VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Asnjë hap pas për çlirimin e Shqipërisë nga e keqja”, Basha rendit 20 rastet kur Rama duhet të ishte larguar

By | June 1, 2019

Komentet

KUSH E MBRON Z. AGRON TUFA DHE FAMILJEN E TIJ? Nga Frank Shkreli

Ja dhe lajmi i papritur, i çuditshëm, por edhe shqetësues.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se Agron Tufa, tani ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar azil politik në një vend të Europës.  “Azil politik”, është ky një term që nuk e kam dëgjuar për pothuaj 30-vjet tani, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Por, kur flitet për Shiqpërinë post-komuniste, asgjë nuk është dhe nuk duhet të na çudit –madje as të kërkuarit e azilit politik në vendet perëndimore nga shtetasit shqiptar, si dikurë në kohën e komunizmit, megjithëse është një rast tepër shqetësues.  Heshtja e autoriteteve ndaj faktit se Agron Tufa largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhet të shqetësojë të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë.

Për më tepër në këtë rast nuk kemi të bejmë me një shtetas të thjesht shqiptar, jo.  Është fjala për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, i cili deri dje kryesonte Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.  Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës, se kërkoi azil politik në një vend të Europës, “Për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës”

Me anë të një letre të cilën mund ta lexoni më poshtë, dërguar Kryetarit të Bordit të Institutit të lartëpërmendur, Uran Butka dhe përcjellë për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Z. Tufa ka paraqitur dorëheqjen e tij si Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, një detyrë kjo që ai e mbante ç’prej vitit 2010.   Që të jemi të qartë, duhet theksuar se Agron Tufa nuk ishte kryetar i ndonjë do si do organizate jo-qeveritare ose të ndonjë grumbullimi të ish-përndjekurish të regjimit komunist që politika dhe shoqëria shqiptare i injoron dhe i anashkalon, jo.  Ai ishte Drejtor i një enti shtetëror, i themeluar, i sanksionuar dhe financuar nga vet qeveria dhe shteti shqiptar, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Ai dhe familja e tij janë kërcënuar në kapacitetin e detyrës që ai ka mbajtur në një detyrë shtetërore.

Të rifreskojmë kujtesën se sipas legjislacionit shqiqptar, “Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”.   Sipas nenit 5, të Ligjit Nr. 10 242, datë 25.2.2010, Instituti, ndër të tjera: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit….”  Misioni i Institutit që drejtonte Agron Tufa ishte dhe është i qartë dhe i sanksionuar me ligj.  Sipas shumë vërejtësve, Agron Tufa e kryente detyrën e tij me përgjegjësi ndaj ligjit, me përpikëmëri morale dhe me ndershmëri akademike.   Atëherë ku qendron problemi me punën e bërë nga Z.Tufa dhe pse ai dhe familja e tij u kërcënuan me jetë nga individë të njohur ose të panjohur, disa në nivele të larta të pushtetit socialist.

Problemi është se një ndër pikat e misionit të Institutit Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është se këtij enti i kërkohet me ligj që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto të “vëjë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”, pikërisht nga personat që dikur ishin pjesë e organeve shtetërore në regjimin komunist — që mund të kenë kryer edhe krime kundër njerëzimit — e të cilët vazhdojnë edhe sot të mbajnë poste të larta në shtet dhe në qeverinë e qashtuquajtur “demokratike” të Republikës së Shqipërisë, madje edhe 30 vjet pas asaj që mendonim se ishte një “shembje” njëherë e mirë e komunizmit.

Agron Tufa thotë në letrën e dorëheqjes nga detyra e tij, se si përfundim i kërcënimeve kundër tij dhe familjes, ai sidomos këtë vit, “ishte vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.  Tufa shprehet se përball kërcënimeve të vazhdueshme dhe“Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, është shprehur Tufa në letrën drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit, Z. Uran Butka.  Mjafton të përmendet fakti se media të ndryshme kanë ndjekur, për pothuaj një vit tani, debatin e ashpër publik me ish Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, për të cilin thuhet se ka patur detyra të larta edhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe që vazhdon gjithnjë të ushtrojë influencë në Partinë Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste/Partisë së Punës si dhe në Kuvendin aktual të Shqipërisë, i dominuar nga kjo parti.

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë krimi nga Agron Tufa.  Kjo duhet të jetë puna e Prokurorisë dhe e enteve të tjera të drejtësisë, ashtu siç janë, fatrkeqsisht dhe jo e ndonjë “aparatçiku” komunist.  Por ajo që dihet është se ai nuk ka asnjë mbështetje nga askush.

