VOAL

VOAL

Arrestohet zyrtari i Agjencisë ruse Roscosmos me akuzën për “tradhti”

July 7, 2020

Komentet

Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e presidentit Vladimir Putin si lider “legjitim” të shtetit, pas zgjedhjeve të fundjavës që “nuk kanë asnjë rëndësi”.

Duke folur për mbështetësit e saj, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, më 19 mars, Navalnaya ka bërë thirrje që të mos ketë dorëzim në të bërit opozitë ndaj Putinit, i cili lehtësisht i ka fituar më shumë se 87 për qind të votave në mungesë të rivalëve pasi ata janë burgosur, ose u është ndaluar gara.

“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk kanë asnjë kuptim. Putini dëshiron t’i tregojë botës se ka shumë mbështetje”, ka thënë Navalnaya.

“Këto zgjedhje janë kryer, por asgjë nuk është përfunduar. E kundërta, ne duhet të mbledhim forcën dhe të punojmë më fortë sesa më parë”, ka shtuar ajo.

Putin e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër, prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

Në video, Navalnaya i ka lavdëruar rusët që kanë marrë pjesë në protestën e 17 marsit, që është organizuar nga ndihmësit e Navalnyt në Rusi dhe vende tjera.

Ajo aktualisht është duke jetuar jashtë Rusisë, mirëpo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj “për një Rusi të mrekullueshme në të ardhmen”.

Burri i saj, Aleksei, ka vdekur më 16 shkurt, në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, në rrethana të dyshimta.

Navalnaya dhe shumë qeveri perëndimore e fajësojnë Putinin për vdekjen e kritikut të Kremlinit.REL

Shembet miniera e arit në Rusi, bllokohen minatorët

Trembëdhjetë minatorë u bllokuan pas shembjes së galerisë në një minierë ari në rajonin Amur të Rusisë.

“Po rikthehen komunikimet dhe po kryhet pastrimi i mekanizuar i shpatit të malit”, bëri me dije Ministria e Emergjencave në rrjetet sociale.

Aksidenti ndodhi në minierën Pioneer, një nga minierat më të mëdha të arit në Rusi bazuar në kapacitetin e përpunimit. Miniera ndodhet në rajonin Amur të Siberisë Lindore që kufizohet me Kinën në jug.

Miniera është në pronësi kompanisë ruse Petropavlovsk, e cili në vitin 2022 u paraqit për administrim pasi sanksionet perëndimore ndaj Gazprombank, huadhënësi i saj kryesor dhe blerësi i vetëm i arit të tij, e lanë atë në vështirësi për të shlyer borxhin.sn

Manipulimi masiv- Zbulohet mega-mashtrimi elektoral i Vladimir Putinit

BILD

Putini mashtroi! Për më tepër, fitorja e tij rekord në zgjedhje bazohet në një manipulim të paprecedentë zgjedhore. Kjo e provuar!

Një gjë të tillë e dëshmon hulumtimi i gazetës kritike ndaj Kremlinit, Novaya Gazeta.

Moska ka raportuar një fitore të madhe për Vladimir Putinin: një pjesëmarrje në votime prej 77.4 përqind, me një rezultat zgjedhor prej 88.5 përqind.

Ky do të ishte një rezultat i jashtëzakonshëm për sundimtarin, edhe nëse merret parasysh manipulimi klasik zgjedhor: kundërshtarët e Putinit u përjashtuan nga votimet, propaganda shtetërore trumbetonte mbështetjen për shefin e Kremlinit.

Por u desh më shumë se propaganda për të arritur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve. Kremlini thuhet se ka fabrikuar dhjetëra milionë fletë votimi, transmeton Novaya Gazeta.

Kritikët e Kremlinit shqyrtuan pjesëmarrjen e votuesve dhe rezultatet e zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit. Ata përdorën një metodë matematikore për të përcaktuar nëse kishte ndodhur falsifikimi.

Ata vunë re diçka të pazakontë- një anormali statistikore: Putini kishte arritur rezultate jashtëzakonisht të larta në qendrat e votimit me pjesëmarrje shumë të lartë të votuesve. Por sipas mësimeve statistikore, kjo është pothuajse e pamundur.

Kështu funksionoi mashtrimi i Putinit

Në një palë zgjedhje normale, nuk duhet të ketë asnjë lidhje mes pjesëmarrjes së votuesve dhe mbështetjes për një kandidat. Me fjalë të tjera: Putini duhej të arrinte rezultate të ngjashme si në qendrat e votimit me pjesëmarrje të ulët, si në vendet me pjesëmarrje të lartë.

