen edhe nga ndërmarrje jo evropiane, përfshirë edhe shumëkombëshet më të mëdha amerikane.
Si është e mundur që e gjithë kjo funksionon edhe kur preken interesa ekonomikë e politikë të stërmëdhenj? Thjesht, sepse, që nga Traktati i Romës i 1957, Shtetet antarë i kanë dhënë Komisionit të drejtën dhe detyrën të bëjë që të respektohet konkurenca, por edhe pushtetin ligjor për t’a bërë. Një tjetër fushë në të cilën ka të tillë pushtet federal e që në fakt funksionon, është ajo e politikës monetare. Margrethe Vestager dhe Mario Draghi janë jashtzakonisht të aftë, por as ata nuk do të kishin qënë në gjëndje të kryenin në mënyrë të vlefshme detyrat e tyre, nëse nuk do të kishin këtë fuqi federale. Kolegët e tyre që merren psh. me mërgimet, me politikën e jashtëme apo harmonizimin e taksave, me gjasë lodhen më shumë, por nuk mund të bëjnë të shkojë mirë BE në fushat e tyre. Në to Shtetet kanë dashur të mbajnë një fuqi të vetos. Shpesh e padisin Evropën se është e munguar. Do të duhej të padisnin vetveten që kanë dashur të mbajnë shtrënguar fuqitë e tyre, të cilat i a bëjnë të pamundura BE të kalojë mbi qëndresat e Shteteve, duke filluar nga ata më sovranistët.
Pushtete të forta, ligji i më të fuqishmit. Gjermania dhe Franca, edhe se me qeveri pak të mjegulluara, quhen si dy Vendet më të forta të Evropës. Dyfish më të fortë do të ishin në rastet kur bashkojnë fuqitë e tyre, akoma më shumë në një fazë kur kanë vendosur të fuqizojnë bashkërendimin e tyre me Traktatin e fundit të Aquisgranës. A mund të përfytyrohet ndonjëri n’Evropë që të jetë i aftë të derdhë mbi “burokratët e Brukselit”, për më tepër në fund të mandatit, një breshëri zjarri si ajo e një kombinati politik-industrial Berlin-Paris-Siemens-Alstom? Nuk besoj. E megjithatë komisria Vestager dhe Komisioni kanë thënë “jo”. Mos të vijnë e të na tregojnë në Itali se Brukseli është sistematikisht në shërbim të interesave gjermanë dhe francezë.
Dje në Gjermani e në Francë qeveritë dhe mjediset industrialë kanë sulmuar ashpërsisht komisaren Vestager. Kanë kërcënuar të pakësojnë fuqitë e Komisionit në kontrollin e shkrirjeve e të politikës së konkurencës në përgjithësi. Nuk është e para herë që ndodh kjo, nuk do të jetë e fundit.
Nga Italia, Vënd i madh e i rëndësishëm, por jo me të vërtetë “i fortë” për sa i përket sistemit ekonomik dhe aparatit administrativ, një Komision i qëndrueshëm dhe i respektuar duhej të ishte parë si një aleat i mundshëm në shumicën e rasteve. Duhet të kuptojmë se si duhet t’i paraqesim më mirë n’atë seli interesat e ligjëshme italianë. Flas për interesat e vendit. Nëse më parë janë jo italianët, por ata që, në këtë çast qeverisin italianët, atëherë ndoshta leverdis të mbulojmë me sharje Komisionin dhe Evropën, sepse kjo kënaq inatin e italianëve dhe zhvendos vëmëndjen nga përgjegjësitë tona. I takon qytetarëve të mos bien n’atë grackë, të mos duartrokasin ata që duan të dobësojnë një Evropë, për të cilën kanë më shumë nevojë qytetarët e jo politikanët.

*Marrë nga “Corriere della Sera”, 7 shkurt 2019
E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika
.