Pa asnjë garanci mbrojtjeje nga autoritetet shqiptare, Agron Tufa detyrohet të kërkojë azil politik në Evropë për veten dhe familjen e tij.  E kush duhet ta mbrojë, në parim, Z. Agron Tufën dhe familjen e tij përball kërcënimeve serioze për jetë?  Ku është Kryeministri?  Ku është Ministri i Mbrendshëm.  Po ku është Prokuroria?  Po opozitën, çfarë e dallon nga pozita përsa i përket kërcënimeve ndaj Z. Tufa dhe familjes së tij.   Ndanë opozita të njëjtat vlera me pozitën në lidhje me këtë rast???   Në një vend normal, këta dhe zyrtarë të tjerë të lartë në pushtet do jepnin menjëherë dorëheqjen para një rasti të tillë mosveprimi e heshtjeje.  Po ku është Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi ligjin në bazë të cilit veproi Z. Tufa???  Z. President?

 Askush nuk reagon!  Shteti heshtë, qeveria heshtë opozita heshtë, mediat e mëdha heshtin, organizatat jo qeveritare heshtin.   Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka gjë të thotë për të drejtat e njeriut për Z. Agron Tufën?  Po mbrojtësit e fjalës së lirë në Shqipëri, ku janë, pse nuk flasin?   Po ndërkombëtarët ku janë, të cilët nuk lënë gjë pa reaguar në Shqipëri?  Ku jeni përfaqsues të Perenëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni????   Po Diaspora, sidomos ajo në Amerikë, ku është, pse nuk flet, si individ, si organizata, a po në terësi???  Ku janë akademikët shqiptarë, anë e mbanë trojeve?  Një papërgjegjësi e tmershme morale e kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror e familjes së tij – me ndonjë përjashtim të vogël, aty këtu!

 

Bravo Gentiana Sula dhe Jonila Godole!   Znj. Gentiana Sula, Shefe e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shprehu keqardhjen e saj për largimin e Agron Tufës nga atdheu për të kërkuar azil politik në Evropë përballë kërcënimeve për jetën e tij dhe të familjes sës tij, ndërkohë që shprehu shqetësimin e saj për mosveprimin e ligjeve dhe të organeve të shtetit, në këtë rast.  “Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin.  Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.”, ka shkruar Znj. Gentiana Sula në faqen e saj të internetit.   Edhe anëtarja e Bordit të të Përndjekurve Politikë, Znj. Jonila Godole ka komentuar rastin e Agron Tufës, si një zë kritik ndaj qeverisjes aktuale që u detyrua të largohej, duke shtuar se “Fatkeqsisht, Shqipëria i është rikthyer, sërish trashëgimisë të kalbur komuniste, që katandisi Shqipërinë sërish në një vend mono-partiak”.

 

Në mungesë të reagimeve të autoriteteve shqiptare dhe të organizatave jo-qveritare në Shqipëri përball kërcënimeve ndaj jetës së Agron Tufës dhe familjes së tij, reagoi Platforma Evropiane e Kujtesës dhe e Ndërgjegjës (PEMC), duke shprehur shqetësimin e kësaj organizate evropiane ndaj trajtimit të Agron Tufës:  “PEMC mësoi me shqetësim të madh për kërcënimet që i janë drejtuar Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.  Platforma u bën thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij dhe të sigurojnë punën e Institutit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në Deklaratën e Paltformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjës(PEMC).

 

Po, në mungesë të mbrojtjes nga autoritetet shqiptare dhe përball kërcënimeve të reja, madje edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, kush do e garantojë sigurinë e Agron Tufës dhe të familjes së tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Evropë ku po kërkon azil politik?  Është shumë vështirë të shihet, nën këto rrethana, se kush do t’i dalë në mbështetje për t’i garantuar sigurinë Z. Agron Tufa dhe familjes së tij.

 

Frank Shkreli

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të skanuar të Agron Tufës drejtuar Kryetarit të Bordit të ISKK, me dijeni për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Znj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i sapovotuar

Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku. 

Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.

PROFILI

Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.

Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.

Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.

Olsian Çela zgjidhet Kryeprokuror i Republikës së Shqipërisë

“Kuvendi” ka zgjedhur sot Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm, Olsian Çela, me 101 vota pro 2 kundra 10 abstenim, Çela u miratua kryeprokurori i ri.

Ai do te beje betimin ne Parlament ne fund te seances plenare. Nderkohë Çela ishte i pranishëm në lozhën e Kuvendit ku ndoqi nga afër votimin e Kuvendit.