Sipas Novaya Gazeta dhe ekspertëve rusë të statistikave, fakti që Putini arriti rezultate të forta në vendet me pjesëmarrje të lartë, dëshmon manipulimin zgjedhor. Rezultati rekord thuhet se është arritur me fletët fiktive të votimit që janë hedhur në disa vendvotime.

Kjo e ndihmoi Putinin, por gjithashtu e bëri manipulimin e tij të gjurmueshëm.

Ekspertët thonë se në të gjitha vendvotimet me pjesëmarrje dhe miratim të lartë për Putinin, fletët e votimit kanë qenë fiktive.

Konkluzioni i raportit është se Putini ka marrë të paktën 31.6 milionë vota përmes manipulimit, nga 76.2 milionë në total.

“Ky është një nivel rekord i manipulimit të votuesve në zgjedhjet presidenciale të Rusisë,” thanë ekspertët.

Putinit i nevojitej një rezultat rekord në këto zgjedhje për t’i treguar popullit të tij se sa e madhe është mbështetja e tyre për të, pavarësisht luftës.

Në vitin 2022, Rusia pushtoi Ukrainën dhe donte ta nënshtronte vendin brenda disa ditësh. Plani nuk funksionoi. Ushtria ruse është ende duke luftuar në Ukrainë dhe kohët e fundit ishte në gjendje të pushtonte disa qytete në Donbas.

I paparë prej vitesh, i nxehtë rekord në Brazil, temperaturat 62 gradë

Brazili është goditur ditët e fundit nga një valë i nxehti, i cili nuk ishte regjistruar në vend prej shumë vitesh, dhe që ngre edhe njëherë alarmin për ndryshimet klimaterike me ritme të shpejta që po pëson planeti ynë.

Mëngjesin e së dielës, Rio de Janeiro vendosi rekordin e temperaturës, ku termometri shënoi 62.3 gradë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në metropolin brazilian që kur filluan matjet.

Meteorologët parashikojnë se i nxehti përvëlues do të vazhdojë të paktën deri të mërkurën, dhe për këtë arsye qytetarëve iu kërkohet që të shmangin lëvizjet e panevojshme.sn

Putini, “askush nuk do të na frikësojë”

Putini duke folur në selinë e tij të fushatës në Moskë pas zgjedhjeve

 Presidenti rus iu drejtua kombit pas rezultatit të zgjedhjeve, duke e quajtur vdekjen e Navalny një ‘ngjarje të trishtueshme’

VOAL- “Rezultati i zgjedhjeve përfaqëson besimin e plotë të qytetarëve se do të bëjmë gjithçka ashtu siç është planifikuar”. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili në fakt tashmë është rizgjedhur, tha kështu të dielën në mbrëmje, duke folur nga selia e tij e fushatës në përfundim të zgjedhjeve. Putin shprehu gjithashtu falënderime për ushtarët që luftojnë në Ukrainë.

Presidenti, i cili po përgatitet të fitojë mandatin e tij të pestë, nënvizoi më pas se fitorja e tij në zgjedhje do t’i lejojë Rusisë të konsolidojë shoqërinë dhe të bëhet “më e fortë dhe më efektive”. “Askush nuk do ta shtypë kurrë Rusinë kur ne jemi të konsoliduar, ne jemi një familje e bashkuar”, shtoi ai.

“Pavarësisht se sa u përpoqën të na trembnin, të shtypnin vullnetin tonë, ndërgjegjen tonë, askush nuk ia ka dalë kurrë në histori. Ata kanë dështuar tani dhe do të dështojnë në të ardhmen”, nënvizoi ai, në mes brohoritjeve të mbështetësve të tij. “Fitorja ime,” thotë ai, “tregon se Rusia kishte të drejtë që zgjodhi rrugën e saj aktuale”. Së fundi, gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi vdekjen e kundërshtarit të tij Alexei Navalny në burg rreth një muaj më parë si “një ngjarje të trishtueshme”, duke thënë se ai kishte pranuar tashmë mundësinë e një shkëmbimi midis Navalny dhe rusëve të burgosur në vendet perëndimore, me kusht që se kundërshtari i tij të largohej përgjithmonë nga Rusia. rsi-eb

Rusi, votuesit i bashkohen opozitës në protestën “Mesdita kundër Putinit”

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Zgjedhës rusë u grumbulluan pranë qendrave të votimit, në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale tre-ditore, me sa duket, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar kundër presidentit Vladimir Putin.