NJË BESË BURRASH – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

(Letër Flamuri-t)

Z.Drejtor,
Si i paparti që jam do të kisha dëshiruar që antikomunizma shqiptare të kishte në mërgim një organ të lirë, dmth. të palidhur me programe e tendenca partizane, ku secili të kishte mundësinë të çfaqte mejtimet e tija vetëm si Shqiptar. Po mjerisht një organ të këtillë s’po e kemi. Prandaj, Z. Drejtor, unë qeshë shtrënguar ca kohë më parë të ju kërkonja juve hospitalitet për botimin e ca ideve të mija personale që e kisha ndier për detyrë kombëtare t’u a thonja bashkëatdhetarëve të mij e kujt ishte për to. Pasandaj prapë ju trazova me një letër si këtë. Ajo s’kishte nevojë për shumë fjalë. Kurse këtë herë, Z. Drejtor, e shoh se do të më duhet të flas si gjatë, në paçi vënd për to në fletoren t’uaj. E tepër t’a përsëris se unë flas kurdoherë vetëm ashtu siç ndienj dhe gjykonj vetë e vetëm për vetëhe.
Është gazeta Flamuri që po më jep shkas, madje mundem të them se po më josh e trimëron t’i shkruanj këto rradhë. Sepse, Z. Drejtor, lejomni t’a them shqip se me njerëz që dijnë të flasën e t’arsyetonjën, edhe kundrështarë t’i kemë mua m’a kënda kuvêndin. Madje, për qëllimin që kam shpallë me këto shkrimet e fundit, më shumë dua të flas me kê qëndron larg meje me idera se me atê që kam afër.
Paravë që ndë krye se e vetmja lakmí që kam në perëndim të ksaj jete të shkretë që po mbaronj në këtë mërgim, është që të shoh të bashkuara gjithë vullnetet e energjivet shqiptare antikomuniste me sinqeritet të plotë, me besë të vërtetë gjer ditën që t’i arrihet qëllimit të shënjtë. Kush të dyshonjë se kam ndonjë qëllim personal të fshehur ndën këtë fjalë të bekuar të bashkimit, le t’a ruajë këtë pohim solemn si peng nderi për të m’a përplasur fytyrës në çdo kohë që të ketë në dorë një fakt për të m’a provuar. Ç’do të presë më sot e tutje për vetëhen e tij një njeri me një këmbë ndë gropët ? Pasandaj, cilido që s’e ka kuptuar se koh’e pleqvet ka perënduar për lakmira personale, ay vetëm se lodh shpirtin e tij mbë kot. Sa për të shkuarën, i kam aqë mênd, aqë eksperjencë dhe aqë sedër sa të mos pres e të mos kërkonj një gjykim të drejtë gjer sa s’më ka mbuluar toka e zezë. Pra nëse kam hapur çështjen e kollaboracionizmës e t’antikollaboracjonizmës, s’kam dashur të kërkonj për askênd një reabilitim pa vênd as të pruanj një palë e të kritikonj një tjetër, por vetëm të pretendonj se nuk është sot koha e këtyre llogarive. Pretendim’i im ësht’i shprehur fare qartazi në letrën e botuar prej jush më 20 shkurt të këtij viti, ku them : “Ndër malet t’ona…..”. Dhe më poshtë : “Pse të mos i mundim dot ndjenjat që na këshillojnë keq…”. Me fjalë tjera, nuk po dua të them që të bëjmë tabula rasa ase një amnistí të përgjithëshme që fshin e harron çdo padí reciproke për faje ase gabime që i përkasin një perjode të turbulltë të historisë s’onë ; por po kërkonj që të vihet një besë e sinqertë, një besë burrash ndërmes gjithë Shqiptarëve nacjonalista gjer ditën që kombi do të jetë i lirë, të vihet një kapak mbi ato padí për një bashkëpunim të përzêmërt të të gjithëve, sipas aftësisë e kompetencës së gjithkujt. As nuk po them se fajet ase gabimet që i hjedhim shoshoqit t’i a lêmë historisë t’i gjykonjë, por t’i a lêmë popullit shqiptar të çliruar, të vetmit që ka të drejtë të padisë, të gjykonjë e të dënonjë ase të çfajtonjë.