 

Arta Marku mori 11 vota pro, 22 kunder, 78 abstenim dhe 2 nuk kane marre pjese ne votim.

 

Fatjona Memcaj mori 8 pro, 6 kundër 87 abstenim dhe 3 s’kanë marrë pjesë në votim.

Udhëheqësit e Natos: Samiti i Londrës, një sukses

Udhëheqësit e NATO-s lanë mënjanë fyerjet publike me fjalë si “kriminale”, “vdekje klinike”, apo “dyfytyrësh”, duke deklaruar të mërkurën se do të qëndrojnë të bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët nga Rusia dhe në përgatitje të rritjes së Kinës.

Zyrtarët këmbëngulën se samiti ishte një sukses: më e rëndësishmja, Presidenti turk Tayip Erdogan u tërhoq nga kërcënimi për të bllokuar planet e mbrojtjes së Evropës Veriore dhe Lindore, me kusht që aleatët t’i shpallin si terroristë luftëtarë kurdë në Siri.

Megjithatë, takimi filloi dhe mbaroi me tensione që mund të quhen befasi edhe në epokën e një presidenti amerikan si Donald Trump, i cili kur arriti e cilësoi si “të pasjellshëm” presidentin francez dhe u largua duke e quajtur kryeministrin kanadez “njeri me dy fytyra”, pasi ky u filmua duke e ironizuar presidentin amerikan.

“Ne ishim në gjendje t’i kapërcenim mosmarrëveshjet dhe vazhdojmë të përmbushim detyrat tona kryesore për të mbrojtur njëri-tjetrin,” tha me tone si gjithnjë optimiste Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Në një deklaratë të përbashkët, 29 udhëheqësit e aleancës thanë: “Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne”.

Samiti gjysmë ditor në një vendpushim golfi në periferitë e Londrës me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, gjithnjë pritej të ishte i komplikuar, por zyrtarët shpresonin të shmangnin kritikat e befta si ato në takimin e tyre vitin e kaluar kur Presidenti Trump u ankua për aleatët që nuk ndanin barrën e sigurisë kolektive.

Takimi i këtij viti u bë edhe më i vështirë për shkak të presidentit Erdogan, i cili nisi një inkursion në Siri dhe bleu raketa ruse megjithë kundërshtimet e aleatëve, si dhe nga deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një intervistë muajin e kaluar e përshkroi aleancën si në “vdekje klinike”.

Në publik gjërat dukej se po shkonin më keq sesa pritej, duke filluar nga dita e martë, kur Presidenti Trump i quajti komentet e zotit Macron “shumë, shumë të pasjellshme” dhe i përshkroi aleatët që shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen si “kriminalë”, koment që sipas zyrtarëve, Presidenti Trump e përdori përsëri të mërkurën pas dyerve të mbyllura gjatë samitit.

Trump Erdogan

Ndërkaq, Presidenti i SHBA e quajti Kryeministrin kanadez Justin Trudeau si “njeri me dy fytyra” pasi ky i fundit u kap në kamera të martën mbrëma duke ironizuar një konferencë shtypi të Presidentit Trump.

Incidenti ndodhi gjatë një pritjeje në Pallatin Buckingham, pasi zoti Trump kishte kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë kur iu përgjigj gazetarëve në prag të samitit të NATO-s.

Macron, Trudeau, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Kryeministri hollandez Mark Rutte u filmuan duke biseduar në pritje, së bashku me vajzën e mbretëreshës Elizabeth, Princeshën Anne.

“A është kjo arsyeja pse u vonove?” e pyeti Kryeministri Johnson Presidentin Macron.

“.. Ishte si një konferencë shtypi 40-minutëshe. Po, po, po! Dyzet minuta,” tha Trudeau.

Të pranishmit shkëmbyen edhe fjalë të tjera por që nuk u kapën nga mikrofoni i kamerës.

Pastaj, Trudeau shtoi me të qeshur: “Po shihja se si ekipi i tij i këshilltarëve mbeti i shtangur.”

I pyetur të mërkurën për komentet e zotit Trudeau, Presidenti Trump u përgjigj: “Ai është me dy fytyra.”

Zoti Trump la të kuptohet se Kryeministri Trudeau ishte i mërzitur pasi ishte kritikuar prej tij që nuk kishte përmbushur objektivin e shpenzimit të 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen.