Opozita ruse tha se ajo që u cilësua si “Mesdita kundër Putinit” ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së tij.

Vladimir Putin pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që vjen pas sulmeve të ashpra të Kremlinit ndaj kundërshtarëve politikë.

Bashkëpunëtorë të ish udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalni u kishin bërë thirrje atyre që janë të pakënaqur me Putinin dhe luftën në Ukrainë që në mesditë të dilnin në qendrat e votimit, strategji të cilën e njoftoi vetë Navalni, disa ditë para se të vdiste në burg, muajin e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, mijëra vetë dolën në qendrat e votimit në mbarë Rusinë të dielën, në atë që opozita ruse tha se ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin.

Nën moton “Mesdita kundër Putinit”, sipas opozitës, rusët dolën në qendrat e votimit të dielën në mesditë për ta hedhur si të pavlefshme fletën e votimit, ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Përpara vdekjes së tij, ish udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni pati ofruar mbështetjen për këtë nismë nëpërmjet një mesazhi në mediat sociale. Më pas e veja e tij dhe ekipi vijuan me këtë formë proteste.

Nuk ka të dhënë të pavarur se sa nga 114 milionë votuesit e Rusisë morën pjesë në protestat e opozitës, në mes të sigurisë jashtëzakonisht të rreptë që përfshinte dhjetëra mijëra policë dhe zyrtarë të sigurisë.

Gazetarët e agjencisë Reuters panë një rritje të fluksit të votuesve, veçanërisht të rinjve, në mesditë në disa qendra votimi në Moskë, Shën Petersburg dhe Yekaterinburg.

Disa thanë se po protestonin, edhe nuk kishin ndonjë shenjë të dukshme për t’i dalluar nga votuesit e zakonshëm.

“Ne nuk presim asgjë të re, megjithatë nuk doja të qëndroja në shtëpi dhe erdha këtu”, thotë Nikita, një banore në Moskë.

“Unë do të doja të shikoja ndryshim. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë apo jo, por besoj se zëri im mund të bëjë një ndryshim”, thotë një tjetër banore nga Moska.

Denisi, një banor po në kryeqytetitn rus mbërriti në qëndrën e votimit fiks në orën 12 me orën lokale dhe tha se ishte i lumtur që shikonte kaq shumë njerëz, veçanërisht të rinj, që prisnin në radhë.

“Më vjen mirë që shoh kaq shumë të rinj, më vjen mirë që njerëzit po grumbullohen duke dashur të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë ai.

Protestat më të mëdha të rusëve kundër presidentit Vladimir Putin u zhvilluan nëpër ambasadat e Rusisë në botë. Kur e veja e Navalnyt, Julia, u shfaq në ambasadën ruse në Berlin, ku rusët prisnin të votonin, disa nisën të brohorisnin emrin e saj.

Mbështetësit e Navalnyt në mërgim transmetuan pamjet e protestave në YouTube.

Presidenti i Rusisë pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që pason një goditje të pashembullt të Kremlinit ndaj kundërshtarëve.

Votimi tre ditor për zgjedhjet presidenciale që mbyllet këtë të dielë mbahet në kushtet e një kontrolli të fortë. Nuk lejohet asnjë kritikë publike ndaj Presidentit Putin dhe luftës që ai ka nisur ndaj Ukrainës.

Zgjedhjet janë fiktive dhe nuk përbëjnë sfidë për presidentin 71-vjeçar, pasi kundërshtarët politikë të tij janë në burg, ose në mërgim dhe kundërshtari më i ashpër i tij, Alexei Navalny vdiq në burg.

Tre kandidatët e tjerë në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët nga partitë opozitare që ndjekin vijën e Kremlinit.

Zoti Putin, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999, pritet të sigurojë mandatin e tij të pestë, dhe nëse e arrin këtë, ai do t’ia kalonte Josef Stalinit dhe do të bëhej udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që prej 200 vitesh. Sipas autoriteteve vendase, në Rusi është shënuar pjesëmarrje e lartë në zgjedhje. Udhëheqësit perëndimorë i kanë cilësuar zgjedhjet në Rusi si fyerje për demokracinë.