Flamuri shkruan që në krye : “Bota shqiptare në mërgim…..” oh, jo ! Vaj hall’i atij kombi në të cilin bazat morale të politikës së tij, do t’i caktonte një partí dhe do të gjykonte po ajo në janë respektuar apo jo. Sikur edhe vetë populli shqiptar t’i kishte mveshur a të kishte për t’i mveshur njerzit e Flamurit me një farë pushteti, ky nuk mund t’ishte veçse njëri nga tri pushtetet klasike të një Shteti demokratik, por jo të trija bashkë. Flamuri e tepron këtu, dhe do të përpiqem t’a bind se ësht i gabuar. E par’e punës, ka ndër padit’e tija fakte që ay i quan antimorale e antipatriotike, të cilat ekzistojnë vetëm n’aparencë. Së paku kjo është bindja që kam formuar unë nga provat që kam në dorë. Nuk jam i auktorizuar t’i zbulonj botërisht këto prova, e prandaj Flamuri ka të drejtë të bënjë reservat e tija. Por kemi edhe n’analet e gjyqsisë plot shêmbuj njerzish të paditur në bazë provash, të pandyera evidente, që përpara gjykatores kanë dalë të paqêna ase false. Kemi prova të këtilla që i pandyeri s’ka pasur mundësí t’i rrëzonjë a t’i çfuqizonjë dhe është dënuar duke qênë në realitet i pafajshim. Kemi shêmbuj që na tregojnë njerëz të dënuar në këtë mënyrë, makar duke pohuar edhe vetë, për shkaqe të ndryshme, një faj që s’e kishin bërë, të cilët pas një kohe shum’a pak të gjatë kanë dalë të larë e kryekëput dorjashtë nga ay delikt. Për më tepër, gjithkush e di se çdo fakt njerzor, qoftë vetëm moral ase gjyqsor, edhe si të jetë provuar se ësht një fakt, nuk gjykohet i izoluar, por bashkë me shkaqet e rrethanat që e kanë prodhuar. E pra në një kohë kur populli shqiptar ndodhet në rrezik të vdesë e kontribut’i më të prapmit bir të tij mund të jetë vendimtar për t’a shpëtuar, s’i ka hije as Flamurit as kurrkuj tjetër të bënjë diskriminime morale pa vênd ase të bazuara mbi prova të dyshimta.
Qiqeroni e ka quajtur historinë “magistra vitae”. E na e dijmë të gjithë se Fatos’i ynë, ay që na jep të drejtë t’a quajmë vetëhen me krye përpjetë shqiptar, ka falë Moisiun e Hamzanë, tradhtorë, me koxha vulë në ballë, të Shqipërisë e të personës së tij. Sot s’ka ndër ne as Moisi, as Hamza mbë njêrën anë e as Skënderbeg në tjetrën. Pra aqë më tepër duhet të na vlejë për mësim historij’e jonë. Skënderbegu ka qênë shpirtmadh, po edhe shtetist e politikan i shquar. Prandaj s’kemi të drejtë t’i quajmë gjestet e tija bujare vetëm një efekt shênjtërije, por më tepër urtije e patriotizme.