Në një konferencë shtypi pas samitit, Trudeau tha se fjalët e tij që “këshilltarët shtangën” kishte të bënte me njoftimin e papritur të Presidentit Trump se samiti tjetër i G7 do të zhvillohet në Camp David dhe se ai nuk e kishte thënë këtë në formë fyese.

“Kemi pasur një takim të shkëlqyer dje mes meje dhe presidentit,” deklaroi Trudeau.

Presidenti Trump vendosi të mos mbajë një konferencë përfundimtare për shtyp, duke thënë se kishte folur mjaft.

HUAWEI DHE RREZIQET E SIGURISË

Megjithë mosmarrëveshjet, zyrtarët thanë se ishin arritur vendime të rëndësishme, përfshirë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e komunikimeve, përfshirë rrjetet e reja të telefonisë celulare G5.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që aleatët të mos përdorin pajisje të firmës kineze Huawei, prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë. “Unë mendoj se është një rrezik sigurie,” tha Presidenti Trump në përgjigje të një pyetje për Huawei-n.

“Fola me Italinë dhe duket se ata nuk do ta vazhdojnë planin për blerjet nga Huawei. Kam folur edhe me vendet e tjera, edhe ata nuk do të vazhdojnë të blejnë,” tha ai.

Ndërkaq, Presidenti Macron u qëndroi kritikave të tij të mëparshme ndaj strategjisë së NATO-s, duke thënë se është e rëndësishme që udhëheqësit t’i diskutojnë problemet të hapur nëse duan të gjejnë zgjidhje.

“Mendoj se është përgjegjësia jonë të nxjerrim në pah dallimet të cilat mund të jenë të dëmshme dhe kështu të kemi një debat të vërtetë strategjik,” tha ai.

“Kjo ka filluar, kështu që unë jam i kënaqur”, shtoi presidenti francez.

Një nga ankesat kryesore të zotit Macron është se Turqia, anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe aleate me rëndësi në Lindjen e Mesme, po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë të njëanshme, duke filluar me inkursionin e saj në Siri dhe me blerjen e raketave anti-ajrore ruse S-400.

Në komentet e tij për shtypin, shefi i NATO-s Stoltenberg tha se ndërsa Rusia ishte një kërcënim, NATO-ja gjithashtu dëshiron të sigurojë një dialog konstruktiv me të. Ai shtoi se Sistemi S-400 nuk përputhet në asnjë mënyrë me mbrojtjen e NATO-s.

Franca dhe Gjermania gjithashtu morën mbështetje për një rishikim strategjik të misionit të NATO-s. Aleanca do të krijojë një “grup personash të mençur” për të studiuar se si duhet të ripozicionuar aleanca në të ardhmen. Kjo mund të përfshijë zhvendosjen e operacioneve të saj nga Evropa Lindore drejt kërcënimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Samiti u zhvillua ndërsa Presidenti Trump përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikën e tij për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Donald Trump nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën renë e fajësimit. Në vitin 1974 Richard Nixon shkoi në takimin e 25-vjetorit të NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për procesin e shkarkimit. Nixon dha dorëheqjen pak javë më vonë. zëri i amerikës

“Ne jemi unik si kurrë më parë”, Ramush Haradinaj: Të bashkuar nuk ka tërmet që në ligështon!

PRISHTINË

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në Prishtinë, ku i pranishëm është edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili ka udhëtuar sot drejt Prishtinës për të vlerësuar punën e FSK-së së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit theksoi faktin se kur Kosova dhe Shqipëria janë bashkë nuk ka tërmet që i ligështon shqiptarët.

Më tej, Ramush Haradinaj tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë më terrin e vetmisë së madhe dhe kjo sipas tij, u faktua nga ndihmat dhe solidariteti që treguan shumë vende të rajonit, por jo vetëm.

“Ne nuk jemi në dimrin e vetmisë së madhe. Na erdhën në ndihmë shumë miq, dhe kjo është një rrugë e duhur se ne jemi të rreshtuar në drejtimin e duhur. Pasi i qajtëm dhe i varrosëm njerëzit tanë, tani nis beteja e vërtetë për të gjallët. Ne jemi  unik si kurrë më parë, të majtë dhe të djathtë, të ngrihemi mbi interesat dhe të punojmë për ta. Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha resurset që në orët e para të 26 nëntorit fatal. Vetëm kjo Kosovë na bën më të vlefshëm për Shqipërinë dhe për rajonin, SHBA, NATO. Të bashkuar  nuk ka tërmet që në ligështon. Urime për 107-vjetorin e Forcave të Shqipërisë.”-tha ai.

