Shkova te dritarja nga lindja, e hapa dhe vështrova jashtë. Ishte një ritual ky që nga fëminia e hershme. Ja tek ishin dy krahët e shtëpisë së vjetër dykatëshe, ja tek ishte kopshti i qëndisur me perimet e stinës, ja tek ishin rrethinat e vendlindjes, ja tek ishte horizonti pjesërisht kodrinor e më shumë malor! Syri im i kaloi të gjitha objektet, për të pushuar tek ato më të largëtat, majat blu, ato që unë digjesha t’i kapërceja. Ndoqa me sy udhën e bardhë që gjarpëronte rreth këmbëve të malit nga lindja dhe zhdukej në një grykë midis dy majave, ku ndaheshin ujërat e shirave në dy shtete fqinje. Sa dëshirë kisha ta ndiqja edhe më tej atë udhë! Por tani ishte bërë gardhi i telave me gjëmba, i cili quhej klon. Gjithçka brenda tij dukej si burg, si mërgim.
M’u kujtua koha kur isha fëmijë, sa herë ishim ngjitur e zbritur me shokët asaj rruge në ag e në mug, për të kapur diellin e hënën, sapo të nxirrnin kokën tek ajo qafa e malit. Tani më duket sikur ka kaluar një shekull nga ajo kohë e bukur plot ëndërra e imagjinatë.
Me që e përmenda, nuk e di ende sesi dhe pse, ideja makabre për ta rrethuar vendin me tela me gjëmba, sikur të ishte një kopësht zoologjik, u emërtua “klon”. Nga dijet e mia të kursyera në gjenetikë, në këtë disiplinë të dijeve njerëzore, me klon quhet një grup qelizash, që veçohen prej të tjerave në laborator, me qëllim që të mbahen të pastra, pa u përzier. Pra, lumturisht, kjo fjalë, po ashtu si edhe fjalët internim((ital. interno = futeshin brënda) e syrgjynim (turqisht=syrgjynoseshin) nuk i takojnë gjuhës që më mësoi nëna dhe kjo gjë është në nder të gjuhës shqipe.
Atë mëngjes, kur meditoja te dritarja, kishin kalur tetë vjet, që, gati dhjetë muaj të vitit, i kaloja në një konvikt kooperative, larg vendlindjes sime. Rregullat, detyrat, zakonet, idetë, zërat, fytyrat, frazat, normat, parapëlqimet dhe antipatitë e shkollës – vetëm kaq dija unë nga ekzistenca. Brenda një pasditeje u lodha nga rutina e tetë viteve. Dëshiroja liri. Gulçoja për liri. Gati shqiptova një lutje për liri, e cila u duk sikur u përhap në erë dhe u shua prapë. Hoqa dorë prej saj dhe i dhashë formë një lutjeje më të përulur për ndryshim: sikur të më dilte e drejta e studimit për agronomi, me që bujqësore ishte shkolla ime e mesme. Por edhe ajo kërkesë u duk sikur u shua vagëllimthi në hapësirë. Kjo nuk mund të ndodhte, pasi mesatarja notave të mia ishte shumë e ulët. Gjithmonë kisha menduar: hë, mo, se do të bëhem një brigadier në fshat. “ Atëherë, – thirra pothuaj me dëshpërim, – më dhuro një robëri të re!”
Në këtë pikë dëgjova zërin e nënës nga poshtë për ngrënien e darkës. Nuk mund t’i kthehesha rrjedhës së ndërprerë të mendimeve të mia derisa erdhi ora e gjumit. Edhe atëherë gjyshi, unë flija në dhomën e tij, më largoi nga mendimi, të cilit doja t’i rikthehesha, me një shfrim të zgjatur këshillash të kota. E kishte nga meraku dhe dashuria. Sa do të doja ato çaste që gjumi t’ia mbyllte gojën! Më dukej se po t’i kthehesha idesë që kisha pasur në mëndje, kur po rrija pranë dritares, do të më shfaqej ndonjë këshillë e ndritur që të më lehtësonte. Më në fund gjyshi nisi të gërhiste. Ai ishte trupmadh dhe deri atëherë zhurmat e tij të zakonshme hundore nuk i kisha konsideruar, veçse bezdi, por atë natë i përshëndeta me kënaqësi notat e para e të thella. Shpëtova nga ndërprerja. Mendimet e mia gjysmë të harruara u gjallëruan në çast.