Kemi plot edhe shêmbuj tjerë, gjithnjë nga historij’ e kombit t’onë, nga ajo më e reja madje. Sa përqind kanë qênë ata Shqiptarë që e kanë dashur Shqiprinë të ndarë mbë vete nga Turqija në 1912 ? E nëse ata që s’e kanë dashur atëherë Shqipërinë të lirë, dmth. shumicën e popullit tonë, duhet t’i quajmë tradhtorë, lypset në këtë rasje edhe të konkludojmë pa fjalë se jemi një popull tradhtorësh ! As që ishin me të vërtetë tradhtorë rebelët e Shqiprisë së mesme që u vranë e u dërmuan për të sjellë përsëri Turqinë në Shqipërí, dy vjet mbas pamvarësisë kombtare. Por këtu kemi të bëjmë me turma të padijshme e prandaj të papërgjegjëshme, do të thuhet, dhe ësht e vërtetë. Po vallë a s’ka patur dhe atëherë Shqiptarë intelektualë shumë të shquar e me tradita patriotike të shkëlqyera që s’e kanë quajtur popullin shqiptar të pjekur për pamvarsí e që prandaj mallkonin ata pak “të marrë” që luftonin për lirinë e kombit të tyre ? E ndonjë tjetër madje që e kishte tepruar zullumin gjer n’atë pikë sa t’a quanjë botërisht flamurin e Skënderbegut “një copë lëvere”, e kur Shqiptarë të tjerë e zëmruan me sulmimet gazetare të tyre i a shtoi dozën profanimit me fjalët “jo vetëm lëvere, por lëvere e ndyrë”? Eh mirë, ç’bënë Ismail Kemali e shokët e tij në Vlorë kur ai Shqiptar u gjênd në Vlorë, vetëm mbas 3-4 vjetësh, si mis i Kuvêndit që shpalli pamvarsinë ? I dhanë dorën, e përqafën si vëlla. Ata thanë : “Ka qênë ç’ka qênë, tashti kemi Shqipërinë, nënën e përbashkët përpara syshë”. Këtij i thonë gjest patriotik.
Vazhduan hallet e Shqipërisë dhe më vonë, se këto s’kanë pasur kurrë të mbaruar. S’ishte mbushur viti edhe, e na dolli në shesht Esad Pashë Toptani si tradhtor me vulë, edhe ay. U vëndos në Durrës me një qeveri të tij kundra Ismail Kemalit. E kë pati rretherrotull tij si kshilltarë, bashkëpuntorë e shërbestarë ? E dijnë të gjithë, se ka edhe njerëz nga ay brez që rrojnë. Vallë ç’titull e ç’pozitë morale e patriotike u shënon Flamuri këtyre profanatorve të flamurit kombtar dhe bashkëpuntorve t’Esad Toptanit ?
Ndër sa tjera që mbaj mênd, do të citonj edhe një rasë të vetme. Një Shqiptar që banonte në Stamboll, tregtar i madh e pa dyshim dashamir i vêndit të tij si të gjithë tjerët edhe ay. Në mes të 1909-s e 1912-s atij i venin punët pupa me Turqit e Rij, por Shqipërisë fare keq. Ndjekje kundër patrijotvet, kundër alfabetit latin, kundër gjuhës shqipe e kundër zakonevet shumshekullore të popullit t’onë, kryengritje, masakra. Tregtar’i ynë s’u turbullua aspak nga këto ngjarje as që i ra ndër mênd për Shqipërinë. Gjatë luftës së parë botore s’i eci zar’i tregtisë dhe u bë diletant politike shqiptare, gjithënjë me banim në Stamboll. Dikur qeverija shqiptare i lidhi një pensjon, se kish qênë me dërgatën e kolonisë shqiptare në konferencën e paqës dhe kishte zhvilluar atje veprimtarí patriotike. Më vonë, nga huaja Svea që kontraktoi Shqipërija me Italinë, atij Shqiptari të mirë, që asohere ndodhej përkohësisht në Tiranë, i ra një pjesë e majme katërmijë napoljonash ar si një farë shpërblimi, natyrisht se kishte nevojë, ndonse në Stamboll bënte politikë kundra regjimit t’atëhershëm me kundrështarët e mërguar. Ky Shqiptar ka hypur n’altarët më të lartët të patriotizmës shqiptare ndër syt’e disa patrijotëve. Kjo mënyrë partizanije mua më pëlqen shumë më fort se e kundërta, dmth. se sa mërija e shkreditimi kundra atyre që nuk duam, edhe sikur të jenë shkrirë për idealin kombëtar.