DW: Zgjedhjet në Rusi, përse duhet mundimi kur dihet fituesi?

Rregullisht, thuhet se Rusia është një diktaturë ndërkohë, megjithatë nga 15 deri në 17 mars vendi po zhvillon zgjedhje presidenciale. Rezultati dihet që para zgjedhjeve: Fituesi do të jetë Vladimir Putin, i cili ka qenë në krye të vendit në 25 vitet e fundit, dhe do të fitojë edhe një mandat të pestë. Në Kremlin të paktën kështu Putin do ishte deri në vitin 2030.

Të shtunën zgjedhjet në Rusi u shoqëruan me protesta të veçuara. Edhe të dielën priten aksione protestash.

E vetmja figurë e qartë opozitare, politikani liberal Boris Nadeshdin është ndaluar të kandidojë nga gjykatat ruse, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Në zgjedhje kandidon Nikolai Kharitonov, 75 vjeç, i cili përfaqëson partinë komuniste lokale.

Kandidati i kësaj partie zakonisht vjen i dyti pas Putinit, me distancë të madhe humbjeje. Kharitonov ka kritikuar disa nga politikat e brendshme të Putinit, por mbështet pushtimin rus të Ukrainës.

Në garë është edhe Vladislav Davankov. 40-vjeçari është një nga kandidatët më të rinj dhe e ka paraqitur veten më shumë liberal kur bëhet fjalë për frenimin e lirive individuale në Rusi.

Megjithatë, ai ka thënë gjithashtu se nuk do të kritikojë kundërshtarët e tij politikë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kharitonov dhe Davankov mund të marrin secili nga 4% deri në 5% të votave totale.

Front i bashkuar

Por megjithëse të gjithë vëzhguesit e Rusisë thonë se Putini është para fitores, zgjedhjet edhe në Rusi duhet t’i shërbejnë një qëllimi. Ato duhet të ndihmojnë në adresimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet regjimi i Putinit, thekson Konstantin Kalachev, një analist politik dhe ish-këshilltar i Kremlinit.

Brenda vendit, zgjedhjet lejojnë legjitimimin e pushtetit të presidentit dhe demonstrojnë se populli rus është i bashkuar rreth liderit të tij, sipas Kalachev. “Dhe nga jashtë, ato duhet të tregojnë, se Putini zbaton politikën [e jashtme] bazuar në kërkesat e njerëzve,” tha Kalachev për DW. “Ato bëjnë të qartë, se presidenti dhe shumica ruse janë të bashkuar dhe dua ta shpërndajnë çdo iluzion në Perëndim.”

Nuk është e lehtë të bindësh njerëzit të dalin dhe të votojnë në një vend ku dihet  rezultati i zgjedhjeve që më parë. Sipas Meduza, një portal i pavarur lajmesh me qendër në Letoni, në fillim të këtij muaji, autoritetet ruse po marrin masa për të siguruar që zgjedhjet presidenciale të duken sa më legjitime.

Qëllimi është një pjesëmarrje zgjedhore prej 80%. Kjo bëhet, sipas Meduza, “duke mobilizuar elektoratin e varur nga qeveria: punonjësit e sektorit publik, punonjësit e institucioneve shtetërore ruse dhe kompanive të mëdha, besnike ndaj qeverisë, si dhe të afërmit dhe miqtë e tyre”.

Nga anëtarët e partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar” kërkohet që të sjellin të paktën 10 persona me vete në qendrat e votimit, informon Meduza duke cituar kontakte të afërta me partinë politike. Zyrtarët e qeverisë dhe partiakë mund të shohin saktësisht se kush ka votuar, falë votimit elektronik apo kodeve dixhitale që identifikojnë votuesit.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit në Asamblenë e Përgjithshme të Rusisë në fund të shkurtit, Putin u premtoi rusëve përmirësime sociale dhe përsëriti vendosmërinë e tij për të vazhduar të ashtuquajturin operacion ushtarak në Ukrainë.

Protesta e heshtur

Megjithëse kandidati i vetëm anti-Putin, Nadezhdin u ndalua të marrë pjesë në zgjedhje, ka mundësi për një votë proteste. Shumë opozitarë rusë janë larguar nga vendi, por ata u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre të jenë aktive gjatë zgjedhjeve.

