VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Asnjë politikan në Kosovë nuk guxon të fillon bisedimet politike me Serbinë para mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe formimit të qeverisë legjitime Nga Nue Oroshi

By | July 19, 2019

Komentet

Osmani: Për herë të parë Kosova kishte qeveri që planifikonte padi për gjenocidin serb

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke kujtuar krimet e luftës, ka thënë se “për herë të parë, Kosova kishte Qeveri që në Programin e saj kishte edhe përgatitjen e Padisë për gjenocid kundër Serbisë“.

Ajo ka kujtuar rastin e Dren Cakës, i cili është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë

Osmani përmes një statusi në Facebook ka thënë se “për herë të parë, Kosova kishte institucione që flisnin para gjithë botës për vuajtjen e fëmijëve gjatë luftës dhe kërkonte drejtësi për ta dhe insistonte që nuk ka paqe pa drejtësi”.

“Ta kujtojmë këtë sot e çdo ditë, përderisa përkujtojmë fëmijët e vrarë, masakruar e të djegur për së gjalli, në Gjakovë e anekënd Kosovës”, ka shkruar ajo.
Dje është shënuar 21-vjetori i Masakrës në lagjen Qerimi në Gjakovë.

Kurti: Presidentit do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas konsultimeve që ka pasur më liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të enjten i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që të propozojë një kandidat për formimin e Qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural”, ka shkruar Kurti.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars, nga ana e shumicës së deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj të Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare. rel

Haradinaj: AAK nuk do të jetë pjesë e një qeveri të re

Ish- kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me Hashim Thaçin është shprehur i qartë se nuk është për zgjedhje të jashtëzakonshme por për qeveri të re.

Haradinaj pas takimit ka thënë se do e mbëstesë një qeveri të re edhe pse nuk do jetë pjesë e saj dhe nuk do ketë funksion në qeverinë e re.

“Nuk jam kandidat për të pasë ndonjë funksion qeveritar. Nuk është kohë e apetiteve për pushtet”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, edhe partitë e tjera e kanë përkrahur krijimin e një qeverie të re, përvec VV-së, e cila është për zgjedhjet të reja.

Thaçi i kërkon lëvizjes Vetëvendosje emrin e kandidatit për formimin e qeverisë së re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi të enjten kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti javën e kaluar.

Në letër ai mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

 

Letra e presidentit pasoi dy ditë këshillime me partitë politike parlamentare për rrugëdaljen nga situata e krijuar me rrëzimin e qeverisë Kurti.

Por, lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përfundimit të pandemisë së korona virusit.

Një ditë më parë, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kërkoi nga presidenti që të veprojë në pajtim me nenin 82, pika 2 të kushtetutës së Kosovës ku thuhet se “Parlamenti mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Në favor të formimit të qeverisë së re janë shprehur partitë tjera politike edhe në ditën e dytë të këshillimit me Presidentin.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se është më mirë për vendin të ketë një qeveri të re, nëse kushtetuta e vendit mundëson zgjedhjen e saj në parlament.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në parlament së shpejti, pra kur do që është e mundshme se sa të vazhdohet me gjendjen me një qeveri të shkarkume prej parlamentit. Njëkohësisht nuk e shohim të mundshme dhe në rregull shkuarjen në zgjedhje në këtë kohë, pra menjëherë. Qeveria e ardhshme mundet me qenë edhe me një afat kohorë të përkohshme ose për një kohë të caktuar por shpalljen e zgjedhjeve tani e shohim të pamundshme dhe paarsyeshme”, tha zoti Haradinaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se kushtetuta e Kosovës ka qartësi të plotë për t’i dhënë zgjidhje vendit ndërsa bëri thirrje që të respektohen përgjegjësitë e secilit institucion të Kosovës.

“Nisma beson se presidenti duke respektuar kushtetutën duhet kujdesshëm të shikoj mundësinë që të shmang zgjedhjet e parakohshme. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta lexojmë, ta interpretojmë dhe ta ruajmë kushtetutën dhe frymën e saj, ta ruajmë shtetin tonë parlamentar dhe ai ruhet kur në epiqendër të këtij shteti është parlamenti i Kosovës. Edhe sot parlamenti i Kosovës mund të shpërndahet nëse është vullnet i shumicës parlamentare por siç e dini ju nga deklarimet që kemi parë deri më tani shumica deri më tani, shumica e deputetëve e parlamentit të Kosovës ose grupeve parlamentare që janë të përfaqësuara në parlament dëshirojnë zgjidhje tjetër dhe jo shpërndarje të parlamentit “, tha zoti Limaj.