Gjithë këta shêmbuj zakonesh kombëtare dhe traditash politike të vêndit t’onë në politikë sa më shumë toleranta e jo sektarë ase puritanë, se nuk na ka hije e nuk na jep dorë. Sa herë që ndiejmë vetëhen të tentuar për t’a zënë tjetrin me gurë për imoralitet kombëtar, duhet të na vinjë ndër mênd fjal’e shênjtë e Krishtit për Mari Magdalenën : “Kush t’a dijë vetëhen të larë nga mëkatet le të hjedhë gurin e parë” ! Më në fund, a është vallë i sigurtë grupi i Flamurit se s’ka pasur kurrë e s’ka as sot kollaboracionista të të dy tipavet kollaboracionista me italjanë dhe me gjermanë ?
S’ka gjë sepse më ka futur Flamuri në kategorin’e “pêndavet oportuniste”, unë nuk do t’a ndjek n’udhën e polemikës, mbasi nuk më përmeton qëllim’i ksaj fushate që kam hapur pa më nxitur askush veç mêndjes e zêmrës s’ime. Të kisha qênë, në gjithë jetën t’ime, jo oportunist, po dhe vetëm një “politikan i hollë” që di të mejtonjë shum’a pak edhe interesat e tija, do të kisha patur sot e në të shkuarën një pozitë, jo vetëm materjale, po edhe “morale”, mu me kuptimin që i pëlqen t’i japë ksaj fjale Flamuri. Po, mbasi e kam urryer gjithmonë oportunizmën, duke i peshuar fare mirë të gjitha pasojat e një qëndrimi t’atillë, jam i kënaqur kështu pa pikën e pendimit. Kaqë sa për të pruajtur vetëhen kundra një padije të padrejtë. Edhe i them Flamurit se historinë e vërtetë të një kombi s’e kanë shkruar kurrë e nuk mund t’a shkruajnë pêndat politike e partizane të kohës kur ajo thuret, por vetëm brezat e ardhëshëm. Prandaj e lê të kalonjë edhe pjesën e kronikës së rezistencës shqiptare ashtu siç e ka redaktuar vetë Flamuri, me gjithë që jam i bindur se ndryshe ka për t’a përshkruar historija.
Unë çuditem që as redaktorët e Flamurit s’kanë mundur, apo s’kanë dashur t’a kuptojnë frymën e krahasimit t’im ndërmjet “Azjatikve të marrë” e neve “të mêndshimet”. Pra nuk duhet një kulturë e madhe për të dijtur se tjetër është identiciteti, që s’ka vênd n’artikullin t’im, dhe analogjia që kam dashur t’evokonj unë. E njerzve të Flamurit, s’ka si t’u mohohet aftësija për t’a kuptuar këtë ndryshim. Unë kam dashur pikë së pari të vê në dukje ndryshimin e atmosferës mjegullore të kohës së luftës që kishte turbulluar mëndje të larta shtetistash e politikanësh me famë, me atmosferën e pasluftës kur mjegulla e afshevet kishte filluar të zhdaravitej si në mes të kombevet njëri me tjetrin, gjer dje të përleshur në luftë, ashtu dhe ndërmjet qytetarësh të secilit prej atyre kombeve, gjer dje të përçarë ndër mendime e t’ashpruar ndër afshe gjithnjë si pasojë e asaj lufte. Dje luftohej për vdekje kundra Gjermanisë, Italisë e Japonisë në bashkëpunim vëllazëror me Rusinë bollshevike e i blatohej Stalinit gjithë ç’kishte mundur të dëshronte ay vetë, gjer në dorzimin pa kushte të tre armiqvet që kishin provokuar