E veja e liderit të opozitës ruse të ndjerë së fundmi, Aleksei Navalny, Julia Navalnaya u bëri thirrje mbështetësve të dalin masivisht në qendrat e votimit në mesditën e së dielës, 17 mars, për të nderuar bashkëshortin e saj të ndjerë, Navalny. “Ju mund ta prishni fletën e votimit, mund të shkruani “Navalny” me shkronja të mëdha në të”, u shpreh Yulia Navalnaya në një video në YouTube. “Edhe nëse nuk shihni fare kuptim në votime, thjesht shkoni qëndroni në qendrën e votimit e pastaj kthehuni në shtëpi”, sugjeroi ajo, duke shtuar se njerëzit mund të votojnë për “këdo përveç Putinit”.

Turma të mëdha që dalin para qendrave të votimit nuk do ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar, por ato mund t’i japin krisje imazhit se rusët mbështesin pa dallim në masë të madhe Putinin, u shpreh Nikolay Petrov, studiues i grupit studimor, Europa Lindore dhe Euroazia në Fondacionin Gjerman, Shkenca dhe Politika. “Është gabim të mendosh se është më e lehtë për regjimet autoritare të kenë zgjedhje sesa për demokracitë,” argumenton Petrov.

“Është shumë e rëndësishme që Putini t’i tregojë elitës së tij politike se ai mbështetet nga shumica dërrmuese e rusëve. Kjo është arsyeja pse Kremlini dëshiron të demonstrojë rezultate shumë të mira dhe gjithashtu të shmangë çdo skandal”

Ukraina “breshëri” dronësh drejt rafinerisë më të madhe të naftës ruse

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë shkatërruar dhjetëra dronë në disa rajone anembanë vendit. Sulmi më i madh ndodhi në rajonin jugor rus të Krasnodarit, ku u vu në shënjestër një rafineri nafte.

Në Ukrainë, zyrtarët raportojnë për sulme të reja ajrore ruse në qytetin port të Odesës. Sulmet vijnë pasi Rusia mban zgjedhje të përgjithshme të diskutueshme në të cilën presidenti Vladimir Putin është i garantuar të fitojë.

Vladimir Rogov, udhëheqës i instaluar nga Rusia në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës, tha të dielën se dy dronë ukrainas kishin sulmuar një qendër votimi – duke i vënë flakën ndërtesës, por duke mos shkaktuar vdekje apo lëndime. Më herët, autoritetet e Krasnodarit thanë se 17 dronë ishin lëshuar kundër rafinerisë së naftës në Slavyansk-on-Kuban dhe ishin neutralizuar, por njëri shkaktoi zjarr teksa ra. Nuk raportohet për të vdekur si pasojë e zjarrit, i cili është shuar.

Një person mendohet se ka vdekur nga një atak në zemër gjatë sulmit. Kjo është rafineria e gjashtë e naftës e sulmuar në Rusi gjatë javës së kaluar. Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin shkroi në Telegram se katër drone u rrëzuan në zona të ndryshme ndërsa fluturonin drejt kryeqytetit herët të dielën.

Katër dronë u kapën gjithashtu në rajonin Yaroslavl në veri të Moskës, njoftoi ministria e mbrojtjes. Një zonë tjetër në rajonin perëndimor të Belgorodit, afër Ukrainës veriore, është gjithashtu nën sulm, sipas guvernatorit të saj.

Vyacheslav Gladkov tha se katër dronë hodhën pajisje shpërthyese në fshatin Oktyabrsky – duke dëmtuar linjat e furnizimit me energji elektrike dhe gaz. Nuk raportohet për viktima. Incidente të tjera me dron janë raportuar në rajonet Kaluga, Oryol, Rostov dhe Kursk. Është hera e dytë që Belgorod është sulmuar këtë fundjavë.bw

Tre të vrarë nga sulmet ukrainase në Rusi

Forcat ukrainase kanë kryer sulme të shumëfishta në Rusi të shtunën, duke i vrarë së paku tre njerëz në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod, thanë zyrtarët rusë.

Një rafineri e naftës në rajonin rus Samara u godit nga sulmet e ushtrisë ukrainase, po ashtu.

Një burrë dhe dy gra u vranë dhe tre njerëz të tjerë u plagosën nga bombardimet ukrainase në Belgorod, tha guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.

Ai shtoi se pesë njerëz të tjerë u plagosën nga një sulm ukrainas me dron, i cili e goditi një veturë në fshatin Glotovo, rreth dy kilometra larg kufirit ukrainas.

Një rafineri e naftës në pronësi të gjigantit rus të naftës, Rosneft, në rajonin Samara u kaplua nga zjarri, tha guvernatori i këtij rajoni, Dmitry Azarov.

Nuk u raportua për viktima nga sulmi në rafinerinë e këtij rajoni, i cili ndodhet rreth 850 kilometra në juglindje të Moskës.

Ukraina i kreu këto sulme një ditë pasi Rusia e sulmoi qytetin jugor ukrainas, Odesa, me raketa dhe me dronë, duke i vrarë 20 njerëz dhe duke i plagosur mbi 70 të tjerë.

Dy raketa ruse Iskander-M, të shkrepura nga Krimea e uzurpuar nga Rusia, e goditën një zonë banimi në Odesa, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper.

Disa nga të vdekurit ishin mjekë dhe shpëtimtarë, të cilët u vranë nga një raketë e dytë, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes për t’i mjekuar të plagosurit nga raketa e parë, tha Kiper.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse që e sulmuan të premten qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi do të marrin “përgjigje të drejtë” nga forcat e Kievit.

Këto sulme vijnë po ashtu teksa rusët po votojnë në ditën e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren për ta zgjatur sundimin për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi i shtypi të gjithë kundërshtarët dhe zërat kritikë.

Putini e ka akuzuar Kievin se po tenton ta pengojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse.REL

BE-ja dhe NATO-ja me poste vakante

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen (në mes) duartrokitet nga (majtas në të djathtë) presidenti rumun, Klaus Iohannis, kancelari austriak Karl Nehammer, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, ai grek Kyriakos Mitsotakis dhe kreu i PPE-së Manfred Weber në Bukuresht, 7 mars.

Brukseli është mbushur me thashetheme derisa përgatitet për zgjedhjen e disa pozitave të larta, si në institucionet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në NATO.

Janë katër pozita që duhet të mbushen këtë vit – ajo e presidentit të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht mbahen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe ajo e shefit të politikës së jashtme të BE-së, të cilën, tash e pesë vjet, e mban Josep Borrell.

Në një pjesë tjetër të kryeqytetit belg, NATO-ja, po ashtu, kërkon zëvendësim për Jens Stoltenbergun në pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Norvegjezi do të largohet nga ky post pas një dekade.

Tri pozitat e BE-së janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi ato vendosen nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, gjatë negociatave që zhvillojnë me dyer të mbyllura.

Për këtë qëllim tashmë janë planifikuar dy samite të BE-së: më 17 dhe 27 qershor.

Procesi është i ndërlikuar, pasi duhet të zgjidhen tre persona që reflektojnë balancë në gjini, përkatësi politike dhe gjeografi, edhe pse perimetri i shteteve anëtare të BE-së është i turbullt herë pas here.

Është e zakonshme që presidenti i Komisionit Evropian të vijë nga ai grupim politik që fiton më shumë vota në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen në të gjithë bllokun nga data 6 deri më 9 qershor.

Në katër zgjedhjet e fundit, më e madhja ka qenë Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë. Sipas sondazheve, ajo pritet të dalë e para edhe këtë herë.

Kandidatja kryesore, e zgjedhur në kongresin e EPP-së në Bukuresht javën e kaluar, është Von der Leyen. Logjika tregon se ajo mund t’i sigurojë edhe pesë vjet të tjerë në krye të Komisionit Evropian.

Në anën tjetër, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi këtë javë se do të garojë për shef të NATO-s, dhe kjo mund ta komplikojë peizazhin edhe më shumë.

Pozita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është zyrtarisht e ndarë nga pozitat në BE.

Por, duke marrë parasysh se 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së i përkasin gjithashtu aleancës ushtarake dhe se sekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet të jetë evropian, të dyja organizatat janë duke kërkuar “talente” në të njëjtën pishinë politike.

Burimet në NATO thonë se do të kishin dashur t’i përfundonin kërkimet për personin e tyre në prill – shumë kohë përpara Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Uashington, në muajin korrik.

Gjithçka dukej e sigurt disa javë më parë, kur anëtarët kryesorë të aleancës, si: Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe rreth 17 vende të tjera – kryesisht në Perëndim – u rreshtuan pas kryeministrit holandez në largim, Mark Rutte.

I konsideruar si person me përvojë, i pëlqyer në Uashington dhe adekuat për t’u marrë me Donald Trumpin, ai dukej se ishte një zgjedhje e mirë. Por, shkaktoi zemërim te lindorët.

“Lindorët” këtu nuk nënkuptojnë konceptin gjeografik apo politik. Por, mbulojnë vendet e ish-bllokut sovjetik ose ish-Jugosllavisë, që iu bashkuan BE-së (dhe NATO-s) në 25 vjetët e fundit – Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Asnjë sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ishte ndonjëherë nga ndonjëri prej këtyre vendeve. Dhe, në vitin 2019, kur BE-ja zgjodhi për herë të fundit tri kokat e saj, krahu lindor u anashkalua plotësisht.

Në fakt, i vetmi “lindor” që ka mbajtur një pozicion të lartë në Bruksel, ishte kryeministri aktual i Polonisë, Donald Tusk, i cili ishte president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019. Pra, një nga katër pozitat e lira në vitin 2024, duhet të shkojë vërtet në lindje.

Kjo është arsyeja përse Iohannis e hodhi kapelën e tij në ring.

Kanë qenë tashmë tre sekretarë të përgjithshëm të NATO-s nga Holanda.

Holanda ka luftuar për të shpenzuar 2% të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje – një synim ky i NATO-s për më shumë se një dekadë, të cilin shumë vende lindore, përfshirë Rumaninë, e kanë arritur.

Dhe Rutte – ndonëse është mbështetës i Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022 – mund të konsiderohet se ka qenë “i butë” ndaj Rusisë.

Mbështetja e tij për Rrjedhën Veriore 2 të Gazpromit është një shembull. Nga ana tjetër, shumë “lindorë” kanë paralajmëruar për rrezikun e një Kremlini luftarak dhe kjo tashmë është vërtetuar.

Burimet e NATO-s mendojnë se Rutte do t’ia dalë. Veprimi i Iohannisit u pa si “i dëshpëruar” dhe, madje, shkaktoi pak bezdi, sepse procesi i përzgjedhjes mund të zvarritet tani me muaj.

Disa ishin mjaft të hutuar me planin e tij prej dhjetë pikësh, të publikuar në Politico më 13 mars, pasi përfshinte të gjitha gjërat që aleanca ushtarake tashmë po i bën.

Kur flitet me diplomatë nga disa vende lindore, ata thonë se nuk kanë asnjë mendim për asnjërin kandidat.

Pyetja, në fakt, është nëse Iohannis ishte në dijeni për popullaritetin e tij përpara se të angazhohej. Por, ka edhe dy faktorë të tjerë.

Gjëja e parë është unanimiteti. Të 32 aleatët e NATO-s duhet të bien dakord. Dhe Hungaria ka treguar tashmë se është kundër Ruttes, si pasojë e shumë grindjeve midis Hagës dhe Budapestit për çështjet hungareze të sundimit të ligjit.

Turqia nuk është prononcuar, por Ankaraja i ka pasur problemet e saj me Rutten, sidomos pas përpjekjeve të Turqisë, disa vite më parë, për të mbajtur mitingje politike në Holandë – gjë që ka rezultuar pastaj me ndalimin e disa zyrtarëve turq në Hagë.

Dhe, siç ka thënë një zyrtar i NATO-s: “Me pranimin e Suedisë në NATO, Turqia dhe Hungaria kanë treguar se janë të gatshme të shkojnë shumë larg, për të siguruar atë që duan”. Pyetja është: A e duan Iohannisin? Apo vetëm nuk e duan Rutten? Dhe, a i hap kjo rrugë një kandidati që nuk njihet ende publikisht?

Këtu vjen, pastaj, gjëja e dytë për të cilën Brukseli “flet”: Iohannis po e bën këtë për ta nxjerrë veten në “vitrinë” për një pozicion në BE.

Çështja këtu është se ai i përket EPP-së, njësoj sikurse Von der Leyen. E, nëse ajo merr postin e Presidentit të Komisionit, a mund të marrë një kandidat i EPP-së edhe diçka tjetër?

Nuk ka gjasa, pasi qendra e majtë (e quajtur S&D në Evropë) ka të ngjarë të përfundojë e dyta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe të kërkojë pozitën në Këshill ose në politikë të jashtme.

Dhe, nëse i shihni “lindorët” e tjerë të njohur që mund t’i synojnë vendet e punës në BE, shumica e tyre i takojnë EPP-së, si: kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, drejtorja bullgare menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, homologu i tij lituanez, Gabrielius Landsbergis, dhe ai letonez, Krisjanis Karins.

Jashtë EPP-së është kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila u përket liberalëve.

Por, pyetja që duhet bërë me të vërtetë, është nëse Iohannis po planifikon, në fakt, grushtshtet kundër Von der Leyenit? Ajo konsiderohet si presidente e suksesshme e Komisionit, veçanërisht për shkak të mbështetjes së patundur për Kievin.

Por njerëzit në Bruksel kanë edhe gjëra të këqija për të thënë për të: disa shtete anëtare thonë se ajo e ka bërë Komisionin shumë të fuqishëm dhe se e drejton atë me dorë të hekurt, duke mos i lënë komisionarët e tjerë të shkëlqejnë.

Dhe pastaj, është çështja me Parlamentin Evropian. Kandidati për kryetar të Komisionit duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të dhomës. Von der Leyen mund ta ketë ngushtë këtë herë. Ndoshta, kjo do të thotë se është koha për një kandidat konsensusi? A mund të jetë Iohannis ky kandidat?

Përgatiti: Valona Tela

Tensione në distancë mes Francës dhe Rusisë, Kremlini i përgjigjet Macron: Jemi kundërshtarë, francezët po marrin pjesë në luftë!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka të drejtë që e quan Moskën një “kundërshtar” sepse Parisi është tashmë i përfshirë në mënyrë indirekte në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në një intervistë me kanalet TF1 dhe France 2 të enjten, Macron këmbënguli se Franca “nuk po i bën luftë Rusisë” duke mbështetur Kievin, por deklaroi se qeveria e tij po bën të pamundurën për të siguruar një fitore të Ukrainës.

Ai e përshkroi Moskën si një “kundërshtar” të Francës, por nuk pranoi ta cilësonte atë si “armik”.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Macron të premten, Peskov tha se autoritetet ruse kanë ndjekur retorikën e liderit francez.

“Po, është e qartë se Rusia është një kundërshtar i Francës, sepse Franca tashmë është përfshirë në luftën në Ukrainë; është indirekt duke marrë pjesë në këtë luftë,” u tha Peskov gazetarëve.

“Por, duke gjykuar nga deklarata e presidentit francez, ai nuk do të ketë problem të rrisë shkallën e përfshirjes së tij në konflikt”, shtoi zyrtari i Kremlinit.bw

Të mbijetuarit në Detin Mesdhe thonë se 60 persona vdiqën gjatë udhëtimit nga Libia

VOA/Marrë nga Associated Press

Personat që u shpëtuan nga një gomone që po fundosej në Detin Mesdhe kanë njoftuar se rreth 60 vetë që ishin nisur nga Libia, së bashku me ta një javë më parë, vdiqën gjatë udhëtimit, njoftoi të enjten grupi humanitar i shpëtimit SOS Mediterranee.

Anija Ocean Viking e organizatës bamirëse europiane pikasi gomonen me 25 persona në bord të mërkurën.

Dy prej tyre ishin në gjendje të pavetëdijshme dhe u evakuuan me helikopterë nga Roja Bregdetare Italiane për kujdes mjekësor. 23 personat e tjerë ishin në gjendje të rëndë, të lodhur dhe të dehidratuar.

Zëdhënësi i organizatës SOS Mediterranee Francesco Creazzo tha se të mbijetuarit janë të gjithë meshkuj, 12 prej tyre minorenë .

Ata janë nga Senegali, Mali dhe Gambia.

Zoti Creazzo tha se të mbijetuarit ishin të traumatizuar dhe nuk ishin në gjendje të kujtonin qartësisht se çfarë kishte ndodhur gjatë udhëtimit.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se 227 persona kanë vdekur në rrugën e rrezikshme në Mesdheun Qendror nga fillimi i vitit deri në 11 mars, pa përfshirë në këtë bilanc, njoftimet e fundit për personat që rezultojnë të humbur apo mendohet të jenë të vdekur.

Në total 279 persona kanë humbur jetën në Mesdhe që prej 1 janarit.

19, 562 persona kanë shkuar në Itali duke përdorur këtë rrugë përgjatë së njëjtës periudhe.

Të mërkurën gjatë natës, anija Ocean Viking shpëtoi 113 persona të bllokuar në ujrat ndërkombëtare.


Send this to a friend