Edhe subjektet e komuniteteve jo serbe në Kosovë kundërshtuan zgjedhjet e parakohshme duke kërkuar formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga dje nga qeveria e kryeministrit në detyre Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

“Jeni histerike”, “Zotëri, kujdes fjalët” – këshilltari i Thaçit përplaset keq me eurodeputeten gjermane

Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës është përplasur ashpër me raportuesen gjermane për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel.

Reagimin e ashpër të Behramit e ka nxitur një qëndrim i eurodeputetes gjermane e cila i bënte thirrje presidentit të vendit që të mos luaj me Kushtetutën e Kosovës në kohën e pandemisë COVID-19 dhe që të mendojë dy herë përpara se të marrë vendim për shkarkimin e qeverisë Kurti.

Behrami i ka thënë politikanes gjermane se askush nga Bashkimi Evropian s’ka reaguar kur Kuvendi i Kosovës mbulohej me tym e gaz lotësjellës, derisa i ka thënë eurodeputetes se është hedhur në histeri, pas votimit të mocionit të LDK’së që rrëzoi Albin Kurtin nga pushteti, raporton Gazeta Express.

Këshilltari i Thaçit tutje ka thënë se është e turpshme se si von Cramon Taubadel anon nga njëra palë.

Pa reaguar pas akuzave të këshilltarit të Thaçit nuk ka qëndruar eurodeputetja, e cila i ka bërë thirrje Behramit që të ketë kujdes për fjalët që përdor në një debat të zakonshëm.

“Liria e mendimit është “histeri”? Interpretim shumë interesant në një debat të zakonshëm. Sigurohuni që po i përdorni kujdesshëm fjalët tuaja zotëri”, ia ka kthyer eurodeputetja gjermane.

Behrami nuk është ndalur dhe ia ka kthyer përsëri eurodeputetes gjermane, duke e akuzuar madje për shpërndarje të lajemve të rreme dhe përhapjes së panikut. Sipas këshilltarit të Thaçit duhet pasur përgjegjësi edhe në shprehjen e opinionit.

Këshilltari i presidentit ka thënë se edhe 82 deputetët që kanë votuar për rrëzimin e Ablin Kurtit kanë të drejtën e tyre për t’u shprehur lirshëm, ndërkohë ka pyetur eurodeptueten gjermane nëse asaj i intereson vetëm Albin Kurti.

“ Të menduarit lirshëm ka një përgjegjësi. Ju keni shpërndarë lajme të rreme, histeri dhe panik duke abuzuar me rolin tuaj si deputete e Parlamentit Evropian, duke sulmuar deputetët e zgjedhur në mënyrë demokratike. A nuk është vendimi i tyre liri e shprehjes. A kujdeseni për perspektivën e tyre, apo iu intereson vetëm Albin Kurti”, ka shkruar Behrami.

Viola von Cramon Taubadel ndërkohë i ka kërkuar Behramit që t’i tregojë opinionit të gjërë se në cilin rast ka shpërndarë “lajme të rreme”.

Eurodeputetja gjermane vazhdimisht ka bërë thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës të mos e procedonte mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti, pasi sipas saj, rrëzimi i qeverisë në kohën e pandemisë do të ishte katastrofal jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin.

Reagimet e saj kundër rrëzimit të qeverisë që drejtohej nga Kurti kanë qenë të njëpasnjëshme.

Ndërkohë tashmë kur Kurti është rrëzuar nga mocioni i LDK’së, Taubadel kërkon që Kurti të vazhdojë të mbetet në detyrë gjatë kohës së pandemisë, duke i thënë Thaçit që ta mendojë dy herë nëse do ta shkarkojë qeverinë aktuale.

Në Kosovë megjithatë presidenti i vendit ka filluar konsultimet me partitë politike për të parë se si do të vazhdohet tutje pas rrëzimit të Kurtit. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë tjera duan një qeveri në legjislaturën aktuale, pa shkuar në zgjedhje të reja. Derisa vetë Kurti thotë se zgjedhjet e reja janë të pa shmangshme./GazetaExpress/

Ambasada britanike: Nuk është koha për manovrime politike

Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se në kohën kur shumica e vendeve në botë po përballen me pandeminë e koronavirusit, në Kosovë nuk është koha për manovrime politike, por për bashkëpunim të brendshëm dhe atë rajonal.

“Pas votës së mosbesimit në Kuvend, Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet, dhe që vendimet të mirren shpejt që t’i mundësohet Qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë konsiderata kryesore. Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale”, është thënë në reagimin e kësaj ambasade përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook.

Kjo Ambasadë ka thënë po ashtu se përshëndet vendimin e Qeverisë në detyrë për largimin e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë”, është thënë në reagim.