“Një robëri të re! Ka diçka të mirë këtu! – thashë me vete(me mëndje, kuptohet, nuk fola me zë të lartë). – E di që ka, sepse nuk më tingëllon tepër ëmbël, nuk është si fjalët liri, emocion, gëzim. Tinguj të këndshëm vërtet, por veçse tinguj dhe aq të zbrazët e fluturakë, sa për mua është thjesht humbje kohe t’i dëgjosh. Por robëri, kjo duhet të jetë diçka konkrete. Kushdo mund të jetojë. Unë kam jetur 18 vjet këtu. Tani dua vetëm të jetoj gjetkë. A nuk kam të drejtë ta plotësoj dëshirën time? Nuk mund të realizohet? Po, po, qëllimi nuk është edhe aq i vështirë. Sikur të kisha një tru më aktiv, sa të zbuloja mjetet për t’ia arritur”. U ngrita ndenjur në shtrat që të vija trurin në punë. Ishte një natë e ftohtë. Hodha një batanije krahëve dhe vazhdova të mendoja sërish me të gjitha forcat. “Çfarë dua unë? një vend të ri, mes fytyrash të reja, në rrethana të reja. E dua këtë se nuk ia vlen të dua ndonjë gjë më të mirë. Dua vetëm të zvilloj talentin tim për të pikturuar. Si ia bëjnë njerëzit për të realizuar këto synime? U drejtohen miqve, besoj, por unë nuk kam miq. Ama ka shumë të tjerë, që nuk kanë miq, por që kujdesen dhe e ndihmojnë vetë veten. Si ia bëjnë?”
Nuk dija ta thosha. Nuk gjeja përgjigje. Urdhërova trurin tim ta gjente sa më shpejt një përgjigje. Truri punoi dhe punoi me shpejtësi. Ai nxorri nga arkiva një element të rëndësishëm, por…
Në klasën e pestë e të gjashtë, ju rikujtoj se që në klasën e pestë isha në një konvikt kooperative, mbaroja shpejt mësimet dhe pastaj riprodhoja në çfarëdo flete të bardhë portretet e shkrimtarëve dhe shkencëtarëve nga librat mësimorë. Vizatimin na e bënte një mësuese e vjetër, që nuk ia thoshte për atë punë. Ato riprodhime portretesh ajo i quante kryevepra të miat.
Dikur na erdhi një student, i cili vazhdonte shkollën e lartë për pikturë dhe do të bënte praktikën mësimore në shkollën tonë. Nuk ishte fare simpatik dhe dukej i hallaktur, por kur pashë sa shpejt e sa bukur vizatonte, e admirova.
Një ditë praktikanti më tha se kisha prirje për pikturë, por duhej shkollë e shumë punë. Bile më rekomandoi mos t’i kopjoja nga librat, por të bëja vetë portrete njerëzish të gjallë.
– Çfarë mund të bëj unë? – e pyeta.
– Bëj portretin e një gruaje të njohur me veshje karakteristike, – më këshilloi.
Pas një jave i dorëzova portretin e realizuar me aq gëzim, por edhe me ndrojë.
– Po kjo është mësuese Bardha, – më tha piktori dhe ma mori kokën nën sqetull. – Unë të thashë një grua me një portret tipik e veshje, që përfaqëson krahinën tuaj.
– Po në krahinën tonë ka shumë raca, – ia ktheva unë, – labë, minoritarë, çamë, evgjitë…
– Komunitete, – më korrigjoi praktikanti, – jo raca.
Unë ende s’e dija ç’ishte komuniteti dhe se evgjitët quheshin romë.
– Pikturo një grua nga fisi yt, një gjyshe, përshëmbëll, më rekomandoi dhe më rrahu shpatullat.
Ashtu bëra, realizova portretin e gjyshes sime. E detyrova të vishej me takëmet tradicionale, që i ruante në sepetin e saj të nusërisë. Praktikantit i pëlqeu shumë dhe e vuri në ekspozitën e vizatimeve më të mira të shkollës.