Meta falënderon Kosovën: Themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh prekës, teksa po merr pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, Kreu i Shtetit theksoi se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

Gjithashtu, Meta falënderoi vendin e dytë të shqiptarëve edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se “Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre”.

Mesazhi i Metës:
Nuk ka emër dhe vlerësim më të mirë, sesa “shpëtimtarë” për të gjithë ju të FSK. Do donim t’i festonim festat e nëntorit së bashku, por ja që nuk ishte e thënë. Megjithatë, edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas, na gjeti të përbashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë, të gjithë shqiptarëve, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta.

“Kush shpëton jetë, shpëton një botë të tërë”, ka thënë Nënë Tereza. Ju shpëtuat shumë jetë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

(BalkanWeb)M

Lorik Cana nga Amerika, thirrje për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti (video)

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në ShBA ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë vdekje. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë. Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Në Detroit, gazetari i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli bisedoi me futbollistin, i cili ndër të tjera porositi shqiptarët që të jenë po të bashkuar kurdo dhe kudo që ndodhen.

Ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, e kishte planifikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.

“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për Zërin e Amerikës.

Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.

“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.

Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.

“Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla”.

Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.

“Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do evidentojmë shtëpi, ose do të evidentojmë shkollë ose kopsht që do të ketë nevojë për rindërtim dhe do t’a bëjmë drejtëpërdrejtë me fondacionin tim”.

Ylli i kombëtares shqiptare në futboll thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi.

“Unë jam shumë i bindur që do i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë dhe do të ringrihemi. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Problemi tek ne shqiptarët qëndron tek momenti kur gjendja qetësohet, rikthehet një llojë normaliteti. Gjithë fokusi për të ndërtuar shoqërinë tonë mbarë-kombëtare, humbet, sepse atëherë ne fillojmë të mendojmë vetëm si individ, vetëm si grupacione dhe vetëm si parti politike”, tha Cana për Zërin e Amerikës.

Mesazhi i tij në këtë intervistë për Zërin e Amerikës është që fryma bashkëpunuese të shoqërojë shqiptarët, kurdo dhe kudo që ndodhen.

“Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar tek gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Besimit ndaj Zotit nuk mund t’i kthehemi vetëm kur gjendja është e vështirë, kur jemi të sëmurë, kur kemi fëmijë të sëmurë, kur ndodh një tragjedi, kur humbim një person. Besimi ndaj Zotit është për çdo ditë. Duhet të falenderojmë zotin çdo ditë, duhet të besojmë Zotin çdo ditë, atdhedashuria është njësoj. Ne nuk mund të ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë, sepse në shumë raste ajo që na çon deri në këto ngjarje është pikërisht sepse gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat e duhura”, tha ai gjatë vizitës së tij në Michigan.

Ashtu sikur Lorik Cana, edhe personalitete tjera të njohura të sportit e kulturës kontribuan për grumbullimin e fondeve për të prekurit e tërmetit.

Gjonaj: “Jeta e Shqipërisë ka ndryshuar nga tërmeti”

Ilirian Agolli

Anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, tha nga Tirana se “Diaspora është thesari i Shqipërisë”.


Ai i bëri këto komente në një intervistë për “Zërin e Amerikës” nga Shqipëria, që po e viziton prej disa ditësh për shkak të tërmetit.

“Ndihma jonë nga SHBA është një dëshmi se kush jemi ne. Ne kurrë nuk e harrojmë vendlindjen, ne kurrë nuk do ta harrojmë mëmëdheun – tha zoti Gjonaj.

Veprimtari i njohur komunitetit shqiptaro – amerikan tha se ishte mjaft i prekur nga pamjet dhe pasojat e rënda në njerëz dhe objekte, që shkaktoi tërmeti.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë ato imazhe me humbje jetësh. Pastaj ishte një humbje e madhe pasurish dhe shtëpish. Të gjithë këto familje kanë nevojë për ndihmë, për një shtëpi apo një strehë mbi krye” – tha zoti Gjonaj.

Ai theksoi se detyra më e ngutshme është kapërcimi i traumës së fëmijëve. Ata janë më të dëmtuarit dhe kthimi i tyre në normalitet është puna më e vështirë.

“Jeta në Shqipëri ka ndryshuar pas këtij tërmeti. Ju lumtë atyre shqiptarëve që dhurojnë fonde në SHBA dhe vende të tjera. Ndihma nevojitet të jetë sa më e gjatë, sepse nevoja për fonde ndihmëse ka për të qenë shumë e gjatë” – tha zoti Gjonaj për “Zërin e Amerikës”.