Ky dhe reagime të ngjashme të faktorit ndërkombëtar vijnë pas mbajtjes së mocionit të mosbesimit, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.

LDK-ja pati përmendur si arsye për këtë veprim, vendimin e Kurtit për shkarkim të Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm dhe prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara për heqje të taksës.

Taksa 100 për qind ishte vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018. rel

Kush është antiamerikan?! – Nga Skënder MULLIQI

 

Kthimi në pushtet të atyre që e dëmtuan shumë Kosovën , do të ishte fatale për shtetin dhe te ardhmën tonë. Këto politika katrastrofale e prunë varfërinë e skajshme, duke bërë që shumica të ikin sahat e para nga Kosova.

Çka kanë bërë këta që mund ti lavdërojmë për popullin dhe shtetin?. Po jo more burra kështu askush nuk ka pritur që të veproni kështu keq?!Çka tash , po dëshironi ? Pasi që e rrëzuat qeverinë dhe e përdhosët votën e sovranit në kushte që askush tjeter nuk do ta kishte bërë?Po dëshironi që të krijoni pushtet ilegjitim. Kjo është formë diktatorale e veprimit. VV e ka të drejtën kushtetuese për ta paraqitur kandidatin nga radhët e veta , nese jo , dihet së shkohët në zgjedhje të reja .

Ky president i zgjedhur në kushtet të shtetrrethimit dhe kurre I unitetit, më votat e LDK, dhe që ju bë kumbar edhe tash, Isa Mustafa , po dëshirojnë , që në mënyrë jo kushtetuese , me parti tjera të formojnë qeverinë.E shkarkuan qeverinë në emer të kauzave fallshe, së krejt prapa kësaj kan qenë mbrojtja e interesave të tyre biznesore e korruptive. Amerika po i tërheqka trupat për shkak të veprimeve te Kurtit, për heqje te taksës ?! Kjo është marrezi more . Amerika po si te kishte vepruar ashtu siq pretendoni ju,në planët e veta gjeostrategjike në botë , nuk do të ishte kurrë Fuqia e Parë Botërore. Jemi shumë të vëgjel që të ndikojmë që Amerika ,po i tërheqka trupat nga Kosova?!

Në mënyrë tinzare Vuqiq e Thaqi , e gjithmonë duke e pasur në krahë Isa Mustafën, këni berë veprime antiamerikane kur dihet së pavarësia është project ndërkombëtar.Shitja e territoreve më Maqedonin e Veriut, më Mal të Zi , e tash marrveshjet e fshehta për shkëmbim territorësh, kjo a nuk është antipërendimore , antiamerikane e anti Kosovë a?Marrveshja për shkëmbime territorale u kundërshtu forte nga Angela Merkel ,por edhe nga ish kryeministri Haradinaj.

A nuk janë të gjitha veprime antikushtetuese dhe kunder vendimeve të GJND-së, së pavarësia e Kosovës, nuk bie ndesh më ligjet ndërkombëtare?Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kurrë si kan përmbajtur projektët e tilla .Kjo gjë u shpërfaq shumë herë në opinion. A nuk keni bërë ju zotëri Mustafa e Thaçi bashkë më zonjën Mogerini marrveshje jo transparente më Serbinë ? Po, lidhet shumë marrveshje të tilla, e dinë të gjithë, që këto marrveshje e afruan Serbinë nga struktura e BE-së, e Kosovës nuk I sollën asgjë të mirë.I sollën izolimin. E lejuat Fusnotën ne përfaqësimet e Kosovës në tubimet rajonale dhe ende e kemi aty.Keni hy në bisedime më Serbinë pa asnjë kusht.

Mos i bëri të gjitha këto Albin Kurti? Jo ai I kundershtojë këto më gjithë forcën, siq e kundërshtojë edhe “Zajednicën” më kompetenca ekzekutive .Kurti e kundërshtojë edhe formimin e Gjykatës Speciale , e ju e prut të dera , të cilën në mënyrë të fshehur u përpoqët ta zhbëni.

Edhe kjo gjykatë u sponzorizua nga Amerika, që ju na qenkeni miqë të saj! Kryeministri në detyrë, nuk e mashtrojë popullin më kauza të rreme, për interesa përsonale , duke e dëmtuar rënd shtetin dhe popullin e vet.Me ju ardhë marre more, kur e dini së e keni humbur më ka krejt besimin e popullit.?!

Ju edhe mund ta shfrytëzoni situatën epidemike siq e shfrytëzuat, për të vepruar në menyrë jo kushtetuese për të ardhë në fron,por, mos harroni , së shumë pak do tju zgjatë kjo punë .Do të dënoheni fortë e keq më votën e sovranit , sa nuk do të këndëlleni politikisht më kurrë.Dhe, mos mendoni së përgjithmonë do të keni mundësi që fshehi për të dëmet e mëdha që ia keni bërë vendit.

Jo, nuk harrohen ato lehtë. Së krejt këto marifete jeni duke i bërë që ti mbroni dhe ti mbuloni të ligat, që ja këni bëri vendit dhe popullit …!

Veseli pas takimit me Thaçin: PDK-ja do të jetë në opozitë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli deklaroi se të gjithë janë vetëdijshëm se në këtë kohë pandemie nuk mund të mbahen zgjedhje. Pak pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, Veseli konfirmoi faktin se PDK do të jetë në opozitë.

Veseli tha se ajo çfarë kërkon PDK është të respektohet Kushtetuta dhe të mbrohet vullneti i qytetarëve, përgjegjësi të cilat tha se i kanë të gjithë bashkërisht në këto momentet të jashtëzakonshme që po kalon vendi, qoftë me pandemi, për aq sa edhe ruajtjen e sovranitetin të shtetit dhe interesit të qytetarëve.

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme vetëm keni parasysh gjithmonë faktin e pandemisë. Ne nuk e dimë deri kur do të përfundojë kjo çështje. Vullneti i sovranit është ma legjitimja, por në rrethana kur jemi në situatë me pandemi a është ndoshta hipokrizi nganjëherë të flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme kur gjithë mund ta dinë se nuk mund të jenë për 45 ditë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nuk mund t’i rrezikojmë qytetarët. Sido që të jetë Partia Demokratike e Kosovës ka pozicion shumë të qartë politik në këtë situatë. Do të jemi opozitë dhe ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Përshkallëzohet gjendja në kufi, bllokohen kamionët në të dyja anët

Disa nga kamionët me mallra serbe janë ndaluar të hyjnë në Kosovë për shkak të emërtimeve jokushtetuese ndaj shtetit të Kosovës. Nga Ministria e Jashtme thonë se Serbia po bllokon kamionët e Kosovës që nga 30 marsi.

Pas heqjes së tarifës ndaj produkteve serbe dhe vendosjes së masave të reciprocitetit, Gazeta Express ka mësuar se transportuesit e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Expressin se është i informuar se vetëm prej orës 17:00, kur fillon ora policore në Serbi, nuk lejohen as maunët e as ndonjë automjet tjetër.

“Për informata tjera mund të shikojë më vonë. E di vetëm se nga ora pesë nuk lejohet asnjë automjet për shkak të orës policore”,

Mirëpo Kreshnik Ahmeti, Shef i Stafit të kryediplomatit Glauk Konjufca, ka shkruar para pak minutash se nga 30 marsi, Serbia po i mban të bllokuar kamionët e Kosovës.

“Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100% në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mbanë të bllokuar në kufi kamionët tregtarë nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka shkruar Ahmeti.

Nga mesnata, me vendim të Qeverisë Kurti, është hequr tërësisht tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, për t’u vendosur masat e reciprocitetit.

Ka filluar hyrja e kamionëve me mallra nga Serbia, ndërsa edhe Kosova ka ndalur disa prej tyre për shkak se nuk iu janë referuar shtetit të Kosovës me emërtim kushtetues.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka, ka thënë për kallxo.com se Kosova ka kthyer kamionët e Serbisë që nuk i ka plotësuar kushtet për pranim.

“Me emërtime fyese apo jo kushtetuese nuk ka pasur ende nga mbrëmë sepse ato s’janë ardh fare. Ka pasur një rast që nuk e ka pasur të bashkangjitur certifikatën që kërkohet dhe ai rast është në procedurë me u kthy prapa. Nuk ka pasur me vete certifikatë fitosanitare që është kërkuar, nuk e ka pasur certifikatën dhe nuk është pranuar me u zhdoganu dhe në mungesë të dokumentacionit është kthy. Dokumenti jo komplet është kthy”, ka thënë Xhaka.

Reciprocitet, sepse barazi – Nga ALBIN KURTI

Sot në ora 00:00 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e tarifës 100% ndaj importit të mallrave të Serbisë me zbatimin gradual të reciprocitetit, parim ky universal dhe i të drejtës ndërkombëtare, si dhe për largimin e tarifës 100% ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Republika e Kosovës gëzon të drejtën që qytetarët e saj, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët, të trajtohen barabarësisht, pa paragjykime, pa pengesa, pra me dinjitetin e domosdoshëm, kur zhvillojnë aktivitetet jetësore e profesionale. Nuk ka pra, asnjë arsye legjitime e legale që të pranohet se shtetasit e Republikës së Kosovës dhe autoritetet tona mund të diskriminohen e pengohen kur ata eventualisht kanë nevojë të ndërveprojnë me autoritetet e Serbisë në kuptimin tregtar, civil apo të ndonjë sfere tjetër shtetërore.

Qytetarët e Republikës së Kosovës çdo herë kanë shprehur vullnetin që të trajtohen e trajtojnë barabarësisht nga e me qytetarët e shteteve në rajon. Reciprociteti, si parim e veprim, zgjeron mundësitë e respektimit të ndërsjellë shtetëror e të të drejtave. Nuk ka asnjë zhvillim të qenësishëm të rajonit tonë nëse lejohen përpjekjet që e pozicionojnë si të pabarabartë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Andaj vendimi ynë afirmon raportet e barabarta ndërshtetërore, respektimin e drejtave universale dhe krijon klimën e drejtësisë në mes shoqërive.

Po ashtu, Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994, që është dhe instrumenti themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë, njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit e shtetit më të favorizuar. Këto parime vlejnë për të siguruar trajtim të barabartë të palëve në politikat tregtare duke eliminuar barrierat.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) e vitit 2007, ndër të tjera, ka për qëllim eliminimin e barrierave tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave në transit, lëvizjen ndërkufitare të mallrave e shërbimeve në territoret e vendeve e midis tyre.

Që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka aplikuar një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë të tillat në tranzit, ato teknike dhe barrierat politike. Kështu Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës duke rezultuar me një deficit të lartë tregtar për vendin tonë.

Masat që Serbia i ka aplikuar në vazhdimësi në formën e barrierave jotarifore:
(a) Masa për dokumente dhe praktika që prekin çështjet tregtare, siç janë: (1) kërkesat për certifikata të origjinës dhe dokumentacionit veterinar e fitosanitar për mallrat e eksportuesve dhe importuesve të Kosovës, që e shfrytëzojnë Serbinë vetëm si vend tranzit; (2) vonesat në zbatimin e kërkesave për vlerësimin e cilësisë për eksportet e Kosovës; (3) mosrespektimi i marrëveshjes dypalëshe për etiketim të produkteve midis Kosovës dhe Serbisë, nën patronatin e BE-së; (4) mosnjohja e automjeteve të regjistruara në Kosovë, përfshirë automjetet komerciale, etj.
(b) Masa në pengimin e lëvizjes së lirë të personave dhe mosnjohjen e kualifikimeve profesionale, konkretisht mosnjohja e dokumenteve: (1) pasaportat; (2) letërnjoftimet; (3) patentë-shoferët; (4) diplomat; (5) certifikatat; etj.

Implementimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jetë gradual dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.

Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve.

Gjykata Kushtetuese vazhdon pezullimin e Ligjit për paga

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.

Kjo nënkupton se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin rrogat e rritura sipas Ligjit të pagave i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019.

Arsyeja e kësaj shtyerje sipas Gjykatës ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.

Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme, thuhet në njoftim është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias.

Ligjin për paga, më 6 dhjetor të 2019 në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë. rel

Kosovë: 108 të infektuar me koronavirus – qeveria miraton paketë emergjente

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën edhe dy raste të reja të prekurve me virusin COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se njëri është nga Gjakova dhe ishte në kontakt me familjarët e tij të prekur më herët, ndërsa tjetri nga Prizreni, i cili është infektuar jashtë vendit.

Rastet e sotme e çuan në 108 numrin e përgjithshëm të të prekurve në Kosovë.

Deri tash në Kosovë është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga pasojat e virusit, ndërsa një pacient është shëruar.

Drejtori i departamentit për informim në ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se aktualisht në klinikën Infektive në Prishtinë janë 40 pacientë nga të cilët, 34 janë në gjendje të qëndrueshme ndërsa 6 prej tyre “kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, deri sot ka 3 infermiere të infektuara me Covid-19, prej të cilave dy janë të pranuara në klinikë për trajtim mjekësor, ndërsa njëra është e vet-izoluar në shtëpi”, shkroi ai.

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të penguar zgjerimin e infektimit dhe një varg masash që ishin përcaktuar më herët si mbyllja e shkollave, janë zgjatur deri më 6 prill.

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi një “Pakon Emergjente Fiskale” në vlerë prej 179.6 milionë eurosh, për të zbutur pasojat e situatës së krijuar nga pandemia.

Paketa do të mbështesë bizneset, pensionet, skemat sociale, komunat dhe do të sigurojë pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore. zëri i amerikës