Atje para stendës së punimeve më të mira të shkollës, praktikanti minoritar më tha ca fjalë, që m’u ngjitën e s’më shqiteshin nga mendja:
– Të ishe në ndonjë vend tjetër ti, do të bëheshe piktor i dëgjuar.
– Ku, në Tiranë? – e pyeta me kureshtje.
– Edhe në Tiranë, por e kisha fjalën për në Europë apo Amerikë, – m’u përgjigj ai.
Ja, pra, kjo ishte përgjigjja që kërkoja unë nga truri. Dhe fillova të mendoja se si ta realizoja. Pasi u mendova gjatë dhe arrita në përfundimin: një vend i ri, fytyra të reja, rrethana të reja, ka vetëm një rrugë-të arratisesh, të çash ferrën, domethënë klonin.
Kloni ishte një murë me tela të ashpër e me gjëmba, i ngritur në formën e një perdeje vertikale të hekurt, mbi dy metra e lartë, mbështetur në shtylla betonarme. Kloni nuk ishte ekzaktësisht në vijën e kufirit por, më brënda tij, këtej piramideve, domethënë në tokën shqiptare. Në të dy anët e klonit ndodhej i ashtuquajturi brez i butë, që ishte një rrip toke vërtet e butë, e punuar freskët, një brez pra me gjërësi 4m në secilën anë të klonit, me qëllim që të mbeteshin në të gjurmët e atyre që do të kalonin kufirin, për t’u arratisur. Ky rrjet teli ushqehej me rrymë elektrike e cila kish dy qëllime: së pari, të godiste dhe të linte në vënd madje edhe ta karbonizonte, këdo që do të tentonte të arratisej dhe, së dyti, të jepte alarmin në postën më të afërt kufitare. Përveç kësaj, përgjatë klonit patrullohej nga ushtarët e patrullave, të cilët ishin të paktën dy për çdo patrullë, për të kontrolluar edhe njëri-tjetrin. Kontrollonin të armatosur me kallashnikovë, dylbi dhe me një qen të stërvitur, shtatlart dhe agresiv, i quajtur prej popullit “qen kufiri”, simboli i cerberit, ruajtësit të botës së të vdekurve në mitologji.
Për ditë të tëra po më mundonte kontrasti mes idesë dhe mundësive të mia, domethënë punës që duhej të bëja. Atëherë më erdhi në mend se edhe unë kisha një mik, i cili mund të më ndihmonte. Ai ishte një ushtar i kufirit, me të cilin takohesha shpesh dhe kisha pikasur gjashmërinë e mendimeve dhe ëndërrave. Ndonëse, në përgjithësi ushtarët e kufirit ish nga fshatrat më të thella të vendit, shoku im ishte ndryshe. Atij i vlonte zemra nga dashuria për vajzën e komisarit dhe dikur më kishte thënë se ishte gati ta rrëmbente dhe të kalonte kufirin natën. Pra dija dikë, jo një po dy, që kishin idenë e arratisjes. Pas shumë arsyetimesh e hezitimesh, herë-herë naive, vendosa t’i hapem.
– A e ke sprovuar veten se e do aq shumë të bijën e komisarit, sa mund të arratisesh me të? – i thashë një ditë papritur. Më vështroi si i habitur.
– Po, – më tha pas një ngurimi.
– Unë mendoj se është e pamundur të arratisesh, – i thashë në mënyrë provokuese.
– E ke gabim. Një kufitar mund të arratiset shumë lehtë, – ma ktheu.
– A di ndonjë rast konkret?
– Disa.
– Po një civil? – e pyeta dhe vet iu përgjigja, – besoj e pamundur.
– Pse pak janë arratisur nga kufiri? – m’u përgjigj me kundërpyetje.
Ngrita supet.
Pasi heshtëm ca, ushtari më tha:
– Të ka shkuar ndonjë herë në mend të arratisesh?
– Po, – iu përgjigja. Vetëm një herë.
– Kur dhe pse?
– Kur më ka lindur një ëndërr, të provoj një robëri tjetër dhe të bëhem piktor i madh.
Pas një pauze të gjatë dhe të rënduar, kur të dy dyshonim mos provokonim njëri-tjetrin, ai më tha:
– E ke seriozisht?
– Po.
– E ke marrë vendimin?
– Jo akoma. Por mund të përgjigjem, po.
– Atëherë bëhu gati, – më tha dhe iku .