luftën ; sot kërkohej miqsij’e tyre kundër ish aljates së djeshme. Besonj se analogjij’e këtij fakti ndërkombëtar është aq’e qartë me faktin t’onë kombëtar, sa s’është nevoja të stërhollohet më gjatë. Mac Arthury ishte në Tokjo për të shtypur militarizmën japoneze e për të vendosur një regjim demokratik sipas gustit të tij a të vêndit të tij. Heroizmin e Tojos e kam sjellë vetëm si shêmbull guximi civil, pasi isha duke folur për Japonezët, për t’u ndjekur nga çdo Shqiptar që vepron me bindje patriotike ndë një udhë a një tjetër që mundet edhe të dështonjë. Po pun’e Hatojamës me shokë, miq e admiratorë të Hitlerit, është dy fijsh kuptimtare : e para, se tregon që një popull i pjekur mundet të vepronjë e të rregullohet sipas interesave të tija edhe në qoftë se nuk u duket mirë miqve të përjashtëm ; dhe e dyta, se gjer e mëngjëra socjaliste përkrah një qeverí të së djathtës kur e kërkon interesa kombëtare. Vallë a s’ka dhe ndër neve të djathta e të mëngjëra për të marrë mësim nga Japonezët ? A s’ka analogjí edhe kjo rasje me davan’e bashkimit a të bashkpunimit që bënj unë për Shqiptarët ? Po Sukarno, fatos i Indonezisë ? Ësht’ e vërtetë se Indonezija, siç e kam thënë vetë me shkrola të qarta, ishte një koloní kolosale e Hollandës e prandaj bashkëpunoi Sukarno me Japoninë. Por ç’garantí kishte ay se, po t’a kishte fituar luftën kjo, vênd’i tij nuk do t’ishte bërë koloní e asaj ? Sigurisht jo më shumë se ç’kishin shpresë disa kollaboracjonista shqiptarë që Shqipërija, e bashkuar me Kosovën, një ditë do t’ishte e zonja t’a fitonte prapë lirin’e saj të plotë. Po Sukarno fitoi e atdheu i tij sot lumturisht ësht i lirë e ai vetë, siç e thashë, u bë fatos, se pati fat. Ndërsa kollaboracjonistat shqiptarë dështuan dhe ashtu mbetën “kollaboracjonista”. Me gjithë këtê prap se prap u ka mbetur një ngushullim : Kosova u bë për tri vjet shqiptare, u quajt pjesë e Shtetit shqiptar, u mbush me shkolla që po vazhdojnë e po përparojnë edhe nën komunizmën titiste. Rëndësín’e një precedenti historik e të këtyre shkollave le t’a çmojë secili me masën e gjykimit të tij. Nuk pretendonj, se do t’ishte një gjë absurde, që këto dý fitime janë themelisht meritë e kollaboracjonistavet, këto i a solli Shqipërisë zhvillim’i një lufte gjiganteske, siç i solli Indonezisë lirín’e saj. Prandaj analogjija ësht e plotë ndërmjet dy kollaboracjonizmavet, veçse në terme të kundërta për sa i përket fatit të protagonistave të tyre. Mjerisht po një fat analog i ra mbë krye edhe rezistencës shqiptare, si në gjithë vêndet balkanike. Ky mjerim i përbashkët, që do të kishte pak rëndësi sikur të mos ishte njëkohësisht edhe mjerim i atdheut e i kombit mbarë, i këshillon, i urdhëron të dy palët që t’i japin dorën shoshoqit, siç e kam thënë edhe më parë, jo me kleçka e zhigla në zêmër, por burrërisht.
Ja se ç’pret populli shqiptar nga fautorët e pamvarsisë e tërësisë kombtare të gjithë botës së lirë ! Bota ndodhet sot përpara ndodhive që munt të kenë pasoja fatprera, jo vetëm për ne Shqiptarët, por për të gjithë popujt që gjênden nën kontrollin sovjetik. Ndër të gjithë këta popuj, i yni është më i vogli, më i pafuqishmi dhe më pakrahësi. Dhe s’ka tjetër gojë të lirë që mund të flasë për tê veçse atê të bijvet që ka në botën e Perëndimit. Por prej kësaj goje duhet të dalë një zë i vetëm, në qoftë se duam që të jetë i fortë e të dëgjonet. Shumë zëra nuk do bëjnë tjetër veçse një kakofoní të mërzitëshme për veshët delikatë të një bote që para çdo gjëje përpiqet të sigurojë vetëvetëhen e interesat esencjale të saja. Prandaj, jo vetëm që zëri shqiptar duhet të jetë një i vetëm e i forcuar nga iso sa Shqiptare që ndodhen jashtë, po lypset të merren dhe disa nisjativa oportune për të bashkuar e orqestruar gjithë zërat e popujve të robëruar si na. Kurrë s’ka qënë më i madh rreziku për këta popuj ka dhjetë vjet e tëhu.
Prandaj, një zë Shqiptari që s’kërkon asgjë për vetëhe thërret :
1) Ti, K. K. SH. L., zgjohu, ligjoje me vepra ekzistencën t’ënde. Vepra më e para për të cilën duhet të përpiqesh menjëherë, është Bashkimi, themel’i çdo hape tjetër që të pret. Them të përpiqesh, të përpiqesh me tërë sinqeritetin, me patriotizmën dhe vetmohimin që lypin rasjet. Në mënyrë që një ditë a një tjetër, në qoftë se do të ketë një Shqipëri të lirë, të bindet populli shqiptar se kush ka dëgjuar zërin e tij dhe kush atë të t’egoizmës personale a partizane.
2) Ju, aventinistat e Komitetit, keni lënë një zbrazësirë në kopenë Shqiptare. Nuk është fjala nëse do të presë ujku juve apo do të çkatërronet kopeja. Është fjala që përçarja çnderon Kombin e dobson shanset e shpëtimit t’Atdheut. Në më të mirën hipotezë, qëndrim’i juaj do të thotë : “Perisse la patrie vivent les principes !” , pa diskutuar nëse principet janë apo jo të ligjuara prej realitetit objektiv. Nuk ju ka hije të qëndroni n’udhën që keni zënë. Kthehuni ndë vathët. Kam besim se jeni në gjëndje t’a kuptoni situatën.
3) Ju Shqiptarë t’Amerikës ! Mos u mundoni t’a zbuloni se nga ju vjen ky zë : nga parajsa apo nga skëterra, nga pafundjet e oqeanevet apo nga stratosfera e qiejvet, është zër’i një Shqiptari të vdekur, i një Shqiptari që di se ç’keni bërë ju dhe etrit t’uaj për Shqipërinë ka nja një gjysmë shekulli e tëhu. Po sot ku jeni ? A ka qênë ndonjë herë Shqipërij’e dashur e juaj dhe e imja në një rrezik më të math se sot ? Ç’bëni atëherë për t’a shpëtuar, ju që kaqë sakrifica keni bërë për të gjer dje ?Ah ! po, e kuptonj se ç’ju ka paralizuar, ca më keq, se ç’i ka shtyjtur një palë jush dhe më tutje akoma ! Por jam i bindur që patriotizma e njëhershime s’është shuar fare ndër zêmrat t’uaja. Tregojeni pra, ndo sot ndo kurrë. Kur të jetë tepër vonë s’mjafton të bërtasim mea culpa tuke qarë mbi fatin e vëndit t’onë të skllavëruar për jetë të jetëvet. Ç’ të bëni ? Ju e keni gjetur kurdoherë vetë udhën e Atdheut. E par’e punës e dini më mirë se cilido tjetër ju që rroni n’atë vënd të bekuar se pa një organizim të shëndoshë individët e vegjël si na s’bëjnë dot asgjësendi për Shoqërinë. Prandaj mblidhuni e organizohuni, tërë sa jeni për një Shqipëri të lirë me një demokraci të vërtetë, si ajo që gëzoni ju aty. Thirrini ndër mënd Shqiptarët refugjatë të harrojnë të shkuarat e hidhura plot vrer e mëri, të bashkohen për të shpëtuar vêndin bashkë me juve. Kërkoni të merrni pjesë dhe ju në K. K. Sh. L. Si elementi më i aftë për të krijuar n’at organizëm një frymë paqe dhe harmonije me delegatët më të përshtatëshmit për këtë barrë. Ja se ç’më merr mêndja që duhet të bëni.