Bie bora e parë, ja aksi që u zbardh nga reshjet, kujdesi që duhet treguar

Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi për mediat lajmëron se ka rënë bora e parë për këtë vit në vendin tonë.

ARRSH thotë se bora e parë ka rënë në Qafë Mali të Fierzës. Po ashtu, ARRSH shprehet se të gjithë qytetarët ëqë lëvizin në këtë aks rrugor, duhet që të kenë kujdes, pasi terreni paraqitet problematik.

Njoftimi i ARRSH:

Filluan reshjet e para për këtë vit 🌨

👉Pamje përgjatë aksit Qafë Mali-Fierzë, trashësia momentalisht ka arritur në 10 cm.

❄️ Sapo filluan reshjet, u morrën menjëherë masat e para 👨‍🔧të mirëmbajtjes dimërore 🚜 nisi puna për pastrimin dhe hedhjen e kripës.

⚠️Automjetet që zgjedhin të kalojnë këtë aks të tregojnë kujdesin e duhur, të reduktojnë shpejtësinë 🚘 dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit ✳️

Childe Harold/ Shtegtimi i polifonisë shqiptare në Europë përmes Bajronit – Dr Dorian Koçi

Historia e ringjalljes së popujve dhe kombeve të Ballkanit, nuk mund te kuptohet pa kontributin e elitave evropiane, të cilat në një moment të caktuar të historisë kulturore së Europës, siç  ishte Romantizmi, u përfshinë drejtë për së drejtë ose tërthorazi në mesazhet kulturore të ringjalljes së Greqisë Antike, Epirit dhe Maqedonisë. Një nga figurat evropiane që pati një ndikim të madh në Romantizëm por edhe në kontaktet kulturore midis botës evropiane dhe botës orientale ishte poeti anglez Xhorxh Bajroni(1788-1824). Vizita e tij në Shqipëri, Prevezë, Janinë e Tepelenë la gjurmë të pashlyeshme edhe në elitat nacionaliste shqiptare në momentet kur nisi zgjimi kombëtar shqiptar dhe përjekjet për të themeluar shtetin kombëtar shqiptar. Në mungesë të një kulture të teksteve të shkruara ose të egzistencës së pakët të tyre, elitat evropiane promovuan etnografinë, kostumografinë dhe folklorin e këtyre vendeve. Këtë dukuri nuk do ta linin pa përmenduar edhe aktivistë kulturorë të zgjimit kombëtar shqiptar por dhe vlerësimin të vetive të shqiptarëve nga këto elita evropiane.

Në këtë kontekst, Faik Konica, në gazetën e vet “Albania”, kur do të shkruante për vizitën e Xhorxh Bajronit në Shqipëri në 1809, në artikullin “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, do të përmendte dhe faktin e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara dhe me vargjet e tyre.  “Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]

Kënga e parë:  “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme  / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?

Kënga e Dytë:
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .” (Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016, fq 248)

Këto dy këngë  mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë mbledhur në bregdetin shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:

Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,

Si mundet ta lënë të gjallë armikun?

Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,

Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 79, vargjet 660, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Kënga labe e këtyre viseve perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit  dhe detit Jon të Himarës gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.

Në çdo ngjarje të rëndësishme të kombit, kënga labe do të jetë e pranishme duke regjistruar me timbrin e saj të veçantë njerëz, data e personazhe historikë.  A nuk është i mrekullueshëm fakti se Bajroni që regjistron këngë labe dhe ia përcjell miqve të tij si melodi dhe i shkruan në një tekst për ti memorizuar përherë, të kthehet vet në një personazh të një kënge labe, kur me pak rreshta përjetësohet dhe portretizohet si rrallëkush personalitet i huaj në etno kulturën shqiptare.

“Lord Baroni ill i rrallë,

Që kish mik Ali Pashanë,

Shkoi e luftoi për Elladhë,

Po trimat i kish shqiptarë,

Si besnikë e kordhëtarë.”

(Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991, fq 814)

Mbledhja e vargjeve popullore shqiptare dhe përdorimi i ritmit të tyre në poezinë e tij është një eksperincë që Bajroni e përjetoi gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri e Greqi. Po a mundet vallë që Bajroni ta njihte një pjesë të kulturës shqiptare para se të vinte në Shqipëri? Në shënimet e Kantos II të “Shtegtimeve të Childe Harold”, Bajroni përmend historianin Edëard Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe deputet në Parlamentin Anglez. Vepra e tij më e rëndësishme, “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për informacionin e ngjeshur historik, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj miteve historikë. Gibbon ishte i pari që përdori shprehjen për “Shqipërinë si një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”( Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi) . Të gjithë udhëtarët angleze të shekullit të XIX i referoheshin këtij teksti sa herë që vizituan Shqipërinë, përfshirë dhe Bajronin. Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, kur këtij sulltani i duheshin edhe 9 vjet të vinte në pushtet. Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, i ati i Skënderbeut. Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”. (Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Por pavarësisht këtyre vlerësimeve rreth Skënderbeut, Edëard Gibbon është në të njëjtën kohë dhe hartuesi i parë i tezës së kotësisë së rezistencës së Skënderbeut kundër osmanëve , pasi merr në analizë ngjarjet që pasuan pas vdekjes së tij; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” .( Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vargjet e Këngës II, të “Shtegtimeve të Child Haroldit”, Bajroni nuk shpreh asnjë vlerësim të tillë, por përkundrazi që vargjet hyrëse të shtegtimit në Shqipëri shprehet me nderim dhe nganjëllim poetik për Skënderbeun.

O Shqipëri ku lindi Iskanderi,

Këngë e rinisë, fanar i të urtëvet,

Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi

Përherë armiqtë me kordhën e tij kreshnike…

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Në shënimet e këngëve duket se Bajroni ka një informacion të pasur rreth Shqipërisë, heronjve të vjetër të antikitetit të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe disa traditave dhe zakoneve të këtyre territoreve. Në shënimet e vargut Ku lindi Iskanderi ai pasi jep kuptimin e emrit Iskander shkruan se Aleksandri i Madh lindi në Pellë të Maqedonisë po duke qenë në kufi me Ilirinë, edhe ng fakti se , e ëma, Olimpia qe nga shtëpia mbretërore e Epirit, mjafton të justifikohet e thëna poetike se lindi në Shqipëri. Veç kësaj historiani Gibbon e quan të këtillë tok me Piron, kur flet për veprat e tyre luftarake(.Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207,përkthyer nga Skënder Luarasi). Po kështu në shpjegimet e vargut tjetër, Bajroni e baravlerëson heroin tonë Kombëtar kur shkruan Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbej, d.m.th princ Aleksandër.(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207 , përkthyer nga Skënder Luarasi).

Por nga mund të ishte i influencuar Bajroni në admirimin  e tij për  Skënderbeun? Ndoshta një njohje tjetër tekstuale dhe burimi historik që nuk e përmend në shënimet e “Shtegtimeve të Child Harold” ai mund të ketë pasur nga vepra e një figurë tjetër emblematike e kulturës angleze, Edmund Spenser dhe botimi i “Historisë së Skënderbeut” të Barletit në anglisht.  Bajroni njihet si mjeshër i vargëzimit në gjuhën angleze. Ai ringjalli dhe risolli sërish në poezinë angleze strofën Spenseriane, të cilën e përdori kur shkruajti “Shtegtimet e “Childe Haroldit”. Strofa Spenseriane përbëhet  prej nëntë rreshtash: tetë rreshta janë vargje jambike që ndiqen nga një varg i vetëm aleksandrin në heksametër jambik. Rima e strofës Spenseriane është “ababbcbç.” Këtë strofë Edmund Spenseri(1552-1599), poeti më i madh i periudhës Elisabetiane në letërsinë angleze,  e përdori kur shkruajti “The Faeire Queene” (“Mbretëresha e zanave”), poema glorifikuese për Mbretëreshën Elisabetë, ku në disa vargje ai përmend dhe veshjen tradicionale shqiptare. Në këngën e tretë, kreu XII, vargu i 10-të, Spenseri e vesh mbretëreshën Elisabeta me fustan që mëngët i varen në mënyrë arbëreshe” (“Sleeves dependant albanese iyse”). Është po prapë Edmund Spenseri i cili shkroi një sonet që përmend më 1596 nga Zachary Jones kur botoi anglisht përkthimin e historianit frëng J.Lavardin “Historia e Gjergj Kastriotit, të mbi-emëruar Skënderbe”. Botimin anglisht të këtij libri, Jones e përcolli me një sonet për Skënderbenë.(S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128). Në mënyrë të çuditshme kostumi popullor shqiptar ka shtegtuar deri në Britaninë e largët nëpërmjet stratiotëve shqiptarë, luftëtarëve të vënë në shërbim të Henrit VIII, babait të Elisabetës I. Henri VIII , Mbreti i Anglisë pajtoi nën shërbimin e tij stratiotë shqiptarë dhe grekë(këta të fundit ishin në tërësi arvanitas) gjatë betejave me Mbretërinë e Skocisë në 1514.

Bajroni si një ripërtëritës i strofës Spenseriane padyshim që e ka lexuar krjimtarinë e Edmund Spenser dhe libra të tjerë që kanë qarkulluar në Angli ku përmenden shqiptarët. Egzistenca e tyre dhe e njohje mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e dëshmon tërthorazi dhe një shënim i  Mbretëreshës Elisabet I, në librin e vet të lutjeve më 17 janar 1559, se këtë ditë vdiq Princi i mirë Skënderbe mbret i Epirit dhe nganjëllimtar mbi osmanët. Duket se për Mbretërëshen Elisabet I, Skënderbeu është një hero i Europës.

Vizita e Bajronit në Shqipëri do ti përforconte kontaktet , njohjet dhe dijet rreth vendit. Polifonia labe do të ishte një element që do ta habiste për variacionin dhe tingujt dhe zërat e saj do t’i bënte pjesë organike të veprës së vet poetike. Në vargjet 71 të Këngës së II , Bajroni do të shkruante:

Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,

darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;

Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,

Ju muar mentë fare nga ajo pamje;

Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,

Përcjellësit ia nisën këngës tyre;

Çdo Palikar e flaku tutje shpatën

Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,

Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Ndonse Shqipëria dhe shqiptarët nuk patën fatin që të kishin të botuar një përmbledhje të këngëve të vjetra të tyre si patën fatin grekët me botimin e Claude Fauriel në 1824  “Chants populaires de la Grèce moderne” apo vet serbët me folkoristin e tyre Vuk Karaxhiç me dy volumet e “Këngëve Popullore Serbe” në 1814-1815, teksti i Childe Haroldit, shënimet e tij dhe “Turkish Tales”, ku shfaqen personazhe dhe subjekte të influencuara nga qendrimi me shqiptarët në Pashallëkun e Janinës dhe në Greqi, luajtën rolin e një parateksti që krijoi një imazh të caktuar për Shqipërinë dhe shqiptarët në Evropë. Në mënyrë të tërthortë folklori dhe etnografia shqiptare u bënë pararendëse të përfaqësimit të shqiptarëve në një tekst të letërsisë botërore dhe për këtë arsye Kënga e II e Childe Haroldit mund të konsiderohet edhe si një tekst ku gëlojnë meloditë e ritmet e këngës labe.

Bibliografia:

1-   Astrit Lulushi, “Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut”, Radio Zëri i Amerikës.

2-   Bajron. Çajld Harold. Shtëpia Botuese: Naim Frashëri, Tiranë: 1973

3-   Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016

4-   Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991

5-   S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967

Nga Dr Dorian Koçi

E trishtë- Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër, u kërcënua me jetë

Agron Tufa, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), ka kërkuar azil politik në Zvicër, për shkak të pasigurisë për jetën e tij dhe të familjes së tij në Shqipëri.

Burimeve të besueshme konfidenciale thanë për Gazeta “Minerva”, se Tufa ka kërkuar zyrtarisht strehim politik ne shtetin e Zvicrës dhe aktualisht ndodhet familjarisht i strehuar, në një nga qendrat për azilantë politikë te këtij shteti.

Nga Zvicra, ai ka dhënë dorëheqjen si drejtor i ISKPK, nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues te ISKPK, Uran Butka.

Prej disa kohësh, Tufa dhe instituti që ai drejton ishin vënë nën shënjestrën e goditjeve dhe sulmeve të mazhorancës. Ai u kërcënua dhe u fye publikisht në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i qeverisë Spartak Braho, ish-hetues e gjykatës i diktaturës komuniste.

Politikanë e zyrtarë të lartë të shtetit kanë ngritur një sërë padish ndaj tij.

Tufa ishte kërcënuar disa herë me jetë dhe i ka publikuar kërcënimet dhe në media.

Kosova del nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë, i bashkohet Shqipërisë

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) nënshkruan të hënën në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një komunikatë për publikun, KOSTT tha se marrëveshja u nënshkrua me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

“Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, citohet të ketë thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë, Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS) dhe bëhet pjesë e OST-së.

“Kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in, meqë, deri më tani, ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Serbisë (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut). Tani, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST-in dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST-në e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Shala.

Skerdi Drenova, administratori i përgjithshëm i OST-së, tha se kjo marrëveshje krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda bllokut.