– Prit, – i thashë edhe i habitur edhe i trembur. Ishte budallallëk të mos dyshoja, kur qarkullonte thënia: dysho dhe te rrobat e tua. Por më tepër prisja ndonjë parashtrim të versionit të tij dhe sa do të më dukej bindës.
Pas dy muaj heshtjeje, pa u takuar me të, kur shpesh më shkonte mëndja te GAZ- 51 i degës së punëve të brendëshme, ushtari i kufirit m’u afrua dhe më tha: “në mbrëmje vonë të pres te kroi” dhe iku sërish pa më përshëndetur. Ashtu bëra. Në mbrëmje shkova te kroi, ku bëja sikur do të mbushja ujë. Edhe ai erdhi me dy bidona për ujë. Bëmë si dy të rinj moskokëçarës, ku rafsha, mos u vrafsha, dhe, sikur bënim qyfyre, midis tyre ai më tha: Filluan shërbimin ushtarët e rinj, tani është situatë e përshtatshme. Nesër do të ruash fshehurazi te posta dhe sa të shikosh patrullën time. Kur të jap komandën: “Armë mbush, pa rënë në sy, shko fshihu nëpër shkurre afër urës së përroit te mulliri i vjetër. Pastaj bëmë ca hoka dhe u ndamë.
Njëzet e katër orë, jo që nuk mbylla sy, por isha gati në gjëndje aluçinante. Për çfarë nuk dyshoja, për çfarë nuk mendoja, arrestime, dhimbje ndarjesh e frikë për jetën time, për pasojat e ushtarëve të patrullës dhe e familjes sime. Dy fjalë godisnin si varre në trurin tim: shkoj, nuk shkoj…
Të nesërmen, i fshehur diku nga familja, nga shokët, kur zemra dhe shpirti ishin pezull, truri i mpirë, fjala e fundit, që goditi, ishte shkoj….
Rreth orës gjashtë e mbrëmjes, komanda e fortë “armë mbush” ishte për mua.
Me një çantë të vogël nën sqetull, ku kisha më tepër sende mashtruese se të dobishme, zura vend në ca shkurre, pranë një përroi të vogël, ku kloni kalonte mbi një urë betoni dhe nën të ishte një deriçkë e mbyllur me një rrjetë hekurash të trashë dhe dy dryna të mëdha, sa, po të hapej, mund të kalonte vetëm një njeri i përkulur. Isha në moshën kur njeriu e merr rrezikun në sy, por, kur dëgjova hapat e patrullës, më kaluan mornica të akullta e drithërima në tërë trupin. Besniku(deri atëherë nuk ia kisha përmendur emrin mikut tim ushtar as në familje as me shokët, sikur s’kisha njohje të thellë me të), si pëgjegjës patrulle, hapi portën e hekurt dhe kaloi ushtari i parë. Pas gati dhjetë minutash të mërzitshme, që m’u dukën dhjetë muaj, kaloi ushtari i dytë. Pas po aq minutash duhej të kalonte përgjegjësi i patrullës, i cili do të mbyllte dhe portën. Këto ishin rregulla të shërbimit kufitar. Kalo, më tha ai me zë të shuar. Kalova deriçkën i përkulur, gati pa frymë dhe ndjeva leshrat e kokës si tela të tendosur. Në qënien time kacafiteshin frika, pendesa dhe dhimbja për gjithçka që lashë prapa. M’u duk se isha hedhur në një univers tjetër. Gjithësa kisha dëgjuar për vendin fqinj ma përshkuan trurin dhe u ndjeva sikur isha para dyerve të ferrit. Por, kur dëgjova pas meje zërin e mbytur e përgjërues të Besnikut “kujdes shpirt!”, ktheva kokën dhe gati u hodha përpjetë nga çudia e frika, kur njoha në errësirë bukuroshen e komisarit. Ama kjo më dha ca kurajë, pasi e kuptova se në aventurën time nuk do të isha vetëm.
Rreth 500 metër larg klonit unë dhe e bija e komisarit do të ecnim sipas një rregulli të kufitarëve, duke vënë këmbën në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë me ushtarin para, domethënë ne do të ndiqnim me vëmendje maksimale gjurmët e përgjegjësit të patrullës. Kështu, dukej e çuditshme, por tre hapat tanë njësoheshin në një të vetëm. Në kohën që kufitarët u vendosën në vendin e patrullimit, krah njëri-tjetrit dhe në distanca të caktuara, ne dy të arratisurit u shtrimë në tokë. Besniku kishte hartuar një farë kodi, që ia trasmetonte të dashurës së tij me anë të një fije filispanjë, që ia kishte lidhur te dora. Sigurisht ai e kishte përpunuar planin me detaje.
Falë dy kufitarëve të rinj, të cilët dukej sheshit se kishin shumë frikë, sa shpesh afroheshin pranë përgjegjësit më pak se distanca e caktuar, Besniku, me përvojën e tij, bënte ç’ishte e mundur për të ngjallur dyshim tek ata, se diku mund të lëvizte ndonjë shkelës kufiri, por të mos kishin frikë se ushtari i vjetër dinte ta zgjidhte situatën. Kjo i frikësonte edhe më shumë dy djemtë 18-vjeçarë. Pastaj u thoshte se mund të lëviznin edhe shpendë apo shtazë, që natën ngjasonin krejt si njerëz…
Deri pas mesnate, qëndruam në heshtje dhe prisnim çfarë kishte sajuar Besniku, i cili vigjilonte midis dy ushtarëve të rinj. Pranë meje dëgjova një klithmë të mbytur. Ushatri i ri në krahun tonë kishte dëgjuar një zhurmë para fytyrës së tij dhe ishte tmerruar. Pa vetëdije ai u afrua pranë Besnikut. Hajde, rri në vendin tim, në mes dhe mos u tremb, se mund të jetë ndonjë dhelpër, ujk apo çakall, i shpjegoi përgjegjësi i patrullës. Ra mbi ne një heshtje e frikshme. Pas pak Besniku tërhoqi fillin, që do të thoshte se fillonte lëvizja. U nisëm këmba-doras unë e bukuroshja e komisarit dhe ecëm disa metra, duke imituar kafshët. Ndërkohë Besniku u thirri ushtarëve të rinj: Mos u trembni! S’është asgjë, ndjeva aromën e një çakalli… Pasi ne ishim larguar disa metra, prapa shpinës pamë një fashë drite, që harkoi në drejtim të kundërt me kufirin. Ishte një granatë gjurmëlënëse, të cilën Besniku e hodhi gjoja për t’u dhënë kurajo dy shokëve të rinj. Para syve dalluam piramidën, që shënon kufirin fizik midis dy shteteve. E kapërcyem me vrull atë dhe u futëm në një shkurrnajë, kurora e dëndur e të cilës nuk do të lejonte as dritën e diellit të depërtonte. Por ajo nuk i mbulonte dot krismat e breshërisë së automatikut. Dy ushtarët e rinj kishin dhënë alarmin, për t’u dëgjuar në postën kufitare, se në zonën e shërbimit të tyre kishte shkelje të kufirit. Në çast erdhi nga larg një buçimë e thellë krismash. Ishte përgjigjja se sinjali u kap në postën kufitare dhe në çast do të ngrihej gjithë kufiri në këmbë. Të dy, unë dhe vajza e re, iu ngjitëm pas trupit Besnikut. Ai e dinte se tej piramidave nuk shkelte këmbë kufitari shqiptar. Jepuni këmbëve, na tha ai dhe kapi për krahu vajzën e adhuruar, e cila dridhaj nga emocionet e frikës dhe vrasjes së ndërgjegjes. – S’ka kohë për t’u menduar e frikësuar. T’ua mbathim këmbëve se jemi në tokë të huaj dhe askush s’ka të drejtë ligjore të kalojë piramidat kufitare, problemi i vetëm është të hyjmë sa më thellë, sa të mos na kapë plumbi, i cili nuk do t’ia dijë për ligjet kufitare.
Tej kufirit, pra, në tokën e shtetit fqinj, Besniku hoqi rrobat ushtarake, nën të cilat kishte veshje civile. Ne ndiqnim gjurmët e tij. Filloi të mugullonte dita e parë në vendin e huaj. Pastaj ecëm drejt një godine, që, siç na tha Besniku, ishte posta e shtetit armik. Para na dolën dy ushtarë, pa uniformën e rregullt. Ata iu drejtuan shkelësit të kufirit që na printe. Besniku na kishte porositur të mos kishim frikë, se nuk ishte ashtu si na thonin në vendin tonë. Por vetëm unë kuptoja pak gjuhën e tyre, se kisha bashkëjetuar tetë vjet me shokë minoritarë grekë në konviktin e kooperativës. Pëktheja copa-copa e vende-vende pyetjet e tyre dhe u jepja përgjigje të çala si më vinin në çast…
Nuk na pritën me lule, por nuk na munduan, siç mendoja unë, bile në postën e tyre na shërbyen nga një kafe në filxhanë të mëdhenj dhe na dhanë për të grënë. Me vajzën u sollën me shumë xhentilencë. Gjatë kohës që hanim nga ana e tyre kishte një lojë fjalësh, si ironi, si humor, si tallje apo përbuzjeje, që dukej se luannin me nervat tona: “Nga ana juaj është parajsa, ë! Nga ana jonë ferri, ë! Andej nga ju dritë, këndej nga ne, natë, ë!… Ne vuajmë për bukën e gojës, ju do të hani me lugë floriri, ë! Neve na mungojnë të drejta më elementare, ju i gëzoni të gjitha liritë nën diktaturën e proletariatit, ë?!… Ha-ha-ha!
Mirëpo desh na e prishi lojën fare Besniku, kur më tha mua nën zë: e thuaj që nuk kanë spiunë e agjentura pastaj, këta i dinë të gjitha ç’themi ne për ta, bile edhe sa lugë kemi në shtëpi. Njëri midis ushtarëve, që me sa dukej ishte përgjegjësi, kuptoi fjalën “spiunë” dhe më kërkoi me këmbënglje t’ia përktheja saktë, por unë përtypesha se nuk dija as të përktheja mirë e as të katranosja ndonjë shprehje, për ta qetësuar. Pas një hutimi e hezitimi, iu përgjigja: Më thotë që t’ju bind juve se nuk jemi spiunë të qeverisë…. Ëhë, ndaksi*, ia bëri.
Ama mëvonë u bindë edhe ne se të drejtat dhe liritë e njeriut atje ishin në themelet e sistemit të tyre, ndërsa ato tonat ishin të masakruara fare.
Ja kështu u arratisa nga vendi im. E ardhmja e Besnikut dhe e vajzës së komisarit ishte shumë më e mirë se ç’e mendonin ata. Fakti që u prezantuan si një farë Romeo e Zhulieta, u dha favore, duke i sistemuar në një hyrje brenda në kryeqytetin e vendit. Po ashtu i sistemuan edhe në punë…
Unë ndoqa një kurs pikture dhe u bëra piktor, por nuk ndihesha i kënaqur me rezultatin e punës sime të zellshme. Më mundonte kontrasti midis idesë dhe punës sime. Në çdo rast përfityroja diçka që më dukej se isha krejt i pafuqishëm ta bëja.
Një piktor i madh i atij vendi, tek i cili mora mësimet e fundit, më thoshte:
Keni arritur ta jepni hijen e mendimit tuaj, por ndoshta jo më tepër.Nuk keni aftësi dhe njohuri të mjaftueshme artistike, për ta dhënë plotësisht, e megjithatë, për një fillestar, vizatimet tuaja janë të veçanta. Sa për mendimet ato janë të fshehta. Këta sytë e kësaj vajzës duket sikur i keni parë në ëndërr. Si keni arritur t’i bëni kaq të qartë dhe njëkohësisht aspak të ndritshëm? Duket sikur një re mbi të ua shuan dritën. Dhe çfarë kuptimi ka thellësia e tyre solemne? Po kush ua ka mësuar të pikturoni erën? Në qiellin tuaj dhe në majën e kodrës shihet një stuhi e fortë. Ku e keni parë Latmosin? Nga se ky Latmosi** është këtu? Mos kjo është piktura e ndonjë aventure tuaj?…
Mos të kisha ndërmarrë atë aventurë, nuk do ta kisha kuptuar kurrë, ç’është Atdheu dhe nuk do ta kisha dashur kaq shumë sa e dua sot, që është i lirë.
* në rregull
** Latmos-i, Mal në legjendat greke, ku një perëndeshë ra në dahuri me Endimionin…
Komentet