4) Madhëri, Zog I, Mbret’i Shqiptarvet ! Mos të Ju vinjë keq që e lashë për në funt fjalën t’ime modeste për Juve. Ju e dini më mirë nga unë që për t’arrirë në majë të një piramideje duhen nisur çapet nga baza. Jeni i pari qytetar i kombit t’Uaj. I pari që keni nisur kalvarin e gjatë të këtij mërgimi kaqë të hidhur. Ishit mbret i Shqiptarëvet mbi thron, sundojshit një popull që kishit dijtur t’a futshit në një disiplinë e t’a drejtonit n’udhën e mbarë të qytetërisë perëndimore. Sot ç’bëni, Madhërí ?
Në kohën e luftës, që nga 39-da gjer në 45-n, kur kishte të drejtë vetëm topi të fliste, e dijmë se s’kishit ç’bënit. Ju topa s’kishit e në mes të krismës së tyre as fjala nuk Ju dëgjonej, edhe këtë e dijmë. Mirpo e pastaj, që dhjetë vjet e tëhu ? Kemi kënduar ca mesazhe Shqiptarëvet plot me këshilla t’urta për bashkim, që mjerisht nuk u dëgjuan. Kemi kënduar ndonjë intervistë ndonjë agjencije a gazete të huaj, gjithashtu me fjalë ari. Po kaqë, Madhëri, e tjetër na nuk dijmë. Duam të besojmë se keni zhvilluar edhe ndonjë aktivitet propagande ndër qarqe të larta të politikës botërore në favor të Shqipërisë, që na s’e dijmë, siç mund të keni dërguar dhe nota e memoranda kancellarive të ndryshme për të pruajtur të drejtat e Atdheut. Po na, vegjëlija, jemi fare në t’errët të të gjitha këtyreve. Po një gjë sidomos na çudit, Madhëri, mbi të gjitha : thamë se Shqiptarët e mërgimit nuk ju dëgjuan, të pakën jo aqë sa duhet, për një bashkpunim vëllezëror në mes të tyre siç i keni këshilluar sa herë. Po, Madhëri, na duket se në mërgim ka dhe një grup të madh refugjatësh të deklaruar monarqista. E këta ku janë vallë ? A kanë ndonjë farë organizimi, zhvillojnë vallë ndonjë farë veprimtarije të frytëshme për monarqinë apo përgjithësisht për Shqipërinë ? Marrim vesh se kudo që ndodhen refugjatë shqiptarë në botë, numri më i madh qênkan monarqista. Po pse s’u dëgjonet zëri këtyre ? Na thonë bile se këto grupe të ndryshme refugjatësh monarqista s’paskan më asnjë lidhje në mes të tyre, dmth. s’paskan ndonjë organizim të përbashkët e për të qênë. Si bëhet kjo, Madhëri ? Që as monarqistat e deklaruar të mos e dëgjojnë fjalën e mbretit të tyre është një gjë që ka zor njeriu t’a besojë. Prandaj na që s’jemi ndë rrjedhjen e punravet e që shikojmë vetëm syt’e të mbëdhenjvet, e kemi humbur toruan fare, nuk po marrim vesh asgjë as nga rrëmbulla e partivet dhe e gazetave të tyre që shahen e kritikohen e as nga heshtja e të tjerëvet. Jemi të dëshpëruar, Madhëri, e për këtë shkak na u duk se si Shqiptar kishim të drejtë të Ju qahemi edhe Juve. Na falni.
Mustafa Kruja
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorëî