VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Astrit Patozi luan bixhoz në Kazino – Nga Elida Buçpapaj

By | July 21, 2017
blank
5 Comments
  • author avatar
    M Nela 4 years ago Reply

    Quo vadis kështu Shqiperi?
    Duket se kane vendosur te realizojne objektivin e pashpallur te “Rilindjes” mavi – Shqiperia Nje Milion.

    Vetem shikoni sa shqiptare ne vit e braktisin Shqiperine?! Konkluzioni arrihet lehte.

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 4 years ago Reply

      E dhimbshme shume M Nela. Ju pershendes.

  • author avatar
    Anonymous 4 years ago Reply

    Shume mire per shkrimin per Patozin . Tani beni gati artilerin e rende:1) Sot,Trupi gjykues në Gjykatën e Tiranës ka dënuar kompaninë CEZ-DIA të Kastriot Ismailajt që t’i paguajë kompanisë shtetërore të energjisë OSHE, plot 9.5 milionë euro. Kjo është një shifër e vogël, krahasuar me humbjet që ka pasuar shteti shqiptar në gropën e madhe të privatizimit të OSHE-së në vitin 2009. Sa për ilustrim, vetëm për ndërmjetësim, Nuel Kalaj ka tërhequr 7 milionë euro brenda ditës cash, si shpërblim se ka sjellë çekët në Tiranë. 2) Edi Rama akuzohet per korrupsion, ish –zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, në një intervistë për emisionin Fox Business, në kanalin prestigjoz Fox Neës, tha se kryeministër Rama eshte i lidhur me korrupsionin dhe që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. Raporti konfidencial i OSBE, i tetorit të vitit 2014, i botuar ekskluzivisht nga Lapsi.al, fliste për një pasuri prej 200 milionë eurosh që kryeministri shqiptar Edi Rama ka në kompani offshore dhe që menaxhohet nga vëllai i tij Olsi Rama. Por deklaratat e ish –zëdhënësit të Pentagonit mbeten akuzat e para publike . Keto jane temat!

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 4 years ago Reply

      Na e dergo linkun ku eshte botuar dhe e boton edhe Voal menjehere. Ju flm

  • author avatar
    I heshturi 4 years ago Reply

    Vetem ne shqiperi ndodh qe skandale financiare, shkelje ligjore ,dhe korrupsion galopant ,nuk denoncohen ,jane bere pushtetaret me pasuri perrallore dhe nuk ju hyn nje gjemb ne kembe ,tallen me taksapaguesit ,me nje urrejtje prej skllavropronaresh ,ky gjume i tmerrshem i shoqerise civile eshte vrastar. Po vazhduam keshtu ,jemi te marre fund si komb ! Nuk e meritojme kete katrahure ,por fatkeqsisht po e perjetojme ne heshtje !

Komentet

blank

BABAI I PRESIDENTES – KUADËR i FARK-UT TË RUGOVËS – Nga IDRIZ ZEQIRAJ 

 
 
 
      Formimi dhe ngritja e një përsonaliteti nuk është rastësi. Përkundër, janë disa premisa, ndër ato edhe trashëgimia. Vjosë Osmani, është mbesa e Sylejman Vuçiternës, nacionalistit të dëshmuar, bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës, të cilin, diktatori Enver Hoxha e groposi të gjallë, në Kënetën e Maliqit, Korçë. 
 
     Kam pasur rastin të bashkëvuaj, në Burgun e Burrelit, me shokët e brigadës të punës të Sylejmanit, të cilët rrëfenin, se mjeku i burgut ngulmoi ta shpëtonte nga vdekja, rrjedhja e gjakut nga plaga vetëvrasëse. Por, ofeceri epror urdhëroi të varroset i gjallë, në baltën e kënetës, ku të burgosurit, të dënuar më punë të detyruar, hapnin kanale, për tharjen e “Kënetës vdektare” të Maliqit. Dhe, ashtu u bë.
 
     Familja fisnike e Vjosës, babai Raif Osmani, kuadër i FARK-ut të Ibrahim Rugovës, i burgosur politik, në fillimet e përgaditjes për rezistencë, luftë më 1991. Profesori universitar, Arsim Bajrami, rrëfen: “10-shet e para Vjosa i ka nga unë. Ka qenë një studente e shkëlqyer. Është një juriste e mirë dhe e njeh mirë Kushtetutën. Mburrëm se kam bashkëpunuar me Vjosën në shumë procese shtet-ndërtuese”.
 
    Dr. Vjosë Osmani, nsënëse e shkollës amerikane, në njërin nga Universitetet e atjeshëm, u shqua në studime, duke fituar të drejtën e ligjërimit, në të njëjtin Universitet.
 
     Si pjesë e stafit të Presidencës të Kosovës, Vjosa fitoi përvojën e nevojshme administrative dhe politike. Përballja e parë e kualifikuar dhe profesionale, ishte mbrojtja e Pavarësisë të Kosovës, pas kërkesës të Serbisë për zhbërjen e saj. Dhe, Vjosa, me ekipin e saj, triumfoi.
 
     E edukuar nga Familja e saj, me dashurinë e dlirë për Rugovën dhe LDK-në, Vjosa përcillte rrjedhat në partinë e saj të zemrës. Përjetoi rëndë ndarjen e saj në Kuvendin e 6-të Zgjedhor. Ajo vuri re ndërhyrjen e SHIK-ut, pët ta dëmtuar edhe më tej LDK-në. Njeriu i lig, Blerim Kuqi, keqpërdori besimin e kryetar Sejdiut dhe punonte ta fuste LDK-në brenda AAK-së! Një çoroditje e partisë, që po i ndërronte padronët! Në krye të kësaj lufte speciale, ishte Hashim Thaçi. Dhe, porosia-amanet e Rugovës, se “Hashimi të mos lejohet të ngrihet në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”, u harrua dhe rrjedhojat qenë fatale për Kosovën.
 
     Qëllimet e liga të Hashimit, mund të jenë parë e hetuar edhe nga të tjerët, por kanë heshtur si peshqit! Ishte  Vjosë Osmani ajo që u përball, guximshëm, si për Demarkacionin, Asociacionin, zgjedhjen e Hashimit president, koalicionin LDK-PDK, bisedimet konspirative me Vuçiq, për shkëmbim të territoreve dhe, më vonë, LDK-PAN. Por, Hashimi gjeti partner, argat, hiç më pak se kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, me mbështetës klanin e tij.
 
 
          Vjosa mbrojti parimet e LDK-së, 

         por klani e përjashtoi rrugaçërisht

 

     Përballja e vetme, në një luftë të pabarabartë, është e vështirë. Në ndihmë, Vjosës, i erdhi si-motra e saj, Donikë Gërvalla, po kaq luftarake, e dëshmuar përgjatë 10-vjeçarit të viteve `90-a dhe luftës në Kosovë, si veprimtarja më e shquar në botë, për çështjen e Kosovës. Kur mediat botërore e pyesnin Donikën, nëse është hero x – y, i vetëshpallur gjeneral në Kosovë? Ajo gjegjej: “A mund të jenë heronj kriminelët ordinierë, qofshin ata edhe gjeneralë të vetëshpallur?!
 
     Duke parë rënien rapide e rrënuese të LDK-së, Vjosës dhe Donikës, atëbotë, zëdhënëse, iu bashkuan edhe disa të rinj, të cilët kishin bërë emër në LDK-e. U quajtën “Grupi i të rinjve”, “brezi i Republikës”, “Grupi i reformimit dhe i ndryshimit”. Por, mjeshtri i intrigave, Isa Mustafa, i ndihmuar edhe nga Hashimi me SHIK-un e tij, ndërhyri suksesshëm, me joshje të ndryshme, për ta zhbërë nismën e rezistencës të organizuar dhe izoloi Vjosën dhe Donikën!
 
     Për ta shpëtuar LDK-në, nga “rënia e lirë”, lidershipi-klan, afroi grupimin në fjalë, i kandidoi për deputetë, fituan, pasi elektorati i konsideroi si fraksion i lidershipit dhe i votoi, madje, Vjosën e propozuan kandidate për kryeministre.
 
     Hashim dallaverja, i regjur në dinakëri, i trembur nga koalicioni i shpresës, LDK-LVV, ndërhyri me sukses, i ndihmuar nga Isa, shëmbi koalicionin në fjalë; organizoi mocionin për rrëzimin e qeverisë-Kurti; u angazhua, madje, personalisht, për kompozimin e qeverisë-Hoti, rast unik, i veçantë, për një president!
 
     Vjosë Osmani, me shpirtin e saj luftarak, besuese në aftësitë e saj intelektuale, duke u qëndruar besnike premtimeve të dhëna elektoratit të LDK-së dhe shqiptarëve botërorë, se “kurrë koalicion me partitë-banda, të koalicionuara në PAN, do të luftoj, së bashku me Albinin, për çkapjen e shtetit!”
 
     Lidershipi i LDK-së e përjashtoi, burracakërisht, Vjosë Osmanin. Pakënaqësi pati edhe në strukturat e partisë, për aktin qyqar dhe të turpshëm. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të thoshte: “Vjosa i ndeji besnike premtimit të dhënë elektoratit. Ne e lamë vetëm. Por, Vjosa është një gjeneral, të cilën e presin beteja të reja”. Një parashikim i saktë!  Pra, e tradhtuam. Kjo do të thotë se ndryshimin e donin edhe të tjerët në LDK. Dhe, jo vetëm brezi i Republikës.
 
     E bëmë këtë ekspoze të rrugëtimit aksionar, politik e qendresëtar të Vjosë Osmanit, për ta arritur kuplolën e presidentës të Republikës të Kosovës.
 

                                        – Vazhdon –

blank

Hej ti vajzë, ti djalë i ri që do të votosh për herë të parë – Nga Alba Kepi

Hej ti vajze, ti djale i ri qe do te votosh per here te pare, por dhe ju te rinj te tjere qe po ju jepet nje mundesi e re, merrni ne duar flamurin kuq e zi e mbeshteteni ne gjoks.
Me gjuhen e shpirtit e te mendjes, recitoni kete poezi.
Quhet HIMN e nuk ka asgje me te forte qe motivon te drejten qe keni sot.
E di, pushtetaret e politikes, e krimit, mafias, korrupsionit, mashtrimit, bullizmit, kercenimit, shkaterrimit, emigrimit, fukarrallekut, antikombit, droges, ia kane banalizuar kuptimin e vleren.
Por ju lexojini keto vargje te Asdrenit, e degjoni melodine e fjaleve dhe te notave.
Keni ne duar pergjegjesine e 18 vjecareve te tjere qe do vijne pas jush.
Ju do ia trashegoni vleren e rifituar te ketij himni duke i thene Jo pushtetareve qe shkaterruan e kane ne duar sot Shqiperine!
Nuk ka asgje me moderne, energjike, te vertete, te drejte e te fresket se sa Himni!
“Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O Flamur, flamur, shenj’ e shenjtë
tek ti betohemi këtu
për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë,
për nder’ edhe lavdimn e tu.
..
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir’ e një qëllim,
Të gjith’ atij duke u betuar
Të lidhim besën për shpëtim..” 🇦🇱
Aleksader Stavre Drenova.
blank

“PROFECIA E ZISO VANGJELIT” – Nga Visar ZHITI –

Në videon përmes youtube kushtuar Ziso Vangjelit, do të dëgjoni deduksione të kësaj figure legjendare që ne shqiptarët i vërtetuam dhe po i vërtetojmë shumë kohë pasi Ziso Vangjeli i shqiptoi në bisedat e tij në burgjet e diktaturës me bashkëvuajtësin poetin Visar Zhiti. Ziso Angjeli i moshuar ndërsa Visar Zhiti i ri, i cili në mënyrë brilante e ka regjistruar Ziso Vangjelin në memorien e zemrës dhe pastaj thëniet profetike të Ziso Vangjelit i ka botuar në librin e tij “Rrugët e Ferrit”. Kur u botua libri biblik “Rrugët e Ferrit”, profecia e Ziso Vangjelit ende nuk ishte vërtetuar, kjo profeci do të vërtetohej gjatë këtyre tri dekadave, ndërsa  Ziso Vagjeli nga Parajsa nuk do t’ja harrojë kurrë Visar Zhitit, që e përjetësoi në libër që të mbetet i paharruar. Por mjerisht në videon e mëposhtëme ndërsa fillim e mbarim lexohet teksti i shkruar nga Visar Zhiti i shkëputur prej librit të tij “Rrugët e Ferrit”, askund nuk i përmendet emri si autor, kur në fakt profecia e Ziso Vangjelit është e shqiptuar sy më sy, dmth Ziso Vangjeli ia ka thënë Visar Zhitit, sikur djalit të tij. Edhe këtë pjesën e vjedhjes brutale të pasurive intelektuale profecia e Ziso Vangjelit e parasheh. Askush nuk i mbron  këto pasuri, s’ka asnjë institucion që ta përmbushë këtë obligim ndaj kombit e kulturës. Ka vetëm institucione buratinësh që pseudoelita i ka shpikur për të (sh)nderuar me çmime dhe ndere të pamerituara vetveten.

Më poshtë po sjellim për voal.ch reagimin e shkrimtarit të shquar Visar Zhiti./Elida Buçpapaj

————————

Në nderim të bashkëvuajtësit, të urtit

dhe të harruarit të brengosur, Ziso Vangjeli,

por dhe të një ideali të përbashkët, në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”, krahas portretit kam venë dhe fjalë të tij. “Profecia e Ziso Vangjelit” po quhet, që gjithsesi ka të vërtetën dhe përgjegjësinë time, jo vetëm kujtesën time, pra, unë jam deshmitari i vetëm i saj dhe përkujdesësi i estetikës së atij mendimi të vyer.

Që nuk mund të citohet pa përmendur burimin siç shoh në këtë video anonime, ku lexohen të plota dy faqe për Ziso Vangjelin nga libri im, për besueshmërinë e të cilave përgjigjem unë si mbartës i asaj porosie.

Po kështu sentenca e mëposhtme:

“… nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kunder njeriut.” – është pjesë në vazhdim e librit, janë fjalë të autorit, pra të miat. Duke qenë origjinale, një zbulim në përvojën time, nuk mund të përsëriten pa thënë autorin, aq më keq si të tjetërkujt siç bëhet në këtë video. Janë bërë dhe në vepra më të mëdha deri dhe në romane.

I them këto për hir të së vërtetës dhe të pronësisë së autorit, korrektesës ndaj hulumtimit, dokumentit dhe respektit ndaj krijimit dhe vetes. Citimi dhe marrja e lejes është detyrim, mbrojtje me ligj e një të drejte. E di që është kohë vjedhjesh

shumë më të rënda, por… nuk po zgjatem.

Nderkaq gjej rastin dhe përgëzoj mikun tim dhe bashkëvuajtësin tim, personazh dhe ky në burgologjinë time, Esat Myftari, i arratisur dikur nga Kosova dhe që punuam bashkë në diplomaci, i cili në librin e tij memuaristik “Vdekja jote, jeta ime”, dalë së voni, kujton me adhurim Ziso Vangjelin tonë.

Po e vazhdojnë dhe bashkëvuajtës të tjerë…

Diktaturat kanë shumë frikë nga kujtesa. Dhe nga e vërteta. Dhe nga arti…

 

 

blank blank blank

blank

Autosugjestioni i dy popujve miq – Nga SHABAN MURATI

 

Nuk e di nëse ka ende ndonjë njeri në Shqipëri që habitet pse në gjitha festimet dhe fjalimet pompoze, që mbajtën krerët e Greqisë me rastin e 200 vjetorit të pavarësisë, nuk përmendën asnjëherë dhe nuk e falenderuan asnjëherë Shqipërinë për faktin që shumë prej udhëheqësve të kryengritjes greke për pavarësi ishin shqiptarë.

E vetmja gjë që të habit është se përse krerët e Greqisë në ceremonitë e shumta zyrtare për 200 vjetorin e pavarësisë nuk falenderuan publikisht dhe nuk e përmendën as Ali Pashë Tepelenën, i cili dha kontribut vendimtar në luftën për Greqinë, dhe të cilit qeveritë greke i kanë ngritur edhe muzeum shtetëror, që e financon çdo vit buxheti qeveritar grek, pikërisht për shërbimet e mëdha ndaj Greqisë.

blank

Misogjinia e Erdoganit tejkalon dekadencën e tij morale Nga Alon Ben-Meir

Vendimi i Erdoganit për ta tërhequr Turqinë nga Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave nga viti 2011, është deri më tani kthesa më e neveritshme që ai ka ndërmarrë ndaj grave

T’i shëndrosh gabimet në një gjë drejtë

Është e vështirë të gjesh diçka më përbuzëse sesa vendimi i papritur i Erdoganit për të tërhequr Turqinë nga Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Traktati, i cili njihet si Konventa e Stambollit, u finalizua në Stamboll në vitin 2011, dhe synon të mbrojë viktimat dhe t’i japë fund mosndëshkimit të autorëve të veprimeve të ndyra kundër grave. Erdogani ishte nikoqiri i nënshkrimit të marrëveshjes, gjë që e bën akoma më absurde faktin se pikërisht ai do të tërhiqej prej tij – një veprim i përbuzur që tejkalohet vetëm nga josolvenca e tij morale. BE-ja dhe SHBA-ja nuk guxojnë të lejojnë që të qëndrojë një tradhti e tillë, e cila do të ketë pasoja shkatërrimtare dhe tragjike për pothuajse gjysmën e popullsisë së Turqisë. Ato duhet ta paralajmërojnë drejtpërdrejt Erdoganin se anulimi i ratifikimit të Konventës së Stambollit nga Turqia është thjesht e papranueshme dhe që do të sjellë pasoja të rënda.

Për dikë që pretendon të jetë një reformator, Erdogani me vullnet të tij i është nënshtruar tekave të një pakice burrash fanatikë islamistë që i shikojnë gratë si qenie inferiorë, vendi i të cilave është në shtëpi, duke shërbyer për kënaqësinë e burrave që ende jetojnë në epokën e errët.

Në vend që t’i kundërvihet dhunës në familje së përhapur në vendin e tij, ku 38 për qind e grave, që kanë qenë ndonjëherë të martuara, kanë qenë të nënshtruara ndaj dhunës nga partneri i tyre intim dhe ku 300 gra u vranë vitin e kaluar, Erdogani paturpësisht zgjedh të braktisë Konventën.

Drejtori i Amnesty International Turkey, Ece Unver vërejti me shqetësim të thellë se “Tërheqja nga Konventa e Stambollit është një katastrofë për miliona gra dhe fëmijë që jetojnë në këtë vend.” Tërheqja e Erdoganit nga Konventa është një vazhdim i egërsisë së tij brutale dhe spastrimeve kundër popullit të tij. Sidomos nga grusht shteti i dështuar ushtarak në vitin 2016 (të cilin ai mund ta ketë orkestruar), ai sistematikisht i ka shkelur të drejtat themelore njerëzore të popullit të tij dhe e ka margjinalizuar pa mëshirë çdo kundërshtim ndaj skemave të tij për të përhapur doktrinën e tij islamike.

Aq më tepër, revokimi i traktatit nga Erdogani u dërgon një mesazh të qartë tiranëve të tjerë që ata mund t’u bëjnë grave me imunitet çka dëshirojnë. Në Turqi, më shumë se 5,000 gra po lëngojnë në burg me fëmijët e tyre (780 prej të cilëve janë foshnje të thjeshta) dhe janë subjekt i abuzimit dhe përdhunimit të shpeshtë nga rojet e burgut, ndonjëherë për të zhvatur një rrëfim për një të afërm (kushëri) mashkull. Gratë lezbike dhe transgjinore përballen me diskriminim të gjithanshëm.

 

Në Turqi, ku Erdogani i drejtohet popullit në emër të hyjnisë, gratë dhe vajzat përballen me dhunë të bazuar në gjini çdo ditë, sikur veprime të tilla të pakuptueshme do të sanksionohen nga Zoti. Ironia është se Erdogani e konsideron veten si një mysliman të devotshëm, përderisa atij fare nuk i bëhet vone për dhimbjen që u shkakton të tjerëve. Ai është e kundërta e asaj që tha Gandi: “Unë e quaj fetar atë që i kupton vuajtjet e të tjerëve.” Organizata Ne do të Ndalojmë Platformën e femicidit (KCDP) raporton se nga viti 2011 dhuna ndaj grave është rritur katërfish ekskluzivisht për shkak të gjinisë së tyre.

Tragjikisht, ndërsa veprimet e egra të Erdoganit ndaj grave janë të pafalshme, burrat në shumë pjesë të botës duket se kënaqen me abuzimin e grave për ta kënaqur shovinizmin e tyre, pasi viktimizimi i grave duket se është mënyra e vetme në të cilën ata mund të pohojnë burrërinë e tyre. Në gati 50 vende të botës, përdhunimi martesor nuk është inkriminuar dhe gratë përballen me ndjekje penale sepse kanë qenë viktima të përdhunimit. Aborti është ende i paligjshëm në shumicën e vendeve, gjymtimi i organeve gjenitale të grave mbetet i zakonshëm dhe vrasja e nderit është ende praktikë në shumë vende.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, shumica e njerëzve që jetojnë në varfëri janë globalisht gra, dhe ka më pak të ngjarë të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe arsim. Amanda Klasing, ushtruese e detyrës së bashkë-drejtueses për të drejtat të grave në Human Rights Watch, vuri re se “Raportet për rritjen e dhunës me bazë gjinore maskojnë një rrezik më të madh që gratë në hije ose kufijtë e shoqërisë do të pësojnë dhunë pa mjet juridik ose do të heqin dorë nëse qeveritë nuk veprojnë shpejt ”.

Nuk mjafton që qeveritë në të gjithë botën thjesht të miratojnë ligje që forcojnë kornizat ligjore për të mbrojtur dhe fuqizuar gratë dhe vajzat. Faktet tregojnë se ligjet nuk zbatohen; gratë në Turqi dhe kudo tjetër ende po vriten, martohen si fëmijë dhe trafikohen për punë të detyruar dhe skllavëri seksuale.

Administrata e Bajdenit (Biden), fatmirësisht ka punuar shpejt në adresimin e neglizhencës kriminale të administratës së Trampit (Trump) ndaj të drejtave seksuale dhe riprodhuese të grave, me këtë rast Sekretari i Shtetit Antoni Bllinken (Antony Blinken) ka deklaruar se qasja në kontracepsion dhe kujdes ndaj shëndetit riprodhues për gratë janë të drejta universale, globale të njeriut që duhet të monitorohen dhe përkrahen nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë drejtim, Presidenti Bajden dhe udhëheqësit e BE-së duhet t’i bëjnë thirrje Erdoganit që të anulojë këtë vendim të tmerrshëm ose përndryshe do të vuajë sanksione të rënda ekonomike, do t’i mohohet audienca te ndonjë udhëheqës perëndimor, do t’i ndalohet pjesëmarrja në çdo stërvitje të ardhshme të NATO-s dhe do të përjashtohet nga ndarja e inteligjencës. Kjo, në kombinim me anulimin e “rregullit global të gagut” nga Bajdeni në janar, duhet t’u dërgojë një mesazh pozitiv grave në Turqi dhe anembanë botës se të drejtat e tyre njihen dhe respektohen.

Unë i përshëndes gratë turke që u derdhën në rrugët e Stambollit javën e kaluar për guximin e tyre për të protestuar kundër kthesës së neveritshme të Erdoganit kundër grave në vendin e tij. Çdo burrë dhe grua me ndërgjegje duhet të ngrejë zërin për të dënuar këtë diktator të pamëshirshëm që kërkon ta pohojë burrërinë e tij të pasigurt duke i mohuar të drejtat e grave.

 

blank

blank

Në përvjetorin e 36 të shuarjes – HOMAZH PËR BACË DERVISH SHAQA – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Bacë Dervishin e njoha në nëntorin e vitit 1969, në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Bëhej përgaditja për mbremjen festive të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Artistët ishin të vendosur në konviktët tona studentore. Në mes tyre edhe rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri.
     Një vit më vonë u cikërruam, me fjalë, me bacën Dervish, për reportuarin laraman të këngëve të tij, të dhëna nga Radio-Tirana dhe, më shumë, nga Radio-Kukësi. Më vonë mësova se ishte politikë redaktuese e partisë. Në vitet `70-a po bëhej pajtimi dhe afrimi i Tiranës me Beogradin.
     “Me vëllezërit jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëtat beteja”,- tha Enver Hoxha, në vizitën e bërë në Tropojë. Prandaj, këngët historike, u zëvendësuan me këngë lirike dhe erotike të bacës Dervish dhe Demush. Beogradi kushtëzoi edhe burgosjen e djemëve të përndjekur nga UDB-a jugosllave, të ikur në Shqipëri. Dhe, PPSH-ja porosinë e zbatoi vullnetshëm.
     Në vitin 1970, një bisedë në Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm drejtori i Kundërzbulimit të Shqipërisë, Drejtori i Emigracionit dhe shefi i Kriminalistikës. Prania e këtij të fundit, më ngjalli dyshime.
     Në mes tjerash, u thashë se në Shqipëri jetojnë 300 mijë kosovarë. Janë disa Shoqata Foklorike. Dhe, rapsodët Devish Shaqa e Demush Neziri, po i shtojnë radhët e këngëtarëve dhe të valltarëve rinorë. Do të ishte mirë që Dervish Shaqa të vazhdojë studimet e specializuara muzikore, në Institutin e Arteve, sepse, do t`i perfeksionojë dhe lartësojë këngët dhe muzikën, në kushte dhe rrethana tjera në Shqipëri.
     Pasi e panë njëri-tjetrin, foli drejtori i Emigracionit: “Është i moshuar për studime!”
-Muzika nuk ka moshë- u gjegja unë.
Tre vjet më vonë humba lirinë, u arrestova. Në gjyq u lexua një akuzë shkrimore e Ministrisë të Brendshme:
-“I pandehuri Idriz Zeqiraj ka kërkuar të pranohet student, në pleqëri, rapsodi Dervish Shaqa. Kjo tregon se ai është i pakënaqur me trajtimin e kosovarëve në Shqipëri. I pakënaqur edhe me politikën e shokut Enver”.
 Gjykata e pranoi si dëshmi dhe masë rënduese!
     Burgu i gjatë na ndau. Baca Dervish ishte shuar kësaj jete, kur unë vuajta burgun. Edhe pse në kushte të rënda, specifike, i përgjuar nga Sigurimi kriminal monist, doja të bëja diçka për Dervish Shaqen. Sepse ai bëri shumë për Kosovën, Shqipërinë, Shqiptarinë, kur frymëzoi brezat shqiptarë, duke e vënë lavdinë historike në telat e sharkisë. Doja ta shquaja, nga të tjerët, edhe në varreza, ta përjetësoja në bronz. Por, kjo ishte e kushtueshme, madje, skajmërisht e rrezikshme, që mund të më kushtonte me jetë.
     Një tufë fotografish, i sigurova nga Familja e bacës Dervish. Skulptori më i zëshëm në Shqiptari, akademik Muntaz Dhrami, pranoi skalitjen e portretit të rapsodit Shaqa. Kishte vetëm një shkritore të “Realizimit të Veprave të Artit”, edhe ajo shtetërore.
     Kërkesa ime u refuzua prerazi: “Dervishi është artist i merituar, por, jo “Artist i Popullit” dhe nuk pranohet derdhja në bronz e skulpturës së tij”.
     Unë nuk doja të largohesha nga Shqipëria, pa e realizuar portretin-skulpturë të bacës Dervish. Dhe, gjeta një nuse-inxhiniere, origjinë kosovare, lindake tiranase, fort e guximsshme, e cila do të ndërlidhej me dy miq të saj, në fshehtësinë më të madhe, punonjës profesional të uzinës-shkritore dhe brenda një nate, realizuan veprën në fjalë, kundrejt një çmimi, shumëfish më të lartë, se sa një shërbim legal, ligjor i këtij lloji.
     Derdhja ilegale në bronz të skulpturës të bacës Dervish, ishte shumë e rrezikshme. Në rast zbulimi, ligji akuzonte për shpërdorim dhe sabotim të pasurisë socialiste. Dhe, prashikonte dënim nga 20 vjet burg, deri në pushkatim, për të gjithë të implikuarit, porositësit dhe zbatuesit, në këtë vepër penale, të cilësuar si armiqësore.
     (Për montimin e skulpturës, ke varri i Dervish Shaqës; kërkesën e mikut të tij, bacë Demush Nezirit, që të varrosën pranë njëri-tjetrit, në varrezat e fshatit Shenavlash dhe jo në Rashbullë, ku jetonte baca Dervish, do të flasim një herë tjeter.
     Rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, kanë qenë dy burra të ndershëm e krenarë të Kosovës, me drejtëpeshimin e duhur. Dinjitozë dhe të ndergjegjshëm se çfarë përfaqësonin ata në Shqipëri. Të përgjegjshëm për peshën e tyre, ishin të kujdesshëm, madje, në çdo hap të hedhur, në kushtet e diktaturës më të egër në Evropë.
     Reportazhi-dokumentar, me skenar e tekst të shkrimtarit, emigrant në Shqipëri, Adem Istrefaj, i cili u shua dy muaj më parë, në Tiranë, është realizuar suksesshëm. Përkundër disa emisioneve, të cilat kanë zënë shumë hapësirë në media vizive, pamore, me pretendime të mëdha, për ta shpalosur jetën e dy rapsodëve të zëshëm, kanë dështuar. Bilëz, edhe shtrembëruar, me porosi, të vërtetën pëmbajtësore. Realisht, vazhdojnë ta cënojnë peronalitetin e rapsodëve brilantë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, pas amëshimit të tyre!)
blank

Varri i hapur i Ballkanit është kolonializmi gjenocidal i Serbisë, JO ideja e Janshës! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Prandaj, duhet ta rikujtojmë mikun tonë, kryeministrin slloven Janez Jansha, se me atë “Non-paper” të tij nuk penalizohet kolonializmi gjenocidal i Serbisë në Ballkan. Së pari, si mbiprioritet i BE-së dhe i bashkësisë ndërkombëtare, duhet të jetë DEKOLONIZIMI I SERBISË në kuadrin e ndonjë Konference Ndërkombëtare për ridefinimin e kufijve të Ballkanit.

Me një fjalë, nuk mund të ketë kurrfarë procesi të bashkimit në Ballkan, pa dekolonizimin e Serbisë ! –Mbase kolonializmi gjenocidal shekullor i Serbisë (1878-2021), është rreziku permanent i paqes, i stabilitetit dhe i sigurisë së Ballkanit, Jo ideja sugjeruese dhe parashikuese “Non-paper” e kryeministrit slloven, Janez Jansha. Këtë duhet kuptuar vetëm si një lloj testi politik për BE-në, përkatësisht për bashkësinë ndërkombëtare.

Ideja sugjeruese e Janshës nuk vret askë, por apelon për zgjidhjen e problemeve gjeopolitike në Ballkan

Kryeministri slloven Janez Jansha në “Non-paper” nuk ka parashikuar krijimin e “Shqipërisë së Madhe” (sepse kjo as historikisht, as ideologjikisht e as kombëtarisht) nuk ka ekzistuar në asnjë projekt apo axhendë të gjeopolitikës shqiptare, e as të formimit Serbisë së Madhe, sepse kjo ekziston dhe jeton, edhe sot, që nga viti 1878. Pra, është gabim i madh, kur thuhet dhe shkruhet, se gjoja serbët po duan të formojnë Serbinë e Madhe! –Ky është diletantizëm sui generis historik dhe politik, ngaqë SERBIA E MADHE EKZISTON, që nga Kongresi i Berlinit (1878), ku në territorin e saj, edhe sot kanë ngelur tri koloni shqiptare, siç janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Mirëpo, këto e kanë tejet vështirë të shkolonizohen dhe t’i bashkohen Kosovës derisa bashkësia ndërkombëtare ligjërisht sipas Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare nuk e zhvesh Serbinë e Madhe nga çdo formë e sistemit kolonialist të saj. Në këtë vështrim, duhet të përmednim, edhe tri(3) luftërat e fundit gjenocidale të Serbisë (1990-1999) në Kroaci, në BeH dhe në Kosovë, të cilat gjoja “janë bërë për krijimin e Serbisë së Madhe”, siç shkruajnë dhe pohojnë gabimisht shumë njerëz të politikës e masmediave të ndryshme.), POR janë bërë për shkak të ZGJERIMIT TË KUFIJVE TË SERBISË SË MADHE. Kjo është e vërteta, sepse Serbia e Madhe ekziston dhe është e gjallë dhe, shumë e rrezikshme për territoret dhe popujt e saj fqinjë, sidomos për shqiptarët dhe për Shqipërinë etnike (1878-2021).

Në këtë kontekst, askush nuk mund të parashikojë e as të vendosë, që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, para se kjo të bashkohet me Preshevën, me Bujanocin dhe me Medvegjën. Madje, Kosova nuk mund të aderojë as në BE, para se të bashkohet me Preshevën, me Bujanocin dhe me Medvegjën. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, sepse pa bashkimin me Kosovën dhe me pjesët e tjera të Shqipërisë etnike, do të jetë i largët integrimi i saj në BE. Fundja, ekziston frika dhe skepticizmi se, dy shtete shqiptare do të mund të integrohen në BE? Për më tepër, kur dihet se, Kosova ende nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare, duke qenë se nuk njihet nga Organizata e Kombeve të Bashuara (2008-2021).

Janez Janasha, do të duhej të kërkonte një Konferencë Ndërkombëtare për Ballkanin
Do të ishte tejet racionale dhe e pranueshme që Dokumenti fakultativ “Non-paper” i kryeministrit slloven Janez Jansha, të përmbante vetëm një KËRKESË, jo vetëm për BE-në, por edhe për OKB-në, për Amerikën, e kjo është-ORGANIZIMI URGJENT I NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE për NDËSHKIMIN E KOLONIALIZMIT SHEKULLOR SERB në Ballkan (1878-2021).
Pa rindërkombëtarizimin e kësaj “teme”, ideja sugjeruese e kryeministrit Janez Jansha, që parashikon “bashkimin e “Republika srpska” me Serbinë; bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe bashkimin e “Herceg Bosnjës” me Kroacinë, është e paarritshme, sepse , së PARI, në “rend dite” të NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE, do të duhej të vihej vetëm KOLONIALIZMI GJENOCIDAL i Serbisë në Ballkan (1878—2021).
-Sepse, derisa nuk penalizohet kolonializmi serb, Ballkani do të jetojë në ethe lufte (mos sot, nesër mund të shpërthejë ndonjë luftë, e shkaktuar nga Serbia, pavarësisht nga militarizimi i Ballkanit ).
Këtë duhet ta mbajnë parasysh të të gjithë liderët politikë dhe, të gjitha shtetet e Ballkanit, sepse derisa nuk flitet, nuk debatohet në asnjë nivel politik dhe diplomatik qoftë në kuadrin e BE-së, qoftë në OKB, qoftë në OSBE, qoftë nga popujt e kolonizuar të Ballkanit, në veçanti shqiptarët, të cilët qe 30 vjet (1990-2021), ndër të parët, do të duhej të kërkonin nga Evropa Perëndimore, nga Amerika dhe nga OKB-ja, që të organizonin NJË KONFERENCË NDËRKOMBËTARE PËR NDËSHKIMIN E KOLONIALIZMIT GJENOCIDAL TË SERBISË SË MADHE.
Ky është problemi që e kërcënon dhe e rrezikon Ballkanin dhe Evropën, si dhe sigurinë e stabilitetin në dimensione ndërkombëtare të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, JO kursesi “Non-paper” e kryeministrit slloven Janez Jansha, që ipso facto është vetëm një ide-sugjerim për qetësimin e Ballkanit. Asgjë më shumë.
Prandaj, nuk ekziston ndonjë arsye reale, që dikush të “preket aq shumë” nga një ide e tillë sugjeruese e paqësore e Janez Janshës, se ka ardhur koha që të debatohen dhe të ridefinohen kufijtë artificialë ndërmjet Serbisë, Kroacisë, BeH dhe Kosovës.
Këtë ide-sugjerim të “non-paper” të kryeministrit slloven Janez Jansha, sidomos politika dhe diplomacia shqiptare, duhet kuptuar seriozisht, sepse pa mbajtjen e NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR PENALIZIMIN E KOLONIALIZMIT TË SERBISË SË MADHE, nuk do të kenë gjasë të bashkohen as “dreqi me dreqin” se lëre më popujt e copëtuar dhe të kolonizuar në Ballkan nga ana e Serbisë, e Malit të Zi, e Greqisë dhe e Maqedonisë Veriore.
Pa dekolonizimin e Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është vetëm një fantazmë e trishtë !
Në këtë pikëvështrim, në asnjë kuptim, nuk ndihmon “Non-paper” e kryeministrit slloven Janez Jansha (gjoja se duhet bashkuar Kosova me Shqipërinë; “Republika srpska” me Serbinë etj.), ngase në asnjë rresht nuk flet për KOLONIALIZMIN SHEKULLOR TË SERBISË.
Mirëpo, këtë ide-sugjerim të kryeministrit slloven Janez Jansha e kanë pritur në “thikë” në veçanti ultranacionalistët serbomëdhenj kinse “nuk po u pëlqeka” ideja e bashkimit të “Republika srpska” me Serbinë, e cila është shkëputur dhe e krijuar me gjenocid,1992-1995. Ndërkaq, “harrojnë” kolonialistët dhe imperialistët fashistë serbë se vet e kanë krijuar “Republika srpska” me gjakun e qindra e mijëra viktimave myslimane boshnjake (ndër të tjera, këtë e dëshmon edhe Gjenocidi serb në Serbrenicë, ku forcat militare e paramilitare çetniko-serbe të Ratko Mladiqit, të Radovan Karaxhiqit, të Bilana Plavshiqit, të Vojislav Sheshelit, të Arkanit.. etj. kanë masakruar mbi “8 mijë myslimanë boshnjakë brenda 23 ditësh, 11-22 korrik 1995” ).
Së fundi, idenë propozuese paqësore të kryeministrit Janez Jansha e kanë problematizuar deri në atë shkallë me rrezikshmëri të lartë për sigurinë dhe për paqen e Ballkanit; si një lloj fantazme trishtuese, të gjithë ata që nuk duan ta shikojnë në sy, e as të merren me problemin e pazgjidhur kolonial dhe neokolonial imperialist të Serbisë së Madhe, e cila si “Piemont” i elemntit sllav, është ngulitur dhe formuar në Ballkan për bashkimin e të gjithë sllavëve të Jugut.

blank

GREVA E URISË NË BURGUN E QAFË BARIT ËSHTË PËR SHQIPËRINË – Kërkesa nr. 9, vulnerabile, si plaga e nëntë e Gjergj Elez Alisë – Nga Visar Zhiti

Që një grup (ish) të përndjekurish politikë janë futur në një grevë të re urie dhe ku? – në burgun e tyre të dikurshëm, në Qafë Barin famëkeq, të rrënuar si kujtesa e Shqipërisë, është një lajm tronditës, është një kambanë e rëndë për Shqipërinë.

Grevës së urisë nuk po i japet mbështetja e duhur dhe as jehona e duhut, se qeveria, partitë, deputetët, kandidatët për deputetë, militantët, qytetarët, opinionet, media e gjithë janë të përfshira në fushatën zgjedhore politike të tanishme, të 25 prillit, kështu po thuhet, ndërsa përtej oqeanit, në SHBA diaspora po sensibilizohet dhe bën apelin që grevës së urisë t’i jepet përgjigje.

Në fakt është kjo që i ka munguar në këto 30 vjet demokracisë postdiktatoriale të Shqipërisë, tranzicionit të pa mbarim, zhgënjyes dhe të trishtë, që edhe pse vendi është hapur, ka pluralizëm partiak, ekonominë e tregut të lirë, pavarësisht se cilët pasurohet dhe si, njeh të drejtat e njeriut, kur ka shumë rëndësi si zbatohen ato dhe sa arrijnë dhe te qytetari më i thjeshtë, kur Shqipëria ka hyrë në NATO, në koalicionin më të fuqishëm euroatlantik, por sa jemi ne në gjendje dhe të vendosur të mbrojmë veten, truallin dhe detin tonë dhe aspirojmë të futemi në familjen e saj të natyrshme evropiane, ishim të parët që e kërkuam me qeverinë e parë deokratike dhe kemi mbetur të fundit në raport me të gjitha shtetet afër dhe larg, që bënin pjesë në perandorinë komuniste, megjithëse vendi ynë kishte diktaturën më të egër dhe më mizore, që ende vazhdon, mashtrueshëm, me forma të përditësuara, etj, etj.

Futja në Europë kërkon dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj së kaluarë së saj, diktaturës dhe diktatorit Enver Hoxha me bashkëpunëtorët, se sa janë dënuar ata dhe sa janë integruar në shoqërinë e tanishme të dënuarit e tyre, qëndrimi ndaj isht të burgosurit politikë, të gjallë dhe të vdekur

Në fund të fundit në këtë realitet të përzierë janë dhe shkaqet e grevës së re në burgun e Qafë-Barit.

Ndjej dhimbje dhe shqetësim të madh. Duket sikur na kthen po në atë gjendje. Gjej një nga poezitë e mia të shkruar fshehurazi në Qafë Bari, botuar në posdiktaturë, por e ruaj ende fletën e origjinalit. Ruaj atë vuajtje, ato plagë.

Ja, poezia:

GREVË URIE

Edhe brenda në burg
ka prapë një burg.
Të fusin brenda
po s’punove për shembull,
e të tjera, e të tjera.

Ti, i shtrirë mbi dyshemenë
e birucës së arkivoltë, sot s’hëngre bukë.
As dje. As pardje. As para tri ditësh.
Që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore.
Dhe s’do të hash as nesër, as pasnesër,
as i vdekur.

– Ngordhsh! – tha polici ditën e parë.
Të dytën u zgërdhi si një çizme e shqyer.
Heshti të tretën.
Njollat e murit i dridheshin mbi fytyrë.
Ditën e katërt: ha! – të tha.
– Ç’ke? – të pyeti ditën e pestë.
Pastaj erdhi dita e gjashtë. Në fakt
asgjë s’erdhi. Dita e shtatë u fsheh
pas të nëntës. Viti i parë i Krishtit
u hodh para festave të Nëntorit.
Ditëvdekja e diktatorit vononte.
Ngulte këmbë si mushka.
Por erdhën ata të komandës
në birucën tënde.
Kokëposhtë ishin të gjithë. Se
pasqyroheshin në pjatën me supë
të ftohtë. Si sy ciklopi – pjata.
Bukën e hanë minjtë që lëvrinin lirshëm –
nota muzike mbi vijat e … doktrinës.
Muret vallëzojnë. Herë afrohen,
herë largohen.
Një britmë vrapon zbathur
nëpër korridor.
Brumbujt u trembën. Shih si dalin
nga të çarat e kujtesës pa kafkë.
Njolla drite
se nga ranë,
si të vjellat e ditës së sëmurë.
Dhe u mblodhën rreth teje
oficerët, mjeku. Byroja politike. Marksi.
Revolucioni kulturor Kinez. Ti hesht.
Nuk lëviz nga vendi.Ende
di të kuptosh absurdin e atyre
që ta japin bukën tënde
dhe të marrin jetën.

E shtunë, 4.II.’84

 

Dhe prapë grevë urie, sikur vazhdon në shekull tjetër, në mijëvjeçarin e ri, në Shqipërinë tjetër, demokratike. Tani, në prag të zgjedhjeve të reja…

S’i kanë dhënë jehonë, mund t’u duket përsëritje, pengesë, e pa kohë, etj. Ajo mund të politizohet, të përdoret, mund të jetë e nxitur siç nxitet nga çdo opozitë dhe goditet nga çdo pozitë, po ajo, edhe e pas shprehur, është “Nyja Gordiane” e realitetit posdiktatorial shqiptar, në fund të fundit mbart të drejtën e atyre që u përndoqën dhe u burgosën për një Shqipëri antidiktatoriale, demokratike, ka dufin e lirisë, dëshirat dhe idealet për një Shqipëri më të mirë, që dënon krimet e çdo kohe, vendos drejtësinë në shoqëri dhe në pronën e saj e të gjithsecilit.

Pra, sërish në grevë urie futen në burgun e shpartalluar të Qafë-Barit ish të burgosurit politikë të atij burgu e të tjerë, ata që bënë dhe revoltat në burg kundër dhunës komuniste para më shumë se 3 dekada, në Spaç e Qafë-Bari, të vetmet në të gjitha burgjet politike në perandorinë komuniste, kur tani ata grevistë nuk janë më të rinj, janë 60 vjeçarë, madje njeri midis tyre në këtë grevë grevë, bashkëvuajtës yni, ka ende në shpatull vragën e plumbit, që e goditën gjatë revoltës ata oficerë të burgut, që jo vetëm nuk u ndëshkuan, por një pjesë e atyre u lanë të ikin si azilantë politikë, jo në Rusi, Kinë a Kubë, por në Perëndim dhe që andej guxojnë ende të sulmojnë të ish të burgosurit e tyre, ndërsa të tjerë zunë detyra të reja në Shqipërinë Demo(n)kratike, shpesh të larta, madje ndonjë koleg i tyre, ndër më të këqinjtë, u bë dhe president Republike, edhe ai sulmon i pa ndëshkuar ish të burgosurit politikë e tani seleksionoi kanditadët për deputet të partisë më të madhe të opozitës, ku të burgosurit politikë mbështetën shpresat dhe një pjesë dhe iu përkushtuan, pra në këtë kaos, edhe të dëshiruar, greva është e domosdoshme dhe ulëritëse. Ajo është fushata e vërtetë.

Shpesh kërkesat e (ish) të përndjekurve politikë, të mohura në këto dekada, i reduktojnë në kushtet ekononomike, në dëmshpërblimin e tyre, që më së shumti, moralisht i ka ngjarë një shpërblimi-të-dëmshëm. Edhe tani gjej se kërkesat e tyre në Qafë Bari përmblidhen në 8 çështje:

1. Ndryshimi dhe përmirësimi i ligjit që përjashton, persekuton dhe diskriminon qindra të ish-të burgosur politik (2007-2009 e në vijim).

2. Përfshirja e letrave me vlerë në dëmshpërblimin financiar

3. Kthimi i parave të mbajtura në faturën e dëmshpërblimit nga përfitimi
falas i banesave nga shteti për kategorinë tonë

4. Kompensim fizik e material të pasurive të konfiskuara, pronat dhe tokat bujqësore të grabitura nga diktatura e ligjit 7501

5. Njohja me projektligj dhe vlerësimi i punës së papaguar të të gjithë të dënuarve dhe të përsekutuarve politik

6. Status të veçantë pakete ligjesh për pensionet duke u dëmshpërblyer të gjithë të dënuarit pa avokat mbrojtjeje

7. Financa të ligjëruara për sëmundje profesionale të fituar dhe trashëguara nga puna e rëndë e me pasoja në miniera, këneta etj

8. Vlerësimi i krimeve të komunizmit si krime kundër njerëzimit, në përputhje me praktikat ndërkombëtare të shteteve ish-komuniste.

 

Normale dhe të drejta. Që ato të plotësohen me ndërgjegje e drejtësi, duan përgjegjshmëri shtërore dhe historike, se rrënjë janë më të thella Kërkesa është bërë herët, e përsëritur shpesh, ku krahas konkretes, është idealja, madje dhe universale.

Që të kuptohet më mirë, po ripërsëris atë që ka shpjeguar një ish i burgosur në kampin e Aushvicit, hebreu-hungarez Imre Kertész, shkrimtar nobelist, dhe kjo përbën thelbin e krijimtarisë së tij, por dhe ndërgjegjen shoqërore që duhet të kenë të jithë.

Sipas tij “Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Ai thekson se “holokausti tani ka krijuar një kulturë”… e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende… mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin.

Kur lexojmë holokaust kam të drejtë të nënkuptoj dhe persekutimin tonë..

“Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. (Kupto: persekutimin, shën. imi. “Il secolo infelice”, Imre Kertesz, “Bompiani”, Milano 2007. fq, 54, 258, nënvizmet e mia.)

Ja, pra kërkesa vulnerabile, nr, 9 po e quajmë, por kryesorja e të gjithave, shqetësim dhe kredo e shoqërisë, që duhet të ishte dhe thelbi i fushatës elektorale të tanishme: të përshkuarit nga fryma e vuajtjes së atyre që ëndërruan dhe deshën atdheun të lirë, një shoqëri demokratike, që u ndëshkuan për këtë, të nxjerrjes së përgjegjësive ndaj së kaluarës, me kujtesën historike, dënimin e krimeve, me drejtësinë në themele, ndërgjegjësimin dhe vizionet për një ardhme më të mirë, të shëndetëshme moralisht, etj.

Një Shqipëri demokratike dhe e begatë, është dëmshpërblimi i vërtetë. Të burgosurit politikë i dhanë Shqipërisë lirinë e tyre dhe rininë, punën e madhe të papaguar kurrë, të gjithë veprat e mëdha të ndërtuara në diktaturë kanë gjakun dhe djersën e tyre, tharja e kënetave, kanalet, taracat, themelet e uzinave e të shumë pallateve, të stadiumeve, aeroportit të vetëm, ku ende s’ka një pllakë memoriale, etj, etj. Ata sollën moralin e munguar, mos-hakmarrjen, bashkëjetesën me paqen, etj.

Prandaj dhe ambasadorja Yuri Kim, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, superfuqisë së botës, aletatit dhe mbështetësit jetik të Shqipërisë tonë të vogël, tha: “Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshimin. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë.”

Me SHBA duhet bashkëpunuar, jo thjeshtë bindje për të mbajtur rotacionin e pushtetit. Votoni dhe për ata që janë futur në grevën e urisë e bashkëvuajtësit e tyre. Kanë vite kështu, të uritur për drejtësi më shumë e demokraci të vërtetë, jo thjeshtë atë të atyre që bënë dhe diktaturën.

Kjo grevë e vogël ka shqetësimin e madh për Shqipërinë. Prandaj…

 

blank

VOTA PËR NDRYSHIM NË SHQIPËRI E FORCON KOMBIN SHQIPTAR DHE MIQËSINË ME AMERIKËN! – Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

 

  • Kryeministri i gjertanishëm Edi Rama është fatkeqësi kombëtare

 

Të gjithë ata që ja duan të mirën kombit shqiptar e kanë një porosi për popullin e Shqipërisë sot: VOTONI PËR NDRYSHIM! Këtë e bëri të qartë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim me deklaratën e saj : “Nëse doni ndryshim votoni për ndryshim, nëse doni kriminelë votoni për kriminelë”. Ndryshimet janë të domosdoshme në çdo vend demokratik, që qeverisja të bëhet më e mirë dhe të punohet në interes të popullit dhe kombit. Nuk duhet dhënë më shumë se dy mandate asnjë partie, përveç nëse ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Periudha tetëvjeçare e sundimit njëpartiak të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste paraqet periudhën më të errët të zhvillimit të shtetit shqiptar pas ardhjes së demokracisë. Korrupsion, krime ekonomike, pasurim i paligjshëm i një klase të privilegjuar dhe varfërimi i shtresave të gjëra popullore. Potencialet ekonomike të Shqipërisë nuk janë shfrytëzuar as për së afërmi. Bashkëpunimi ekonomik me Dardaninë ( Kosovën) dhe Trojet tjera etnike shqiptare ishte minimal. Në planin ndërkombëtar nuk është shënuar asnjë arritje e rëndësishme për shtetin shqiptar, veçse largim i mëtutjeshëm nga Unioni Evropian. Fatbardhësisht, dështuan përpjekjet Rama-Vuçiq-Thaçi për krijimin e të ashtuquajturës zonë Minishengen apo Serbi të Madhe.

Arroganca dhe sjelljet e pahijshme të Edi Ramës e kalojnë çdo kufi të mirësjelljes së një lideri politik. Urrejtja përçmuese e tij për bashkëkombasit e Dardanisë dhe Trojeve tjera etnike është e papranueshme. Është e pakuptueshme si mund të zgjidhet të qeverisë me shtetin shqiptar një anti-shqiptar. Ngritja e tij brenda partisë socialiste deri te pozita e kryeministrit të Shqipërisë është një fatkeqësi kombëtare.

Përulja e vazhdueshme e Edi Ramës ndaj armikut të kombit shqiptar, shovenistit Vuçiq është e turpshme. Bisedimet e tij të fshehta dhe të hapta me te dhe Thaçin për ndarjen e Kosovës paraqesin tradhti kombëtare. I gjori ai, ndoshta mendon se “Vuçiq e don shumë”dhe si “internacionalist” që është i ndihmon për tu bërë “i rëndësishëm”. Nuk e kupton fare se ai e përdorë si paçavër për të fshirë pluhur, në planet e tij të errëta për t’a nënshtruar kombin shqiptar. Pas përdorimit dhe shtrydhjes së mirë e hudhë në pleh bashkë me Baton Stanishiqin. Nuk e ka lexuar historinë për ta kuptuar se shovenistët serb, duke të përqafuar, ta futin thikën në shpinë. Nuk e kupton se shovenistët serb e urrejnë atë dhe Batonin njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë, pa marrë parasysh territorin, besimin fetar apo qëndrimin politik të tyre. Arsyeja e shfaqjes së urrejtjes më të hapët dhe më të madhe ndaj shqiptarëve të Dardanisë dhe të Luginës është e thjeshtë, ata janë pengesa e parë në arritjen e qëllimeve të tyre, grabitjen e mëtutjeshme të tokave shqiptare.

Populli i Dardanisë më 14 Shkurt e dha provimin e pjekurisë, mençurisë dhe demokracisë, votoi për ndryshime në mënyrë të organizuar dhe madhështore. Votoi për kandidatë të pakorruptuar, të aftë e të guximshëm, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. U bë shembull për shtetet tjera të Evropës Juglindore se si mund të mbahen zgjedhjet e lira,se si mund të rrëzohet në mënyrë demokratike klasa e korruptuar. Duhet shpresuar dhe besuar se populli i Shqipërisë do ta bëjë të njëjten gjë me 25 Prill. Kjo mund të arrihet vetëm me votimin e Aleancës për Ndryshim të Partisë Demokratike në krye me Z. Lulzim Basha. Dëgjohet shpesh se Basha është i pavendosur apo tepër i sjellshëm dhe ka gabime. Gabimi më i madh i PD-së të udhëhequr nga Basha ishte djegia e mandateve. Bojkotimi i Parlamentit është akt jodemokratik i cili e destabilizon shtetin dhe ia bën të mundur kundërshtarit të veprojë sipas dëshirës, pa u trazuar fare. Mendoj dhe besoj se Basha dhe PD kanë mësuar nga gabimet dhe kanë bërë ndryshimet e nevojshme për ta udhëhequr shtetin shqiptar në drejtimin e duhur. Asnjë politikan apo parti nuk janë të përsosur dhe të pagabueshëm por në këtë rast, Z. Lulzim Basha me përvojën dhe aftësitë e tij është më i mirë se Rama, e thënë popullorçe, sa prej Shkupit deri në Shkodër.

Gjatë ditëve të fundit, në media të ndryshme vërshuan kritikat e kuazi politikanëve dhe (ba)analistëve të shumtë kundër Kryeministrit të Dardanisë  z.Albin Kurti, për vizitën e tij në Shqipëri në përkrahje të kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje të Shqipërisë, jashtë detyrave të tij të punës, si dhe për kinse “përzierje në punët e brëndshme të Shqipërisë”. Shihet se nuk i kuptojnë aftësitë e tij për të bërë shumë gjëra në të njëjten kohë, krahas punëve tjera jashtë detyrës së Kryeministrit. Në të vërtetë, ai e zëvendësoi atë kohë me punë gjatë gjithë vikendit. Po ashtu nuk e kanë të qartë se përkrahja e kandidatëve të partive apo çështjeve të rëndësishme në shtetin amë është e drejtë dhe detyrë e çdo shqiptari ngado qoftë, pa marrë parasyshë pozitën e tij. Shqipëria është nëna jonë, pra edhe nëna Albinit. Shumë më pak kritika pati kundër ndërhyrjes së vërtetë, shumë të rrezikshme në punët e brëndshme të Shqipërisë nga Kryeministrit i Maqedonisë Zaev, në përkrahje të Ramës. Dëshiroj të shtoj se, si shumë bashkëkombas të tjerë nga të gjitha Trojet tona, mendoj se Rama është kandidati i preferuar edhe i Vuçiqit dhe i Putinit.

Edhe unë, si shqiptar i Dardanisë së shumëvuajtur antike, i cili filloi ta donte nënën Shqipëri me zemër që nga momenti që diti për vete, dëshiroj që të “përzihem në punët e brendshme të nënës Shqipëri”. Me kënaqësi të veçantë dhe shpresë të madhe, i ftoj të gjithë vëllazërit dhe motrat shqiptare që kanë të drejtë vote, të votojnë për ndryshim dhe jo për kriminelë. Të votojnë për Aleancën e PD-së për ndryshime dhe tre kandidatët e pavarur të OJQ-së Vetëvendosje. Dëshiroj ta veçoj me emër, kandidatin me numër 33 të PD-së, Z. KORAB LITA. Vlerat atdhetare të tij dhe të mbarë familjes Lita të zbritur në Kamëz nga Kalaja e Dodës heroike, janë admiruese. Ai qëndroi i vetëm opozitë e PS-së në mandatin e fundit të Parlamentit të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për sa më shumë politikanë si ai, të aftë, të pakorruptuar dhe sypatrembur.

Mërgata shqiptare ka luajtur një rol shumë të rëndësishem në zhvillimet politike të Shqipërisë, që nga koha e Nolit dhe Konicës. Përpjekjet politike për ta ndarë dhe izoluar atë, janë të dëmshme dhe anti-kombëtare. Mbjellja e urrejtjes dhe përçarjes në mes të mërgatës dhe vendlindjes ju shërben drejtpërdrejt interesave të armiqëve tanë. Mundësimi i votimit më të lehtë dhe më praktik të diasporës është detyrë me rëndësi shtetërore dhe kombëtare. Në këtë pikë dështuan me qëllim, qeverisjet dhe disa parti politike në të dyja shtetet tona. Mërgata e Dardanisë, me gjithë vështirësitë, ja arriti qëllimit që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, me telefonata, votime me postë dhe udhëtime të përcjellura në mënyrë madhështore me muzikë, me defa e tupana. Ishte impresionuese. Këtë duhet ta bëjë edhe mërgata e Shqipërisë. Një pjesë e madhe jeton në Greqi dhe Itali, gjë e cila e bën udhëtimin me qëllim të votimit në atdhe më të lehtë. Të tjerët është mirë t’i marrin në telefon familjet e veta dhe të gjithë miqt e shokët për t’i lutur që të votojnë për ndryshime. Po kështu, edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, që nga Trojet tona etnike e deri te mërgata më e largët, duhet “të përzihen në punët e brendshme” të nënës Shqipëri, t’i marrin në telefon shokët dhe miqët e tyre atje dhe t’i lusin të votojnë për ndryshime.

Ardhmëria e sigurt e kombit shqiptar është e lidhur ngushtë dhe në mënyrë të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë daton që nga koha e Presidentit Wilson dhe vazhdon me Presidentët Clinton, Bush dhe Biden. Interesat strategjike të kombit shqiptar dhe atij amerikanë janë të përbashkëta, ndalimi dhe kontrolli i hegjemonizmit ruso-serb në Evropë. Afrimi i qeverisë së Edi Ramës me shtetet si Serbia, Rusia, Greqia dhe Turqia është kundër interesave shqiptare dhe amerikane. Administrata e Presidentit Biden nuk mund të ketë respekt as përkrahje për një qeveri e cila e rrjepë popullin e vet, e dobëson kombin shqiptar, dhe ja mundëson shteteve shoveniste diktatoriale të Serbisë dhe Rusisë dominimin e Evropës Juglindore me dalje në detin Adriatik. Prandaj, vota për ndryshim në Shqipëri e forcon kombin shqiptar, si dhe aleancën me Amerikën dhe shtetet demokratike të Unionit Evropian.

Nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë folklor as hobi. Jan nevoja jetësore të pazavendësueshme, të cilat e bëjnë të mundur ekzistencën e një kombi. Bashkimi kombëtar e bën kombin më të fortë dhe më të rëndësishëm në mesin e kombeve tjera botërore. Frika e disa politikajve, veç për ta përmendur bashkimin si një gjë normale dhe të mundëshme është turpëruese. Lejimi i propagandës shoveniste serbe për ta barazuar projektin e tyre qindvjeçar për “Serbi të Madhe”, me dëshirën e kombit shqiptar për bashkim duke e quajtur ate projekt kinse për “Shqipëri të Madhe”, paraqet një idiotizëm politik të klasit të parë. Si mund të barazohet një projekt kriminal i studiuar dhe i përgaditur mirë, i cili parasheh në detale zhdukjen e popullit shqiptar  dhe grabitjen e tokave të tij, i jetësuar me lufta mizore dhe represion, me vrasjen dhe ndjekjen e qindra-mijëra civilëve nga tokat stërgjyshore deri te Molla e Kuqe te Nishi, Toplica, fshatra dhe qytete të tjera shqiptare,  me një dëshirë legjtime të një kombi për të jetuar i lirë dhe i bashkuar?!

Kombi shqiptar nuk është as i vogël as i parëndësishem siç tentojnë ta paraqesin armiqët tanë dhe disa politikanë të korruptuar e të shitur, apo qyqana dhe dembela të vendeve tona. Edhe pse i përçarë dhe i ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete nga fuqitë e Mëdha të influencuara nga Rusia, por edhe me fajin e tradhëtarëve dhe pjellës së keqe përbrënda, ka arritur të mbijetojë në saje të përpjekjeve dhe flijimit të mijëra patriotëve dhe heronjve kombëtarë. Shembuj të fundit madhështorë janë rezistenca paqësore e udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe lufta e lavdishme e UÇK-së me komandantin legjendar Adem Jashari. Kërcënimet e disa liderëve shovinist serb për kinse përdorim të forcës kundër republikës së Dardanisë, janë sa dëshpëruese ashtu edhe qesharake. Me ndërhyrjen e NATO-s në Dardani, luftat në Evropë kanë përfunduar. Edhe po të ishte e mundur një luftë tjetër në mes të shqiptarëve dhe serbëve, Serbia do të humbte prapë me turp. Nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në tokat e veta mijëra vjeçare.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

blank

SOVRANITETI I RI DHE I PAPRITUR: KËSHTU KTHEHET SHTETI KOMBËTAR – Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

            Me efektet që prodhon në realitetin e gjërave e në mendësinë e njerëzve pandemia, që prej kohësh ka pllakosur botën, po ndihmon fuqimisht për t’a bërë të dukëshme krizën e globalizimit. Krizën pra – në mos qoftë fundi – të asaj faze historike që, për së paku një tridhjetëvjeçar, ka zotëruar realitetin ekonomik e ideologjik të planetit tonë.  Janë së paku tre faktorët që po shënojnë fundin e mundshëm të një qarku historik të nisur në vitet 80 të shekullit të shkuar.

Faktori i parë është thërmimi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të dalë nga fundi i “luftës së ftohtë” (1991). Në perëndimin e mbizotërimit amerikan që atëherë arriti majën e tij, të tjera fuqi botërore e rajonale në mënyrë mujshare dolën përpara gjithandej – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Hindia – e të tjera më të vogla trysnojnë në kërkim të hapësirës. Të gjitha synojnë të krijojnë hapësira ndikimi, kërkojnë të zgjerohen, shkaktojnë konflikte, prishin barazpesha, duke ndjekur vetëm interesin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë, marrëveshje apo status quo të mëparëshme. Nga ana tjetër globalizimi duket se nuk ka sjellë asnjë përhapje të vlerësueshme të demokracisë, ndërsa miti i paqes – për më tepër si “botërore” – po zbulohet gjithënjë e më shumë se mbetet vetëm një mit.

Edhe themeli i dytë i globalizimit, shkëmbimi i lirë – që pati simbolin e tij në pranimin e Kinës komuniste në Organizatën e Tregëtisë Botërore më 2001 – ka humbur një pjesë të mirë të miratimit. Shkëmbimi i lirë, në fakt, ka përcaktuar po rritjen ekonomike të disa Vëndeve (me shumë gjasë në kurriz të asaj të të tjerëve), por ka nxjerrë në dukje një pikë të dobët dramatike. Madje dy. Para së gjithash mbas ekranit të tij dhe në sajë të tij ka mundur të marrë formë projekti alarmues i Pekinit për t’u bërë zot i pikave kyçe gjeografike, të burimeve dhe teknologjisë strategjike të ekonomisë botërore, me synimin për të ndërtuar zotërimin e vet planetar. Madje duhet të shtojmë nga ana tjetër, se çdo Vend është përpjekur në të vërtetë të vërtisë gjërat vetëm e vetëm në dobinë e vet e në rradhë të dytë, pikërisht gjatë pandemisë është parë se sa e pasigurtë është ajo aksiomë në themel të shkëmbimit të lirë, simbas së cilës pronësia dhe vendosja gjeografike e prodhimeve do të ishte krejtësisht e parëndësishme, sepse ajo që do të vlente do të ishte vetëm kostoja e tyre. Por sot po kuptojmë se pikërisht mbi këtë pikë është e drejtë të ushqehet më shumë se një dyshim: me të vërtetë, për shembull nuk ka asnjë rëndësi që një fabrikë, t’a zëmë vaksinash ose mbulesash fytyre, të gjëndet në Itali apo kush e di se ku? A është e parëndësishme që të kihet mundësi apo jo të prodhohen disa pjesë elektronike në shtëpi?

Elementi i tretë që shtyn të mendohet që po mbaron koha e globalizimit ka të bëjë me rolin e Shtetit, që vetë globalizimi parashihte e uronte të shkonte drejt perëndimit të tij. E diskutueshme apo jo mbetet dëshira e uruar, por sigurisht parashikimi nuk po shfaqet i goditur në shenjë. Në të vërtetë ardhja e kohëve të vështira të sjella nga pandemia ka detyruar të gjithë t’i drejtohen Shtetit: për të shpresuar që të kurohen, për të gjetur treguesit se çfarë duhet bërë, për të patur ndihma të çdo lloji, për të përfytyruar rikthimin e zhvillimit ekonomik. Nën sytë e pabesuar të shumëve Shteti, organizimi i pushteteve publikë, ndërhyrja e tij në rruzullin shoqëror, po marrin sot në Perëndim një riligjësim shumë të fuqishëm ideologjik nga i cili do të jetë shumë i vështirë rikthimi mbrapa. Aq më tepër se me ardhjen e piskamës, i gjithë gërshetimi i shumëanësisë dhe organizatave ndërkombëtare – në veçanti ai i Bashkimit Evropian që na intereson më shumë –  sigurisht nuk kanë treguar as një efektshmëri të madhe dhe as një përqindje të lartë të thuknisë e të përgjegjësisë së përbashkët. Si pikë riferimi ka mbetur për mirë apo për keq vetëm Shteti: e të mos i vijë keq askujt se për Shtet kuptohet natyrisht Shteti kombëtar.

Nëse gjërat e thëna deri këtu janë të vërteta na zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm: ripohimin fuqishëm të temës së sovranitetit dhe gërshetimin e saj me politikën, pra temën e vetë aftësisë së Shtetit të ushtrojë pushtetin e shërbimit kundrejt një projekti të përbashkët. Një pushtet që mund të gjejë një kufizim vetëm në sajë të një vendimi të tij të pavarur: një pushtet sovran të Shtetit kombëtar që në regjimet demokratike, si i yni, është i barazvlefshëm me sovranitetin e popullit, burim i gjithë vendimeve dhe veprimeve të vetë Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij.

Një ndryshim i këtillë i perspektivës nuk mund të mos ketë pasoja pohenike mbi diskutimin politik italian, të përqëndruar në vitet e fundit në një pjesë të mirë të tij, në mënyrë të rreme rreth temës së sovranitetit. Me të majtën të gatëshme të nënvizojë dobinë e çfarëdo lëshimi apo ushtrimi të pakësuar të sovranitetit nga ana e Italisë – sikurse të trajtohej për pale çfarë shfaqjeje të një qytetërimi epror – dhe së djathtës shtazërisht kundër, të vënë në të njëjtën hulli  me përfaqësuesit më të shpëlarë të skenës evropiane, duke tërhequr mbi vete padinë e “sovranizmit”, që tashmë në të folmen e konformizmit ideologjik tingëllon pak a shumë si sinonim i nazizmit.

Por kohët këshillojnë që të bindemi se nuk është më çështje poje ose joje sovranizmit. Është çështje vetëm sovraniteti. Sot më shumë se kurrë duket i nevojshëm ripërcaktimi, për vitet që kemi përpara, i një roli veprues e shtytësi përpara në të gjitha fushat të Shtetit kombëtar e të vullnetit të tij politik. Ajo që nga një anë e bën tepër urgjente reformën e të gjithë administratave dhe kundërshtimin më të vendosur kundrejt copëzimit krahinor, e n’anën tjetër duhet të na shtyjë të mbajmë shtrënguar fuqimisht të gjitha lidhjet tona evropiane dhe atllantike, por duke mbajtur  të palëvizshëm kushtin paraprak që jo gjithmonë në të shkuarën e kemi mbajtur parasysh. Atë që të respektohet në mënyrë të rreptë një kusht i barazisë dhe i ndërsjelltësisë, pa kokëfortësi llogaribërëse por me një vendosmëri të mënçur.

 

“Corriere della Sera”, 15 prill 2021           Përktheu Eugjen Merlika

blank

ËNDËRRAT E DITËVE TË PRILLIT – Nga HAMIT TAKA

 

Funksioni kryesor i babait, thotë psikanalisti frëng Lacan-i në seminarin XIX, është “të mahnitë familjen e vet”…

 

E vërteta e kësaj thënie shpaloset fare qartë këto ditë pranverore në vendin tonë, një javë para 25 prillit, kur votuesit shqiptarë do të shkojnë te kutia e votimit, për të zgjedhur qeverinë e katër viteve të ardhshëm. Po të ndjekësh vendet që zgjedh kryeministri aktual, ku do të vendosë skenën dhe teatrin e aktrimit të tij e deri te konfigurimi i karrigeve, për të bërë takime me zgjedhësit, shikuesit televiziv i duket se ne jemi një nga vendet më të zhvilluara në Europë. Pasi qytetarët zënë karriget, kryeministri fillon aktrimin dhe recitimin që do ta kishin zili humoristët më të mirë dhe recituesit më të spikatur. Dikush do të thotë se, si ish-piktor, i është bërë natyrë imazhi. Po, por shumica e popullit shqiptar, në këtë gjëndje varfërie që është dhe në kushtet e pandemisë, nuk ia ndjen dhe nuk ka oreks sot për teatrin imazhist. Dhe vërtetë, sa shkojnë te vendi i takimit me kryeministrin socialistët dhe simpatizantët e PS-së, “babai” e mahnit familjen e tij me dekorin, aktrimin dhe fjalimin e tij.

Fushata elektorale njëmujore për partinë në pushtet nuk ka mision vetëm të shpalosë programin për një mandat të mëtejshëm, por së pari duhet të jetë edhe llogaridhënie, ku qeverisësit të tregojnë para të qeverisurve arritjet e mosarritjet e mandatit të mbaruar. Sidomos të përmenden mosarritjet dhe të argumentojë sinqerisht shkaqet e vërteta dhe të besueshme. Unë si qytetar do të besoja më shumë sinqeritetin se sa premtimet: të argumentohen të paktën shkaqet e papunësisë, varfëria ekstreme në pjesën më të madhe të popullsisë, mosrritja e pagave dhe pensioneve, korrupsioni galopant, mospranimi dhe përjashtimi nga administrata shtetërore dhe ajo lokale e të gjithë shqiptarëve që nuk janë votues të PS-së, shkaqet e largimit të të rinjve dhe intelektualëve më të mirë nga vendi i tyre dhe pse ne nuk arrijmë akoma të plotësojmë kushtet e pranimit në BE…

Votuesi shqiptar sot ka nevojë për programe të qarta dhe të realizueshme, që t’i japë shpresë për të ardhmen, të ketë punë, të dalë nga varfëria e skajshme dhe fëmijët e tij të kenë të nesërme në vendin e tyre për shkollim dhe punësim, nuk ka nevojë për ëndërrat e një dite pranvere. Mirëpo kryeministri i tyre u servir parajsën. Sa e sa herë televizionet kryesore u tregojnë shikuesve imazhin e ardhshëm të Durrësit, të cilat ia kalojnë edhe Dubait të sotëm. Natyrisht shqiptari i sotëm s’është në kohën e diktaturës, kur besonte përrallën e fenerit ndriçues në Europë e më gjerë.

Paradoksi jashtë çdo logjike është pretendimi i kryeministrit aktual se, në se nuk votohet ai për të qënë sërish kryeministër i vendit, Shqipërinë e mori lumi dhe dreqi; vaksinim të popullsisë nuk do të ketë më, bukë e ujë më nuk do të ketë më,  krojet do të shterin dhe dielli nuk do të lind më për Shqipërinë e bekuar nga Zoti në brigjet e Mesdheut; investime të huaja nuk do të ketë më, sipërmarrësi global i Emirateve, Mohamed Alabbar, do ta prishë kontratën dhe nuk do të investojë në portin e Durrësit, por shqiptarët nuk janë aq naivë të mos e kuptojnë se kontrata e investitorit arab nuk është nëshkruar me personin Edi Rama, por me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Shqipëria është këtu, e paluajtshme.

Në këtë situatë pa rrugëdalje të qeverisë mazhoritare dhe Kryeministrit, këshilltarët legalë dhe ilegalë të tyre, u kanë këshilluar përdorimin e armës së vjetër, trumpirëse, mashtruese e dhunuese të propagandës, imazhit përrallor. Kushdo që ka sy e vesh e shikon dhe e kupton se ajo është bërë mëngjesi, dreka dhe darka që u serviret qytetarëve të varfër me anë të mediave servile apo të blera, të cilat kanë vetëm një moral-paranë apo karriget e deputetëve, ministrave, zvendesministrave e atyre bashkiake.

Eshtë për të ardhur keq që edhe pjesa më e madhe e opinioneve në emisionet televizive dhe atyre që që botohen në shtypin  shkruar kanë të bëjnë me politikënaktuale, më ngushtë me politikanët kryesorë në fushatën zgjedhore. Është një vërshim i vërtetë, që shkon nga analiza e qetë politike te eseja pasionante, satira  e hidhur e deri hosanarat për prijësit sipas simpative dhe angazhimeve partiake.

Dhe së fundi do dëshiroja të theksoja mendimin tim, që unë e quaj fakt, se në vendin tonë thyesa dinjitet/ambicie është vendosur kokëposhtë. Gjen kudo njerëz që kanë ambicien më të rëndësishme se sa dinjitetin, madje, është më e saktë të thuhet që gjen kudo njerëz që kanë ambicie e s’kanë dinjitet.  Fjala është për kandidaturat e karrigeve në parlamentin e ardhshëm. Disa nuk e kanë për gjë të tradhëtojnë skuadrën, e cila i ka ngritur nga hiçi në karrierën e prijësave e të përfaqëuesve të popullit në kuvendin popullor, kanë bërë pasuri e biznese pa djersën e ballit, kanë shkolluar fëmijët në shkollat më të mira, brenda e jashtë vendit dhe i kanë sistemuar në punë të lakmuara, duke mënjanuar intelektualë me diploma të arta(për t’i degdisur jashtë vendit), të kalojnë në kampin tjetër apo të krijojnë partiçka, për t’u marrë votat për unin e tyre egoist.

blank

KILI, VAKSINA KINEZE KA EFEKTSHMËRI TË PAKËT: ËSHTË VËNDI I FUSHATËS – REKORD TANI KTHEHET NË LOCKDOËN – Nga SARA GANDOLFI

 

            E quajnë “paradoksi kilian”. Vëndi amerikanojugor ka habitur botën me shpejtësinë e fushatës së tij të vaksinimit në masë kundër Kovidit – 19 : 4,6 milionë njerëz ndër 18 milion banorë kanë marrë dy doza, 7,2 milionë së paku të parën; vetëm Izraeli, Emiratet Arabe dhe Seychelles kanë bërë më shumë.

            Megjithatë infektimi vazhdon të përhapet me ritme rekordi, veçanërisht ndërmjet të rinjve, dhe terapitë intensive të spitaleve janë të zëna mesatarisht në 95 %. “Buletini” i fundit flet për 1.076.499 raste të përgjithëshme të vërtetuara dhe 24.346 të vdekur. Kështu, nga fundi I marsit, një pjesë e mirë e Vëndit është kthyer në lockdown pothuajse të plotë.

 

Çfarë po ndodh në Kili?

“Paradoksi” ka më shumë se një shpjegim. I pari, më i drejtpërdrejti e për të cilin kishim folur këtu, është që me lehtësimin e kufizimeve për zhvendosjet dhe rihapjen e shkollave e dyqaneve popullsia ishte gënjyer se pandemia ishte vetëm një kujtim. Siç ka nënvizuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) imunizimi nuk zëvendëson parandalimin. “Ka nga ata që pushojnë së binduri masave si hapësira fizike, higjena vetiake, ajrimi i hapësirave dhe ndalimi i grumbullimeve” ka thënë Maria Van Kerkhove, përgjegjëse e bashkësisë teknike kundër – Kovid të OBSH. “Por vaksinat janë vetëm njëri nga mjetet për të ndaluar infektimet dhe nuk mund të flemë mbi dafina vetëm sepse jemi të vaksinuar”.

Efektshmëria e pakët e vaksinës kineze Sinovac

            Një tjetër shpjegim më shqetësues i “paradoksit kilian” është efektshmëria e pakët e vaksinave të përdorura. Një studim i drejtuar nga kërkuesit e Universitetit të Kilit mbi rezultatet e fushatës së vaksinimeve, ka dalë në përfundimin se mbrojtja është mesatarisht në masën 56,5 % mbas dy javësh të injektimit të dy dozave të parashikuara dhe vetëm 3 % mbas dozës së parë. Duke mbajtur parasysh se në Kili përdoret kryesisht vaksina kineze Sinovac (93 %) e 7 % tjetër është Pfizer Bio NTech, që n’Izrael ka treguar një efektshmëri prej 94 %, kërkuesit përfundojnë se efektshmëria e vaksinës kineze është e ndalur në 54 %. Një vlerë pak më e lartë se ajo e regjistruar në Brazil ku, për të ndërlikuar kuadrin, është edhe qarkullimi i një varianti që duket se është në gjëndje t’i bishtnojë mbrojtjeve imunitare, natyrore e të panjohura: studimi i efektshmërisë nga Instituti Butantan regjistronte një të tillë prej 50,4 %.

Befas vërtetimi erdhi edhe nga Kina. Gao Fu, drejtori i Qendrës kineze për sëmundjet, Kontrollin e parandalimin, ka pranuar në një konferencë shtypi të shtunën e shkuar se vaksinat kineze që përdoren tani “nuk kanë tregues mbrojtjeje shumë të larta”. Në vazhdim, ka pohuar se komentet e tij ishin “keqkuptuar plotësisht”, por të dhënat e njoftuara tregojnë që në fakt vaksinat kineze janë më pak të efektëshme se sa Pfizer e Moderna, edhe se janë më të thjeshta për t’u ruajtur.

 

Jemi në rrugë të drejtë

 

            Kili ka paguar 3,5 milion dollarë për të “strehuar” eksperimentimin klinik të vaksinës kineze dhe ka porositur më pas 60 milionë doza për të mbrojtur popullsinë e saj prej 18 milion banorë në tre vjet. Rëndësia e krizës shëndetësore në Kili është vërtetuar në fakt nga presidenti Sebastian Pinera dhe nga Kongresi që kanë vendosur të shtyjnë gjashtë javë zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese që duhet të shkruajë një Kushtetutë të re. “Përparësia e jonë është të mbrojmë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë” ka thënë kryetari I Shtetit.

Megjithatë, autoritetet kiliane të djelën mbrojtën përdorimin e vaksinës Sinovac dhe I hapën rrugën përdorimit të Corona Vac. Heriberto Garcia, drejtori I shëndetësisë publike kiliane ka thënë se njerëzit nuk duhet t’I kushtojnë shumë vëmëndje titujve të gazetave: “Numëri i njerëzve që sëmuren dhe shtrohen në spital është pakësuar, kjo do të thotë se jemi në rrugën e drejtë”, ka pohuar në një intervistë të së përditëshmes vendore La Tercera. Kili ka firmosur marrëveshje për furnizimin me vaksina Johnson & Johnson dhe AstraZeneca që nuk kanë arritur ende.

Ndërkaq shumë Vënde të zonës latinoamerikane shohin me shpresë tek vaksinat kubane Soberana II dhe Abdala, të hyra në fazën 3 të eksperimentimit dhe gjërësisht në përdorim mbi ishull (të tjera janë në faza më të prapambetura sprove). Havana ka premtuar se do t’u a shpërndajë Vëndeve “vëllezër” me çmime shumë më të ulta sa ato amerikane.

 

“Corriere della Sera”, 13 prill 2021      Përktheu Eugjen Merlika


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend